• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJESHTRI I MADH I FOTOGRAFISE, GJON MILI ISHTE VATRAN

February 14, 2015 by dgreca

*31 VJET NGA SHUARJA E GJON MILIT, MJESHTRI TE MADH TË FOTOGRAFISË BOTËRORE , VATRANIT QË PUNOI mË SHUMË SE NJË DEKADE NË RADHËT E VATRËS/
*Mjeshtri i madh i fotografisë Botërore, vecanërisht asaj artistike, shqiptari i shquar Gjon Mili, erdhi në SHBA më 1923, i sponsorizuar nga dajua i tij, Kocho Chekani. Ai ra në kontakt me Faik Konicën dhe vatranët e tjerë sapo shkeli në Amerikë. /
*E kujtojmë me rastin e 14 Shkurtit, ditës së ndarjes nga jeta, atë që i dha emër Kombit Shqiptar përmes fotografisë./
* Gjon Mili ishte për një mandate arkëtar I Federatës VATRA./
Nju Jork, 14 Shkurt- Si Sot 31 vite të shkuara, ndërroi jetë mjeshtri më i madh i fotografisë, vecanërisht asaj artistike, dhe i pari përdorues i flashit elektronik në fundvitet ‘30,(1937) shqiptari me famë botërore, Gjon Mili.
Ai u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive, që për shkak të rëndimit nuk arriti ta kapërcente. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, vecanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar gati katër dekada për revistën e njohur”LIFE”.
Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhattan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së për Nju Jork –Nju Xhersi dhe zëvendës/kryetare e Federatës, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, që ishte një nga shqiptarët e pakta që nuk I ishte ndarë deri në castet e fundit të jetës.
Po përse u ndodhën aq pak shqiptar rreth arkivolit të mjeshtrit, ndërkohë që në dekadën e parë të ardhjes së tij në Amerikë, i riu Gjon Mili kishte shpenzuar shumë kohë për cështjen Kombëtare dhe qe me aq krenari e kishte përdorur emrin e vet shqiptr GJON?!
Mili, i inkuadruar në rradhët e Vatrës, ishte një ambasador energjik i cështjes Shqiptare. Nga viti 1923 e deri në mesin e viteve ’30, atë e gjejmë nëpër shumë veprimtari të Vatrës, herë si vatran i thjesht, herë si arkëtar i përgjithshëm i Federatës Vatrës, herë veprimtar i Kryqit të Kuq Shqiptar, herë kryetar apo sekretar I mbledhjeve të Vatrës, degës 42 në Pistburgh në PA, herë si reporter, herë shoqërues i artistëve të famshëm amerikanë miq të Shqipërisë, që jepnin koncerte nëpër shtete të Amerikës me repertor shqiptar etj.
Në specialen që do të botohet në Diellin e printuar përgatitur nga editori, ju do të njiheni me jetën me detaje të Gjon Milit, kujtimet e tij për të atin, që sic shkruante Mili ishte me sjellje prej aristokrati te lindur, por që u nda nga jeta shpejt(1917), duke e lënë jetim Gjonin adoleshent, për nënën e tij Viktori, që kishte studiuar për mësuese, për martesën me ndërmjetës të prindërve te tij, për xhaxhanë Hristo, për motrën Costanca e vëllanë Vasil, për dajon Kocho, që e sponsorizoi udhëtimin e tij në SHBA, për njohjen me Faik Konizën dhe vatranët, miqësia me kryetarin e Vatrës dhe editorin e mesviteve ’20, Aqile Tasi, letërkëmbimi me Kryetarin e Vatrës të viteve ’60 Kristo Thanas, kontributi në gazetën Dielli(Theksojmë se Gjon Mili nuk ka qenë as kryetar I degës së Vatrës dhe as editor I Diellit, sic shkruajnë artikullshkrues në shtypin e Tiranës, po ashtu nuk ka shkruar tregime ne gazeten Dielli, sic kumton një tjetër, ai në përgjithësi ka përkthyer nga rumanishtja, në rastin konkret dy përralla, njërën prej të cilave e huazoi revista Studenti, që dilte në Torino, por pa i marr leje autorit, gjë që u kritikua ashpër nga Dielli, më vonë botoi korrespondenca, kronika të shkurtëra, letra, por jo gjini a zhanre të tjerë. Në shkrim do të sillen copëza nga jeta e Gjon Milit, nga Bukureshti në Pensilvany, nga Bostoni në NJ, ku ai pat ngritë edhe një studio në një kishë të braktisur në Montclair, NJ, nga kujtimet per djegiene studios, ku ai humbi 2 te tretat e arkivit dhe leterkembimin….
Na ndiqni në Diellin e printuar….

Filed Under: ESSE Tagged With: 31 vite nga shuarja, dalip greca, GJON MILI, Mili vatran

Dekorimi i Dikoviqit nuk është i rastit – Serbia tradicionalisht i nderon kriminelët

February 14, 2015 by dgreca

Shkruan:Fetnete Ramosaj/
Presidenti i Serbisë, vojvoda çetnik Tomisllav Nikoliq, më 15 shkurt, pra dy ditë para shtatë-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do t’i japë medaljen e profilit të lartë, Urdhrin e nderit “Shqiponja e Bardhë”, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq. Siç është bërë e ditur, ky urdhër jepet për kontribute të jashtëzakonshme në ndërtimin ose komandimin e ushtrisë dhe do t’i ndahet në kuadër të festimeve për të shënuar “ditën e shtetit” të Serbisë. Sigurisht, Dikoviqi është meritor për këtë urdhër nderi! Dekorimet e tilla janë tradicionale në Serbi, parashihen edhe me të gjitha planprogramet serbomëdha për shfarosjen e shqiptarëve, që janë në zbatim që nga “Naçertanija” (1844) e Garashaninit e këndej. Madje, ky urdhër nderi nuk është i vetmi për të! Nga ajo që dihet publikisht, ai është nderuar edhe herë të tjera, por nga ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, i akuzuar për krime lufte e gjenocid, për të cilin u tha se vdiq në Tribunalin e Hagës, gjatë zvarritjes shumëvjeçare të procesit gjyqësor, natyrisht i padënuar! Po, të kthehemi te dekoratat e Dikoviqit.
Në përfundim të luftës në Kosovë, përveç dekorimit të njësiteve të tjera, më 7 korrik të vitit 1999, Millosheviqi, për disa brigada të ushtrisë jugosllave (serbe) ndau dekoratat më të larta të mundshme të të ashtuquajturës Republikë Federale të Jugosllavisë: “Urdhëri i Lirisë”, “Urdhëri i Heroit Kombëtar”, “Urdhri i Flamurit Jugosllav” dhe “Urdhëri i Flamurit të Luftës i shkallës së parë”. Dekoratat u ndanë për brigadat dhe komandantët e lartë ushtarakë që morën pjesë drejtpërdrejt në luftë në Kosovë. Në këtë mes, siç bënte të ditur aso kohe organizata Human Rights Watch, Lubisha Dikoviqi u dekorua me “Urdhrin e Heroit Kombëtar”. Thënë më mirë, me këtë urdhër u dekorua komplet Brigada 37 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, apo siç njihej ndryshe Brigada 37 e Rashkës. Në emër të Brigadës urdhrin e mori komandanti i saj, kolonel Lubisha Dikoviq. Krahas Brigadës 37 u dekoruan edhe Brigada 125 e Motorizuar e UJ-së në krye me komandantin Dragan Zhivanoviq, Brigada 549 e Motorizuar e UJ-së në krye me komandantin Bozhidar Deliq, Brigada 63 e parashutistëve të UJ-së në krye me komandantin Ilija Todorov. Përderisa mbi Brigadën 37 të Motorizuar rëndojnë krime të tmerrshme të kryera në rajonin e Skënderajt e Drenasit, pa u kufizuar vetëm në të, mbi Brigadën 125 dhe atë 549 rëndojnë krimet dhe masakrat e tmerrshme që i kryen në rajonin e Pejës, Deçanit, përkatësisht Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit etj.
Sa i përket përgjegjësisë komanduese, në rastin e forcave të ushtrisë jugosllave (serbe) gjërat janë tepër të qarta, sepse zinxhiri komandues ishte tejet i qartë dhe i ditur publikisht. Përderisa gjatë vitit 1998, në luftën frontale në Kosovë, krahas njësiteve policore e paramilitare, njësiteve speciale policore e ushtarake ishin të angazhuara njësitet e Armatës së Tretë (që mbulonte Serbinë e Jugut dhe Kosovën) që nga marsi i vitit 1999, drejtpërdrejt në frontin e luftës në Kosovë u angazhuan edhe Armata e Parë që e mbulonte Serbinë Veriore dhe Armata e Dytë që e mbulonte Serbinë qendrore dhe Malin e Zi. Që në fillim të muajit shkurt 1999, Brigada 37 e Motorizuar e UJ-së, nën komandën e Dikoviqit, e cila së bashku me Brigadën 19 të Pozhegës bënin pjesë në Korpusin e Uzhicës, pjesë e Armatës së Dytë të UJ-së, kishin zënë pozita të reja në Sanxhak, për të penguar mundësitë e kundërveprimit të mundshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në drejtim të Tregut të Ri (Novi Pazarit) dhe njëkohësisht për ta shtuar trysninë kundër Mitrovicës dhe Pejës. E tërë kjo po bëhej në kuadër të planit famëkeq sekret “Patkoi” që parashihte spastrimin përfundimtar të Kosovës nga popullsia shqiptare, ku tashmë rolin udhëheqës mbi të gjitha forcat në terren e kishte ushtria jugosllave (serbe).
Faktikisht, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ushtria jugosllave tërë Kosovën e ktheu në fushëbetejë. Në vazhdën e operacionit sekret “Patkoi”, forcat ushtarake serbe, në bashkëpunim me MUP-in dhe vullnetarët lokalë serbë, i përsëritën krimet më të tmerrshme të luftës nga vitet ’90-të. Sipas kreut politik e ushtarak serb dhe aleatëve të tyre, me spastrimet etnike nëpërmjet operacionit “Patkoi” në Kosovë duhej të mbeteshin 400 mijë deri në 500 mijë shqiptarë dhe me kolonizimin e ri serb në Kosovë, të krijohej një përqindje proporcionale e popullatës 50 me 50 për qind dhe kjo të arsyetohej para botës.
Për realizimin e këtij operacioni, Shtatmadhoria e UJ-së, Komandës së Korpusit të Prishtinës ia kishte dërguar në mbështetje “Grupin Taktik” nga Beogradi, i formuar posaçërisht për këtë operacion dhe përbëhej nga oficerë të lartë të të gjitha gjinive. Dritën e gjelbër për operacionin “Patkoi” e dha i ashtuquajturi “Këshilli i Sigurisë”, konkretisht Sllobodan Millosheviqi dhe Jovica Stanishiqi. Mbikëqyrja strategjike ishte detyrë e “Këshillit Suprem Ushtarak”, që ishte i vendosur në bunkerin komandues në Beograd, ndërsa komandant operacional ishte vet Shefi i Shtatmadhorisë Serbe, gjenerali Dushan Samarxhiq. Operacioni “Patkoi” në tërësi u zhvillua nën komandën e ushtrisë jugosllave, por në bashkëpunim të ngushtë mes ushtrisë, MUP-it dhe kriminelëve lokalë serbë e malazezë. Operacioni u pasurua me forma jokonvencionale, të panjohura nga luftërat në Bosnjë e Kroaci. Një numër i njësive policore e ushtarake kishin urdhër të prerë t’i hiqnin uniformat çdo dhjetë ditë e të visheshin me rroba civile, për ta shtuar konfuzionin te UÇK-ja dhe për t’i mbuluar gjurmët e krimeve në rast të disfatës (meqë rezultati i luftës në Kosovë nuk dihej, për dallim nga lufta në Bosnjë, rezultati i të cilës ishte i ditur që nga fillimi).
Në kuadër të këtij plani, që nga 7 marsi i vitit 1999, Brigada 37 e Motorizuar e Rashkës, nën komandën e Lubisha Dikoviqit ka vepruar në brendi të territorit të Kosovës, përkatësisht në rajonin e Drenicës, ku ka kryer vrasje, vrasje në masë, përdhunime dhe gjenocid të pashembullt mbi popullsinë civile shqiptare. Lubisha Dikoviq si komandant i Brigadës 37, kishte nën komandën e tij 1695 trupa të rregullta ushtarake, 31 tanke dhe 18 topa, pa i llogaritur edhe forcat policore e paramilitare serbe, të cilat tashmë vepronin në koordinim të plotë dhe nën urdhrat e komandantëve ushtarakë.
Dëshmitarët dhe të mbijetuarit e masakrave që i kryen forcat serbe në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit, me kohë e kanë dëshmuar implikimin e drejtpërdrejtë të ushtrisë jugosllave (serbe) në krimet e luftës kundër popullsisë civile shqiptare në këtë rajon, por askush nuk i mori parasysh dëshmitë e tyre! Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd e akuzoi zyrtarisht Lubisha Dikoviqin për krime lufte, për krime të rënda dhe masive, të kryera në rajonin e Drenicës. Në mesin e qindra civilëve shqiptarë të vrarë në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit, më shumë se 35 janë fëmijë; janë përdhunuar dhjetëra femra shqiptare, disa prej të cilave më pas i kanë ekzekutuar, por ka pasur raste, kur pas përdhunimeve ushtarët e Dikoviqit i kanë hedhur të gjalla në bunar, siç ndodhi në fshatin Qirez. Mbi të rëndojnë veçanërisht masakra e Izbicës, e Rezallës, e Çikatovës së Vjetër, e Qirezit, duke e bërë përgjegjës edhe për zhdukjen dhe fshehjen e trupave të qindra shqiptarëve të ekzekutuar. Mbetjet e eshtrave të paktën të 53 prej tyre u gjetën në vitin 2014 në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, pas pengesave shumëvjeçare të palës serbe për të gërmuar saktësisht në vendin e varrezës masive.
Dikoviqi është një shembull tipik tek i cili gërshetohen të gjitha format e kryerjes së krimeve të luftës e të gjenocidit, i cili ka marrë, por edhe ka dhënë urdhra drejtpërdrejt gjatë luftës në Kosovë, për vrasje, vrasje në masë, përdhunime, plaçkitje e djegie, por edhe për fshehjen e trupave të të vrarëve. Por, në vend se të përgjigjej për krime lufte, të bëmat e tij gjenocidale kundër popullsisë civile shqiptare, sikur edhe shumë të tjerëve, i shërbyen që t’i ngjitë majat më të larta të karrierës ushtarake. Që nga viti 2012 gjendet në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, ku qëndron i patrazuar me mbrojtjen maksimale që i ofron shteti serb për të bëmat e tij në Kosovë. Kjo edhe është e kuptueshme, sepse nuk është as rasti i parë as i vetmi. Por është e çuditshme se si komuniteti ndërkombëtar heshtë dhe tregohet indiferent para kësaj gjendjeje. Sa e sa herë gjatë kësaj kohe Dikoviq u kthye në vendin e krimit, sa e sa herë u prononcua kundër Kosovës. Shefat e tij të sotëm, Nikoliq e Vuçiq, janë vënë me tërë qenien në mbrojtje të tij. Natyrisht me të drejtë, të gjithë janë të një linje, të gjithë janë të një sistemi, të një shkolle… Sikur komuniteti ndërkombëtar të bënte vetëm pak përpjekje që të aplikonte drejtësinë e jo të tentonte t’i barazonte xhelatët me viktimat, të gjithë do të duhej të përgjigjeshin për krime të luftës, të kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë të përfshira, e jo të jenë në maje të pushtetit në Serbi.
Derisa pret të marrë shpërblimin, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Dikoviq sikur herëve të tjera vazhdon ta kërcënojë haptazi Kosovën dhe institucionet e saj të sigurisë. Dikoviq krenohet me të bëmat e tij kriminale dhe të ushtarëve të tij në Kosovë, të cilët i mbron duke thënë se “kanë luftuar me nder në Kosovë më 1999”! Por njëkohësisht nuk harron të akuzojë se “kërcënimi nga terrorizmi në Serbi” po u shfaqka në Kosovë! Madje ai shprehë shqetësimin edhe për ekstremizmin fetar në Kosovë dhe migrimet ilegale. “Kërcënimin më të madh për siguri e ka ekstremizmi fetar e etnik, rrjeti ndërkombëtar i krimit të organizuar dhe migrimi ilegal i motivuar ekonomikisht dhe politikisht si dhe problemet politike e të sigurisë”, i deklaroi gazetës “Danas” të Beogradit këtë fillimshkurti!
Kur përmendë migrimin dhe ekstremizmin fetar, detyrimisht mbamendja jo e largët na kthen prapa. Nuk kemi nevojë të kthehemi më larg se në dhjetorin e 2014-tës. Dhe logjikisht shtrohet pyetja: sikur inspektori i lartë aktiv i njërës nga ministritë e Serbisë fqinje, Sllobodan Gavriq, po të mos kapej në vepër e të arrinte të finalizonte aktin terrorist ndaj Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, me hiq më pak se 12 kilogramë eksploziv plastik ushtarak, dhe atë në ditën e dytë të Krishtlindjeve, pra më 25 dhjetor, për kryerjen e të cilit Serbia, sikurse në shumë raste të tjera, automatikisht do t’i akuzonte shqiptarët si “fundamentalistë islamikë”, ç’përmasa do të merrte fushata e saj armiqësore kundër Kosovës dhe ç’rezultate do të arrinte në arenën ndërkombëtare?! Është shumë domethënëse heshtja mediale e politike që po e përcjellë rastin Gavriq.
Është e çuditshme se sa aktual është konstatimi i Shqiptar Osekut, i bërë në hulumtimin e tij “Kundër kujt luftoi UÇK-ja” (botuar në revistën “Drita” të Suedisë, në vitin 2000): “Lufta serbe kundër Kosovës vazhdon, ndonëse nën dhe, përderisa në Beograd qëndrojnë në pushtet po ata politikanë që e hartuan gjenocidin e dekadës së shkuar mbi joserbët e ish-Jugosllavisë, po ata eprorë ushtarakë e policorë që e zbatuan atë gjenocid, si dhe po ata intelektualë, priftërinj e shkencëtarë që e frymëzuan, e bekuan dhe e mbështetën atë. Serbia është poshtëruar, por ajo nuk ka hequr ende dorë nga Kosova, përkundrazi, ka indikacione të forta se atje planifikohet ethshëm Kthimi i Madh. Ndaj përgatitet terreni err e terr përditë, duke nisur qysh tashti. Për këtë arsye, për sa i përket Beogradit, e para gjë që duhet vdekur, varrosur e harruar, madje në turp, është fryma UÇK. Nëqoftëse e arrin këtë objektiv, Beogradi e di se do t’ia arritë ta futë përsëri njërën këmbë brenda në Kosovë”.
Ndaj edhe pas gati 16 vjetësh të përfundimit të luftës asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi. Sërish në pushtet është “koalicioni i luftës”, ndonëse ka pësuar ca rrotacione në postet udhëheqëse. Lufta për Serbinë e Madhe vazhdon, tashmë në rrethana të reja. Vojvoda çeknik Vojisllav Sheshel, e bëri publike një të vërtetë të madhe, që dikush po përpiqet ta harrojë, kur tha se Nikoliç dhe Vuçiq kanë qenë ndihmësit e tij të ngushtë dhe bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë në krimet për të cilat ai akuzohet nga Gjykata e Hagës! Madje, të tre së bashku (por jo vetëm ata), kur i takonin Partisë Radikale Serbe e hartuan edhe planin serbomadh për spastrimin etnik të Kosovës, duke synuar arritjen e kuotave etnike 50:50 (i botuar në gazetën “Velika Serbija”, në vitin 1995, në Beograd), dhe nuk është çudi se këto synime na ka rënë t’i dëgjojmë disa herë edhe ministrat aktualë të qeverisë Vuçiq, ndonëse paksa të modifikuara për t’ju përshtatur rrethanave të sotme. Në këtë drejtim nuk është pa domethënie as thirrja e këtyre ditëve e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq, e bërë nga Brukseli, derisa gjendej atje për të nënshkruar marrëveshjen për drejtësinë me homologun e tij nga Kosova, Isa Mustafa, kur bën tifo për shefin e tij të mëhershëm: “Rroftë Sheshel!”. Kjo nuk do koment! Ashtu siç nuk do koment fakti se Serbia tradicionalisht i shpërblen kriminelët, por se si bashkësia ndërkombëtare i mbyllë sytë para akteve të tilla, kjo është shqetësuese, sepse me këtë nuk i kontribuon as paqes as stabilitetit, me padrejtësi u bën shërbim konflikteve të reja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekorimi i Dikoviqit, Fetnete Ramosaj, i nderon kriminelët, nuk është i rastit - Serbia, tradicionalisht

Kur Rame Bllaca ndertonte shtepi te re

February 14, 2015 by dgreca

Nga Sadik Elshani*/
Largimi, emigrimi i shqiptareve nga Kosova, eshte nje dukuri shqetesuese qe sjell dhimbje ne shpirtin e cdo shqiptari. Te sjelle ndermend shpernguljet me dhune te shqiptareve nga trojet e tyre ne periudha te ndryshme historike. Ishin ato kohera te veshtira, dhe as qe mund te krahasohen me gjendjen e tanishme te Kosoves, sado e veshtire qe mund te jete. Ishin ato periudha teper te veshtira, sidomos ajo ne mes te dy lufterave boterore, kur Mbreteria Jugosllave/Serbia kishte filluar kolonizimin e dhunshem te trojeve shqiptare, kur po zbatohej memorandumi famekeq i Vasa Cubriloviqit, kur ndaj shqiptareve po ushtrohej genocidi. Shkurt, kur kishin vendosur t’i crrenjosnin shqiptaret nga trojet e tyre shekullore, te zhduknin qenjen shqiptare. Po ne kete kohe kemi edhe akte te shumta atdhetare, ku shqiptaret kishin ngulur kembet qe ne asnje menyre te mos leviznin nga shtepite, nga trojet e tyre. Do te permend dy raste te treguara nga babai im Avdyl Elshani (ndjese past) qe vete ka qene deshmitar i ketyre ngjarjeve.
Rasti i pare eshte ai i Rame Bllaces (1880 – 1937), burre atdhetar e me shume respekt ne rrethin e Suharekes/Therandes e me gjere, deputet ne parlamentin e Jugosllavise se atehershme, babai i Qazim Bllaces. Kur ne vitet e 30-ta te shekullit te kaluar kolonizimi i Kosoves me kolone serbe e malazeze kishte marre hov dhe kur po ashtu edhe shperngulja me dhune e shqiptareve per ne Turqi kishte marre nje hov te pandalshem, Rame Bllaca ndertonte shtepi te re – edhepse nuk kishte nevoje per nje shtepi tjeter. Me kete ai ua bente me dije, u dergonte porosi te gjitheve, se ai nuk kishte ndermend ta leshonte Bllacen e tij e te shperngulej ne Turqi. Ne tere ate ane u perhap lajmi se Rame Bllaca po ndertonte shtepi. Porosia ishte e qarte: Shqiptare mos u largoni nga trojet tuaja. Eshte edhe nje akt tjeter heroizmi e atdhetarizmi i Rame Bllaces: Kur ne parlamentin jugosllav, si deputet qe ishte, ia ofrojne per te nenshkruar traktatin e marreveshjes Jugosllavi – Turqi per shpernguljen e shqiptareve, Rame Bllaca nuk e nenshkruan, por e gris ate. Keto akte burrerie e atdhetarie, Rame Bllaca i pagoi me koke – ate e vrasin me 1937 ne hyrje te fshatit te tij, Bllace.

Rasti i dyte ka te bej me familjen tone, Elshani nga Suhareka/Theranda. Edhe familja jone ka qene e njohur, e respektuar dhe e kamur ne ate kohe. Gjysh im, Muharrem Elshani dhe vellezerit e tij (ndjese paqin) jane marre me tregeti dhe kane patur nje dyqan te madh. Nje dite, sic tregonte babai, ne dyqan vjen xhandari serb dhe i drejtohet gjyshit serbisht, kuptohet, pak me ironi e arrogance: “Zoti Hemo (shkurt per Muharrem), kur do t’ia mbash per Turqi?” Gjyshi ka qene i verber ne te dy syte, por ka qene njeri shume i mencur, i vendosur e shume atdhetar dhe i eshte pergjigjur preras: Une nuk jam duke shkuar kurrkund, por nese vjen puna qe une detyrohem te largohem nga vendi im, atehere une nuk do te shkoj ne Turqi, por do te shkoj ne Shqiperi. Kur te me marre malli per vendin tim, une do ta marre nje buke misri me vete, do ta mbeshtjelle rreth shpines dhe do te dal ne maje te Pashtrikut e do te cmallem me vendin tim.” Xhandari kur i kishte degjuar keto fjale, ishte skuqur e egeresuar ne fytyre dhe u kishte dhene nje gjobe te majme. Arsyeja: Nuk e keni pastruar dyqanin. Babai tregonte, se dyqanin e kishin bere pasqyre, sepse ata kane qene njerez shume te organizuar, shume te paster. Por xhandari nuk kishte se si ta shfrynte ndryshe mllefin e tij.

Keto dhe veprime tjera te panumerta, ndoshta veprime te vogla, por perhapnin nje porosi te madhe, shprehin dashurine e shqiptarit per token, vendin e tyre dhe vendosmerine per ta mbrojtur ate me cdo kusht. Shqiptaret ben luftera te panderprera per liri e pavaresi, ben perpjekje mbinjerezore per te mbrojtur vendin e tyre, nderin dhe dinjitetin e familjes, qenjen e tyre, dhe me ne fund ngadhnjyen. Fatmiresisht, Kosova sot eshte shtet i pavarur, por sic shihet nga ngjarjet e koheve te fundit, hallet dhe problemet e Kosoves nuk kane mbaruar me shpalljen e pavaresise. Perkundrazi, tani ballafaqohemi me sfida te nje natyre tjeter, ndoshta edhe me te veshtira: ndertimi i vendit, ngritja e institucioneve funkcionale demokratike, ndertimi i nje shoqerie te lire e demokratike, zhvillimi i ekonomise, rritja e standardit dhe mireqenjes se qytetareve, etj.

Ngjarjet e koheve te fundit le te jene kembana e zgjimit per qeveritaret e Kosoves, qe drejtimin e vendit ta marrin shume seriozisht, se punet nuk kryhen vetvetiu, problemet nuk zgjidhen pa nje angazhim maksimal. Kosova ka trasheguar mjaft probleme nga e kaluara e saj dhe zgjdhje deux ex machina nuk ka, por duhet angazhim i te gjitheve: qeverise, pozites dhe opozites, qytetareve. Edhe qytetaret i kane detyrimet e tyre ndaj vendit, per te mos e perseritur ketu thenjen shume te njohur te kryetarit Kenedi. Hapi i pare, identifikimi dhe pranimi i problemeve – hapi i dyte, qasja per t’i zgjidhur ato. Dihet dhe po shihet qarte se Kosova nuk eshte ne gjendje aq te mire, por ndoshta jo edhe ne gjendje aq te mjerueshm sa qe njerezit te marrin masa deshperuese, duke rrezikuar jeten e tyre dhe te familjeve te tyre. Qeveria duhet te punoje dite e nate per zbutjen dhe zhdukjen e ketyre problemeve. Dikush duhet ta jep porosine e Rame Bllaces, dikush duhet t’u jep shprese ketyre njerezve. Dhe jo vetem shprese, por edhe mundesi per te jetuar. Sa te ekzistoje bota, do te kete edhe levizje te njerezve, por jo qytetaret e Kosoves te detyrohen ta lene vendin per te siguruar kafshaten e gojes, per te mbijetuar. Per cka u be gjithe ajo lufte shekullore per clirimin e Kosoves? Per ta gezuar Kosoven e lire, per te pasur nje jete dinjitoze e te rehatshme, apo per ta braktisur?!

Skena e ploget politike e Kosoves, korrupsioni i larte i politikaneve dhe joserioziteti i tyre, largimi i popullsise ne menyre deshperuese, jane nje deshmi se ne vete nuk e vleresojme shtetin e Kosoves. Mos valle me veprimet tona po e mohojme edhe vete ekzistencen shtetit te Kosoves? Ato qe nuk mund te na benin armiqte tane me luftera, dhune e terror, ne sot po ia bejme vetes te keqen me papergjegjesine, joseriozitetin, indiferntizmin tone. Dhe si do te kerkojme nga te tjeret qe te na njohin pavaresine, te na respektojne?! Ne situata te tilla, kundershtaret dhe armiqte tane jane duke i ferkuar duart e tyre. Nga nje gjendje e tille, vetem armiqte tane do te jene perfitues, ne do te jemi humbesit. Nje here vera, vjen kah dera – thote nje fjale popullore. Te mos e humbim rastin shekullor, rastin vendimtar, rastin jetik!
Sadik Elshani, Philadelphia, 13 shkurt, 2015
*Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kur Rame Bllaca, ndertonte shtepi, Sadik Elshani, te re

Lëreni Visarin

February 14, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Mund të jetë për momentin emri më i lakuar ky i Visarit. Dhe ta themi që në krye, e tepruat. E tepruam. Të gjithë. Ndërkohë që duhet ta lëm Visarin në shenjtërinë e tij. Biles kësaj vale aludimesh, përplasjesh, iu shtuan edhe gjoja shërbesat poetike të padobishme që poeti ka bërë me libra kushtuar liderëve. E kam fjalën për vëllimin poetik Si shkohet në Kosovë. (Toena 2000) Kush e ka lexuar librin, do qeshi. Do qeshi me aludimin se ky libër i është kushtuar Berishës. Ky libër i është kushtuar fatit tonë të mbrapsht. Shqiptarizmës. Gjindjes njerëzore, gjindjes së asaj pjese të ballkanit perëndimor e cila më mirë se sa të shfarosin njëri-tjetrin, vetveten nuk dinë asgjë tjetër. Ai është një libër baladik si fati ynë. Unë e kam përcjellur në shtyp që atëhere. Që kur pa dritën e botimit. Eshtë një ndërthurje e përkryer e folklorit me lirikën moderne përmes simbolit të pegasit. Kalit të bardhë mitik nga arti grek. Pra një populli po ballkanas. Me barrierë habinë e kufijve. Kufijve në mesin tonë, shqiptarëve. Shqipërisë që i ka rënë për pjesë të kufizohet me shtete nga ashti i saj. Shqipërisë që kufizohet nga shqiptarët. Dhe që mbyllet me një triumf njerëzor;

Mirëmbrëma Prishtinë!
Sa e kam pritur këtë natë
të hyje mes netëve të mia.

E tepruam edhe me myslimanizmin, katoliçizmin ndërkohë kur çuam katër fetarë dhe bëm show në rrugët e Parisit për harmoninë fetare. Për të thënë si gjoja gjithë qytetërimi i moderuar Je suis Charli Hebdo. Me mëshimet e vazhdueshme mbi përfaqësimin e shtresave të shoqërisë në nivelet e larta. Nuk e di pse këmbëngulim në këto ide, në këto deviza, strategji përfaqësimi të tipit anadollak. Përfaqësimi i katolikëve, i myslimanëve, i ortodoksëve çamëve. Ndërkohë kur brohorasim Pashko Vasën se feja e shqiptarit është shqiptarija. (Sa ironi).
E tepruam Kryeministër.
E tepruam Presdient.
Ne shqiptarët nuk kemi nevojë që përmes deklaratsh e statute twiteri, fb, instagrami, blogje etj. Të shohim lojrat e juaja. Inatet provinciale midis jush. Ashtu sikur nuk kemi nevojë që të shohim njerëz, grupe shoqërore, popull të dyzuar në të majtë e të djathtë. Në popull që njëra pal bën hosana pas palës përkatëse. Dhe ju që bëni show edhe në kohë fatkeqësish natyrore. Që ndani ndihma me tifozeri. Dhe që njihni vlerën e shtetit vetëm kur e drejtoni ju. Janë strategji kalamajsh jo nuk më pyeti mua Kryeministri. Janë strategji kalamajsh ridënimi që konstaton Ti nga Presidenti. Apo konstatimet jo i burgusori i diktaturës, fatkeqi etj. Elementët e mëshirës nuk janë grada, nuk janë kompontentët që e kanë bërë Zhitin poetin e dashur. Apo edhe ambasador. Biles është për të ardhur keq që ofren nga ju.
A e di, Kryeministër, President e çfarë tjetër…, është shumë e thjesht. Uluni e bisedoni. Ia thoni njëri-tjetrit dhe jo neve. Duke pritur nga ne si zakonisht, pjesëmarrje prej tifozësh. Pjesëmarrje të ndarësh. Me gurë njeri-tjetrin e gjuajnë kalamajt.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Lereni Visarin

Mitingu i shkronjave, oratorët u shpallën në kërkim

February 14, 2015 by dgreca

Sipas gazetës, “Lidhja Ortodokse”, shkruar nga Mihal Grameno/
Përgatiti Vepror Hasani/
Dita e 14-ë e shkurtit 1910, do të mbetet e paharruar për kombin shqiptar. Aq më shumë në qytetin t’onë se edhe pas qindra vitesh, korçarët do t’u tregojnë fëmijës së tyre brez pas brezi, që në këtë qytet, më 14 të shkurtit 1910, ka ndodhur një ngjarje historike kombëtare, e cila gjer këtë ditë s’ka patur shembull në mbretërinë Osmanli.
Në këtë ditë, Korça bashkë me kazatë, (rrethet), e saj, dëfteu me të tepër vullnetin e gjithë kombit shqiptar, që do të rronjë në këtë botë nën flamur të osmanllisë, por me nder dhe me gjuhën e tij të ëmbël, që ka thëthirë në qumështin e nënës edhe të shkruar me shkronjat e saj. Në këtë ditë dëfteu që kombi shqiptar, nuk ep leje t’i trazohet njeri gjuhës së tij, asaj gjuhës së bukur me të cilë ka betuar besë për të mprojtur lirinë, konstitucionë dhe nder e mbretërisë.
Duhet pendë të shkruash këtë histori
Duhet pendë e mjeshtëri që të muntnjë të zografisnjë këtë miting të çkëlqyer, në të cilë muar anë më tepër se 12 mijë njerëz. Këta burra shqiptarë, nga të cilët më të shumtët u gjetuan një ditë, me të dëgjuar rrezikun e gjuhës, lanë shtëpitë, lanë punërat, lanë armiqësitë mënjanë, edhe si vëllezër vrapuan në thirrje të organizatorëve të metingut, e të protestojnë ata njerëz të cilët, nga padija ose nakari hodhë mollën e grindjes në mest të vëllazërisë duke na nxjerrë të tjera shkronja për gjuhën tënë. Zër’ i atij populli që bërtiti në breg të Shën Ilisë përfaqëson vullnetin e miliona shqiptarëve, të cilët bashkohen edhe për të mbrojtur gjuhën e shenjtë. Zër’ i popullit, vullnet i Perëndisë! Prandaj na pëlqen të besojmë që ky zë do t’u presë hovin atyreve gllosologëve që na ç’pikën të tjera shkronja… Qeveria konstitucionale, pa dyshim, që do të mbushnjë dëshirën të kombit Shqiptar e për së shpejti shprehim të dëftenjë drejtësin’ e saj që të mos mbetet asnjë ftohtësirë në zemër të shqiptarëve, të cilët janë shtylla edhe më besnikë të mbretërisë
Organizatorët e mitingut
Prej një jave më pare, zotërinjtë Çerçiz bej Zavalani, Mustafa bej Selenica, Stavre Karoli, Xhafer bej Luarasi, Tefik efendi Panariti, Ali bej Frashëri edhe Rakip Efendi Jemenli, organizatorë të mitingut dhanë një thirrje duke ftuar gjithë shqiptarët të mytesarifllëkut, (prefekturës), që të marrën anë në meting që do të mbahet në Korçë, të dielë më 14 të shkurtit. Thirrja u dëgjua me gëzim të madh edhe këtë provuan të ardhurit të tyre me gjithë kohën të shkurtër
Baba Xhemali me 14 dervishlerë
Kolonja djep i ndjenjave kombiare vrapojti madhërisht duke dërguar 2.500 asllanë. Të shtunë, më orën 10, me të ardhur lajmeja (lajmi) që vinë kolonjarët, komiteti me një shumicë të madhe, duke patur “Bandën e Lirisë” përpara, dualë për të pritur miqtë. Me të arirë z. Mihal Grameno, direktori ynë,(drejtori i gazetës “Lidhja ortdodokse”), në emër të komitetit u uron mirë-ardhjen edhe me fjalë të bukura dëften patriotizmën të kolonjarëve. Pastaj në mes të bërtimeve të popullit, rroftë Kolonja me bijt e saj, shkuan duke patur Bandën përpara, në Klub. Gjithë qyteti, burra dhe gra, kishin dalë për të habitur Kolonjarët, të cilët çuditnë botën me taktikën e tyre. Përpara këmbësisë, që ishin radhitur nga 5, ishte Zalo bej Prodani kaluar mbi një at, (kalë), të bukur. Pastaj vinin kalorësit duke patur në krye Shenjtërinë e tij Baba Xhemalë prej Kreshove me 14 dervishë. Na vjen fort keq që nuk mundim gjithë atdhetarët e parësinë t’i numërojmë, prandaj kërkojmë ndjesë gjithë zotërinjve që na shpëtojnë, (s’na kujtohen), emrat.
Atdhetarët
Nga atdhetarët e Kolonjës muntmë të vërejmë këta zotërinj: Abdullah bej Starja, kryesonjës i Klubit të Kolonjës, Sefedin bej Starja, Zalo bej Prodani, Shahin bej Taçi, Galip efendi Navosela, Xhezo dhe Hodo Selenica, Salih bej Butka, Malush bej Skorovoti, Abidin bej Erseka, Mehmet aga Qinami, Selim bej Kotorasi, Mahmut aga, Riza aga edhe Petro Sotir Gostivishti, Zilifkar bej, Maliq bej edhe Teki bej Qafëzezi, Arif bej edhe Rapo bej Elmazi, Refat bej Kozeli, Sali aga Pepellash, Lamçe aga Kamnik, Durmish bej Leshnja, Qazim aga edhe Gjeli Tasi Luarasi, Ibrahim efendi Qesaraka, Zylo bej Kurtesi, Tahir bej Orgockë, Islam bej edhe Zenel bej Lëncka. Reis Mahmud aga Qyteza, (vëllai i Ali efendiut), Aliko, Selimi edhe Rushani agallarë nga Selenica e Pishës, Asan bej Psar i Kolonjës, Musa edhe Fehim Boshanji, Dilaveri Lubonjë, Qenabi Rehovë, Qazim aga Psar i Zi, Naim bej Sheribe, Bilal Rakip Roshanji, Alima Kalinasi, Dajlani, Qazimi, Salih edhe Xhelo agallarë nga Panariti. Ortodoksët të katundit të Treskës, Trebickës, Butkës e gjithë Kolonjës
Pjesëmarrësit e Korçës dhe Pogradecit:
Të dielë në orën tre të mëngjesit vjen lajmeja (lajmi) që fshatrat të Starovës edhe rreth Melçanit vinë, e kështu dualë (dolën) përsëri me Bandën e Lirisë e i pritnë. Nga këta atdhetarë muntmë të vërejmë këta zotërinj: Telah Hasan edhe Telah Sulejman Goskova, Alo Mersin, Tefik Hysen edhe Emin efendi Vinçani, Mustafa Reshit edhe Asan Myslim Porodini, Salih Dalip edhe Mehmet Mustafa Melçani, Sadik Seran edhe Sulejman Ismail Biranji, Maliq Abdul edhe Hysen Abas Vashtmi, Zejnel Ahmet Vloçisht, Emin edhe Rexhep Sulejmani Libonik, Hasim Salih Simir, Hasan edhe Tahir efendi Kolanec, Ahmet aga Djamanec, Ibrahim Hoxhë edhe Ymer Sulejman Klocei, Fetah Shaban, Mustafa bej Goça, Nazif Etem edhe Isa Bickë, Dheçan edhe Qerim Plovishti, Fetah Hodo Sonisht, Ibrahim Kreshovë, Hasan Zejnel Dolan, Xhafer Zvarrisht, Alih Mehmet Lozhan, Xheladin Selcë, Ali Et’hem Qeckë, Musa Babjen, Liman Marjan, Shahin Ali Shurbec, Rexhep Bilal Zboqi, Asim Hasan Beras, Ismail Hajdar Këmbëthekër, Ibrahim edhe Nazif Shkozë, Maksut Mëmël, Kasëm bej, Myrteza bej, edhe Abdullah bej Pirg, Hasan bej Çushli
Baba Hyseni dhe dervishlerët
Edhe këta atdhetarë, gjithë si kolonjarët, ishin radhuar me taktikë, ushtarëkëmbësit përpara edhe kalorësit prapa me flamurë. Përmbi ta çkëlqenin Shenjtëria e tij Baba Hyseni, Dervish Hajdari nga teqe e Turanit edhe 5 dervishlerë të tjerë. Nga numri, tamina, (me hamendje), thomi që ishin tri mijë, me qenë që kryesia (kreu i kolonës) ishte në Kullë të Hirit dhe fundi në Turan
Pjesëmarrësit e Devollit
Pa arrirë në klub vjen lajmi që vjen Devolli, kështu që Banda me pleqësinë shkuan për të pritur këta atdhetarë, të cilët ishin mbledhur në Dishnicë ku u bashkuan edhe me Pojanllinjë të fshatrave qark Korçës. Nga këta atdhetarë muntmë të vërejmë këta zotërinj: Mehmet benë, Dervish Muharremi edhe Hysen bej Bilishti, Hasan efendinë, edhe Hysen efendi Kapshtica, Mehmet aga Bitincka, Emin aga Ponçara, Ali Rakip aga Menkulasi, Islam aga Çipani, Elmaz edhe Gani Hoçishti, Shahin efendi Graca. Ali efendi Baban, Rushan efendi edhe Alim Aga Stropan, Rushan edhe Rexhep Aga Eçmenik, Teqir Aga Pilur, Emin aga edhe Salih efendi, Aliu efendi Vranisht, Alil aga Cangonj, Jonuz dhe Banush nga Zëmblaku, Treni K-din Bodi Malia Sela edhe Andon Stavre Progër, Pandeli Trajan, Nikolla Vasil, mësonjësi Ndoni Ikonomi, Qemal Dervish, Mehmet Haxhi dhe shumë të tjerë. Poloska: Ibrahim bej, Myrteza bej edhe Demir aga, Sadik edhe Mehmet aga Vishotica. Braçanji: Etem aga Kaja, edhe Demir efendi. Verleni: Veli bej, Ali aga Istref, Ismail edhe Banush aga.
Pesë shehlerët e Devollit
Pojani ishte përfaqësuar fort bukur , të gjithë kaluar, nga të cilët shënojmë: Zejnel bejnë, Maliq bejnë, Mehmet bejnë, Isuf Alil aganë, Selim bejnë, Meke bejnë, Besim bejnë edhe Maliq Xhafer aganë. Në krye vinin shenjtëria e tij, shehlerët Qerimi dhe Hasani nga Bilishti, Sheh Rizaj Cangonj, sheh Hyseni Pilur edhe Dervish Ahmet Progri
Starova, Opari dhe Baba Qazimi i Qatromit
Starova ishte përfaqësuar fort bukur si nga muhamedanët ashtu edhe nga të krishterët. Muntmë të vërejme: Istref benë, Ahmet benë, Shahin bej Zagorçanë, Asllan benë, Muhamet benë, zotërinjtë Koçi, Tushi, Sandri Naum, Koli Paci, Tushi Ndinka edhe Simon Jovan. Shenjtëria e tij Baba Qazimi i Qatromit edhe me një shumicë të madhe nga fshatrat e Oparit edhe qark teqesë urdhërojti në miting. Përveç këtyre atdhetarëve që përmentmë më sipër, të tjera çeta stife-stife si mizërija nga fshatrat qark Korçës si të krishterë ashtu edhe myslimanë ardhë në miting. Me një fjalë, mintingu i Korçës do të mbetet një kujtim i paharruar në zemër të çdo shqiptari, edhe një shuplakë për gllosologët e rinj. Nga ky miting qeveria do të vërtetohet, (sigurohet) që ata që çpiknë këtë çështje, nuku kanë asnjë më marrëdhënie me kombin shqiptar, i cili vetë zgjodhi shkronjat e gjuhës së tij.

Marshi i mitingut
Në orën 6, Banda e Lirisë këndon përpara Klubit ku defilonin me radhë gjithë atdhetarët të ardhur që përjashta me flamurë në dorë edhe rregulloheshin pas kazasë secilido në bulevard “Shën Gjergji” nga 10 në sërë. Qyteti gjithë kishte dalë nëpër rrugët, nëpër dritare edhe në ballkonet që të shihnin e të çuditen me një ngjarje që s’e kishin parë kurrë. Në orën 7, Banda e Lirisë këndon për të parën herë marshën e Mitingut, të cilë z profesor Pasakali (Paskuale de Hanibale, kompozitor italian), e bëri për këtë ditë dhe nisen

Baballarë dhe shehlerë
Në krye Band’ e Lirisë me pleqësinë e anëtarët, të gjithë me kongarda edhe me flamur. Kolonjarët me flamurë edhe me Çapare në kraharor shkrruar: “Rroftë abe-ja shqipe!” Pastaj vinin kaluar Shenjëtëri e tyre Baba Hyseni, Baba Qazimi, Baba Xhemali, Sheh Ibrahimi i Korçës, Sheh Qerimi, Sheh Hasani edhe Sheh Hyseni. Përpara tyre z. Belul efendi, kryekatundari i qytetit (kryetari i Bashkisë), i çkëlqyeri atdhetar z. Hafëz Aliu Imam i qytetit, pleqësia me anëtarët e Klubit, pleqësia e Përparimit edhe plot qytetarë.
Pastaj Starova, Devolli Opari e gjithë fshatrat e Korçës. Kështu duke shkuar me një taktikë të çudtitshme përpara yqymetit, arrimë në Shent Ili, që është jashtë Korçës mbi një breg të lartër e fort të bukur. Kur ariti kryeja (kreu) në Shent Ili, fundi ish në bulevardin “Shën Gjergji”, d.m.th. nja dyqillometra. Kur arrinë të gjithë të bregu u mbush si me miza edhe nuk dukeshe tjatër gjësendi përveç një pamoramë prej ato që vetëm piktorët dinë të zografisin. Një erë e hollë prej pranvere i epte një bukuri të veçantë metingut duke lëvizur fustanellat e bardha, me të cilat ishin veshur atdhetarët. Kur mbarojti Banda marshën e mitingut, një buçim i madh u dëgjua: “Rroftë abe-ja shqipe!” edhe pastaj një heshtje zotëronte në breg që të dëgjonin fjalët

Ymer bej Zavalani
Fjalën e parë e merr zoti Ymer beu Zavanani një nga luftëtarët e vjetër. Zotëri e tij tregon gjer e gjatë qysh janë përdorur prej 40 vjet shkronjat shqipe, të cilat sot i rrënjosëm në zemër të kombit shqiptar, i cili i ka atje për zgjim edhe përparim. Këto shkronja,- thotë,- janë lënë nga etrit t’anë edhe kurrë kombi shqiptar do të mos i çkëmbenj, prandaj qeveria bën një faj të madh kur dëgjon ca njerëz intrigantë edhe të paditur, të cilët s’kanë tjatër qëllim përveç të sjellim grindje dhe përçarje midis shqiptarëve të mbretërisë, të së cilës më besnike është kombi shqiptar, më të shumtit nga këta njerëz janë të huaj, -thotë,- siç është myderiz i Korçës, i cili nuku di përveç turçe dhe bullgarçe e kërkon me anë të fesë të trazohet në gjuhën tënë. Ky është, që vjet kur e kishim kryesonjës të nderit në Klub thoshte, që s’është mëkat po të mësohet shqipja me këto shkronja, e tani mallkon! Kjo e ardhura e zotërisë suaj, -mbaron, (fjalën Zavalani), tregon çkoqitur që ini anëtarë të shkronjave shqipe… andja t’i apim qeverisë të kuptonjë që neve s’ndahemi kurrë nga këto shkronja. Rrofshin shkronjat shqipe! Rrofshin!,- ju përgjigjën atdhetarit plak Ymer bej Zavalanit

Sami bej Pojani
Pojani, i cili vëtërisht u kthye nga Klisyra për këtë, (u kthye për mitingun, pasi në Këlcyrë gjendej i sëmurë), duke thënë, që tani dy vjet afër, gjithë në këtë breg u betuam për liri. Po kur u betuam atëherë, me këtë gjuhë edhe me këto shkronja u betuam, andaj edhe sot të betohemi e të japim besë të shqiptarit, që do të vdesëm për këto shkronja! Besa-besë! – u përgjigj gjith’ay rrëmet.
Të tretën fjalë e mori z. Grigor Cilka, i cili thotë, që e ardhura e z. suaj, dëften fort bukur vullnetin edhe dëshirën të gjithë kombit shqiptar, prandaj e drejta është me neve edhe qeveria do të jetë me neve, prandaj gjer mos na epet e drejta që na zotohet konstitucioni, kurrë të mos pushojmë. Të katërtën fjalë e merr bilbili i Korçës, siç e quanin dibranët Hafëz Alinë, me këto fjalë: Vëllezër të dashur, shkronjat arabishte janë të bekuara me qenë se me këto shkronja është shkruar feja e muhamedanëve, por edhe shkronjat shqipe janë të bekura se shkruhet gjuha e kombit tonë, edhe me këto shkronja mund të përparonjë e të qytetërohet. Prandaj vëllezër,- tha,- asnjë mëkat nuku është për këto shkronja dhe asnjë ndalim nuk na ep feja, por sa të mundim të përpiqemi në lulzëim të kombit.
Lutje për shkronjat shqipe
Pastaj bënë një lutje për shkronjat shqipe e mbaron duke bërtitur rroftë mbretëria, rrofshin shkronjat tona. Fjalëve të shenjta të Hafëz Aliut iu përgjigj ushtimi i popullit me një Amin! Amin! Ay amin arriti deri në qiell edhe u përnda mbi gjithë anët të Shqipërisë duke përzier edhe zërat të shqiptarëve, që janë përndarë mbi faqe të dheut. I pesti fjalëtor ishte Nuri Osmani, një nga të rinjtë të Idadijes së Korçës që kanë ikur, (e kishin braktisur shkollën turke), i cili me ca fjalë të nxehta thotë, që edhe paskëtaj etrit tanë do të përpiqen për mbretërinë osmane, prandaj i lutemi qeverisë të na mbushnjë dëshirën duke mos na trazuar shkronjat, që i kemi të shenjta. Rrofshin djemtë e rinj!- ishtë përgjigjja e popullit, se kombi shqiptar dhe mbretëria nga këta prêt shërbime. Fjalën e fundit e merr Ismail M. Gostivishti. (Gazeta “Lidhja Ortodokse” e hënë, 22 shkurt 1910)
(Shënim: Edhe pse oratorët, tek-tuk, e thanë ndonjë fjalë të mirë për qeverinë, pas përfundimit të mitingut ata u shpallën në kërkim nga qeveria turke)
Vepror Hasani

Filed Under: Histori Tagged With: Mitingu i shkronjave, ne kerkim, oratorët, u shpallën, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4092
  • 4093
  • 4094
  • 4095
  • 4096
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT