Zoterinj te VATRES Populli Shqipetar feston sot kudo ne mbare boten diten e flamurit. Me ne fund u permbys komunizmi, por ne demokraci nuk jemi ende, sepse shqiperine e drejtojne po komunistet ose bijt e tyre. U permbys komunizmi, por token nuk ja kthyen te zotit Pronarit, por e ndane komunisteshe “sipas frymeve te sejciles familje kooperativiste”. DMTH sa here qe ndrohen qeverite populli duhet te ndryshoje pronen?. Per kete aresye Populli ne Shqiperi eshte ne konflikt te pergjakshem e te perhershem deri me sot jane vrare mbi 8000 njeres per pronen dhe dihet qe vrasjet do vazhdojne.Toka kudo faktikisht eshte me konflikt sepse jane dy pronare qe i dalin zot, pronari qe e ka trasheguar nga te paret e tij dhe pronari i ri qe fabrikoi kjo pseudodemokraci.Ne keto kushte as nuk mund te mendohet per investitore te huaj e as vendas. Prandaj lind nevoja o sot o kurre per mbeshtetje nga Komuniteti i Shqipetareve kudo ne bote, por vecanerisht Shqipetareve te SHBA-se, vecanerisht te VATRES , qe te kontribuojne ne zgjidhjen e ketij ngerci, sepse mjafton nje fjale e thene nga DASH qe cdo gje te shkoje ne vendin e saj dhe ne Shqiperi te vendoset Demokraciae vertete dhe te mbyllen rruget e korrupsionit dhe kleptokracise.Urimet me te mira per shqipetaret e VATRES dhe kudo qe jane. Me respekt
Seri Allushi , perfaqesues i 800 familjeve te fshatit Dukat qe nuk iu jane kthyer pronat.
seriallushi@yahoo.com
MANIFESTIM NE BOROS-SUEDI
Në Boros të Suedisë mbahet manifestim poetik “ Sofra poetike”/
Ky manifestim ka edhe karakter garues, ndaj ftohen të gjithë krijuesit e interesuar që t’i dërgojnë punimet e tyre origjinale më së largu deri më 20 dhjetor të këtij viti në adresën: dituria@.se/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizojnë manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili do të mbahet kah fundi i marsit të vitit të ardhshëm. Sipas organizatorëve ky manifestim qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.
Sofra poetike ka edhe karakter garues, ndaj këto dy asosacione ftojnë poetë shqiptar nga Skandinavia dhe nga të gjitha shtetet tjera ku jetojnë e krijojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera etnike, që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësishëm letrar. Me qëllim që përzgjedhja e krijimeve më të mira letrare të jetë sa më e qëlluar, këto dy asosacione kërkojnë nga poetet që për “ Sofrën poetike në Boros” punimet e tyre origjinale t’i dërgojnë ( nga tri poezi) deri me 20 dhjetor të këtij viti në adresën : dituria@. se
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.
Në fund të këtij evenimenti do të ndahen edhe shpërblime për poezinë më të mirë, për poezinë e mërgimit, librin më të mirë dhe prezantuesin më të mirë të punimit të tij si dhe shumë shpërblime të tjera.
URIM PER 28 NENTORIN NGA BOSTONI
Komiteti i Veteranëve ushtarakë Shqiptaro-Amerikanë me qëndër në Boston uron shqiptarët kudo që janë, gëzuar 102 vjetorin e pavarësisë/
Në ditën e mrekullueshme të 102 vjetorit të pavarësisë, 28 nëntor 2014, Komiteti i veteranëve ushtarakë shqiptaro-amerikanë organizon ngritjen e flamurit tonë kombëtar në sheshin Boston. Me këtë rast Komiteti uron të gjithë shqiptarët kudo që janë shëndet, gëzim e lumturi në familjet e tyre! Gjithashtu komiteti vlerëson përpjekjet shekullore të popullit tonë për paqe, zhvillim e prosperitet në bashkëpunim me aleatin më të madh, SHBA dhe shtetet e tjera pjesmarrëse në strukturat Euro-Atlantike.
Urimet më të mira
Për Komitetin e veteranëve ushtarakë Shqiptaro-Amerikanë
Kryetari
Ronald Nasson
Boston
28 nëntor 2014
SHQIPTARET NE OTTAWA FESTUAN DITEN E FLAMURIT
NGA AJET NURO/
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Ottawa, shkëlqesia e Saj zonja Elida Petoshati dhe një pritje me rastin e 102-vjerorit të Pavarësisë dhe 70-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në pritjen e organizuar nga shkëlqesia e saj znj. Petoshati, ditën e martë, më 25 nëntor 2014, merrnin pjesë anëtarë të të dy dhomave të parlamentit kanadez, zyrtarë të institucioneve federale, përfaqësues të trupit diplomatik, miq kanadezë si dhe shqiptarë nga Ottawa, Toronto, Hamiltoni dhe Montreali. Ndodhej edhe Sekretari Parlamentar pranë Ministrit të Punëve të Jashtme dhe për të Drejtat e Njeriut të Kanadasë, z. Deepak Obhrai, si edhe Kryetari i Grupit të Miqësisë në Parlamentin kanadez, z. Leon Benoit. Pritja u mbajt në Hollin “Jean Pigott” të Bashkisë së Otavës në rrugën Laurier.
Pas himneve të Kanadasë dhe atij kombëtar shqiptar intepretuar nga këngëtarja shqiptare me banim në Montreal, Suela Mero, fjalën e mori ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, shkëlqesia e Saj, Elida Petoshati. Në fjalën e saj, e cila iu drejtua të pranishmëve në dy gjuhët zyrtare të Kanadasë dhe në gjuhën shqipe ajo fillimisht, pasi i falenderoi të pranishmit, theksoi rëndësinë e këtyre dy ngjarjeve kryesore në historinë e shqiptarëve siç ishte shpallja e pavarësisë dhe ajo e çlirimit të vendit nga nazi-fashizmi.
Znj. Petoshati theksoi dinamikat kryesore të zhvillimit, arritjet kryesore dhe statusin e ri ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar e gëzon në botë në këtë 102 vjetor të Pavarësisë. Ajo u ndal në veçanti në procesin e integrimit europian të vendit, si një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të mëtejshëm të shoqërisë shqiptare dhe progresin e shënuar në këtë drejtim, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, më 24 qershor. Ajo u ndal, gjithashtu, në disa nga përparësitë e politikës së jashtme, duke nënvizuar rolin kyç, stabilizues dhe aktiv të Qeverisë shqiptare për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin e Europës Juglindore.
Ambasadorja solli në vëmendje të të pranishmëve trashëgiminë e vyer dhe unike të bashkëjetesës ndërfetare, çka u përcoll me admirimin më të madh nga Papa Francesku si një shembull i shkëlqyer vëllazërie për epokën e sotme, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, më datë 21 shtator.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Petoshati i kushtoi një vëmendje të posaçme stadit të ri që kanë njohur marrëdhëniet shqiptaro-kanadeze. Ajo veçoi vizitën e Ministrit John Baird në Tiranë, gjatë shtatorit të kaluar, si vizita e parë e një ministri të jashtëm të Kanadasë në Shqipëri dhe një tregues i vullnetit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve, në interes të ndërsjellë. Ndërsa Kanadaja vijon të renditet në vend të parë për investime të huaja në Shqipëri, ka një interes në rritje të kompanive kanadeze për tregun shqiptar, njëherësh me rritjen e atraktivitetit të tregut kanadez për bizneset shqiptare, u shpreh znj. Petoshati.
Në fund, ajo vlerësoi rolin historik dhe atë aktual të diasporës së vjetër dhe të re të shqiptarëve të Kanadasë, që e cilësoi një pjesë të pandashme të potencialit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe urë e patjetërsueshme për miqësinë shqiptaro-kanadaze.
Pas ambasadores shqiptare, fjalën në këtë pritje solemne e mori z. Leon Benoit, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë në parlamentin e Kanadasë.
Miku i nderuar foli me respekt për Shqipërinë dhe mundësitë që ajo u ofron bizneseve kanadeze për të investuar. Ai, jo pa krenari, tha se ndoshta Kanadaja ndodhet shumë larg Shqipërisë, por ajo sot përbën vendin kryesor investues në Shqipëri. Z. Benoit vlerësoi gjithashtu rolin e Grupit të Miqësisë në nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe aktivizimin e mekanizmave për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Në fund ai ftoi ambasadoren, zonjën Petoshati për të ngritur një dolli për Shqipërinë me rastin e dy festave të mëdha.
aburo@albemigrant.com
Montreal, më 27 nëntor 2014
Divorc Albanian Style
Duke riparë një dokumentar, një shkrim i para tre viteve/
Refleksion/
Nga Reshat Kripa /
Pashë me shumë interes, por edhe me një dhimbje të thellë, dokumentarin e dhënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, “Divorc Albanian Style”. Them me dhimbje pasi personalisht ndjeva të më shfaqesin para syve tmerret e asaj periudhe mesjetare, tmerre që, në një farë mase, i kam përjetuar vetë apo miqtë e mij të ngushtë.
Pashë rusen Volia që, për shkak të dënimit të saj me akuzën absurde si spiune e KGB-së, të braktisur nga i shoqi, por, vini veshin, të mohuar edhe nga vajza dhe djali i saj, që në mbledhjen e organizatës së rinisë deklaronte:
– Nëna ime është armike e popullit
… dhe kur ajo, në vitin 1987, e liruar nga burgu, shkoi në fshatin e largët për të takuar të birin, që kishte dhjetë vjet pa e parë, ai nuk e pranoi. Kush e detyroi këtë djalë të vepronte kështu? Kush mund të guxonte të ndante nënën nga biri i saj? Vetëm një regjim kobzi si ai komunist.
Pashë çiftin Vasil e Barbara Orgocka të dy të burgosur politik vetëm e vetën sepse Barbara ishte polake dhe në logjikën komuniste duhej të ishte patjetër spiune e KGB-së. Pashë se si, me këmbënguljen e Ambasadës Polake në Tiranë, Barbarën, pas dy vjet e gjysmë, direkt nga burgu e dërgojnë në Poloni, duke e ndarë edhe nga fëmijtë e saj, ku jeton edhe sot, por, si rezultat i dozave të narkotikëve që i kishin injektuar, në një gjendje depresive, nuk pranon as ish burrin e saj për të cilin deklaron:
– Vasili ka vdekur, ajo është fantazma e tij.
Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Vetëm një regjim obskurantist si ai komunist.
Pashë edhe çiftin tjetër Minella e Elena Çami, të arrestuar të dy, që i lanë fëmijtë në dorë të fatit dhe që vetëm sakrifica sublime e xhaxhait të tyre i shpëtoi. Pashë këtë çift që fati e ndihmoi, pas kaq vite burgu, të bashkonin familjen e tyre të ndarë mizorisht. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Vetëm një regjim gjakatarësh si ai komunist.
Por përmbysja e madhe, më në fund, mbërriti. Ku ndodhen personazhet tanë? Volia jeton e vetme në Rusi. Jeton me dhimbjen për fëmijtë që i ka shumë larg dhe nuk mund t’i takojë. Megjithatë zemra e nënës nuk mban mëri. Ajo deklaron:
– Bëri gjënë e duhur, ndryshe do t’i ishte shkatërruar jeta. Tani jemi shumë larg njeri- tjetrit. Ai ka familjen e tij. Kështu e ka jeta!
Do të kisha dashur t’i thoja Aleksandrit, djalit të Volias:
Shkoni në Rusi, takoni nënën tuaj. Ajo ka nevojë për përqafimin tuaj. Mos harroni, është nënë!
Minella me Elenën jetojnë së bashku me nipër e mbesa. Fati u tregua i mëshirshëm për ta. Kurse Vasili jeton i vetëm në qytetin e tij. Dhe kur i thonë nëse i ka falur ish torturuesit e tij ai përgjigjet:
Si mund t’i falë? Ata më morën jetën, më morën shtëpinë, më morën pasurinë, më morën fëmijtë, më morën bashkëshorten. Si mund t’i falë?
A mund të falen? Me dhimbjen dhe thirrjen e Vasilit bashkohem edhe unë dhe gjithë ata që i kanë hequr mbi shpinat e tyre tmerret e atij sistemi. Cilin të falim? Mos vallë Ylli Hilën që edhe sot deklaron:
Këto janë gjëra të vdekura. Ç’kërkon Barbara tani? Unë kam zbatuar vetën ligjin.
Jo, zotëri! Këto nuk janë gjëra të vdekura. Barbara kërkon drejtësi për shkatërimin fizik dhe moral që ju i bëtë. Cilin ligj paskeni zbatuar ju? Ku ishte shkruar që nëna duhej ndarë nga fëmija? Ku ishte shkruar që të burgosurit duheshin torturuar deri në vdekje?
A mund ta falim Pandi Konomin që edhe sot deklaron me cinizëm:
Si keni mundur t’i merrni këto vendime? Më thirret për një film dhe jo për deklarata politike kundër Enver Hoxhës, njeriut më të madh të popullit shqiptar.
Ku e gjen kurajon ky njeri apo të tjerë si ai që shprehen në këtë mënyrë? Për mendimin tim kjo vjen nga shkaku se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, ende nuk është dënuar komunizmi. Deri më sot, me përjashtim të disa ligjeve gjysmake që, për më tepër, e përkëdhelin atë, nuk është marrë asnjë masë tjetër. Nëpër gazeta dhe televizione, për çdo ditë, lexojmë dhe shohim “bëmat e mrekullueshme” të atij sistemi apo liderëve të tij.
Kur do të dënohet komunizmi? Këtë pyetje nuk iua drejtoj socialistëve apo atyre të krahut të majtë. Ata e kanë deklaruar pozicionin e tyre. Këtë e kanë treguar në parlament, në qeveri kur ishin në pushtet dhe kudo. Ne nuk presim prej tyre asgjë. Por dua t’i drejtohem krahut të djathtë, të gjithë atyre që e quajnë veten demokratë.
Në muajin mars 2010, sipas njoftimeve të mediave elektronike, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë që të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkojë Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit, do të thotë se ata një gjë të tillë nuk e kanë konstatuar.
Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010, nga ana ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis, i është drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding,. një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh.
Deri më sot në faqet e shtypit të shkruar dhe atij mediatik nuk është dhënë asnjë njoftim për këto dy lajme. Përse? Do të kishte qenë e moralshme që krahas firmave të gjashtë ministrave të jashtëm, të cituar më sipër, të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, por ajo nuk ndodhi. Ministri ynë nuk iu bashkua edhe më vonë nismës së kolegëve të tij. Përse?
Mendoj se ka ardhur koha që në vendin tonë të thyhen disa tabu. Cilido prej atyre që ishin të detyruar të vepronin edhe kundër asaj që u thoshte ndërgjegja e tyre, tani duhet ta pranojnë hapur dhe pa drojtje këtë fakt. Në këto momente ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës për dënimin e krimeve të kryera nga regjimet komuniste:
Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.
Ky është shembulli më i mirë që duhet ndjekur nga shqiptarët. Ende sot, pas njëzetenjë vjetësh, shohim ish prokurorë, ish hetues, ish gjykatës, ish funksionar të lartë të regjimit të kaluar, të jenë në poste drejtuese apo të gëzojnë pensione të veçanta për “meritat e tyre të çmuara” në shkatërrimin e ndërgjegjes së këtij populli. Ende shohim ish profesorë të marksizëm-leninizmit të drejtojnë zyra që kanë të bëjnë me shpërndarjen e dëmshpërblimit të përndjekurve politik. Madje këta zotërinj as që denjojnë t’i kthejnë përgjigje një ish të burgosuri politik, kur iu kërkon zbatimin e një vendimi qeverie. Përse?
Komunizmi dhe bëmat e tij duhen dënuar sa më parë. Nuk ka kohë më për të
pritur. Çdo vonesë është në dëm të Shqipërisë, stabilitetit të saj dhe hyrjes në Bashkimin Europian. Çdo vonesë mund të sjellë 21 janar të tjerë. Kush do të jetë ai burrë që do ta bëjë këtë? Ai do të mbetet në historinë e këtij vendi si burri më i madh i të gjitha kohërave.
Ndaj ne kërkojmë dhe do të kërkojmë gjithmonë:Kur do të dënohet komunizmi? Kur…?
**Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politik Demokratë të Tiranës
Botuar në gazetën “Metropol” Nr. 2581 datë 4 shkurt 2012. Ribotuar në gazetën “55” në datën 28 nëntor 2014.