Tre vëllezërit Ajeti: Arlindi, Albiani, Adonisi ashtu si dhe Berat Xhimshiti janë dekretuar me dhënien e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani./
Katër futbollistët shqiptarë që janë të rritur dhe luajnë për skuadra të Superligës zvicerane, kanë marrë së fundmi nënshtetësinë shqiptare dhe janë pajisur më pasaporta të Shqipërisë due fituar kështu të drejtën të luajnë për kombëtaren shqiptare.
Tre vëllezërit Ajeti: Arlindi, Albiani, Adonisi ashtu si dhe Berat Xhimshiti janë dekretuar me dhënien e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Përforcimi i kombëtares shqiptare edhe me këta futbollistë, çon më shumë se 10-të numrin e futbollistëve shqiptarë, të cilët janë rritur apo dhe luajnë në super ligën zvicerane. Pjesëmarrja e këtyre futbollistëve ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në rezultatet që kombëtarja shqiptare ka arritur kohëve të fundit.
Të tre vëllezërit Ajeti, të cilët vijnë nga Prishtina lujanë për ekipin kampion të Zvicrës, FC Basel, ndërsa Berat Xhimishti, i cili është me prejardhje nga Lugina e Bujanovcit, i lindur në Zvicër, luan për ekipin e parë të FC Zurich-ut.
Reportazhi i “Financial Times”: Arti i shtet-ndërtimit në Shqipëri
Nga Gjergji Mima/ -Gazeta prestigjoze “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë pamjes së re të Kryeministrisë së Shqipërisë, me drita LED, kërpudha në oborr dhe vepra të ndryshme arti në holl.
Në reportazhin e gjatë nga Tirana, gazetari Peter Aspden, përshkruan me detaje ndryshimin e ardhur përmes dorës së kryeministrit artist në godinën e epokës komuniste, ndërsa Rama i tregon histori edhe për gjyshen e tij dhe marrëdhënien e saj me artin, si dhe i ofron pijen aq të dashur për shqiptarët, rakinë.Gjithçka nis sigurisht me vizitën në Tiranë të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mirëpritet në kryeqytetin shqiptar përveç se me pompozitetet e nevojshme të një vizite shtetërore, edhe me një sërë veprash arti, mes tyre edhe një shtrëngim duarsh i papërfunduar, vepër e realizuar nga bashkëkombësi i saj Tomas Demand.
Sipas “Financial Times”, kjo ishte një gjetje që befasoi këndshëm kancelaren. Në oborrin e kryeministrisë, skulptura e kërpudhës gjigante trellojshe, vepër e artistit suedez, Karsten Hëler kap vëmendjen e reporterit britanik.Sipas Ramës, kolazhi i tre kërpudhave, një e ngrënshme, një helmuese dhe një haluçinante, përkufizon më së miri politikën shqiptare.
Nuk mund të shpëtojë pa një koment edhe modifikimi i hyrjes së kryeministrisë, me kolazhin e dritave LED, dizajnuar nga francezi Filip Pareno, vepër që sipas gazetës britanike, është sinjali i një jete të re që ka nisur në një godinë, e cila prej vitesh kishte mbetur në errësirën e diktatit komunist.
Këtë shkrim e ka komentuar edhe Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “Facebook”, ku nënvizon se kjo hapësirë që prestigjozja Financial Times i ka kushtuar artit në Kryeministrinë shqiptare është një arsye për t’u ndierë mirë që flitet kaq mirë për Shqiërinë.“Hapësira krejt e veçantë e prestigjiozes Financial Times dhe pena e një gazetari ndër më të shquarit e faqeve të kulturës e të artit në botë, janë një arsye për t’u ndjerë mirë që bejmë të flitet kaq mirë për Shqipërinë. Kjo jehonë e posaçme e operacionit tonë më të fundit, për ta kthyer katin e parë të kryeministrisë në një hapësirë publike të dialogut e komunikimit përmes artit, kulturës, librit, muzikës, filmit e debatit, si dhe vlerësimi i lartë që i bëhet veprave artistike, të cilat tanimë janë pjesë e qënies së godinës së kryeministrisë, me siguri do t’i pëlqejë edhe kujt nuk i kurseu dot të sharat sapo u çelën dyert e COD-it (Center for Openess and Dialogue).
Ne Foto:Kerpudhat ne oborrin e Kryeministrise
SHQIPËRINË e dua me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën time
Nga Aurel Dasareti*/
Është vetëm një recetë që mund të shpëtojë shqiptarët, në te thuhet: Një mirëqenie e përbashkët.
***
Unë zakonisht e them atë çfarë unë besoj dhe unë kam prirje të besoj në atë që unë e them.
“Analistët” që ju mashtrojnë se shqiptarët do të bashkohen në dështimin e quajtur BE, si dhe shpikësit e “kombit kosovar”, janë gomarë dhe tradhtarë.
***
Ti duhet ta duash vendin tënd, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.
Ne duhet të ndihmojmë të varfëritë tonë në një zhvillim, ku banorët të kenë kushte normale jetese, për të gjetur kuptimin dhe shpresën për të ardhmen në vendin e tyre. Në Shqipërinë e ribashkuar, ëndrrën që gjenerata ime do ta realizojë – nëse shqiptarët nuk çmenden tërësisht pas të huajve.
Shqiptarët janë një lloj njerëzish të mirë, por shumë të përçarë, të padisiplinuar, shumë naiv, vetë-shpërbërës dhe kozmopolitë. Edhe ato pak toka të copëtuara nga pushtuesit sllavo-ortodoks dhe grek – që na kanë mbetur – dëshirojmë t`ua dhurojmë azilkërkuesve afrikan/aziatik. Brengosja e juaj për “vuajtjet” e azilkërkuesve fals që pa lejen tonë shkelin tokat tona është një çmenduri e skajshme.
Ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Çdo individ duhet të merr përgjegjësinë dhe mundësinë të jetë një gur ndërtimi për një shoqëri më të mirë, ne së bashku duhet të jemi për të krijuar dhe të ndajmë. Ajo siguron paqen shtëpiake në vend dhe paqen shpirtërore në njerëz.
Lufta në Siri etj ka nxitur 60 milion njerëz të zhvendosur. Ajo prek kryesisht Sirinë dhe vendet fqinje, por edhe Evropën, me shumë gjasa eksportin dhe importin e terrorizmit.
Shqiptarë, përdorni arsyen e shëndosh, përdorni kokën e juaj e jo zemrën. Kur mjaft njerëz duan, mund të lëvizin drejt një mirëqenie të përbashkët. Ne duhet të lëvizim drejt një bote më të mirë. Detyra më fisnike e politikës shqiptare duhet të thotë: “Po, ne e duam Shqipërinë”, ëndrrat që të na motivojnë për të punuar me durim, për aspiratën drejt një mirëqenie të përbashkët.
***
BE-ja është një kalë trojan në Evropë
Federalistët politik kishin ëndërruar se bashkimi monetar mund të bëhet një zëvendësim për mungesën e kohezionit në unionin politik. Monedhat e tyre nacionale i shndërruan në Euro. Ëndrra është kthyer në një makth.
E përkëdhelura e BE-së, Greqia, brenda këtyre 15 viteve ka gëlltitur me qindra miliard euro të buxhetit të këtij unioni imagjinar. Megjithatë, sa më tepër që BE-ja e ushqen aq më tepër është i uritur dhe aq më tepër kërkon ky pacient dembel, dhelparak dhe mafioz.
Logjika e njerëzve të shëndoshë ka shpresuar se BE-ja do ta përjashtojë nga “unioni” këtë kancer. Por ajo ndoshta nuk do të ndodhë. Pse? Për shkak se euro-kracia (burokracia) e Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Parlamentit Evropian dhe rrethit ministror të brendshëm është në ankth për ta mbajtur fortë idenë e dështuar në rritjen e lëvizjes drejt një bashkimi gjithnjë e më të ngushtë – të dyja politike dhe ekonomike – pavarësisht nga të gjitha sinjalet e rrezikut.
Kur e vërteta të jetë thanë, dhe ajo e meriton atë në një të premte, kali trojan në Bruksel nuk do të ketë brenda grekët (e falimentuar) por “princërit” dhe “baronët” e BE-së. Kjo është BE-ja e tyre që kërcënon Evropën aq keq dhe aq egërsisht, dhe qindra milion evropianë do të ndjejnë atë në trupin e vet, varfërinë dhe mungesën e lirisë në vitet që do të vijnë.
Evropa po ndryshon me shpejtësi, politikisht, ekonomikisht, veçanërisht në aspektin demografik. Kolonizimin e tokave të saja nga sasi masive emigrantësh të paligjshëm afrikan/aziatik të cilët çdo ditë shkarkohen në Evropën plakë dhe të pamend. Në vend që të përforcon ekonominë dhe ushtrinë për një përballje (eventuale) efikase me Rusinë e Madhe të Putin-it të vogël, BE-ja harxhon buxhetin për luksin e grekëve dhe dhjetëra milion azilkërkuesish fals nga Afrika dhe Azia të cilët as që e kuptojnë fjalën “politikë” e ku më të rrezikojnë qeverinë e vendit të prejardhjes me “aktivitetin e tyre politik“. Megjithatë BE-ja vazhdon të harxhon bateritë (gënjen) si të ishte paqe dhe asnjë rrezik. Me sa duket, jo vetëm se nuk kanë një plan B, të ndalin hovin e emigracionit të paligjshëm që do t`ia ndryshojnë asaj kodin gjenealogjik, por me kalimin e kohës bëhen më indiferent dhe gjithnjë e më të dëshpëruar.
Në qendrën administrative të Bashkimit Evropian nuk ka alternativë të vazhdimit të “integrimit”. Pse? Për shkak se Bashkimi Evropian merë frymë, ndjenë dhe mendon në “integrimin”, dmth shpërbërja graduale e sovranitetit kombëtar dhe legjitimitetit, me shumë kontroll federal dhe policisë së mendimit.
Ëndrra e një Bashkimi Evropian nuk do të realizohet kurrë. Nëse dikush mendon se mund të sjellë paqe me harmonizimin dhe integrimin e kombeve që janë të ndryshme, bën një gabim të përgjakshëm. Kjo u verifikua edhe me shpërbërjen e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi por edhe Bashkimit Sovjetik. Ëndrra e Bashkimit Evropian qëndron në kontrast me ligjet psikologjike/natyrore, njeriu krijon paqe duke i lejuar çdo populli të zhvillohet sipas përcaktimit të vet.
Ëndrra ende ekziston dhe mund të bëhet realitet i përgjakshëm të asaj që dikur quhej Evropa.
*USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Shqiptari Hasan Tahsin Mesarea, gjenerali që u dhuroj grekëve Selanikun
Nga Arben LLALLA*/
Selaniku është kryeqendra e Greqisë së Veriut. Unë jetova dhe punova rreth 12 vite në këtë qytet. Gjatë qëndrimit tim u mora dhe me studimet historike që lidheshin me jetën politike-shoqërore të shqiptarëve që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot. Kështu, në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemali Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqit) në Korrik-Gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, qëndruan disa ditë në Selanik. Në vitin 1916, në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar Themistokli Gërmenjin. Bashkësia shqiptare në Selanik ka pasur edhe varrezat e saja në lagjen e sotme Triandhria. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Këto varrezat u shkatërruar nga qeveria greke në vitin 1983. Eshtrat e mijëra të vdekurve u zhdukën, përveç disa të cilat i tërhoqën familjarët e tyre që jetonin ende në Selanik atë vit.
Me Selanikun lidhet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Greqinë, është ajo e 26 Tetor 1912, komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha Mesarea (1845-1918) ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pasi ua dhurojë grekëve Selanikun u largua në fillim për në Francë e më pas në Zvicër, vdiq në vitin 1918, në Lozanë, aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937, Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat qëndruan 23 vite. Toka ku gjendej varrezat e shqiptarëve në Selanik u ndërtuan pallate, rrugë e një pjesë mbeti lulishte dhe njihet me emrin Parku Triandhria.
Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për tu rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke, Kostandinit nga 25-26 Tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës, quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë qytetin e Selanikut e ndihmojë më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. Hasan Tahsi Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstadin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani, etj.
Historia e Hasan Tahsin Mesarea është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptar që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesarea, në Jugun e Shqipërisë (Mesare ndodhet në rrethin e Kolonjës) dhe përfundoi më 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Mesarea ishte një ushtarak vizionar i cili shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve të kombësive të ndryshme që jetonin në qytetin e Selanikut. Akti i tij për dhurimin me paqe të këtij qyteti tregon shpirtin human të një njeriut i cili i takon nderi më i madh për shpëtimin e Selanikut nga shkatërrimi nën grykat e topave. Historianët grek çlirim e Selanikut ja dedikojnë komandanti të ushtrisë greke Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human të gjeneralit Mesaresë i cili preferoj më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lum. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26.000 ushtar nën komandë dhe preferoj më mirë tu shpëtonte jetën se sa të vriteshin.
Dorëzimi i Selanikut nga gjenerali turk me kombësi shqiptare
Pas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 Tetor 1912, kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 Tetor, të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut. Prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha – JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga krye-gjenerali Todorov dhe ushtria e tij. Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke Londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesarea duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.
*Historian
Kosovë-Kuvendi drejt vendimeve të reja, pas mungesave në kuorum dhe vota
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Korrik 2015/-Në një verë me vapë të këtyre ditëve në Kosovë, Kuvendin e presin edhe më punë para se të shkojë në pushim. Miratimi i Ligjit që i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2015, ishte vendimi i fundit i Kuvendit të Kosovës në këtë javë, 16 korrik, pasi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e projektligjeve seanca plenare ndërpreu punimet.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 kaloi shqyrtimin e parë dhe të dytë në procedurë të përshpejtuar pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Vazhdimi i seancës së ndërprerë të Kuvendit të Kosovës pritet javën e ardhshme, duke nisur me votimin e Projektligjit për Sigurimet, të shqyrtuar tashmë për herë të parë.
Qeveria e Kosovës, në 17 qershor, ka miratuar Projektligjin për Sigurimet, i cili përcakton procedurat, parimet dhe rregullat themelore për licencimin dhe mbikëqyrjen e siguruesve, re siguruesve, ndërmjetësuesve të sigurimit. Projektligji rregullon funksionimin e industrisë së sigurimeve në Republikën e Kosovës në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe transparente si dhe mbrojtjen e interesave të policë mbajtësve, ka theksuar qeveria.
Në Kuvendin e Kosovës pritet edhe që qeveria të riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale pasi për këtë edhe të sigurohet numri i nevojëshm prej dy të tretave.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Dy të tretat e votave duheshin, por nuk u arritën, edhe për zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në seancën e 16 korrikut të Kuvendit kosovar.
Për axhendën e mëtejme dhe përgatitjet e seancës plenare në fillimjavë pritet të ftohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014, për vitin 2015 ka parashikuar të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.