NGA LAURA KONDA/
Në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.
Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:
“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. …Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik.”, – tha ligjvënësi.
Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.
Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin:
“Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë,” – tha zoti Bajrami.
Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit. Zoti Bellos, duke u shprehur në mënyre figurative, tha se Kadare është një shkrimtar që hapi një dritare transparente për Shqipërisë në kushtet e periudhës se komunizmit, kur Shqipëria ishte në fakt një dritare opake.
Zoti Bellos tha se vepra e tij nuk është opozitare në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes saj Kadare tregon pasojat gërryese të pushtetit dhe na lejon të kuptojmë thelbin e një shoqërie totalitare. Ai tha se valëvitja e flamurit amerikan mbi Kapitol për nder të Kadaresë është një nder i jashtëzakonshëm për një shkrimtar:
“Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës; shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar jo amerikan… Të gjitha romanet e tij janë në një fare mënyre për Shqipërinë, por një Shqipëri e veçantë, Shqipëria e Kadaresë; vepra e tij është e lexuar kudo, në Amerikës, apo vende të tjera. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, si dhe i të gjitha kohërave.”
Zoti Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara nderojnë në fakt jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.
Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.Për Ditarin, Laura Konda, Uashington.(Zeri i Amerikes)
Lekët e Xhaferrit i kemi ne, jo Pëllumbi
Një sukses”i bujshëm”i policisë së shtetit- Show paraelktoral/
Nga Ilir Levonja/
Sot për shqiptarët doli sërish në skenë Fondacioni Xhaferri. Një sukses ”i bujshëm” i policisë së shtetit. A është a s’është i tillë. Nuk ka më asnjë rëndësi. Megjithëse nuk është e vështirë të kuptohet pse u realizua tani. Përpara zgjedhjeve lokale. Nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i adresohet ky show. Apo firmat piramidale.
Eshtë në strategjitë tona më të dhimbshme: që pasardhësi t’i kujtoj popullit zullumet e paraardhësit. Një nga strategjitë e grupeve mafioze. Që bëj zhurmë nga ana jugore. Që të vrasim vëmëndjen në anën lindore.
Po a janë vërtetë fajtor djemtë e arrestuar? Asllani dhe Pëllumbi? Vërtet mashtrues? Vërtet i vodhën njerëzve 12 milionë dollar?
1)Para se të bëhej milioner, unë e kam patur koleg Pëllumbin. Punonim të dy në Bashkinë e qytetit. Një djalë hokatar. Por që shpejt u gdhi si milioner. Një nga trashëguesit e një farë beu të ikur në Turqi. Në fakt ishte një lloj inisiative e babait të tij. Në mos gaboj një llogaritar në stacionin e mjeteve bujqësore. Apo të famshet SMT-ë.
Në atë kohë njerëzit ishin kthyer në një lloj lakmirë të lekut. Kjo kishte të bënte me faktin edhe të prurjeve nga jashtë shtetit. Një soj smire për tu rregulluar sa më shpejt. Vinim nga një mizejre kolektive. Të paktët për sa i përket mirëqënies.
Kështu që domosdoshmërisht duhej futur në garë. Puna ishte se kush do të guxonte më shumë. Ndodhi që guxoi babai i Pëllumbit. Guxoi me fqinjët e tij. Me të njohurit. Biles mbas atij ishin këta më aktivët. Frymëzuesit. Plasi epidemia e peshkut.
Ka qënë një nga vitet më të begatë. Aq sa, sa herë ulem dhe e kujtoj, për të riprodhuar pjesë që më duhen. Në lidhje me prespektivën rreth memorjes. Për të shkruar atë periudhë. Eshtë gati eterike. Si e pakapshme. Plotësisht një dehje kolektive. Kanë qënë vitet që në një fare mënyre, na i bën realitet përrallat e Orientit. Të paktën nga tavolinat. Por kjo ëndërr u bë edhe më e bukur me ekipin e futbollit. Kur në Lushnje, në një ndeshje me ekipin e Patosit, do të zbriste Mario Kempesi. Trajneri i pare i huaj në Shqipëri. Një realitet kaq magjik sa, zor të vij më .
Ndaj them se qe një dehje popullore.
2)Në të njëjtën kohë ky shtet që e akuzon sot, që e bastardon, që i faturon atë vlerë dollarësh. Nuk e kishte të rregulluar me ligj huadhënien apo huamarrjen. Ose le të themi, dukuri të tilla. Përreth përshpëritej për veprimtari aktive në vende të ndryshme të fondacioneve të tillë. Ndaj entuziazmi nuk kishte fre. Fondacionin po e imitonin edhe ata pak investitorë. Fondacioni po pillte dhe fondacione të tjerë.
Kam qënë prezent kur një nga këta bosët e rinj, si ai i Popullit, hidhte para në ajër në një aktivet promovimi të çeljes. Kollosi hidhte lekë në ajër. Ne të gjithë përkuleshin të mblidhnim. Ata që kanë qënë aty, ndofta me siguri qeshin tani. Pasi edhe këngëtarët harruan mikrofonët. Shi lekësh, shi i dendur.
Kam pare opozitarë të atëhershëm. Ose qeveritarë të sotshëm me lista kuadri. Që e reklamonin dobinë e huadhënies. Që bënin opozitë me burgun e liderit të tyre. Që bën çmos ta na i merrnin Pëllumbin në Tiranë. Dhe na e morën. Pëllumbi vinte rrallë dhe kush kishte fatin të merrte një përshendetje nga makina e tij, gëzohej sikur të kishte kapur qiellin.
Ndërsa ca muaj më vonë këta opozitarë. Këta ish oficerë të liruar, gjykatës. Mjekë, inxhinjerë. Arsimtarë të devotshëm. Drejtues aksionesh. Ish sekretarë komitetsh…, do akuzonin qeverinë e atëhershme për lejimin e aktivitetit të haudhënies. Madje do të bëheshin pjestarë të djegieve, shkatërrimeve, përndjekjeve dhe vrasjeve. Për t’i dhënë vendit një vit të dytë të mbrapshtë.
Nga ana tjetër edhe ne të thjeshtët, qytetarët…,që sot, çfarë nuk lëmë pa thënë për xhaferrët, nuk e kishin për gjë të shisnin shtëpitë dhe t’i fusnin mik Pëllumbit për të marrë pa radhë këstet.
Ndërkohë kur Fondacioni e reklamonte me të madhe si parrullat e kohës, mos shitjen e shëtipëve, të gjës së gjallë etj.
Por siç e dime, tek ne ka vetëm fajtorë. Dhe asnjëherë bashkëfajtorë.
3)Sot kur i pashë portret e vëllezërve Xhaferri. Mu zgjuan me dhjetra pandehma.
Po përmend vetëm disa:
-Si është e mundur që shumë ish oficerë, ishin drejtues në pikat e shpërndarjeve? Qe rastësi?
-Si është e mundur të dehet një shoqëri e tërë? Qe rastësi ?
-Si është e mundur të futemi në një lojë. Dhe të quajmë fajtor vetëm ideatorin? Eshtë rastësi?
-Si ishte e mundur që, atyre gjysmë investitorëve fondacione. Nuk u dha përkrahje financiare. Për të mos humbur edhe ato pak investime. E rastit? Apo aq dinim?
-Përse i adresojmë një vlerë të atillë, në miliona dollarë…, një njeriu që ka veç frymën.? Për të vendosur drejtësinë? Apo për të rregulluar sistemin e drejtësisë.
Thua iu hoq ngjolla me ato dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet burg, që do vuajnë këta? Vitit të mbrapshtë 1997-ë?
Nuk e besoj.
ZHVILLIME INTENSIVE NË MAQEDONI
NGA ASLLAN BUSHATI/
Kazani i Maqedonisë prej një kohe të gjatë është në vlim e sipër. Për zhvillimet e fundit, pati shumë pyetje se ku ishin fshehur politikanët shqiptar të atjeshëm të cilët nuk po prononcohen për ngjarjet e Kumanovës.Pse heshtin ata kur ka 22 të vrarë, shumë të plagosur, qinda familje të shpërngulura, mijra të torturuar e stresuar, shtëpi, rrugë e biznese të shqiptarëve të shkatërruara . Dhe ja më në fund në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në TV Klan, në mbrëmjen e 19 majit u cfaq lideri i BDI-se Zoti Ali Ahmeti. Se cfarë tha ai në këtë emision do ta analizojmë më poshtë, por së pari do të këthehemi tek lufta e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare (UCK) e shqiptarëve në Maqedoni.
Pas ndarjes së Maqedonisë nga ish Jugosllavia, në trojet shqiptare atje ka patur një lëvizje latent popullore për mëvetësi nga maqedonasit për arsye se shqiptarët ndieheshin të shtypur, të poshtëruar dhe pa perspektivë. Në ate kohë politikani më me zë në ato treva ishte Nevzat Halili rreth të cilit ishin mbledhur të gjithë shqipëtarët , një gjë me të vërtetë shumë më e mirë se sot. Por sipas shumë itelektualëve shqipëtar nga Zvicëra e Gjermania dhe sipas të ndierit Arbër Xhaferri e Menduh Thaci, thuhej se ai (Nevzat Halili) e kishte mbaruar misionin e tij dhe se ishte i pa manovrueshëm per të lëvizur më përpara punët në aspektin kombëtar shqiptarë. Në këto kushte u bë e mundur dalja ne skenë e PDSH-së prapa së ciles qëndronte edhe një formacioni ushtarak i quajtur UCK . Drejtuesit e këtij formacion (pra UCK-së), bënë një punë të vyer për 4-5 vjet, përgatitën terenin dhe strukturat për zhvillimet e ardhëshme politike e ushtarake në Maqedoni. Por si rezultat i një tradhëtie të brendëshme përfunduan prapa hekurave të burgjeve maqedonase duke u dënuar nga 4 deri 8 vite burg per cejcilin drejtues (Kujtoj e ashtu quajtura aferë e armëve).Drejtuesit e këtij formacioni ishin atdhetarë, të ndershëm, idealistë, patriot madje disa specialist ushtarak të ish ushtrisë jugosllave të cilët kishin dalë në lirim me qëllim për t’ju përkushtuar UCK-se.Gjatë aktivitetit të këtij formacioni përvec eprorëve të shtabit drejtues erdhën për konsulta e stërvitje në Tiranë edhe eprorët e tyre nga Zvicëra e Gjermania disa prej të cilëve ishin me origjinë nga Cegrani, Struga, Kërcova, Dibra, Tetova, Haracina,Kumanova dhe viset e Kosovës si Ferizaj, Lipiani, Viti,Prishtina e Mitrovica. Kur drejtuesit e shtabit u arrestuan në Maqedoni,ne në Tiranë mbajtëm familjet e tyre për gati dy vite(në gjendje ilegaliteti) me cdo gjë që mundëm si për familjet tona. Por zotërinjt nga Zvicra e Gjermania nuk u dukën më në Tiranë as për ata që u sakrifikuan dhe as për familjet e të burgosurve. U bënë kaq vite, kanë ndodhur shumë ngjarje, por nuk kam patur rastin qoftë edhe një herë të vetme të dëgjoj dikë që të shpreh ndiesinë më minimale për vuajtjet e këtyre atëdhetarëve dhe familjeve të tyre. Ata mbetën dy herë të tradhëtuar: nga brenda strukturave të veta në Maqedoni dhe nga eprorët e tyre në Zvicër.Se kush e bëri tradhëtinë, historia do të na e tregojë dhe do të verë në vend meritat e atyre që punuan, vuajtën e u sakrifikuan për shqiptari, por në anën tjetër ajo do t’ju drejtojë gishtin edhe tradhëtarëve.Kjo ngjarje se si më ngjanë për nga përmbajtja me atë të Kumanovës në sensin e tradhëtisë.
Vazhdim i kësaj UCK-je, por me organizim e struktura te reja, është ajo që doli në skenë në vitin 2001, lufta e së cilës është pa dyshim pjesë e rëndësishme e historisë së luftrave të popullit shqipëtar edhe një vlerë e madhe kombëtare. Edhe udhëheqësit e saj u pritën e respektuan gjatë e pas luftës deri në kufijt e heronjëve për gati 15 vite përfshi edhe Ali Ahmetin. Por pyetja shtrohet se a e coi misionin e vet deri në fund kjo luftë? Pergjigja duhet kërkuar në shumë aspekte të jetës shqiptarëve në Maqedoni, por po preferoj vetëm ti cek disa prej tyre. Unë mendoj se ndërhyrja e ndërkombëtarëve, e politikanëve vendas dhe marrveshja e Ohrit e pamundësuan përfundimin e misionit ose e thënë më shkoqur e ndaluan , e frenuan dhe e penguan atë. Kjo në gjykimin tim duket në faktin se shqiptarët akoma atje përbuzen, etiketohen edhe nga autoritetet më të larta shtetërore si fis i egër, si indianë si shtetas të dorës dytë e të tretë. Shqiptaret paguajnë 38-40 përqind të GDP-së dhe marrin mbrapsh në investime 18 përqind të GDP-së, ata mendojnë se kanë të bëjmë me një shtet fasadë dhe jo shtet të vërtetë demokratik që mbron liritë dhe të drejtat themelore e kombëtare të tyre.Fakti që ka ish pjestarë të UCK-së dhe epror të tyre që kërkojnë të riorganizohen dhe të dalin përsëri në fushbetejë , do të thotë se pakënaqësitë kanë kaluar kufijt e durueshmërisë dhe të zgjidhjes me mjete politike.Këtë gjë lypset ta shikojnë drejt në sy dhe në përmbajtje, politikanët vendor shqiptar dhe ndërkombëtarët, të cilët ideuan dhe formësuan shteti e sotëm të paqëndrueshëm të Maqedonisë.
Atëher pyetja tjetër shtrohet se cfarë ndodhi në Kumanovë ,ku u vranë 22 ,u plagosën dhjetra dhe u arrestuan 40 vetë.Shtëpi, rrugë e biznese të rrënuara,njerëz të traumatizuar nga përdorimi i armëve të rënda,brenda një lagje të populluar dendur dhe qindperqind shqiptare.Operacion i shkallës lartë ushtarako-policore me përdorim masiv të mjeteve të rënda të luftës kundër një” grupi të armatosur armiqësor” në një raportë forcash një me njëqind. Ka të dhëna nga dëshmitarë okular se është hapur zjarr edhe kundër atyre që janë dorëzuar në kundërshtim të plotë me ligjin ndërkombëtar të luftës. Dhe menjeherë pas kësaj masakre cfaqet një terr informativ,zymtësi, brutalitet qeveritar, përgjim i cdo kujt, magalomani e deri në cinizëm të theksuar.
Media thotë se grupi i ashtuquajtur armiqësor përbëhej nga shqiptar të Maqedonisë,Kosovës dhe një person nga Shqipëria. Pjesërisht grupi ishte mbledhur paraprakisht edhe ne Prizren e Podujevë dhe pastaj është futur në Kumanovë me sa duket për mbledhje, shtim të radhëve dhe formësim të mëtejshëm. Gjatë këtyre mbledhjeve kanë infiltëruar shërbimet sekrete duke servirur informacione jo reale por të parapërgatitura nga shefat e tyre se gjoja grupi do të ketë aksione armiqësore. Por deri tani autoritetet maqedonase nuk kanë qenë në gjendje të thonë se cfarë aktiviteti armiqësor ka kryer ky grup.Nga dëshmitarët del se anëtarët e grupit nuk kanë qëlluar të parët, përkundrazi të parët kanë qëlluar forcat qeveritare që në 4 të mëngjezit dhe pa snjë paralajmërim me mjetet më të rënda të luftës kur gjithkush ishte në gjumin e së shtunës. Pasi janë qëlluar, grupi për vetëmbrojtje ka hapur zjarr me aq municion sa kanë patur dhe kjo është një gjë e pranueshme dhe e ligjeshme në një ballafaqim të armatosur. Por këtu ka një errësirë të madhe prej nga dalin disa pikpyetje si : pse ishin lënë të harruar e izoluar ky grup, cfarë i shqetësonte ata, a ishin ata të pa kënaqur me marrveshjen e Ohrit dhe gjendjen në Maqedoni? Në qoftë se kishin ardhur për mbledhje e formësim të mëtejshëm në Kumanovë cfarë aksioni armiqësor kishte këtu? Mbledhja mund të bëhej edhe në një lagje me dendësi banimi, por në se grupi kishin qëllime aksioni, asnjë ushtarak me përvojë s’mund ta fuste grupin në një qendër të banuar pa asnjë koridor tërheqje. Pra dikush e ka tërhequr grupin për ta future në një kurth të përgatitur më parë. Llogjika i kundërshton thëniet dhe veprimet e qeverisë Gruevski. Në se për një moment arrimë në përfundimin se qëllimi ka qenë armiqësor (por nuk është vepruar), atëherë forcat qeveritare nuk mund të hapnin zjarr, sepse njerëzve nuk u shpallet luftë për mendime e deklarata por vetëm për veprime luftarake.
Por atëherë kujt i ka interesuar kjo masakër mbi shqiptarët në Kumanovë? Pa dyshim të parit Gruevskit që e ka projektuar e ideuar sepse ka dashur të largojë vemendjen nga pisllëqet që ka bërë në shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të vendit, të cilat ja vë në dukje cdo ditë opozita. Po ashtu u ka interesuar dhe shërbimeve sekrete serbe e ruse që të largojnë peshën e ngjarjeve të Krimesë, Ukrahinës dhe vetë Serbisë, duke hedhur baltë mbi shqiptarët dhe duke qëlluar mbi interest amerikane dhe te BE-së.
Por cfarë tha në TV Klan Z.Ali Ahmeti? Ai pohoi se e njihte shumicën e grupit te armatosur, kishte luftuar e bashkëpunuar me to, kishte dijeni për lëgvizjet e tyre kur tha se: “edhe zogjt mbi cati e dinin se dicka po leviste”, i kishin kërkuar atij ndihmë për të dalë nga rrethimi, por që ai nuk ju a kishte siguruar me idenë se dikush tjetër mund ti vriste kur ata do të ishin në besën e tij. Kur u pyet për fyerjet që u janë bërë shqipëtarëve ai u përgjigj se duhen konsideruar si biseda të rastit dhe se edhe shqiptarët shajnë në moment të tilla. Pyetjes se a u keni dërguar shkresë udhëheqësve të Kosovës për emrat e këtij grupi, ai nuk ju përgjigj drejt për së drejti por tha se autoritetet shtetrore dhe policore e kanë një detyrë të tillë.Pyetjes se kush i denoncoi ato ai tha se duhet të presim komunikatat qeveritare. Pyetjes se pse grupi nuk u ndalu para se të hynte në qytet dhe si është e mundur që të lejohej një zjarr kaq masiv në mes të popullatës ,Ahmeti ju pergjigj me kunder pyetjen: po pse nuk u vra asnjë civil?Pyetjes se a biseduat ju me kryeministrin Gruevski dhe sa i nformuar ishte ai per ngjarjen, Ahmeti u pergjigj se Gruevski e mori atë në telefon dhe se :”nuk e dijë se a ka qenë i informuar per operacionin,por edhe ta kishte ditë këtë situatë është ai që vendos në se do të më tregonte ose jo. Gruevskit i thashë që të mos vriteshin por të dorëzoheshin”.Pyetjes se ky grup është i mashtruar, avanturjer apo patriot?Ahmeti tha:”Ka prej tyre disa të mashtruar. Se si janë mashtruar nuk e di. Përpara ata nuk kanë qenë djem të këqinj.”Pyetjes se pse ju nuk dolët nga bashkë qeverisja me Gruevskin ai ju pergjigj se:”Unë nuk bëj teatër. Po e braktisa unë qeverinë shkaktohet krizë më e thellë. Ky nuk është interesi i shqiptarëve”.Pra e thënë shkurt qartë dhe pa asnjë ekuivok, Ali Ahmeti pohoi me gojën e tij se dinte gjithcka para,gjatë dhe pas masakrës së Kumanovës. Madje mori në mbrojtje edhe Gruevskin. Jankullovskën dhe veprimet e qeverisë maqedonase.Më qartë s’ka se si të thuhet. Pyetja e fundit ishte se kur filluat luftën në 2001-shin ëndërra juaj ishte qëndrimi në Maqedoni, bashkimi me Kosovën apo me Shqipërinë? Fillimisht-tha Ahmeti- kam menduar bashkimin me Shqipërinë, por në rrethanat e krijuara ceshtjet kanë ndryshuar. Mendoj se është më mirë që Maqedonia të qëndrojë si shtet me dy entitete”. Pra qëllimi strategjik i zotit Ahmeti për bashkim me Shqipërinë ka dështuar. Por historia na mëson se kushdo strateg ose politikan që dështon strategjikisht , cfardo fushatash e betejash të tjera të fitojë ai quhet humbës , sepse nuk ka realizuar qëllimin strategjik.
Si përfundim mund të themi se masakra e Kumanovës ka qenë e ditur dhe është planifikuar më parë me detaje nga qeveria Gruevski si një kurth per shqiptarët. Veprimtaria ushtarako-policore mbi të ka qenë brutale e qëllimëshme dhe kurdisur e me pasoja të rënda. Hetimi i saj ndërkombëtar është domosdoshmëri akute.Me këtë ngjarje (dhe shumë afera të më parëshme) politilanët shqiptar , janë të kompromentuar dhe konsumuar plotesisht. Populli shqiptar në trojet e veta në Maqedoni duhet të kuptojë se cikli i këtyre politikanëve është mbyllur me kaq. Një klasë e re politikanësh të edukuar në perendim,me integritet, vision e platform të realizueshme kombëtare duhet të thirret për veprim. Marrveshja e Ohrit duhet ribërë që t’ju vijë në ndihmë të drejtave e lirive themelore të shiptarëve . Një federatë shqiptaro-maqedonase me një strukturim të ri duhet duhet vënë në tryezën e ndërkombëtarëve me dashjen apo mos dashjen e maqedonasve. Në se një qasje e re nuk ofrohet një gjëmim i ri do të ndiehet në të gjithë hapsirën që sot njihet si Maqedoni (ose ish Republika Jugosllave e Maqedonisë –IRJM). Lufta është ngjarja më e rëndë e shoqërisë,prandaj duhet punuar për ta evitua atë me cdo mjet të mundëshëm.
Kuvend, replika të ashpra Meta-Topalli
TIRANË, 21 Maj/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, ish-kryeparlamentare, shkëmbyen sot replika të ashpra në seancën plenare. Deputetja Topalli e akuzoi kreun e Kuvendit se po tenton të blejnë votat në Shkodër.
I menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë ka qënë reagimi i kryeparlamentarit, i cili mes të tjerash i kërkoi deputetes së qarkut të Shkodrës, që faktet që disponon t’i çojë në prokurori.
“Jozefinë është e drejta jote të jesh e pacipë, por mos harro se na njeh Shkodra, por nëse ke fakte të tilla t’i denoncosh në polici e prokurori. por ti ke hall tjetër se do të justifikosh më 21 qershor rezultatin e partisë tënde. Shkodra do ta japë përgjigjen më 21 qershor. Atë që ti e quan mafie në Shkodër dhe që dikur të ka bërë ty moldave, sot e ke aleatin më të ngushtë. Unë nuk flas asnjëherë, por meqë zonja më përmendi drejpërdrejtë emrin dhe ka disa seanca që shpif këtu, iu përgjigja”, deklaroi kreu i Kuvendit.
Topalli e akuzoi Meten:Ti je Mafia!
Ahmetaj: Qeveria e vendosur të vijoje me reformat per rimekembjen e ekonomise
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi të enjten në Kuvend se qeveria është e vendosur për të vijuar me reformat për rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Beteja me rritjen ekonomike do të vazhdojë, sepse një rritje prej 2 apo 3 % nuk është e mjaftueshme, prandaj kemi guximin e kurajon të vazhdojmë reformat e vështira e të dhimbshme po tejet të domosdoshme”, deklaroi Ahmetaj. Sipas tij ka shumë kompani të huaja të cilat kanë shfaqur interes për të investuar në disa fusha të ekonomisë, si turizëm, energjitikë, etj. Ministri Ahmetaj po ashtu i bëri thirrje Presidentit të Republikës të firmosë dekretin që i hap rrugë negociatave me kompaninë kineze për ndërtimin e rrugës së Arbërit.
Dekreti i Presidentit që kthen për rishqyrtim në parlament ligjin “Për shërbimin e jashtëm” është çështja e radhës në rendin e ditës së seancës së sotme plenare, ndërsa diskutimet e deputetëve, në prag dhe të nisjes së fushatës zgjedhore, janë përqëndruar në akuzat e ndërsjella mes palëve për projektet e parealizuara gjatë qeverisjeve respektive.
Në këtë kuadër, deputetja e Partisë Demokratike(PD), Albana Vokshi denoncoi atë që ajo e cilësoi ‘vjedhje e fondit të ilaçeve përmes recetave false’. Sipas saj, kjo përbën skandalin më të madh të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, i përllogaritur “në një dëm ekonomik prej rreth 1.5 miliard lekësh”. Kjo skemë vjedhje, tha Vokshi, aplikohet përmes recetave false, pikërisht me kartën e shëndetit, dhe ka nisur tre muaj pas marrjes së pushtetit nga qeveria ‘Rama’.
Ligji “Për standartizimin”, Harito:Reforma në administratë me ecurinë më të mirë
Kuvendi në nisje të seancës së sotme Diskutoi disa ndryshime në ligjin “Për standardizimin”, që synojnë përqasjen e tij me ligjin “Për nëpunësin civil”.
Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito vlerësoi se reforma në administratë ka njohur ecurinë më të mirë, krahasuar me reformat në fusha të tjera. Ky fakt, sipas saj, është konfirmuar edhe nga Komisioneri Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.
Në përgjigje të akuzave të opozitës për largimin nga puna të punonjësve të administratës, Harito tha se janë futur në administratën publike duke përfituar statusin e nëpunësit civil 10 mijë të punësuar që janë gjetur në vendin e tyre të punës, nën një monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian.
Ministrja hodhi poshtë edhe akuzat e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili foli në emër të grupit parlamentar të PD-së, për moszbatim të vendimeve të gjykatave lidhur me administratën.
Sipas Haritos, ishte pikërisht kjo qeveri e cila solli amendimet në ligjin “Për nëpunësin civil” në janar të këtij viti, të cilat e bënin të detyrueshme zbatimin e vendimeve të gjykatave.
“Çdo vit qeveria paguan 20 milionë dollarë vetëm nga moszbatimi i vendimeve të gjykatave”, deklaroi ministrja.
Më herët në fjalën e tij, deputeti Bylykbashi akuzoi qeverinë për largim me motiv politik të rreth 7 mijë të punësuarve në administratë. Sipas tij, për të spastruar administratën nga profesionistë dhe për të emëruar militantë, qeveria nuk e futi në fuqi ligjin “Për nëpunësin civil” në tetor të 2013-s, ligj ky i miratuar me konsensus në prag të zgjedhjeve të dy viteve më parë.
“Nëse ligji do të hynte në fuqi në atë kohë atëherë do të kishin përfituar statusin 17 mijë punonjës të administratës dhe pushtetit vendor”, u shpreh Bylykbashi.
Demet nga breshëri, Ulqini: Fermerët do të dëmshpërblehen sipas ligjit
Deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Musa Ulqini shprehu sot shqetësimin në parlament për dëmet e mëdha që shkaktuan ditët e fundit reshjet e dendura të breshërit në zonën e Belshit dhe sidomos në fshatin Sulovë. Duke shprehur solidaritetin me fermerët e goditur nga kjo fatkeqësi natyrore, deputeti socialist i garantoi ata se “pavarësisht axhendës së nxehtë politike për shkak të zgjedhjeve, ata nuk janë braktisur nga qeveria dhe institucionet, të cilët po monitorojnë gjithshka. Evidentimi i dëmit do të bëhet në gjithë hapësirën dhe dëmshpërblimi do të jetë sipas ligjit, larg çdo avashllëku dhe politizimi’, tha ai.
“Janë dëmtuar rëndë 250 hektarë të mbjella me vreshta dhe po ashtu qindra hektarë me pemë frutore. Sot, ekipe me specialistë të bujqësisë janë në terren për të vazhduar monitorimin e dëmeve në zonën e prekur më rëndë”, vërejti Ulqini.
Kuvendi zgjedh sot nënkryetarin e ri nga PDIU
Gjithashtu Kuvendi pritet të votojë sot dhe propozimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit, kryetar i kësaj force politike, në postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit.
Në këtë mënyrë, organeve drejtuese të parlamentit i shtohet dhe nënkryetari i tretë, (dy nga të cilët i përkasin maxhorancës parlamentare), krahas Vangjel Dules të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ). Ndërsa nënkryetari i tretë i takon opozitës parlamentare.
Në fund të seancës pritet të miratohet dhe kalendari 3 javor (22 maj-12 qershor 2015) i punimeve të Kuvendit.
Ku janë shqiptarët e Maqedonisë?
Nga Emin Azemi/
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqipztarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombëtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabartë në politikëbërjen shtetformuese të këtij shteti kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një handikap të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një konsensus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberalë e konservativë.
Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune.
Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ua sheh hajrin populli atyre që vijnë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodh që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodh që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodh në terren, e bën partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat e tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre. Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikëbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpamje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vjen nga kjo filozofi e çoroditur e politikëbërjes dhe për mendimin tim këta janë heronjtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vjen duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.
Shqiptarët – pa platformë dhe strategji për veprime afatgjata
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimin e lidershipit. Ata i bluan ambicia iracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.
Si do të silleshim ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që herët a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20- vjeçare.
Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike?
Këneta e bajraktarëve
Hermafrodizmi i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.
Me këtë hermafrodizëm ideor e strategjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarë do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.
Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes
Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.
Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit.
Përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani. Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase.
Kakofoni dhe mosbashkëpunim në shoqërinë shqiptare
Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike e bën të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë te shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë të investitorëve të huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupi. Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikëbërjes.
Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’iu përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre personale që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapqihanet dhe leblebiqihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltuqet qeveritare.
Një qendërsim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencisë shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.