• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM I KRYETARIT TË VATRËS

June 23, 2015 by dgreca

Po ju njoftoj se mbledhja e Këshillit Drejtues do të mbahet ditën e dielë më 12 korrik 2015, në orën 2 PM në sallën e VATRES. Në këtë mbledhje do të bisedohet mbi punimet e Kuvendit vjetor i cili u mbajt me 2 maj në Jacksonville, Florida, si dhe mbi subjekte të tjera që kanë të bajnë me aktivitetet e Vatrës dhe me detyrat që na presin. Do të hartohet lista e re e Këshillit Drejtues, që do të ketë një numër antarësh në proporcion me numrin e përgjithshëm të antarëve të Vatrës. Deri në atë datë parashihet se kryetarët e degëve do të kenë dërgue listat e plota të antarëve të rregullt të degëve të tyre. Prandaj ju lutem të mos mungoni, pse janë të nevojshme mendimet e të gjithëve. Në se ndokush nuk mund të jetë i pranishëm për arsye objektive, duhet me ngarkue me shkrim (e-mail ose letër) nji antar që do të jetë në mbledhje, për ta përfaqsue personin i cili dëshiron por nuk mundet me marrë pjesë fizikisht.

Kryetari

Dr. Gjon Bucaj

 

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, I KRYETARIT TË VATRËS, Njoftim

Besnik Mustafaj: Si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme

June 23, 2015 by dgreca

Personalizmi i fushatës nga Rama dhe Basha,  ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh./

Intervistë e Zerit te Amerikes me shkrimtarin Besnik Mustafaj/

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj! Cili është mendimi juaj i parë rreth zgjedhjeve vendore dhe rezultateve të tyre?

Besnik Mustafaj: Si demokrat i vjetër është një ndjenjë e hidhur për arësye të përmasave të fitores së të majtës. Por si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme. Fushata në nivelin e qytetit dhe të kandidatëve qe një fushatë serioze dhe e qetë, që shënoi hapa të reja në dialogun politik midis kundërshtarëve, pavarësisht se për drejtuesve të partive nuk qe e tillë.

Zëri i Amerikës: Si e pritët faktin që ndërsa zgjedhjet mbaheshin për pushtet vendor, kryetarët e partive u përfshinë shumë në fushatë?

Besnik Mustafaj: Për mua ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh. Thëniet e tij të përsëritura gjatë fushatës së kush nuk voton për kandidattin e majtë nuk do të ketë ujë e drita është antidemokratike, është e rrezikshme si ligjëratë publike dhe është një diçka që duhet t’i bëjë shqiptarët të mendojnë. Basha gjithashtu e bëri kauzë personale duke folur për një “projekti Basha”. Ç’është ky? Nuk ka projekt Basha ende në nivelin e zgjedhjeve lokale. Edhe Basha bëri një gabim, sepse si do ta faturojë tani këtë humbje të Partisë Demokratike dhe e djathta në tërësi? Të dy e dëmtuan fushatën, por nga ana tjetër pati kandidatë shumë të mirë dhe këtu do të veçoja Halim Kosovën.

Zëri i Amerikës: Ju pyetët si do të faturohet humbja në Partinë Demokratike. Ndërkohë po dëgjohen zëra kritikë ndaj kryetarit Basha.

Besnik Mustafaj: Ka vend për zëra kritikë ndaj kryetarit. Ai duhet të kuptojë tashmë se ristrukturimin e partisë nuk e ka bërë ende, siç do të duhej ta kishte bërë gjatë dy vjetëve. Tani do të ketë gjithë kohën për t’iu kushtuar partisë siç ka thënë. Pra, ringritja e partisë nga humbja e thellë e 2013 nuk është bërë. Zoti Basha duhet të përcaktojë qartë profiin e liderit që dëshiron të jetë: a do të jetë një profil lideri siç e kanë shumica e partive popullore europiane. Partitë e qendrës së djathtë janë zakonisht parti me lider të fortë në qendër, si për shëmbull; partia e Merkelit, e Sarkozisë, e Berluskonit etj. Për të bërë një parti me lider ai duhet të tregojë së pari se është lider dhe të vendosë një dialog të drejtpërdrejt me të gjithë militantët, të shkojë tek ata dhe nuk ka nevojë të bëjë vetëm mitingje dhe televizion. Nuk janë kurrë militantët e partisë njerëz që mjaftohen me fjalime përmes televizionit për të njohur liderin. Ose të zgjedhë nëse do të jetë një parti institucionale e strukturuar në të gjitha nivelet. Atëherë strukturat bëhen vendim-marrëse. Ai i merr vendimet lider partie dhe nuk nuk sillet si parti me lider. Kjo fushatë dhe rezultatet tregojnë se ai në radhë të parë duhet të fitojë besimin e militantëve të partisë, që ai nuk e ka fituar ende. Pra, duhet të fillojë një dinamikë tjetër brenda Partisë Demokratike. Unë shpresoj se ai do të ketë pjekurinë t’i lexojë mirë këto rezultate.

Zëri i Amerikës: A mendoni se shpirti demokratik i qytetarëve u shpreh në këto votime?

Besnik Mustafaj: Pa asnjë diskutim. Partia Demokratike ka humbur në disa njësi vendore të administruara deri dje nga komunarë demokratë. Kjo do të thotë se ajo ka administruar keq. Por , nga ana tjetër Partia Demokratike ka fituar në disa bastione socialiste në jug dhe në veri. Pra, unë besoj se gjatë këtyre zgjedhjeve qytetarët dhanë shenja serioziteti kundrejt të dy partive të mëdha, por veçanërisht ndaj Partisë Socialiste dhe të majtës në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Disa analistë e shohin me shqetësim tani fitoren e madhe të Partisë Socialiste. A ekziston rreziku i abuzimit të tyre me një pushtet kaq të gjerë?

Besnik Mustafaj: Së pari fitorja e tyre është një fitore demokratike, një fitore e dhënë nga sovrani. Rrezikun e abuzimit e parandjej edhe unë. Ky rrezik lidhet me profilin e kryetarit socialist. Edi Rama është një person egocentrist, i cili do një përqëndrim sa më të madh të pushteteve në duart e tij dhe nga fillimi i jetës së tij politike dhe deri tani nuk ka dhënë provat se është një demokrat i vërtetë. Kërkohet një vigjilencë e gjithë shoqërisë, kërkohet vigjilencë e komunitetit ndërkombëtar për t’i treguar disa kufij që ai nuk mund t’i shkelë sepse është i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Zëri i Amerikës: Në këto zgjedhje hmbën shumë kandidatë që janë personalitete në komunitetet qytetare, dhe bashkë me ta duket sikur humbi qytetaria përballë politikës. Si e shihni këtë zhvillim, pra kandidatët partiakë përballë atyre qytetarë?

Besnik Mustafaj: Në dasëm nuk shahet dhëndri, thotë populli. Ata që fituan nuk do të bëj analizë për ta. Atyre iu uroj gjithë fitimtarëve ta kryejnë me nder atë detyrë. Unë do të veçoja Halim Kosovën, Ardian Turkun, Gjergj Meron, doktorin e Gjirokastrës etj. Ishin kandidatë dinjitozë për detyrat që konkurruan. Ata shënuan një cilësi të re në politikën shqiptare. Ata sollën dialogun politik në nivel lokal. U bë gjithçka që ata t’i futnin nëpër replika politike. Halim Kosva është i pari që tha unë punoj me Edi Ramën, po të fitoj. E dyta ai nuk e shau kurrë rivalin e tij, por tha “Vetëm Punë e jo Fjalë”. Fjalimin e Erjon Velisë dua ta vlerëosj me këtë rast. Ai tha se me Halim Kosovën më shumë gjëra na bashkojnë se sa na ndajnë, dhe e vlerëosi rolin e tij në fushatë. Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz. E dyta, tha: Nuk kemi ardhur si pushtues në Tiranë. Shpresojmë se ai do të dijë ta mbajë atë fjalë që tha, por parashtrimi publik i asaj që premtoi të kryejë meriton respekt.

Intervistoi:Ilirian AGOLLI

 

Filed Under: Interviste Tagged With: besnik Mustafaj, Interviste, zgjedhjet

Berisha: Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të legjitimojë zgjedhjet

June 23, 2015 by dgreca

Ne nje interviste dhene per Top Story, ish kryeministri dhe Kryetari i Partise Demokratike, dr. Sali Berisha, ka qene i ashper ndaj dushes Rama-Meta, dhe i ak cilesuar zgjedhjet te dominuara nga krimi dhe shitblerja e votes. Ai tha se:Nuk ka ndodhur kurrë të kandidohen kriminelë të ditur me rekorde kriminale, ku komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët tanë të kërkojnë largimin e tyre dhe kreu i qeverisë të lëshojë çertifikata publike për ta, duke dëshmuar se është udhëheqësi i tyre.

Ndiqeni Intervisten:

– Zoti Berisha, në mungesë të komunikimit të drejtpërdrejtë, komentuam gjatë njoftimin tuaj në Facebook dhe shumë nga argumentet që ju radhisni aty, duke e quajtur “ngjarja më e shëmtuar elektorale dhe deformimin e votës”, ne na tërhoqi vëmendjen paragrafi i fundit ku ju i bëni thirrje komunitetit ndërkombëtar për të mos përligjur rezultatin e kësaj farse të shëmtuar elektorale siç e keni quajtur ju. Si mund t’ia bëni këtë thirrje komunitetit ndërkombëtar pa ia bërë këtë apel vetë partisë suaj?

Së pari, zgjedhjet janë një proces, të cilat kanë gjithnjë një arbitër dhe verdikti i arbitrit ndërkombëtar për vendet e hapura është përcaktues në qëndrimin ndaj zgjedhjeve. Së dyti, thirrjen e kam bërë me keqardhjen më të madhe, dhembshurinë më të thellë, por dhe ndërgjegjen time të plotë. Cilido politikan, gazetar, qytetar që ka argumente të rrëzojë njërën prej pikave që unë kam shtruar këtu, unë do të jem mirënjohës dhe do t’ja pranoj me kënaqësi. Nuk ka ndodhur kurrë të kandidohen kriminelë të ditur me rekorde kriminale, ku komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët tanë të kërkojnë largimin e tyre dhe kreu i qeverisë të lëshojë çertifikata publike për ta, duke dëshmuar se është udhëheqësi i tyre.
Unë mund të garantoj qytetarët shqiptarë se në këshillat e bashkive ka kriminelë të tmerrshëm, ka nga ata që lajnë dhjetëra e mos më shumë para droge e prostitucioni dhe për ta nuk është folur fare. Nga ana tjetër, çdo shqiptar besoj ka parë fushatën më me salltanet dhe më pompoze në historinë e vendit, dëshmi e vërshimit të lumenjve të parave të drogës, prostitucionit dhe krimit. Kanë parë qytetarët shqiptarë atë që nuk kanë parë ndonjëherë, gjithnjë punonjësit e administratës për mendimin tim kanë marrë dhe duhet të marrin pjesë në fushatën elektorale, por kurrë infrastruktura e institucioneve. Kësaj here, si asnjëherë tjetër shkollat, spitalet, repartet ushtarake, Policia e Shtetit gjithçka u vu në funksion të mazhorancës, u krijua një pabarazi e paimagjinueshme, nuk ka ndodhur kurrë në një vend, që një javë para përfundimit të fushatës të sekuestrohet një televizion që ishte kritik ndaj qeverisë dhe do të theksoj një gjë, akti ishte më i poshtri, më i ulëti, më i pafytyri që mund të bëhet, sepse në atë mënyrë siç veproi Edi Rama me “çorapen” e tij të akuzojë për larje parash transaksionin pa pritur përgjigje. Çdo transaksion edhe mund të jetë larje parash, por para se ta shpallë qeveria të tillë, institucionet marrin përgjigjen. Ja që doli që paratë janë të gjitha të “Deutche Bank”, çfarë thotë tani i pafytyri që sekuestroi një media televizive sikur të ishte një kioskë. A veprohet në këtë mënyrë.

– Le ta themi troç që zoti Rama paska kontroll mbi Prokurorinë?
Absolutisht të plotë në këtë aferë. Si mund të shpallet tjetri për arrest se ka dyshime. Jo more zotëri, prit, ktheje dyshimin në realitet se nuk ka gjë më të thjeshtë. Ke çuar kërkesën për të verifikuar fondet?! Prit të vijë përgjigjja. Ja të erdhi çfarë do të thotë tani, apo do të marrë një gjobë me dhjetëra e dhjetëra milionë për taksapaguesit. Çfarë solli kjo? Solli të gjitha bandat e lidhura me qeverinë që kanë bërë fushatë një muaj rresht, deri tek bllokimi i kutisë në Bulqizë nga banda e Spahive, kjo është e vërteta. A do të përligj komuniteti ndërkombëtar një palë zgjedhje, të cilat krimi triumfoi mbi ligjin, në të cilat u krijua pabarazia më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë midis palëve.

– Do të isha dakord me logjikën tuaj, por i rikthehem pyetjes sime. Mos do të ishte më mirë që këtë apel t’ia drejtoni lidershipit të partisë suaj?
E kundërta është, unë i bëj thirrje partisë që kategorikisht të mos bllokojë procesin, ju bëj thirrje numëruesve të PD, komisionerëve që të kryejnë me përkushtimin më të madh para ligjit. Ky është dallimi ynë me këta zotërinj. Ne nuk bojkotojmë, por ne do të bëjmë betejën më të fuqishme në emër të interesit të shqiptarëve kundër këtyre zgjedhjeve. Jo bojkot në asnjë rrethanë. Por që të dhunohen të gjitha parimet e zgjedhjeve të ndershme, kush të dojë t’i shpallë të tilla, ne do të vazhdojmë të palëkundur betejën tonë derisa të bindim edhe zyrtarin e fundit se në këto zgjedhje u dhunuan haptas parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe cilido që ka fakte të rrëzojë këto që themi ne është i mirëpritur.

– Fakti që ju si PD tashmë merrni pjesë në të gjitha fazat e zgjedhjeve, ndoshta dikujt mund t’i duken se të gjitha këto janë justifikime, sepse mund të mendohet se rezultati në kuti nuk është në favor të partisë suaj?
Absolutisht nuk e dimë mund të jetë edhe në favor të PD, por le të kthehemi pak tek historia e Sali Berishës. Kështu thanë vëzhguesit edhe më 2001 dhe më vonë u detyruan të tërheqin atë që kishin thënë dhe u detyruan të thonë se opozita solli fakte dhe dokumente, me të cilat faktoi se ishin dhunuar parimet themelore të zgjedhjeve. Nuk synoj aspak të bojkotohen zgjedhjet, nuk synoj aspak të ndërpresim procesin, por synoj që t’i themi të vërtetën komunitetit ndërkombëtar dhe të ndëshkohet kjo qeveri për të gjitha këtë zinxhir presionesh dhune me të cilat veproi në këto zgjedhje.

– Momenti më i vështirë për partinë tuaj ishte viti ‘97 edhe atëherë ju nuk keni bëjë thirrje për mosnjohje të rezultati dhe bojkotim të procesit, pse tani arrini në këtë moment?
Sepse më ‘97 megjithëse kishte një rebelim komunist, nuk mund të them se palët ishin të pabarabarta në këtë shkallë sa ç’ishin sot. Unë isha në qeveri zotëri dhe absolutisht nuk mund të akuzoj se opozita e vuri qeverinë në pabarazi. Pati zona që nuk kontrolloi rendi, por nuk ishte detyrë e opozitës ajo ishte e qeverisë. Në listën e kandidatëve në atë periudhë mund të ketë pasur 1-2-3 të inkriminuar, por asnjë të njohur zyrtarisht siç ka tani. Nuk kishte një marrëveshje për të mos emëruar të inkriminuarit siç ka tani. Pra, nuk pati atëherë një angazhim total, të institucioneve dhe infrastrukturës së tyre në fushatë. Unë nuk them se ato ishin zgjedhje të mira, jo absolutisht, por mos harro se ato zgjedhje kishin një gjë tjetër më të madhe se të gjitha këto, kishin vendimin për të bërë një zgjidhje politike dhe ajo zgjidhje politike ishte pranuar që kur nisën zgjedhjet.

– Zoti Berisha, megjithëse ju jeni një deputet hija juaj në politikë vazhdon të jetë e rëndë. A pati në reagimin tuaj dhe në qëndrimin e zotit Basha duket se jeni të kithët. A dalloni diferencë midis jush dhe zotit Basha?
Këto janë strikt qëndrime të Sali Berishës. Janë qëndrim të një ish-Kryeministri, i cili ka bërë vetëm gjatë viteve të shkuara tre palë zgjedhje në të cilat në mënyrë eksplicite është shkruajtur se qeveria nuk ka ndërhyrë në rezultatin e tyre. Kjo është themelore Sokol. Të dalë një shqiptar dhe të më thotë se qeveria nuk ndërhyri në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, nuk po them në listat e votimit, po në fondet, në institucionet, në bandat e aktivizuara prej tij, në emërimin e kriminelëve nëpër bashki e komuna. Të dalë një njeri të ma thotë këtë dhe do t’i kërkoj ndjesë. Zgjedhjet i prishi Edi Rama pa u numëruar votat.

– Ti qëndrojmë hipotetikisht argumenteve tuaj. Ne kemi një rezultat të konfirmuar, Bashkia e Pustecit. Konfirmon një rezultat të thellë, mendoni se edhe në Pustec është manipuluar rezultati?
Nuk ka të bëjë fare qëndrimi im me rezultatin që ndodhet në kutitë e votimit. Qëndrimi im ka të bëjë me dhunimin flagrant të të gjitha atyre parimeve, të cilat përcaktojnë barazinë dhe rregullat të njëjta dhe që është kushti themelor në kriteret e Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëndrimi im ka të bëjë me transparencën, me praninë e kriminelëve zyrtarisht si kandidat për kryetar bashkie dhe komunash. A mundet një vend që aspiron drejt Europës të thotë që ky që është marrë me drogë, me prostitucion, ky që është marrë me atentate, këta janë të shpëlarë dhe mund të garojnë. Ka gjë më të turpshme se kjo. Rezultati nuk është shumë preokupimi im. Preokupimi im është se shqiptarët nuk duhet të kenë kriminelë në listat e parlamentarëve të qyteteve, në listat e kryetarëve të bashkive. Preokupimi im është se nuk mundet që bandat të përcaktojnë votën e shqiptarëve, nuk mundet që paratë e pista të shndërrohen në mjet kryesor të fushatës elektorale. Këto janë preokupime.

– Ju flisni nga kritikat e partisë suaj dhe mund të kritikoheni, pasi nga pala tjetër si i dënuar apo i inkriminuar është edhe një prej kandidatëve tuaj, zoti Mziu në Kamëz?
Kandidati i Kamzës nuk është as për korrupsion, as për prostitucion, as për drogë, as për vjedhje është absolutisht në zbatim të ligjit, sepse ka përjashtuar nga tenderi një kompani, e cila nuk ka paguar taksat dhe ka zbatuar vetëm ligjin. Nëse ky kandidat ka edhe një presje tjetër në aferë unë jam plotësisht dakord.

– Ka një vendim gjykate?
Nëse ka një vendim gjykate, pret apelin, sepse ky është de fakto i padënueshëm. Kurse kur ke rekorde kriminale në vendet përreth dhe të kanë burgosur, dhe kanë bërë politika penale dhe të kanë përzënë dhe ke qenë dhe në Shqipëri për plagosje, kjo është një situatë krejtësisht tjetër. Nuk ka asnjë kandidat të PD me rekorde kriminale. Nuk them për këshilltarët se nuk e di, por për kandidat asnjë.

– Të flasim pak për rezultatin. Zërat janë që PD do të ketë një analizë për rezultatin, është e vërtetë?
E vërteta është se gjithnjë PD dhe çdo forcë politike lexon çdo rezultat pozitivin dhe negativin dhe nxjerr konkluzionet. Jam i bindur se ky do të jetë edhe veprimi i PD. Problemi im nuk ka të bëjë me rezultatin, ka të bëjë me standardin, ka ndodhur ndonjëherë që një Kryeministër me zë dhe figurë që t’i thotë çdo drejtori apo nëndrejtori, apo çdo punonjësi, që ka marrë qoftë edhe një fije pushtet nga PS, nëse nuk sjell rezultatin do të largohet nga puna. Nuk ka ndodhur kurrë. Nuk janë larguar nga puna ato që bënë spotet e Edi Ramës dhe mashtronin gjithë ditën për rrogat e mësuesve. Ajo u bë drejtoreshë nga Edi Rama po unë e lashë mësuese dhe nuk është marrë njeri me të. Apo pedagogia tjetër tek Inxhinieria që u ngrit me një akces anormal ndaj Lulzim Bashës dhe nuk i foli askush një fjalë.

– Më kujtohet fushata 2007 kur përurohej shatërvani Fitorja dhe tha se kandidatin e majtë do ta zhysim me kokë në shatërvat, dhe kryeministër keni qenë ju?
Absolutisht jo, ajo është fantazi e tij e sëmurë, po unë i kam trefishuar fondet atij kurse ai bëri fushatë të tillë. Ai ju tha se mos votoni kundërshtarin se do të mbeteni pa ujë, pa kopshte, pa rrugë, pa shkolla. Ai i tha të gjitha këto. Ajo çështja e kokës në shatërvan ka qenë çështja e nxehtësisë së kokës, por kurrë për ta diskriminuar. Ka qenë kokë e nxehtë.

– Ndoshta simbolike i ka pasur edhe ky…
Ky i bëri moto të fushatës, që po votuat për kandidatin SHQUP-it do të keni këtë e këtë, sikur buxheti të ishte familjar apo partiak dhe jo kontribut i të gjithë shqiptarëve. Edi Rama ka shkelur çdo standard të zgjedhjeve në këtë fushatë. Këto janë zgjedhje të padenja pavarësisht nga rezultati.

– Edhe nëse PD del fituese në këto zgjedhje, ju i qëndroni faktit se fituesi ju i qëndroni faktit se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i legjitimojë ato?
Unë i qëndroj plotësisht asaj që kam thënë këtu dhe i bëj thirrje çdo njeriu që ka të bëjë direkt apo indirekt me zgjedhjet në Shqipëri, të qëndrojë se ai është interesi më i mirë i shqiptarëve. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit kur në deklaratë publike Komisioni i Helsinkit të SHBA shprehu të gjitha shqetësimet që unë kam renditur në statusin tim se po ndodhin në Shqipëri.

– Ju thoni në statusin tuaja në FB, që bëni thirrje të mos njihen zgjedhjet nga ndërkombëtarë. Çfarë ndodh me pozitën e opozitës përsa i përket bashkëpunimit parlamentar, pushtetit lokal, çfarë ju ndodh proceseve politike në Shqipëri…?
I ndodh një gjë shumë e mirë. I ndodh ajo që qeveria detyrohet të bëjë një tërheqje, t’i vërë gishtin kokës dhe të mos imagjinojë të përsërisë kurrë më këto që përsëriti. Ndodh një gjë shumë e mirë, që qeveria dhe opozita kyçen edhe një herë në mënyrën më serioze në procesin e dekriminalizimit dhe i nxjerr një nga një nga postet dhe funksionet, ata të cilët nuk meritonin për shkak të rekordeve kriminale të ishin. Ndodh një gjë shumë e mirë, qeveria nxjerr konkluzionin, nën presionin ndërkombëtar se nuk mundet kurrë të përdorë infrastrukturën e institucioneve shtetërore për fushatë elektorale. Pra, qeveria të kujtohet se barazia midis palëve është një parim themelor i zgjedhjeve të pranueshme dhe ky është qëllimi i qëndrimit tonë, me të cilin ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona për të bindur partnerët tanë.

– Ju po kërkoni një shkak ligjor për anulimin e zgjedhjeve, apo një zgjidhje politike?
Nuk kërkoj një shkak ligjor për anulimin e zgjedhjeve, se për mua këto janë zgjedhje të dënuara. Unë kërkoj dënimin e të gjitha atyre rrethanave, të cilat ndëshkuan zgjedhjet dhe këto që kam thënë dhe konstatuar këto bazohen në qindra fakte, dokumente, deklarata dhe besoj janë objektive. Të mendosh se Shqipëria mund të shkojë më tutje në këtë proces, do të thotë që Shqipëria të ndëshkosh në mënyrë shembullore këtë vend, të bësh një krim të vërtetë ndaj tij.

– Gjatë fushatës ju keni evidentuar incidentet dhe parregullsitë që kanë shoqëruar këtë fushatë. Ju kërkesën ndaj komunitetit e bëtë në prag të fillimit të numërimit, a ishte ky momenti i duhur?
Unë nuk doja të interferoj në procesin e numërimit. Numërimi mund të jetë një frazë kurse këto që unë kam thënë, vijnë në atë që unë kam thënë në mëngjes, këto janë zgjedhje të plagosura. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm para Europës, para çdo vendi të lirë. Prania e kriminelëve në kandidim përbën një damkë të zezë për ne.

Marrë me shkurtime nga Top Story

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Berisha, Interviste, Top Stori, zgjedhjet dhe krimi

Basha: Rama-Meta u braktisën, zgjedhjet, hap i madh për PD

June 23, 2015 by dgreca

Rama justifikon rënien e votave të PS: Zgjedhjet lokale kanë larmi/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë sot para mediave në deklaratën e parë pas përfundimit të procesit të numërimit të zgjedhjeve në pjesën dërrmuese të bashkive.Basha denoncoi manipulimet dhe parregullsitë e kryera nga mazhoranca, por njëkohësisht vlerësoi këto zgjedhje si një hap i madh për Partinë Demokratike.“Rama dhe Meta kanë pësuar braktisje nga qytetarët. Kjo u vu re në numrin e votave që ata morën. Rama-Meta manipuluan hartën elektorale”, tha Basha.Ai risolli në vëmendje tentativat për blerje votash apo manipulime në sajë të kërcëninemeve me pushim nga puna.

“Shqetësimet tona u verifikuan nga misioni i OSBE/ODIHR dhe ndërkombëtarët”, tha Basha.Ai deklaroi se mazhoranca nuk iu përgjigj thirrjes së ndërkombëtarëve  për heqjen e të inkriminuarve nga listat ashtu sikundër bëri Partia Demokratike.Basha vlerësoi këto zgjedhje si një hap i madh për PD-në dhe deklaroi se opozita do të vazhdojë betejën e saj për rikthimin e dinjiteti të shqiptarëve.

Rama justifikon rënien e votave të PS: Zgjedhjet lokale kanë larmi/

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së tij të sotme për shtyp i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit  si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Rama theksoi faktin se nuk u përdorën rezervat e Shtetit për të ndikuar te vota si në të kaluarën.Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se nuk u përdorën të burgosurit apo administrata publike për të bërë fushatë dhe për të intimiduar votuesit.

Rama bëri thirrje që komisionerët të bëjnë punën deri në fund për këshillat, sikurse e bënë edhe për kandidatët. “Votat për këshilla nuk janë vetëm politike, por edhe individuale dhe duhet të ruhet larmia e tyre si e tillë”, – tha Rama, duke justifikuar në njëfarë mënyre rënien e pritshme të votave të PS-së në krahasim me 2013-n dhe rritjen e njëkohshme të votave në favor të LSI.Sipas Ramës zgjedhjet janë historike për 2 arsye: “sepse nuk u ushtrua presion ndaj anëtarëve të administratës dhe u vendos barazia e plotë gjinore në këshillat bashkiakë”.“Referendumi që kërkoi PD kundër reformave të qeverisë, humbi edhe më keq nga çfarë e mendonin”, – tha Rama.“Nuk kam pritur 21 qershorin për ta marrë vesh se shqiptarët duan me ngulm vazhdimin e reformave. 21 qershori është një shtysë e re për t’i vazhduar reformat. Shqiptarët e konfirmuan alenacën tonë si drejtimin e duhur. Lajmi i i mirë është se 9 kandidate janë gra, nga të cilat 8 nga ASHE. I uroj përzemërisht për fitoren që të gjitha, përfshi edhe kryebashkiaken e re të Shkodrës” – vijoi Rama.“Shqiptarët i mbështesin reformat tona, sepse nuk kanë më kohë për të humbur. Deri në fund të vitit do të bëjmë gati pakëten e re për decentralizimit të plotë të bashkive. Duam ta bëjmë bashkë me opozitën rrugën drejt konsolidimit të shtetit shqiptar, por do ta bëjmë me patjetër, edhe nëse opozita nuk dëshiron të na bashkohet,” – theksoi Rama.“Pjesmarrja kaq e lartë është inkurajuese. Nuk arrita të gëzohem plotësisht sepse për politikanët kjo është një fiotore, por për ata që investojnë me votë është një invesitm apo një ankth që presin që t’iu kthehet. E ndiej fort dhimbjen e atyre që mund të mos shkonin fare në zgjedhje më 21 qershorit por e bënë. Ju falenderoj që shkuat prap kaq të shumtë në numër për të votuar. Ju falenderoj që na mbështesni për përpjekjen e mundimshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe nga lëngata”.“Ky është drejtimi i duhur për vendin tonë, unë do të vazhdoj të bëj me mish e me shpirt gjithçka që është e mundur për të justifikuar besimin e atyre të gjithë atyre që na votuan”, – përfundoi Rama.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, komentojne, Lulzim Basha

Demokratë, ne humbëm!

June 23, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida/

Harta është ngjyrë violetë. Shifrat kanë diferenca të ndjeshme, por edhe honike. Përkundër të gjitha arsyetimeve, kjo është humbje. Dhe një e tillë, përpara se ta kërkojmë tek tjetri duhet ta kërkojmë tek vetja. Tjetrit i duhet thënë urime. Pavarsisht mospikëpjekjeve tona. Pavarsisht se duam apo nuk e duam. Pavarsisht pretendimeve. Ka një sovran që e do. Ai ka emrin popull.
Të cilin nuk kemi përse ta mallkojmë. Pasi ishte ai që na dha edhe neve pushtet dikur. Eshtë ai që do na rimëkëmbi sërish. Lum kush e kupton dhe mjerë kush vazhdon ankohet. Ka domethënien e qoshes. Spostimit. Ta gëzojmë atë. I pari kryetari i opozitës. Një nga njerëzit që për hir të së vërtetës, për disa vite me radhë u bë modeli fitues i një fushate ndryshe. Sot e di ai pse ndryshoi. Pse përfundoi tek oratoria me mallkime. Tek vendimmarrja personale, jo ajo kolegjiale. Pse quan fitore rritjen prej 9% të numrit të votuesve. Ata në favor të PD-ës. Harta është ngjyrë violetë. Bashkive të mëdha as që iu afruam. As që i shkundëm pluhurat. Kjo quhet humbje. Madje humnerë. Rezultai i ngjan ndeshjes Gjermani- Brazil në kampionatin botëror të 2014.
Si mund të justifikohemi. E thjesht fare. Të mësohemi të urojmë kundërshtarin. Pastaj të ulemi dhe të analizojmë humbjen. Të ulemi duke dëgjuar edhe mendimin ndryshe brenda vetes. Një demokrat nuk është vetëm ai që mendon si kryetari, që qesh si kryetari, etj. Por edhe ai që pavarsisht të gjithave, ka rreshtuar veten në atë radhë të gjatë emrash. Ku ai në krye duhet të gëzohet përse ka radhë. Dhe jo të përjashtojë njerëz prej saj. Jo ta shikojmë shoku-shokun me ironi. Dhe të fillojmë me atë formulën shqiptare, të kryqëzimit. Kush ka të drejtë apo jo. Pse s’më dëgjove mua? Pse kështu e pse ashtu? Por për së mbari. Dhe një rrugë e tillë fillon duke hequr nga koka mendimin se humbja e një palë zgjedhjeve është fundi i botës. Koha rrjedh më shpejt se ujët e lumit. Ata që duhet ta kuptojnë të parët këtë, janë opozitarët. Edhe pse të dërrmuar. Edhe pse të shënjuar. Nga ana tjetër duhet të jemi krenar për çdo reagim të fortë prej opozitari, që kemi bërë. Që do të bëjmë. Pasi është ekzistenca e demokracisë. Një popull që është i lumtur 100%, ka paraqitjen e një tryeze dreke me të njëjtën menu. Fasule, fasule, fasule…
Veç opozitar nuk do të thotë të mallkosh. Të nxjerrësh koka njerëzish që ulërasin, shajnë, për turpin dhe faqen tonë të zezë. Koka që krijojnë grupe klasash, lagjeje dhe krahine apo anët tona e anët tuaja. Opozitar do të thotë krijesë njerëzish që frymojnë bashkë.
Nëse kjo quhet e pamundur. Nuk është përpjekja për t’u afruar modelit. Pra e pamundur. Nëse kjo quhet se nuk i përket botës shqiptare. Nuk është përpjekja për t’u afruar asaj bote që ne e ëndërrojmë.
Ne humbëm. Por të mos humbim kohën e reflektimit.

Filed Under: Opinion Tagged With: demokrate, Ilir Levonja, ne humbem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3787
  • 3788
  • 3789
  • 3790
  • 3791
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT