• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PARA PUSHKATIMIT…”

March 9, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
HAPNI DOSJET !
“Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit! Enver Hoxha”/
1945…DOSJA Nr…/
■Isha fëmijë në Nandor të vitit 1945 kur shkova me Nanën me rregullue varrin e Babës, javën e të Vdekunve në Rrëmaji. Dikush tregoi se janë rregullue Varre mbas murit aty ku per çdo ditë ndigjohej shkrepja e automatikëve të “çlirimtarëve tanë trima”…
Si fëmijë shkuem me pa ata varreza që vërtetë ishin të veçanta, ishin tre me Kryqa dhe tre përballë me shenjën e Muslimanëve, sipër me zhovor të bardhë, gjashtë foto të mëdha dhe rreth varrit me cigare. Kush vinte aty, njena nga Nanat që ishte tek Koka e djalit saj, u epte cigare vizitorëve… Kujtoj se tek varri i Kolë Sokolit kishte edhe fruta… Mbas pak minutash u ndigjue një zhurmë makinash me disa ushtarë të armatosun … Kujtoj si tashti tmerrin e ardhjes së atyne kamjonëve me ushtarë të armatosun, kur po shihnim ata Varre, pra, janë plot 70 vjetë nga ajo ditë që nuk e harroj kurrë, mbas Murit të Varrezave të Rrëmajit… Kur ushtarët me armë në dorë vrrisnin si bishat e terbueme: “Largou…largou…!” e Nanat e Atyne djelmëve që ishin pushkatue, mbulue me futa të zeza e degermia të bardha, pranë atyne varrezave të rregullueme me aq kujdes, rrokën fotot e mëdha të Atyne djelmëve si sokola për gjoks… Kur ushtarët shkrepën armët e tyne vrastare në ajr, ne ikëm nga frika… Gjithshka aty u kthye në zallishtë si përpara…
■Dosja nr.1108 (1945) hapet kështu:
“ V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtur mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndu Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.
CafMeti tha: Rroftë Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”

■Kur Nana ime shkoi tek Burgu i Kishës së Fretenëve, me i çue ushqimin axhës së vet, At Mati Prennushit, i dënuem me vdekje në mensen e atij kuvendi pa e dëgjue njeri atë gjyq Burrash për të cilin Historia e Shqipnisë vazhdon me “heshtë”, mbasi komunistët u gjetën ngushtë ndaj padronëve jugosllavë, që kishin urdhnue me “futë armë në Kishë dhe me e shkatrrue atë çerdhe Atdhetarësh me kulm e thëmel… tue i detyrue në tortura me pranue se armët i kishin futë Fretnit e atij Kuvendi…”, Fretnit qendruen si Burra dhe u pushkatuen të gjithë Prelatët e Klerit Katolik Shqiptarë, pa pranue asnjeni akuzat!…
Ishte 11 Marsi 1948, kur Dulaq Lekiçi i tha Nanës sime: “Mos sill ma ushqime… I kemi pushkatue dhe e keni në Zallin e Kirit !..” Kurrë nuk më shkonte mendja se “njëditë” do të kishe mundësi me pa me sy dhe me lexue Dosjen e At Matisë me shokët e Tij…
■Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948:
Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI,
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe
3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
P. Kryetar i Gjykatës
67 Rregj./1948 Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
***
■Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!” (Simbas tregimit Don Mikel Koliqit 1993)
***
■“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
1. Prof. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
2. Patër Daniel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija! Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.”
Shënim (FR): Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
***
■Prizren, 15 Nandor 1946: Nga “Katoliçeskaja Banda” Pushkatohen:
At Bernard LLUPI tha:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…
Prof. Kol PARUBAJ: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!” Maria SHLLAKU filloi me këndue Hymnin e Flamurit…
At Bernard Llupi atëherë i tha me za të naltë: “Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna Shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!.. RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
Mësuesi Gjergj Martini tha: Rrnoftë Shqipnia e Bashkueme. Rrnofshin Shqiptarët…”
***
■Me datën 28 Mars 1947 Ushtari Besnik i Atdheut dhe i Fesë Don Dedë MAÇAJ tha:
“Ja ku po e them para Zotit Tonë, që shpejt ka me më pritë, dhe para gjithë jush
ushtarë të shtrejtë që, po më vrasin vetëm për shkak se urrejnë Fenë Katolike.
I tham këto fjalë pa ligësi dhe pa urrejtje për ata që do të më pushkatojnë!
Rrënoftë Krishti – Mbreti Ynë! Rrënoftë Papa! Rrënoftë Shqipnia!”
***
■Prof. Prenkë Kaçinari shkruen:
“…Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’ po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
***
■Imzot Prof. Jul BONATTI njëditë i kishte tregue kushrinës që shkoi me e takue në një manikomjo ku, e derguen mbasi e dënuen 5 vjetë pa fakte…“Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
E gjetën të coptuem nga të “pavetëdijshmit” me 5 Maji 1951… (Dosja 3616, Arkivi)
***
■Imz. Ernesto Çoba: (1978), “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë e do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”
■25 PRILL 1968
Don Mark Hasi: (1968) tha në fjalën e fundit mbasi ju dha vendimi i gjyqit në Shkoder: “me vdekje, me pushkatim” , “…Ka me ardhë ajo ditë, kur do të ngrihet një Monument në Shqipni. Me shkronja të arta, do të daltohën emnat e të gjithë Martirëve dhe Deshmorëve të Lirisë së Atdheut, që luftuen për Demokracinë e vërtetë dhe ranë nën shpatën komuniste.”
■Zoti i pastë në Mbretninë Tij!
Vazhdon Pjesa V, “Respekti per të vdekunit…”
Melbourne, Mars 2015.
*Pjesa V.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Para pushkatimit

Shoqata Ana e Malit – mësimdhënsit dhe nënat festojnë festat e tyre, 7-8 Marsin

March 9, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA New York/
STATEN ISLAND NY : Shoqata “Ana e Malit” që mban emrin e trevës autoktone shqiptare me të njëjtin emër të Komunës së Ulqinit dhe grumbullon rreth vehtes kryesisht bashkatdhetarë të ardhur në SHBA nga kjo trevë, me qendër në ishullin njujorkez Staten Island, në kuadrin e festave të 7 dhe 8 Marsit, organizojë, të dielën në mesdrekë një aktivitet kulturoro-argëtues, duke nderuar me këtë rast dy mësimdhënse të dalluara nga kjo trevë; znj. Rukije Lika – Shabaj, dhe znj. Syme Mehmedi – Kokaj, si dhe veprimtaret e dedikuara të komunitetit znj. Elsa Lulaj, Lindita Lole, dhe Edina Kovacevic.
Kjo shoqatë, e dalluar për aktivtete të tilla në komunitet, në lokalin Vanderbilt – qytetin Staten Island Nju Jork – mblodhi së bashku dhjetëra gra shqiptare, kryesishtë nga kjo trevë, shoqe, miq dhe dashimirë të këtyre grave, si dhe të ftuar nga autoritetet lokale, dy asamblesitët e Kuvendit të New Yorkut, Nicole Malliotakis, dhe Mark Gjonaj (me gjithë familje), si dhe Konsullën e Përgjithëshme të Kosovës në SHBA – Ambasadoren Vlora Çitaku, Dr. Shpresa Xhaklli – Ambasadorja e fëmijve me autizëm të Kosovës – nëpër botë,e cila është edhe pjesë e librit: “Histori Suksesi Shqiptaro-Amerikan” me bashkëshortin e saj Rexh Xhaklli, për të festuar së bashku 7 Marsin – Dita e Mësuesit dhe 8 Marsin – Dita e Nënës.
Folësit nëpërmjet përshëndetjeve për 7 dhe 8 marsin, u a uruan të gjitha pjesëmarrësve ngrohtësisht dy prej festave më domethënëse për familjet shqiptare, kudo që ato punojnë, jetojnë e mësojne sot.
Ata, nëpërmjet përshëndetjeve të tyre theksuan se dita e 7 marsit, Festa e Mësuesve, dhe festa e 8 marsit, Festa e Nënës:” Nuk janë rastësi – festa janë njëra pas tjetrës: mbasi sipas folësve, nuk ka njerëz më të përkushtuar se sa mësuesit që bëjnë të pamundurën që nxënësit e tyre të trashëgojne atë dije të akumuluar që do t’u hapi dyer dhe horizonte të reja në jetë, dhe nuk ka dashuri më të madhe se sa dashuria dhe sakrifica e nënës për fëmijet e saj!” thanë folësit.
Kurse, udhëheqësja e këtij aktiviteti – zonjusha Etrita Ibroci, u shpreh se :” ‘Femra shqipëtare tani është besnike e vizitonit botëror mbi tolerancën, Arsyen, dashurinë, dhe drejtësinë. Ajo është edukatore e brezit e vet dhe bartëse e kulturës. Në këtë mënyrë ajo në çdo hapë materializon thënien e kahmotshme se pa femër të arsimuar nuk ka as komb të kulturuar.’ tha Ibroci duke hapur festën dhe uruar në emrin e shoqatës, anëtarëve të ketij komuniteti, të gjithë mësuesve dhe nënave shqiptare ditët e festave të tyre, Gëzuar!.
Me rastin e 7 – Marsit-Ditës së -Mësuesit, si dhe 8- Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ose siç e kemi festuar ne në Shqipëri, si Ditën mbarë kombëtare e Nënës, pati dhe fjalime përshëndetse, nga mysafirët. Përshëndetën, me rradhë dy asamblesitët e Kuvendit të New Yorkut, Nicole Malliotakis, dhe Mark Gjonaj, si dhe Konsullia e Përgjithëshme e Kosovës në SHBA – Ambasadoren Vlora Çitaku.

Ndërkohë, nëpërmjet mesazhit të dërguar, ( në munges të pjesmarrjes ), dy mësimdhënset e dalluara nga kjo trevë; Rukije Lika – Shabaj, dhe Syme Mehmedi – Kokaj, faleminderuan shoqatën Ana e Malit, për këtë nderim, që iu bë atyre, dhe uruan festat të gjitha grave dhe mësueseve të komunitetit. Gjithashtu, me përshëndetje, rasti, u prezantuan gjatë marrjes së mirënjohjeve – znj. Elsa Lulaj, Lindita Lole, dhe Edina Kovacevic.
Veprimtaria e njohur e komunitetit Shpresaj Xhaklli, duke përshëndetur këto dy festa të rëndësishme, ka treguar eksperiencën e saj si një nënë shëmbullore, dhe mësuese. Ajo tha se :”“Isha e vetmuar shumë, me dy fëmijë të vegjël dhe panjohuri se si t’i ndihmoj djalit! Kështu unë si nënë e fillova përkushtimin tim me autizëm, që t’i ndihmoj Arbenit tim. Ballafaqimi me një shoqëri dhe vend të huaj, sistemin shkollor të panjohur, për mua, pa asnjë shqiptar ose familje rreth, ishte shumë e vështirë. Nuk kisha mbështetje dhe askënd të më udhëzoj se çka të bëj. Këtu vjen ne shprehje ajo thënia ‘çka nuk të mbyt, të bën më të fortë”, dhe si një nënë, si një prindë .
Gjatë kësaj fjale impresionuese, dhe që u ndoq me vëmendje nga pjesmarrset, Xhaklli, tha se arritja më me rëndësi për mua, ishte hapja e qendrës së parë për fëmijë me autizëm, në Prishtinë, dhe organizimi i parë i mbrëmjes për mbledhje të fondeve për të mbështetur këtë qendër dhe hapur disa degë në disa qytete të Kosovës.
Ajo u shpreh se “Mjekësinë e kam zgjedhë nga dëshira të ndihmoj njerëzit, por, si duket, autizmi më përzgjodhi mua, si nënën e Arbenit, që të ndihmoj fëmijët e tjerë. Ëndrra ime është që në çdo shkollë fillore, të kemi nga një klasë për fëmijë me autizëm dhe një qendër Kombëtare, ku zhvillohen trajnimet e nivelit profesional”.

Më tej ajo tregojë fillimin e punës së saj në Kosovë në vitin 2009 e deri më tani që janë hapur edhe qendrat me fëmijë me autizëm, në: Prishtinë, Pejë, Prizren, Suharekë, Gjilan dhe Mitrovicë, dhe po provon në Gjakovë, ku janë bërë trajnime të shumta profesionale, projekte për donacione si dhe mbrëmje e koncerte bamirëse.
“Rrugëtimi im vazhdoi, Xhaklli, është inspirimi, është Arbeni, nëse krahu i djathtë, u shpreh ajo është bashkëshorti, veprimtari Rexh Xhakli”.
Në fund të fjalës së saj Shpresa Xhaklli, dha dhe një mesazhi për të gjitha gratë shqiptare, duke thënë: “Mos keni komplekse, keni pasion dhe sinqeritet. Me punë të gjitha arrihen. Në jetë jepen shumë mundësi, pyetja është se a do t’i përdorësh ato dhe si. Nëse humbni rrugën, bien, përdore atë moment të vështirë si shkallë për suksesin tënd. Kurrë mos u dorëzo, ajo është rruga më e lehtë” tha Xhaklli ndërsa uroi përzemërsisht 7 dhe 8 Marsin.
Fjala përshëndetëse, ose fjala kryesore, u mbajt prej kryetarit të SHAM-it, zotit Ismet Kurti. Kryetari i shoqatës, i cili e vlerësoi 7 dhe 8 marsin si një traditë mbarë kombëtare, tha se ne edhe këtë vit po shënojm ditën e mësuesit 7- Marsin si një ditë shumë të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare për arsim – duke respektuar këtë profession të shejtë. Dhe duke kujtuar këtë ditë ne po me vet-përgjegjësi themi se kush nderon këtë profession ka nderuar vetveten dhe kombin e tij. Prandaj, më lejoni të përshëndes në emrin e Shoqatës dhe tuaj të gjithë mësuesit në mbarë trojet shqiptare, dhe në Diasporë.
Kreu i anamalësve, zoti Kurti, më pasë duke folë për 8 – Marsin, ditën e Nënës, tha se ” Kjo aktivitet, përputhet edhe me festën e bukur dhe të dashur Ditën Ndërkombëtare te Gruas. Kështuqë, në emër të Shoqatës, dhe Tuaj, të gjitha – nënave, motrave dhe grave shqiptare, ju a urojmë gëzuar këtë ditë të dashur. Njëherëshit, tha ai më lejoni që te përshëndes ne emër Tuaj në emër të SHAM-it, dhe në emërin tim personal ato mësuese e gra që nderohen me një mirënjohje që ndan për çdo vit në këto festa Shoqata Ana e Malit.
Ibroçi me anë të një biografie prezantoi dy mesueset fituese të çmimit të festës, ndërkaq, Salihe Redzovic nga Baruch College (Macaulay honors program), ka prezantuar Elsa Lulaj, Lindita Lole, dhe Edina Kovacevic.
Kësaj rradhe Shoqata Ana e Malit në Staten Island në Nju Jork, me çmimin e mirenjohjes së festave të 7 marsit, Dita e Mësuesve, dhe festa e 8 marsit, Dita e Nënës : dy mësimdhënse të dalluara nga kjo trevë; znj. Rukije Lika – Shabaj, dhe znj. Syme Mehmedi – Kokaj, si mësuese të përkushtuara dhe veterane të arsimit në gjuhën shqipe gjithashtu, dhe veprimtarët e dedikuara të komunitetit znj. Elsa Lulaj, Lindita Lole, dhe Edina Kovacevic.
Vlenë të përmendet se pjesëmarrja ka qenë mjaft e kënaqëshme, dhe atmosfera ishte shumë festive, shoqëruar me një program të pasur artistiko – kulutror me këngë e valle nga të gjitha trevat. Soprano Lindita Mezini – Lolo dhe këngëtaria e talentuar Kristina Melo kënduan disa këngë për Nënën. Në fund u mbajt edhe lofa e fatit me dhuratat e përgatitur me rastin e festave.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ana e malit, Beqir Sina, festoi 7-8 Marsin

ME KRIJUES SHQIPTARË, NGA SUEDIA, NË LAÇ-KURBIN…

March 9, 2015 by dgreca

(Përurohet vepra “Thesar Kombëtar”-3)/
Nga MURAT GECAJ/
1.Në ditët e festave të gëzuara popullore të 7 e 8 Marsit 2015, qyteti i Laçit, në Kurbin, pati në gjirin e vetë mysafirë jo të zakonshëm. Ata ishin emigrantë shqiptarë, me banim në Suedinë e largët, atje në Skandinavi, si Osman Ahmetgjekaj, Saranda Iseni e Naim Latifi etj. Pra, këta krijues përfaqësonin Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani” të Suedisë, me Hysen Ibrahimin në krye. E kishin zgjedhur pikërisht Laçin, për ta përuruar veprën e tyre të re, “Thesar Kombetar-3”, pasi Shoqata e tyre ka nderin të mbajë emrin e njërit nga Papët më të njohur të Vatikanit, i cili e ka origjinën nga kjo krahinë me tradita, të lashta e të reja atdhedashurie. Por në këtë veprimtari morën pjesë dhe të ftuar nga Kosova, Tirana e Durrësi, Lezha etj.
Përveç anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me qendër në Laç dhe që kryesohet nga Nikollë Leshi, pjesëmarrës në veprimatrinë e orgaznizuar ishin poetë e shkrimtarë, studiues dhe punonjës të artit e kulturës, mësues, nxënës e prindër, përfaqësues të bashkësive fetare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike (RTSH, TV-Lezha) etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Prefektura e Lezhës etj.
Ishte kënaqësi që, bashkë me mua, aty ishin edhe krijuesit e miqtë, si Viron Kona, Jaho Margjeka, Zenel Baliaj, Fran Nikolli e të tjerë.
2.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë e Italisë, në emër të mikpritësve, fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi. Ndër të tjera, ai tha se ishte një ngjarje e shënuar për jetën e banorëve të Laçit, por dhe të mbarë Kurbinit, që në ditët e festave të 7 e 8 Marsit aty kishin ardhur krijues të njohur të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, nga Suedia, si dhe të ftuar të tjerë. Përurimi i veprës së re të kësaj Shoqate, “Thesar Kombëtar-3”, me 757 faqe, ishte një dëshmi e mjaft botimeve të saj, me vlera të shumëfishta, si letrare, kulturore e shkencore, por mbi të gjitha me përmbajtje të lartë atdhetare.
Në vazhdimësi, u dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga Artur Bardhi e Hysen Ibrahimi. Ky i fundit njoftoi se po punohet që të përgatitet për botim vepra tjetër, “Thesar Kombëtar-4”, e cila parashikohet të përurohet në muajin qershor të këtij viti. Pastaj u lexua përshëndetja e dërguar nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë, Hasan Qyqalla, me banim në Gjermani. Atë e lexoi një nga sponsorët kryesorë të kësaj veprimtarie, Naim Latifi.
Pjesë e rëndësishme e këtij përurimi ishin temat e paraqitura, rreth veprës së re “Thesar Kombëtar-3”. Kështu, një zbërthim të detajuar i bëri asaj studiuesi i njohur Vlash Prendi. Më pas, folën me nota vlerësuese për këtë botim, Martin Gecaj e Osman Ahmetgjekaj, Engëll Ndocaj e Besi Bekteshi.
Në emër të kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi i njoftoi pjesëmarrësit në veprimtari se, bazuar në ndihmesën e tyre të çmuar për këtë Shoqatë, kishin vendosur që t’i pranonin Anëtarë-Nderi, disa veta, të cilat janë: Hysen Ibrahimi, Padre Giovani Parugine, Besi Bekteshi e prof. Murat Gecaj. Këta i përshëndetën gjithë të pranishmit dhe shprehën falënderimin e tyre, për nderin që u bëhet, duke premtuar vazhdimin e bashkëpunimit sa më të frytshëm, me këtë Shoqatë, në të ardhmen.
3.
Ajo, që i dha një gjallëri të veçantë kësaj veprimtarie festive, në Laç-Kurbin, ishte shfaqja e bukur e artistëve të ansamblit të këtij qyteti. Atë e drejtuan me aftësi të veçantë moderatoret Saranda Iseni, nga Suedia dhe Fatmira Aliu, gjithashtu emigrante. Kështu, këngët e vallet e pushtuan mjedisin e sallës së kinoteatrit të qytetit, ku ndodheshin të ftuarit e shumtë. E meriton t’i përmendim këtu të gjithë numrat e paraqitur, por ndër ta ishin këngët me përmbajtje atdhetare: “Jemi bijtë e nënës shqipe”(nga Agustin Çela, Gjergji Leka e Preg Prenga), “Kudo shkojmë, Shqipe na thonë” (nga Kastriot Kola), “Princesha e Kastriotit” dhe “Moj Sarandë, moj Delvinë” etj. Gjithashtu, u duartrokitën këngët e Gjesilda Përshetës, Fatmira Aliut e Mide Aliut dhe emigrantes në Itali, Vjollca Grecaj, si ”I kam thënë bilbilit” e “Moj e bukura, që del në derë” etj.
Mjaft ritmike dhe mbresëlënëse ishin vallet popullore, që u interpretuan me mjeshtëri nga djem e vajza të shkathët. Ato përfaqësonin krahina të ndryshme të Atdheut tonë dhe sollën emocione për të pranishmit, në këtë festë të paharruar.
Me këtë rast, pjesëmarrësve iu dhuruan disa kopje të veprës “Thesar Kombëtar-3”, por dhe të mëparshmet, pra nr.1 e nr.2. Po kështu, autori M.Gecaj u dhuroi disave prej tyre librin e tij më të ri, “Me shpirt atdhedashurie”, përgatitur dhe mundësuar për botim, nga veprimtarët e dalluar të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi.
Në mbyllje të tërë kësaj veprimtarie, të pranishmit morën pjesë në koktejin e shtruar nga Bashkia e qytetit të Laçit dhe bënë fotografi të përbashkëta, që do të mbeten kujtim i pashlyer, për të gjithë ata.
Tiranë, 9 mars 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: ME KRIJUES SHQIPTARË, Murat Gecaj, NË LAÇ-KURBIN…, NGA SUEDIA

Murat Gecaj,me shpirt Atdhedashurie

March 9, 2015 by dgreca

Esse nga Përparim Hysi/
Për t’i thënë gjërat më hapur: kushdo që do shohë shkrimin, do shtrojë pyetjen e drejtpërdrejtë: kush është Babushi? Dhe fill pas kësaj vjen pyetja tjetër: si paska mundur të “zhvendosë” moshën? Për të mos lënë lexuesin që të futet në hulli të panjohura, po shpjegohem.
Babushi është Profesor Murat Gecaj. Dhe ky titull “Profesor” nuk është honorofik, por i mbrojtur me djersën e ballit si një diturak në fushën e pedagogjisë dhe në atë të publicistikës. Sado me tituj shkencorë ( doktor i shkencave pedagogjike qysh nga viti 1992 dhe më 1996 “Profesor i asociuar), ai është më i thjeshtë se thjeshtësia dhe i kudondodhur në të gjitha eventet: shkencore, publicistike, artistike, kulturore. Ka një përkim të çuditshëm tek Murat Gecaj: sado që është 75-vjeç, ai është aq dinamik sa të jepë përshtypjen e një mesoburri aq vital, sa zë i beson një thënieje të tij: nuk jam 75, por 57-vjeç. Dhe vërtet: kushdo që e sheh për herë të parë, kështu e çmon.Prag gjashtëdhjetave dhe aq. Unë që e njoh, disi më më mirë, ia di sekretin kësaj “zhvendosjeje moshe”. Burimi është diku tjetër: tek Katrina, bashkëshortja e Muratit.
Mos më kujtoni se jam pak i njëanshëm. Po dua të jem i saktë: thotë Gëtja diku:” Nëse një burrë i moshuar (Babushi është i tillë sipas datëlindjes), është i mbajtur mirë dhe nuk e tregon moshën, merita është e gruas së tij: ka grua të mirë. Nga kjo anë, Babushi, ka patur fat. Tek them kështu, nuk shkruaj me apriori, por nisem nga fakte.
Unë, zonjën e nderuar Katrinën e Babushit, nuk e kam takuar asnjëherë. Vetëm kam folur në telefon dhe, megjithëse nuk e kam takuar, e kam formuar opinionin tim për të. Dhe ja përse:

– Alo! Jam Përparimi.
-Urdhno!
-A mund të flas me Babushin?
– Babushi ka ik.
– Ku?
-Në tubime.Dikush po promovon një libër a ka një takim në shkollë.
-Po a gjithmonë kështu bën?
-Po, mor. Nuk ka ditë a mbassditet.
Pas këtyre bisedave që janë bërë të zakonshme, kur e kërkoj Babushin, si “ngacmues” që jam, një ditë i them Katrinës:
– Po pse nuk e bën “dalje” mor atë burrë?
– Po e du,se asht i mirë “dreqi”.
E solla për lexuesin, për ta njohur më mirë këtë “dreq” që vërtet është i mirë. Po në këto replika që sjell, nuk është vështirë që të ravijëzohet portreti i një zonje të nderuar si Katrina, të cilës i kërkoj ndjesë që e citoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa i marr lejen.
E mendoj ndonjëherë Babushin si një element kimik dhe them: në vetitë kimike do ishin të tilla që të përcaktonin dinamikën e një njeriu, Babushin, Mendeljevi do ta fuste tek zhiva. Se zhiva nuk mbahet në dorë. I tillë është Babushi: dinamik, i mpulsiv dhe i gjendshëm si askush. Me karakter burrëror, trashëgues i geneve nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.
Ka një biografi të pasur pune: gati 60 vjet me shtypin që nga “Pionieri”, “Bashkimi” dhe për 22-vjet me radhë në gazetën “Mësuesi”. Siç lexuat dhe më lart, nuk ka qenë një gazetar dhe aq: ka qenë diturak që ka ngulur kokën në shkencën për të cilën punonte dhe,ndaj ka mbrojtur ata tituj shkencorë. Sado që ka kohë që ka dalë në pension, ky “zhvendosës i moshës” është aq aktiv sa të çudit. Po ta ndjekësh në veprimatritë ku merr pjesë, në shkrimet që boton, atë nuk e ndjek dot. Sikur të qe objekt i gjeografisë, atë nuk e hedh dot në hartë. Shkrimet e tij i gjen në tërë botën. Është “internetist” që nuk ka shok. Në Evropë e gjen në Angli, Itali, Zvicërr dhe,sidomos, në Suedi ku me bashkëshokun e tij të penës, shkrimtarin Viron Kona, sikur janë bërë “suedezë”. Me gjithatë, këtij atributi”suedez”, do t’i kthehem sërishmi.E gjen në Amerikë e Kanada dhe kudo ku ka adresa “online në internet.
Po para se të vijë tek objekti i essesë sime, dua t’ju them që Profesor Murat Gecaj ka në biografinë e tij letrare të botuar deri tani 13 libra (të gjinive të ndryshme) dhe të 14-tin e ka në procesbotimi. Dhe mos kujtoni se ai ndalon me kaq: nga një “57-vjeçar” priten plot libra të tjerë,që flenë në “ordinator” për arsye financiare. Shteti dhe minsitria e kulturës qoftë dhe për një diturak si Profesor Murat Gecaj, deri tani nuk është bërë e gjallë.

* * *
Shkrimi im modest i kushtohet një eventi të gëzueshëm për Babushin. Miqtë e tij në Suedi, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku bën të mundshëm botimin e librit të Babushit “Me shpirt Atdhedashurie”
Libri ka 8-pjesë.
Në pjesën e parë, janë përshtypje për kolegë e miq nga Suedia. Padyshim, kur e lexon shikon jo vetëm ato lidhje aq miqësore e Babushit dhe “suedezit tjetër”, Viron Konës, me shqiptarët në Suedi, por dhe atë alkimi miqësie,sa të zjarrtë aq të ngrohtë. Pa dyshim, kjo “alkimi” nuk ka ndodhur për sytë e bukur, por qoftë Babushi dhe qoftë Viron Kona jo vetëm kanë kontriubuar me shkrime, por dhe kanë “shkëmbyer tepsitë” me shqiptarë që banojnë sa në Boras të Suedisë,aq dhe në ndonjë qytet tjetër. Kjo miqësi reciproke bëhet më inkadeshente se ka dhe suedezë që janë dëshmitarë të këtij kontributi.

Në pjesën e dytë, ka skica e reportazhe miqësore. Si lexues, nuk ke si mos ndalesh në “dymbretëreshat”: njëra- mbretëresha e Suedisë dhe tjetra: hipotetike . Është shqiptarja Teuta Halili (ka emrin e mbretëreshës ilire). Po kështu njihesh me “sozinë” e Vaçe Zelës aliaz Pagarusha që për fat të mirë është ende gjallë. Po këtu njohesh me vajzën që i ka shkruar presidentit Bush jr dhe ka marrë letër nga ai(Fjala për vogëlushen Sara Titka).
Pastaj, Babushi, hynë në fushën e tij: me ishgazetaren Albana Melyshi(tani në Amerikë). E gjen në “Ditën luleve” në shkollën Dora D’Istria. Shkruan me mirënjohje për 5 çupat e mësuesit veteran Elez Gashi.
Në pjesën e tretë:
Shkruan për tubimin kulturoro-shkencor të profesor Alfred Uçit për “Estetikën e Migjenit”.Mandej kujton përmjet shkrimit të Mësueses së Popullit,Urti Osmani, për mësuesin e merituar Shefki Osmani.
Për Kolec Traboinit që ka tri gëzime në një ditë. Për komandantin e aviacionit,Edip Ohri.Për Ali Ibër Nezaën,sipas poetes Ganimet Thaçi.
Në pjesën e katërt:
Për mësuessen Lumturi Vladi dhe libra të saj. Për poeten Reshite Çoba dhe librin esaj “Unë gruaja R…”.Për Merita Gjonin që na rrethon me “duar dashurie”; me Nafie Saliun me” Mos e vrisni dashurinë” dhe më e veçanta, sipas meje, është poetja Mimoza Agalliu.Ka mbaruar për histori e gjeografi; për biokimi; për infermieri dhe është dhe poete.
Mandej, ka një varg poetesh të tjera, që Babushi i ka përfshirë në këtë pjesë,si: Lida Lazaj, Enkelenda Kondi,Zyba Hasa,Shpresa Vreto,Enkelenda Tahiri, Mirëvjen Ilazi e të tjera. Një vend të veçantë ka dhe për dy poete ulqinake:Albana Rrashi e Flutura Mustafa.
Në pjesën e pestë ka shkrime përkujtimore,si: për “Papa Klemenitn XI-Albani”: për aktoren Besa Imami. Për të pavdekshmin dhe buzagazin, Riza Lahi; për mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtarin e ndjerë,Skënder Hasko; për të ndjerën dhe të bukurën Rozi Theohari.
* * *
Në pjesën e gjashtë ka portrete miqësh e shokësh,si: Dritëroi është dhe “Tropojan”: për këngëtaren Dila Gecaj që ” ka lindur bashkë me këngën”;me një shok që e ka takuar pas 60-vjetësh(GJeto Vocaj); pë mësuesin dhe gazetarin të porsadalë në pension, përmetarin,Sejdo Harka.
Në pjesën e shtatë, ka një skicë” Nderim për mësuesët dhe pedagogët tanë” dhe, veç kësaj, një shkrim për një mësues veteran Rexhep Demi që ka hapur shkollë shqipe në Çamëri në vitin 1899.
Ashtu si “bakllavaja” që hahet në fund, dhe në librin e Profesor Muratit, në pjesën e tetë, ka diçka të “ëmbël”: janë katër poezi të tij dhe ca sentenca të tij. Kur thosha që Babushi me Viron Konën janë “suedezë” nuk është se trilloja. Ja “suedezi” Babush i ka kushtuar një poezi sinjifikative Suedisë. Aq mbresa ka prej Suedie,sa dhe poezinë e ka titulluar: “Suedi, e bukura Suedi!” ( Suedi.e bukura Suedi/ dua të jem zog, të vij të shikoj…/.Poezia tjetër është “Dy koburet e Isë Boletintit”,.E treta për nënën”Silueta e nënës” dhe e katërta” Ah, ky mars 1991″ (sa dhimbje e kujtime më sjell…). Në fund fare, meditime që kanë vlerë sentencash.
Duke e mbyllur shkrimin tim, pyes veten: ku e gjen këtë energji kaq brilante ky, Babushi? Dhe përgjigjen e gjej: Babushi dhe Katrina janë të lindur në mars. A nuk është marsi -mbret i luftës. Ndaj Babushi është kaq i gjallë e dinamik.I hanë “brirët” për “luftë”, po jo për luftë militare e kobëndjellëse, po për jetë të gjallë e luftarake. Si marsianë ( datëlindjte i kanë aq afër me njëri-tjetrin,sa kanë gjetur një të mesme:datën 20 mars si datëlindje) unë ju uroj jo vetëm jetë të gjatë që të dy, por vetëm gëzime e suksese. Rrofshë Babush për kontrbutin që jepë në gjithë këto evente me kaq vlerë.
Tiranë, 9 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Murat Gecaj, perparim Hysi

Teatri i operës dhe baletit

March 9, 2015 by dgreca

Nga Ylber Vokshi -Ylli/
Janë disa çështje të cilat as imagjinata ma ekstreme nuk mundet ti parashikoi,pasi ato aspak nuk përkasin me logjikën e shëndosh të një shoqërie. I tillë është rasti me “lojën” e propozimit të lokacionit të ri të objektit të Teatrit,operës dhe baletit të Kosovës. Me tri (3) arsyetime të çuditshme, nga garnitura e re qeverisëse në Ministrin e Kulturës,dilet në opinion se:1. Akustika objektit ka telashe të mëdha, (përse është bërë revidimi i projektit,problematikën e akustikës mundet ta konstatojnë vetëm kompanitë e specializuar të cilat janë të rralla në botë). 2. Projektit të parë i ka kaluar afati ligjor,( e pa kuptueshme,cili është ai afat ligjor për ndërtimin e një objekti të rëndësi së veçantë për Kosovën). 3, Projekti i kaluar ka kosto rreth 30 milion euro,(kjo vlerë ka qenë publike në fillim,askush nuk e ka kontestuar,sa jep merr është rregull i ekonomisë të tregut në botë,ashtu edhe te ne).
Iu nevojitën MKRS afro nëntë (9) vite,që nëpër mes zëdhënësit të saj,të ia shpjegoi opinionit arsyet për braktisjen e projektit të vjetër dhe synimet e projektit të ri. Pas tërë këtyre sihariqeve ministrore,mund të them së këto arsyetime janë tërësisht të pa qëndrueshme. Përse të propozohet ndërrimi i lokacionit të objektit,i cili kishte filluar të ndërtohet në vitin 2009,apo pas tërë kësaj loje fshihet diçka tjetër,koha do ta vërtetoi. E ne ende mbetemi pa një objekt të rëndësishëm të kulturës,për të promovuar atë në mënyrë të dinjitetshme,ashtu si i ka hije çdo shoqërie të civilizuar.
MKRS tërë ketë proces,caktimin e lokacionit të ri,ia kërkon Komunës së Prishtinës e cila, sipas tyre,duhet të caktojë një lokacion të ri për ndërtimin e këtij objekti,i cili në vitin 2006 një herë ishte caktuar. Edhe atëherë mënyra e përzgjedhjes se lokacionit deri diku ishte konfuze,por u tolerua për hir të një qëllimi madhor. Aty është bërë inaugurimi solemnisht i fillimit te punimeve në vitin 2009, janë investuar mjete të mëdha materiale, e këto ditë në vend që të vazhdojnë punimet,Ministria e Kulturës del me propozime të reja për lokacion dhe projekt të ri,i cili kushtimisht duhet me qenë në qendrën e kryeqytetit. Për ketë duhet pësuar rrënime të shumta,ashtu si është vepruar në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar dikur,e që është kritikuar nga njohësit e problematikës urbane të Prishtinës,por edhe nga të tjerët. Kjo me të vërtetë nuk përket as me normat elementare morale të një shoqërie ,që propozon të ndërron lokacionin sipas hireve të dikujt, pa u bazuar në argumentet profesionale urbane,si veprohet në tërë botën.
Se lokacioni i Teatrit të Operës dhe Baletit domosdo nuk duhet të jetë në qendrën e kryeqytetit e tregojnë rastet e shumta në tërë rruzullin tokësorë. Lokacioni i vjetër i caktuar që të plotëson kërkesat kryesore të komunitetit artistik dhe vizitorëve, në një zonë të qetë dhe atraktive,e që nuk është larg qendrës së qytetit,ky është avantazh i madh për kulturën kosovare. Duhet përmendur se edhe përpara kishte ide “përfituese”, edhe premtime të dyshimta se nëse gjendet një lokacion i ri mu në qendrën e kryeqytetit për ndërtimin e objektit, do të ndërtohet teatri i ri si donacion. Por ato qëllime abuzive me objektin ekzistues të teatrit dhe me identitetin urban të Prishtinës,me kohë u vërejtën dhe u stopuan,nuk u lejuan.
Është jashtë çdo aftësie profesionale të caktohen lokacionet e objekteve të rëndësishme,pa iu referuar dokumenteve ekzistuese hapësinore dhe urbane të Komunës të cilat edhe duhet rifreskuar kohë pas kohe. E jo të veprohet si deri me tani ku shumica e lokacioneve të ndara,nuk është e bazuar dhe nuk ka argumente të mirëfillta urbane. Kjo praktikë duhet ndërprerë një herë e për gjithmonë. Me mos respektimin e dokumenteve urbane ekzistuese,vetëm do të bëhen gabime ma të mëdha urbane, nëse përkrahën këto ide destruktive,të cilat nga aspekti financiar është vështirë të realizohen.
A thua se qytetet e vjetra në botë Venediku, Moska,Roma,Parisi,duhet të kishin pritur shekullin XXI për të ndërtuar operën në qendër të qytetit,jo ato objekte janë pjesë e qendrës urban të asaj kohe. Duhet analizuar se si kanë vepruar qytetet e mëdha në botë me caktimin e lokacioneve të reja të këtyre objekteve,specifike dhe me eskluzivitet të lartë shoqëror si janë rastet në Torino,Helsinki,Sofje apo afër neve në Shkup. Rasti i Sofjes dhe ndërtimi në periferi i objektit të operës së re,tregon një shembull interesant se si ka mundësi të plotësohen kërkesat e kohës,duke respektuar të gjitha kriteret e identitetit urban që i ka çdo qytet.
E tërë kultura e shtetit të Kosovës,në shekullin e ri,u zhvillua në mënyrën e vet në hapësira,të cilat as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet elementare për veprimtari e të gjitha kapaciteteve ekzistuese kulturore,të përthekuara në trupën e teatrit kombëtar,trupën e filarmonisë,trupën e baletit kombëtar dhe shumë institucioneve tjera që veprojnë në kryeqytetin tonë. Objekti ekzistues i Teatrit Kombëtar as për së afërmi nuk i plotëson kushtet elementare për të funksionuar trupa e teatrit dhe ajo e baletit kombëtar. Nevoja për ndërtimin e një objekti reprezentativ,me dashamirësi formalisht u aprovua nga vendimmarrësit Kosovarë të asaj kohe,por realiteti ynë e tregoi një të vërtetë të hidhët,se ne në Prishtinë deri sot nuk kemi asnjë hapësirë reprezentative ku do të luhej në pjesë teatrale,një shfaqje baleti,ndonjë opere apo ndonjë koncert i muzikës klasike.
Asaj që ma së shumti i jam frikuar,sot është realitet në fushën e kulturës dhe urbanizmit në kryeqytet. Është bërë modë që çdo grupacion që vjen në pushtet të bëjë ndryshime radikale, duke mos respektuar VAZHDIMËSINË e obligueshme institucionale, pa dhënë përgjegjësi për ato veprime. E tërë kjo bëhet për disa interesa të pa qarta duke mos qarë kokën për mjetet e shumta të shpenzuara materia. Njëherë është paguar për projektimin,revidimin,fillimin dhe vazhdimin e punimeve të objektit të Teatrit të operës dhe baletit të Kosovës në vitin 2006 gjegjësisht 2009,kur u vu gurë themeli i tij. Tani kërkohet një projekt i ri në emër të kush e di shkëfit,shpenzime të reja të parave të taksapaguesve kosovar. Në thelb,edhe pas shumë viteve ende Kosova po frymon dhe “funksionon” pa infrastrukturën elementare të kulturës ,por kjo fare nuk ka rëndësi për vendimmarrësit tonë. O tempora o mores!
Mjaft ma me rrënime,posaçërisht të objekteve apo komplekseve funksionale,të mendojmë dhe të veprojmë pozitivisht,të respektojmë fjalën dhe mendimin e profesionistëve,të jemi të ndërgjegjshëm që kur të propozojmë opsione të ndryshme,të kemi argumente të forta profesionale,të mësohemi që të respektojmë dokumentet e aprovuara hapësinore dhe urbane,të mos ndërhyjmë me caktimin e lokacioneve të ndryshme për disa objekte publike,që kanë ndodhur vitet e fundit në Prishtinë dhe Kosovë. Ky trend po ka tendenca të ketë vazhdimësi,por së pari duhemi me ia parashtruar vetë vetes pyetjen,përse po punohen dokumentet hapësinore dhe urbane në qytetet e Kosovës,kur askush nuk po i respekton. Është e pa mundur të udhëhiqet dhe të përparoi një shoqëri me filozofi provinciale e të menduarit urban.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
09.03.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe baletit, Teatri i operës, Ylber Vokshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4033
  • 4034
  • 4035
  • 4036
  • 4037
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT