• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU-KU…KUMANOVA IME ?!

May 10, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ku-ku…e imja Kumanova dardane në verilindje të Maqedonisë, po çka të gjeti në Ditën e madhe të Europës?! Po kush t’i përgjaki shqiptarët e tu etnik, vllaznit e mi të gjakut? Ç’ka i kie ata avionë të zhurmshëm mbi krye, ato të shtëna flakë sllave nga autoblindat policore rrugëve e dyerve tua?!
A ky është Bashkimi i Europës (BE) që na e deklaroi kryediplomati frëng Robert Shumani 65 vjet ma herët?! A thue me gjak e plagë, me sundim e spastrim etnik kumanovjan, po don me u integrue Maqedonia në BE, e cila kit’ dhjetor i përmbush 10 vjet kandidate e saj?!
Eh, e pata rrejt’ veten prej kaherit tue mendue se Europa ime, juaja, e jona, pas rënies së Përdes së Hekurt, në kit’ Rend të Ri Botëror, u ba e ndershme ndaj shqiptarëve në Ballkan? Më fal Fishta i madh! I shitoftë Zoti në qiell e zanat e malit në troje të Karadakut ata që të përgjakin o Kumanova ime në Ditën e Europës, në sytë e botës!
Po qysh po mundet kjo Europë plakë e nuse për me e mbajtë në kambë e në udhë, në gjinin e vet e me krime të tilla kundërshqiptare, kit’ krijesë të saj – FYROM (Maqedoni), kit’ “fëmijë të paligjshëm” të saj?
Ku-ku…Kumanovë, qysh me kanë bre kjo Ditë e Europës – Dita jote e Gjakut tand!
2.Ku-ku…Kumanovë, po a ban me dit’ kjo Koha e Sodit, kjo Botë Globale…, se ty të përgjakën pikërisht më 9 Maj 2015, në Ditën e Fitores së Europës mbi Fashizmin, në 70 vjetorin e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist (!) Kjo të ndodhi në kit’ Ditë të Europës, në kit’ Festë të Dyfishtë të saj !
Po ti, o Kumanova ime, dije, thuaju djepeve, varreve, lapidarëve të tu: kjo gjakderdhja jote është Turpi i Europës, një Turp i ri i saj! Nuk mundet me i la (shpërla) kit’ Turp as Valbona e vendlindjes time, e kthjelltë si loti jot’ o Kumanovë, e pastër si dhimbja jote o Kumanovë!
A e di o Kumanova ime gjeostrategjike në Ballkan, me rrugë autostradore e hekurdhore që lidhin Vjenën me Athinën, Selanikun me Beogradin, Maqedoninë me Turqinë e Bullgarinë, ty Kumanovë me Shkup, Preshevë e Gjilan, sepse jam ka flas kështu në kit’ ditë të sodit?!
Europa e Bashkuar po e lejon ringjalljen e Hitlerit të ri në Maqedoni! E ky është Nikolla Gruevski, që iu ka kthye tytat e armëve shqiptarëve etnik e shtetformues në Maqedoninë artificiale.
E fort mirë po e dinë Europa se në Maqedoni po ringjallet “Fashizmi Maqedonas” kundër shqiptarëve trojenik.
E fort keq po luan Europa e Sodit! Si Europa e Djehit?!
E fort mirë po e di se Europa e Bashkuar e NATO janë në Maqedoni e Ballkan, edhe për Shqiptarët, edhe për Maqedonasit, po çka ndodh kur ta merrë ana e barrës ma shumë në njërin krah?!
A veç me bërtit brigjeve të Vardarit e selive të Brukselit: Ku-ku…Kumanova ime, edhe kur na sundojnë si mesjetarë. Edhe kur na shpërngulin sllavët si në kohën e dyndjeve barbare, si këto ditë në Kumanovën etnike shqiptare, ku realisht shqiptarët kapin rreth 40 përqind e maqedonasit nja 50 përqind e pakica e mbetun janë serbë, turq, romë, vllehë, etj. Kumani (ova) është sllave, maqedonase, po aq sa mund të jetë i tillë dhe fshati i madh Kumani në rrethin e Fierit. Edhe kur maqedonasit sillen si gjakatarë çikllopik ndaj shqiptarëve etnik, si ngahera dhe kësah here në Ditën e dyfishtë të Europës?!
Ku-ku…Kumanova ime e coptueme, e përgjakur, nën terror fashist maqedonas, me platforma e akte spastrimi etnik shqiptar…! A je ka më ndie “Qyqja” Europë e shek. XXI, “veza” jote e paligjshme Maqedoni (me problematika të hapuna me fqinjtë për emrin, flamurin, fenë, tokat…) nuk mund të rritet në truallin etnik shqiptar e nga shqiptarët etnikë duke krijue Kumanova të gjakut shqiptar nëpër Maqedoni, duke e kthye Maqedoninë edhe shqiptare në një “Ukrainë ballkanike” kundërshqiptare…?!
Ku-ku…Kumanovë, Maqedonasit e Gruevskit edhe në shek. XXI, edhe në kit’ vitin 2015, po sillen si “korba” sllavë të etun për gjak shqiptar. Krra-krra…Korba antishqiptarë hangshi kryet tuaj!
Europë e Bashkuar në këto 6 dekada të pas Shumanit dhe me Shqipërinë e coptuar në 6 shtete ballkanike nga Konferencat e Traktatet e Paqes, në koft se nuk don me m’u rrëfye për 9 Majin 2015 të Putinit në Moskë, vepro për 9 majin 2015 në Kumanovën shqiptare, ndaj të tilla “Kumanovave maqedone” në tokat etnike shqiptare. Përndryshe, Europë, po ta kallxojë një urti të të parëve të mi: Shqipe, kurrë mos nxani miqësi me korbat…!

Filed Under: ESSE Tagged With: ...KUMANOVA IME ?, KU-KU, Ramiz Lushaj

U organizua Shfaqja e filmit dokumentar”Skënderbeu” në Monroe College

May 9, 2015 by dgreca

Të Shtunën me 9 Maj 2015 në mesditë u organizua shfaqja e filmit dokumentar”Skënderbeu” me regjisor Vladimir Prifti dhe me muzikë të Aleksandër Pecit. Bashkorganizatorë të kësaj veprimtarie ishin Federata Pan -Shqiptare e Amerikës VATRA, Organizata e Grave “Hope & Peace”, pedagogu shqiptar në Monroe College Haxhi Berisha, Mark Shkreli, Astrit Tota, Mimoza Dajci dhe Gjergj Dedvukaj.
Aktivitetin e mbështeti edhe Ansambleisti i Shtetit të Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj,i cili pas egzekutimit të Hymneve Kombëtare përshëndeti të pranishmit.
Z. Gjonaj, i sapo dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani me titullin”Nderi i Kombit”, tha se ndjehej krenar mes komunitetit të tij dhe se Gjergj Kastrioti Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar, që na bënë krenar për atë cfarë ai ka bërë për lirinë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Evropën. Ne po ashtu, theksoi z. Gjonaj, ndjehemi krenarë me Nënë Terezën, që me veprën e saj, i jep nder e krenari Kombit.
Veprimtarinë e ka moderuar profesori i Monroe College, bashkadhetari ynë Haxhi Berisha, i cili ka hapë takimin dhe u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve.
Presidentja e Shoqatës së Grave“Hope & Peace” Mimoza Dajci,ka uruar pjesmarrësit dhe bashkëorganizatorët. Më pas ajo ka uruar të gjitha nënat për ditën e tyre dhe ka dhuruar lule dhe flamuj.
Këtë veprimtari e ka mbështetur edhe Federata Vatra, e cila u përfaqësua me nënkryetarin Asllan Bushati me familje, anëtarët e Këshillit Sejdi Bitici, Zef Balaj, editori i Diellit Dalip Greca e të tjerë.
Në emër të Vatrës, veprimtarinë e ka përshëndetur zv/kryetari Asllan Bushati. Z. Bushati, në përshëndetjen e tij tha: Të nderuar pjesëmarrës,
Takimi i sotëm përkon me disa ngjarje të cilat na bëjnë nderë t’i kujtojmë. Fillimisht dua të theksoj se sot është dita e “Shënkollit të ri” ku me këtë rast, në emër te Vatrës, të Kryetarit të saj Dr.Gjon Bucaj, dhe të të gjithë vatranëve, ja uroj këtë festë të gjithëve atyre qe e festojnë :”Gëzuar e për shumë mot”. Një tjeter festë e rëndësishme këtu në SHBA sot është edhe dita e “Nënave”, ju a uroj te gjithë nënave amerikane festën e tyre e mbi te gjitha nënave shqiptaro-amerikane si pjesë e rëndësishme e korpusit të madh te grave amerikane. Po ashtu ky tubim përkon edhe me dy ngjarje historike sic janë :610 vjetori i lindjes së Heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastriot Skenderbeu dhe 70 vjetori i përfundimit të Luftës Dytë Botërore (LDB). Pikërisht si sot 70 vite më parë (më 9 Maj 1945) u firmos kapitullimi i nazi-fashistëve. Per këtë të fundit kemi detyrim moral të kujtojmë e tu bëjmë nderimet e duhura të gjithë atyre që dhanë jetën për atdheun në LDB. Diktatori Enver Hoxha dhe sllavo-komunistët LDB-në në Shqiperi e këthyen nga luftë clirimtare në luftë vëllavrasëse, por të rënët në këtë luftë nuk kanë përgjegjësi për vendimet dhe veprimet e diktaturës komuniste.Eshtë nderë për ne qe ti nderojmë ata dhe vepren e tyre sot.
Zonja e zotërinj, ngjarja më e rëndësishme e tubimit të sotëm është cfaqja e filmit te ri dokumentarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu realizuar me skenar e regji te “Mjeshtrit të Madh” Vladimir Prifti, dhe kompozitorit Aleksander Peci. Kjo është ngjarje e rëndësishme sepse i perket fushes se kulturës. Kultura është nga gjeneruesit më të mëdhej të energjive të një kombi. Pa kulturë nuk mund të kuptohet drejt e shkuara dhe e sotëmja dhe nuk mund të prognozohet e ardhmja. Pa kulturë nuk mund të radhitesh në grupimin e popujve te kulturuar të botës qytetëruar.Populli yne e ka dashur kulturën, por i ndodhur në shumicën e kohës nën robërinë e të huajve ka dhënë më shumë për kulturën e të tjerëve se sa ka akumuluar kulturë për vehten e tijë.Rilindasit qenë ata që insistuan për një zgjim kulturorë të Kombit Tonë e vecanërisht arbreshët e Italise. Ata e sollën historinë dhe veprën e Skënderbeut në fokusin e kohës. Së bashku me rilindasit e tjerë ata e ngriten figurën e Skenderbeut në piedestalin e Heroit Kombëtar shqipëtar, vunë në pah cilësitë dhe aftësitë e tij si prijës popullor, udhëheqës i madh ushtarak, mbrojtës i lirisë së popullit shqipëtare, dhe civilizimit evropianë për një cerek shekulli.
Edhe në ditët e sotme ne kemi nevoje në radhë të parë për më shumë kulturë. Kemi nevojë që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën dhe historinë e Kombit tonë. Të ingranohen fuqishem në jetën amerikane, por të mos harrojnë për asnjë cast se janë shqipëtarë dhe kane detyrime ndaj kombit. Kombin askush nuk mund ta zgjedh. Atë e kemi trashëgim prej të parëve, e përjetojmë vetë dhe ju a lemë trashëgim breznive që vijnë pas. Në Shipëri , Kosovë dhe kudo në trojet etnike shqipëtare klasa politike, institucionet e shtetit, akademitë e organizmat jo qeveritarë lypset të bëjnë më shumë për kulturën. Vetëm me kulturë bëhemi me te sjellëshëm, më të mencur, më të pranueshëm në cdo mjedis, me të vetëdijshëm për detyrat dhe përgjegjësit që kemi perpara vehtes dhe të ardhmes sonë si komb .
Edhe një herë në emër të Vatrës dhe në emrin tim personal ,ju përshëndes të gjithë juve të pranishëm, organizatorët e këtij evendimenti, piktorin Astrit Tota, dhe ju uroj gjithë të mirat
Gazetari Beqir Sina, i sapo dekoruar nga Presidenti Nishani me Medaljen”Naim Frashëri” ka amrër përgëzimet e ët gjithëve, edhe nga ansambleisti Mark Gjonaj që bëri një falenderim publik.
Gazetari Sina solli një letër të Papa Palit të VI-të, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ish editori i Diellit Dr. Athanas Gegaj kishte përkthyer nga gjuha latine disa pika kryesore të letrës që Papa Pali i VI-të, i kishte drejtuar popullit shqiptar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Letra është botuar në gazetën “Dielli” më 7 Shkurt 1968. Editori i saj Dr.Gegaj shkruante se: “Vatra” dhe të gjithë shqiptarët i mbeten mirënjohës Shejtërisë së Tij Papës Palit të VI-të, për shprehje fisnike që shkroi në atë Dokument të veçant për Skënderbeun, për popullin shqiptar dhe për bijët e tij kudo në botë. Ky është një Dokument për të cilin krenohemi dhe i mbetemi mirënjohës Selisë së Shejtë, thotë në fund të shkrimit Athanas Gegaj.
Kjo letër e përgatitur për botim nga Gjekë Gjonlekaj, ndodhet në Dielli online(www.gazetadielli.com.Shih 27 prill 2015).
Piktori dhe skenografi Astrit Tota ka folë për vlerat e filmit të regjisorit Vladimir Prifti, për abshkëpunimin me të si dhe bëri apel që komuniteti të mbështesë realizimin e mëtutjeshëm të këtij filmi dokumentar.
Rita Saliu, që së bashku me bashkëshortin Ademin, kishin udhëtuar nga Rod Island për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti e ka bërë përshëndetjen me vargje.
Të pransihmit ndoqën shfaqjen e filmit dokumentar.
Organizatorët kishin përgatitur me këtë rast një koktejil me pije dhe ushqime.(Dielli)(Fotografite i shihni ne facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, NE MONROE COLLEGE, Shfaqje e filmit Skenderbeu

Çka kanë të përbashkët shqiptarët dhe hebrenjtë?

May 9, 2015 by dgreca

Nga Ahmet Qeriqi/
Tashmë dihet historikisht se “hebrenjtë erdhën në Gadishullin e Ballkanit, shumë më herët se sllavët e Jugut, ndoshta qysh në kohën e ekspeditës së Darit të Persisë kundër skitëve, pas ekspeditës së Lekës së
Madh në Azinë e vogël dhe pushtimit të Ballkanit nga romakët” ( Dr. Muhamet Tërnava, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 395.). Në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë, të vitit 1526
janë shënuar një grup hebrenjsh, gjashtë shtëpi në Artanë, (ish-Novoberdë), të njohur në kohën e Perandorisë Osmane, si “Xhemati xhuhdan”. Ashtu si kudo nëpër vendet e Evropës, hebraikët merreshin me
tregti, me përfitime nga kamatat dhe me shtypjen e monedhave, në vende të njohura si, Derbhana. ( Po aty, faqe 369).
Popullata hebraike ka qenë e pranishme në shumë qytete, mbase edhe nëpër fshatra të Kosovës e gjithandej nëpër trojet shqiptare. Të përmendim me këtë rast se me shekuj kanë mbijetuar një shumësi emrash
hebraikë ndër shqiptarë dhe kjo na shtyn të mendojnë se një pjesë e tyre është asimiluar heshtas, sidomos në qytete për shkaqe të ruajtjes dhe zgjerimit të pasurisë.
Trajtimi njerëzor që iu bë hebrenjve nuk mendoj se ishte trajtim i organizuar shtetëror, për më tepër në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte të instaluara edhe qeveri kuislinge, të cilat
dashur pa dashur duhej t’ i zbatonin ligjet dhe synimet e pushtuesve italianë e gjermanë, atyre të cilëve edhe iu kishin bindur në rrethana të caktuara dhe të njohura historike.
Përveç ndonjë rasti të veçantë sikur kanë shënuar përfaqësues të organizatave shqiptaro-izraelite, tregojnë se ky angazhim dhe kjo “Besë e dhënë” nuk ishin akte vetëm individuale, por edhe institucionale.
“Fenomeni i Mikpritjes” ishte i ngulitur thellë në ndërgjegjen e shqiptarit, ishte akt moral i një rëndësisë dhe peshës së vet, po aq sa del i shënuar edhe në Besëlidhjen e Vjetër, në kohën e profetit Lot.
Ja si përshkruhet miku në besën dhe nderin e shtëpisë, në kohën e profetit Lot, vëllait të profetit Abraham. “Sodomasit e rrethuan shtëpinë e Lotit dhe i thanë: “Ku janë ata burra që hynë natën te ti, na i qit jashtë ta shfryjmë dëshirimin me ta! Loti doli te ta dhe pas shpine e mbylli derën e u tha: Mosni, vëllezërit e mi, mos ma bëni këtë të keqe. Ja, i kam dy vajzat e mia, të cilat nuk i ka prekur ende dora e mashkullit, ato po ua qes dhe bëni me to ç’ të doni, vetëm të mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse kanë hyrë në hijen e pullazit tim…(Bibla shqip, faqe, 38.)
Profeti Lot kishte insistuar me çdo mënyrë të ruante nderin e atyre burrave, të cilëve u kishte hapur derën dhe i kishte pritur si miq. Ai, me qëllim për të mos lejuar t iu ndodhte asnjë e keqe, meqë ishin në besë të shtëpisë, pranon t’ ua japë bijat e veta sodomasve, që ata të dëfreheshin me to, por nuk pranon t’ua japë mysafirët, edhe pse sodomasit hyjnë me dhunë në shtëpinë e tij. Në Besëlidhjen e Vjetër, në Librin e Kronikave, faqe 475-506, gjenden një duzinë emra e patronime që janë identike edhe për shqiptarët. Një pjesë e këtyre emrave mund të ketë ardhur me kohën e përhapjes së krishterimit, por disa syresh me kohë janë ngulitur si emra të veçantë.
Dadani i Kamajve, mbase edhe nga Dardan, apo Dedan, Dedali, Dedë, Dedaj etj Trajta hebraike, Gergeziu, i përshtatet emri shqip Gjergj, mbase Gjergji i Zi.
Zara e Ezaut të Ismaelit. Emri Zarë, mbase edhe shkurtesë nga Zarife, është mjaft i përhapur ndër ne. Trajta Zarë-a ka qenë dhe është e përhapur si ndër shqiptarët krishterë ashtu edhe te ata me fe islame. Trajta e sllavizuar Zariq.
Emri i gjinisë femërore Zizë-a, me siguri nga Azize, është i përhapur sidomos në Kosovë.
Emra të tjerë të njëjtë nga shqiptimi si:
Jaku, Jakini, nga Jakob,
Maka, Makaj, Makolli. ( i biri i Makut)
Sara, Sarë, mbase nga Serafim, Serafinë…
Bebai, Bebaj, patronim jo aq i përhapur në Kosovë.
Zakai, Zakau, Zakaj. Zaiko( te bullgarët).
Besai. Emër hebraik i prezantuar në Kronikat… Besë- Besa, emër i gjinisë femërore shumë i përhapur ndër
shqiptarë, Trajta mashkullore Besian, Bestar, Besart, Besarbër, janë emra të prejardhur nga emir Besë.
Huli. Patronim jo shumë i përhapur. Hulaj, në Dukagjin, Anadrin…
Zamiri, Zemrani, emra të përhapur edhe ndër ne. Mbase kemi të bëjmë me koincidencë, meqë emri Zamir,
apo Zamire, është përfituar nga “zë i mirë”.
Hanah, trajta shqipe, Hanë-a, po kështu një emër popullor shumë i përhapur, i cili mund të lidhet edhe
Hanën, satelitin e tokës.
Gera, në shqip e hasim edhe këtë patonim, si Dile Geraj, etj, në Shqipërinë veriore. Gjosh, Gjoshi. Patronim i pranishëm edhe ndër shqiptarë.
Kada, Kadish, në gjuhën shqipe mund të ketë prejardhje nga emri arab, Kadri-e, apo Kadri-u në gjininë
mashkullore. Deri vonë në Drenicë ku emër është shqiptuar si Kadishe, por edhe Kadë.
Metushael. Trajta shqipe Metë- Metush, me prapashtesën, ush, si vogëlush, lepurush, etj. (Bibla shqip,
Ferizaj, 1994).
Trajta arabe e përbashkët me atë hebraike mund të rrjedhë nga Mehmet, Muhamet.
Në traditën shqipe, është e njohur forma e shkurtimit të emrave. Përgjithësisht preferohen emrat me një e
me dy rrokje. Andaj ndodh që qysh nga fëmijëria emri i gjatë të shkurtohet gjatë komunikimit dhe të mbetet
i tillë gjatë tërë jetës.
Fran nga Françesko, Ndue nga Andon, Zef nga Jozef, trajta islame Jusuf-Cufë.
Dan nga Ramadan, Din nga Nexhmedin, Metë nga Mehmet e shumë të tjerë.
Në Librin e Kronikave janë të pranishëm edhe shumë e shumë emra të tillë, ku vërehet një afri shqiptimi si te
hebrenjët ashtu edhe të shqiptarët e tri besimeve fetare. Ky fenomen gjuhësor, hebraik-shqiptar nuk del të
jetë i studiuar, me aq sa dimë ne.
Përkime kulturore hebraike shqiptare
Ndodhë që tradita kulturore e një populli të ketë përkime të shumta e traditën e popullit tjetër, edhe në
rastet kur dihet nga historia se nuk kanë qenë madje as fqinj. Ndikimi i kulturës e i trashëgimisë fetare
monoteiste hebraike, hetohet ku më shumë e ku më pak, te të gjithë popujt, sidomos ne Evropë dhe në
Lindjen e Afërt. Vendet në të cilat u zhvillua besimi fetar monoteist, qoftë ai i periudhës para krishtere apo
pas krishtere, kryesisht iu nënshtrua një ndikimi jo edhe aq spontan. Të dhënat që kemi nga periudha e
lashtësisë ilire, nuk ofrojnë fakte të mjaftueshme lidhur me përkime a marrëdhënie të ndërsjella kulturore.
Megjithatë, dihet fare mirë se i gjithë komunikimi, qoftë tregtar, ekonomik a kulturor mes Lindjes së Afërt
dhe Evropës, zhvillohej nëpër truallin e Ilirisë.
Përcjellja e traditës me interpretim gojor
Trashëgimia ilire e më pastaj ajo arbëreshe, kryesisht ishte e transmetuar dhe interpretuar gojarisht. Tradita
e shkrimit ose kishte qenë e përhapur dhe ishte rrënuar, ose nuk kishte qenë fare karakteristikë e botës iliroarbëreshe. Ato fragmente të shkurtra të mbishkrimeve mbi gurë varrezash, nuk mjaftojnë as përafërsisht për
të konceptuar drejt dhe me njëmendësi atë epokë mjaftë të gjatë kohore.
Një ndër argumentet më bindëse në këtë mes, do të mund të pranohej fakti I përcjelljes së traditës me
interpretim gojor. Eposi i periudhës së hershme në fazën e pare të shtjellimit, nuk ishte shkruar. Të dhënat
tregojnë se, “ Mahabharata”, “Ramajana”, “Veda” si dhe literature e lashtë biblike, në periudhën e hershme
të interpretimit nuk kishin qenë të shkruara. Trashëgimia kulturore ishte përcjell me të mësuar përmendësh.
Kundërshtitë, të cilat I hasim në literaturën hebraike lidhur me shënimin e shkrimit të shenjt, apo
interpretimin gojor, kanë zgjatur me shekuj.
Kasta fetare e saducenjëve, duke bashkëjetuar e bashkëpunuar me pushtuesit Helen, ishte më reformatore.
Ata e kishin përfillur traditën e shkrimit.
Kasta e farisenjve ishte më konservatore. Farisenjtë i përmbaheshin rigorozisht interpretimit gojor të
traditës fetare e kulturore. “ Fjala e gjallë mund të zhvillohet, mund të adaptohet në situate e rrethana të
caktuara…Ajo, shumë më lehtë interpretohej e shumë më vështirë ndalohej, për më tepër ajo i bishtëronte
edhe censurës, të cilën e kishte aplikuar pushtuesi. Ajo ( fjala ) nuk mund të ndizej në turr të druve, veç se në
rastet kur digjej së bashku me interpretuesin. ( Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, fq.23-24, Beograd,
1990).
Analogjikisht, me këtë traditë, do të mund të shpjegohej interpretimi e transmetimi i ligjit shqiptar. Kanuni i
Lekë Dukagjinit apo e drejta popullore shqiptare, të cilën e mblodhi, e sistemoi dhe e botoi ati I nderuar,
Shtjefën Gjeçovi, dëshmon bindshëm se ky ligj, qysh nga lashtësia, kishte arritur deri në kohën tone, duke i
nënshtruar kodekset e njohura të shkruara, romake e bizantine, sllave e turke. “ Sikurse gjuha shqipe dhe
historia shqiptare lëshojnë një dritë të re mbi ngjarjet historike të Ballkanit, ashtu edhe e drejta popullore
shqiptare, sidomos Kanuni I Lek Dukagjinit, hap horizonte qindvjeçare për studimin e zhvillimit dhe të
kryqëzimit të sistemeve të ndryshme juridike”. (M. Mlladoneviq në studimin Kanuni i Lekë Dukagjinit, fq.3,
Beograd, 1938. U ndala me qëllim te citati i tillë, për të argumentuar supozimin se kultura dhe tradita
shqiptare e lashtësisë, kishin mbijetuar në memorien e popullit. Tradita e shkrimit dhe integrimi i saj në
kulturën evropiane ndodhi me shumë vonesë. Mirëpo, prezantimi i begatisë kulturore shqiptare i qartësoi
shumë nga dilemat dhe i avancoi studimet e ndryshme historike, gjuhësore etj.
Ç’kanë të përbashkët hebrenjtë dhe shqiptarët?
Para se të viheshin në spikamë disa rite, kulte dhe besime të njëjta, të cilat janë të barasvlershme për të dy
këta popuj, do të duhej të kihej parasysh një fakt, të cilin askush dhe asnjëherë nuk e studioi me seriozitetin e
duhur. A u ndoq ndonjëherë qoftë edhe një hebre në truallin shqiptar?
Duke njohur sadopak historinë mijëvjeçaret të martirizimeve hebraike, kampet, holokaustet, getoizimin,
përndjekjet dhe të gjitha të ligat e nopranitë që ushtruan të tjerët kundër hebrenjve, s’ka si të mos shtrohetpyetja e mësipërme. Shqiptaria në etapa të caktuar mund të ketë njohur antibizantizmin, antiturqizmin e
antisllavizmin, po kurrë nuk e njohu antisemitizmin. Jo se shqiptarët nuk kishin komunikuar me hebrenjtë,
jo se nuk kishte pasur hebrenj tregtarë në truallin shqiptar, po duket sikur ndjenja e përbashkët e pësimeve
gjatë historisë, kishte përcaktuar të njëjtin fat tragjik. Për më tepër, po të studiohet me kujdes mentaliteti
dhe etnopsikologjia e këtyre dy popujve, do të mund të veçoheshin të dhëna me shumë interes. Shqipëria ka
mirënjohje e lavdërime nga bashkësia hebraike, sepse në botën shqiptare hebrenjtë ishin ruajtur si miq të
vërtetë, e miku në vatër sipas ligjit shqiptar ishte i paprekshëm, i pacenueshëm.
Historia hebraike është histori e njeriut të qytetëruar, të ndeshur kurdoherë me barbarinë. Duke qenë prore
të rrezikuar e të dëbuar me dhunë nga atdheu, duke qenë të shtrënguar të lëshojnë trojet e tyre jetike, të
rrezikuar nga asimilimi, hebrenjtë kishin krijuar mekanizma përkatës të ruajtjes dhe konstituimit të traditës.
Kulti i ruajtjes dhe i përcjelljes së traditës me besnikëri, nevoja e përhershme për të ruajtur autonominë e
qenies, i kishte shtyrë të organizoheshin në bashkësi të qëndrueshme, ku ruhej dhe zhvillohej feja, ku
mësohej dhe transmetohej tradita, duke organizuar me maturi dhe fanatizëm jetën paralele qytetare. Etnosi
hebraik, sado që i shpërndarë në të katër anët e rruzullit, kishte arritur të mbijetojë duke u mbështetur
fuqimisht në traditën autentike. E kaluara iliro-shqiptare ishte ndeshur me të njëjtin fat tragjik. Pushtimi
romak sikurse në Iliri, me tërë barbarinë ishte manifestuar edhe kundër hebrenjve. Kolonizimi e dhuna
helene-bizantine, kishte shkaktuar pothuajse të njëjtin fat tragjik. Edhe periudha e pushtimeve turko-arabe,
nuk i kishte kursyer këta dhe popujt të tjerë, numerikisht të vegjël.
Duke qenë prore me atdhe dhe përkatësisht të mohuar, sublimohej dashuria e zjarrtë për token, bukën,
traditën, lirinë. Kudo që vdiste hebreu linte amanet që mundësisht të varrosej në Izrael. E tillë ishte edhe
porosia e shqiptarit. Hebrenjtë në mënyrë rigoroze e kishin ruajtur fenë e të parëve, shqiptarët i kishin
sendërtuar kultin e besës, e kishin ruajtur gjuhën, traditën e transmetimit gojor të begatisë kulturore.
Kulti i shenjtërisë së bukës
Në traditën hebraike, sipas Talmudit, janë të njohura katër ndalesa lidhur me trajtimin e bukës. Mbi bukë nuk bënë të vendosen gota a ena me ujë. Mbi bukë nuk bënë të lihet a të vihet sipëri mishi i papjekur.
Buka nuk bën të hidhet. Është e ndaluar që ena të pastrohet me bukë.Këto dhe ndalesa të tjera, të cilat në tërësi i ka përfillur dhe në një masë i përfill edhe sot tradita shqiptare. Ato
shënojnë të njëjtin kult, lidhur me bukën si ushqim, si “ Shpirt i shpirtit”. Motoja e jetës tradicionale shqiptare ishte:Bukë e krip e zemër”. Për më tepër tradita shqiptare njeh edhe ndalesa të tjera lidhur me trajtimin e bukës. Mbi troha të bukës nuk bënë të shkelet. Troshat pastrohen nga tryeza dhe nuk hidhen në mbeturina, por zakonisht u hidhen shpendëve a kafshëve. Trajtimi i tillë, sidomos përfillja dhe ruajtja e këtij relikti tradicional, zbulon esencën e qëndrimit konservativ për të ruajtur me besnikëri vlerat e qytetërimit autentik. Përkatësia fisnore hebraike njihet qysh nga koha e profetit
Jakob. Të dymbëdhjetë djemtë e profetit ishin shpërndarë në token e premtuar dhe kishin formësuar etnikumin hebraik. Iliriku i dikurshëm njihte organizimin fisnor. Formimi i mëvonshëm i dymbëdhjetë fiseve shqiptare, karakteristikë që është ruajtur deri vonë, sidomos në Shqipërinë veriore dhe verilindore ( në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare ), nuk është mbase vetëm një rastisje. Fisi ishte instance e një organizimi të jetës qytetare, që ruante kryesisht prejardhjen mbi baza gjinie e gjaku. Anëtarët e një fisi konsideroheshin si të një trungu, të një bashkësie
të afërt, e cila konstituohej si organizëm autonom me të drejta dhe obligime, që buronin nga tradita patriarkale. Organizimi i jetës qytetare patriarkale, nderi dhe respekti për të moshuarit, respektimi i prindërve, ngritja në këmbë në momente kur hynë miku, por edhe personi tjetër më i moshuar, janë disa nga reliktet që e kanë begatuar traditën shqiptare.
Ligji i Moisiut, i cili në një fare mënyre ka ndërtuar bazamentin e traditës morale monoteiste mbi parime të rigorozitetit të përmbajtjeve etike, ka ngjashmëri të shumta me ligjin shqiptar. S’ka dyshim se Ligji i Moisiut ka ndikuar në të gjitha kodekset morale të kohës, andaj edhe ndikimi në ligjin shqiptar nuk është i rastësishëm. Për më tepër, ligji tradicional shqiptar ka përmbaruar një sistem të mëvetësishëm në
interpretimin e disa normativave morale. Rrethi i lidhjeve me kurorë në Ligjin e Moisiut dhe përgjithësisht në traditën monoteiste, ishte përcaktuar në një rreth të ngushtë shtrirjeje.
Ligji shqiptar, lidhjen e kurorës mes burrit e gruas e sanksiononte edhe në kuadër të fisit, si dhe në vëllamërinë e lidhur me personin e fisit tjetër. Ky fenomen, gjithsesi interesant, ka bërë që bota shqiptare, jo vetëm të mos e njohë incestin dhe veprime të tjera të panatyrshme e perverse, por të krijojë institucione autonome në kryqëzimin e kurorave jashtë lidhjeve të gjakut, elementë që ndoshta më së miri e ka ruajtur mëvetësinë qytetëruese.
Ligji i njohur i Leviratit, sado që nuk është përfshirë në KLD, në të kaluarën ka gjetur shtrirje në veçanti te shqiptarët, të cilët kishin pranuar islamin.
Kulti i ditës së shtunë-Shabat
Dita e fundit e javës, e shtuna, të hebrenjtë është dita rigorozisht e përcaktuar për pushim. Sipas gjenezës, Hyji, krijuesi JAHV, e kishte ndërtuar botën dhe gjithësinë për gjashtë ditë, ndërsa ditën e shtatë kishte pushuar. Kulti i kësaj dite të mirënjohur në traditën hebraike shënon festën e përhershme javore. Tradita monoteiste e krishterë si dhe ajo islame, nuk i kishin përfillur shenjtërinë e kësaj dite. Se kishte qenë dikur kjo ditë e shenjt edhe të shqiptarët, nuk ka të dhëna të shumta. Me gjithë atë, duke u bazuar në një përbetim popullor të mirënjohur dhe mjaft të përhapur në formulimin: “për të shtunë e shtatëqind vjet”, do të mund të hetohej një analogji gjithsesi interesante. E shtuna, sipas formulimit përbetues, është e vetmja ditë për të cilën dikur janë betuar shqiptarët. Dihet po ashtu nga tradita se dita e shtunë ishte ditë tregu, pra, gjithsesi si e tillë është edhe ditë pushimi. Këtë e vërteton formulimi, “shtunak”, një mbiemërzim me të cilin shënohet personi i cili është kthyer nga tregu. Tradita gojore shqiptare ka ruajtur një motiv nga një legjendë ku flitet për bekimin, përkatësisht nderimin e ditës së diel si ditë të shenjt. Ky motiv i përket periudhës së përhapjes
së monoteizmit të krishterë, si dhe zëvendësimit të festave e të riteve të ndryshme fetare. Një shenjtor i qorton nëntë vëllezërit që punojnë ditën e diel. Vëllezërit arsyetohen me faktin se që të gjithë kishin
trashëgimtar memecë e të verbër, dhe për t’i mbajtur në jetë duhet të punonin ditë e natë. Shenjti shëron ashtu sikur dikur zoti Krisht, të verbëritë shohin e të pagojët flasin. Ky motiv që, gjithsesi i përket periudhës së hershme të përhapjes së krishterimit, në mos tjetër, tregon se kalendari i vjetër me shumë vështirësi zëvendësohej me të riun. Përbetimi “ Për të shtunë e shtatëqind vjet”, vërtetë zbulon një fakt, një relikt nga tradita e begatë e trashëgimisë sonë kulturore. Përkimet kulturore hebraike-shqiptare, nuk mund të jenë të rastësishme, as mund të jetë ky ndonjë fenomen i shkëputur. Po të bëheshin studime edhe më serioze dhe të avancuara në këtë segment, gjithë sesi do të zbuloheshin të dhëna e fakte me interes për të kaluarën dhe traditën e begatshme kulturore e historike të këtyre dy popujve. (A. Qeriqi: Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011).
Literatura:
1. Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, fq. 23-24, Beograd, 1990.
2. Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.
3. Dr. Muhamet Tërnava, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995.
4. Bibla shqip, Ferizaj, 1994.
5. M. Mladoneviq në studimin Kanuni i Lekë Dukagjinit, fq.3, Beograd, 1938.
6. Codice di Manui, lib. III nd. 99-101.
7. Epika historike,II, Tiranë 1981.
8. Bujku, Prishtinë 1994.
9. A. Qeriqi: Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011.( E dergoi per Diellin:Ermira Babamusta)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahmet Qeriqi, Çka kanë, dhe hebrenjtë?, të përbashkët shqiptarët

Korrupsioni ne mesin tone – korrupsioni brenda nesh

May 9, 2015 by dgreca

Shkruan:Sadik ELSHANI-Filadelfia/
Nje shqetesim i madh per qytetaret e Kosoves dhe partneret nderkombetare qe kane lidhje ekonomike me Kosoven, pa dyshim eshte korrupsioni i larte ne te gjitha nivelet e qeverisjes, ne te gjitha sferat e jetes politike e publike. Korrupsioni i ka leshuar rrenjet thelle ne shoqerine kosovare, po ia ze frymen zhvillimit te gjithembarshem te Kosoves duke i dhene nje pamje te shemtuar skenes politike e publike te Kosoves. Niveli i korrupsionit pasqyron nivelin, gjendjen e shoqerise se nje vendi, shkallen e zhvillimit material e shpirteror te nje vendi. Korrupsioni nuk eshte vetem simptom, shenje e semundjeve te shumeta, dukurive me negative shoqerore, por edhe vete eshte nje semundje e rende, eshte kanceri i nje shoqerie, eshte nje tregues, barometer i gjendjes se nje shoqerie, klases politike te nje vendi, nivelit zhvillimor, kulturor e arsimor te nje kombi. Prania e larte e korrupsionit ne nje shoqeri flet qaret se ajo shoqeri e ka humbur busullen e kodit moral, etik. Vendet e zhvilluara, kombet e perparuara karakterizohen me nje shkalle teper te ulet te korrupsionit dhe me nje vetedije, ndergjegje, kod moral e etik teper te larte. Qytetaret, zyrtaret e vendeve te tilla jane te ndershem e shume punetore.
Korrupsion nuk eshte vetem kur nje person kerkon para, ndonje dhurate, shperblim per nje pune qe ashtu – ashtu duhet ta kryeje, por jane edhe format tjera korruptuese, si: nderhyrja per te kerkuar dicka qe nuk i takon dikujt, venja ne nje pozite te larte, ne nje institucion e personit qe nuk eshte i kualifikuar, nuk i ploteson kriteret per ate pozite, etj. Korrupsioni eshte pengese kryesore per zhvillimin e nje vendi, sepse nuk e nxit kreativitetin, nuk e ngjalle deshiren per te punuar, kembenguljen per te arritur dicka, por e nxit parazitizmin, pertacine, sjell nje porosi te keqe, se per te arritur ne nje pozite ne shoqeri, ne ndonje institucion, nuk ke nevoje te punosh, te angazhohesh, te tregohesh, te dallohesh nga te tjeret, por vetem duhet te kesh lidhje te forta. Korrupsioni e ndrydh shpirtin konkurues, garues te nje vetje (individi), te nje shoqerie, faktor ky kyc dhe mese i domosdoshem, force shtyse per zhvillimin e nje vendi dhe sikur e le nen hije shfaqjen e ideve, ndermarrjeve te reja krijuese.
Per kete dukuri te shemtuar, pergjegjes ne radhe te pare jane personat, institucionet qe jane te korruptuar. Por keto dukuri nuk ndodhin ne nje hapesire te zbrazet, por ndodhin ne shoqeri, ne kohe dhe hapesire te caktuar, prandaj, edhe shoqeria i mbane pergjegjesite, i ka fajet e veta. Per fat te keq, ne anet tona, pasurimi i shpejte e i paligjshem, keqperdorimi i pozites, detyres, konsiderohen si zotesi. Nese dikush eshte ne nje pozite qe ka mundesi te pasurohet ne menyre te paligjshme dhe nuk pasurohet, atehere askush nuk e quan ate person parimor, te ndershem, por do ta quajne qyqar, frikacak – njeri qe nuk eshte i zoti per veten e vet. Nese je pergjegjes, drejtor ne nje institucion, ndermarrje dhe nje mik, nje i aferm te kerkon qe tia kryesh nje pune, nje kerkese qe nuk i takon, nuk e meriton dhe ti nuk ia kryen ate kerkese se nuk e lejojne rregullat, nuk e lejon ligji, atehere ai nuk te quan parimor, njeri qe e zbaton ligjin me perpikemeri, por do te drejtohet: Po cfare drejtori qenke ti qe nuk mund ta thyesh ligjin, nuk mund t’i thyesh rregullat per mikun tend, te afermin tend. Nder te tjera, te bejne edhe frikacak. Keto jane bindjet qe jane krijuar ne shoqerine tone, se ai qe punon ne nje zyre, institucion, duhet te jete Zot i asaj zyreje dhe jo sherbetor i qytetareve.
Para ca ditesh takova nje keshilltar te Keshillit Bashkiak te qytetit te Filadelfias me te cilin njihem mire dhe duke biseduar, nder te tjera me tha se u ka ndihmuar disa shqiptareve, dhe pastaj shtoi se, te gjithe i ofronin dicka. Une u thoja, vazhdoi ai, se une ketu jam per t’ju ndihmuar, per t’ju sherbyer juve dhe ju nuk keni kurrefare detyrimi ndaj meje. Te tille jemi ne, gjera te tilla jane bere pjese e jetes sone – per te kryer nje pune, duhet dhene dicka. Korrupsioni eshte shtrire, ka depertuar ne te gjitha sferat e jetes, por per cudi, me se shumti ne shendetesi dhe drejtesi, dy veprimtari qe duhet te jene me pak, ose fare te korruptuara. Mjekesia ne radhe te pare eshte nje profesion human, ndersa drejtesia eshte ajo qe duhet te luftoje korrupsionin.
Korrupsioni i larte eshte bere pengese kryesore per zhvillimin e Kosoves, terheqjen e investimeve te huaja dhe punen e suksesshme te ndermarrjeve, bizneseve vendore. Shume kompani, fondacione, institucione financiare nderkombetare nuk do te investojne, nuk do te angazhohen ne vendet me korrupsion te larte. Prandaj, duhet bere perpjekje serioze per parandalimin e veprimtarive korruptive dhe zhdukjen e korrupsionit. Kete, vazhdimisht dhe me kembengulje e kerkojne edhe miqte dhe aleatet tane – ata qe na duan te miren, na perkrahen, dolen ne mbrojtjen tone ne castet me te veshtira te historise sone. Eshte veshtire te luftohet korrupsioni nga zyrtare dhe institucione te korruptuara. Kjo dukuri patologjike nuk eshte krijuar brenda nates dhe nuk do te zhduket brenda nates. Nuk eshte lehte, por duhet filluar nga diku qe te dalim nga ky rreth ngulfates. Formula, qasja me e lehte, me e thjeshte do te ishte: Mos u korrupto dhe mos korrupto te tjeret. Kjo lehte thuhet, por veshtire zbatohet ne jete. Duhet filluar me edukimin e femijve qe ne moshe te re, ne familje dhe ne shkolla. Te krijohet nje brez i ri, i edukuar, i paisur me vlera te larta kombetare e njerezore, i ndergjegjesuar per rolin e tyre per zhvillimin dhe perparimin e vendit. Te identifikohen dhe te denohen personat, zyrtaret e korruptuar – te largohen nga skena politike e publike e vendit. Klasa e vjeter politike oportuniste, e korruptuar, jokompetente, joefikase, te zevendesohet me njerez te ri, te shkolluar e te afte per t’i kryer me pergjegjesi detyrat e tyre. Te kembejme pervojat me vendet, institucionet e perparuara nderkombetare dhe te kerkojme ndihmen e tyre per ngritjen e nje administrate, institucioneve efikase, moderrne demokratike. Por duhet te angazhohen e te ndergjegjesohen edhe qytetaret, shoqeria civile. Nje gje eshte e sigurt: njeriu nuk lind i korruptuar dhe nuk fillon te korruptohet kur te arrije ne nje pozite te larte (me ndonje perjashtim te rralle). Pra, shfaqja e korrupsionit e ka nje zanafille, e ka nje fillim dhe sic u cek me lart, nuk ndodh ne nje hapesire te zbrazet. Sa me pare qe te zbulohet, sa me pare qe te luftohet, sa me pare qe te ndalohet – aq me mire per te gjithe.
Per lirine dhe pavaresine e Kosoves shume atdhetare e shkrine pasurine e tyre, madje disa e flijuan edhe jeten e tyre, ndersa sot, oportunistet me veprimtarite e tyre korruptive, kriminale jane duke e pasuruar veten dhe klanet e tyre ne dem te qytetareve te varferuar te Kosoves – jane duke e varferuar Kosoven, duke e vene Kosoven ne nje gjendje te veshtire ekonomike e shoqerore dhe duke e rrezikuar shtetesine e saj. Me njerez te tille ne pozita udheheqese dhe veprimtari te tilla kriminale, Kosova kurre nuk mund te ecen perpara! Deri kur keshtu?!
P. S. Cdo fjale e shkruar (dhe e pashkruar) ne kete shkrim, vlen edhe per korrupsionin ne Shqiperi.

Philadelphia, 9 maj, 2015.
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Korrupsioni brenda nesh, Sadik Elshani

Pse Rusia?

May 9, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Tagjikistani është një shtet i vogël, 93% malor, me një popullsi prej 6 milionësh ku rreth 63% janë Tagjikë e 93% myslimanë. Ky shtet i Azisë Qendrore gjithmonë është i trazuar. Që nga pavarësia e 1991-shit prej BS-ik, ky komb vazhdimisht është tronditur nga lufta frakcionale ndër krahinore dhe fetare që kulmuan më Luftë Qytetare në Majin e vitit 1992 e tutje, duke e shkatërruar ekonominë ashtu të varfër, shpërnguljet masive dhe mbytjen e mbi 60 mijë vetëve. Lufta qytetare ka zgjatur mbi katër vjet.
Populli i sotshëm i Tagjikistanit ka pak nga ata që e luftuan Aleksandrin e Madh, para 23 shekujsh. Vendasit u ballafaquan ndër shekuj nga shumë qytetërime të kohës dhe pësuan asimilime gjuhësore dhe kulturore nga Persët, Turqit dhe Mongolët. Në shekujt e 8-të dhe të 9-të u krye asimilimi gjuhësor nga Persët, të cilët e sollën edhe fenë islame.
Persishtja u bë gjuhë e drejtësisë, e elitës së kulturuar dhe e fesë Islame, duke u futur me kohë edhe në viset më të larta e të largëta malore të vendit… Edhe pse populli nuk e donte pavarësinë nga Rusia, ajo u b, pavarësia u arrit, por me luftë qytetare ndërmjet opozitës Islamike fundamentaliste dhe të moderuarve që janë ende në pushtet. ( Lexoje :” Tagjikistani dhe tokat mbarëshqiptare “ F.Xharra)

Por çka të bën përshtypje këtu, është se ende mbetet si konflikt ideologjik, gara në mes të sekularistëve dhe atyre të vizionit islamik. Sekularistët janë për pluralizëm politik, kulturor, ekonomik, kurse Vizioni Islamik vetëm për Autokraci.
Lufta qytetare i kishte edhe pasojat e saj jo vetëm ekonomike, por edhe në ndërrimin e të menduarit të Tagjikut. Shkollimi i ndërprerë për vite të tëra e sajoi të aftin për punë të paaftë. Lufta e stimuloi dhunën në rritje ndaj femrës. Kjo shoqërohej me diskriminim në shkollë dhe pas shkollimit në gjetje të punës. Por më e keqja: lufta i la shumë gra kujdestare të vetme të familjes. Mungesa e punës e rriti prostitucionin, si i vetmi burim i ekzistencës. Filloi me të madhe shkuarja e femrave të reja në vendet e pasura arabe për të gjetur “punë”. Kthimi prapa i tyre nga “puna premtuese” ne vendin e tyre gjithnjë të varfër solli vetëm prishje të unit dhe të personalitetit. Një problem më tepër për shoqërinë.

Këto ditë ,.lajmërojnë agjensitë botërore të lajmeve , se pas paraqitjes së “Grupit Islamik që thirren në xhihad” në Tagjikistan , Rusia i premtoi këtij vendi ndihmë ushtarake dhe pajisje në vlerë prej 1,23 miliardë $ , që të ndihmohet ky shtet në luftën e tij nga rreziku në rritje i grupeve ushtarake të njohura si ISIL ose ISIS.
Pse Rusia ,po e ndihmon Tagjikistanin në këtë pike?

Por përkundër rritjes së rrezikut të ekstremit islamik, Presidenti I Tagjikistanit i propozoi parlamentit të këtij vendi , që të ndalojë emërtimev e të posalindurve si dhe emërtimet e cdo gjëje që tingllon arabisht.
“Pas votimit të këtij ligji , oficerët civil nuk do të guxojnë regjistrojnë asnjeri e as gjë me emrat e objekteve, flores , faunës si dhe emrave të njerëzve kanë origjinë arabe.,” tha Xhelaldin Rahimov, zyrtar i lartë i Ministrisë së drejtësisë së ketij vendi ,raporton agjensia Interfax.
Rahmonov, i cili ka fuqinë e madhe si politikan dhe gëzon përkrahjen e madhe sidomos të popullatës së varfër, vitin e kaluar i ktheu mbrapa një numër të madh studentësh nga shkollat fetare dhe u ndërpreu studimet jashtë vendit, si dhe e goditi ashpër mënyrën “islamike” të veshjes.
Deklarata e tij: “Kam frikë që ndër frikën e dënimit e ndëshkimit të rinjtë s`do të respektojnë Zotin gjatë faljes dhe lutjeve”, hasi përkrahje ndër mjediset intelektuale dhe gati gjithëpopullore Tagjike..
Tagjikistanin si vend, si popull, si histori e njoh shumë mirë. Kam simpati të posaçme për këtë vend aziatik. E kam vizituar shpesh. E njoh edhe nga këndi i hundëzakëve të Aleksandrit të Madh. Vend i vuajtur dhe i përvuajtur, por me një klasë politike intelektuale dhe të mprehtë, e cila përkundër dëshirave të “miqve”, merr hapa të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit.
Varfëria, shkollimi i cunguar, perspektiva e errësuar, qasje të kufizuara në shëndetësi cilësore janë ato që i bashkëngjajmë njeri tjetrit, e dallojmë shumë në mendimin dhe vendosjen e parakushteve për të ardhmen e rinisë sonë.
Në trojet mbarëshqiptare ne duhet t`i referohemi asaj çka thoshte Aristoteli dikur në kohën e tij: “T`i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të rinisë. Një mospërfillje sado e vogël në këtë drejtim, do të na kushton shumë shtrenjtë”.
Fahri Xharra
09.05.15 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Pse Rusia?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3892
  • 3893
  • 3894
  • 3895
  • 3896
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT