• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUM ATA QË LENË GJURMË TË PASHLYESHME

September 19, 2020 by dgreca

  • Portret kushtuar mësueses pejane Zymë Berisha-

Shkruan:JULIA GJIKA*-

Dimri i sivjetëm në New England ka shumë reshje bore. Pas punës më pëlqen të sodis dëborën që bie e qetë. E vështroj nga dritarja e madhe e dhomës së ndenjes. Gjithcka zbardh. Të duket se gjithcka hesht. Dëbora bie, ndërsa zhurmat largohen. Kujtimet ulen në sytë e mij. Më mungon oborri i shtëpisë në Korcë, rrugët ku jetova për disa vjet, bashkëmoshatarët, bulevardi dhe bliret në të dy anë e tij. Gjithashtu i kam jetuar shumë vite të rinisë sime në Beratin antik, prandaj këtu në Amerikë më mungojnë Kalaja hijerëndë, lagjet nëpër kodra, lumi Osum, plantacionet me fiq e ullinj etj. Muaji shkurt është rënduar nga dëbora dhe dimri po na duket i gjatë. Dëbora ka zënë dëborën. Marsi është në rrugë, duke ardhur me dy festa të dashura për mua, dy festa të dashura për shqiptarët: 7 dhe 8 Marsi, festa e mësuesve dhe e nënave. Kam vecuar dhe kujtoj me dashuri mësuesen e klasës së parë, Antonetën në Korcë dhe buzëqeshjen e saj kur kënaqej me bukurshkrimet tona. Më pushton malli dhe dua te flas pa reshtur për mësuesen e gjimnazit, kosovaren nga Peja, zonjushën Zyma Berishën.

Këto ditë, një lajm i ngrohtë, një sihariq që kam marë më gëzoi shumë. Pas 25 vjetëve kam folur në telefon me ish mësuesen, Zyma Berisha. Pas nënës sime ajo ishte njeriu me i rëndësishëm për mua. I kam nisur një letër të gjatë, por shërbimi postar në Kosovë duket nuk punon në rregull. Mezi pres që letra ime të jetë në duart e saj. Nuk pres dot që ajo të më shkruajë.

Dikur më ka treguar si kaperceu kufirin, la Pejën ku u lind, nënën e dashur dhe vëllaun e vetëm, erdhi tek NENA Shqipëri, për t’iu larguar sërbit, shkjaut sic thonë kosovarët. Sot dhe gjithmonë në përfytyrimin tim është ajo 19 vjecarja me sy të bukur, me zë melodioz interesante, tërheqëse. Së bashku me shoqen e saj Naimen u thanë nënave se po luanin prapa shtëpive tek luadhi, ku ndahej kufiri me Shqipërinë. Për herë të parë në jetën e tyre kishin vendosur të mos tregonin të vërtetën. Po iknin, po arratiseshin për në Shqipëri, po linin pas Kosovën. Duke vrapuar në gjelbërimin e tokës shqiptare, atje ne veri, pranë postës kufitare, rojet shqiptare i ndalën, i shoqëruan tek komandanti i postës i cili i mori në pyetje si në hetusi. Ato iu përgjigjën të gjitha pyetjeve në një gojë me një përgjigje “ Shqipëria është ëndrra jonë për ne kosovarët”. “Duam të studjojmë dhe punojmë në Shqipëri, në liri, jo nën Sërbi”…

I shpunë në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Gjuhë Letërsi Shqipe, ku u dalluan si studente të shkëlqyera. Ne vitin 1965 Zyma dhe Naimja u diplomuan. Zyma u emërua mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në gjimnazin” Ajet Xhindole” në Berat, ndërsa si motra e saj Naimja , e cila që studente, ishte martuar me poetin nga Kosova Agim Gjakova, u emërua në Tiranë si redaktore në një shtëpi botuese. Endrra e Zymës që të bënte dicka për Shqipërinë filloi të merrte krahë edhe pse larg Naimes e Agimit, simotrës e sivëllait të saj.Të gjithë gjeneratat e nxënësve që edukoi mësuese Zyma kujtojnë me respekt se si ajo punonte me pasion e dashuri të vecantë për formimin e tyre. Puna e saj ishte jo punë thjesht për të arsyetuar rrogën, por një luftë e pandërprerë për të zotëruar programin nga njëra anë dhe për një formim sa më të përgjithshëm sa më solid, nga ana tjetër. Shumë nga nxënësit e saj u bënë doktorë, inxhinierë, dentistë, artiste, gazetarë,biznesmenë si Tefik Ajazi,Anastas Xheblati,Kozeta Dishnica, Petraq Jani, Lefter Jani, Gëzim Kame, Shpëtim Leka, Peri Dishnica, Kimi dhe Isku Dërrasa, Aneta Samarxhiu, Mirka Vrusho, Luiza Pano, Vllasova Musta, e shumë e shumë të tjerë të gjeneratave pas meje, të cilëve nuk u a dij me saktësi emrat.

Disiplina dhe kërkesa e lartë në mësimdhënie u bë shëmbull jo vetëm për nxënësit dhe kolegët e saj, por për të gjithë ata që e njohën. Pa shumë fjalë, por me punë konkrete përgatiste me pasion dhe dashuri të ardhmen, për të ngritur shkollën shqiptare në nivelet më të larta sic e kërkonte koha. Shoqja e saj e afërt, kolegia z. Qamuran Dishnica ( Pasmaciu) e cila jeton sot në Everet MA, kur e pyeta në telefon në është lidhur me të pas luftës në Kosovë më tha: “ E di që Zyma banon në Prishtinë, ishte shoqja ime më e mire, ishte kolegia me kërkesa të larta ndaj vehtes dhe nxënësve, luftonte që mësimi të asimilohej që në klasë, për këtë punonte shumë, asnjë mësues nuk punonte si ajo. I pëlqente poezia dhe komentet letrare. Kërkonte me këmbëngulje që nxënësit të mësonin përmëndësh vargjet e Rilindasve tanë të mëdhenj. Akoma nuk jam lidhur me të…”

Zyma drejtonte Rrethin Letrar të shkollës, organizonte nxjerrjen e Fletës Letrare në murrin e koridorit të katit të parë të shkollës. Ajo seleksiononte me profesionalizëm e gusto krijimet tona të para dhe duke i shpalosur në stendë, na jepte kënaqësinë që më vonë do të na i jepnin gazetat dhe revistat e ndryshme.

Unë duke qënë një nga “talentet e reja” bëja pjesë në rrethin letrar të shkollës.

Si tani më kujtohet mësuesja “ jonë” na konsideronte ne anëtareve të këtij rrethi si motra e vëllezër, sikur të ishim më të pjekur dhe më të afërt me të. Një ditë ajo më dha dorëshkrimin e përkthyer në shqip, Gitanjali, të poetit Indian Rabindronath Tagora. Për herë të parë lexova vargjet Bengali të poetit Indian dhe i hodha shkrimet në një fletore të cilën e ruaj edhe sot.

Për të na inkurajuar dhe njohur me shkrimtarët tanë ajo një ditë ftoi Ismail Kadarenë për të ardhur e për të na folur. Shkrimtari ynë i madh ato vite ishte qarkulluar në Berat dhe atë ditë nuk e morëm vesh c’punë i kishte dalë dhe pse mungoi në atë takim të shumëpritur.

Mosardhja e Kadaresë i shkaktoi mësueses sonë një dhimbje dhe mërzi të madhe..

Si bijë e bjeshkëve që ishte, mësuese Zyma nuk ia përsëriti më ftesën Kadaresë, por e la në dëshirën e tij. Për arësye që unë nuk i di, poeti ynë i adhuruar nuk erdhi në takim me anëtarët e rethit tonë letrar, ndonëse më vonë shumë prej krijimeve të anëtarëve të këtij rrethi do t’i pëlqente dhe përgëzonte autorët e tyre personalisht.

Në kohën e diktaturës në Shqipëri, kosovarët e emigruar në atdheun nënë nuk shikoheshin me sy të mirë, madje ishin përhapur mendime se shumica e tyre ishin “ agjentë të Sërbisë” dhe njerëzit porositeshin të kishin kujdes kur i shoqëronin.Këtë gjë ne nxënësit e morëm vesh më vonë kur mbaruam gjimnazin dhe shkuam për te vijuar shkollimin tonë në Tiranë ose filluam punën në qytete të tjera.Kur shkonim për pushime në Berat dhe e takonim mësuesen tonë me dashurinë e dikurshme, disa qytetarë na hidhnin një vështrim sikur na qortonin për ndonjë gabim.

Në një tension të tillë punoi Zyma Berisha për 17 vjet me radhë midis beratasve. Regjimi komunist në Shqipëri e lodhi, e ndoqi hap pas hapi, duke i bërë presione të ndryshme, duke e parë me dyshim, si të huaj në shtëpinë e vet. Ish kolegia e saj, Qamuran Pasmaciu, më tregoi një ditë në telefon:

“ Pasi jetoi disa kohë në konviktin e shkollës Pedagogjike, Zymën e nxorën nga ai konvikt, unë e mora në shtëpinë time, ku banoi për disa muaj deri sa u gjet një dhomë në një apartament tek pallatet e “ Lulishtes 1 Maji” ku ajo jetoi për gati 15 vjet bashkë me një familje tjetër me banjë e kuzhinë të përbashkët”.

Nën presionin e vështrimeve “vigjilente” te sigurimsave dhe të provokimeve të tyre të vazhdueshme, mësuese Zyma filloi të ndjejë një lodhje shpirtërore dhe të përjetojë një depresion nervor. Ajo kërkoi të riatdhesohej në Kosovë pranë vëllait të saj, farefisit dhe shoqërisë së fëmijërisë e rinisë.

Ishte viti 1979, kur Mësuesja më popullore e qytetit të Beratit, u largua për në Kosovë duke marë me vehte streset dhe ankthet e dyshimeve që nuk i meritonte. U largua e zhgënjyer me zemër të thyer, sepse erdhi t’i kushtonte jetën Nënës Shqipëri, por regjimi diktatorial ia ktheu nënën në një njerkë të keqe dhe jetën në një persekutim terorizues.

Ajo është brenda meje sic është në zemrat e shumë qytetarëve beratas për të cilët, në një letër që mora prej saj disa ditë më parë, ajo shprehet me shumë dhimbje:”Sado e vështirë që ka qënë jeta në Shqipëri ajo ka patur një frymë shumë njerëzore. Kjo njerëzi duket ka qënë rezistenca më e madhe ndaj diktaturës. Pavarësisht nga plot moskuptime dhe keqkuptime unë krijova një rreth të tillë miqsh për të cilët e ndjej vehten krenare, kur mendoj pastaj dhe anën tjetër që për t’u shoqëruar me mua e kanë mundur frikën e dyshimin, kjo më prek thellë e më bën ta cmoj atë miqësi më shumë.”

Në një telefonatë që pata me të ajo më tha se në Amerikë jeton edhe Mirka Qazimi, një tjetër kolege e saj beratase. Pasi gjeta telefonin e z.-njës Mirka, i telefonova dhe i tregova se isha lidhur me Zymën. Mirka duke psherëtirë më tha:“ Ah, Zyma, një krijesë aq e pastër që vuajti kaq shumë! Në Berat nuk e lanë rehat, e quanin “agjente të Sërbisë. Kur shkoi në Kosovë autoritetet sërbe e thërrisnin pothuaj cdo ditë në pyetje, për ta ishte “agjente e Shqipërisë”, pastaj lufta. Lufta në Kosovë e shkatërroi ekonomikisht edhe njëherë.Vëllait të saj ja dogjën shtëpinë, ai u largua me gruan dhe fëmijët tek fisi i gruas në Ulqin për t’i shpëtuar masakrave. Zyma e mbyllur atje në apartamentin e saj në Prishtinë i lutej Zotit që t’ja shpëtonte vëllaun e vetëm e gjithë familjen e tij. Për 17 orë ajo ka ndenjur pa ngrënë e pa pirë, në pritje të një lajmi, kur vëllai i telefonoi se kishte mbrritur shëndoshë dhe ishte jashtë cdo rreziku asaj i kishte rënë të fikët. Kur ishte përmëndur kishte parë vehten mes disa komshinjëve të cilët kishin të njëjtin hall si ajo.

Në ditët e luftës mes plumbave shkonte për të ndihmuar pleqtë dhe njerëzit e vetmuar nepër shtëpitë e shkatëruara duke i ngushëlluar me fjalë të ëmbla duke ju shpënë ushqime, caj dhe supë të ngrohtë.”

I telefonova dhe një ish nxënëseje të saj që tani punon dhe jeton në Greqi, Kozeta Luarasit, ( motra ime ) të më tregonte c’farë kujtonte ajo për mësuesen e saj kujdestare:“ Mamaja jonë ishte shtatëzanë me motrën e vogel . Unë isha me hepatit viral. Mamaja po më shpinte në spital për të më shtruar. Rrugës takuam Zymën e cila ndaloi na përshëndeti dhe na pyeti se ku po shkonim. Pasi dëgjoi sqarimet tona tha:” Ma ler mua Kozetën, ti ktheu në shtëpi se je e rënduar, unë do të kujdesem për Kozetën njëlloj si ti”. Mamaja u besonte duarve dhe zemrës së saj, më la mua me Zymën dhe u largua. Atë ditë mësuesja ime humbi disa orë për të më rregulluar në dhomën e spitalit. Më pas ajo do të vinte pothuaj cdo pasdite me nxënësit për të më gëzuar. Aty jashtë dritares përballë dhomës time ajo luante lojën me kaluc me nxënësit që vinin për të më parë mua. Dhe vërtet unë isha shumë e gëzuar, nuk e harroj gjithë jetën. Mësuesja ime kujdestare tregonte me vepra që jo vetëm na donte dhe na mësonte, por kujdesej të kishim shëndet. Zyma Berisha ishte nderi i shkollës, nderi i qytetit tonë”.

Gjithë këto kujtime, mbresa dhe vlerësime të ish nxënësve të saj tregojnë se mësuese Zyma ka qënë dhe është “ nderi i qytetit të Beratit, por këtij vlerësimi i mungon njohja zyrtare. Prandaj i kam shkruar kryetarit të Bashkisë së Beratit për ta shpallur këtë bijë të Kosovës që i kushtoi rininë e saj edukimit të shumë brezave të nxënësve beratas “ QYTETARE NDERI”.E si mund të lihet në heshtje në kohën e demokracisë mësuesja Zyma Berisha?

Heshtja dhe mosvlerësimi i të tillëve njerëzve të përkushtuar tregon se shoqëria jonë nuk është e emancipuar dhe demokratike sa duhet.

Sa shumë njerëz ka në Berat, në mbarë Shqipërinë, kudo në diasporë, të cilët dëshmojnë për dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të saj ndaj nxënësve dhe mësimdhënies.

Të gjitha këto i vecova në këto ditë me dëborë duke menduar 7 Marsin, festën e dashur të mësuesve, të këtyre njerëzve që lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat tona dhe janë figura numur një mbas asaj të nënave.

*(Ribotohet in memoriam me rastin e largimit nga jeta)

Filed Under: Opinion Tagged With: Julia Gjika, mësueses pejane Zymë Berisha-, portret

LAMTUMIRE SULEJMAN GASHI!

September 19, 2020 by dgreca

Kosova me shumë nderime e përcolli në amshim gazetarin Sulejman Gashi….-

-Në Prishtinë – homazhe, ngushëllime e mbledhje komemorative: Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve. Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës…Ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni/

-Mirënjohje dhe falenderime të gjithëmonëshme edhe për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Shtator 2020/  Kosova me shumë nderime e përcolli sot në amshim gazetarin Sulejman Gashi, të vlerësuar për gjithë kontributin e tij e edhe si një diplomat në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

Homazhe e mbledhje komemorative janë mbajtur në Sallën “1 Tetori” në Kompleksin Universitar të Kosovës në Prishtinë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e politikë, gazetarëve e qytetarëve të shumtë, të cilët edhe kanë ngushëlluar familjarët që i kanë pritur e më pas Sulejman Gashit i është dhënë edhe lamtumira e fundit.

Në mbledhjen komemorative është lexuar telegram i ngushëllimit i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se Sulejman Gashi tërë jetën iu përkushtua gazetarisë dhe përfaqësimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë zë i shqiptarëve.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në mbledhjen komemorative tha se gazetari Sulejman Gashi tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe atë e tregoi para gjithë botës.

“Ai ishte vetëm njëri që dha shumë për këtë vend. Ai iku, po la një të vërtetë – atë të njeriut që sakrifikon gjithçka. Sulejmani ishte një njeri i mirë dhe profesionist. Në këtë kohë përplasjesh ai tregoi se ekziston vetëm një e vërtetë dhe e tregoi para gjithë botës”, u shpreh ajo.

Kryeparlamentarja e Kosovës tha se Sulejman Gashi e deshi shumë këtë vend. “Kisha fatin e mirë ta takoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe si studente. Sot të gjithë po i themi lamtumirë njeriut që na mbajti të informuar për disa dekada”, tha Osmani.

Kryeministri  i Kosovës Avdullah Hoti tha se Sulejman Gashi i takonte brezit të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën të cilët e morën mbi supe barrën e rrugëtimit të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Ato ishin rrethana të jashtëzakonshme dhe Syla bashkë me kolegët e asaj kohe ditën më së miri të artikulojnë interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe t’i mbrojnë ato para qendrave demokratike anë e mbarë botës”, theksoi ai.

Më tek kryeministri tha se, Sulejman Gashi do të kujtohet përgjithmonë me pietet për profesionalizmin e tij, për urtësi, për fjalën e peshuar dhe kulturën e lartë të komunikimit publik që kishte.

“Ai do të mbetet përherë një frymëzim dhe një shembull për brezat e rinj, veçmas për ata që do të merren me profesionin e gazetarit.

Zëri i tij do të jehojë përherë në kujtesën tonë si një kujtim i fuqishëm për një njeri të rrallë, që punoi me vetëmohim e me dashuri të madhe për familjen, për institucionin, për atdheun dhe humanizmin në përgjithësi.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndiej për obligim të zotohem se do të punojmë me tërë përkushtimin tonë, në mënyrë që synimet e Sulejmanit dhe të brezit të tij për një Kosovë tërësisht të integruar në familjen e madhe të vendeve të përparuara të qytetërimit euroatlantik të bëhen sa më parë realitet”, theksoi kryeministri Hoti.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se Sulejman Gashi i shërbeu kombit gjatë gjithë jetës.

“Kudo kontribuoi shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj. Sulejmani u vu në shërbim të kombit”, theksoi ish-kryeparlamentari Krasniqi – tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e ish-kryeministri Albin Kurti tha se Sulejman Gashin do ta kujtojë si ambasador të Kosovës, ndonëse nuk e kishte një pozitë të tillë, por që me punë e tij e dëshmoi këtë.

“Në këtë nëntor bëhen 23 vjet prej kur e takova për herë të pare Sulejman Gashin. Ai na përgatiste për takime me zyrtarë amerikanë, punoi ditë e natë për misionin tonë në ndihmë popullit tonë. Në mendjen time do të mbetet njeri fisnik dhe punëtor dhe ishte ambasador i Republikës sonë ndonëse i pa shpallur”, tha Kurti.

Fillimisht, në mbledhjen komemorative, në emër të familjes së Sulejman Gashit foli vëllai i tij, Selajdin Gashi, duke theksuar  se po i japin  lamtumirën e fundit njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi kombit dhe ndërroi jetë në 11 Shtator 2020.

“Familjarët, miqtë dhe institucionet janë të pranishme që të japin përshëndetjen e fundit të denjë siç e meritonte Syla, i cili ia kushtoi tërë jetën familjes, atdheut dhe kombit që e deshi shumë”, tha Selajdini.

Para përmbylljes së mbledhjes komemorative për Sulejman Gashin ka folur djali i tij, Drilon Gashi, i cili përkujtoi edhe raportimet e babait të tij gazetar nga shtëpia e tyre e zyra e korrespondentit në Amerikë për median në Kosovë.

“Babai ishte dhe do të mbetet zëri i shpresës, zëri i Kosovës dhe i Shqiptarëve nga Amerika, korrespondenti nga Nju Jorku e Uashingtoni”, u shpreh Driloni.

Në mbledhjen komemorative për Sulejman Gashin folën me kujtimet e vlerësimet më të larta  edhe Don Lush Gjergji, Mulla Xhevat Kryeziu – shok i fëmijërisë,  si dhe gazetarët që kanë punuar së bashku me të në kohë të ndryshme, Avni Spahiu, Skedner Durmishi, Asllan Bajrami e Ngadhnjim Kastrati, i cili është edhe drejtor i Radio Televizionit të Kosovës.

U përkujtua se Sulejman Gashi, mes tjerash, ishte korrespondent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i Radio Televizionit të Prishtinës e Radio Televizionit të Kosovës dhe i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që dilte në Prishtinë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në atë kohë në Kosovë, të mbyllur dhunëshëm nga regjimi okupator serb.

Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, si kryeredaktor i parë – themelues i gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” që ka dalë nga 18 janari 1991 e deri në prag të vitit 1999 dhe si kryeredaktor i fundit i gazetës Rilindja, gazetar i së cilës isha që nga shtatori 1973, shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e gjithëmonëshme për raportimet e Sulejman Gashit korrespondent nga Amerika dhe në këtë ditë lamtumire u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij e farefisit, miqëve dhe kolegëve gazetarë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Percjellja, Sulejman Gashi

Nderim dhe respekt për punën e bërë nga shoqata “Duart e hapura”….

September 19, 2020 by dgreca

Aleksander Nilaj, President i Shoqates”Duart e Hapura” ne New York-

-Filozofia e vërtetë shihet te sjelljet e jo te fjalët (Mone)-

Shkruan: Violeta Mirakaj-New York-

Violeta Mirakaj.

Vjeshta sapo ka nisur të përkëdhelë ajrin dhe të prarojë degët e pemëve. Ditët, javët, muajtë zvarriten në trysninë që është krijuar për shkak të rrezikut të virusit. Dhe se janë prish ekuilibret  standarte të jetës së mëparshme spikat qartë thënia e Alber Kamy :- “ E dua këtë jetë duke u përhumbur i tëri brenda saj dhe dua të flas me zemër të hapur për të:- Ajo më jep krenarinë e fatit tim njerëzor. Lumturia është e thjeshtë dhe se Njeriu është përherë në marrëveshje me natyrën” .                                                                                                                                                                       Të shkosh te monumenti i Njeriut është një rrugë e gjatë, një rrugë përçapjeje se është fjala për një monument ndryshe. Nuk bëhet fjalë për  monumentin e një politikani, i një luftëtari, por i njeriut të thjeshtë në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Në pamje të parë nuk ta krijon idenë si mund të krijohet ku mund ta gjejmë. Sigurisht të mençurit e të gjithë kohërave kanë përsëritur gjithmonë të njejtën gjë.  Gjatë gjithë historisë njerëzore në situate të ndryshme në kohë dhe vende të ndryshme, ka qenë të pranishëm ndihma, solidariteti për t’u dhënë ndihmë njeri- tjetrit.  Sidomos në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, edhe në këtë fillim  të këtij shekulli, grupimet dhe organizatat jo fitimprurëse joqeveritare janë të shumta, me qëllime dhe realizime të ndryshme, regjistruar në përputhje me dispozitat e legjislacionit të shteteve përkatëse. Duke e parë nga ky këndvështrim mund të renditen aktet e shumta bamirësie, ndihmën ndaj njerëzve në nevojë në situata dhe kohë të ndryshme si  në rangun nacional dhe internacional. Gjithësecila ka specifikën dhe biografinë e saj, të aktiviteteve dhe ndihmës në dobi të mirëqenies së njeriut. Gjithëseciili është dëshmitar  për këtë fakt, dhe aq më tepër  në këtë kohë pandemie, Covid-19. Në dritën dramatike të historisë së Covid- 19 , njerëzit zhvishen nga misteri i tyre shqetësues. Gjithçka në pamje të parë ishte e qetë në normalitet, tani e gjithë bota ndjehet  pezull dhe në këtë pritje universale. Shoqata “ Duar të hapura” me president Aleksander Nilaj me miqtë e tij si Kastriot Murataj etj. dhe me më shumë se 30 vullnetarë  punojnë në ditë të javës, si në ditë pushimi dhe fund jave. E kanë intesifikuar punën e tyre më shumë gjatë këtij viti, ku virusi merimangë ka futur në rrjetën e saj gati gjithë globin tokësor; ka bërë që gjithë aktiviteti njerëzor të futet në një qerthull vrastar, në një situate diabolike, në një hamulli që të merr frymën.  Pra në këto muaj të parehatshëm në një nga lagjet e Bronksit në Pelham Parkway, ku numri i banorëve shqiptar është i madh, një komunitet i cili dallohet në shumëllojshmërinë e aktiviteteve, për gjallërinë e saj, për mbështetjen  në kushtet e emigracionit të njeri -tjetrit, të bie në sy veprimtaria e shoqatës “Me duar të hapura” me president Aleksandër Nilaj …..                                                                                                           

Po bëhen 8 vjet ecurie, ku duart e kësaj shoqate janë të hapura për njerëzit në nevojë, jo vetëm për komunitetin shqiptar po për gjithë komunitetet, për te gjithë besimet dhe ngjyrat. Aktiviteti i kësaj shoqate  ka mbështetjen jo vetëm nga komuniteti, ku vullnetarë të shumtë japin ndihmesë  të ndryshme si pas kohës dhe mundësive, por ndjehet dhe përkrahja nga politika si dhe nga organizmat qeveritare me perfaqësuesit dhe mekanizmat e saj. Dhe bukurisht gjen vend proverbi arab :- “Bota është në anën e atij që reagon”. 

Z. Aleksandër duke ofruar pranë kësaj shoqate miq dhe njerëz të devotshëm si Kastriot Murataj, me modestinë karakteristikë të karakerit të tij; duket sikur thotë se, bota ku jeton gjithësecili, varet në rradhë të parë nga mënyra vetjake e të kuptuarit të saj, e cila përputhet me karakteristikat subjektive të çdokujt, sipas të cilave, ajo mund të duket e varfër dhe e shkretë ose e pasur, e denjë dhe e këndshme. Pra, nga gjërat e vogla në pamje të parë përgatitja dhe sistemimi, shpërndarja e pakove me ushqime në dyert e shtëpive të  të moshuarëve,  të të semurëve dhe të të paaftëve etj. arrihen gjëra të mëdha, jeta e njeriut është e sigurtë. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do t’i merrni. Ky është ligj themelor i natyrës. Këtë gjë duket se e materializon një shqiptaro- amerikan nga Selca e Kelmendit, Z.A.Nilaj.                                                                                                   

Rrethi i Kelmendit, më saktë i Selcës prej nga ka origjinën e pajisi me dashurinë për njeriun në nevojë. Është historia e këtij vendi me banorët e saj të mrekullueshëm që kanë bërë histori; si në Luftën për Pavarësin Kombëtare, ku burrat e vendit u mblodhën  dhe me mençuri hartuan Memorandumin drejtuar Portës së Lartë për njohjen  e kombësisë shqiptare me administratë dhe shkollë shqipe. Janë betejat antiturke u zhvilluan tek Qafa e Kestecit dhe Suka e Mkushit; apo aty në Zall të Bruzit, trimëresha e këtyre anëve, Nora e Kelmendit vrau pashain turk. Këtu është vendlindja e Dedë Gjerit, Nikë Lekës, komandatë të pamposhtur në luftrat për liri.                                                                                                                                               Një nga idhujt frymëzimi për Aleksandër Nilaj ashtu si e thotë vetë është Nënë Tereza. “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe. Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Gjej kohë të bësh mirësi. Dhe A.Nilaj me shoqatën e tij “Duartë e hapura”me grupin e vullnetarëve, si dhe bashkëpunimin edhe me organizimet dhe shoqatat e tjera me qeverinë vendore bëjnë të mundur shpërdarje me sukses në destinacionin e duhur të ushqimeve dhe gjithçka. Emrat janë të shumtë për punën e bërë si Sandra Pabon e cila ndan rreth 300 kuti me ushqime, apo Marko, Milena Marios dhe Anthoni.Përfaqësuesja e 80-th district e ansamblesë Nathalia Fernandez  gjen kohë të dalë në terren , duke organizuar me përgjegjësi kohën dhe vendin ku do të shpërndahen ushqimet. Shoqata amerkane – shqiptare “Duartë e Hapura” shpërndan ushqime të freskëta çdo ditë për popullsinë e komunitetit.  Mbi 10000 kutia me ushqime dhe 3500 paund produkte ushqimore, maska mbrojtëse, deyifiktues duarsh e të tjera për situatën duke patur kooperim si dhe me”Bake back America”- me devizën-“T’u bësh mirë të tjerëve është më e mira e të gjithëve. Të punosh do të thotë të mbushësh jetën me gëzim. Në një rast emergjence është marrëzi të kryqëzosh duart, është më mirë të përcaktosh rrugët dhe të mbash veten të zënë. Bamirësi nga Kelmendi mahniti Amerikanët- Ndihmon  të varfërit pa kërkuar asgjë, u çon para dhe ushqime… Ai i ndihmon të tjerët pa asnjë interes dhe pa ndonjë  financim nga qyteti i New Yorkut. Aktiviteti për këtë periudhë kaq problematike si në gjithë botën është intesive, por njëkohësisht është në vazhdimësi të ditëve festive si Hallueen, shpërndan kunguj, çokollata etc. në Williamsbridge dhe në vende të tjera. Pavarësisht shiut të rëndë , u dorëzojnë rreth 400 kunguj (pumkins) familjeve dhe antarëve të komunitetit, si dhe jashtë në lagje të tjera, bëhen operime për mbledhje fondesh bamirësie si dhe dhurata ushqimore. Në një intervistë Z. Nilaj thotë –“Ushqimet të gjitha i kemi donacion. Një pjesë e marrim nga “Food Bank”, rezervë ushqimore, që është e shtetit; ndërsa ushqimet e tjera i japin organizata të ndryshme , biznese të ndryshme. Vazhdon të tregojë kemi dhe bisnese shqiptare që na kanë përkrahur shumë.”  I shkon për së mbari thënies ë O. Uajlld- “Për njeriun gjëja më e rëndësishme është të ketë, ndërsa ai nuk e di se gjëja më e rëndesishme është të jetë”. Shpirti i bardhë dhe  i madh i Z.Nilaj spikat në përpjekjet që ka bërë të mundur të krijoj një bashkëpunim të suksesshëm me dy Shoqata Para dhe Tetraplegjikëve Shkodër dhe në Malësinë e Madhe. Humanisti, veprimtari nga Kelmendi vazhdon me sfidimet, jep sërisht sinjale pozitive, tregon se ka ende njerëz edhe pse janë larg atdheut, dhe pse jeta e përditshme për veten dhe mbajtjen e familjes kërkon shumë mund dhe djersë, gjen kohë dhe mundësi të ndihmojë të gëzojë shpirtërat e njerëzve në nevojë në vendlindjen e tij. Dy shoqatave të para dhe tetraplegjikëve t’u dhurohen karroca për të lëvizur.  

Ç’gëzim të pamatë për këta njerëz të kenë mjete përkatëse për të lëvizur…shpirti mbushet plot . Pra, njerëzit e mirë njihen lehtësisht nga përparësitë e shumta të fjalës e të veprimit dhe nga virtytet e tyre. Ky është monumenti që doja të ngrihesh  për njeriun e mirë. Njeriu atje ku rron, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Gjej kohë të bësh mirësi. Humanizmi është një histori që përsëritet. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do të merrni. Ky është  ligj themelor i natyres. Mos u trego indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve se përndryshe nuk e meriton emrin Njeri. Kthehu në qenie e ndjeshme dhe vlerëso kushtet njerëzore. Të jesh njeri është një gjë shumë e bukur.

New York

Shtator 2020

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Aleksander Nilaj, duart e hapura, Violeta Mirakaj

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës

September 18, 2020 by dgreca

-Në Kuvend, një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën kryeministri Hoti ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës/

-Kosova ka gjithësej 38 komuna, nga 10 komunat me shumicë serbe  5  janë të reja sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së/

-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj./

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

PRISHTINË, 18 Shtator 2020/ Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ishte në axhendën e seacës plenare të Kuvendit Kosovar, me shumë debat që u zhvillua dje deri në orët e mbrëmjes dhe do vijojë edhe sot edhe me një draft-rezolutë së paralajmëruar.

“Republika e Kosovës, e 17 Shkurtit 2008, është projekt i patjetërsueshëm, i mbrojtur nga Kushtetuta”, ka theksuar Kryeministri Hoti.

Një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën Kryeministri ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës Kryeministri Hoti mes tjerash tha:

“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi i jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog, pasi ka një marrëveshje të arritur për këtë më 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj, ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel, vlen parimi se ‘Asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha’.

Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë, përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke.

Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke.

Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura në mes të vendeve. Por, do të ofrojë zgjidhje sistematike, bazuar në konventat ndërkombëtare.

Marrëveshja nuk do të ofroje zgjidhje të përkohshme apo afatgjate, por zgjidhje të përhershme.

Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje.”

Koordinatori Shtetëror i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit dje në Bruksel me delegacionin e Serbisë, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deklaroi se nuk është diskutuar fare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe delegacioni Kosovar ka refuzuar përpjekjen serbe për ta hapur këtë temë

“Natyrisht se delegacioni serb bëri përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e refuzuam kategorikisht”, ka theksuar Hyseni.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në raundin e 28-të të dialogut në nivel kryeministrash.

Në marrëveshje, që në fillim përcaktohet:

“Korniza ligjore

1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës.

2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij, që do të përbëhet së paku nga elementet e mëposhtme:

3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të përbëra nga anëtarët e votuar të kuvendeve të komunave pjesëmarrëse. “

Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë  5  janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.

Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas një regjistri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Behlul Jashari

Kosova Urdhrin e Lirisë Presidentit Amerikan Trump

September 18, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi nderon Presidentin Trump me urdhrin më të lartë shtetëror dhe e fton ta vizitojë Kosovën/

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi – Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump  Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë/

PRISHTINË, 18 Shtator 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Po ashtu, presidenti Thaçi ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt.

I pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump:

I dashur z. President,

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike.

Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot.

Më lejoni të ju siguroj që Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është më e qartë se kurrë, që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj.

Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë.

Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington.

Në emër të popullit të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë.

Sinqerisht,

Hashim Thaçi

Filed Under: Featured Tagged With: per president trump, Thaci, Urdheri iLirise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT