• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË STUDIM ANALITIK PËR FJALORIN E BARDHIT, I DALË NË DRITË PAS NJË GJYSMË SHKEKULLI

May 29, 2015 by dgreca

Nga Prof. Kolec Topalli/
Pakkush e ka ditur se Mustafa Kruja kishte hartuar një studim analitik për njërën nga veprat monumentale të gjuhës shqipe, “Fjalorin Latinisht-Shqip” të Frano Bardhit . Madje, të paktë janë ata që e kanë njohur kontributin e këtij dijetari në fushë të gjuhësisë. Arsyeja e vetme për këtë është mveshja e tërë jetës kulturore shqiptare me petka politike në regjimin e kaluar diktatorial të 50 vjetëve të shkuara. Në rastin e këtij dijetari pjesëmarrja në jetën politike qe pengesë për ta bërë të njohur dhe për të vlerësuar veprimtarinë e tij shkencore në fushë të gjuhësisë, duke pasur vepra dhe emri i tij për një gjysmë shekulli fatin e Nikollë Gazullit të pushkatuar, të Selman Rizës, Tahir Dizdarit, Myqerem Janinës, Frano Illisë e Vexhi Buharasë të burgosur, të Martin Camajt, Arshi Pipës e Namik Resulit të arratisur, e shumë lëvruesve të tjerë të gjuhës, që u lanë në harresë, u ndoqën e u persekutuan duke mbetur vepra e tyre e panjohur, për të vetmen arsye se u gjykuan si të padëshiruar politikisht për regjimin e diktaturës komuniste. Prandaj sot kemi nevojë për kontributin e tyre. Kemi nevojë për njerëzit që kanë punuar për zhvillimin e shkencës e të kulturës, veprat e të cilëve u mohuan ose u shformuan duke ngritur në vend të tyre idhujt e rremë të diktaturës, që kanë jetë aq sa mund të mbahet në këmbë vetë diktatura. Kjo politikë, që u ndoq nga shteti totalitar për një gjysmë shekulli, e varfëroi shkencën e kulturën shqiptare, i hoqi asaj një pjesë të traditës e të bashkëkohësisë. Në një kohë kur shkenca jonë kishte nevojë për të gjithë, zbatimi i luftës së klasave në fushën e shkencës e të kulturës, i ndau krijuesit në kampe armiqësore.
Duke ua lënë historianëve të paanshëm të gjykojnë për aspektin politik të Mustafa Krujës, le ta analizojmë atë për kontributin që ka dhënë në fushën e gjuhësisë, duke u përpjekur të hedhim pak dritë mbi veprën e tij të errësuar nga vitet, e të pluhurosur nga harresa e qëllimshme. Një analizë e tillë do të kërkonte shqyrtimin e çdogjëje që ka shkruar ky dijetar për gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe aktivitetin e tij për krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Në pamundësi ta bëjmë këtë brenda një kumtese, do të përqendrohemi në studimin e tij për njërin nga monumentet më të lashta e më të vyera të gjuhës e të kulturës sonë, Fjalorin Latinisht-Shqip të Frano Bardhit.
T’i studiojmë veprat e shkrimtarëve të vjetër me frymën e gjuhës letrare aktuale, për dobinë që kanë ato për të sotmen, dhe të marrim prej tyre gjithçka pozitive që mund t’i shërbejë gjuhës shqipe. Ky është mesazhi që na jep Mustafa Kruja në studimin e tij analitik për Fjalorin e Bardhit, vlerat e të cilit mund të shqyrtohen në shumë këndvështrime: për pasurinë leksikore dhe elementet e prozodisë, për strukturën morfologjike e ndërtimet sintaksore, për aspektin fonetik e fjalëformues, për etimologjinë e të dhënat dialektore, të para të gjitha në raportet dhe dimensionet gjuhësore të disa shekujve më parë krahasuar me shqipen e ditëve tona. Dhe në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjera në fushë të gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti i hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me horizont e kulturë të gjerë. Të gjitha këto cilësi, që shfaqen në këtë studim analitik të veprës së Bardhit, e radhisin autorin si njërin nga historianët e gjuhës dhe filologët më të mirë të kohës duke marrë parasysh se kur u hartua vepra, para 53 vjetësh, nuk kishte dalë në dritë ende transkriptimi dhe transliterimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, as nga Namik Resuli dhe as nga Eqrem Çabej .
Duke shqyrtuar kontributet e këtij gjuhëtari simbas fushave, në fushë të leksikut, për shumë fjalë që ka Fjalori i Bardhit, janë shënuar kuptimet e veçanta që dalin nëpër të folme të ndryshme të shqipes duke bërë vërejtje edhe për formën më të përshtatshme që duhet përdorur në gjuhën letrare, si edhe për të tjerat që duhen nxjerrë nga përdorimi. Kështu, vetëm për emrin bae, që ka Bardhi për lat. “ballista”, ai jep 10 sinonime të ndryshme, të mbledhura në Lumë, Krujë e Mat, te Buzuku, Meyeri, Kristoforidhi, Weigandi e Manni . Për lidhëzën asgjamangu , si përkthim i latinishtes nihilominus shënon se nuk ndëgjohet askund në gojë të popullit e s’këndohet veçse rrallë ndër shkrime, prandaj s’duhet përdorë, se asht krejt e panevojshme. Dhe vërtetë kështu ndodhi. Ky krijim autorësh, përkthyer prej latinishtes, nuk hodhi rrënjë në gjuhën shqipe.
Për prozodinë e shqipes ai vë në dukje, nga njëra anë, rastet e nevojshme të përdorimit të theksave, sidomos për zanoret hundore të gegërishtes, dhe nga ana tjetër, rastet kur theksat janë përdorur pa nevojë nga Bardhi si rezultat i ndikimit të italishtes. Në komentet që i bën emrit ar, duke e quajtur të panevojshëm përdorimin e theksit për të shënuar gjatësinë, ai shënon: “çdo rroke e vetme a mbarimtare dhe e theksueme qi mbyllet me r âsht e gjatë” . Me këtë konstatim Kruja ka ligjësuar një rregull që sot përfshihet në fonetikën e sotme dhe historike të gjuhës shqipe.
Për gjuhën letrare shqipe, Kruja u përpoq të gjente forma të përbashkëta për të dyja dialektet duke shmangur format krahinore. Ja si shkruan ai me rastin e komentit që i bën ndajfoljeve aq, kaq: “A s’kishte me na kshillue arsyeja me shkruem vetëm aqë, Gegë e Toskë … për me i dhanë fjalës nji formë kombtare të vetme?” . Ai jep rekomandime edhe për shumë fjalë të tjera, duke zgjedhur vetëm njërën prej tyre, që duhet përdorur në gjuhën letrare, si p.sh.: lavdar përkundrejt lavdëtar, ushtar përkundrejt ushtëtuer, lavd përkundrejt laft, i sëmunë përkundrejt i sëmût etj. .
Për fonetikën historike Kruja ka shpjeguar rrugën e formimit të disa grupeve bashkëtingëllore, si p.sh. në fjalët: bdarë, dëbarë, vdarë, darë e bdorë, dëborë, xborë, vdorë, borë, duke shënuar se për gjuhën letrare duhet përdorur forma borë, një parim që e ka ndjekur sot gjuha shqipe . Vëzhgime të holla e kanë çuar Krujën në shumë raste te forma e saktë fonetike e fjalës. Sjellim si shembull emrin dënar, për të cilin diskutimin nëse zanorja e parë është shkruar nga Bardhi me ë apo e, Kruja e zgjidh me citimin e një forme tjetër të këtij Fjalori, ku është shkruar dnar, formë që dëshmon se latinishtja denarius e ka errësuar zanoren -e në -ë, përndryshe ajo nuk do të kishte rënë, ndërsa për historinë e fjalës ai shënon se prania e këtij emri te Bardhi do të thotë se termi pará i marrë nga turqishtja, nuk kishte hyrë ende në gjuhë në kohën kur shkruante Bardhi . Gjithnjë në këtë fushë, te mbiemri i kërshtenë, Kruja vë re me mprehtësi lëvizjen e sonantes, që e gjen edhe te ndajfolja gërqisht përkundrejt emrit Greqi, duke shpjeguar se një lëvizje e tillë bëhet për lehtësi shqiptimi . Kurse te emri mëndash, përkundrejt formave me grupin -fsh- të autorëve më të hershëm dhe të folmeve të tjera, ai vëren me të drejt se rrëgjimi i grupit bashkëtingëllor -fsh- në -sh-, që është karakteristik për të folmen e Shkodrës, është mjaft i vjetër, me zanafillë shekullin XVII, kur Bardhi botoi Fjalorin e tij .
Në fushë të morfologjisë, për paradigmën e emrave femërorë me temë në bashkëtingëllore, si djep ~ djepja, shëndet ~ shëndedja shënon përhapjen e tyre në krahina të ndryshme të vendit tonë dhe format e shumëllojta me të cilat shfaqen . Vërejtje të tilla ka edhe për shtrirjen e formës së vjetër të rasës kallëzore, ku mbaresa i ngjitet drejtpërdrejt temës së emrit. Duke u mbështetur në disa raste ku përdoret mbaresa e re -in, në vend të më së vjetrës -në, Kruja arrin në përfundimin se mbaresa e vjetër ka filluar t’ia lëshojë vendin mbaresës së re që në shekullin XVII, kur shkruante Bardhi. Përfundime të tilla shkencorisht të drejta mjerisht nuk janë përfshirë në studimet tona të historisë së gjuhës. Kronologji të tilla me interes shkencor jep Kruja edhe për përemrin pyetës e lidhor cili . Duke u mbështetur në format me s- dhe me c-, që i gjurmon te Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, ai arrin në përfundimin e drejtë se format të sijtë dhe të cillët janë dy forma që kanë dalë nga evolucioni i këtij përemri, duke qenë forma me s- më e vjetra, që del te Buzuku, kurse forma me c- më e re, që shfaqet për herë të parë te Budi e pastaj tek autorët e tjerë pas tij. Përfundime me interes ka edhe për mbiemrat prejpjesorë. Në sintagmën ujë të shëllimë , ai bën dallimin e mbiemrave me kuptimin e pjesores së tashme, që ndërtohen me prapashtesat -të, -shëm dhe atyre me kuptimin e pjesores së shkuar, që ndërtohen me prapashtesat -në, -m, si: i kulluet e i kulluem, i thatë e i tham, i shkueshëm e i shkuar, dallim që shpeshherë edhe në ditët e sotme nuk bëhet i qartë, kur thuhet gabimisht njeri i papërtuar për i papërtueshëm, fjalë me burim të diskutuar për fjalë me burim të diskutueshëm, vlera të paçmuara për vlera të paçmueshme, ujë i kulluar për ujë i kulluet etj. Kështu, duke përdorur mbiemra me të dyja prapashtesat e pjesores, njërën me kuptimin e së tashmes dhe tjetrën me kuptimin e së shkuarës, mund të bëhet dallimi ndërmjet një gjendjeje të përhershme dhe një gjendjeje të krijuar. Kështu, p.sh. mbiemrat i hapët e i hapur, kanë kuptime të ndryshme në sintagmat fushë e hapët që do të thotë “e gjerë, e madhe” dhe fushë e hapur, që do të thotë “e krijuar nga shpyllëzimi”; ose rrasë e lëmuet, që do të thotë se ka qenë gjithnjë e tillë nga natyra, dhe rrasë e lëmuar, që do të thotë se është lëmuar nga dora e njeriut. Për të njëjtën arsye duhet thënë ngjyrë e çelët ose e hapët por jo e çelur a e hapur; por, nga ana tjetër, duhet thënë derë e çelur ose derë e hapur.
Për etimologjinë e shqipes, për shumë fjalë të prejardhura e të përngjitura, nëpërmjet një analize fjalëformuese, Kruja ka mundur të zbërthejë elementet e tyre përbërëse. Kështu, tek emri vajzë dallon prapashtesën zvogluese -zë të gjinisë femërore, dhe te emri urith dallon të njëjtën prapashtesë të gjinisë mashkullore. Pjesëzën as e zbërthen në grimcën a dhe mohuesen s’. Për emrin bletëzë, që Bardhi e përkthen me lat. “betulae”, ka shumë vërejtje dhe përqasje etimologjike me lëpjetën e shqipes, që nuk mund të lihen pa u përmendur në një analizë të kësaj fjale . Për emrin e kafshës bukël, duke ecur në hulli të Meyerit, që e lidh me mbiemrin e bukur, vë në dukje mjaft forma dialektore që e bëjnë më të besueshme këtë etimologji, si: buklëz, bishtfurkabukur, nuse e bukur, nuse e lalës, forma që përmenden edhe në studimet e Çabejt për këtë fjalë . Për emrin dëludh, që Bardhi e ka për lat. “inundatio”, duke diskutuar për etimologjinë e saj, Kruja shënon me të drejtë se tue qenë edhe rranja diluvium rrokja e parë âsht dë e jo de. Me këtë analizë etimologjike është përcaktuar edhe forma fonetike e fjalës. Shumë vite më vonë, në këtë përfundim do të arrinte Çabej nga një pikënisje tjetër, nga të folmet e diasporës, duke u shprehur: “Për sa i përket pikësëpari formës së fjalës, mbi dëshminë e arbërishtes së Italisë leximi me -ë- në rrokjen e parë, ashtu si e jep Meyeri, mund të jetë i drejtë” . Për foljen dëpërtoj, për të cilën ende nuk ka një etimologji të saktë, ka dhënë mendimin se mund të vijë nga një tejpërtej, një mendim që e përmend edhe Çabej në analizën etimologjike të saj, ndonëse pëlqen dy baza të tjera . Për emrin fang, që Bardhi e jep me kuptimin “planities”, Kruja jep burimin e drejtë nga italishtja fango me kuptimin “baltë”, një etimologji që e kanë dhënë më parë Miklosichi e Helbigu dhe e pranon Çabej më vonë . Për emrin lefmëz, duke cituar formën e thjeshtë lehmë, që citon Manni nga Ksilandri, shënon burimin e saktë nga folja leh, si një emër foljor me prapashtesën -më . Për emrin perëndí, Kruja jep këtë shënim me rëndësi për burimin e fjalës: “s’ka dyshim qi në themelt ka qenë nji emën abstrakt, qi donte të thonte nji cilsi, nji veçori, veçorinë e atij qi mbretnon, qi urdhnon, qi sundon, si del në frazën “arthtë perëndia jote”. Kuptimi i sotshëm duket se asht tepër i ri” . Për saktësinë e këtyre konstatimeve le ta krahasojmë sa shkruan shumë vite më vonë Çabej: “Kuptimi i kryehershëm ka qenë ai i një abstrakti më -í “të qenët zot, zotëri, zotërim, sundim. Nga ky kuptim u zhvillua me kohë një nomen agntis “zotëronjës, zot” .
Për toponiminë historike, mbështetur në materiale gojore të mbledhura nëpër krahina të ndryshme, Kruja ka mundur të zbërthejë disa toponime, sidomos në krahinë të vendlindjes. Sa për shembull, sjellim emrin e fshatit Cudhî, të cilin e lidh me emrin cudhî për “judaeus” që ka Fjalori i Bardhit, duke e shpjeguar emrin e këtij fshati të Malësisë së Krujës me gojëdhënën që tregon se banorët e tij e kishin tradhëtuar Skënderbeun, prandaj u quajtën xhudhinj, që më vonë u shndërrua në Cudhî .
Së fundi, për etnogjenezën e popullit tonë ka rëndësi vërejtja e tij në polemikë me Selman Rizën se emrin shqip nuk e ka përdorur Bardhi në Fjalorin e tij, një përfundim në të cilin kemi arritur edhe pas një hulumtimi me kërkimet e sotme kompjuterike.
Me këtë studim Mustafa Kruja është në hulli të traditave më të mira të shqipes kur kërkon pasurimin e saj me leksema të reja, me kuptime dhe stilema plotësuese, kur kërkon vendosjen dhe respektimin e rregullave të strukturës gramatikore, kur kërkon normëzimin e gjuhës letrare dhe përzgjedhjen e formave ndërmjet trajtave të shumta dialektore. Në shumë raste ai bën krahasime të qëlluara me Buzukun, Budin e Bogdanin, me Fjalorin e Kristoforidhit, të Shoqnisë Bashkimi, të Stjuart Mannit e Cordignanos, me Meyerin e Weigandin, si edhe me të folme dialektore të Veriut e të Jugut, të Kosovës e Çamërisë, me ato të vendlindjes dhe të diasporës, një parim që është ndjekur edhe më vonë në studimet e kësaj natyre.
Kemi bindjen se, në qoftë se ky studim do të ishte botuar në kohën kur u shkrua, para 50 vjetësh, filologjia e asaj kohe dhe e viteve të mëvonshme do të kishte përfituar shumë prej saj. Dhe meqenëse ajo e pa dritën e botimit një gjysmëshekulli më vonë, le t’i japim asaj bashkë me autorin vendin që meriton.
BIBLIOGRAFI
Cordignano, Fulvio
– Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).
– Dizionario italiano-albanese. Scutari, 1938 (It.-Alb.).
Çabej, Eqrem
– “Meshari” i Gjon Buzukut (1555) I, II. Tiranë, 1968 (Meshari).
– Studime gjuhësore. Prishtinë, I 1976, II 1976, III 1976, IV 1977, V 1977, VI 1977, VII 1986 (SG).
– Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).
Fialuer i Rii i Schypés Perbaam Préi Shocniiét t’ Bashkimit. Shkodër, 1908.
Kristoforidhi, Kostantin
– Fjalor shqip-greqisht (ribotuar prej A. Xhuvanit). Tiranë, 1961 (Fj.).
Kruja, Mustafa
– Nji studim analitik: gjuha e Frang Bardhit dhe shqipja moderne. Tiranë, 2007 (Bardhi).
Mann, Stuart E.
– A historical Albanian and English Dictionary. London, 1938 (Dict.).
Meyer, Gustav
– Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891 (EW).
Ressuli, Namik
– Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Città del Vaticano, 1958 (Messale).
Weigand, Gustav
– Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Wörterbuch. Leipzig, 1914 (Wört.).

Filed Under: Analiza Tagged With: I DALË NË DRITË PAS, Kolec Topalli, NJË GJYSMË SHKEKULLI, NJË STUDIM ANALITIK, PËR FJALORIN E BARDHIT

Kryeministri Serb:Rasti i vëllezërve Bytyçi,rëndon marrëdhëniet amerikano-serbe

May 29, 2015 by dgreca

Sipas kryeministrit serb, rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”./
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se ka kërkuar nga shefi i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve, Veran Matiq, të përfshihet në hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e vëllezërve Bytyçi në vitin 1999.
Agron,Yll dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, ne qershor të vitit 1999 kishin kaluar kufirin ende të pashënuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qenë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës.
Trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello, në Serbi.
Në arsyetimin e tij, Vuçiq thotë ta ketë angazhuar zotin Matiq, për shkak të “rezultateve që ai ka treguar në rastin e gazetarit ë vrarë, Slavko Çuruvija”.
Sipas kryeministrit serb, rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.
Për vrasjen e vëllezërve Bytyçi kanë qenë të akuzuar policët Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, të cilët pas dy gjykimeve janë liruar.
Për këtë rast, më 22 tetor të vitit 2013, edhe Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kishte inicuar një rezolutë, përmes së cilës kërkoheshin hapa të mëtejmë nga autoritetet në Serbi për të vënë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi para drejtësisë.(Bota Sot)

Filed Under: Featured Tagged With: amerikano-serbe, Bytyci, Rasti i vëllezërve, rëndon marrëdhëniet

“Hapja e dosjeve”, ligji publikohet në fletore zyrtare

May 29, 2015 by dgreca

TIRANË, 29 Maj- Agjensia Telegrafike Shqiptare njofton se: Ligji “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, i quajtur ndryshe ‘ligji i dosjeve’ është publikuar të enjten në fletore zyrtare, ndërsa pritet të hyjë në fuqi pas dy javësh.
Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e tij, Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore për procedurën e kalimit në administrim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të materialeve arkivore. Ndërsa brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të kësaj strukture, Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek Autoriteti të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Neni 42 i ligjit përcakton ndër të tjera dhe kundërvajtjet administrative në raste shkeljesh, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, dhe që do të dënohen me gjobë.
I miratuar me 84 vota nga parlamenti më 30 prill, ligji përcakton rregullat dhe procedurat për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa nuk parashikon procesin e lustracionit, i cili bie ndesh me Kushtetutën. Fusha e veprimit parashikon zbatimin e ligjit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Brendshme për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin ne vitit 1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.
Dokumentet që disponohen nga autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë, do të konsiderohen si dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm pasi të verifikohet vërtetësia dhe origjina e prejardhjes së tyre nga fondi i ish-Sigurimit të Shtetit.
Kreu i II-të i ligjit parashikon statusin e Autoritetit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të mëposhtme: a) dy anëtarë të propozuar nga parlamenti; b) një anëtar nga Këshilli i Ministrave; c) një përfaqësues i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë; ç) një përfaqësues i propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.
Kreu i IV-të i ligjit përcakton mënyrën e informimit dhe vënien në dispozicion të dokumenteve të ish-Sigurimit. Neni 19 flet për kërkesën për informim, ku personave të interesuar iu njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet, kur ai ka cilësinë e të prekurit, të palës së tretë, të bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit.
Autoriteti mund ta kufizojë pjesërisht ose plotësisht garantimin e së drejtës për informim, kur të dhënat përbëjnë kërcënim real për Sigurinë Kombëtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: hapja e dosjeve, ligji publikohet, në fletore zyrtare

Tabloja gjeopolitike aktuale e Ballkanit

May 29, 2015 by dgreca

(Balkans quo vadis iterum?)/
Shkruan:Albulena Halili/
Në vitin 1989, kur Fukujama botoi “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, ai pothuajse qe shpallur profet, ndërkaq shumë shpejt miti i tij filloi të zbehet. Por, si duket jo të gjithë e kanë lexuar një paragraf të tij për të përfunduar se ai ka pasur të drejtë: “Në epokën pas-historike, do kujdesemi pakufi për muzeun e historisë njerëzore… Ndoshta kjo pamje e shekujve të bezdisë në fund të historisë do bëjnë që historia të fillojë sërish.”
Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit në veçanti. Kjo influencë është rritur në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht prezente te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Prezenca ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë duket sikur përplasja e radhës do të jetë në Ballkan. Këtë e paralajmëroi edhe Kerry kur tha se Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova gjenden në vijën e zjarrit. Rusia megjithëse ka një doktrinë tradicionale të cilës i qëndron besnike është një lojtare taktike e përkryer dhe siç shkruante The Economist, përderisa Perëndimi luan lojën Monopol (që s’është lojë e shumës zero e me shumë lojtarë), Rusia luan shah (lojë e shumës zero dhe mes dy lojtarëve).
***
1. Ardhja në pushtet e një partie të ekstremit të majtë në Greqi me frymë proruse, e cila kundërshton pagesën e borxheve ndaj EU-së, kërkon rinegocimin e marrëveshjes për projektin e gazsjellësit TAP, ndjek vijën pro-ruse në luftën ruso-ukrainase, ngjall rrezikun nga rritja e nacionalizmit grek dhe mban vijën e kuqe në raport me konfliktin e ngrirë me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit. E majta dhe e djathta, që nga koha e Revolucionit Francez kanë qenë dy konceptet themelore në universin politik. Ato sot, në marrëdhëniet ndërkombëtare po humbin kuptimin e tyre. Ajo që befason është që qeveria greke e përbërë nga e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme janë radhitur në anën ruse duke e konsideruar atë një fortifikatë kundër hegjemonisë globale amerikane. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Alexandër Dugin. Së fundmi kanë dalë në dritë lidhjet e tij me Syriza-në greke dhe qëndrimet e tyre të njëjta kundërshtuese ndaj liberalizmit e demokracisë. Duke qenë se Greqia është edhe anëtare e Bashkimit Evropian ajo ka përçarë solidaritetin edhe ashtu të brishtë mes anëtarëve të tij kundër agresionit rus në Ukrainë.
2. Aleanca e re strategjike e dy perandorive asaj ruse dhe turke kishte sjellë deri një marrëveshje e pazakontë mes dy monarkëve absolutë: Putinit e Erdoganit për gazin. Rritja në dukje e ambicies ruse për “përshtrirje perandorake” drejt vendeve të cilat tradicionalisht i ka synuar dhe braktisja e projektit të gazsjellësit rus Rrjedha jugore kishin sjellë deri te një projekt i ri i bashkëpunimit ruso-turk – Rrjedha turke. “Gazi natyror është çështje e sigurisë nacionale për Turqinë. Është tepër e rëndësishme për projektet e saj ambicioze ekonomiko-politike, dhe në qoftë se Turqia dëshiron të bëhet nyje rajonale, Turqia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikat energjetike dhe kurrë të mos e trajtojë çështjen e gazit të ndarë nga gjeopolitika”, kishte deklaruar Drejtori Ekzekutiv i Klubit Energjetik të Bosforit për projektin e Rrjedhës turke në Konferencën Evropiane të Gazit. Duke u bazuar edhe në deklaratën e ndihmës-sekretarit amerikan për energjetikë se “Rrjedha jugore” nuk ka qenë kurrë vetëm një projekt ekonomik dhe sigurisht që edhe projekti alternativ s’mund të jetë vetëm i tillë, vijmë në përfundim se projektet e përbashkëta energjetike ruso-turke, por edhe të tjerat s’do mend se janë rreshtime dhe rirreshtime të natyrës gjeopolitike.

3. Në takimin me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Putini kishte paralajmëruar se gazsjellësi “Rrjedha turke” mund që, nga Rusia përmes Detit të Zi, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë të arrijë deri në Hungari, e ndoshta edhe deri në Austri. Me këtë plan Maqedonia parashihet në shtegun kryesor të gazsjellësit të ri dhe me këtë fiton edhe mjete të konsiderueshme për transportin e gazit përmes territorit të saj. Poashtu ministrat e punëve të jashtme të Turqisë, Greqisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Hungarisë u takuan në Prill 2015 në Budapest për të diskutuar pjesëmarrjen e tyre në projektin e Rrjedhës Turke. Megjithëse harta e detajuar me shtigjet e gazsjellësve akoma s’është bërë publike, kalimi nga Maqedonia në Serbi i gazit rus, kalon mu pranë pikës më nevralgjike të rajonit të Ballkanit perëndimor: trekëndëshit të kufirit Maqedoni-Kosovë-Serbi, territore këto të banuara vetëm me shqiptarë.
Presidenti maqedonas Ivanov ka marrë pjesë në paradën ushtarake në Moskë për ngadhënjimin ndaj fashizmit, përderisa këtë e kanë refuzuar liderë të mëdhenj botërorë duke kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. Poashtu, Rusia së fundmi ka reaguar në tri raste sa i përket situatës politike dhe asaj të sigurisë në Maqedoni. Herën e parë lidhur me pretendimet e qeverisë maqedonase për rastin e grushtetit nga opozita, duke shprehur shqetësim për një skenar ukrainas në Maqedoni. Në reagim Moska nënvizonte  nevojën për hetim thelbësor të përpjekjes për grusht-shtet, duke tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun e ashpërsimit të tensioneve ndëretnike në vend si pasojë e krizës politike. Herën e dytë reagimi kishte ardhur lidhur me sulmin e stacionit ushtarak në Gushincë të Likovës, duke implikuar edhe shtete të tjera sovrane të rajonit: Kosovën dhe Shqipëri. Reagimi i Moskës zyrtare kishte për qëllim të vejë në pah tensionet etnike në këtë pjesë të Ballkanit, dhe shtetin e Kosovës ta nxjerrë si shtet të paaftë, jofunksional dhe prodhues krizash, me pretendimet se “Në këtë situatë ndikim primar ka mungesa serioze e sundimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë, që është pasojë e problemit të pazgjidhur të Kosovës si tërësi.” Në reagimin e dytë të tyre ata kishin përmendur edhe parullat për, siç pretendojnë ata “Shqipëri e Madhe”. Por, Shqipëria si vend i NATO-s dhe i vendosur për agjendën e saj Euro-Atlantike ka reaguar zyrtarisht përmes Ambasadorit rus në Tiranë, duke i konsideruar të papranueshme deklaratat ruse ndaj këtyre dy shteteve, dhe një shantazh që nuk i shërben klimës konstruktive të rajonit. Së treti, Rusia ka reaguar lidhur me situatën e re politike dhe të sigurisë që u krijua së fundmi në Maqedoni pas sulmit në Kumanovë. Në këtë reagim ajo kishte akuzuar Perëndimin se përmes lëvizjeve opozitare dhe OJQ-ve të ndryshme po inskenojnë “revolucionet me ngjyrë” të cilat, gjithnjë sipas tyre do të mund të eskalojnë në konflikte ndëretnike në Maqedoni dhe zonat fqinje. Sulmi i qeverisë maqedonase me mjete policore dhe ushtarake i një lagjjeje të banuar me shqiptarë dhe shkatërrimi i paprecedent i pronave civile, duke përdorur strategjinë ushtarake të “tokës së djegur” (ang. Scorched earth), vërtetoi edhe një herë brishtësinë dhe papërgjegjshmërinë e këtij shteti dhe mendësinë e tyre tradicionale albanofobe.

4. Njëra ndër marrëdhëniet më interesante është marrëdhënia ruso-serbe dhe kjo marrëdhënie është intensifikuar gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Çështja e Kosovës përdoret nga Rusia për të rrëfyer në vendin e saj nënçmimin nga Perëndimi dhe rolin e saj kyç në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive, të cilat de facto s’përbëjnë ndonjë faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit XXI. Solidarizimi me viktimat e trilluara serbe dhe nevoja për mbrojtjen e tyre është edhe një faktor tjetër që i ndihmon marrëdhënies vëlla i vogël-i madh. Por çdo aleancë e tyre bëhet në kurriz të shqiptarëve. Në prill të 2011, Lavrovi erdhi në Serbi për të konfirmuar angazhimin e Rusisë për çështjen e Kosovës, sidomos për për raportin e Dik Martyt i cili me ndihmën e argumenteve ruse kishte raportuar se në Kosovë dhe Shqipëri ka funksionuar rrjeti i trafikuesve të organeve të serbëve të zënë robër. Për të gjitha këto akuzohen në veçanti krerë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke njollosur kështu luftën e UÇK-së për çlirim kombëtar me gjëra të cilat i përgatitën vetë në kuzhinat e tyre të rrenave dhe propagandave. Non sensi aktual i themelimit të një gjykate speciale brenda territorit të një shteti sovran bazuar në pretendimet e këtij anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është rrjedhojë e kësaj mbështetje ruse për trillimet serbe. Në sulmin e fundit të forcave maqedonase në Kumanovë, Rusia kërkuar angazhimin e OSBE-së në radhë të parë, me kryesinë e së cilës momentalisht udhëheq Serbi. Ndërkaq kjo e fundit menjëherë ka dislokuar forcat e saj të xhandarmërisë në Luginë të Preshevës duke bllokuar fshatrat përreth dhe duke shpallur gjendje gatishmërie në rast të eskalimit të konfliktit, siç ata shprehen, me natyrë gjeostrategjike e të inskenuar nga Perëndimi.

5. Sot, duke pasur parasysh këtë tablo gjeopolitike ballkanike, shqiptarët e rajonit përbëjnë faktor kyç për Ballkanin. Roli i shqiptarëve mbetet shumë relevant, ndërkaq rreshtimi dhe vizioni i tyre i përcaktuar përkrah NATO-s dhe Bashkimit Evropian sjell detyra dhe angazhime të reja në një rajon që lëkundet nga kërcënime tradicionale të ringjallura të cilat sjellin sfida të reja për sigurinë e rajonit. Unifikimi i tyre është një condicio sine qua non. Projektet e përbashkëta ndërshqiptare në sferën infrastrukturore, ekonomike, edukativo-arsimore, politike, kulturore etj. duhet bërë në frymën e parimeve të integrimeve evropiane dhe duhet intensifikuar së pari në mes dy shteteve sovrane: Shqipërisë e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe tek pjesët e tjera të banuara me shqiptarë si Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës e Mali i Zi. Piemonti i këtyre projekteve në frymën e vlerave perëndimore dhe aspiratave Euro-Atlantike duhet të jetë Tirana zyrtare, ndërkaq të gjithë aktorët kyçë vendimmarrës dhe të tjerë duhet të angazhohen drejt këtij vizioni dhe misioni. Përndryshe të ndarë siç jemi, rrezikojmë të mbetemi në linjën e zjarrit e të pambrojtur. Rreziku i rreshtimit “të padukshëm” të aleancave të shteteve të Ballkanit me Perëndimin ose me Rusinë, rrezikon të implikojë edhe rreshtimin e pavullnetshëm të shqiptarëve (në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi) që jetojnë brenda shteteve të Ballkanit me qëndrime dhe interesa pro-ruse.

Filed Under: Analiza Tagged With: aktuale e Ballkanit, Albulena Haliti, Tabloja gjeopolitike

RAMIZ ALIA DHE DEMOKRATIZIMI I SHQIPËRISË

May 29, 2015 by dgreca

Ramiz Alia:”… Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.”
Nga Eugjen Merlika/
Para pak ditësh gazetarja Admirina Peçi, në të përditëshmen “Shqiptarja.com”, botoi në tre numura proçes – verbalin e mbledhjes së sekretariatit të KQ të PPSH, të mbajtur më 23 korrik 1990.
Materiali është mjaft interesant, veçanërisht në shpalosjen e qëndrimeve të Ramiz Alisë dhe të Ismail Kadaresë në verën e vitit 1990, gjë që ravijëzon edhe personalitetet e tyre n’atë periudhë, që i paraprin tjetërsimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Figura e Ramiz Alisë që atëherë, në rrethe intelektuale, servirej si ajo e një personi të matur, e një demokrati, e një njeriu që po i paraprinte ndryshimeve të sistemit, në kundërshtim me klanin Hoxha, të drejtuar nga e veja e diktatorit, nga ky proçes – verbal i mbledhjes përgënjeshtrohet plotësisht. Megjithë respektin për urtësinë e Sabri Godos apo ndonjë tjetri, që n’ata vite të para 90 përgjëroheshin për të , Ramiz Alia, përtej paraqitjes së tij “aristokratike”, ka qënë një komunist enverist i bindur, duke ngulur këmbë deri në fund t’a ruante sistemin në format e tij arkaike e të dështuara. Në këtë mbledhje është e dukëshme prirja autokratike e diktatorit të fundit komunist dhe Presidentit të parë pluralist të Shqipërisë, për t’imponuar mendimin e tij, mbasi të tjerët sekretarë bëjnë ndërhyrje të rralla e të shkurtëra.
Mbledhja kthehet në një monolog të Kryetarit, në të cilin spikasin dogmatizmi enverist në trajtimin e problemeve, sipërfaqësia tronditëse në spjegimin e dukurive, paaftësia apo shtirja në të kuptuarit e thelbit dhe të arsyes së ngjarjeve, mungesa e plotë e vullnetit dhe objektivitetit për të përballuar situatat e reja të krijuara. Në monologun ramizist dalin në pah disa argumenta, të cilët do të binin ndesh edhe me logjikën më parake në analizën e çastit historik që kalonte Vendi e që shqetësonte drejtuesit e partisë. Ramiz Alia mëton se hyrja e qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja shkaktohej nga “aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizimi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve nëpër ambasada”. Besoj se edhe një fëmijë i fillores nuk mund të pranojë një logjikë të tillë. Arsyeja e mos arsyes së Ramizit duhet kërkuar në dramën e tij të brëndëshme, që ishte humbja e pushtetit. Marrëzia e këtij shpjegimi jo vetëm që i trajton qytetarët shqiptarë si kukulla, të cilat regjizori i padukshëm i luan në skenën e teatrit, por injoron plotësisht edhe punën e organeve të diktaturës që, papritmas, kanë “lejuar” të vijnë qindra agjentë e të gënjejnë mijra vetë, kur ata kishin 46 vjet që “zbulonin” agjentë në të gjitha mjediset, madje edhe në krah të Ramizit.
Sekretarët e Komitetit qëndror vërsulen me tërbim kundër termave “demokraci” e “pluralizëm”, së pari sepse këto dy koncepte ishin të panjohura për ta; së dyti sepse të vëna në jetë në diktaturën më mizore të komunizmit evropian do të thonin “të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thesht luajale, por një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor”. Këta zotërinj “naivë” të politikës nuk kanë kuptuar se në histori e politikë nuk ka asgjë të përjetëshme, se çdo epokë ka fundin e saj e se ajo komuniste në Evropë kishte arritur në pikën e vdekjes. Të ngulitur në kolltuqet e pushtetit që u siguronin fuqinë dhe privilegjet, edhe se ishin pa vlera të veçanta, drejtuesit e PPSH kacavirreshin mbas pasqyrave me shpresën e kotë për të kthyer kursin e ngjarjeve që përcaktonin ndryshimet epokale në Lindjen evropiane dhe protestat e rinisë shqiptare.
Për ta do të ishte tragjedi kthimi i pronës private, pajtimi kombëtar, nacionalizmi, madje dhe bashkimi kombëtar. Deri në ditët e fundit të pushtetit të tyre ata shfaqen si grabitës të pasurive të qytetarëve, si racistë të llojit më të keq, deri në autorë genocidi, anti kombëtarë e antishqiptarë. Për të gjetur një curriculum të tillë duhet të marrim kandilin e Diogjenit e të kërkojmë në të gjithë historinë shqiptare. Ndoshta mund të gjejmë ngjajshmëri vetëm në vitin e mbrapshtë 1914, kur hordhitë anadollake të Musa Qazimit e të Haxhi Qamilit përzunë nga Shqipëria Mbretin që na kishte dhënë Evropa.
Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.
Duket se nuk kanë kaluar 46 vjet nga koha kur Ramiz Alia, simbas studjuesit të njohur Uran Butka, së bashku me të tjerë kuadro të Divizionit të V, i dorëzonte më shumë se 4000 djem kosovarë forcave serbo-malazeze për masakrën e Tivarit. Më 1990 është po ai njeri, atëherë komisar divizioni, sot Kryetar shteti e partie, po ato ide, po ajo urrejtje, po ai cinizëm kriminal kundër Vendit të tij, i cili nuk mund të konceptohet ndryshe prej tij veçse i drejtuar prej kastës komuniste me të në krye. Obskurantizmi ideor i tij nuk njeh kufij, kur ai kundërshton mundësinë e punësimit të shqiptarëve jashtë shtetit dhe arrin në krim shtetëror kur vazhdon të urdhërojë vrasjen e atyre shqiptarëve që duan të kalojnë kufirin.
Nuk habit qëndrimi i tij në lidhje me konceptin e nacionalizmit, që në atë periudhë trasformimesh epokale edhe të shteteve multietnike, mund të kishte zhvillime pozitive që i jepnin shpresë edhe shqiptarëve. I njoftuar nga Xhelil Gjoni mbi zërat e ndryshëm që vinin nga mjedise mbarëkombëtare, ku diskutohej për një braktisje të ideologjisë e kthimin e vështrimit nga problemi kombëtar, Kryetari i Shqipërisë shprehet kështu : “Po të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”
Është gjuha e atyre që në fundin e 1944-ës i dorëzuan Shqipërinë e bashkuar jugosllavëve, sepse për ta kombi dhe interesat e tij shuheshin para internacionalizmit proletar. “Idealet” e tyre vlenin më shumë se sa Shqipëria etnike, të tilla që i shohim mirë edhe në këtë proçes – verbal. Ka edhe një dozë të theksuar miopie politike në këtë pohim, në mëtimin për t’i mbajtur gjithmonë larg atdheut të mërguarit politikë, është një tregues i faktit se nuk ekzistone tek udhëheqja shqiptare më 1990 vetëdija se epoka e mureve dhe perdeve të hekurta në Evropë kishte perënduar.
Ana tjetër interesante e këtij proçes – verbali është trajtimi i figurës së Ismail Kadaresë nga sekretariati i Komitetit qëndror. “Ismail Kadareja nuk po ndihet”, “Pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadareja nuk pranoi të jepte intervistë ? ”, “ A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Miteran…. ? ”, “Situata e tanishme kërkon që Ismaili me qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë, Atdheut.”, “Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua asnjë fjalë për këto që sheh? “ , janë disa nga shprehjet e Ramizit në lidhje me qëndrimin politik të çastit të shkrimtarit të madh. Kuadri është i qartë : qytetari, deputeti, shkrimtari Kadare, në këtë çast vendimtar për t’ardhmen e Vendit të tij, nuk pranon të flijojë personalitetin e tij në dobi të klikës obskurantiste komuniste të Shqipërisë, duke ligjësuar veprimet e saj regresive. Ky është një qëndrim që paraqet rrezik real për të dhe familjen, e kjo shpjegon kërkimin e strehimit politik në Francë mbas pak muajsh. Por një organ i rëndësishëm i shtypit shqiptar të asaj periudhe ve në gojën e shkrimtarit një shprehje tepër përçmuese për qytetarët shqiptarë që u futën nëpër ambasadat : “jashtëqitja e kombit”. Megjithëse shkrimtari e kishte mohuar atë shprehje, në këto 25 vjet askush nga zyrat e shtypit apo të propagandës së ish partisë së punës, nuk pati burrërinë apo ndershmërinë të thotë të vërtetën. Pa një përgënjeshtrim zyrtar ajo shprehje është instrumentalizuar shumë e kuptohet se sa i ka rënduar kjo shpifje edhe vetë shkrimtarit e familjes së tij.
Mbas botimit të këtij proçes – verbali, që është një dokument historik, më duket një shprehje ndershmërie intelektuale dhe detyre morale e atyre që kanë instrumentalizuar atë shprehje të shpifur, t’i kërkojnë sinqerisht falje shkrimtarit të madh. Duhet t’a kërkojnë zyrtarisht ndjesën e qytetarit Kadare, një shqiptari që e ka ngritur lart në botë emrin e kombit të tij si pak kush i lindur në këtë truall, por edhe atij që, n’ata çaste kritike për Shqipërinë, nuk pranoi të bëhej vegël e udhëheqjes komuniste për të njollosur bashkatdhetarët e tij.
Ndokush mund të më kritikojë ashpër se po flas në dobi të “shkrimtarit të regjimit”, un, një nga viktimat e atij regjimi. Duhet të pohoj se ka qenë një autor të cilin e kam lexuar me ëndje dhe e kam vlerësuar jo për faktin se ”temat për Partinë, Enver Hoxhën, Atdheun, socializmin janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit”, siç thotë Ramiz Alia, por për talentin e fuqishëm e meritat letrare të padiskutueshme. Nëse ndokush do të kërkonte dosjen time gjyqësore më 1980, do të shihte në të se një nga akuzat që më bëhej për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ishte kjo : “Ka lexuar Dostojevskin e ka pëlqyer Ismail Kadarenë”, një akuzë e pranuar prej meje edhe në gjyq. Në tavolinën e hetuesit tim qëndronte libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me nënvizimet e zakonëshme që gjinden në librat e lexuara prej meje. Nga kontrolli në shtëpi ishin marrë dy libra, njëri prej tyre ishte “Gjenerali…”. Shum kush mund të shprehë habi për këtë akuzë, dhe vetë nuk e kam kuptuar atëherë, por fakti të bën të reflektosh se shumë gjëra ne nuk i dijmë ende si shkonin, por sigurisht jo ashtu si i shihnim ne prej larg.
Dua të shtoj edhe pak fjalë për qëndrimin e Ismail Kadaresë në çerek shekullin e fundit të së ashtuquajturës demokraci : ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në botën e jashtëme, ka luftuar për demokracinë e vërtetë, nuk është pajtuar me demokraturën shqiptare të këtyre viteve, ka qenë faktor i fuqishëm përparimi, atdhetarie, evropianizimi e demokracie nëpërmjet veprave të shkruara, intervistave dhë veprimtarisë publike jashtë Vendit.
Si të gjithë njerëzit që hyjnë në histori, kjo e fundit do të flasë për të. Si “dritë e së vërtetës e mësuese e jetës”, do të jetë e drejtë me të, me dritë-hijet e veprës së tij, duke mbajtur parasysh kohët, tejet të jashtzakonëshme, në të cilat pati fatin të jetojë ai dhe brezi i tij.
Maj 2015-05-24

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokratizimi i Shqiperise, Eugjen Merlika, Ramiz Alia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3848
  • 3849
  • 3850
  • 3851
  • 3852
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT