Gazeta Express- Serbia i ka dërguar një letër KS të OKB’së lidhur me deklaratat e Edi Ramës për “Bashkimin Kombëtar”. Express e sjell ekskluzivisht kopjen e saj.
Përfaqësuesi i Serbisë në Kombet e Bashkuara, Milan Milanovic, i ka dërguar një letër Presidentes së Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Dina Kawar, më 8 prill, lidhur me deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “Bashkimin Kombëtar”.
Në këtë letër, deklaratat e Ramës cilësohen si provokim dhe thuhet se ato dhe paraqesin një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Shkelqësi, jam i obliguar të tërheq vëmendjen tuaj në deklaratën e bërë nga z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dhënë në një intervistë të përbashkët me z. Hashim Thaçi, në televizionin e Prishtinës, të hënën, me 6 prill 2015”.
“Në intervistë, z. Rama ka deklaruar se ‘Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike’ nëse Bashkimi Europian nuk e hap rrugën për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave”.
“Deklarata është provokative dhe jashtëzakonisht problematike për marrëdhëniet në rajon, në veçanti për ato mes Serbisë dhe Shqipërisë, dhe paraqet një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajon”.
“Në injorim të plotë ndaj Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe e barabartë me një thirrje për ri-vizatimin e kufijve ndërkombëtarë, deklarata shkon në kundërshtim me shpirtin e bashkëpunimit, mirëkuptimit të përbashkët, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes së përbashkët për shtetet e rajonit dhe përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar Bashkimit Europian”.
“Duke tërhequr vëmendjen tuaj në këtë deklaratë, do të doja të theksoj se Republika e Serbisë në mënyrë konsistente ka mbështetur vlerat dhe parimet e sipërpërmendura, të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të dhëna edhe në standardet europiane, dhe pret që ato të respektohen plotësisht edhe nga vendet tjera të rajonit gjithashtu”.
“Vendi im pret që bashkësia ndërkombëtare të dënojë retorikën nacionaliste që pengon procesin e pajtimit dhe progresit në rajon”, thuhet në letrën që Serbia zyrtare e ka dërguar në adresën e Këshillit të Sigurimit të OKB’së.
Pas pranimit të kësaj letre, Këshilli i Sigurimit të OKB’së do të vendosë nëse kjo çështje do të debatohet ose jo.
Reagimet nga Serbia kanë ardhur pas një interviste të përbashkët për Zona B të Klan Kosovës, të Kryeministrit Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ata kanë folur për relacionet e shqiptarëve në rajon, të ardhmen e tyre dhe Europën.
Aty, Rama ka deklaruar se puna e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e Shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Europian.
“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodhë në funksion të Bashkimit Europian, si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo, do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie a një përtacie europiane, për të kuptuar që vetë Europa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”
“Një Europë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Europë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Europe të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë ‘tërhiq e mos e këput’ të Europës dhe të kësaj qasjes ‘tërhiq e mos e këput’ me njëri-tjetrin”, ka thënë Rama.
SA E LIRE ESHTE DREJTESIA NE SHQIPERI?
PERSE GJYKATA E DHA VENDIMIN PASI PD ZYRTARIZOI KANDIDATUREN E MZIUT DHE PARALAJMERIMET E TAULANT BALLES NE PARLAMENT?/
Kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha, nje dite para se te shpallte vendimin gjykata,pat vendosur ti jepte mundësinë Xhelal Mziut të kërkojë një mandat të tretë për drejtimin e Bashkisë së Kamzës.
Por në kohën kur ai kishte marrë miratimin e demokratëve, emri i Mziut nuk qëndroi jashtë debatit në seancën parlmentare mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputeti socialist Taulant Balla, akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha, se ka ndërhyrë tek gjyqtari i çështjes së kryebashkiakut të Kamzës, duke kërkuar pafajësinë e tij.
I menjehershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, duke e cilësuar deputetin Balla si shpifës. Mirepo paralajmerimi I Balles duket se ishte urdher per Gjykaten, e cila shpejtoi qe te shpallte fajtor Mziun duke e denuar me 2 vjet burg kryebashkiakun. Ec e thuaj se gjykata eshet e lire nga politika!Po sjellim nga media e Tiranes kronikat rreth ketij procesi dhe reagimet.
VENDIMI: Gjykata 2 vjet burg kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu
Gjykata e Tiranës ka dënuar me dy vite burg kryetarin e Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu, i zyrtarizuar vetëm një ditë më parë për një mandat të tretë nën siglën e PD.
Sipas Gjykatësit Besnik Hoxha, Mziu në ushtrimin e detyrës së tij ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur barazinë në tendera, duke dëmtuar buxhetin e Bashkisë Kamëz dhe interesat e 2 firmave private. Po kështu Kryebashkiakut i hiqen të gjitha funksionet publike për një periudhë 2 vjeçare
Genc Gjokutaj, avokati mbrojtësi Xhelal Mziut, tha pas vendimit se do ti drejtohet Apelit.
“Vendimi ishte i paligjshëm dhe në lajthitje. Vendimi është marrë jashtë kësaj gjykate. Ne këtë vendim do ta apelojmë, ai nuk është i formës së prerë, dhe nuk e pengon klientin të kandidojë për Bashkinë e Kamzës. Ne i bëjmë thirrje të qëndrojë larg këtij procesi dhe të mos marrë pjesë në vendim.”
Rreth një orë para vendimit Xhelal Mziu ishte i qetë teksa inpektoi nisjen e punimeve të rrugës Kozarë. Mziu u shpreh se do të këtë votat e majtëve dhe të djathtëve për të fituar zgjedhjet për Bashkinë e Kamzës.
Po kështu Gjykata e Tiranës dënoi me nga 6 muaj burg Drejtorin e Tatimeve në Bashkinë e Kamzës Bujar Loshi dhe juristin e bashkisë Atlis Hotin, që të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Xhela Mziu: Vendimi ishte paracaktuar në zyrat e Ramës
Pas vendimit të Gjykatës që e shpalli fajtor Xhelal Mziun dhe e dënoi me 2 vjet burg, ka reaguar kreu i Bashkisë Kamëz, i cili e ka konsideruar si një vendim politik të paracaktuar nga zyrat e Ramës. Ai tha se vendimi u dha në kushtet e një persioni të paprecedent.
Xhelal Mziu u shpreh se vendimi për dënimin e tij ishte vetëm sepse Rama kërkon të marrë bashkinë e Kamzës.
“Vendimi ishte politik, i paracaktuar nga zyrat e Ramës, i cili përdor cdo mjet për të arritur synimet e tij. Synimi i Ramës është që të marrë bashkinë e Kamzës. Por marrja e Kamëzës me vota nga Rama është e pamundur dhe ka future në veprim çdo instrument”, është shprehur Xhelal Mziu.
Reagimi i plotë i Xhelal Mziut
Përmes këtij komunikimi dua të informoj opinionin publik dhe qytetarët e Kamzës, në lidhje me atë që është një skemë gjakftohtë, e mirëmenduar e Edi Ramës për të përdorur çdo mjet në arritjen e synimeve të tij.
Synimi i tij është marrja e Kamzës, dhe meqenëse me votë e ka pasur dhe e ka të pamundur, atëherë Edi Rama ka futur në veprim çdo instrument, edhe në shkelje të ligjit, për të shmangur garën e rivalitetin.
Vendimi i sotëm është marrë në kushtet e një presioni të paprecedentë politik. Vetëm një ditë më parë, përfundimet e këtij vendimi u lexuan nga numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament. Shpifës Balla haptazi kërkoi nga Kuvendi që gjykata sot të më dënonte me çdo kusht.
Ky vendim, një ditë pas pretencës së bërë nga mazhoranca në seancën plenare, u komentua sot në mënyrë festive nga Edi Rama, nga selia e Partisë Socialiste.
Rama foli me një kënaqësi perverse si për të thënë që e hodha hapin e parë drejt Kamzës.
I ndikuar politikisht, i diktuar ka qenë procesi ndaj meje që ditën e parë.
Ka nisur me urdhër politik përndjekja ime dhe përndjekje ka qenë në çdo moment, pasi për asnjë çast nuk ka patur proces të rregullt ligjor.
Akuza është qesharake, dhe ajo është një dosje që studentët e vitit të parë të drejtësisë do ta hidhnin menjëherë në kosh pasi nuk ka asnjë argument ligjor.
Avokatët e mi do ta sqarojnë opinionin publik me detaje të hollësishme, se si është ngritur nga hiçi, nga zeroja, një akuzë që është thjesht një shërbim politik për Edi Ramën.
Ia vlen të theksohen 3 momente që e nxjerrin zbuluar dhe farsë këtë proces.
1-Nuk ka asnjë dëm ekonomik, nuk është shpenzuar asnjë qindarkë publike, pra nuk ka asnjë pasojë.
2-Kompania që ka bërë kallëzimin penal nuk ka paraqitur asnjë nga dokumentat e kërkuar nga ligji për lidhje kontrate.
3-Përsa i përket aplikimit të taksave lokale, vetë prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj meje për të njëjtën akuzë për taksën e vitit 2014. Çfarë do të thotë se vetë Prokuroria e ka rrëzuar këtë akuzë.
Eshtë politik ky proces ndaj meje, dhe mund të vëreni se si vendimi merret pikërisht përpara nisjes së fushatës, dhe ndërkohë që unë jam shpallur zyrtarisht kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e re të Kamzës.
Por dua të siguroj qytetarët e banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, se asgjë nuk me bën të tërhiqem nga angazhimi që kam për t’u shërbyer atyre, për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh pafajësinë çdo qytetari i cili nuk është gjetur fajtor me vendim të formës së prerë, dhe i tillë është vetëm vendimi i Gjykatës së Apelit.
Dua të shpreh publikisht gatishmërinë time të plotë për të zbatuar çdo vendim gjykate, duke mbajtur të gjitha përgjegjësitë e mia ligjore, politike dhe morale, dhe për ta ndjekur e apeluar çështjen deri në fund. Kam besim tek drejtësia dhe ligji, edhe pse asnjëherë më parë gjyqtarët nuk kanë qenë nën një presion të tillë të hapur politik nga kryeministri i vendit.
Kontrata që kam me banorët e zonës time është e pathyeshme, e pamundur të cënohet nga Edi Rama dhe urdhërat e tij politikë.
PERFUNDIMI: SA E LIRE ESHTE DREJTESIA NE SHQIPERI?
Jo vetem ky rast, por edhe shume te tjere tregojne se ngerci i Demokracise ne Shqiperi eshet binomi-Politike-Drejtesi. Perderisa politika nuk i heq tentakulat e saj nga Drejtesia dhe perderisa Drejtesia nuk clirohet nga politika, tranzicioni, do te jete i zgjatur dhe qytetaret do te vuajne pasojat.
Presidentja Jahjaga korrigjon Ramën: Shqiptarët i bashkon Evropa
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkimin e shqiptarëve e sheh vetëm në Bashkimin Evropian, duke korrektuar Kryeministrin Rama dhe zv/Kryeministrin Thaci..
Në një intervistë për gazetën “Danas” ka thënë se hyrja në BE nënkupton bashkim jo vetëm mes shqiptarëve por gjithë popujve të Ballkanit që synojnë integrimin europian.
“Integrimi në BE do të shënojë edhe bashkimin me idenë dhe shpirtin e lirisë politike e ekonomike, barazinë dhe bashkëpunimin ndërmjet gjithë popujve, përfshirë edhe popullin e Kosovës si pjesë të pandashme”, ka thënë Jahjaga.
Jahjaga shprehu bindjen se BE-ja nuk është e plotë pa anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
“Sot jetojmë në kohën e integrimeve dhe prandaj integrimet evropiane janë qëllimi dhe alternative e të gjitha shteteve të Ballkanit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe si çdo shtet tjetër ne në rajon synon integrimin evropianë dhe punon në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE”, ka shtuar ajo.
Edhe kryeminsitri Isa Mustafa ka thënë në një intervistë mbrëmë se shqiptarët do të bashkohen në BE.
Ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama ai që tha se shqiptarët kanë dy mundësi për t’u bashkuar, duke përfshirë atë në BE, por duke mos anashkaluar edhe atë që Rama e quajti “bashkim klasik”. Deklarata e tij ngjalli reagime në Beograd, ndërsa reagime erdhën edhe nga BE-ja.
Fytyra e Lirisë
Nga Keze Kozeta Zylo/
PELLUMB LAMAJ:Janë momente kur i drejtohem Zotit për shpirtin e pamposhtur që më dha dhe betohem se kurrë nuk kam për të harruar se nga vij e mbi të gjitha ATA që mbetën rrugës, e tani pas më se njëzetë vjetësh, ndjej paqe në veten time dhe falënderoj përsëri Zotin…
Nganjëherë rrethanat e jetës janë kundra teje por të thuash fjalën e mirë e të drejtë e të mbetesh NJERI, këtë e ke vet në dorë!… /
Një portret i bukur si fytyra e Lirisë! Kam kohë që e kam takuar në aktivitete të ndryshme patriotike njeriun si me flakadanin në dorë, z.Pëllumb Lamaj ish i dënuar politik nga diktatura hoxhiste në burgun famëkeq të Spaçit qysh në moshën 19 vjeç. Oratoria dhe kthjelltësia e mendimit në mediume të ndryshme dhe biseda shoqërore janë tejet mbresëlënëse. Duke e dëgjuar me vëmendje të posaçme fjalën e tij duket sikur sheh nga afër sytë e bukur të Lirisë, të Lirisë që barbarët mundoheshin t’i verbonin sytë, të Lirise së munguar ndër miliona shqiptarë…
Në demonstratën që u zhvillua më 13 tetor, 1912 në Manhattan para OKB-s në mbështetje të greves së urisë se ish të dënuarit politik të ndjerit Lirak Bejkos, ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte fjala e shkurtër e z.Lamaj, por thënë gjithçka me një elekuencë të përsosur. Mbrojtja që i bënte bashkëvuajtësit të tij ishte dinjitoze, ishte gati epike. Ishte mbrojtja që i bente një Burrë të vërtetës dhe Lirisë së mohuar të Lirak Bejkos, çka të kujtonte Malcolm X i cili ka thënë: “Nobody can give you freedom. Nobody can give you equality or justice or anything. If you’re a man, you take it”, që përkthehet: “Asnjeri s’ta jep Lirinë, asnjeri s’ta jep barazinë, drejtësinë ose asgjë. Në se ti je burrë fitoje atë”.
Kështu ka vepruar njeriu i lirë Pëllumb Lamaj që edhe pse bota jo e lirë i hodhi prangat ai përsëri ndihej absolutisht i lirë, absolutisht pa “pranga”.
Në muajin mars u organizua Në zemër të Manhattanit në mjediset e “Producer’s Club Theater” nga Dr.Ilir Hysa dhe z.Pëllumb Lamaj një sesion përkujtimor me rastin e 135-vjetorit të lindjes së Burrit të ndritur të Kombit Mid’hat Abdyl Frashërit, por i mohuar tërësisht nga diktatura, dokumentari i realizuar prej z.Lamaj ishte sikur ta kishte shkruar një historian i vërtetë.
Pas aktivitetit në bisedë të lirë nga z.Lamaj me miq dhe të ftuar që kishin ardhur në këtë sesion përkujtimor ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte fjala Paqe që e përdorte me aq mirësi, ishte Liria në shpirt, në gjak të tij. Ja si u shpreh Ai për Lirinë: “Kur ishja në burg në Spac, nën torturat e barbarëve gjithmonë ju thoshja gardianëve: Unë jam i lirë, i lirë, ju jeni të burgosur, jo unë! Mjerë ju që rrini pas nesh kudo, me ditë, javë dhe muaj pa parë familjet tuaja, fëmijët, gruan, prindërit. E dhimbshme që fëmijët tuaj do të rriten me bëmat e babait që përdor kërbaçin kundër njeriut”.
U ndala sot para kësaj fotoje dhe m’u duk sikur pashë fytyrën e vërtetë të Lirisë. Është një djalë i burgosur qysh në bangat e shkollës në qytetin e Vlorës që pasi përmbyset sistemi komunist shkon drejt mërgimit të detyruar, një dhimbje kjo që më shumë se ne të ikurit askush me mirë nuk e kupton. Po sjellë një fragment të shkruar nga Lamaj në rrjetin social në f/b rreth kësaj fotoje që më dha muzë për të shkruar këtë esse:
“Janë muajt e parë të Lirisë dhe një ditë kalova kufirin dhe mora rrugët e botës drejt mërgimit të detyruar për të mbetur i lirë dhe pas disa ditësh e netësh plot andrralla, u gjenda pranë Athinës së lashtë të mbushur me aq lavdi, histori e gjurmë shqiptarësh…
Janë momente kur i drejtohem Zotit për shpirtin e pamposhtur që më dha dhe betohem se kurrë nuk kam për të harruar se nga vij e mbi të gjitha ATA që mbetën rrugës, e tani pas më se njëzetë vjetësh, ndjej paqe në veten time dhe falënderoj përsëri Zotin…
Nganjëherë rrethanat e jetës janë kundra teje por të thuash fjalën e mirë e të drejtë e të mbetesh NJERI, këtë e ke vet në dorë!…
Si shumë prej nesh dhe klasës së persekutuar Lamaj ndihet i zhgënjyer dhe gjithmonë ka mbajtur qëndrim kritik karshi politikës dritëshkurtër shqiptare për të persekutuarit, ish të dënuarit e ndërgjegjes, por edhe për shumicën, që e kanë lënë popullin në një mjerim të tejskajshëm.
Poeti dhimbshëm, me dëshpërim dhe kurajo i drejtohet lirshëm Statujës së Lirisë në këtë poezi si më poshtë: “Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ Sa ёndrra rinie u fishkёn mbi ballё/ Jehona dashurie qё kurrё nuk u dhuruan/Sa kafka martirёsh mbetur pa varr!/ Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ E vetmja dritё, i vetmi zjarr/ E vetmja ёndёrr ku shpresat udhёtojnё/ Pёrzier me klithma, kulluar nё gjak!/ Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ E vetmja shpresё qё na mban gjallё/ Por edhe po ikёm pa u takuar/ Besomё, do vijnё tё tё puthin vrasёsit tanё!…
Mendimi i thellë, metafora e shpresës, por edhe vargu i fundit denoncues duken sikur na thonë ne lexuesve si e famshmja Roza Parks se: “Thuajini botës se dua të kujtohem si një person që kërkonte të ishte i lirë, ashtu si dhe shumë njerëz të tjerë që duan të jenë gjithashtu të lirë”.
Fotoja, poezitë, përkthimet, kushdo që i kanë lexuar dhe komunikuar me Lamaj, me siguri kanë menduar se duan të jenë të lirë, paqësor si Poeti erudit, një Pëllumb Paqeje.
10 Prill, 2015
Staten Island, New York
DASH:-Dekriminalizmi duhet të vazhdojë në Shqipëri
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Yee vlerësoi pozitivisht masat që ka filluar të marrë Shqipëria për dekriminalizmin e parlamentit dhe u bëri thirrje qeverisë dhe partive politike që kjo prirje e nisur të vazhdojë. Ai theksoi se:-“Shqipëria ka arritur përparim të madh gjatë viteve të fundit drejt realizimit të synimit të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe integruar në institucionet Euro-Atlantike. Përmirësimet drejt krijimit të një shteti ligjor kanë qënë shumë të dukshme dhe për t’u përshëndetur. Kohët e fundit kemi parë masa për të dekriminalizuar parlamentin dhe ne mendojmë se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Ne i kemi përshëndetur publikisht qeverinë dhe partitë për përpjekjet e tyre për të çrrënjosur korrupsionin brenda vetë partive, për të larguar anëtarët e partive dhe të parlamentit që dyshohen për korrupsion. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë që kjo prirje do të vazhdojë. Shqipëria duhet të vazhdojë të luftojë korrupsionin që të realizojë endërrën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, jo vetëm në parlament, por në të gjitha fushat e qeverisjes, në gjithë institucionet qeveritare, në të gjitha nivelet. Duhet të ketë një mesazh të qartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, që askush nuk është mbi ligjin, që shteti ligjor duhet të sundojë. Shqipëria duhet të plotësojë standartet evropiane në mënyrë që të realizojë aspiratat e saj”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.