Ne nje interviste dhene per Top Story, ish kryeministri dhe Kryetari i Partise Demokratike, dr. Sali Berisha, ka qene i ashper ndaj dushes Rama-Meta, dhe i ak cilesuar zgjedhjet te dominuara nga krimi dhe shitblerja e votes. Ai tha se:Nuk ka ndodhur kurrë të kandidohen kriminelë të ditur me rekorde kriminale, ku komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët tanë të kërkojnë largimin e tyre dhe kreu i qeverisë të lëshojë çertifikata publike për ta, duke dëshmuar se është udhëheqësi i tyre.
Ndiqeni Intervisten:
– Zoti Berisha, në mungesë të komunikimit të drejtpërdrejtë, komentuam gjatë njoftimin tuaj në Facebook dhe shumë nga argumentet që ju radhisni aty, duke e quajtur “ngjarja më e shëmtuar elektorale dhe deformimin e votës”, ne na tërhoqi vëmendjen paragrafi i fundit ku ju i bëni thirrje komunitetit ndërkombëtar për të mos përligjur rezultatin e kësaj farse të shëmtuar elektorale siç e keni quajtur ju. Si mund t’ia bëni këtë thirrje komunitetit ndërkombëtar pa ia bërë këtë apel vetë partisë suaj?
Së pari, zgjedhjet janë një proces, të cilat kanë gjithnjë një arbitër dhe verdikti i arbitrit ndërkombëtar për vendet e hapura është përcaktues në qëndrimin ndaj zgjedhjeve. Së dyti, thirrjen e kam bërë me keqardhjen më të madhe, dhembshurinë më të thellë, por dhe ndërgjegjen time të plotë. Cilido politikan, gazetar, qytetar që ka argumente të rrëzojë njërën prej pikave që unë kam shtruar këtu, unë do të jem mirënjohës dhe do t’ja pranoj me kënaqësi. Nuk ka ndodhur kurrë të kandidohen kriminelë të ditur me rekorde kriminale, ku komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët tanë të kërkojnë largimin e tyre dhe kreu i qeverisë të lëshojë çertifikata publike për ta, duke dëshmuar se është udhëheqësi i tyre.
Unë mund të garantoj qytetarët shqiptarë se në këshillat e bashkive ka kriminelë të tmerrshëm, ka nga ata që lajnë dhjetëra e mos më shumë para droge e prostitucioni dhe për ta nuk është folur fare. Nga ana tjetër, çdo shqiptar besoj ka parë fushatën më me salltanet dhe më pompoze në historinë e vendit, dëshmi e vërshimit të lumenjve të parave të drogës, prostitucionit dhe krimit. Kanë parë qytetarët shqiptarë atë që nuk kanë parë ndonjëherë, gjithnjë punonjësit e administratës për mendimin tim kanë marrë dhe duhet të marrin pjesë në fushatën elektorale, por kurrë infrastruktura e institucioneve. Kësaj here, si asnjëherë tjetër shkollat, spitalet, repartet ushtarake, Policia e Shtetit gjithçka u vu në funksion të mazhorancës, u krijua një pabarazi e paimagjinueshme, nuk ka ndodhur kurrë në një vend, që një javë para përfundimit të fushatës të sekuestrohet një televizion që ishte kritik ndaj qeverisë dhe do të theksoj një gjë, akti ishte më i poshtri, më i ulëti, më i pafytyri që mund të bëhet, sepse në atë mënyrë siç veproi Edi Rama me “çorapen” e tij të akuzojë për larje parash transaksionin pa pritur përgjigje. Çdo transaksion edhe mund të jetë larje parash, por para se ta shpallë qeveria të tillë, institucionet marrin përgjigjen. Ja që doli që paratë janë të gjitha të “Deutche Bank”, çfarë thotë tani i pafytyri që sekuestroi një media televizive sikur të ishte një kioskë. A veprohet në këtë mënyrë.
– Le ta themi troç që zoti Rama paska kontroll mbi Prokurorinë?
Absolutisht të plotë në këtë aferë. Si mund të shpallet tjetri për arrest se ka dyshime. Jo more zotëri, prit, ktheje dyshimin në realitet se nuk ka gjë më të thjeshtë. Ke çuar kërkesën për të verifikuar fondet?! Prit të vijë përgjigjja. Ja të erdhi çfarë do të thotë tani, apo do të marrë një gjobë me dhjetëra e dhjetëra milionë për taksapaguesit. Çfarë solli kjo? Solli të gjitha bandat e lidhura me qeverinë që kanë bërë fushatë një muaj rresht, deri tek bllokimi i kutisë në Bulqizë nga banda e Spahive, kjo është e vërteta. A do të përligj komuniteti ndërkombëtar një palë zgjedhje, të cilat krimi triumfoi mbi ligjin, në të cilat u krijua pabarazia më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë midis palëve.
– Do të isha dakord me logjikën tuaj, por i rikthehem pyetjes sime. Mos do të ishte më mirë që këtë apel t’ia drejtoni lidershipit të partisë suaj?
E kundërta është, unë i bëj thirrje partisë që kategorikisht të mos bllokojë procesin, ju bëj thirrje numëruesve të PD, komisionerëve që të kryejnë me përkushtimin më të madh para ligjit. Ky është dallimi ynë me këta zotërinj. Ne nuk bojkotojmë, por ne do të bëjmë betejën më të fuqishme në emër të interesit të shqiptarëve kundër këtyre zgjedhjeve. Jo bojkot në asnjë rrethanë. Por që të dhunohen të gjitha parimet e zgjedhjeve të ndershme, kush të dojë t’i shpallë të tilla, ne do të vazhdojmë të palëkundur betejën tonë derisa të bindim edhe zyrtarin e fundit se në këto zgjedhje u dhunuan haptas parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe cilido që ka fakte të rrëzojë këto që themi ne është i mirëpritur.
– Fakti që ju si PD tashmë merrni pjesë në të gjitha fazat e zgjedhjeve, ndoshta dikujt mund t’i duken se të gjitha këto janë justifikime, sepse mund të mendohet se rezultati në kuti nuk është në favor të partisë suaj?
Absolutisht nuk e dimë mund të jetë edhe në favor të PD, por le të kthehemi pak tek historia e Sali Berishës. Kështu thanë vëzhguesit edhe më 2001 dhe më vonë u detyruan të tërheqin atë që kishin thënë dhe u detyruan të thonë se opozita solli fakte dhe dokumente, me të cilat faktoi se ishin dhunuar parimet themelore të zgjedhjeve. Nuk synoj aspak të bojkotohen zgjedhjet, nuk synoj aspak të ndërpresim procesin, por synoj që t’i themi të vërtetën komunitetit ndërkombëtar dhe të ndëshkohet kjo qeveri për të gjitha këtë zinxhir presionesh dhune me të cilat veproi në këto zgjedhje.
– Momenti më i vështirë për partinë tuaj ishte viti ‘97 edhe atëherë ju nuk keni bëjë thirrje për mosnjohje të rezultati dhe bojkotim të procesit, pse tani arrini në këtë moment?
Sepse më ‘97 megjithëse kishte një rebelim komunist, nuk mund të them se palët ishin të pabarabarta në këtë shkallë sa ç’ishin sot. Unë isha në qeveri zotëri dhe absolutisht nuk mund të akuzoj se opozita e vuri qeverinë në pabarazi. Pati zona që nuk kontrolloi rendi, por nuk ishte detyrë e opozitës ajo ishte e qeverisë. Në listën e kandidatëve në atë periudhë mund të ketë pasur 1-2-3 të inkriminuar, por asnjë të njohur zyrtarisht siç ka tani. Nuk kishte një marrëveshje për të mos emëruar të inkriminuarit siç ka tani. Pra, nuk pati atëherë një angazhim total, të institucioneve dhe infrastrukturës së tyre në fushatë. Unë nuk them se ato ishin zgjedhje të mira, jo absolutisht, por mos harro se ato zgjedhje kishin një gjë tjetër më të madhe se të gjitha këto, kishin vendimin për të bërë një zgjidhje politike dhe ajo zgjidhje politike ishte pranuar që kur nisën zgjedhjet.
– Zoti Berisha, megjithëse ju jeni një deputet hija juaj në politikë vazhdon të jetë e rëndë. A pati në reagimin tuaj dhe në qëndrimin e zotit Basha duket se jeni të kithët. A dalloni diferencë midis jush dhe zotit Basha?
Këto janë strikt qëndrime të Sali Berishës. Janë qëndrim të një ish-Kryeministri, i cili ka bërë vetëm gjatë viteve të shkuara tre palë zgjedhje në të cilat në mënyrë eksplicite është shkruajtur se qeveria nuk ka ndërhyrë në rezultatin e tyre. Kjo është themelore Sokol. Të dalë një shqiptar dhe të më thotë se qeveria nuk ndërhyri në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, nuk po them në listat e votimit, po në fondet, në institucionet, në bandat e aktivizuara prej tij, në emërimin e kriminelëve nëpër bashki e komuna. Të dalë një njeri të ma thotë këtë dhe do t’i kërkoj ndjesë. Zgjedhjet i prishi Edi Rama pa u numëruar votat.
– Ti qëndrojmë hipotetikisht argumenteve tuaj. Ne kemi një rezultat të konfirmuar, Bashkia e Pustecit. Konfirmon një rezultat të thellë, mendoni se edhe në Pustec është manipuluar rezultati?
Nuk ka të bëjë fare qëndrimi im me rezultatin që ndodhet në kutitë e votimit. Qëndrimi im ka të bëjë me dhunimin flagrant të të gjitha atyre parimeve, të cilat përcaktojnë barazinë dhe rregullat të njëjta dhe që është kushti themelor në kriteret e Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qëndrimi im ka të bëjë me transparencën, me praninë e kriminelëve zyrtarisht si kandidat për kryetar bashkie dhe komunash. A mundet një vend që aspiron drejt Europës të thotë që ky që është marrë me drogë, me prostitucion, ky që është marrë me atentate, këta janë të shpëlarë dhe mund të garojnë. Ka gjë më të turpshme se kjo. Rezultati nuk është shumë preokupimi im. Preokupimi im është se shqiptarët nuk duhet të kenë kriminelë në listat e parlamentarëve të qyteteve, në listat e kryetarëve të bashkive. Preokupimi im është se nuk mundet që bandat të përcaktojnë votën e shqiptarëve, nuk mundet që paratë e pista të shndërrohen në mjet kryesor të fushatës elektorale. Këto janë preokupime.
– Ju flisni nga kritikat e partisë suaj dhe mund të kritikoheni, pasi nga pala tjetër si i dënuar apo i inkriminuar është edhe një prej kandidatëve tuaj, zoti Mziu në Kamëz?
Kandidati i Kamzës nuk është as për korrupsion, as për prostitucion, as për drogë, as për vjedhje është absolutisht në zbatim të ligjit, sepse ka përjashtuar nga tenderi një kompani, e cila nuk ka paguar taksat dhe ka zbatuar vetëm ligjin. Nëse ky kandidat ka edhe një presje tjetër në aferë unë jam plotësisht dakord.
– Ka një vendim gjykate?
Nëse ka një vendim gjykate, pret apelin, sepse ky është de fakto i padënueshëm. Kurse kur ke rekorde kriminale në vendet përreth dhe të kanë burgosur, dhe kanë bërë politika penale dhe të kanë përzënë dhe ke qenë dhe në Shqipëri për plagosje, kjo është një situatë krejtësisht tjetër. Nuk ka asnjë kandidat të PD me rekorde kriminale. Nuk them për këshilltarët se nuk e di, por për kandidat asnjë.
– Të flasim pak për rezultatin. Zërat janë që PD do të ketë një analizë për rezultatin, është e vërtetë?
E vërteta është se gjithnjë PD dhe çdo forcë politike lexon çdo rezultat pozitivin dhe negativin dhe nxjerr konkluzionet. Jam i bindur se ky do të jetë edhe veprimi i PD. Problemi im nuk ka të bëjë me rezultatin, ka të bëjë me standardin, ka ndodhur ndonjëherë që një Kryeministër me zë dhe figurë që t’i thotë çdo drejtori apo nëndrejtori, apo çdo punonjësi, që ka marrë qoftë edhe një fije pushtet nga PS, nëse nuk sjell rezultatin do të largohet nga puna. Nuk ka ndodhur kurrë. Nuk janë larguar nga puna ato që bënë spotet e Edi Ramës dhe mashtronin gjithë ditën për rrogat e mësuesve. Ajo u bë drejtoreshë nga Edi Rama po unë e lashë mësuese dhe nuk është marrë njeri me të. Apo pedagogia tjetër tek Inxhinieria që u ngrit me një akces anormal ndaj Lulzim Bashës dhe nuk i foli askush një fjalë.
– Më kujtohet fushata 2007 kur përurohej shatërvani Fitorja dhe tha se kandidatin e majtë do ta zhysim me kokë në shatërvat, dhe kryeministër keni qenë ju?
Absolutisht jo, ajo është fantazi e tij e sëmurë, po unë i kam trefishuar fondet atij kurse ai bëri fushatë të tillë. Ai ju tha se mos votoni kundërshtarin se do të mbeteni pa ujë, pa kopshte, pa rrugë, pa shkolla. Ai i tha të gjitha këto. Ajo çështja e kokës në shatërvan ka qenë çështja e nxehtësisë së kokës, por kurrë për ta diskriminuar. Ka qenë kokë e nxehtë.
– Ndoshta simbolike i ka pasur edhe ky…
Ky i bëri moto të fushatës, që po votuat për kandidatin SHQUP-it do të keni këtë e këtë, sikur buxheti të ishte familjar apo partiak dhe jo kontribut i të gjithë shqiptarëve. Edi Rama ka shkelur çdo standard të zgjedhjeve në këtë fushatë. Këto janë zgjedhje të padenja pavarësisht nga rezultati.
– Edhe nëse PD del fituese në këto zgjedhje, ju i qëndroni faktit se fituesi ju i qëndroni faktit se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’i legjitimojë ato?
Unë i qëndroj plotësisht asaj që kam thënë këtu dhe i bëj thirrje çdo njeriu që ka të bëjë direkt apo indirekt me zgjedhjet në Shqipëri, të qëndrojë se ai është interesi më i mirë i shqiptarëve. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit kur në deklaratë publike Komisioni i Helsinkit të SHBA shprehu të gjitha shqetësimet që unë kam renditur në statusin tim se po ndodhin në Shqipëri.
– Ju thoni në statusin tuaja në FB, që bëni thirrje të mos njihen zgjedhjet nga ndërkombëtarë. Çfarë ndodh me pozitën e opozitës përsa i përket bashkëpunimit parlamentar, pushtetit lokal, çfarë ju ndodh proceseve politike në Shqipëri…?
I ndodh një gjë shumë e mirë. I ndodh ajo që qeveria detyrohet të bëjë një tërheqje, t’i vërë gishtin kokës dhe të mos imagjinojë të përsërisë kurrë më këto që përsëriti. Ndodh një gjë shumë e mirë, që qeveria dhe opozita kyçen edhe një herë në mënyrën më serioze në procesin e dekriminalizimit dhe i nxjerr një nga një nga postet dhe funksionet, ata të cilët nuk meritonin për shkak të rekordeve kriminale të ishin. Ndodh një gjë shumë e mirë, qeveria nxjerr konkluzionin, nën presionin ndërkombëtar se nuk mundet kurrë të përdorë infrastrukturën e institucioneve shtetërore për fushatë elektorale. Pra, qeveria të kujtohet se barazia midis palëve është një parim themelor i zgjedhjeve të pranueshme dhe ky është qëllimi i qëndrimit tonë, me të cilin ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet tona për të bindur partnerët tanë.
– Ju po kërkoni një shkak ligjor për anulimin e zgjedhjeve, apo një zgjidhje politike?
Nuk kërkoj një shkak ligjor për anulimin e zgjedhjeve, se për mua këto janë zgjedhje të dënuara. Unë kërkoj dënimin e të gjitha atyre rrethanave, të cilat ndëshkuan zgjedhjet dhe këto që kam thënë dhe konstatuar këto bazohen në qindra fakte, dokumente, deklarata dhe besoj janë objektive. Të mendosh se Shqipëria mund të shkojë më tutje në këtë proces, do të thotë që Shqipëria të ndëshkosh në mënyrë shembullore këtë vend, të bësh një krim të vërtetë ndaj tij.
– Gjatë fushatës ju keni evidentuar incidentet dhe parregullsitë që kanë shoqëruar këtë fushatë. Ju kërkesën ndaj komunitetit e bëtë në prag të fillimit të numërimit, a ishte ky momenti i duhur?
Unë nuk doja të interferoj në procesin e numërimit. Numërimi mund të jetë një frazë kurse këto që unë kam thënë, vijnë në atë që unë kam thënë në mëngjes, këto janë zgjedhje të plagosura. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm para Europës, para çdo vendi të lirë. Prania e kriminelëve në kandidim përbën një damkë të zezë për ne.
Marrë me shkurtime nga Top Story
berati says
Pse te mos i njohe?Se ne humbem?Do te behemi edhe ne si komunistet qe kur fitojne thone se fitojne dhe kur humbasin thone se ia vodhi Berisha.NE HUMBEM.Qe ketu fillon ringritja dhe jo nga justifikimet banale.