• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUTJE PER NDIHME- BASHKATDHETAR, NDIHMOJE DHE TI LEARTIN 7 VJECAR!

July 29, 2015 by dgreca

Te dashur miq, pershendetje,
Disa miq nga Tirana me kane kontaktuar per te na kerkuar te ndihmojme nje femije 7-vjeçar ne Tirane. Po jua transmetoj kerkesen per ndihme sepse ky rast me ka prekur shume. Informacioni eshte i verifikuar dhe ne shtyp jane shkruar shume artikuj per te.
Learti, 7 vjeç, vuan nga semundja e rralle e kockave prej qelqi. Kjo semundje ben qe perpjasja me e vogel shkakton frakture te eshtrave. Djali s’ka mundur kurre te ngrihet ne kembe, sepse, sa here perpiqej te ecte, i thyheshin kockat. Ketu ne perendim kjo semundje merret persiper me sukses nga mjekesia dhe njerezit arrijne te kene nje jete gati normale. Por ne Shqiperi mjeket nuk e kane marre persiper.
Ai eshte bere disa here operacion ne Selanik, ku mjeket i kane vendosur shufra hekuri per t’i forcuar kockat e kembeve. Tashme muskujt e kembeve kane filluar te formohen. Tani ai ka nevoje per nje proteze te gjunjeve qe lidh shufrat e pjeses se lartme me pjesen e poshtme. Ky operacion premton t’i lejoje femijes qe te ngrihet e, ndoshta, edhe te ece. Ky operacion i fundit kushton 40 mije euro. Familja ka arritur te mbledhe 20 mije euro deri tani. Operacioni duhet te behet ne muajin gusht patjeter, sepse nje kirurg amerikan vjen per operacione te tilla te komplikuara dy here ne vit ne kete klinike.
Deri tani familja ka arritur t’i financoje operacionet fale solidaritetit. Ju ftoj qe te behemi pjese e solidaritetit me kete familje duke dhene nje ndihme, qofte edhe simbolike per kete operacion tjeter.
Ketu poshte keni lidhjen me artikullin e fundit qe eshte botuar per te si dhe linkun nese doni te ndihmoni direkt familjen.
Ditet e ardhshme do te organizojme nje takim ne Lion ku njerezit mund te japin ndihma sipas mundesive.
Ju falenderoj per ndihmen tuaj prapaprakisht,
Rina(Tek Gazeta “Dielli” e solli Aida Dismondy )- Per te dhenat kliko siper fotografise.
http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=305113&NomeCategoria=Sociale&Titolo=40-mije-euro-per-ta-bere-leon-te-ece-vogelushi-apel-per-ndihme&IDCategoria=2750&approval#comments-form

Filed Under: Komunitet Tagged With: kerkon ndihme, Learti

LUTFI HAZIRI PER GAZETEN”DIELLI” NE SHBA: VATRA, NJE NDER FAQET E NDRITURA TE HISTORISE SONE KOMBETARE

July 28, 2015 by dgreca

*Është fakt i pamohueshëm që diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në çështjen kombëtare shqiptare në Ballkan. Vatra është një simbol i veçantë i kësaj pune vetmohuese… /
* Cështja e Gjykatës Speciale ka zënë vend të rëndësishëm në takimin ne Departamentin e Shtetit,por ishte shumë miqësore. Kosova është me fat të madh që ka mbështetje kaq të madhe nga SHBA-të./

KRONIKA
Të Enjten me 23 Korrik, në Shtëpinë e Vatrës ishte për vizitë Kryetari i Komunës së Gjilanit në Republikën e Kosovës, njëkohësisht zv/Kryetar i LDK, z. Lutfi Haziri. Ai u prit nga zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, z. Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës z. Zef Bala dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Z. Lutfi Haziri shoqerohej në këtë vizitë zyrtare nga profesori Faton Bislimi, ligjërues në Universitetin e Albertës në Kanada dhe një nga lobistët e rinjë shqiptaro-ameriakan, si dhe Xhevat Latifi, gazetar nga Gjilani dhe drejtor i Qendrës së Kosovës për Politika Publike.”
Zv/Kryetari i Vatrës z. Bushati pasi i uroi mirëseardhjen mysafirit, i përshkroi zhvillimet e fundit Vatër, foli për fokusimin e saj në çështjen Kombëtare, informoi rreth Kuvendit të fundit të Vatrës, që i zhvilloi punimet në Jacksonville-Florida, informoi rreth shtrirjes së anëtarësisë së Vatrës nëpër shtete të ndryshme të Amerikës dhe në Kanada.Ai foli dhe për qëndrimet e Vatrës ndaj klasës politike të korruptuar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni etj.
Mysafiri Lutfi Haziri, i cili ishte i ftuar në këtë vizitë zyrtare nga “Sister Cities International”, tha se ndjehej i gëzuar dhe i emocionuar që ndodhej në Vatrën historike dhe nuk mund të mos e përfshinte në axhendën e tij Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës.Ai tregoi më pas për axhendën e vizitës së tij në SHBA, takimet në në Minneapolis, Washington, përfshi atë në Departamentin e Shtetit, dhe takimet e tjera.
Anëtari i Këshillit të Vatrës z. Zef Balaj, pasi i uroi mirëseardhjen mysafirit, u përqëndrua tek çështja e debatuar e Gjykatës speciale në Kosovë, trysnia e faktorit ndërkombëtar dhe qëndrimi shqiptar.
Editori i Diellit bëri një përshkrim historik të 103 viteve të Vatrës dhe 106 viteve jetë të Gazetës Dielli.
Në fund të vizitës së tij në VATËR, z. Haziri dha një intervistë për Gazetën “Dielli”.

INTERVISTA
Dielli- Z. Haziri, në axhendën tuaj të vizitës në SHBA, ju kishit parashikuar dhe një takim në Vatër? Cilët ishin motivet e këtij takimi?
Z. Lutfi Haziri: Është fakt i pamohueshëm që diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në çështjen kombëtare shqiptare në Ballkan. Vatra është një simbol i veçantë i kësaj pune vetmohuese. Diaspora jonë në përgjithësi, e kjo në Amerikë në veçanti, kanë shërbyer si shtylla të pamposhtura të ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare në trojet e veta etnike në Ballkan. Prandaj, unë ndihem krenarë që po takohem sot me përfaqësuesit e Vatrës, dhe po njihem për së afërmi me një histori kaq të suksesshme të angazhimit shqiptar në SHBA për kauzën tonë kombëtare. Vatra zë vend ndër faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, besoj unë.
Dielli- Si u ndjetë në Shtëpinë e Vatrës?
Z. Haziri: Si në shtëpinë time, të kombit tim. Është një muze që flet dhe vepron. Pra, jo vetëm një muze që shpërfaqë të kaluarën, por një shtëpi historike që ka vizion dhe përkushtim edhe për të ardhmen. Jam i nderuar për pritjen tuaj bujare, dhe besoj fuqishëm që me angazhim të përbashkët nga të dyja anët e Atlantikut ne do të mund ta çojmë deri në fund misionin e themeltarëve të Vatrës, patriotëve të vërtetë të kombit tonë.
Dielli – Ju ishit të ftuar në SHBA me ftesë zyrtare nga “Sister Cities International” në Minneapolis, ku ishit folësi kryesor. A mund ta informoni lexuesin e Diellit rreth Samitit të atjeshëm dhe rreth kumtesës tuaj? Si u prit ajo? Nga vinin pjesmarrësit?
Z. Haziri: – Po, unë isha ftuar si folësi kryesor për Samitin Botëror të Lidershipit të Rinj, që ishte një nga sesionet kryesore plenare të konferencës në fjalë, nën temën e Ndërlidhjes së Gjeneratave për Paqe. Fjalimi im u fokusua në sfidat dhe barrierat që shpeshëherë nga dalin përpara dhe mënyrën se si duhet t’I kalojmë ato. Si popull, ne kemi përjetuar vuajtje, tmerr, luftëra, dhe përkundër të gjithave, kemi dalur kokëlartë, faqebardhe, dhe me vizion drejt së ardhmës. Historia e kombit tonë është histori e suksesit jo vetëm të mbijetesës por edhe të arritjes. Sot shqiptarët po thyejnë rekorde botërore në shumë fusha. Sot shqiptarët po zhvillohen si komb edhe si shtete. Mirëpo, përkundër suksesit, vështirësitë egzistojnë. Prandaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos dorëzohemi para vështirësive dhe sfidave që na dalin përpara. Ato mund t’i kalojmë me vullnet të mirë, punë të përkushtuar, dhe përpjekje të parreshtur. Nuk ka sfide tejet të madhe, nuk ka vështirësie tejet të rëndë. Është çështje perspektive kjo. Ne duhet të kemi perspektive vizionare drejtë të ardhmes, gjithëmonë duke mos harruar dhe reflektuar në mësimet e së kaluarës. Pra, ky ishte mesazhi i fajlimit tim.
Pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur dhe pas përmbylljes së fjalimit, kemi patur thuajse një gjysëm ore pyetje e përgjigje. Pjesmërrësit vinin nga shumë shtete të SHBA-ve dhe nga e mbare bota, mbi katërqind sosh. Disa ishin studentë, të rinjë, e disa kryetar e kryebashkiakë më përvojë. Pra kishte një audience shumë të mirë dhe me sfond të llojllojshëm.
Dielli- A patët takime të veçanta gjatë qëndrimit atje ?
Z. Haziri: – Po, patëm një takim shumë miqësor me drejtoreshën e konferencës, znj. Aveen Karim, si dhe me zëvendës presidentin e Sister Cities International, z. Adam Kaplan. Biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit dhe involvimin e Gjilanit si anëtar institucional të SCI-së në të ardhmen e afërt. Besoj se në bashkëpunim me SCI, shumë shpejtë ne do të realizojmë një samit rajonal komunash në Gjilan.
Mandej, takuam dhe biseduam për mundësi bashkëpunimi edhe me disa përfaqësues të tjerë të pranishëm në Konference nga shtete të ndryshme të SHBA-ve, si New Mexico, California, si dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Kanadasë në Minneapolis. Të gjitha këto takime kishin për qëllim njohjen me Gjilanin e Kosovën të këtyre miqëve tanë.
Dielli : – Në axhendën tuaj përfshiheshin edhe takime të tjera, kë do të veçonit nga ato takime?
Z. Haziri: -Përveç pjesëmarrjes në konferencën e SCI-së në Minneapolis, unë kam patur një darkë pune me disa investitorë potencialë amerikanë në Wisconsin të cilët kanë shprehur interesimin e tyre të sinqertë për të investuar në një projekt prodhues në Gjilan. Besoj se këta miq shumë shpejtë do të vijnë në Gjilan për të finalizuar një marrëveshje për këtë investim që do të krijonte vende të reja pune dhe do shënonte investimin e parë direkt amerikan në komunën tonë. Pastaj, në Washington DC kam patur takime të ndryshme ndër të cilat do ta veçoja atë me Drejtorin Yazdgeri në Departamentin e Shtetit, drejtuesit e International City Management Association, Ambasadorin Walker, etj. Këtu në New York, takim i veçantë është ky me Vatrën, si dhe disa tjera që kam zhvilluar më zyrtarë të OKB-së, përfaqësues të biznesit nga komuniteti shqiptaro-amerikan këtu, etj.
Dielli- Ndërkohë që ju patët takime edhe në Departamentin e Shtetit.A mund të sillni detaje? Çfarë vendi zuri në këtë takim çështja aq e debatuar e Gjykatës speciale.
Z. Haziri: -Është e kuptueshme që çështja e Gjykatës Speciale ka zënë vend të rëndësishëm në këtë takim që përndryshe ishte shumë miqësor. Kosova është me fat të madh që ka mbështetje kaq të madhe nga SHBA-të. Unë besoj se Kosova nuk do ta rrezikojë këtë miqësi në asnjë mënyrë, dhe se do ta votojë krijimin e Gjykatës Speciale, ashtu që ajo të mos mbetet në duartë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku mandej mund të ndikohet fuqishëm nga Rusia. Drejtori Yazdgeri ka shprehur falëmnderimin e tij për përkushtimin serioz të LDK-së dhe Qeverisë Mustafa në kalimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale përmes Kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, ai ka shprehur edhe gatishmërinë e SHBA-ve për rritje të përkrahjes ndaj Kosovës që edhe këtë sfidë të rradhës ta kaloj faqebardhe. Ju e dini së Kosova ka kaluar me sukses dy sfida pranë Hagës dhe nuk kam dyshim se edhe këtë sfidë, pra Gjykatës Speciale, do ta kalojë më sukses dhe kështu ta përmbyllë njëherë e mirë këtë çështje.
Dielli:- Partia juaj, ku ju jeni nënkryetar, po kritikohet shumë për korrupsion dhe për mosndaljen e hemoragjisë së mërgimit, cila është strategjia për të dalë nga ajo situatë?
Z. Haziri: – Jo, korrupsioni nuk është partiak. Nuk mund të kritikohet partia për këtë. Janë individët që korruptohen. Ne si LDK jemi më së të vendosur që qeverisja të jetë transparente dhe në shërbim të qytetarëve dhe prioriteteve të vendit. Ju rikujtoj se LDK ka marrë timonin e qeverisjes tani e vetëm disa muaj dhe nuk ka as edhe ndonjë indikacion më të voglin për ndonjë formë korruptive të punës. Përkundrazi, Qeveria Mustafa ka filluar të çrrenjosë korrupsionin aty ku e ka hasur dhe kjo dukuri duhet të eliminohet. Ne jemi të përkushtuar për këtë dhe besoj se këtë përkushtim më së miri e vërtetojnë çmimet, përkrahja, dhe bashkëpunimi që na është dhënë e ofruar nga institucionet ndërkomëbtare, veçanërisht nga USAID, si në nivel lokal, në Gjilan, përshembull, sikur në atë qëndror.
Dielli-Së fundi, diçka më shumë për veten tuaj për lexuesit tanë, Cili është Lutfi Haziri?
– Ku keni lindur, ku u shkolluat? Si u përfshitë politikë? ….
Z. Haziri: -Unë jam nga Gjilani. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në Gjilan, kurse studime universitare pranë Universitetit të Prishtinës. Jam involvuar në politikë qysh si i ri, si student fillimisht, dhe jam mishëruar më LDK-në në kohën e Presidentit historik Ibrahim Rugova, pra menjëherë pas themelimit të LDK-së. Gjatë okupimit serb, kam shërbyer edhe në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës në atë kohë për çka dhe jam burgosur nga regjimi serb në vitin 1998. Kurse, pas luftës, në moshën 29 vjeçare mora barren e të qenurit kryetar i Komunës së Gjilanit pas zgjedhjeve të para komunale të fituara nga LDK-ja në vitin 2000, dhe që nga ajo kohë i kam shërbyer qytetarëve të Gjilanit dhe Kosovës në pozita të ndryshme edhe në Qeverinë e Kosovës edhe si Deputet. Përndryshe, jam i martuar dhe baba i katër fëmijëve.
Dielli: Ishte kënaqësi që biseduam !
Z. Haziri:Kënaqësia ishte imja! Faleminderit !
Bisedoi:Dalip Greca

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste per Diellin, Lutfi Haziri

VATRA NDEROI KUJTIMIN E PROF. ARSHI PIPES NE 95 VJETORIN E LINDJES ME NJË KONFERENCË SHKENCORE

July 28, 2015 by dgreca

Të Hënën me 27 Korrik, në ditëlindjen e Prof. Arshi Pipës, Vatra organizoi një Konferencë Shkencore, ku u mbajtën kumtesa mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Arshi Pipës në fushën e studimeve, të letërsisë, të përkthimeve, të publicistikës, të filozifisë, të kritikës letrare etj.
Në krye të sallës, një portret i Prof. Pipës, një karrige-ku ishin vendosë libra të tij dhe një buqetë lulesh, në urim të Ditëlindjes.Përmes ekranit shfaqej Prof. Arshi Pipa gjatë vizitës së tij në Shqipëri, takimi me njerëzit e dashur, motrat, shokët e fëminisë dhe të shkollës, si dhe zëshëm jepeshin kujtimet e tij të rinisë shkollore, studimet në Shkodër dhe Firence, pastaj arrestimi, burgu, arratisja, veprimtaria në SHBA.
Seminarin e ka hapë Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen pjesmarrësve dhe ligjërusëve, tha:”… Mirëse vini në perkujtimin e prof. Arshi Pipës, në ditën e 95 vjetorit të lindjes, që “Vatra” ka organizue për t’a nderue me mirënjohje jo vetëm për kontributin që ai i ka dhanë kulturës shqiptare, por edhe për shërbimin që i ka ba kësaj organizate kombëtare, si përkrahës dhe, për nji periudhë të shkurtër njivjeçare, edhe si kryetar dhe editor i gazetës “Dielli”.
Nga ligjëratat e autorëve kompetentë, të cilët e kanë njoftë profesor Pipën edhe përsonalisht, do të njiheni me shumë aspekte të këtij personaliteti poliedrik të kulturës sonë: poet, shkrimtar eseist, polemist, kritik, filozof, pedagog, botues, studiues i palodhun dhe konseguent në qëndrimet e tij.
Komunizmin e ka pasqyrue dhe e ka quejtë ashtu siç asht, pansllavizëm në shërbim të nji iedologjije të huej kundër interesave të njerëzimit përgjithësisht dhe të kombit shqiptar në mënyrë të veçantë.
Kjo konferencë shkencore do të jetë nji kontribut i vlefshëm për njohjen e Arshi Pipës nga opinioni shqiptar dhe besoj se do të jetë nxitës për studime të ma tejshme të veprës së tij të larmishme.
Dëshiroj të shprehi mirënjohjen zotit Dalip Greca që, bashkë me ligjëruesat, ka koordinue organizimin e këtij përkujtimi dhe kam kënaqsinë t’ia kaloj mikrofonin që t’a moderojë këtë konferencë shkencore.”
Editori i Diellit, Dalip Greca, u shpreh se :-E kemi konceptuar këtë veprimtari shkencore si një festë të Ditëlindjes të Prof. Pipës,- është kjo arsyeja përse e kemi venë këtë karrige në ballë të sallës, ku janë librat e shkruar prej tij dhe një buqetë me lule.Lulet, natyrisht janë aty në vend të urimit.Aty do të ishte Prof. PIPA.
Gjithësesi, tha Editori, për ta nderuar Kujtimin e Prof. Pipës, do t’ju kërkoja që të ngriheni në këmbë dhe të mbajmë një minut Heshtje!
….I përjetshëm Kujtim i Tij!
Më pas editori bëri një koment të shkurtër: Në këtë veprimtari modeste, e para e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA”, që Prof. Arshi PIPA pati nderin ta drejtojë për një kohë të shkurtër, një vit, si dhe drejtoi e editoi Gazetën”Dielli”, studiuesit që kanë marrë përsipër kumtesat, do të sjellin madhështinë e figurës shumëdimensionale të Arshi Pipës, njëri prej princave të letrave shqipe,filozofit, poetit, studiuesit brilant, pedagogut të shkëlqyer,gjuhëtarit, kritikut, studuesit dhe mbledhësit të folklorit, qëndrestarit të paepur të burgjeve komuniste, denocuesit të ferrit komunist përmes Librit të Burgut, politikanit jo konformist etj.
E kanë vlerësuar Prof. Pipën personalitete të shumtë Kombëtar dhe ndërkombëtar.E kanë krahasuar me Nolin dhe Konicën si intelektual, ndërkohë që si antikomunist është krahasuar me Solzhenicinin në Rusi, Gjilasin në ish Jugosllavi, dhe…Prof. Arshi Pipa, i treti, si simbol i antikomunizmit shqiptar.
Por le t’ua lëmë radhën folësve dhe ekranit për të hedhur dritë mbi figurën e madhërishme të Arshi Pipës, tha Editori Greca.
Nga ekrani është shfaqë Prof. Pipa, i cili përmes kujtimeve tregon kohëlindjen(saktëson se ka lindur me 27 Korrik 1920 dhe jo me 23 shkurt- siç shënohej në listat e gjendjes civile Shkodër) tregon për vendlindjen, shkollimin, …flasin shokët e tij të klasës dhe lodrave, flasin motrat e përmalluara, që lotojnë përmes kujtimeve….dhe veprimtaria bëhet emocionuese.
Më pas gazetari Frank Shkreli, Ish Drejtor i Divizonit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, sjell kumtesën e tij, ku hedh dritë mbi personalitetin e Arshi Pipës, të cilin e njohu nga afër.
Duke kombinuar kujtimet e Prof Pipës më kumtuesit, studiuesi Mithat Gashi solli kumtesën për kontributet e Prof Arshi Pipës në Letërsi, Kritikë Letrare, politikë, duke e vënë theksin tek guximi qytetar i intelektualit Arshi pipa. Z. Gashi solli dhe kujtime personale nga takimet me Prof. Pipën.
Elegjinë e Arshi Pipës për shokun e Burgut, bashkëthemeluesin e Vatrës, deputetin, Kristo Kirka,i shuar në Burgun e Burrelit, e përcolli sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.
Kumtesën e studiuesit Anton Çefa,” ARSHI PIPA, INTELEKTUALI, POETI, ATDHETARI IDEALIST, DEMOKRATI ANTIKOMUNIST NE 95 VJETORIN E LINDJES ” e përcolli Editori i Diellit, ndërsa studimin e gazetarit Astrit Lulushi”Montale, Dante dhe Arshi Pipa”, e përcolli gazetari Frank Shkreli.
Me shumë interes u ndoq studiuesi Idriz Lamaj me kumtin e tij rreth ç’burgosjes të “Librit të Burgut”. Tashmë prej kohësh dihet se libri doli nga qelitë e Burrelit në letra cigaresh, të palosura në përmasa të vogla, të fshehura në rrobat që ai ua jepte motrave për t’i larë. Transkriptin e atyre letrave, pati fatin që ta bëjë studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj, ish fqinj i Arshi Pipës.Përpaar se Lamaj të tregonte se si arriti që të bënte transkriptin e letrave, editori u tregoi pjesmarrësve një fotografi-Kartolinë, ku Prof Pipa, i shkruante Idriz Lamajt se ajo fotografi, ishte marrë përpara ish Burgut të Durrësit, ku ai vuajti 4 vite…Ajo shtëpi, atë kohë që Prof. Pipa shkoi dhe e vizitoi, e më pas u fotografua para saj , ishte kthyer në shtëpi banimi për romët, të cilët kur e panë profesorin, u frikën pasi menduan se ai ishte pronari…
Z. Lamaj demonstroi transkripet e letrave origjinalin e “Librit të burgut”. Me interes ishte dhe dëgjimi i një fragmenti bisedash zanore të Shkrimtarit Martin Camaj dhe prof. Arshi Pipës, që Lamaj i kishte sjellë enkas për këtë veprimtari….
Nga ekrani, aktori Juli Nënshati përcolli vargjet”Shemo Hajduti”një ndër perlat e Prof Arshi Pipa, e shkruar në toskërisht, por që më vonë hoqi dorë nga toskërishtja si protestë ndaj standartizimit të gjuhës shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit.
Veprimtaria është mbyllë me pjesë nga dokumentari Kushtuar Prof. Arshi Pipës, i cili endet nëpër Shkodër, sodit Liqenin, Rozafën, dhe mjediset e Shkodrës Loce.
Për këtë Konferencë kishte dërguar studimin e tij nga Australia Fritz Radovani” DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…”. Kjo kumtesë botohet në këtë numër të Diellit në print.
Në mbyllje të veprimtarisë, moderatori Greca tha:Shpresoj që me këtë veprimtari Vatra shleu një pjesë të vogël të borxhit ndaj udhëheqësit të saj dhe Editorit të Diellit, Prof. Arshi Pipa. Shpresoj, shtoi ai, që në një të ardhme jo të largët , Vatra, t’i propozojë Presidentit të Republikës, që Prof. Arshi Pipës t’i akordohet titulli plotësisht i merituar”Nderi i Kombit”.

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, Astrit Lulushi, Fran shkeli, Idriz Lamaj, konference shkencore, Mithat Gashi, Vatra nderoi prof. Arshi Pipa

Maqedonia në udhëkryq!

July 28, 2015 by dgreca

Nga Prof. Dr. Sali Berisha*/
Maqedonia e pas Luftës së Dytë Botërore, shtrihet në një territor dikur me histori sherri, për dominimin e të cilit por më së shumti për zhdukjen e shqiptarëve, në emër të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë së Madhe u bënë dy luftëra ballkanike. Ajo, që në ish-Mbretërinë Jugosllave të para Luftës quhej “Banovina e Vardarit”, u shpall pas luftës nga Josif Bros Tito, si Republikë e Maqedonisë në kuadrin e RF të Jugosllavisë. Tito, gjatë sundimit të tij, bëri gjithçka për të paraqitur para botës si të veçanta dhe te konsoliduara kombin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.
Në fillimin e viteve 1990, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Republika e Maqedonisë arriti, në sajë të urtësisë të presidentit Gligorov dhe mbështetjes ndërkombëtare, të shkëputet paqësisht nga Federata Jugosllave dhe të shpallë me referendum, në shtator të vitit 1991, pavarësinë e saj. Po në këtë vit, ky vend miratoi Kushtetutën, në preambulën e të cilës, Maqedonia shpallej si shteti i maqedonasve.
Shqiptarët ishin promotorë të rëndësishëm të pavarësisë së Maqedonisë. Por, ata bojkotuan referendumin e Pavarësisë, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre të drejta: për barazi etnike; shkollim në gjuhën amtare në të gjitha ciklet e sistemit arsimor; pjesëmarrje proporcionale në të gjitha nivelet në institucionet e vendit, nuk u pranuan nga udhëheqja maqedonase. Po kështu, ato nuk votuan Kushtetutën e Maqedonisë, mbasi ajo shpallte maqedonasit pronarë të shtetit të tyre. Në kundër reagim, në janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni mbajtën referendumin e tyre, për një autonomi territoriale, kulturore.
Shpallja e Maqedonisë si shtet i pavarur u prit me skepticizëm nga Komuniteti ndërkombëtar. Në maj të vitit 1992 kam pritur në Tiranë të ndjerin Lary Igellberger, asokohe Sekretar Shteti në detyrë i SHBA, me të cilin biseda pothuaj gjatë një dite të tërë u përqendrua për zhvillimet në ish-Jugosllavinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën. Në këtë takim Igelberger ndër të tjera më pyeti direkt: se çfarë mendoja unë, a duhet të njihet Maqedonia si shtet i pavarur? Pyetjes së bashkëbiseduesit tim, unë ju përgjigja se: në mendimin tim, Maqedonia duhet të njihet dhe të pranohet si shtet i pavarur. Lary përsëri m’u kthye: mirë, cilat janë argumentet tuaja, pse ajo duhet të njihet? “Mendoj se Maqedonia duhet të njihet dhe të ekzistojë si shtet i pavarur, qoftë dhe si hipotezë pune”, iu përgjigja unë. Duhet të pranojë se, përgjigja ime “qoftë dhe si hipotezë pune” ishte si të thuash sui generis dhe vinte, më së shumti, nga background-i im shkencor dhe jo politik. Në kërkime shkencore je i detyruar të ndërtosh hipoteza, modele pune edhe jopërfundimtare.
Larry, rrudhi pak sytë dhe mu kthye disi i çuditur: si mund të pranohet një shtet i pavarur si hipotezë pune, çfarë nënkuptoni ju me hipotezë pune? Përgjigja ime ishte se: “nënkuptoj, me këtë, krijimin e një shteti të pavarur, mbasi besoj se kjo do mund të parandalojë konfliktin e përgjakshëm në Jugun e Ballkanit, para të cilit ai i veriut do të dukej shumë i vogël”. “Në Maqedoni, për ndarjen e territoreve të saj, disa shtete të rajonit mund të hynin në një luftë të përgjakshme. Ndërsa me një Maqedoni të njohur nga SHBA dhe vende të tjera të mëdha, por edhe të garantuar në një mënyrë apo një tjetër, si shtet i pavarur, konflikti në jugun e Balkanit për ndarjen e territoreve të saja, mund të shmanget. Do eci apo jo ky vend i pavarur, do t’i rezistojë dot kohërave, atë nuk mund ta themi, le të presim dhe të shohim. Rëndësi kapitale, aktualisht, ka shmangia e konfliktit për ndarjen e territoreve të saj, konflikt që do të ndezi Ballkanin si kurrë ndonjëherë”.
Bashkëbiseduesi im kishte kaluar vite të tëra me detyrë në Beograd, ishte njohës i shkëlqyer i ish-Jugosllavisë dhe rajonit, por në atë bisedë të gjatë që pata me të, në Tiranë dhe në Krujë, më tha në një moment se, “mendoja se dija çdo gjë për ish-Jugosllavinë, por gjërat po zhvillohen krejt ndryshe”. E vërteta është se, SHBA e njohën Maqedoninë vetëm në vitin 1994, pra rreth 3 vjet pasi ky vend kishte shpallur pavarësinë. Por, nga ana tjetër, në dhjetor të vitit 1992, me angazhimin e tyre Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi rezolutën e vendosjes së UNRPROFOR-it në Maqedoni, që do të shndërrohej në vitet e mëvonshme në UNPREDEP. Pas miratimit të rezolutës të OKB, SHBA dislokuan, në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë,me mandat të OKB, një batalion paqeruajtës të ushtrisë së tyre, kurse në kufirin me Serbinë u vendos një batalion paqeruajtës nga vendet nordike. Në këtë mënyrë, SHBA u bënë garant dhe mbrojtës i shtetit të pavarur të Maqedonisë, të cilin ende nuk e kishin njohur, duke dhënë kështu një kontribut historik në parandalimin e një konflikti që do mund të përfshinte, së paku, pesë shtete të rajonit.
Hezitime për njohjen e Maqedonisë së pavarur treguan dhe vende të BE-së. Ndonëse Komisioni Badinter rekomandoi njohjen e saj si shteti pavarur, para republikave të tjera, vendet e BE-së njohën të parat Kroacinë dhe Slloveninë dhe, ndofta edhe për shkak të ndikimit të Greqisë, njohën vetëm më vonë Maqedoninë. Kundërshti serioze dhe përpjekje të hapura për pengimin e njohjeve të saja ndërkombëtare, vinin nga Beogradi dhe Athina. Beogradi nuk mund të besonte se Maqedonia (e Vardarit ) e cila, në mendjen e serbëve dhe skicën (nacertonia) e tyre, ishte thjeshtë Serbia e jugut, kurse banorët e saj sllavë ishin serbë, do të dilte nga vatha dhe nuk do të ishte pjesë e Serbisë së Madhe.
Ndërsa Athina, nuk mund të pranonte kurrsesi një shtet të ri me emrin Maqedoni. Në thellësitë e psiqikës greke, emri Maqedoni është ngulur gjerë në nënvetëdije. Me këtë emër njihet Veriu i Greqisë apo Maqedonia e Egjeut. Për Greqinë, një shtet që me këtë emër hynte si pykë midis asaj dhe Serbisë, ishte kërcënim dhe i papranueshëm, pa lëre pastaj më përvetësimin e Aleksandrit, të Maqedonisë dhe simboleve të tij. Në ligjin grek, po të ofendosh Aleksandrin, dënohesh deri 5 vjet burg dhe kjo ka ndodhur, ndërsa po të ofendosh Krishtin, je thjeshtë ateist, nuk ke sanksione ligjore. Greqia, njohu Maqedoninë pas arritjes së marrëveshjes interim, midis saj dhe Maqedonisë në vitin 1995. Kurse Serbia, do të njihte fqinjin e vet të ri, në vitin 1996. Vetëm dy fqinjët e tjerë direkt të saj, Bullgaria dhe Shqipëria, mirëpritën pavarësinë e Maqedonisë: Bullgaria, do të ishte vendi i parë që do njihte shtetin e Maqedonisë, por jo kombin dhe gjuhën e tij, mbasi për këtë vend, sllavët e Maqedonisë ishin bullgarë, kurse gjuha e tyre ishte dialekt i bullgarishtes. Këto kundërshti do të zgjidheshin më vonë bazuar në referencat kushtetuese respektive Shqipëria, do të ishte ndër vendet më të para që e njohën shtetin e pavarur të Maqedonisë pa kushte, përveç barazisë etnike, kushtetuese,ligjore të shqiptarëve dhe do të vendoste me këtë vend marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të gjithanshëm.
Ndërkohë që njohjet ndërkombëtare vazhdonin dhe Maqedonia u pranua dhe anëtare e OKB dhe në organizata të tjera, duhet thënë se pavarësisht nga këto, hartat, intrigat dhe projektet për ndarjen e saj midis fqinjëve qarkulluan deri nga fillimi i vitit 1995. Në këto harta, që kishin për origjinë Athinën dhe Beogradin, Shqipëria shpërblehej me një territor të gjerë të saj, por kërkohej që Serbia të shpërblehej me një territor të gjerë të Kosovës. Vija e ndarjes së Kosovës zbriste pothuaj në Rrafshin e Dukagjinit. Pjesa tjetër e Maqedonisë do i bashkohej Serbisë dhe Bullgarisë. Greqia nuk mbetej pa gjë, por pretendimet e saj territoriale nuk ishin të mëdha. Ajo kishte një objektiv strategjik madhor: kufirin e përbashkët me Serbinë, sipas tyre, kundër harkut islamik Bosfor-Adriatik. Ndaj dhe Maqedonia nuk duhet të ekzistonte. Plotësishti i bindur se, çdo ndarje e re në trevat shqiptare ishte në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, këto propozime merrnin gjithnjë një përgjigje të prerë, negative nga Tirana.Në këtë kuadër dhe për këtë qëllim, Kryeministri i Greqisë mori iniciativën e një takimi trilateral në Athinë, të nivelit më të lartë: Miloshevic-Micotaqis–Zhelev. Ky takim të kujtonte apo evokonte lidhjet e dikurshme ballkanike, që kishin si qëllim kryesor zhdukjen e shqiptarëve dhe ndarjen e territorit të Maqedonisë. Ndaj kësaj nisme, si një lidhje ortodokse ballkanike e re, reagova publikisht por edhe me rrugë diplomatike, duke deklaruar se rajonit nuk i duhen aleanca mbi baza fetare. Takimi dështoi sepse i ndjeri President Zhelev, kundërshtoi ftesën. Ky bullgar i madh, burrë shteti i shquar dhe mik i çmuar i paqes, në një takim që pata më vonë në Sofje, do të më thoshte se: sakrificat e tmerrshme dhe humbjet e mëdha të jetëve që ka patur kombi im, kur është implikuar në luftëra për territore të Maqedonisë, rreshtimi i tij i gabuar, duke besuar se mund t’i marrë ato territore, e bënë atë të mos pranonte kurrë të përfshihej në skenarë ndaj atij vendi.
Përveç këtyre, dua të theksoj se, asokohe për një lloj ndarje tjetër, ishte dhe partia aktuale maqedonase në pushtet VMRODPMN, udhëheqja e të cilës ndjehej krejtësisht bullgare dhe lobonte, fatmirësisht pa sukses, në Sofie për shpërbërjen e Maqedonisë. Përsëri, gjatë periudhës së konfliktit ndëretnik të vitit 2001, në të cilën qeveriste VMRODPMN me kryeministër Lubçe Georgievski, që sot mban pasaportë bullgare, autoritetet maqedonase, nëpërmjet Akademisë së Shkencave, filluan të bënin hartat për ndarjen e territoreve (të banuara nga shqiptarët) të Maqedonisë, por dhe shkëmbim territoresh me Shqipërinë

Maqedonia dhe Albanofobia
Pas shpalljes së pavarësisë, në vitet në vazhdim të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Maqedonia arriti konsolidimin e pozicionit të saj ndërkombëtar, i rezistoi përpjekjeve të Milosheviçit dhe bllokadave të Greqisë për destabilizim.
Por duhet thënë se, që në muajt e parë të jetës së saj, një faktor tjetër pre-ekzistues që ishte kultivuar për gjatë shekullit që kaloi, me potencial destabilizues, madje dhe më të madh se të gjithë faktorët e tjerë, doli fuqishëm në skenën e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Kjo dukuri ishte albanofobia, frika e etnisë maqedonase ndaj shqiptarëve.
Natyrisht, albanofobia nuk është një fenomen specifik i Maqedonisë, ajo ka qënë dhe vazhdon të jetë omniprezente tek fqinjët e tjerë direkt të shqiptarëve në Ballkan. Por, për një seri arsyesh në këtë vend ndofta ka qenë, herë-herë, dhe më e harbuar. Tito, për të garantuar epërsinë e maqedonasve, sundimin e tyre, ndoqi ndaj shqiptarëve në këtë republikë politikën e:
– spastrimit të tyre të qetë, të planifikuar etnik, nëpërmjet emigracionit të organizuar;
– mosshkollimin e tyre, duke menduar se kështu do të dizinteresoheshin për veten dhe të drejtat e tyre;
– asimilimin e qindra dhe mijëra shqiptarëve ortodoksë të Rekës dhe zonave të tjera në këtë vend.
Para pavarësisë së Maqedonisë, terrori ndaj shqiptarëve në këtë vend ishte i njëjtë me atë të Milosheviçit në Kosovë. Aty, historia e shqiptarëve, gjuha shqipe, flamuri, këngët patriotike gjer edhe muret rrethuese të banesave, konsideroheshin armiqësore.
Por, pas shpalljes së pavarësisë dhe sanksionimit me kushtetutë të Maqedonisë si shtet i maqedonasve, albanofobia, si trashëgimi e të shkuarës dhe proces i pandalshëm, do të dëshmohej një gjyle e rëndë në këmbët e këtij shtetit dhe shumë shpejt, do minonte stabilitetin e tij. Kjo dukuri primitive shprehej, në politika të qarta zyrtare, diskriminuese antishqiptare. Banorë të trojeve të tyre shekullore, dhe me identitet të konsoliduar shqiptarët, konsideroheshin nga maqedonasit, një rrezik real, ndaj dhe duheshin shtypur dhe mbajtur si qytetarë të dorës së dytë.
Vendet e Ballkanit jane te pasura ne minoritete nder to Maqedonia, është një vend multietnik. Në të gjitha regjistrimet zyrtare, edhe pas genocideve shfarosëse të luftërave ballkanike ndaj shqiptarëve, edhe pas një spastrimi etnik të gjatë, të heshtur të tyre, siç theksova më sipër, të programuar për dekada të tëra nga Tito dhe me gjithë manipulimet e këtyre regjistrimeve, qytetarët me origjinë maqedonase përbëjnë jo më shumë se 60 – 63% të popullatës në këtë vend. Ndërsa 27-30% e saj janë shqiptarë, të tjerët turq, serbë, bullgarë, romë, etj, etj. Pra, Maqedonia është vend me mazhorancë të vogël dhe minorancë të madhe. Shqiptarët, në këtë republikë, sikundër kudo në Ballkan në tërësi, janë një vazhdimësi etnike e gjeografike dhe jo enklave.
Pavarësisht nga kjo përbërje qartësisht multietnike, autoritetet nacionaliste maqedonase shpallën, muajt e parë të ekzistencës të shtetit të tyre të pavarur në preambulën e Kushtetutës, Maqedoninë si shtet nacional të maqedonasve, pra si shtet të bazuar në parimin etnik. Ata, sanksionuan me kushtetutë, maqedonasit si primarë të shtetit të tyre, ndërsa shqiptarët dhe kombësitë e tjera i shpallën si qytetarë të barabartë në një shtet në të cilin maqedonasit do ishin “më të barabartë se të tjerët”. Ata, krijuan kështu bazën kushtetuese të hegjemonisë së maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe diskriminimit të këtyre të fundit dhe të tjerëve. Kushtetutat kthehen në satra, për ato që u mohojnë qytetarëve. Kjo Kushtetutë, i mohonte shqiptarët si element konstitutiv i shtetit të vendit të tyre të Maqedonisë. Ky përjashtim do të çonte vendin, pashmangmërisht, drejt një konflikti të rrezikshëm ndëretnik.
Pluralizmi dhe Pavarësia e Maqedonisë, nuk sollën zbutjen, zvogëlimin e albanofobisë. Pluralizmi politik në Maqedoni, nisi jetën e tij me sloganet elektorale “vdekje shqiptarëve”, në fushatën zgjedhore të parë pluraliste në këtë vend. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e pavarur përbënin, që në fillim, një shqetësim serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Prandaj dhe SHBA, BE dhe OSBE u angazhuan seriozisht në përmirësimin e standardeve ekzistuese të marrëdhënieve ndëretnike me këtë vend.
Presidenti Klinton ngarkoi për këtë çështje, një nga këshilltarët e tij më të mirë, ambasadorin Bob Froëick; OSBE, ish-Ministrin e Jashtëm të Holandës Hans Van der Shtoel; Bashkimi Europian diplomatin Gert Ahrens. Shqipëria, në këtë aspekt, dha ndihmesën e saj në bashkëpunimin direkt, të ndërsjelltë por dhe ndërkombëtar. Natyrisht, më duhet të them se, megjithë përpjekjet e mëdha dhe arritjet e pamohueshme rezultatet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend, në tërësi, ishin modeste. Shqipëria ishte ndër vendet më të para që njohu Maqedoninë. Në të gjitha bllokadat e saj nga Greqia ne qëndruam në anën e saj, duke paguar dhe kostot absurde të zemërimit helen. Në të gjitha rastet, Tirana ka inkurajuar forcat politike shqiptare të vendit fqinje, të respektojnë institucionet dhe të marrin pjesë në to. Ndonëse përfaqësuesit e shqiptarëve merrnin pjesë në qeveri dhe parlament, në tërësi, kjo ishte thjeshtë pjesëmarrje e udhëheqjes por jo integrim i shqiptarëve në qeverisje, përkundrazi diskriminimi dhe segregacioni vazhdonte të thellohej.
Në takimin tim të parë me Presidentin Gligorov në Pogradec dhe Ohër, në vitin 1992, duke konstatuar problemet madhore që kishte me shkollimin e popullatës shqiptare në Maqedoni, i kërkova atij që të hapej një fakultet mësuesie për shqiptarët në Universitetin e Shkupit. Presidenti Gligorov më premtoi se, vitin tjetër akademik, Fakulteti do të hapet dhe unë e njoftova këtë zotim publikisht, si një arritje të takimit tonë. Por, një vit më vonë, kjo nuk ndodhi. Në takimin tonë pas një viti, përgjigja e Presidentit Gligorov ishte se: ky Fakultet nuk mund të hapet, pasi nuk pranon pala tjetër. Senati dhe Rektori e kundërshtojnë. Pra, pala tjetër, udhëheqja e etnisë maqedonase, kishte frikë, nuk toleronte dhe nuk lejonte shkollimin në gjuhën amtare të etnisë shqiptare. Ajo ishte dakord të dënonte shqiptarët me padije, sepse ata nuk konsideroheshin të barabartë me maqedonasit shtetformues dhe duhet të mbeteshin si qytetarë të dorës së dytë, prandaj dhe si të tillë ata, dhe as mësuesit e tyre, nuk mund të shkollohen në arsimin e lartë, në gjuhën e tyre.
Në këto rrethana, akademikë shqiptarë të Maqedonisë, me inisiativën private, hapën universitetin e Tetovës. Trupa akademike e universiteteve të Prishtinës dhe Tiranës dhanë ndihmesë në këtë Universitet. Përsëri bëmë çdo përpjekje vetë direkt, por dhe me miqtë tanë në Europë dhe SHBA, që autoritetet maqedonase të “legalizonin universitetin” e Tetovës, të njihnin diplomat e tij dhe të parashikohej edhe një buxhet për të. Qëndrimi i autoriteteve maqedonase ishte i prerë, “kjo është e pamundur”. Ata shumë shpejt e shpallën të paligjshëm këtë universitet dhe ndërmorën sulmin, terrorin shtetëror policesk ndaj Universitetit të Tetovës, në të cilin u vra një student, u plagosën shumë të tjerë, u arrestuan drejtuesit e Universitetit,qeveritarët vendorë të Tetovës dhe Gostivarit dhe qindra student,studente dhe qytetarë me origjinë shqiptare. Ndërkohë, forcat e sigurisë, shërbimet sekrete të këtij vendi, inskenonin skenarë dhe terrore shtetërore në zonat me shumicë shqiptare si në Strugë, Ladorisht, Bit Pazar, Shkup, Tetovë, Gostivar, në të cilat u vranë apo u burgosën, torturuan qindra e qindra shqiptarë. Por pasojat e kësaj politike nuk u vonuan. Ishin studentët e Universitetit të Tetovës dhe jo vetëm ata që, me shumicë, vitin e pare të këtij shekulli, do të rroknin armët, do të rreshtoheshin në radhët e UÇK dhe pavarësisht nga disa anatemime fillestare të padrejta të Tiranës zyrtare dhe ndërkombëtarëve, ata, në një luftë guerile tejet eficente, do luftonin për liritë dhe të drejtat e munguara dhe shpejt do të krijonin mirëkuptim dhe mbështetje të gjerë për kauzën e tyre të drejtë.

Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi zemërthyer i saj!
Falë ndërhyrjes energjike dhe përcaktuese të SHBA dhe BE, gatishmërisë së palëve ndërluftuese për dialog, realizmit të Presidentit Trajkovski, konflikti në Maqedoni do të zgjidhej brenda disa muajve. Ky konflikt i rrezikshëm, do të përfundonte me marrëveshjen historike të 13 Gushtit 2001, firmosur në qytetin e Ohrit, nga përfaqësues të lartë të BE, SHBA dhe palëve në konflikt. Marrëveshja e Ohrit, përbën një arritje historike, madhore në përpjekjen e shqiptarëve të Maqedonisë për të drejtat e tyre të munguara. Zbatimi i saj i sinqertë dhe pa komplekse, besoj se do mund të shndërronte, atë dokument dhe anekset e tij, në një marrëveshje paqe të vërtetë për vendin fqinj, do mund të shërbente si bazë solide për një shtet multietnik dhe shoqëri multikulturore në Maqedoni. Kjo marrëveshje, i jepte fund ndëshkimit kushtetues të shqiptarëve si etni jo shtet-formues dhe do të mund të shënonte kalimin e Maqedonisë nga shtet etnik në shtet multietnik në të vertetë post-etnik.
Në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve të saja, në rrafshin institucional, ka progres thelbësor dhe askush nuk mund ta mohojë. Sot, në funksionimin e parlamentit ekzistojnë, po të respektohen, mekanizmat mbrojtëse nga abuziviteti i maqedonasve ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në këtë vend, si mekanizmi Badinter apo “shumica” Badinter. Arritjet në fushën e arsimit, me gjithë diskriminimin që përsëri ekziston, janë qartësisht pozitive dhe realisht të mëdha. Por ky është progres zemërthyer dhe jo i plotë.
Dhe tani, pas kaq vitesh, përsëri nene shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar, ligji për gjuhët nuk shpreh frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Decentralizimi është gjysmak dhe i paralizuar nga nacionalizmi maqedonas dhe unitarizmi i tij kushtetues, diskriminim i thellë konstatohet në alokimin e fondeve për kulturën dhe arsimin, dhe më e keqja është se diskutimet për zbatimin e tyre bëhen si midis palëve ndërluftuese dhe jo palëve që shikojnë në marrëveshje, dokumentin e bashkëjetesës së tyre në paqe dhe stabilitet. Vështirësi serioze nxirren për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nga autoritetet maqedonase. Kjo ka ringjallur mosbesim për vlerën e saj. Nga disa kërkohet tejkalim i kësaj marrëveshje me dokumente të reja.
Kështu, në zbatim të marrëveshjes, janë mijëra e mijëra shqiptarë që janë emëruar në detyra të ndryshme por, diku për mungesë “strehimi”, diku për mungesë “zyrash”, ata paguhen 70% të rrogës dhe nuk dalin në punë ndërkohë që, për shkak të mungesës së tyre në punë, emërohen në ato detyra maqedonas.
Çdo vit miratohen në buxhet investime në projekte jetike për Maqedoninë Perëndimore, e banuar kryesisht nga shqiptarë, ndërkohë që ky është thjesht një miratim formal, sepse asnjë investim i qenësishëm, nuk është bërë këto 20 vjet në Maqedoninë Perëndimore. Investimet kanë vërshuar të gjitha drejt Maqedonisë Lindore dhe kryesisht në projektin grandoman “Shkup 2014”, projekt që synon maqedonizimin me çdo kusht të qytetit, kryeqendër e dikurshme e shqiptarëve dhe, de facto, ndarjen e tij në pjesën moderne maqedonase, të lavdisë së Aleksandrit që kurrë nuk e ka patur, të ndërtuar edhe me taksat e shqiptarëve dhe, në atë të prapambetur, të banuar kryesisht nga shqiptarë.
Në vizitën time të fundit në Maqedoni, në vitin 2013, u ktheva në Shqipëri me ndjenjën dhe përshtypjen sikur kisha vizituar jo një, por dy vende të ndara dhe aspak miqësore njëra me tjetrën, përshtypje të cilën nuk e pata në vizitën para saj. Por, nga ajo kohë, është kaluar në një seri aktesh albanofobie të rrezikshme në të cilat rol kryesor kanë patur në tërësi, autoritetet zyrtare të Maqedonisë. Kështu rasti i Sopotit, vrasjes së pesëfishtë të dënuar me ashpërsi nga të gjitha forcat politike shqiptare kudo që janë, shndërrohet në një mollë të vërtetë sherri. Kjo, për shkak të procesit krejtësisht jo transparent të trajtimit të këtij akti të rëndë kriminal. Autoritetet maqedonase e shpallën atë, fillimisht, një akt të terrorizmit islamik, që nuk ishte absolutisht i tillë. Pra, përdorën besimin fetar për të goditur etninë shqiptare. Në takimin tim të radhës pyeta Kryeministrin Gruevski se:përse ata vrapuan ta quanin atë një akt terrorist islamik?. Ai më dha përgjigje absurde se, sipas tij: ta quanin ndëretnik, ishte më e rëndë, ndërkohë që në mes qëndronin grindje për çështje civile kontraktuale. Në maj të këtij viti doli se në një bisedë telefonike të regjistruar ish Ministrja e Brendshme e Maqedonisë Jankullovska thotë se ata i dënuam pa prova.
Vetëm tre vjet më parë, në kundër përgjigje të vizitës dhe nderimit ceremonial me vendosjen e një kurore të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, shqiptarë me origjinë, në varrezën e luftëtarëve të UÇK, sakrifica e të cilëve qëndron në themelin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Gruevski, jo vetëm dënoi publikisht aktin e Ministrit të kabinetit të tij, por me shpejtësi të rrufeshme, dërgoi në parlament ligjin për shpërblim, pensionin e paramilitarëve maqedonas, banditë të vërtetë që, njëlloj si çetnikët serbë, kishin bërë masakër në fshatrat shqiptare. Ky akt zgjoi zemërimin dhe reagimin e shqiptarëve, të cilët e bllokuan ligjin në parlament, nëpërmjet paraqitjes së mijëra e mijëra amendamenteve për të. Në vizitën e fundit në Tiranë, i kërkova kryeministrit Gruevski që, në ligjin në fjalë, të përfshihen edhe luftëtarët e UÇK-së dhe më këtë, bënte një xhest pajtimi dhe mbyllte një kapitull të historisë së vendit të tij. Përgjigja e tij ishte se: kjo nuk mund të bëhet. Kjo do, së paku, 30-40 vjet për t’u bërë. Pra mora një përgjigje të ngjashme me atë që më dha Presidenti Gligorov 21 vjet më parë për Fakultetin e Mësuesisë në gjuhën shqipe në Shkup.
Në fushatën e parë pluraliste zgjedhore në Maqedoni, nacionalistët maqedonas kërkonin votën e qytetarëve të tyre me sloganet: “vdekje shqiptarëve”, “Maqedonia është e maqedonasve”. Sot, 24 vjet më vonë, në fushatën e fundit elektorale, kryeministri i vendit do të lëshonte në një komunë të banuar më së shumti nga shqiptarë thirrjet: “Kërçova është e maqedonasve” ndërkohë që aty,për shkak se shumica e banorëve janë shqiptarë, fitoi kandidati i tyre. Ai, pasi humbi aty, kërkoi falje për sloganet që përdori në fushatë. Këtu, mjerisht, më duhet të them se, në jetën time politike kam takuar vetëm një politikan kryesor të këtij vendi, një ish kryeministër i cili ishte thellësisht i bindur në domosdoshmërinë jetike të marrëdhënieve të mira me shqiptarët dhe që ishte i përkushtuar ndaj tyre.
Sot, edhe 14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, përsëri mund të thuhet, siç provoi ngërçi në zbatimin e saj si dhe rasti i Sopotit dhe ne veçanti i Kumanovës se në Maqedoni baruti i albanofobisë ende nuk është lagur dhe se, ky progres i shënuar në këto vite në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, nuk ka ngushtuar kanionin e frikshëm që ndan shqiptarët dhe maqedonasit në këtë vend. Përkundrazi, ai është sot i thellë, në disa aspekte psikologjike e shpirtërore, ndofta sa ç’ishte në fillimin e viteve ’90.

Maqedonia si laborator i klonimit të nacionalizmave!
Pse ndodh kjo? Cili është shkaku që ndryshimet e mëdha ligjore dhe kushtetuese, progresi i pamohueshëm në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nuk ka ngushtuar hendekun që ndan, në qëndrimet ndaj njëri-tjetrit, dy etnitë kryesore në këtë vend?
Shkaqet mund të jenë të shumta, por mendoj se: Së pari, shkaku më kryesor qëndron në shndërrimin në këto vite, të Maqedonisë nga autoritetet zyrtare maqedonase në laborator të klonimit, farkëtimit dhe kultivimit të nacionalizmave.
Fill pas firmosjes së marrëveshjes së Ohrit, kur erdhi problemi tek formulimi i amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të jetësimit të saj, që i jepnin fund shtetit etnokratik, pala maqedonase u përpoq përsëri, nëpërmjet interpretimit, për një legjislacion minimialist, gjë që kërkoi ndërhyrjen direkte të ndërkombëtarëve në hartimin dhe miratimin e tyre. Në kundërshtim me përcaktimin e marrëveshjes së Ohrit për një shtet post-etnik, d.m.th. që në preambulën e Kushtetutës të mos citohej asnjë etni, udhëheqja maqedonase e refuzoi atë, shkeli marrëveshjen. Maqedonia me ndryshimet kushtetuese në preambulë u përcaktua si shteti i “Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas si dhe popujve që jetojnë në teritorin e saj dhe janë pjesë e popullit shqiptar, turk, vlleh, serb, rom, boshnjak dhe të tjerë”.
Përveç këtyre duhet thënë se ndonëse marrëveshja e Ohrit krijoi njëfrymë besimi dhe klime pozitive të pamohueshme midis palëve, ende pa u tha boja e firmave, përfaqësuesi i shumicës Maqedonase që e kishte firmosur marrëveshjen e Ohrit si kryeministër i vendit, Ljubçe Georgevski, do të parashtronte projektin e organizimit të Maqedonisë në zona të pastra etnike dhe propozojë gjer ndarjen me mure të shqiptarëve nga këto zona, në rast se ata e refuzonin këtë plan. Me kalimin e kohës u bë e qartë se, jo zbatimi i marrëveshjes së Ohrit në gërmë dhe në frymë për një Maqedoni shtet multietnik, multikulturor por, në vend të saj, do të vazhdonim të kishim një Maqedoni laboratori nacionalizmit më të ri dhe më paranojak, siç është nacionalizmi shtetëror maqedonas antik, i cili po rritet si shartës me anët më të zeza të nacionalizmit maqedonas sllave dhe në djepin e tij. Ky nacionalizëm, me shpejtësi po çon marrëdhëniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, në kohërat të vështira, duke privuar kështu nga shpirti apo fryma, dhe efektet pozitive, arritjet e padiskutueshme të marrëveshjes së Ohrit. Autoritetet maqedonase, nga njëra anë pretendojnë, se pajtohen me faktin se Maqedonia është një vend multietnik, së fundi, vet kryeministri Gruevski deklaroi këtë, në një konferencë në Bruksel, kurse nga ana tjetër, ata farkëtojnë, ditën dhe natën, me të gjitha mjetet institucionale nacionalizmin shtetëror maqedonas antik.
Në sheshin qendror të Shkupit në zbatim të Projektit 2014, në këtë qytet i cili 100 vjet më parë ishte kryeqendra e kombit shqiptar mbretërojnë statuja e buste të mbretërve, perandorëve, gjeneralëve, dijetarëve, kryengritësve, luanëve e kuajve druaj më të shumtit në numër se ata të Londrës dhe Parisit, të marra së bashku duke i dhënë një pamje që ai nuk e ka patur as në kulmin e lulëzimit të mbretërisë Dardane si kryeqytet i saj. Në vizitat në pallatet qeveritare të Maqedonisë, nga statujat dhe reliket e sallave dhe korridoreve, të duket sikur hyn në një muzeum arkeologjik, në zyrën kryesore të të cilit të pret Kryeministri apo Presidenti, që besojnë se kryesojnë qeverinë dhe shtetin pasardhës të Aleksandrit.
Krahas këtyre dhe në funksion të këtij nacionalizmi dhe kundër shqiptarëve, autoritetet zyrtare maqedonase me qëllim, angazhohen në një politikë filoserbe e filoruse dhe i lëshojnë, haptas dhe me dashje, terren nacionailzimit serb. Sigurisht, Maqedonia do të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, por është absurde që, në një akt të hapur armiqësor ndaj shqiptarëve në tërësi dhe vecanërisht atyre në Maqedoni, festohet zyrtarisht 100 vjetori i betejës së Kumanovës, betejës së genocidit të egër dhe shfarosjes së shqiptarëve në të cilën, sipas raporteve të Lev Davidovic Trockit, asokohe korrespondent lufte në Shkup dhe raporteve të tjera, Vardari u mbush me koka dhe trupa të shqiptarëve civil të masakruar. Po në këtë kontekst, është edhe vendosja në Shkup e shtatores së Dushanit. Shkupin me Dushanin e lidh vetëm pushtimi i egër i Carit më mizor në historinë e Ballkanit, nga barbaritë e të cilit kombet e gadishullit, përveç shqiptarëve, e humbën përfundimisht identitetin e tyre dhe nuk u zgjuan më ata që ishin. Udhëheqja maqedonase ju fryn pandërprerë borive të nacionalizmit shtetëror maqedonas antike, ndonëse është plotësisht e vetëdijshme se kjo është njëkohësisht nxitje e nacionalizmave të tjera: serbe, bullgare, greke dhe atij shqiptar në këtë republikë.
Mirëpo, ky nacionalizëm, të duket se beson se nacionalizmi bullgar, serb dhe grek, pavarësisht se nga njëra anë vërtetë i kërcënojnë dhe i kërkojnë atij kishën, emrin, gjuhën, identitetin por, nga ana tjetër, të duket sikur ai mendon se pavarësisht nga këto rivendikime i shërbejnë atij për t’u konsoliduar gjithnjë e më fort si i tillë, dhe për të mos thënë se ndonjëherë të krijohet përshtypja se atyre, maqedonasve të pasigurt në identitetin e tyre, ju duhen të gjithë nacionalizmat e këtij rajoni kundër nacionalizmit shqiptar. Ky nacionalizëm i ri, njëlloj si ai i vjetri pra, nacionalizmi maqedonas sllav, konsideron si rrezik më madhor për sigurinë e tij të brendshme, pra konsideron armikun e tij të brendshëm, nacionalizmin shqiptar. Ky i fundit në dallim nga nacionalizmat e fqinjëve tanë që vuajnë nga anemi dhe brishtësi të identitetit dhe për rrjedhojë ndjenja thuajse gjenetike e pasigurisë dhe agresivitetit primitiv që e shoqëron këtë brishtësi, identitetin e ka me bollëk. Kjo sepse në rastin tek shqiptarët, identiteti nuk bazohet në besimet fetare apo mithet e hershme mesjetare por bazohet në gjuhën shqipe dhe kulturën dhe në një farë mase dhe Skënderbeun që është një realitet dhe mit sa shqiptar aq dhe perëndimor. Me këto dua të them se shqiptarët në Maqedoni, në trojet e tyre shekullore, problemet e identitetit dhe të nacionalizmit të tyre, nuk i pengojnë për të jetuar në bashkëjetesë pa komplekse dhe dinjitoze si qytetare të barabartë para ligjit me të tjerët.
Si përfundim, mund të thuhet se, ata që ende besojnë në mundësinë e ndërtimit të një shteti multietnik dhe multikulturor në Maqedoni në status quo-në aktuale, druaj shumë se nuk janë realistë.
Ngjarja tejet tronditëse e Kumanovës, e cila pati më shumë viktima se të gjitha aktet e terrorit shtetëror të autoriteteve maqedonase, të marra së bashku të Ladorishtit, Bit Pazarit, Tetovës, Gostivarit dëshmon se, klonimi i nacionalizmit dhe shoqëria multietnike nuk bashkëjetojnëdhe se, nacionalizmi maqedonas antik është i gatshëm të ndërmarrë akte terrori kundër shqiptarëve. Pas marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia “de jure” është një shtet multietnik ndërsa “de fakto” është përsëri një shtet etnik, më saktë i nacionalizmit të ri maqedonas antik dhe kjo përbën një problem madhor për stabilitetin e këtij vendi.

Maqedonia midis Perëndimit dhe Rusisë!
Së dyti, kriza aktuale e Maqedonisë është një krizë shumëplanëshe dhe Maqedonia sot është në udhëkryq tejet të rrezikshëm. Kriza aktuale në këtë vend është krizë politike pra e marrëdhënieve pozitë opozitës maqedonase, është krizë e integrimit europian dhe euroatllantik, për shkak të bllokimit nga veto greke e procesit të integrimit dhe krize e thellë besimi në mardheniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Ish-ambasadori amerikan, lëshoi disa muaj më parë, para largimit të tij nga Shkupi, paralajmërimin serioz për lidershipin politik të këtij vendi, se: në rast se vazhdoni në këtë mënyrë, do të përballeni me skenarin e Ukrainës. Në realitet, kriza e Maqedonisë përbën krizën më të ndërlikuar, më të zgjatur dhe të rrezikshme të Europës, pas asaj të Ukrainës. Kjo sepse, në këtë vend, nuk përballen vetëm qeveria dhe opozita e tij apo vetëm nacionalizmat ballkanike serbe, greke, bullgare, maqedonase, shqiptare, por e vërteta është se aty përballen haptas Perëndimi dhe Rusia. Maqedonia, siç ka theksuar shkurtin që kaloi Sekretari Kerry, me disa vende të tjera europiane “ndodhet në linjën e zjarrit, kur është fjala për marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës”. Në këtë përballje, qëndrimi i Perëndimit, që ka bërë investime kolosale në këtë vend, është për një Maqedoni europiane multietnike, multikulturore, shtet i qytetarëve të lirë dhe të barabartë para ligjit, me perspektivë të qartë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.
Kurse për ngjarjen e Kumanovës, BE dhe SHBA, kërkuan hetim serioz dhe të gjithanshëm të kësaj ngjarje dramatike dhe nuk pranuan tezat e autoriteteve maqedonase për një akt të një grupi terrorist me mbështetje nga jashtë. Ndërsa, qëndrimi i Moskës ndaj Maqedonisë, është krejt tjetër, madje i kundërt me të Perëndimit. Cilido që ka ndjekur zhvillimet në këtë vend, konstaton lehtë se Maqedonia nga një vend, në tërësi, pas shumë kohe i parëndësishëm për Rusinë, është shndërruar së fundmi, në një vend i një rëndësie nevralgjike, si zonë influence për ndikimin e saj në Ballkan, dhe si territor kyç për kalimin drejt perëndimit të gazsjellësit “South Stream 2” apo “Turkish Stream”. Kjo është shprehur qartë në qëndrimin negativ të Lavrov ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe akuzat e tij të hapura ndaj perëndimit se, po përpiqet të rrëzojë qoftë edhe me puç qeverinë pro ruse të Gruevskit, apo akuzat e tij banale se, dy vende anëtarë të NATO-s, Shqipëria dhe Bullgaria, që janë edhe miqtë më të mira të Maqedonisë, kanë plane për ndarjen e saj.
Ndaj dhe në këtë kontekst kriza e brendshme politike maqedonase dhe sidomos ngjarja e Kumanovës, me shpejtësi u ndërkombëtarizuan, në formën e një përballjeje midis Perëndimit dhe Rusisë. Lavrov, në vizitën e tij në Maj të këtij viti, në Beograd, do të deklaronte se, në axhendën e tij përveç marrëdhënieve bilaterale, dy ishin çështjet kryesore që ai do të diskutonte me Beogradin – Kosova dhe kriza e Maqedonisë. Për Ministrin e Jashtëm Rus “trazirat në Maqedoni janë të nxitura nga perëndimi dhe kanë si shkak refuzimin e Gruevskit për t’ju bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vullnetit të tij për të bashkëpunuar në ndërtimin e linjës së gazsjellësit Turkish Stream”. Natyrisht, Moska nuk harron asnjëherë që për të akuzuar shqiptarët të denoncojë edhe përpjekjet inekzistente për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Në këtë përballje, midis Perëndimit dhe Rusisë, autoritetet maqedonase, në aparencë janë me qëndrimin e parë por, në esencë me qëndrimet, veprimet dhe disa vendime të tyre, anojnë qartas nga i dyti. Ata vërtet kanë kërkuar anëtarësimin në NATO, por nuk kanë denoncuar pushtimin hitlerian të Krimesë nga Moska dhe nuk janë bashkuar me sanksionet perëndimore ndaj saj. Deklaratat e tyre, për zhvillimet e fundit në Maqedoni, janë të njëjta apo të sintonizuara me Moskën dhe Beogradin. Sipas autoriteteve zyrtare maqedonase, ngjarja e Kumanovës për të cilën pothuaj mjerisht nuk flitet më, është vepër e një grupi terrorist shqiptar, të nxitur nga jashtë, që nënkuptojnë Kosovën por edhe dhe Perëndimin. Këtë linjë mbajnë pa kushte edhe Moska dhe Beogradi. Ndërkohë, të dhëna dhe indicie që nuk mund të injorohen, pohojnë se Kumanova është vepër e shëmtuar e fundit e albanofobisë, një skenar terrori shtetëror, ndaj popullatës civile shqiptare i stisur nga shërbimet maqedonase, mbase me ndihmesën edhe të shërbimeve ruse dhe të Beogradit. Ky skenar u paralajmërua me qëllim, tre javë para se të ndodhte, me një letër nga kreu i shtetit të Maqedonisë, dërguar disa homologëve të tij. Në këtë kontekst, një hetim i paanshëm ndërkombëtar, do të ishte vendimtar për të gjithë transparencën e këtij skenari, gjetjes së shkaqeve, qëllimeve, autorëve dhe organizatorëve të tij.
Ky hetim, në çdo aspekt, kushton shumë më pak se sa pasojat e hetimit të njëanshëm apo mos hetimit të kësaj ngjarje.
Uroj që, komuniteti ndërkombëtar ta konsiderojë në mënyrën më serioze hetimin e kësaj ngjarjeje, i cili duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve. :
Së pari, a ishte kjo ngjarje, siç pretendojnë autoritetet maqedonase,vepër e një grupi terrorist shqiptar të UÇK dhe për rrjedhojë fillimi i një lufte të re në Maqedoni? Gjer sot, asnjë forcë politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri apo gjetiu, nuk është gjetur se qëndron prapa këtij grupi. Së dyti a ishte ky një skenar i autoriteteve maqedonase, shërbimeve të këtij vendi dhe shërbimeve të tjera aktive në rajon, ruse dhe serbe, për të ndihmuar qeverinë Gruevski, duke krijuar një dominancë tensioni tjetër jashtë Shkupit, ku çmimin duhet ta paguanin shqiptarët, në mënyrë që Gruevski dhe Zaevi të pajtoheshin për shkak të “Anibalis anti portam”? Dhe se treti, a mos ishte kjo një grishje e nacionalisteve maqedonase për të nisur ndarjen e vendit të tyre dhe së fundmi cili ishte roli i rusëve dhe serbëve në këtë skenar?
Padyshim, ajo që ndodh në Shkup, në një plan është një krizë politike, një përballje për pushtet midis shumicës dhe opozitës maqedonase. Kjo e fundit, për vite është pranuar si një nga opozitat më të dobëta por, e rënë në një burim informacioni regjistrimesh, ajo, nëpërmjet tyre ka nxjerrë në pah afera kriminale dhe korruptive të mazhorancës në pushtet, e cila me sa duket, kontrollon çdo gjë dhe nuk do t’ia dijë për aferat e publikuara nga opozita.
Komuniteti ndërkombëtar, gjer para ngjarjes tragjike dhe terrorit shtetëror në Kumanovë, i përcolli zhvillimet në Shkup me një farë apatie. Pas Kumanovës, qendrat ndërkombëtare u alarmuan. Brukseli u vendos në krye të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike. Posaçërisht, Komisioneri Hahn, u angazhua direkt dhe intensivisht me takime në Bruksel dhe Shkup me udhëheqësit kryesorë politikë të Maqedonisë si dhe ambasadorët e BE dhe SHBA në Shkup. Këto përpjekje u kurorëzuan me sukses me ndërmjetësimin e Komisionerit Hahn në vizitën e tij të fundit në Shkup. Marrëveshja e fundit në mes katër forcave politike të Maqedonisë jo vetëm zgjidhi krizën midis qeverisë dhe opozitës maqedonase, por mendoj se zgjidhi një problem madhor për qytetarët dhe shoqërinë e këtij vendi. Kjo marrëveshje përcaktoi rregulla që bëjnë të mundur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Maqedoni.
Por Marrëveshja politike e Shkupit nuk trajtoi dhe nuk zgjidhi bllokimin e anëtarësimit në NATO dhe BE të këtij vendi nga Greqia për kundërshtitë tashmë të njohura. Marrëveshja druaj se nuk i dha përgjigjen e merituar, qëndrimit rusofil të qeverisë së Maqedonisë tejet të dëmshëm dhe kërcënues për shoqërinë e këtij vendi? Dhe së fundi ajo le siç ishte krizën më të thellë, të këtij vendi, krizën ndëretnike për të cilën konstatoj se dhe nuk ka dëshirë të flitet.
Kancelarja Angela Merkel, në Samitin e Dubrovnikut vitin e kaluar, sipas mediave ka pranuar se, ajo është marrë dhe duhet të merret me zgjidhjen e kundërshtive dhe arritjen e një kompromisi midis Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të vendit dhe problemet, ndofta,edhe më të ndërlikuara të pas emrit, d.m.th. gjuhës dhe identitetit etj. Ndofta ky nuk është momenti më i përshtatshëm por, jam i bindur se, kjo është çështje kohe, dhe do të ndodhë. Kjo zgjidhje nuk duhet të shtyhet nga palët në kalendat greke, ajo ka rëndësi shumë të madhe për avancimin e perspektivës europiane dhe euroatlantike të këtij vendi dhe distancimin e tij nga ndikimi rus.
Askush nuk duhet të injorojë se kusht i një bashkëjetese të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë vend, është kursi pro europian, pro perëndimor i tij. Shqiptarët nuk janë të prirur të pranojnë një Maqedoni vasale të Rusisë të një shteti historikisht me qëndrime të njohura antishqiptare dhe që edhe sot nxit maqedonasit kundër shqiptarëve. Mjafton të rikujtoj këtu se pikërisht në këtë kontekst, Lavrov, në një bisedë informale me autoritete maqedonase jo pa cinizëm dhe për ti ndërsyer kundër shqiptarëve, do t’i pyeste ata se “pse nuk përdorin emrin Republika shqiptare e Maqedonisë”.
Shkëputja e Maqedonisë nga ndikimi rus është i një rëndësie kapitale për stabilitetin e këtij vendi por edhe të rajonit. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të pajtohen, të qëndrojnë, për interesat ruse apo nacionalizmave ekstreme maqedonase, jashtë Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Kriza ndëretnike në Maqedoni duhet zgjidhur!
Maqedonia që tani së fundmi, zgjidhi me një marrëveshje krizën politike dhe mund dhe do të zgjidhë dhe çështjen e emrit dhe te pas emrit me Greqinë, dhe do të hapë negociatat me BE-në, ajo përsëri, mbetet njëlloj e kërcënuar nga Albanofobia dhe pasojat e saj.
Krizën, tensionin në marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend të gjithë e prekin, e ndjejnë, e shohin atë të pranishme kudo, por më shumë kanë tendencë ta anashkalojnë. Patatja e nxehtë është përvëluese. Mirëpo pa zgjidhjen e kësaj krize, stabiliteti i Maqedonisë është i rremë, jo i vërtetë, është i përkohshëm dhe jo i qëndrueshëm.
Kësaj krize që ka në themel albanofobinë do të mund t’i jepej përgjigjja e duhur vetëm duke mbajtur parasysh:
Së pari, se Maqedonia europiane nuk mund të jetë tjetër, veçse realisht dhe jo fiktivisht, një shtet multietnik. Maqedonia tjetër, ajo e hegjemonisë së etnisë maqedonase, e mbështetur nga Moska dhe Beogradi, do të vazhdojë vendosmërisht dhe pashmangshmërisht të ecë drejt destabilizimit.
Së dyti, udhëheqja maqedonase nuk dëshiron të ndërtojë një shtet multietnik, ajo punon me të gjitha mjetet për farkëtimin dhe klonizimin e nacionalizmit maqedonas antik, pavarësisht nga zgjimi për rrjedhojë, demonëve të nacionalizmave të tjera? Mendoj se udhëheqja maqedonase ka dëshmuar qartë e, saktë, se ajo de jure është dakord për një shtet multietnik por de facto e minon atë. Kështu që të pretendosh një gjë të tillë prej tyre është thjesht një utopi.
Së treti, shqiptarët nuk mund të ndërtojnë dhe të mbajnë në Maqedoni një shtet multietnik, të cilin shumica maqedonase nuk e do.
Dhe lidhur me këtë, shqiptarët, nuk mund të pranojnë të jetojnë për hir të stabilitetit të Maqedonisë, si qytetarë të dorës së dytë, më së fundi jo me ligj, por me vullnetin e prerë të shumicës maqedonase dhe mbështetjen serbe dhe ruse për këtë të fundit.
Shumë e rëndësishme për të dalë nga ky udhëkryq në të cilin ndodhet ky vend, është një përpjekje e re e fuqishme në dy drejtime: së pari, në zbatimin në gërmë dhe në frymë të marrëveshjes së Ohrit, kapërcimi i të gjitha qëndrimeve dhe praktikave që ushqejnë segregacionin. Sot, nuk janë të pakët shqiptarët në Maqedoni, që pretendojnë një marrëveshje të re. Përsëri insistoj se, problemi nuk është çështja e dokumentit, por çështja e vullnetit dhe mungesës së tij nga shumica dhe se, dokumenti nuk zëvendëson dot vullnetin. Mendoj se është e domosdoshme dhe jetike për vendin që, bashkëfirmëtarët ndërkombëtare të marrëveshjes së Ohrit, BE dhe SHBA, të ulen së bashku me autoritet e vendit dhe, me të njëjtën vendosmëri, si në fillim, të garantojnë si dhe të monitorojnë zbatimin e plotë të akteve, neneve të marrëveshjes së Ohrit dhe anekseve të saj, duke i interpretuar ato në përputhje të plotë me standardet e shteteve demokratike multietnike perëndimore.
Ligji për gjuhët duhet plotësuar dhe Maqedonia duhet të pranojë, në të gjithë territorin dhe institucionet e saj, bilinguizmin në interesin më të mirë të saj. Gjithashtu, është e domosdoshme edhe shtrirja e mekanizmit mbrojtës (Badinter), që parashikohet për parlamentin, edhe në qeveri dhe institucione të tjera, si Gjykata Kushtetuese, për të mos lejuar diskriminimin mbi baza etnike. Në kabinetin e Maqedonisë, ministrat shqiptarë nuk kanë asnjë fuqi minorancë bllokuese, kur është fjala për të mbrojtur interesat legjitime të popullatës shqiptare. E vetmja e drejtë e tyre, në këtë rast, është të braktisin mbledhjen, gjë të cilën kanë qenë të detyruar ta bëjnë disa herë.
Së fundi stabiliteti i Maqedonisë nuk mund të arrihet duke zhvlerësuar dhe zvogëluar me manipulime, makinacione politike etj, peshën rolin e shqiptarëve ne jetën zhvillimin e vendit të tyre.

Federalizimi i Maqedonisë si zgjidhje përfundimtare e krizës ndëretnike!
Për paqen e qëndrueshme të këtij vendi, është e domosdoshme dhe jetike një autonomi rajonale e garantuar e shkallës së lartë e tipit te shteteve multietnike federative apo konfederative perëndimore. Në pranverën e vitit 1992, jam pritur si Presidenti i sapo zgjedhur në Elize nga Presidenti Mitterrand. E tërë biseda jonë, në atë takim, u përqendrua rreth zhvillimeve në ish-Jugosllavi. Natyrisht, qëndrimet e mia bazoheshin në bindjen time të thellë se, Federata Jugosllave ishte federata më artificiale që ishte krijuar në planet dhe e ndërtuar mbi padrejtësitë më të mëdha që ishin bërë ndonjëherë, para së gjithash kombit shqiptar. Në këtë mbretëri dhe më pas federatë të sllavëve të jugut, perëndimi kishte krijuar jo Serbinë e madhe por Serbinë e stërmadhe. Në atë diskutim theksova se, problem themelor në Ballkan është problemi midis shqiptarëve dhe serbëve, bashkëjetesa e të cilëve në një shtet i çdo lloji qofte ai, është e pamundur. Natyrisht, dënova masakrat serbe në Bosnjë, sulmet ndaj Dubrovnikut dhe qyteteve të tjera të Kroacisë, shpreha mendimin se kantonizimi i Maqedonisë do të mund t’i jepte këtij vendi stabilitetin e duhur.
Kurse, Presidenti Mitterrand, ndofta ende vazhdonte të besonte, në një mënyrë ose në një tjetër, se hegjemonia serbe ishte e dobishme për të vendosur njëfarë “rregulli” në gadishull, parim mbi të cilin ishte themeluar, çerekun e parë të shekullit që shkoi, Mbretëria dhe pas luftës së dytë botërore, Federata e Jugosllavisë. Memoria dhe shënimet e mia për atë takim të paharruar, më rikujtojnë se Presidenti Mitterrand, në përgjithësi, nuk ishte dakord dhe nuk mbështeti mendimet e mia, madje megjithë vokacionin e njohur të tij për kulturën dhe vlerat e saj, ai nuk u tregua i ndjeshëm as me denoncimin që i bëra bombardimeve të Dubrovnikut nga forcat e Ushtrisë Jugosllave, që kishin filluar pikërisht atë javë pasi, në përgjigjen e tij, më tha se: Serbia duhet të ketë një dalje në det, iu përgjigja se: Ajo nuk ka patur det të saj ndonjëherë dhe se Raguza nuk kishte qenë kurrë e saj. Por, në këtë takim, Presidenti Mitterrand, vetëm në një çështje ishte dakord me mua. Ai më tha se, ndofta ke të drejtë me idenë e kantonizimit, ose diçka të kësaj natyre, të Maqedonisë.
Që nga ajo kohë, debate për kantonizimin, federalizimin e Maqedonisë, nuk është mbyllur. Madje, mund të thuhet se 3-4 vitet e fundit, ky problem po diskutohet më gjerë.
Memoriet nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, por mendoj se, vetëm zbatimi qoftë edhe i çdo neni të marrëveshjes së Ohrit, nuk do të zgjidhë problemin thelbësor të tensioneve ndëretnike të thellimit të segregacionit midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Unitarizmi kushtetues i Maqedonisë është një tjetër mekanizëm i fuqishëm i albanofobisë është shpata e Demokleut që qëndron mbi autonominë, që duhet të gëzojnë komunat e banuara nga shqiptarët. Ai përbën bazën ligjore për autoritetet nacionaliste maqedonase për të vendosur ndaj komunave të banuara kryesisht nga shqiptarë një vartësi qendrore dhe diskriminimi buxhetor. Mendoj se, është e domosdoshme që, kushtetuta e këtij vendi të çlirohet nga nocioni i shtetit unitar. Heqja e unitarizmit të shtetit maqedonas nga kushtetuta duhet kuptuar jo si një lëshim ndaj shqiptarëve por si një interes madhor i paqes dhe stabilitetit afatgjatë të këtij vendi.
Unë e di se, udhëheqja maqedonase jeton me frikën e dizintegrimit të vendit, dhe unitarizmin kushtetues të shtetit e konsiderojnë garancinë e tyre. Por kjo është plotësisht e pajustifikueshme. Në Maqedoni e vërteta është tjetër. Jeta paralele e etnive kryesore është realiteti më i spikatur i këtij vendi. Nuk është unitarizmi kushtetues, aq më pak frika nga dizintegrimi, por liria dhe bashkimi rreth vlerave të saj, ajo që do sigurojë bashkëjetesën paqësore të etnive të saj në këto vlera dhe mbrojnë vendin nga dizintegrimi.
Pretendimi se, federalizimi nuk funksionon mbasi në komunat, me popullatë kryesisht shqiptare apo maqedonase, ka edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera, është absurd. Në vendet e lira ky parim nuk synon të sigurojë pastërtinë etnike Përkundrazi, prania e komuniteteve të tjera në një zonë të caktuar, vetëm se e bënë më funksionale federatën. Si përfundim mendoj se është jetik të përpunohen mekanizmat ligjorë që garantojnë autonominë më të lartë të rajoneve të banuara nga shqiptarët. Modelet e shoqërive dhe shteteve multietnike pra, federatave apo konfederatave, në Europë dhe Perëndim, nuk mungojnë. Vetëm aplikimi me guxim i këtyre standardeve europiane, pa frikë dhe komplekse në kuadrin e një shteti funksional do të mund të garantonte stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë fqinjë dhe shndërrimin e saj në një shembull për rajonin tonë, shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.
Me të drejtë sot mund të shtrohet pyetja: Cili është roli dhe përgjegjësia e forcave politike shqiptare? E vërteta e pamohueshme është se, aq sa kanë arritur shqiptarët në Maqedoni, i kanë arritur në sajë të përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe me të gjitha mjetet të te tyre dhe forcave politike shqiptare dhe këtu, ata së bashku kanë meritën e madhe. Pakënaqësitë, kritikat nuk janë të pamotivuara. Por nuk mund të mohoj kontributin e tyre historik dhe askush nuk mund t’i fajësojë shqiptaret dhe forcat e tyre politike për shndërrimin e Maqedonisë nga udhëheqja maqedonase në një laborator të prodhimit dhe klonimit të nacionalizmave. Po kështu ato nuk janë përgjegjës se përfaqësojnë shqiptarët, të cilët maqedonasit i konsiderojnë si kërcënim për sigurinë e etnisë së tyre. Nuk jam aspak kundër kritikave por jam kundër përpjekjeve për zhvlerësimin e tyre me slogane absurde, vlerësimi në procese zgjedhore është rruga e pranueshme demokratike. Jam kundër tentativave të Tiranes për imponim të deklaratave të përbashkëta extempora, të servirura për firmë si ç’ndodhi në takimin Rama – Meta në Pogradec, me Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, si dhe kundër kërcënimit të ketij vendi me bllokim nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Udhëheqja politike e shqiptarëve të Maqedonisë i din mirë qëndrimet që duhet të mbajë në interesin e tyre më të mirë.
Por, përsëri disa pretendime ndaj tyre janë të drejta. Ato nuk janë pa përgjegjësi në suksesin e pamohueshëm të nacionalistëve maqedonas në zvogëlimin e rolit dhe peshës së tyre politike në jetën e vendit. Mendoj se kanë dëmtuar dhe dëmtojnë qëndrimet dhe interpretimet e tyre krejt të ndryshme për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në varësi nga qenia në pushtet dhe opozitë si dhe ambientimi i tyre me status quo-në e gjendjes në vend. Po kështu nuk justifikohet indiferenca e tyre për emrin e ri që duhet të ketë Maqedonia në një marrëveshje me Greqinë, sikur të mos jenë qytetarë të atij vendi që do të ndërroje emrin. Por mbi të gjitha, ata në asnjë rrethanë nuk mund dhe nuk duhet të pajtohen kurrë me shndërrimin e Maqedonisë në vend vasal, zonë influence ruse, gjë që përbën një rrezik serioz madhor për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin në tërësi. Shqiptarët pavarësisht nga çmimi, nuk mundet në asnjë rrethanë të mbështesin interesat ruse në rajonin tonë. Së fundi në ngjarjen e Kumanoves, mendoj se udhëheqja politike e shqiptarëve në Maqedoni do mbajë parasysh se copërat e granatave dhe plumbat nuk morën vetëm 22 jete njerëzish, nuk kanë shkatërruar vetëm banesat e qytetarëve shqiptarë dhe terrorizuar ata, por kanë plagosur edhe kredibilitetin e tyre. Prandaj dhe hetimi i pavarur ndërkombëtar, do të kishte një rëndësi përcaktuese, për Maqedoninë, shqiptarët e Maqedonisë, kombin shqiptar dhe rajonin në tërësi.
Si përfundim Maqedonia është një vend me rëndësi të veçantë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Ajo sot ndodhet në udhëkryq e mbërthyer nga një krizë shumëplanëshe. Shkëputja e saj nga ndikimi rus, zhbllokimi i integrimit te saj ne BE dhe NATO, zgjidhja e krizës ndëretnike nëpërmjet zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit sipas standardeve perëndimore të shteteve multietnike dhe federalizimi i saj do të mund të kurorëzonte me sukses përpjekjet e mëdha të popujve të saj për ndërtimin e një Maqedonie europiane që ata meritojnë.*(Marre nga Bota Sot)

Filed Under: Analiza Tagged With: Maqedonia ne udhekryq, Prof. Dr. Sali berisha

Skënderbeu,Fitore me Salihin në Moldavi

July 28, 2015 by dgreca

Skëndërbeu ka hedhur nej hap te sigurte per kualifikim, tek ka arritur një fitore bindëse në Moldavi duke mundur skuadren moldave 2 me 0.
Skuadra fitoi siguri qe ne fillim, edhe gjate pjeses se pare nuk e gjeti rrugen e rrjetes. Korçarët shënuan që në fillimin e pjesës së dytë me Salihin që shndërroi në gol një kros nga e djathta në minutën e 49.
Ka qenë përsëri Salihi që shndërroi në gol penalltinë e fituar nga Nimaga në minutën e 73.
Pas këtij rezultati historik Skënderbeu mund të quhet pa frikë i kualifikuar pasi ekipit moldav i duhet të fitojë duke shënuar tre gola në Korçë ose një rezultat me diferencë dygolash ku të dy ekipet të shënojnë.

Filed Under: Sport Tagged With: Fitore me Salihin, në Moldavi, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3675
  • 3676
  • 3677
  • 3678
  • 3679
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT