ROBERTO ARLT (Argjentinë, 1900 – 1942)/
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Perktheu nga Spanjishtja:BAJRAM KARABOLLI
24 VJET NGA RIVENDOSJA E MARRDHENIEVE SHBA-SHQIPERI
Historia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA/
TIRANE, 16 Mars/ – Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë zgjeruar 24 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke u shtrirë në të gjitha fushat, në interes të të dy vendeve e popujve, në interes të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit e më gjerë.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922.
Në një vështrim të përgjithshëm, marrëdhëniet midis vendeve fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.
Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të, janë aleati i pazëvëndësuëshëm i demokracisë dhe i shtetit shqiptar.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve është i orientuar në drejtim të forcimit të stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal; konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë; thellimit të reformave dhe të zbatimit të ligjit në Shqipëri; të ekonomisë, tregtisë dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut; të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.
Këto marrëdhënie të bashkëpunimit të gjerë dhe partneritetit të ngushtë, janë një bazë e sigurt që ato të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, në interes të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë e më gjerë.
– Bashkëpunimi ekonomik –
Duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që edhe marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në të njëjtin nivel. Aktualisht, në Shqipëri, janë të pranishme rreth 180 biznese amerikane të të gjitha përmasave dhe nga një spektër i gjerë i ekonomisë.
Janë krijuar të gjitha kushtet tashmë për një prani shumë më të dukshme të kapitaleve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë sonë. Mbështetja substanciale që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, nëpërmjet agjensive të saj, për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, krijon kushtet për rritjen e investimeve të drejtpërdrejta amerikane.
Në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Ndërsa si biznese private të pranishme në Shqipëri, apo pjesëmarrje në projekte mund të përmendim: Lockheed Martin, Bechtel, EximBank, etj, si dhe prania në projekte me partnerë të tjerë si ASG Power, Airport Partners, etj.
– Marrëveshjet Shqipëri-SHBA –
Ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, traktate në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.(Anila Struga-ATSH)
PSE NOLI DENONCOI MARËVESHJEN MIDIS JUGOSLLAVISE DHE ITALISË
NGA GËZIM LLOJDIA/
Gazeta “Dielli”e Boston 3 shkurt 1925 shkruan:Në një faqe tjetër të gazetës këndonjësit do të shohin një intervistë me rëndësi që Imzot Noli i ka dhënë një korrespodenti të gazetës amerikane:”Boston Herald” në Viene. Që ekziston një marrëveshje midis Italisë dhe Jugosllavisë përmi Shqipërinë,kjo gjë është folur disa herë nëpër gazeta. Po qëllimi i caktuar i kësaj marrëveshje midis të dy fqinjëve të mëdhenj të Shqipërisë për neve ka qenë një mister që kemi dashur ta zbulojmë.
Të gjithë mund të japin gjykimet tona dhe duke gjykuar nga e shkuara që të gjithëve na mbushet mëndja se qëllimi marrëveshjes nuk munt të ketë qene në shërbim të interesave të Shqipërisë.
Imzot Noli ka thënë:Jam i bindur plotësisht se ekziston një marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Italisë për ta copëtuar Shqipërinë në rastin e parë me një cpërblim mbase dhe për Greqinë. Me fjalën copëtim nuk duhet kuptuar me doemos një copëtim tokësor i Shqipërisë. Ka copëtime dhe copëtime.
Një copëtim është që ta ndash një vent në dy ose tri pjesa dhe një pjesë ta marrë njeri dhe një pjesë tjetri,kjo do të qe vdekja e Shqipërisë si komb më vete. Një copëtim tjetër është ta ndash një vend me marrëveshje politike të fshehta dhe të nëndheshme,në disa pjesë të caktuara,në të cilat kombet e interesuara të kenë siguruar privilegje politike ose një liri veprimi ekonomik. Në të tjera fjalë siç e kanë quajtur fuqitë e mëdha ndarje në sfera influencash. Në këtë soj ndarjesh populli është indipendent, po indipendeca është një emër vetëm. Në punë populli bëhet skllav i kapitalistëve të kombeve të interesuara. Që fqinjët tanë kanë një qëllim të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë,ose në kuptimin e parë të fjalës ose në kuptimin e dytë ,për këtë gjë nuk duhet të dyshojmë. E keqja është që politikanët e Shqipërisë në vent të përpiqen ta largojnë një rrezik të tillë,ata vete e afrojmë më tepër. Duke u kompromentuar me një fuqi,duke u kompromentuar me tjetrën,duke kërkuar sot përkrahjen e kësaj ane për inat të tjetrës. Vetëm një politike thjeshtën kombëtare,një politikë e paanshme kundrejt të gjithëve munt të na shpjerë shpëtim. Fqinjët tanë ua do interesi ,që ne të jemi të dobët,të hahemi në mes tonë, dhe kurdoherë do të jenë gati që të lozin përmi të metat tona,të na vënë të zihemi,duke pritur për rastin e duhur,që të përparojnë qëllimin e duhur. Në rast se vazhdojmë në këtë mënyrë dhe ahere në qafë e pacin vendin politikanët,të cilët për gjera personale të vogla nuk hezituan ti vënë zjarrin brenda Shqipërisë, thotë Imzot Noli në këtë intervistë.
SI E KAM NJOHUR PETRO ZHEJIN… Dhe Lamtumira
Nga Luan Çipi/
Sot u njoftua se vdiq studiuesi, gjuhëtari, përkthyesi dhe shkrimtari Petro Zheji, një nga figurat më të spikatura, më të ditura dhe më kontribuuese të shqipes.
Nuk mund ta mposht hidhërimin që ndjeva për vdekjen e tij, kjo edhe se më takoi ta njihja nga afër në vitet e rinisë, (ne vitet 1953-54), kur edhe pse me arsim të lart, u diferencua për të kryer (bashkë me mua) në Ersekën kufitare,“shërbimin e detyruar ushtarak”. Kujtimet më sjellin bashkëbisedime intime rinore të kohës, një jetë t% gjallë aktive, kur ai djalosh i fuqishëm dhe i distancuar dukshëm në dije,“shfrytëzohej” edhe atje, më shumë për të ndihmuar në pozicionin e mësuesit te matematikës dhe të gjuhës ruse, “kuadrot ushtarake” që vazhdonin shkolla e kurse. Më kujtohet me mall e dashuri edhe kur aktivizoheshim në lojëra sportive, kryesisht ne ekipin përfaqësues të futbollit dhe në grupet artistike të Repartit Ushtarak 4585 Ersekë.
I biri i Gjirokastritit Spiro Ballo me origjinë nga Zheji, ish oficer madhor laureuar në Itali dhe me shërbim e jetesë në Tiranë dhe vëllai i shkrimtarit dhe gjuhëtarit prestigjioz, mësuesit tim të Gjuhës Shqipe, Gjergj Zheji, Petro Zheji, pak më i vogël nga ai, lindi në Tiranë në vitin 1929.
Babai i Petro Zheit, shok dhe bashkëveprues me antifashistin Spiro Moisiu edhe pse grishet dhe përkrah luftën nacional çlirimtare, pas çlirimit si ish oficer dhe i kamur, përndiqet dhe i sekuestrohen pronat nga regjimi komunist.
Petrua studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa dhe dërgohet për të dhënë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës. Më pas studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës, punon pranë Ndërmarrjes së Botimeve “8 nëntori”, si përkthyes me normë si dhe pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren Besa Imami, martesë nga e cila u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua, mbas viteve të tranzicionit, largohet drejt ShBA-së. Kthehet në Tiranë pas shumë vitesh, në një kohë kur çmohet dhe vlerësohet si veprimtar e personalitet, deri me dhënien e një pensioni suplementar.
Zheji, qysh në moshë të re, u shqua për talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Poliglot që njihte me themel shqipen, zotëronte edhe gjuhët italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.
Petro Zhej nisi të dallohet shumë si një nga përkthyesit më elitarë, e më produktiv me mbi 13.000 faqe përkthime të botuara në shumë vite dhe cilësia përkthimeve të tij është superiore. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 me vëllimin e parë të romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku vëllain, Gjergjin. Tituj të tjerë veprash madhore të përkthyera janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” i Servantes, (që është një kulm i pa dalluar nga përkthimi i Nolit të madh), “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjolle, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze e deri nordike. Me këto, Petro Zhej pa mëdyshje, vihet në radhën e parë të përkthyesve te shquar shqiptar, krahas Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, Skënder Luarasi, Robert Shvarc, etj.
Një nga drejtimet që e ka angazhuar gjatë gjithë jetës studiuesin Petro Zheji ka qenë filozofia dhe gjuhësia. Në frymën e simbolizmit me veprat e tij edhe pse të botuara me vonesë si “Roli mesianik i gjuhës shqipe”, “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” etj. Veprat e tij filozofike përcaktojnë raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën. Këto studime e kanë zanafillën te Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot dhe pasqyrojnë në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë, që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Sipas Petro Zhejit në këto drejtime ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së heronjve të tillë mendimitsi Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj.
Për gjuhën shqipe gjithashtu janë me shumë vlerë studimet e Petro Zhejit për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëllime.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012), që shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë.
Këto punime janë në botim e sipër dhe figura të spikatura studiuesish si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e tyre.
Do ta mbyllja këtë shkrim homazh e përkujtimor, me fjalët e dhëmsura, enkas për këtë rast, të shkrimtarit të shquar Faruk Myrtaj:
“Ikjet e këtyre përmasave detyrojnë respekt dhe heshtje…Petro Zhej, një altar, ku mund t’i bjemë në gjunjë Gjuhës Shqipe!”
Tiranë, më 15.03.2015
****
Mjeshtri i perkthimit, Petro Zheji u shua në moshën 85-vjeçare
Artistë, politikanë, shkrimtarë, përkthyes si dhe miq e të afërm zhvilluan sot homazhe në nderim të përkthyesit dhe studiuesit, Petro Zhejit, i cili u nda sot nga jeta në moshën 85 vjeçare.
Në ceremoninë e lamtumirës që u zhvilluan në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta pasi vendosi buqetën me lule pranë trupit të pa jetë të përkthyesit Zheji, në një prononcim për mediat u shpreh se, “kjo është dita e dhënies së lamtumirës një mendimtari dhe kijuesi të niveleve europiane që në atë kohë kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës”.
Megjithatë, shtoi Meta, “kjo është edhe një ditë mirënjohjeje për trashëgiminë e shkëlqyer intelektuale që studieusi, përkthyesi dh mendimtari i shquar Petro Zheji lë pas”.
Edhe Kreu Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pasi nderoi përkthyesin Petro Zheji theksoi se, “”ndarja nga jeta e Petro Zhejit është një humbje e parikuperueshme për familjen por është edhe një humbje e parikuperueshme për letrat shqipe, për miqtë dhe apostujt e tij të elitës shqiptare të letrave, intelektualët shqiptarë. Ngushëllimet e mia për familjen Zheji. Petro Zheji të gjejë paqen e merituar, ndërsa të gjithë admiruesit, bashkëpunëtorët, kolegët dhe nxënësit e tij të sotëm dhe të nesërm, të kenë forcë dhe vullnet për të çuar përpara mendimin, studimet e papërsëritshme dhe me vlerë që na ka lënë si amanet dhe trashëgimi e çmuar”.
Homazhet në nder të përkthyesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe do të kryhen në orën 14.00-15.00 në sallën UNESCO, në Muzeun Historik Kombëtar.
Ai është një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare duke qenë një përkthyes, studiues dhe gjuhëtar mjaft i njohur.
Poliglot që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishtën e vRingjalla ” Tolstoit,”, ”Obllomovin ” i Goncarovit, (nga rusishtja), ”Vitet e zemërimt” të Shtajnbekut, (nga anglishtja), ”Zoti President “ dhe “Papën jeshil” të Asturiasit (nga spanjishtja), janë disa nga veprat e përkthyera prej filozofit dhe eruditit Petro Zheji, por pa harruar vëllimin e dytë të “Don Kishotit”, nga spanjishtja. Një vit më parë në Panairin e Librit, Petro Zheji, u vlerësuar me çmimin e mirënjohjes, çmim që u tërhoq nga djali i tij, publiçisti Artur Zheji.
Petro Zheji realizoi pas një pune të thellë dhe të pandërprerë studimin e tij me dy vëllime “ Shqipja dhe Sanskritishtja”.
I lindur në Gjirokastër më 16 tetor 1929, Petro Zheji ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion.
jetër dhe latinishten.
DUA TË NGRIHEM NË KËMBË, TË ECI, TË FLAS, TË KËNDOJ, MOS MA SHEMBNI RRUGËN…
Thirrje e vogëlushes EBI, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Mbretëreshës së Suedisë dhe shtetarëve të lartë kudo në botë/
Më quajnë Ebi. Vetëm një germë nuk e kemi të njëjtë, ashtu siç nuk e kemi të njëjtë fatin në jetë, një mal i lartë dhe një oqean i paanë na ndan.
Unë në janar nuk munda t’i shuaj nëntë qirinjtë e 9 vjetëve të jetës time. I shuan nëna dhe vëllai im. Nuk mund të ngrihem as ndenjur, as në këmbë, nuk mund të eci, nuk mund të flas. Vetëm një bëj, qaj dhe bërtas, herë – herë në kupë të qiellit. Zhurmat i kam tmerr.
Unë, kur mbusha gjashtë vjeç nuk munda të shkoj në shkollë të mësoj të shkruaj, të lexoj e të këndoj.
Më dhembin në shpirt të gjitha këto. E ndjej këtë në vështrimin e nënës, të babait, të gjyshit e të gjysheve. Ua shoh rrjedhën e lotit faqeve. Nuk mund t’ua thaj. Ua dëgjoj zërin e shqetësuar. Nuk mund t’i qetësoj.
Kam lindur, siç më thotë nëna ime, me një pjesë të trurit të bardhë, pa qeliza që komandojnë jetën e njeriut.
Nënën e kam mjeke. Ka dy diploma për mjekësi dhe farmaci. Ka edhe mastër. Është pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Babanë e kam specialist ndërtimi. Kemi shtëpinë tonë të mjaftueshme për të jetuar me prindërit dhe vëllanë tim shtatë vjeç. E kemi të ndërtuar jetën pa i shtrirë dorën kujt e pa marrë borxh në fund të muajit.
Dua të ngrihem në këmbë. Dua të hap krahët për të përqafuar babanë dhe nënën, gjyshet e gjyshin. Dua të shkoj në shkollë, të dal me shokët e shoqet e klasës shëtitje nga liqeni apo të ngjitem në Dajt.
Për këtë, në pamundësi që shërimin ta gjej në vendin tim, vendosa të shkoj ta kërkoj në Suedi. Më kishin thënë se është një vend human ku fëmijët trajtohen si engjëj.
U zhgënjeva. Zhgënjimi i madh më erdhi nga Ju i nderuar kryeministri im. Ju kishit qenë para meje në Suedi dhe kishit deklaruar se Shqipëria është vend i sigurt. Kaq ka mjaftuar që shqiptarët që për hall zbresin në Suedi të trajtohen pa nderë e dinjitet. Vetëm shqiptarët dhe asnjë komb tjetër trajtohet në këtë mënyrë.
Kam dhjetë ditë në një kamp refugjatësh. Jemi katër vetë në një dhomë. Jemi me një banjë kolektive. Kam dhjetë ditë që nuk jam larë. E dini se çfarë do të thotë të rrijë një fëmijë jo dhjetë ditë por qoftë edhe një ditë pa bërë banjë?
Kërkova nga ambasada e vendit tim në Stokholm ndihmë. Një zonjë më mbajti dhjetë minuta leksion me citime tuajat se “Shqipëria është vend i lirë…”, “Shqipëria është një vend i sigurt”, për të vazhduar me këshillat… “Nuk duhet të kishit ardhur…Duhet të ktheheni…etj., etj.”.
Shkuam në qendrën e pritjes së refugjatëve. Nëna ime që e zotëron shumë mirë anglishten u tha se kemi një javë pa u larë dhe të ushqyer si skllevër. U tha se po mos na pranoni na jepni pasaportat që na i mbani peng. U tha se do të kthehemi me biletat tona që i kemi prerë vajtje ardhje. U tha se kam të drejtë, bazuar në ligjet ndërkombëtare të qëndroj tre muaj. Bërtiti fort. Dhe kur bërtet ajo unë nuk mbahem. Shpërthej në lot dhe e ngre zërin sa dridhen muret.
Duket sikur u zbutën. Thanë se nesër do të na strehojnë në një shtëpi në Stokholm.
Shkuam të nesërmen. Nuk e mbajtën fjalën. Na thanë se pas dy ditësh do të na çojnë në një kamp refugjatësh në Veri. Ikim nga një kamp për të përfunduar në një tjetër! Si skllevër? Si kriminelë? Dhe kjo kur Bashkimi Evropian na e ka dhënë të drejtën të shkojmë në të gjitha vendet e të qëndrojmë tre muaj në gjashtë muaj.
Ju thashë se nëna ime është mjeke dhe pedagoge në fakultetin e infermierisë në Universitetin e Mjekësisë. Ka nëntë vjet që krahas kujdesit si nënë merret edhe me studimin e sëmundjes time. E kush më mirë se ajo mund të hyjë në bisedë me shkencëtarë të mjekësisë e të ndihmojë jo vetëm mua por edhe të gjithë fëmijët në botë me të njëjtën sëmundje si imja?
Nëna ime do të bëhet shkencëtare. Kam besim se ajo mund të më shërojë, të më ngrejë në këmbë…
Dua të jetoj i nderuar kryeministri im, kryeministra, presidentë e mbretër në botë. Dua të ngrihem në këmbë, të eci, të vrapoj. Mos ma prisni rrugën me ligje e marrëveshje qeverish e parlamentesh. Brezi im do t’i ndryshojë e përshtasë me ligjet natyrore.
Pushtetarët, ata që i kanë vjedhë Zotit frenat e jetës për t’i përdorë sipas dëshirës, do të thonë si e ke shkruar këtë letër kur nuk di shkrim e këndim, as flet e as ngrihesh në këmbë?
E kam shkruar me shpirtin e një fëmije që flet në gjuhën e vet, gjuhën e shenjave të Zotit, një fëmije që thotë: mos ma prisni rrugën, mos më dilni përpara, mos ma zëni atë. Zoti më dha jetë për ta jetuar atë.
U bëj thirrje të gjithë atyre që i lexojnë këto radhë t’i përhapin ato, t’i përkthejnë në gjuhët e botës së qytetëruar e t’ua përcjellin mbretërve, mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave në gjuhën e vendit të tyre me thirrjen time:
MBYLLNI FABRIKAT E BAROTIT QË ÇDO VIT VRASIN MILIONA FËMIJË DHE HAPNI SHKOLLA, UNIVERSITETE, INSTITUTE PËR NGRITJEN NË KËMBË TË FËMIJËVE SI UNË.
Shpresoj që këto radhë t’i lexojë ndokush edhe në Suedi, t’i përkthejë dhe t’ia përcjellë edhe mbretëreshës e princeshës së vendit. Mbase i lexojnë dhe shtrijnë dorën që unë të ngrihem në këmbë. T’i lexojnë e mendojnë jo vetëm për mua por për të gjithë fëmijët që ëndërrojnë të ngrihen në këmbë, të flasin, të bërtasin, të këndojnë e vallëzojnë, t’u hapë portën e madhe të zemrës të popullit suedez humanizmi i të cilit është i njohur kudo në botë.
Zoti që më krijoi mua më ka vënë dhe ju ka vënë në provë. Në qoftë se nuk shërohem atëherë hapni sa më shumë institute ku të mblidhemi të gjithë ne të pashpresët e jetës. Atëherë, dhe vetëm atëherë, mund të deklaroni se “Shqipëria është një vend i sigurt”, “Bota është e sigurt”…
Ngrini lart zërin për mua dhe të gjithë fëmijët në botë që duan të ngrihen dhe ecin përpara…
EBI
Suedi 0046727854979
(E dergoi per Diellin:Abdurrahim Ashiku-Athine)