• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush deshti t’a zhburrërrojë Drenicën heroike?

March 12, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u ngrina kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se sa myslimanët.”
( E.Durham, Londër 1920).
Shtrohet pyetja pse kjo urrejtje e sllavëve ndaj shqiptarëve katolik dhe ma pak ndaj shqiptarëve musliman?…
(Këte të vërtet e kam ndëgjuar dhe nga goja e disa pleqëve tonë para 40-50 vitesh, të cilët adhuronin babën Dovlet . Ata të ndikuar nga hoxhallaret pro ruso-serbo-turk shprehnin mendimin se ma ngat jemi me besim fetar me serb se sa me katolik ,DIGA ).”Azem Bejta u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në gjirin e një familje me tradita luftarake e patriotike, që nga fillimi u përcaktua për luftë të pakompromis me secilin që do t´i cenojë vatrat e të parëve. Si fëmij përjetoi ngjarje të hidhura dhe tragjike. Turqit ia vranë babanë dhe ia dogjën shtëpinë, duke i lënë të pastrehë. Rropatjet e kësaj familjeje nëpër dallgët e egra të jetës ia forcuan ndjenjën e atdhedashurisë dhe ia ngritën në një ideal të pashuar, për të cilin e dhe edhe jetën.
Tiparet e një trimi të paepur dhe të një vizionari të mprehtë u manifestuan që në rininë e hershme të këtij djaloshi. Si i vogël dallohej nga moshatarët. Ishte i zgjuar e i shkathtë. I pëlqenin shumë këngët e trimërisë dhe rrëfimet e pleqëve për ngjarje të ndryshme nga historia kombëtare. Në odat tona – shkolla, mori mësime të mira. Ky shpirt i shëndoshë qëndronte në një trup të shëndosh, siq do të thoshin latinët. Edhe për zhdërvjelltësi ua kalonte të gjithëve. Në mundje, me çobanë, ishte i pari. Por mbi të gjitha atë e cilësonin trimëria dhe guximi. Ende pa i mbushur 11 vjet me pushkën e dajës, e pati plagosur një serb të Selacit, (Stojanin) të cilit ia kishin frikën të gjithë.
Gjatë viteve 1910 – 1912 shpërthyen kryengritjet e përgjithëshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në Drenicë, i mbathi opingat dhe e dha kushtrimin për një luftë mbarkombëtare kundër Perandorisë osmane.
Edhe Azemi, 20-vjeçar, u radhit në çetat kryengritëse të Drenicës, të udhëhequra nga Ahmet Delia i Prekazit. Kur drenicasit dhe shaljanët ishin nisur për luftë përbri tyre marshonte Isa Boletini, hipur mbi kalë e i shoqëruar nga disa trima. Në mes të shumë trimave i ra në sy djaloshi sypatrembur e i etshëm për luftë.

“Sot u mbushen 70 vjet nga dita e rënies së Shaban Polluzhës në altarin e lirisë. Ishte komandant i përgjithshëm i luftës së armatosur të popullit shqiptar e më gjerë kundër okupatorit serb. Mbetet përherë njëri nga personalitetet më të shquara në historinë kombëtare.. Veçanërisht beteja e fundit e brigadës së Drenicës në krye me Shaban Polluzhën, me 21 e 22 shkurt 1945 përherë do të mbete një prej epopeve më të lavdishme të heroizmit shqiptar kundër okupatorit barbar serb”, tha Rukiqi. “Anatemimi dhe stigmatizimi i qëllimshëm për më shumë se dyzet vite të figurës së Shaban Polluzhës dhe luftës së tij të njohur si Lufta e Drenicës nga historiografia komuniste ka ndikuar që edhe pas demokratizimit dhe heqjes së censurës historiografia jonë nuk ka arritur që ta laj borxhin që ka për ndriçimin e plotë dhe tësaktë të kësaj figure në tërësinë e dimensionit të saj”, tha Gashi. Historiani Mehmet Rukiqi tha se kjo është njëra ndër akademitë përkujtimore më të qëlluara kushtuar madhështisë dhe pavdekësisë së komandantit dhe tribunit të popullit, Shaban Polluzha.”
Ishte 13 maji i vitit 1981. Ate pranvere e tere Kosova ishte ngritur ne kembe dhe po kerkonte lirine e vet, te drejtat e veta qe shkeleshin me dekada e shekuj nga ata qe ishin ulur ne kolltuke prej pushtuesi. Renia e dhjetera te rinjve ne zemer te Kosoves per lirine dhe te drejtat qe kerkoheshin, ngriti me mijera te tjere ne kembe. Studente, punetore, te rritur e te moshuar, bujq e arsimtare, nxenes e pensioniste, ishin ata qe me zerin e tyre tunden themelet e ish Jugosllavise pushtuese!…. Tahir Meha me baben plak, bace Nebihun, i detyroi pushtuesin qe ne fushebetejen e Drenices te nxjerrin nje arsenal te tere armatimi, qe ta kishin ne dispozicion ushtaret e milicet e saj, te cilet po perballeshin me dy burra trima te Drenices. Edhe gjithe ata numra ushtaresh e milicesh, prape nuk mjaftuan per te mposhtur dy trima shqiptare te Prekazit, prandaj duhej angazhuar edhe njesitet rezerve te mobilizuara enkas per kete rast! Edhe helikopteret u desh te sillen ne qiellin e Drenices ate dite. Nje shtet i tere ishte ngritur ne lufte kunder Tahirit dhe babait te tij mu ne zemer te Prekazit legjendar!…
A nuk ishte kjo nje nder goditjet me te renda qe po merrte ish shteti i Jugosllavise? A nuk e vuri ne loje Tahiri Meha me baben plak nje shtet te tere ?fare ishte Jugosllavia e atehershme, makinerine dhe strategjine luftarake te atij shteti? A nuk e hodhi per toke moralin e maskuar te atij sistemi mbi gjoja barazine e popujve qe aq shume e trumbetonin edhe ish lakenjte e LKJ-se?! Ketij arsenali te tere armatimi, Tahir Meha me baben plak i rezistoi per me se 20 ore. Tahiri me bace Nebihun qendruan te palekundur nga pozitat e tyre. Tahir Meha luftonte dhe kendonte pernjeheresh: ?O Shqipni mos thuaj marova, se bijt tu oooo jane te gjalle!?…
Adem Jashari u lind në Drenice, në rajonin e Drenicës së Kosovës, më 28 nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.
A harrohen keta burra? këta burra të lirisë të cilët as shekujt nuk do të mund t`i shlyejnë nga historia e jonë e madhe. Kurrën e kurrës, serbi nuk do të mundet të çet pluhur mbi këto figura markante të qëndryeshmërisë lutarake shqiptare.

*****
Por pasi që u shliruem , ndodhën “mrekullira “ në Drenicën tonë heroike. Ate çka serbi nuk mundi me vite të tëra, t`a bën me armë deri diku e arrijti me anë të ekstremizmit fetar musliman. Filloi zhburrërimi i ynë , filluam t`i harrojmë këto figura shenjuese dhe u orientuem dikah tjetër.: Mori para borxh dhe shkoi dy herë për të luftuar në Siri. Luftoi edhe në “Drenicën” e këtij vendi. Deri kur u lëndua. E shtynë pamjet e luftës në internet dhe xhihadi.
Gjithçka që kërkohet është një biletë drejt Stambollit për ku kosovarëve nuk u duhen viza. Prej kufirit turk, qindra njerëz pastaj i drejtohen territoreve siriane ku kryengritësit që nga viti 2011 luftojnë për ta rrëzuar qeverinë. Vetëm këtu “pranvera arabe” po shtrihet në më shumë stinë.

Duke i rënë kësaj rruge, Kosovari S.T. madje kishte mbërritur e kishte luftuar edhe në “Drenicën” siriane.

Dikur punonte si mësimdhënës i gjuhës angleze në një shkollë fillore .Tani, ai mban mjekër më të gjatë – diçka që nuk shihet aq perëndimore sa anglishtja. Në kafene zgjedh makiato. Aty ka të ulur edhe policë të Kosovës. S.T. thotë se të gjithë e dinë se ai ka qenë në luftën e Sirisë, por prapë nuk dëshiron të indetifikohet me emër e mbiemër. Tridhjetë vjeçari thotë se i ishte dashur të hynte borxh për të siguruar një biletë deri në Turqi. Ai ka qenë deri më tash dy herë radhazi vullnetar në kryengritjen siriane.
…..BIK-u ka heshtur kur një imam mashtrues nga Shqipëria organizonte ekskursione për gra të varfra të Drenicës në Turqi….
Autoritetet e Kosovës e kanë arrestuar, e më pas e ka dëbuar në Shqipëri Kastriot Dukën, imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt. Lajmi bëhet publik nga radio Europa e Lirë. Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë.

Në një deklaratë për mediat, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës.
“Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
“Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, sot, me datën 3 mars 2010, ka arrestuar dhe dëbuar në Shqipëri z. Kastriot Duka, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës” – citon Europa e Lirë.
Ishin këto disa përkujtime për njërëzit e Drenicës që e shkruan historinë , por edhe për shumë gjëra që gati e zhburrëruan Drenicën !
Por jo , Drenica nuk zhburrërohet kurrë , sytë e Kosovës janë andej !

Fahri Xharra, 12,03.15

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, Kush deshti t`a zhburrërron Drenicën heroike?

KUPOLA – PENG I VETVETES, SHQIPTARËT – PENG I KUPOLËS

March 12, 2015 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Në komentet mediatike për seancën e së enjtes së shkuar në Kuvendin e Shqipërisë u dëgjuan shpesh thëniet “filani u armiqësua përfundimisht me filanin”.
Sipas mendësive të tilla, anëtarët e politikës sonë, përkatësisht të Kupolës së mafies sonë përgjatë karrierës së tyre, tashmë njëçerekshekullore, disa herë kanë qenë miq, disa herë të tjera kanë qenë armiq, ndërsa tashmë janë përfundimisht amiq, dmth nuk do të bëhen miq kurrë më.
Në mafie nuk ekziston koncepti ‘miqësi’. Ky rregull vlen edhe për komunizmin. Një mafioz mund ta kesh vetëm armik, nuk mund ta kesh kurrë mik. Mafiozët janë armiq të lindur. Edhe komunistët janë armiq të lindur. Sikur botën t’ua japësh, as të parët, as të dytët nuk bëhen kurrë miq.
Ashtu si në komunizëm, një përvojë e njohur dhe e pranuar nga të gjithë ne, edhe në mafia ndjenja që i lidh dy ose më shumë veta është bashkëpunimi në një krim. Dy ose më shumë mafiozë, ashtu si dy ose më shumë komunistë, janë gjoja shokë ose miq sa kohë që janë bashkëpunëtorë në një krim të caktuar. Nga çasti i përfundimit të këtij bashkëpunimi nuk ekziston më kjo ndjenjë. Ajo zëvendësohet me çdo lloj ndjenje tjetër, por kurrë me atë të mëparshmen. Dhe kurrë nuk është miqësi. Më së shumti, ndjenja pasuese është armiqësi.

Sepse momentin e bashkëpunimit e pason gjithmonë momenti i ndarjes së territoreve. Territoret kanë kuptimin konkret të kufizimit të zonës ku mund të shtrihet fushëveprimi apo fushëndikimi i njërës palë apo tjetrës palë, kanë edhe kuptimin fluid të kufizimit të sferës shoqërore a politike të fushëveprimit apo fushëndikimit të njërës apo tjetrës palë. Këto janë territore apo terrene të tregjeve të tenderave, të posteve e tjerë, pra të tregjeve politike, ekonomike, e tjerë.
Lufta e individëve dhe grupimeve brenda mafies bëhet për arsye të pozicionit në hierarkinë e Kupolës, në nivel lokal apo qendror, si dhe për të mbrojtur territoret (terrenet) në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e sferave. Rezultat i këtyre përplasjeve janë tronditjet brenda kupolave, rindërtimet e hierarkive, ngushtimet apo zgjerimet e territoreve në dëm të dikujt dhe në favor të dikujt tjetër.
Kjo luftë brenda miafies nuk ka pak ngjasime me luftën e klasave, e cila është i vetmi mjet i brendshëm, e vetmja forcëe brendshme lëvizëse që e rregullon dhe e rirregullon pafundësisht jetën e një patie komuniste dhe të një regjimi komunist, përkatësisht jetën e një vendi komunist.
Mafia jonë, në gjithë Shqipërinë, brenda dhe jashtë kufijve të saj shtetërorë, është një mafia postkomuniste. Reformimi i komunizmit tonë nuk u bë në kahjen progresive, pra nuk u shndërrua në një demokraci evropiane. Ky reformim ndodhi në kahjen negative, duke u shndërruar në mafie. Kuptohet se ishte dhe është shumë më e lehtë që një komunist të shndërrohet në mafioz sesa ai të shndërrohej në një demokrat.
Demokracia është sistem i garës mes më të merituarve, mes më vizionarëve, mes më të përkushtuarve ndaj përparimit të një shoqërie, të një vendi, të një sisemi, garë mes më të besuarve që përfaqësojnë një program të caktuar, një platformë, një alternativë për nxjerrjen nga një prapambetje e caktuar relative dhe përparimin e zhvillimin e një vendi dhe të një shoqërie.
Mafia është përplasje, është luftë e pafundme mes më të fortëve dhe më pak të fortëve, mes më të pabesëve dhe më pak të pabesëve, mes më mizorëve dhe më pak mizorëve në një spirale të pafundme.
Në këtë spirale jemi futur ne shqiptarët. Dhe kemi mbetur duke e pësuar teksa soditim se kur kacafytjet brenda Kupolës do ta dobësojnë e do ta shkatërrojnë atë. Këtë kënaqësi të rreme e jepte komunizmi, kur grupe gjoja antiparti zbuloheshin nga vigjilenca e partisë dhe asgjësoheshin nga udhëheqësi. Edhe këtë kënaqësi e llogariste partia kur jepte goditje të brendshme, pas të cilave ajo dilte më e fortë, ndërsa populli thjesht përjetonte zbavitjen e radhës, duke parë fundin e disave prej atyre që ishin majmur me gjakun e tij.
Në Kupolë vepron logjika e klaneve. Një klan më i fortë, një grupim më i fortë klanesh merr në duar Kupolën. Një klan ose grupim i dobësuar zhvendoset, por mbetet brenda Kupolës. Mbetet i dëmtuar, i dobësuar, por brenda saj, duke pritur fatin e radhës ose duke organizuar revanshin e radhës.
Kjo e bën kupolën peng të vetvetes. Ne mbetemi peng i saj. Kështu shpjegohet rrethi vicioz ku ne vërtitemi pa shpresë – ose me shpresa të kota se ndonjë faktor i jashtëm do të jetë i interesuar dhe do të na nxjerrë nga ngujimi ku na ka grumbulluar mafia jonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: - PENG I KUPOLËS, KUPOLA -, PENG I VETVETES, shqiptaret, Skender Bucpapaj

ÇAMËRIA NË VEND NUMËRO: PENG I PARTIVE POLITIKE PËR 24 VJET

March 12, 2015 by dgreca

Kanë kaluar mbi 24 vjet kur Shqipëria kaloi nga diktatura komuniste në një sistem demokratik. Midis shumë problemeve të lëna në harresë ishte dhe ajo e çështjes çame. Qysh në fillimet e demokracisë, Shqiptarët e Çamërisë u organizuan në shoqatën “Çamëria” dhe shpalosën hapur qëllimin e tyre: Njohjen e genocidit dhe kthimin e pronave në Çamëri. Kishte shumë entuziazëm, shumë patriotizëm dhe shumë vullnet nga krerët e kësaj shoqate vullnetarësh. Më vonë komuniteti çam vendosi që shoqata të kthehej në parti me kryetar, z.Tahir Muhedini.
Kronologji e shkurtër e politizimit të çështjes çame
• Në vitin 2006 partia e re mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës Çamëria por me disa ndryshime të vogla. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Sipas deklaratave të kreut të PDI-së Tahir Muhedini, në vitin 2006 u dërgua në Strasburg dosja e shkeljeve dhe mohimit të të drejtave të çamëve nga shteti grek.
• Në vitin 2009, në zgjedhjet parlamentare të qershorit, krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi dhe në të djathtën Dashamir Tahiri. Pas zgjedhjeve, për arsye të ndryshme, dy deputetët, Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Në ato kohë, Idrizi dhe Tahiri premtuan mjaft për zgjidhjen e çështjes çame. Ata shkuan në SHBA, ku takuan kongresmenë e senatorë të shumtë dhe prej andej sollën lajme se Departamenti Amerikan po shqyrton çështjen çame. Nuk kemi parë deri më sot ndonjë prononcim nga DASH-i as nga ndonjë senator apo kongresmen qoftë dhe privatisht nga ata që takuan krerët e rinj çam. Idrizi dhe Tahiri deklaruan më shumë se një herë për pajtimin e një studioje avokatie me qendër në Britani që do të merrej me çështjen çame por asnjëherë nuk është deklaruar emri i kësaj studioje.
• Në shkurt të vitit 2011, përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president nderi ish-kryetari i PDU Tahir Muhedini.
• Një parti “e re çame” shfaqet në horizont në vitin 2013. Para kësaj, Partia Aleanca Popullore (më pas Lëvizja Çame) ishte një konglomerat 12 mikropartish që drejtohej që nga 2001 nga Erjon Softa. Aleanca Popullore ftoi të gjitha shtresat e popullsisë, të lodhura tashme nga një politikë 20 vjeçare e një tranzicioni të tejzgjatur, “të bëhen pjesë e saj për tu dhënë udhë ëndrrave shumvjeçare të këtij populli me një të shkuar të lavdishme por deri tani pa një prespektivë për te ardhmen”. Që prej prillit 2013, kjo parti drejtohet nga zoti Artur Dojaka, i cili ishte në koalicionin e majtë me PS. Në podiumet partiake, kjo parti ishte mjaft kritike ndaj PDIU dhe drejtuesit të saj, por nuk arriti të ndryshonte dot as kushtet e qeverisjes por as edhe ndërkombtarizimin e çështjes çame.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, 66.562 e shtetasve shqiptarë iu vleftësuan votat për dy partitë kryesore, PDIU dhe AP, që kanë marrë si përgjegjësi politike në zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Çamërisë. Këto dy parti u kyçën në koalicionin e djathtë Aleanca për Qytetarin.
lamentare të vitit 2013, 54.104 shtetasve shqiptarë iu vleftësuan votat për PDIU dhe AP. Këtë rradhë këto dy parti u gjendën në 2 koalicione të ndryshme. Aleanca Popullore në grupimin e majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe PDIU në grupimin e djathtë Aleanca Për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim. Koalicioni i djathtë humbi thellësisht pasi populli e gjeti veten të zhgënjyer nga pushteti i S. Berishës. Falë angazhimit të gjerë në fushatën e 2013, PDIU arriti të sigurojë 5 deputetë, kryetarin Shpëtim Idrizi (Fier, lista e Partisë Demokratike), Dashamir Tahiri (Vlorë), Aqif Rakipi (Elbasan), Omer Mamo (Fier) dhe Tahir Muhedini (Tiranë).
Çështja Çame në Vend Numëro – PDIU: flip-flop i pazakontë
Ndërsa problemi mbetet i pazgjidhur, përgjegjësia, llogaridhënia dhe barra e transparencës bie mbi drejtuesit e partisë të cilët po e zvarrisin çështjen çame. Me gjithë prononcimet e deputetëve çamë në lidhje me çështjen, PDIU-ja është në koalicion me PD-në prej vitit 2009, por pas dy vitesh ajo nuk ka arritur të jetë realisht në qeveri dhe është mjaftuar me ndonjë drejtor të policisë ndërtimore apo asaj të patentave të makinave. Në tubimet elektorale të PDIU-së dhe AP sallat e teatrove janë plot e përplot me ata njerëz të mirë, të ngulur prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh në qytete si Durrësi, Vlora, Elbasani e Saranda që ende lotojnë për kthimin në shtëpitë e pronat e tyre. Ndërkombëtarizimi i problemit çam nuk shihet asgjëkundi dhe situata është shumë herë me keq se në fillimet e themelimit të “Shoqatës Atdhetare Çamëria”. Pavarësisht se kurrë nuk u bë e njohur përmbajtja e dosjes së Strasburgut, pas 9 (nëntë) vjetësh nuk ka asnjë përgjigje nga Gjykata e Strasburgut(?!).
Sot, pavarësisht nga qëndrimi politik, si në pozitë dhe në opozitë, veç projekteve të konsiderueshme sensibilizuese për njohjen e problemit çam, asnjëra nga këto dy parti ka vënë në zbatim rezolutën bazë për zgjidhjen e çështjes së popullsisë çame në rang politik kombëtar. Për rezolutën çame pretendohet se është miratuar në vitin 2004 dhe futja e saj në parlament nuk u paraqit e vërtetë. Kjo letër nuk nxori as një rezultat e madje u spekulua gjërësisht me të. Asnjë nga këto parti nuk ka mundësuar hyrjen e lirshme e dinjitoze të Shqiptarëve të Çamërisë për të kryer vizitat e nevojshme civile e ligjore për zgjidhjen efikase të përshtatshme të problemeve të tyre. As Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme i kuvendit popullor është angazhuar për këtë problem me qeverinë greke.
Në nivelin ligjor dhe ndërkombëtar, veç premtimeve për një studio ligjore angleze, asgjë konkrete s’është implementuar nga premtimet elektorale të këtyre 10 vjetëve. Qytetarëve të lindur në Çamëri tashmë shtetas të Shqipërisë s’u lejohet të hyjnë në Greqi me pasaportat që përmbajnë emrat e vjetër të qyteteve të tyre si Filat, Gumenicë etj. Ata janë keqtrajtuar në pikat doganore dhe janë përzënë nga autoritet me sjellje shoviniste greke.
Gjithashtu ekzistojnë opinione se krerët e PDIU-së përdorin votat e çamëve për poste e përfitime dhe merren me të kur kanë kohë, pa patur bosht ideologjik të qëndrueshëm. Kjo vjen pasi në koalicionin e majtë gjendet dhe partia antikombëtare PBDNJ e cila e ka mohuar dhe mohon haptaz çështjen çame. Tanimë thuhet se Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit nuk do të jetë më pjese e opozitës, por do të garojë në një koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015. Kjo shënon edhe fundin e marrëveshjes se PDIU me të djathtën (PD). Pritet që marrëveshja e PS me PDIU do ti sigurojë dy-tre bashki të vogla komunitetit çam.
Opinionistë e gazetarë sugjerojnë se këto parti duhet të heqin dorë nga përfaqësimi çam dhe të vazhdojnë të hapen për të gjithë, përndryshe do të vazhdojnë të dobësojë edhe më çështjen çame. “Çamëve u duhet një shoqatë ose parti që të merret vetëm me çështjen çame, ashtu si ka qenë” – shkruan Gëzim Zilja. Ndryshe votat çame do të shpërdorohen si deri tani dhe do të shërbejnë për nja dhjetë, njëzetë apo pesëdhjetë çamë dhe jo çamë, për të plotësuar qejfet e tyre siç po ndodh realisht me të zgjedhurit në qeverisjen lokale. Historiku dhe veprimet e PDIU-së flasin për një “qasje’’ shembullore pas qeverisë së Berishës dhe tani pas asaj të Ramës. Qysh nga kthimi i krerëve çam nga Amerika, shtator 2010, për çështjen çame nuk është lëvizur as edhe një hap para qoftë në rrafshin kombëtar qoftë dhe atë ndërkombëtar. Gjithashtu votat e këshilltarëve çamë në gjithë bashkitë, komunat e qarqet kalojnë sa majtas, djathtas për favore të vogla dhe interesa vetjake, që nuk kanë të bëjnë fare me problemin çam.” Andaj, nevojitet një alternativë e re politike e cila do të japë rezultate jo vetëm të kutitë e votimit, por edhe tek zemrat e drobitura të kësaj popullate fisnike.
______
Organizata jo-fitimprurëse Shqiptaro Amerikane Çamëria (AAOC) ka synim të arrijë një zgjidhje efikase dhe optimale të të drejtave të njeriut e Shqiptarëve të Çamërisë Misioni ynë është promovimi i çështjes çame dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, historike dhe etnike të Shqiptaro-Amerikanëve nga Çamëria të cilët kërkojnë drejtësi nëpërmjet standarteve ligjore demokratike amerikane për dënimin e genocidit në Çamëri dhe rikthimin dhe rivendosjen në Çamëri.
(Postuar nga Organizata jo-fitimprurëse Shqiptaro Amerikane Çamëria (AAOC)

Filed Under: Analiza Tagged With: jo-fitimprurëse, Organizata, Shqiptaro Amerikane Çamëria (AAOC)

PËRPJEKJET RUSE PËR TË PËRÇARË PERËNDIMIN

March 12, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk vizitoi të hënën Shtëpinë e Bardhë ku u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama për të biseduar mbi një numër çështjesh të interesit të përbashkët, por çështja kryesore e bisedimeve ishte gjëndja në Ukrainë.Gjatë vizitës së Donald Tusk në Washington, udhëheqsi amerikan dhe Kryetari i Këshillit të Europës theksuan se është e nevojshme dhënja e një përgjigje të fortë Rusisë për shkak të rolit që ajo po luan në krizën që ka kaplluar Ukrainën. Z. Tusk i tha Presidentit Obama se Rusia po përpiqet të krijojë përçarje në radhët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian si dhe midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Këshillit të Europës, i cilimë parë ishte Kryeminsitër i Polonisë, në takimin e tij me Presidentin Obama nuk hesitoi të thonte troç ato që mendonte në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të përçarë botën perëndimore, duke pohuar se, “Armiqët tanë të cilët përdorin propagandën kundër nesh, kryejnë akte dhune dhe shkelin sovranitetin e fqinjëve tanë.Ata duan të dobësojnë komunitetin politik të botës perëndimore.Ata po përpiqen të na përçajnë mbrenda Europës dhe të fusin grindje midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara.” Udhëheqsi europian bëri thirrje për unitet në lidhje me sanksionet kundër Rusisë si ndëshkim për ndërhyrjen e saj në Ukrainë, duke thënë se, “Kur ne jemi të bashkuar, ne do të ndalojmë politikën agresive të Rusisë kundër fqinjëve të saj. E kaluara”, shtoi ai, “ka treguar se kur ishim të bashkuar, ne mundëm të luftonim me sukses terrorizmin dhe të arrinim suksese në fushën e ekonomisë dhe të tregëtisë së lirë”.

Zgjedhja e Z. Donald Tusk në detyrën e kryetarit të Këshillit të Europës vitin që kaloi, pat tërhequr vëmendjen jo vetëm sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që u zgjodh në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjetë më pare — në një moshë të re — u gjënd në frontin e luftës kundër komunizmit. Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen anti-komuniste polake, Solidarnost, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe 25 vjetë më parë mundi regjimin komunist polak. Prandaj nuk është aspak e çuditshme që Z. Tusk edhe në ditët e sotëme, ai nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ipër sh-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuan drejt shëmbjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qëndrore. Z. Tusk, si polak e di mirë se çfarë çorbe mund të jenë duke servirur rusët në Europë.

Duke pasur parasyshë këtë të kaluar të Z. Tusk, si edhe prejardhjen e tij nga Polonia, si një vend që historikisht ka patur marrëdhënje të vështira dhe të tensionuara me Rusinë, por që është një vend i vendosur pro-amerikan, nuk është për tu habitur për seriozitetin me të cilin ai shikon ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për të përçarë vendet europiane si dhe Europën nga Amerika. Duke iu referuar politikës agresive ruse, Kryetari i Këshillit të Europës u shpreh në takimin e tij me Presidentin Obama se, “Historia brutale është këthyer tek ne — një histori brutale me një “fait accompli” politike.” Prandaj shtoi ai, “Kjo është arsyeja që është aq e rëndësishme që Europa dhe Amerika të flasin me një zë dhe të veprojnë së bashku, sepse ç’do të jemi nesër, varet nga ajo që bëjmë sot”, theksoi ai.

Para se të udhëtonte për në Washington, Donald Tusk i dha një intervistë gazetës New York Times, në të cilën ai tha se “Marrëdhënjet trans-atlantike janë boshti, i jo vetëm marrëdhënjeve midis dy kontinenteve tona, por ato garantojnë gjithashtu se vlerat tona të demokracisë, tregjet e lira, lëvizja e lirë dhe të drejtat e njeriut bazohen në një fuqi të vërtetë”, që i mbështetë ato. Ai i tha gazetës amerikane se konflikti në pjesën lindore të Ukrainës dhe aneksimi rus i Krimesë, është vetëm një nga shumë kriza që kërcënojnë tani sigurimin e Europës dhe një situatë e tillë nevojitë një qëndrim të bashkrenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Mesazhi i qartë i Kryetarit të Këshillit të Europës Shtëpisë së Bardhë u duk si tepër urgjent!

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov reagoi të martën ndaj deklaratave të Kryetarit të Bashkimit Europian, Z. Donald Tusk në Washigton duke e akuzuar atë se po “nxitë tensionet” midis Moskës dhe Bashkimit Europian.

Gjatë takimit, Presidenti Obama pohoi se megjithë sfidat me të cilat përballemi dhe një prej tyre është gjëndja e krijuar në Ukrainë, tha ai, uniteti transatlantik është më i fortë se kurdoherë më parë.Ai lavdëroi marrveshjen e Minsk-ut për një armpushim në Ukrainë që u arritë kohët e fundit me ndërmjetsimin e Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel dhe të Presidentit të Francës, Francois Hollande, por Z. Obama shtoise nëqoftse nuk zbatohet dhe nëqoftse nuk monitorohet armspushimi, marrveshje të tilla nuk kanë ndonjë vlerë.” Nga ana e tij, Presidenti Obama e siguroi Kryetarin e Këshillit të Europës se, “Të gjithë ne jemi të zotuar për të mbështetur parimet bazë të sovranitetit dhe integritetit territorial, parime këto që kërcënohen nga agresioni i Rusisë.” Z. Obama u shpreh duke thënë se“kemi ruajtur unitetin e fortë përsa u përket sanksioneve ekonomike”, kundër Rusisë. Është e rëndësishme, tha presidenti amerikan, që të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë dhe separatistëve rusë që të zbatojnë marrveshjen e Minsk-ut.

Ndërkaq, si pjesë e diplomacisë transatlantike mbi agresionin rus në Ukrainë, gjatë një takimi me udhëheqsit e ri të Bashkimit Europian në Bruksel javën që kaloi, Zëvendës – Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi me ta mbi gjëndjen në atë vend duke thënë se, “Ukraina po lufton për të mbijetuar si shtet”. Rusia, shtoi Z. Biden, vazhdon të përkeqësojë konfliktin duke dërguar në Ukrianë mercenarë dhe tankse. Si përfundim, shtoi ai, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa në terësi, në këtë moment të vështirë për atë vend, duhet të qëndrojmë krah për krah në mbështetje të Ukrainës. “Rusia nuk mund të kejohet të ndryshojë hartën e Europës, pasi kjo është ekzaktërisht ajo që janë duke bërë rusët.”Në takimin e tij me Kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Tusk në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan Biden, akuzoi Rusinë se është duke përdorur dy mjete të reja agresive të politikës së jashtme të cilat i ka këthyer në armë agresioni — përdorimin e oligarkëve dhe korrupsionin, si dhe përdorimin e energjisë si mjete për projektimin e politikës së jashtëme të Kremlinit.
Duket se urgjenca e diplomacisë intensive perëndimor në Bruksel dhe në Washington, në lidhje me gjëndjen në Ukrainë, solli të mërkurën në Washington edhe Ministrine Jashtëm të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, i cili zhvilloi një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, ku një prej çështjeve kryesore që ata biseduan ishte edhe gjëndja në Ukrainë. Ne ngulim këmbë tha Z. Kerry se “Rusia duhet t’i jap fund përkrahjes ndaj shkeljeve të integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës”.Ai shtoi se “Kjo, është e doemosdoshme nëqoftse duam të sigurojmë një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”, theksoi kryediplomati amerikan.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtëme të Gjermanisë gjatë takimit në Departmentin Amerikan të Shtetit, kujtoi vizitën e John Kerry-t në Berlin nëntorin që kaloime rastin e 25-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit, duke thënë se “ajo ishte një ditë që na kujtoi të gjithë ne vlerat e mëdha në bazë të cilave jetojmë, vlera të cilat të dy vendet tona i mbrojnë dhe për të cilat janë të gatëshme të luftojnë”, u shpreh kryediplomati gjerman. Ndërsa në një deklaratë për media para se të nisej për në Washington, Z. Steinmeieru shpreh se qëndrimet e tyre do të jenë më të forta, nëqoftse, “Europa dhe Shtetet e Bashkuara veprojnë së bashku, dhe nëqoftse Berlini dhe Washingtoni veprojnë në mënyrë të koordinuar.”
Ndërkaq, ish-Kryeministri rus, Mikhail Kasyanov në një intervistë për Radio Europa e Lirë muajin që kaloi, paralajmëroi Bashkimin Europian se nëqoftse nuk i pritet hovi Presidentit rus Vladimir Putin tani në Ukrainë, ai do të ketë edhe “objektiva të tjera të politikës së tij” agresive. Z. Kasyanov di se ç’flet sepse ai e njeh mirë Vladimir Putinin, pasi ai ka kishte postin e kryeministrit nën pushtetin e Putinit nga viti 2000 deri në 2004.
Le të shpresojmë se shqetësimet e shprehura dhe paralajmërimet e bëra nga Kryetari i Këshillit të Europës Donald Tusk në lidhje me agresivitetin e politikës së jashtme ruse dhe të kërcënimeve të Moskës ndaj fqinjve të saj, të merren seriozisht dhe të dëgjohen me vemëndje dhe me seriozitetin më të madh në Washington, në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve europiane, para se të jetë tepër vonë. Përfshirë këtu edhe Tiranën, ku sipas disa burimeve thuhet se kohët e fundit vihet re një lloj agresiviteti dhe tendencë biznismenësh rusë — ose oligarkë të korruptuar për të cilët paralajmëroi Zëvëndës Presidenti amerikan JoeBiden në Bruksel javën që kaloi –që po tentojnë të futen në Shqipëri, sipas këtyre burimeve.Shtojë kësaj edhe reagimin e ashpër të disa gazetave ruse ditë e fudnit në lidhje me deklaratën e kohëve të fundit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë mbi nevojën për të luftuar korrupsionin, si dhe deklaratën e Ministrit të jashtëm të Rusisë Sergey Lavrov mbi Kosovën.
E gjithë kjo duket si një ëndërrë e keqe, shumë e frikshme. Ujëra të turbullta duan rusët për të peshkuar! E këto ujëra të turbullta krijohen, siç ka thënë vitin që kaloi në Munich, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry duke iu referuar shfaqjeve të autoritarizmit në Europën Lindore kur, “Aspiraratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, të interesave të oligarkëve, të interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave jo-qeveritare,” ka thënë zoti Kerry.Një atmosferë e tillë politike në cilindo vend qoftë, paraqet një këthim mbrapa në zhvillimin e vendeve ish-komuniste dhe ngjallë një shqetësim të përhershëm ndaj qëllimeve afat gjata të politikës ruse në Ballkan dhe në Europën Qëndrore dhe Lindore, shqetësim për të cilin paralajmëroi Kryetari i Këshillit të Europës, Z. Donald Tusk gjatë takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara – për ata që kanë veshë e duan ta dëgjojnë!
Frank Shkreli
t

Filed Under: Analiza Tagged With: PËRÇARË PERËNDIMIN, PËRPJEKJET RUSE PËR TË

Çfarë nuk i është dhënë Doshit?

March 12, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja- New York/
Ndoshta mund të jem i gabuar, por kam mendimin që kreu I Parlamentit, Ilir Meta vështirë se mund të ketë kurdisur ndonjë plan për të vrarë deputetin e krahut të tij, Tom Doshi. Nëse deputeti, apo më saktë biznesmeni Doshi, do të përbënte ndonjë problem për kryeparlamentarin, ky i fundit ka në dorë një mijë mënyra e mjete për “t’i a nxirë jetën” atij duke filluar nga rrënimi i bizneseve e deri duke vënë strukturat shtetërore për të gërmuar në të kaluarën dhe lidhjet e Doshit për ta kryqëzuar këtë penalisht. Për më tepër deputeti që u dhuroi Shkodrën Ramës e Metës është i përfolur, të paktën nga kundërshtarët e tij për biznese e afera të dyshimta falë të cilave ka ngritur “perandorinë” e tij duk qenë ndoshta deputeti më i pasur i parlamentit shqiptar. Mirëpo zhvillimet që pasuan fill pas bërjes publike nga Tom Doshi të ekzistencës së një plani për ta ekzekutuar atë, plan në krye të të cilit qëndronte Ilir Meta dhe mënyra si po menaxhohet prej Metës dhe aleatëve të tij momenti i krijuar nga akuzat e deputetit shkodran, të krijon bindjen se në akuzat e këtij të fundit ka të paktën diçka të vërtetë.
E para ka të bëjë me mbajtjen fshehur për një periudhë gati gjashtëmujore të shqetësimeve të zotit Doshi lidhur me ekzistencën e një plani për ta ekzekutuar atë me anë të një vrasësi me pagesë. Përsa i përket kësaj, më së pari lind pyetja: “Për ç’arsye u la jashtë lojë prokuroria në këtë rast?” Në rastin më të mirë mund të mendohet se çifti “Rama-Meta” kanë preferuar të mos i hyjnë një beteje me Doshin qoftë për të mos rrënuar më tej imazhin e dëmtuar të pushtetit të tyre, por edhe pasi kanë akoma nevojë për kontributet e Doshit, aq më tepër duke pasur parasysh pretendimin për “të pushtuar” edhe bashkinë e qytetit I konsideruar deri dy vite më parë si “bastion antisocialist”. Gjithashtu, pas shpërthimit të “bombës” nga Tom Doshi dolën në dritë dhe episode të tjerë të cilët paskan ndodhur gjatë periudhës gjashtëmujore të mbajtjes hermetikisht sekret të gjithçkaje që lidhej me atentatin kundër Doshit. Kështu, një ditë të bukur ministri I policisë, Tahiri duke folur para gazetarëve deklaron se na paska takuar dy herë ekzekutorin e Doshit, të cilit I ishin premtuar 500 mijë euro a thua se po takonte një partner, apo agjent të tijin të infiltruar në grupet kriminale. Madje një herë e paska takuar duke qenë në shoqëri edhe të kreut të policisë së shtetit, ndonëse ky i fundit e ka mohuar një takim të tillë. Në një rast të tillë, duke pasur parasysh edhe faktin se “vrasësi i paguar” për eliminimin e Doshit ishte një individ me precedentë penalë dhe I kërkuar nga policia, vrasësi duhej të kishte dalë me pranga në duar pas takimit me ministrin. Të paktën nuk do të ishte lënë të ndalohej në kufi pas shpërthimit të skandalit, kur u duhej që të depononte kundër Doshit dhe videos së publikuar prej tij.Duke vazhduar me përiudhën në fjalë logjikisht hidhen hije të forta dyshimi ndaj motiveve të atentateve të bëra ndaj vrasësit dhe njeriut I cili sipas Doshit paska dërguar porosinë. Ndërsa tani të bën përshtypje ngutja dhe mobilizimi I gjthë strukturave përkatëse shtetërore për ta nxjerrë kreun e parlamentit “të larë”, në një kohë që opozita po bën presion duke i kërkuar dorëheqjen. Nga ana tjetër duke filluar nga kryeministri Rama, vihet re një përpjekje për trajtimin e akuzës së Tom Doshit si fantazi apo “telenovelë” siç shprehet vetë vetë ai. Ndërkohë, nga zyrtarë apo deputetë të cilët, ndërsa pranojnë se ka ekzistuar një plan për të vrarë Tom Doshin, pretendojnë se në krye të këtij plani ishte as më shumë e as më pak po ish-kryeministri, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, dora vetë. Mirëpo kjo ide që në krye është e pabesueshme, mjafton të merren në konsideratë raportet e Berishës dhe “alergjia” e tij ndaj Doshit, kundër të cilit ka formuluar akuza nga më të rëndat. Synimi për t’i a faturuar Berishës planin për të vrarë deputetin socialist është një autogol klasik. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, vështirë se Rama, Meta e Tahiri do ta kishin fshehur me fanatizëm për muaj të tërë. Në të kundërt, duke qenë se u kishte ardhur “zogu në dorë”, pa humbur kohë do i ishin drejtuar prokurorisë që pastaj policët e Didit ta dërgonin Berishën pas hekurave duke shpëtuar prej tij përfundimisht, në kohën që PD-së do t’I vihej një njollë e rëndë.
Sa për prokurorinë, mendoj se po humbet kohë duke marrë në pyetje, Ramën, Berishën, Monikën, dhe të tjerë për të konstatuar se ka ekzistuar realisht një plan për të vrarë Tom Doshin apo jo. Ndoshta do të kishte qenë më tepër e dobishme që hetimet të fillonin nga pyetja: “ Cilët janë shkaqet e prishjes së flirtit të Doshit me ata, për të cilët kontribuoi më shumë se kushdo që t’i sillte në pushtet?” Pas njohjes së shkaqeve të mësipërme mund të konstatohet nëse Ilir Meta duhej të ishte vërtetë i interesuar për të hequr qafe Doshin, apo ky fantazon me qëllim për t’u hakmarrë ndaj premtimeve të pambajtura të çiftit Rama-Meta për t’I kthyer atij borxhin për kontributin e dhënë në fitoren e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh eksperiencën, mendja ta do se Doshi nuk I ka mbështetur me të gjitha mjetet në radhë të parë financiarisht Ramën e Metën për idealizëm apo qoftë se ka dashur që Berisha të ikë nga pushteti. Në Shqipëri, mbështetja e një forcë politike nga një pjesë biznesmenësh është si të thuash një lloj investimi, I cili I jep frytet pasi kjo forcë politike vjen në pushtet, prandaj dhe Doshi ndjehet i zhgënjyer, pse jo edhe i revoltuar si pasojë e vlerës së premtuar që nuk i është dhënë. Për mua, më shumë rëndësi se kanë dashur ta vrasin Doshin apo jo, do të kishte zbardhja e asaj se cili ka qenë pazari dhe çfarënuk i është dhënë Doshit nga ky pazar. Dhe për pazare të këtij lloji në një shtet normal ndëshkohen të dy palët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfarë nuk i është, dhënë Doshit?, Gavrosh Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4025
  • 4026
  • 4027
  • 4028
  • 4029
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT