• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NDERON ME NJË PLLAKË DHE STATUJË SENATORIN AMERIKAN ROBERT DOLE

August 29, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

Të djelën me 30 gusht, 2020, Republika e Kosovës do të zbulojë një pllakë dhe do të vendosë një statujë në qendër të Prishtinës në kujtim të vizitës së ish-Senatorit Robert Dole dhe 6 kolegëve të tij senatorë amerikanë.  Ishte Senatori Dole, ai që paralajmëroi i pari Washingtonin dhe botën– i pari,pasi u këthye nga ajo vizitë në Kosovë, për fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ.

Pas “shtypjeve shokuese” që kishte parë në Kosovë ndaj shqiptarëve të asaj krahine nga ana e forcave policore serbe, ish-Senatori Dole ia nisi punës për të sensibilizuar Kongresin por edhe popullin amerikan për krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë kundër shqiptarëve autoktonë, nga forcat kriminale të Millosheviqit.  Kjo ishte, pikërisht, edhe periudha që njëherazi vuri në lëvizje edhe lobimin në Kongres dhe pranë qeverisë federale të komunitetit shqiptaro-amerikan, i  cili megjithëse i vogël në numër, arrijti të siguronte një mbështetje të pa parë deri atëherë — në qarqet e politikës amerikane – në favor të të drejtave dhe kauzave të shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi dhe në rajonin e Ballkanit Perendimor, në përgjithësi.

Vendimi për ngritjen e statujës dhe të pllakës përkujtimore, për të shënuar këtë ngjarje tepër të rëndësishme, jo vetëm në historinë e Kosovës modern si shtet i pavarur, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi, ishte marrë në fillim të këtij viti, siç mund të lexoni kronikën (historikun) e botuar me atë rast, me 28 shkurt, 2020:

KOSOVA NDERON SË SHPEJTI ME STATUJË ISH-SENATORIN AMERIKAN ROBERT DOLE –Nga Frank Shkreli

Disa ditë më parë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Filip Kosnett vizitoi ish-Senatorin amerikan, Z. Robert Dole në zyrën e tij në Washington.  Kryediplomati amerikan në Prishtinë njoftoi, në portalin e tij të internetit, qëllimin e takimit të tij me Z. Dole.  Ai ka shkruar se “Ishte kënaqësi për mua që t’i dorëzoja personalisht Senatorit Dole, fotografinë e statujës së tij që do të zbulohet së shpejti në Prishtinë, (punuar nga skulptori Luan Mulliqi) – për një burrë të shquar e plot merita”, është shprehur ambasadori Kosnett.  Senatori Dole, nga ana e tij, shfaqi kënaqësinë për vendosjen dhe zbulimin e shpejt të statujës së tij në Prishtinë ndërsa falënderoi përfaqsuesin e lartë diplomatik amerikan në Kosovë për vizitën, duke shënuar gjithashtu në portalin e tij se Ambasadori Kosnett, “Po bën një punë të mrekullueshme, si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.”  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett duke i dorëzuar ish-Senatorit Robert Dole fotografinë e statujës së tij që, sipas ambasadorit amerikan, së shpejti do të zbulohet në Prishtinë.

Senatori Robert Dole me tre presidentët amerikanë –Xhorxh Bush i vjetër, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush i ri –protagonistët kryesorë të lirisë, çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës nga zgjedhja e rëndë serbe –njëri përcaktoi “vijën e kuqe”për Serbinë, tjetri mobilzoi NATO-n për çlirimin e Kosovës dhe i fundit shpalli pavarësinë e Kosovës nga Tirana.  Në krah të tyre ishte gjithmonë Senatori Dole, si njëri prej mbrojtëve më të shquar të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. 

Autoritetet e Republikës së Kosovës kishin marrë vendimin për të vendosur statujën e ish-Senatorit republikan Bob Dole në Prishtinë, në vitin 2018, me rastin e 95-vjetorit të lindjes të ligjvënsit amerikan, i njohur si njëri ndër politikanët më të dalluar amerikanë të fund shekullit të kaluar, për përpjekjet e tija në mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës.

Statuja e Senatorit Dole do të vendoset në një kënd të Rrugës Bob Dole dhe Bulevardit Bill Clinton, që siç tha edhe ambasadori amerikan Kosnett, në inagurimin e vendit ku do vendoset statuja e Dolit, rrugë këto që janë emëruar pas dy kundërshtarëve politikë amerikanë nga dy parti të ndryshme politike, njëri republikan e tjetri demokrat.  Megjithë ndryshimet në qëndrimet e tyre në rrafshin e zhvillimeve politike në Amerikë, ata ishin miq të ngushtë me njëri tjetrin.  Ata ndanin dashurinë për Atdheun e tyre dhe ishin dedikuar shërbimit ndaj të tjerëve, ndërkohë që përpiqeshin të bashkëpunonin kurdoherë që ishte e mundur.  Ambasadori Kosnett është shprehur   duke shtuar se “Do bënim mirë të gjithë, nëqoftse do të përqafonim filozofinë e Senatorit Bob Dole — se në politikë kemi kundërshtarë, por jo armiqë”.

Senatori Robert Dole, një ish-veteran i Luftës së Dytë Botërore, Kongresmen dhe Senator nga shteti Kansas, udhëheqës i republikanëve në Senat dhe kandidat i Partisë Republikane për President, e kishte bërë çështjen e Kosovës kauzë të tijën, që në fillim të 90-atave të shekullit të kaluar.  Në një letër dërguar Dr. Ibrahim Rugovës, Senatori Dole, udhëheqës në atë kohë i republikanëve në Senat dhe kryetari i Komisionit të Senatit për punë të Jashtme, Senatorit demokrat, Claiborne Pell – dy ligjëvensit e lartë amerikanë — i shkruajnë presidentit të ardhshëm historik të Kosovës se, “Siç e dini ne jemi shumë të shqetësuar rreth gjendjes në Kosovë.  Për vite tani, popullësia shqiptare në Kosovë është subjekt shtypjesh dhe mohimesh të të drejtave të njeriut nga një regjim i egër komunist i Republikës së Serbisë…”  Senatorët amerikanë shprehen se situata në Kosovë është e rrezikshme dhe e pa parashikueshme.  Ata ftojnë Dr. Ibrahim Rugovën që të vizitonte Washingtonin, sa më parë që të jetë e mundur, që sipas tyre, “Për t’u takuar me ta dhe me senatorë të tjerë të interesuar për gjëndjen në Kosovë, për tu këshilluar me ju, për hapat më të mirë që duhet të merren, individualisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin”, shkruanin ish-senatorët Claiborne Pell dhe Bob Dole, në letrën e tyre drejtuar Dr. Ibrahim Rugovës të dates 19 Shtator, 1991. Kështu filloi edhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.

Fillimisht me sensibilizimin e popullit amerikan dhe të përfaqësuesve të tij në Kongres, siç ishte ish-Senatori Bob Dole, i cili me letrat e tija të shumta dërguar udhëheqësve të botës për t’i njoftuar për gjëndjen në Kosovë, sensibilizoi edhe opinionin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe të aspiratave të tyre demokratike për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

Angazhimi dhe roli i tij, mbrenda dhe jashtë vendit në atë kohë, ishte kritik për zhvillimin e punëve në favor të Kosovës, sidomos gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, përpjekje këto që më në fund çuan në çlirimin dhe më vonë në pavarësinë e Kosovës.  Statuja e ish-Senatorit republikan Robert Dole në Prishtinë i bashkohet statujës së ish-presidentit amerikan demokrat Bill Klinton dhe bashkpuntores së tij, ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, në frymën e bashkpunimit të dy partive kryesore amerikane në mbështetje të aspiratave të Kosovës për liri e pavarësi.  Kjo frymë bashkpunimi midis dy partive amerikane republikane dhe demokrate – përsa i përket Kosovës, vazhdon edhe sot.

Duke folur për angazhimin e ish-Senatorit Bob Dole ndaj lirisë dhe të drejtave të poullit të Kosovës gjatë inagurimit, vitin që kaloi, të vendit ku do të zbulohet shpejt  statuja e Senatorit Dole, Ambasadori Kosnett e cilësoi, Z. Bob Dole si, “Një udhëheqës në promovimin e kauzës së lirisë anë e mbanë botës.  Nuk është për të çuditur që ai u bë një mbështetës i pa zevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija, për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, ka thënë me atë rast, kryediplomati amerikan në Prishtinë.  Duhet thënë se në këtë frymë bashkpunimi është njohur dhe vlerësuar shumë prej popullit të Kosovës, ndihma e këtyre burrave dhe grave amerikane në mbështetje të Kosovës gjatë dekadave.

Siç është shprehur edhe Ibrahim Rugova, shpresojmë që më në fund, kjo frymë bashkpunimi, të sigurojë një miqësi të përhershme, jo vetëm, midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës por edhe midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar, në përgjithësi.  Megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet midis partive të ndryshme politike në Kosovë dhe në Shqipëri, duket se të pakën deri tani, kjo miqësi është e paprekshme dhe gjesti për vendosjen e statujës së ish-Senatorit Republikan Robert Dole në Prishtinë pasqyron një qëndrim të përbashkët mirënjohjeje të klasës politike shqiptare dhe popullit të Kosovës, karshi burrave të shtetit amerikan që kontribuan në themelimin e shtetit të pavarur e të lirë të Kosovës, që është sot.

Duke aluduar se edhe midis miqësh mund të ketë mosmarrveshje, ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnett, me rastin e inaugurimit të vendit ku do të vendoset statuja e Senatorit Dole në Prishtinë, është shprehur se,“Qeveritë tona nuk do të pajtohen gjithmonë për politikat e ndryshme dhe do të nevojitet punë serioze për të mbajtur qëndrimet tona në përputhje me njëra tjetrën, ndërsa rritet partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara.  Por, një gjë është e qartë: se miqësia e qendrueshme midis popullit të Kosovës dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, nuk varet nga ndonjë parti politike ose nga ndonjë individ, në veçanti”, është shprehur me atë rast, ambasadori amerikan në Prishtinë, por janë lidhje ndërmjet dy popujve tanë.

Po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Z. Kosnett që shqiptoi në inaugurimin e vendit ku do të zbulohet së shpejti statuja e Senatorit Dole në Prishtinë, duke shpresuar se rasti i zbulimit të statujës së Senatorit Amerikan Robert Dole në Prishtinë, të jetë një moment që të fokusohemi në historinë dhe në vlerat tona të përbashkta që kanë bashkuar popullin e Shteteve të Bashkuara dhe popullin e Kosovës.

“Le të frymëzojë ky monument i Bob Dolit, përpjekje të reja për të ndërtuar — për fëmijt e Kosovës një atdhe që ata e meritojnë — për një Kosovë në paqe me fqinjtë e saj, me drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim”, është shprehur ambasadori amerikanë në Kosovë, Filip Kosnett.  Shpresojmë që ashtu të jetë!

Me Senatorin Robert Dole në darkën e dekorimit të tij me çmimin “Duart e Shpresës”, nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Shtator, 2005 –kur autori drejtonte këtë organizatë lobimi shqiptaro-amerikane.

*Shkrimi është botuar me 28 shkurt, 2020

Filed Under: Histori Tagged With: Bobe Dole, Frank shkreli

LAMTUMIRË ZEF PËRNDOCAJ!

August 29, 2020 by dgreca

…ZEF PËRNDOCAJ-ISH KRYETARI I VATRËS PËR SHTETIN E NEW YORK-UT, ANËTAR I BORDIT TË FEDERATËS QË PREJ VITIT 1975, U PËRCOLL ME NDERIME, LOT DHE LULE…

Vdekja e vatranit Zef Përndocaj me 24 gusht 2020 plagosi zemrat e familjarëve, miqëve dhe vatranëve. Ashtu sic e meritonte, Kisha, komuniteti dhe Vatra, e nderuan dhe e respektuan maksimalisht Njeriun e Mirë Zef Përndocaj. Masivisht komuniteti bëri homazhe për 7 orë dhe ngushëlloi Familjen Përndocaj, miqtë dhe të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan.Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA porositi një kurorë me lule në nderim të vatranit të përkushtuar,që e nis rrugëtimin me Vatrën që me 28 nëntor 1967,- ish kryetarit të degës së Vatrës për Shtetin e New York-ut, ish anëtarin e Bordit të Vatrës që nga viti 1975. Shërbimet funerale u organizuan në Shtëpinë mortore Ballard-Durand-Funeral Home, në qytetin White Palins, NY të premten me 28 gusht 2020, nga ora 2 e pasditës deri në 9 të mbrëmjes. Federata VATRA shkoi e grupuar për të ngushëlluar familjen Përndocaj dhe miqtë- Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj, nënkryetarët Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, sekretarja Nazo Veliu,arkëtari Marjan Cubi me zonjën Dila, anëtarët e kryesisë,Anton Raja, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David,Ibrahim Kolari, Mark Mrnacaj dhe Aleks Mrnacaj,Asllan Bushati, Veis Belliu, Editori Dalip Greca me familjen,më pas shkuan edhe anëtari i Këshillit të Vatrës Cezar Ndreu me Desi Ndreu, të bijën e vatranit Jonuz Ndreu, e cila sapo ka zënë vendin e të atit në Vatër,dhe Shpëtim Ndreu e të tjerë. Në emër të Fedeartës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Agim Rexhaj, president Nderi i Vatrës, ka ngushëlluar nipin e Zefit, Dod Luli, ardhur enkas nga Shqipëria për këtë rast, si dhe të birin e Zefit Albert Përndocaj. Z. Rexhaj, evidentoi përkushtimin, devotshmërinë dhe bujarinë e vatranit të vjetër Zef Përndocaj. Homazhe kanë kryer edhe ish Kryetari Gjon Bucaj me familjen, si dhe vatranë të tjerë.

MESHA E DRITËS, LUTJE, LOT, DHIMBJE

Të Shtunën, 29 Gusht, në orën 10 paraditë, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” famullitari Don Pjetër Popaj, ka udhëheq Meshën e Dritës. Në emër të famullisë, Këshillit të Kishës, ai ka ngushëlluar familjen Përndocaj, është lutë për shpirtin e Zefit dhe ka vlerësuar karakterin burrëror, kombëtar dhe fetar të Zefit. Don Pjetri, tha ndër të tjera, se vëllai ynë Zefi, ka përjetuar vuajtje mundime, ka provu dënime që në moshë fëminore, ka parë babën në pranga, i kanë pushkatuar axhën,ka provue jetën e malit dhe është arratisë për t’i shpëtuar vuajtjeve të diktaturës komuniste. Zefit ia kanë dënuar familjen dhe të afërmit,ai provoi vështirësi të shumta, por besimi në Zot nuk ia humbi qetësinë dhe gjykimin…Kur i shkova para pak ditësh në spital,tha don Pjetri,edhe pse në gjendje të vështirë shëndetsore ai ishte i kthjelltë dhe në paqe me veten dhe Zotin…Zefi ishte njeri i mire, që respektonte gjithkënd, nuk ofendonte askënd, ishte i dashur me të gjithë, një familjar i përkushtuar, besimtar i devotshëm, në shoqëri i respektuar.Për cështjen kombëtare nuk u kursye. Ishte bujar për fe e atdhe. I qeshur me të gjithë; të gjithë i ka dashtë dhe i ka respektuar. Prania juaj sot në masë kaq të madhe në meshë, edhe pse në kushtet e kufizimeve të Pandemisë, tregon se dhe ju e keni dashtë shumë….

Gjatë meshes don Pjetri u ndihmua nga Lek Vata dhe Mhill Velaj.

Pas lutjeve, në emër të familjes ka përcjell mesazhin e dhimbjes por dhe të krenarisë për axhën e vet, nipi i Zefit, djali i vëllait të ndjerë Bibës, Dodë Bibë Përndocaj. Duke kujtuar castet më jetësore të Zefit, Doda ka portretizuar njeriun e mirë Zef Përndocaj. Kishte dhe raste, kur rrëfimi ndërpritej nga dhimbja dhe lotët… ndërsa mbesa Elizabeth, vajza e vajzës,na bëri për të qarë. Një mesazh shpirti për gjyshin e saj të mirë që e donte aq shumë.

Kjo meshë i pat të gjitha: Lutjet, lotët, dhimbjet.

Në meshë ishin të pranishëm edhe vatranët: Agim Rexhaj me zonjën Laura, Besim Malota, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David, Marjan Cubi me zonjën,Anton Raja, Idriz Lamaj me zonjën Alma, Lek Mirakaj, Asllan Bushati, Dalip Greca e të tjerë. Ishin në meshë edhe ish kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj me familjen, Mithat Gashi dhe të tjerë. Pas meshës, kortezhi që shoqëroi arkmortin me trupin e pajetë të Zef Përndocaj udhëtoi drejt varrezave Gate of Haven në Hawthorne, New York.

LAMTUMIRA…

Pas lutjes fetare nga famullitari dom Pjetër Popaj, e ka marrë fjalën Dr. Gjon Bucaj, ish kryetar i Federatës VATRA. Z. Bucaj tregoi me detaje jetën e Zefit, që e nisi shtegtimin e jetës 80 vite më parë në fshatin Sang, të krahinës së Fanit të Mirditës,kur prindërit e tij të kujdesshëm, ia ruajtën andrrat, që të mos i prisheshin nga rrethanat jetësore, por erdhi tragjedia e komunizmit,që preku dhe Zefin e familjen e tij…Mbi ta ra persekutimin komunist,arrestime,internime, përndjekje, dhe qendresë. Zefi, tha dr. Bucaj, pa me sytë e tij djegjen e shtëpive, pa babën me pranga ndër duar, përjetoi kohën e vrasjes dhe qëndrimin legjendar të axhës së tij, që së bashku me një kumbar luftoi heroikisht dhe nuk u dorëzua… Më 1951 u detyruan të arratisen në ish Jugosllavi…(Të plotë lexoje në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumire, zef perndocaj

Nata e madhe e futbollit shqiptar në Ligën e Europës

August 28, 2020 by dgreca

Teuta “Mbretereshe”, Sherri “heroi” laçian… Kukësi “shuplakë” Slavias… Shkëndija një fitore për ditëlindje…  Renova eleminon kampionen e shumfishtë … 

Përgatiti:Albano Kolonjari-

Faleminderit Teuta, Laçi, Kukësi, Shkëndija dhe Renova. 27 gushti i këtij viti do të hyjë në historinë e Europa Lige, si nata e madhe e futbollit shqiptar. Tre ekipe shqiptare Teuta, Laçi dhe Kukësi shkruajnë historinë duke u kualifikuar për në turin e tretë të Ligës së Europës. Dhe sëbashku me to edhe dy skuadrat shqiptare të Maqedonisë së Veriut Shkëndija dhe Renova, kanë bërë që për një natë Liga e Europës të flasë shqip. 

Teuta-Beitar 2-0

“Kualifikimin ia dedikojmë familjeve tona, qytetit të Durrësit që na ka përkrahur. Edhe pse me stadium bosh, nga pallatet u dëgjuan broherimat, e dimë që na kanë parë nga televizori…fitorja u përket atyre”, shprehet tranjeri i Teutes Edi Martini. Në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta është “mbretëresha” e mbrëmjes shqiptare. Krasniqi (6′) dhe Hebaj (88′) i dhanë Teutës fitoren e pastër përballë skuadrës Beitar të Jeruzalemit. Skuadra nga Jeruzalemi zbriste në Niko Dovana duke mbajtur mbi supet e saj gjashtë tituj kampion, shtatë kupa dhe dy superkupa te këtij vendi. Në “letër” Beitar ishte më i favorizuar se Teuta në këte takim. Por në fushën e lojës Teuta tregoi se ishte një skuadër me shumë dëshirë, dhe e  dominoi ndeshjen gjatë 90 minutave. Takimi nisi me sulm dhe me gol për djemt e detit  të cilët kaluan në avantazh që në të gjashtën minutë me anë të Krasniqit. “I falenderoj të dy sulmuesit. Janë dy sulmues të talentuar, njeri më i mirë se tjetri. Më vjen mirë, sepse ishte realisht një ndeshje e rëndësishme”, shprehet “arkitekti” i kësaj skuadre Edi Martini., i cili më pas thekson:” Unë vlerësoj grupin. Ne kemi 18 lojtarë të mrekullueshëm. Ne do të punojmë në merkato, por duhet të pranojmë se kemi një ekip mjaft të mirë”. Në pjesën e dytë Teuta nuk u tërhoq, por vazhdoi të sulmonte dhe kishte mundësi për të shënuar, por goli i dytë do të vinte dy minuta përpara përfundimit të takimit, kur Hebaj me kokë, do të vuloste këtë fitore të bukur të djemve të detit. 

***

TEUTA-BEITAR JERUZALEM 2-0

Teuta: Frashëri, Todorovski, Arapi, Hoxha, Kuro, Avdyli, Aleksi, Beqja, E.Vila, L.Vila, Krasniqi. Trajner: Edi Martini.

Beitar Jeruzalem: Nitzan, Biton, Dgani, Verdaska, Kostantini, Rotman, Ali Mohamed, Krif, Atar, Azulai, Vered. Trajner: Roni Levi.

***

Kukësi-Slavia e Sofies 2-1

“Shuplakën” që tranjeri Skënder Gega i dha skuadrës bullgare Slavia e Sofies, duke e eleminuar me rezultatin 2-1, e kanë ndierë edhe drejtuesit e Partizanit, të cilët një vit më parë tranjerit kampion nuk i besuan vazhdimësinë e skuadrës së kuqe në kupat e europës. Kukësi-Slavia ishte një ndeshje e hapur nga të dyja skuadrat. Të parët që kaluan në avantazh ishin kuksianët me anë të P.Eze në të 56 minutë nga pika e bardhë e penalltisë.  Pikërish kur kuksianët ishin ne momentin e tyre më të mirë dhe po kontrollonin lojën, ndërshkohë dhe miqtë barazojnë rezultatin në 1-1 në të 81 minutë me anë të Krastev. Fitorja e kuksianëve erdhi nga stoli. Në të 65 minutë Gega hedh në fushën e lojës dyshen Gavazaj-Cooper, të cilët do të ishin edhe çelësi i suksesit kuksian.  Cooper në të 85 minutë do ti “vidhej” mbrojtje së Slavias dhe pas një asis te Gavazaj shënon golin e dytë për kuksianët. “Jam i lumtur për lojtarët që u futën në pjesën e dytë, por të gjithë dhanë shpirtin në fushë gjatë 90 minutave dhe meritojnë komplimente” shprehet tranjeri Skënder Gega. Por përsa i përket ndeshjeve të ardheshme Gega thotë:”Do e shikoj me qetësi ndeshjen për të parë ku kemi çaluar dhe besoj se do të përmirësohemi. Kemi objektiva të qarta. Kemi nevojë për përmisime dhe për këtë do të flas me drejtuesit. Dua të përshëndes Teutën dhe Laçin për kualifikimin”. 

***

Keshla-Laçi 0-0 4-5 me penallti

Portieri Alan Sherri është heroi kurbinas, ndërsa Laçi bën suprizën duke eleminuar Keshla në stadiumin Shafa të Arzerbajxhanit. Me 37 ndeshje në europë, 6 në Ligën e Kampionve, 27 në Europa Ligë dhe 4 në Kupën Intertoto, Kishla dukej një skuadër e “madhe” për laçianët, të cilët nga ana e tyre nuk e kanë një eksperincë të tillë në kompeticionet europiane. Por në fushën e lojës skuadra e drejtuar nga Armando Cungu tregohet cinike dhe për më tepër që nga minuta e 72-të e takimit luan me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të futbollistit De Olivera. 90-të minutat e këtij takimi përfunduan në barazim 0-0 dhe në bazë të rregullores së UEFA-s u luajtën edhe dy pjesë nga 15 minuta të cilat nuk ndryshuan rezultatin e lojës. Për të caktuar fituesin e këtij takimi u gjujatën penalltitë, ku laçianët fituan 4-5. “Për sa i përket goditjeve të penalltive ne ishim prëgatitur në këtë pikë. Ne kishim marrë parasysh faktin se ishte vetëm një ndeshje, Nuk mendoj se jemi me fat. Ne fituam përmes lojës tonë dhe përkushtimit. Unë kam ardhur në Baku dy herë dhe të dyja herët kisha humbur së pari ndaj Inter Baku, pastaj ndaj Karabak. Këtë herë arrita triumfoja. Ishte një ndeshje e vështirë. Keshla është një ekip shumë i mirë. Jemi të lumtur që fituam,  në një ndeshje që u bë shumë e vështirë pasi gjyqtari largoi lojtarin tonë me karton të kuq”u shpreh tranjeri Armando Cungu. 

FT: KESHLA – LAÇI 0-0

PENALLTITË: (4-5)

1 . Nuabueze (Laçi) – shënon

2. Klof (Keshla) – shënon

3. Lushkja (Laçi) – shënon

4. Silvio Zhunior (Keshla) – shënon

5. Donald Rapo (Laçi) – shënon 

6. Aksiundov (Keshla) – shënon 

7. Mentor Mazrekaj (Laçi) – shënon

8. Haxhiev (Keshla) – shënon 

9. Ignjatovic (Laçi) – shënon 

10 Sherri pret penalltinë e fundit dhe kualifikon Laçin.

KESHLA: Namasko, Qirtimov, Bojoviç, Alijev, Salahil, Kamara, Klots, Isgandarli, Hadzhijev, Artut, Mfutila.

LAÇI: Sherri, Turkaj, Selmani, Ignjatoviç, Marku, Lushkja, Ramos, Deliu, Teko, Xhixha. Nuabueze. Tranjer Armando Cungu 

***

Sumgayit FC – Shkendija e Tetoves 0-2

Një fitore për ditëlindje. 41 vjet më parë në 27 gushtin e vitit 1979 do të krijohet në Maqedoninë e Veriut Shkëndija e Tetovës. Pikërisht në ditëlindjen e saj të 41-të skuadra e drejtuar nga profesor Ernest Gjoka fiton pastër në transfertë me rezultatin 0-2 përballë skuadrës azerbajxhanese Sumgayit FC. Besart Ibrahimi dhe Ljupco Doriev shënuan nga pika e bardhë e penallitsë. Kjo ishte fitorja e 10-të e Shkëndijës në Europa Ligë dhe e 13-ta në kompeticoinet europiane. Besart Ibrahimi shënoi golin e tij të 15-të me fanellën e Shkëndijes, ndërsa Dorievi shënoi golin e 40-të në kompeticionet eruopiane për Shkëndijen e Tetovës. Skuadra e profesor Ernest Gjokës e dominoi ndeshjen dhe fitoi me meritë këtë takim. 20 minutat e fundit të takimit skuadra e Shkëndijës së Tetove do ti luante me 10 lojtarë pasi në minutën e 70-të Goudiaby do të ndëshkohej me kartonin e kuq. 

***

SUMQAYIT FC-SHKËNDIJA 0:2 (0:0)

Stadiumi “Kapital Bank Arena” në Sumqayit-Azerbajxhan

Arbitër: Arman Ismuratov (Kazakistan)

Golashënues: Ibraimi pen. 56’ dhe Doriev pen. 90’ (Shkëndija)

Karton i kuq: Mutallimov 89’ (Sumqayit)

SUMQAYIT FC: Dzhenetov, Hyseynov (c), Khodzhaniyazov, Mustafayev, Mutallimov, Ghorbani, Sadikhov, Badalov, Ahmadov (Hemati 62’), Mammadov (Abdullazade 73’), Nacafov (Abdullazade 63’).

Trajner: Aykhan Abbasov

SHKËNDIJA: Zahov, Paviç, Bejtullai (c), Ibraimi, Totre, Ahmedi, Doriev (Es Sahal 90’+2), Murati (Neziri 90’+3), Dita, Krivak, Imeri (Zejnullai 77’).

Trajner: Ernest Gjoka 

Alashkert-Renova 0-1

Skuadra e Renoves fitoi me rezultatin 0-1 ne Jerevan te Armenise. Golin e vetem te ketij takimi e shenoi Miskovskit ne te 56 minute. 

FC Alashkert i Yerevan nuk arriti të kalojë raundin e parë kualifikues të UEFA Europa League. Skuadra e Yeghishe Melikyan luajti me skuadrën shqiptare Renova të Maqedonisë Veriut  dhe u mposht me një rezultat minimal 0-1. Renova 0:1 (0:0). Alashkert kishte mundesinë të shënonte në minutën e parë të ndeshjes, por portieri Veli bëri mrekullinë duke shpëtuar portën nga një gol i sigurtë.  Në fillim e ndeshjes, Alashkert kishte një avantazh të dukshëm për sa i përket hapësirës dhe lojës, ndërsa skuadra e Renoves  i afrohej portës kundërshtare shumë rallë.  Momenti i parë i rrezikshëm për Renovën ishte në minutën e 16 kur portieri Ognjen Cancarevic shpëton  Alashkert nga një gol i sigurtë. Në mes të ndeshjes, Alashkerti nuk ishte ndonjë avantazh të madh dhe Renova gradualisht filloi të kishte kontroll mbi topin dhe sulmoi. Në fund e pjesës së parë, klubi i futbollit armen ende kishte kontroll të plotë lojën, por nuk arriti të depërtojë në mbrojtjen e Renovës. Pjesa e parë përfundoi 0-0. Në fillim të pjesës së dytë, Renova shënoi golin e parë dhe të vetëm të këtij takimi në minutën e 57-të. Në fund të ndeshjes, sulmet e skuadrës armene ishin të lexueshme, dhe skuadra vendase nuk arriti të paraqiste ndonjë rrezik serioz Renoven, e cila ishte rreshtuar në mbrojtje. Renova bëri suprisë duke eleminuar kampionen e shumefishtë të Armenisë. .

Goals: 58′ Nenad Mishkovski

Alashkert: Čančarević; Bryan, Voskanyan, Mitrevski, Honchar; Grigoryan (80′ Tankov); Gome, Perdigão (61′ Camara), Tiago Galvão, Tiago Cametá (67′ Papikyan); Glišić.

Renova: Velii; Velija, Djelil, Mishkovski, Fetai; Gavazaj, Sadiki: Shefiti, Gafuri (C) (86′ Veliu), Ramadani (71′ Jasharoski); Selmani (63′ Stojchevski).

Yellow cards: Gome, Grigoryan, Glišić, Tiago Galvão (A), Selmani, Shefiti, Sadiki (R)

Referee: Nicholas Walsh 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Europa Ligue, Nata e madhe shqiptare

Kosova, Strategji Kombëtare për Zhvillim

August 28, 2020 by dgreca

-AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-

-Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme. U mbajt takimi i Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett/

    PRISHTINË, 28 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe përfaqësuesit e vendeve donatore prezente në Kosovë, të agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.Takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së Covid-19.

Gjatë takimit, kryeministri Hoti shpalosi vizionin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe për përfshirjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.

Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro.

Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme, e cila do të jetë orientuese për reformat dhe objektivat afatgjate të vendit për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me aspiratat për integrim evropian të vendit.

Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat.Qeveria e Kosovës dhe donatorët do të vazhdojnë koordinimin e tyre të rregullt nëpërmjet diskutimeve sektoriale për objektivat e përbashkëta që do të financohen bashkërisht, duke synuar të rritet sinergjia, efiçenca dhe efikasiteti gjatë zbatimit dhe të eliminohen pengesat e shfaqura për zbatimin e fondeve të donatorëve.

AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-
-Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Forumit për bashkërenditjen e donatorëve për rimëkëmbje ekonomike, 28 gusht 2020/Kryeministër Hoti, zëvendës-kryeministra, ministra, kolegu im z. Serri, kolegë të tjerë nga komuniteti diplomatik dhe i donatorëve, mirëdita.Forumi i nivelit të lartë për bashkërenditjen e donatorëve, që mbahet nën udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, na mbledh çdo vit për të bashkërenditur ndihmën nga donatorët dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës. Këtë vit po mblidhemi në mënyrë virtuale, në rrethana të jashtëzakonshme. Asnjë vend nuk i ka të gjitha përgjigjet për sfidat tona të përbashkëta dhe është jetike që të vazhdojmë të vëmë dijeninë në dispozicion dhe të shkëmbejmë idetë përderisa vazhdojmë tutje.Çdo vend po përballet me sfidën si të sigurojë më shumë resurse për të adresuar nevojat urgjente mjekësore, si dhe si të rimëkëmbë dhe forcojë ekonominë. Kjo nuk është „lojë e shumës zero”, ku njëri fiton e tjetri humb. Menaxhimi i pandemisë shkon krah për krah me përgatitjet për rimëkëmbjen ekonomike. Vënia nën kontroll e kërcënimit që vjen nga virusi dhe sigurimi i shëndetit të komunitetit është parakusht i rimëkëmbjes ekonomike. E rimëkëmbja e plotë ekonomike nuk do të jetë e mundshme nëse dështon menaxhimi i pandemisë.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare mbesin të përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën. Përderisa SHBA-ja po i mobilizon forcat e saj shkencore dhe industriale, gjithnjë e më shumë kemi mundësi që t’i japim Kosovës pajisje dhe furnizime, duke plotësuar kështu kontributet e vazhdueshme financiare dhe ndihmën teknike.Këto Forume për bashkërenditjen e donatorëve të jashtëm mund të jenë mënyrë efikase e renditjes së prioriteteve ashtu që resurset e pakta – ato të Kosovës, por edhe ato të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë – të shfrytëzohen në mënyrë efikase. Duhet të përmirësojmë komunikimin, t’ju japim përparësi nevojave dhe të sigurojmë fundin e „pazarit për donatorë”.
Edhe pse ne, ndërkombëtarët mund të ofrojmë pajisje dhe të shkëmbejmë ekspertizën tonë, as ne nuk kemi shkop magjik në mesin e veglave tona. Prandaj, aftësia e qeverisë për ta menaxhuar kërcënimin nga COVID-i më shumë varet nga mobilizimi dhe bashkërenditja e resurseve vendore dhe fuqisë së popullit se sa nga
ndihma nga jashtë. Qeveria duhet të jetë në gjendje të shfaqë vendosmëri për plane të hollësishme që ato të funksionojnë dhe këtu përfshihet mobilizimi i resurseve vendore dhe bashkërenditje më të mirë ndër-ministrore.
E partitë politike duhet të vënë nevojat e popullit mbi ato të politikës së përditshme, duke u përqendruar në miratimin e shpejtë të ligjeve ekonomike dhe duke i lënë anash shkarjet e zakonshme në sherre provinciale.
Do ta përmbylli këtë duke theksuar sërish se edhe pse qeveria duhet t’i prijë betejës, luftimi i COVID-it është detyrë e çdo qytetari. Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë.
Populli i Kosovës është i famshëm për energjinë dhe zgjuarsinë. Këto janë armët tuaja të fshehta.
Ju faleminderit për kohën tuaj dhe le t’i shfrytëzojmë sa më mirë mundësitë që na i ofron kjo konferencë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeministri Hoti, Strategji Kombetare, zhvillim

Shqiptarëve në Malin e Zi

August 28, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Një nga arsyet që kuotat e Donald Trump-it janë më të ulta se rivali i tij, është përqendrimi i luftës politike tek personi dhe jo problemet gati depresive që po kalon vendi. Sot papunësia është kryefjala, megjithatë fushata politike ka arritur kulmin e një lloj propagande karshi personit. Për herë të parë Amerika është në ujrat e vendeve ku dominon uni dhe jo indeksi ekonomik apo shoqëria. Që e bën majta është normale, por kur e bën edhe djathta, asesi. Palët po merren deri me aksentin e zonjës së parë kur dihet që ky vend është trualli i emigrantëve. E solla këtë situatë për t’i thënë shqiptarëve në Malin e Zi se retorika propagandistike është kanceri real i çdo shoqërie. Dhe kur bëhet fjalë për pakicat etnike, është murtajë, a pandemi, quajeni si të doni, por në një fund të çojnë të gjitha në humbjen e padiskutueshme deri në shpërbërje. Pakicat kombëtare kanë dy shtylla bazë, të drejtat e tyre dhe ekonomi të qëndrueshme. Statusi social sot i shqiptarëve aty në 10% e shoqërisë malazeze me 10 parti politike, është totalisht i pa konceptueshëm dhe jo i pranueshëm. Që të mbijetoni duhet të votoni për veten dmth të drejtat tuaja. Dhe kjo bëhet përmes një unisoni perfekt të gjakut shqiptar. Eshtë e trishtueshme t’i referoheni Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse kjo e fundit ka koncept më progresist në balancimin e pushtetit, prapë akoma nuk ka vënë në provë ekonominë e saj. Shembull i unifikimit ishte dhe rezultati i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, megjithëse me koalicion. Perfeksioni do ishte me një lëvizje të unifikuar. Si rast të dështimit keni Menduh Thaçin dhe ta mendosh se kush qe dijetari që e themeloi atë forcë politike. Shqipëria e ka humbur modelin frymëzues, mjaft të dëgjosh se si kryeministri i saj u kërkon të votoni një parti malazeze për shkak të aleancës me gjoja partitë simotra në vendet e rajonit. Dhe ajo që është më e rëndomta e ka humbur modelin frymëzues edhe si shoqëri. Eshtë e gjitha në funksion të njëshave dhe të mercenarëve e ndërgjegjësuar që po shpërbëhet. Të mbyt me të njëjtat argumenta që të kërkoj votën për të ardhur në pushtet. Përshembull plehrat ligji i plehrave në 2013 ishte vrasje kombëtare, sot është aset kombëtar. Marrëveshja e detit me Greqinë ishte tradhti kombëtare, sot është e drejtë legjitime e Greqisë. Mbyllja publike, a izolimi ishte shtrëngim kombëtar i gjendjes së luftës, sot hapje totale. Kur them si Shqipëria dhe Kosova kam parasysh edhe një detaj tepër thelbësor, atë të çështjes kombëtare. Ndofta vendet e tjera të rajonit mund ta kenë luks që një forcë e vetme, a një mazhorancë, ka të drejtën kushtetuese të diskutoj kufijtë a territoret, por asesi ne shqiptarët. Pasi fakti histori na bie kokës, jetojmë sot të ndarë në 5 shtete. Çështjet kombëtare duhet të jenë unison kombëtar, kjo me pjesëmarrje të domosdoshme të palëve. Kur të arrimë të mundim egon tonë atëherë do të jemi të denjë të këshillojmë në rastin konkret bjellorusët. Kur të kemi ekonominë tonë të fortë atëherë do jemi të aftë të kuptojmë se sa përjetësisht na k gërryer nacionalizmi i sëmurë karshi dovletit, përçarja a interesi i ulët i bythës, me një fjalë i karriges jo i vendit. Kjo është Shqipëria e deri diku Kosova, ndaj ndihmojini dheun amë. Unifikohuni në një lëvizje të vetme, atë të shqiptarëve dhe përkushtojuni ekonomisë dhe të drejtave të njeriut.

                                                                 28 gusht 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, mal i Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT