Më në fund Bashkimi Europian vendosi të tregojë unitet për çështjen e refugjatëve. Krerët e unionit vunë në zbatim planin e Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për të strehuar 120 mijë refugjatë nëpërmjet kuotave. Pas shumë kontestimesh, Britania e Madhe do të hapë dyert e saj në katër vitet e ardhshme për 20 mijë refugjatë sirianë. Kryeministri David Cameron deklaroi se Qeveria britanike ka vendosur të ndihmojë ata refugjatë të cilët kanë më shumë nevojë. Cameron ka përzgjedhur të pranojë në Britani, refugjatët që ndodhen të strehuar nëpër kampe aty pranë, dhe jo ata që kanë kaluar Mesdheun për të arritur Europën. Ndërsa Franca dhe Gjermania do të mirëpresin 55 mijë refugjatë në vetëm 2 vitet e ardhshme, Qeveria e Parisit dhe Bundestagu gjerman kanë marrë edhe peshën më të madhe të këtij eksodi. Nga ana tjetër, Australia dhe Zelanda e Re, kanë ofruar ndihmën e tyre për të lehtësuar sadopak barrën e unionit për të strehuar refugjatë. Angela Merkel bëri thirrje të tjera qeverive që te bëhen pjesë e zgjidhjes, pasi rreth 45 mijë refugjatë kanë ngelur në pritje të një përgjigje se çdo të bëhet me fatin e tyre. Merkel tha se ndihej krenare për mënyrën sesi gjermanët mikpritën popullin sirian. Por, përpos vendosjes së kuotave për shpërndarjen e refugjatëve, shtetet anëtare të unionit po rishqyrtojnë politikat e antiterrorizmit, për të shuar konfliktin në Lindjen e Mesme. I pari që mori iniciativën ishte Presidenti francez, Francois Hollande, i cili urdhëroi përgatitjet për fillimin e sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Nga sa pohoi vetë shefi i Elizesë, Franca do t’i nisë të martën fluturimit e zbulimit, që do të pasohen nga sulme kundër grupit të dhunshëm ekstremist. Por, ashtu si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë përpara tij, Hollande e përjashtoi mundësinë e dislokimit të trupave tokësore.
PYETJA QË NUK I BËRA NË BERNË KANCELARES ANGELA MERKEL
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Që kur u paralajmërua vizita dhe morëm programin konfidencial, në vijim të një shkrimi që kam botuar disa ditë më parë, kisha menduar që në takimin me gazetarët, t’i drejtoja edhe unë një pyetje zonjës Merkel. Zakonisht në vizita të tilla,kur koha është shumë e kufizuar protokolli ka fjalën e parë.
Grupi i gazetarëve ishte vendosur në Bernerhof në Leuchtersaal në sallën e caktuar për konferencën për shtyp dhe paraprakisht drejtuesi i i saj, zvkancelieri dhe zëdhënës i Këshillit Federal z.André Simonazzi na tha se mendohet të ketë rreth katër pyetje, fifty-fifty, gjysma nga pala gjermane dhe gjysma nga pala zvicerane.
Konferenca filloi dhe nga çasti në çast isha gati të kërkoja leje dhe aty për aty vendosa që pyetjen ta transformoja në një kërkesë apo lutje. Por, ndërkohë katër pyetjet për dy Kancelaret u konsumuan shpejt dhe zoti Simonazzi duke lajmëruar përfundimin e konferencës, na kujtoi se duhet të nxitonim shpejt tek autobusat me drejtim Universitetin e Bernës. Megjithë nxitimin iu afrova z.Simonazzi. Ne kemi bërë shumë aktivitete dhe njihemi. Ishte për Kosovën më pyeti. Ne na identifikojnë përgjithësisht me Kosovën. Jo, i thashë, kësaj here e kisha për Ballkanin Perëndimor dhe ia tregova. Pyetje e mirë më tha. Kisha gabuar unë, nëse do ta kisha konsultuar me zotin Simonazzi më herët, pyetja do të ishte bërë.
Gjatë mbulimit të vizitës së Merkelit në Bernë, edhe një herë vumë re se ky vend i vogël si CH, të mbush me krenari për thjeshtësinë, përpikmërinë, disiplinën dhe funksionimin e shtetit ligjor. Një demokraci e drejtëpërdrejtë që buron nga populli. Natyrisht, tema e refugjatëve është e vështirë, por gjithmonë ekziston vullneti për dialog bilateral e multilateral me BE-në dhe shtetet e saj për zgjidhje me marrëveshje. Paçka se vizita u bë në masa të forta sigurie, gjatë parakalimit zyrtar të dy presidenteve në Münsterplatz, kjo ceremoni ishte e lirë të ndiqej nga kalimtarë, turistë e qytetarë, me të cilët Kancelarja Merkel ndau autografë dhe selfie.
Në pyetjet që iu bënë zonjës Merkel në presskonferencë dhe në auditoriumin kryesor të Universitetit të Bernës ku u nderua me Honoris Causa në fokus ishte kriza e refugjatëve, sidomos pas qendrimeve ekstremiste të Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbant, se feja e refugjatëve përbën shqetësim për kristianizmin dhe shoqërinë Perëndimore. Merkel mbajti qendrim të qartë, i përjashtoi frikërat dhe bëri thirrje për humanizëm e solidaritet, ndërkohë që tashmë shumë vende të BE, përfshi të parën Gjermaninë kanë hapur dyert për refugjatët e dërmuar nga qindra e qindra kilometra rrugë në këmbë që shpesh fiksohen nga kamerat dhe fotoaparatet e gazetarëve me pankarta ku lexohet Mother Merkel, Mutter Merkel, Mama Merkel. Një atribut i mrekullushëm për të cilën ata njerëz kanë nevojë. Që t’iu dalë dikush në mbrojtje, që t’iu dalë Europa në Mbrojtje. Dhe Europa sot identifikohet me zonjën Kancelare të Gjermanisë.
Po a është e mundur që Angela Merkel të jetë një Mutter Courage und ihre Kinder – një Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, por jo ashtu si e përshkruan në kryeveprën e tij Bertold Brechti? Që të mos lejojë t’i sakrifikohen fëmijët nga luftrat dhe krizat. Fëmijë e Angela Merkelit sot është edhe Aylani i vogël.
Nga ana e tij, shtypi e kritikon Angela Merkel si Die ewige Kanzlerin – Kancelare e Përjetëshme, për BE-në thotë se ka mbetur pa para e pa lidërship, ndërsa Anne Applebaum shkon më tutje dhe e konsideron shumështresore hipokrizinë e Europës për refugjatët. Në fakt, preludi i kësaj krize startoi me krizën e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor, të cilën BE-ja bëri sikur nuk e vuri re. Nga Ballkani Perëndimor ranë kambanat e para të alarmit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por nuk ka as punë dhe as perspektive. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por ka informalitet, papunësi, korrupsion dhe pak shanse për të jetuar normalisht. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor ishte pasojë e harrimit dhe lënies së këtyre qytetarëve në mëshirën e regjimeve mizerabël, ku pushtetarët jetojnë në luks ndërsa populli në ferrin e mjerimit.
Ballkani Perëndimor, po flas për shqiptarët, ashtu sikur sirianët sot, megjithë zhgënjimin,vazhdojnë ta duan Europën e BE e të kenë besim tek Angela Merkel, por gjithmonë në kontekstin e Aleancës Verio-Atlantike.
Them zhgënjim sepse Ballkani Perëndimor, prej rënies të Murit të Berlinit, priti 25 vjet një Plan Marshall, që nuk iu akordua. Nuk them se përse BE vijon t’i japë miliarda Greqisë, por pyes përse për Ballkanin Perëndimor nuk bëhet asgjë. U bënë dy konferenca, ajo e Berlinit dhe e Vjenës, me temë Ballkani Perëndimor, por pa rezultate. Në kohën midis njërës Konferencë tek tjetra plasi kriza e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor. Kjo është e vërteta.
Marie Colbin, një tell-truther trime thoshte se „Misoni i gazetarit është t’ua tregojë të vërtetën pushtetit, të fuqishmëve“, që këta të reagojnë. Marie Colbin e tregoi tragjedinë e fëmijëve sirianë dhe alarmoi gjithë Perëndimin. Por Perëndimi nuk e dëgjoi. Ajo foli e foli deri sa mbeti e vrarë në Homs nga regjimi kriminal i Baschar al-Assad. E prapë Perëndimi nuk reagoi dhe vazhdon ende të mos reagojë.
Pyetja ime, që në fund vendosa ta transformoja në lutje, kishte të bënte pikërisht me situatën tejet të rënduar të Ballkanit Perëndimor. Desha t’i kujtoja zonjës Kancelare Planin Marshall dhe Murin e Berlinit. Amerikanët në 1948 kur akorduan 13 miliardë $ që sot përkthehen në 130 miliardë $ për të shpëtuar Gjermaninë Perëndimore dhe Europën Perëndimore shtrënguan rripin, hëngrën nga një racion mish më pak, duke e patur si idéal sloganin e famshëm „Whatever the weather, we must move together“ – „Sido që të jetë moti, ne duhet të jemi bashkë“. Nëse amerikanët do t’i kërkonin Europës Perëndimore përmbushje standardesh, Stalini do të kishte dalë në bregun lindor të Atlantikut.
Ballkani Perëndimor ka mbetur në mëshirë të fatit dhe mëshirën e regjimeve të korruptuara që e keqqeverisin. BE-ja ka harruar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. BE e ka harruar sloganin që ishte edhe kauza e Planit Marshall. BE ka harruar se popujt e këtij rajoni kanë dalë nga pushtime dhe regjime kriminale diktatoriale. BE-ja ka harruar thelbin e vet që është humanizmi. Ballkani Perëndimor ndihet i huaj në shtëpinë e vet, në shtëpinë e përbashkët, që është Europa dhe paçka se Muri i Berlinit ka 26 vjet që është rrëzuar, tani BE-ja ka ngritur një mur të ri midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke i trajtuar qeveritë e korruptuara të këtyre vendeve si partnerë, ndërsa popujt e këtyre vendeve si qytetarë të dorës së fundit. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor drejt Gjermanisë tregon se ky rajon vijon të mbetet Fuçi baroti, sepse kriza politike është transformuar në një krizë ekonomike, ndërsa banorët e tij i kanë sytë dhe shpresen tek Perëndimi, tek Gjermania, prandaj ata me fëmijët në krah, i pranojnë kushtet e pamëshirshme të trafikantëve të qënieve njerëzore, mjafton që të arrijnë në Gjermani. Por kjo nuk është zgjidhja që i duhet Ballkanit Perëndimor, ndërkohë kriza e refugjatëve nga Siria, Iraku etj nuk duhet të tërheqë vemendjen e BE-së nga kriza e Ballkanit Perëndimor, e cila kërkon zgjidhje.
Prandaj, në presskonferencën në Bernë, do t’i perifrazoja kancelares Merkel lutjen që presidenti Ronald Reagan në Berlinin e ndarë e përpara Brandenburger Tor – Portës së Brandenburgut do ta drejtonte për Gorbaçovin, sado absurde që të duket, me një ndryshim, se unë besoj tek ajo: „Tear down this wall Madam Bundeskanzlerin“ – Shëmbe këtë Mur fantazëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe me Ballkanin Perëndimor veproni ashtu si veproi Gjermania Perëndimore me ish-DDR pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Duke u unifikuar!
Veç shpejt, mjaft u vonuat, që të mos jetë nesër vonë.
Republika e gangsterëve
Nga Enver Bytyçi/
Prej 25 vitesh kemi parë shumë herë se si sillen gangsterët në pushtet në këtë vend. Ndërsa tash pas njëçerek shekulli shqiptarët, tw cilët shpresuan Shqipëria do të hynte në një fazë të re të zhvillimit të saj përtej tranzicionit, po ndeshën në një gangsterizëm të pamëëhirshëm. Vendi ka bërë hapa prapa në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij politik, ekonomik, social e kulruror, sepse Shqipëria edhe njëherë u rikthye në një republikë të gangsterëve. Madje në një formë të pashembullt për botën e qytetëruar.Repulika e gangsterëve kësaj radhe e ka emrin rilindje. Vetë gansterët i ngjitën vetes këtë emër dhe shpenzuan miliarda për ta ngjizë këtë sllogan në mëndjen e shqiptarëve. Njerëzia thanë fillimisht se mundet t’i besonin kësaj rilndjes mavi. Por tashmë të gjithë, ata që besuan dhe ata që nuk besuan te rilindja, e dinë se kanë rilindur vetëm gangsterët. Armando Prenga ishte njëri prej tyre. Më parë se Armando të bënte kaubojsin, bënë gangsterin tipik disa deputetë të tjerë të rilindjes. Njëri përfundoi në qeli.
Po pse kanë dalë gangsterët në sipërfaqe si kërpudhat? Ka disa arsye:
Së pari, ata shohin se si sillen kryegangsterët. Kur njëri prej kryegangsterëve u akuzua për vrasjen e deputetit Tomë Doshi dhe në vend të hetohej ndëshkoi viktimën e tij, dmth Doshin, u bë shembull dhe frymëzim për gangsterët e vegjël, injorantë dhe të pandreqshëm në mazhorancën e rilindjes. Kur kryegangsteri numër një i qeverisjes kandidoi për kryetar bashkish gangsterët e tipit Roshi dhe me të tillë gangsterë manipuloi, bleu e vodhi votat e shqiptarëve, i hapi rrugë thellimit të tiparit të gangsterizmit në qeverisjen e tij rilindase. Kur po ky kryeganster ia bëri me sy deputetëve të tij gangsterë të godisnin deputetët e opozitës në parlament, syri i kryegangsterit politik medoemos do të shërbente si nxitje për veprime të dhunshme si ato të Prengës. Pra wshtw syri dhe shembulli i kryegangsterwve qw bashkwqeverisin shkaku i vwrtetw i gangsterizmit dhe kthimit të Shqipërisë në një republikë gangsterësh. Tashmë Shqipëria nuk mund të quhet më Republikë Parlamentare, sepse parlamentin e kanw pushtuar gangsterët politikë dhe ordinerë, sepse ligjet e këtij vendi i bëjnë gangsterët nw pushtet. Shqipëria ka marrë formën e një modeli unikal në llojin e vet të qeverisjes. Nuk është më as demokraci, as totalitarizëm, as autoritarizëm. Eshtë demokgangsterizëm i gërshetuar me tiparet më negative tw totalitarizmit dhe autoritarizmit.
Së dyti, Kjo republika jonë e gangsterëve drejtohet e votohet nga gangsterët e veshur me politikë, por që janë të lidhur me krimin e trafiqeve dhe krime të tjera në Shqipëri. Shembulli tipik është ministri i Brendshëm, pikërisht ai që duhet të luftojë krimin në këtë vend. Gangsteri ministër na paska një skaf, paska dhe një makinë Audi të tipit të fundit, madje me xhama të zinj. Të dy këto mjete i përdorka për pazaret dhe trafikun e drogës. E mësuan këtë shqiptarët përmes një interviste të shefit të antitrafikut të Vlorës dhe Fierit. Dhe mësuan gjithashtu se gangsteri ministër ka punësuar së paku dhe tre gangsterë të vegjël, të cilët Berisha prej kohësh i ka identifikuar si tezakët e gangsterit ministër.
Po sa ministra të kësaj qeverie identifikohen si gangsterë? Po t’u mledhim bëmat e tyre në këto dy vite qeverisje, thuajse të gjithë do të merrnin nofkën e gangsterit. Se tipar kryesor i gangsterit, sipas përceptimit të shqiptarëve është sjellja prej mendjemadhi e banditi me njerëzit e me shoqërinë. Megjithë respektin që kam për profesor Panaritin, edhe ai ka luajtur rolin e gangsterit politik, kur ia ka dhënë tenderin e Lagunës së Patokut deputetit Prenga. Kjo sepse ministri i bujqësisë e ka ditur se gjithë parapërgatitja e madje shpallja e atij tenderi është bërë për gangsterin deputet, i cili pasi nisi proçedurat urdhëroi vëllain e tij të krijonte firmën fantazmë. Më parë ka marrë premtimin për tenderin e pastaj ka krijuar firmën. Kjo ndodh vetëm në republikat e gansterëve. Nuk ndodh në republikat normale.
Së treti, gangsterët nuk punojnë, por pasurohen, hapen bythësh si ta kishin gjithë botën nën këmbët e tyre. Për gangsterët punojnë djemtë e tezes, punojnë të tjerët, trafikantët, gjobëvënësit. Në shërbim të gangsterëve nuk ka vetëm skafe dhe vetura me xhama të zinj. Ka edhe avionë të vegjël. Po të mos kishin frikë nga bota që na rrethon do të përdornin dhe boing-et luftarakë, nëndetëset e gjithçka që sjell dobi në thesarin e dollarëve dhe të eurove që sigurojnë nga trafiku. Avionët e parë u shfaqën sapo erdhën në pushtet gangsterët e rilindjes. Tani çdo ditë kapet në Itali nga një avion i vogël, tip “mushkonje” siç i quante kryegangsteri i vendit.
Së katërti, gangsterët e republikës tonë nuk kanë frikë ta përdorin shtetin për t’u pasuruar brenda natës. Njëri prej kryegangsterëve nuk e pati për gjë t’ia krijontë këtë mundësi vetes gjatë kohës kur ishte zv. kryeministër i Shqipërisë, në vitet 2010-2011, përmes kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, ÇEZ. Korrupsioni në republikën e gangsterëve zgjerohet vazhdimisht, madje ne progresion gjeometrik dhe merr formën e një piramide. Piramida ka në majë kryegangsterin. Kryegangsteri kujdeset që ta ndërtojë piramidën me gangsterë të formateve të ndryshëm, të mëdhenj, mesatarë e deri te ata të vegjlit. Në të gjithë piramidën zgjidhen gangsterët, madje pa limit në gangsterizmin të tyre. Në vendet më kyçe, aty ku luhet paraja e madhe e korrupsionit vihen kontigjenti i gangsterëve kontrabandistë, trafikantë e disa herë vrasës. Pastaj vijnë ata që janë ndëshkuar në administratën shtetërore tw mwparshme dhe janë larguar nga puna pikërisht për shkak të gangsterizmit korruptiv në funksionet që kanë patur. Këta kanë përvojë në fushën e gangsterizmit, prandaj dhe CV e tyre të pasura shërbejnë si indicje e mirë për t’i tërheq në piramidën e korrupsionit në republikën e gangsterëve. Në fund të piramidës ndodhen korrierët e vegjël të korrupsionit. Të gjithë këta punojnë më së shumti për kryegangsterin dhe gangsterët e mëdhenj të republikës sonë.
Së fundi, karaktëristikë e gangsterëve që drejtojnë republikën tonë është të angazhohen maksimalisht për të fshehur gangsterizmin e tyre. Dhe si e bëjnë këtë? Me sjellje prej gangsteri ndaj njerëzve të vobegtë, të cilët punojnë për bukën e gojës. Me ata njerëz që nuk kanë 30 qindarka të paguajnë autobuzin, megjithëse përpiqen të shesin ndonjë kallam misri të pjekur në rrugë. Këta bëhen objekt i “deshmisë së virgjërisë” së gangsterëve. Misërpjekësi u shërben për të fshehur milionat e eurove të përfituara në mënyrë kriminale nga kontrabanda, trafiku dhe krimi. Madje sa më shumë që gangsterët pasurohen nga krimi, aq më shumë rritet numri i viktimave të tyre nga shtresat e vobegta të republikës së gangsterëve.
Në republikën e gangsterëve nuk ka shtet, ka vetëm pushtet përsonal dhe oligarkësh. Gangsterët në krye të kësaj rebulike, çfarë është aktualisht Shqipëria, nuk duan t’ia dinë për ata që votojnë, se e kanë të lehtë t’i blejnë, t’i shesin, t’i majmin, t’i tresin, t’i mashtrojnë ose t’i keqtrajtojnë e varfërojnë. Këto janë punët e pista të gangsterëve në një republikë gangsterësh. Shkelin me këmbë kë të duan e kë të munden. Kënaqen me fatkeqësitë e tjerëve. Nuk duan t’ia dijnë nëse ai, i varfëri, i urituri, i eturi për dije a kulturë vuan gjendjen në të cilën e ka katandisur grupi oligark i gangsterëve.
“ZOJA E SHKODRES” NE NJU JORK KREMTOI FESTEN E NENE TEREZES
Kisha katolike”Zoja e Shkodres” kremtoi festën e të së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut /
PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!
Meditim gjatë një ndeshjeje futbolli/
Nga Reshat Kripa/
Me një grup miqsh ishim mbledhur për të parë ndeshjen ndërkombëtare Danimarkë- Shqipëri, për eliminatoret e kampionatit europian të futbollit.. Patjetër që pika më kulminante e ndeshjes ishte rezultati i barabarte zero me zero. Por mua ajo që më tërhoqi gjithashtu vëmendjen ishin tifozat kuq e zi, të gjithë me nga një qylaf mbi krye me simbolin e shqiptarizmës, shqiponjën dykrenore në mes.. Nuk ishin një e dy të tillë por të gjithë tifozat e pranishëm në atë takim historik. Në atë mori qylafësh nuk pashë asnjë me yll të kuq. Atëherë më doli nga shpirti një thirrje që prej vitesh e mbaja të fshehur:
- Ky është nacionalizmi shqiptar! Kjo është Shqipëria e vërtetë!
Shikoja dhe meditoja. Para syve më dilnin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Gavril Dara i ri që në poemën “Kënga e fundit e Balës” shkruante:Mori bilë, bilë e lalës,
Mori e bukur dhe e ndritur,
Pse më solle në mon e shkuar?
Si me magji këto vargje më kthyen gjashtëdhjetë vite më parë, atëherë kur isha ende një fëmijë i paformuar. Por komunizmi nuk pyeste nëse ishe fëmijë apo plak. Ai nuk kishte peshore t’i ndante njerëzit. Të gjithë i fuste në të njejtin thes dhe i degdiste në humnerat më të thella. Kështu më përplasi edhe mua. Por ky ndëshkim ishte shpëtimi im. Unë nuk u bëra një lake sahan lëpirës i çorbës komuniste pasi, në ato hone të thella, ndesha ata burra të rrallë që u bënë mësuesit e mi. që nuk do t’i vijnë më këtij vendi dhe që më bënë ky që jam sot.
Shihja qylafët e bardhë me zhgabë dhe para syve më shfaqesh figura e Abdurrahman Kreshpës, të cilit vetëm dy ditë më parë i kremtuan njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Ishim në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore. Ai na grumbullonte ne të rinjve rreth vetes dhe, si një mësues i paarritshëm, na mësonte se kush ishte nacionalizmi shqiptar. Kur fliste sytë i shndrisnin dhe goja i ligjëronte mbi dhjetë pikat e pavdekshme të programit patriotik shqiptar. Na fliste për dishepujt që e kishin përpiluar kërë program dhe ne e dëgjonim të mahnitur. Na fliste edhe për qylafët e bardhë me zhgabën dykrenore dhe ne e pyesnim:
– Çfarë përfaqësonte ai qylaf?
Dhe ai përgjigjej:
- Ishte simboli i shqiptarizmës, simboli i lirisë.
Më dilte para syve figura madhështore e Pater Mëshkallës që na predikonte:
- Bëhuni të mirë që t’i shërbeni sa më shumë atdheut.
Natyrisht, edhe atij i bënim të njejtën pyetje. Përgjigja e tij ishte:
- Shqipërinë, flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes.
I të njejtit mendim ishte dhe juristi i shquar Xhevdet Kapshtica. Ai na mësonte se si
duhej të silleshim në shoqëri, Si të mos binim pre e propagandës së atyre që nuk kishin as fe dhe as atdhe. Ne e dëgjonim dhe , natyrisht,edhe atij i drejtonim pyetjen. Përgjigja e prerë e tij ishte:
- Ai qylaf simbolizon thirrjen : Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!
Këto figura më dilnin para syve në ato çaste kur në stadiumin e Kopenhagenit pashë
ata burra, të gjithë me qylaf të bardhë dhe shqiponjën dykrenore në mes. M’u duk sikur në ato qylafe pashë Shqipërinë e vërtetë, për të cilën ishin sakrifikuar aq dhe aq burra të shquar, ku edhe unë kisha vënë një gur, sado të vogël për ringjalljen e tij. Pashë këta qylafë dhe nga sytë më rrodhën, pa dashje, dy pika lot.
- Përse?/ – më tha miku që kisha pranë.
- Mos më pyet, – iu përgjigja. – As vetë nuk e di. Po të mendohesh më thellë do ta
kuptosh.
Miku heshti për disa minuta. Pastaj me një zë ku më tepër shprehej dhimbja tha:
- Mos e ke fjalën për thirrjet tona që kanë mbetur një zë në shkretëtirë dhe nuk i
dëgjon askush?
Unë heshta, ndërsa ai vazhdoi:
- Mos e ke fjalën për të rënët tanë që ende nuk kanë ende një varr ku të afërmit të
derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule?
Unë përsëri nuk iu përgjigja. E kuptoja se ku donte të dilte ai, por e shikoja se përgjigja ime ishte e kotë. Zëri i mikut tim ushtoi përsëri:
- Shikoji qylafët e bardhë! Ndjenja kombëtare nuk mund të shuhet kurrë. Ndaj nuk
duhet të heshtim.
Keni të drejtë, miku im, ne nuk do të heshtim Do ta ngremë zërin tonë deri në kupë të qiellit. Do ta ngremë se, në fund të fundit, ne jemi fitimtarët e vërtetë të asaj lufte të madhe kundët sistemit komunist. Jemi ne fitimtarët sepse, ndërsa atyre iu zunë duart kallo duke duartrokitur sistemin e tmerrshëm që sundoi për dyzetegjashtë vjet dhe drejtuesit e tij tiranë, ne patëm kurajom t’i kundërvihemi dhe megjithëse u vramë, u burgosëm dhe u internuam, përsëri mbijetuam dhe sot jemi përsëri gjallë, përsëri për t’u ngritur kundër çdo lloj padrejtësie.
Ndoshta, tani për tani nuk kemi pushtet. Atë e kanë gllabëruar ata që na shtypën dje. Ndoshta, tani për tani, jemi ende të varfër, por do të vijë dita që e drejta të triumfojë dhe në mos ne, bijtë tanë ose nipërit tanë do të dijnë si duhet udhëhequr ky vend. Para syve vazhdonin të më dilnin qylafet e bardhë me shqiponjën dykrenore në mes dhe në veshët e mi buçiste fuqishëm parulla e vjetër nacionaliste që na i citoi Xhevdet Kapshtica:PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI!