• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(3)

September 18, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY-

Shkruan:Eugjen MERLIKA-*Dy vite bisedime, një ditë e tërë trysnie ndërkombëtare për të mos ndryshuar asgjë, megjithëse kishte shumë për të ndryshuar. Së pari sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, së dyti sistemi i numurimit të votave nga komisione jashtë politikës, së treti vota e të mërguarve, që priste tridhjetë vite. Por për përfaqësuesit e demokraturës asnjëra prej këtyre nuk kishte rëndësi. Nuk ishte e rëndësishme që kandidatët t’i nënështroheshin shqyrtimit vetiak nga ana e zgjedhësve e të merrnin përgjegjësinë vetiake për zonën që do të përfaqësonin, nuk kishte rëndësi depolitizimi i komisioneve zgjedhore, kthimi i tyre në organe qytetarësh si në të gjithë botën e qytetëruar, nuk ishte e rëndësishme vota e bashkëqytetarëve jashtë Vendit, sepse mund të lëvizte barazpeshat e politikës shqiptare, të ngurtësuara prej tre dhjetëvjeçarësh.

            Demokratura i bën qëndresë të fuqishme edhe vetë logjikës së dukurive. Pranohet nga të gjithë se ka probleme në ecurinë e proçeseve zgjedhore të Shqipërisë, se ka dhjetëvjeçarë që vota tjetërsohet edhe se është përbërësi i parë i vlerësimit të vetë qenësisë së demokracisë e, njëkohësisht,  motori lëvizës i vetë ecjes përpara të saj. Prej një të katërt shekulli bëhen padi e kundërpadi për tjetërsimin e saj, por në vend që të gjindet një ujdi për t’a shëndoshur gjëndjen, përsosen vazhdimisht metodat e rëndimit të patologjisë.

            Në këtë amulli politike e institucionale meriton një vëmëndje të veçantë Opozita kuvendore, që ka kërkuar me forcë, brënda mundësive të saj, ndryshimet që e afrojnë më shumë shtetin me nënshtetasit se sa me kastën drejtuese në pushtet apo n’Opozitë. Por, çuditërisht, ai qëndrim nuk ka patur vlerësimin e duhur, jo vetëm nga Opozita jashtëkuvendore, por edhe nga një pjesë e opinionit publik që, në një mënyrë apo në një tjetër, është e lidhur me kastën…..

            Sa i përket reformave të paqena zgjedhore, besoj se meriton një vëmëndje të posaçme propozimi i Bashës për të hapur 100 % listat e kandidatëve. Po t’ishte i bindur ai dhe partia e tij në dobinë e një veprimi të tillë, do të duhej t’a kishin kërkuar me kohë në rrahjen e mendimeve biblike në Këshillin politik, gjërat do të kishin shkuar më mirë e ajo kërkesë nuk do t’i shëmbëllente sot lojës së kungulleshkave. Uroj që të jetë me të vërtetë një bindje drejt meritokracisë e PD, në të njëjtin kah me ngritjen e Komisionit vlerësues të kandidatëve për deputetë, edhe se për përbërjen e këtij të fundit mund të ketë mjaft vërejtje.

            Shumë pritje e shpresa ka ngjallur në opinionin publik shqiptar  reforma në drejtësi, e marrë në mbikqyrje nga faktori ndërkombëtar.  Janë më se të ligjëshme ato pritmëri, sepse mali i shpërdorimeve, i pasurimeve të paligjëshme, i çrregullimeve të çdo tipi, në grumbullimin e tij tridhjetëvjeçar ka arritur Korabin. Organet e reja të Drejtësisë, SPAK-u apo BKH duken si Davidi para Goliathit për të arritur të shkërmoqin Korabin e prapësive të politikës shqiptare në tetëdhjetë vitet e fundit, kryesisht në çerek shekullin e mbramë. Vështirësitë objektive për të çrrënjosur të keqen nga sistemi i politikës shqiptare janë aq të mëdha e të ndryshme, sa që shtjellimi i dukurisë në përmasat e saj të vërteta të zhyt në një mosbesim të thellë, duke hequr çdo shpresë. Mosbesimi deri në mohje të plotë përligjet jo vetëm nga fakti se të gjithë “marsianët” e rinj të fushës së Drejtësisë vijnë nga strukturat e vjetra të saj e hijet që përcjell vetë proçesi i Vettingut krijojnë mëdyshje të forta në ecurinë e tij, por edhe nga faktet e pakta që, deri tani, na kanë paraqitur prokurorët e reformës.

            Dosjet mbi mashtrimet zgjedhore duhej t’ishin më të parat e më të lehtat që duheshin hetuar, por heqja dorë nga SPAK-u prej tyre nuk jep asnjë siguri se ata rrogtarë drejtësie do të kenë guximin, aftësitë, mundësitë e vullnetin e mirë për t’arritur rezultatet e kolegëve të tyre të njohur kroatë e rumunë kundër korrupsionit të lartë në organet shtetërore, për të mbetur në përvojat ballkanike që shëmbëllejnë më shumë me tonat.  Shpresa se ato gra e burra të organeve të reja të dala nga Vettingu e t’emëruar nga politika, do të jenë në gjëndje të hyjnë në mekanizmin e ndërlikuar të demokraturës shqiptare e t’a zbërthejnë atë, mendoj se është një argument që le shumë për të dëshiruar.

            Vjet para zgjedhjeve vendore Kryetari i shtetit mori një vendim për të pezulluar shkuarjen në kutinë e votimit, jo vetëm si pasojë e braktisjes së saj nga Opozita, por më shumë për shkakun e një rreziku “për të djegur parlamentin”, siç u shpreh ai vetë. Madje më shumë se njëri e krahasuan atë gjëndje me djegien e Reichstagut në Gjermani më 1933, pa u marrë vesh nëse ishte me ironi apo me seriozitet. Çuditërisht askush, me sa dihet, as SPAKU që duhet t’a kishte si detyrë të parë, mbasi kishte të bënte me ruajtjen e rendit demokratik, nuk hetoi për atë dukuri. Mendoj se zbardhja e saj ishte e detyrueshme n’atë kohë, apo më pas, sepse nuk mund të konceptohet një shtet normal, në të cilin kryetari flet publikisht për rrezikun e një atentati të rëndë kundër rendit dhe qeveria e organet e Drejtësisë e lënë të kalojë pa asnjë farë kundërveprimi. Apo ndoshta ata e kanë bërë punën e tyre në heshtje, por e kanë kaluar në fashikuj të sekretuar si shumë të tjerë. Besoj se shqiptarët kanë të drejtë të dijnë ku qëndron e vërteta: cilët janë “atentatorët e kuvendit”, a janë të sakta të dhënat e shërbimeve të fshehta, apo presidenti ka hamendësuar rrezikun për arsyet e tij. Nuk duhet t’ekzistojë asnjë sekret shtetëror që të mbulojë dukuri të tilla, madje kjo nuk mund të kalonte pa asgjë. Kjo mungesë tejpamejeje në veprimet e organeve shtetërore është njëra nga karakteristikat më të zakonshme të demokraturës, ndoshta ajo që e afron më shumë me diktaturën.

            Jo shumë kohë më parë, drejtori i përgjithshëm i kadastrës, z. Artan Lame, pohonte në televizion se e gjithë toka shqiptare dilte se ishte pronë e ligjësuar me dokumenta. Është një lajm që nga një anë të shkakton një ndiesi kënaqësie e nga ana tjetër të shkakton habi e mosbesim. Kënaqësia rrjedh nga ideja se të gjithë ish pronarët, shtresa më e goditur nga rrebeshi gjysmë shekullor komunist, duhet të kenë marrë pronat e tyre. Është një hamendësim logjik i sendërtimit të një dukurie që duhej të kishte qënë detyrë e dorës së parë të shtetit demokratik, ajo e kthimit të pronave të grabitura padrejtësisht nga para-ardhësi i tij komunist. Kjo do të kishte qënë një arritje për t’u vënë në kornizë e për t’u trumbetuar me të madhe. Edhe në rastin e këtij hamendësimi tepër ndjellamirë ka diçka që ngec n’arsyetim: shteti në kohën e mbretërisë, kur prona vetiake e familiare ishte e mbrojtur me ligj, ishte pronari më i madh i tokave. Pra, sikur të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin rimarrë pronat e të parëve të tyre, të vërtetuara me dokumenta noterialë apo shtetërorë, gjë që nuk është e vërtetë, mbasi i nënëshkruari ka më se dhjetë vite që kërkon rikthimin apo kompensimin e një trualli prej 1330 m.katror, pa as më të voglin rezultat, e jam i bindur se nuk është i vetmi me këtë problematikë, do të mbetej përsëri në zotërim të shtetit një sasi e madhe pronësie.

            Kryetari Lame thotë se shteti i sotëm nuk zotëron asgjë. Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se ajo pjesë e pronës shtetërore është përvehtësuar e ndarë ndërmjet qytetarëve, ose në rastin më të mirë, u është shitur atyre. Vetëm të mendohet me mëndje të ftohtë ky pështjellim dridhen duart. Hyrja në mekanizmin e kësaj dukurie i shëmbëllen një fantazie të papërftueshme.  Por është një fakt që, në një mënyrë apo në një tjetër, tashmë e gjithë ajo pasuri është e shënuar në dokumentat shtetërorë si pronë vetiake. Me sa di un, mund të jem i gabuar, pronat e të huajve në këtë operacion marramendës, nuk janë të konsiderueshme. Shumica dërmuese i përket disa shqiptarëve që, sigurisht nuk janë njerëz të thjeshtë, të cilët kanë pak dynymë tokë bujqësore të punueshme për të mbajtur frymën gjallë. Ata përbëjnë shtresën e re të pronarëve pushtetarë apo idhtarë të politikës që demokratura, nëpërmjet alkimive të saj mafioze, ka krijuar në shtetin më të varfër t’Evropës. Asnjëherë në historinë e saj mijëvjeçare kjo tokë ku kanë pasuar njëri tjetrin pellazgë, ilirë, arbër, shqiptarë, në shekuj nënshtrimi ndaj Romës, Bizantit, Turqisë, nuk ka patur kaqë ndryshime të theksuara pasurore ndërmjet banorëve të saj. N’asnjë periudhë historike brënda tridhjetë vitesh nuk është krijuar një klasë e tillë me pasuri të pallogaritëshme si në Shqipërinë e demokraturës, ndërsa pjesa m’e madhe e popullsisë jeton duke blerë ushqimet me listë…

            Mbrapa atyre pasurive të papërfytyrueshme për standartin mesatar të jetesës në Vendin tonë, në shumicën dërmuese fshihen paligjësi, trafiqe, madje edhe krime, përkrahje të politikës e të Drejtësisë, grabitje të pasurisë së shtetit e të individëve, lidhje e allishverishe të njerëzve të veshur me pushtet vendor apo qëndror me ata të krimit të zakonshëm apo t’organizuar e gjykatësve të korruptuar. Duhet një plugim qilizmë i realitetit shqiptar për të nxjerrë të vërtetën mbi korrupsionin që zotëron i patrazuar, duke i marrë frymën shoqërisë e shumicës së saj të varfër. Sepse demokratura e ndihmon haptas pasurinë e madhe, ajo i fton investuesit shumë milionerë që ngrenë hotelet me pesë yje të mos paguajnë taksa për dhjetë vite, deri sa të majmen mirë e nga dhjami i tyre të marrë pjesën e vet politika.

            A do të ketë shërim kjo sëmundje e rëndë që nuk është vetëm shqiptare, por e përbotëshme, që nuk është e përkohëshme apo e kësaj kohe, por e përjetëshme e për të gjitha shoqëritë? Duke shkruar këto rradhë erdhi lajmi se Steve Bannon, ish organizator i fushatës së Trump-it më 2016, ish këshilltari për sigurinë kombëtare, është arrestuar për përfitim të një pjese të parave të dhuruara on-line nga qytetarët amerikanë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Edhe teoricieni i “sovranizmit botëror” është joshur nga paraja, çfarë duhet të bëjnë fshatarët shqiptarë që mbjellin hashashin për të nxjerrë një kothere më shumë, duke majmur trafikantët e ata që qëndrojnë mbi ta në institucionet e shtetit?

            “Mos bëni keq dhe e keqja nuk do të ekzistojë” thonte Leon Tolstoi, në një thjeshtëzim moralist të jetës, që mbetet shprehje e besimit në veprimin ripërtëritës të vlerave morale e shpirtërore të njerëzve.

            “Të këqijat vijnë me fletë dhe ikin duke çaluar” thonte Voltaire, më shumë se treqind vjet të shkuara. Problemet njerëzore përsëriten edhe se në forma e në ngjyrime të ndryshme, n’epoka të ndryshme por ruajnë gjithmonë thelbin që është një luftë e gjatë e pasosur ndërmjet fuqive të së mirës e atyre të së keqes, fatkeqësisht me epërsinë e këtyre të fundit, në më të shumtën e rasteve. Tingëllon tepër keqandjellës ky pohim, mbasi ve në dyshim përparimin e botës drejt synimesh të larta, por përvoja e 80 viteve të fundit të historisë sonë nuk të frymëzon ndjellamirë. Të këqijat vijnë tek ne në krahët e pandershmërisë, të mos respektimit të rregullave morale e njerëzore, të mungesës së kontrollit të shtetit në shumë raste e në kontrollin e tepërt të tij në raste të tjera, të pajtimit të mbuluar të tij me bartësit e së keqes, të një fashitje të përgjithëshme, pasojë e lodhjes, e zhgënjimeve, e mosbesimit kundrejt politikës, e humbjes së shpresës. Kjo e fundit është më e dëmshmja, sepse çon në mosveprim, në apati, në amulli mendore, në nënështrimin kundrejt së keqes. Ndërsa neve na duhet kundërveprimi që do t’i jepte goditje së keqes e do t’a detyronte të “ikte duke çaluar”….

                *Shtator 2020- VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika-Nga Diktatura, ne demokrature 3

Më pak shpresa, më mirë

September 17, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi-Njerëzit përreth janë të çuditshëm, por thuajse çdo njeri është pak i tillë; bota qëndron pezull, herë-herë lëkundet dhe ndryshimet në njerëz janë pasojat e dridhjeve të saj. Ja ku është një i tillë pak i dhjamosur, herë me mustaqe herë me mjekër, herë jo, sipas konjukturave ose njerëzve që u serviloset a kërkon t’i kopjojë, në pamje. Dhe duket i kënaqur, plazmë, si kandil deti. Pastaj kërkon të hajë, shumë, dhe merr barna kundër kolesterolit tre herë në ditë. Djersit duke ndenjur, mos pi cigare, thotë, kushtojnë shumë, kanë erë të rëndë dhe bëjnë keq për shëndetin.Ai pret, mendon se përmbysja fillon nesër. Ndoshta… Por problemi me ndryshimet është se ato duhet të fillojnë nga brenda-jashtë dhe sot. Ndryshimet janë ngritje kryesh, vijnë me trazira, si revolucionet. Gjëja e parë që njerëzit bëjnë gjatë trazirave është vrapimi masiv drejt plaçkitjes, me dyqanet si vijë finishi, ku rrëmbejnë, ndonjë televizor me ngjyra, të njëjtin helm që armikun e tyre e bëri mediokër.Jo se njeriu i varfër nuk duhet ndihmuar apo njeriu i paedukuar nuk duhet edukuar, që i sëmuri nuk duhet mjekuar, e kështu me radhë. Por problemi është se njerëzit kurrë nuk nxënë dhe udhëheqësit e tyre i veshin me ca veshje të bukura, ideale, edhe kur disa prej tyre janë të sëmurë mendorë. Shumë syresh janë thjesht oportunistë të momentit, gati të bëjnë marrëveshje me djallin për kult personal a një grusht parash.Ka njerëz që nuk duan të kalojnë nga një udhëheqje e keqe në një tjetër të ngjashme – kjo bëhet çdo 4 vjet me zgjedhje. Të tjerë thonë se një përmbysje largon shumë të këqija edhe pse koha ka treguar se historia njerëzore ecën shumë ngadalë. Por duket se ndryshimet janë si vuajtjet a përmbytjet që sjellin shumë të këqija por edhe ndonjë të mirë. Dhe vetëm kaq duhet shpresuar, jo më shumë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Më pak shpresa

Katër tonë kokainë- Hetim 5 vjeçar: Shkatërrohet banda e sofistikuar shqiptare

September 17, 2020 by dgreca

Një hetim 5-vjeçar i udhëhequr nga Italia kulmoi këtë javë në 20 arrestime dhe paraburgime në të gjithë Evropën. Katër tonë kokainë dhe 5 milionë euro në dore janë kapur gjatë arrestimeve.

Një operacion i pashembullt ndërkombëtar që përfshin autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në 10 vende ka rezultuar në shkatërrimin e plotë të grupit kriminal-KOMPANIA BELLO, e cila përbëhej nga shqipfolës, një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë, bëhet e ditur nga Europoli.

Në operacionin e zhvilluar më datën 15 shtator, sipas Europolit, janë arrestuar 20  persona shqiptarë në vende të ndryshme të botës: në Itali (5), Holandë (2), Gjermani (2), Greqi (2), Rumani (1), Hungari (1), Spanjë (1), Shqipëri (5) dhe në Dubai të Emierateve të Bashkuara Arabe (1).

Të arrestuarit dyshohen për trafik ndërkombëtar të substancave narkotike, mbajtje dhe shpërndarje të paligjshme të drogës dhe sulme brutale, përfshirë edhe vrasje. Këto arrestime vijojnë pas arrestimeve të 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani, bëhet e ditur më tej nga Europoli.

Hetimet zgjatën gjithsej 5 vjet dhe udhëhiqeshin nga Policia e Shtetit Italian (Polizia di Stato) nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Firences, bëhet e ditur më tej nga Europoli. Në hetime veç Italisë morën pjesë edhe autoritetet e Holandës. Gjatë këtij hetimi shumë vjeçar janë kapur gjithsej 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro në cash.

Një model i sofistikuar

Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën nëpër rrugë. Por rrjeti i shqiptarëve e kishte rrëzuar këtë model dhe e kishte marrë vetë nën kontroll gjithë zinxhirin: që  nga rregullimi i dërgesave të mëdha nga Amerika e Jugut e deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.

Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara komunikimi, kreu i organizatës – një shtetas shqiptar 40-vjeçar me banim në Ekuador – negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizonte dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në të gjithë Evropën. Kokaina kontrabandohej në Evropë, e fshehur në automjete, në të cilat ishin montuar enkas ndarje të fshehta të sofistikuara, njofton më tej Europoli.

Kriminelët i pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem ilegal transfertash  me origjinë kineze, i njohur si sistemi Fei Ch’ien. Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një “agjenci” të rrjetit në një vend. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia jep marrësit. Duke mos lënë asnjë gjurmë provash, rrjeti besohet të ketë pastruar kështu miliona euro përmes këtij sistemi.

Një strategji e përbashkët

Operacioni i quajtur nga policia italiane, LOS BLANCOS, i koordinuar në nivelin ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust, kishte filluar në vitin 2015, njofton më tej Europol. Veç dy shteteve të përmendura më sipër, në të kanë marrë pjesë edhe Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Emiratet e Dubait.(ash)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Banda e sofistikuar, Kokaine

Edi Paloka:Mbi 80% e shqiptarëve kërkojnë largimin e Ramës

September 17, 2020 by dgreca

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i pranishëm në “Ilva Now”, tha se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve brenda selisë blu është drejt përfundimit. Ai nuk dha një datë se kur do të publikohet lista, por garantoi se është bërë një progres i madh në këtë drejtim. Numri dy i PD-së u shpreh se ky proces nuk ka pasur deri tani pakënaqësi, por është karakterizuar nga një frymë besimi dhe mirëkuptimi.

“Është gati në përfundim besoj edhe pak ditë dhe Komisioni do të nxjerrë rezultatet përfundimtare, janë ditët e fundit. Do bëhet publike lista, sepse nuk ka arsye të mos bëhet publike. Emrat që do jenë do shkojnë për t’u votuar në struktura. Më shumë ka besim, se sa pakënaqësi. Normal si në çdo proces ka hatër mbetje dhe qejf mbetje, por më tepër ky proces ka dhënë besim se sa pakënaqësi. Kanë qenë 4 mijë kandidatë të propozuar. Këto procese e kanë këtë risk. Ne e kemi bërë të qartë se kjo do të jetë trupa politike në qeverisjen e nesërme. Komisioni i Vlerësimit ka qenë aq i pavarur, sa na ka mbajtur jashtë”, tha ai. 

Pyetjes se a do të ketë të zhgënjyer nga ky proces përzgjedhjeje, Paloka iu përgjigj si vijon: “Jo, sepse janë të gjithë ata njerëz që janë propozuar për kandidatë, janë njerëz që kanë përvojë, nuk besoj se pakënaqësia do të zgjasë”, theskoi ai.

Ai u pyet edhe për ish-kryetaren e Kuvendit Jozofina Topallin, e cila duket se nuk ka zgjedhur të japë kontribut për Partinë Demokratike. Sipas tij, kjo është zgjedhje e saj dhe nuk ka arsye pse të shihet me dyshim, pasi çdo person bën atë që i duket më e përshtatshme.

“Zonja nuk dëshiron të japë kontribut për PD, është zgjedhje që ka bërë znj. Topalli. Në këtë moment nuk vlen asnjë analizë. Secili bën zgjedhjen e vet”, tha ai.  

Nënkryetari i PD-së u shpreh i sigurt se 80% e shqiptarëve, mes tyre dhe socialistë, kërkojnë largimin e qeverisë aktuale. 

“Mbi 80% e shqiptarëve, përfshirë edhe socialistë, mendojnë se e keqja që duhet të hiqet është Edi Rama. Do ketë rezultat që do habisë jo vetëm Ramën, por edhe të gjithë ata që shpresojnë se PD do të humbasë prapë”,  tha ai.

  ***

“Oferta e Ramës për të ndarë pushtetin”: Kërkesë për Bashën dhe Metën

Edi Paloka thotë se, Edi Rama si shpresë të fundit për të minimizuar humbjen në zgjedhjet e 25 prillit po përdor çdolloj manovre. Këtu ai përmendi dhe ofertat për të ndarë pushtetin, ofertë të cilën përveç Lulzim Bashës ia ka drejtuar dhe Ilir Metës.

“Ramës i kanë mbetur vetëm këto forma, diversioni. Basha e deklaroi në konferencë shtypi që Rama i ka bërë ofertë për të ndarë postet. Oferta ka qenë dhe nga ana tjetër. Të njëjtën gjë që na premtonte ne, ia premtonte dhe LSI”, tha Paloka.

Pjesë të kësaj strategjia, nënkryetari i PD-së cilësoi edhe lajmin e përhapur se Presidenti Meta pas zgjedhjeve parlamentare do të jepte dorëheqjen për t’u bërë kryeministër, në mënyrë që të sjellë përçarje brenda opozitës.

Lidhur me ndarjen e posteve brenda opozitës, Paloka tha se vetë kryetarja e LSI-së e ka pranuar tashmë që posti i kryeministrit do t’i takojë PD-së. Ish-deputeti i PD-së u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pavarësisht se kreu i mazhorancës mund të ndryshojë rregullat e lojës.

“Me formulë, me koalicion, pa koalicion, ai është humbës por kërkon të minimizojë humbjen me këto manovra. Me çdo formë, me çdo formulë si të dojë kur të dojë ai është i mundur. Ne do të hyjnë më zgjedhje dhe do t’i fitojmë”, nënvizoi Paloka.

Lidhur me diskutimet e fundit në Këshillin Politik për çështjen e koalicioneve, Paloka tha se marrëveshja paraprake e 14 janarit që fliste për procedurën që do të ndiqej për reformën përcakton në një pikë se, në rast mosmarrëveshje t’i kërkohet opinion OSBE-së.

“Nuk kemi asnjë kërkesë specifike jashtë marrëveshjes së 5 qershorit. Rama nuk e ka dashur por e detyruan që të ulej në atë tryezë ka firmosur marrëveshje që nuk e donte. Marrëveshja e 14 janarit ka një pikë. Kryetari i OSBE-së nuk pranon që t’i merret mendim OSBE-së edhe pse ka firmosur për këtë

Në këtë pikë thuhet se në rast se nuk do të ketë një dakordësi për një çështje të caktuar t’i drejtohemi OSBE-së, por tani thonë, paska fol vetë Elisa, që nuk e pranojmë. Tani kryetari i OSBE-së kërkon të zgjidhë problemet në Bjellorusi dhe Ukrainë ndërkohë që nuk zgjidh problemet me opozitën këtu”, tha Paloka.

Nënkryetari i PD denoncoi dhe angazhimin e administratës nga ana e qeverisë për të plotësuar formularë me emra të të afërmve që do të votojnë për PS-në. Ai tha se kjo është një shkelje e hapur e ligjit dhe  për këtë prokuroria do të duhej të kishte nisur hetimet.

“U kanë dhënë formular për të garantuar se këta do të votojnë për PS dhe këtë ia kërkojnë dhe familjarëve të mi sepse një krushqi e imja është aty prej 30 vjetësh. Disa  po mbushin nga halli formularin se u kanë thënë se i heqin nga puna. Por ata absolutisht nuk votojnë për rilindjen”, shtoi Paloka.

“Shumica e atyre që i janë bashkuar opozitës e kanë inatin me Ramën. Ky ka një të mirë që ua shton inatin njerëzve pavarësisht këtyre legenlliqeve që bën me Fatos Nanton pas degjenerimit me njëri-tjetrin e uron se i duhen votat e socialistëve të vjetër”, përfundoi ish-deputeti i PD.(Euronews TV-Albania)

Filed Under: Analiza Tagged With: 80% e shqiptareve, Edi Paloka, ikaj e Rames

GREQI–SHQIPËRI, DETI NË MES-(MOS)MARRËVESHJA

September 17, 2020 by dgreca

ZAGANJORI: Marrëveshja e detit me Greqinë,JO në Gjykatën e Arbitrazhit- Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori thotë se, dërgimi i çështjes së kufirit detar me Greqinë në Gjykatën e Hagës do të ishte zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Z. Zaganjori në një reagim për Euronews Albania nuk rekomandon zgjidhje me palë të tretë apo Gjykatën e Arbitrazhit dhe sjell si shembull rastin e mosmarrëveshjeve mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

“Zgjidhja me Gjykatë Ndërkombëtare është zgjidhja më e mirë. Aq më tepër që çështja është politizuar në mënyrë të tejskajshme. Mundësitë janë të shumta por për shumë arsye më e mira është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Nuk do të rekomandoja as me palë të tretë e as me Gjykatë Arbitrazhi.

Përvoja e Kroacisë me Slloveninë është shumë e keqe. Kam shkruar mbi këtë temë disa herë tek “Gazeta Shqiptare”. Nuk do të rekomandoja gjithashtu as Gjykatën e Dr. Detit në Hamburg. Por duhet ditur gjithashtu që në Gjykatën e Hagës duhen të paktën 4-5 vjet. Por nga ana tjetër po bëhen 11 vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe askush nuk ka menduar seriozisht për këtë çështje”, përfundon Zaganjori që ishte dhe relator i çështjes në vitin 2010.

Kryeministri shqiptar Edi Rama duke folur për Euronews Greece, tha se dy janë mundësitë për zgjidhjen e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ose ndërmjetësim nga një vend i tretë, ose në gjykatë. Kjo është zgjidhja më e mirë për kryeministrin që eliminon sipas tij edhe reagimet nacionaliste lokale.

***

Edi Rama për Euronews: Kjo qasje shmang kurthet e politikës

Kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi për mikrofonin e Euronews Greece, se dy janë mundësitë për zgjidhjen e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ose ndërmjetësim nga një vend i tretë, ose në gjykatë. Kjo është zgjidhja më e mirë për kryeministrin që eliminon sipas tij edhe reagimet nacionaliste lokale.

“Është shumë e thjeshtë. Vende në këto rrethana kanë zgjedhur një vend tjetër miqësor dhe konsensual për ndihmë, të lehtësojë dialogun por nga ana tjetër kanë përdorur edhe Gjykatën Ndërkombëtare të së Drejtës. Kjo është një ide e vjetër dhe është një mundësi që gjithmonë e kam menduar si më të mirën për të shmangur kurthet e politikës vendore, ndezjen e qëllimeve nacionaliste dhe patriotizmit të rremë, thjesht duke na ndarë dhe duke krijuar keqkuptime mes popujve tanë”, tha ai.   

Sa për zgjerimin e Greqisë me 12 milje, Rama e cilësoi si një të drejtë që i vjen nga Konventa e Detit, por nuk aplikohet në rastin e Shqipërisë.

“Është e drejtë e Greqisë dhe është e bazuar në Konventën Ndërkombëtare të se Drejtës së Detit në të cilën shumë qartë thuhet se çdo vend mund të zgjerojë kufirin e tij brenda zonës detare aty ku është e mundur. Qartësisht ky nuk është rasti me Shqipërinë dhe për këtë na duhet marrëveshja, pra është legjitime për Greqinë që ta thotë këtë”, theksoi ai.

Shefi i qeverisë tha për Euronews Greece se Greqia dhe Turqia janë të afta ta zgjidhin vetë konfliktin mes tyre dhe si mik i presidentit Erdogan, siguroi se ky i fundit nuk ka ndjenja antigreke.

“Presidenti Erdogan nuk ka ndjenja anti-greke. Sigurisht që ka probleme dhe eksperienca tregon se mes Turqisë dhe Greqisë ka një mënyrë për t’i zgjidhur ato përmes dialogut dhe përmes mirëkuptimit pa patur nevojë që të tjerë të ndërhyjnë sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Greqinë dhe Turqinë por bëhet fjalë për Europën, bëhet fjalë për Turqinë si instrumenti për sigurinë për Europën dhe Greqinë që është pararojë e Europës në kufirin me Turqinë dhe të tjerët”, theksoi Rama.

*** 

Juristi tregon “gabimet” që po bën Rama për çështjen e detit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi nga Athina se çështja e ndarjes së kufirit detar me Greqinë mund të zgjidhet përmes ndërmjetësimit të një pale të tretë ose duke e çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për këtë çështje të nxehtë, Euronews Albana zhvilloi një bisedë me juristin e njohur Jordan Daci. Duke folur në aspektin juridik, z. Daci u shpreh se çështja e “detit” mund të dërgohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por kur evidentohen disa specifika konkrete, të cilat sipas tij nuk përmbushen në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë.

“Juridikisht mund të ndodhë, por nuk jemi në kushtet që duhet të ndodhë. Që në të shkojmë në gjykatë, ne duhet të kemi një mosmarrëveshje. Ne me Greqinë nuk kemi mosmarrëveshje në kuptimin formal të fjalës. Pse? Marrëveshja që ishte dakordësuar në 2009, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, ishte dakordësuar nga të dyja palët. Kjonënkupton që jemi para nevojë për të rinegociuar, sepse Greqia nuk ka thënë se ne nuk do të rinegociojmë. Nëse ajo do të mbante këtë pozicion (ti qëndronte marrëveshjes së 2009), atëherë do të duhej të shkojmë në gjykatë. Greqia nuk thotë dhe nuk ka thënë asnjëherë të paktën publikisht se nuk është dakord për një rinegocim të dytë. Nëse rinegocimi nuk do pranohej, atëherë sigurisht zgjidhja do ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha ai.

Teksa komentoi deklaratën e kryeministrit Rama në Athinë për caktimin e kufirit detar, juristi hodhi dyshime se mund të jenë shkëmbyer biseda sekrete mes të dyja palëve. Ai thotë se askush nuk ka të drejtë të flasë për detin, pa marrë më parë “bekimin” e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo deklaratë për mua nënkupton një gjë që unë do doja që mos të ishte e vërtetë, që me siguri mund të jenë zhvilluar biseda sekrete mes dy vendeve. Edhe pse në rastin tonë në shkelje flagrante të kushtetutës, sepse nuk kanë plotfuqishmëri që askush të bisedojë pa autorizimin e presidentit. Kjo mund të jetë edhe sepse kryeministri do ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe pse nuk ia di radhën punëve as ai as këshilltarët e tij. Çdo lloj bisede që bëhet për detin është e paligjshme. Askush në Shqipëri nuk ka të drejtë të diskutojë asnjë fjalë me askënd pa autorizimin e presidentit”, shtoi ai. 

***

Përplasje për detin, Rama e Bakoyannis replika për “ndërhyrjen” turke në vitin 2009

Çështja e kufirit detar me Greqinë ka përplasur kryeministrin Edi Ramën, i cili e paditi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e 2009 dhe Dora Bakoyannis ish-ministre e Jashtme dhe firmëtare në atë dokument.

Gjatë konferencës “Ballkani Perëndimor përtej 2020-s”, organizuar nga revista britanike “The Economist” në Athinë, Bakoyannis u shpreh e zhgënjyer që marrëveshja e 2009 u anulua duke e thënë publikisht se “gisht” në këtë punë kishte Turqia.

“U mërzita shumë kur dëgjova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nuk përbën një justifikim që 10-12 vite më pas nuk kemi një marrëveshje. Për të qenë e sinqertë, ndërhyrjet e vendeve të treta në këto lloj çështjes nuk ndihmojnë. Ne e dimë që Turqia ka qenë kundër kësaj marrëveshjeje”, tha ish-ministrja e Jashtme greke.

Por sinqeriteti i znj. Bakoyannis për Kryeministrin shqiptar ishte një e pavërtetë duke u shprehur se aso kohe, Presidentin Erdoan nuk e njihte.

“Më duhet të kundërshtoj Dorën për një pikë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për këtë marrëveshje në vitin 2009 dhe në atë kohë unë kurrë nuk e kisha takuar, e kurrë nuk kisha folur, e kurrë nuk kisha dëgjuar nga Presidenti Erdogan. Ideja që kjo është një marrëveshje e parandaluar nga ndërhyrja e Turqisë është absolutisht e pavërtetë”, deklaroi Rama.

Ndërsa debatet dhe replikat për këtë çështje vijojnë, Kryeministri Rama propozoi dy mënyra që do t’i jepnin zgjidhje kësaj çështjeje e do të çonin në një marrëveshjeje mes dy vendeve për kufirin detar.

Deklarata erdhi pas takimit që Rama zhvilloi mbrëmjen e djeshme me homologun e tij grek, Kiriakos Mitsotaqis. Për këtë takim qeveria greke në njoftimin për mediat theksoi se “u ra dakord që dy vendet të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e mbetura pezull dhe të çlirojnë potencialin e madh që mund të krijojnë marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve”.

***  

‘Deti’ në Gjykatën Ndërkombëtare, Rama: Marrëveshja me Greqinë mund të zgjidhet në Hagë 

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Athinë se çështja e ndarjes së kufirit detar me Greqinë mund të zgjidhet përmes ndërmjetësimit të një pale të tretë ose duke e çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas tij, kjo zgjidhje do të ishte më e gjithëpranuar nga të gjitha palët. 

“Është një marrëveshje që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Jam besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e shkuar për çështje që duhen shqyrtuar dhe zgjidhur, pasi herë as herë kthehen në çështje të nxehta, ndërkohë që janë vetëm çështje të thjeshta në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Që kjo të çështje të mos përdoret nga forca të errëta kundër të dyja vendeve, kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë.

Kur bëhet fjalë për çështje detare të mund ta zgjidhim me ndihmën e të tjerëve, që do të thotë përmes një pale të tretë, ose akoma më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo do të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët.

Imagjinoni, kryeministri i Greqisë fliste në parlament për një të drejtë legjitime të Greqisë, mbështetur në konventën ndërkombëtare për të shtritë kufijtë e vet detarë me 12 milje dhe shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri dhe në qarqet politike në Shqipëri”, tha kryeministri shqiptar.

(Kortezi TV-Euronews Albania)

Filed Under: Analiza Tagged With: Greqi-Shqiperi, Mosmarreveshja, Zagonjori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • 382
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT