• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hashim Thaçi Serbisë: Pas kërkimfaljes vjen pajtimi

August 24, 2015 by dgreca

Ne Foto:Hashim Thaçi gjatë intervistës për gazetën e njohur të Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”/
-Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për gazetën e Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”: Nuk ka gjasa që të kemi një “republikë serbe” në Kosovë, sepse ne nuk do ta lejojmë këtë. Gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Zëvendëskryeministri i parë, njeherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur të Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”, në të cilën ka nënvizuar se nuk mund të ketë kurrfarë pajtimi nëse Serbia fillimisht nuk u kërkon falje popujve të ish-Jugosllavisë për gjenocidin shtetëror ndaj tyre.

Në vazhdim intervista:

Dnevni Avaz: Po fillojmë me ofertën tuaj të hapur për Ivica Daçiçin, zëvendëskryeministrin e parë në Qeverinë e Serbisë, njëherësh shefin e diplomacisë serbe, që t’ia jepni pasaportën e Republikës së Kosovës. A është kjo një ofertë serioze apo ndonjë formë e provokimit politik?
Hashim Thaçi: Kjo është një ofertë krejtësisht serioze, publike. Ai është i lindur në Kosovë, edhe pse prindërit e tij kanë ardhur në vendin tonë mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore si kolonizatorë. Mirëpo, sipas Kushtetutës sonë, secili qytetar i cili është lindur në Kosovë gëzon të drejtën për shtetësi, gjegjësisht për shtetësi të dyfishtë. Kështu, edhe z. Daçiç është gjithashtu i mirëseardhur që të marrë pasaportën e tij.
Dnevni Avaz: E kemi pyetur zëvendësin e ambasadorit të Federatës Ruse në OKB se çfarë mendon ai rreth ofertës tuaj, pyetje së cilës ai i është përgjigjur se “kjo përbën një deklaratë krejtësisht të papërgjegjshme” nga ana juaj. Cila është përgjigja juaj ndaj këtij pohimi?
Hashim Thaçi: Kjo nuk është një deklaratë apo ofertë e papërgjegjshme. Kjo është një ofertë dhe një deklaratë që mbështetet në Kushtetutën. Përgjigja ime është në përputhje me Kushtetutën tonë.
Dnevni Avaz: A i është përgjigjur z. Daçiq publikisht apo privatisht kësaj oferte?
Hashim Thaçi: Ai nuk është përgjigjur, por oferta mbetet e hapur.
Dnevni Avaz: Tani që po përgatiteni për raundin e radhës të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si do t’i përgjigjeni kërkesave që në pjesën veriore të Kosovës të themelohet Asociacioni i komunave serbe dhe në vërejtjet e atyre që thonë se një gjë e tillë i hapë rrugë krijimit të një “republike serbe të re”?
Hashim Thaçi: Nuk ka gjasa që të kemi një “republikë serbe” në Kosovë, sepse ne nuk do ta lejojmë këtë. Gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dua të theksoj se ky do të jetë një asociacion i komunave serbe pa mandate ekzekutiv, sepse për një gjë të tillë, thjesht, nuk ka kurrfarë gjasa. Përsëris, ne nuk do të lejojmë që të kemi një “pushtet të tretë” përmes këtij asociacioni. Ne do të punojmë që t’i koordinojmë gjërat që do të jenë në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane dhe konform asaj për të cilën jemi marrë vesh përmes dokumentit të presidentit Martti Ahtisaari për Kosovën. Kjo nënkuptoj se ky trup do të jetë një asociacion, e jo një entitet i ndarë, pra do të jetë një asociacion normal, si të tjerët që tashmë i kemi.

SERBIA KA BËRË GJENOCID NË VENDET E ISH-JUGOSLLAVISË

Dnevni Avaz: Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shumë herë e keni përmendur Srebrenicën. Duke e ditur se kjo përbën një pietet tuajin për viktimat e Srebrenicës, dëshiroj t’ju pyes nëse ky pohim i juaji ka edhe ndonjë dimension politik?
Hashim Thaçi: Ju e dini se Serbia i ka nisur luftërat në Slloveni, pastaj në Kroaci, e më vonë në Bosnje e Hercegovinë dhe në fund në Kosovë. Këto janë fakte historike. Tani ata në Serbi po përpiqen që të luajnë rolin e paqebërësit më të madh në rajon. Jo, nuk guxojmë ta harrojmë kurrë të vërtetën, që ata kanë shkaktuar gjenocid në Kroaci, në Srebrenicë dhe në Kosovë. Askush nuk mund që të shkruaj një histori të re të pavërtetë rreth kësaj. Thjesht, e vërteta është e vërtetë. Serbët i kanë nisur luftërat në ish-republikat jugosllave dhe në Kosovë, kurse Serbia, në mënyrë të drejtpërdrejtë, si shtet dhe jo në nivel të individëve i ka shkaktuar të gjitha këto gjenocide në Srebrenicë, Kroaci dhe në Kosovë.

NE NUK DO TË LEJOJMË ASNJËHERË KRIJIMIN E NJË “REPUBLIKE SERBE” TË RE NË KOSOVË

Dnevni Avaz: Z. Daçiç, në një deklaratë për gazetën tonë, vitin e shkuar, gjithashtu në Nju Jork, ka thënë se Beogradi nuk planifikon dhe nuk ka ambicie që të krijojë në Kosovë një “republikë serbe” të re. A nënkupton kjo se qëndrimet tuaja përputhen?
Hashim Thaçi: Ata nuk kanë plan, por kanë ambicie. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë jetësimin e gjërave të tilla ne Kosovë.

NUK GUXOJMË TA HARROJMË TË SHKUARËN

Dnevni Avaz: Ju dhe kryeministri i Qeverisë së Kroacisë, Zoran Millanoviç, në mënyrë të drejtpërdrejtë e keni hedhur poshtë nismën e Aleksandar Vuçiçit për një ditë të përbashkët përkujtimore për viktimat të gjitha luftërave të viteve të nëntëdhjeta, ndërsa ende nuk kemi dëgjuar zëra të tillë në Sarajevë.
Hashim Thaçi: Ne duhet të kthehemi nga e ardhmja, natyrisht pajtimit, por, thjesht, nuk mund dhe nuk kemi të drejtë që ta harrojmë të shkuarën. Kjo është porosia ime për Sarajevën dhe të gjithë tjerët.

Filed Under: Interviste Tagged With: Hashim Thaci, Pas kërkimfaljes, Serbisë:, vjen pajtimi

Krimet e sovjetikëve

August 24, 2015 by dgreca

Churchilli thoshte: Nazizmi eshte komunizmi i zi, ndersa komunizmi eshte fashizmi i kuq!”/
Nga Edvins Snore/
Lenini besonte se ideja që emërtohesh “lufta e klasave” nënkuptonte që harmonia supreme mund të arrihej, vetëm kur një numër njerëzish të një kategorie të caktuar të vriteshin.
Disidenti Vladimir Bukovski ka shkruar: Në fillim komunistët, kur erdhën në pushtet, dhe nuk ka rëndësi se ku, Rusi, Poloni, Kubë, Nikaragua, Kinë, fillimisht kanë zhdukur afërsisht 10 % të popullsisë, kryesisht intelektualët e zotë, punëtorët më të mirë, inxhinierët më të mirë, të gjithë i vranë. Pastaj punohej për ndërtimin e një shoqërie të re.
Lenini porosiste: “Bëjeni në atë mënyrë, që populli përrreth të shikojë dhe të tmerrohet!”.
Norman Davies, historian i universitetit të Cambridge:
Asnjë njeri nuk e di saktë se sa njerëz janë vrarë, flitet për 10 milionë apo më shumë. Ukraina paraqiti një qendresë të madhe etnike ndaj rusëve. Stalini i shkruante më 1932 Kaganoviçit: “Situata në Ukrainë është shumë e keqe. Po të mos marrim tani masa, do ta humbim atë”.
Dhe Stalini hartoi një plan të tmerrshëm. Në dimrin 1932-1933, të gjitha rezervat e Ukrainës u morën. U formua një rrethim i tillë që askush nuk largohej dot. Njerëzit mbijetuan me mbetjet e grurit dhe barishtet. U dha urdhër të konfiskohen të gjitha rezervat e grurit dhe ushqimet në zonë. Atëhere njerëzit nisën të vdisnin. U morën patatet, panxhari, lakra, madje edhe turshitë më ghjithë fuçi. Edhe patatja e farës. Gjithçka. Fshatarëve iu ndalua të kërkonin ushqim gjetkë, të blinin apo të punonin për ta fituar ushqimin.
Boris Sokolov, historian: Njerëzit vdisnin nga uria. Rojet ndalonin të sëmurët dhe të uriturit të hipnin nëpër trena. Shumë vdiqën në stacionet e trenave apo përgjatë hekurudhës për Harkov e Kiev. Fëmijët qanin duke kërkuar bukë. Kur ata shkonin të mblidhnin nëpër fusha kallëzat e mbetura të grurit, vriteshin në vend. Ushtarët e policisë sekrete grumbullonin kufomat nëpër shtëpira. Shpërbleheshin për çdo kufomë nga 200 gr bukë. Një grua të sëmurë donin ta mirrnin ashtu, si të vdekur, ndonëse ajo u bërtiste: mos më merrni, nuk kam vdekur ende!
Maria Zaguts, e mbijetuar: kufomat i varrosnin në gropa të përbashkëta. Shumë vetë u varrosën të gjallë.
U eksportuan në Perëndim miliona tonë grurë të konfiskuar. Shtatë milionë veta vdiqën nga uria vetëm gjatë një viti!
George Watson, historian në Cambridge: Janë të pakët ata që e dinë se vetëm socialistët kanë fajin e genocideve nga shek 19 deri shek.20. Një gjë e tillë nuk mësohet në shkolla, por ka ndodhur, me fashistët dhe komunistët..
Engelsi më 1849: Kur u shfaq revolucioni shoqëror u shfaq edhe “lufta e klasave”. Por do të ekzistojnë edhe shoqëri primitive në Evropë që janë në një nivel të ulët zhvillimi. Ato nuk kanë arritur ende në kapitalizëm. Këta janë baskët, britanikët, skocezët, serbët që, sipas tij janë “jashtëqitje raciale”. Ai thosh se këto fara duhej të zhdukeshin..I trajtonte sllavët si vulgarë. Psh Polonia nuk ka arsye të ekzistojë…
Karl Marks, diku ka shkruar: racat dhe klasat shoqërore që janë shumë të dobëta për t’u rezistuar kushteve të reja të jetesës, duhet të zhduken.
Dr. Gëbels: Lenini ishte njeriu më i madh, i kapërcyer vetëm nga Hitleri dhe se ndryshimi ndërmjet komunizmit dhe doktrinës së Hitlerit ishte i papërfillshëm.
Më vonë, këto thënie të tij u censuruar nga vetë nazistët.
Hitleri pohonte shpesh se kishte mësuar shumë nga marksizmi, se e tërë doktrina nacional-socialiste bazohet te marksizmi..
Prandaj një pjesë e të majtëve e mbështetën Hitlerin, si psh në Francë.
Dramaturgu i njohur britanik, Bernard Shou, shkruante: Duhet ta dimë se janë disa persona që nuk janë produktivë, por që gjenerojnë më shumë probleme. Le t’I shpiem ata gjëkundi dhe t’u themi: jeni aq të shtrënjtë sa ta justifikoni ekzistencën tuaj? Në rast se jo, në rast se nuk e shpini shoqërinë përpara, në rast se nuk prodhoni më shumë se sa konsumoni, madje shumë më tepër, ju nuk mund të jeni pjesë e organizmit të kësaj shoqërie, dhe s’ka arsye që të jetoni!
Vrasja ishte një tezë themelore e socializmit marksist.
Bernard Shou bënte thirrje, më 1934, të zbulohej një gaz për njerëzit, që të vret pa shumë dhimbje, të jetë vdekjeprurës, por jo i tmerrshëm. 10 vjet më vonë, nazistët shpikën “Ziklon B”, një gaz të tillë, që e përdori Adolf Eichman-i në Auschwitz.
Por Bernard Shou nuk ishte për vrasjen e njerëzve për aryse etnie e race, duheshin vrarë, sipas tij, njerëz të tjerë…
Në ish Bashkimin Sovjetik, “armiqtë e klasës” vriteshin sikurse çifutët. Në fillim përqesheshin dhe përbuzeshin, pastaj vriteshin me miliona.
Ekzekutimet bëheshin nëpër burgje. Në podrumet kishte dhoma të caktuara pikërisht për pushkatime, me mure betoni dhe kanale për largimin e gjakut. Goditeshin me pistoletë prapa kokës, nga 100 në disa qindra çdo natë. Pylli i Bikivinës, në afërsi të Kievit, ka shumë gropa të përbashkëta të pushkatuarish..
Fëmijët e një brezi të tërë humbën prindët dhe u bënë rrugaçë (bezprizorniki- që nuk tregonte njeri kujdes për ta). Miliona syresh kërkonin bukë nëpër rrugët e qyteteve sovjetike, prandaj Stalini autorizoi vrasjen e tyre, duke filluar nga mosha 12 vjeç.
Madje kishte kuota ditore për vrasjet. Kur kjo kuotë kalohej, kërkohej autorizim nga lart.. Midis atyre që kërkoi autorizim, ka qenë edhe Nikita Hrushovi. Ai kërkoi ta rrisnin kuotën në 17 mijë por ju dha leja për 7000-8000 vetë.
Mikhail Gorbaçoivi thosh: Stalini ngrohej në gjak. Kam parë dokumentet e tij për dënimet me vdekje, ku vinte firmë në pako të tëra, bashkë me Molotovin, Voroshillovin, Kaganoviçin, Zhdanovin. Kjo pesëshe ishte më aktivja. Molotovi i ndryshonte shpesh dënimet , nga “10 vjet burgim” në “ekzekutim”. E imagjinoni! Pako të tëra!
Natalia Lebedieva, historiane: Rezultati, nga 1937 gjet 1941, u vranë 11 milionë njerëz. Përfytyrojeni vetë këtë represion ndaj popullit tënd!
Hitlerit kjo gjë i dukej e mahnitëshme!
Vladimir Bukovski: Ideja ishte “ndërtimi i rendit të ri në Evropë: të mos ketë parlament, as sindikata, as ushtri, as qeveri dhe pastaj të vinte Stalini në rolin e çlirimtarit. Miliona njerëz do të jetonin si në një kamp përqendrimi, me shpresën e lirimit, derisa Stalini dhe Ushtria e Kuqe të vinte t’i çlironte ata. Këtë rend do të vendoste Hitleri.
Por ky s’kishte burime dhe as kufij të sigurtë nga prapa, që të zhvillonte një luftë frontale në shkallë të gjerë. Prandaj, më 23 gusht 1939, Hitleri dhe Stalini firmosën një marrëveshje që siguronte për Hitlerin kufij të sigurt në Lindje, me mjete të këqia strategjike, në këmbim të marrëveshjes ekonomike.
Më 1 shtator, ai sulmoi Poloninë në frontin perëndimor. Polonia luftoi me dëshpërim. Por më 17 shtator ajo u godit edhe nga fronti lindor, nga Bashkimi Sovjetik.
Sergei Sluch, historian: Vendimi i sovjetikëve ishte një agresion i pastër. Ushtria e Kuqe ka hyrë në luftën e dytë botërore bashkë me trupat SS. Popullsia lokale shpesh nuk e bënte dot dallimin ndërmjet tyre.
Norman Davies: Ushtria gjermane u takua me Ushtrinë e Kuqe në mes të Polonisë, pastaj të dy përbindëshat totalitaristë, sovjetikët dhe gjermanët, e ndanë Poloninë në mes tyre.
Të dyja forcat thoshin se po luftojnë kundër “fashizmit polak”…Hitleri dhe Stalini kishin rënë dakord për ndarjen e Evropës..Sipas marrëveshjes, Bashkimi Sovjetik do ta pushtonte edhe Finlandën..
Ari Vatanen: Kur bombarduesit e parë sulmuan Helsinkin, më 1939, finlandezët menduan se sovjetikët gabimisht e kanë bërë këtë akt. Qyteti u shkatërrua.
Moska e etikonte Finlandën si regjim fashist dhe kreu ndaj saj edhe një goditje tokësore masive. Rusët humbën 330 mijë, të ngrirë e të plagosur. Finlanda e vogël i qendroi mrekullisht një ushtrie të madhe. Babai im humbi katër vëllezër, katër! Është shumë për një familje. Lidhja e Kombeve e përjashtoi Bashkimin Sovjetik. Kundërshtuan vetëm Gjermania, Italia dhe Japonia..
Nazistët pushtuan Danimarkën, Belgjikën, Hollandën dhe Luksenburgun. Norvegjia ishte pushtuar me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, që ua la në përdorim gjermanëve bazën detare të Murmanskut..
Në dhjetor 1939 oficerët nazistë dhe sovjetikë takoheshin për të diskutuar ecurinë e luftës..Mijëra dhe mijëra ton karburant, minerale dhe material ndërtimi dërgoheshin nga B.S. në Gjermani Edhe trena të mbushur me grurë, kur populli sovjetik vuante urie.
Bashkimi Sovjetik u kërkoi edhe partive komuniste në Evropë që ta sabotonin rezistencën antifashiste dhe ta mbështesnin nazizmin.
Punëtorët e Parisit bisedonin me ushtarët gjermanë nëpër rrugë e kafene. “Shumë mirë shokë, mbahuni! Megjithëse borgjezia ka ende pushtet, vëllazërimi i popujve nuk do të mbetet pa shpresë, por do bëhet realitet!”- Kështu shprehej Partia Komuniste e Francës në korrik 1940.
Në qershor 1940, Hitleri e mundi Francën. Në këtë kohë Stalini pushton Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Vendi i vetëm në Evropë që ende i rezistonte Hitlerit ishte Britania e Madhe.
Presidenti Ruzvelt e konsideronte B.S. si një forcë të Boshtit. Ai thosh: në se bie Britania e Madhe, forcat e Boshtit do të kontrollojnë kontinentet e Evropës, Azisë, Australisë dhe Oqeanisë, që do t’u japin atyre burime të jashtëzakonshme materiali dhe baze luftarake.
Në një diskutim të mbajtur në Sovjetin Suprem, Molotovi kishte deklaruar se “lufta kundër ideologjisë naziste ishte një krim”. Ky diskutim u botua në të gjitha gazetat sovjetike, më vonë u censurua..
Përse ai thosh kështu? Sepse vrasjet masive dhe kampet e përqendrimit bazoheshin në të njëjtën ideologji. “Puna të çliron” thuhej në hyrje të kampeve naziste. “Puna është nder” thuhej në hyrje të kampeve sovjetike.
Winston Churchill ka thënë se “Fashizmi është komunizmi i zi, ndërsa komunizmi është fashizmi i kiuq!”
Shumë çifutë emigruan në B.S. për t’u mbrojtur nga Hitleri, por Stalini i mblodhi ata dhe ia dorëzoi Gestapo-s, në shenjë miqësie…SS nazistë dhe policia e fshehtë sovjetikë bashkëpunonin ngushtësisht. Përveç shumë e shumë çifutëve, sovjetikët dorëzuan te gjermanët edhe shumë komunistë gjermanë, në dhjetor 1937, në prill 1938, në nëntor 1938. Shumica e tyre është zhdukur në kampet naziste.
Nazistët përfitonin edhe nga përvoja e policisë sekrete sovjetike që kish nisur torturat njëzetë vite më parë..
Viktor Suvorov: një delegacion i përbashkët i Gestapo-s dhe i SS-ve gjermanë shkoi në B.S. për të mësuar si ndërtohen kampet e përqendrimit; këta të fundit shkonin në Krakovia për të parë përvojën e gjermanëve.
Leon Trocki, në emigracion, paralajmëronte botën “për antisemitizmin e Stalinit dhe për faktin që Hitleri dhe Stalini ishin e njëjta gjë”.
Në mars 1940, në afërsi të Katinit, në një pyll, ishin hapur 78 gropa masive. Aty varrosën rezervistë të ushtrise polake, mjekë, profesorë, ingjinierë, disa mijëra. Viktimat i qëlluan në qafë. Vendimi për këta robër lufte që i morën nga tre kampe përqendrimi, ishte marrë nga Byroja Politike,. Masakra e Katinit qe ekzekutimi i parë masiv i bërë në një shkallë të tillë në Luftën e Dytë Botërore. Nazistët e ndoqën këtë shembull, duke e bërë Luftën e Dytë Botërore therrtoren më të përgjakshme në historinë njerëzore.
Pas Katinit, sovjetikët nisën të masakrojnë rregullisht: në Rigë, në Lvov, në Minsk. Oficerët sovjetikë i shfytyronin viktimat, ua nxirrnin thonjtë, ua prisnin gjuhën dhe krerët.
A do e pranojë Evropa që edhe sovjetikët kanë kryer masakra të përbindëshme, sikurse e ka bërë këtë me nazistët?
Majori Soprunenko, që mori pjesë në pushkatimet e Katinit, u dekorua me “Medaljen e Nderit”, kurse Serovi, me “Medaljen e Leninit”, dekorata më e lartë e shtetit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë vdekur më se 27 milionë qytetarë sovjetikë. Por vetëm një pjesë shumë e vogël syresh është vrarë nga gjermanët. Kur Ushtria e Kuqe marshonte, prapa saj vinte një armatë tjetër me tanke (e policisë së fshehtë), që mitralonte këdo që kthehej prapa.
Viktor Baturin: pas betejave, reparte special sovjetike mblidhnin medalionet e identifikimit të ushtarëve sovjetikë të rënë në luftë, dhe mandej i fshihnin ato. Asnjë vend në botë nuk i ka trajtuar të vrarët e vet në këtë mënyrë!
Nga represioni i autoriteteve sovjetike, më se një milion qytetarë sovjetikë kaloi në anën e nazistëve. Ata u mobilizuan kundër popullit të tyre.
Në prag të mbarimit të luftës, Stalini ka deportuar popullsi të tëra për në Azinë Qendrore, në Kazakistan: çeçenë, ingushë, karace, tatarë nga Krimea. Më parë, këtë e kishte bërë me republikat pribaltike. Kjo është aq e vërtetë, sa në qytetet pribaltike sot rusët janë shumicë…
Sovjetikët nuk i prishën kampet e përqendrimit nazist, që çliruan. Këto kampe vijuan të funksionojnë me të dënuarit e rinj.
Në kampet siberiane, mbi të burgosurit e gjallë janë kryer eksperimente mjekësore, psh në Buturiceag, pranë Magadanit. Kriminelët që punonin në këto kampe konsiderohen sot veteranë të nderuar.
Rusia ndihet inferiore sot, sikurse Gjermania pas Luftës së Parë Botërore. Kjo krijon kushte për neonazistët rusë, të cilët kryejnë edhe krime.
Michael Gahler, parlamentar evropian: E drejta themelore e të gjitha viktimave është të shikojë ata, që i kanë kryer krimet, të gjykohen dhe të dënohen. Në rastin e Katinit, njihen shumë mirë emrat dhe adresat e shumë oficerëve sovjetikë, që kanë vrarë me gjak të ftohtë. Edhe sikur të bëhet ndonjë hetim, këta kriminelë mund të shkojnë në Britaninë e Madhe, me qënëse në këtë vend, këto lloj krimesh nuk shihen si krime lufte…
Bashkimi Sovjetik ka vrarë më se 20 milionë burra, gra dhe fëmijë të vet.
Shënim: teksti është nxjerrë nga filmi në youtube
http://www.ro/video/The_Soviet_Story_Povestea_sovietelor_incredibil

Filed Under: Histori Tagged With: Edvins Snore, Krimet e sovjetikëve

SHFLETOJME LIBRIN E EUGJEN MERLIKES

August 24, 2015 by dgreca

Fragmente*/
Një jetë nën diktaturë/
Një ditë nëntori të vitit 1949, na hipën në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena…e famshme ne historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej në gjysmën e dytë të shekullit XX, simboli më i gjallë dhe më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte.
Tepelena, zyrtarisht kampi i Dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, padyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë që nuk pati krematoriumet e tyre, por puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë e më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuaj çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futur në pesë kazerma të mëdha ushtarake, me qindra vetë në secilën.
Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e kombit.
Është detyrë e demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është një detyrë e letërssië së lirë shqiptare t’i jape botës një “Arqipelag Gullag” të markës shqiptare.
Tepelena ka aq shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp, nuk kanë të numuruar.(f. 9/)
f.11
Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndienin këta ish-partizanë në marrëdhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapitenëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish-banorëve të kampit dhe kujtohen ende pas dyzetë vitesh, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

f.24
Ta ndjesh veten të huaj në vendin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjendje që nuk ja uroj askujt në botë. E tillë ishte gjendja jonë, që zvarritej kështu me dhjetëra vjet, me batica e zbatica, sipas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por edhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtë të dashuronim vajza me tjetër origjinë shoqërore, dhe as të mendonim të lidhnim jetën me to.

f.46
Familja Tase, mbas një demaskimi (publik në vendin e internimit), vetëm sespe një pjesëtar i saj nuk i përplasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njeërz të pranishëm, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që ishte e pranishme në ato skena, pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

f.61
Sa familje të prishura, sa jetimë, sa gra me shami të zeza peshojnë mbi ndërgjegjen e shpirtit tënd të keq, o vendi im! Sa tragjedi njerëzore brenda kufijve të tu, kufij gjithnjë e më të ngushtë, pasojë marrëveshjesh të pandershme të të Mëdhenjeve në kurrizin tënd!

f.77
Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvarranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat, sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit XX, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë as që t’i mbanim flokët sikur dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij.
Ne shkrimë gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhëndje, madje duke gdhëndur edhe malet, që emrat e dyshes (ENVER HOXHA) me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “Dielli” ynë ishte më i shndrritshmi i gjithësisë.

f.95
Nga intervista e Nexhmije Hoxhës dhënë një gazetari italian
Gazetari Purgatori, me një notë të lehtë ironie, vë re se “ajo tregonte një ëndërr krejt të sajën, ku nuk ka kujtesë për 600 mijë bunkerët prej betoni, të mbjellë që nga Greqia e deri në Mal të Zi dhe për gjysmë milioni kundërshtarë politikë, që i lashti Enver zhdukte ose riedukonte”.

Mjafton që ajo të marrë mundimin të lexojë kujtimet e atyre që regjimi i saj u grabiti rininë e jetën, jo pse ishin kriminelë, por se ishin ajka e kombit. Burgu i “massima sicurezza” ( ku ishte Nexhmija) i Tepelenës është një vend verimi në krahasim me Burrelin, Vloçishtin, Maliqin, Orman-Pojanin, Gjirokastrën e kampe e burgje të tjera, ku dergjeshin, vegjetonin e ndërronin jetë, në kushte të papërfytyrueshme, ata që konsideroheshin “armiq të popullit”.

“Në kohët tona skafistë zero, jetohej në mënyrë spartane”- deklaron zonja Hoxha.

Z. Pëllumb Kulla i përgjigjet: Klika komuniste e Hoxhës dhe e atyre që ai la pas, ka qenë dhe mbetet organizata më e fuqishme e trafikut dhe e kontrabandës në të gjithë globin tokësor. Është e pamundur që një organizatë tjetër t’ia dalë të vihet në krye të një shteti, të ketë ushtrinë, flotat ajrore e detare, të tëra nën këmbët dhe shërbimin e saj…

Përballë opinionit të huaj, shtetet komuniste vetëparaqiteshin si shoqëri pa papunësi, pa taksa, pa kriminalitet, pa konflikte të brendëshme, me arsim dhe shërbim shëndetsor falas, me qira simbolike, me kampe verimi e shtëpi pushimi të paguara nga shteti etj. Për çudi, zonja Hoxha nuk i radhit të gjitha këto në dobi të sistemit, ose gazetari i ka shkurtuar..Pas ballinës mozaik që përbëhej nga të gjitha këto arritje, fshihej e vërteta rrëqethëse që rëndoi mbi shqiptarët për gati gjysmëshekulli. Papunësia zyrtarisht nuk ekzistonte, por 70 % e popullsisë vazhdonte të përjetonte epokën e bujkrobërisë, ku vendin e skllavopronarëve e kishin zënë kryetarët dhe sekretarët, ajo punonte “që teksa lind e perëndon”, për t’u shpërblyer, në rastin më të mirë, me një bukë gruri dykilëshe. Për sa i përket “klasës punëtore” apo “inteligjencës popullore” mjafton të kujtohet se, për të blerë një televizor të thjeshtë nuk mjaftonte rroga e 7-8 muajve ose edhe më shumë.
Konfliktet shoqërore dhe krimiunalitetin e administronte vetë Partia- shtet, nëpërmjet ideologjisë së vet enveriste dhe praktikës së saj staliniste. Lufta e klasave ishte motori kryesor që lëvizte makinën e përbindëshme të partisë-shtet, ishte kundërvënia e përjetshme ndëmjet dy pjesëve të të njëjtit trung, të banorëve të Shqipërisë. Diktatura e proletariatit ishte shprehja më e shëmtuar dhe më ogurzezë e krimit të institucionalizuar në pushtet, ishte mynxyra më e madhe që populli shqiptar kishte provuar në historinë e tij mijëvjeçare. Arrestimet, ekzekutimet, dënimet me punë të detyruar, internimet gjysmëshekullore janë shfaqjet më makabre të krimit komunist, por për to zonja Hoxha nuk shprehet.

f.150
Stalini
Në sa milionë viktima llogaritet kasaphana njerëzore në “atdheun e socializmit”? Sipas historianit Roi Medvedjev “asnjë tiran në histori nuk kishte masakruar një numër kaq të madh bashkëatdhetarësh”, “së paku 15 milionë”- thotë Andrej Zaharov. Kurse Sollzhenicini thotë 60 milionë!
…Diktatura e proletariatit- thoshte Lenini- është një pushtet pa kufizime, pa ligje, pa rregulla, që mbështetet drejtpërdrejt mbi detyrimin…

f.153
Supozohet se komploti kundër Stalinit u organizua, sepse ai kishte në plan një fushatë arrestimesh në radhët e udhëheqjes, sipas modelit të gjyqeve të Moskës, e së fundi, studiues amerikanë mbrojnë tezën e një projekti për një konflikt të armatosur me SHBA, që do të shpinte botën në një katastrofë bërthamore.

f.270
Lazër Shantoja

Shantoja hyri me tërsëllim në hullinë e gjerë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët, që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri te Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qendresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës e të idesë kombëtare….Kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë që u zgjat deri në shekullin XX, mbajti mbi shpatulla elementët themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

f.273
Shqipërisë –thosh Shantoja- i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret, e që punën e tyre ta shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë së të ardhmes.

f.277
Ai ishte i pozicionuar në krahun e opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “me një duresë e një palodhësi shembullore shkrini jetën për idealin e një Shqipërie të lirë, të madhe, të lume”.

f.279
Pushtimin e vendit Shantoja nuk e quajti tragjedi, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë, e, nëpërmjet saj me Evropën e qytëruar, ku ai ëndërronte ta shihte edhe vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj….
*Eugjen Merlika
Përsiatje
Njerëzore, letrare, shoqërore, historike
387 faqe
OMSCA-1
2011

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete en diktature

Dr.Sali Berisha, akuza dhe oponence Qeverise Rama

August 24, 2015 by dgreca

Dr.Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp paralelisht me konferencën online që kryeministri Rama po zhvillonte në rrjetet sociale me qytetarët. Berisha e nisi fjalën e tij me një sërë akuzash drejtuar qeverisë sa i përket projekteve që po dërgon në konferencën e Vjenës, të cilat sipas ish-kryeministrit janë projekte pa fizibilitet.
Ndërsa, foli për këto projekte, në veçanti ish-kryeministri tha se hekurudha Milot- Prizren është projekti më i rëndësishëm rajonal, nga i cili do të përfitojë jo vetëm Shqipëria dhe Kosova por edhe vende të tjera të Ballkanit si Maqedonia, Serbia, Bullgaria Hungaria, etj.
“Hekurudha është përgjigja përfundimtare. Hekurudha i bën portet tona, portet më të afërta për Kosovën, në Adriatik, për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë , Rumaninë, për Serbinë për Hungarinë. Hekurudha është linja e fushës drejt Evropës Qendrore, dhe autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk mund të gjejnë, por akëkush, ata që ulen të analizojnë me ndershmëri dhe gjakftohtësi, një segment më të dobishëm për ndërtim, se 130 km hekurudhë Milot-Prizren,” tha Berisha.
Ndërsa, u ndal edhe te çështja e azilkërkuesve, ish-kryeministri tha se faji për gjithë këtë eksod është i qeverisë Rama që e ka zhytur vendin në varfëri dhe kriminalitet. Ai bëri një krahasim të numrit të azilkërkuesve ndër vite, duke iu drejtua shqiptarëve me apelin për të mos ikur nga vendi i tyre pasi asnjë vend në BE nuk ofron azil.
“Ç’po ndodh me shqiptarët? Si ka mundësi që të kapin çatinë e botës për azilkërkim. Ku ishte në vitin 2012 kërkesa e azilit, gjithsej 250 shqiptarë, lëvizja ishte e lirë. 100 e ca shqiptarë ishte në vitin 2011. Çfarë po ndodh? Shqiptarët po largohen masivisht nga Shqipëria sepse krimi është shndërruar në sistem, shqiptarët nuk mund të kenë…, këtu vritet shpresa çdo ditë,” tha ish kryeministri Berisha.

Berisha reagoi edhe për aksionin kundër informalitetit duke e akuzuar Qeverinë se po i jep goditje përfundimtare klimës së biznesit. Sa për mundësitë e një koalicioni të PD me Metën, Berisha tha se i ka mbyllur koalicionet e tij, dhe se i beson atij që tani është kryetari PD-së, Lulzim Bashës. Ish-kryeministri reagoi edhe ndaj konfliktit që po ndodh me kishën e Shën Athanasit në Himarë, ndërsa tha se vandalizmi ndaj kishës është i dënueshëm, dhe se himariotëve nuk duhet t’u preket historia.

Samiti i Vjenës, hekurudha Tiranë-Prishtinë, projekti më i rëndësishëm rajonal

Ish- kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp paralelisht me konferencën online që kryeministri Rama po zhvillonte në rrjetet sociale me qytetarët që kishin pyetje për t’i drejtuar.

Berisha e nisi fjalën e tij më një sërë akuzash drejtuarqeverisë sa i përket projekteve që po dërgon në konferencën e Vjenës, të cilat sipas ish-kryeministrit janë projekte pa fizibilitet.

Ndërsa foli për këto projekte, ish kryeministri tha se hekurudha Milot- Prizren është projekti më i rëndësishëm rajonal. Ai foli për përfitimet që sjell ky projekt por që po anashkalohet nga qeveria dhe kryeministri Rama.

“Qeveria shqiptare dërgon atje projekte që nuk kanë fizibilitetin, janë të ndikuara nga elektoralizma dhe shmang projektet më kryesore. Unë dua të them këtu se projekti i projekteve është hekurudha Tiranë-Prishtinë, apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë që bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria ka një pozicion strategjik që i ka kushtuar mbi 40 e ca pushtime. Koha është që ky pozicion të funks ionojë për shqiptarët. Rruga e Kombit bëri që çdo vit jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 mln euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijoi. Por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm. Hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë, Rumaninë. Hekurudha është linja e fushës drejt Evropës Qendrore. Në samit shkohet me projekte rajonale. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm se hekurudha dhe duhet të kërkojnë mbështetje. Qeveria nuk mundet tu kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për një plesht jorgani”, deklaroi Berisha.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: akuza dhe oponence, Dr. Sali berisha, Qeverise Rama

Seminaristet serbe: Paragjykimet vijnë nga mosdija

August 24, 2015 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili aktualisht po mbahet në Prishtinë, ka tërhequr dhjetëra studentë nga vende të ndryshme të botës, për të ardhur në këtë seminar për të mësuar gjuhën shqipe, por edhe kulturën e shqiptarëve.
Në mesin e tyre ka edhe studente nga Serbia, të cilat tashmë janë duke studiuar gjuhën shqipe në Katedrën e albanologjisë në Beograd.
Ato thonë se tashmë Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, për çdo vit është bërë vendtakimi i albanologëve nga e gjithë bota, si dhe ka krijuar mundësi krejtësisht më të mëdha për të komunikuar në gjuhën shqipe se sa në vendin ku janë duke i bërë studimet, në Beograd.
Danica Avramoviq nga Jagodina, është studente në Universitetin e Beogradit, në Katedrën e Albanologjisë.
Sivjet, është hera e tretë që ajo ka ardhur t’i ndjekë kurset e gjuhës shqipe në seminar dhe tashmë është në nivelin e tretë të këtyre kurseve, që vlerësohet si nivel për ata që tashmë e njohin mirë shqipen.
Duke folur për Radion Evropa e lirë, Avramoviq thotë se ajo çfarë i pëlqen në seminar, është mundësia që ta njohë dialektin gegë të gjuhës shqipe dhe të folmen e përditshme në Kosovë.
“Ne në katedër (në Universitetin e Beogradit) mësojmë gjuhën standarde, gjuhën letrare dhe kur vijmë për herë të parë këtu e kemi problem të adaptohemi me të folurën e Kosovës, me gegërishten. Por, është mirë. Mund të kuptohemi tani me njerëz në rrugë dhe mendoj që është një përparim shumë i madh. Mendoj që kjo është falë seminarit, sepse çdo vit vij këtu dhe praktikoj apo ushtroj gjuhën”, thotë Avramoviq.
Përshtypje të ngjashme për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka edhe Anja Zhivkoviq nga Leskovci, e cila po ashtu është studente në Katedrën e Albanologjisë në Beograd.
Ajo është në seminar për herë të dytë, në nivelin e tretë të kursit të gjuhës shqipe. Siç thotë ajo për Radion Evropa e Lirë, mësimet për dallimet e dialekteve të gjuhës shqipe, e kanë pasuruar dijen e saj për shqipen.
Në këtë drejtim, sipas saj, e kanë ndihmuar mjaft shume profesorët e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, të cilët janë pjesë e seminarit.
“Po, na kanë ndihmuar shumë, sepse, për shembull, kemi bërë një shëtitje me profesorin, në qytet. Ishim edhe në treg. Ai na ka treguar për gjuhën e rrugës. Ne mësojmë vetëm nga librat dhe është pak e vështirë sepse nuk jemi në kontakt me gjuhën çdo ditë. Këtu është mirë, sepse edhe në rrugë por edhe në fakultet flasim shqip, çdo ditë, atje (në Beograd) nuk kemi mundësi”, bën të ditur Zhivkoviq.
Të dy këto studente serbe nga Beogradi, thonë se para se të fillojnë të studiojnë gjuhën shqipe, janë ballafaquar me paragjykimet që ka pasur rrethi për studimet e tilla.
Avramoviq thotë se ka pasur mjaft raste kur njerëz që e rrethojnë, kanë shprehur çudinë pse ajo studion shqipen.
“Është thjeshtë një si çudi. Njerëzit habiten që një serb dëshiron të mësojë gjuhën shqipe. Por, jo pse është ndonjë gjë e keqe, por sepse është gjë e pazakonshme”, thotë Avramoviq.
Por, çfarë do t’u thotë lidhur me vizitën në Prishtinë, njerëzve në rrethin e saj Anja Zhivkoviq, kur të kthehet në Beograd?
“Sinqerisht, ata nuk janë shumë të interesuar, sepse ka ende shumë paragjykime. Por, ndoshta janë mësuar me këtë gjë sepse unë ju flas për çdo ditë për atë që studioj dhe jam shumë e interesuar. Për shembull, kur u them se është njësoj situata këtu dhe në Beograd, se njerëzit janë shumë të ngjashëm, ata janë pak të habitur, në mënyrën ‘nuk e dinim’. Kjo është sepse kanë paragjykime”, shprehet Zhivkoviq.
Danica Avramoviq, shpreh mendimin se ekzistojnë paragjykimet te shumë njerëz edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, për popujt e të dyja vendeve. Por, ajo thotë se kjo ndodhë nga mosdija e të dyja palëve.
“Mendoj që paragjykimet lindin nga mosdija. Por, meqë shqiptarët këtu kanë pasur kontakte me serbë, mendoj që nuk kanë aq shumë paragjykime si në Serbi. Në Serbi, njerëz që nuk kanë pasur kontakt, për shembull Serbia qendrore apo veriore, kanë pak paragjykime. Jam e sigurt që do të kalojnë, sepse duhet të kalojnë. Nuk mund të jetojmë të ndarë si njerëz. Jemi fqinjë dhe duhet të bashkëjetojmë ndonjë ditë”, thotë ajo.
Studentet nga Serbia, pjesëmarrëse në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, thonë se e vlerësojnë mikpritjen e njerëzve në Prishtinë dhe siç thonë ato, nuk kanë hasur në asnjë problem deri më sot.
Ato thonë se do të shkojnë nga Prishtina me përshtypje të mirë, për t’u kthyer sërish në seminarin e vitit të ardhshëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Seminaristet serbe: Paragjykimet, vijnë nga mosdija

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3598
  • 3599
  • 3600
  • 3601
  • 3602
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT