Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i pranishëm në “Ilva Now”, tha se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve brenda selisë blu është drejt përfundimit. Ai nuk dha një datë se kur do të publikohet lista, por garantoi se është bërë një progres i madh në këtë drejtim. Numri dy i PD-së u shpreh se ky proces nuk ka pasur deri tani pakënaqësi, por është karakterizuar nga një frymë besimi dhe mirëkuptimi.
“Është gati në përfundim besoj edhe pak ditë dhe Komisioni do të nxjerrë rezultatet përfundimtare, janë ditët e fundit. Do bëhet publike lista, sepse nuk ka arsye të mos bëhet publike. Emrat që do jenë do shkojnë për t’u votuar në struktura. Më shumë ka besim, se sa pakënaqësi. Normal si në çdo proces ka hatër mbetje dhe qejf mbetje, por më tepër ky proces ka dhënë besim se sa pakënaqësi. Kanë qenë 4 mijë kandidatë të propozuar. Këto procese e kanë këtë risk. Ne e kemi bërë të qartë se kjo do të jetë trupa politike në qeverisjen e nesërme. Komisioni i Vlerësimit ka qenë aq i pavarur, sa na ka mbajtur jashtë”, tha ai.
Pyetjes se a do të ketë të zhgënjyer nga ky proces përzgjedhjeje, Paloka iu përgjigj si vijon: “Jo, sepse janë të gjithë ata njerëz që janë propozuar për kandidatë, janë njerëz që kanë përvojë, nuk besoj se pakënaqësia do të zgjasë”, theskoi ai.
Ai u pyet edhe për ish-kryetaren e Kuvendit Jozofina Topallin, e cila duket se nuk ka zgjedhur të japë kontribut për Partinë Demokratike. Sipas tij, kjo është zgjedhje e saj dhe nuk ka arsye pse të shihet me dyshim, pasi çdo person bën atë që i duket më e përshtatshme.
“Zonja nuk dëshiron të japë kontribut për PD, është zgjedhje që ka bërë znj. Topalli. Në këtë moment nuk vlen asnjë analizë. Secili bën zgjedhjen e vet”, tha ai.
Nënkryetari i PD-së u shpreh i sigurt se 80% e shqiptarëve, mes tyre dhe socialistë, kërkojnë largimin e qeverisë aktuale.
“Mbi 80% e shqiptarëve, përfshirë edhe socialistë, mendojnë se e keqja që duhet të hiqet është Edi Rama. Do ketë rezultat që do habisë jo vetëm Ramën, por edhe të gjithë ata që shpresojnë se PD do të humbasë prapë”, tha ai.
***
“Oferta e Ramës për të ndarë pushtetin”: Kërkesë për Bashën dhe Metën
Edi Paloka thotë se, Edi Rama si shpresë të fundit për të minimizuar humbjen në zgjedhjet e 25 prillit po përdor çdolloj manovre. Këtu ai përmendi dhe ofertat për të ndarë pushtetin, ofertë të cilën përveç Lulzim Bashës ia ka drejtuar dhe Ilir Metës.
“Ramës i kanë mbetur vetëm këto forma, diversioni. Basha e deklaroi në konferencë shtypi që Rama i ka bërë ofertë për të ndarë postet. Oferta ka qenë dhe nga ana tjetër. Të njëjtën gjë që na premtonte ne, ia premtonte dhe LSI”, tha Paloka.
Pjesë të kësaj strategjia, nënkryetari i PD-së cilësoi edhe lajmin e përhapur se Presidenti Meta pas zgjedhjeve parlamentare do të jepte dorëheqjen për t’u bërë kryeministër, në mënyrë që të sjellë përçarje brenda opozitës.
Lidhur me ndarjen e posteve brenda opozitës, Paloka tha se vetë kryetarja e LSI-së e ka pranuar tashmë që posti i kryeministrit do t’i takojë PD-së. Ish-deputeti i PD-së u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pavarësisht se kreu i mazhorancës mund të ndryshojë rregullat e lojës.
“Me formulë, me koalicion, pa koalicion, ai është humbës por kërkon të minimizojë humbjen me këto manovra. Me çdo formë, me çdo formulë si të dojë kur të dojë ai është i mundur. Ne do të hyjnë më zgjedhje dhe do t’i fitojmë”, nënvizoi Paloka.
Lidhur me diskutimet e fundit në Këshillin Politik për çështjen e koalicioneve, Paloka tha se marrëveshja paraprake e 14 janarit që fliste për procedurën që do të ndiqej për reformën përcakton në një pikë se, në rast mosmarrëveshje t’i kërkohet opinion OSBE-së.
“Nuk kemi asnjë kërkesë specifike jashtë marrëveshjes së 5 qershorit. Rama nuk e ka dashur por e detyruan që të ulej në atë tryezë ka firmosur marrëveshje që nuk e donte. Marrëveshja e 14 janarit ka një pikë. Kryetari i OSBE-së nuk pranon që t’i merret mendim OSBE-së edhe pse ka firmosur për këtë
Në këtë pikë thuhet se në rast se nuk do të ketë një dakordësi për një çështje të caktuar t’i drejtohemi OSBE-së, por tani thonë, paska fol vetë Elisa, që nuk e pranojmë. Tani kryetari i OSBE-së kërkon të zgjidhë problemet në Bjellorusi dhe Ukrainë ndërkohë që nuk zgjidh problemet me opozitën këtu”, tha Paloka.
Nënkryetari i PD denoncoi dhe angazhimin e administratës nga ana e qeverisë për të plotësuar formularë me emra të të afërmve që do të votojnë për PS-në. Ai tha se kjo është një shkelje e hapur e ligjit dhe për këtë prokuroria do të duhej të kishte nisur hetimet.
“U kanë dhënë formular për të garantuar se këta do të votojnë për PS dhe këtë ia kërkojnë dhe familjarëve të mi sepse një krushqi e imja është aty prej 30 vjetësh. Disa po mbushin nga halli formularin se u kanë thënë se i heqin nga puna. Por ata absolutisht nuk votojnë për rilindjen”, shtoi Paloka.
“Shumica e atyre që i janë bashkuar opozitës e kanë inatin me Ramën. Ky ka një të mirë që ua shton inatin njerëzve pavarësisht këtyre legenlliqeve që bën me Fatos Nanton pas degjenerimit me njëri-tjetrin e uron se i duhen votat e socialistëve të vjetër”, përfundoi ish-deputeti i PD.(Euronews TV-Albania)