Intervistoi:FADIL SHEHU- Florida, Mars 2015/
-Me se po merret aktualisht, Raimonda?/
-Raimonda Moisiu:Sa herë i hedh sytë krijimtarisë sime të hershme, mendoj thellë në vetvete, se çfarë më duhet të shkruaj në të ardhmen, pra atë, të cilën nuk kam mundur ta bëja atëhere. Kjo mund të jetë më e vështira dhe seriozja për një autor, së paku për atë krijues që lëvron letërsinë artistike dhe publicistikën. Pra, viti 2015-të është viti i botimeve të reja për mua. Dhe nuk janë pak. Por pesë botime të reja.Aktualisht po merrem me gjithçka. Duke filluar nga përgatitja e drafteve për t’i dërguar për botim, dhe po i shkoj dorën e fundit romanit me titull; “…s’i them askujt…”, të cilin kam disa vite që e kam nisur, me ndërprerje disa mujore sigurisht, pashkruar. Sepse unë jo vetëm pres momentin kur jam e frymëzuar apo idenë, por jam shumë e apasionuar edhe pas publicistikës, që nga intervistat me personalitete të fushave të ndryshme, në dy gjuhë shqip e anglisht, (për hir të së vërtetës janë 180 intervista, 61 prej tyre të botuara tashmë në vëllimin e parë “Letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut”), dhe drafti aktual me më shumë se 100 intervista është gati për botim. Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj, editoriale, kolumna dhe opinione për dhunën në familje, dhunën ndaj gruas, ndaj fëmijëve, ndaj adoleshencës, të dhunës seksuale maskiliste, për bashkëjetesën e dhunës sociale me atë politike e cila dëmton aftësinë e shoqërisë, duke dhënë mendimin dhe ndihmesën time qytetare, intelektuale dhe krijuese për të kuptuar dinamikën e rritjes së ndërgjegjësimit të vetë shoqërisë. Kam disa vite që merrem edhe me kritika, analiza dhe studime letrare, krijime këto që paraqesin raportin njerëzor mes letërisë artistike dhe letërsisë dokumentare.Dhe nuk janë të pakta shkrimet e mija në këtë gjini, shkrime që kanë marrë vlerësime nga personalitete të njohur në letrat shqipe. Mendoj se ka erdhur koha të botoj edhe një vëllim kryesisht me studime letrare. Do të botoj një vëllim me poezi dhe një libër me publicistikë, analiza, opinione dhe editorialë. Gjithësesi, unë vazhdoj të shkruaj e vetëm të shkruaj çdo ditë 3-4 orë në ditë, një ditë të mos shkruaj, ndjehem “fajtore” ndaj vetes, kohës që ikën dhe nuk vjen më për krijimtarinë time.
-Doja të dija diçka rreth librit tuaj të fundit në prozë me titull “Gjëmimi i moshave”.Cilat janë disa nga “stacionet” që ndesh lexuesi në udhëtimin e faqeve të tij?
-Ky është libri i dytë me tregime, që unë dola para lexuesit. Para këtij kam botuar romanin “Pafajsia e Evës”,dhe librin me tregime “Duke kërkuar Ardianën”. “Gjëmimi i moshave” është një libër bazuar në histori të vërteta,tregime të përzgjedhura, nga motivet dhe përvojat jetësore, rreth personazheve socialë dhe historike, gojëdhënave, por edhe ngjarje të jetuara, eksperiencave dhe gjërave që unë kam patur në jetë, apo i kam përjetuar dhe përfytyruar. Aty ka tregime për dashurinë e sinqertë njerëzore dhe krimin për pasion ndaj dashurisë.Në këtë koleksion tregimesh, veçoj tregimin për princeshën shqiptare, Mamica Kastriotin-, tregim të cilin e kam titulluar “Kali i Princeshës” dhe është vlerësuar me çmimin “Petro Marko”, nga revista Kuvendi në Michigan. Princesha dhe luftëtarja e Kastriotëve, Mamica Kastrioti ka qënë idhulli i atit tim të shtrenjtë, i cili m’i rrëfente si ato legjendat që tregohen për trimëreshat shqiptare, në fëmijërinë time. Ideja për të shkruar këtë tregim më lindi krejt vetiu. Dëshiroja të shpalosja ndjenjën më të bukur njerëzore të saj, dashurinë e një princeshe dhe mishërimin e kësaj dashurie, midis të vërtetës historike, me butësinë e shpirtit luftarak të një kalorëse, dhe me madhështinë, egoisten njerëzore të femrës, mes marrëzisë të dashurisë dhe luftës për liri.Shkrimi i këtij tregimi zgjati gati një vit. Kam shkuar enkas në kalanë e Petrelës, aty ku historia lidhet ndjeshëm me Mamica Kastriotin. Tregimin e kam vendosur në një sfond historik,ta afroja atë epokë legjendare, duke u përqëndrur tek Mamica, simbol i luftëtares së bukur shqiptare. Por në linjën e dashurisë së Princeshës së Kastriotëve, dola jashtë drojës dhe guxova “duke e hequr jorganin, për të parë se çfarë ndodh poshtë tij”, në natën e martesës, duke përshkruar kasollen e intimitetit të tyre, bukurinë shpirtërore dhe fizikë të princeshës, misterin e humanes që shtrihet në trupin lakuriq të një luftëtareje të paepur,në kufijtë e mistikes, filozofikes e artistikes.Është bukuria, brishtësia dhe kompleksiteti i figurës njerëzore të femrës, e cila është frymë, jetë. Thjesht bëra përpjekje dhe them se ja arrita. Dëshiroja vetëm të shkruaja ngjarje të vërteta. Po kështu edhe te tregim “Gjëmimi i moshave”, fabula e tregimit, në përqindjen më të madhe është nga jeta reale dhe përvoja jetësore në të bukurën e të përditshmen njerëzore, është një jetë që i ngjet, si tek elegjia e tregimit të Gorkit, “Hani dhe i Biri”.Ky libër me tregime pati sukses, falë “ujdisë” që unë bëra me personazhet e tregimeve dhe monologun, pothuajse në çdo aspekt të përvojave jetësore, me shumëllojshmëri emocionale, tonale dhe letrare.Tregimet e mia kanë tendencën të stilit -novelë. Ato janë përgjithësisht disi mëtë gjatë se tregimet mesatare, personazhet shpesh evoluojnë, në një periudhë më të gjatë kohe nga sa është e zakonshme, rrëfyer me pikat e shumta të mendimit dhe të mirëbalancuara. Më pëlqen të besoj se libri im me tregime “Gjëmimi i moshave”, demonstron rritjen e ndërgjegjësimit, se vetëm dashuria shpëton botën, ky është cçmimi i saj!
-Mendoni se në njërin prej tregimeve ndodhet dhe jeta e Raimondës?
-Në librin me tregime sa përmenda më lart, ka eksperienca jetësore, por libri që është 80% jeta ime, është romani “Pafajsia e Evës”. Për ta bërë më të bindshëm që aty është jeta e Raimondës, personazhit kryesor i kam vënë emrin e vajzës sime të vetme, e cila është edhe menaxhere e botimeve të mija, Eva. Është një roman autobiografik, udhëtim mbresëlënës e me shumë të papritura, fabula e të cilit sillet e përcillet në segmente të ndryshme kohore nga diktatura në tranzicion e më gjatë. Është një “pëlhurë” e endur me fill historik, në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, histori reale, e gjallë dhe intensive, që përcjell ndërtimin e marrëdhënieve dhe fateve njerëzore, nën dritën e jetës së bukur e të vështirë, por gjithmonë me besimin tek dashuria. Romani pati sukses, u vlerësua nga kritika e kohës, dhe më duhet ta ribotoj.
Njiheni si autore e 12 veprave letrare, në poezi, prozë dhe publicistikë dhe bashkëautore në dhjetra antologji kombëtare e ndërkombëtare, në të treja gjinitë që përmenda më lart. Cila prej tyre është më e dashur për ju?
Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj shumë fort, që ta ndërtoj dhe perfeksionoj krijimtarinë time. Nuk ka qenë e lehtë, me mund e sakrifica fizike, mendore, financiare dhe pasion, jam përpjekur gjithmonë që të jap më të mirën e të bukurën me shkrim. Deri më tani jam autore e 12 librave në prozë, poezi e publicistikë dhe bashkëautore nëtetë antologji kombëtare e ndërkombëtare me poezi shqipe dhe angleze, jam bashkëautore në antologji me prozë e publicistikë, që shkojnë në 20 libra.Respektoj poezinë në maksimum, ashtu si ai fetari që respekton fenë e tij. Unë besoj shumë në të qenët poet në të gjitha çastet e jetës. Tëqenët poet është njerëzore, jo luks. Unë kaloj netë pa gjumë, duke medituar për funksionimin e poezisë, por jo vetëm. Kështu meditoj edhe për prozën, analizat letrare apo publicistikën.Poezia për mua është përpjekja të bashkosh idetë me fjalët, figurat e goditura artistike, muzikalitetin, rimën, kadencën, vargun e lirë, modernen, kombinimin e artit me filozofiken, psikikes me shpirtëroren. Fjalët e përdorura nga poetët janë fjalët ndjellëse dhe kanë tonin qytetar, intelektual, social dhe erotik, ndjejnë sensin që përshkon çdo poet që krijon. Jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti! Në prozë humbet në honet e thellësisë së shpirtit, kujtesës dhe përvojave jetësore në këndvështrimin metaforik. Në prozë je thellësisht i vetmuar, ndërsa në poezi bisedon me natyrën, me zogjtë, me dashurinë, me jetën. Poezia e proza kanë vështirësitë e veta. Poeti e prozatori duhet të jetë i aftë për të dyja. Mua më pëlqen shumë dhe e lëvroj në maksimum publicistikën, sepse në publicistikë nëpërmjet intervistave, editorialet, kolumnat, esse –profile personalitetesh të fushave të ndryshme, është kujtesa dhe identiteti individual, ruajtja e trashëgimisë dhe erducionit intelektual dhe mëncurisë kombëtare në kontekstet shoqërore, kulturore e historike, dhe sjellja e këtyre vlerave në vëmendje, e bën të dallueshme civilizimin e shoqërisë. Por edhe për një arsye tjetër, sepse në ballafaqimet me botën shqiptare dhe të vlerave kombëtare, historike dhe identitetin shqiptar, unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, ndikimin që kanë këto vlera, për ardhmërinë e shoqërisë shqiptare, për brezat që vijnë, me qëllimin e mirë dhe të vetëm -për t’i bërë të njohur të tashmes dhe hapur udhën e integrimit dhe përjetësimt në të ardhmen.
Jeni vlerësuar me disa çmime në poezi, prozë dhe publicistikë. Ndjeheni e kënaqur?
Unë jam ftuar të marrë pjesë në disa festivale letraro-artistike, kombëtare e ndërkombëtare, si kundër; Netët Poetike Ballkanike në Korçë, jam vlerësuar me çmim special, çmim të parë, dhe me çmimin “Perëndesha e dashurisë”.Kam marrë pjesë në takimet e poeteshave në Vushtri, ku jam vlerësuar me çmimin special të qytetit të Vushtrisë, në festivalin poetik Drini në Prizren, Takimet e At’Gjeçovit, ku poezia ime me ton qytetar e intelektual “Nuk mundem më..!”, u vlerësua si një nga poezitë më të mira, në ditët e poezisë Joniane,në festivalin poetik ndërkombëtar, të quajtur Netët Poetike të Strugës, ku poezia ime u vlerësua në antologjinë botërore Ëho’s Ëho-“Poetry from five continents” mes 84 poetëve nga e gjithë bota, jam fituese e çmimit të parë në poezi nga revista “Nositi”, Pogradec, jam vlerësuar me çmimin “Petro Marko“ në gjininë e prozës nga revista Kuvendi, Michigan, Detroit, me çmime të parë në reportazh, çmim të dytë në publicistikë, etj. Vlerësimet nga kritika e kohës, qëndrojnë në faktin se puna jote krijuese është lexuar e vlerësuar, mesazhi ka shkuar te lexuesi, dhe kjo të jep muzë,forcë e kurajo, frymëzim, dashamirësi dhe përgjegjësi profesionale për më tej.
Sa sakrifikoni ju për të krijuar një libër, deri sa ai të marrë formën që ju dëshironi?
Çdo gjë në jetë është bashkëpunim, bashkëbisedim dhe mirëkuptim. Të gjithë faktorët natyrorë, njerëzorë dhe fizikë bashkëpunojnë dhe bashkëbisedojnë të prodhojnë mirëkuptimin, frymë e jetë, zhvillimin e shoqërisë dhe vazhdmësinë e jetës në këtë botë. Edhe puna e shkrimtarit është bashkëpunim e bashkëbisedim, nën shoqërinë e frymëzimit, ai bisedon dhe bashkëpunon me personazhet, duke lexuar apo shkruar, bisedon dhe bashkëpunon në heshtje me çdo objekt që e rrethon si pjesëe natyrës, bisedon dhe bashkëpunon me çastin në çdo vend, kohë e situatë. Unë shkruaj më mirë dhe më shumë, kur jam “nën sundimin” e stresit dhe të vetmisë. Kjo ndodh, sepse më bën mua jo vetëm të ndjehem më e përkushtuar ndaj të shkruarit, por larg vështrimit të të tjerëve, unë bisedoj e bashkëpunoj, me ngjyrat e ndjenjave dhe sfidat e jetës, se jeta ka shumë gjëra dhe këndvështrime të ndryshme, unë jam ajo që do të bëj lidhjen dhe përballjen me to, që t’i bëj të njohura nëpërmjet talentit dhe artit të të shkruarit. Sepse shkrimtari ka strategji dhe “mban nën mëngë çelësin sekret”, shqisat e tij/esajbëhen ëndërrimtarë, që nuk ngurrojnë të rrëfejnë realitetin e këndvështrimeve, muzës, personazheve dhemendimeve me idetë dhe shpirtin artistik, botën dhe ëndrrat, magjiken, realen dhe filozofiken. Është vërtet e cuditëshme, por unë kam shkruar shumë në këto vite. Fëmijët e mij u rritën, dhe kjo më dha kohë e mundësi më shumë, por edhe e relaksuar nga ajo ideja e të ndjerit jo fajtore se i kam lënë jashtë vëmendjes time, për të cilën ata kishin nevojë dikur. Unë, megjithëse jam zonjë shtëpie dhe gjyshe, mund të rri me orë e orë të tëra mbi kompjuter, pa pirë edhe një kafe. Kur unë filloj të shkruaj, jam e gjitha brenda krijimit tim, me mendimin se kjo është bota e puna ime dhe jam unë ajo që duhet ta bëj dhe askush tjetër. E shkruaj dhe e rishkruaj shumë herë, për të patur perceptimin e veçantë në gjuhën dhe fjalët që do të përdor. Kur shkruaj prozën, përpiqem të bashkëpunoj me një fjali apo një paragraf shtesë,dhe ka më hapësirë për këtë, se si t’i bëj personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Unë e kam rishkruar disa herë krejtësisht romanin që kam në dorëshkrim, për ta përmirësuar atë sa më mirë si nga struktura gramtatikore, letrare dhe artistike, për ta shëndrruar atë më pas në produkt botimi. Toni i temave dhe personazhet të trajtuar në roman, janë shumë interesante e të ndërlidhura, kështu që unë nuk mundem ta shkruaj romanin në pak fragmente, por bisedoj e bashkëpunoj me cdo gjë në libër deri në draftin final i përshtatur për botim. Unë qëndroj në vetmi për orë të tëra dhe shkruaj, pa e ditur as vetë se ku jam dhe ku do të përfundojë rrëfimi. Kjo më merr edhe kohën dhe është një fazë shumë e vështirë, por edhe tejet interesante. Edhe pse askush nuk është aty me mua unë nuk i dorëzohem vetmisë.Pas kësaj unë e lë të shkruarin, për një kohë, dal nga të qenit aq thellë në historitë e personazheve të mija. Zhytem thellë në procesin kërkimor të korrigjoj gabimet ortografike dhe strukturën ideore, për ta vënë punën në vijë, dhe të pergatitem për të shkruar raundin tjetër.
Keni bashkëpunim me shkrimtarë, poetë, këngëtarë, aktorë, modeliste, stiliste shqiptare këtu në Amerikë?
Sigurisht që kemi bashkëpunim me shkrimtarët dhe poetë të grupuar në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, por edhe me shkrimtarë jashtë këtij grupimi. Bashkëpunimi ynë konsiston nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që organizojmë, sikundër,“Audiencë me Shkrimtarë e Poetë”, promovime të botimeve të reja dhe simpozium shkencore e studimore për letërsinë, ku shkëmbejmë mendime dhe eksperiencat tona krijuese, debatojmë idetë dhe mendimin kritik letrar, që kanë efekt të thellë në letërsinë shqipe. Por edhe me artistë të tjerë bashkëpunojmë në veçanti me këngëtarët duke i “ushqyer” me tekste këngësh, apo në evente të ndryshme ku ata japin kontributin e tyre duke kënduar, pra së bashku shkrimtarë e artiste, rrëfejmë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptare, dhe asaj shqiptaro – amerikane.
Çdo të thoshit për talentin e talenteve të reja, të cilët në SH.B.A., po rrezatojnë sukseshëm me autorësinë e tyre në të gjitha fushat e jetës?
Sukseset dhe arritjet e tyre të shtojnë krenarinë shqiptare, të bëjnë të ndjehesh i mrekulluar për imazhin e mirë të Shqipërisë sonë që ata përfaqësojnë, por ajo ç’ka është më e rëndësishme, është ruajtja e vlerave tona kombëtare, gjuhës, traditës, dhe zakoneve shqiptare, si respektues të ligjeve dhe zakoneve të vëndit ku ata punojnë, krijojnë dhe janë të suksesshëm, dhe jo vetëm kaq. Eesenca e tyre është historikja dhe ruajtja e erudicionit të identitetit shqiptar në Amërikën multikulturore.
Nëse nuk do të ishit krijuese, cila do të ishit?
Me sytë e mendjes e të shpirtit, me krahë të fortë e mendje të shëndoshë, përmes përvojave të ndryshme, arrin në një moshë që bën dallimin për të parë atë që gjithkush ka marrë dhe për të dhënë në jetë. Unë jam diplomuar për gjuhën angleze dhe kam qenë mësuese në qytetin tim të Korcës, për një kohë relativisht të kënaqëshme, që më ka dhënë mua pasionin e dëshirën se për çfarë kam lindur e cfarë duhet të bëj në jetë. Pra në një mënyrë apo tjetër gjithsecili nga ne është vëzhgues i vetvetes dhe ky është një dallim i madh. Në rast se unë nuk do të isha krijuese, pa hezitim do dëshiroja të isha aktiviste për të drejtat dhe liritë e grave, të luftoj me çdo mjet, intelektual,qytetar e njerëzor për dhunën ndaj gruas. Gjithsesi, edhe këtë kontribut unë e pasqyroj me shkrimet e mija, ku unë “dialogoj ”dhe i bëj apel shoqërisë shqiptare, gjinisë mashkullore në veçanti, për të çrrënjosur dhunën ndaj grave e vajzave, për t’i ndihmuar ato të arrijnë standartet e jetës dhe dinjitetin njerëzor. Detyra ime si grua, nënë dhe autore, nëpërmjet shkrimeve të mija të publikuara në median shqiptare, në atë shqiptaro-amerikane, është të sensibilizoj realitetin, të ngre zërin në mbrojtje të grave, nënave e vajzave që vazhdojnë e vriten cdo ditë, për ta sfiduar atë mizoren dhunën fizike e sociale që ushtrohet ndaj tyre. Kjo është ajo që një shkrimtare është në njëfarë mase edhe aktiviste për liritë e të drejtat e grave. Gruaja për Gruan, sjell zhvillimin e shoqërisë, njerëzoren, intelektualen dhe qytetaren, ndikimin në jetën e tyre, në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës.
Për ju është disi më e vështirë të shkruani për Korçën ku ju jeni lindur, apo në Hardford, ku dhe jetoni aktualisht?
E dua ndjesinë e asaj kohë të paanë, të mrekullueshme dhe e pafundme.Sa herë shëtis rrugëve të Korçës, më duket sikur koha vetëm ngadalëson. Ka shumë më tepër kohë për miqësi, për vëmendjen ndaj vetes dhe njerëzve që të rrethojnë. Kjo është ajo gjallëria e jetës korçare, ç’ka mua më mungon këtu në Hartford, Shtetin e Kënektikat-it (Connecticut) dhe jam banore prej gati dy dekadash. Kur u vendosa fillimisht këtu, teksa vozitja rrugëve të Hartford-it, karakteristika e parë që vura re, Hartfordi më ngjante mondan dhe modern si Korça ime. Sa më shumë ecja në brendësi, në zemrën dhe pjesën qëndrore të Hartfordit, aq më shumë më forcohej mendimi: ky është një qytet shumë “korçar”. Kam ndjesinë se cçdo gur e çdo formacion shkëmbor që përshkon e rrethon Hartfordi-in, përmban jo vetëm historinë e tij, por unë e shëmbëllej me gurët e rrugicave karakteristike korçare dhe shpatullat e Korçës sime mbështetur përjetësisht në malin e Moravës, dhe kanë historinë e tyre. Në Hartford ka ndërtesa karakteristike si ato të qytetit tim, apo ndërtesa në formë “vapori”, si ajo që ka qenë dikur në qendër të Korçës,(ish-Farmaci) ndërsa sot Prefektura e qytetit. Parkun historik e kombëtar hartfordian Elizabeth, e shëmbëllej me parkun kombëtar, Rinia dhe belvederen që vështron këtë park të magjishëm korçar. Forcën e dijes, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korçare, themelimin dhe muzeumet për identetin individual dhe zhvillim historik të Korçës, i shëmbëllej dhe i lidh me historikun hartfordian.Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet interesimi im për të mësuar, zbuluar dhe njohur më shumë historikun e Hartford-it, ngjashmërinë e mrekullueshme që ka me Korçën time në art, letërsi, kulturë, arkitekturë dhe antikitet. Në Hartford jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e tij, një nga autorët më të njohur në botë, Samuel L.Clemens, i njohur si Mark Tëain, me më shumë se 30 libra, qindra tregime dhe esse, leksione e studime shkencore. Mark Tëain është i njohur edhe për shtëpinë e tij muze me shumë dhoma dhe ambiente, bibliotekat, dhomat e studimit, muze, teatro, kinema, oborr të madh, lulishte me gjithfarë lulesh, gjelbërim, belvederen, shatërvanët, dhe statuja të ndryshme, që shprehnin forcën e dijes e të kulturës të jetës e veprës së tij.Teksa vizitoja shtëpinë muze të Mark Tëain-it, më përqasej Shtëpia Muze e Shkollës së Parë Shqipe në Korçë, me shumë dhoma, (klasa) që përhapnin dije, shkrim e kulturë, oborri me shatërvanin dhe monumentin më gërmat simbolike dhe korrespondimi kohor.Veprimitaria letrare, historike, klasike dhe mbresëlënëse e tij, më përqas dhë shëmbëllen gjurmët e kontributit dhe veprimtarisë së figurave të shquara korçare si Asdreni, Foqion Postoli, Thimi Mitko, etj., të cilët edhe ata shkruanin në shtëpitë e tyre anës lumit që rridhte përmes Korçës. Këta korçarë të shquar bënë revolucionin në letërsinë realiste moderne shqiptare, shkrimtarë që trashëguan artin folkorik, gjurmë e simbole këto, mishërimin e të vërtetave historike dhe korespondimin kohor tipike si ato të Mark Tëain-t në Hartford, ndërsa ata në Korcë. Dhe jo vetëm kaq! Por edhe në shekullin e 20-ë dhe 21-ë, Korca ime ka akoma si Mark Tëain-i , që nga Kristaq Cepa alias KAPA- dhe Dritero Agolli, Petraq Kolevica dhe Vangjush Ziko, Petraq Zoto dhe Sotir Andoni, etj. Mark Tëain i Hartford-it ka qenë edhe filantropist.Ai ka ndërtuar Spitalin e Hartford-it dhe Bibliotekën qëndrore të qytetit,- sikundër bëri filantropisti Thoma Turtulli i Korçës, i cili ndërtoi spitalin e Korçës dhe Bibliotekën e qytetit. Ja pra kjo është ajo, pse unë e gjej veten në Hartford-in perëndimor ,si në Korçën time europiane, ç’ka më frymëzon dhe më bën të ndihem krenare. Ja pse unë vazhdoj të shkruaj në dekorin e Hartfordit “korçar”.
Cila është ajo ndjenjë, që troket më shpesh tek ju?
Pa dyshim, toleranca, durimi dhe falja,te cilat sot duhen te jene prezente ne shoqerine e sotme shqiptare.
Ndërkohë në Shqipëri ju keni dërguar disqe me fjalime të mbajtur nga Fan Noli ynë i madh. Përse e keni bërë këtë gjest human, kur kjo gjë është detyrë parësore e vet shtetit shqiptar?
Unë rrjedh nga një familje fanoliste. Për herë të parë emrin e Fan Nolit, e kam dëgjuar në moshën 7 vjeçe. Po shihja gjyshin tim të ndjerë, që më donte pafundësisht, se ishte shumë i shqetësuar. Qe përkulur përmbi radion tonë të vjetër, sikur donte ta përfshinte me të dyja pëllëmbët e tija të mëdha, të mplakura dhe aq të dashura për mua. Për një cast ngriti kokën plot dëshpërim e sy të përlotur. Radio-Tirana sapo kish transmetuar lajmin se kish vdekur historiani, atdhetari, poeti, patrioti i rilindjes, Fan Stilian Noli. Kur u rrita dhe mësova të lexoja, nga dita në ditë, rritej interesimi im për Fan Nolin. Lexoja gjithçka çfarë shkruhej për të. Sigurisht në atë kohë ishim të mbyllur, dhe kontakti me botën, ku Noli kishte jetuar, aktivitetin e tij për kombin dhe krijimtarinë e tij, ne nuk e njihnim mirë; merrnim aq sa na ofronte koha që jetonim. Më vonë, duke u rritur, arësimuar e maturuar, rritej edhe vizioni im, për të ditur më shumë për këtë kolos të letrave shqipe, për këtë historian, poet, politikan, fetar e patriot. Por brenda qenjes sime, rrinte strukur dëshira e heshtur dhe ëndërra e gjyshit fanolist për të vizituar varrin e Nolit. Fati im e deshi që unë të vija në USA, dhe të banoj, gati një orë e ca larg vendit ku Noli jetoi dhe zhvilloi aktivitetin e tij historik. Dhe ja arrita qëllimit shkova te varri i Nolit me mbështetjen e atdhetarit e patriotit, Thanas Laskaj, i cili jeton ende, dhe është nga të fundmit e erës fanoliane. Do të ishte po Xha Thanasi i cili i ka ruajtur kasetat e çmuara me zërin e Nolit, dhe u tregua i gatshëm për të m’i dhënë. Më pas unë bëra disa kopje e ua dërgova me postë miqve e kolegëve të mij më të mirë. Kur shkova në Shqipëri, bëra edhe kopje të tjera e ua shpërndava jo vetëm miqve të mij, që i kam të shumtë, por edhe disa studiove televizive në Korçë dhe Tiranë. Isha më e lumtura e botës, isha unë ajo që i kisha futur në atdhe kasetat e Nolit. Ato janë një thesar i çmuar, për historinë e kombit shqiptar. Kishte njerëz që më thoshin, mos i jep kasetat, pa të paguar, mirëpo, o Zot, a shitet Shqipëria, shqiptaria, a shitet Noli…?! Fan Noli nuk është vetëm i imi, është i gjithë popullit shqiptar. Është ky popull që nxori Nolin e madh.
Jetoni në kryeqytetin Hardford të shtetit Konektikat, ku dhe jeni vlerësuar me titullin “Gruaja e vitit në komunitet”. Ç’përbën për ju ky vlerësim?
Një nga aktivitet humane dhe shpirtërore që kam organizuar me gra emigrante ekonomike nga Shqipëria këtu ku jetoj, ka qenë prerja e flokëve nga këto gra dhe dhurimi i tyre, Qendrës Spitalore të Kancerit, Saint Francis Hospital, për gratë që vuajnë nga kanceri në gji. Ju e dini se, nga bioterapitë që kalojnë gratëe sëmura, atyre iu bie floku. Nga aktivitetet pararendëse dhe ky aktivitet mori vlerësime nga Departamenti për “HUMAN RELATIONSHIP”, nëBashkinë e Hartford-it. Ishim 15 gra shqiptare. Është gjithmonë ai shpirti i brishtë femëror, përpjekjen për tapromovuar shpirtine mirë qytetar dhe intelektual, brishtësinë femërore shqiptare, duke ndarë së bashku eksperienca të tilla njerëzore, me gratë amerikane ku ne tashmë jemi integruar, në jetën e përditshme. Pra si rrjedhojë e vlerësimit të aktivitetit tim në dobi të komunitetit, u vlerësova nga Bashkia e Qytetit të Hartfordit, mes disa grave të kulturave të tjera si “Gruaja e vitit në komunitet”. E thashë pak më lart ky vlerësim merr kuptimin e njohjes së shpirtit human të gruas shqiptare.
Prej 10 vjetësh ju aderoni në Partinë Demokratike Amerikane. Çdo të thotë të jesh anëtare e kësaj partie?
Kam 10 vjet une aderoj në Partinë Demokratike Amerikane. Qëllimi im që unë investoj si anëtare e kësaj partie, vjen si domosdoshmëri për të ngritur zërin e komunitetit shqiptar të Hartfordit; për ta integruar sa më bukur atë në demokracinë amerikane; sigurisht duke pasur edhe një ndjenjë respekti e mirënjohje edhe për Bill Klintonin, (koha kur unë u anëtarsova) si një personalitet dhe burrë shteti, që i doli në mbrojtje popullit tonë shqiptar të Kosovës. Që, për më tepër, Klinton i tregoi botës dhe Europës kristiane, se si një kristian, mbron të drejtën e një populli të besimit mysliman, duke dalë hapur në mbrojtje të popullsisë myslimane të Ballkanit, duke ju kundërvënë edhe me gjuhën e luftës, makinës vrasëse serbe dhe kasapit Millosheviç. Zoti bekoftë Amerikën dhe Bill Klinton!
Nëse do të jetonit në Shqipëri , cilën prej partive do të përfaqësonit?
Unë jam Fanoliste, idealiste! Partia ime është patriotizmi, dashuria për atdheun, shqiptaria. Shkrimtarët nuk janë partizanë të politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror.Një shkrimtar mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar.Shkrimtari duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij krijues. Kjo është sfidë e frikëshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Është lojë e rrezikshme t’i kërkosh shkrimtarit se çfarë ata mendojnë politikisht. Për mua janë ndjenjat idealiste që më bëjnë të shkruaj për dhimbjen e dashurinë e të tjerëve, sigurisht edhe timen.Dashuria njerëzore triumfon në jetë, mbi politikën. Në artin e të shkruarit më e vështira për mua është pjesa kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthej në fenomen shoqëror dhe historik.
Jeni Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Anëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Botës me qendër në Ohio, SHBA, Anëtare e Shoqatës së Poetëve të Botës, me qendër Larisa, Greqi, Anëtare e Shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”, Tiranë, etj, editorialiste në shtypin shqiptar, Amerikë, Londër , Kosovë dhe trojet shqiptare. Karrierë tejet mbresëlënëse. Si do e vlerësonit bashkëpunimin me to?
Angazhimi im, me zgjedhjen si kryetare e shoqatës, është aktiv, angazhim ekstra me vullnet e dëshirë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika, përballemi me vështirësitë që hasen në emigracion prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Me mbështetjen e Kryesisë, të Presidentit të SHSHSHA – së, poetit e publicistit Adnan Mehmeti dhe anëtarëve të saj, ne kemi mbajtur Simpoziumin Shkencor me temë “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë, “Audiencë me shkrimtarët”, promovime të botimeve të reja të shkrimtarëve e poetëve.. Në muajin prill ose maj nuk e kemi vendosur akoma datën, organizojmë aktivitete letrare me tema të tjera. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro – amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës, ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro – amerikane. Ndërsa bashkëpunimi me organizmat e tjera sigurisht e kam nëpërmjet krijimtarisë sime, editoriale, kolumna, analiza, opinione, eksperienca krijuese, social-kulturore që ndajmë së bashku. Me shtypin shqiptar, statusin e gazetares e kam fitur me mund, djersë, krahë të fortë e mëndje të shëndoshë, për të qenë pranë klithmave të popullit në kohën e vendin e duhur, një bashkëpunim dinjitoz e profesional.
Çdo të thotë për ju, të qenurit person publik?
Duhet akoma punë e kontribut që të arrij statutin e të qënit person publik. Unë jam, qytetare, intelektuale, grua, nënë, gjyshe, autore sikundër janë edhe shumë nga simotrat e mija, kaq është e mjaftueshme për të qenë dikushi në jetë.
Përse shkruan Raimonda?
Takimi im me Artin e të shkruarit është magjik në mënyrën se si gjërat perceptohen dhe rrëfehen më pas. Vetë krijimtaria ime dhe nga ç’ka ju tregova më sipër, nënkupton përgjigjen se përse unë shkruaj.Më pëlqen ta kem tavolinën e kompjutërit pranë dritares ,se kur shkruaj dua edhe të sodit natyrën dhe gjithçka ndodh jashtë asaj dritare.Të shkruarit është si perëndia. Dhe unë shkruaj se dua t’i rrëfehem asaj. Këtë liri dhe sinqeritet, vendosa ta reflektoj nëpërmjet artit të të shkruarit, ku liria ime është e pafrikshme, e çiltër e pa komplekse. Që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në jetë,dhe lirinë për t’u shprehur e shkruar. Ka drama sociale, tragjedi të dhimbshme përtej dhimbjes, që mua më dhëmbin në shpirt, lënë gjurmë të thella në shpirtin tim, ka dashuri të mëdha e të bukura në lirinë dhe jetën time dhe të gjithsecilit dhe unë i kam përjetuar me forcën e shpirtit dhe reflektuar në krijimtarinë time.
Cilat prej gjinive që ju lëvroni, pretendoni se ju kanë bërë të sukseshme?
Publicistika dhe Poezia.
Cila shprehje e bukur,ju ka lumturuar nga takimet e bisedat me njerëz të artit, lexues apo e -mail që ju kanë dërguar?
Vlerësimet janë të shumta, nga kolegë, shkrimtarë, poetë, dashamirës të artit e letërsisë, ndjekës të aktivitetit tim krijues jo vetëm në rrjetin social Facebook dhe Instagram, por edhe nga pena të njohura të letrave shqipe e gazetarisë kanë shkruar për mua, në shtypin shqiptar dhe online, si Vangjush Saro, Vangjush Ziko, Vasil Tabaku etj, vlerësime nga prof. Nasho Jorgaqi, nuk më kujtohen për momentin se janë aq shumë sa bëhet një libër voluminoz. Ja si shprehet publikisht në rrjetin social FaceBook, z.Genc Mlloja, diplomati, publicisti, analisti dhe kryeredaktori i gazettes,”Albanian daily aees”gazetë e vetme që del në gjuhën angleze në Shqipëri,Ballkan dhe krahas gazetave prestigjioze në Europë,për bashkëpunimin disa vjeçar,dhe në vazhdim me Raimonda Moisiun. Genc Mlloja: “Kënaqësi, fat të bashkëpunosh me ju për Albanian Daily News”. Dhe vlerësimi shumë modest i publicistit të njohur Dalip Greca, që thotë se: “Raimonda kurrë nuk shkruan për vete! Vërtet vlerësime të tilla të lumturojnë dhe të shtojnë forcën dhe frymëzimin për të shkruar.
Çfarë vlerëson më shumë në jetën e një njeriu?
Sinqeritetin, ndershmërinë, humanizmin dhe vitalitetin e shpirtit, mbi të gjitha virtytin e mirësisë dhe dashurinë njerëzore.
Cilët janë për ju Korça dhe Korçarët?
Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korçë,“24 karat korçare” i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen,vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit, kulturës e dijes,që e pasurojnë të tashmen tone, mes të bukurës e të përditëshmes njerëzore.
Cila është ëndërra ende e pazbuluar e Raimondës, e cila synon ta realizoj atë në të ardhmen?
Sigurisht të gjithë kemi të tilla, por ato kanë rëndësinë e tyre të veçantë në jetën tone. Në rastin tim ato marrin kuptim nëpërmjet letërsisë. Pra dua vërtetë, që viti 2015 të jetë viti i botimeve të mija.
Intervistoi:FADIL SHEHU- Florida, Mars 2015
PROF. MENTOR PERMETI-Ikja e simbolit të shkencës së bujqësisë
Nga ILLO FOTO/Astoria- New York/
Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
Gjatë luftës për çlirim, ai u aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike – teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse.
I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit. Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë ose i dënonte padrejtësisht.
Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj. Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij.
Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak diskreditimi të politikës së partisë në pushtet.
Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend, bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere.
Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës.
Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit.
Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
Bujqësia e sotme shqiptare, është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara është e pafalshme.
I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”!
KËNDVËSHTRIM PËR THIRRJEN E 1899
“THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË”/
Plotësime dhe saktësime/
Shkruan:Arben LLALLA*/
Dokumenti i njohur me titullin “THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË” është marrë nga libri me titull “Η ΠΡΟΚΗΡΥΞΗ ΤΟΥ ΑΡΒΑΝΙΤΙΚΟΥ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ”. Ky libër është botuar në vitin 1996 nën kujdesin e studiuesit Aristidh Kola i cili ka bërë dhe komentet e tij. Libri është botuar nga shtëpia botuese “THAMIRIS”, themeluar nga Aristidh Kola.
Kjo THIRRJE, për ata që thellohen në analizimin e saj ngjallë dyshime serioze sepse në të gjithë brendinë e saj askund nuk përmenden emrat e përpiluesve të këtij Dokumenti Historik, siç është quajtur në botimin e librit, vetëm në fund na paraqiten tre nënshkrimet me mbiemrat Shehu, Boçari, dhe Xhavella, të cilët këta mbiemra i mbanin familje të shquara arvanitase. Mendoj se përdorimi i këtyre mbiemrave të tyre mund të jetë bërë qëllimisht për të hedhur hije dyshimi për njollosjen e ndershmërisë së këtyre familjeve të njohura arvanitase. Dyshoj se edhe kësaj rradhe mund të jetë përdoruar thënia: “përçaj e sundo”, duke e ditur zëshmërinë e këtyre familjeve që mbanin këto mbiemra, prejardhjen dhe veprimtarinë e tyre në krahinën e Sulit të Janinës, krahinë e njohur kjo për luftërat që ka bërë kundra turqve dhe Ali pash Tepelenës që në vitet 1770 e në vazhdim deri në pavarësinë e Greqisë.
Esenca e THIRRJES është një dëshmi e rreme, e cila flet për një lidhshmëri shpirtërore dhe gjaku mes shqiptarëve dhe grekëve jo vetëm gjatë shekullit 19. Gjë, që faktikisht një lidhje e tillë asnjëherë nuk ka ekzistuar mes këtyre dy popujve.
E gjitha kjo, e mbështetur në fakte të pa qenë paraqitet përmes një programi që në THIRRJE arsyetohet në tetë pika të përbashkëta bashkimi.
1-. Në pikën e parë ku thuhet: “Dheu i Greqisë është i garantuar dhe askush nuk mund ta shkelë, edhe po shkeli do ikë shpejt”.
Hartuesit e THIRRJES në këtë pikë kanë të drejtë sepse ekzistojnë marrëveshje që interesat e mbretërisë Greke i mbronte Rusia. Familja mbretërore greke e Gjeorgjit të Parë kishte krushqi me familjen perandorake ruse. Në vitin 1889, Aleksandra vajza e mbretit të Greqisë Gjeorgji i Parë u martua me Pavlon djali i dytë i perandorit rusë Aleksandri i dytë.
Greqia kishte përkrahje edhe nga mbretëria e Danimarkës sepse mbreti i saj në atë kohë Gjeorgji i parë vinte nga familja mbretërore e Danimarkës. Edhe klasa politike-kulturore Europiane kishte shfaqur admirim për Kryengritjen greke të 1821.
2-. Në pikën e dytë thuhet “Grekët janë fara jonë dhe ne jemi vëllezër të larguar, pasi janë edhe ata bij të gjyshërve tanë, pellazgjikëve”.
Në këtë pikë hartuesit e THIRRJES gabojnë rëndë. Sepse sipas shumë studiuesve të huaj të asaj kohe kishin nxjerrë përfundimin se grekët nuk janë Pellazgë, por egjypto-finikas dhe asnjëherë vendas në Ballkan.
3-. Në pikën e tretë shkruajnë “Kemi të bëjmë me Greqinë, pse kemi mijëra arvanitas këtu dhe gjuha arvanitase flitet gjer brenda në Athinë”.
Kur është fjala rreth kësaj çështje kemi të bëjmë me një fakt të pa mohueshëm. Sepse në vitin 1899, gjuha arvanitase(nën kupto gjuha shqipe) flitej deri në oborrin mbretëror, dhe popullsia arvanitase përbënte shumicën e popullsisë të Greqisë të asaj kohe. Vetë familja mbretërore greke në vitet 1890 kishin shfaqur interes për të mësuar gjuhën arvanitase dhe hapjen shkolla në Greqi të mësimit të gjuhës arvanitase.
4-. Në pikën e katërt përmendin “Sepse liria e Greqisë është gatuar edhe me gjakun arvanitase dhe po të mos qenë arvanitasit, Hidrasit, Speciotët, Poriotët, Suliotët, Himariotët, etj. Nuk do të mundte të çlirohej Greqia”.
Bota Europiane, asaj kohe ishte dëshmitare se arvanitasit ishin më meritorët që kontribuan për Çlirimin e Greqisë. Heronjtë arvanitas tashmë ishin bërë protagonistët e vargjeve popullore.
5-. Në pikën e pestë gabojnë kur thonë “Grekët dhe arvanitët kanë të njëjtat zakone dhe të njëjta sjellje, veshin të njëjtat veshje-fustanellat, flasin gjuhën tonë dhe ne të tyren dhe nderin e familjes e kemi dhe ata dhe ne, mbi kryet tona e jo nën këmbët siç e kanë të tjerët, që nuk dinë ç’do të thotë nderi i gruas dhe i kanë gratë e tyre hoteleve e birrarive të hargalisen me botën e huaj para syve të tyre! Zoti e ruajt arbërin nga një gjendje e tillë”.
Në këtë pikë hartuesit mundohen të paraqesin një mishërim mes dy popujve në çdo sferë të jetës. Duke u nisur nga çështja gjuhësore, veshja tradicionale popullore, doket, zakonet dhe arrijnë deri në çështjen më sublime, nderin familjar që njihet si karakteristikë e veçantë vetëm e popullit arvanit. Asaj kohe në mesin e arvanitasve e flitnin gjuhën greke vetëm disa politikanë arvanitë, kurse ata grekë që dinin gjuhën arvanitase ishin në të vërtetë vetë arvanitas. Për veshjen popullore të fustanellës dihej që nuk i përkiste veshjes popullore greke. Ishte lakmia greke që kishin për trimërinë arvanitase që i detyrojë ata ta veshin dhe ta bëjnë veshje të tyre kombëtare. Duke menduar se me veshjen e fustanellës do ti bartin edhe virtytet që posedonin arvanitët.
6-. Në pikën e gjashtë shkruajnë se “Grekët janë pak, siç jemi dhe ne, nuk do të mundin kurrë të na bëjnë si të duan e të na helenizojnë, por do të jemi në jetë të jetëve arbër përkrah tyre”.
Mungesa e një krahu të fortë politik arvanitas u reflektua me shumë pasoja, sa që mungonte një fuqi për të kundërshtuar një histori të rreme ku thonin se arvanitasit ishin pak, na barazonin me një numër të vogël grekësh që në një farë mënyre me arvanitasit e Greqisë ja kishin arritur qëllimin rreth çështjes të asimilit ku gjuha arvanitase nuk njihej zyrtarisht në mbretërinë e asaj kohe.
7-. Këtu hartuesit e THIRRJES thonë “Se në të vërtetë shkronjat arvanitase janë ato të greqishtes dhe ne me grekët të bashkuar të kemi shkronjat tona të natyrshme, të shkruajmë me gërmat tona dhe jo vllaçe, italiane si ato që sajojnë në Bukuresht e gjetkë”.
Arbërit, duke i pasur të njohura pretendimet e grekëve, gllabërimin e çdo gjëje të huaj dhe përvetësimin në mënyrë profesionale të gjërave, ndrojtje të madhe paraqitën rreth çështjes së shkronjave, të shkruarit të gjuhës shqipe. Kërkesë primare e intelektualëve arbër të kohës ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkuptonte mosnënshtrim qoftë ndaj grekëve, qoftë ndaj turqve.
8- Grekët i njohim e na njohin. Jetuam mijëra vjet me grekët e jetojmë ende si vëllezër, sepse farat tona, Grekja dhe Arbërorja, gjenden në një vend që u përket të dyve. Mijëra grekë jetojnë brenda në Arbëri dhe mijëra arbër jetojnë brenda në Greqi dhe kurrë deri më sot nuk luftuan njeri-tjetrit. Dhe në Arbëri grekët dhe arvanitasit jetojnë si vëllezër, dhe në Greqi arvanitasit me grekët jetojnë si vëllezër, sëpse të dy popujt grek dhe arbër jetojnë në vende që u përkasin që të dyve, dhe nuk është njëri popull në tokën e tjetrit si në tokën e huaj. Ajo çka është greke është dhe arvanitase dhe ajo çka është arvanitase është dhe greke. Gjaku nuk bëhet ujë!
Në këtë pikë hartuesit e THIRRJES tregojnë qartë pretendimet e grekëve edhe në historinë e lashtë shqiptare, në gjuhën edhe në racë.
Greqi dhe Serbia në vitin 1861 dhe 1867 kishin nënshkruar dy marrëveshje për zgjerimin e kufinjëve të tyre në dëm të territoreve që njiheshin dhe banoheshin nga popullsia shqiptare. Në vitet 1860 politika dhe kisha greke punonte me një propagandë të ashpër që të gjithë ortodoksit shqiptar të quheshin grekë. Parrulla e tyre ishte që çdo ortodoks që jetonte në Perandorinë Osmane ishin grekë, dinin apo nuk dinin gjuhën greke. Grekët e Stambollit ishin kundërshtarët më të flaktë kundra kulturës shqiptare. Ata të grumbulluar në shoqatën ,,Për përhapjen e kulturës greke,, me qendër në Athinë kishin hapur shumë shkolla greke në qytetet shqiptare si Berat, Sarandë, Janinë, Prevezë etj me qëllimin për asimilimin e ortodoksëve shqiptar.
Në vitin 1975 Greqia kishte arritur të hapte Konsullatat e saja në Shkodër, Artë, Prevezë, Janinë, Sarandë, Gjirokastër dhe Durrës. Zyrat diplomatike greke në Vilajetet shqiptare një propagandë për të realizuar ,,Megali Idenë,,. Në vitin 1878 në qytetin e Himarës vërshuan njerëz të armatosur të ardhur nga Athinë të cilët filluan të terrorrëzonin popullsinë shqiptare. Në të njëjtën kohë luftëtarë grekë sulmuan me armë popullsinë shqiptare.
Në Kongresin e Berlinit më 1878 Greqia kishte kërkuar haptazi marrjen e Vilajetit të Janinës. Ngjarjet historike që nga vitet 1850 e në vazhdim tregonin që grekët kërkonin me çdo kusht zhdukjen e shqiptarëve nga banimet e tyre në qytetet e vilajetit të Janinës. Shihet qartë se grekët nuk i ndjenin shqiptarët si vëllezër dhe aleatë siç mendohet nga hartuesit e THIRRJES. Kisha greke kishte vrarë dhe helmuar shumë mësonjës që kishin hapur shkollat për mësimin e gjuhës shqipe në ato vite.
Në Shqipërinë e jugut në ato vite jetonin rreth 30.000 mijë grekë të cilët kishin ardhur si buqë në tokat e bejlerëve shqiptar. Kurse në Greqi shumica e popullsisë fliste gjuhën shqipe deri në oborrin mbretëror.
Në përfundim duhet thënë se çdo lëvizje e atyre viteve për bashkëpunim apo bashkim në një Federatë greko-shqiptare ishin të dënuara të dështonin si nga ana teorike ashtu edhe praktike. Intrigat zyrtare dhe jo zyrtare greke kundra ekzistimit të kombit, gjuhës dhe kulturës shqiptare kishin filluar që në kohës e mbretit Otton kur kërkohej të realizohej ,,Megali Idea,,. Politika greke në fund të shekullit 19 kishte filluar të tërhiqej nga ana e rusëve dhe serbëve. Grekët duke parë që pozita e tyre ishte më e fortë se e grekët. Atëherë politika kishte filluar të kërkonte rrugët për të ndërtuar forcën e fuqishme politike dhe ushtarake greke në Ballkan. Grekët jo vetëm që nuk kishin lidhje gjaku me shqiptarët, por ata kishin arritur shpesh herë ti fusnin në grindje shqiptarët mes veti. Peshkopët grekë shpesh herë mallkonin gjuhën shqipe dhe rilindasit shqiptar.
“THIRRJA e 1899”-Tezë e pa pranuar për arbërit e Arbërisë
Unë, si studiues i historisë së arvanitëve dhe historisë shqiptare e hedhë poshtë këtë thirrje që të jetë hartuar në të vërtetë nga një rreth i gjerë këshillimi të arvanitëve të Greqisë. Sepse në atë kohë kur pretendohet të jetë shkruar “THIRRJA” politika e Greqisë ishte për mos qenien e kombit, gjuhës dhe shtetit shqiptar. Këtë kundërshtim Greqia e shprehte gjithnjë në Konferencat Ndërkombëtare të shekullit 19.
Duke lexuar se këtë Thirrje e bënin arvanitët e Lidhjes së Athinës dhe jo arvanitët e Greqisë. Na lenë të kuptojmë që është e hartuar nga një rreth i ngushtë i arvanitëve që jetonin në Athinë. Në fund të shekullit 19 brenda në Athinë jetonin në përgjithësi arvanitët që ishin në detyra të larta në mbretërinë Greke. Këta arvanitët në detyrat mbretërore funksionin si greke, mbrojtës të flaktë të ruajtjes të shtetit grek.
Arvanitët e Greqisë nuk kishin shumë njohuri rreth jetës shoqërore-politike-ushtarake për shqiptarët në veri të Arbërisë si në Prizren, Shkup, Manastir, Mitrovic, Ferizaj, Gjakovë, Ulqin, Plava etj. Për arvanitët këto territore mund të njiheshin si toka të banuar nga myslimanë turq. Kështu që nuk mund të pretendohet që Greqia në atë kohë do të sakrifikonte veten e saj për lirinë e shqiptare në qytetet që përmendëm më lartë. Kur dihet që vete Greqia në vitin 1899 nuk kishte çliruar grekët dhe qytetet e saja që i ka si Kretën, Thesalinë, Selanikun, Edesën etj.
Po ti rikthehemi ngjarje historike të viteve të fundit të shekullit 19 do të vërejmë se mbretëria Greke kishte kaluar humbje të mëdha politike dhe ushtarake në Ballkan. Vetë Grekët kishin pësuar në vitin 1897 humbjen e madhe dhe të turpshme nga turqit. Grekët të udhëhequr nga shoqëria ,,Panhelenike,, i kishin shpallur luftë Turqisë për të marrë ishullin e Kretës në vitin 1897, por forcat greke u shpartalluan shumë shpejtë duke humbur edhe territore të saja në Thesali, dhe duke i paguar Turqisë dëmshpërblim.
Kurse shqiptarët sapo kishin filluar të krijonin trupin politik të tyre, për shpalljen e një autonomie të gjerë nga peradndoria Osmane. Në vitin 1897 tre mijë shqiptar të armatosur dëbuan autoritet osmane nga Gjakova dhe arritën deri në qytetin e Shkupit. Në fillim të vitit 1899 kemi mbledhjen e shqiptarëve në Kuvendin e Pejës për ripërtëritje e kërkesave të Lidhjes së Prizrenit. Atë vitë u grumbulluan forca të mëdha atdhetare shqiptare në Kosovë që udhëhiqeshin nga Haxhi Zeka, Bajram Curri, Isa Boletini, por e dhe dalja në skenë e udhëheqëve politik shqiptarë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina që mbas disa vitesh më 1912 do të shpallnin pavarsinë e Shqipërisë.
Në vitet 1890 kemi edhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe. Kështu në tetor të vitit 1891 u hapë shkolla e pare shqipe e vashave në qytetin e Korçës. Por shkollimi në gjuhën shqipe kishte ndeshur në pengesa të mëdha nga grekët. Patriakana e Stambollit dhe kisha greke e Athinës me mitropolitët e tyre mallkonin nismëtarët e mësimit në gjuhën shqipe. Shumë mësues të gjuhës shqipe u helmuan ose u vranë nga njerzit e shtetit dhe kishës greke.
Dhe fqinjët e tjerë me Greqinë si Turqia, Serbia dhe Bullgaria kishin një gjëndje politike, ushtarake dhe shoqërore më të mire se grekët.
Në vitet 1890-1895 kemi dhe grumbullimin e disa politikanëve të reformuar turq për reforma të reja në perandorinë osmane. Në vitin 1895 politikanët e reformuar turq kishin shpallur në Londër një program-reformimi të perandorisë osmane që më vonë këto reforma do të njiheshin si kryengritja e turqve të rinj(Kryengritja e Xhonturqëve).
Në vitet 1890 kemi Lëvizjen kombëtare sllave të Ballkanit të cilët kërkonin kufirin deri në qytetin e Selanikut. Bullgaria në vitin 1894 kishte katër peshkopata nga Selaniku deri në Shkup. Por mbrapa nuk kishte mbetur edhe Serbia e cila gjithnjë kishte dëshiruar dalje në portin e Selanikut.
Greqia në fund të shekullit 19 ishte e rraskapitur, e hutuar, për të vënë me luftë programin e “MEGALO IDHESË”.
Për realizimin e “MEGALO IDHESË” grekët do të ndesheshin që në fillim në luftë me shqiptarët, dhe kështu ata menduan të shfrytëzonin me shqiptarët lidhjet racore, gjuhësore, shpirtërore që kishin me arvanitët e Greqisë që tashmë ishin të përfshirë në mbretërinë greke në shkallën më të lartë të drejtimit të saj. Në shekullin e 19 siç kam shkruar në temat e kaluar arvanitët në mbretërinë greke i gjeje në detyra të larta si Kryeministër, ministra, Admiralë, ushtarakë të lartë etj.
THIRRJA në brendësi ka disa pika vlerësimi për kombin dhe gjuhën shqipe, por nuk ka pika bashkimi me grekët. Kështu, që nga vitit 1850 e në vazhdim shqiptarët dhe grekët i ndanin shumë gjëra. Në vitet 1850 mbretëria e Greqisë kishte ngritur pretendimet për realizimin e Idesë së Madhe”MEGALOIDHEA”. Në programin e “MEGALOIDHESË” mbretëria e Greqisë donte të përfshinte brenda saj të gjithë ortodoksit e Ballkanit dhe të Azisë së Vogël. Greqia kërkonte kufirin me Shqipërinë deri në Lumin Shkumbin.
Për të realizuar planin e”MEGALO IDHENË” ajo do të shfrytëzonte mbrojtjen e Rusisë e cila në vitin 1853, me në krye car Nikollën i kishte kërkuar Turqisë se Rusia merrte në mbrojtje kishën ortodokse greke në Tokën e Shenjtë të Palestinës si dhe mbrojtjen e të gjithë grekëve të krishterë në tokën Turke. Me tokë Turke nënkuptohen ato toka që kontrollonte Turqia në shekullin e 19.
*HISTORIAN
ENDRRA E KENGETARES MYFARETE LAZE
PRSONAZH/ Flet këngëtarja e mirënjohur Myfarete Laze/
– Festivali i 19-të i Këngës në RTSH realizoi ëndrrën time, u ngjita me Vacen në skenë/
– Para Vaçe Zelës dhe Anita Takes u meka, s’më dilte zëri
– Me Frederik Ndocin, Tonin Tërshanën, Bashkim Alibalin kam kujtime të rralla/
-Agim Prodani dhe Zhuliana Jorganxhi mbeten artistë dhe intelektual të rrallë
-Ramiz Alia dhe Vaçe Zela më hapën rrugën e bukur të Festivalit në RTSH/
– Vaçe Zela më tha ke zë të bukur, do këndojmë bashkë në Festival/
-Kundër meje një mal me letra për biografinë, Ramiz Alia qeshi dhe tha shko në skenë/
– Si vrapova me Marsh Hajatin tek zyra e Ramiz Alisë
-Marash Hajati mbetet një personalitet i gazetarisë, njeri me zemër të gjerë/
-Në vitin 1984 Ramizi ishte sërishmi që më hapi dyert për të dalë jashtë shtetit/
– Më kërkuan me Ansamblin e Shtetit pro s’më la babai, do vijnë male me letra më tha/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një histori rrëqethëse. Babai i saj u pushua për herë të tretë nga puna, në vitin 1972 dhe që prej asaj dite dhe pse kishte studiuar për financë në Itali, ai vdiq pa vënë firmë në bordero për 13 vjet rresht. Vdiq në vitin 1985, ku në Shkodër dhe pse dihej biografia morën pjesë të gjithë, madje për mëse një kilometër, arkivoli i tij kaloi dorë më dorë pa patur nevojë për mjet transporti. Ishte një respekt që vetëm personaliteteve mund ti bëhej (thekson Myfaretja) dhe këtë respekt mund ta bëjë vetëm populli artdashës shkodran. Kur ishte e vogël dhe këndonte nëpër shtëpi, babai i saj i dashuruar me këngën, këndonte e kërcente bashkë me të. Ai lumturohej për zërin e saj, sepse Myfarateja ishte dhe plot humor, karakteristikë e shkodranëve. Për më tej ajo thekson se ka pasur fatin të bashkëpunoj me kompozitorët dhe poetët më të mirë të vendit, si Tish Daia, Avni Mula, Agim Prodani, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Flamur Shehu, dhe poetët Zhuljana Jorgaxhi, Gjok Beci, Xhevahir Spahiu, Agim Doçi, etj. Në rrugërimin e saj skenik Myfaretja ka marrë pjesë në 17 festivale ku ka fituar 13 çmime të para të dyta dhe të treta. Njëkohësisht për mëse 10 vjet ajo ka qenë pjesëtare e Koncerteve të Pranverës, në Festivalin e Interpretuesve dhe gjithmonë është vlerësuar nga juritë. Është nderuar me çmimin “Çesk Zadeja”, “Naim Frashëri”, etj.
Diku kemi folur që ëndrra juaj ishte të bëheshit një këngëtare lirike të studionit për kanto, apo më mirë soprano. Pse rruga juaj mori drejtim tjetër? Pse?
Eh, mos mi kujto ato ditë të vështira të së kaluarës. Gjyshi im ishte pushkatuar nga partia në periudhën e monizmit dhe prindërit e mi u detyruan të lëviznin nga Konispoli dhe Pandalejmoni për të ardhur në Shkodrën e bukur dhe të qytetëruar. Kur mbarova shkollën 8-vjeçare dhe konkurrova për muzikë, mua s’ma dhanë të drejtën e shkollës së muzikës për këtë arsye. Por vazhdova shkollën e mesme të muzikës pas këmbënguljes time dhe kërkesë që i bëra direkt Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, pasi kisha dalë shkëlqyer në shkollë. Por kurrë nuk munda ta përfundoj Akademinë e Arteve për kanto por vazhdova për gjuhë-letërsi.
Kush janë këngëtarët e tu që të kanë lënë mbresa në fillimet e këngës në Shkodër?
Të gjithë. Shkodra ka nxjerrë këngëtarë me përmasa të mëdhaja. Mund të them që Shkodra ka qenë djepi i këngës. Unë në fillimet e mia kam kënduar me Frederik Ndocin, me Tonin Tërshanën, me Bashkim Alibalin, me të gjithë ata këngëtarë që dhe sot njihen kudo ku ka shqiptarë dhe më tej. Të këndoje me ta ishte privilegj, se ishin njerëz të thjeshtë, të dashur, plot pasion, njerëz që sakrifikonin dhe e kishin të shenjtë shoqërinë. Shkodra të magjeps me këngën dhe këngëtarët e saj.
Pjesa më delikate e jetës suaj është pjesëmarrja në Festivalin e 19-të të këngës në Radio Televizion. Madje këndove të njëjtën këngë me të madhen Vaçe Zela. Si mundët të futeshit në këtë Festival kur kishit gjyshin të pushkatuar?
Ehhhh, çmë kujton atë kohë (loton). As vetë se besoj sot se çfarë kam bërë në atë kohë. Unë e doja këngën dhe bëja çmos që të isha pjesë e Festivaleve në RTSH kur të gjithë miqtë e mi këngëtarë më thoshin se ti e meriton. Po si të shkoja, si të futesha, me kë? S’kisha të njohur. E para që të pyesnin ishte biografia. Por ja një ditë im vëlla takon Osman Mulën. Dihet kush është fisi Mula, një fis këngëtarësh, artistësh, plot vitalitet. Ai i thotë vëllait tim pse nuk e sjell Myfareten në Festival? Po ja i thotë vëllai ju e dini se kemi problemin e biografisë. Bjere njëherë, mbase e kalojmë fazën e parë. Pastaj po kaloi në të tjerat si dihet. Vëllai im i mirë vjen e më thotë si qëndronte puna. Unë menjëherë nuk ngurova, madje i thashë nisemi sa më shpejt. Shkuam në Tiranë dhe paraqitemi aty ku bëheshin pranimet pranë Radioteelvizionit. Unë bëra kërkesën dhe kërkova audicion për zërin. Nuk shkrova fare për biografinë. Zëri im u dallua. Ishte zë rinor. Më kaluan në provat e para dhe më caktuan këngën. Do kodoja të njëjtën këngë me Vaçe Zelën “Shoqet tona ilegale”, por dhe një këngë tjetër “Kur jemi bashke te dy”, me Lindita Theodhorin.
Si u prezantove me Vaçen?
Eh me Vaçen. Ajo ishte idhulli im. Ne filluam të bënim provat në shtëpinë e të madhit Agim Prodani. Ai kishte aty një piano dhe aty zhvillonim gjithçka. Kur shkova ditën e parë rrija e ndrojtur. Në shtëpi ishin Agimi me Zhuliana Jorganxhiun. Ata më pyetën për punë dhe filluam provat. Në fillim rrija si e hutuar. Ata flisnin për çdo gjë që teksti të përshtatej me muzikën. Ishin shumë të përkushtuar. Unë bëja me dëshirë çdo gjë që thoshin ata. Pas pak shikoj që në drejtim tonë vjen me tabaka në duar ku kishte filxhan çaji një grua e bukur elegante. Shtanga. Ishte Anita take, bashkëshortja e Agimit. Ajo ishte një tjetër befasi por dhe një tjetër kënaqësi. Isha në nj familje artistësh. Një familje gazmore, plot harmoni, plot fisnikëri. E shihja tek vinte dhe emocionohesha. E shikoja me bisht të syrit. Ajo më buzëqeshi dhe më ofroi filxhanin. U mrekullova nga ajo sjellje aristokrate. Nën këto emocione fillova të punoj. Në bisedë e sipër Anita Take tha se do vij dhe Vaçja. Fillova të dridhesha. Emocionet ishin të forta. Ajo vjen pas pak ashtu energjike, plot vitalitet. Sa erdhi u takua me të gjithë më përqafoi dhe mua. Pasi bëri pyetjet e rastit tha, pa ta dëgjoj pak vajzën. Unë u meka. Nuk kaloja dot pështymën. U preva në fytyrë. Fillo më tha Agimi, por unë u bëra meit. Kisha shumë emocione. Zëri nuk më dilte. Agimi e kuptoi dhe i tha Vaçes dhe Anitës shkoni nga dhoma tjetër. Kur ikën ato sikur u qetësova. Fillova të këndoj. Zëri po më dilte i plotë. Këndova me shpirt. Sa mbarova Agimi me Zhulianën duartrokitën. Pa mbaruar ata duartrokitjet në dhomë futet Vaçja me Anitën. Ato të dyja më përqafuan. Të lumtë më tha Vaçja këndove shumë bukur. Nuk u besoja as syve as veshëve. Unë vija nga Shkodra pa përkrahje dhe tani yjet e muzikës shqiptare më lavdëronin. Ishin çaste të paharruara. Çaste që sa herë i kujtoj lotoj (dhe në këtë çast ajo lotoi). Po takoja ata që deri dje i shikoja si Yje të pakapshëm, të paprekshëm. Se besoja se ishin kaq të dashur, kaq të thjeshtë.
Po kur dolët në sallën e Festivalit çfarë ndodhi?
Ah, si erdhi ai moment. Deri atë kohë nuk më ishte përmendur fare puna e biografisë. Festivali zhvillohej me tre netë. Unë këndova dy netë shumë mirë. Interpretimi im u pëlqye shumë, shumë. Isha shumë e gëzuar. Në natën e tertë kishte ardhur dhe vëllai nga Shkodra për të më parë në sallë. Kisha siguruar një biletë pak si me hile. Ne futeshim në sallën e Festivalit dy orë para se bënim grimin, rregulloheshim. Kur sapo do hyja në derën e pasme të sallës roja më thotë se do kalosh tek kjo dhoma tjetër dhe do takosh Marash Hajatin, drejtorin e televizionit. Shtanga! Diçka ka ndodhur thashë me vete. Kur shkova aty Marashi një burrë fisnik dhe i pashëm pasi më përshëndet me përzemërsi më thotë se na pret Ramiz Alia në KQPPSH. Por mos u shqetëso. Ramizi më parë kishte marrë në telefon Cesk Zaden dhe e kishte pyetur se si kisha mundur të hyj në Festival. Pra problemi ishte i mprehtë. Nisemi direkt me makinën e tij për në KQ. Tek dera roja menjëherë i tha Marashit se shoku Ramiz ju pret lartë. U ngjitëm me vrap. Në fillim hyri Marashi. Ai ndenji brenda rreth 5 minuta dhe pastaj doli. Mu afrua mua dhe më tha për çdo gjë thuaj s’di gjë. U preva e tëra. Fillova të dridhesha. Se di se si u futa brenda. Isha gati të më bjerë të fikët. Sapo futem në zyrë Ramizi më afrohet dhe më përqafon. Më flet plot mirësjellje. S’u besoja syve se isha në zyrën e Ramiz Alisë. As e mendoja kurrë në jetë se do të shkelja në atë zyrë. Pasi më pyeti si i kisha nga shtëpia etj më thotë, si munde të hysh në Festival? Po ja shkova u paraqita për konkurrim kaq. Lotët më rridhnin vetiu. Mirë mos qa. Ke një zë shumë të bukur dhe ke kënduar shumë mirë. Por ja nga Konispoli dhe Saranda na kanë ardhur shumë letra për biografinë tënde, dhe më tregoi poshtë në dysheme një pirg me letra. S’dija ç’të flisja. Rrija si e hutuar. Ai e kuptoi gjendjen time dhe ëm thotë, mirë mblidhe veten. Do shkosh të këndosh. Këndo bukur. Sa nuk fluturova nga gëzimi. Nisu shpejt më tha. Pas 20 minutash duhej të isha në skenë. Sa të shkoja sa të vishesha etj duhej kohë. Sa dola në korridor Marashi më mori për krahu dhe vrapuam si atketë. Nuk e di kur hyra në sallë si u vesha dhe çfarë vesha. Por çdo gjë u bë fluturimthi. Dikujt i mora këpucët, dikujt tjetër karficën apo ku di unë. Një minutë para se të përmendej emri im isha gati ashtu e gjysmuar. Këndova me tërë forcën e shpirtit. Kur mbarova duartrokitjet nuk kishin të mbaruar. Qava nga gëzimi. Kisha realizuar ëndrrën më të madhe te jetës.
Po kur u shpallën çmimet si reagove?
Nuk e besoj. Mora një çmim të parë dhe një të tretë. Pra të dy këngët e mia morën çmim. Por më e madhja ishte se Vaçja donte të dilte me mua në skenë. Donte të këndonte bashkë me mua, por mua nuk më lanë. Ajo dhe u nevrikos. Ishte një këngëtare e madhe, ishte një njeri me shpirt të madh. I ndritët shpirti aty ku është. Ajo më ka dhënë fuqinë më të madhe në atë skenë në momentet më të vështira të jetës. Pa ndihmën e saj ëndrra ime ende do të ishte në sirtar.
Nuk ju afrua punë në Tiranë pas këtij suksesi?
Po më afruan. Cesk Zadeja dhe të tjerë më ëkrkuanpër në Ansamblin e Shtetit, por babi im i mirë më thotë: vajza ime, ti e pe sa letra dërguan për një Festival e mendon se çdo bëhet po të shkosh me punë aty? U binda. Kishte të drejtë. E refuzova punën.
Po jashtë shtetit, a ke shkuar për të kënduar në sistemin monist?
Ja, prapë del Ramiz Alia ai njeri i urtë paqësor. Ansambli i Shkodrës do dilte jashtë . Rastësisht në Shkodër vjen Ramiz Alia dhe pyeti për përgatitjet. Pyet se kush këngëtarë do dalin jashtë. Po ajo e vogla me zë të bukur nuk do jetë në grup pyet drejtuesit? Ata ngritën supet. Merreni se ajo këndon bukur. O zot, çfarë mrekullie. Të ndritët shpirti aty ku je o njeri i mirë.
Disa këngë të kënduara nga Myfarete Laze:
· “Shoqet ilegale”, kënduar me Vaçe Zelën, çmim të parë
· “Nën kurorën e ullirit” , me Ema Qazimin
· “Nusja e maleve”, me Irma Libohovën, çmim të tretë
· “Gjuha jonë”, çmim të tretë
· “O Enver, o yll, o dritë”, çmim të dytë
· “Udhët e atdheut na thërrasin”, çmim të tretë
Festivali i 19-të i Këngës në RTSH
Edicioni 19-të
Qyteti Tirana
Vendi Tirane
Viti 1980
Datat 25, 26, 27 dhjetor
Prezantues Silvana Braçe dhe Dhimiter Gjoka
Artisti Fitues Vaçe Zela dhe Mefarete Laze
Kënga Fituese “Shoqet tona ilegale Muzika Agim Prodani Teksti Zhuliana Jorganxhi”
1979
1981
NJE MANIFESTIM KULTUROR NE LONDER
Shkruan Asllan Dibrani/
Një foto e përbashkët e një grupi të pjesëmarrësve në mbrëmjen kulturore kushtuar 7 marsit, Ditës së Mësuesit, në Londër./
Për nder të Ditës së Mësuesit, në praninë e shumë mësuesve, poetëve dhe krijuesve të tjerë, në lokalet e restorantit “Poem”, me 14 mars 2015, u mbajt një manifestim kulturor.
Mbrëmja kulturore, u organizua nga “Qendra Shqiptare në Londër”. Fjalën hyrëse e mbajti kryetari i Qendrës Shqiptare, Sami Islami, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi rëndësinë e Ditës së Mësuesit. Pastaj kësaj, Agim Morina dhe Sami Islami bënë prezantimin e rrugëtimit të shkollës shqipe që nga shekulli XVII deri në ditët tona me titull “Histori e shkurtër e shkollës shqipe”.
Nga tubimi u nderuan artdashësit dhe dëshmorët e shkollës shqipe Papa Kristo Negovani, Fazli Greiçevci dhe Shaban Jashari (babai i komandantit legjendar Adem Jashari), të cilët gjithë jetën e tyre ia kushtuan arsimimit të shqiptarëve!
Nga faktet që u prezantuan në këtë takim u pa se hapat e parë të mësimit të gjuhës shqipe, janë hedhur disa shekuj më herët se 7 marsi i vitit 1887, por kjo datë, megjithatë mbetet datë e një shkolle laike, për të ardhur pastaj deri tek shkollat e mëvonshme, me mësuesit dëshmorë, siç ishte mësuesi dhe dëshmori i kombit Papa Kristo Negovani, i cili u masakrua bashkë me pesë të tjerë e ndër ta edhe një vëlla i tij. Pastaj mësuesi dhe poeti, Fazli Greiçevci, i cili, për shkak se e përhapte dritën e diturisë në shkollë dhe për shkak të veprimtarisë së tij patriotike kundër regjimit serbosllav, u torturua deri në vdekje në burgun e Prishtinës. Një dëshmor i shkollës shqipe u bë edhe Shaban Jashari (babai i komandantit legjendar Adem Jashari), i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi arsimimit të brezave të rinj.
-Pas prezantimit të historikut të shkollës shqipe, veterani i arsimit, ish profesori i Universitetit të Prishtinës, Gani Hoxha, foli për rëndësinë e shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke e marrë si shembull ruajtjen e gjuhës shqipe te arbëreshët e Italisë. Falë shkollës dhe ruajtjes së gjuhës shqipe atje, edhe pas pesë shekujsh shkëputje nga trungu shqiptar ata e ruajnë edhe sot këtë vlerë të lartë kombëtare.
Ai tregoi se kishte vizituar vetë disa fshatra në jug të Italisë dhe kishte përjetuar çaste të mrekullueshme kur kishte komunikuar në gjuhën shqipe me ta !?.Ai theksoj ma tutje se gjuha shqipe flitej gjithandej, në zyra, në rrugë, në treg, në shitore, në kafene, deri në çerdhet parashkollore. Ai bëri një krahasim me gjendjen e shqiptarëve në Turqi, ku e drejta për të mësuar në gjuhën shqipe nuk përfillet nga qeveria turke as sot e kësaj dite edhe pse në këtë shtet jetojnë rreth 5 milionë shqiptarë!!!Ky intelektual i rralle shpesh u aplauzuar nga të pranishmit gjatë diskutimit. Në diskutimet e tyre rreth përvojave dhe rëndësisë së gjuhës shqipe foli edhe Ismet Koshutova, i cili e vlerësoi lart, prezantimin për historikun e gjuhës shqipe dhe foli për rolin që gjuha shqipe kishte dhe ka për ruajtjen e qenies shqiptare, madje edhe në mërgatë. Poeti dhe publicisti nga Skrapari, Hyda Ismaili, i cili prej vitesh jeton ne Londër, po ashtu, edhe krijuesi dhe gazetari Ruzhdi Jata, nga Kukësi, folën për nevojën e madhe të unitetit të gjithë shqiptarëve për të arritje suksese shumë më të mëdha në fushën e arsimit dhe të gjuhës shqipe edhe ne brezin e ri.
Në mbrëmje me tone artistike u prezantuan edhe poetët Mehmet Elshani dhe Xhavit Gasa me recitimin e disa poezive, të cilat u priten me interesim nga te pranishmit. Po ashtu edhe Mësuesi dhe këngëtari, Ismet Koshutova, shprehur mendimet e tij rreth shkollës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgatën shqiptare.Atmosferën e kësaj mbrëmje kulturore, e pasuroi më tej edhe paraqitja e Selman Lokajt, i cili me poezitë dhe anekdotat e tij e freskoi këtë mbrëmje. Vlen të përmendet këtu prania e bashkëshortëve veteranë të arsimit, Faik e Zarije Sogojeva, si dhe e shumë pjesëmarrësve te tjerë dashamir të artit dhe arsimit shqiptar.
Në këtë rast nuk mund të mos e përmendim edhe arsimdashësin dhe plakun e urtë, bacë Rexhepin, i cili foli për jetën e tij, për shkollimin në kushte shumë të vështira nën regjimin serb. Ai foli edhe për torturat dhe masakrat që pushteti i kishte bërë popullit shqiptar të Kosovës, në veçanti për plojën e bërë mbi familjarët e tij nga forcat serbe duke ekzekutuar 12 anëtarë të familjes së tij brenda një nate!
Rexhep Rexhepi, që për respekt ndryshe e thërrasin baca Rexhë jeton që nga përfundimi i luftës së Kosovës në Londër dhe njihet si person që asnjëherë nuk e ka hequr plisin e bardhë shqiptar nga koka!Ai krenohet me plisin e bardh qe i vetmi deri me tash e ka ruajtur identitetin shqiptar qe nga koha pellazge e deri në ditët e sotshme.
Mund të thuhet se mbrëmja kulturore kushtuar 7 Marsit u vlerësua si shumë e suksesshme dhe nga të pranishmit u propozua që këso takimesh të mbahen më shpesh edhe në të ardhmen, me një vërejtje që në tubime të tilla të ketë ma shumë të rinj, aktivist ,krijues dhe veprimtar te këtij nënqielli gravitues nga një komunitet i madh shqiptarësh.
Ma në fund me mbete që të falënderojmë”Qendrën Kulturore Shqiptare në Londër” që ka synim të krijoj një atmosferë unike tek shqiptarët në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sot në shtetet e perëndimit nuk kanë alternativë tjetër, pos kësaj që veprojnë qendrat kulturore . Nga këto organizime të tilla të vijnë deri të krijimi i lobit shqiptar pa grupe,pa parti dhe organizime të ndryshme lokaliste, partiake apo rajonale që ma shumë i shërbejnë përçarjes se sa kulturës dhe unitetit tonë kombëtar!