• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSUESI QË KËMBEU PENËN ME PUSHKË PËR LIRI

March 15, 2015 by dgreca

Mars 2015, fillim pranvere në fshatin Fllakë, komuna e Karundit të Ri në rrethin e Durrësit. Si kudo në mbarë vendin, “Dita e mësuesit” u festua si rrallë herë edhe në shkollën e re të fshatit Fllakë, që mban emrin e mësuesit, dhe luftëtarit Bajram Gashi, “Deshmor i kombit”. Ndryshe nga motet e tjerë, në këtë ditë të shënuar, veç mësuesve, nxënësve dhe prindërve, erdhën edhe plot mysafirë të ftuar nga fshatrat përrreth, nga Durrësi, Tirana dhe më tej akoma nga komuna e Istogut në Kosovë. Të gjithë së bashku i dhanë festës bukuri e gjallëri, lezet dhe seriozitet. Të pranishëm ishin drejtuesit e Komunës së Katundit të ri, Kryetari z. Hil Priska, kryetari këshillit të komunës z. Sadik LLulla dhe ish drejtori i shkollës së Mesme, tani në pension z. Jusuf Hoti.
Ndoshta kjo festë nuk do të merrte shtrirje e përmasa kaq të mëdha, në qoftë se nuk do të kishte pasur një ngacmim dhe ndihmë nga Bajram Halil Gashi, deri pak vite më parë mësues e drejtor i shkollës së Mesme të bashkuar “Besnik Hidri” në Shënavlash, sot pensionist, studjues dhe botues i librit “Një shekull në udhën e dijes”. Libër kushtuar historikut të shkollës së Shënavlashit, ku një vend të veçantë zenë portretet e heronjëve Bajram Gashi dhe Haki Taha, dy figura të ndritura që i bëjnë nder Shënavlashit dhe Kosovës.
Në një vizitë rastësore në shkollën e Fllakës, në bisedë me drejtoren znj. Tina, duke i dhuruar edhe një kopje të librit të tij, Bajrami i kujton, se ky vit përkon me 70-vjetorin e rënies, (Shkurt 1945), së mësuesit e luftëtarit Bajram Sali Gashi, i cili në krye të çetës me 300 – 400 luftëtarë, u ngrit në luftë kundër forcave serbe që ripushtuan Istogun e Kosovën. U theksuan fjalët e tij: “Ndigjoni vllazën! Unë gjakun tem ja kam fal Kosovës!”, më tej thënien e tij profetike: “Kosova do të çlirohet kur fëmijët tanë do t`i kenë 30 vjet shkollë”. Kaq mjaftoi në këtë bisedë dhe mendimi mori udhë.
Drejtorja e shkollës znj. Tina Gjoka, e cila gjeti mbështetje të admirueshme te kolektivi i mësuesve, u kujdes që për këtë dite të madhe e të bukur të kishte diçka të veçantë. Veç koncertit, fjalimeve dhe organizimit të festës, si fillim kërkoi ndihmë për zbukurimin e shkollës, duke vendosur emrin në krye, më pas flamuj dhe stenda në holl, ku me dokumenta dhe foto të paqyrohej jeta dhe vepra e Bajram Gashit. Agim Kabashi, nip i heroit të këtij shkrimi, u tregua i gatshëm dhe i përgatiti të gjitha me shpenzimet e veta. Më pas u përgatitën ftesat, ku të ishin pjesëmarrës familjarë e të afërm të mësuesit dhe heroit tonë Bajram Sali Gashi, që të kujtonin dhe gëzonin së bashku.
Diçka e mirë dhe e bukur lind e piqet, kur detyra dhe nderi bashkohen në një, ndaj dhe të gjitha problemet u zgjidhën si me magji. U mirëprit me nderime znj. Liri Kabashi, vajza e mësuesit, emrin e të cilit po mban shkolla. Ajo sot është e moshuar dhe me zor mban gëzimin, krenarinë, lotët dhe emocionet, pasi në heshtje, ka një jetë që ka pritur këtë ditë. Ishte veç një ëndërr e kyçur në mendje e në zemër, që të shikojë emrin e babës së vet në ballë të shkollës së re, pikërisht në tokën që ai bleu këtu e 75 vjet më parë dhe e dhuroi për shkollë. Ndër familjarët e mirëseardhur ishin znj. Albana Vokshi, mbesa e Bajram Gashit, sot deputete në kuvendin e Shqipërisë. Mes familjarëve dhe miqve ishte edhe akademiku i nderuar z. Fadil Kepi.
“7 Marsi”, ose “Dita e mësuesit”, pararendëse e pavarësisë, është festë kombëtare tradicionale. S`ka pse harxhohen shumë fjalë, për të thënë se ç`bëhet në çdo shkollë, apo qelizë arsimi. Kudo organizohen veprimtari të gëzueshme, ku marrin pjesë mësues, nxënës dhe prindër. Dekori dhe përmbajtja janë të përafërta, meqënëse bëhet fjalë për shkollë: këngë, valle, recitime, lojra, ndonjëherë të ftuar mësues të vjetër, apo ish nxënës, të cilët rrëfejnë kujtimet dhe mbresat e tyre. Në pamje të parë, të gjitha këto na duken sikur janë pjesë të detyruara të programit të festave dhe në shumicën e rasteve nuk tingëllojnë as si lajm, ndaj edhe kalojnë pa u vënë re, pavarësisht se shpesh herë, disa nga pjesëmarrësit janë njerëz të veçantë e shumë prej tyre drejtues e personalitete me zë në jetën shoqërore, arsimore, shkencore e politike të vendit. Megjithatë edhe kaq do të mjaftonte për një reportazh të bukur, për të përgjithsuar këtë veprimtari në shkollën e Fllakës, që i bën jehonë mësimit, edukimit, vazhdimësisë dhe shenjërimit të figurës së mësuesit e të shkollës. Dhe në fund, e gjitha do të kundrohet si një fotografi e bërë nga një njeshtër arti, që fikson njerëzit dhe kohën.
Këtu nuk duhet ngutur, pasi kjo veprimtari është një ngjarje që nuk mbaron me kaq, sepse të ftuar nderi ishin katër përfaqësues të arsimit e medias nga komuna e Istogut, zotërinjtë: Agim Haxhiu, drejtori i Arsimit për komunën e Istogut, Nuredin Ymeraj, koordinator i disa shkollave, Beqir Ibrahimaj, drejtor i shkollës “Tre Dëshmorët” në fshatin Uçë dhe Zeqir Ahmetaj, drejtor i Radios “Fontana”. Të katër këta mysafirë kishin mbi vete dy përgjegjësi ndaj vetes dhe detyrës:
Së pari, nderuan figurën dhe emrin e Bajram Sali Gashit, si mësues dhe luftëtar, që penën e këmbeu në pushkë për liri, duke dhënë jetën si deshmor e martir për Kosovën e lirë. Veç kësaj, Bajram Gashi vërtet ka qënë mësues e drejtor shkolle në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938 – 1941, por rrënjët i ka në Kosovë, pasi vendlindja e tij ëshë në fshatin Uçë, në komunën e Istogut. Ç`duhet shtuar tjetër fjalë, për të thënë se ai është hero me të cilin kanë të drejtë të krenohen, pasi ka dalë nga dheu, vatra dhe gjaku i tyre. Heronjtë kurdoherë meritojnë nderim. Jeta dhe vepra e tyre frymëzojnë brezat ndër shekuj.
Së dyti, me rastin e këtij takimi festiv, mysafirët bënë me dije dëshirën e mësuesve dhe nxënësve të shkollës “Tre deshmorët” në fshatin Uçë, për binjakëzim me shkollën “Bajram Gashi” të fshatit Fllakë. Ashtu siç u shpreh në fjalën e tij edhe Z. Agim Haxhiu: “Sapo i njoftuam për ftesën, na porositën që bashkë me urimin festiv, “Ta gëzojmë 7 Marsin”, t`u përcjellim dëshirën për t`u lidhur mes nesh, sepse vepra dhe gjaku i Bajram Gashit na përket të gjithëve ne shqiptarëve. Jemi të vetëdijshëm, se me ardhjen dhe fjalën tonë, shprehim një ide dhe veprim mjaft i dobishëm. Nxënës e mësues të dy shkollave, njihemi e afrohemi me njëri – tjetrin, formojmë miqësi, shkëmbejmë vlera, ide dhe përvojë në fushën e edukimit dhe mësimit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, duke i shërbyer zhvillimit të arsimit tonë mbarëshqiptar”.
Ky është lajmi dhe mesazhi më i bukur që u soll e u përcoll nga ky tubim gazmor e miqësor, në këtë 7 Mars, për t`u dëgjuar e vlerësuar nga prindërit, nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, mbase edhe më përtej, nga të gjitha institucionet arsimore, që të nxisin e mbështesin lidhjet e vizitat e ndërsjellta. Trojet tona këtej e andej kufirit janë të bukur e duhen parë e prekur, sidomos nga të rinjtë. Jemi një komb e kemi shumë ç`t`i themi e ç`t`i japim njëri – tjetrit.
Drejtore Tina, që në hapje të veprimtarisë, me emocionet e nikoqires së festës, falënderoi në emër të kolektivit mësimor, nxënësit, prindërit miqtë e të ftuarit, që erdhën të festojnë së bashku. Njëkohësisht premtoi, punë të pareshtur në mësimdhënie dhe edukim, për të ngritur vlerat e shkollës dhe emrin që ajo mban. Në fund të fjalës së saj, shprehu gëzimin dhe urimin:
“Le të festohetë kjo ditë e shenjtë, për mijëra vite të tjerë!”.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës më 10. 03. 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: BAJRAM GASHI, Kadri Tarelli, mësuesi, PENËN ME, PUSHKË PËR LIRI, QË KËMBEU

Fan S.Noli, figura faustiane e popullit shqiptar

March 15, 2015 by dgreca

Nga Skënder Luarasi/
Kombi shqiptar përkujton 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar Fan S.Noli (6. 1. 1882-13.3. 1965) që në veprimtarinë e tij atdhetare, klerikale, kulturore e letrare u njoh dhe bashkëpunoi edhe me Petro Nini Luarasin dhe bijtë e tij Dhimitrin dhe Skënderin.
Në kryeveprën e Gëtes, ‘’Fausti’’, shqipëruesi Skënder Luarasi shkroi: ‘’Ky përkthim i blatohet Fan Stilian Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar’’ duke argumentuar se ‘’gjithë jetën e tij ai kërkoi të vërtetën dhe rrojti, punoi e luftoi për ta gjetuar atë. Përpjekja e Nolit identifikohet me përpjekjen e Faustit’’.
Në këtë rast jubilar po publikojmë disa fragmente nga kujtimet e Skënder Luarasit për udhëheqësin dhe mikun e tij të adhuruar Fan S.Noli.
Ismail Qemali, Isa Boletini e Fan Noli
Muaji janar i fali mëmëdheut tonë tre nga më të mëdhenjtë rilindas që patën fatin e bardhë të rrojnë sa ta shohin Shqipërinë të lirë e të pavarur dhe punën e tyre patriotike të kurorëzuar me sukses. Këta janë Ismail Qemali, i cili e blatoi emrin e tij përjetësisht në faqen e parë të Historisë së Shqipërisë së Re; Isa Boletini, i cili me luftën e tij për çlirimin prej zgjedhës turke e bëri emrin e Shqipërisë të dëgjohej me respekt nga gjithë bota dhe Fan S.Noli, i cili u bë një nga shprehësit më të fuqishëm të mendimit të rilindasve tanë dhe i dëshirave më përparimtare të popullit shqiptar.
Dy nga këta bij të nderuar të kombit tonë, Ismail Qemalin dhe Fan Nolin, kam patur fatin e madh t’i shoh për së afërmi dhe t’u dëgjoj këshillat atdhetare që më kanë ndihmuar edhe mua në çaste të vështira të jetës…
Kur në restorantin e hotelit ”Liria” në Manastir, ndër delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit, Dervish Hima fliste me fjalë lavdërimi për Ismail Qemalin, Hysni Curri për Isa Boletinin dhe Petro Nini Luarasi për Fan Nolin, unë nëntë vjeçari që sapo pata dalë nga spitali dhe babai atje më shpinte për drekë, harroja të haja edhe bakllavanë tek mbaja vesh e shihja me sytë e mendjes viganët Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Fan Noli tek suleshin drejt atdheut shqiptar që t’i jepnin dorën Nënës Shqipëri ta çlironin prej robërisë…
Të tre shqiptarët e mëdhenj vdiqën në mërgim: Isa Buletini vdiq 52 vjeç, më 23 janar 1916, i vrarë në Podgoricë me tradhëti. Ismail Qemali vdiq 75 vjeç më 24 janar 1919, i tradhëtuar në Peruxhia. Fan Noli vdiq 82 vjeç, larg atdheut i dërrmuar nga mundimet e 41 vjetëve në arrati. Ai është ndërlidhësi i dy epokave kombëtare.
(Shënim: Skënder Luarasit përgatiti për botim monografi për të tre këta kolosë të kombit shqiptar. Arriti të botonte ‘’Ismail Qemalin’’ (1962) dhe ‘’Isa Boletinin’’(1970) por ‘’Fan Nolin’’ jo! Në regjistrin e arkivit të Institutit të Histori-Gjuhësisë gjendet shënimi se S.Luarasi dorëzoi një material mbi 100 faqe për Fan Nolin, që ‘’nuk gjendet’’?!)

Masakra e Negovanit dhe Fan Noli
Më 12 shkurt 1905 ndodhi masakra e Negovanit dhe therrja e Papa Kristo Harallambit pikëlloi gjithë atdhetarët shqiptarë. Vetë malet buçitën:”Merrni gjaknë!’’ Porse gjaku i të parit prift shqiptar nuk shpaguhej as me gjak të dhespotërve të kishës bizantine, ndaj duhej një kryqëzatë kombëtare kundër terrorit të klerit shovinist dhe tiranisë së sulltanit të Stambollit. Këtë kryqëzatë e nisi Fan S. Noli, njëzetvjeçar, kur më 8 mars 1908 veshi rason e Papa Kristo Negovanit. Dorëzimi prift i Fan Nolit ndodhi në Nju Jork, porse lajmi i gëzuar u përhap me shpejtësi rrufeje nëpër gjithë Shqipërinë. Fytyra e patriotit nga Qyteza e Edrenesë u publikua dhe shpejt u bë ndër më të njohurat, më të dashurat e më të nderuarat e Rilindjes shqiptare.

Mbresa nga Fan Noli
Fan Nolin e kam parë me sytë e ballit dhe dëgjuar për të parën herë, nja katër vjet më vonë, në një miting kombëtar të thirrur nga shoqëria shqiptare ‘’Vatra’’ në Boston Mass. Aty mori fjalën ndër të huajt edhe George Fred Williams, personalitet impozant, i cili më 1914 humbi postin e ambasadorit amerikan në Athinë se pati protestuar për masakrat e ushtrisë greke në Toskëri. Një pesëmbëdhjetëvjeçar si unë në atë kohë, që akoma s’ka as përvojën, as kulturën e duhur për të çmuar vlerat morale dhe mendore të njerëzve të shquar, impresionohet përgjithësisht prej së jashtmes së një personaliteti. Fan Noli, emrin dhe famën e të cilit e kishin njohur gjithë patriotët shqiptarë që më 1908, qe disi shtatshkurtër. Kur e mori fjalën në atë miting, unë në fillim pësova një farë zhgënjimi sepse prisja të shoh diçka madhështore në të. Veçse në atë trup mesatar po të lidhur fort mirë, të binte në sy tipari i tij imperativ, sidomos kur fliste.
Dhe si fliste Fan Noli?
Me ne të rinjtë nga mosha që e vizitonim në qendrën e ‘Vatrës’’ për të nxënë prej udhëheqësit rolin dhe vrullin e asaj shoqërie, Fan Noli fliste me zërin e një prindi të dashur e të mirë, ashtu si fliste me punëtorët, veprimtarët e sinqertë, sidomos me anëtarët e shoqërisë panshqiptare ‘’Vatra’’. Me kokëfortët, me ata që as shohin, as dëgjojnë, Fan Nolit i pëlqente si për sport, ta amelzonte bisedën me lloj-lloj bulmesa të ironisë së tij të njohur. Porse kundër armiqve të tij politikë Fan Noli derdhte sarkazmën e tij therrëse. Këtë mënyrë të foluri do t’ia kenë ndjerë fort edhe përfaqësuesit e shteteve fqinj armiq të vendit tonë, asaj dite dhjetori 1920, kur i detyroi të njihnin edhe Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve, por edhe katër vjet më vonë, pikërisht në atë shoqëri kombesh, kur si në pasqyrë u tregoi politikanëve të fuqive të mëdha se ç’fytyrë kishin.
Fan Noli qe i fortë në fjalën e tij kur e kapte zemërimi ndaj shkelësve të parimeve të tij socialiste.
Nga jeta patriarkale e ngushtë Fan Noli u shkëput shpejt dhe me vetëdije kapërceu nacionalizmin borgjez duke u bërë përfaqësuesi më i shquar në Shqipëri për idealin e lartë internacionalist.
Fan Noli e nisi karierën e tij si aktor dhe si i tillë kish një forcë retorike që e gjeje në bashkatdhetarin e tij Aleksandër Moisiu. Por unë këtu s’kam qëllim të tregoj për zotësinë që natyra dhe shkolla i patën dhuruar Fan Nolit. Gjeninë e tij si shkrimtar dhe njeri të artit e të kulturës ia kanë shpallur botës autorë me famë universale si Bernard Shou dhe Tomas Man dhe sa e sa profesorë, kompozitorë, biografë, historianë nga më të përmendurit në Amerikë e në Europë.

Takime me Fan Nolin
Unë dua të përmend këtu disa reminishenca që më kanë mbetur nga takimet e mia me këtë atdhetar, jo vetëm të madh por edhe të dashur e të mirë.
Përveç nga vizitat në grup që i bënim ne studentët Fan Nolit, në qendrën e ‘’Vatrës’’, u poqëm në Shqipëri më 1921 kur ai qe rikthyer nga Gjenova dhe në shoqëri të shumë personaliteteve të kohës po ecte në rrugën e Kalasë ndërsa unë po kaloja në drejtim të kundërt. Më vuri re, e përshëndeta, më dha dorën, të cilën ia putha me respekt. Më tha: ’’ Shyqyr mirë q’u poqëm në Shqipëri!’’ Më pyeti për familjen dhe u ndamë.
(I mjeri imzot Fan Noli! Erdhi në Shqipëri që t’i shërbente Atdheut siç i pati shërbyer përjashta. Po kush iu bë për shok? Nga një situatë e tillë do të lindte proverbi shqip: ”Po re me qena, ngrihesh me pleshta”
Ironia historike është e tmerrshme për këtë intelektual të dorës së parë. Rrethanat e shëmtuara e bënë të sillet edhe në mënyrë ‘’jo të pëlqyer’’ dhe nën influencën e mendjemëdhenjve dhe të sharlatanëve nisi të flasë dhe shkroi edhe gjëra që e dëmtuan. Marrim për shembull hymnin tallës që i bëri Ahmet Zogut. Ia dhuroi armën e tij malokut, shpatën me dy presa, me të cilën ai e goditi : ”Imzot, e dinja që ishe poet, po jo edhe bejtexhi!”)
Më 1923 u takuam në Vjenë. Ne nja pesë studentë e vizituam në hotelin ‘’Hamerlin’’. Na pyeti si vinim në mësime. Dhe kur dikush ia paraqiti Qemal Butkën si student të shkëlqyer, Fan Noli u shpreh: ‘’Ah, që beharin nuk e sjell një lule!’’ dhe na këshilloi të studjonim më mirë dhe të interesoheshim më shumë për hallet e popullit që na mbante me bursë…

Malli për trojet kombëtare
Fan Noli zhuritej nga malli për trojet kombëtare.
Vjeshtën e motit 1923, ai e grishi Halil Nesimin nga Qyteza, të cilin e pati njohur më parë në ShBA, ta shoqëronte gjatë udhëtimit elektoral Tiranë- Korçë-Kolonjë-Përmet-Gjirokastër. E pyeti Halilin në Korçë: Ku është Qyteza.
”Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e Qarrit” iu përgjegj Halili
Dhe kur arritë Qafën e Qarrit: ”Ku është Qyteza?” e pyeti Fan Noli përsëri.
”Do ta shohësh kur të arrijmë Qafën e dytë të Qarrit” iu përgjegj Halili duke ia shtuar edhe më kureshtjen. Dhe kur arrinë Qafën e Dytë të Qarrit, dhe Halili i tha shoferit të qëndronte automobilin, dhe zbritën jashtë: ”Ç’bukuri të rrallë që po më shohin sytë!” klithi Fan Noli duke soditur atë qark të rrethuar malesh që prej Gramozit e gjer përtej Vjosës e Dhëmbelit…
Pa Starjen e Shahin Kolonjës, në fletoren e të cilit ”Drita”pati shkruar që në rininë e vet artikuj patriotikë me pseudonimin ”Ali Baba Qyteza”; Rehovën e At Naum Cerës me të cilin kishin bashkëpunuar në Amerikë; më poshtë Vodicën e Atë Paisit me të cilin do të bashkëpunonte më vonë për të themeluar kishën autoqefale në Shqipëri. Lark mbi shtatë bregoret në mes t’atij qarku, Halili i tregoi mëhallën e fshatit të Petro Nini Luarasit, (i cili sikundër e thotë Fan Noli në letrën e tij 12.12.59 ”më gatiti udhën këtu” në ShBA)
”Po ku është Qyteza’?” pyeti Fan Noli me dëshirë ta shihte sa më parë.
Dhe Halili filloi t’i numërojë fshatrat n’anën e djathtë të asaj krahine të dëgjuar për burra trima dhe patriotë që ia kanë zbardhur faqen atdheut. I tregoi Vithkuqin e Naim Bredhasit, Rehovën e Bajazitit që u vra në Orman Çiflig, në mes të pesë djemve korçarë, në luftë kundër hordhive turke më 17 korrik 1911 dhe Selenicën e Shefko Ilikos, me të cilin Fan Noli pati punuar bashkë në zyrat e faderatës panshqiptare Vatra. Fan Noli dëgjonte; por befas i drejtoi sytë nga mali që quhet ”i zi” prej ngjyrës që i japin kreshtat dhe mërmëriti për vete:”Ç’formë fisnike i ka falur Natyra”.

Dhe pastaj me zë të lartë:”Qyteza-ku është Qyteza!”
Dhe Halili: ”Ai fshat më poshtë, n’anën juglindore të Malit të Zi, përkrah Selenicës, është Qyteza”
”Sa vend i bukur! Sa vend i dashur!” thirri Fan Noli ngadalë e me theks të fortë, të gëzuar. Pastaj si i rrëmbyer nga një vegim i largët, vazhdoi: ”Lil kur ta kemi shpallur Shqipërinë Republikë, do të ndërtojmë atje një kasolle dhe në behar do të vij të kaloj pushimet! ’’
Për fat të keq jo Qytezën, kurrë, por as Shqipërinë nuk e pa më pas dhjetorit 1924, kur u detyrua tok me antarët e qeverisë demokratike të largohet nga Tirana!
Fan Noli e deshi Shqipërinë me mall të madh, sikur të ishin mpiksur në zemrën e tij malli i gjithë atyre paraardhësve të tij që shekuj më parë e kishin lënë Qytezën, vatrën e katërgjyshërve dhe kishin vdekur në Ibrik-Tepe pa arritur të shihnin mëmëdhenë e moçëm.

Lamtumirë Shqipëri
Atë ditë të zezë, kur do të linte Vlorën për në Bari, mblodhi rreth tij edhe vullnetarët e bandës ‘’Vatra’’ që vetë i kishte nisur nga Bostoni për të përcjellë luftëtarët shqiptarë triumfalisht në Tepelenë, Korçë e Vlorë dhe u tha: ’’Vëllezër e shokë, ju duhet të qëndroni në Atdhe sepse populli ka nevojë për kulturë, për art, për muzikë. Këtë mund dhe duhet t’ia jepni ju këtij populli. Prandaj qëndroni në atdhe, duke punuar për këtë qëllim’’.
E përmenda këtë ngjarje sepse edhe vetë u gjenda në një situatë të ngjashme kur qeveria monarkike më preu bursën në Austri. Në qershor 1928, në Vjenë, roja personale e tij më shpuri afër parkun Schënbrun, ku u takova me Fan Nolin. I shfaqa pesimizmin që më kishte kapur dhe se do i shkruaja tim vëllai, Dhimitrit, të më siguronte pasaportën dhe navllon për në Amerikë.‘’Kjo tregon dobësi prej teje’’, më tha. ‘’Duhet të kini parasysh mbi të gjitha interesin e vendit, si yt atë‘’.
Në bisedë e sipër ra fjala për babanë tim (Petro Nini Luarasin) dhe m’u zotua se do të më tregonte ç’mbante mend për të. Kur u ktheva pas pushimeve në Vjenë, roja personale e tij më dorëzoi letrën me adresë Timmandorf, data 21.7.28.

Korespondenca me Fan Nolin
Kur vuaja në kampet e përqëndrimit në Francë, im vëlla Dhimitri më dërgonte nga Amerika të fala nga Imzot Fan Noli.
Më 1945, isha në Marsejë duke pritur riatdhesimin tim, kur im vëlla më dërgoi me anën e bankës së Bordeaux-it njëqind dollarë, me shënimin që të prisja të më vinte pasaporta për të vajtur në ShBA. Vetë Fan Noli qe interesuar për të vajtur atje dhe të punoja me të. Por sapo mora vizën nxitova të kthehem në atdhe. Avisën e bankës ia dhashë Vasil Gërmenjit që t’ia kthente bankës me shënimin’’ikur në Shqipëri’’ dhe t’i shkruante tim vëllai…

Më 21 tetor 1948, nga Bostoni më dërgoi një letër në të cilën më shkruante:’’Ju falemnderit për vjershat e Migjenit të cilat i këndova me interes të thellë.’’.

Më 1 dhjetor 1959 Imzot Noli më dërgoi ‘Albumin’’ me shënimin: ‘’Prof. Skënder Luarasit, Për kujtim miqësie’’.
Njëmbëdhjetë ditë më vonë, më 12 dhjetor 1959, më ngushëlloi me fjalë atërore për fatkeqësinë që më gjeti:
‘’Mësova me hidhërim të thellë që ju paska lënë shëndenë shoqja. Vetë shëndoshë! Ju rruashin fëmija,’’ 12/12/59
Dhe në anën e sipërme të letrës, shtesën: ‘’Ditën e Indipendencës fola mbi babanë tuaj Petron që më gatiti udhën këtu.’’
Përmes këtyre fjalëve njoha më mirë zemrën e madhe të Fan Nolit.

Më 20 mars 1960 i shkrova një letër ku i shkruaja për çastin e zbulimit të monumentit të Skënderbeut në Krujë, kur më pushtoi malli për këngëtarin e heroit kombëtar.
‘’I nderuar e i dashur Imzot Noli
Në mes të zisë sime e të fëmijëvet pa nënë mora letrën Tuaj dhe ndjeva në pikëllim e sipër sa e madhe qenka fuqia e ngushëllimit.
Ju, i dashur dhe i respektuar Atë Noli, me simathinë që më rrëfyet për vdekjen e sime shoqe po edhe me dashurinë që shprehni në të njëjtën letër për babanë tim, më dërguat prej shpirtit Tuaj të madh, që nga mërgimi, dy rreze drite, të cilat ma çuarrë mjergullën, më shtuan jetën e ma prunë zemrën m’afër njerëzimit.
Sa e sa herë, kur lexonja bashkë me të mjerën Olgë ndonjë veprën Tuaj, qoftë edhe vetëm shënimin për vëllanë e saj Migjenin, ajo psherëtinte, e si me vete, thosh për Ju: ”Ç’fatkeqësi për letrarët e rinj shqiptarë që nuk u ndodhët pranë t’i këshillonit e ti ndihmonit në ngritjen e kulturës sonë së re!’’
Unë vetë në punën mësimore timen ose në përkthimet që më duheshin në shkollë nuk do të kisha bërë dot asnjë çap përpara në lulishten e letravet botërore po të mos ecnja n’udhën e mbarë që na patët sheshuar Ju, i adhuruari Imzot Noli.
Shumë nga miqt e mi të rinj, që nuk Ju njohin veç se nga idealet Tuaj me të cilët janë ushqyer, kur u tregova për letrën Tuaj sa s’deshën të ma rrëmbenin duke thënë: ”A do të kemi fatin ta njohim edhe ne, ta shohim për së gjalli!”
Në Krujë, në çastin kur u zbulua monumenti i Skënderbeut, më pushtoi malli për Ju, Këngëtar i Kreshnikut tonë.
Skulptori Janaq Paço më dorëzoi dy fotografira të monumentit që t’Jua dorëzonj Juve, tok me lutjen që të kini mirësinë t’ia ndërroni me dy Tuajat, një në profil e tjetrën ballas. Unë s’po Ju lutem të më dërgoni një mua, shumë i dashur dhe i nderuar Imzot Noli, me shpresë se unë, bashkë me brezin e ri që Ju don dhe Ju adhuron, do të kem fatin t’Ju shoh prapë n’atdhenë tonë të rilindur, në lulëzim e sipër, n’altarin e të cilit Ju jini shtyllë themelore.
I adhuruar Imzot Noli,
Nga një ndjenjë që më diktonte distancë ndaj Jush, druanj se nuk e kam plotësuar detyrën, duke mos Ju përgjigjur për sa herë që Ju më kini kujtuar. Po gjithmonë Ju kam patur në zemër me ndjenja të thella dashurije dhe adhurimi dhe mbetem plot dëshirë që t’Ju kujtoj kështu për jetë.
Skënder Luarasi
20 mars 1960

Letra që mora më 16 korrik 1960 qe shkruar anglisht dhe e daktilografuar, gjë që tregonte se ia kishte diktuar sekretares, kurse Fan Noli nuk qe mirë me shëndet.
(Fan Noli u plevitos më 1933. Shkak kryesor që sëmundja s’i ndalej ish se gjatë kohës që qëndroi në Europë pas largimit nga Shqipëria, vojti keq, trupin e kish të lodhur nga puna, nga mjerimet e mërgimit dhe vobekësia. Nga ana tjetër Noli s’i jepte rast trupit të shëndoshej se punonte ditë e natë, duke shikuar libra, vjersha e përkthime të ndryshme, vojti nga anemia, reumatizmi s’iu nda fare, vojti nga diabeti deri sa e zuri kanceri.)

Tek letra, e përkthyer shqip, shkruhej:
I dashur Zoti Luarasi
Ju falem nderit për letrën tuaj të marsit ‘60, për kartëpostalen e mbyllur në të që paraqet përmendoren heroike të Skënderbeut punuar prej Janaq Paços, dhe për pullat që përkujtojnë babanë tuaj. Nën dy zarfe të veçantë do të merrni një kopje të librit tim botuar së fundi ”Përvjetori i pesëdhjetë i kishës” dhe një sërë gjashtë fotografish. Lutem ia dorëzoni të gjitha këto mikut tonë skulptorit Janaq Paço. Shpresoj se do të gjejë ç’i duhet në fotografitë me fytyrë të plotë, tri të katërta dhe në profil. Kur të ketë mbaruar me punën e tij, ju mund t’i ndani fotot në mes tuaj.
Lutem, thuajini zotit Paço që unë e vlerësoj shumë nderimin që të shoh të punuar bustin tim nga një artist aq i çquar. Duhet të kërkoj ndjesë për vonesën time në përgjigjen e letrës suaj.
Jam mbytur në punë. Shpresoj të jesh mirë. Me të fala të sinqerta për ju,
Mbetem juaji me besë
Fan S.Noli
Libri i përmendur në këtë letër nuk më ra në dorë, një letër në të cilën më kërkonte një kopje të librit ”Mallkimi i shkronjave shqipe” greqisht-shqip prej Petro Nini Luarasit, më humbi.

Nuk kishte mot që të mos merrja nga Fan Noli një letër ose kartëpostale me urim: Me falenderime dhe urime prej zemre…Gëzuar vitin e ri me të gjitha të mirat…’’
Në letrën e fundit që mora me rastin e përvjetorit të lindjes së Shekspirit (të cilën ia huajta dikujt për studim dhe ma humbi) më shkruante se sa i mbytur në punë që ishte.

Noli-gjigant intelektual
Noli qe i gjithanshëm: I thellë dhe i gjerë në mendime, enciklopedist nga dituria, ” rebel” që nga vogëlia dhe gjigant intelektual.
Ai është një nga letrarët më të shquar: 42 volume anglisht e shqip, origjinale dhe përkthime me brendi fetare, historike, biografike, letrare, muzikore, teatrale, oratorike, politike. Dallohej për durim shembullor në punë: një herë Fan Noli qe duke përkthyer ”Skënderbenë e Longfellos” në shqip. Ora vajti 12 dhe nëpunësit e lajmëruan për drekë. ”Kam punë” u tha. Kishte ngelur në rimën e vargun që fjalë për fjalë thuhet: Lidheni në hekura
Këtë shkronjës me libra dhe tru
Nuk dimë sa variante shkarraviti, por më në fund thirri: ”Eureka!”
”Lidhmani”- tha, ” me litar”
Shkronjësin me kallamar.”
Dhe çakërqejf mes shokëve që prisnin u nis për drekë.
Askush tjetër nga patriotët tanë nuk i shërbeu atdheut më gjatë e popullit më besnikërisht, e nxorri nga mesjeta e zezë dhe e pruri në pragun e socializmit.
Noli mbi të gjitha ishte atdhetar shqiptar.
Petro Kreshpani që për një kohë të gjatë kishte shërbyer në kishën e Bostonit si pitrop dhe e njihte nga afër Fan Nolin thotë se ai ‘’e përdori edhe kishën tonë në Amerikë si vend për të mbajtur gjallë shqiptarizmën. Feja e tij ishte një: atdhedashuria. Pra Noli mbi të gjitha ishte shqiptar.’’
Ai u përpoq me mish e me shpirt që Peshkopata e Kishës Ortodokse të Shqiptarëve në SHBA të varej nga Sinodhi i Shenjtë i Shqipërisë.

Një dokument kuptimplotë
Albanian Orthodoxe Church in Amerika
Boston Massachusette,
Korrik 28 1946
Krye-Hirësi,
Disa kohë më parë, ju bëra të njohur që Peshkopata këtushme, me vendim të kuvendit, dëshiron të hynjë nënë juridiksionin e Sinodhit të Shenjtë të Shqipërisë. Nuk e di a ju ranë në dorë telegramet që ju dërgova mbi këtë çështje. Në qoftë se po, ahere e mar me mend që ka ndalime për plotësimin e kërkesës sonë. Në rastin e funtmë, ju lutem, lajmëroni me pak fjalë se kjo punë nuk mund të mbarohet tani për tani dhe t’a mbyllim këtë mesele gjer sa të ndryshohet gjendja në favorin tonë. Kam shpresë të mar përgjigjen me kohë për kuvendin e afërmë të Peshkopatës 22 Shkurt 1947. Gjer ahere ju lutem të më kujtoni në meshë.
Shërbëtor i përunjur i Krye-Hirësisë suaj
F.S. Fanoli.
Krye-Hirësisë së Tij
Kryepiskopit të Shqipërisë

Na la Fan Noli!
Një ditë marsi të vitit 1965 po shëtisja në bulevard mes shokësh kur na u bashkua shkrimtari i nderuar Dritëro Agolli. Pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit, me zë të ulët na tha gjëmën: ‘’Na la Fan Noli’’.
M’u duk sikur më qëlloi zemrën një rrufe nga qiell i kaltër. U largova heshturazi nga shokët, u ngjita në banesë dhe qava e qava e qava për humbjen e mikut më të shtrenjtë që më kishte mbetur, kolosit patriot e diplomat, që gjatë viteve me radhë ndër ditë të zeza të Shqipërisë, i kishim kthyer sytë për shpëtim. Ai nuk qe vetëm mik i shtrenjtë i tim eti por dhe mentori im, mësuesi im gjatë punës sime si arsimtar. Me letrat e tij, të përhapura fshehurazi në kohën e Zogut, si abetarja në kohën e Sulltan Hamitit, unë ushqeva nxënësit e mi.
Imzot Fan Noli ishte babai shpirtëror i gjithë shqiptarëve atdhetarë, po për mua ka qenë mësues. Kam përfituar prej tij më shumë se nga gjthë profesorët që pata dëgjuar në shkollat e mesme ose në universitete. Që më 1920 kur fillova të jap mësime në fillore, më pas në gjimnaz e universitet gjer më 1968 kur më nxorën në pension, gjatë një gjysëm shekulli, Fan Noli me veprat e tij origjinale e me përkthimet e tij të mrekullueshme, m’u ndodh ndihmësi im më i mirë për të edukuar rininë shqiptare në drejtim nacional dhe internacional. Dhe kur jepja hartime letrare, kënaqesha kur edhe në regjimin e monarkut që kish dënuar Fan Nolin me vdekje, studentët shpreheshin me admirim për shqiptarin dhe socialistin e madh në arrati.
Fan Noli është ndërlidhësi më i dalluar midis Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së sotme që si një kolos e zgjeroi aktivitetin e tij në tri kontinente, rrojti shumë e vdiq me vaft e me nder.
Një nga miqtë që i qëndroi besnik deri në fund, Gary Riska, më shkroi:
‘’Fan Noli i lindur e i vdekur në dhe të huaj, me shqipen e tij, me kulturë universale, me ndjenjat e tij humane dhe socialiste, na la trashëgim këto vlera të mëdha dhe na bëri të nderohemi e të mburremi që jemi shqiptarë’’
Me vdekjen e Nolit, ‘’mbaroi’’ kolonia shqiptare në Amerikë.
Sa e varfër më duket tani edhe kjo Shqipëri që humbi burrin më të shquar të saj!
Skënder Luarasi – Kujtime, 1975

Filed Under: Featured Tagged With: e popullit shqiptar, Fan S Noli, figura faustiane, Skender Luarasi

ISAK HALILAJ TËRË JETËN NË EDUKIMIN E BREZAVE TË RINJ NË DRENICË

March 15, 2015 by dgreca

Shkruan: Prof.Skënder Karaçica-Çikago/
Foto: Isak Halilaj/
Brezi im e patëm për respekt nderimin e veprës së arsimtarëve dhe ditarin e dijes në rrugëtimin e shkollës shqipe.Në vitet 70-ta të shekullit të kalur,Në Drenicë,erdhi brezi i mësuesve të Normalës së Prishtinës që për kohën ishte një ,,universitet,,për kuadrin e shkollës shqipe në Kosovë.Në plejadën e mësuesve që erdhi nga Normalja e Prizrenit,ishte Isak Halilaj nga Terdeci që me hove të reja djaloshare e mori ditarin dhe doli para brezave të rinj për të mësuar gjuhën e bukur shqipe dhe,siç e thoshte shpeshherë,për kahet e jetës dhe të ardhmen e Kosovës.
Mësuesi Isak Halilaj e rriti shtatin në kullën e burrërisë në Terdec dhe po nga kulla e Ukë Tahirit,e mori udhën e madhe për të shkuar deri në fund të jetës,në shërbim të kombit dhe të Drenicës,që aq shumë mësoi prej amanetit të baballarëve tanë se si duhet bërë Atdheu…!Isaku e donte shumë zilën e shkollës,buzëqeshjen dhe rritën e nxënësve të tij.Saherë që vi në shkollë,më thoshte mësuesi Isak Halilaj,sikur me përtrihet jeta dhe sikur kam shkelur në livadhet më të mira të jetës!Edhe unë e pata mësues të gjuhës shqipe në Drenas.Kur vinte në klasë mësuesi Isak,ne nxënësit e tij jo vetëm që gëzoheshim,por e dinim mirë se po atë ditë do të kemi ligjëratën e tij të matur mirë për gjuhën shqipe.Ishte i rreptë sa i përket sintaksës,ndonëse ai e thoshte troç se pa fjali të mira sintaksore nuk ka gjuhë të mirë shqipe!Fjalia e tij dhe mendimi sintaksor i mësuesit Isak Halilaj,ishte trajta e jetës dhe rrugëtimi i mëtejmë në kapjen e dijes në horizontet e reja shqiptare.Më vonë ndër vite,e pata kolegë pas studimeve për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Prishtinë dhe gjithnjë në ,,luftën,,e tij intelektuale për pastertinë e gjuhës shqipe me fjalinë e ndërtuar bukur dhe me rregullat e shprehura të mendimit(sintaksë).
Në kohën kur regjimi jugosllav(serbo-sllav)e kishte në shenjestër shkollën shqipe dhe arsimtarët shqiptarë,rrugëtimi i Isak Halilajt u pati rënë në sy regjimit të egër dhe në mesin e mësuesve në Drenicë,edhe për njeriun e dashur të shkollës shqipe dhe për të kaluarën e Kullës së Ukë Tahirit,mezi prisnin rastin që të vënin në kurthat e dorës së fortë.Mirëpo,ai bashkë me kolegët e tij e mbijetoj kohën e këtij regjimi dhe arriti që brezat e rinj të Drenicë të përgatis për jetën dhe të ardhmen e tyre.
Për një periudhë pata rastin që jem bashkëudhëtar i tij edhe në disa segmente të jetës kulturore e arsimore në Drenas.Me këmbnglje e mbronte dhe me prorosite që të flasë në institucionet e kohës për vlerat tona burimore të foklorit,të kulturës,të gjuhës dhe pjesë tjera të entnisë sonë kombëtare.Për këtë arsye,në një mbledhje në Prishtinë,ku diskutohej kultura dhe shoqëritë kulturo-artistike,një surrogat serb nga Beogradi,me retorikën nacionaliste e pati sulmuar SHKA,,Shota Galica,,në Gllogovc(për kohën e atëhershme).Krejt më prorosinë e kohës që me kish mësuar dhe ma kish lanë si testament prej intelektuali Isak Halilaj,unë jam ngritur dhe kam replikaur rreptë me sorrogatin nga Beogradi,duke i dalur në mbrotje vlerave tona kombëtare dhe tabanin shekullor të saj si vlerë që edhe sot mund të participojmë me popujt tjerë në Evropë dhe më gjerë.
Meqë tash sa vjet jetoj larg Drenicës në Amerikën e largët,saherë që kujtimet me sjellin para vetës njerëzit e respektuar,nuk shpeton asnjë rast që mos të kujtoj mësuesin tim Isak Halilaj!Kujtimi i tij dhe vepra arsimore për shkollën shqipe,për brezat e rinj që sot janë bërë pjesë e rritës së shetit të Kosovës,duhet të jenë gurët e kalasë sonë të madhe kombëtare se dje patëm mësues dhe dorën e edukimit për ardhmëri,liri dhe pavarësinë e Kosovës martire.Emri i tij,besoj se do të gjejë vend në librat(monografitë)e komunës dhe të Kosovës,si një nga mësuesit më të mirë të shkollës shqipe në Drenicë!
Skëknder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association
of Intellectuals Businessmen and Activists
1219 W Devon Ave, Chicago, IL 60660
Phone: +1 (708) 983-5394
Email: S_Karaqica99@Hotmail.Com

Filed Under: ESSE Tagged With: Drenice, e brezave, Isak Halila, ne edukimin

“IK O QAR, SE KAM ZARAR!?”

March 15, 2015 by dgreca

Shkruan:Fadil LUSHI*/
Thonë se “modestia është virtyt për aq kohë sa njeriu nuk e proklamon si të tillë”. Ngandonjëherë modestia e tepruar lëre që kalon në banalitet, por edhe keqpërdoret, saqë edhe “di të ta hajë kokën”, të të bëjë budalla a të marrë dhe, në instancë të fundit, shpesh “di edhe të të bëjë njeri pa sherr”. Ç’është e vërteta, disa ditë më parë ca njerëz “vdekatarë”, që hiqen më të ditur se ne e që nuk duan të dinë për modestinë, me a pa qëllim për pak sa nuk “na i hoqën kokat”. Mësuesit korçarë e kanë shumë për qejf ta lakojnë atë proverbin e vjetër shqiptar, ku thuhet se më mirë është të kesh një armik të mençur, sesa një mik budalla a bastard. Kështu, disa ditë më parë, armiku im që është më i mençur se unë, më parashtroi disa pyetje lakonike rreth 7 Marsit. Pyetja e tij e parë ishte: “Deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që hodhën farën e dijes, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që ndërtuan atë kështjellën e pamposhtur të shkollës suaj…, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni me pietet dishepujt dhe shërbëtorët e popullit dhe vatanit tuaj…, deri kur ju shqiptarët myslimanë dhe bektashinj do ta rikujtoni Pandeli Sotirin, atë ortodoksin nga Korça i cili e humanizoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, deri kur ju shqiptarët katolikë dhe ortodoksë do t’i rikujtoni vëllezërit nga Frashri i Përmetit, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni rilindësit tuaj dhe të tjerë të tillë si ata”. Ia ktheva se ne shqiptarët myslimanë do ta kujtojmë Pandeliun ortodoks nga Korça për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët, do ta rikujtojmë e do ta nderojmë për aq kohë sa do të frymojë harmonia fetare ndër shqiptarë, do ta nderojmë për aq kohë sa do të jetojë ajo shprehja filozofike dhe unike e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Ndonëse pyetjet e armikut tim të mençur ishin lakonike, në esencë mbeten altruiste, emancipuese dhe humaniste…, në krahasim me “mikun tim që është më budalla” se unë, i cili në vigjilje të çdo manifestimi kulturor kushtuar datave të shenjta të shqiptarëve, nuk heziton të më parashtrojë pyetje idiotike, duke më thënë: “Deri kur ti dhe të tjerët të tillë si ti do na bezdisni me këto “telenovela” për 7 marsin, 22 nëntorin, 28 nëntorin e të tjera data të sajuara(!?)”… Nuk ia ktheva përgjigjen, jo se më mungonte, por pse nuk desha ta “trash muhabetin“, që mbase edhe nuk ishte kushedi se çfarë “muhabeti”. Vendosa të hesht duke shpresuar se një ditë do të marr atë lajm që llafos konvertimin e tij nga shqiptari në sllav a në kaur…, nga gjysmë shqiptari në lesh arapi…, nga njeriu në viç provincialisti (!?).
Këtë vështrim nuk e kemi ndërmend t’ia dedikojmë armikut tonë të mençur, aq më pak “mikut tonë bastard”, këtë të fundit do e heqim mënjanë, sepse nëse ky do të zinte vend në këtë opinion, atëherë nga kjo do të dilte pilaf me kos dhe tarator për rakixhinjtë. Para se të vazhdojmë ndërtimin e opinionit në fjalë, do t’i referohemi një paragrafi të Faik Konicës, i cili në revistën e tij mujore “Albania” (që botohej në Bruksel), më 15 shtator të motit 1901, një të riut i kishte shkruar a kishte përcjellë ca këshilla pasonjëse…, në lidhje me një gazetë shqip që asokohe duhej të botohet në Misir (Egjipt). (Ne që shkruajmë këtë opinion, duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se s’është korrekte hiç fare që shkrimin ta “ushqejmë” me mendime të huaja, në rastin tonë me ato të Faik Konicës). Meqenëse, edhe sot e kësaj dite të Perëndisë, ajo thënia e tij mbetet aktuale dhe pse jo edhe unikale, një thënie që reflekton gjithë filozofinë e inatit homerik ndër shqiptarët, një inat që ka zënë vend në përditshmërinë e tyre, andaj edhe përkundër rregullave të gazetarisë “besojmë se do të na lejohet” ta parafrazojmë pikë për pikë.
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”…
Disa ditë më parë, unë dhe disa miq të mi, nuk deshëm të “… bëjmë gazetë me fletë të mëdha, as me fletë të vogla, as me letra të holla e as të trasha…, as shkrojtëm toskërisht e as gegnisht…, nuk shkrojtëm as për politikën e as për Padishahun, as për Vezirin e as për Turqinë…, nuk shkrojtëm e nuk shajtëm shqiptarët muhamedanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj…,” ne nuk deshëm të themi se ky manifestim dedikuar mësuesit është më i miri…, këtë ua lamë ta vlerësojnë dashamirësit e shkollës shqipe…, përkundrazi organizuam akademi solemne kushtuar ditës më të shenjtë të shqiptarëve, 7 Marsit, gjegjësisht Ditës së Mësuesit…, atë akademi nuk ua kushtuam as politikanëve e as akademikëve, as ministrave, as biznesmenëve, as megalomanëve, as sherrxhinjve, as “mikut tonë” bastard, as njerëzve që mendja u është bërë “havale”, as njerëzve me paragjykime, thjeshtë (e bëmë aq sa mundëm) deshëm t’ia dedikojmë… mësuesit të vërtetë…, atij mësuesi i cili asnjëherë “nuk kërkoi asgjë në këmbim…,” atij mësuesi me shëndet të brishtë, atij mësuesi me një mal dashurie të çiltër për nxënësit të tij…, atij humanisti që është familjarizuar me gjithsecilin prej nesh…, atij iluministi dhe mallit të tij. Ua dedikuam “të gjithë mësuesve të vërtetë…, atyre heronjve të heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, udhërrëfyesve të jetës sonë, bartësve të filozofisë së jetës, Mësuesit”, siç do të thotë Lindita Nikolla. Me gjithë sakrificat, me gjithë mundin që dhamë për këtë akademi solemne…, ca njerëzve e gjithë kjo nuk u pëlqeu fare, sidomos atyre që kërkojnë ta gjejnë gjilpërën në thesin me kashtë!? Ngandonjëherë të marrit nuk i duhet koka…, po mbase herë-herë edhe të mençurit nuk i duhet kryet, sepse do ta “përdorë si lavatriçe të vetëlavdërimit dhe mendjemadhësisë së tij”(!?). Modestia e tepruar dhe ajo përulja jo e merituar ndaj njerëzve të paragjykuar, mund të të sjellë “telashe”, sidomos me njerëzit me të cilët nuk ke gjë të përbashkët. Andaj, është mirë të jesh modest, por ama, gjithsesi “me karar dhe pa zarar” Sa shumë kishte pasur të drejtë Konica kur ia kishte përcjellë ato këshilla pasonjëse atij të riut që mëtonte të botonte një gazetë.
*Bashkepunetor i Diellin-Tetove

Filed Under: ESSE Tagged With: “IK O QAR, Fadil Lushi, SE KAM ZARAR!?”

Nëntoka ,ne dhe historia e vjedhur

March 15, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
”Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.” (Aurel Dasareti).
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Pyetje me shumë përgjegje e sidomos atëherë kur dikush mendon se është e vetja edhe pse nuk është aspak. ironia më e madhe kishte me qenë sikur spanjollët dhe portugezët si pushtues që ishin ,sot t`ashtuquajtures Amerika Latine , të thonin dhe të “dokumentonin” se janë “ trashëgimtarët”e vëtem dhe të vërtetë të Actekëve, Inkasve dhe Majasve, Thjeshtë bota do ta quante Çmenduri !
Dihet mirë se spanjollët kur shkuan , si shkuan, vendin e kujt e zunë , kë e asimiluan ( jo 100%) dhe se sot andej pari flitet spanishtja( jo 100 % ) . Ky është normalitet !
Por në këtë Ballkanin , gjithmonë të trazuar gjërat shkojnë ndryshe. Këtu nuk ka nromalitet , ka vetëm çmenduri.
Jo shumë largë në kohë , shqiptarët me dhunë u barten nga Serbia e sotme u ndërrua konfiguracioni demografik i atyre viseve dhe nga pushtuesit po harrohet që nëntoka e çet në pah të vërtetën. Ajo që gjendet nën tokë pa marrë para syshë se sa e vjetër është, ajo nuk duron spekulime, ndërrim datash e prodhuesish ; nëntoka e flat vetë të vërtetën.
Ne duhet të jemi sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë,- thot Aurel Dasareti dhe shton: Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër, megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. .
’’Lokaliteti Belica afër Jagodinës ( Serbi) vendi i shenjt më i vjetër në Europë . e vërtetuan specialistet e Institutit Gjeologjik të Hajdelbergut dh ata të Universitetit të Tybingenit ( Gjermani). Në një vendbanim të kohës së neolitit u gjet thesari mëi madh i artefakteve parahistorike në botë me rreth 100 figura njerzish nga guri. ashti dhe argjila. që janë të vjetra mbi 8 000 vjet. .Ky ishte rezultati i hulumtimeve të specialistëveserb dhe gjerman në një lokalitet i cili u zbulua në vitin 2002 nga doktor Milorad Stojić nga Instituti arkeologjik e akademisë serbe SANU “ (Arheološki lokalitet Belica kod Jagodine najstarije je svetilište Evrope, potvrdili su ugledni njemački Geološki institut u Hajdelbergu i Univerzitet u Tibingenu. U naselju iz ranog neolita nađena je najveća riznica praistorijskih umjetnina na svijetu sa oko 100 čovjekolikih figura od kamena, kosti i gline, starih oko 8.000 godina.
Ovo je rezultat istraživanja koje su zajedno obavili njemački i srpski stručnjaci prošlog ljeta na lokalitetu koji je 2002. godine otkrio profesor doktor Milorad Stojić iz Arheološkog instituta Srpske akademije nauka i umetnosti /SANU/, pišu beogradske “Večernje novosti”.)
( E he ! paska hala institute e akademi që kërojnë vjetersina në nëntokë; se kat shqiptarët e kanë harruar “ zanatin” , janë ‘akomoduar’ dhe “ arreduar “ nëpër zyre; xgjate zot , kësi moti! !! )

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe historia, e vjedhur, Fahri Xharra, në, Nëntoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4019
  • 4020
  • 4021
  • 4022
  • 4023
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT