• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME ARISTIDH KOLËN NË ATHINË

October 29, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Kisha pyetur që në vitin 1991, madje kisha bredhur rrugicë më rrugicë të Athinës për të gjetur zyrën e tij të Lidhjes së Arvanitasve ”Marko Boçari”. Nuk munda ta gjej. Si një emigrant që nuk di ku ka kokën nuk u bëra mbarë në kërkim dhe nuk arrita ta takoj deri në vitin 1993, kur nxorra gazetën “Egnatia”. Gazeta i kishte rënë në dorë dhe e lexonte rregullisht. Ishte entuziast se “djemtë”- kështu i quante emigrantët, anipse mund të mos kishte diferencë të madhe moshe me ta – djemtë pra “kishin nxjerrë edhe gazetë”. Në atë kohë nuk qe më e vështirë ta gjeja e të më gjente. Por ishte dhe Shpëtim Mezini i Ambasadës sonë në Athinë, që bënte kujdes që ne t’i gjenim lehtësisht këto lidhje.
Një ditë u gjendëm pranë e pranë edhe në faqet e gazetës ultranacionaliste greke që dilte në Athinë “Stohos” e Kapsalit, ku në çdo numër nuk linin gjë pa thënë për Aristidh Kolën, “tradhëtarin e Greqisë, spiunin e agjentin e amerikanëve dhe shqiptarëve”. Në një nga ato numra gazete më kishin nderuar edhe mua duke më vënë përkrah “tradhëtarit” e duke më pagëzuar me epitetin – “shqiptari nacionalist i çmendur që bën gazeta në gjuhën shqipe në Athinë. Të shporret në Shqipëri me gjithë gazetën e tij. Alvanoset ekzo!”
Kjo situatë na rëndonte në zemër, po ç’të bënim. Vazhdonim punën tonë sikur të mos kish ndodhur kurrgjë. Aristidhi thoshte: -“Le të shkruajnë. Nuk i lexon njeri përrallat e Kapsalit”. Shkoja e çoja çdo numër të ri në zyrën e Aristidhit në rrugën “Filipidu 6”, më së shumti ia lija poshtë tek kutija e postës, por kur gjendej aty më ndalonte të bisedonim. I pëlqente të fliste shqip, një shqipe ku arvanitishtja dhe shqipja e re gjenin njëra-tjetrën herë ngushtë e herë lirshëm.
Një prej ditëve në verë 1995, ndërsa po i bëja ca fotografi në zyrën e tij më tha se “këtu në tryezen e punës kam “Egnatian” tënde. Dhe ky duhani që pi me çibuk, – theksoi, -e kam nga Shqipëria. Duhan “Taraboshi” nga Shkodra jote. Ma kanë prurë djemtë”. E kuptova dhe e fotografova. E ashtu mbeti. Me “Egnatia”-n pranë, i mendueshëm tek mbante në dorë çibukun me duhan Shqipërie, një portret që rrezatonte mirësi e dritë.
Disa ditë para se të largohesha nga Greqia për në SHBA, Aristidh Kola më ftoi familjarisht në shtëpinë e tij në një darkë lamtumire. Për të bërë shoqëri në atë mbrëmje kish ftuar edhe piktorin Robert Alia-Dragot me të shoqen Mimozën, shkrimtarin Tasos Karantis, mikun e tij të rinisë, grekun Niko, me të cilin dikur kishin shkuar deri në Francë për të ndjekur studimet pasuniversitare, si dhe një familje tjetër shqiptare, çiftin Albana dhe Adrian Prifti. Albana punonte sekretare në zyrën e tij.
Ajo mbrëmje e bukur vere athiniote ruhet në kujtesën tonë si më e bukura ditë e pesë viteve jetë në Greqi. Në fund të mbrëmjes, të cilën Robert Aliaj nuk mungoi ta xhironte me kamera, Aristidh Kola la miqtë e tjerë në shtëpi, nxorri makinën nga parkingu dhe na përcolli deri në shtëpi, në rrugën Filolao. Ishte pasmesnate. Kur po ndahesha më tha miqësisht se bashkë do të takoheshim përsëri, pasi e kishim lënë që me shoqërinë e gazetarit të BBC-së, Robert Goro e disa shqiptarë të tjerë intelektualë do të shkonim në një lokal. Edhe ajo ishte një mbrëmje e bukur. Aristidh Kola në mes nesh ishte shqiptari në mes të shqiptarëve.
Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish. “Pse ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin? -më tha. Nuk bën! Nuk bën!” -përsëriti disa herë. – Këtë duhet ta dinë djemtë. Të mos e prishim njëri-tjetrin. Jemi vëllezër…”
Ai ishte një njeri që i kuptonte fenomenet që ndodhnin në gjirin e shoqërisë shqiptare, por i vinin shumë të hidhura lajmet kur ndonjë emigrant kish vrarë shokun e vet për para. Ishte shumë i dhimbsur si njeri dhe i vinte keq për njerëzit e gjakut të vet. I thernin në shpirt vuajtjet e djemve siç gëzohej me shpirt për sukseset e tyre. Kur u bë koncerti me poezitë e emigrantëve, mbështetur në librin “Balada e largësive”, të cilin e realizoi Bujar Limani, Aristidhi erdhi ndër të parët.

* * *
Intervistën që i pata marrë atij e që u botua në gazetën “Illyria”, në New York, Nr.555, 556, Gusht 1996, e priti me shumë kënaqësi. Ja si shprehet në një letër:

Aristidh P.Kola. Jurist – Shkrimtar. Filipidou 6 Athina 11526.

I dashur e i paharruar vëlla Kolec,
E mora letrën tënde të bukur që më dërgove, dhe gjykoj se ishte dhurata më interesante për ditëlindjën time, jo vetëm për rëndësinë e saj, por edhe sepse na dhatë disa çaste të çmuara të gjithëve ne që u mblodhëm dhe e festuam ditëlindjen time së bashku.
I dashur Kolec! Të dërgoj librin e fundit që kam botuar dhe që është një dokument historik i vitit 1899 me shumë interes. Shpresoj se do ta përkthejnë djelmtë. Nëse dëshëron të mësosh të rejat e këtushme, “Egnatia” jote shkon mirë.
Keni, të gjithë ju, shumë të fala nga të gjithë miqtë tanë këtu, nga Ana, nga Adriano (Prifti), nga Taso (Karantis) dhe Robert Alia (Dragot).
I përcjell përshëndetjet dhe fëmijëve të tu të admirueshëm të cilëve u uroj çdo mirësi dhe përparim në të ardhmen. Shpresoj gjithnjë se, vonë apo herët do të ritakohemi, qoftë këtu, qoftë në Amerikë.
I dashur Kolec, nuk e di se me çfarë pune merresh tani në Amerikë. Të lutem më shkruaj pak për këtë temë. Dua të të them dhe një gjë dëshpëruese. Atë fotografinë e bukur që më ke bërë me çibuk, ma mori një gazetare kosovare që më intervistoi. I spjegova se ajo fotografi ka një vlerë dhe një rëndësi të veçantë personale dhe duhej të ma dërgonte sa më shpejt. Për fat të keq e hëngri fjalën e besës që më dha. Dhe akoma nuk ma ka dërguar. Për të tjerat, të gjitha shkojnë mirë dhe unë vazhdimisht shkruaj, shkruaj…

Mirupafshim
Miku yt
Aristidh Kola
Po ne nuk u takuam kurrë më….

ËSHTË FATLUM AI KOMB QË LIND TË TILLË BURRA

A ka ky shtet shqiptar një Akademi të dëgjojë këmbanat, që të mos lërë në harrim kulturën tonë përtej kufijve, një kulturë e traditë, një histori plot lavdi, që është po me aq vlerë sa ajo brenda kufijve, në mos më shumë. Veç bustit të De Radës si nuk u pa gjëkundi në këtë dhe një monument a bust për ata që dhanë aq shumë për kulturën arbërore jashtë kufijve të vitit 1913. Si nuk u panë të shfaqen në dy dekada grupet kulturore arvanite-arbërore në këtë vend. Të mos flasim për shkrimtarë, piktorë e artistë që janë nderi e krenaria e fqinjit tonë të jugut. Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Po ne si nuk morëm një kostum aq të mrekullueshëm të grave arvanite e të mburremi me të, sepse është vërtet pjesë e kulturës sonë të mrekullueshme arbërore. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht. E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?
Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë. Akademikët tanë që flenë nëpër katedra duhet t`ia kenë zili atij, por jo zili për keq, sepse ai ishte e mbetet pjesë e kulturës sonë arbërore, por t`ia kenë zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën, sepse
Aristidh Kola në studimet e veprat e veta, vuri tërë dashurinë, tërë pasionin, tërë kohën, edhe jetën e vet duke punuar në kushtet e një terrori verbal e psikologjik. Por mendoj se këtu vegjeton edhe një zili për keq, prej atyre që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve.
Vështirë është ta pranojmë të vërtetën, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm. Aristidh Kolia i madh kishte një mendësi krejt tjetër. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura mes krahëve të shqiponjës.
Ai u afroi shqiptarëve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemtë”. Kush e di ç’bëjnë djemtë. Kush e di ku janë djemtë. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji, të përzemërt, me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar.
Kush tjetër si ai! E kjo ndodhte se ai kishte një vizion të madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezër gjaku, sepse e dinte se kufijtë ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt. Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola. Ai kaloi nga Thiva ku lindi, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë, tek Arbëreshët e De Radës e Zef Serembes në Kalabri e Siçili të Italisë, ku zuri miq të mëdhenj si At Antonio Bellusci me të cilin e lidhi një miqësi e jashtëzakonshme. Të dy dijetarë me mendje të ndritur, karakter të fortë e zemër guximtare. Njëri në lindje e tjetri në perëndim të Arbërisë sonë. Si dy zogj shqiponje, së bashku fluturuan lart, por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se Arvanitët, trashëgimtarët e Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot heronjve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar, pak prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ata kështu po i kthenin arvanitasve krenarinë e dinjitetin, lavdinë e një historie të mohuar.
E vërteta që mbronte Aristidh Kola kaloi si hark drite edhe në qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve shqiptare në Ballkan. Kush më shumë e më zjarrtë se ai i mbrojti shqiptarët e Kosovës kur edhe në revistën e tij “Arvanon” shkruhej me gërma të mëdha “Edhe unë jam kosovar!”. Ai me guximin që tregoi shfaqi tiparet e trimave arvanit në histori që nuk e njihnin frikën. Ata ishin lindur në luftë dhe lufta i rriste e i trimëronte, siç thotë miku i tij, veprimtari tjetër arvantias Jorgo Miha. Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare, sot deputete komuniste në parlamentin grek: “Ju akuzoj si agjent i të huajve… më e pakta i UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propogandë të zezë, jeni armik i brendshëm.” Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, ndoshta e vetmja e këtij lloji në mbarë Europën, në një letër që Aristidh Kolia i dërgoi mikut të tij arvanitas, Taso Karandis, botuar post mortum në revistën “Ritmi i Salaminës”, shkruante:

“Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi
mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në “Sky” 5 Maj 1999 dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja… Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse “e drejta del, vjen kur t`i vijë ora…”. E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time…”

Dhe e pagoi. E pagoi pa iu dridhur qerpiku sepse kishte gjak arbëror e karakter arvanit të pamposhtur. Me të drejtë i vëllai i tij, Jorgo Kola, thotë se me Aristidh Kolën ndodhi ajo që thuhet në një proverb biblik: “Kush ka guximin të thotë të vërtetën, kryqëzohet.”
U bë një dekade e gjysëm që nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe e krejt e papritur Aristidhin tonë. Po a thue përnjimend u shua ai diell arbëror? Kurrsesi , sa kohë që ia ndjejmë rrezet e ngrohta që burojnë prej veprave të tij. Se ja kështu ka ndodhur edhe me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, por ikën vetëm fizikisht. Asgjë tjetër nuk ka ikur veç trupit që iu kthye dheut të krijimit.
Nuk mund t`i vihen pranga dritës. As ideve dhe frymës së tij që ndjejmë në çdo libër e në çdo fjalë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët, arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhe.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se në këtë botë kish jetë, por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se ka një mënyrë për të
rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vërtetë e mrekullisht ndodh. Se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz. Anipse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë peng e robër të politikës dhe
interesave konjukturale, por falë komunikimit të shpejtë e masiv elektronik, për Aristidh Kolën sot flasin e shkruajnë me admirim në të katër anët e globit, nga Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë. Vepra e tij
madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” veç 14 botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra të tjera si “Gjuha e Perëndive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishten tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve vdekja iu shërben për t`u bërë edhe më të gjallë se të gjallët. Kur trupi
ikën, shpirti vjen më pranë njerëzve. Ndaj gjithmonë do të themi se Aristidh Kolën e kemi gjallë midis nesh. Ai zjarr dashurie e krenarie që ndezi në mes të arvaniteve si të ishte një Promete, kurrë nuk mund të shuhet.
Le ta mbyllim me fjalët që aq shumë i kish për zemër i pavdekshmi Aristidh Kola: “Rrënjët tona janë në Arbëri!” E këto fjalë, që të kujtojnë edhe të madhin De Rada që i mbylli sytë duke parë detin, duhet t`i kenë në mendje e në zemër arvanitasit edhe arbëreshët, por duke ditur rrethanat e mundësitë, le t`i ndihmojmë edhe ne sado pak, që të mos i harrojnë, që njerëzit që kanë guximin të thonë të vertetën edhe më tej të mos kryqëzohen, që errësira të mposhtet përballë dritës e shpirti i Arbërit të rrojë përgjithmonë!

Kolec TRABOINI
Nga libri “Aristidh Kola”

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, ME ARISTIDH KOLËN, ne Athine

Kosova i konsideron vlerë të veçantë raportet me Austrinë

October 28, 2015 by dgreca

-Kryeparlamentari Veseli priti në takim Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer. Në takim u bisedua në radhë të parë për marrëdhëniet bilaterale të cilat ekzistojnë në mes dy vendeve.
Presidenti Fischer, duke folur për këtë, theksoi se “edhe pse në politikë gjithmonë ka hapësirë për t’u shprehur i pakënaqur me rrjedhën e gjërave, kur është fjala për raportet në mes Austrisë dhe Kosovës, mund të themi se këto raporte janë shumë të mira, të kënaqshme dhe në zgjerim e sipër, përfshirë edhe fushën e ekonomisë”, për të shtuar se “tregues i kësaj është edhe forumi ekonomik i dy vendeve që po zhvillohet aktualisht në Kosovë, e ku janë të pranishme mbi 20 biznese të fuqishme austriake”.Duke folur për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, presidenti austriak përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim – Asociim me BE-në, për të theksuar se tash përpara është procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Vendet e Ballkanit perëndimor janë pjesë e Evropës dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për këto vende”, theksoi presidenti Fischer.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke falënderuar presidentin austriak për vizitën e tij që po zhvillon në Kosovë, u shpreh se “Republika e Kosovës i konsideron si vlerë të veçantë raportet shumë të mira që kemi ndërtuar me Republikën e Austrisë dhe në këtë kontekst, interesimi i kompanive austriake për ekonominë kosovare përbën një ngjarje me rëndësi kapitale për Kosovën”.
Më tutje Veseli theksoi se raportet e Kosovës me Austrinë janë raporte të shumëfishta miqësore, që padyshim kanë një impakt pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Duke folur për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fischer theksoi se, “ne në Austri, sidomos në përvojën shumë të mirë të Republikës së Dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, besojmë se problemet dhe çështjet, edhe kur janë të dhimbshme, duhet të trajtohen e zgjidhen në mënyrë paqësore dhe demokratike”.
Nga ana e tij kryetari Veseli theksoi se, “ajo çfarë është duke ndodhur, është një situatë e vështirë e mosmarrëveshjeve në mes partive politike në pushtet e opozitë dhe insistimi i tij i vazhdueshëm është që kjo situatë të tejkalohet vetëm dhe vetëm përmes procedurave demokratike, dialogut dhe konsensusit”.
Në fund të takimit presidenti Fischer falënderoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për mundësinë që nesër tu drejtohet, me një fjalim, përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Fischer, Kosova dhe Austria, Vasili

KOSOVA EVROPIANIZOHET

October 28, 2015 by dgreca

-MSA-ja, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Kosova shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm, tha kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp sot pasdite në Prishtinë, pas kthimit nga Strasburgu, ku ka nënshkruar dje Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“MSA-ja për Kosovën, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se elementet më të rëndësishme të MSA-së kanë të bëjnë me relacionet kontraktuale, relacionet tregtare, me asistencën financiare, me bashkëpunim rajonal dhe relacionet e mira fqinjësore.
“Të gjitha këto janë të përmbajtura në Marrëveshje dhe se në ditët në vijim do të shpjegohen dhe sqarohen para qytetarëve ku edhe do të shpalosen përfitimet që Kosova do t’i ketë me këtë Marrëveshje, në rrugën e saj të pandalshme të integrimit në BE”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri Mustafa ritheksoi se nënshkrimi i MSA-së, të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.
“Kjo Marrëveshje, është rezultat i punës dhe angazhimit të qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, më meritorët për këtë të arritur, janë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim dhe mbështetje të pa rezervë për rrugën integruese evropiane, duke përqafuar dhe promovuar vlerat evropiane”, u shpreh ai.
Pra, vijoi Mustafa, kjo Marrëveshje është në përputhje të plotë me vullnetin dhe konsensusin gjithënacional dhe politik që e ka karakterizuar shoqërinë kosovare, sa i takon proceseve integruese euroatlantike.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se kjo është Marrëveshja e parë e rëndësishme në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. “Është kontrata e parë formale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por është edhe hapi më i rëndësishëm, krucial, mund të themi lirisht, në raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën”, u shpreh ai.
Sot, vijoi Thaçi, “Kosova ka arritur në nivel, mund të them të barabartë, me vendet tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, me Malin e Zi, apo edhe me Serbinë, sepse jemi futur në rrugë zyrtare të integrimit në Bashkim Evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është se edhe Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën në mënyrë unike, pra, të gjitha vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së djeshme, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, është në shërbim të perspektivës së sigurt evropiane të Republikës së Kosovës dhe është mesazhi më i mirë që Kosova po futet në familjen evropiane.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu u shpreh se, “në të njëjtën kohë, Kosova do të vazhdojë, që në kuadër të konsolidimit të shtetit, të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, të anëtarësohet edhe në organizata tjera ndërkombëtare, dhe se do të punohet maksimalisht në Kosovë,për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është një e arritur e madhe historike. “Kjo Marrëveshje, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment delikat, në një moment të vështirë. Duke ditur se Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, me ç’rast Kosova është futur në marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Mendoj se kjo është një gjë e madhe dhe askush nuk duhet as të mendoj që ta zhvlerësojë”, theksoi ai.
“Ne si qeveri, por edhe si Ministri e Integrimit Evropian, që kur kemi filluar këtë mandat, kemi vënë dy objektiva kryesore para vetes: arritjen e kësaj Marrëveshje dhe kjo ndodhi dje, dhe objektivi tjetër pritet të ndodhë shumë shpejt, dhe të jeni të sigurt, e kjo është liberalizimi i vizave”, tha Çollaku.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVA EVROPIANIZOHET

Shqipëria mbështetje të plotë Kosovës

October 28, 2015 by dgreca

-Kryeparlamentari Veseli takon ambasadorin e Shqipërisë, Minxhozi-/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015 B.Jashari/.-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot takoi ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi.
Në takim, Kryekuvendari dhe Ambasadori diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë, në zhvillimet e fundit dhe punën e Kuvendit të Kosovës.
Veseli theksoi se qytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare presin nga të gjithë ne,në mënyrën më të përgjegjshme institucionale, të shtyjmë përpara proceset në të cilat gjendet Kosova, me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe respektimin e shtetit ligjor.
“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është etapë e re zhvillimore për vendin tonë, ndërsa procesi i euro-integrimeve vijon të përcillet me përkushtim nga të gjitha nivelet institucionale”, theksoi kryetari Kuvendit kosovar, Veseli.
Ambasadori Minxhozi përgëzoi kryekuvendarin Veseli për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, duke vënë theksin në vijimin e angazhimit për liberalizimin e vizave dhe realizimin e procesit eurointegrues, duke ofruar mbështetjen e plotë të Shqipërisë në këto procese.

Filed Under: Rajon Tagged With: Minxhozi, takim, Veseli

Kosova, një çështja e rëndësishme për tërë Evropën

October 28, 2015 by dgreca

-Deklaron në Prishtinë Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer/
Ne, tha Fischer, sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, sot në Prishtinë, në takim me Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga e ka vlerësuar progresin e Kosovës shtet realitet evropian të rëndësishëm edhe për Evropën.
“Kosova ishte një çështja e rëndësishme për tërë Evropën dhe një çështje parimore se a do t’ia dalim që problemet që janë krijuar këtu në Kosovë t’i zgjidhim në mënyrë paqësore. Kjo ishte e vështirë, ka qenë e dhimbshme, mirëpo është bërë progres i madh në këtë drejtim”, theksoi presidenti austriak.
Ne, vijoi Fischer, sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian. “Janë 111 shtete nga tërë bota që e kanë njohur Kosovën, mirëpo rruga të cilën Kosova duhet ta kalojë ende nuk ka mbërritur në fund. Ka edhe shumë hapa të tjerë, disa prej të cilëve do të jenë më të vështirë”, u shpreh presidenti i Austrisë.
Natyrisht, tha ai, edhe për Serbinë ka diçka që është shumë e vështirë. “Mirëpo, rruga në parim është e drejtë. Ne dëshirojmë që së bashku të ecim në këtë rrugë dhe ne dëshirojmë që në këtë rrugë të shkojmë në mënyrë paqësore”, theksoi Fischer.
Sot, vijoi ai, këtu mund t’ju uroj përzemërsisht për nënshkrimin dje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
“Në këtë projekt është punuar shumë, kjo nuk i është dhënë Kosovës si dhuratë, por janë kryer shumë punë paraprake. Mirëpo, tani ia keni dalë. Është një hap i rëndësishëm. Unë i kam thënë Presidentes, të cilën e çmoj shumë, për neve është një fakt dhe unë po flas për Austrinë, por kështu është edhe për shtetet e tjera të BE-së, për neve është e natyrshme që procesi i integrimit evropian nuk ka përfunduar, përderisa këto gjashtë shtete, të cilat ne i quajmë si Ballkani Perëndimor, nuk bëhen anëtare me të drejta të barabarta të Bashkimi Evropian. Pra, që të jenë pjesë e projekteve ta paqes së Evropës”, theksoi presidenti i Austrisë .
Ai tha se, sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i radhës, që është në provë.
“Kosova edhe në këtë drejtim ka kryer shumë punë paraprake dhe mendoj se një shumicë e shteteve të BE-së po punojnë dhe janë të interesuara për përfundimin e kësaj çështjeje. Ne sot duhet të punojmë që ky hap, në një të ardhme të afërt, të bëhet realitet”, tha presidenti austriak Fischer.
Ai vlerësoi se, bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. “Austria po mundohet që t’i qaset Kosovës në mënyrë aktive, që t’i aktivizojë institucionet, ndërmarrjet, që t’i inkurajojë që të jenë aktive dhe të investojnë në Kosovë”, tha Fischer.
Ai theksoi se, në kuadër të vizitës, në Prishtinë do të ketë edhe një forum ekonomik, ku do të marrin pjesë rreth 25 firma austriake, të cilat mundohen që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre në Kosovë.
“Ky zgjerim do të ndodhë kur edhe Kosova të ndërmarrë hapa, si rritja e sigurisë, funksionimi i drejtësisë, kur korrupsioni në proceset ekonomike nuk luan më rol të rëndësishëm. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për zgjerimin e mëtutjeshëm bashkëpunimit ekonomik. Prandaj, të gjitha palët duhet të përpiqen”, theksoi presidenti i Austrisë.
Ne, vijoi Fischer, po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira.
“Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve”, tha Fischer.
Presidenti i Austrisë theksoi se, aktivitetet e KFOR-it i mbështesim shumë. “Unë do të vizitoj edhe kontingjentin e KFOR-it austriak këtu dhe mund t’ju them që unë që sot jam i bindur se nesër pasdite do të kthehem me përshtypje të mira nga vizita dhe nga bisedat e zhvilluara këtu”, u shpreh presidenti Fischer.
Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, sot pas mesditës, u prit me ceremoni shtetërore në vizitën dyditore në Kosovë, me ftesë të presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga. Më pas, sipas axhendës, nisi takimi i presidentes Jahjaga me presidentin Fischer.
“Kam nderin që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, një përkrahës i fuqishëm i Republikës së Kosovës dhe përparimit të saj”, është shprehur Jahjaga.
Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që viziton Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe ai erdhi sot bashkë me një delegacion të gjerë të përfaqësuesve të bizneseve austriake.
“Vizita e presidentit Fischer është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësi për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar”, vlerësoi presidentja kosovare.
“Austria është pjesë e pandashme e bashkësisë ndërkombëtare, që ndan suksesin e Kosovës së re së bashku me popullin dhe institucionet e saj”, theksonte presidentja Jahjaga edhe në shënimin e 60 vjetorit të pavarësisë dhe të deklarimit të neutralitetit të përhershëm të Republikës së Austrisë, në mbrëmjen e 26 tetorit në Prishtinë.
Sipas axhendës zyrtare, në vazhdim të vizitës sot pasdite presidentin e Austrisë Fischer e pret në takim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Të enjten, presidenti i Austrisë, Heinz Fischer takohet në mengjes me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Më pas, në axhendë është adresimi i presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë të veçantë parlamentare.
Po nesër, në vazhdim të axhendës, presidentja Jahjaga dhe presidenti Fischer marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhamia e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.

***
DEKLARATAT E PLOTA
-Presidentja Atifete Jahjaga priti Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer/
Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga sot në Kosovë për vizitë zyrtare dyditore po qëndron Presidenti i Austrisë, zotëri Heinz Fischer. Presidenti Fischer është presidenti i parë austriak që po viziton Republikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Në vazhdim po përcjellim deklaratat e bëra nga dy presidentët në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit bilateral:
Presidentja Jahjaga: Kam nderin që sot të mirëpres në vizitë zyrtare Presidentin Fischer të Austrisë, mikun e Kosovës, njeriun që ka mbështetur vendin tonë në proceset e tij demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
President Fischer, vizita e juaj në Kosovë është dëshmia më e mirë e vazhdimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve tona, e ndërtuar me aq besim e dashuri dhe me aq mirëkuptim.
Me Presidentin Fischer patëm një takim jashtëzakonisht të mirë dhe të frytshëm. Biseduam për çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik, por gjithsesi theksuam edhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve nëpër të cilat po kalon i gjithë rajoni i Evropës Juglindore.
President Fischer, shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për ndihmën që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme; në një kohë të vështirë duke i dhënë fund një lufte që ka lënë pasoja të rënda për shoqërinë tonë, pastaj në rindërtimin e vendit dhe kthimin e shpresës tek qytetarët, përmes pranisë në forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe në misionet e tjera ndërkombëtare. Ju e keni mbështetur Kosovën në hapjen e një kapitulli të ri të shtendërtimit – të krijimit të një vendi gjithëpërfshirës, demokratik, të zhvilluar dhe me rend e ligj. Austria është vendi ku i janë vënë bazat e shtetësisë së Kosovës, mikpritëse e bisedimeve për statusin, nën drejtimin e të dërguarit të OKB-së.
Austria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë. President Fischer, e ritheksoj kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë atyre burrave e grave të KFOR-it austriak në Kosovë, që për më shumë se 16 vjet kanë ndihmuar popullin e Kosovës jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe në vendosjen e urave të bashkëpunimit. Dhe ju – President Fischer – jeni njeriu që e keni mbështetur këtë mision pa asnjë hezitim.
Kjo histori e marrëdhënieve mes dy vendeve tona është dëshmi e përkushtimit të popujve tanë për liri dhe paqe dhe për mirëkuptim. Ne shprehëm gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve, dhe jemi thellësisht të nderuar që, si pjesë e delegacionit të Presidentit Fischer, janë edhe 25 investitorë të mëdhenj austriakë. Kosova ka resurse të mëdha edhe natyrore edhe njerëzore dhe ne po krijojmë një klimë të mirë të biznesit, duke ofruar siguri për të gjithë investitorët. Ne duam ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë dhe ta orientojmë tregun nga Bashkimi Evropian.
Republika e Kosovës, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të qartë evropiane, dhe ne po punojmë me ngulm për të përmbushur standardet e kriteret e përcaktuara, që na përafrojnë me familjen e madhe evropiane. Vizita e Presidentit Fischer vjen vetëm një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një hap historik për Kosovën në marrëdhëniet me Bashkimi Evropian, që e përgatit vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit. Ne presim që ta përmbyllim edhe procesin e liberalizimit të vizave, që do t’ju mundësojë qytetarëve tanë lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimi Evropian.
Si një shtet i ri në Evropë po dëshmojmë përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon si dhe të zgjidhjes së çështjeve me dialog dhe marrëveshje. Ne kemi dëshmuar përkushtimin për të qenë pjesë e pandashme dhe aktive e arkitekturës globale të sigurisë, kontribuues të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe mbështetës të përpjekjeve ndërkombëtarë për t’u dalë në ndihmë refugjatëve të përndjekur me dhunë nga vendi tyre.
Republika e Kosovës sot po kalon nëpër një periudhë të rëndësishme, kur po e teston edhe demokracinë e brendshme edhe pjekurinë politike. Zgjidhjet janë brenda sistemit dhe brenda institucioneve si dhe përmes dialogut të ndërsjellë në respektim të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Debati në institucione shmang përplasjet e dhunshme dhe ndërton kulturën demokratike dhe parlamentare, të domosdoshme për të vazhduar proceset integruese.
Unë besoj fuqishëm se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare e rrjedhimisht edhe të shtetit mik të Austrisë, në rrugën e saj përpara.
Dhe në fund, me Presidentin Fischer jemi pajtuar që të dy vendet tona të zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët, në ekonomi, tregti, kulturë, në fushën e rendit dhe të sigurisë dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve midis të dyja vendeve tona.
Zotëri President, ju faleminderit për vizitën tuaj dhe për miqësinë ndërmjet dy popujve tanë dhe vendeve tona.
Presidenti Fischer: Jam i kënaqur që jam këtu, si mysafir i Presidentes Jahjaga. E kam pranuar ftesën me dëshirë. Ne kemi një bazë të mirë të bisedimeve. Jemi takuar në ngjarje të ndryshme dhe kemi pasur një pajtueshmëri ta madhe mes vete.
Kosova ishte një çështja e rëndësishme për tërë Evropën dhe një çështje parimore se a do t’ia dalim që problemet që janë krijuar këtu në Kosovë t’i zgjidhim në mënyrë paqësore. Kjo ishte e vështirë, ka qenë e dhimbshme, mirëpo është bërë progres i madh në këtë drejtim.
Ne sot qëndrojmë aty ku realitet është ekzistenca e një shteti të pavarur me emrin Kosovë, është me kufij të sigurt dhe është një realitet evropian. Janë 111 shtete nga tërë bota që e kanë njohur Kosovën, mirëpo rruga të cilën Kosova duhet ta kalojë ende nuk ka mbërritur në fund. Ka edhe shumë hapa të tjerë, disa prej të cilëve do të jenë më të vështirë. Natyrisht edhe për Serbinë ka diçka që është shumë e vështirë. Mirëpo, rruga në parim është e drejtë. Ne dëshirojmë që së bashku të ecim në këtë rrugë dhe ne dëshirojmë që në këtë rrugë të shkojmë në mënyrë paqësore.
Sot këtu mund t’ju uroj përzemërsisht për nënshkrimin dje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Në këtë projekt është punuar shumë, kjo nuk i është dhënë Kosovës si dhuratë, por janë kryer shumë punë paraprake. Mirëpo, tani ia keni dalë. Është një hap i rëndësishëm. Unë i kam thënë zonjës Presidente, të cilën e çmoj shumë, për neve është një fakt dhe unë po flas për Austrinë, por kështu është edhe për shtetet e tjera të BE-së – për neve është e natyrshme që procesi i integrimit evropian nuk ka përfunduar, përderisa këto gjashtë shtete, të cilat ne i quajmë si Ballkani Perëndimor, nuk bëhen anëtare me të drejta të barabarta të Bashkimi Evropian. Pra, që të jenë pjesë e projekteve ta paqes së Evropës.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i radhës, që është në provë. Kosova edhe në këtë drejtim ka kryer shumë punë paraprake dhe mendoj se një shumicë e shteteve të BE-së po punojnë dhe janë të interesuara për përfundimin e kësaj çështjeje. Ne sot duhet të punojmë që ky hap, në një të ardhme të afërt, të bëhet realitet.
Bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm. Austria po mundohet që t’i qaset Kosovës në mënyrë aktive, që t’i aktivizojë institucionet, ndërmarrjet, që t’i inkurajojë që të jenë aktive dhe të investojnë në Kosovë.
Në kuadër të vizitës sonë do ta kemi edhe një forum ekonomik, ku do të marrin pjesë rreth 25 firma austriake, të cilat mundohen që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre në Kosovë. Ky zgjerim do të ndodhë kur edhe Kosova të ndërmarrë hapa, si rritja e sigurisë, funksionimi i drejtësisë, kur korrupsioni në proceset ekonomike nuk luan më rol të rëndësishëm. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme për zgjerimin e mëtutjeshëm bashkëpunimit ekonomik. Prandaj, të gjitha palët duhet të përpiqen.
Ne po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira. Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve.
Aktivitetet e KFOR-it i mbështesim shumë. Unë do të vizitoj edhe kontingjentin e KFOR-it austriak këtu dhe mund t’ju them që unë që sot jam i bindur se nesër pasdite do të kthehem me përshtypje të mira nga vizita dhe nga bisedat e zhvilluara këtu.
Pyetjet:
RTK: Pyetje për dy presidentët. Zonja Presidente, kriza politike në vend sa vjen e thellohet, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës. Në kuadër të angazhimit tuaj kushtetues, keni pasur takime me liderët e partive politike, më pas është diskutuar mundësia që marrëveshjet e Brukselit të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim dhe hapa të tjerë, por duket që këto angazhime ende nuk kanë sjellë rezultate. Edhe çfarë ju ka mbetur të bëni zonja Presidente dhe si e shihni rrugën për të tejkaluar këtë situatë të krijuar?
President Fischer, Kosova është duke e kaluar një moment i cili duket se nuk është aspak i lehtë dhe po përballet për herë të parë me të. Pozita dhe opozita vazhdojnë të ketë qëndrime të kundërta për marrëveshjet ndërkombëtare në Bruksel dhe për atë për demarkacionin. Si mendoni se mund të tejkalohet kjo situatë dhe si do të ndikojë kjo sipas jush kjo gjendje e krijuar në aspektin e integrimeve evropiane të Kosovës kur e kemi parasysh se është nënshkruar MSA-ja.
Presidentja Jahjaga: Siç e dini, javën e kaluar unë kam pasur takime të ndara me pozitën dhe opozitën, me përpjekjet për të tejkaluar gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, ftesa ime për një takim të përbashkët me spektrin politik ende nuk është pranuar nga opozita, por natyrisht që ftesa ime mbetet e hapur dhe pres të shoh vullnet dhe mirëbesim nga subjektet politike në mënyrë që të tejkalojmë këtë situatë në të cilën gjendemi. Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Fischer: Unë po i vëzhgoj këto tema me kujdes. Unë natyrisht jam president i Federatës, i cili në Austri nuk ngurron që t’i përgjigjet pyetjeve aktuale. Mirëpo, në shtetet e tjera që të shprehem lidhur me problemet e një shteti mikpritës, atëherë duhet të jem më i kujdesshëm dhe më ngurrues. Mund t’ju them se marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në Vjenë së bashku me një marrëveshje të dytë të demarkacionit me dy shtete të tjera.
Është mirë që problemet e deritanishme të pazgjidhura kufitare të zgjidhen në bazë të negociatave. Prandaj, pa u përzier në çështjet e brendshme të Kosovës, duhet të ketë një rezultat të synuar të negociatave pastaj edhe të zbatohen nga dy palët negociatore.
Ndërsa pika e dytë të cilën e përmendet ju, është natyrisht marrëveshja për asociacionin e komunave serbe. Mesa unë e kam studiuar këtë temë, atëherë këtu nuk bëhet fjalë që të ketë ndonjë rrafsh të ri kushtetues, mirëpo bëhet fjalë që ky asociacion, këto komuna ta kenë të drejtën të bashkohen dhe prandaj mendoj që kjo në praktikë do të funksionojë dhe mund të funksionojë mirë nëse të gjithë pjesëmarrësit e tregojnë vullnetin e mirë. Mirëpo, parlamenti në këtë shtet, institucionet e këtij shteti duhet ta marrin këtë vendim dhe unë kam besim të plotë në kapacitetet e zgjidhjes që i kanë institucionet e Kosovës.
Elisabeth Hilgarth, nga Agjencia Austriake e Lajmeve: Kosova po bën progres drejt Bashkimit Evropian. Është nënshkruar marrëveshja e MSA-së dhe ka pasur një tejkalim të gjendjes me Beogradin. Mirëpo, në Parlament ka ende gaz lotsjellës. A mendoni se në Kosovë procesi demokratik me sa po shihet është ashtu siç duhet të jetë ose a po i afrohet Bashkimit Evropian procesi demokratik i Kosovës?
Zotëri Fisher, unë po ju pyes për gazetarët ndërkombëtarë të cilët më pyetën për situatën në Austri tani, se ministri i Brendshëm ka thënë se dëshiron të vendos gardh për të parandaluar rrjedhën e refugjatëve. Një deklaratë për këtë?
Presidentja Jahjaga: Të gjitha obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka marrë jo vetëm në këtë rast, por edhe herëve të tjera i ka përmbushur me përgjegjësi dhe i ka përmbushur me përpikëri të plotë. Kjo ka të bëjë edhe me procesin, sepse ju iu referuat edhe hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Siç u tha edhe më herët, janë disa sfida nëpër të cilat Kosova po tejkalon. Edhe në mënyrë publike, edhe në takime të rregullta dhuna është dënuar, duke mos qenë formë e përçimit të mesazhit të duhur, por zgjidhjet janë brenda jetës institucionale, janë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Edhe veprimet e fundit edhe propozimet e mia të fundit që parimet e asociacionit të komunave serbe në Kosovë të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është veprim institucional dhe të gjitha zgjidhjet kanë qenë dhe do të jenë përbrenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vet hapi i djeshëm i nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në Strasburg nga kryeministri i Republikës së Kosovës, është mesazhi më i duhur që Kosova dhe populli i saj dhe të gjithë qytetarët e saj kanë marrë në momentin e duhur nga ana e BE-së për politikën e zgjerimit, jo vetëm për Kosovën por për të gjitha vendet e rajonit.
E ardhmja e Kosovës dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është drejt proceseve të integrimeve euroatlantike dhe në asnjë moment do të rrëshqasim nga ky synim dhe nga kjo alternativë dhe nga ky vizion i vetëm i yni.
Presidenti Fischer: Austria është një shtet i cili ka shumë përvojë me refugjatë të cilët në dekadat e fundit vazhdimisht kanë ardhur pas revolucionit hungarez, pas pranverës së Pragës, pas luftës civile në Jugosllavi, posaçërisht pas luftës në Bosnje e kështu me radhë.
Aktualisht është një kuantitet i refugjatëve, të cilët kurrë nuk i kemi pasur më parë dhe prandaj këtë vit, në vitin 2015 parashihet që më shumë se 500 mijë njerëz kanë kaluar kufirin me Austrinë. Pjesa më e madhe e tyre po shkon më tutje për Gjermani, mirëpo edhe ata “vetëm po kalojnë nëpër Austri” po krijojnë natyrisht nevoja të mëdha të organizimit dhe probleme të mëdha të organizimit dhe të logjistikës të cilat duhet të zgjidhen. Prandaj, ne po llogarisim që këtë vit rreth 80 mijë kërkesa për azil do t’i kemi për të lejuar dhe për t’i mundësuar azil në Austri. E ne, këtë deri më tani jemi munduar që ta bëjmë me fuqitë më të mira, mirëpo po dëshmohet që ne kemi arritur në kufijtë e kapaciteteve tona, prandaj Qeveria Federale e Austrisë këtë mund ta them edhe me shtetet e tjera, po mendohemi dhe po bëjmë përgatitje se si mund të përgatitemi dhe t’i qasemi kësaj. Them që do të kemi shumë refugjatë, të cilët do të kalojnë nëpër Austri e disa të tjerë ndoshta do të qëndrojnë në Austri, se si mund ta përballojmë këtë problem në mënyrën më të mirë. Deri më tani askush nuk është përcaktuar për ndonjë detaj lidhur me këtë, lidhur me gardh ose mjete të tjera ndihmëse, mirëpo problemi i tillë ekziston dhe siç u tha më herët Qeveria Federale e Austrisë po përpiqet që t’i plotësojë kushtet teknike dhe organizative dhe t’i përmirësojë edhe më tutje për të mënjanuar problemet e mundshme. Mirëpo, vëmendje e veçantë ose vëmendje më e madhe do t’i kushtohet kufijve të jashtëm të BE-së që të kontrollohen në mënyrë më të mirë dhe që shpërndarja e refugjatëve të funksionojë më mirë brenda Evropës. Vetëm nëse këto ngarkesa do të shpërndahen në mënyrë të barabartë, atëherë edhe mund të barten nga të gjitha shtetet.

Filed Under: Reportazh Tagged With: austriak, Behlul Jashari, Deklaratat e presidentit, Heinz Fischer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3396
  • 3397
  • 3398
  • 3399
  • 3400
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT