Profeti Muhamet do të jetë në faqen e parë të gazetës satirike franceze Charlie Hebdo në numrin e saj të ardhshëm. Kjo është një karikaturë që portretizon Profetin duke mbajtur një tabelë ku shkruhet “Unë jam Charlie” dhe me titullin “Çdo gjë është falur”.
Botuesit e këtij numri, i pari pas sulmeve terroriste, thonë se kanë në plan të shtypin të paktën 3 milionë kopje. Tirazhi i zakonshëm është rreth 60.000 kopje në javë.
Gerarad Biard, Kryeredaktor
“Po, ne jemi gati me sa mundim, por jemi mjaft vonë, sepse ndonëse po punpjmë në vende të sigurta, jemi pak rrëmujë. Ka shumë, shumë gjëra që duhen organizuar, pa folur për prodhimin e gazetës. Nuk janë problemet normale, por ka shumë gjëra të tjera që duhen zgjidhur. Jemi gati ta nxjerrim gazetën në mbrëmje, por do të kishte qenë mirë të kishim edhe dy ditë shtesë.”
Dy vëllezërit ekstremiste islamikë, Cherif dhe Said Kouachi, masakruan 12 njerëz në zyrën e revistës javën e kaluar. Charlie Hebdo gazetë e njohur për karikaturat që satirizojnë Islamin dhe fetë e tjera, si dhe figura publike.
Autoritetet thonë se rreziku i terrorizmit në Franca mbetet i lartë. Ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian tha se po mobilizon 10.000 trupa që do të ndihmojnë policinë për të siguaruar të ashtuquajturat “vende të ndjeshme.” Këto përfshijnë shkolla hebraike, sinagoga dhe xhami.
Mendi Duchan, banor hebre
“Rreziku mund të jetë jo vetëm për hebrejtë, por për të gjithë botën. Këta janë njerëz të çmendur, që duan vetëm të vrasin, thotë ky banor hebre. Shikoni se çfarë po ndodh me ISIS në Siri. Edhe mes tyre, mes arabëve, ata vrasin njëri-tjetrin. Ata janë fanatikë. Këta janë njerëz që pretendojnë se këtë apo atë e kërkon Zoti, por kjo është absurde. Shpresojmë se për hir të sigurisë së Francës e të Amerikës e gjithë bota do të bashkohet për t’i dhënë fund kësaj.”
Policia franceze rrethoi dhe vrau dy vëllezërit Kouachi të premten – të njëjtën ditë kur një tjetër militant islamik, Amedy Coulibaly, vrau katër pengje në një supermarket të Parisit, para se edhe ai vetë të vritej nga policia. Coulibaly kishte ekzekutuar një police një ditë më parë.
Vëllezërit Kouachi pohuan se ata punonin për një degë të al-Kaidës në Jemen, dhe ishin të lidhur me Amedy Coulibalyn.
Zvicra, mbështetje Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe financiar
PRISHTINË, 13 Janar /-Ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty Lang, shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për të mbështetur Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe financiar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, priti sot në takim ambasadoren Marty Lang, të cilën e falënderoi për punën, kontributin si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Financave. Sipas tij, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjatë takimit ministri Hoti e njohu ambasadoren për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale./
Ambasadori Lu, 3 prioritete në misionin e tij në Shqipëri
Nga Gjergji Mima/ TIRANË, 13 Janar – Ecuria e reformave drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, zhvillimi i Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe forcimi i institucioneve demokratike janë tre prioritetet e misionit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.
Në një konferencë për shtyp, pas prezantimit të letrave kredenciale me Presidentin Bujar Nishani, ambasadori Lu u shpreh se, “Uashingtoni më ka dhënë 3 prioritete për ecurinë e reformave drejt anëtarsimit në BE, zhvillimi i Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe forcimi i institucioneve demokratike”.
Duke uruar Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ambasadori Lu u shpreh se shqiptarët duhet të ndjehen krenarë për këtë arritje.
Ambasadori Lu u shpreh se SHBA do të mbështesë përpjekjet e mëtejshme euro- atlantike të Shqipërisë, do të nxisë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe nxitjen e përmirësimit të klimës së biznesit.
Gjithashtu, rifokusimi i trajnimeve dhe ndihmës amerikane për të përgatitur ndihmën e ushtrisë shqiptare në misionet e NATO-s, do të jetë pjesë e punës së ambasadorit Lu. Po ashtu si bashkëpunimi në reformën në drejtësi dhe fuqizimi i sektorit të OJQ-ve.
“Shqiptarët presin shumë nga Ambasada e SHBA dhe Ambasadori amerikan për shkak të lidhjeve historike dhe miqësisë mes vendeve tona. Do të jemi miq të sinqertë”, tha ambasadori Lu.
Lidhur me politikën e SHBA-së ndaj Shqipërisë, ambasadori Lu u shpreh se, “ambasadorët amerikanë ndryshojnë, por politika nuk ndryshon. Unë kam respekt për të gjithë ambasadorët që kanë punuar më parë në Shqipëri. Bashkëpunimi mes vendeve tona ka arritur nivel të larta. Kemi politikën kundër ISIS dhe parandalimit të largimi të luftëtarëve në Siri. Ky lloj bashkëpunimi ka qenë i paimagjinueshëm vetëm 20 vite me parë”.
Ndërsa duke folur për tragjedinënë redaksinë e gazetës satirike franceze ‘Charlie Hebdo’, ambasadori Lu u shpreh se, “një nga fushat e qarta pë partneritet është antiterrorizmi dhe sulmi në Charlie Hebdo nuk ishte sulm ndaj disa individëve, por kundër vlerave demokratike dhe asaj mënyre jetese të vlerave perendimore. Këto janë vlera që i ndajmë me Shqipërinë. Po punojmë me Shqipërinë dhe partnerët e tjerë me të cilët ndajmë vlera të njëjta”. /ATSH
Ambasadori Donald Lu i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Nishani
TIRANË, 13 Janar/ Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, me të cilin zhvilloi dhe një bisedë të ngrohtë dhe shumë miqësore.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit Lu suksese për fillimin e mandatit të tij në Shqipëri, si dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare në përmbushjen e axhendës së tij diplomatike në Tiranë, në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në kryerjen e reformave të nevojshme për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Presidenti i kërkoi Ambasadorit Lu që t’i përcillte Presidentit Barack Obama përshëndetjet e tij më të mira e të përzemërta, dhe garancinë se Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë miq të mirë dhe të sinqertë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatë të ngushtë në të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në botë.
Papa Françesku: Bashkëjetesa fetare është e mundur.Shqipëria, shembull i saj
Në kulmin e debateve për rolin e feve në shoqëri, pas sulmit terrorist në Francë, Papa Françesku ka thënë se bashkëjetesa fetare është e mundur të arrihet. Dhe për këtë, ai ka marrë si shembull pikërisht Shqipërinë.
“Një dëshmi të vërtetë se kultura e bashkëjetesës është e mundur, unë e kam provuar gjatë vizitës sime në Shqipëri. Një komb me të rinj, të cilët janë shpresë për të ardhmen.
Pavarësisht vuajtjeve dhe dhimbjeve në historinë e tyre, shqiptarët janë karakterizuar nga ‘bashkëjetesa dhe bashkëpunimi paqësor mes besimeve të ndryshme’.
Në një klimë të respektit dhe besimit reciprok mes katolikëve, muslimanëve dhe ortodoksëve. Është një shenjë e rëndësishme, që një besim i sinqertë në Zot gjeneron dialog, i cili vepron për të mirën e të gjithëve.
Ndërsa dhuna lind gjithmonë nga mistifikimi i fesë, me pretekstin e projekteve ideologjike, që kanë si qëllim të vetëm dominimin e njeriut mbi njeriun”, është shprehur Papa Françesku gjatë një takimi me përfaqësitë diplomatike të akreditura në Vatikan.