Nga Murat Gecaj/
Në qytetin e Laçit të Kurbinit, Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, organizoi Simpoziumin Shkencor me temë,” ”Papa Klementi XI-Albani, një nga figurat më të ndritura të Kombit Shqiptar”.
Kishin ardhur anëtarë të kësaj Shoqate nga Laçi e Lezha, Tirana, Shkodra, Durrësi etj., profesorë e studiues, përfaqësues të Prefekturës së Lezhës (Sabaete Hidri) e Bashkisë së Laçit dhe shoqatave të tjera, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi. Ai nënvizoi meritat shumëplanëshe të klerikut mw të lartë të Kishës Katolike në Romë, Papa Klementi XI-Albani (23 korrik 1649-19 mars 1721) dhe që e zhvilloi këtë veprimtari për 21 vjet me radhë (1700-1721). Në renditjen e Papëve të Vatikanit, ai ishte katërti për nga jetëgjatësia, në këtë detyrë të shenjtë. Po kështu, folësi nënvizoi faktin se ai ishte me origjinë shqiptare dhe, për këtë arsye, luajti një rol me rëndësi në kohën, kur jetoi e punoi, në mbështetje të gjithanshme të çështjes sonë mbarëkombëtare.
Pastaj, uroi mirëseardhjen dhe i përshëndeti të pranishmit, kryetari i Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi. Po kështu, u lexua përshëndetja e dërguar nga Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani, Suedi” dhe nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, lexuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, prof. M.Gecaj.
Të pranishmit në këtë veprimtari të bukur dhe mbresëlënëse ndoqën me interes të veçantë kumtesat e mbajtura nga studiuesit: Vlash Prendi, prof.Angjelin Shtjefni e Nikollë Loka, prof.Ahmet Osja e Nikollë Lleshi etj.
Të gjithë ata e nënvizuan prejardhjen shqiptare të Papa Klementit XI-Albani, gjë që dhe ai e kishte pranuar në gjallje të vet. Po kështu, u theksua fakti që ai u doli në mbrojtje bashkëkombësve të tij, duke u ballafaquar me pasojat e pushtimit shekullor osman, synimet për asimilimin dhe parandalimin e eksodit të tyre etj. Gjithashtu, ai lujati rol të dukshëm për arsimin dhe kulturën kombëtare shqiptare.
Në emër të pasardhësve të Papa Klementit XI-Albani, përshëndeti Pashk Noka. Ndërsa për ndihmesën e dhënë në dokumentimin, përmes ekranit televiziv, të jetës dhe veprimtarisë së këtij personaliteti të shquar të Kombit Shqiptar, kryesia e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i dorëzoi “Mirënjohje” publicistit Engjell Ndocaj.
Për të nderuar dhe përjetësuar jetën dhe veprimtarinë shumë të çmuar të tij, nga ky Simpozium u propozua që, në një të ardhme sa më të afërt, në qytetin e Laçit të ngrihet një bust i Papa Klementit XI-Albani.
Kordinatore e veprimtarisë ishte Olta Paja, ndërsa e mundësuan atë: Bashkia Laç, Komuna Milot, Fondacioni “Papa Klementi XI-Albani” dhe TV “Lezha”.
Në mbyllje të këtij Simpoziumi, pjesëmarrësit i vazhduan bisedat e tyre në koktejin e shtruar, me këtë rast, nga Bashkia e qytetit të Laçit.
Tiranë, 7 dhjetor 2014
Ku gabon Dritan Hila në shkrimin e tij “Enveri Ynë”
NGA ILIR HASHORVA/ Nju Jork/
Zëvendës Ministri i mbrojtjes, Dritan Hila, në një shkrim të pak ditëve më parë me titull “Enveri “Ynë”, pas një hyrje disi të gjatë, përsërit ato që janë thënë mijëra herë për “meritat” e Enver Hoxhës si gjatë luftës, edhe pas saj. Nga sa m’u duk mua, rëndësia e atij shkrimi qëndronte te hyrja dhe jo te lavdet për Enver Hoxhën për të cilat ishte shkruar artikulli e me të cilat tashmë jemi mësuar.
Thotë Dritan Hila në hyrje:
“Në Shqipëri gjermanët patën mbi 2 mijë të rënë. Si gjithë humbjet në Ballkan, edhe kjo shifër është modeste. Por në raport me popullsitë respektive, rezultojnë më shumë gjermanë të vrarë nga partizanët shqiptarë se ata jugosllavë apo grekë. Ishte ky fakt që i bindi aleatët e mëdhenj të llogarisnin vendin tonë tek fitimtarët si për kontributin e dhënë në eliminimin e kundërshtarit, ashtu edhe në jetët njerëzore të humbura. Ishte ky rreshtim që nuk mundësoi copëtimin e vendit pas lufte. Nëse kujtojmë se Polonia e sotme ka gati gjysmën e sovranitetit mbi ish- territore gjermane ku shtrihej Prusia e dikurshme, se Hungaria u përgjysmua, Italia humbi Istrian, Japonia humbi ishujt Sahalin, Rumania humbi Besarabinë, se mbi 12 milionë gjermanë të pasluftës u zbuan nga trojet e tyre historike, Istria u shpopullua nga italianët, atëherë kuptojmë sa afër rrezikut ka qenë Shqipëria të pësonte fatin e saj të përhershëm të copëtimit. Është po ky fakt, që tregon sa kriminale dhe dritëshkurtër ishte politika e kuislingëve shqiptarë ku asgjë përveç fëlligështisë së tyre morale nuk e justifikonte aleancën me Italinë fashiste dhe Gjermaninë hitleriane; sa i papërgjegjshëm është ngulmimi i së djathtës së sotme për të ulur kontributin e gjakut të shqiptarëve dhe lotët e pisët për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë nën suazën e Hitlerit….”
Shifra prej 28000 dëshmorësh, përsëritet me mburrje sado herë që afron 29 Nëntori, ditë kur duam t’i japim vlera Luftës Nacional Çlirimtare. Është cinike të përmenden humbjet që i ke shkaktuar armikut, por është budallallëk të mburresh me humbjet që të ka shkaktuar ty armiku e, aq më tepër, kur ato humbje janë krejtësisht të shproporcionuara me humbjet që i ke shkaktuar ti armikut. E ne, mburremi me humbjet që na ka shkaktuar armiku!
Për herë të parë, Dritani jep shifrat e të vrarëve të gjermanëve në Shqipëri dhe me atë shifër ai mburret njëlloj si historianët e tjerë komunistë që mburren me numrin e dëshmorëve partizanë. Dritani thotë se në Shqipëri pati mbi 2 mijë gjermanë të vrarë. Ndoshta kjo shifër është e saktë, sepse del nga një funksionar i lartë i ministrisë së Mbrojtjes, por Dritani nuk i ndan gjermanët në të vrarë nga partizanët, nga forcat e tjera alternative shqiptare antikomuniste dhe nga ata që u vranë nga aviacioni i aleatëve. Megjithatë, le të pranojmë se të gjithë gjermanët i kanë vrarë partizanët komunistë.
Kemi mësuar në shkollë, dhe po dëgjojmë pa ndërprerje edhe sot prej atyre që u ka mbetur ora te Lufta Nacional Çlirimtare, se Shqipëria pati 28000 dëshmorë që ranë në përpjekje për atdhe, dhe s’ka se si të mos të pyesim tashti që na sqaroi Dritani se si është e mundur që nga një anë të ketë pasur 2 mijë të vrarë dhe nga ana tjetër 28 mijë? Sikur nuk shkon, apo jo. Shpëtimin nga ky absurditet mund të gjendet në qoftë se pranojmë versionet e historianëve jo komunistë të cilët thonë:
1. Shifra prej 28000 dëshmorësh, është një shifër e dhënë në nxitim e sipër për nevojat e çastit, nuk është e saktë dhe duhet ulur shumë.
2. Në numrin e 28000 dëshmorëve janë përfshirë edhe viktimat e luftës.
3. Ka pasur një luftë të fortë civile dhe partizanët janë ndeshur më shumë me forca të tjera shqiptare kundërshtare të komunizmit dhe janë vrarë prej tyre, sesa janë vrarë në ndeshje të drejtpërdrejta me gjermanët.
4. Partizanët janë ndeshur më shumë me njëri-tjetrin dhe janë vrarë në atë mënyrë.
5. Partizanët janë vrarë në Kosovë e më tej, duke luftuar edhe kundër shqiptarëve.
Po të pranojmë shifrën që jep Dritani, domethënë, 2000 gjermanë të vrarë dhe 28000 partizanë të vrarë dhe të pranojmë se partizanët kanë luftuar vetëm kundër gjermanëve, i bije që për çdo gjermanët e vrarë, të jenë vrarë 14 partizanë! Pra, del të kemi pasur humbje jashtë çdo standardi që do të justifikonte një luftë dhe Lufta Nacional Çlirimtare del të ketë qenë një vetëvrasje e kotë.
Shumë nga ata që shkruajnë e flasin për Luftën Nacional Çlirimtare si veprën më të lavdishme të popullit shqiptar i janë shmangur dhënies së shifrave për të vrarët e armikut, sepse e kanë kuptuar se dhënia e atyre shifrave krijonte probleme. Dritan Hila.me shifrën që jep të gjermanëve të vrarë, në vend që të vejë vetulla, nxjerr sytë.
Të vijmë tashti te teza hipotetike që e përsërisin pa pushim edhe Pëllumb Xhufi, edhe Paskal Miloja, edhe Arben Putoja, edhe Xhelal Gjeçovi e të tjerë si këta se Shqipëria do të copëtohej pas lufte, në qoftë se partizanët komunistë nuk do të ishin radhitur me aleatët fitimtarë. Dhe Dritani për ta mbështetur këtë tezë, jep shembujt e Rumanisë, Hungarisë, Italisë, Gjermanisë e Japonisë që pas lufte u copëtuan. Dihet se Italia, Gjermania dhe Japonia ishin pjesëtare të Boshtit, ishin ato që nisën luftën, ishin ato që pushtuan vende të tjera, ishin ato që masakruan popuj të tjerë dhe do të ishin ato që me fitimin e luftës do të fitonin edhe territore të tjera, ndërsa me humbjen e saj do të humbnin territoret e tyre. Rumania dhe Hungaria u copëtuan vërtetë, por u copëtuan se ishin të lidhura me aleancë ushtarake të drejtpërdrejt me Boshtin dhe me Gjermaninë naziste, se kishin vënë në dispozicion të ushtrive gjermane ushtritë e tyre dhe ato ushtri kishin marrë pjesë në luftime krahas gjermanëve edhe në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ishte krejt ndryshe. Ajo ishte e ngjashme me Danimarkën e cila pas lufte nuk pësoi asnjë copëtim, madje as Norvegjia nuk pati asnjë copëtim e cila gjatë okupacionit gjerman nxori Kuislingun. Shqipëria, ashtu si Danimarka, nuk lidhi asnjë aleancë me Gjermaninë naziste, ajo nuk i dha asnjë ushtar Vermahtit. Në Shqipëri nuk u krijua asnjë organizatë paramilitare naziste, ashtu siç u krijuan në pothuaj të gjitha vendet e tjera të pushtuara nga nazistët. Shqipëria nuk nxori asnjë ligj nazist, siç bënë shumë vende të tjera. Shqipëria u gjend e pushtuar nga gjermanët e megjithatë qeveria shqiptare ishte qeveria më e pavarur e ndonjë shteti të pushtuar nga gjermanët në atë kohë, duke përfshirë edhe Danimarkën. Ajo në shumë raste nuk iu bind edhe kërkesave, relativisht të themi, të pakta të gjermanëve.
Shqipëria nuk kishte gjasa të copëtohej pas lufte edhe sikur të mos kishte luftuar kundër gjermanëve. Shqipëria u mbrojt fill pas shpalljes së pavarësisë nga fuqitë evropiane që e kishin krijuar edhe kur një pjesa e saj, zona e Shkodrës, ishte pushtuar nga Mali i Zi. Shqipëria nuk u copëtua as pas Luftës së Parë Botërore, kur ajo u shkel nga shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Serbinë e Greqinë, dhe nuk luftoi kundër tyre. Është fakt që Shqipëria nuk u copëtua as kur pas lufte, ajo bëri armiqtë më të mëdhenj të saj pikërisht dy fuqitë kryesore aleate: Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur Britanisë së Madhe, me ndihmën e minave jugosllave, u mbyti anijet e i vrau ushtarët ne Kanalin e Korfuzit.
Për sa i përket gjendjes së Shqipërisë pas lufte, ajo u copëtua vërtet, asaj iu hoq Kosova. Ndoshta Kosova do t’i hiqej Shqipërisë si të luftonin si të mos luftonin partizanët shqiptarë kundër gjermanëve; si të donin, si të mos donin shqiptarët ta lëshonin Kosovën, sepse ashtu ishte vendosur në Londër, qysh në vitin 1913, kur u krijua Shqipëria si shtet, por është e pafalshme që, për t’ua bërë më të lehtë serbëve marrjen e Kosovës, Enver Hoxha çoi në Kosovë ushtritë e tij, të cilat derdhën aty gjak shqiptari. Dhe, jo vetëm Kosova iu dhurua në atë mënyrë Serbisë, por për pak do t’i ishte dhuruar edhe vetë Shqipëria nga politika e vasalit të Titos, Enver Hoxhës, po të mos ishin prishur, për fatin e Shqipërisë, Stalin me Titon.
Nju Jork, nëntor 2014
Japonezët, Pearl Harbor ishte vetëm një tjetër betejë pas një dekade lufte
Nga Albert Siegel/ përktheu Herion Kërcelli/
Për amerikanet, e diela është përvjetori i 73 i 7 dhjetorit 1941, kur japonezët sulmuan Flotën Amerikane të Paqësorit në bazën e Pearl Harbor, duke vrarë 2403 ushtarakë dhe civilë të kësaj baze, është një akt i rëndë që solli përfshirjen e SHBA në Luftën e II-të-Botërore.Por kjo ngarje e paprecedentë, në mbrëmjen e datës 8 dhjetor, me përjashtim të një numuri fishekzjarësh për të nderuar të vdekurit nga Nagaoka, qyteti binjak i Honolulut, kaloi krejtësisht në heshtje në Japoni. Kjo situatë përcillet dhe në arkivat kombëtare japoneze, apo Agjensitë e Lajmeve në Tokio e gjetkë ku thuhet se, Për japonezët, sulmi i tyre në Pearl Harbor nuk ishte fillimi i luftës, por vazhdimi i luftës që ata kishin filluar një dekadë më parë. Japonezët kanë dashur ti kene zona të lirë, eksluzivisht vetëm për ta, ujërat oqeanike rreth vetes. Ata kanë dashur që kjo zonë të mos ketë asnjë lloj ndikimi tjetër që kur komodori i Marinës së SHBA, Matthey C. Perry , në vitin 1853, lundroi në Gjirin e Tokios dhe bisedoi me perandorin e asaj kohe për të hapur vendin e tyre në tregtinë me botën e jashtme. Deri atëhere, kontakti me të huajt në Japoni, cilësohej si një krim dhe dënohej me vdekje. Mbas gjysëm shekulli në sajë të transformimit industrial eteknologjik, Japonia ishte në gjendje për të konkurruar me fuqitë perëndimore që dëshironin të tzhvillonin tregëti me të. Në fakt ishte një proces që i kushtoi shumë Japonisë, duke kaluar në vështirësi të mëdha. Si vend pa burime e pasuri të shumta natyrore, Japonia importoi shumicën e naftës se saj dhe të lëndëve të para nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe India Hollandeze Lindore. Duke pasur frikë se pa këto burime të lëndëve të para Japonia dikur do humbiste pavarësinë e vet, ajo kërkoi zgjerimin e territoreve në perëndim, të cilat ishin nën kontrollin e SHBA. Por kjo strategji ekspansioni detyrimisht do sillte një konflikt të pashmangshëm me SHBA, një konflikt I cili filloi në Pearl Harbër më 7 dhjetor 1941. Në tekstet shkollore japoneze flitet pak në lidhje me sulmin mbi Pearl Harbor, dhe qytetarët japonezë, të pyetur në lidhje me ketë cështje shprehen se dinë pak në lidhje me atë që ka ndodhur 73 vite më parë. Sulmin e Flotës ajrore perandorake të7 dhjetorit 1941, nga më të mëdhenjtë e Luftës së II-të-Botërore, ku u përfshinë mbi 300 aeroplanë, të 6 avionmbajtëset e Japonisë dhe u kryen dy valë bombardimesh të egra ajrore. Këtë sulm shumica e japonezëve e trajtojnë në kontekstin e luftërave të shumta që ishin në vazhdim e sipër në atë kohë . Mayako Shibata, një studete universiteti, thotë se, ajo nuk mund të kujtojë se në cilën klasë e kishte mësuar pse ndodhi sulmi në Pearl Harbor. Por ajo ka mësuar gjithashtu se disa zyrtarë në qeverinë e asaj kohe e kundershtuan atë. Japonezë të tjerë nuk ndjehen mirë kur ja përmend këtë ceshtje, sidomos drejtuesit. Por ka një foto se si Japonia e sheh konfliktin, e cila gjendet në Yasukuni Mauzoleun, një nga pavionët më të diskutuar në Japoni e gjetkë. Vizita e këtij mauzeloumi nga kryeministri japonez Shinzo Abe ngjalli zemërimin e fqinjëve të Japonise, të cilet e akuzojnë Abe, se është duke u përpjekur për ta zbukuruar dhe të rishkruajë historinë e luftës së Japonisë. Ky vend i shenjtë memorizon dhe nderon 14 ish-zyrtarë japonezë që pas Luftës së Dytë Botërore, u gjetën fajtorë për krime kundër paqes, duke përfshire Hideki Tojo, Minister i Përgjithshëm,(më pas kryeministër), i cili miratoi sulmin në Pearl Harbor, dhe u denua me varje pas luftës. Në këtë museum ushtarak të Japonisë, të vendosur në këtë vend të shënjtë jepet koncepti dhe qëllimi pse u sulmua Pearl Harbor. Aty është ekspozuar një “Mitsubishi A6M Zero Fighter”, dikur krenaria e ushtarakëve japonezë, nëpër dekoracionet e mureve ka dhjetra imazhe që tregojnë ushtarë japoneze në forma heroike, shpesh duke shtënë poshtë avionëve Amerikanë. Pas seksioneve kushtuar shekujve të mëparshëm të historisë dhe objekteve ushtarake përkatës, në këtë muzeum vjen seksioni kushtuar Luftës së Dytë Botërore. Këtu është paraqitur dhe linja zyrtare e Japonisë për sulmin në Pearl Harbor. Në një segment kohor të krijohet përshtypja se Japonisë ju imponua sulmi në Pearl Harbor nga Shtetet e Bashkuara, e cila i kishte kërkuar tërheqjen pa kushte nga Kina dhe territore të tjera, ose do të përballet me pasoja të rënda. Pasi u ndërprenë negociatat, SHBA, Britania e Madhe dhe Indiet Hollandeze të Lindjes, ngrinë asetet japoneze dhe i imponuan embargo e naftës, duke e shtyrë Japoninë në qoshen e vet. Afatet kohore duket se u thoshin japonezëve, Amerika do sulmojë. “Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti, Sekretari i Shtetit dhe Sekretari i Luftës u takuan me Komandantin e Flotës në Paqësor dhe diskutuan luftën me Japonine”, thotë teksti. “Ata shqyrtuan mjetet dhe forcat për të dhënë goditjen e parë, pa rrezikuar trupat amerikane nga japonezët. Po në këtë tekst shkruhet se, Presidenti Franklin D. Roosevelt, i urdhëron vartësit, “për tu përgatitur për një sulm të papritur, i cili ka të ngjarë të ndodhë më 1 dhjetor1941”.Ky tekst është shkruar në anglisht dhe japonisht, në mënyrë që vizitorët të krijojnë idenë se kush po përgatitej për sulm. Studjuesit e analistët e kësaj lufte, duke preferuar të mbeten anonimë theksojnë se, në atë periudhë, shumica e zyrtarëve japonezë nuk e besonin ose të ishin optimistë se Japonia do të mund të fitonte një luftë me Shtetet e Bashkuara, kapaciteti industrial i të cilit ishte më i madh. Por zyrtarët japonezët ushqenin planin dhe shpresonin se duke dëmtuar Flotën e Shteteve të Bashkuara në Paqesor, ata mund të fitonin kohë për të pushtuar fqinjët e tyre aziatike, të kapnin vendburimet e tyre të naftës, për të siguruar furnizimin dy-vjecar të Japonisë, ndërkohë të siguronin burime të tjera natyrore nga pjesë të tjera të Azise Lindore, duke menduar se do i detyronin Shtetet e Bashkuara për të zhvilluar negociata në kushte të barabarta. Por koha tregoi se kjo strategji e perandorisë japoneze të asaj kohe, ishte një strategji e destinuar të dështojë. Pearl Harbori ishte fillimi i fundit të tyre. Ajo luftë dhe luftërat që pasuan cdo cep të globit, treguan më së miri se cmund të bëjë populli dhe ekonomia amerikane për lirinë e popujve të tjerë dhe demokracinë në botë.
*Siegel është korrespondent special i MacClatchy. Washington Bureau
DETAJE NGA PROJEKT LIGJI I DOSJEVE
Zbardhen detajet e pr/ligjit të propozuar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi për hapjen e dosjeve./
Drafti parashikon subjektet që do të verifikohen ku përfshihen jo vetëm drejtuesit më të lartë të vendit, por edhe të zgjedhurit vendorë dhe deri drejtuesit e departamenteve të disa prej institucioneve më të rëndësishme. Kontrolli, sipas pr/ligjit do të kryhet përmes Autoritetit të Kontrollit të Figurës, veprimtaria e të cilit parashikohet të vijojë deri në 31 Dhjetor 2030.
Subjektet që do të verifikohen
Pr/ligji parashikon subjektet e verifikimit ku përfshihen të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga funksionet e Presidenti i Republikës së Shqipërisë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat dhe funksionarët politikë, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues. Gjithashtu subjekt verifikimi janë edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.
Drafti parashikon edhe verifikimin e funksionarëve të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave, anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri, guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”, Po kështu Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake; Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB); Komandanti i Gardës e Republikës; Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura. Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë.
Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit; Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s. Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Autoriteti i Kontrollit
Në draft parashikohet krijimi i Autoritetit të Kontrollit të Figurës, i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është person juridik publik dhe ka buxhetin e vet të pavarur, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga donacione të ndryshme. Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi, me propozime që vijnë nga Presidenti i Republikës; Shoqëria civile (nga të gjitha organizatat e shoqërisë civile, duke iu dhënë prioritet atyre të të drejtave të njeriut dhe shoqatave të ish të persekutuarve nga regjimi komunist). Në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Kryetari i Autoritetit zgjidhet me votim të fshehtë nga antarët e Autoritetit
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit.
Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ, legal apo ilegal,, bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991. Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike ;
Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.
Funksionarët publikë me mandat kushtetetues dhe çdo person tjetër i zgjedhur nga Kuvendi janë subjekte të verifikimit sipas këtij ligji. Ata nuk e ndërpresin mandatin kushtetues apo detyrën ku janë zgjedhur, por të dhënat e grumbulluara nga verifikimi publikohen detyrimisht. Në çdo rast, një funksionar publik i tillë mund të dorëhiqet përpara përfundimit të mandatit të tij dhe në këtë rast dosja e tij nuk publikohet.
Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit
Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti: a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.
b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale, sipas formularit të aneksit “B/1” bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë, sipas kësaj shkronje, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar.
Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b’’, te paragrafit te parë te këtij neni apo ka pretendime te tjera ndaj komisionit, ai gëzon te drejtën te paraqesë shpjegime me shkrim dhe dokumentacion provues për çështjen brenda 30 ditëve. Autoriteti ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:
a) lënien ne fuqi të vendimit, ose:
b) ndryshimin e tij.
Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Autoriteti lëshon dëshminë verifikimit, sipas formularit “përkatës”; ose lëshon dëshminë, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni.
Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Kur subjektet verifikuese mund të ankimohen në Gjykatë
Në draftin për hapjen e dosjeve parashikohet edhe vlera e dëshmisë së verifikimit dhe e drejta e një ankimimi gjyqësor nga subjekti i verifikuar.Sipas draftit, dëshmia e verifikimit, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, përveç rasteve kur goditet për falsitet.
Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit, sipas shkronjës “b” pika 1 të nenit 23 të këtij ligji, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Me kërkesë të subjektit që verifikohet, gjykata vendos zhvillimin e gjykimit. me dyer të mbyllura.
Po kështu drafti në një nga nenet e tij parashikon pasojat e dëshmisë në rastin e personave që do të kryejnë një funksion publik. Kështu kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “a ” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, e paraqet për depozitim atë në institucionin, pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.
Kërkuesi i procedurës, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.
Kërkuesi i procedurës së verifikimit, brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit, sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 23 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 10 ditëve.
Në këtë seancë marrin pjesë edhe dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance informuese mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar, nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t’u zhvilluar menjëherë pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor.
Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim të seancës deklaron ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial.
Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë, brenda 10 ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin “papajtueshmëri e figurës së funksionari sipas këtij ligjit”.(Botoi:Tema)
Aleksandër Meksi: Prishja e dosjeve ka nisur që në fund të viteve 80′
Ish Kryeministri Demokrat: Këtë herë Ligji duhet bërë si duhet dhe madje, atje të mos lihen jashtë dhe gazetarët e pasur, ata që e bëjnë këtë pështjellim….Referuar draftit më të fundit të depozituar në Kuvend, ish-Kryeministri Aleksander Meksi thekson se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet./
Ka qenë ndër të parët, fillimisht si Nënkryetar i Parlamentit dhe pastaj si Kryeministër që është marrë me Ligjin dhe u duk se ai u fut në shina, por pastaj peripecitë e bënë ligjin që asnjëherë të mos funksiononte si duhet dhe të kalonte në thënie dhe kundërthënie nga të gjithë palët, ku shpëtuan gjithnjë ata që e kishin bërë katrahurën.
Kjo është arsyeja që ai shprehet se: këtë herë Ligji duhet bërë si duhet dhe madje, atje të mos Iihen jashtë dhe gazetarët e pasur, ata që e bëjnë këtë pështjellim….Referuar draftit më të fundit të depozituar në Kuvend, ish-Kryeministri Aleksander Meksi thekson se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet.
“Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”-shprehet Meksi.
Përgatitja për Ligjin e Dosjeve dhe Lustracioni janë hapur dhe mbyllur disa herë si proces dhe fushatë. A mendoni se ky draft do të ketë fatin e paraardhësve të tij?
Unë mendoj se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet. Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj. Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Zoti Meksi, mendoni se ekziston infrastruktura e duhur për të realizuar këtë ndërmarrje historike?
Për hir të së vërtetës, infrastruktura njerëzore vërtetë nuk nevojitet shumë e madhe. Komisioni themelor (Autoriteti) përbëhet nga pesë njerëz, që propozohen nga partia që është në Pozitë, partia e Opozitës, Avokati i Popullit, Shoqëria Civile dhe një njeri-Kryetari nga Presidenti. Mund të kërkohet që secli subjekt të propozoj dy emra dhe parlamenti të zgjedhë njërin prej tyre. Nuk mund të besohet ajo që po thonë disa se qeveria bën çfarë do…”.
Juve keni qenë ndër të parët që me fillimin e Demokracisë si kryeministër i vendit keni asistuar për ligjin. Nëse ai do të realizohej si duhej në atë kohë, a mendoni se problematika do të mbyllej që atëherë?
“Dua t’ju sqaroj dy gjëra. Unë rastisa vërtetë që të isha nismëtar nga që filloi të flitej për këto probleme në kohën që unë isha zgjedhur nënkryetar i Kuvendit dhe kërkova nga tre ambasadorë të atashuar në vendin tonë, respektivisht ambasadori çek, gjerman dhe ai hungarez të më sillnin ligjet e vendeve të tyre për Lustracionin dhe Hapjen e Dosjeve dhe po ashtu, rastisi që unë të bëhesha kryeministër e ta kisha për detyrë këtë gjë…Prej kësaj përvoje, që mblodha prej tyre që në fillim, në shtator të viti 1992 ky ligj ishte gati, madje ishte thuajse tërësisht ligji që do të miratohej më vonë më 1995. Duke pasur parasysh të tre ligjet dhe mënyrën e realizimit të Lustracionit në ato vende ne vendosëm të kryejmë këtë por jo Hapjen e dosjeve, sepse ato duheshin mbledhur, arkivuar e sistemuar më parë. Gjithsesi, falë ligjit që përgatitëm, ne filluam që në fillim të qeverisjes sonë të bënim mos emërimin apo dhe largimin e personave të implikuar me sigurimin apo dhe regjimin e dhunës, në qeveri, nëpër ambasada,në drejtoritë që vareshin nga qeveria, në ushtri, polici, në subjektet e rëndësishme Financiare, falë kontrollit të dokumentacionit që dispononim. Kam thënë në një shkrim dhe e përsëris, mund edhe të kenë mbetur apo emëruar të tillë sepse nuk është thënë nga ata që duhej të na thoshin dhe kjo i ka kushtuar vendit. Personalisht, arsyeja që jam marrë është se këta njerëz përveç defektit që kanë në shpirtin e tyre, e përsëris, janë shumë të shantazhuar nga dy grupe, qoftë nga ata që janë në pushtet por edhe infrastruktura e vjetër. E mbi të gjitha, mund të jetë edhe një strukturë e vogël okulte që ka lidhje në mos dhe detyrë (drejtimin) me këto dy grupe, e që mund të përpiqet ti kontrollojë të dyja bashkë, si edhe të kontrollojë, për interesat e tyre në mos të të tretëve, emërimet e mundshme në dëm të shqiptarëve dhe dëm të Shqipërisë. Ndaj duhet bërë ky ligj sa më parë”.
Ngatërrohet shpesh prej artikullshkruesve por më shumë personazheve të ndryshme, që mundohen të shpjegojnë konceptet e “Hapjes së dosjeve” me “Lustracion”. A ka një qëllim për t’i ngatërruar këto koncepte?
Është realisht keqdashës ky ngatërrim, pasi “Hapja e Dosjeve” në konceptim e shqiptarëve do të thotë që të hapësh dhe të njohësh gjithë spiunët e Shqipërisë. Pra, që të hapësh dokumentet që ruhen në arkiva e të shikosh se kush ka qenë “spiun”. Por, që të dish spiunët që më 1943, sot nuk ka aq interes dhe është një harxhim energjie e pafund. Një pjesë e tyre kanë vdekur dhe madje edhe fëmijët e tyre. Duket si një qëllim i mirë por është në thelb i keq sepse më duket se duan ta përdorin në interes të qëllimeve të momentit për të trazuar shpirtra. Dhe, në Shqipëri edhe pa këtë ka shumë trazira. Personalisht kam lexuar regjistra, kam parë dosje, ka ndodhur që pa dashje edhe kam nderuar ata që s’ia vlen të përmenden. Por t’i lemë këto: Lustracioni është mënjanim nga vendimmarrja pra hartimi dhe zbatimi i politikave i personazheve të Sigurimit dhe të atyre të implikuar me të; e atyre që kanë mëkatuar në të shkuarën dhe kanë dhënë vendime të gabuara në dëm të të drejtave të Njeriut…”.
Kush është i interesuar për këtë konfuzion?
“Hapjen e Dosjeve” shqiptarët e kuptojnë që të lexojnë ato që thonë dokumentet atje… Ka një kategori që duan t’i shmangen problemit në thellësi dhe duke i bashkuar e duke bërë konfuzion, të thonë: Lëri mos t’i ngatërrojmë dhe e ngatërrojnë me qëllime Dosjet me Lustracionin. Shembullin më të mirë të kësaj e kemi në vitin 1997, pasi Ligjit i janë bërë amendamente plot katër herë dhe në fund vetëm sa u prekën nja dy a tre nga kategoria e bashkëpunëtorëve sekretë. Mu ajo hallka e fundit e strukturës së dhunës që duhej të hiqej. Kurse, ata që vendosnin e jepnin urdhra, madje edhe me shkrim dhe deri të detajuar për gjithçka, nuk u prekën.
Ligji i fundit u anashkalua se kishte problem kushtetuese, madje edhe Komisioni i Venecias e hodhi poshtë. Cilat janë problemet themelore sipas jush, me këtë ligj dhe cilat fasha të shoqërisë do preken më shumë?
Unë personalisht , kam marrë pjesë direkt në ligjin që nuk u paraqit, sepse u paraqit në vend të tij, një ligj i përgatitur shumë shpejt, në momentet e fundit. Për të mënjanuar nga penalizmi 2-3 veta, që do të shkonin në Gjykatën Kushtetuese, me prapavijën e qartë për ta sunduar këtë institucion dhe sistemin e Drejtësisë në përgjithësi. Pra, si e tillë, ishte një arsye më shumë që Opozita e atëhershme të bënte zhurmë dhe ajo t’i ankohej madje edhe Gjykatës Kushtetuese. Dhe , jo vetëm kaq, por madje të shkonte për shqyrtim dhe në Komisionin e Venecias , paçka se ndodh që ajo flet edhe për subjekte që nuk lidhen direkt me të. Pasi , kur Shqipërisë i thua se po shkel të Drejtat e Njeriut, këtë nuk e bën edhe për vende të tjera si Rumania, Hungaria, apo për shembull Gjermania etj.
Pra, më duket se ka interesa politike të së majtës evropiane ose atyre që nuk e kanë provuar diktaturën komuniste në kurriz. Për mendimin tim ka pasur një problem të madh që në fillim. Dhe, për hir të së vërtetës, ka bërë dy të këqija të mëdha. E ka korruptuar procesin deri më tani, kur mund të bëhej shumë mirë…”
Ka pasur gjithmonë fjalë se janë eliminuar një pjesë e madhe e dosjeve. A është e mundur teknikisht që një pjesë e dosjeve të jenë eliminuar dhe përmbajtja të jetë e papërdorshme?
Dëgjoni, derisa janë regjistrat kjo nuk mund të ndodhë. Veçse , ka një pjesë, që të themi ishin nën dorë dhe që kishin lidhje direkte me funksionarët e lartë të Sigurimit deri dhe Sekretari i Parë Enver Hoxha. Kjo kategori s’dihet. Sa për të tjerët, ata janë të regjistruar në regjistrin e rrethit, në regjistrin themelor kombëtar dhe nuk mund të fshihen aq lehtë, pasi mund të dalin nga burimet e tjera. Pra, ata që kishin qenë informatorë, agjentë, rezidentë dhe deri strehuesit ku bëheshin takimet. Ndërsa operativët, hetuesit dhe krerët e Sigurimit janë në zyrat e personelit.
Prishja e dosjeve ka filluar fare në fund të viteve ’80 me heqjen e ligjit për “Agjitacion e Propagandë”. Pasi, janë zhdukur që nga viti 1988 deri në fillim të vitit 1992 shumë syresh. Dhe, të mos harrojmë se për këtë punë nga Ministria e Brendshme kanë shkuar deri në burg, pasi në Rregulloren Sekrete të Evidentimit të aktivitetit është e shkruar qartë sesi duhet të bëhet. Vërtetë nuk ndjekim do veprimin e spiunëve në disa raste, por lustracioni të ndihmon që disa persona të eliminohen nga shkallët e vendimmarrjeve.”
Ju keni shkuar në Gjermani me një grup specialistësh të ligjit për lustracionin. A mund të shërbente ky shembull për Shqipërinë apo sërish Ligji nuk do e kalojë provën e politikës?
“Ka qenë një përvojë e mirë pasi pamë direkt edhe ndryshimet, që kishin bërë kolegët tanë. Patëm rastin, jo vetëm që të dëgjonim, por edhe të ndiqnim shpjegimet në punën në arkiva, të njiheshim me kujtimet nëpër muze dhe mbi të gjitha të takonim direkt edhe ekspertë që kishin drejtuar këto punë. Ishte një përvojë e vërtetë frytdhënëse dhe një mundësi për të njohur sesi të shmangnim të drejtat e atyre që për hir të së vërtetës, i kishin nëpërkëmbur ato. Morëm përvojë që të gjykonim, për drejtuesit e lartë të partisë e të shtetit, hetuesit, pro edhe deputetët që të thuhej se çfarë ishin në të vërtetë. Pra, morëm një përvojë që të mundësonte të kuptoje më mirë se çfarë ishte ky proces dhe si t’i shpjegohej subjekteve të prekura:nëse merrje përsipër riskun e të shkuarës tënde dhe të kërkonte votat përmes një force politike, se më parë duhej të kalonte një filtër të domosdoshëm. Dhe diçka, kurdo kolegët tanë na këshilluan sesi nuk duhej të shkelnim të Drejtët e atyre që e kishin shkelur të Drejtën…”
Si e shikoni reagimin e ditëve të fundit të politikës?
“Nga reagimi i ditëve të fundi kuptohet se nuk e kanë shumë qejf këtë proces. Për mendimin tim, e përsëris, duhet të finalizohet pasi është një kontribut i madh për historinë, për të ditur ata që i shkelën të Drejtat e Njeriut. Por, është mirë që edhe gazetarët që intervistojnë në nga një deputetët dhe politikanët të kuptojnë se cilët janë mëkatarët e vërtetë dhe si i shfrytëzojnë mëkatet e tyre të liqtë, pasi nuk duan që ky vend të përparojë. Madje ka vend për përmirësime në ligj sepse janë mënjanuar nga lustracioni drejtuesit e mediave vizive dhe gazetave të mëdha, ata që krijojnë katrahurën, dizinformacionin dhe përçarjen”. (Botoi: Java)