• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rama para Gazetareve: Në shtator operacion kundër informalitetit

July 30, 2015 by dgreca

TIRANË, 30 Korrik/Nga Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama bëri sot një paraqitje të situatës politike- ekonomike e sociale në vend gjatë një konference për shtyp në Sallën e Hartave në Kryeministri.
Rama tha se edhe në këtë vit është vijuar trendi pozitiv dhe zhvillimor që ka marrë situata ekonomike në vend.
Ekonomia ka ndjekur trendin pozitiv, duke qëndruar në harmoni me parashikimet e programit të hartuar me FMN dhe BB, tha kryeminstri Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “Shlyerja e borxheve ndaj kontraktorëve ka pasur impakt direkt në konsolidimin e trendit pozitiv”.
Rama: Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%
“Që në 3 mujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe pas një sërë 3-mujorësh paraardhës në rënie filloi kthesa pozitive dhe faktikisht gjatë vitit 2014 që pasoi 3-mujorin e parë të qeverisjes, ekonomia vazhdoi në rrugën e qëndrueshme të kthesës, duke ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv dhe duke qëndruar në harmoni me parashikimet qysh me nënshkrimin e programit me FMN. Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%. Është inkurajuese që 3-mujori i parë i 2015 shënon vazhdimësinë e trendit të rritjes, dhe u mbyll me një shifër të kënaqshme. 2.82 % kundrejt 3 mujorit të parë të 2014-ës, është një shifër mjaft domethënëse”, deklaroi kryeministri Rama.

Rama: Shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve, ndikim në rritjen ekonomike

Kreu i qeverisë theksoi se, ndikim në këtë rritje pati shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve. Rama u shpreh se shlyerja e borxheve ishte një proces transparent dhe me zero ankesa për korrupsion. Kryeministri shtoi gjithashtu se larja e borxheve solli zinxhir edhe efekte të tjera pozitive, pasi sipërmarrjet shlyen detyrimet e prapambetura tatimore dhe kreditë.

“Shlyerja e 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura dhe mbërritja sot në 641 mlionë dollarë kanë patur një impakt të drejtpërdrejt në konsolidimin e trendit të rritjes ekonomike. Kjo ishte një procedurë transparente dhe e drejtë. Ndërkohë shumë pretendime, të cilat mund të kenë qenë edhe të bazuara de fakto por jo de jure nuk janë marrë parasysh. Plus kësaj, ky ka qenë një proces me ankesa për korrupsion zero. Pasi metoda e përdorur duyke i shlyer të gjithë detyrimet mbi bazën e një radhe jo të përcaktuar nga qeveria, por të përcaktuar nga koha e borxheve, ka garantuar që procesi të jetë tërësisht i pakontestueshëm. Nga ana tjetër, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e borxhit janë përdorur nga sipërmarrjet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura tatimore. Një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur nga sipërmarrjet edhe për të shkyer kreditë. Në këtë kontekst, ky operacion ka pasur rolin e vetë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija dhe në një masë të caktuar edhe në uljen e tyre. Kur erdhëm ne kreditë e këqija në shifra alarmante. Në dhjetor të 2014 u ulëm nën 23% dhe në maj të 2015-ës jemi nën 22%”, u shpreh Rama.
Rama: Borxhi është ruajtur në nivelin 69.9 %
Kryeministri Rama është ndalur edhe tek situata financiare në vend, duke u shprehur se borxhi është ruajtur në nivel të qëndrueshëm në 69.9 %. Ndërkaq, Rama tha se qeveria e tij ka njohur dhe shlyer borxhet ndaj kontraktorëve.

“Ka një rritje të konsiderueshme të depozitave në bankat tregtare. Tjetër hap i rëndësishëm në kapërcimin e një situate kaosi në llogaritë e shtetit është mbajtja e qëndrueshme e borxhit të jashtëm. Për 6-mujorin e parë të këtij vitit, treguesi i borxhit është 69.9 %. E them këtë për të gjithë ata që i bien zurnave të fryra kur flasin për borxhin. Mos harrojmë që janë shlyer shumë borxhe të prapambetura. Ne bëmë legalizimin e një borxhi që qeveria nuk mund të mos ua njihte apo shlyente të gjithë kontraktorëve për punët apo shërbimet e kryera. Falë strategjisë së menaxhimit të financave publike i hapët rrugë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përdorimit të fondeve publike. Kjo strategji është vlerësuar maksimalisht nga partnerët. Jemi drejt përfundimit të analize të thelluar të të gjithë elementëve. Por e sigurtë është që jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik”, tha Rama.

Punësimi, Rama: Në 2015 numri i të punësuarve 10% më i lartë se në 2014

Më tej kreu i qeverisë është ndalur edhe tek problemi i punësimit, duke u shprehur se masat e ndjekura deri më tani po fillojnë të japin rezultat.
“Referuar anketës së forcave të punës, krahasuar me tremujorin e parë të 2014 numri i të punësuarve në 2015 është 10 % më i lartë, dhe kemi një rritje me 103 mijë persona. Sigurisht kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i papunësisë në vend, por na flet për efikasitetin e politikave të qeverisë. 100 mln dollarë i janë shtuar arkës së shtetit si shumë në dispozicion të pensioneve, si rezultat i rritjes së numrit të personave të nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhe të formalizuar” vijoi kryeministri Rama.

Rama: Ka pasur rritje të konsumit dhe eksporteve

Kryeministri theksi se ka edhe rritje të konsumit. “Në vitin 2014 tregtia me pakicë shënoi një rritje që kapi 6.4 % në vlerë, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2015 është rritur me 7% krahasuar me 2014. Kjo nuk është çështje opinioni, por çështje shifrash si e sipërmarjes së përfshirë edhe e konsumatorit”.
Duke folur për import-eksportet, Kryeminitri Rama tha se, “Në zërin e importeve kemi 1 miliardë dollarë më shumë makinerish dhe pajisesh. Kjo do të thtoë që kemi një kthesë në orientinim e sipërmarrjes dhe parasë në investimin drejtpërdrejt në teknologji. Gjë që prezumon rritje të linjave të përpunimit dhe prodhimit, gjë që prezumon rritje të punësimit real. Eksportet në total janë rritur me 9% në vlerë”.

Mbrojtja mjedisore, Rama: Po bëjmë kthesë historike

Duke folur për mbrojtjen mjedisore, Kryeministri Rama tha se edhe këtu po bëjmë një kthesë historike, ku të gjithë ata që kanë marrë leje minerare apo për hidrocentrale kanë detyrë t ëmbrojnë mjedisine zonës ku operojnë. Poasht moraoriumi naj gjueisëka ndihmur në rikthimin disa lloje shpendësh dh kafshë në disa zona të mbrojtura në vend.

Mbrojtja sociale, Rama: Rritje e fondit të pensioneve dhe shpërblime për ish- të përndjekurit

Reforma e pensioneve përbën një nga arsyet për të qenë krenarë për çfarë kemi bërë deri tani në krye të qeverisë, u shpreh Kryeministri Rama. “I dhamë fund tavanit të tmerrshëm që i mbantet gjithë pensionistët nën 240 mijë lekë dhe siguruam rritje reale për të gjitha fashat e shoqërisë”, tha Rama. Kryeministri gjihashtu përmendi edhe uljen e moshës së daljes në pension për minatorët.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se janë shpërblyer ish- të përndjekurit me 13 milionë dollarë vetëm në vitin 2015. Ndërsa shtoi Rama, “ka filluar shpërndarja e këstit të 5-të për ata që janë gjallë”.
Rama: Ligji i Arsimit të Lartë, transfomim rrënjësor në këtë sektor
Kryeministri Rama tha se Ligji i Arsimit të Lartë i miratuar së fundmi në Kuvend i hap rrugë një transfomimi rrënjësor në këtë sektor. Ai shtoi se agjenica e akreditimit do të vijojë punën në Universitetet e vendit duke nxjerrë rezultatet e sakta të rankimit të tyre.

Sporti, Rama: Kemi investuar 25 milionë euro

“Të gjithë kampionët e sportit kanë marrë paratë që i detyrohej qeveria, e cila iu thithte dikur vetëm djersën e fitores dhe më pas nuk e dinte ku ishin”, tha Rama. Kryeministri shtoi se, “janë 25 milionë euro të investuar në infrastrukturën e sportit, më shuëm se të gjitha qeveritë e marra sëbashku. Këtu përfshihen edhe dy stadiumet e reja të Elbasanit dhe Shkodrës, ku dhe vazhdon puna. Ka shumë për të bërë sidomos me sportin në shkoëll dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me pushtetin vendor. Kjo ndihmon edhe në shëndetësi, ku një euro i invesuar në sport është 3 euro të kursyera në shëndetësi”.
Shëndetësia, Rama: Ka ende shumë për të bërë, pagesë shtesë për mjekët që shkojnë larg banimit
Kryeminstri Rama theksoi se ka ende shumë për të bërë në sektorin e shëndetësisë. “Do t’iu ftoja të monitoroni faktin që sot ka 22 qëndra shëndetësore që operojnë në 7 ditë të javës për sezonin turistik. Sot ka raste urgjente në Spitale rajonale që zgjidhen me konsulta nëpërmjet telemjekësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se, do të ketë pagesë 100 mijë lekë shtesë për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonave të tyre të banimit. “Është me rëndësi reforma në sistemin e shëndetësisë. Synohet modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po krijojmë një portal unik për shërbimet. Do të stimulohen ata mjekë që duan ta ushtrojnë ashtu si duhet profesionin e tyre. Kështu do të ketë një pagesë shtesë për 100 mijë lekësh çdo muaj për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonën së tyre të banimit, pra në një zonë tjetër”, tha Rama.
Rendi, Rama: 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015
Duke folur për situatëne rendit dhe sigurisë, Kryeministri Rama tha se treguesi më I qartë është se ka 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015 më pak se çdo vit që nga 1992.
Gjithashtu Rama shtoi se, “ka 53% vjedhje me armë më pak, 60 % vjedhje me dhunë. 33% më pak shkatërrim prone me eksploziv dhe Shqipëria nuk shihet më si vend origjine për kultivimin e kanabisit, siç ishte edhe në listën e vendeve për trafikim”.
Rama: Nuk kemi plan për ndryshime në qeveri
Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka plane për nryshime në qeveri ënshtator pasi s’ka arsye për ta bëë këtë. “Rifreskimin qeveria do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit dhe nuk e kemi plan për të bërë ndryshime qeverie, pas nuk shohim asnj arsye për të bërë ndryshime”, tha Rama.
Rama: Në shtator operacion kundër informalitetit
“Në shtator do të fillojë një tjetër operacion i madh që për nga natyra dhe agresiviteti do të jetë si ai i energjisë, i territorit, i mbylljes së Universiteteve, do të jetë operacioni kundër informalitetit”, tha Kryeministri Rama, duke iu përgjgjur pyetjes mbi abuzimeve fiskale në jug të vendit gjatë sezonit turistik.
“Kuvendi do të miratojë paketën e masave rënduese penale kundër kontrabandës, punës në të zezë, evazionit fiskal dhe atyre shfaqjeve që kanë bërë që Shqipëria të jetë sot një vend ku disa sipërmarrës paguajën dhe një pjesë tjetër nuk duan t’ia dinë fare. Në operacion do të përfshihen, doganat, tatimet, Inspektoriati i punës dhe padyshim Policia e Shtetit. Operacioni nuk do të tolerojë askënd. Masat do të jenë shumë të rënda”, tha kreu i qeverisë.
Rama: Në parlament s’ka njerëz me probleme me ligjin
Duke folur për dekriminalizimin, Kryeministri Rama tha se, “në kushtet e sotme, në parlamentin e Shqipërisë, nuk ka njerëz të cilët kanë probleme me ligjin, por në kuptimin, s’ka që kanë rishtaz, s’janë futur në parlament njerëz që kanë pasur probleme të hapura me ligjin.
“Kam qenë i pari që kam kërkuar dëshmi penale. Gjykime të ndodhura shumë larg në të shkuarën apo edhe afër por përtej kufirit të dëshmisë penale, adresohen me ligj nëse duam ti adresojmë, dhe ne do i adresojmë me ligj. Kjo për mua është të përballesh me një fenomen që është i padëshirueshëm. Ndërsa këto luftërat që i ngjajnë formave inkuiziconale, dhe s’marrin parasysh kontekstin, janë të papranueshme…Këtu politika adreson fenomene, për këtë janë politikat. s’merr përsipër të përvëlojë njerëz”, tha Rama.
“Duke adresuar fenomenin ata që përfshihen në atë kuadër kanë kufizimin e tyre. Ata që janë dënuar edhe e kanë kryer dënimin në kushtet e Kushtetutës dhe ligjit ne Shqipëri dhe ne vendet e Evropës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Sikur PD të kishte pasur vizion, s’kanë ku ta gjejnë, dhe vullnet, ne do ta kishim bërë me kohë ligjin. Pritëm propozimet e tyre, na erdhën ca paçavure, …ne s’mundëm të shkonim pas atyre paçavureve, tani do shkojmë ne ta çojmë draftin dhe do ta miratojmë draftin me ose pa ata. Në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do jetë i përballuar, do jetë i shtritë edhe në administrata. ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale, se për mua rekorde kriminale janë ato që janë të gjykuara, qoftë edhe në shkallën e parë, ndalime, hetime, përpunime, këto janë pjesë e proceseve që nuk kanë vlerë nga pikëpamja e gjykimit”, tha Rama.
Reagimet e Blushit, Rama: Sikur në PS të gjihë të mendonin njësoj, ajo do quhej PD
Duke iu përgjgjur pyetjeve mbi qëndrimet e deputetit socialist, Ben Blushi, Rama u shpreh se, sikur të kishte një Parti Socialiste ku të gjithë do të mendonin njësoj, ajo nuk do të quhej Partia Socialiste, ajo do të ishte Partia Demokratike e Shqipërisë.(ATSH)

Filed Under: Interviste Tagged With: Edi Rama, para gazetareve

Fundi i një “iriqi” deti në afërsi të Sazanit

July 30, 2015 by dgreca

Shkruan:Shefqet Kërcelli/
Hapësira ujore detare në vendin tonë historikisht ka qenë një teatër lufte midis fuqive të ndryshme. Rezultat i këtyre betejave, përplasjeve dhe lundrimeve të shumta janë dhe minat detare, silurat apo lloje të tjera të municioneve luftarake të gjetura ndër vite nga anije të Forcës Detare, të peshkimit dhe nonjë rast dhe tregëtare. Sidoqë janë bërë mjaft operacione për pastrimin e këtyre “iriqëve” të detit, është e pamundur që ti pastrosh atë përfundimisht. Rrymat e detit, relievi i thyer i fundit të tij, gjallesat dhe bimësia nënujore, krijojnë kushte për strehimin e tyre dhe vështirësi në zbulimin dhe asgjësimin e municioneve detare. Rasti më i fundit ishte zbulimi dhe asgjësimi i një koke silure disa metra larg bregut në perëndim të ishullit tonë historiko-ushtarak, që tashmë po e kthejmë dhe në turistik. Ishte një mbetje e Luftës së II-të Botërore. Në grykën e Otrantos dhe hapësirat përreth nëndetset kanë vepruar që në Luftën e I-rë Botërore. Zhytësit tanë të QZH, Pashaliman kryen disa zhytje për përcaktimin e saktë të vendndodhjes të këtij “iriqi” dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Ishte një operacion me vlera të shumëanshme civilo-ushtarake që kërkontë ndërthurjen e disa masave por dhe pjesmarrjen e specialistëve nga disa reparte të FA. Mbi këtë bazë Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të FA nxori një urdhër të vecantë për asgjësimin e këtij “iriqi” të rrezikshëm, me rrezik potencial, që ishte ngurosur në thellësi të vogla afër bregut. Natyrisht këto lloj operacionesh kërkojnë njerëz të specializuar, mjete dhe masa të forta sigurie. Me një proces të përshpejtuar nën drejtimin e Zv/komandantit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj dhe stafit të Flotiljes u morën masat e nevojshme për crrënjosjen nga fundi i detit të këtij “iriqi”. Në një kohë rekord u lajmëruan të gjitha institucionet shtetërore dhe private të Vlorës për zhvillimin e këtij operacioni dhe ndërprerjen e lëvizjeve të mjeteve detare në këtë rajon, gjatë zhvillimit të operacionit. Një operacion në dukje i thjeshtë kërkoi bashkërendimin ndërinstitucional civil por dhe midis disa reparteve të FA, Forcës Detare, Policisë Ushtarake, KML dhe grupit mësimor të EOD në Qëndrën e parë Stërvitore të ngritur për këtë qëllim në rang FA me ndihmën e ODS.
“Butrinti” në krye të operacionit
Më ka qëlluar shpesh të jem pranë ekuipazhit të mrekullueshëm të anijes më të re të Forcës Detare, aq sa tashmë e ndjej veten si pjesëtar i saj. Madje dhe kushtet ku jetojnë këta detarë janë më komode se godinat e garnizonit. Ekuipazhi i anijes sapo përfundoi një stërvitje në det dhe shkoi të pushojë. Me shërbim atë natë ishte një nga detarët më të vjetër, Kapter Mehmet Xhelilaj. Mehmeti e ka në gjak disiplinën dhe profesionin e ushtarakut. Ai e ka filluar karrierën në ishullin e Sazanit, ku për disa vite ka jetuar dhe me familjen. Pamvarësisht vështirësive familjare dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj njerës vajzë me probleme shëndetsore, Mehmeti i ka qëndruar në kokë detyrës së kryemotoristit në anije, bashkë me kolegët e tij Artan Kojani, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, etj. Anija ka ditë që lundron dhe kryen patrullime për të siguruar pushuesit e shumtë dhe anijet turistike, kryesisht në hapësirat joniane. Vetëm tre ditë kam qenë në shtëpi këtë muaj më thotë, Kapiteni i anijes, Kap.Lt. Ermal Hila. Sezoni veror na kërkon sa në Palermo, Sazan dhe Vlorë. Këtë detyrë “Butrinti” e realizon duke kombinuar grafikun e lundrimin me anijen “Oriku”. Ato ja dorëzojnë shërbimin njëra-tjetrës në ujërat e Jonit, herë në traversë të shpellës së Haxhi Aliut, Gjirit të Gramës, të Bristanit, të Dafinës apo në Mezokanal. Oficerët janë gjithnjë në zbatim të urdhërave të Komandant Ermalit dhe Ilirit, në krye të detyrës. Fillimisht efektivi pjesmarrës në operacion u rreshtua në molin ku ishte bregëzuar anija “Butrinti”. Këtu drejtuesit e operacionit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, Major Shkëlqim Cela i EOD dhe Kapiten Krist Katundi i Policisë Ushtarake, dhanë udhëzimet të vecanta për masat e sigurisë në zbatimin e këtij operacioni specifik. Ndërsa Komandant Ermali i kërkoi zbatimin rigoroz të masave të sigurisë në anije, pasi dhe shumica e pjesmarrësve në operacion imbarkoheshin për herë të parë në bordin e saj. Plus kësaj në anije kishte materiale që do ta shkulnin nga rrënjët iriqin e detit. Mbasi u siguruan se gjithëshka ishte në rregull, komandant Ermali urdhëroi nisjen e anijes. Menjëherë ekuipazhi zbatoi detyrat funksionale dhe “Butrinti” u c’bregëzua qetësisht nga baza e Pashalimanit. Ishte një ditë e qetë dhe anija, mbasi la fenerin hyrës të bazës cau me shpejtësi drejt rajonit të caktuar. Ndërkohë miqtë e shumtë ushtarakë në anije sodisnin pamjen që të afronte në të majtë gadishulli i Karaburunit dhe bukuritë e gjirit të Raguzës, Shën Vasilit, Shënjanit dhe përballë ishulli ynë i Sazanit. N/oficerët e Policisë Ushtarake Arjan Allmuca dhe Primo Gjuraj, pjesë e operacionit, sodisnin me kërshëri këtë kombinim magjepës det-tokë të natyrës. Kemi kryer me qindra detyra në tokë, herë e parë që i bashkohemi një operacionin në det, ndaj e quajmë veten me fat që jemi këtu sot, thonë ata. Po ndërsa “Butrinti” po i afrohej ishullit, komandat dhe thirjet në Urën e Komandimit shtoheshin nga minuta në minutë. Meraku ishte i madh, sepse lajmërimi i subjekteve ishte bërë një ditë më parë, ndërsa në gjirin e Japrakut po lëvizte një skaf, me sa duket s’dintë gjë. Por në ndjekje të tij u vu skafi i “Butrintit”. Tashmë thuajse gjithë ekuipazhi i anijes di ta drejtojë këtë skaf, dhe me sa pashë këtë punë ata e bënin me qef. Kështu skafi i “Butrintit” dhe skafi i zhytësave tanë, mbasi bënë verifikimin, kontrollin dhe pastrimin e rajonit nga këto mjete filluan transportin e personave dhe materialeve në vendin ku “iriqi” i detit kishte bërë fole.
Nga praktika mësimore në operacion real
Kështu i qëlloi 16 djemve të kursit të I-rë për asgjësimin e municioneve me eksplozivë. Por ndërsa ata në tokë kishin bërë dhjetra shpërthime, këtu në det situata është më komplekse, me plot të papritura e vështirësi. Natyrisht për këtë ata u instruktuan nga specialisti ynë Kap.Lt.Lace Hila, por dhe grupi ynë i zhytësave pjesmarrës në kurs, Kapter H. Velaj, N/tetar L.Beqaraj, N/tetar F. Sina, L.Jaupi e A.Bani. Duhesh kombinuar aftësia e zhytjes me kujdesin e vendosjes së ekspolizëve. Të parët që shkuan në vendin e caktuar ishin N/kolonel Arif Curaj, major Shkëlqim Cela dhe instruktorët e kursit, kapiten Klodiani, Vladimiri, Artani dhe kapter Xhovalini. Ata ngritën një Vendkomandë provizore në breg për asgjesimin e “iriqit”, afër një kabël larg. Më pas veterani i zhytësave kapter Sazan Pashollari dhe lejtnant Geisi Ago me skafin e tij transportoi djemtë e tjerë që u zhytën në thellësi dhe me kujdes vendosën materialin shpërthyes. Të gjithë vepronin me kujdes e maturi duke zbatuar instruksionet përkatëse. Vërtet “iriqi” ishte në thellësi disa djujm, por vendosja e materialit shpërthyes, identifikimi i kokës së silurës në fundit e detit, i hëngri kohë mjeshtrave tanë. “Iriqi” kishte mbi 70 vjet atje dhe ishte bërë një trup me shkëmbinjtë, llumin dhe bimësinë nënujore. Meraku ishte i madh, të gjithë i kishim drejtuar sytë tek vendi i “iriqit”. Pultin e shpërthimit e mbante Komandanti i kursit EOD, major Shkëqim Cela. Vetëm mbasi u siguruan 100% se rajoni ishte i pastër, gjërat ishin në vendin e duhur, njerzit kishin zenë distancën e caktuar dhe skafi i “Butrintit” kishte siguruar rajonin nga Kepi i Jugut në Gjirin e Shënkollit, atëherë “Butrinti” me kujdes doli në vendin e drejtimit të operacionit. Sekondat në këto raste janë makth. Do shpërthejë?! do asgjesohet “iriqi”, apo jo?! Por, në sytë e major Shkëlqimit shihja siguri. E pashë që qetësisht shtypi pultin dhe afër një milje para nesh u dëgjua shpërthimi dhe më pas shtëllynga e tymit në formë kërpudhe që ju mbivendos shpatit të kepit të Kalamit. Një britmë gëzimi shoqëroi shpërthimin nga djemtë me uniforma të ndryshme që qarkonin kuvertën e anijes “Butrinti”. Ju bashkova dhe unë gëzimit të ligjshëm të këtyre djemve. Njëherësh u ndjeva krenar si ishushtarak. Kemi dhe djem që ja bëjnë bam?- thashë me vete. Krijova besim në vetvete për këta djem që i ndoqa hap pas hap në gjithë dinamikën e këtij operacioni të vështirë. Ndjeva keqardhje për zërat keqdashës e dyshues të disa njerzve për aftësitë e djemve tanë, por nga ana tjetër duhen parë mundësitë e trajtimit rigoroz të tyre. Ndërsa uniformat tre llojëshe po gëzonin përfundimin me sukses të operacionit, trageti “Europianseaways” na përshëndeti me sirenë nga Mezokanali, pak më tutje një velierë përshkoi qetësisht gjirin e Japrakut duke shprehur mirënjohje për këtë veprim tonin. Ajo e sigurt mori drejtimin për në portin e Vlorës. Mbas këtij operacioni të sukseshëm, ushtarakët pjesmarrës me shpejtësi mblodhën materialet dhe u bënë gati për t’u rikthyer në bazën e Pashalimanit. Tashmë në anije kishin lindur miqësi të reja, sepse në mëngjes ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, por në kthim degjoje biseda me zë të lartë, foto të përbashkëta, urime, shkëmbim telefonash. Kishte shumë sinqeritet e thjeshtësi midis këtyre djemve. Nuk kishte kuptim tjetër, ishte një miqësi e pagëzuar në një operacion real, në një beteje të vërtetë me “iriqët” e detit. Kemi djem të përgatitur, mjaft kapitenë e togerë, thotë një nënoficer i vjetër i EOD. Epo duhen tu hapet rruga, ja pret tjetri. Koha iku shpejt gjatë kthimit dhe në cerekun e orës anija “Butrinti” u bregëzua qetësisht në molin e Pashalimanit. Ushtarakët u kujdesën që baza materiale përsëri të cohej me masa sigurie në vendin e caktuar. Ata u përshëndetën përzëmërsisht me njëri-tjetrin dhe morën drejtimin e vendndodhjes së tyre. Kishin shënuar një ditë të vecantë në kalendarin e tyre dhe dukeshin të freskët, pa asnjë shënjë lodhje. Por “Butrintin” e priste lundrimi i radhës. Ajo po atë ditë do zvëndësonte “Orikun” në kordinatat e caktuara për të siguruar pushuesit e këtij sezoni.
Shtatë ditë më pas…
Operacioni i zhvilluar nga uniformat tona trengjyrëshe i shërbeu direkt forcimit të sigurisë në ujërat tona territoriale. I shërbeu gjithashtu komunitetit dhe turizmit në rajonin Vlorë-Sazan. Tani mjetet turistike të cdo lloji s’do keni frikë nga këta “iriqë” të rrezikshëm, sepse atyre ja tregojnë vendin djemtë tanë me uniformë. Këto veprime janë në përputhje me detyrën e misionin që kanë Forcat tona të Armatosura, por njëherësh dhe në të njëjtën valë me vendimet e qeverisë për zhvillimin e turizmit në këtë rajon. Tashmë opinioni duhet të dijë se nuk ka më as luftë frontale, as luftë partizane në det, por ka operacione që i shërbejnë paqes e sigurisë së vendit dhe rajonit…Shtatë ditë më pas “Butrinti” coi në Sazan 119 turistë të huaj e shqiptarë, duke celur dhe sezonin turistik në këtë ishull. Lundrimi për në ishull mbas shkuljes së “iriqëve” ishte i sigurt dhe normal. Dhe këtë siguri për hapjen e siparit turistik dhe promovimin e turizmit në Sazan e krijuan këta djem që ditë e natë patrullojnë ujërat tona. Jo vetëm këtu por në cdo cep të bregdetit ata janë të pranishëm me moton, prezencë, gatishmëri dhe kontroll të hapësirës sonë detare. Detyra të tilla detarët tanë kryejnë vazhdimisht, ata dinë cfarë bëjnë, duke marrë në sy rrezikun. Ata janë prologu dhe epilogu i turizmit në vendin tonë. Dhe në Ligjin për “Rojen Bregdetare”, Neni 5, pika g, thuhet se Roja Bregdetare ushtron kontroll në zbatimin e legjislacionit për lundrimin turistik, ndërkohë që ka ndihmuar e shpëtuar dhjetra veliera e jahte turistike. Mjaft njerëz fshihen e lavdërohen nga puna e djemve tanë të Rojes Bregdetare. Nuk e di, a është shkruar nonjë rresht për rolin e Rojes Bregdetare në “Ligjin e ri të Turizmit”, të miratuar këto ditë nga Kuvendi Popullor. Gjithsesi nga ai pozicioni im në kuvertën e urës së Komandimit të anijes “Butrinti” i uroj djemve të detit fat e mbarësi në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.

Sazan, korrik 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: Iriqi, Sazan, Shefqet Kercelli

A ishte Enver Hoxha ateist ?

July 30, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/*

Në vazhdim të analizës së një enigme te madhe se ai ishte PPSH-ja ateiste , apo A ishte vet Enver Hoxha ateist, cdo studjuesi i del përpara një mal informatashdhe dezinformatsh ; të cilat mvarësisht nga ai ( studiusi ) mundet studimi të merr kahje. Një logjikë e shëndoshë na meson që nuk duhen më shumë se dy fakte të sakta ( burime arkivore) që të nxjerrish një përfundim të shëndetshëm .

(Ateist – Që mohon qenjen e çfarëdo perëndie, që është kundër çdo besimi fetar; që ka të bëjë me ateizmin, që mbështetet tek ateizmi; që i shërben luftës kundër fesë. Botkuptim ateist. Bindje ateiste.)
Me kalimin e kohës, duke i lexuar veprat e tij dhe duke e pasur parasyshë se kush ia ka përgaditur atëherë konkludimi është i qartë : Ateizmi hoxhian e kishte një qëllim ! Të mirë apo të keq për shqiptarinë – do të mundohem ta elaboroj në shkrimet në vazhdim.
Ismail kadare ,ne librin e tij”Mosmarrëveshja” (botimi i tretë , faqe211) shkruan : “ ( Në kohën që po shkruheshin këto rradhë , në shtypin shqiptar u botuan dokumente të fshehta mbi raportet Shqipëri- BS në njerin prej të cilëve Stalini e porosiste Enver Hoxhën për forcimin e myslimanizmit në udhëheqje, porosi gjithsesi e habitshme e bërë nga një ish nxënes i një manastiri ortodoks)
Me Enver Hoxhën ,kesaj rradhe mbetemi këty , për të vazhduar herave tjera. 
Por ajo që të bën të dyshosh( pëkundër simpatisë së dikurshem për te) është se si dhe pse ata më të afërmit e shkrimeve të tij , më të besuarit e tij , pas rënjes së komunizmit në Shqipëri e vazhduan porosinë e dikurshme të Stalinit që të rritet përforcimi i muslimanizmi në popullin shqiptar.
. “Përballjet me Islamofobinë” (2006) është libri i Abdi Baletës. dmth, një kundërshtim i madh me thenjët që neve na kanë mbajtur pezëll me vite tëra që Shqipëria ishte ateiste.
Pas shkatërrimit të “ateizmit” në Shqipëri : “ Në vijim të dokumentit të agjentëve amerikanë thuhet se, “disa nga aleatët e NATO-s nuk i kanë kushtuar asnjë vëmendje nevojave të Shqipërisë për sigurinë dhe Tirana ka kërcënuar për t’u kthyer për ndihmë te bota islamike,…………… Turqia, vendi i vetëm islamik në NATO, ka furnizuar në mënyrë periodike me instruktorë njësitë shqiptare dhe po edukon disa oficerë shqiptarë në akademinë e saj ushtarake; Malajzia së fundmi pranoi të trajnojë disa oficerë shqiptarë”, thuhet në dokument, ku një pjesë e tekstit mbetet ende e mbuluar nga sekreti, pikërisht në pjesën ku renditen disa emra shtetesh. /Shekulli/”

“Përballjet me Islamofobinë” quhet libri më i ri, një libër madhështor, shkruar, siç e ka zanat, me mjeshtëri të veçantë, nga z.Abdi Baleta. Kush është Abdi Baleta? Abdi Baleta, lindur në fshatin Gur i Bardh të Matit në vitin 1941, ka studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare në Moskë dhe është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1964. Deri në vitin në vitin 1983 ka shërbyer në diplomacinë e shtetit shqiptar si punonjës e drejtor në Ministrinë e Jashtme dhe ambasador e përfaqësues i Shqipërisë në OKB, në New York, SH.B.A. Ka kryer detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Pogradec (1983-1987) dhe të pedagogut të së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë (1987-1995). 
Në vitet 1991-1996 është zgjedhur deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (M.Y_

Pse Abdi Baleta në mbrojtje të islamofilisë ?

“Të reagosh ndaj së keqës është obligim, sepse, përndryshe, bëhemi fajtor për ngadhnjimin e saj. Nuk mund të jesh intelektual, thoshte Jean Pual Sartre, po qe se nuk posedon, përveç dijes, edhe guximin. Dijen e guximin, dyshim s’ka, Abdi Baleta të thella i ka… Të lumtë o baca Abdi që përballesh me këtë islamofobi…! Të lumtë o baca Abdi që përballesh aq mirë duke përhapë dritë aty ku errësirë…! ( shkruan nje fanatik fetar i Gjakovës )”

Pra, a me të vërtetë islamofil apo ateist , Enver Hoxha? Mbetet për tu vazhduar studimi .
Mirëpo a mos ishin bashkëpunëtorët ata që e “ tradhtuan” ?
“Pikërisht në këtë klimë, na vjen në Shkodër Abdi Baleta, duke shpalosur strategjinë e tij revanshiste me metodat më absurde dhe më primitive. Baleta, u bie sirenave të alarmit, për të rrokur armët në luftë për bashkimin e trojeve shqiptare me të gjithë llojet e armëve, madje edhe me kamikazë! (Shih “Studio e hapur”, dhënë në “Shkodra TV1”, gusht 2003). Në këtë emision, Baleta i “armatosur” me veprat e Enver Hoxhës lëshoi kushtrimin kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Europës Perëndimore dhe të gjithë fqinjëve ballkanas. Ndër deklaratat e tij (të papërgjegjshme), do të citonte Stalinin dhe Enverin. Ai shprehej se “Të gjitha shtetet e lartpërmendura na japin helmin, dikush me doza të mëdha, dikush me doza të vogla”. Sipas Baletës, Amerika na paska sulmuar padrejtësisht Irakun dhe se paska ndërhyrë në punët e brendshme të Sadam Hysenit.” (gazeta “Shqipëria Etnike”)


 Baleta: …… paraardhësit tanë e patën fat historik të jetonin 500 vjet nën “turkun”, fillimisht si të krishterë, pastaj shumica si myslimanë. Është e vërtetë se edhe gjaku është trazuar dhe kjo është një gjë që nuk zhbëhet. Do apo s’do, ai që sot është e njihet për komb shqiptar nuk përbëhet më vetëm nga ato që shkuan të jetonin me ujkun, por në shumicë dërmuese nga ata që bashkëjetuan me turkun në një Perandori.
Baleta: Në librin e Nexhat Ibrahimit (f. 228) është cituar pohimi i studiuesit serb Vladislav Shariq: “Kalimi në fenë Islame ka qenë tolerant në pikëpamje fetare dhe rrallë janë detyruar të krishterët të kthejnë në fenë islame. Të krishterët e kanë ndërruar fenë vullnetarisht. Me forcë janë islamizuar fëmijët e krishterë të marrë jeniçerë”. Përse vallë, ……, janë më të interesuar se një studiues serb, të b ëjnë të besueshme se të krishterët shqiptarë janë muslimanizuar me forcë?! Vetëm se duan t’i shërbejnë katolikocentrizmit për “vetë përcaktim të ri të shqiptarëve” (sikurse e ka pagëzuar këtë lëvizje për prozelitizëm Dom Lush Gjergji). E vlen të përmend edhe një herë se Arso Milatoviç, ish-diplomat jugosllav në Tiranë në vitin 1950, më 26 prill 1988 në “Borba” të Beogradit, ka botuar artikullin “A i njohim shqiptarët”, ku ndër të tjera ka theksuar: “Me dëshirën që të çlirohen nga pushteti i fqinjëve sllavë, shqiptarët pranuan Islamin”. 
Arso Milatoviç, urrejtjen për shqiptarët muslimanë nuk e ka patur të vogël, – e thotBaleta 
Duhet kohë që të kuptojmë të vërtetën e Enver Hoxhës !


*( Pjesa e dytë)
Fahri Xharra,30.07.15 Gjakovë


Filed Under: Analiza Tagged With: “ATEIST”?!, Enver Hoxha, Fahri

Teqeja shqiptare në Asprogjia-Larisë të Greqisë

July 30, 2015 by dgreca

Babai i fundit vdiq më 1973, ndërsa deri në 2005 ka jetuar Nazmia e cila kujdesej sa mundej për këtë Teqe të braktisur në të cilën nga funksionimi i saj shërbyen për besimtarët 33 Baba
Nga Arben LLALLA/
Greqia me anë të Ligjit të Luftës me Shqipërinë nuk mban të bllokuara vetëm pronat e individëve të kombësisë shqiptare, por edhe të bashkësisë fetare myslimane, në veçanti të asaj bektashiane. Me anëtarësimin në BE të Greqisë në vitin 1981, ajo rrënojë varrezat e myslimanëve shqiptar në Selanik në vitin 1983, dhe ndaloj çdo riparim të xhamive dhe Teqeve. Pra, një anëtarët i Bashkimit Evropian në vend që të kujdesej për këto vende si pjesë historike dhe trashëgimi kulturore, Greqia i shkatërrojë ose i la në harresë duke mos treguar asnjë interesim. Ndoshta është i vetmi vend i BE që shkel çdo të drejtë njerëzore, të pronës private duke ua grabitur qytetarëve joshtetas të Greqisë si dhe bashkësive fetare jo ortodokse.
Një rast kaq flagrantë është edhe ai i Teqes Bektashiane që ndodhet në Asprogjia të Farsalon që i përket Komunës së Polidhamanda në Prefekturën e Larisës, dhe quhet Teqe Ireni ose Teqeja Asprogjia. Në këtë zonë dikur ka patur tre Teqe: 1.-Asprogjia-Ireni, 2.-Zoodhohos Pigjia, 3.-Dhilofos. Teqja e Asprogjia-Ireni mendohet se është ndërtuar më 1770 dhe i përket sektit Mevlevi. Në vitin 1888 në këtë Teqe thuhet se ka patur 55 dervishë.
Për Teqen e Asprogjias kanë shkruar William Martin-Leake i cili e përmend atë në Nëntor të 1805. Andrea Karkavica shkruan se kjo Teqe është ndërtuar mbi themelet e një Manastiri Katolik të cilin e kishin braktisur më 1640. Teqeja u ndërtuan nga një shqiptar i quajtur Durbali Baba Shehu, Teqe ka dy Tyrbe dhe varret e dervishëve rreth tyre.
Më 1914 e vizitojë Teqen, arkeologu dhe historiani Frederick Hasluck i cili i ka kushtuar një kapitull të tërë në librin e tij.
Thuhet se pas vitit 1925 në Teqen gjetën strehim shumë përkrahës të Fan Nolit të cilët e braktisë Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut.
Në vitet 1930, në Teqen kanë shërbyer 6 dervish dhe 20 punonjës të tjerë që udhëhiqeshin nga Baba Qazimi, të gjithë ishin me kombësi shqiptare.
Për shkak të ligjit të Luftës me Shqipërinë, Greqia sekuestrojë pronat e Teqes duke e lenë atë pronë në shkatërrim. Më 1960 Baba Seiti protestoj kundër sekuestrimit të rreth 13.000 dylym nga ana e shtetit grek. Më 1973 Baba Seiti vdes dhe Teqeja mbeti pa asnjë kujdestar. Që nga fillimi i funksionimit të saj në këtë Teqe shërbyen 33 Baba.
Në vitin 2004, çështja e Teqes shkoi për tu diskutuar nga deputeti i Lidhjes së Majtë, Fotis Kuvelis në Kuvendin e Greqisë, u bë zhurmë e madhe atë periudhë sepse kishte zëra që kjo Teqe duhet ruajtur, kujdesur dhe jo e lënë në mëshirë të fatit. Por ministri i kulturës i Demokracisë së Re, Petros Tatulis u përgjigj se kjo Teqe është pronë e shtetit shqiptar e sekuestruar nga shteti grek në bazë të Ligjit të Luftës dhe ligji ndalon çdo ndërhyrje riparimi të saj.
Viteve të fundit shumë studiues dhe arkeologë grek kanë shkruar shkrime pro ruajtjes së Teqes, ku vlen të përmendim Vairaklotis Laqis, Panajoti Çakumis, Suzana Hulia, Vasso Noula-Karpeti, Taqi Kabili, në gazetën “Kathimerini” të datës 28.9.2008, shkruante për Teqen dhe se në qytezë jetonte edhe një grua e quajtur Nazmie e cila i përkiste sektit beshtashian dhe kujdesej sa mundej për Teqen.
Si do që të jetë historia dhe e vërteta e kësaj Teqe, ajo duhet tu kthehet pronarëve për tu kujdesur nga shkatërrimi i saj të cilët janë Bashkësia Bektashiane e cila e ka qendrën Botërore në Tiranë.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, shqiptare në Asprogjia-Larisë, te Greqise, TEQEJA

“Loja e mëkatit” i shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj sot pranë lexuesit

July 30, 2015 by dgreca

Nga Mujo Buçpapa/
Në këto ditë të nxehta vere, Shtëpia Botuese Nacional i dhuroi lexuesit botimin më të ri të romancieres Vilhleme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”, romanin “Loja e mëkatit”.
Romani që në kopertinë të intrigon me titullin “Loja e mëkatit”, si dhe me ilustrimin e tij. Dy duar drejt qiellit që luten dhe duket sikur i kërkojnë universit dritën hyjnore, atë dritë që shpirtrat e munduar e të zhgënjyer tashmë e kanë humbur. Ndaj prej tyre rrezatohet një energji shpirtërore apo trupore e molepsur, e cila kërkon të gjejë strehë në atë kozmike. Ndoshta vetëm aty nuk arrin padrejtësia shoqërore që e çon të dobtin drejt drejt mëkatit…apo të aftin të virtytshmin e bën fajtor pa qenë i tillë… Autorja Haxhiraj sot po i dhuron lexuesit romanin “Loja e Mëkatit”, një libër me shumë drama, ku lufta mes së mirës dhe së keqes, mes dritës dhe errësirës, mes reales dhe ireales është e pranishme në faqet e librit. Kush ka fatin ta lexojë do të shohë të vërtetën, realitetin e hidhur, ferrin dhe parajsën që jetojmë brenda dhe jashtë kufijve. Në fund të librit lexuei i dëshpëruar i drejtohet ndërgjegjes: a ekziston drejtësia vallë?”
Për të parë dritën e botimit ky libër me vlera, është dashur punë, mund, djersë si dhe puna e një ekipi të tërë , për t[ cilët autorja shprehet:

Nderim dhe mirënjohje
I nderuar lexues!

Këtë roman ua kushtoj dy fëmijëve të mi të mrekullueshëm, me bashkëshortët dhe
fëmijët e tyre, për të cilët , unë dhe im shoq jemi krenarë dhe mirënjohës si asnjë prind tjetër!

Ndërgjegja e pastër është jastëk i një gjumi të qetë. Në një vetëdije të hapur mendimet kristalizohen dhe marrin jetë.
Mendimet e lira ngelen pa vlerë, mbeten shterpë dhe shndërrohen në asgjë nëse nuk shprehen, pasi nuk i shërbejnë askujt.
Që këto mendime të marrin krahë e të transmetohen sa më të përsosura tek lexuesi, duhej ndihma e dy miqve të mi Dr. Fatmir Terziu që është redaktor e analist i disa titujve të krijimtarisë sime, si dhe z:Vladimir Muça shkrimtar, studiues dhe kritik, të cilëve iu shpreh nderimin dhe mirënjohjen time të thellë për punën e tyre profesionale, si dhe për vlerësimin!
Shpreh falenderimet e mia për disenjatorin Jorgo Saqellari!
Mirënjohje për punën e Europrint , të znj. Blerina Ndreu si dhe Shtëpinë Botuese Nacional!
Mirënjohje të veçantë për lexuesit e mi të panumërt që për mua janë kritika më e spikatur!
Me konsideratë! Autorja

Në kopertinën pas japin mendimet e tyre dy kritikë: Dr.Fatmir Terziu dhe Vladimir Muça

*“ …“Loja e Mëkatit” i Mjeshtres së Madhe Vranari, një roman modern me stilin e Xhejms Xhois, nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë-vdekje, liri-bunkerizim…, duke sfumuar në këtë gjysëmterr fate njerëzish, madje edhe të një foshnjeje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Narrativi i strukturuar bukur e thjesht, në një formë sa të kapshme e po aq të pastër dhe të pasur në gjuhë e lexim…, pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten debat i kudogjendshëm. Vranari, vazhdon të provojë me punë dhe me talent se është femra shkrimtare më prodhimtare, cilësore dhe më e ndjeshme e problematikave shqiptare në dekadat e fundit…”
      Dr.FatmirTerziu- Londër
kritik, studiues, poet,shkrimtar, kineast, botues dhe publicist i shquar.

    **   Me romanin” Loja e mëkatit” të shkrimtares Vilhelme Haxhiraj, jam“ngopur”me një sëri refleksionesh të cilat më trazojnë shijet estetike, si në një bahçe ku kultivohet me nikoqirllëk një prozë e vërtetë moderne… Gjatë leximit, burgo-vilat marrin përmasat e“Kështjellës” Kafkiane, por me një ndryshim esencial, se aty gjallon një jetë me lakuriqsinë e saj të pështirë, e cila mbytet në një apokalips shoqëror. Kjo përngjan me atë shkallën e fundit të Ferrit Dantesk, ku Ugolinë surealë shqyejnë mëndjet dhe shpirtërat njerëzor. Autorja me mjeshtërinë e penës i kapërcen kufijët e sureales, duke milituar në një kohë substanciale të re, në gjurmët e lëna nga mjeshtërit e mëdhenj Aragon, Brekart, Borges, Eko, duke stiluar me një koncept të ri në natyralitetin bio-shqiptar një dramacitet linear. Gjithçka zhvillohet si në një teatër të stilit tragjik Shekspirian, me çështjet e diskutueshme që mbartin e mbarështrojnë një produkt letrar sa moderrn aq dhe autokton. Nga një ngarkesë e tillë estetike, mëkati në romanin “Loja Mëkatit” ka marrë përmasat e universialitetit nga pena mjeshtërore e Vilhelmes si: mëkat moral, shoqëror, ekonomik, ndërshtetëror e institutcional.
Vladimir Muça- shkrimtar-studiues-kritik

Në çdo libër autorja permes një poezie domethënëse duket se bën sentencën e përmbajtjes. Për këtë ka zgjedhur poezinë me titull “Sa do të doja” (Fituese e çmimit internacioanl (Itali-2012)

Sa do të doja

Do të doja një botë
në paqe dhe harmoni.

Pa mllefe,
pa hakmarrje,
pa urrejtje,
pa cinizëm,
pa luftra dhe robëri

Dëshiroja …
që botën
ta kisha në dorë,
t’ia shtrydhja
gjithë ligësitë
që shpirtrat helmojnë,
të shpëtoja jetët
që ajo shkatërron!
Do të pëlqeja…
një botë plot mirësi,
që të mbjellë
mirëkuptim,
tolerancë,
begati,
vëllazërim
dhe dashuri!

Doja të shihja
një botë
pa mashtrim,
pa tragjedi dhe mjerim,
ku njerëzimi
të mos njohë intriga,
as vuajtje,
as zhgënjim.

Doja të shihja
një botë të mbarë.
Pa dhunë,
pa krime,
pa prostitucion
dhe trafik.
Tej e ndanë globit
të mos enden më jetimë.

E dua botën pa tradhti,
e dua…
të jetë e bukur dhe e dëlirë
Vivra

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Loja e mëkatit” i shkrimtares Vilhelme Vrana Haxhiraj, Mujo Bucpapaj, pranë lexuesit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3672
  • 3673
  • 3674
  • 3675
  • 3676
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT