• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika e Shkupit dhe Gruevskit po i vret shqiptarët!

May 14, 2015 by dgreca

Nga Beqir Sina/
Ngjarjet e fund-javës së kaluar në Kumanovë, ku janë arrestuar rreth 30 shqiptarë dhe 14 shqiptarët të tjerë janë gjetur të vdekur dhe nuk po u mësohet ende identiteti i tyre, duket se janë edhe një përpjekje tjetër e dështuar e Qeverisë Gruevskit, për tërheqjen e vëmendjes nga kriza e thellë politike, në të cilën ndodhet Maqedonia sot, si rezultat i “pëllcitjes” së politikës ultra nacionaliste gjatë këtyre dy mandateve.
Duke menduar dhe sajuar atë gati çdo ditë se shqiptarët janë ” shkaku i krizave janë ata që “nxisin” konfliktet të brendshme”.
Tendencat, për një përpjekje të këtill, “tërheqjen e vëmendjes”, kjo, qeveri na e dha me “sinjalin” e ndezuar në rastin e Gushincës, por, edhe në situata tjera të provokuara dhe të inskenuara nga qeveria Gruevskit, sidomos, me theks të veçantë këto pesë vitet e fundit.
Dhe, jo më kotë, në opinionin e atjeshm – ku ndodhen edhe ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, kanë qarkulluar edhe informata të këtilla, se për skenarë të tillë, janë ndarë nga segmente, që “dëshirojnë destabilizimin” e situatës miliona euro nga buxheti shtetror.
Kësaj i thonë në gjuhën tonë popullore se “Ku ka zë !- Nuk është pa gjë!”
Kështuqë, nuk janë të rastësishm – raste të këtilla, gjatë kësaj qeverisje, në Maqedoni, si ato që ndodhën në Kumanovë. Ku qarqe të caktuara sllavo maqedonase, por ndoshta edhe të ndihmuara edhe nga ndonjë syresh i papërgjegjshëm shqiptar, vënë në shërbim të shërbimeve të caktuara sekrete maqedonase, krijonë dhe inskenojnë skenare makabre me shqiptarët.
Skenarët e tillë sidomos nga faktori politik shqiptar në Maqedoni, duhen parë dhe trajtuar me shumë maturi e kujdes – Kësisoj nga shqiptarët nevojitet përmbajtje dhe shmangie nga provokimet e tilla ogurzeza, skenare që ndjellin vetëm kob, tek shqiptarët, dhe gjithmonë ne kemi dalur vetëm të humbur, deri edhe me jetë njerëzish dhe dëme të konsiderueshme materiale dhe keqtrajtime si në kohën e Millosheviqit në Kosovë.
Kushdo, që ka ndjekur me pak vëmendje sulmin brutal, e policesk me përmasa deri për të bër “spektakël” nga ana e Ministrisë së Brendshme – pra Qeverisë së Maqedonisë në Lagjen e Trimave në Kumanovë, të cilën e pamë me videot e montuara të nxjerra prej tyre, si në filmat e Jams Bond-it, e kupton mënjeher se ky është një skenar i mirë përgatitur nga Gruevski dhe shërbimet sekrete maqedonase.
Skena të tilla çdo shqiptari i kujton atë skenarin e sulmeve blic, të policisë e paramilitareve të makinerisë serbe, mbi vendbanimet shqiptare në Kosovë, gjatë luftimeve të viteve 1998-1999, kur serbët kërkonin armë nga shqiptarët, plaçkisinin dhe arrestonin në masë shqiptarët që të fusnin panik.
Mirëpo më së shumti mbas kësaj ngjarje, mes një mori pyetjesh do të ndaja disa prej tyre:” Atë se : Kush i vrau 14 shqiptarët ? Kush po i vret gati çdo ditë shqiptarët? Kush e ka radhën tani mbas Kumanovës? Kur do të sajohet nga qeveria ndonjë “grup terroristë”, tjetër, pra që e kanë radhën …… tani për ta elNdërkohë, që pyetjet e para e kanë marrë përgjigjen, dhe janë ezaruar, shkruar, komentuar gati çdo ditë, nga gazetar, analist dhe komentator politik, gjatë ngjarjeve të këtyre ditëve, në “spektaklin policesk në Kumanovë” por edhe më para tyre, atëherë natyrisht i vjen rradha pyetjes së fundit për Kumanovën, a e “gatojë” politika e “papërmbajtshme” dhe ultra- nacionaliste e Shkupit, Qeveria e Gruevskit- Kumanovën
Me atë ” urrejten ndaj shqiptarëve” Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski! çdo gjë që bën e bën për poenë politike, si në rrafshin e brendshëm, po ashtu edhe me ndërkombëtarët, ashtu edhe në atë me fqinjët e saj – sa her që i nevoitet atij – kundra shqiptarëve.
Por, të mos zgjatem se të gjithë e dimë, se cili është kuptimi dhe nënkuptimi i asaj “kur njerëzit, qeveria në vend që t’i ushqej me mirëqenien , dhe bashkëjetesen në një vend multi etnik si Maqedonia, atëhere qeveria zgjedh e i “ushqen” njerëzit e saj vetëm me ndenja të forta urrejtje dhe diskriminimi
Sidomos, kur bie fjala në shtete të këtilla multietnike, siç është Maqedonia, çdo njeri nga ne e di se gjuha e “dhunshme” është nacionalizmi, i cili mund të nxis dhunën aktuale, dhe të gjithë e dinë që metaforat me motive nacionaliste , mund të nxisin vrasje…..edhe si këto më të fundit që ndodhën në Kumanovë.
Ky akt kriminel, në Kumanov, që s’ka dyshim se është pjellë, për-rrjedhojë, e politikave ultra nacionaliste të Qeverisë Gruevski, të ndjekura dhe manifestuara nëpërmjet sulmeve të dhunshme policeske, ndaj shqiptarve, kërkon vetëm transparencë. “Se moszbardhja e këtyre vrasjeve dhe shkaku i tyre, natyrisht që do të thotë se situata vërtetë është e rëndë dhe shqetësuese në Maqedoni.”
Kjo është Qeveria, që duhet larguar vetëm për atë se nuk ka bër asgjë për të parandaluar paraqitjen e atmosferës nacionaliste, dhe vrasjeve të tilla, diskriminimit, dhe ndasive kaq të mëdha në të njëjtin shtet. Ku integrimi në shoqëri është një proces i njëanshëm, një vend ku u arritë një marrveshje si “Marrveshja e Ohrit” e cila ka mbetur sakate dhe e pa realizuar aspak.
Ka ardhur koha që kundër këtyre vrasjeve duhet të tregohet vendosmëri aktive gjegjësisht,e shtetit e Qeverisë në rend të parë, dhe më pas e partive politike, qofshin ato shqiptare në qeveri qofshin ato në opozitë. Por, barra më e rendë, natyrisht pikësëpari i bie atyre në koalicion me Qeverinë, pra BDI-së së Ali Ahmetit.
E cila:”Nuk mjafton vetëm duke bërë thirrje qytetarëve të tregohen të përmbajtur dhe që ky rast të mos keqpërdoret për nxitjen e promovimit të tensioneve ndëretnike, dhunës dhe padurueshmërisë, porse duhet që në mënyrë aktive të ndërmerr masa kundër kryesve të këtyre vrasjeve, dhe zbardhjen sa më parë të saj. Sepse, dihet që kemi të bëjmë me një krim ndaj njerëzisë, 14 të vrarë , 30 të arrestuar, dhe dëme të pallogratshme materiale, panik dhe tmerr ndaj shqiptarëve, të pafajshëm dhe të pa mbrojtur.
Ndërsa, çështja tjetër, është se duhet një strategji afatgjate, me shqiptarët në Maqedoni. Të paktën të respektohet e plotë Marrëveshja e Ohrit. Kur dihet dhe po shihet se po përjetohen traumat të këtilla me shqiptarët.Dhe,, nëse këto pas disa vitesh do të harrohen- ashtu siç janë harruar ato që kanë ndodhur më parë në Kondovë, Kumanovë, Haraçinë, Tetovë, Shkup, rasti “Monstra” e të tjer, atëhere çfarë do të presim tjetër, vetëm do të kemi skenare të tilla si ky i Kumanovës,
Përfundimisht, duhet që rrënjësisht të ndryshojë, ky mentalitet, dhe kjo qeveri e cila mendon ta mbaj pushtetin me polici, apo me njerëzit e saj të veshur me pushtet, që mund të kryejn çdo lloj veprimi deri në vrasjeje, ndaj shqiptarve, kur e din se jan të mbrojtur nga shteti që nuk dënon askënd në se je maqedonas.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beqir Sina, Politika e Gruevskit, vret shqiptaret

VASIL PANI, NE KRYE TE TABORIT TE SHQIPTARIZMES

May 13, 2015 by dgreca

Në kujtim të 120-vjetorit të lindjes të atdhetarit të shquar dhe kryetarit të VATRËS për shumë vite, VASIL PANIT/
“Vasil Pani ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.- Fan Noli/
Nga Anton Çefa*/
Vasil Pani u lind në vitin 1895 në fshatin Dardhë të Korçës në një familje të fisnikëruar nga shqiptarizma e shenjtë e Rilindjes sonë kombëtare. Si shumë dardharë të tjerë, edhe Vasili me babanë e tij, patriotin Josif Pani, për arsye ekonomike emigruan në SHBA. Atëherë Vasili porsa kishte shkelur në të dymbëdhjetat. Qe tamam viti 1907, kur në saje të përpjekjeve të përfaqësuesve të mëdhenj të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare të dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli, dardharit Sotir Peci, mësuesit martir Petro Nini Luarasi dhe kolosit Fan Noli, u themelua shoqëria “Besa – Besë” në Boston. Bashkë me dardharë të tjerë, në krah të kësaj tresheje madhore u vu edhe babai i Vasilit, Josifi, për të mos iu ndarë asnjëherë veprimtarisë patriotike, së cilës ai iu përkushtua jo vetëm si një emigrant i thjeshtë, por edhe si një intelektual i përgatitur.
Nën drejtimin e Josif Panit, nga shtatori i vitit 1917 deri në mars të 1918-s, në Worcester Mass., doli gazeta e përdyjavshmë politike e shoqërore “Sazani” në shqip dhe anglisht, e cila bëri një propagandë të gjerë për çështjen kombëtare, dhe i shërbeu bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës Panshqiptare Vatra. Vetë titulli i gazetës është aqkuptimplotë: Sazani, ishulli më i madh shqiptar, është një nga viset tona që ka bartur më shumë peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ai ka qenë i pushtuar nga venedikasit, turqit, anglezët, grekët, italianët dhe gjermanët.
Kur në vitin 1911, ende pa u formuar VATRA, shoqata “Besa-Besën” hapi një fushatë për të ndihmuar Shkollën Normale të Elbasanit, Vasili 15-vjeçar dhuroi një dollar, të mbledhur pak nga pak me kujdesin fëminor, duke dëshmuar zjarrin atdhetar që i ndizej në gji dhe ndjenjën e fuqishme të dashurisë për arsimimin e breznive të reja shqiptare.
Në vitet 1912-1914, bashkë me disa të rinj emigrantë, Vasili shkoi në Shqipëri për të luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut, dhe u rreshtua në çetën e luftëtarëve të kryesuar nga patrioti i madh Themistokli Gërmenji, e cila vepronte në krahinën e Korçës, në fillim kundër pushtuesve osmanë, dhe më vonë kundër grekëve dhe tradhtarëve vendas, që ishin në shërbimm të të huajit.
Me t’u kthyer në Amerikë, më 1914, ai vihet në dispozicion të Vatrës. Zgjidhet anëtar i Këshillit; pak më vonë, sekretar i Federatës dhe, më 1929, kryetar. Nga ky vit deri më 1936 dhe nga viti 1938 deri më 1946, Vasili qe kryetar i këtij institucioni, më i lavdishmi i shqiptarëve të Amerikës; dhe ia kushtoi asaj pjesën më të madhe të kohës së tij. Restorantin e vet në East Camberbbridge. Mass., Vasili e kishte bërë qendër të grumbullimit të shqiptarëve, ku bisedohej për hallet e Shqipërisë. Më të drejtë është thënë: “Ky restorant kishte vlerat e një instituti kombëtar”. Idealit atdhetar, Vasili i shërbeu edhe me shkrime.
“Dielli”, më 11 shtator 1936, shkruan: “Për zotin Pani çështja shqiptare ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshën të kuptojë. Dëshira dhe ambiciet e Vasilit kanë qenë: t’i shërbejë Atdheut, të bëjë sakrifica, të qenurit gati të mbrojë çështjen kombëtare. Ka çmuar më tepër pasurinë morale që rrjedh nga miqësia dhe vëllazërimi midis shqiptarëve se sa pasurinë materiale.”
Vasil Pani vdiq papritmas në vitin 1947 dhe u varros me nderimet më të mëdha nga diaspora e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, “Dielli” shkroi: “Vatra po të mos kishte qenë Vasili mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës.” Dhe: “Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik, Vatra një figurë të shquar . . .”
Vatranët do të përulen gjithnjë me mirënjohje para kujtimit të ish-kryetarit të tyre të nderuar dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës do ta kujtojnë me respekt emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur, që siç e ka cilësuar Noli “ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës. Kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si edhe në Vatrën.”
*Ribotim i redaktuar dhe i plotësuar
* Ne Foto:Ate e bir, Josif e Vasil Pani

Filed Under: Vatra Tagged With: Anton Cefa, ne krye te taborit, te Shqiptarizmes, Vasil Pani

New York, Festa e bukur e Nënave

May 13, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Me rastin e Ditës së Nënave Amerikane Assamblyman Z. Mark Gjonaj organizoi një festë të bukur dhe mjaft interesante për nënat në Bronx, e pranishme në këtë takim ishte edhe Senatorja Amerikane Znj. Ruth Hasell Thompson, e cila ka punuar shumë e ka ngritur zërin për të drejtat e gruas në Senatin Amerikan, duke hartur ligje në mbrojtje të të drejtave të grave.
Festa e Ditës së Nënave i ka fillimet e saj në vitin 1914, për nder të Anna Javers, vajzës së përkushtuar dashurisë së nënës e cila e humbi atë nga një sëmundje në vitin 1908, me këtë rast ajo i drejtohet me një letër kërkesë presidentit amerikan të asaj kohe që dita e nënave të ligjërohej si festë kombëtare. Presidenti i miratoi kërkesën e saj dhe e ligjëroi si Festën e Nënave Amerikane. Si fillim së pari kjo festë nisi për të uruar nënat në mjedise familjjre, më pas mori një hapje të madhe në SHBA, në disa vende të botës.
Edhe Z. Mark Gjonaj megjithëse i ri në këtë funksion të lartë politk ka bërë shumë për të drejtat e gruas në Asamblenë e New Yorkut, ku idetë e tij kane gjetur mbështjen e duhur nga politika amerikane.
Muzikë nga Frank Sinatra dhe këngëtarë të njohur të muzikës jazz e rock shoqëruan drekë festive mes nenave shqiptare dhe atyre amerikane në Bronx. Z. Mark Gjonaj tregon kujdes të veçantë për të dërguar urimet e rastit dhe festuar çdo festë zyrtare shqiptare dhe amerikane me qytetarët në Bronx, çfarë e bën atë më të afërt e më popullor me të gjithë banorët e Distriktit Nr. 80 në Bronx e më gjerë. Fjalët më të mira flasin qytetarët e kësaj zone elektorale për Assamblyman Mark Gjonaj, ata janë të kënaqur nga puna e tij tre vjeçare në këtë post të rëndësishëm e thonë se nuk ndihen të zhgënjyer që i kanë dhënë votën për dy mandate rradhazi.
Assamblyman Z. Gjonaj në Restoranitn “Sanz” në Bronx, përveç të tjerave organizoi edhe sfilatën e modës për të pranishmet ku fitueset morën dhuratat e rastit si, Gruaja për kapelen më të bukur. Gruaja me veshjen më të bukur.
Edhe Senatorja Thompson pasi uroi gratë për festën e nënave, vlerësoi veshjet e tyre për rëndësinë që i kishin dhënë këtij eventi mbarë kombëtar. “Nuk e dija tha ajo se sot këtu do të zhvillohej edhe konkursi për kapelen më te bukur, se edhe unë do të vija këtu me një kapele të bukur që e kam në garderobën time”.
Ajo gjithashtu tha se vitin e ardhshëm do ta lerë funksion politik si Senatore për të konkuruar si Kryetare Bashkie në Mt. Vernon. Por shtoi ajo: “E di, që do të më mungojë shumë Bronxi dhe qytetarët e saj, ku kam kujtime të shumta, pasi së bashku kemi bërë punë të mëdha për mirëqënien e jetës së popullatës në Bronx.
Festa kaloi gëzueshëm, me këngë e muzikë e me humorin e këndshëm e paqësor të Assamblyman Z. Mark Gjonaj.
New York, Maj 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Nënave, Festa e bukur, Mimoza Dajci, New York

Proza e Drita Lushit, si rrëfim i përtejndjesive dhe mesazheve njerëzore

May 13, 2015 by dgreca

Nga Agron Shele/
Shpesh herë bota e artit të shkruar vjen si pasqyrim i përthyerjes së realiteteve ose si shtjellim i imazheve dhe fiksioneve që krijon vetë autori, për të segmentuar kohezionin përjetues, ose për të ndjekur një qëllim të mirëpërcaktuar. Herë të tjera ndodh që, krejt natyrshëm, të gjejë shprehi edhe lirshmëria e shpirtit që mundëson shfaqjen e pikturave të gjalla dhe plot ngjyrime të vetë jetës, ashtu siç është, me të gjitha të mirat e të metat që e përbëjnë, gjithmonë në funksion të një komunikimi të shumëfishtë me lexuesin, duke filluar nga ai i gradës së parë, i thjeshtë dhe i sinqertë deri te ai më i thellë e më i rëndësishëm, që përfshin një spektër te ndjeshëm vlerash etike, morale dhe shoqërore. Në këtë kontekst, larg çdo modeli apo forme të imponuar, vjen edhe proza e shkrimtares Drita Lushi, e cila nëpërmjet fabulës që sjell, zgjedhjeve dhe zgjidhjeve të shkathëta, plot dinamizëm dhe larmi karakteresh, ristrukturon dhe rikrijon jo vetëm anën thelbësore të formave narrative por dhe stilistikën e veçantë (si prozë-poetike), stil ky që e paraqet dhe e projekton si një zë autentik në letërsinë bashkëkohore. Gjatë leximit të librit zhytesh me interes të veçantë në shtjellën e rrëfimit elokuent dhe të përmbajtjes si mesazh artistik që të rrëmbejnë pa kuptuar dhe të çorientojnë nën ritmin e baticave dhe zbaticave të prognozës së jetës duke u dhënë përparësi vlerave dhe cilësive njerezore e, në mënyrë të veçantë, humanitetit që duhet të manifestojë njeriu si qenie e civilizuar. Tematika e veprës qendërzohet tek e përditëshmja e jetës shqiptare ndërsa ashtu e stukturuar dhe ravijëzuar drejt një boshti unik sjell një panoramë të zgjeruar të saj: kontrastin bardhë – e zi (VALS ME TË BARDHA), ovacionin e prekjes nga afër të ëndrrës shqiptare “viti- 1969” për gjakovarët dhe mbarë kosovarët (GJERDANI MË I BUKUR), vlerën e familjes ( Sekreti), plagën e gjakmarrjes (ADHURIMI), plagën e emigracionit (SHI. . .), njeriun e lënë në harresë (LOT BURRI ) dhe sigurisht nuk mund të lërë pa trajtuar temën e dashurisë, e cila nuk vjen me nota të theksuara rozë, por si shprehje e ndjenjësisë dhe dlirësisë më të bardhë njerëzore (SHTATË DITË, VENDIM I VËSHTIRË), etj. Vlen të theksohet mënyra e ndryshme e trajtimit të fenomenit, i cili nuk paraqitet si një formë shtjellimi në kohë apo hapësirë të caktuar, por si një ngjarje që lëviz drejt konturesh të mirëpërcaktuara, nëpërmjet një lloj analitike të mprehtë që bëhet njekohesisht pjesë e rrugëzgjidhjes së problematikës së vërtetë. Sintetizimi i elementeve filozofike e psikologjike ndeshet në mbarë tregimet e saj, tregues ky jo vetëm i përqasjes metafizike, i njohjes së botëkuptimit dhe mendësisë së avancuar, por edhe i pjekurisë artistike. Të gjitha këto kanë mundësuar përftimin e një vepre sa të qëndrueshme po aq edhe koherente për kohën në të cilën jetojmë. Percepetimi i realitit grishtës nëpërmjet syve dhe botës femërore, sigurisht që sjell si rezultat një vepër më të ndjeshme, më të prekshme dhe shumë më të kuptimshme për vlerat dhe mesazhin që përcjell. Veç të tjerash, e gjithë kjo prurje e veshur me figurshmërinë e duhur që rrjedh edhe nga vetë poetika e kësaj shkrimtareje, e bën karakterin e saj tregimtar shumë më tërheqës dhe befasues për mbarë lexuesit. Për të paraqitur një konfiguracion më të detajuar le të ndalemi te disa tregime:
“VALS ME TË BARDHA” është tregimi i parë që hap librin “DASHURIA ÇEL NË PRILL”. Që në fillim citohet se ky tregim i kushtohet babait të saj “ -Tim eti-“ dhe sigurisht mendimi më i parë të çon tek gjykimi dhe shqyrtimi i elementëve autobiografikë. Leximi i tregimit e humbet shpejt idenë parësore dhe të bën të kuptosh se aty nuk flitet më për një personazh familjar “babai”, por për një rast tipizimi të realitetit të gjallë, i cili ringrihet nga përvuajtja e vet, duke përbërë dhe kontrastin më të madh të jetës së tij, për t’u bërë vazhdues i traditës së mirë të krijuar te familja shqiptare nëpër vite.
“ E veshur me të bardha , nisëm të kërcenim së bashku valsin e hapjes.
Ka qenë kërcimi më i bukur që kam bërë në jetën time.
Shikonim njëri tjetrin të heshtur . . . . Të heshtur . . . . . .”
Ky tregim behet bartës i disa elementeve të veçantë të traditës shqiptare:
-Karakteri i shqiptarit (duke e ditur që po vdiste, shpejtoi ditën e dasmës së vajzës dhe e nxori nusen nga dera e shtëpisë me të bardha).
-Shenjtërimi i familjes (shprehishmëri e qartë e gjithë zanafillës së jetës në shërbim të qelizës bazë, familjes)
-Vazhdueshmëria, si kuptim i vetë ekzistencës dhe përsosjes.
-Koncepti i vdekjes si përjetim i tragjikës shqiptare.
“ADHURIMI ” është një tjetër tregim, i cili e merr tematikën nga “gjakmarrja”, plagë e dhimbshme dhe aktuale, që po rrëmben përditë jetë të pafajshme dhe ka ngujuar qindra familje shqiptare. Një fenomen i tillë, që përbën edhe problematikën më të mprehtë shoqërore sot, nuk mund të anashkalohet apo ti shpëtojë penës së autores, por me objeksion, përgjegjësi intelektuale dhe si pjesë e frymës angazhuar për zgjidhje të menjëhershme, jep tablonë e kësaj drame, pasojën e shkaktuar dhe rrugën e duhur për të arritur deri te falja, si veprim sa kurajoz ashtu edhe fisnik.
Deri ku shkon thelbi i shpirtit të një njeriu, dlirësia dhe ana humane e tij, këtë e deshifron tregimi “LOT BURRI”. Si autore e përjetimit të thellë dhe ndjesive të mëdha, Drita depërton deri edhe në skutat më të thella të errësirës së jetës, madje edhe te cepi i trotuarit që është bërë vend dhe prehje për lypsarin e gjorë, duke mallkuar hapur ndaj padrejtësisë shoqërore për këtë kategori njerëzore, e cila ndihet sa e pambrojtur, po aq edhe e braktisur. Ajo nuk kërkon të paraqesë thjeshtë një tablo gri nga gjithë ky mjedis njerëzor, por të tërheqë vëmëndjen dhe, për më tepër, të ndikojë sa të mundet për integrimin e tyre në shoqëri.
Dashuria pushton një hapësirë të gjerë në prozë duke u shfaqur herë si ndjenjë e hollë, herë si dlirësi e pafajësi nën forcën estetike dhe artistike të penelatave sa ngjyruese po aq edhe detratuese.
“SHTATË DITË” janë si shtatë qiejt hapësinorë të gjithësisë së asaj bote që përmbushet nga dritat farfuritëse dhe kuptimi i ëndrrës më të bukur e cila, e ravijëzuar ashtu thjeshtë, plot pasion dhe emocion, nëpër fletët e ditarit të shpirtit, përshkruan fuqinë dhe peshën e pamasë të vetë dashurisë.
“Kjo faqe ditari nuk është si të tjerat.
Sepse malli, ndjenjat, emocionet, përqafimet, dhe padurimi im është aq i madh, sa mezi pres çastin që sytë do takohen në një pikë dashurie.
A mund të shkruhen të gjitha këto?
Të pres si asnjëherë tjetër. . .”
… dhe vërtet. Nuk është si të tjerat. Nuk ngjan me askënd. Është ndjesia njerëzore, që diku ngre krye e bëhet shpërthyese e diku tjetër përhumb mallit dhe çasteve të pritjes, por pa kapërcyer asnjëherë kufirin e përtejmoralit duke mbetur kështu përherë e pastër dhe e magjishme.
E gjithë kjo risi krijuese ngjan me një mozaik ngjyrash, ku çdo penelatë ka bukurinë dhe kuptimin e vet edhe ashtu e shtrirë në telajon e madhe te jetës, duke mundësuar perceptimin e krijimtarisë dhe intuitës së autores Lushi e cila, me një elegancë dhe elokuencë të natyrshme, ka ditur t’i përjetësojë në veprën e vet.
Libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL“ është mjaft kompleks dhe me diapazon shumë të gjerë, jo vetëm për format, stilistikën dhe strukturën që krijon, por edhe për trajtimin e problematikës dhe realitetin shoqëror që përçon, për idetë dhe thjeshtësinë e mendimit që shpreh dhe, si i tillë, të jep përshtypjen se do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit.
Ne Foto:Drita Lushi

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Shele, Drita Lushi, proza, si rrefim

NGJARJET NE KUMANOVE- REAGON KOMUNITETI SHQIPTAR NE ILLINOIS

May 13, 2015 by dgreca

REAGIM NGA KOMUNITETI SHQIPTARO AMERIKAN NË ILLINOIS RRETH SITUATES SË SHQIPTARËVE NË KUMANOVË, MAQEDONI/
Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois, me seli në Chicago, në mbeledhjen e vet të mbajtur me 11 Maj, 2015, lidhur me situatën në Kumamovë, lëshon ketë:/
DEKLARATË/
Kryesis e ketij komuniteti bashkë me anetaresinë e gjerë, solidarizohet tërësisht me popullin shqiptar të Lagjës së Trimave si dhe me tërë banorët e terrorizuar ne Kumanove nga ana e qeverise se Maqedonise.
Në të njejtën kohë Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago kërkon doreheqjen e tërë qeverisë Grujevski, e cila terrorizon qytetarët e saj dhe e ka sjellur vendin në këtë gjendje të mjerueshme.
Ky komunitet gjithashtu kërkon nga dy shtetet shqiptare reagime të ashpra diplomatike lidhur me situatën në Kumanovë. Ky komunitet e ka humbur besimin në organet hetuese të qeverisë Grujevski , prandaj kërkon me këmbengulje invalvimin e organeve ndërkombëtare të hetuesisë.
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i bashkangjitet kërkesës së Ligës Qytetare të DioGuardit për shkarkimin e zv/ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës Petrit Selimi, i cili në mënyrë adoleshenti ka ofenduar figurën e Zt. DioGuardi.
Dhe në fund, ky komunitet, është krejtesisht i zhgënjyer me liderët politikë të trojeve shqiptare në Ballkan, prandaj edhe mendon se të njejtit për një kohë nuk do të jenë të mirëpritur nga Komuniteti Shqiptar në Illinois.
Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois.
Maj 12, 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kumanove, ne illinois, reagon komuniteti shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3885
  • 3886
  • 3887
  • 3888
  • 3889
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT