Dr. Hysenbegasi në njëzeteshtatë vjetorin e vdekjes
Nga Reshat Kripa/
I mbylli sytë dhjetë vjet më parë, më 4 tetor 1988. I mbylli i qetë, pa iu rënduar njeriu, pa u ankuar. I mbylli siç i mbyllin burrat e mëdhenj. Por i mbetën dy brenga pa u plotësuar. E para që nuk pa ditën e rilindjes së atdheut, ditën e demokracisë, së cilës i ishte përkushtuar dhe që do të vinte pas dy vitesh dhe e dyta për djalin e vetëm, Enin, që nuk kishte mundur t’i trasmetonte profesionin e tij, profesionin e mjekut, për të cilin ai kishte punuar gjithë jetën.
Megjithatë të dy këto dëshira u plotësuan, ndonëse ai nuk mundi t’i gëzonte. Shqipëria e shpërtheu perden e hekurt që e kishte ngujuar për gati një gjysëm shekulli, ndërsa Eni, me përkujdesjen e jashtëzakonshme të nënës së tij të nderuar, fisnikes Gjyltere Hysenbegasi, sot punon në profesionin e mjekut në Romë, duke ndjekur shembullin e të atit.
Isuf Hysenbegasi lindi në vitin 1913 në Starovë të Pogradecit. Lindi në ato vite kur Shqipëria e porsa lindur luftonte me të gjitha forcat e saj për mbijetesë nga intrigat e kurdisura nga fqinjët djallëzorë. Ishte i biri i Jasharit, një luftëtar i vendosur kundër pabesive greke që, në atë periudhë, ndesheshin në çdo hap që hidhte atdheu.
Por ati i tij ishte gjithashtu një intelektual i shquar që dinte se si duheshin edukuar fëmijët. Kështu i shkolloi të dy djemtë. Isufin pas shkollës së mesme e dërgoi në Romë, në Universitetin Shtetëror, që më vonë do të merrte emrin “La Sapienza”, në fakultetin e mjekësisë në vitin 1932, ku u laureua për doktor në mjekësi dhe kirurgji me rezultate të larta. Nga 100 pikë të mundshme mori 97. Një rezultat me të vërtetë i mrekullueshëm.
Në kohën që Isufi ishte me studime në rradhët e studentëve universitarë filloi të përhapej një ndjenjë diskriminimi dhe mospërfilljeje për shqiptarët. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte në sy të Isufit dhe disa shokëve të tjerë të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Së bashku me mikun e tij Kudret Kokoshin, i cili studionte në atë universitet për drejtësi, organizuan një konferencë shkencore mbi karakterin e shqiptarit. Në këtë konferencë ftuan disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Atje u fol për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij vendi, për besën dhe nderin e shqiptarit.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Qysh nga ajo ditë asnjë nuk guxoi më të përgojojë shqiptarët. Bile nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërinë.
7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë.Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin e Tiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Lozzi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:
– Il nostro giovane!
Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re,
– Io sono Albaneze! – ishte përgjigja e tij krenare.
Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.
Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vjet burg.
Personalisht e njoha në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. Me një trup mesatar dhe të rregullt, me ballin e gjërë prej dijetari, me sytë e shndritshëm që të ngjallnin shpresë dhe besim, me fjalën e ëmbël dhe të matur, ai zëvendësoi tek unë prindërit që më mungonin. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, ndërsa ai tridhjetenëntë. Këshillat e tij të herë pas hershme apo edhe tërheqja e veshit kur unë gaboja, formuan karakterin tim. Më thërriste “Vëllai im i vogël” dhe unë e quaja “Vëllai im i madh”
Më lejoni tani të përshkruaj disa çaste të paharruara që kanë ndodhur gjatë atyre katër viteve që jetuam së bashku, nëpër ato shkallë ferri.
Fundi i dhjetorit 1952. Ishte cingërimë, binte një borë e ftohtë dhe e shkrirë. Po ktheheshim të rraskapitur nga puna e lodhshme. Ishim lagur deri në palcë. Po dridhesha i tëri. Sa më pa më mori dhe më shtroi në atë që ne e quanim infermieri. Më vendosi termometrin. Tregonte mbi 40 gradë celsius.
Nuk do ta harroj kurrë atë natë kur jeta ime luftonte dhëmbë për dhëmbë me vdekjen. Në atë luftë protagonisti kryesor ishte doktori. Gjithë natën më qëndroi mbi kokë duke më ndërruar pecet me ujë të ftohtë që m’i vendoste mbi ballë, të vetmet mjete që kishte në dispozicion, përveç ndonjë aspirine apo bari tjetër të këtij lloji. Në kllapin time dëgjoja fjalët e tij që më pëshpëriste. Më fliste për familjen dhe shokët e mi. Dhe mua më dukej sikur ata i kisha pranë. Më në fund këmbëngulja e mjekut triumfoi mbi vdekjen. Afër mëngjesit temperatura filloi të zbresë.
Nuk isha përmirësuar ende, kur më njoftuan se do të trasferohesha në një kamp tjeter. Doktori kërkoi me forcë të më mbante, por daullja binte në vesh të shurdhër. Ndarja me doktorin më bënte ta ndjeja veten të braktisur në mëshirë të fatit. Më dukej sikur kisha humbur mbështetjen time. Ia shpreha këtë ndjenjë doktorit. Ai filloi të më fliste se edhe në kampin tjetër do të gjeja plot burra të tjerë ku mund të mbështetesha.
– Jam i ri – i thashë
Nuk më la të vazhdoja. U ngrit në këmbë dhe me një frëngjishte të kulluar më deklamoi vargjet e Sidit nga tragjedia e Kornejit:
Je suis jeune, il est vraie,
Mais aux åmes bien nais,
La valeur n’attend point,
Le nombres des annèes”.
(Unë jam i ri, por në shpirtrat e mëdhenj, vlefta nuk matet me vitet).
Vargjet kishin vepruar si magji për zemrën time. Një ndjenjë besimi në vetvete më mbushi zemrën. Ndjenja e mëparshme e thyerjes shpirtërore ishte zhdukur. Të nesërmen na trasferuan në kampin e Vlashukut. Nuk vonuan as tre muaj dhe doktori erdhi atje. U bëmë përsëri bashkë.
Prill 1953. Djali gjashtë vjeçar i togerit katil, Ademit, ishte sëmurë rëndë. Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte inxheksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA. Një të tillë kishte avokati Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri. Papritmas ujku ishte shndërruar në dele. Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk
Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin.. Më i prekuri, më i revoltuari ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë. Doktori iu përgjigj:
– Unë jam mjek. Detyra ime është të shëroj çdo të sëmurë, aq më tepër kur ai është
fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për xhestin e të atit.
Nuk e di nëse ky djalë rron apo jo dhe se çfarë mendon për të atin, por po ta takoja do t’i thoja se jeta e tij është ngritur mbi vdekjen e dikujt tjetër.
Vjeshta e po atij viti. Mbi qiell fluturonin lejlekët që përgatiteshin për t’u kthyer në atdhe. Midis tyre një zog i pafuqishëm. Shokët u munduan ta merrnin me vete, por kur panë se ishte e pamundur, e lëshuan dhe ai ra në oborrin e kampit. Doktori e mori, e mjekoi dhe e ushqeu deri sa arriti moshën që të fluturonte vetë. E pagëzoi me një emër egjyptian, sipas origjinës së tij, Saip. Saipi u bë pjesë e familjes sonë. Na shoqëronte në mëngjes kur shkonim në punë dhe kthehej bashkë me ne në mbrëmje.
Në marsin e vitit 1954 u trasferuam në kampin e Shtyllasit. Saipi na shoqëroi gjatë gjithë rrugës, duke fluturuar mbi makinat me të cilat udhëtonim. Në çastin kur po futeshim në kamp një nga rojet e qëlloi me pushkë dhe ai ra pa jetë në oborr. Kriminelët nuk i linin as shpendët të fluturonin të lirë. Saipi u bë viktima e parë e kampit të Shtyllasit.
Ajo ishte një ditë e hidhur për tërë kampin. Doktori e mori dhe e vendosi në një kuti kartoni. Të nesërmen e varrosëm pranë kanalit ku punonim. Dikush mbolli mbi varrin e tij një lastar plepi.
Maji i atij viti. Po bëheshim gati për të dalë në punë. Sulejman Dizdari e ndjeu veten të sëmurë Ishte i pafuqishëm dhe me temperaturë. Doktori e pa dhe vendosi ta shtronte në infermieri. Por e ndaloi toger Ademi. Sulejmani bënte pjesë në forcat që duhej të shkonin në punë. Doktori u mundua shumë, bile u ndesh shumë ashpër me togerin, por ishte e pamundur. I sëmuri u detyrua që i mbajtur nga shokët të nisej.
Por ai nuk ishte në gjendje të punonte. Duke shtyrë karron u rrëzua dhe nuk ngrihej dot më. Togeri urdhëroi disa të dënuar ordinerë ta mbulonin me dhe. Ne dëgjonim rënkimet e mbytura të Sulejmanit, por nuk kishim mundësi ta ndihmonim. Ai u mbulua me dhe duke patur jashtë vetëm kokën. Në mbarim të orarit të punës e nxorrëm nga dheu dhe duke e mbajtur në krah e çuam në kamp. Atje shkëlqeu gjenia e doktorit. Ishte merita e tij nëse Sulejman Dizdari u kthye përsëri në jetë. Doktor Isuf Hysenbegasi me përkushtimin e tij, me vetëmohimin e tij e ringjalli përsëri
Erdhi edhe dita e fundit e qëndrimit tim në burg. Atë natë u mblodhën rreth meje të gjithë shokët. Midis tyre shquhej doktor Isufi. Ai me fjalën e tij më mësonte se si duhej të sillesha në burgun e madh që quhej Shqipëri. Ato këshilla tingëllojnë ende në veshët e mi.
Kujtimet ndjekin njëri-tjetrin. E për cilin të flas më parë? Për Vlashukun ku punonim në tridhjet metra thellësi dhe ku u vra Skënder Dinia që e zuri dheu apo vinçier Qemali të cilin vinçi e ndau në mes? Apo ndoshta për Bulqizën ku galeria zuri Markun dhe Vasilin? Në këto kataklizma shkëlqente gjenia e doktor Isufit që nuk hezitonte kurrë për t’u ardhur në ndihmë me ato pak mjete që kishte. Pyetni të burgosurit që e kanë njohur dhe do të dëgjoni ato lëvdata që
rrallë i dëgjon për ndonjë tjetër.
Në verën e vitit 1992 takova zonjën e nderuar Gjyla. Ishte e dëshpëruar se djali i saj kishte emigruar në Itali dhe po përpiqej të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Deri në atë kohë nuk kishte mundur të bënte gjë. Djaloshi i ri e ndjente veten të pafuqishëm para asaj bote të re e të madhe që e rrethonte.
M’u kujtua nata e largët e dhjetorit të vitit 1952 kur doktori më deklamonte vargjet e Sidit. Sa do të doja të isha në ato momente pranë atij djali, t’i flisja, ta këshilloja dhe ta ndihmoja, ashtu siç kishte bërë dikur i ati me mua. Por kjo ishte e pamundur
Megjithatë Eni mundi ta gjejë vetë rrugën e jetës. Ai sot po ecën me ballin lart në rrugën e së drejtës dhe moralit, ashtu si dikur ati i tij i paharruar, doktori Isuf Hysenbegasi.
JA PSE U ARRESTUA MORINA?
Morina akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa në ngarkim të tre të arrestuarve të tjerë do të rëndojë akuza e “Moskallëzimit të krimit”. Të arrestuarit e tjerë janë Erion Bahushi, 22 vjeç lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë; Denis Balla, 21 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, si dhe Marin Rexha, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë./
Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin e Ismail Morinës, personit që ngriti dronin në Beograd, 1 vit më parë (14 tetor), gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit ai u kap me pistoletë Zastava në brez me 6 fishekë. Policia njofton se gjatë kontrollit të makinës së Morinës, iu gjet dhe një pistoletë tjetër TT me 30 fishekë. Në makinë u gjet dhe një gëzhojë, e cila u sekuestrua në formën e provës materiale.
Morina akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ndërsa në ngarkim të tre të arrestuarve të tjerë do të rëndojë akuza e “Moskallëzimit të krimit”. Të arrestuarit e tjerë janë Erion Bahushi, 22 vjeç lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë; Denis Balla, 21 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, si dhe Marin Rexha, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Shtetasit Ismail Morina, gjatë kontrollit i është gjendur e fshehur në trup një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava“ me gjashtë fishekë. Ky shtetas ishte duke drejtuar mjetin tip “Land Rover” me targë AA 874 KY. Gjatë kontrollit të mjetit, në pjesët e brendshme të tij, është bërë e mundur gjetja dhe e një arme tjetër pistoletë tip TT si dhe 30 fishekëve për këtë pistoletë.
Po ashtu, gjatë kontrollit në mjet janë gjetur dhe 36 bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Gjithashtu në mjet është gjendur dhe një gëzhojë pistolete.
Menjëherë është bërë shoqërimi i tyre dhe i mjetit në komisariat dhe pas kryerjes së të gjitha veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ismail Morina, për veprën penale të “Mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake pa leje” dhe arrestimi i shtetasve Erion Bahushi, Denis Balla dhe Marin Rexha për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Materialet në ngarkim të tyre do t’i dërgohen Prokurorisë së rrethit për ndjekje e hetime të mëtejshme./m.m/
Shqipëri-Serbi, Tahiri: Të angazhuar 2300 forca policie, bashkë për një festë të vlerave shqiptare
TIRANË, 7 Tetor/nga Arbi Fortuzi/-. Policia e Shtetit është e gjitha në gadishmëri të plotë për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, kur dhe do të luhet sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Në një konferencë për mediat, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri të ditur masat e marra pë ndeshjen duke theksuar se “pikat kufitare janë në gatishmëri të plotë për të ndaluar hyrjen e personave të cilët rezultojnë me precedent”.
Tahiri tha se “bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me partnerë rajonal e Europian ka qenë në nivel maksimal, për të përpiluar një listë të plotë emrash me personat problematik që nuk do të lejohen të hyjnë në vend gjatë kësaj kohe”. Ai shtoi gjithashtu se edhe për persona të tjerë problematikë që ndodhen në Shqipëri, do të ndalohet prezenca e tyre fizikisht në dhe pranë stadiumit në Elbasan.
Tahiri apeloi që ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë duhet të jetë një festë për të gjithë e cila duhet të nxjerrë në pah qytetarinë që karakterizon vendin tonë.
“Ndeshja nesër duhet të jetë një provë e madhe për të gjithë ne, e jo vetëm për kuqezinjtë që do zbresin në fushë”, tha Tahiri, në fillim të deklaratës për shtyp.
Sipas tij, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet janë të angazhuara që ndeshja e nesërme, të përjetohet si një festë për qytetarin dhe mbi të gjithë për kombëtaren tonë.
“Në këtë kuadër pikat kufitare kanë marrë masa për monitorimin e të gjithë shtetasve. Është shkëmbyer informacion me partnerë rajonal dhe Europian. Ashtu siç është shkëmbyer informacion me UEFA-n dhe FIFA-n për hartimin e listës me emra të personave problematik. Kjo listë është në dispozicion të policisë kufitare, për mos lejimin e hyrjes në vendin tonë dhe në rast se kanë hyrë më parë dhe janë në vend, për t’i mbatjur sa më larg stadiumit”, garantoi Tahiri.
Ministri i Brendshëm, bëri të ditur se “strukturat e anti-krimit dhe forcat RENEA janë të angazhuara në të gjithë vendin dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe Elbasan, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Agjent civil do të jenë në ambientet ku do të ketë grupime tifozësh”.
Nga krahu tjetër, vijoi Tahiri, policia është tërësisht e angazhuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në të gjithë vendin, por veçanërisht në të githa akset që të çojnë në “Elbasan Arena”.
“RENEA është e angazhuar që prej ditës së sotme në monitorimin e situatës në dy qytetet në fjalë, por jo vetëm, pasi “syri” i tyre do të vëzhgojë situatën në të gjithë vendin”, vijoi Ministri i Brendshëm, duke garantuar se këto struktura do të jenë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
“Policia e Shtetit ka marrë masa maksimale. Garantimi i ndeshjes nesër do të mbulohet nga 2 300 forca policie të angazhuara në Tiranë e Elbasan dhe në gatishmëri të gjitha mjetet dhe infrastruktura që disponon Policia e Shtetit”, shtoi ai.
Sfida më e madhe, nënvizoi Tahiri, është angazhimi i të gjithë ne, të gjithë bashkë, për të treguar mikëpritje të denjë. Ndeshja e nesërme është thjesht një ndeshje futbolli, por ndeshja më e rëndësishme është ajo jashtë fushe, ku të gjithë qytetarët së bashku, duhet të nxjerrim në pah vlerat e vendit tonë, mikëpritjen dhe kulturën që na karakterizon, ku përmes së cilës kemi shkruar historinë tonë”, përfundoi Ministri Tahiri deklaratën e tij për mediat./
The New York Times & “Kurir” shkruajne per Morinen
“Kurir”: Terroristi Ballist Morina në pranga, pasi kërcënoi Vuçiç/
Mediat serbe shkruajnë se Ballist Morina u arrestua pas kërcënimit ndaj kryeministrit serb, Aleksander Vuçiç.Në shkrimin e “Kurir” Ballist Morina konsiderohet një terrorist.
“Terroristi Ismail Morina, i cili pranoi se ngriti dronin në Beograd, u arrestua për zotërim të armëve pa leje.
Sipas policisë shqiptare, në makinën e Morinës është gjetur një armë, për të cilën nuk ka asnjë leje”, shkruan “Kurir”.
“Edhe pse liderët e Federatës Shqiptare të Futbollit kishin raportuar më parë se Morina nuk do të lejohet në stadium, ai vetë njoftoi në rrjetet sociale se 100% do të jetë në stadium.
Madje tregoi edhe biletë për ndeshje me emrin e tij”, vijon gazeta.
Ajo kujton se Morina kërcënoi kryeministrin serb me një video online, ku thoshte se ka një surprizë për Vuçiç gjatë ndeshjes
Ballist Morina rrëfen për New York Times pse e ngriti dronin në Beograd. I tregon armën gazetarit amerikan/
Gazeta amerikane New York Times i kushton një shkrim të gjatë incidentit të Beogradit një vit më parë në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Në qendër të shkrimit është Ismail Morina, alias Ballist Morina, personi që ngriti dronin.
“Pasi kishte investuar mijëra dollarë dhe qindra orë duke planifikuar me kujdes momentin e tij, Ismail Morina kuptoi se kishte bërë një gabim fillestari”, nis shkrimi NYTimes, duke treguar edhe njëherë se Morina nuk e dinte bluzën me të cilën po luante kombëtarja shqipatare.
“Serbia ishte me të kuqe dhe Shqipëria me të bardhë. Prisja të ishte e anasjellta”,- shprehet Morina.
Gazetari James Montague e ka intervistuar Ballist Morinën në një prej lokaleve të kryeqytetit. Pyetjes se përse e ngriti dronin, Morina i përgjigjet:
“Unë jam patriot, nuk jam nacionalist. E zgjodha atë fjalë për t’u thënë serbëve se janë shqiptarët vendali në Ballkan. Kjo nuk do të thotë që serbët nuk duhet të jetojnë këtu. Por duhet të kenë respekt për flamurin tonë,”
Në shkrim ritregohet edhe njëherë kronologjia e asaj që ndodhi në Beograd.
“Në fakt, në atë moment, piloti real i dronit ishte në rrugët e Beogradit, duke u fshehur nga policia, teksa tentonte të arratisej nga vendi. Telekomanda kishte mbetur në dyshemenë e kishës”- shkruan New York Times, duke përmendur gjithashtu edhe teoritë e shumta të konspiracionit që nisën të tregoheshin menjëherë sapo droni fluturoi në qiellin e Beogradit.
Morina i rrëfen gazetarit se plani për ngritjen e dronit nisi që në vitin 2010 kur luante Italia me Serbinë, ndeshje në të cilën pati edhe një incident; Ivan Bogdanovi dogji flamurin shqiptar. Ndërkohë që edhe droni është blerë në një dyqan në Milano.
I pyetur se si u aftësua për ngritjen e dronit, Ballist Morina shprehet se atë e ndihmoi fakti se është me profesion vinçier.
“U mësova shpejt pasi është njësoj si vinçi që drejtoja në Itali,” thotë ai për gazetën amerikane.
New York Times shkruan ndër të tjera se droni i ngritur në Beograd e ka bërë Ismaili Morinën një hero kombëtar mes shqiptarësh. Shumë njerëz në rrugë ndalojnë për të bërë një foto me të. Ky fakt i bën përshtypje gazetarit amerikan gjatë kohës së intervistimit të Morinës në Tiranë.
Ky shkrim i prestigjozes New York Times vjen në një ditë kur Ismail Morina është arrestuar nga policia për armëbajtje pa leje. Arrestimi i tij ka ndodhur mbrëmë në mesnatë, ndërsa policia ka dhënë sot më shumë detaje. Bashkë me të janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.
Në fund të shkrimit të NYTimes flitet edhe për pistoletën që Morina mbante me vete. Madje ai ia ka treguar atë gazetarit James Montague. “Nxorri një pistoletë që e ka blerë kohët e fundit. Thotë se e mban me vete, të mbushur gjatë gjithë kohës. Është një pistoletë Zastava. E prodhuar në Serbi”, shkruan gazetari.