-Deklaratë e organizatave të shoqërisë civile/
Prishtinë, 17 tetor, 2015/B.Jashari/ Organizata të shoqërisë civile në Kosovë dërguan sot këtë deklaratë: Ne organizatat e shoqërisë civile, përmes kësaj deklarate reagojmë me shqetësim rreth gjendjes politike të krijuar në vend. Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtutjeshëm.
Në këtë kontekst, ne organizatat e shoqërisë civile, dënojmë fuqishëm të gjitha aktet e dhunës të përdorur nga cilado palë e përfshirë në proces. Dhuna si mjet i veprimit politik është e papranueshme në sistemet me vlera demokratike.
Ne vlerësojmë se mungesa e transparencës dhe gjithpërfshirjes në procese të rëndësishme për vendin, nuk duhet të jenë model i qeversisjes dhe vendimmarrjes institucionale në Kosovë.
Me qëllim që t’i ipet epilog gjendjes së krijuar, ne kërkojmë prej subjekteve politike si hisedarë në këtë proces, që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje ato po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit. Gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike.
Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike.
Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Organizatat e poshtëshënuara:
EC Ma Ndryshe
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
OJQ Konsumatori
Lëvizja FOL
Iniciativa për Progres (INPO)
Klubi Avokues për Personat me Aftësi të Kufizuar
POLIS
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK)
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (KCIC)
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, Deçan
Syri i Vizionit (SiV)
OJQ – Zana
OJQ – Femrat Aktive të Gjakovës
OJQ – Piramida
Ramush Haradinaj:“Korruspioni është gjithandej, populli nuk ka vend pune”
Intervista e Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, për gazetën zvicerane Tribune de Genève, botuar më 15 tetor 2015/
Nga Bernard Bridel/
Në fund të viteve të 80-ta, Ramush Haradinaj ishte i njohur si ariu i bardhë në Leysin, ku punonte në ndërtimtari druri dhe Meili e trajnonte atë në arte marciale.
Pas 25 vjetësh mjegulli – nëpër të cilat u bë një prej komandantëve më të famshëm të UÇK-së dhe Kryeministër për një kohë shkurtër nga Dhjetori 2004 deri në Mars 2005 para se të përjetonte një sagë të gjatë ligjore për krime lufte në Hagë, prej të cilës doli i pastër në vtin 2012 – 47 vjeçari është tashmë udhëheqës i partisë kryesore opozitare në Prishtinë, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Si i tillë, ai qartazi nuk i kursen fjalët kundër qeverisë së Isa Mustafës dhe Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, njeriu vërtetë i fuqishëm i vendit.
-Si është situata në Kosovë?
-Keq. Korrupsioni është gjithandej, populli nuk ka vende pune, arsimi ka degraduar, sikurse edhe sistemi shëndetësor. Në vend se të merret me këto, Kryeministri ynë fotografohet në Bruksel me homologun e tij. Zyrtarët e zgjedhr duhet të jenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Por, Qeveria e sotshme as nuk është as e përgjegjshme as nuk është duke punuar.
Në aspektin ndërkombëtar?
Ballkani nuk është çështje e mbyllur. Vazhdimi i mbajtjes së çështjeve të hapura, sikurse është mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë, nuk lë hapësirë për politika normale. Është në duar të njerëzve që luajnë me stabilitetin. SHBA-të dhe Evropa duhet të përmbyllin këto çështje të hapura në Ballkan. Kështu që, njerëzit do të mund të merren me probleme konkrete.
Si reagojnë qytetarët ?
Ekziston një padurueshmëri e madhe dhe presion i jashtëzakonshëm. Njerëzit janë të lodhur me këtë qeveri që krijon situata tragjike dhe detyron mijëra njerëz të lëshojnë vendin.
A jeni i shqetësuar për revolta sikurse në vitin 2004?
Ky rrezik ekziston, prandaj opozita duhet ta luajë rolin e vet dhe të marr përgjegjësitë si kërkesa për zgjedhje të parakohshme.
Duke ju dëgjuar juve, 15 vjet ishin të humbura për shkak të klasës politike. E saktë?
Po, mund të thuani ashtu.
Çka u thoni atyre që përshkruajnë Kosovës si një shtet në duart e mafias që është e përfshirë në të gjitha format e trafikimit, përfshirë edhe të organeve?
Vendi im është duke paguar çmimin për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme pas luftës. Nuk e besoj trafikimin e organeve, por nuk mund të mohoj trafikimin e drogave, prostitucionit.
Prandaj, ne duam që t’i forcojmë institucionet.
Ekziston edhe një shtet i propagandës, sikurse ështrë Serbia, që kanë axhendën e tyre për të denigruar Kosovën. Ajo që është e nevojshme është të krijohet atmosfera kundër krimit dhe mobilizimi shoqëror jep alternativë.
Nëse ktheheni në pushtet, cilat do të jenë prioritetet tuaja për të zhvilluar vendin?
I kemi tre sketorë me potencial të madh: energjetika, bujqësia dhe minierat. Këtu do të vëja përpjekjet e mia. Industria e ushqimit mund të krijojë shumë vende pune. Duhet, po ashtu, të kërkohet ekspertiza nga diaspora. Për shembull, midis Zvicres dhe Kosovës ekzistojnë lidhje shumë të forta në të cilat ne mund të vareshin në zhvillimin e tregëtisë dhe lehtësimin e vendosjes së bizneseve.
A është anëtarësimi në BE ende qëllimi juaj?
Po, sigurisht.
Dhe, ribashkim me Shqipërinë, Kushtetuta juaj e ndalon?
Kjo Kushtetutë është vendosur në një kohë, por kjo mund të ndryshojë…
Gazetari:
Bernard Bridel
ABAZ BEJ LUSHNJA – FIGURE E NDRITUR, LENE NE ERRESIRE…
Nga ANDREA LIKO dhe Dr NIKO FERRO/
Që në fillim po nënvizojmë se në titull nuk jemi duke thënë ndonjë gjë të paditur : shumë figura të vlerëshme historike të Lushnjës apo krejt Myzeqesë ende nuk janë vendosur ku e meritojnë sipas kontributit në dobi të vendit. Ndaj ne sot me modesti po tentojmë të ngushtojmë disi këtë boshllëk, duke u marrë me njërin prej tyre, të famshmin kryetar të Lidhjes Politike – Ushtarake, pra, të Besëlidhjes së nëntë krahinave, e themeluar në Berat më 1834.
Jemi në pranverën e Rilindjes sonë Kombëtare : filizat e mbjellë nga patriotët pionierë kanë zënë e po nisn të cojnë sythat e parë. Jemi në një fazë të vecantë të historisë së Perandorisë Osmane : ndërsa ndjen dobësimin, Porta e Lartë sajon reforma centralizuese. Jemi në ditët e lindjes së një shteti të pavarur – Greqisë – precedent e shembull për të tjerët…Pra, në trevat shqiptare, në mendjet më të ndritura të kombit po nis një histori e re : raport aspak miqësor me sundimtarët dhe administratën turke, lëvizje të organizuara e masive kundër tërë masave shtrënguese dhe avancim të kërkesave për vetqeverisje. Masakra barbare e Manastirit e vitit 1830 la një shije të hidhur farmak e boshllëk të kapaciteteve flamurmbajtës, por ndërkohë tribunë e prijës luftarak të mbetur, u bënë më të vendosur e më sycelët.
Njëri nga këta tribun ishte ABAZ BEJ LUSHNJA. Kur përfaqësuesit e zëshëm të 9 krahinave u mblodhën në Berat e formuan Besëlidhjen, beun e njohur nga fisi fisnik i Ngurrëzajve e zgjodhën kryetar të Pleqësisë. Dhe Pleqësia ishte tamam organi drejtues, si një trup legjislativ. Sipas historianit të njohur, prof. dr. Petrika Thëngjilli, “Besëlidhja e Beratit nuk ishte thjesht e vetëm një lidhje ushtarake ndërkrahinore”. Dhe ne kemi të drejtë të kujtojmë këtu si shembull Lidhjen e Lezhës të realizuar nga Gjergj Kastrioti në vitin 1444. Besëlidhja e 9 krahinave vlerësohej si një organ qeverisjeje e dalë nga lufta dhe me ambicien për të zëvendësuar administratën osmane. Dhe ne prapë kemi të drejtë ta vëmë atë si pararendëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prijësit e saj më të guximshëm, si Abaz bej Lushnja, Tafil Buzi, Zyber Hoxha e të tjerë synonin të krijonin një hapësirë gati të pavarur, ku të mungonin qeverisja dhe ndikimi otoman. Dhe ne përsëri na lind e drejta të shprehemi se kemi të bëjmë me përpjekje për të vijuar në rrugën e Ali Pashë Tepelenës, pavarësisht përmasave, mjeteve e mënyrave.
Kështu, kur di përmbajtjen, përhapjen dhe veprimet konkrete të Besëlidhjes, ke një qasje më të plotë e mund të bësh një vlerësim më të saktë edhe për Kryetarin e saj, ABAZ BEJ LUSHNJA, kësaj figure të ndritur, deri tani të lënë në errësirë.
Atëherë, pra, cili është ky burrë, të cilin në kohë të rënduara pushtimi, ca burra të tjerë të mencur dhe trima, e zgjodhën kryetar ?
Në origjinë, Abaz bej Lushnja është ushqyer nga dy burime ujëshumë e të shkumëzuar. Nga nëna, ai njihej si i afërm me Ali Pashë Tepelenën. Ndërsa, nga babai, ishte nip i pronarit dhe pasanikut të madh myzeqar Ahmet Kurt Pashës, feudal i martuar me të bijën e Ismail Pashë Velabishtit. Kurt Pasha i Ngurrëzës, dhëndërr i sundimtarit të Beratit, pas vdekjes së vjehrrit mori pronat dhe titujt e tij, të cilat i ruajti për 14 vite me radhë, deri më 1787. Një pjesë të pronave pa mbarim, ato të Lushnjës, pashai i la të birit, Mehmet Pashës. Lagjja e sotme “Xhevdet Nepravishta” dikur kishte emrin e tij. Pikërisht këtu, më 1790 lindi Abazi, patrioti që guxoi të udhëheq një besëlidhje politiko – ushtarake, e cila bëri pushkë dhe e tronditi seriozisht Portën e Lartë.
Kemi hulumtuar në disa skedarë për të plotësuar njohuritë mbi figurën e tij. Mendojmë se të dhënat e listuara sqarojnë deri diku edhe faktin pse kryetar i Besëlidhjes, që u njoh edhe në Europë e tronditi sundimin osman këtu, pra pse në krye të kryengritjes së armatosur dhe vetqeverisjes u zgjodh ABAZ BEJ LUSHNJA.
Sipas burimeve gojore, të sistemuara tashmë, ai ishte “një njeri i drejtë e i gjërë, i vendosur dhe i prerë”. Edhe pse i pasur pa kufi, ai dallohej për shpirtin e gjërë human, sepse “ndante bukë për fukaran”. Për myzeqarët dhe jo vetëm në Ngurrëz apo në Lushnjë, beu ishte “trim dhe kapedan”. Në defterët osman, para themelimit të Besëlidhjes, ai nuk përmendet thuajse fare. Edhe kjo, besohet se i ka nxitur patriotët e tjerë në përzgjedhje. Deri atëherë ai nuk pati patur raporte me sundimtarët e lartë osman dhe, sikur të flisnim me gjuhën e sotme, ishte një figurë e pastër. Pastaj pushtuesit nisën të mbushin dosjen e beut rebel. Ai po u dilte një “feudal i pasur dhe me influence në popull”, “nxitës i revoltave dhe kundërshtues i Reformave të Tanzimatit, që kishte shumë njerëz pranë vetes”. Që në kohën e gjyshit të Abazit, familja kishte 45 shtëpi dhe shumë prona e cifligje në Ngurrëz, Lushnjë, Bishqethëm, Lumth, Karbunarë etj.
Për më tepër, ai ishte edhe kushëriri i Sulejman Pashës, bejlerbeut të Beratit, i cili vdiq më 26 prill 1834 dhe nuk la trashëgimtar. Abaz bej Lushnja mund të bëhej pronari i ri, por pastaj ai do të ishte një pasunar i përmasave të tjera. Portës së Lartë iu njoftua se pasuria e të ndjerit ishte mjaft e madhe, “Prandaj…të vihet dorë mbi to, të regjistrohen dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll”. Duket që beu nga Ngurrëza nuk e ka gëlltitur dot këtë nëpërkëmbje, ndaj qe i gatshëm të bënte pushkë e të përzinte turqit nga trojet e veta dhe tërë nahija e Beratit.
Në qoftë se më parë për osmanët ai ishte një bej i pasur jo rebel, në krye të Besëlidhjes u etiketua si askush tjetër sepse turma e mbledhur në Berat prej Tafil Buzit shtohej përditë dhe si komandant i saj “u caktua një udhëheqës shqiptar, këmbëngulës, i quajtur Abaz beu nga Lushnja”. Sipas Stambollit, tani ai ishte “kryetar i tërë keqëbërësve” dhe madje ata “janë bashkuar në një shpirt me kryetarin”. Dihet që forcat e Besëlidhjes e morën kalanë e Beratit dhe nisën të vetadministronin tërë krahinat. Me lejen e Pleqësisë, Tafil Buzi u lidh edhe me sundimtarin e Egjiptit. Fryma e Beratit po përhapej shpejt tek shqiptarët. Abaz beu bëhej përditë e më i vendosur; besimi popullor për të po rritej frikshëm. Kjo e shqetësoi shumë Stambollin. Ose do ulej e të pranonte kërkesat e Pleqësisë, ose do të niste një luftë, fundi i së cilës nuk dihej. Vet ministri turk i Luftës shkoi tek veziri i madh posacërisht për situatën e krijuar. Ata u njohën me propozimet e Pleqësisë, të cilat ishin “cështje që prekin interesat e shtetit, ndaj nuk ka masë të përshtatshme, përvec se të tregohet forca”…
…Por nuk është qëllimi ynë analiza e kësaj kryengritjeje antiosmane. Ne po evidencojmë aq sa mundemi përmbajtjen e figurës së Abaz bej Lushnjës, e cila në këtë rast është qendrore. Për të, Porta e Lartë mori masën ekstreme, duke e shpallur fermanli. Mirëpo urdhëri nuk u bë i njohur e, natyrisht, nuk u ekzekutua. Jo se qeveria osmane u pendua, jo se ai, në këndvështrimin e saj nuk e meritonte, jo se Abaz beu u arratis etj., etj. Thjesht, turqit i trembeshin zbatimit të vendimit për dënimin e tij. Ata nuk mund ta bënin këtë hap, sepse beu “është nga familje fisnike. Ai ka me vete shumë nga fisi i tij dhe pasues. Prandaj, shpallja fermanlli nuk përputhet me kohën…”.
Pra, pushtuesit osman, kundërshtarët më të ashpër të tij, e vlerësuan, qoftë edhe sipas parimit të tyre : “dora që nuk kafshohet dot, puthet”. Tani na mbetet ne që, qoftë edhe me vonesë, t’i japim patriotit të spikatur ABAZ BEJ LUSHNJA vendin që meriton midis sivëllezërve…
Kosovë-Nis revitalizimi i Urës së Mitrovicës
– Në urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, para katër vitesh, grupet e serbëve vendosën edhe një barrikadë pas disa barrikadave të tjera nëpër rrugët në veri/
Nga Behlul Jashari/ MITROVICË, 17 Tetor 2015/ Në Mitrovicë, sot pasdite, po bëhen përgatitje për nisjen e punimeve të revitalizimit të urës dhe hapësirës përreth saj. Në punët e para, në anën jugore të urës është vendosur një pano-bilbord që tregon se këtu është një projekt i BE-së.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se, kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore.
Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakiç (të komunave në jug e veri të Mitrovicës) për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.
Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë.
Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë procesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.
Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit, përfundon njoftimi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dje paralajmëronte se, “barrikada në urën mbi lumin Ibër do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”.
Në urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, para katër vitesh, grupet e serbëve vendosën edhe një barrikadë pas disa barrikadave të tjera nëpër rrugët në veri.
Në 15 shtator 2011 raportoja se, “në Mitrovicë natën e kaluar serbët kanë barrikaduar edhe urën kryesore mes veriut dhe jugut, mbi lumin Ibër, ku është ndërprerë trafiku i automjeteve, ndërsa sot kalojnë vetëm këmbësorët”.
Në 18 qershor 2014 kam raportuar se, “herët në mëngjes, serbët larguan barrikadën në anën veriore të urës mbi lumin Ibër, tre vjet pas vendosjes, e më pas po nga ajo anë e po aty vendosën në mesditë ‘Parkun e paqes’ prej fidanësh të mbjellur në vazo betoni, çka shkaktoi reagime në jug kundër rimbylljes së urës për lëvizjen e lirë me barrikadën e re në një formë tjetër”.
Bisedë virtuale me Ismail Kadarenë -“Letërsia e bejtexhinjve”
Nga Fahri XHARRA/
Ismail Kadare është nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja) ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Kadareja që në vitet ’60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
– Zoti Kadare , kësaj rradhe më interesoi mëndimi i juaj i artë për “ letersinë e bejtexhinjve “
– Kadare” Letersia e Bejtexhinjve lindi dhe u zhvillua ne shekullin XVIII. Pati një përhapje te gjerë ne qyetete ndryshme te Shqiperise dhe viseve tjera shqiptare.
– Ju nuk e pranoni letësinë e bejtexhinjve,na e spjegoni se pse ?
-Kadare :” Së pari : Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianizimin shqiptar . Gjeografia, shkenca më kokëfortë na dokumenton që ne jemi europian, pasi banojmë në ato troje ku më para banonin ilirët kjo pasohet nga histori e cila nuk jep asnjë dëshmi ardhjeje nga ndonjë fis tjetër europian në kronikat e kronikanëve greko-romak. Kultura merret si element bazë i identitetit të një kombi dhe pikërisht ky fat e bën kulturën antike pjesë të studimit tonë e kjo, sepse kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare.
Dëmin që solli otomanizmi, amplifikohet edhe më shumë me lindjen e letësisë së bejtexhinjve e cila lindi në shek. XVIII. Ajo ishte një letërsi përverse dhe imorale të ambienteve myslimane shqiptare, e cila, gjithnjë sipas tij, e ka dëmtuar edhe më rëndë identitetin kombëtar shqiptar.
– Diçka më shumë ?
– Kadare : “E ashtuquajtuara letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. “Cunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme”. ‘
“Ai u shpreh se ka mbetur i habitur kur ka lexuar se letersia laike ne Shqiperi eshte levruar nga bejtexhinjte, kur ne fakt vargjet laike te Pjeter Budit, i gjejme që në mesjeten e vone.Kadare pohoi se shqipja është një ndër gjuhët themeltare të Europës dhe këtë shqiptarët nuk e dinë. Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.” “Popujt kanë atë që quhet identiteti që përbëhet nga të mira dhe të këqija. Europianizimi në radhë të parë duhet të ndodhë brenda nesh. Fillimisht duhet të ripohohemi europianë”, tha Kadare.”
-Si ndodhi gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes, Zoti Kadare?
– “Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
“Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental -tha Kadare
– Në farë mënyre edhe unë sa i isha gjimnazist e kam pasë verjetur që letersia e bejtexhinjve tentohej të vlerësohej më shumë se sa duhej ?
-Kadare” Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme. E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme! “
-Edhe atëherë punohej me qëllime jo të mira ndaj nesh , apo jo, Zoti Kadare ?
-Kadare : Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.”
Si përfundim të kësaj bisede , çmund të na thoni i nderuari Kadare ?
Kadare “- Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
“Por nuk ndodhi ashtu. Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur. Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht. “
Ju falemnderit që më lejuat që të shkepus mendimet e juaja të arta nga “Identiteti evropian i shqiptarëve„© Ismail Kadare