• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për ridimensionimin e gjykimit objektiv mbi historinë tonë kombëtare

June 22, 2021 by dgreca

Lindita KOMANI/

Nuk jam historian, por kjo nuk më pengon të kem një mendim lidhur me sa dëgjoj në reportazhin-dokumentar të realizuar nga Top Channel me titullin “Dritëhijet e Mid’hat Frashërit”.

Historiani Pëllumb Xhufi shprehet në të (minuta 32*):

– Në rast se Shqipëria do të dilte me Ballin Kombëtar apo me Legalitetin nga Lufta e Dytë Botërore, është mëse e sigurtë, të paktën jugu i Shqipërisë do i jepej Greqisë.

Nga e di historiani Xhufi këtë me siguri? Më shumë se pandehmë kjo nuk mund të jetë dhe pandehma si kjo nuk i hyjnë në punë historisë që bazohet tek e vërteta dhe ngjarjet e ndodhura dhe jo tek po sikur.

Me aq sa jam në gjendje të kuptoj, mendoj që historia e plotë e Luftës së Dytë Botërore dhe sjelljes së shqiptarëve në të, që është ndoshta edhe pjesa më e kontestuar e historisë sonë, do të shkruhet në mënyrë objektive vetëm kur të ketë ndodhur një gjë e rëndësishme dhe që gjithsesi e kemi përpara:

– Kur Shqipëria të bashkohet me Kosovën e ndoshta edhe më shumë se kaq.

Atëherë do të mund të ridimensionohet gjithçka, si ngjarjet ashtu edhe dritëhijet e gjithë figurave politike-ushtarake të kohës. Pse e them këtë?

Sepse nëse akuzat për kolaboracionizëm-bashkëpunim janë për nacionalistët, kolaboracionizëm bënë edhe komunistët, me jugosllavët dhe sovjetikët dhe e pamë se ku na çoi ky kolaboracionizëm. Dhe ndërkohë që pandehma për jugun e Shqipërisë mbetet vetëm e tillë, pandehmë, kemi faktin historik: verilindja e Shqipërisë – Kosova – ra edhe për 55 vjet nën sundimin serbo-jugosllav me gjithë pasojat e rënda që solli kjo.

Sigurisht që kur historia shkruhet nga fituesit e luftës në nivel Shqipërie (pa Kosovë), që ishin kolaboracionistët me jugosllavët dhe sovjetikët, historia do të shkruhet e do të lexohet siç është bërë. Por mjafton të shihet vetëm si u sollën amerikanët e britanikët pas LIIB me ballistët e legalistët që emigruan në perëndim dhe si i stërvitën për t’i sjellë në Shqipëri për të rrëzuar komunizmin, për të kuptuar që ridimensionimin të parët dhe me shumë bazë e bënë pikërisht amerikanët dhe britanikët.

Ishin po këta amerikanë dhe britanikë që mbështetën rënien e komunizmit kudo në lindje dhe këtë nuk e bënë pas 45 vitesh por që në çastin e parë kur e panë që komunistët kudo në Lindje u përcaktuan që do të ishin Lindje dhe jo Perëndim. Popullorçe do të mund të thonim: i ranë kokës me grushta kur e kuptuan se ç’bënë. Në këtë aspekt, për mua pyetja e madhe në raport me Shqipërinë është: Pse amerikanët dhe britanikët zgjodhën të mbështesnin komunistët dhe jo nacionalistët? Sepse dëmin më të madh kjo zgjedhje e tyre e gabuar e shkaktoi, gabim që u kushtoi 46 vjet për ta zhbërë dhe pasojat i ndiejmë ende sot 46 + 30 vjet më pas.

Koha tregoi pikërisht që amerikanët dhe britanikët mbështetën antikomunistët, nacionalistët në vijimësi. Edhe ndër shqiptarët. Qenë mbështetësit e pavarësimit të çdo shteti përbërës të Jugosllavisë, të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Parë nga këndvështrimi i vitit në të cilin jetojmë, çfarë duhet të themi për kolaboracionistët komunistë me jugosllavët dhe sovjetikët? Do të ishte mirë që historianët ta hapnin pak më shumë mendjen në këtë drejtim. Megjithatë, vihet re që në retorikën e tyre, sidomos të atyre që kanë qenë më agresive në qëndrim ndaj “kolaboracionizmit”, ka një lloj vlerësimi disi më ndryshe, të paktën duke bërë dallimin mes bashkëpunimit për ideologji që nuk ishte rasti në Shqipëri dhe bashkëpunimit për arsye pragmatike politike. Por këtij ridimensionimi në vlerësim i mungon ende përmasa kombëtare në tërësi si dhe vlerësimi tek për tek i çdokujt që për fatin e vet në atë kohë u gjend në kushtet që të duhej të përfshihej politikisht e ushtarakisht për të mbrojtur interesat kombëtare.

Duke pasur parasysh që fatmirësisht: (1) fashizmi dhe nazizmi nuk qenë kurrë një ideologji që u përqafua nga shqiptarët në masën që të quhej se ishte me ndikim, dhe më tej, (2) që numri i hebrenjve – viktimat kryesore të fashizmit dhe nazizmit ishte më i lartë në mbyllje të luftës në Shqipëri sesa ishte në hyrje të saj, që ata u pritën, u strehuan dhe u mbrojtën si miq e familjarë në shtëpitë e shqiptarëve, në një këndvështrim kombëtar, gjykimi kur t’i vijë koha që të bëhet i drejtë dhe i plotë, mendoj se do të jetë i bazuar në pragmatizmin që ka kërkuar dhe kërkon çështja kombëtare që t’i shkohet deri në fund, ashtu siç e kërkon e mira jonë e përbashkët si shqiptarë.

*Reportazhi-dokumentar mund të shihet këtu:

Filed Under: Histori Tagged With: Lindita Komani, Ridimensionimi i Historise, Top Channel

Kryeministri Kurti priti në takim kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi

June 22, 2021 by dgreca

PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi dhe këshilltarin komunal të Medvegjës, z.Fehmi Beha, me të cilët bisedoi për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në këto tri vendbanime dhe në viset e tjera në Serbi.

Kryetarja e Preshevës, znj. Ardita Sinani e njoftoi kryeministrin Kurti me gjendjen e keqësuar në Preshevë e rrethinë, si pasojë e vërshimeve të muajit të kaluar që shkaktuan dëme materiale, siç tha ajo, në vlerë prej 325 mijë euro.

Ajo theksoi problemin që kanë shqiptarët e kësaj komune me mungesën e investimeve dhe kushtëzimet e pengesat që u bën pushteti i Beogradit investitorëve të huaj që shprehin interesim që të investojnë në këtë vendbanim shqiptar.

Kryetari i Komunës së Bujanocit theksoi problemet e qarkullimit të lirë të shqiptarëve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, si dhe pasojat e mosnjohjes së diplomave të Kosovës.      

Ndërkaq, këshilltari në Komunën e Medvegjës, Fehmi Beha, foli për metodën e heshtur dhe të rrezikshme të diskriminimit që po u bën pushteti shqiptarëve të kësaj komune, me pasivizimin e adresave, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për të cilin kryeministri Kurti tha se ishte takim për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri tha se në procesin e dialogut të ri do të angazhohet për reciprocitet të drejtash të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi.   

Takimi i kryeministrit Kurti me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është në vazhdën e takimeve për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ardita Sinani, Kryeministri Kurti, kryetare e Presheves, Kryetarin e Bujanovcit Nexhip Arifi

Austria, partner strategjik i Kosovës

June 22, 2021 by dgreca

-Presidentja Osmani: Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërm të Republikës së Kosovës. Diaspora e Kosovës në Austri përbën urë të fortë miqësie ndërmjet dy shteteve/*

PRISHTINË, 22 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri, me ftesë të Presidentit austriak, Alexander Van der Bellen,. 

Pas nderimeve më të larta shtetërore, takimin e parë Presidentja Osmani e ka realizuar me Presidentin austriak, Alexander Van der Bellen. 

Të dy bashkëbiseduesit kanë përmendur marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e tyre. Me këtë rast, Presidentja Osmani falënderoi përzemërsisht Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë.

“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit me Presidentin Van der Bellen.

Duke u fokusuar te mundësitë e reja për bashkëpunim, përveç bashkëpunimit në fushën e investimeve ekonomike, arsimit, si dhe bashkëpunimin kulturor, Presidentja Osmani theksoi se fokus i veçantë i kësaj vizite është edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të Agjendës së Gjelbër.

Presidentja Osmani ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Në lidhje me Dialogun, Presidentja Osmani ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktual.

Presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, sikurse edhe me ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Gewessler me të cilët përveç diskutimit të aspekteve politike do të shqyrtohet edhe mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Gjatë qëndrimit në Austri, Presidentja Osmani do të takoj edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Është paraparë një takim me  Shoqatën e Miqësisë Austri – Kosovë, diasporën kosovare, si dhe me Odën Ekonomike Austriake. Ndërsa në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Presidentja Osmani do të mbajë një ligjëratë me temën: Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit.

Per me shume fotografi shihni ne Facebook: Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Alexander Van der Bellen, Presidentit austriak, Presidentja Vjosa Osmani

KRYETARI I VATRËS, NË MBËSHTETJE TË KANDIDATIT PËR KONGRES COLIN SCHMITT

June 22, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA- DIELLI/

Të Hënën më datë 21 Qershor 2021 në New York, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të afërt mbështetën fuqishëm kandidatin për Kongres Colin Schmitt. Patriotë shqiptaro-amerikanë, miq, të ftuar, biznesmenë, media, specialistë fushatash elektorale, lobues dhe përfaqësuesit më në zë të komunitetit shqiptar në New York dhe jo vetëm, organizuan një mbrëmje festive të udhëhequr nga kryetari i VATRËS z.Berisha në mbështetje të pakursyer ndaj kandidatit për Kongres Colin Schmitt i cili kandidon në Zonën 18-të New Jorkut. Takimi i shumëpritur ishte shumë emocionues për vlerësimin që kandidati për Kongres Colin Schmitt kishte për shqiptarët të cilëve u premtoi se tek ai do të kishin një mik dhe një zë të fuqishëm në Uashington. Mbështetja për kandidatin Colin Schmitt është një shenjë vlerësimi dhe respekti që kandidati për Kongres Schmitt ka ndaj komunitetit Shqiptaro-Amerikan, tha z.Berisha i cili siguroi se kjo kandidaturë është e duhura për të ringritur jo vetëm zonën lokale por edhe ekonominë kombëtare. Fitorja e z. Schmitt tha kryetari i VATRËS do të përkthehet në një sukses të madh edhe për shqiptaro-amerikanët. Kandidati për Kongres Colin Schmitt në hapje të takimit elektoral u ndal te platforma e tij elektorale ku në themel të programit janë: Rehabilitimi i ekonomisë lokale e rajonale, krijimi i vendeve të punës, forcimi i sigurisë së jetës, përkrahja ndaj policisë dhe organeve ligjzbatuese dhe rritja e sigurisë publike. “Shqiptarët do ta kenë zërin e tyre të fortë në Uashington. Unë do të loboj fuqishëm për çështje shqiptare në Uashington. Unë do ta mbështes pavarësinë e Kosovës dhe do loboj që Kosova të njihet dhe nga ato shtete që ende nuk e kanë njohur. Tek unë do keni një mik të madh dhe një lobues të fortë. Nëse fitoj, të gjithëve ju që jeni këtu sonte do u ftoj në betimin tim në Kongres. Nuk do ju braktis kurrë dhe do jem përherë në krahun tuaj. Na duhet një komb i bashkuar, jo një komb i ndarë. Amerika nuk ka nevojë për politika socialiste që shkatërrojnë vendin por për vende pune, zhvillim ekonomik dhe sigurinë e fortë publike” tha ndër të tjera kandidati për Kongres Colin Schmitt. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha pasi falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë shqiptaro-amerikanë ndër të tjera tha: “Është koha të ringrihemi. Është koha të mendojmë për familjet tona, për ekonominë tonë, sigurinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Miku im Colin Schmitt është kandidati i duhur për të ardhmen, një mik i shqiptarëve, do ta forcojë lidhjen e miqësisë shqiptaro amerikane. Te kandidati për Kongres Colin Schmitt shohim një investim amerikan afatgjatë për çështjen shqiptare. Shqiptarët i dedikojnë një mirënjohje të thellë Administratës Amerikane që nga koha e Presidentit Uillson 100 vjet më parë e deri më sot. Mirënjohje Presidentëve Bush, mikut të madh të shqiptarëve Bob Dole e mbështetësve të panumërt që shqiptarët kanë pasur në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nëse s’do kishim mbrojtjen dhe mbështetjen e Amerikës, ne nuk do ekzistonim si shtet e mbase as si komb” u shpreh kryetari i VATRËS. Takimi u mbyll me një darkë solemne të shtruar nga kryetari  z.Elmi Berisha me premtimin e mbajtjes së një miqësie të fortë të kandidadit për Kongres Colin Schmitt me shqiptaro-amerikanët të cilët i vlerësoi dhe i quajti faktor shumë të rëndësishëm në këto zgjedhje. 

Filed Under: Featured Tagged With: Colin SCHMITT, Elmi Berisha, Mbeshtetje

KUJTESA-“NËNË TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE” PROMOVOHET TË MARTËN NË VATËR

June 21, 2021 by dgreca

Ditën e Martë më 22 Qershor 2021, në orën 6.00 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet promovimi i librit “Nënë Tereza, Shenjtorja e Periferive” e PhD Ines Angeli Murzaku. Libri është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënë Terezës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve. Autorja PhD Ines Murzaku është Profesore (Full Professor) e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ka një doktoraturë kërkimi nga Pontifical Oriental Institute në Romë, pjesë e Konsorciumit Pontifikal Gregorian University dhe ka mbajtur pozita vizituese (visiting profesor) në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Münster në Gjermani. 

Në këtë promovim do të referojnë dhe përshëndesin:

Elmi Berisha – Kryetar i VATRËS

Paulin Zefi – Historian

Dr. Pashko Camaj – Nënkryetar i VATRËS

Dr. Paulin Marku – Studiues

Agim Rexhaj-President Nderi i Vatrës

Marjan Cubi- Anëtar i Kryesisë së Vatrës

PhD Ines Murzaku – Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall, New Jersey.

Veprimtaria do të moderohet nga gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

Jeni të ftuar të bëheni pjesë e këtij promovimi.

Filed Under: Politike Tagged With: Mother Teresa, PhD.Ines Murzaku, Promovimi ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT