• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT….

August 25, 2015 by dgreca

Vëllai i pengut-ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT/
Me rastin e ribotimit për të tretën herë të Ditarit të Reshat Agaj”Vëllai i pengut”….*/
Nga Dalip Greca*/
… Në burg Reshat Agaj përcolli shokët e qelisë që u dënuan me vdekje dhe në ditarin e tij ai jep hollësi se si Reshat Stërmasi para se të pushkatohej pa në ëndërr fundin e vet tragjik; të njëjtën gjë përjetoi edhe Vasil Llazari. Ata, para pushkatimit ia treguan ëndërrat priftit Irine Banushit, i cili përpiqej që t’ua largonte parandjenjën.
Ditari i Agajt sjell tablonë e dhimbjes dhe përballjen me ashpërsinë e diktaturës në ato vite.
Një tjetër tablo dhune vjen nga kampet-burgje, ku të burgosurit shfrytëzoheshin dhe trajtoheshin si skllevër të mesjetës.
Ai tregon se me 14 maj 1948 i njoftuan se do t’i dërgonin në atë që quhej këneta e vdekjes në Maliq të Korçës. Jo pak,por 400 të burgosur i nisën që në mëngjes herët drejt kënetës së vdekjes. Në çdo kamion ishin vendosur 15-20 të burgosur, bashkë me plaçkat e tyre dhe të gjithë ishin të lidhur në një zinxhir të gjatë që lidhte duart e tyre rreth e qark. Reshati shkruan se ka qenë një udhëtim skllevërish, me vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme, se në çdo lëkundje të makinës, lëkundeshin dhe ata, për pasojë duart u shtërngoheshin dhe u bëheshin plagë nga zinxhirët e trashë. Kur arritën atje pasdite vonë, gjetën dhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Durrësit dhe Elbasanit, plot 2000 të burgosur, të strehuar në gjashtë baraka të gjata druri, mbuluar me llamarina dhe mushama të vjetra dhe brenda ishin dy radhë vende për fjetje, shtruar me dërrasa. Pikërisht aty kaloi plot gjashtë muaj të tmerrshëm, që nuk mundi t’i harronte derisa mbylli sytë në Kenosha e u varros në Detroit.
Reshati dëshmon se gjatë kohës që punoi atje pa vdekjen me sy. Aty vdiqën nga torturat, sëmundjet dhe mundimet supernjerëzore 135 shqiptarë të burgosur dhe u varrosën të gjithë në bregun para xhamisë së katundit Vloçisht, aty afër. Tetë vetë u vranë nga policët në mënyrë barbare , qoftë pse guxuan të bënin ndonjë kundërshtim të vogël, qoftë pse deshën policët për qef, t’u shtinin tmerrin të tjerëve me akte çnjerëzore dhe të frikshme.
Reshati dëshmon:” Para syve të mi u rrah sa dha shpirtin një tiranas që kish dhe djalin e tij të burgosur, të cilin e mbuluan, si të ishte një qen i ndotur, në rrugën që të çonte në kanal, atje në vendin e punës, në baltën e tmerrshme të Maliqit.”
Jeta në kampin-burg ishte llahtar. Zgjimi bëhej në orën katër të mëngjesit dhe brënda një ore, duhej të bëheshin gati dhe të viheshin në rresht, pasi të kishin marrë atë lugë çaj dhe bukën që iu jepej qysh në mëngjes e niseshin për t’u përballur me baltën dhe shkopinjët e policëve. Në fillim të kanalit ishte balta e tmerrshme e Maliqit plot me shushunja, që ngjiteshin nëpër këmbët e zbathura dhe ua pinin atë pikë gjak, që u kish mbetur. Çdo i burgosur duhej të mbushte normën e përditshme, që ishte tre metra kub dhe’ të gërmuar, për ta transportuar në anën e kanalit me karroca dore. Kjo ishte një normë me të vërtetë çnjerëzore,po të merrej parasyshë dobsia trupore, rezistenca e ulët e trupave të tyre, ushqimi mizerabël, balta e ngjeshur prej shekujsh nën ujë, gjatësia e ditës së punës, që i kalonte 12 orët etj.
Ai kujton se kishte të burgosur që e hanin racionin e bukës 700 gramësh menjëherë në mëngjes, sapo e merrnin në dorë dhe e kalonin ditën me gjellën e drekës dhe të darkës pa bukë. Kish njerëz që, për një paketë duhan, e shisnin gjysmën e bukës dhe mbanin barkun zbrazur për ato të shkreta cigare dhe mbeteshin në rrugë, duke i shtyrë policët me dru prapa kurrizit, në mos më keq.
Le ta shfletojmë ditarin:” Këtu kam parë me sytë e mi se uria e çon njeriun të bëhet një shtazë e vërtetë. Ai që nuk e njeh urinë, nuk e njeh fare jetën. Vuajtjet këtu arritën kulmin e durimit njerëzor dhe shumë njerëz, që ishin pak të kaluar në moshë, u enjtën aq shumë nga këmbët dhe fytyra, sa u bënë të panjohur e mezi njiheshin. Ënjtja, thonin doktorët, vinte nga mungesa e vitaminave. Në kamp kishim nja pesë doktorë që mbanin infermierinë në këmbë. Edhe ata ishin të burgosur me dënime të ndryshme. Kur policët vendosnin që njëri të shkonte në punë, sado të thonin doktorët se ai nuk ishte në gjendje, nga që ishte i sëmurë, ai do shkonte medoemos e, në vdiste rrugës, asnjeri nuk e çante kokën për të. Polici më i tmerrshëm i këtij kampi ishte një kurveleshas, vendosur me familjen e tij në Lushnje. Ai ishte një tigër i vërtetë, i pashpirt dhe pamëshirshëm. Një tjetër polic, që gati sa s’më vrau në vend mua, ishte Ali Gana, nga Tërbaçi i Vlorës, i cili kish patur familjen e tij më parë në Brusnjë, ku banonin kushërinjtë e mi dhe kishte një urrejtje të pashpjeguar kundër gjithë familjes Agaj. Një ditë me shi, kur ra bilbili për të ndaluar punën, unë u vonova vetëm pak çaste për t’u vënë në radhë, sepse po fshija baltën që më ish ngjitur për trupi. Aliu erdhi pas meje e më dha një grusht aq të fortë në hundë, sa më shkoi gjaku rrëke dhe, po të kisha lëshuar një zë sado të vogël ,apo ndonjë fjalë, ose, po të kisha bërë ndonjë gjest ankues, ai mbante dorën në kobure gati të ma hiqte. Fatmirësisht e durova këtë grusht me durimin e shenjtorit dhe nuk lëviza nga vendi.”
Më pas Reshati tregon edhe një rast tjetër, kur ai deshi që të mbushte paguren me ujin e kanalit, mbeti i fundit i kolonës, atëherë i shkon pranë polici, dhe e shtyu fort; e hodhi me kokë në fund të kanalit dhe koka iu fut në baltën e madhe, gati sa nuk i mori frymën.
Në këtë kohë një polic që ishte në anën tjetër, se kolona e të burgosurve shoqërohej nga të dy anët e kanalit me dy rreshta të gjatë policësh të armatosur gjer në dhëmbë, i bërtiti policit që e shtyu, duke i thënë:
– A t’i bie qenit, a t’ia marr shpirtin qenit?
Ai i dëgjonte qartë fjalët dhe orë e çast priste që t’i fishkëllente plumbi në trup, siç kishte ndodhur dhe me shumë të tjerë që e kishin pësuar.
Një tjetër polic i thirri:
– Ik përpjetë, ik përpjetë!
Dhe ai, i trullosur dhe pa mend siç ishte, u hodh përpjetë dhe nisi të vrapojë derisa të zë kolonën, që ishte disa hapa para tij, duke lënë në vend torbën dhe ato pak rraqe që mbante me vete, si tasin e gjellës dhe të tjera.
Ai shkruan në ditar se aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite, saqë, kur e pa veten në pasqyrë të dielën pasuese, vuri re se, që nga mesi i ballit e deri prapa kokës, një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e tij.I ishin zbardhë flokët nga tmerri, që përjetoi.
Kështu kaluan gjashtë muaj tmerri.Në ditar gjenë raste ekstreme dhune, gjenë të përshkruar tablonë mjerane të urisë, ku të burgosur me sy të errësuar nga të pangrënit, mbyllnin sytë dhe mblidhnin lëkurat e patateve që hidhnin në ujëra e zeza ata të guzhinës, të cilat i hanin si të babëzitu.
Një tjetër tmerr dhe mallkim për ata ishin morrat, që kishin mbuluar jo vetëm barakat, por edhe fushën e madhe midis barakave.
Rrahjet dhe dhuna ishin të zakonshme. Injoranca e policëve merrte jetë të pafajshme.Gjatë një kontrolli, Reshatit i gjetën një libër në gjuhën angleze, që ia kishte dhënë Viktor Dosti. Edhe pse i tha policit se libri vërtetë ishte në anglisht, por ai fliste për Englesin. Mirëpo polici s’dinte se ç’ishte Englesi dhe godiste pa pushim vetëm pse libri ishte në anglisht.Më 14 nëntor 1948 i kthyen në burgun e Tiranës, të lodhur e të raskapitur.

NJË MAJ 1949, lirimi nga burgu

Pas rënies së Koçi Xoxes dhe influencës jugosllave, qeveria bëri shumë lirime nga burgu në 1 majin e vitit 1949. Nga burgu u vjetër i Tiranës, ku qëndronte i mbyllur Reshati, atë ditë u liruan plot 250 vetë. Disa oficerë të Sigurimit rrinin te porta e burgut dha u jepnin nga një deftesë për transportim për në vendet, ku seicili prej tyre do të shkonte pranë familjeve. Reshatit i qëlloi numri 199 dhe priti, deri sa I erdhi radha. Me plaçat ngarkuar si Zhan Val Zhani i Viktor Hygosë, siç e përshkruan ai në romanin “Të mjerët”, doli jashtë i veshur me rrobat e vjetra personale. Bashkë me të ishin dhe Idriz Ruka, Kajtaz Abedini, që e akuzoi në gjyq, kur e arrestuan dhe Xhevit Mëhilli nga Dukati. Shkuan zunë një vend në një hotel të Tiranës për t’u nisur të nesërmen për në Vlorë.
Të nesërmen shkoi në Vlorë, e prtiti Ejup Zotaj, që ishte bërë drejtor i Spitalit të Vlorës, për arsye se e shoqja ishte kushërira e Hysni Kapos. Ai i dha kurajo duke i thënë se me siguri do ta merrnin sërish në punë si stenograf.

Tablo e zymtë mjerimi

Të nesërmen shkoi në Drenie pranë familjes. Pertefi, i vëllai ishte i burgosur dhe nuk dihej asgjë më shumë. Refua, nëna e tij, motrat Zineti, Manua dhe Elizabeta, gruaja e tij Drita dhe kunata Erveheja me dy fëmijët e saj Fillandën dhe Astritin, që kish lindur më 1946-ën, kur ai ishte në burg, e pritën krahëhapur. I gjeti të gjithë shëndoshë e mirë, por të mjerët s’kishin bukë, se u ishte mbaruar misri. Nga e tërë bagëtia, që kishin pasë më parë, u kishin mbetur nja 10-12 dhen dhe një lopë e racës “Shkodra”, e cila ishte shumë e dashur për fëmijët se i mbante gjallë me qumështin e saj.
Qeni Gumo, që mezi e mbanin lidhur me zinxhirë, kur Reshati ishte i lirë, tashti ish i sëmurë dhe kish rënë për të dhënë frymën e fundit. Çohej nganjëherë në këmbë dhe lëshonte për një çast atë zërin e tij, por përsëri binte në shtratin e tij, i bërë fare skelet. Të nesërmen Gumo ishte shtri përdhe dhe rreth e rreth të tërë fëmijët e qanë me lot. Gumo i shkretë ngordhi se s’kish ç’të hante dhe fëmijët hanin lakra të pjekura në furrë me një dorë miell poshtë dhe një dorë miell sipër, për t’i dhënë pamjen e byrekut dhe një dorë kripë. Ky ishte ushqimi i vetëm i familjes. Nënë Refoja, i bënte Reshatit nga një kulaç të vogël, të cilin ia jepte ta hante veçmas, kurse ata vetë rrethonin një sofër druri e hanin të gjithë njëherazi rreth tepsisë me lakra e petë misri.
Në një vakt, kur po hante, i shkoi pranë duke u hequr rëshqanthi pas murit Astriti i vogël, djali i Pertefit, që ishte tre vjeç dhe e pyet:
– Çeço, ç’bën ti, ha bukë?
Reshati shkruan me pikëllim:”Unë kurrë s’do t’i harroj ato fjalë, sa të jem gjallë. Ai foshnjë i mjerë, i ushqyer keq e mos më keq, vështronte që unë po haja nga gjaku i tyre, se ata të gjithë hanin lakra. Buka m’u zu në fyt menjëherë dhe nuk pranova më të ha veç nga ata dhe i thashë nënës se doja të hanim të gjithë bashkë, lakra ju e lakra unë.”

PËRSËRI STENOGRAF NË TIRANË

Nuk vonoi dhe pas një jave e thirrën në Tiranë për punën që kishte patur më pare. Dukej se kjo ishte arritë me interesimin e Ejupit. Puna e tij e mëparshme në gazetën “Bashkimi” ishte pëlqyer si stenograf i mirë e i përpiktë, saqë kësaj here e morën në shërbim në gazetën “Zëri i Popullit”, gazeta e Partisë Komuniste, që drejtohej nga Fadil Paçrami, ish anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë. Redaktor i lajmeve të jashtme, nga i cili varej Reshati, ishte Agron Frashëri, një ish i pasur prej Korçe. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe sillej shumë mirë me të, kurse redaktorët e tjerë e shikonin me bisht të syrit dhe mundoheshin të mos shkëmbenin asnjë fjalë me të. Jo rrallë edhe e provokonin. Një herë,në mbledhjen e Këshillit të Sindikatës së gazetës, ku si nëpunës bënte pjesë edhe ai, u shtrua çeshtja e pranimit të tij si anëtar i sindikatës. Një vajzë u ngrit dhe e akuzoi duke thënë se nuk duhej të pranohej, sepse kishte qenë kapiten gjatë luftës civile, në shërbim të Ballit Kombëtar. Iu përgjigj se kurrë nuk kishte qenë kapiten dhe në asnjë punë ushtarake dhe se ajo kishte informacione të gabuara.
Në atë kohë, ish miku dhe përkrahësi i tij, ish drejtori i gazetës “Bashkimi”, Petro Marko, qëndronte në burg dhe Reshati s’kishte më njeri që t’i thoshte një fjalë të mire për punën. E dinte gjithashtu edhe faktin se aty tolerohej vetëm për shkak të profesionit dhe për asnjë meritë tjetër. Agron Frashëri redaktori i lajmeve të jashtme e respektonte dhe i fliste gjithnjë me të butë dhe njerzillëk. Ai ishte nipi i Fazlli Frashërit, mikut të ngushtë të Mbretit Zog.
– Se çfarë e kishte hedhur Agronin në lëvizjen komuniste, duke qenë nga origjinë beu, është një punë interesante të dihej. Në kohën e lëvizjes komuniste, gjatë okupacionit italian dhe gjerman shumë djem të shtëpive të para dhe shumë fetarë u tërhoqën në këtë rrjedhë si ajo flutura pa mend, që vërtitet rreth llampës që do e djegë e do ta bëjë hi me flakën e saj, arsyeton Reshat Agaj në ditarin e tij.
Në kohën që punonte në Zërin e Popullit, gjyqet me rëndësi kundër “armiqve të popullit” kishin mbaruar dhe detyra e tij ishte të merrte shënimet e radiove të Athinës, Londrës, Moskës e Beogradit dhe veçanërisht komentet e ditës. Komenti i ditës i Radio Moskës ishte i domosdoshëm të merrej dhe të zbardhej tërësisht. Ai koment i bërë nga njerëz të rëndësishëm të Moskës, që dinin drejtimet e politikës ruse, u jepte dhe kolegëve të Shqipërisë ndihmën të kuptonin se nga frynte era.

DENIMI ME VDEKJE I VELLAIT, PERTEFIT

Në një gjyq ushtarak, që filloi në Vlorë, fshehur nga publiku në dhjetor të vitit 1949 e që vazhdoi dy muaj, u dënuan me vdekje vëllai i Reshatit, Pertefi dhe 12 të tjerë, midis të cilëve dhe Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni e të tjerë. Lajmi që u përhap shpejt në Vlorë e shqetësoi pa masë.Kujt t’i drejtohej për ndihmë?
Të nesërmen shkoi në shtëpi të Kadriut dhe i dha lajmin që ai e dinte fare mirë.
– E di, – i tha, – po ti, në emër të nënës tënde, duhet t’i bësh një lutje Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Siri Çarçanit, duke i thënë se ajo nuk ka ndihmë tjetër veç tij e mbase e merr lutjen parasysh.
Të nesërmen shkoi në Prokurori dhe paraqiti lutjen në emër të nënës Refo. Asnjë përgjigje.
Pas nja dy javësh shkoi prapë të takonte Kadriun, pasi kishte takuar më parë rastsisht Hysni Kapon, në një mbledhje të Frontit Demokratik, ku bënte detyrën e stenografit për gazetën. Hysniu ishte sjellë mirë, me fjalë të buta e të qeta,dhe si me çudi i tha:
– Nuk ma merrte mendja kurrë që Pertefi të bënte kaq gjëra kundër nesh; ai kishte marrë trakte në Gjirokastër, futur nën samarin e mushkës dhe i ka shpërndarë në Vlorë.
Reshati u përpoq që ta shfajsonte vëllain. I tha Hysniut se Pertefin e kanë marrë në qafë shokët e tij, por iu lut t’ia falnin jetën. Hysniu i premtoi që të mos bëhej merak për jetën e Pertefit se do të kujdesej ai vetë.
Pas një jave shkoi për të t’i kërkuar ndihmë sërish Kadriut, i cili e priti me këto fjalë:
– Ti Reshat dhe njerëzit e tu mendoni se unë e kam në dorë jetën e Pertefit? Po unë jam vetëm një oficer dhe, nëse vritem unë, ose pësoj ndonjë aksident, partia e ka hazër oficerin tjetër të më zerë këmbën. Për partinë një oficer më pak, ose një më shumë nuk ngre kandar. Ti duhet të dish se unë nuk mund të bëj asgjë për Pertefin, po nuk ndihmove ti vetë vëllan tënd.
I habitur me këto fjalë, Reshati e pyet se ç’mund të bënte më shumë për pushtetin.
Kadriu kishte vazhduar sulmin për të dalë tek plani që ata e kishin parapërgatitur:- Familja juaj, ka qenë e tëra kundër nesh dhe shtëpia jote, e dimë ne me prova dhe me fakte, ka strehuar edhe të arratisurin Lahe Nuro me shokë.
Reshati i tha se gjëra të tilla s’kishin për të ndodhur më.
Por Kadriu vazhdoi sulmin për të dalë atje ku synonte: – Po qe se Hatja, ose ndonjë tjetër miku yt, na ve në shteg Izet Vrezhon, ose ndonjë tjetër të arratisur që vjen nga Greqia, atëhere shpëtoi jeta e Pertefit. Ose në qoftë se ti i shkruan një letër Ago Agajt në Itali që të shërbejë për ne, dhe atëhere shpëton jeta e Pertefit.
I habitur nga propozimet, Reshati ia kthen aty për aty:- Letër Agos s’kam si t’i shkruaj, se s’ia di adresën dhe e dyta nuk e besoj që ai personalitet politik të ulet kaq shumë për të shpëtuar vëllanë tim.Po për propozimin e parë dua të vete në Amonicë, të takohem me xhaxha Haton dhe Hodon e t’i pyes nëse mund të bëjnë gjë në këtë drejtim.
Kadriu i tha se Ago dhe shokët e tij jetojnë keq e mos më keq në kampet e emigrantëve dhe, sa për letrën, dinin ata se si e ku t’ia dorezonin. Por, ngaqë Reshtai nuk pranoi,Kadriu i tha të shkonte në Drenie për të parë nëse mund të bënte gjë për propozimin e parë.
Shkoi në Drenie dhe takoi me dy njerëzit e tij më të afërt dhe më të besuar, xhaxhanë Hate dhe kushëririn Hodo Mystehakun nga Mavrova, të cilëve u tregoi pa asnjë rezervë çdo bisedë, që kisha patur me Kadrinë. Të tre erdhën në një mendje për të bërë çmos që të shpëtonim jetën e Pertefit, pa rënë në tradhëti, ose duke u vënë në kontakt me ndonjë të arratisur dhe kështu t’i bënin ata të pushtetit që të besonin se këta po mundoheshin.
Edhe kur shkruante ditarin tridhjet vjet më pas, Reshatit, nuk i shkuleshin nga mendja fjalët e kushëririt:
– Ne duam ta shpëtojmë jetën e Pertefit, po nuk duam kurrsesi të futemi në tradhëti kombëtare, kur vendi ynë është mbytur në gjak kundër komunizmës dhe me mijëra nacionalistë janë vrarë nga duart e tyre. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa rënë në tradhëti, se atëhere humbasim edhe Pertefin, edhe gjakun e kaq dëshmorëve.
Pas dhjetë ditësh u kthye në Tiranë dhe i tregoi Kadriut situatën në Vlorë. Pas asaj bisede Kadriu i bëri atë propozimin e papritur, ku ai do të ishte peng për vëllanë dhe vëllai peng për Reshatin.
Kadriu i tha:
– Reshat, unë s’mund të të ndihmoj, po nuk na dhe ti ndonjë ndihmë nga ana jote për shpëtimin e jetës së Pertefit. Unë e kam kushëri Pertefin dhe më vjen keq ta vras me duar lidhur, sepse vdekja e tij nuk është e domosdoshme, që të shpëtojë pushteti i popullit. Jeta e tij nuk luan asnjë rol në këtë drejtim. Unë dua ta shpëtoj, po ti duhet të më ndihmosh me vetë përpjekjet e tua.
– Po ç’duhet të bëj?- ia ktheu Reshati.
Atëherë Kadriu ia tha hapur idenë e tij: -Ti duhet të arratisesh dhe të shkosh në mërgim jashtë shtetit, në Itali dhe të na shërbesh që andej. Vetëm atëherë shpëton jeta e Pertefit. Po mendohu, se kemi kohë të bisedojmë për këtë çeshtje.
Pas pak Kadriu shtoi se do të udhëtonte në Vlorë, ku pritej që të dënuarit me vdekje të ekzekutoheshin. Tha se do të takohej edhe me Pertefin.
Kur Kadri Hazbiu u kthye nga Vlora, pas dy ditëve Reshati shkoi në shtëpi dhe e pyeti se si shkonin punët e Vlorës.
Kadriu tha se – Ata të gjithë u ekzekutuan, me përjashtim të Pertefit. Në vend të tij, në gropën e caktuar për Pertefin, kishin future një kufomë kafshe. Ai shtoi se Pertefin e kishin marrë fshehurazi dhe e kishin sjellë në Tiranë dhe po e mbanin me një emër të rremë në një vend të fshehtë.
– Po pastaj? – e pyeti i habitur, çdo të ndodhë?
– Jeta e tij është në dorën tënde dhe ti do shkosh jashtë si i arratisur, do punosh për ne dhe kështu, kur të na shkruash informatat që do të kërkojmë ne, atëhere ai shpëton.Reshati iu lut, që të mos e vinte në këtë provë të rrezikshme se nuk mund ta bëntei. Karakteri i tij nuk ishte për punë të atilla.
– Kjo punë ka marrë fund,- i tha Kadriu. – Këtë plan e ka firmosur komandanti, Enver Hoxha, dhe ti do të shkosh jashtë në shërbimin tonë. Nesër mbrëma do të vish këtu, ku do të të ve në kontakt me oficerët që kanë në dorë punën tënde dhe me ta do bësh të gjitha përgatitjet për nisje dhe rregullimin e të gjitha punëve të tua.
I habitur dhe i tronditur nga kjo bisedë, nuk mundi të shtonte asgjë tjetër, por vetëm tha se, pa u takuar një herë me vëllanë,Pertefin, nuk dëshironte të largohej, sepse kushedi kur do të shiheshin.
-Po, – i tha Kadriu, – do të takohesh me Pertefin, kur të vijë koha.
I ngashëryer dhe disi i qetësuar nga ky premtim, u nda kësaj here me Kadri Hazbinë, kushëririn e tij, djalin e ri që dikur e kishte pasur në kujdes në Shkollën Tregtare, por që tashti së bashku me Mehmet Shehun ishin çifti më i rëndë në tërë vendin dhe para tyre dridheshin të mëdhenj e të vegjël.
Të nesërmen shkoi në shtëpinë e Kadri Hazbiut, sipas porosisë që i pat dhënë më parë dhe aty gjeti oficerin, që ish caktuar për ndërlidhje.Për çudinë e tij, aty pa Skënder Konicën, po atë oficer që, kur e arrestuan më 1946, e torturoi tmerrsisht dhe më pas i përgatiti procesin. Kur e pa Skënderin, bëri sikur u gëzua, e i shtërngoi dorën, duke i thënë derrit dajë, si i thonë në Labëri. Kadriu gjoja u çudit se si ata e njihnim njëri-tjetrin. Ishte i bindur se ai i dinte punët fill e për pe.
Aty nuk biseduan shumë, veçse Kadriu i tha se Skënderi ishte këtej e tutje ndërlidhësi mes tyre. Porosia ishte e rreptë: Kushdo që nxjerr fjalën për këtë punë, e pret plumbi në kokë.
*( Fragmenti vjen nga një cikël artikujsh-dossier- që botova në vitin 2008 në gazetën Illyra dhe në shtypin e Tiranës. Isha i pari që shfletoja ditarin e një nacionalisti,Reshat Agaj, që para se të ikte nga kjo botë ia kishte besuar ditarin e vet një familjeje kërcovare, e cila e dorëzoi në Vlorë tek familja sapo u hap Shqipëria. Miku im, Teki Gjonzeneli dhe bashkëshortja e tij fisnike, e shumëvuajtura Finlanda, e bija e “pengut” të pushkatuar nga diktatura, Pertef Agaj, ma besuan ditarin, të cilin më vonë e ktheva në libër, me titullin e shumëgjetur nga vetë Finlanda”Vëllai i pengut”. Ditari ishte i zverdhur nga koha dhe u desh kohë e punë për ta kompjuterizuar, redaktuar e paraqitur për botim. Ditari mbetet një nga burimet e drejtëpërdrejta për tragjedinë shqiptare gjatë kohës së diktaturës komuniste, jo vetëm pse “vëllai i pengut” dëshmon mbi vujatjet e tij, të vëllait, familjes, shqiptarëve, sjell copëza nga jeta në hetuesitë e kohës, burgjeve, kampeve të shfarosjes, por ai jep edhe një tablo të jetës së Mërgimit. Përtëë gjitha këto vendosa që të përcjell në Dielli online disa nga dosierët që pata publikuar para se Ditari të kthehej në libër.Keto dite Teki Gjonzeneli realizoi ribotimin e tretë të librit.

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, ME PUNË TË DETYRUAR NË KENETEN E MALIQIT, Reshat Agaj

Kosovë-Serbi, raundi 28-të, arrihet marrëveshje për katër çështjet

August 25, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Gusht 2015/Kosova dhe Serbia arritën marrveshje për katër çështjet sot në Bruksel. “Marrveshja është arritur dhe është nënshkruar para pak çastesh, përfshinë katër segmentet më të rëndëishme për të cilat kemi dikutuar edhe më herët”, deklaroi pak më parë nga Brukseli zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi. Kjo bëhet e ditur edhe nga deklarata të delegacionit të Beogradit.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë janë takuar në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiçit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiç, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral, si edhe në raundet e kaluara.
“Mund të them lirisht se të gjitha marrëveshjet, me përgjegjësi të plotë e theksoj, janë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës, gjithashtu në përputhshmëri me standardet evropiane”, theksoi Thaçi në një intervistë televizive nga Brukseli pak më parë.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federcia Mogehreni, ka njoftuar për arritjen e katër marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Katër marrëveshjet e nënshkruara pas një dite të gjatë në dialogun me Serbisë dhe Kosovës. Arritje historike në procesin e normalizimit”, ka thënë ajo në profilin e saj në Tëitter, cituar nga media.
Ende nuk bëhen të ditura detajet e këtyre marrëveshjeve.

Filed Under: Rajon Tagged With: arrihet marrëveshje, Kosove-Serbi, për katër çështjet, raundi 28-të

PËR ATË QË DUA(M)…

August 25, 2015 by dgreca

– Doli nga shtypi libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti – “PËR ATË QË DUA(M)”/
Doli në qarkullim këto ditë në të gjitha libraritë libri i Atjonit Zhitit, me një titull të veçantë, të bukur dhe rinor ashtu si dhe vetë autori, “PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.
Libri botohet nga “EUETPRESS” i Universitetit Europian të Tiranës dhe shpalos në mënyrën më origjinale ide dhe mendime dhe një realitetet i ninëzuar nga një 19 vjeçar plot me freski dhe endër dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndëkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…
Libri, i redaktuar kujdesshëm nga gazetarët e njohur Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mënçurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…
Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore…
Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika.
Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor. Motori, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi te çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës, në kohën kur ajo riparohej. Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë pergjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”, kur ai tashmë ka hyrë në normalitet dhe e ka detyrë, të paktën njerëzore, jo vetëm ligjore, të rrëfejë nga e vërteta fatale. Të harrosh nuk do të thotë se e ke zhbërë atë që ka ndodhur, na i lë të nënkuptuar dhe parathënia e librit, ku kërkohet dhe ndërgjegje e lartë shoqërore.
Por realiteti ynë ngjan shpesh anormal, mizor, i prekur me dhëmbje dhe në esetë e veprës së Atjon Zhitit “Për atë që dua(m)…”, që ngajnë sikur gishtat dridhës prekin plagë me gjakimin e shërimit të tyre sa më parë e sa më mirë.
Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, për aq sa arriti të thoshte autori, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi.
Libri për koinçidencë del tani, ku autori do të mbushte 20 vjeç. Buzëqeshja e tij, thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit, ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën.

Përgatitësi

Filed Under: LETERSI Tagged With: “PËR ATË QË DUA(M)”/, libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti

Kosovë-Serbi, raundi i 28-të bisedime të vështira

August 25, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Bisedime të vështira po zhvillohen sot në raundin e 28-të kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel, sipas burimeve të Beogradit.
Bisedimet kanë filluar para mëse 10 orësh, por ende nuk ka njoftime për takim të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësuesen, Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila krerët e dy qeverive i ka pritur në takime të ndara.
“Dialogu i Beogradit e Prishtinës po vazhdon dhe në qendër të vëmendjes janë katër tema – energjetika, telekomi, Bashkësia e komunave serbe dhe lëvizja e lirë nëpër urën në Mitrovicë”, citohet Ketrin Rej, zëdhënsja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, cituar nga media serbe.
Ndersa, Suzana Vasiljeviç, këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë, në Tviter ka shkruar se kanë nisur negociatat në Brukse dhe se janë duke u zhvilluar konsultime të delegacionit serb.
“Bisedime të vështira” për “4 çëshje kyçe: Bashkësia e komunave serbe, energjetika, ura dhe telekomunikacioni”, citohet një anëtar i delegacionit të Beogradit.
“Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik”, shprehet kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka qenë ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në Bruksel po negociohet Asociacioni-Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, zhvillohen “konsultime të delegacionit serb në Bruksel”, bënin të ditur burime të Beogradit, derisa po zhvillohej raundi i 28-të kryeministror i dialogut Kosovë-Serbi.
Këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë në Tviter ka postuar një foto me anëtarë të delegacionit të Serbisë të kryeministrit Aleksandar Vuçiçi, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit që ajo ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Nga delegacioni i Kosovës nuk ka ende konfirmim të ndonjë marrveshje, ndërsa sipas medias serbe, deri tash është dakorduar zgjidhja për telekomin, ndërsa deri në fund të këtij raundi pritet të arrihet paketa e marrëveshjeve, që përfshinë edhe Bashkësinë e komunave serbe, energjetikën dhe urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, bisedime të vështira, Kosove-Serbi, raundi i 28-të

Polemikë për kishën e Dhërmiut

August 25, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
I gjithë sulmi mediatik i Greqisë, Kryepeshkopit Anastasios, OMONIA, MEGA, PBDNJ, MPJ-Greke, Mitropoliti i Konicës, partia Demokracia e Re, kundër kryeministrit shqiptar ka të bëj me tensionet e brendshme të rrezikshme që po ndodhin në Greqi. Sa herë që Greqia ka problem ekonomike-politike të brendshme i bien muzikës së rrezikut kombëtar grek nga shqiptarët. Atje ku shoqëria politike dhe intelektuale dështon del në pah çështja kombëtare në instancën e fundit për të krijuar unitetin midis qytetarëve.
Sa për deklaratën e zëdhënësit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Thoma Dhima se Imzot Donato Oliverio: peshkopi arberesh i Lungros ka deklaruar:(Ne nuk kemi asnjë interes material ose territorial dhe fetar këtu në Shqipëri, ku Kisha Orthodhokse e bën shumë mirë e me nder shenjtërimin e popullit. Ne këtu në Shqipëri nuk kemi asnjë prift arbëresh dhe nuk jemi pronarë të as një pëllëmbe dheu, për respektin e madh që kemi për Kishën tuaj Orthodhokse dhe për Kishën tonë arbëreshe.)
Thoma Dhima mendon se shqiptarët janë idiot dhe nuk mund të dinë dallimet midis kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse të vëllezërve tanë arbëresh. Kisha Ortodokse Arbëreshe ka dallime me Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë sepse arbëreshët janë UNIT, pra kishë ortodokse nën juridiksionin e Vadikanit, ndërsa kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë është kishë Ortodokse e Lindjes nën juridiksionin e Patriarkanës së Stambollit, e ritit me kalendarin e ri.
Unitët janë për bashkimin e dy kishave të krishtera, atë katolike dhe ortodokse. Arbëreshët në Itali falen në kishën e ritin ortodoks, por në vartësi të Vatikanit katolik.
Më 1439 në Sinodin e Florencës u bë bashkimi i Kishave të Romës dhe të Kostandinopojës. Më vonë kjo marrëveshje u nënshkrua edhe nga ortodoksë dhe katolikë të tjerë për bashkim në Romë dhe Brest në vitet 1595-1596. Kështu arbëreshët në Itali mbeten besnikë të besimit UNIT. Në qytetin e Elbasanit, brenda në kalanë e vjetër ka qenë dhe është ende sot një kishë e rriti UNIT. Në fillim të viteve 1990 prifti i parë që shërbente në këtë Kishë ishte arbëresh.Prandaj Thoma Dhima mos të na marrë për budallenj duke keqpërdorur deklaratën Imzot Donato Oliverio: peshkopi arberesh i Lungros
Takimi i sotëm i Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastasios me ish-kryeministrin Aleksis Çipras ska të bëjë fare me problemin e Dhërmiut. Kryepeshkop Anastasios i ka disa borxhe të vjetra Aleksis Çipras. Borxhet kanë të bëjnë me financimet e familjes Çipra,(Pavlos Çipras) që i kanë bërë prof.Anastas Janullatosit në vitet 1967-1974 për misionet e tij në Afrikë dhe vende të tjera. Aleksi Çipras do ti kërkoj Anastas Janullatosit që të ndikojë tek besimtarët ortodoks shqiptar që kanë shtetësi greke që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të Greqisë partinë e tij pas përçarjes së saj. Janë rreth 30.000 shqiptar dhe minoritar grek që kanë shtetësi greke dhe të drejtën e votës.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, e Dhërmiut, për kishën, Polemikë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3593
  • 3594
  • 3595
  • 3596
  • 3597
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT