• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUFIJTË E SHQIPËRISË SË VËRTETË

March 27, 2015 by dgreca

NGA Prof. AHMET GASHI/
Kufiri perëndimor/
Në këte anë Shqipëria Etnike laget me detin Jon dhe atë Adriatik, që nga Preveza (38o 57 ‘ gjerësi veriore) deri të Sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) mbi gjiun e Spizzes (42° 8’ gjerësi veriore). Gjatësia e brigjeve në këte anë është 651 km.
Kufiri veri-perëndimor/
Ky kufi fillon te Sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) në bregun e Adriatikut dhe mbaron te maja e Jankovit (43o 20’ gjerësi veriore dhe 37o 56’ gjatësi lindore prej Ferro-s).
Vija e këtij kufiri fillon, siç u tha, te sqepi i Luftës së Zezë dhe kalon nëpër majat e qafat e shënuara me numrat 157, 927, 646, 1183, 844, 1160 e 993, mbërrin te sqepi i Radushit, në bregun e liqenit të Shkodrës me një drejtim deri-diku J.P- V.L. Kjo vijë, nëpër liqenin e Shkodrës, drejtohet nga veriperëndimi prej sqepit të Radushit deri te goja e lumit të Moraçës, e len Vraninë brenda në Shqipëri. Prej gojës së atij lumi kjo vijë ndjek deri te katundi i Zhabiakut vijën e po atij lumi e pastaj i ngjitet kreshtës së maleve të Bobinjës (Bobonja Gore), shkon me këte, zbret nëpër qafat e atyre maleve dhe e këput rrugën Podgoricë-Cetinjë në kuotën 222; prej këtej shkon nëpër kuotat 439 e 375 (afër Buronjës) dhe, si bën një bërryl të mprehtë në majën 620 (mali i Busonikut), kthen nga veri-perëndimi deri në katundin e Komonit, të cilin e merr brenda në Shqipëri. Prej këtu vija ngjitet nga veriu, i len jashtë katundet e Bandiçit, Melencit e Donjit, kthen nga veri-lindja duke marrë brenda katundet e Jestrebit e të Donje-Selës, mbërrin te maja 212 në perëndim të katundit të Gliziçe-s dhe shkon deri te kuota 905 në veri të katundit të Gostiljes. Prej këtej varet drejt jug-lindjes duke ndjekur kreshtat e malit të Piprit (Piperska), mbaron te maja 479 në veri të katundit të Shtijena-s, kthen pastaj kah lindja dhe , pranë katundeve të Petroviçit e të Blizna-s, të cilët i fut brenda kufirit, takon me lumin e Moraçës, të cilin e ndjek nga veriu deri në majën e Buljes (190) në jug të katundit të Dumaçina-s. Prej këtej vija e kufirit ndjek përroin e Sjevernica-s, kalon malet e Gradishtës deri në Ostrovicë (1167) dhe e këput më tutje lumin e Tara-s pranë kuotës 1025 për t’u zgjatur nga veri-lindja ndërmjet maleve të Bukovës e të Reçinës; pastaj shkon duke u ngjitur kreshtave të malit të Planinicës deri në Piolljan (1900), 10 km në lindje të Kolashinit, ngjitet kah veriu duke kaluar nëpër kuotat 1145, 1106 e Bjolavicë (2117) dhe mbërrin në Kryezi (Crna Glava). Prej këtej e deri te maja e Marinkova-s (1950), vija e kufirit ndjek një pjesë të kufirit të vjetër turko-malazez para 1912-s. Në Marinkovë dredhon pak nga veri-lindja, kalon nga lindja e katundeve të Rakitnica-s e të Noviçit, hyp në kuotën 581, bën një bëryl të mprehtë, shkon drejt veriut duke marrë katundet e Tripishica-s e të Nikolacit përbrenda e duke lënë përjashta qytetin e Bjelopoljes (Akova), ndjek gjithnjë lumin e Limit deri te katundi i Metanacit, të cilin e len jashtë dhe pastaj merr nga veri-lindja nëpër kreshtat e maleve të Gmiçevës, Duboçicës, Visoçkës e Treshnjevicës e mbërin në kuotën 950, mu te karakolli i Trebinjës në veri –perëndim të pllajës së Peshterit. Prej këtej vija merr nga lindja gjithnjë përmbi kreshtën e maleve të Trebinjës, deri te përroi i Jablanicës, kalon përmbi katundin e Rezhdeginjës (Rezh Jagiç), të cilin e fut brenda, drejtohet nga veri-lindja, duke ndjekë përroin e Kijevca-s dhe atë të Klisarës, që bashkohet me të parin, kalon përmbi Kakosniçin, mbërrin në katundin e Bërnjicës dhe pjek në kullën e Osman Pashës, me kufirin e vjetër turko-serb para 1912-s, të cilin e ndjek te maja e Jankovit (1931). Këtu mbaron kufiri veri-perëndimor i Shqipërisë Etnike.
Gjatësia e vijës së kufirit veri-perëndimor është 170 km në vijë ajrore dhe afër 220 km duke shkuar sipas vijave të shtrëmbëra të kufirit. Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare të humbura më 1878 , të Ulqinit , Tivarit, Podgoricës (Zetës), Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Piprit, Plavës, Gucisë, Beranës, Bistricës, Pejës, Rugovës, Rozhajës, Peshterit e Pomerenikut.

Kufiri veri-lindor
Kjo pjesë e kufirit të Shqipërisë Etnike shtrihet prej majës së Jankovit deri në Gradnja (42o 42’ gjerësi veriore dhe 39o 32’ gjatësi lindore prej Ferro-s).
Në rast se nuk do të kërkohen tokat shqiptare të krahinave të Kurshumlisë, Prokupjes e të Leskovcit, të ish vilajetit të Nishit, që na i kanë marrë serbët më 1878, vija e kufirit ndjek rreth 230 km deri në Trstene (952) vijën e kufirit të vjetër turko-serb para Luftës Ballkanike të 1912-s. Kjo gjatësi e kufirit turko-serb nuk po shpjegohet këtu, pasi dihet prej të gjithëve. Kjo vijë përmbledh kufirin me Serbinë të prefekturave të Jenipazarit (Novipazarit) e të Prishtinës, ose të Dukagjinit (shih fjalorin e Bardhit shkruar më 1650) sipas ndarjes administrative të perandorisë otomane. Trstene, vendi ku ndahet vija e kufirit të Shqipërisë Etnike prej kufirit të vjetër turko-serb, ndodhet 46 km në lindje të Prishtinës në vijë ajrore ose 36 km në veri-lindjen të Gilanit. Tash vija e kufirit qysh prej Trstenës e deri në Gradnja (afër 10 km e gjatë) ndjek së pari drejtimin e lindjes deri te katundet e Vlasës e të Gradnjas, ku edhe mbaron. Kjo vijë e kufirit veri-lindor përmbledh tërë krahinën e ish -prefekturave të Jenipazarit e të Prishtinës të humbura më 1912 dhe një pjesë të kazasë së Vranjës të humbura më 1878, me qytetet e Jenipazarit e të Mitrovicës, Vuçiternës, Prishtinës, Podujevës, Ferizoviçit, Gilanit etj.
Në rast se do kërkohen tokat shqiptare, të humbura më 1878, të krahinave të Kurshumlisë, të Prokupjes e të Leskovcit (sikundër po kërkohen krahinat e Tivarit, Ulqinit, Podgoricës, Vranjës etj), atëhere kufiri veri-lindor ndërron trajtë. Kjo vijë kufiri për të tri krahinat e përmendura në tokë thjesht shqiptare deri më 1878, e shënuar në hartat e paraqitura me vija të këputura, ndahet prej vijës së kufirit veri-lindor në majën e Tumba-s (1471), në veri të katundit të Beloçica-s së Kopanikut, ndjek së pari përroin e Lukovska-s deri në Mercez, pastaj kalon nëpër Magovë e mbërrin deri në majën 1003. Prej këtej fillon ta ndajë lagjen e lumit Toplica prej lumenjve të tjerë të Serbisë, kalon nëpër kuotat 1225, 1124, 900, 712, 780, 888, nga karakolli i Turqisë (Karakol Turska) kuoatat 1191 e 1205, ndjek kreshtën e maleve të Sestrebacit të Madh nëpër kuotat 1400, 1566, 1564, 1255, 1111, 872 edhe kreshtën e Jastrebacit të Vogël në kuoatat 727 e 1001, varet nga juglindja nëpër kuotën 846, pastaj ndjek përroin e Marosinskevëve dhe në këte drejtim shtyhet deri në Moravë edhe pjek në këte lumë pranë Batushnicës. Prej këtu, vija e kufirit ecën gjatë Moravës afër 70 km deri në Manalje (42o 45’ gjerësi veriore). Prej këtej shkon nga lindja e katundeve të Kërzinkës, Zitoragjës, Alakincit, Surdulica-s, Romanovcës së Poshtëme, edhe në kuotën 1389 kalon malin e Verdenikut; pastaj kthen nga jugperëndimi nëpër Vërlostranje (1357), Borovik (1253), (1280), Prisedo (950), Klisurica (1162), 998, 810, Dajkina (820) dhe mbaron në Tibuzhde. Gjatësia e kësaj vije të kufirit është afër 216 km.
Kjo vijë e kufirit përmbledh qytetet e Kurshumlisë, Prokupjes (Yrqyp), Leskovcit e të Vranjës, bashkë me katundet e kazave të tyre.

Kufiri lindor

Kufiri lindor i Shqipërisë Etnike fillon nga Gradnja (42o 42’ gjerësi veriore dhe 39o 32’ gjatësi lindore prej Ferro-s) edhe mbaron në këndin ku bashkohet lumi i Venetiko-s me lumin e Vistricës (39o 11’ gjatësi lindore prej Ferro-s dhe 40o 3’ gjerësi veriore), me gjatësi afër 342 km. Kjo vijë e kufirit lindor fillon, siç e thamë, në Gradnje e shkon pranë katundeve të Ushevcës e të Sikirijes, të cilët i merr përbrenda, edhe nëpër majat 961, 1320 e 1226, pastaj vjen nga katundet e Obliçka- Sena-s, të Mostanicës e të Asaticës, që i merr në Shqipëri, kalon udhën e hekurt Beograd-Shkup, shkon nga lindja e banjave të Vranjas (Vranjska Banja) e të Digatuka-s, kthen nga jugperëndimi e shkon në kuotat 810 e 826 deri në Tribuzhdo, të cilën e len në Shqipëri. Prej këtu kalon nga veriu i Trebashinjës e shkon në Drovac, varet nga jugu nëpër majat 595, 1515, 520, 903 (në Jablanicë) dhe ndjek mandej lumin e Pçinjës deri në vendin ku bashkohet me këto përroi i Kratovës. Pas kësaj pike, kufiri shkon nga juglindja deri në majën 750 e prej këtej dredhon nga jugperëndimi deri në Badere (Bahader), ku piqet prapë me lumin e Pçinjës, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet ky me Vardarin ( nga e djathta) e shkon nëpër kodrinat e Hazotit ose Hasit, duke lënë Veleshin (Qypryly) përjashta, ecën ndo 4 km me përroin e Topolskës e pastaj zbret prap në Vardar, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet me këte përroi i Babunës. Që këtu vija e kufirit tonë drejtohet kah jugu deri te maja e Klepa-s (1180), prej këtej kthen nga lindja në jug të Pustogradit dhe pjek me Ujin e Zi (Crne Voda-Karasu), të cilin e ndjek gjithnjë (afër 86 km) deri ku bashkohet me këte përroi i vogël i Stroshnicës.
Prej këtej vija bën një bërryl duke ndjekur kreshtën e malit të Sterkos, varet nga jugu, shkon kah lindja e Stera Popadija-s, kalon kuotën 1000, mbërrin në Poteli dhe ndjek deri në Sotir udhën e hekurt që lidh Selanikun me Manastirin, duke lënë në Shqipëri këto pjesë të udhës së hekurt si dhe Panteliun dhe Sotirin. Pas këtij vendi, shkon me përroin e Rudnikut, mbërrin me kalue përmes liqenit me këte emër (Rudnik), hyp pastaj nëpër majat 768, 1371, 1838, 1250, shkon kah lindja e Leshnicës dhe pjek me lumin e Bistricës në veri të Melzonicës. Me Bistricën ecën ndo 40 km deri në vendin ku bashkohet kjo me degën e vet të Venetiko-s.
Kjo vijë e kufirit lindor të Shqipërisë Etnike përmbledh krahinat lindore shqiptare të humbura pas Luftës Ballkanike më 1912. Këto krahina kanë këto qytete bashkë me kazatë e tyre: Gjakovën, Prizrenin, Kaçanikun, Vranjën (humbur më 1878), Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Dibrën, Kërçovën, Strugën, Ohrin, Krushevën, Prilepin, Resnën, Manastirin, Follorinën, Kosturin, Naseliçen dhe Grebenenë.

Kufiri jug-lindor

Vija e kufirit juglindor nis që prej vendit ku bashkohet lumi i Bistricës me këmbën e vet të Venetiko-s dhe mbaron te goja e lumit të Artës (38o 42’ gjatësi lindore , 39o 1’ gjerësi veriore) me një gjatësi pothuajse 180 km. Kjo vijë e kufirit prej vendit që u përmend shkon me lumin e Venetiko-s deri në majën 549, pastaj duke shkuar drejt jugut sipas rrjedhës së një përroi që është degë e Venetiko-s, kalon kah lindja e Kipurjos e shkon gjithnjë kah jugu sipas atij përroi deri në Foinike (1288), ku pjek me kufirin e vjetër turko-grek para 1912, të cilin e ndjek deri te goja e lumit të Artës.
Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare juglindore të humbura më 1912. Këto krahina kanë për qendra qytetet e Konicës, Janinës e Meçovës.

Kufiri jugor

Kjo pjesë e kufirit të Shqipërisë Etnike përbëhet prej brigjeve detare të Gjiut të Artës. Këto brigje të përthyeme tepër kanë një gjatësi pothuajse 93 km, që nga goja e lumit të Artës e deri te qyteti i Prevezës.
Kjo vijë përfshin krahinën e Pogonit e Voshtinës, si edhe krahinat e Sulit e të Çamërisë me qytetet e Filatit, Ajdonatit, Margëllëçit, Pargës, Lurosit, Filipiadhës dhe Prevezës.

Vendi gjeografik i Shqipërisë Etnike

Brenda kufijve që u përmendën përmblidhen tokat e Shqipërisë Etnike, të cilat shtrihen në anën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik, mbi brigjet lindore të Detit Jon dhe Detit Adriatik, prej jugu në veri, ndërmjet shkallëve të gjerësisë veriore 38o 57’ (Prevezë) dhe 43o 20’ (Maja e jankovit në V.P. të Novipazarit) dhe prej perëndimit në lindje ndërmjet shkallëve të gjatësisë lindore prej Ferro-s 36o 40’ (Sqepi i Luftës së Zezë= Crnirat) mbi Spizzz-n dhe 39o 38’ (Kumarevo në lindje të Vranjës).
Për këte çeshtje flet edhe dijetari Georg von Hahn në veprën e tij “Albanesische Studien” Jena 1854). Në faqen e parë të kësaj vepre ai thotë: “Shqipëria shtrihet ndërmjet shkallëve të gjerësisë veriore 39o 43oqë dmth prej Prevezës deri në Novipazar”.
Në rast se do bëhet rivendikimi i plotë i vendeve të humbura në veri-lindje, më 1878, atëhere shënji verior shënon shkallën e gjerësisë 43o 24’ (në Krivirt 1205 afër Karakoll Turska-s) dhe shënji lindor shënon 39o 52’ në Romanovcin e Sipërm në lindje të Mesuricës. Të gjitha krahinat që përmblidhen me qytetet e Kurshumlisë, Prokupjes dhe Leskovcit, dmth e tërë lagjia e lumit të Toplicës, deri afër mbarimit të shek. XIX, kanë qenë të banuara me popullsi shqiptare. Këte e vërtetojnë të gjithë shkrimtarët e dijetarët e paanshëm që i kanë shetitur këto anë. Vërtetimin më të mirë të kësaj që thamë e bën konsulli i përgjithshëm i ish monarkisë Austro-hungareze, Lipich-i. Shkrimet e tij janë raportuar prej Karl Sox-it në studimin që ky bën në “Erleuterunq zu der ethnographische Karte der Evropaische Turkci” botuar në Mitteilungen der K.U.K.Geogr. Gesellscheft in Wien. Bd.XXI 1878 faqe 177-183.
Këto vende me të vërtetë nuk kanë sot një popullsi shqiptare ( përveç një pakice të vogël), sepse barbarizmi, shovinizmi i qeverive serbe i ka shfarosë sistematikisht dhe metodikisht, sikurse dihet edhe sotai është duke i zbatuar po ato masa për zhdukjen e racës shqiptare në viset e Kosovës e të Shqipërisë Lindore.
Gjënden edhe sot shumë pleq e plaka nga ato vise të humbura më 1878 që rrojnë si refugjatë në vise të ndryshme të Kosovës e që i mbajnë mënd vuajtjet që kanë hequr prej serbëve, vuajtje që ata ua kallëzojnë me mallëngjim nipërve e stërnipërve të vet.

Justifikimi i kufijve të Shqipërisë Etnike

Caqet e shënuara për vendin gjeografik të Shqipërisë Etnike dhe kufijtë e shënuar sipas përshkrimeve të bëra më lart, kallzojnë me përpikmëri fytyrën që ka pasur Shqipëria e vërtetë në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, dmth më 1878, kur të parët tanë të lidhur e të besatuar me besë shqiptare përballuan rrezikun që i kërcënohej atdheut arbëror për copëtim duke formuar Lidhjen e Prizrenit.
Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, ndonse ka qenë e madhe, nuk ka mundur me e shpëtue atdheun nga cungimi i trojeve pjesërisht, sepse ndeshi në kundërshtimin e fqinjëve lakmitarë por edhe të fuqive të mëdha të atëhershme me qytetrime fallso të pluto dhe pseudo-demokracive imperialiste, të cilat i përkrahën e i ndihmuan me të gjitha mënyrat, sikundër dihet tashmë, armiqtë tanë duke u falur atyre tokat thjesht shqiptare.
Vendet shiptare të shkëputura nga Shqipëria e Veriut iu dhuruan në Kongresin e Berlinit të 1878 dy fqinjëve tanë sllavë, Malit të Zi dhe Serbisë, sepse këto u përkrahën me këmbëngulje në atë kongres prej Rusisë së carëve që donte rritjen e fuqisë sllavë në Ballkan. Në këte mënyrë Mali i Zi na pat marrë në atë kohë këto vende: Tivarin, Ulqinin dhe Podgoricën bashkë me katundet e tyre; edhe Serbia na pat marrë gjithashtu kazatë e Nishit e Kurshumlisë, të Prokupjes, Leskovcit e Vranjës, ku ka pasur popullsi thjesht shqiptare. Një pjesë e kësaj popullsie u shfaros barabarisht prej pushtuesve ndërsa një pjesë tjetër e sulmuar dhe e shtypur u shtrëngua të shpërngulet prej atyre viseve duke i lënë atje votrat, trojet dhe vorret e stërgjyshërve. Këta sot ndodhen të shpërndarë në ish vilajetin e Shkodrës dhe në atë të Kosovës, madje edhe në Turqi.
Pas 34 vjetësh Shqipërisë i ra edhe një herë një copëtim i dytë dhe më i rreptë se i pari. Ky copëtim u bë në Luftën e Parë Ballkanike më 1912. Këte herë të tri fqinjët tanë, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, të përkrahur si përherë prej Rusisë Cariste, Anglisë dhe Francës, me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës më 1913, morën prap sa deshën toka shqiptare.
Mali i Zi këte herë mori tërë prefekturën e Pejës me Gjakovën, Plavën, Gucinë, Rugovën, Rozhajën dhe Beronën. Serbia mori pothuajse të dy ish vilajetet shqiptare të Kosovës dhe Manastirit me këto prefektura: Prizrenin, Prishtinën, Jenipazarin dhe Shkupin (nga ish vilajeti i Kosovës) edhe Dibrën e Manastirin (nga ish vilajeti i Manastirit). Greqia mori edhe ajo një pjesë të prefekturës së Korçës dhe të Serfixhesë (nga ish vilajeti i Manastirit), një pjesë të prefekturës së Gjirokastrës dhe gjithë ish prefekturën e Janinës me Çamërinë. Qytetet e këtyre prefekturave janë përmendur më parë.
Përpjekjet e malazezve, serbëve (më vonë edhe të jugosllavëve), dhe të grekëve për të zhdukur gjurmët shqiptare në këto treva, kanë qenë fort të mëdhaja e të rrepta. Ata duke mos pasur asnjë ndrojë nga bota e atëhershme me qytetërim falls që e bënte veshin të shurdhët ndaj ankimeve dhe rënkimeve të shqiptarëve, janë munduar me çdo mënyrë që t’ia mbërrinin këtij qëllimi, kanë zbatuar çdo masë barbare për shfarosjen e elementit shqiptar në ato vise të pushtuara nga ata. Është e mundëshme dhe e natyrshme që në disa vende, gjithë ato masa të panjerëzishme të kenë bërë mjaft punë në dëm të elementit shqiptar. Elementi shqiptar u shtyp dhe u ndrysh fort në të gjithë Shqipërinë e robëruar, nuk u përfill asnjëherë si një element njerëzor, iu mohua çdo e drejtë gjallërie, duke mos u përfillë jo vetëm si shqiptar por edhe si njeri, u grabit, u gjobit me qëllime armiqësore, u zhvesh dhe u shua. Në shumë vende ai u shtrëngue e u dhunue që ta ndërrojë besimin, të kthehet në ordodoks, që kështu të gjejë rrugën e humbur e të bëhet malazias, serb, bullgar apo grek, sepse sipas mendësisë që krijuan në të mirë të vet, të ashtuquajturit shkrimtarë, politikanë e dijetarë serbë e grekë, elementin shqiptar muhamedan e quajshin “arnaut”, “arvanit” dhe e merrnin për serb ose grek të shqiptarizuar. I këtij mendimi është midis të tjerëve edhe Spiridon Gopçeviçi, i cili në librin e vet “Makedonien und Altserbien” shkruan pa turp gjëra të tilla të padrejta e komike. Shumë pseudo shkrimtarë të tjerë serbë e grekë, të shtyrë prej poltikanëve të Beogradit e të Athinës, shkruan artikuj e botuan libra gjithfarësh, në të cilat bënë gjykime me një mendësi të errët të fanatizmës fetare të Mesjetës, për elementin shqiptar. Një pjesë të këtij elementi ata e morën për serb, për bullgar ose grek sipas vendit. Kjo mendësi ndër ta ishte krijuar qysh afër mbarimit të shekullit XVIII e fillimit të XIX, të nxitur nga Rusia Cariste, që i kishte ndihmuar të fitonin disa të drejta në perandorinë otomane, si kishat e shkollat serbe, bullgare e greke, liri kjo që nuk u gëzua asnjëherë nga shqiptarët. Qysh atëhere, ata me ndihmën e popëve dhe priftërinjve që predikonin nëpër kisha , si dhe të uçiteljeve dhe dhaskalëve që jepnin mësim në shkolla, patën mundur ta vinin në zbatim këte mendësi në sheshet e trojet shqiptare që i patën gjetë të lira. Mjerë ai ortodoks shqiptar që guxonte ta quante veten shqiptar! Mjerë ai që kundërshtonte propagandat që bëheshin rreth e qark për ta ndërruar kombësinë, mjerë ai që i lente fëmijët e vet të flisnin shqip, jo vetëm në shkollë e në rrugë por edhe në gjirin e familjes, sepse dënohesh fetarisht duke u shkishëruar ose dënohej me vrasje nga fuqia ekzekutuese (komitaxhinjtë), ose dënohesh prej qeverisë turke. Priftërinjtë e mësuesit bashkë me konsujt serbë, bullgarë, zakbe, grekë e rusë caristë ishin në bashkëpunim më të fortë me autoritetet e Turqisë për t’i përndjekur, për t’i spiunuar atdhetarët shqiptarë. Kush e din se sa mijëra e miëra shqiptarë atdhetarë u morën në qafë, u masakruan, u internuan e u kalbën në burgjet e largëta të Fezanit, Jemenit, Mosulit etj për të vetmin faj se duke qenë shqiptarë ata nuk bindeshin me e mohuar kombësinë e të bëheshin serbë, bullgarë apo grekë. Me këto plane djallëzore e të poshtra, fqinjët tanë shovinistë kanë shkelur dhe kanë verbuar ndërgjegjën kombëtare të ortodoksëve shqiptarë në të tri skajet e Shqipërisë etnike. Vetëm kështu shpjegohet puna pse të mos gjënden sot shqiptarë ortodoksë në skajet veriore ( në Kosovë e në Malin e Zi), në skajet lindore ( në Maqedoninë Perëndimore) dhe në skajet jugore (në pjesët e robëruara prej grekëve). Sikur të mos ndodhte Rilindja Shqiptare më 1878 dhe sikur të mos kryqëzoheshin interesat e fuqive të mëdha në Shqipërinë politike të sotme, padyshim edhe ortodoksët e Shqipërisë së sotme do të ishin shkombëtarizuar krejt në sajë të kishave e të shkollave serbe e greke, përpara se të shpallej pavarësia më 1912.
Përse ortodoksët shqiptarë të Kosovës e të Malit të Zi duke qenë me fizionomi të tipit shqiptar, duke ditur shqip, duke veshur deri më 1912 kostumin shqiptar, duke i pasur të gjitha zakonet shqiptare, duke ditur secili fisin shqiptar që i përket, duke folur një serbishte ëalamane me të folme të shqipes (gjë kjo që na ka qëlluar shpesh ta vërtetojmë edhe vetë), e quajshin veten serb?! Sepse kujtimi i emrit të fesë ortodokse ndër ta ishte rrënjosur sikur ata synonin kombësinë serbe e jo tjetër.
Përse në shumë katunde të Shqipërisë etnike lindore ( Maqedoni Perëndimore) sikundër kam mundur ta vërtetoj edhe vetë, vetëm pleqtë e plakat e flasin pa ndrojë shqipen me një të folme të kulluar e të kthjellët, kur merrnin vesh që bashkëbiseduesi nuk është serb, bullgar apo tjetër por shqiptar, kurse djemtë e vajzat, nipat e mbesat e tyre, duke mos ditur veçse pak fjalë shqip flisnin vetëm bullgarisht? Përgjigjen e kësaj pyetje e gjen gjithkush duke bërë krahasimin me shpjegimet e para. Vetëm puna, pse ata pleq e plaka e flisnin pa ndrojë, me dëshirë dhe të përlotur shqipen, gjen shpjegimin se këta ndruheshin nga spiunët e komitaxhinjtë bullgarë, të cilët si fuqi ekzekutuese të propagandës së shkombëtarizimit të shqiptarëve, sapo merrnin vesh këte punë i gjobisnin rëndë shqiptarët dhe i masakronin pa mëshirë ata në shtëpi natën. Sot bullgarët e tillë në Maqedoninë Perëndimore, me shtypjen jugosllave kanë filluar të serbizohen.
Po kjo gjendje e vajtueshme e shkombëtarizimit të elementit shqiptar ortodoks ka marrë hov e ka vazhduar me të madhe edhe në krahinat tona të skajeve jugore të Shqipërisë Etnike. Në shumë katunde të jugut me fizionomi thjesht shqiptare të greqizuar që në shekullin XIX, sot flitet një greqishte e shkatërruar si përkthim i shqipes e me të folmen e saj. Në disa anë, ende në dasma këngët e vjetra të katragjyshërve këndohen shqip, po ashtu në rast vdekjesh, vajtimi bëhet shqip. Në katundet e greqizuar tash vonë, pas 1912, vetëm pleqtë e plakat e flasin shqipen, kurse të rinjtë e të rejat, bijtë e bijat e tyre flasin greqisht.
Me këto baza të shtrembëra e me këto përgatitje propagandistike të tmerrshme u mbështetën fqinjët tanë shovinistë të pangopur për t’i grabitur e përvetësuar trojet tona arbërore. Qeveritarët serbë, për t’i shërbyer qëllimeve të veta politike për kohët e mëvonëshme shpikën e trilluan emërin e paqenë “Stara Serbia” dmth “Serbia e Vjetër:”. Ky trillim i emrit “Stara Serbia” për herë të parë është parë më 1846 në “Carte de la principaute de Serbie” prej Jean Bugarsky-t, e përpara asaj kohe as nuk është dëgjuar as është parë kurkund. Në të gjitha gjeografitë e shtypura në gjuhën serbe para atij viti nuk haset aspak ky emër i çuditshëm.
Qeveritarët bullgarë të atëhershëm, duke shkuar sipas shembullit të serbëve, që më 1876, menjëherë pas lidhjes së Traktatait të Shën Stefanit ndërmjet Rusisë e Turqisë, ringjallën termin gjeografik të vjetër të “Maqedonisë”, që u bë më vonë një term tërheqës e magjik për bullgarët që lakmonin edhe tokat e huaja përjashta Bullgarisë.
Këto dy sheshe të trilluar e të krijuar prej qeverive shoviniste serbe e bullgare, dmth “Stara Serbia” dhe “Maqedonia”shumë kohë nuk kanë pasur ndonjë vijë kufiri të shquar ndërmjet tyre, sepse të dy lakmuesit i zgjëronin kufijtë e shesheve të propagandës së tyre sipas dëshirës duke i kapërcyer caqet e njërës mbi tjetrën.
Po kështu, edhe qeveritarët shovinistë grekë, për të ngjallur një shpirt lakmie në popullin e tyre, Shqipërinë e Jugut nisën ta quajnë “Epir”. Me këte emër historik ata kanë dashur dhe duan gjithnjë të mbulojnë fytyrën e tashme të vërtetë të kësaj ane të Shqipërisë e me këto dokrra janë përpjekur t’i hedhin hi syve të botës, që ajo të mos mundë të shohë e të gjykojë për të vërtetën gjeografike të Shqipërisë Jugore.
Përsa i përket elementit shqiptar muhamedan, që përbën shumicën kudo në tokat shqiptare të pushtuara e të robëruara, në krahasim me lementët e tjerë, fqinjët tanë, përveç mendësisë së treguar më lart, kishin edhe këte mendësi të çuditshme: shqiptarët muhamedanë i merrnin për turq, sepse feja e re e importuar prej Turqisë gjatë shekujve XIII, XIV, XV në Gadishullin Ballkanik, u quajt atëhere , madje quhet ende sot, feja e turqve, dhe të kthyerit në këte fe, përgjithësisht thirreshin dhe thirren turq, megjithëse gjuhën dhe fizionominë nuk e kishin aspak si të turqeve. Në të gjitha anët e Ballkanit kjo mendësi mesjetare, që përzien emrin e fesë me atë të racës, që i gjykon njerëzit vetëm sipas fesë duke mos përfilluar aspak racën, së cilës i përkasin ata, ka sjellë shumë pengesa e ngatërresa në çeshtjen e zhvillimit të grumbujve të popujve (kombeve) sepse shumë antarë të një populli janë thithur në këte mënyrë prej një populli tjetër.
Armiqtë e shqiptarisë e dinin këte mendësi ballkanike e që herët nisën të veprojnë në të mirë të politikës së vet djallëzore. Shqiptarët muhamedanë i quajtën turq nergut dhe duke i përfillur si të tillë, i shtrënguan me çfarëëdo mënyre e masë barbare të shpërngulen prej votrave të veta e të shkojnë në Azinë e Vogël në Turqi.
Shumë të vetëquajtur shkrimtarë serbë e grekë botuan broshura e libra, shkruan artikuj nëpër fletoret e tyre e të huaja për këto qëllime shoviniste. Qeveritë e Beogradit e të Athinës shpenzuan miliona e miliona për hir të kësaj propagande të tmerrshme si brenda ashtu edhe jashtë shteteve të tyre duke blerë ndërgjegjen e shumë gazetarëve e publicistëve e mendjen e pseudoautorëve të shteteve plutokratike të imperialistëve.
Shovinistët serbë për realizimin e kësaj mendësie të shtrëmbët kanë qenë ndihmuar me kohë prej pseudodijetarëve rusë si Majoushef, Florianski, Hilferding etj, të cilët si shërbëtorë të politikës cariste imperialiste që kishte për qëllim zgjërimin e sllavëve në Ballkan, botuan artikuj e libra gjithfarësh kundër shqiptarëve muhamedanë, të cilët i quajtën të huaj, turq të ardhur në vendet e Malit të Zi, në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore e gjetiu. Dhe i treguan mbarë botës nevojën që herët apo vonë këta të përzihen prej këtyre viseve e të çohen në Anadoll!

Aq shumë u rrënjos kjo mendësi tek serbët sa që, sikurse kujtojmë, në Skupshtinën (Parlamentin) e Beogradit, shpesh herë, ndodhte kur një deputet shqiptar guxonte të kërkonte ndonjë të drejtë për banorët shqiptarë të Jugosllavisë ose ankohej për shtypjet e mizoritë e zakonshme që bëheshin ndaj shqiptarëve nga autoritetet jugosllave, përgjigjeshin me gojë të shkumbëzuar duke gërthitë sa mundeshin e duke thënë: “Vendi juaj dhe i popullit që përfaqësoni nuk është këtu, ju dhe populli juaj jeni turq, shporruni në Anadoll, në Turqi!”
Qeveritë e ndryshme jugosllave kanë zbatuar gjithnjë mësimin e mjeshtrit të tyre të vjetër, Pashiçit, i cili si armiku më i madh i shqiptarëve ka shkruajtur, ka vepruar dhe ka këshilluar pasardhësit e tij se si të veprojnë në bazë të parimit: për t’i zhdukur shqiptarët me çdo mënyrë, ose duke i masakruar, ose duke i fikur ekonomikisht , ose duke i shtyrë e shtrënguar që të ikin në Turqi! Ai gjithmonë thosh se shqiptarët janë të rrezikshëm për racën sllave, duhet të pakësohet medoemos numri i tyre në viset jugosllave që kështu elementi serb të zërë vendin e tyre.
Në të vërtetë, ky mësim u zbatua gjithnjë prej çdo qeverie jugosllave në dëm të elementit shqiptar muhamedan, në viset arbërore të robëruara. Ikja e qindra mijëra shqiptarëve në Turqi gjatë 28 vjetëve të sundimit serb në Kosovë e në Maqedoni, janë frutet e këtyre përpjekjeve armiqësore. Për shumë vjet me radhë qeveria serbe ka bërë gjueti me shqiptarët duke i quajtur ata egërsira, duke i masakruar për t’i shfarosur , djegur e pjekur, torturuar me miëra metoda barbare. Më në fund, si u ngopën dhe shfrynë dufin e tyre barbar duke derdhur gjak shqiptari, ata u bindën se s’është e mundur të shfaroset një popull i tërë me këto metoda barbare në shekullin XX. E lanë këte veprimtari të poshtër për gjuajtjen e atdhetarëve nacionalistë shqiptarë dhe nisën t’i shtyjnë shqiptarët që të emigrojnë në Turqi. Për këte qëllim sunduesit jugosllavë bënë çmos për të grabitur tokat më pjellore të shqiptarëve dhe ia dhanë këto kolonëve sllavë të sjellë prej Banatit, Likës e Malit të Zi, duke i vendosur këta në katundet shqiptare. U shumëfishuan taksat shqiptarëve, deri në atë shkallë që ata të mos munden kurrësesi të paguajnë, por të detyrohen t’i shesin tokat e të përzhiten me ç’kanë e ku kanë e të mbeten në varfëri të skajshme bashkë me fëmijët e vet.
Atyre që bindeshin të emigronin në Turqi u bënin lehtësira. Brenda 24 orëve ua kryenin të gjitha formalitetet e emigrimit (si pasaporta etj), ua lironin djemtë nga burgjet ose nga shërbimi ushtarak që ishin duke kryer eventualisht, u falnin taksat e u bënin lehtësira të tjera, vetëm e vetëm që këta stërnipër të ilirëve, banorë autoktonë të këtyre vendeve, duke shkuar në Turqi, t’i lenin të lira sheshet për zgjërimin e sllavëve e sllavizmit dhe kështu të zbatohesh pika kryesore e programit të qeveritarëve jugosllavë.
Ata atdhetarë shqiptarë që guxonin t’ua mbushnin mendjen familjebe shqiptare që të mos shpërnguleshin nga votrat arbërore, ata përnjëherë i humbnin ose i zhduknin duke i masakruar me anë të njerëzve “të panjohur” ose i kalbnin nëpër burgje. Sot me miëra atdhëtarë, intelektualë shqiptarë, dergjen nëpër burgjet jugosllave vetëm për këto faje e vetëm sepse janë shqiptarë e kanë guxuar të mbrojnë shqiptarin.
Qeveritë e ndryshme jugosllave, në lëmin e kësaj veprimtarie, patën ndihmën edhe të qeveritarëve të Republikës së Turqisë. Këta të fundit, duke dashur ta dëndësojnë popullsisnë e rrallë të vendit të tyre me një element punëtor e dinamik si shqiptarët, favorizuan politikën jugosllave. Gjithnjë janë dukur agjentë të Turqisë duke u endur ndër katundet shqiptare të Shqipërisë së robëruar. Këta agjentë të përbërë prej civilash e hoxhallarësh të paguar edhe prej qeverisë jugosllave, merreshin me shpërnguljen e familjeve shqiptare prej trojeve arbërore dhe dërgimin e tyre në Turqi.
Kohët e fundit kjo puna e shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi ka marrë një hov më të madh. Të dy qeveritë e interesuara, Jugosllavia dhe Turqia kanë bërë një marrëveshje për të shpërngulur rreth 250 000 vetë shqiptarë nga Jugosllavia në Turqi, por ky plan i tmerrshëm i tyre ka ndeshur në vështirësi financiare, prandaj lumturisht ende s’është zbatuar.
Edhe në tokën e Shqipërisë së Lirë ndodhen rreth 25 000 emigrantë shqiptarë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë së robëruar ndën Jugosllavinë. Një pjesë e këtyre, duke mos e duruar dot zgjedhën e rëndë të serbëve, kanë kaluar kufirin fshehurazi, me shpirt ndër dhëmbë, për ta shpëtuar jetën e tyre. Një pjesë kanë ardhë me pasaportë, por veç ata e dinë se sa kanë hequr për ta siguruar atë pasaportë. Kur e kanë kërkuar atë nga autoritetet jugosllave, kanë thënë se duan të dalin në “Albani”, autoritetet me një shikim të rëndë e të vranët, u janë përgjigjur se do të kishte qenë më mirë për ta që të shkonin në Turqi e jo në Albani. Por shqiptarët ngulnin këmbë se donin të shkonin në Albani, në Shqipërinë e Lirë, atëhere autoritetet u kërkonin atyre të paguanin të gjitha taksat ndaj shtetit e pastaj do t’ua jepnin lejen. Shqiptari i shkretë, të cilit i kishte ardhë shpirti në majë të hundës nga ajo robëri e zezë, detyrohej me shitë e me përzhitë gjithçka që të paguante taksat e rënda që i ngarkoheshin atij nergut me trillime. Po kështu, për të paguar avokatin serb që kinse do t’i dilte atij zot për nxjerrjen e pasaportës, ata endeshin me vite, shkundnin xhepat e fikeshin kryekëput, e kur u mbushej mëndja autoriteteve se me të vërtetë shqiptari i ka derdhur të gjitha paratë në Jugosllavi, ia jepnin lejen e kërkuar. Me këte gjendje të mjerueshme na kanë ardhë këta emigrantë këtu. Sa kontrast me punën e atyre që donin të shkonin në Turqi! Shkakun e kërkon kushdo qoftë që i njeh dashakeqësitë e smirën që ka pasë Jugosllavia shoviniste për këte çikë Shqipëri të cunguar, që na pat mbetë pa u marrë e pa u shkelë prej saj!
Një pjesë tjetër e emigrantëve shqiptarë të Jugosllavisë kanë ardhë në Shqipërinë e Lirë edhe nga Turqia. Këta të emigruar në fillim nga Jugosllavia në Turqi me mënyrat që u përmendën, sapo kanë shkuar në Turqi, menjëherë e kanë parë veten të humbur në dhera të largët, të përbuzur atje prej njerëzve të huaj me fjalët më cënuese e fyese për kombësinë shqiptare dhe të shpërndarë nëpër vende gjithfarësh sipas planit të autoriteteve turke që synonin dobinë e vendit të vet me anë të turqizimit të shqiptarëve të emigruar. E kanë parë pra veten pa asnjë shpresë që të qendrojnë edhe më si shqiptarë prandaj janë shtrënguar, siç na kanë thanë vetë, të bëhen emigrantë në katror e të vinë këtu, për të marrë frymë lirisht. Më ka rënë të shoh midis tyre disa pleq e plaka, që mbanin mbi kurriz emigrimin në fuqi të tretë, pasi këta të mjerë vendin e lindjes e kanë pasur dikur në fushat e luginës së Toplicës.
Në këte gjendje shpirtërore të mjeruar ndodhen me qindra e mijëra shqiptarë të emigruar në Turqi. Këta gjithnjë janë në pritje të agimit të ditës fatlume të drejtësisë, që do t’ua lirojë votrat e tyre nga robëria e rëndë, janë duke pritur që t’u zgjatet një dorë shpëtimtare, që do të mundë t’i sjellë ata përsëri në pragjet e shtëpive të tyre në Kosovë, ku edhe kanë lindur! Ky element i fortë, i pajisur me gjakun, doket, besën e virtutet e ilirëve, din të punojë më së miri sa të jetë jeta, është besnik dhe e bindur ndaj ligjeve të shtetit për të mirën e Nënës Shqipëri.
Gjendja e elementit shqiptar muhamedan në Greqi është njësoj si ajo e elementit muhamedan në Jugosllavi.
Qeveritë e Greqisë në lëmin e veprimtarisë barbare për shfarosjen e këtij elementi, kanë konkuruar me qeverinë e fqinjës së tyre veriore, Jugosllavisë. Taktika e tyre ka qenë gjithnjë njësoj, sikurse ajo e qeverive të Jugosllavisë. Në barbarizmat e të dy palëve nuk mund të gjëndet asnjë ndryshim, sepse të dy palët synojnë të njejtin qëllim: shfarosjen e elementit shqiptar muhamedan në trevat arbërore të pushtuara prej atyre si dhe shkombëtarizimin e elementit të krishterë shqiptar.
Për këte qëllim, qeveritarët grekë, me kohë, kanë hartuar plane të tmerrshme. Për zbatimin pikë për pikë të këtyre planeve ata kanë zgjedhë administratorët më të zottë dhe më të përshtatshëm të cilët i kanë emëruar në vendet shqiptare të pushtuara. Këta qeveritarë, në çdo anë të këtyre vendeve, me një zell fanatik fetar e politik e me një program të caktuar filluan t’i zbatojnë planet qeveritare. Ky program kishte për qëllim greqizimin e Shqipërisë jugore e të Epirit, siç e quanin ata vetë këte anë të Shqipërisë.Greqizimi i Epirit ishte siguruar deri diku duke i greqizuar shqiptarët ortodoksë gjatë shekullit XIX, sikundër e kemi thënë më parë, por duhej zhdukur edhe elementi shqiptar muhamedan. Zhdukja e këtij elementi nisi të kryhet që pas mbarimit të Luftës Ballkanike të 1912, kur grekët pushtuan Shqipërinë e Jugut. Ata nuk lanë gjë pa bërë për ta zhdukë elementin shqiptar muhamdean në këto anë; dogjën katunde të tëra, i zhbinë ato më 1914, sipas shembullit të vandalëve, vranë , prenë e dogjën sa mundën. Ata që arritën të shpëtojnë morën malet me fëmijë e katandi dhe u shpërndanë sa andej-këtej të ndjekur prej komitaxhinjëve të Gjiritit (Kretës) , nga andartët e Zografit e të Verdhës që ishin fuqia ekzekutuese e planeve të tmerrshme të shfarosjes së këtij elementi. Ata që i shpëtuan zjarrit, plumbit dhe shpatës mizore të këtyre, mezi mundën të marrin frymë lirisht në ullishtat e Vlorës, ku u dergjën e u firosën nga sëmundja e malarjes.
Vetëm në rrethet e prefekturave të Gjirokastrës, Korçës e Beratit u zhmbinë 400 katunde shqiptarësh muhamedanë. Po kjo vepër barbare u zbatua edhe më shumë në rrethinat e Janinës e të Çamërisë.
Sot pamja e shkretë, në trajtë gërmadhash e shumicës së katundeve të elementit shqiptar muhamedan, si këtej kufirit të Shqipërisë së 1913-s, ashtu edhe matanë atij kufiri, është dëshmia më e madhe e këtyre barbarive greke. Qindra mijëra shqiptarë të mbetur pa strehë e pa banesë u ligështuan nga të ftohtit, nga uria, nga mizoritë e emigrimit, humbën fëmijtë e njomë dhe pleqtë e plakat e tyre që nuk mund t’u bënin ballë këtyre vuajtjeve të tmerrshme. Aq shumë u firosën si numër shqiptarët e atyre anëve, sa kur u kthyen në gërmadhat e shtëpive të veta, ishin përgjysmuar; me miëra e miëra individë shqiptarë vdiqën të masakruar, të djegur e të rraskapitur prej këtyre barbarëve të shekullit XX.
Plani i qeveritarëve grekë zbatohej më së miri prej autoriteteve në dëm të elementit shqiptar. Ankimet dhe rënkimet e shqiptarëve për këto të zeza nuk gjenin askund një shesh të mbarë dëgjimi, pse demokracitë e Perëndimit në shtypin e tyre judo-framasonik dhe tregtar u dilnin zot gjithnjë propagandave dhe përgënjeshtrimeve të fqinjëve tanë imperialistë, të cilët e ushqenin atë shtyp me buxhetin e vet të ndarë posaçërisht për këte qëllim.

Filed Under: Histori Tagged With: E SHQIPËRISË ETNIKE, KUFIJTË, Prof. Ahmet Gashi

Nexhat Peshkëpia- Një yll që ndriçoi dhe u shua*

March 27, 2015 by dgreca

Nga Adalbert Fekeqi/*
E dija shumë kohë më parë se shëndeti i lig kish filluar ta mposhtë Nexhatin dhe e ndjenja veten të trishtuar. Prindër, vëllezër, motra e shokë më kanë varfëruar herë pas here dhe isha pregaditur të derdh lot përsëri, gjë aspak e re për mua, por këtë radhë jo aq fort për një shok të dashur, sa për një njeri të madh, që kish një shpirt të ndjeshëm, që qe një nga humanitarët e rrallë që njohi të metat e dobësitë e natyrës njerëzore dhe u përpoq, në tërë veprimtarinë e jetës së tij, me një durim që s’i shihej kurrë fundi, të ketë mirëkuptim për këto të meta dhe dobësi, dhe njerëzit t’i mëshirojë. Ndërkaq i lutesha Perëndisë me përvujtni të madhe për jetën e tij; veç mrekullia do ta shpëtonte, por mrekullia nuk u plotësua. Vdekja, kjo dado plakë që do të na përkundë të tërëve në djepin e gjumit të fundit, rrëmbeu edhe Nexhatin: edukatorin, humanitarin, poetin, shkrimtarin, idealistin.
Vendosa të ndërmarr një udhëtim të gjatë për t’i thënë lamtumirë; kurrë në jetën time s’kisha kryer një detyrë më të shenjtë se këtë. Takimi me shokë që s’shihja prej vitesh, përshëndoshja me miq të rinj më mpinë dhe s’e ndjeja humbjen e mikut. Pas varrosjes u drejtova në aeroport dhe, me të zënë vend në aeroplan, u-mblodha në kolltuk, mbylla qepallat e rënduara nga lotët, nga lodhja dhe nga brengat dhe vetëm ahere, në vetmi, më pushtoi dhëmbja me tërë egërsinë e saj. Të jesh i rrethuar nga njerëz dhe ta ndjesh veten të vetmuar është më keq se kur je vetëm; vetminë e ndjen më shumë. Ashtu, i katandisur, më ra në mend, në një vegim të largët, miqësia 30-vjeçare e Nexhatit. Kush qe Nexhat Peshkëpia?
Nexhati qe, së pari, humanitar shpirtmadh dhe njëkohësisht i thjeshtë; ai e pranoi jetën ashtu siç ishte dhe me vetëdashje u rrëmbye prej saj. “Fati i njeriut – thoshte shpesh – është fati im dhe vetëm kur të nxëmë të jetojmë së bashku, do të mund të përparojmë së bashku”. Me këtë parim e shkoi jetën Nexhati: duke dëgjuar pleqt, duke mësuar të rinjtë. Tek pleqt ai pa urtësinë e përvojës, tek të rinjtë, madhërinë e enthusiazmit.
Nexhati qe zemërgjerë dhe i përvujtë. Harronte sharjet dhe fyerjet që i bëheshin – dhe që iu bënë, sepse çdo pemë me kokrra gjuhet me gurë nga njerëzit e vegjël – dhe shpresonte, lutej që edhe të tjerët të mos hidhnin shigjeta kundër tij kur, në idhërim e sipër, mund t’i dilte nga goja ndonjë fjalë e ashpër: “shigjetoje zemrën e vëllait, por mos e depërto”. Dhe shtonte: “Jam njeri dhe si i tillë, aty-këtu nuk jetoj dot me atë që them, me filozofinë time, por mundohem t’i ndreq gabimet, të nxë, të rritem”. Kish takt Nexhati, atë takt që të çarmatoste nga çdo zemërim dhe në inat të bënte t’i buzëqeshje, atë takt që i pëlqente ta përcaktonte si “zotësia e atij që i heq bletës thimthin pa u thumbuar.”
Nexhati qe liridashës. Perdja e hekurt, dhe nuk e kam fjalën vetëm tek ajo që ndan Lindjen nga bota e Perëndimit, ishte për atë shprehja më ugursëze e kohëve tona. Perdja e hekurt nuk është prej hekuri, është perde mendore e thurur nga frika, paragjykimi dhe mosbesimi, karakteristika këto të njerëzve të dobët, që skllavërohen pa qenë të skllavëruar. “S’po ndërtojme ne, dita-ditës, perde të hekurta mes nesh?”- pyeste.
Lirinë e shihte si dhuratë të Perëndisë dhe citonte Shen Palin: “Liria është e drejta e pamohueshme që ka njeriu të bëjë gabime, të dështojë dhe të ngrihet e të qëndrojë përsëri me këmbët e tia”. Në të vërtetë, s’ka dështim përfundimtar: liria t’ep përherë rasë të mëkëmbësh. Dhe kur je i lirë, i lirë në mendje, në zemër, në shpirt, je përherë krijonjës: piktor, këngëtar, shkrimtar, ndërtonjës dhe – pse jo? – ëndërronjës, vajtonjës, i vuajtur. Nexhati jetoi jetën që deshi të jetonte, i lirë dhe krijonjës, i lirë dhe ëndërronjës; vajtoi dhe vuajti i lirë. Në librin “Një Zemër në Mërgim”, libër që përmbledh tërë botëkuptimin e tij si njeri i lirë, i ushtroi të gjitha krijimtaritë e tia: prodhoi si shkrimtar, ëndërroi si poet dhe vajtoi e vuajti për ato që kish si më të shtrenjta: për liri, për atdhe, për bashkim, për vëllazërim, për urtësi, për ushqim të shpirtit. Në “Një zemër në Mërgim”, ai këndoi atë që jetoi, siç kish jetuar atë që ka kënduar.
Nexhati qe i dijshëm. Dijen e fitoi në vetmi, në qoshen e kafenesë apo në atë të dhomës së tij prej murgu, duke jetuar – ndër libra – me njerëz që fluturonin në sferat e larta të pothuaj të të tëra degëve të artit, dhe atje u-ekspozua me ato veçori që i bëjnë njerëzit të mëdhenj. Ndër libra fitoi forcën që i nevojitej për të njohur realitetin e fakteve dhe imagjinatën e tij – imagjinata është më e fuqishme se dija vetë, thotë Einstein – e përdori për t’u përshkuar nëpër ato fakte dhe përtej atyre, gjithnjë për një kerkësë për një përgjigje të problemeve. Ndër libra fitoi fuqinë e shpirtit, karakteristika themelore e personalitetit të Nexhatit, ajo që e bëri të madh, që e dalloi si një trëndafil në mes të shkurreve. Ndër libra u-pajis edhe me virtytin e adhuronjësit të Perëndisë dhe sado skeptik që mund të të dukej nga forma e jashtme, ai qe kryesisht fetar. Ndjenjat e mëshirës, të zemërbardhësisë, të lëmoshës, të bujarisë, karakteristike këto që e dalluan, i mësoi në librat e shenjta, qoftë kristiane, islamike, hebraike apo budiste; në predikimet fetare u brumos dhe me ato u-personifikua filozofia e tij: dëshira e madhe për të përparuar, për të shërbyer, për të pushtuar veten, gjithnjë në kërkesë të vlerave madhështore të shpirtit.
Nexhati qe patriot. Ish kryelartë për emrin që mbante, për emrin shqiptar. Dashurinë e atdheut, Nexhati e pa si bazën dhe majën e piramidës që përmbante tërë ekzistencën e tij, si shtytjen më dinamike nga e cila mirte shkas çdo qëllim i tij, si të vetmen ndjenjë që e bën njerinë të jetë i përvujtë e hero. Malli i atdheut e bëri atë të çvishej nga urrejtja, nga smira, nga zemërimi, nga ankthi, nga frika. Tridhjetë vjetët më të mira të jetës së tij, të jetës prej murgu të vërtetë veshur me petkat shekullare, ia kushtoi atdheut dhe për të vuajti, vuajti për tiranët, për të çmendurit, për të verbuarit, për mendjemëdhenjtë, për mendjeshkurtërit.
E ç’nuk qe Nexhati? Mjerisht lindi dhe jetoi në një kohë të gabuar, në një kohë që s’ish e tia. Lindi dhe jetoi në një shekull ku njerëzia lëviz dhe vepron e tërhequr nga magjia e dhunës, e shkatrrimit, e urrejtjes, e fanatizmit, nga magjia e epshit.
Oh kujtesë! Ti, o kujtesë, që je e pavdekshme, që je një ekspozitë bukurish, që je një thesar pasurish mendore të pafund; ti, o kujtesë, që je një protokoll ngjarjesh, dëshmish, dështimesh e fitoresh, që lidh shekujt dhe i jep jetës rrjedhim; ti, o kujtesë, që mban të kaluarën të gjallë, që je një parajsë nga e cila njeriu s’dëbohet dot, fute Nexhatin në gji dhe bëje të mos vdesë kurrë. Frymëzoji bashkatdhetarët tonë, fatin e të cilëve e bëri të vetin, me urtësinë, dijeninë dhe zemërgjerësinë e tij, me ndjenjën e lirisë, të vëllazërimit e të bashkimit. Përndryshe, oh, sa mjerim, do të themi: një yll ndriçoi dhe u shua në shkretëtirë.

Nga krijimtaria letrare e Nexhat Peshkëpisë

NXITJE

O Fjalë,
pjellë e mendjes sime të marrtë, mos druaj por qëndro ti sot me mua gjersa të fashitim detin e suvalëm të pamundësisë ku, e lëkundur në dyshim, fuqia ime krijuese pluskon e dobësuar nga shkëputja me dhunë.
O Fjalë,
pjellë e gjeniut tim të pamjaftueshëm, trimërohu ti sot dhe qëllo drejt në shenjë. Shigjetoje zemrën e vëllait e mos e depërto, por zër vend në thelb gjersa, n’atë Pot të dashurisë së zjarrtë, të tretesh me të.
O Fjalë,
pjellë e shpirtit tim të zymtë, lartësoju ti sot në vetëdijen e ndjenjës fisnike: Si mund të shuhet Kujtimi i Pakrahasueshëm? Si mund të dalë nga zemra Dashuria e Parë? Zbledhi pra flatrat e tua, merre shpirtin tim dhe ktheja Gurrës së Vetme që në mbylljen e ciklit, të shkrepë Shkëndia Ngadhënjyese e Bashkimit.

FOSHNJA E PLAKU

O yll i ri, mos u vërë veshin atyre që thonë: “Foshnja me plakun: sa ndryshim!”
Ata që thonë ashtu, e kanë fjalën te koha, që cakton drejtimet e kundërta. Por ata nuk dinë se shkalla e njëjtë, që na përmban, është në mes të ciklit magjik, që përmbledh çdo gjë dhe në të cilin koha dhe drejtimi i shpëtojnë logjikës.
Prandaj ç’rëndësi mund të ketë, që ti je duke u ngjitur dhe unë duke zbritur, gjersa mbështetemi në të njejtin parmak, për të sosur në pikën magjike të mbylljes së përsosur të ciklit? Ti për të gjetur lumturinë e bukurisë dhe unë qetësinë e së vërtetës.

PA TITULL

Dyke fshikur barin e kopshtit, dëgjova që po afrohej: “Nuk më njeh”, më pyeti.
U ktheva, e kundrova dhe thashë: “S’mund të vë asnjë emër mbi fytyrën tënde.”
“Unë jam hidhërimi i parë i jetës tënde në rini.”
Sytë e saj ndritnin si një pikë vese mëngjesi, dhe heshtëm të dy, gjersa thashë:
“E ke shterur gjithë peshën e lotëve?”
Ajo buzëqeshi pa u përgjegjur dhe kuptova atëherë se lotët e saj kishin patur kohë të mësonin gjuhën e buzëqeshjes.
“N’atë kohë ti thoshnje se do të më mbaje në zemër si një thesar të çmuar dhe përgjithnjë hidhërimin.”
U trubullova dhe thashë: “Ashtu është, por vjetët kanë kaluar dhe harresa s’ mungoi dhe erdhi me kohë.”
E zura nga dora: “Edhe ti ke ndryshuar”, shtova.
“Çdo gjë dikur ka qenë dhëmbje, tani është bërë qetësi.”

ZEMRA NË MËRGIM
Nga Agim Karagjozi

Një zemër në mërgim
Na mblidhte rreth tij,
Në breng’ e me gëzim
Si vëllezër, si bij.

Te zemra në mërgim,
Mallit djegur për Atdhe,
Ne gjenim ngushëllim…
Se dhëmbje ndjente për ne.

Por zemra që na donte
U nda nesh përgjithmonë,
Shpirti që na ngrohte
S’është më në mes tonë.

Tani, si vetë ai tha,
Për të kuvendojmë,
Zemrën që shkretë na la
Me zemrat kërkojmë.
Shtator 1970
Shënim : të gjitha shkrimet e mësipërme u morën nga libri “Nexhat Peshkëpia-1908-1970”.
*Ne Foto:Ne Ansamblene e Kombeve te Roberuara- Nga e djathta, Vasil Gërmenji, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe Monsinjor Zef Oroshi.
(Dielli-Arkiv)

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe u shua*, Nexhat Peshkëpia- Një yll, që ndriçoi

Një përkthim i Nolit

March 27, 2015 by dgreca

GRENADIRËT E NAPOLEONIT/
Heinrich Heine/
(1797-1856)/
Për Franc’ u nisnë të dy grenadirët;/
Na ishin zënë robër në Rusi,/
Dhe në kufi të Nemces kur arrinë/
Kokën e varn’ e zunë vaj e zi./

Dëgjuan lajmën q’u pikoj në xhan/
Që Franca ish e humbur plotërisht,/
Q’ asqer i Math ish mundur, mor aman,/
Dhe Mbreti or Mbreti na u-zu jesir./

Ahere qanë hidhur grenadirët/
Kur muarnë mandatën për vajtim;/
Dhe njëri tha: “Ajme, zëmra më çiret,/
Më ther një plag’ e vjetër pa shërim!”/

Dhe tjatri tha: “Havazi mori funt!
Njëlloj të vdes me ty dhe unë dua,
Po kam foshnj’ e grua në katunt
Dhe do të mbeten udhëve pa mua.”

“Or mall s’të kam për foshnj’ e grua plakë,
kam një dëshirë më të lart’, o bir;
ngordhçin të gjithë rrugës liparakë,
kur Mbreti or Mbreti na u-zu jesir.

“Këtë dëshirë m’a mbaro, or vlla,
nëqoftëse tani të le shëndet:
trupin m’a shpjerë në Francë, në vatan,
në Francë më mbulo me salltanet,

“Kryqin kordhelë-kuq, nishanin tim,
m’a var, të lutem, përmbi zëmrën time,
dhe në të djathtën nem dyfekun tim,
edhe në brezin ngjish-më shpatën time.

“Kështu pra, do të shtrihem, do të pres
në varr si në kaushin gardian
gjer ditën kur topi gjëmon, kërcet,
dhe kali hingëllin mbi çdo dushman.

“Ahere Mbreti më kalon mbi varrin,
këllçet, vetëtijn’ edhe kërcasin;
dhe unë i armatosur dal nga varri
dhe Mbretn or Mbretn’ e mpronj të mos m’a ngasin.”

(Shënim: Kur u-botua kjo vjershë për herën e parë, kundrështarët e akuzuan vjershëtorin si monarkist e tradhëtor. Akuza ish e pathemeltë. Vjershëtori e adhuronte Napoleonin si liberator ndërkombëtar, dhe kishte shoke me ato ndjenja në tërë botën Evropiane.
Këtë vjershë elegjiake të mallëngjyer e pavdekësoi si këngë me muzikë Robert Schuman-i, kompozitor Gjerman. E përktheu shqip nga gjermanishtja Namik Namazi, më 1 Qërshor 1963).
Vjersha u botua në “Dielli”, më 19 qershor 1963.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Heinrich Heine, Një përkthim i Nolit

Dekomunistizimi sjell dekriminalizimin!

March 27, 2015 by dgreca

Nga Hakik MENA*/
Pavarësisht se kush janë dhe kë përfaqësojnë deputetët Doshi dhe Frroku, mënyra e arrestimit të tyre, është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje e frikshme, deri dhe terrorizuese për shoqërinë shqiptare. E them këtë sepse ky akt është bërë, sipas vlerësimit të ekspertëve më të mirë të ligjit, por edhe arsyes njerëzore, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore e krejtësisht në mënyrë arbitrare. Një arrestim i tillë, i transmetuar “live” nga Tv-të, brezit të vjetër i ka sjellë ndërmend ditët e para të instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtij skenari, deri tani i mungojnë veç skenat e “zbulimit të armëve në kisha”, por pjesa tjetër është pothuajse një “rilindje” e aktorëve të vjetër të Sigurimit, me prokuror Aranitin e kryexhelat Koçin. Në këtë situatë kaotike institucionale e ligjore që po kridhet sot shteti shqiptar, logjikshëm shtrohet pyetja: ku e gjejnë guximin ky mishmash politikanësh, deputetësh, prokurorësh e madje edhe ish-kalecësh Sigurimi, – të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me ish byronë e Partisë komuniste – për të orkestruar arrestime të tilla, të ngjashme me reprezaljet e kohës së diktaturës komuniste?! Mos vallë pushtetarët e sotëm, pinjoj të byroistëve, duke menduar se kanë përballë veç një opozitë të plogësht, të pa vendosur, pa identitet, e kanë ndarë mendjen ta hedhin edhe hapin e fundit drejt çimentimit të pushtetit të tyre politik?! Dhe si për ta vërtetuar perceptimin tonë për mungesë rezistence, këtë tentativë për përjetësim të pushtetit, “djemtë e byrosë” po rreken ta bëjnë pa u maskuar hiç, krejt ashiqare, e pa ua “bërë syri tërr”, duke kërcënuar, arrestuar madje me tentativa për të eliminuar deputetë të kuvendit, që janë tekefundit përfaqësues të popullit?! Në këtë pikë më ngjan e detyrueshme pyetja nëse vërtet neokomunistët në pushtet po kuturisin të hedhin hapin e fundit drejt një sistemi diktatorial, të kamufluar si “pluralizëm shumëpartiak” por që në thelb është e njëjta gjë si modeli “demokratik putinian” apo ish-diktaturat amerikano-latine! Unë dëshiroj dhe uroj të mos jetë aspak e vërtetë, sepse pasojat dhe sakrificat njerëzore do të ishin katastrofale për shqiptarët. Por me ngjarjet e fundit, shihet se këtu kemi të bëjmë me një synim të prekshëm për ringjalljen e ish-diktaturës në formën e saj më të dukshme: – vendosjen e një pushteti personal, në shërbim të “njëshit” të partisë! Sjellje të tilla arbitrare, me shkelje kaq të trasha të ligjeve të shtetit, e në dhunim flagrant të së drejtës dhe lirisë së individit si nocione universale, nuk mund të jenë rastësi apo paaftësi e një institucioni si prokuroria! Kjo e fundit duhet thënë se ngadalë por vendosmërisht po rrëshqet në prehrin e pushtetit të mazhorancës, saqë të krijon bindjen se paditë kërrehen në zyrat e qeverisë, për t’u cicëruar të nesërmen në sallat e gjyqit. Dosja “Doshi”, – ku akuzohen nga prokuroria dy deputetë për dëshmi të rreme, kurse në fakt, në gjykimin publik, kjo ngjarje është një tentativë e mirëfilltë kriminale për zhdukjen e deputetëve rebelë, – është vetëm një përshfaqje simptomatike e trendit të rrezikshëm që ka nisur për të vendosur një pushtet absolut. “Doshi” është vetëm pika e vlimit, kurse në fakt plani ka nisur të formësohet që herët, me ndryshimet në një sërë ligjesh e kodesh me synim ngushtimin e lirisë së qytetarëve dhe sidomos krijimin e një situate ankthi e terrori shtetëror ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare. Nuk janë rastësi tamtamet për energjinë, gjobat e makinave, sanksionet absurde e krejt të zhbalancuara në kod penal, e ligjet e tjera organike që rregullojnë marrëdhëniet mes qytetarit e shtetit. Një mendje djallëzore ka punuar fort që të na këllasë në këtë xhungël pasigurie ku ndodhemi sot, ku shumica dërrmuese po mendon kryesisht se si mund të arratiset nga vendi me ç‘të mundë. Le të sjellim në vëmendje të publikut gjithashtu dhe faktin se skenari i asgjësimit të drejtësisë në Shqipëri, po realizohet me nxitjen dhe mbështetjen e krerëve më të lartë të pushtetit neokomunist, por sidomos edhe me “aprovimin” e Parlamentit të Xhikeve, Lenkave e Bab-Lymave të vitit 2015. Këta të fundit, në rolin e palakmueshëm të “lolove publikë”, nuk po druhen aspak të vetëdiskreditohen në sytë e gjithë botës shqiptare duke votuar “grusht-bashkuar rreth partisë!” sipas direktivave të “të madhit!” Asnjë zë për be, nuk del kundër. E kjo s’mund të jetë rastësi. Kjo gjë ndodh vetëm në rastet kur krerët e një force politike synojnë të vendosin një pushtet absolut. Ndokush mund të thotë se po e ekzagjerojmë me akuzat për diktaturë dhe mund të na kujtojë madje se mazhoranca e sotme ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira. Po e vërtetë… të gjithë e kemi parë fitoren me “vota” të mazhorancës PS-LSI në 2013, të pagëzuar si fitorja e “një milion shpullave”. Por po ashtu kemi të dokumentuar në histori “déjà vu”-në në formën e diktaturës naziste, që erdhi në pushtet me anë të “votës”, por që më pas e ktheu pushtetin në armë për zhdukjen e kundërshtarëve dhe “armiqve” të pafaj me kampe shfarosjeje e gjenocid ndaj më të dobtëve. E kemi të provuar madje edhe në kurrizin tonë këtë histori pushteti, kur në 1944, një bandë plaçkitësish mizorë nga e ashtuquajtura Zonë e Parë Operative, – e orientuar politikisht nga armiqtë shekullorë serbët dhe rusët, – arriti të vendosë një diktaturë çnjerëzore, e cila për 45 vjet e transformoi vendin në skëterrë antinjerëzore. Këta të sotmit, e dinë të gjithë madje, edhe ata vetë e pranojnë, se janë pjellë gjenetike dhe politike e gjakatarëve të 44-ës. Ata të “parët” ishin ekspertë në krijimin e “fajtorëve pa faj”. Mjeshtra në sajimin e grupeve të “armiqve të popullit”. Ustallarë për të torturuar çdo qytetar me vlera. Me qëllim krijimin e një terrori permanent në të gjithë vendin, i cili duhet thënë se funksionoi në atë kohë. Por edhe këta të sotmit nuk po “zhgënjejnë”. Nuk e kanë harruar aspak “zejen” e tyre të torturës dhe të terrorit fizik e psikologjik mbi njerëzit. Në 1945-ën kjo gjë funksionoi ndoshta edhe për shkak të mungesës së opozitës së kohës dhe papjekurisë së shoqërisë shqiptare, që nuk dinte ç‘ishte komunizmi. Prandaj mund të thuhet se sot kushtet janë të ndryshme, në raport me kohën kur erdhi në pushtet çeta e Enver Hoxhës. Në atë kohë, për hir të së vërtetës, duhet thënë se komunistët “origjinalë” gëzonin mbështetjen e kampit socialist, dhe kjo nuk ishte e paktë për atëherë! Por sot po shohim në një formë tjetër që përkrahja nga kampi socialist i dikurshëm, është konvertuar tashmë me mbështetjen nga kampi social-demokrat në gjirin e BE-së ku gjendet më shumë se një duzinë vendesh ish-komuniste. E si për bela, burokratët evropianë që caktohen të mbajnë në patronazh Shqipërinë, shumicën e rasteve qëllojnë nga vendet e Traktatit të Varshavës! Dyshimit tonë për një diktaturë ndokush mund t’i kundërvihet me arsyetimin se sot nuk ka më një kriminel gjakatar si Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij. Por unë kam bindjen se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes Edvin Ramës e Enver Hoxhës apo mes Ilir Metës e Mehmet Shehut. Njëlloj janë në etjen e tyre për pushtet e sundim absolut, madje edhe në vese e tendenca kriminale deri kundër shokëve e bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Në këtë skemë na mungojnë disi tipa lombrozianë si Aranit Çela, Nevzat Haznedari, etj të cilëve vazhdojnë t’u rrjedhin duart gjak. por nga ana tjetër, pasardhësit e tyre në Prokurori të përgjithshme, – të cilët vijnë gati 99% nga shkolla komuniste – nuk u lënë gjë mangët në diabolizëm e perversitet “mësuesve” të tyre. Do të ishte e mjaftë të kujtonim seancën në këshillin e mandateve të parlamentit ku një prokuror gjuhëtrashë, nuk i jepte qëllimisht përgjigje as pyetjes se për çfarë akuzohen deputetët që kërkohej të arrestoheshin! (Sic!) Prokurorë të tillë janë për rekorde “guiness”. Kjo histori me deputetë, skenarë vrasjesh nisi si një aksion për të pastruar radhët e partive nga të “fortët”, nëpërmjet të ashtuquajturit “dekriminalizim”. Në fakt ky “dekriminalizim” s’është gjë tjetër veçse përsëritja e një kënge të vjetër, që këndohej me iso labçe në çdo fshat të krahinave antikomuniste të veriut të vendit, kur zona e thënë pushtohej prej partizanëve. Nuk është e nevojshme t’i përsërisim ato vargje, por më ngjan shumë i dyshimtë fakti që në mbledhjen e këshillit të mandateve në parlament, kishte 9 deputetë përfaqësues nga Zona e Parë Operative, që do të gjykonin për fatin e 2 reaksionarëve “katolikë” nga Mbishkodra. Kjo gjë ra në sy të të gjithëve, megjithëse askush nuk e përmendi, ndoshta nga sikleti, atë shprehjen e djaloshit të përrallës së Andersenit për rrobat e mbretit! Meqë jemi në këtë pikë, nëse ndonjë “babaxhan” ambasadash nga ndonjë vend perëndimor mik i shqiptarëve, dëshiron të purifikojë parlamentin, institucionet shqiptare, partitë e politikën, duhet të nisë fillimisht me dekomunistizimin e tyre. Kriminalizimi i parlamentit, institucioneve, partive e politikës, nuk ka ardhur nga “të fortët” por nga komunistët që kanë veshur mantelin e demokratit. Si përfundim, do të thoja se pa u bërë dekomunistizimi nuk mund të bëhet dekriminalizimi, dhe deri atëherë, ne do te jemi thjesht një shtet rrumpallo-mafioz. Nji gjë është e sigurt, po të kishte ekzistuar dëshira dhe qëllimi i mirë i politikës shqiptare për të bërë dekomunistizimin e vendit që prej viteve ‘90, – kjo edhe me shtytjen e mbështetjen e sinqertë të vendeve mike të Shqipërisë – vendi ynë do të kishte pasë tjetër zhvillim e tjetër histori. Çdo eksperiment “dekriminalizimi”, për fat të keq është i destinuar të dështojë dhe për këtë do të binden shumë shpejt edhe babaxhanët e ambasadave. Nëse këta të fundit, veprojnë kësisoj thjesht për të lehtësuar komunikimin me lojtarët kryesorë të politikës shqiptare, duke u bërë pa dashje palë më to, atëherë s’bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në dyshim edhe këtë kuazi-demokraci që ekziston ende këtu. Nëse do vazhdohet me këtë filozofi të mbrojtjes së interesave duke bërë allishverishe edhe me djallin, dihet se fundi i kësaj rruge do të jetë i ngjashëm me skenat danteske. Kjo nuk është as e drejtë dhe as dobiprurëse, si për miqtë tanë, ashtu edhe për miliona shqiptarë që kanë fatin e keq të sundohen nga kjo klikë antikombëtare.

* Kryetar i Partise Levizja e Legalitetit ne SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Dekomunistizimi, hakik Mena, sjell dekriminalizimin!

“KLANI” RREMBEU DREJTIMIN E FONDACIONIT TE PLAVE E GUCISE

March 27, 2015 by dgreca

Komunitet- Letër e hapur drejtuar bashkëvendasëve të Plavë e Gucisë/
Shkruan: Mustaf Salihi Ahmetaj/
Te nderuar anëtar,/
Te nderuar/a motra dhe vëllezër,
Raport për zgjedhjet e kuvendit të Fondacionit Plavë-Guci të mbajtura në New York me datën 22 Mars 2015/
Bazuar sipas rregullores, mandatit dhe statutit të Fondacionit Plavë – Guci, ne thirrëm Kuvendin e anëtarëve te shoqatës tonë.
Mledhjen e hapi Gjovalin Nikçi i cili propozoi kryesuesin e zhvillimit të punimeve Xhevat Kukaj qe të drejton kuvendin.
Kryetari i FPG, Esad Gjonbalaj propozoi për dy grupe të punës të përbëra nga jo-anëtarë të kryesisë. Njëri për administrimin e zgjedhjeve, dhe tjetri numërimin e votave, ku u aprovua nga të gjithë anëtaret.
Esad Gjonbalaj ua bëri me dije pjesëmarrësve se bazuar në statutin e FPG-së, të drejtë vote kanë vetëm anëtaret e FPG-së. Klani me gansterët e vet filloi me pyetjet e tyre se a duhet ne që nuk jemi anëtarë ta lëshojmë sallën. Ne të gjithë anëtaret u përgjigjem njëzëri se vetëm mund të shikoni.
Klani filloi ndërhyrjet dhe me akuzat e tyre fallce drejtuar kryetarit Esad Gjonbalaj dhe sekretarit Mustaf Ahmetaj duke shkelur rëndë në normën ma demokratike në statutin e FPG-së duke deklaruar se gjoja askush nga këta zotërinjë se ka parë këtë statut.
Ishte befasuese edhe pjesëmarrja ulët e anëtarëve të FPG-së, nga e cila merrnin pjesë vetëm 31 anëtarë të rregullt.
Klani kishte sjellur bashkëvendës(jo anëtarë të FPG-së) të cilët i kishte marrë nga rruga e që numëroheshin mbi 38 veta.
Klani me kapot e veta ne krye ishte i përbërë nga një njeri mbi të cilin qëndrojnë akuza me dy raste te krimeve. Edhe kreu i Deponisë në Martinaj i drejton pjesëtarët e klanit të cilët ishin anëtarë të kryesisë së FPG-së për ta kidnapuar këtë fondacion.
Klani kishte organizuar dhe sjellur bashkëvendës që nuk ishin anëtar dhe që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të FPG-së të votojnë për ta dhe për pjesëtaret e tyre.
Klani kishte intimiduar në mënyra te ndryshme anëtarët e FPG-së para mbajtjes së Kuvendit.
Kuvendi mori skaje gangstere prej Klanit dhe tensioni shkoi deri në atë pikë sa u krijua gjendje shumë e keqe.
Pjestarët që nuk ishin në kryesi (Gazmend Gjonbalaj, Shpend Haxhaj, Hatmane Prelvukaj, Salih Gjonbalaj, Hysen Ulaj, Beqir Gjonbalaj etj) u munduan të qetësojnë situatën por pa sukses. Klani kishte agjenden e vet të kidnapimit të fondacionit tonë.
Gjovalin Nikçi kërkon mbledhjen e Kryesisë jashtë sallës së Kuvendit. Kur dolëm jashtë, ai prononcoi se sot do të mbahen zgjedhjet. Gjovalini kërkoi mendimin e të gjithë anëtarëve dhe pastaj propozoi te votojmë për të shkelur statutin e FPG-së dhe të lejohet e drejta e të gjithë të pranishmëve për të votuar. Unë ju fola se ky veprim paska qenë i parapërgatitur dhe nuk e njoh ketë vendim ilegal.
Brenda, njëri ndër pjestarët e “Grupit Qëllim Mirë” Hysen Ulaj në fjalimin e tij u tregoi të gjithëve se një javë më herët është vendosur se akuzat për mos funksionimin e mirë të FPG-së të mbyllen dhe të tërhiqen nga rrjetet sociale.
Gjovalini merr fjalën dhe ju deklaron se Kryesia ka marrë një vendim të jashtë- zakonshëm.
Katër anëtarë të rregullt të FPG-së e lëshuan kuvendin para votimit ne shenje proteste me kete vendim ilegail. Ata ishin Shpend Haxhaj, Ismail Brahimi Qosaj, Gzim Balia Qosaj dhe djali im Flamur Mustafa Ahmetaj.
Klani, tërë kohën vazhdoi me akuza dhe gënjeshtra duke i njollosur të tjerët dhe fshehur veprat e tyre duke pasur agjenda personale.
Flet-votimi mbaroi dhe në fund filloi dorëzimi i tyre ku një pjestar i klanit u pa kur solli shtat(7) flet-votime kurse të tjerët vetëm nga një.
Shkeljen e statutit të FPG-së nga disa anëtarë u tolerua sepse ishim të gjetur në një presion dhe nuk donim që të ndodhë diçka e keqe. Kryesia jo-legjitime u formua prej Klanit në emër të komunitetit. Shikoni fotot nëpër facebook ku mund të shihni vetëm Klanin. Vallë a është ky komuniteti i Plavë e Gucisë?
Inçizimet e zërit dhe fotografitë e postuara në facebook janë si evidencë se çka ndodhi me 22 Mars 2015 në kuvendin skanadaloz të shoqatës tonë të respektuar.
Klani ka penguar aktivitetin e FPG-së duke filluar prej vitit 1997 (vjeshtë) e deri sot. Unë jam dëshmitar për këtë sepse isha anëtar i kryesisë rreth 16 vite pa ndërpreje.
Të nderuar atdhetarë bashkëvendas, brenda disa ditësh do të shikoni dokumentet, proces-verbalin, kopjet, inçizimet e zërit dhe fakte të tjera përmes e-mail dhe rrjetit social facebook se si ka vepruar në mënyrë gangstere Klani që erdhi në Fondacionin Plavë e Guci.
Në shërbimin tuaj dhe të vendlindjes
Mustaf Salihi Ahmetaj

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fondacionin, Klani i gangstereve, Mustafe Salihi, Plave e Guci, rremben

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3989
  • 3990
  • 3991
  • 3992
  • 3993
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT