• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aqif Blyta – 70 Vjet nga vrasja

January 20, 2015 by dgreca

Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Nga Ismet Azizi/
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.

Filed Under: Histori Tagged With: - 70 Vjet, Aqif Blyta, Ismet Azizi, nga vrasja

KRYEMINISTER, LARGOJE JABLLANOVICIN NGA QEVERIA!

January 20, 2015 by dgreca

Në Prishtinë dhe Ferizaj protesta për largimin e Jabllanoviçit dhe kthimin e Trepçës/
Një numër i madh i studentëve protestuan sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë për shkarkimin e Ministrit për komunitete dhe Kthim Aleksandër Jabllanoviç dhe për lënien e ndërmarrjes Trepça në duart e AKP-së.
Studentë të shumtë i ishin përgjigjur ftesës për protestën me moton “Kryeministër Shkarkoje”.
Ndërkohë që edhe në qytetin e Ferizajt qyetarët protestuan sot në lidhje me këto dy kërkesa.
Siç raporton gazetari i KosovaPress-it, në këtë tubim janë mbledhur rreth 1500 qytetarë.
Protesta është organizuar nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal të Ferizajt dhe këngëtari Labinot Tahiri.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeminister, LARGOJE JABLLANOVICIN, NGA QEVERIA

FESTIVALI KOMBETAR I GJIROKASTRES, NISIN TAKIMET PERGATITORE

January 20, 2015 by dgreca

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të gjithë vendin, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira.
“Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore. Gjatë kësaj faze, krahas ngritjes së grupeve të punës në strukturat e qeverisjes vendore, komunë, bashki dhe qark me specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë dhe etnomuzikologë, janë bërë ekspedita përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik dhe ritualeve dhe në shumë zona kanë nisur provat dhe koncertet e para selektuese”, është shprehur Meri Kumbe, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.
Sidomos muajt e fundit të vitit 2014 dhe javët e para të vitit 2015 janë shoqëruar me një varg veprimtarish folklorike të iniciuara nga vetë strukturat e qeverisjes vendore, qendrat kulturore dhe shoqatat kulturore artistike, veprimtari të cilat kanë nxitur interesin e bartësve të folklorit dhe i kanë vënë ato në lëvizje për një përgatitje dinjitoze për të shkuar me gjetje të reja në ngjarjen më të madhe të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Në këtë kuadër janë zhvilluar me shumë sukses disa festivale tipologjike dhe burimore si Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Tiranë, Takimi i Polifonisë në Vranisht të Vlorës, Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare në Elbasan, Festivali Folklorik “Sofra Tironse”, Festivali Folklorik Ballkanik në Gjirokastër, festivali “Oda Dibrane” në Peshkopi, Festivali i Këngës Epike në Burrel, etj.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi, thotë se përgatitjet kanë qenë të gjithanshme dhe tre grupe pune me ekspertë të njohur të folklorit në Has, Tropojë dhe Kukës kanë përzgjedhur grupet më të mira dhe pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira dhe të përzgjedhura do të organizohet një koncert i përbashkët, ku ekspertët do të vazhdojnë përzgjedhjen sipas kritereve shkencore për të përcaktuar përfundimisht grupin e përfaqësimit.
Puna përgatitore në fazën e parë të saj nxori në pah shumë vlera folklorike të thesarit të trashëgimisë kulturore të përcjellë me dashuri e respekt nga njëri brez te tjetri, vlera të cilat ekspertët e folklorit i mbajnë sekret për të befasuar dhe për të konkurruar fort në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i Gjirokastres, Nisin përgatitjet

Beogradit synim ka pasurinë dhe resurset e Trepçës dhe të Kosovës!!!

January 20, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN DIBRANI/
Propozimet e Qeveria e Serbisë që po insiston që për fatin dhe të ardhmen e “Trepçës” të vendoset në dialogun midis Prishtinës e Beogradiit, në Bruksel. Diçka absurde e pa logjikshme dhe e pa kompromis nga vet fakti dhe pozicioni gjeografik i këtyre resursevese ku gjenden në thellësitë e Kosovës.
Edhe zyrtarisht Vuçiq ka bërë të ditur se Qeveria e Serbisë do të insistojë që çështja e “Trepçës” të diskutohet në kuadrin e bisedimeve që pritet të vazhdojnë në Bruksel!? A thua çka te bisedohet për pasuritë tona kur ato janë dhe kanë qenë pronë autoktone e shqiptarëve e Ilirëve dhe e Pellazgëve edhe pa qene fare, fara sllave në Ballkan. Nëse ne duhet të bisedojmë për resurset e vlerave dhe pasurive ton duhet të flasim në Bruksel për ato pasuri qe u okupuan nga Serbia ne tokat tona që nga Novipazari , Nishi, Leskovci , Vranja dhe rajoni i Toplices si tërësi qe ishte shqiptare hiq ma larg së 1878!
Pamje nga pasuria nëntokësore nga miniera e Trepçës së Mitrovicës!!! Ja për çka lufton Beogradi që të zhvillohen bisedimet. Trepça ishte magjja e Beogradit me këto pasuri u rindërtua Serbia dhe ish Jugosllavia!!!???…
Vuqiqi ma tutje thekson “Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende duke pretenduar në Trepçë, në Brezoivicë, Liqenin e Gazivodes dhe resurse tjera duke pretenduar qe shqiptarët të mbesin shkuarave dhe maleve. Zoti Vuqiq duhet ta dijë se ka perënduar koha e krajleve të Serbisë qe deri ne vitin 1955 janë kolonizuar tokat tona me serb e malazez andaj harroje ketë ëndërr aq brutale dhe të rrezikshme. Pa marre parasysh lidershipin kosovar se a do te jete e afte që të mbroj tokat e veta në tavolinat e Evropës, populli i Kosovës nuk do të lejon ma pazarllëqe me tokat tona të shenjta dhe resurset tona me renome ndërkombëtare siç është Trepça. Parulla “Trepça puno Beogradi ndërto” ka perënduar zotërinj nga Beogradi dhe politikan kosovarë të pa vlerë që keni lejuar deri këtu të vije kjo situate aq e pa nder edhe nga ju lidershipi kosovar!
‪Cenohet territori i ynë me plane aq agresive dhe zyrtaret e Kosovës nuk reagojnë!‬
-Është për tu çuditur me zyrtarët e Kosovës dhe organet gjegjëse në Kosovë, përse nuk e alarmojnë ketë akt aq brutal dhe të pa presidence të Serbisë , kur cenohet territori i ynë me plane aq agresive!Ky akt i vrazhde tingëllon në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. -Kombinati dhe Miniera Trepça në Stantërg i përket qytetit të Mitrovicës. Mitrovica është pa dyshim ndër qytetet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë dhe për Kosovën, por edhe në gjithë Gadishullin Ballkanik e më gjerë, për nga pasuritë minerale.
Trepça është një minierë me një histori të lashtë, që atëherë, pasuritë e Kosovës shfrytëzoheshin nga paraardhësit tanë ilirët, më pas nga bizantinët, sasët, turqit dhe së fundi nga okupatori serb. Që në kohërat e lashta është ditur për vendburimet polimetalore të sulfureve të plumbit, zinkut,argjendit, kristaleve dhe mineraleve të ndryshme .
Kompleksin industrial dhe miniera e Trepçës së Mitrovicës kishte rreth 23.000 të punësuar deri në vitin 1989, para se ta pushtonin dhe uzurponin forcat serbe!
-Këtë e kanë vërtetuar zbulimet e shumë punimeve të vjetra minerale, galeri, puse, vegla të punës, që janë përdorur në kohëra të ndryshme gjatë shfrytëzimit të mineralizimeve të këtyre llojeve , si dhe mbetjet e gjurmëve nga shkrirja e tyre. Kompleksin industrial dhe miniera e Trepçës së Mitrovicës është një kompleks industrial, qe kishte rreth 23.000 të punësuar deri në vitin 1989, para se ta pushtonin dhe uzurponin forcat serbe.
Kompleksi i minierave të Trepçës është pjesa më e vlefshme e tokës në Ballkan dhe ka një vlerë prej së paku 5 miliardë dollarë amerikan . Ky gjigant dhe pasuri është “Zemra e Kosovës”. Trepça ka 17 miliardë tonë rezerva të thëngjillit qe konsiderohet një ndër kombinatet ma të mëdha në Evropë. Kapacitetet e rafinerive të plumbit dhe zinkut në Trepçë zënë vendet ndër të parat në botë.
Në këtë kombinat u nxorën dhe u përpunuan xehet kryesore siç ishte koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfati, akumulatorë, bateri nikelkadmiumi,municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte prej llamarinës, materiale elektrokontakti, vagoneta, elektrolokomotiva për xehtari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehetari e produktet të tjera. Aktualisht, Trepça nuk prodhon ma si pasojë e luftës me çka konsiderohet i doemosdoreshëm një regjenerim i pajisjeve të reja nga të cilat regjimi serb me të ikur i plaçkiti dhe i dëmtoj shumë. Kjo ndihet mjaft keq në prodhimin e përgjithshëm industrial të Kosovës dhe në eksport, sepse pjesa dërmuese e produkteve të Trepçës eksportohej në shtetet e Evropës dhe në botë, por fatkeqësisht e eksplatuar dhe e shfrytëzuar nga Beogradi edhe nga ish regjimin jugosllav. –Për riaktivizimin e Trepçës nevojitën investime të mëdha, të cilat duhet të sigurohen nga partnerët ekonomik i jashtëm dhe të brendshëm qe duhet sa ma shpejt te mobilizohemi në nivel kombëtar duke shfrytëzuar edhe potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe biznesmenëve shqiptare, kudo që janë për ta ringjallë këtë Kombinat me vlere të mëdha.
Trepça në ish Jugosllavi u llogaritur me një vlerë për 70 për qind te të gjithë pasurisë së minierave jugosllave sa i kishte ne atë kohë.
-Mos pajtimi dhe rezistenca e sotme serbe për mos humbjen e Mitrovicës lidhet sesa ishte nën okupimin e saj Kosova, prodhimi industrial i Kombinatit Trepça ishte ndër eksportuesit kryesorë të ish- Jugosllavisë. Sipas një studimi , në nëntokën e Kosovës , janë depozitat e mëdha të fshehura nga linjiti, plumb, zink, metale , ari, argjendi dhe të naftës , me nje kapacitet mbi 17 miliardë ton qymyr siç e cekem edhe ma lartë . Sipas dëshmive dhe të dhënave ,epet ky rezultat qe suksesi më i madh i kombinatit të Trepçës u arrit në vitin 1983, atëherë kur Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milion dollarë ,që pos rrogave të atyre punëtoreve të krahut, Kosova asgjë nuk ka përfituar as që ka shkuar në buxhetin e saj !Dihet botërisht se ari dhe xehet e Kosovës kalonin transit nga uzinat e saje drejt Beogradit me çka me kujtohet parulla e studentëve të ngjarjeve të vitit 1981 “Kosova puno,Beogradi ndërto” . Kapitali i Trepçës ishte si garant i shumë kontratave qe i lidhte ish Jugosllavia dhe Beogradi me shtetet tjera. Fatkeqësisht kjo minierë u shfrytëzua nga regjimi jugosllav dhe frytet e saj shumë pak u shijuan nga populli autokton i Kosovës.
-Para fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 ,qeveria jugosllave tentoj ta privatizojë Trepçën . Në vitin 1998 , pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare qe i kishte ajo u përpoq ,ta marre në shfrytëzim me një partneritet të një firme greke “Mytileneos Holdings SA metale grup”. Sipas shënimeve , Mytileneos ka nënshkruar disa kontrata me agjencinë serbe të tregtisë së jashtme, me shuma parash marramendëse, sikurse qe po tenton tash ta luaj një aktrim të njëjtë!
Këto manovrime të politikës serbe , siç shihet po hedhin paqartësi pran opinionit botëror , nga një neglizhencë e stafit politik të Kosovës . Qeveria e Kosovës është ma e udhës të debatoj në parlamentin e vet dhe në Kuvendin e Kosovës për një gjë shume serioze dhe shumë madhore se sa te debatojnë për tema shterpë edhe boshe të pa vlera !Qeveria e Kosovës nuk duhet me anashkaluar “Kombinatin Trepça” ajo është ardhmëria e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Beogradi, pasurite e Trepces, syonon

MBRESA NGA TAKIMI ME KONGRESMENIN DANA ROHRABACHER

January 20, 2015 by dgreca

Nga Asllan Bushati/zv/kryetar i Vatrës/
Para disa ditësh ish kongresmeni republican, president i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQShA), Z. Jozeph DioGuardi më tha se dëshironte të takoheshim.
-Do të vazhdojmë bisedën, që kemi nisur në Vlorë në Nëntor 1992 për tetëdhjetë vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë., tha duke qeshur Zoti DioGuardi.
Kjo frazë më solli në mendje takimin e parë me Zotin DioGuardi i cili më impresionoi me njohuritë që kishte për cështjet shqiptare në tërësi dhe për Kosovën në vecanti. Ai fliste qartë, me fraza të shkurtra, secila fjalë e fjali me brendi të ngjeshur dhe diku lëshonte ndonjë gjysëm batute për të qeshur në gjuhën Shqipe. Këto më cliruan nga emocioni që kisha dhe më mundësuan që t’i shprehja mirëseardhjen këtij miku të madh të Shqiptarëve nga pozita e ushtarakut më të lartë të Garnizonit si dhe të Komandantit të Divizionit “Vlora”. Po ashtu t’i shprehja njenjat e konsideratës më të lartë të ushtarakëve shqiptare për gjithcka ai kishte bërë për prezantimin dhe mbrojtjen e cështjeve të Kombit Shqiptar në Kongres dhe Administratën Amerikane. Biseduam edhe për luftën në ish Jugosllavi dhe ballafaqimin e shqipratëve në te dyja anët e kufirit me situatat e pritshme. Mund të them se disa prognoza te Zotit DioGuardi për zhvillimet e mëpastajme në Kosovë kanë qenë për mua profetike.
Pasi e kalova këtë emocion të castit, i thashë Zotit DioGuardi se takimi e biseda në Vlorë i përkasin 23 viteve të shkuara. Ato ndoshta nuk kanë vlerë për të sotmen.
-Kanë,kanë ,-më tha ai se të shtunën e 11 Janarit 2015 në Manhatan do të takohemi me një mik të madh tonin në një drekë fondmbledhse. Miku do të jetë Kongresmeni i Distriktit të 48 të Kalifornisë Zoti Dana Rohrabacher
Kështu me 11 Janar, në hyrje të restorantit më priti Zoti DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Zonja Shirley Cloyes DioGuardi (Keshilltare për Cështjet Ballkanike të LQSHA). Me një ndienje të madhe respekti dhe mirësjellje cifti DioGuardi më njohën me Kongresmenin Rohrabacher
Që në vështrimin e parë Kongresmeni Rahrabechen, më krijoi ndjenja positiviteti, sepse ishte i qeshur i respektuar dhe fliste qete, rrjedhshem e pa ngarkesa emocionale. Ne fillim ai na foli per origjinen e tij stergjyshore gjermane, emigruar ne Amerike para gati 200 vitesh. Me pas per jeten e gjysherve, te prinderve, te tijen,te bashkeshortes dhe te tre femijeve (trinjake). Bashkeshorten dhe femijet patem rastin ti takojme e te bisedojme gjate drekes.
Pas prezantimit te shkurter gjeta rastin ta falenderoj Kongresmenin Rohrabacher per gjithca ai ka bere ne Kongres per ceshtjet Shqiptare. Por ne te njejte kohe falenderova edhe Zonjen Shirleyn Cloyes DioGuardi per nje artikull shume te spikatur te saj shkruar kohet e fundit per problemet dhe situaten politike ne Kosove.
Kur shumica e te ftuarve ishin te pranishem Zoti dhe Zonja DioGuardi e menaxhuan situaten ne menyren me te mire te mundeshme duke prekur fillimisht shqetesimet e Kombit Shqiptar te shperndare ne gjashte shtete te cilat do te ishin si te thuash dhe korniza e diskutimeve. Me pas ato mundesuan qe te gjithe te pranishmit te prezantonin para kongresmenit shqetesimet e tyre . Nga Vatra pevec meje ishin te pranishem edhe dy anetare te Keshillit Drejtues, perkatesisht zoterinjte Zef Balaj dhe Agim Alickaj.
Kongresmenit Rohrabacher fillimisht i shtrova shqetesimin se disa rreziqe po i kanosen Kombit tone nga zhvillimet gjeopolitike prane rajonit. Si shembull te pare i solla pushtimin e Krimese nga ruset dhe mefshtesine diplomatike e ushtarake te perendimit per te vepruar kunder ketij akti brutal agresioni. Me e keqja e kesaj ceshtje per ne shqiptaret eshte krahasime qe ruset i bejne Krimese me Kosoven. Nga kendveshtrimi yne nuk ka asnje lidhje, sepse njera eshte lufte per perfitimin e pavarsise nga okupatori dhe tjetra eshte thjesht pushtim ushtarak i mirefillte.Por tashme ky krahasim po behet nje pengese shtese per mosnjohjen e Kosoves per tu anetaresuar ne OKB dhe organizmat e tjere nderkombetar.
Nje zhvillim tjeter qe na shqeteson eshte lufta ne Ukrahine. Rusia pa Ukrahinen thuhet ne masmedia nuk eshte perandori, me te eshte perandori. Pra Rusi me Putinin ne krye po vepron me nje mentalitet perandorak , ku ne pararoje te ketij konflikti ishin grupet e inteligjences ruse. Tashme keto grupe kane filluar te levizin e koordinojne punet e tyre jo te paqeshme rreth trojeve shqiptare si ne Serbi, Bosnje ,Mal te Zi dhe Maqedoni (ndoshta edhe ne trojet shqipetare). Keta grupe, se bashku me ato mafioze serbe, greke, turke, ISIS etj, po ndjellin shqipetaret e rinj te shkojne per te luftuar ne Siri dhe Irak. Joshja e tyre vjen per faktin se 40- 46% e ketyre te rinjve jane te papune. Me kete rast sherbimet inteligjente e ato mafioze destabilizojne rajonin e Ballkanit, mbajne te hapur konfliktin ne Lindjen e Mesme per te shitur armet e tyre dhe nga ana tjeter kerkojne te njollosin shqiptaret duke i paraqitur ato ne masmendia e para opinionit boteror si te prirur per akte terroriste.
Nje nga gjerat me te medha dhe te shtrenjta te Kombit Shqipetar eshte tolerance fetare. Por me keto veprimtari subversive ne rajon e kunder shqipetareve te forcave te siperpermendura,druaj te them se do te mburremi shume gjate, sepse keto forca duan ta godasim Kombin tone pikerisht ne tolerance qe eshte vlere e madhe kombetare.
Une si ushtarak i larte ne pension, gjithashtu i shoh me shqetesim lidhjet dhe traktatet ruso-kineze. Ato ndoshta ne te ardhmen ne raport me zhvillimet gjeostrategjike do te sjellin pasoja negative edhe per kombin tim. Sot nuk eshte moment per ta anazlizuar kete problem, por desha vetem ta cekja qe ajo ti behet prezente Administrates Amerikane se ne dhjete vjecarin e ardheshem ky problem do te jete madhor .
Disa politika te Bashkimit Europian (BE) e kane konsideruar Kombin tim si komb me qytetar te dores se dyte e te trete. Sjelle ketu si shembell shtimin e rrregullave deri ne paskrupullesi per pranimin e Shqiperise si vend kandidat ne BE. Po ashtu edhe per shqipetaret ne Kosove ku jane te vetmit evropiane qe nuk u lejohet akoma te levizin lirisht ne Europe.
Ne e dime se shume politikane e shtetare te nivelve te ndryshme ne trojet shqiptare jane te korruptuar. Korrupsioni eshte pengese per investimet e huaja, per hapjen e vendeve te reja te punes, per rritjen e mireqenies dhe prerjen e rruges se vjedhjeve e fenomenve te tjera negative. Por ne gjykimin tim BE-ja me politikat ekonomike qe ajo ben ne rajon, ajo me shume e ndihmon sesa e lufton korrupsionin. BE-ja i dha Greqise (vendi me i korruptuar ne rajon) 320 miliarde euro per te mbyll gropen korruptive te mafias ekonomike te ketij vendi. Imagjinoni sikur kjo sasi parash te shperndahesh ne te gjithe rajonion e Ballkanit ne proporcion me numrin e populates se cfare ndryshimi te madh do te kishte ekonomia e gjithe rajonit ballkanik. Ne qofte se Be-ja mbylll dyer e dritare per shqiptaret qe jane pjese e saj gjeografike, politike e kulturore, dikush tjeter i hap ato. Pytja shtohet drejtpersedrejti : A eshte BE-ja dhe europerendimoret te interesuar ta integrojne Ballkanin ne BE apo t”ia lene ate dikujt tjeter?
I nderuar Kongresmeni Rahrabechen , keto shqetesime per Kombin tim i ngre sot perpara jush sepse shoh se edhe Administrata Amerikane eshte e ngadhet dhe e mefshte per te paraprire dhe vepruar. Shqiptaret jane kombi me dashamires i amerikaneve ne bote, por edhe amerikanet lypset te dine hallet e Kombit shqipetar dhe te ndihmojne me shume ne cdo aspect. Ambasadoreve amerikane ne Shqiperi e Kosove nuk u lejohet te silllen si mbreter a perandor, por si miq te vertet, si velllezer dhe te drejte e te ndershem ne ato qe thone e bejne.
Kongresmeni Rahrabacher ne vijim tha se shqetesimet tuaja jane te drejta.Disa nga keto probleme jane madhore dhe do te kerkojne kohen e tyre. Une kam patur rastin te degjoi nga Joi dhe Shirley disa ptej tyre, por tani qe i degjoi edhe nga goja e nje intelektuali te larte si Ju, ma tendos tere fokusimin tim mbi to. Ajo qe une mund t’ ju them sot dhe t’ju garantoj ju, eshte fakti se ato do ti bej prezent ne Komisionin e Puneve te jashteme te Kongresit dhe ne Departamentin e Shtetit.
E falenderova edhe nje here Kongresmenin Rahrabacher per mirekuptimin dhe premtimin qe mori persiper. Ne vijim e mori fjalen Zoti Zef Balaj i cili pyeti se: A eshte ne dijeni Administrata Amerikane se keto vitet e fundit miliarda dollare po levizin ne menyre te pa dukeshme nga vendet arabe dhe vecanerisht nga Arabia Saudite per ne Europe e vecanerisht ne rajonin e Ballkanit?Nga kendshikimi im keto para nuk cohen atje per qellime te mira,por per t’ju kundervene demokracise dhe kultures europiane. Kurse ne viset shqipetare keto dollare dergohen per ta tjetersuar kulturen shqipetare e per ta bere ate alla arabe, ose per te rekrutuar kontigjente per luften e xhihadisteve. Me lejoni t’ju sjelle nje shembull konkret nga te njohurit e mi ne Belgjike ku ato kane kontaktuar me njerez muslymane te qyteteruar dhe te emancipuar grate e te cileve me pare visheshin si europiane dhe tani vishen me perce ne fytyre.Kur i kane pyetur se pse e keni ndryshuar veshjen ata u jane pergjigjur se per kete veshje na paguajne 450 euro si rroge mujore.Pra keto para te pista kane ndryshuar veshjet,por mbi te gjitha ata kerkojne te frenojne mendimin e lire, demokracine dhe perparimin.
Kongresmeni Rahrabacher i tha Zotit Balaj se ndiehem i shqetesuar dhe i tronditur me keto qe na treguat. Ne vazhdim e mori fjalen Zoti Agim Alickaj cili tekstulisht shtoi:” I nderuari kongresmeni Dana Rohrabacher, ju falenderoj nga zemra per perkrahjen tuaj parimore dhe te pakursyer per zgjidhje te drejte te problemit te Kosoves dhe te ceshtjes shqiptare ne pergjithesi. Edhe si amerikane te devotshem vlerat tona perputhen me vlerat tuaja per familje te shendosha, biznese te vogla dhe ekonomi te sukeseshme si dhe per nje shtet te forte amerikan. Gjej rastin ketu, falenderoj Joe the Shirley DioGuardin per punen e tyre te madhe per ceshtjen kombetare Shqiptare.
Situata ne Kosove dhe ne trojet e tjera etnike ne Ballkan ne gjykimin tim, eshte ne keqesim e siper. Per ta kuptuar gjendjen e vertete ne Kosove duhet doemos lexuar artikulllin e fundit te Zonjes Shirley Cloyes DioGuardi. SHBA’te ja kane lene Evropes ceshtjen e Ballkanit duke e perkrahur politiken e Unionit Europian.Kjo mendoj se eshte nje politike e gabuar dhe e padrejte per kombin shqiptar, nje politike e cila ne afat te gjate eshte e destinuar per deshtim te sigurte. Ende nuk eshte njohur pavaresia e Republikes se Kosoves nga disa shtete te BE-se gje qe eshte plotesisht e pakuptueshme dhe e paarsyeshme. Si mund te zgjidhet problemi kur Kosova nuk njihet si shtet? Nga ana tjeter, behet perkdhelja e Serbise, kinse per talarguar nga Rusia, duke e lutur ate per te hyre ne Evrope, duke i bere leshime te padrejta ne dem te Kosoves. Serbia eshte duke punuar dhe bashkepunuar me Rusine ne menyre te pakufishme ndersa Evropen po e merr me te mire me lajka e genjeshtra. Une mendoj fuqishem se, nuk eshte ceshtje e Evropes per ta lutur Serbine per te hyre ne Evrope. Eshte ceshtje e popullit Serb te vendose vete se a don te futet plotesisht ne sferat e interesit rus apo don te kethehet nga demokracia Evropiane. Leshimet e e padrejta dhe te pakuptimta nuk i ndihmojne askujt.
Sa i perket ceshtjes se depertimit te rrymave radikale islame ne Kosove, deshiroj te theksoj se une nuk mendoj se populli shqiptar, i njohur per tolerance nderfetare, do te bije pre e ketyre ideologjive te demeshme per njerezimin dhe per vete muslimanet. Por, edhe nje veper e ulet e vetem nje personi nga radhet tona do ti shkaktonte deme te pakrahasusheme interesave tona kombetare. Duke e respektuar fene muslimane dhe cdo fe tjeter si ceshtje individuale, ne duhet ti luftojme ndikimet negative nga cilado ane qe vijne. Kombi yne eshte komb evropian dhe e ardhmja jone eshte e lidhur forte me SHBA’te dhe shtetet demokratike perparimtare perendimore.”
Keto ishin tre diskutimet ( Nenkryetarit dhe dy anetareve te Keshillit Drejtues) te Vatres.Por ne kete mbledhje ishin te pranishem edhe shume anetare te LQShA dhe intelektuale te tjere te ardhur nga NY,NJ,Pansilvania,Ilinosi etj.Edhe ato mbeshteten keto diskutime dhe ato te Joi-it e Shirley-s si dhe shtuan problem te fushave te tjera qe shqetesojne Kombin Shqipetare ne trojet etnike dhe diasporen shqipetare ketu ne Amerike.Takimi ishte shume i dobishem per te gjithe, mbreselenes dhe ne sherbim te kauzes sone kombetare.
Ne Foto:Nga e majta Asllan Bushati, kongresmeni Dana Rohrabacher dhe Zef Balaj/

Filed Under: Vatra Tagged With: asllan Bushati, Dana Rohrabacher, Takim me kongresistin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4158
  • 4159
  • 4160
  • 4161
  • 4162
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT