• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flamuri yne – Flamuri i lirise

November 25, 2014 by dgreca

Nga Sadik Elshani/Filadelfia/
Sa here qe afrohet 28 Nentori, mendja na fluturon te flamuri yne Kuq e Zi, flamuri yne i lyer me gjak qe sjell ne kujtesen tone perpjekjet, lufterat dhe fitoret tona. Na sjell ne kujtesen tone Epoken e lavdishme te Skenderbeut qe me shekuj mbajti gjalle qendresen, shpirtin dhe identitetn tone kombetar. U valvit pa u perkulur kurre neper dallget e stuhite e historise dhe me 28 Nentor te vitit 1912, Flamuri i Skenderbeut u ngrit ne qiellin e Shqiperise se saposhpallur shtet i pavarur. Me vone mbi kokat e shqiponjes i vune Sepatat e Liktorit dhe yllin e kuq bolshevik, por shqiponja nuk i duroi, i shporri se ia zinin frymen, ia zinin frymen Shqiperise, popullit shqiptar. Shqiponja dhe shqiptari e duan vetem lirine dhe qiellin e kaltert mbi kokat e tyre.
Per shqiptaret nuk ka simbol me te shenjte se flamuri yne. Eshte ky flamur qe na priu neper beteja te pergjakshme shumeshekullore ne perpjekjet e popullit tone per liri e pavaresi. Eshte ky flamuri i lirise qe misheron e pasqyron shpirtin e paster, karakterin e forte dhe vlerat e larta morale e njerezore te Kombit tone. Eshte ky flamur i bukur e hijerende qe rrezaton pastertine morale te Kombit tone, sepse ate nuk e shemtojne njollat e pushtimit te tokave te huaja. Eshte ky flamur qe mban se bashku te gjithe shqiptaret dhe te gjitha trojet tona padrejtesishte te ndara. Eshte kjo shqiponje qe nen krahet e saj te fuqishem, me nje ngrohtesi prej nene mban se bashku te gjitha bijat dhe bijte e saj kudo qe ndodhen ne bote. Kjo eshte forca magjike e padukshme e flamurit tone. Kete force e kam ndier, e kam perjetuar vete qe ne moshe te njome. Ne femijerine time, ne Kosove flamuri yne ishte i ndaluar. E dinim si dukej flamuri yne, e kishim pare neper librat e ndaluara, por kurre nuk e kishim pare duke u valvitur para syve tane. Por nje dite nentori te vitit 1968 ne qytetin tim te Suharekes (Therandes), nxenesit e gjimnazit dhe qytetaret organizuan nje parakalim, nje demonstrate te fuqishme dhe ne balle u printe Flamuri Kuq e Zi qe ishte qendisur fshehurazi. Policia u mundua t’i ndalonte, por nuk ia doli dot. Qe nga ajo dite flamuri yne u valvit i lire ne qytetin tim dhe ne tere Kosoven. Ishte ajo ngjarja me e shenuar, dita me e lavdishme ne jeten e qytetit tim dhe eshte ngulitur thelle ne qenjen dhe kujtesen time. Ishte ajo ngjarje, ishte ai flamur qe nga nje femi, me beri burre para kohe, me ngjalli krenarine kombetare, dashurine per Shqiperine, Kombin tim, historine tone. Me shporri friken dhe mbolli guximin ne zemren time te njome. Ate dite nuk valvitej nje cope pelhure, por valvitej Shqiperia, shqiptarizmi. Po, ai flamur ishte vete Shqiperia. Dhe ate dite se bashku me gjimnazistet marshonin edhe bijat e bijte me te mire te Kombit tone, fytyrat me te ndritura te Kombit tone. Te mbeshtjellur me flamur, ata kishin zbritur nga qielli i perjetesise, kishin dalur nga faqet me te lavdishme te historise sone, nga rrefimet e baballareve tane dhe u prinin rinise sone, u jepnin zemer, u shkrine me te dhe u bene nje. Si dikur ne Vlore, aty ishin Ismail Qemali e Isa Boletini me trimat e tij. Levizja per lirine e Kosoves tani kishte marre hov dhe flamuri yne na printe drejt cakut, qellimit perfundimtar, pavaresise se Kosoves. Me ne fund ajo dite e shumepritur, ajo dite e bekuar arriti me 17 shkurt te vitit 2008 – plot dyzet vite pas Vitit te Madhe 1968.
Marredhenja, afersia e shqiptarit me flamurin, ndjenjat e shqiptarit per flamurin jane dicka karakteristike dhe te paspjegueshme qe fjalet nuk mund t’i shprehin aq lehte, dicka qe na dallon nga kombet tjera. Kuptohet, edhe popujt dhe vendet tjera e duan dhe e nderojne flamurin e tyre, por asnjeri nuk njejtesohet me teper me flamurin se sa shqiptaret. Festa jone kombetare ka hyre ne kujtesen e popullit tone si “Dita e Flamurit”, ndersa himni yne kombetar eshte “Rreth flamurit te perbashkuar”. Ai eshte bere gjymtyre, pjese e qenjes, ndergjegjes dhe kujteses sone kolektive si komb. Flamuri yne eshte historia jone e qendisur ne pelhure. Nga te gjitha kombet qe ne njohim, shqiptaret jane te vetmit qe femijve u vene emrin Flamur – dhe tingellon bukur! Dhe tani flamuri nuk eshte vetem nje cope pelhure, por jane edhe zemrat qe rrahin per Kombin, per Atdheun tone.
Ta mbajme gjithmone te paster e lart e me lart Flamurin e Shenjte te Skenderbeut, flamurin e lirise, flamurin e bashkimit kombetar! Nje komb, nje flamur, nje shtet i perbashket per te gjithe shqiptaret!
Shqiptare, kudo qe jeni: Gezuar Diten e Flamurit!

Sadik Elshani, Nentor, Philadelphia

Filed Under: ESSE Tagged With: Flamuri yne, Sadimk Elshani

Lirika me natyrën e stinëve

November 25, 2014 by dgreca

lir Levonja/Deerfield Beach, Florida/

Ndofta vështrimi mbi poetikën, nëse kemi parasysh tekstin Hiret e letërsisë moderne shqipe, do të ishte i pa plotë pa prurjen edhe të një lloj forme aktuale, vargëzimi. Kam thënë aty, ”Ashtu sikur ka dhe autorë që i kanë mbetur besnik vargut klasik të lirikës me tetë, dymbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë rrokëshe. Por kanë risi në trajtën e konceptit. I tillë është rasti i gramshiotit Pozaet Qose, etj.” Emrat e tyre janë të shumtë, si përshembull Frederik Rreshpja, Jorgo Bllaci, Ndoc Gjetja, Sadik Bejko, Betim Muço, Skënder Rusi, deri tek pak më të njohurit si Nexhip Ejupi etj. Por është vënë re një fakt kokëfort, ”fanatizmi” i stilit; pak prej këtyre emrave, kanë tentuar të vargëzojnë ndryshe. Të paktën nga Skënder Rusi e këtej, këta të cilët edhe do të flasim. Kjo për disa apo dhjetra arsye, që nganjëherë mund të mos jenë fare të tilla, por thjesht kërshëri e prirjes së poetikës, e gjenisë brenda krijuesit. Që ndofta, nuk është aspak e domosdoshme që, edhe ta përkufizojmë.
Në konceptin eseistik, në një nga kumtesat hyrëse të këtij libri, ( Arti poetik) i jemi referuar poetit amerikan Karl Sandberg-ut, (Carl Sandburg 1878-1967) ose më saktë kemi bërë aleancë në atë mendësi që prirja poetike mbetet e papërkufizuar. Ashtu sikurse kemi hasur një koncept perceptimi keqardhës, ti (poezi) Shënmëri dhe prostitutë, nga një poet me përmasa universale, si Visar Zhiti. Kësaj here vështrimi ynë është për një lloj komenti me atë që tashmë mund ta quajmë qëllim; koncepti i shpesh përsëritshëm i dy vargëshit të Oktavio Pazi-t (Octavio Pazz) ”unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi”. Do komentojmë disa autorë, një aradhë, duke mos pretenduar asnjëherë se i kemi thënë të gjitha. Duke mos përkufizuar asnjëherë me ndjesinë absurde të shkallës sipërore, si më të mirët etj…, apo këta janë. Duke mos paragjykyar se çfarë po them unë, është absolute, por thjesht një dëshirë e mirë për një formë ndryshe, që edhe mos mund t’i shërbejë aspak disiplinës së komentit letrar. Duke bashkuar motivin e këngës së Shqipërisë së mesme ”tuj shëtit në mal e kodër, tuj prek lulet gjithë me dorë” etj…, të krijojmë një përfytyrim që na e bën të bukur ëndërrimin, po ashtu edhe atë pjesë thelbësore të ekzistencializmit, atë që quhet jetë. Duke u përmbajtur në të njëjtën kohë, edhe emrave të përmendur shumë, disi, por kryesisht më pak të përmendur. Të cilët për njëmijë e një arsye janë një tjetër natyrë e begatë e universit letraro-artistik, atij shqiptar.
(-a) Skënder Rusi mund të jetë prodhimtari më i ”bezdisshëm” i prurjes së lirikës në natyrën e të gjitha stinëve. Nuk është çudi se nga një vështrim i shpejt, kalkulimesh në kohë mund të na rezultojë që tek ky artist të kemi më shumë lirika se sa ditë njerëzore. Ose e thënë ndryshe, lirika si zhanër i ka mundur titujt e librave. Në kuptimin që lexuesve, simpatizantëve sapo ua kujton thonë menjëherë, ah po, liriku i Korçës. Biles me këtë këndvështrim, njëjtëzimin me qytetin e lindjes, Korçën, e kam trajtuar identitetin e tij poetik. Rrallë të qëllon të thonë libri i tij, apo ky libër i tij. Ndaj tek ai një strofë flet shumë. Një vjershë, akoma më shumë. Shkurt ai mbahet mend përmes vjershave se sa titujve të librave. Shumë nga këto lirika janë subjektet e gjalla të serenatave korçare. Por t’i përmbahemi konceptit se, çfarë shikojmë në dy, tre apo disa vargje? A prekim gjë me mollzat e gishtërinjëve?
Për së pari kam zgjedhur një lirikë të hershme. Ndofta nga zanafilla.
Jashtë bie borë, era fryn me tmerr
kali i një karroce vrapit seç ia merr.
Karrocieri i fshatit fërshëllen dhe qesh,
kamxhikun prej gome mbi dëborë e dredh.

Edhe nëpër rrugë shtrembër rendin rrotat
nja dy harabelë dridhen nga të ftohtit.
Mollët gjethe rëna me trupin e hollë,
qafën mbështjellë me shall prej dëbore.

Edhe rend karroca në rrugën me gurë,
nën barkun e kalit lodhja bëhet ujë.
Dhe fshati pret filmin, jepi karrocier,
Le të bjerë borë, le të fryjë erë.

Subjekti, një karrokinema që transmeton filma fshatrave të Korçës. Edhe pse pejzazhi është i ftohtë, karkterizohet nga një gazmëri vëzhguese, (karrocier fërshëllen dhe qesh) prej çunaku a çupëline, a qoftë një udhëtar i rastësishëm. Me komponentët tërësor të lirikës, sidomos sinteza e togjeve me ”përplasje” të buta, bie borë, fryn erë e tmerrishme, rrugës – shtrembër rendin rrotat, pemë hollake qafë mbështjella, barku i kalit ku lodhja bëhet ujë, njerëzit që presin filmin etj.
Nëse pulisim sytë, ajo që shohim mund dhe është një karrokinema sipas asaj që ruan në mendje gjithkush nga ne që ka jetuar ato kohë. Unë nuk kam patur fatin, por më kanë thënë se vende-vende pajisjet e kinemasë i çonin me karroca ose me autokinema. Në murin e një salle vendosej beze dhe shfaqej filmi. Nëse ishte kohë e verës, përjashta. Nën yjet. Këtu jemi në dimër. Dimër Korçe, ndofta në ato fusha me pak pemë e shumë të ftohtë. Me relieve kodrash të ngrira. Por që kanë brenda entuziazmin e një karroce. Shfrymën e kalit, djersët nën bark dhe njerëzit që presin.

Edhe rend karroca në rrugën me gurë,
nën barkun e kalit lodhja bëhet ujë.
Dhe fshati pret filmin, jepi karrocier,
Le të bjerë borë, le të fryejë erë.

(-b)Pozaet Qose. Nga zërat i lidhur pazgjidhshmërisht me truallin, Gramshin, bregun përgjatë Devollit, nën hijen e Tomorit. (Ka edhe raste të tjerë, psh ai Xhelal Toskut me Rrogozhinën. Një qiparis në anë të udhës, buzë lumit Shkumbin.) Jemi tek Pozaeti. Një lloj baritori i rrjedhës, ”fanatiku” i lirikës së kultivuar së asaj sua-je bilbilash nga letërsia shqipe. E ka dashur që herët edhe vetë shenjtëria e tij, Dritëro Agolli. Madje vite më parë më ka folur, po Dritëroi përmes një bisede që kishim në lidhje me rrjedhën e lumenjëve dhe folklorin. Në fakt lirika, është mirëfilli folklor, qoftë edhe kur ka motive qelqi me pika shiu, pra qytetin. Argumenti më i thjeshtë, nuk është teknika, por përkatësia e evoluimit e gjenisë krijuese. Në fund të fundit është lëndë parësore për këngën. Dhe si e tillë bëhet epike në koncept. Vështroni vargjet e mëposhtëme, nga Pozaet Qose.

Në vazon e pritjes ata sy
Çelin përngaherë e s’vyshken dot.
Portën ëndrra hapur mban për ty,
Që ke humbur rrugën nëpër lotë.
(P.Qose nga letërsia shqipe.)

Ndërsa po t’i referoherimi letërsisë në përgjithësi, krahasimit, gjë që e kam bërë si motiv edhe në kumtesat e tjera të këtij libri, ka një gjëndje poetike si ajo tek pritja e Nazim Hikmetit, poetit të madh turk. Ja shëmbëllimi i motivimeve, si vijon:

Sa vjen e më të shkrutra bëhen ditët,
Shirat po vërshojnë lumë.
Porta është hapur kanat, e të pret ty,
Po ti, pse po vonohesh kaq shumë?
(N.Hikmet nga letërsia turke.)

Po kësaj here Pozaetin do e ”përflasim” edhe në një mbiçapitje, nëse munda ta orientojmë fjalën. Pasi sigurisht as ky poet, i ngulur nën hijen e Tomorit, nuk është indiferent ndaj asaj që quhet hapje me botën. Shtegtimin e miqve, të njohur, të panjohur, qytetarë…, shqiptarët në përgjithësi. Pra, në atë se çfarë humbet një pemë e ngujuar nga shtegtimi i zogjëve, i stinëve e të tjera detaje nga universi njerëzor. Vini re lirikën e mëposhtme.

Ndarje elektronike

Në celular ta ndiej zërin,
Në një CD të shoh me sy.
Më tret ky malli yt të tërin,
Si malli im po të tret ty.

Na nis drejt puthjes kohë e djegur
E tashmja ndodhet në mërgim
Gabojmë kur jetën, sa një shekull,
E quajmë udhë, që s’ka mbarim.

E humbëm shpirtin, dritë maji,
U bëmë të largët, si planetë.
Të jap një puthje me e-mail,
Një përqafim në internet…(!)

Subjekti karkaterizohet nga një ndarje e madhe, ”Gabojmë kur jetën, sa një shekull”. Nga një ndarje që aty për aty mund ta mblesh brenda duarve, ”E quajmë udhë, që s’ka mbarim.” Eshtë në fakt realiteti komunikativ aktual, i perceptuar si pandehmë.

Më duket se janë thënë gjërat të gjitha,
S’i mbetet më asgjë atij që vjen,
Por lulja, që pas shiut thur lirika,
Dëshirën e krijimit prapë e kthen.

(-c) Nexhip Ejupi, është rasti që ka thyer njëfarësoj ngujimin e pemës me vendlindjen, Elbasanin. Por përftesa është një mahnitje kaq virtuale sa vetëm një dhimbje e vërtetë mund ta nxjerri jashtë, të na e sjelli, nga thellësia e gjenisë krijuese. Ndiqni lirikën e mëposhtëme.

Turp

Turp të ketë kush më zhgënjeu,
Të braktisja një shtëpizë!
Jo kot qeni im më lehu
Te kolibja, pas avllisë…

Turp të ketë, kur shesh me lule
Më çairën – pa e parë
Tani ziej ca fasule,
Mbyllur brënda, vetmitar.

Shkruaj vjersha, kot që shkruaj,
Kur veç Fizes ia lexoj
Tërheq muajt porsi buaj,
Tespi orësh numëroj.

Turp të ketë kush ma përçmoi
Jetën time rrogë- pakë!
Krejt papritur më kafshoi
Porsi qeni zgjebarak…

Zemrën time ma përshqeu,
Tek po vuaj i papunë.
Turp të ketë kush më zhgënjeu!..
Turp të kem, në qofsha unë!..

Lënda poetike është një lloj vetngujimi tjetër, ai i një burri që ”mallkon”, pa përjashtuar këtu edhe vetveten. Madje aty është kulmi epik i këtij subjekti. Tallja e bukur me vetveten ”Shkruaj vjersha, kot që shkruaj / Kur veç Fizes ia lexoj” . Në fakt është fati njerëzor ai që ka ngritur barrierën. Ka bërë njeriun të ngrejë duart. Fataliteti i shprehjes çifute për tokën e ëndërruar. Nga ana tjetër, sjell në prehrin tonë një konstatim virtual, të cilin gjithkush, nga nervi ose dyshimi, e injoron. Lumturia nuk është toka e ëndërruar, por vetvetja qoftë edhe në një rrethinë, çair, apo zabel siç thotë një elbasanas i famshën si Isuf Myzyri, edhe pse e ke rrogën fare të pakët. Ndaj Nexhipi thotë se ”Turp të ketë kush ma përçmoi / Jetën time rrogë- pakë!”
Nexhipin doja ta sillja edhe për një detaj tjetër, ai është gatues i zoti edhe i fjalëformimit. Vite më parë lexoja një cikël nga ky autor në faqet e gazetës Illyria, të shqiptarëve të Amerikës, në NewYork. Nga 2007-ta besoj. Më mbeti në mendje vargu ”vajza me djalin belpërbelet”. Nuk e gjeta dot këtë vjershë, nuk më ndihmoi dot as autori për shkak të atij ”mallkimi” të mësipërm, zhvendosjes nga buza e Shkumbinit. Por togu poetik ”vajza me djalin belpërbelet” është i mjaftueshëm për të përfytyruar shumë. Një djalë dhe një vajzë kapur duarsh, që rrotullohen, që sillen, që duhen. Që, – belpërbelen. Lasgushi luante me mjete të tilla shprehimore, si, ”o ti e bukura me sypërdhe’ ”etj.
(-d) Zyhdi Morava, ndryshe nga autorët e mësipërm, e urrente ngujimin për shkak të persekutimit politik, burgut që bëri. Eshtë zogu shtegtar i lirikës poetike, i prozës, por edhe i jetës. Një lloj bohemi me shik, i pashëm, por edhe nga ata që nuk të bënte për asgjë.
Ia lejova vetes këtë lloj hyrje për shkak të njohjes që kam patur dhe faktit që nuk ai nuk jeton më.
Do përmend dy lirika, ku për fat gjen shtrat edhe interpretimi me përfytyrim. Ku edhe arratia vallëzon përmes një përsëritje aspak të zhurmshme, aspak kakofonike siç ka qejf ta emërtojë folkloristika, një lloj përmbledhje e grupuar në një beft poetik. Këngë që fërshëllehet. Ndiqeni.

Puthja e fundit

Fluron, lodron nje gjeth në rënie,
Kur era fryn e shfryn në vjeshtë,
Si psheretim’ e zemres tënde,
E dalë befas, fare thjeshtë…

Fluturon e ikën fluturim,
Një zog që shumë gaze kishte,
Dhe mbetet bosh folezë shkreta,
Mes degëve, në shelgjishte.

Si lot, si zog, si psherëtimë,
Gjithcka e shoh si shkoi, si treti,
Vec puthja e fundit mes kujtimesh,
Si tjetër plagë e thellë mbeti…

Vjersha është e gjitha një subjekt arratie brenda një krahasimi, me zogun. Me një keqardhje rrethanash ndofta, me elementë të natyrës, bën fjalë për një ndarje. Por siç e thamë edhe më sipër, ka një rendje tingujsh kaq të harmonizuar sa harron edhe vet indeksin titullor. Të shpie në situatë absurde, me kërshëri ndarjesh të tilla, të paktën për të mbajtur mend diçka. Përsëritja e tingujve është virtuale, një lloj violine…, fluron, lodron, fryn, shfryn, fluturon, fluturim, si lot si zog, e shoh si shkoi etj.
Vështroni edhe një lirikë tjetër nga ky autor, ku sërish thelbi është në vargun e fundit.

Adagio

Gjithë ditën ra shi, dhe dita me gri,
Ze thithet nga mbrëmja që qetë po zbret.
As unë nuk e di, as ti nuk e di,
E nesmja c’na sjell, te nesmen ç’na pret…

S’do bëja habi, sikur në pusi,
T’me priste ai, që egër të vret.
Po ja që vjen ti, e sjell gaz të ri,
Dhe ikën ai, me vdekjen e vet..

Eshtë ndofta vjersha ku ka parashikuar tipizimin e vetvetes, duke na dhënë një lloj gjëndje prej puple, apo gjetheje që fluron siç thotë ai, për dy të dashuruar, për dy individë, për dy qënie njerëzore, në barkduart e gjithësisë. Dhe mua nuk më mbetet asgjë veç të t’i them se, Ti ike, por nuk ishe vdekja .
Megjithatë, sipas shpirtit të gjenisë poetike, gjerorja e jetës sjell gaz të ri.
(-dh) Lushnjari Fatbardh Rustemi, është ndofta zëri me angazhimin më serioz, gati zyrash por me këndëvështrimin poetik. Kjo shpesh e ka bërë të keqkuptuar. Për herë të parë e kam kontaktuar në një komedi, me sa mbaj mënd titullohej ”Gruaja me çelës në qafë”. Vënë në skenë nga trupa e teatrit të Beratit. Salla e Kinoteatrit Vaçe Zela ishte mbushur përplot. Qeshëm sa u shkulëm. Unë isha një maturant. Më vonë na afroi letërsia. Biles falë saj nuk nuk na ndau dot as politika. Për shkak të angazhimit të hershëm në politikë, librat e tij, dramat, esetë, poezia kanë si lëndë parësore më shumë se idealin politik, atë të marrëdhënies midis njerëzve që përfaqësojnë këto ideale. Kjo për atë fakt konstatues që e përmenda mësipër, këndvështrimin poetik. Ka shkruar edhe një libër eseistik ”Them se e njoh Kadarenë”. I cili mua më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, për detajet në këndvështrimin po poetik. Mes Kadaresë, krijuesve lushnjarë, Lushnjes si qytet. Pritja e delegacionit të shkrimtarëve të provincës, që i bënin gjeniut në stacionin e trenit, vendin e lirizmit të dashurive me pritje dhe përcjellje. Por që edhe këtu, më shumë u keqkuptua se sa u përgëzua. Megjithatë unë sot do analizoj një poezi të tijën ku pikërisht kjo ndjesi e imja del në pah përmes prirjes poetike. Vjersha titullohet ”Poezia e vetme për gruan”, lirikë ku vargjet nuk kanë numër rrokjesh të barbartë. Por forma është ajo klasikja që i shkon për shtat trajtesës sonë. Le ta ndjekim….,

Poezia e vetme per gruan

Në fytyrën e pastër pa një enigmë
Vështrimin mendueshëm hedh mbi dorëshkrime,
Ndoshta me kuriozitet sheh vjershat e dashurisë
Që zakonisht ne i quajmë intime.

Dhe prapë të tjera femra
Dhe gjëkundi veten s’e gjen,
Se ti sytë s’i ke blu
Dhe flokët s’i ke të verdhë.

Një mbetje qejfi, s’të kam kuptuar
Dhe xheloze s’u bëre një herë,
Pse për të tjerat unë kam shkruar
Dhe ty s’të kushtova një vjershë.

Unë s’jam shkrimtar i suksesshëm
Veç dështime kam pasur me shumicë,
Ndërsa të tjerat më kanë dhelur qenien
Ti me përkëdhelje thellë në shpirt.

Por unë e di se ku ti fshihesh
Veç thesaret fshihen në këtë botë,
Nëse më ka zhgënjyer ndonjë Helenë
Ti përherë ke mbetur Penelopë.
Subjekti është një ballafaqim gjakftohtë, me pak keqardhje, ndofta kjo për shkak të natyrës së pandryshueshme të krijuesit, në drejtim të prirjes dhe vështrimit dashamir të gjërave të universit social. Me gruan, dashurinë e dhembshur, të vërtetën në kuptimin ekzistencial, padyshim me ato ”përplasjet” martesore, por që në rastin e mësipërm, pamja e saj është një ikonë. Kështu e shohim nga vargjet ” një mbetje qejfi, s’të kam kuptuar” . Diçka e heshtur, diçka prej pusi që, vetëm shuan ujët thellë. Ky ballafaqim ka nuanca me vrunduj brilantesh lirike për shkak të së tërës, në të njëjtën kohë duket sikur është një lloj pendimi burrëror. ”Pendimi” mbase jo, pendesë po. Kjo do afronte me gjëndjen përpara altarit. Por në fund të fundit është art poetik. Dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veç të nanuritemi aty.

Nëntor, 2014
Deerfield Beach, Florida.

Filed Under: ESSE Tagged With: e stinëve, Ilir Levonja, Lirika, me natyrën

PSE VERIU I SHQIPNISË NUK HYNI NË LUFTË CIVILE?

November 25, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
1943/
■Pse, në të gjitha shkollat e Veriut, Rinia Shqiptare kishte studjue “Lahutën e Malcis”!
Pse, nder shkollat e Veriut, në krye të vendit ishte portreti i Gjegj Kastriotit…
Pse, Flamuri Kombtar i Gjergj Kastriotit valvitej “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit…”
Pse, Mësuesi Martir i Shqipnisë At Shtjefen Gjeçovi ishte pranë portretit Kastriotit!
■Pse, ishte Shoqnia “Bashkimi” që në vitin 1899 u tregoi Shqiptarëve deri ku, asht e do t’ jetë Shqipnia Europjane…Ajo Shqipni që do të fliste, shkruente e lexonte Gjuhën Shqipe.
■Pse, krah në krah me Dede Gjo’ Lulin ishte Bajram Curri e Isa Boletini…, Idriz Seferi, Zefi i Vogel, Hasan Beg Prishtina, Zenel Begu etj. Trima të Maleve tona heroike. Hasan Riza Pasha, tha për Dedë Gjo’ Lulin: “Ai asht burrë e atdhetar, jam mundue me i dhanë pare, por s’ka ndigjue me i marrë kurrsesi; dhe u ishte përgjegjë – Nuk ka Sulltani pare aqsa me më thye mue!”.
■Pse, Veriu e Jugu, e dinte mirë thanjen e Luigj Gurakuqit në Parlamenti Shqiptar, në 1923 se: “Na nuk vrasim!”…Pikrisht, Ai Luigj, që punoi i Pari per “Gjuhën e Njësueme Shqipe”.
■Pse, Shkolla e Parë në Elbasan për mësuesit e shkollave tona, përgatiste Pishtarët e Dijes në një nga Vatrat ku ndriçonte gjithë Trojet Shqiptare Gjaku i Kostandin Kristoforidhit.
■Pse, që në 12 Qershorin 1913 At Gjergj Fishta, i kishte tregue ambasadorit De Philipps:
“Po mbushej gati moji që Fuqitë ndërkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). E At Fishta, mbasi u këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqipnisë, e në ketë entuzjazëm kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijve të shkollës Françeskane. Ndërsa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metra, fëmija menjiherë, si u patne porositë qyshë përpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta….”. Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a zbresin Flamurin, ose do ta ulin me topa.. por Françeskani i Fishtes i tha: “Flamuri i Shqipnisë, e ka per nderë me u gjuejte me topa!”
■Pse, nder shkollat e Shkodres lexohej, shkruhej dhe dihej përmendsh vjerrsha e Poetit Shqiptar Vaso Pashë Shkodrani… E të gjithë e dinin se, “kush po na zhyste me krye në hi..?”
■Pse, shkodranët e dinin mirë vjerrshen “Liria” të Don Ndre Mjedjës…dhe vargjet e saj:
Lirinë e keni ju, na hekra kemi…
■Pse, që në vitin 1924 gazeta “Ora e Maleve” tregonte rrezikun e madh të Shqipnisë, nga komunizmi, masoneria, ateizmi, korrupsioni qeveritar, vrasjet e gjaqet, dhe padija orientale…
■Pse edhe nëse nuk dishroni Ju, Shkodra ishte dhe mbeti Kryeqyteti moral, kulturor dhe shpirtnor i Shqipnisë Europjane Perëndimore…Në Vlonë, Burrat Shqiptarë nuk ishin mbledhë të dëgjojnë për një “Shqipni autonome në suazën e perandorisë otomane.” E po, mos të dilte nga xhepi patllakja e Atdhetarit Luigj Gurakuqit, me 28 Nandor 1912…Né do të vazhdonim nën “suazen” Turke… si, u vazhdue me kenë nën disa modele robnije “moderne”…

■Ja, fjalët e Hafiz Ali Krajës, para arkivolit At Gjergj Fishtës, me 31 Janar 1940:
“Të jesh i bindun, o Poet i Madh se, Shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshme të popullit Shqiptar!.. Sot, djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën Shqiptare, tue, t’u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombsinë Shqiptare, do ta ruejm’ e do ta mbajmë si gja të shtrenjtë morale!..”
■Pse, Rinia shkodrane Lirinë e lexonte dhe e shihte nder veprat e Don Ndré Zadejës, bash kur në zemrat e Tyne vlonte gjaku per Liri nga okupatorët e tradhëtarët. Trokiti mu nder zemra “Ora e Shqypnisë”, “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Shpella e Bogdanit”, “Hijet e zeza”…etj., që zgjonin ndjenjat e Atdhedashunisë pa dallim krahinash e Feje.
Poeti i Ambëlsisë, pa Ju tutë syni me 16 gusht 1944, në ecjen me bajrakët e Shna Rrokut nga Kisha e Shirokës, e naltë në rrugën e Taraboshit, Ju drejtue besimtarëve me këte thirrje burrnore:
“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij! Një rê e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç, të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Vepra “Ora e Shqypnisë”, në 1919 kur Shqipnia ishte jo e lirë, u ba hymn Atdhetarie e revolte.
Ajo u vu në skenë për herë të parë në salonin e çfaqjeve të Kolegjes Saveriane, e kur aktorët me gjithë zemër këndonin: “Adrijes m’thuej krenare Vlona asht tokë Shqiptare!” … Salla u ngrit në kambë, tue brohoritë: “Rrnoftë Vlona Shqiptare! Rrnoftë Vlona jonë!”…
■Ishte po, mësim viti 1943, kur Shqipnia e Jugut ishte kallë flakë e mbulue në gjak…
■Mbas vrasjes s’ At Lekë Lulit…i angazhuem me Legalitetin, Provinçiali i Fretenve në Shkoder, At Mati Prennushi urdhnon: “Asnjë Klerik Françeskan nuk lejohet me u marrë me politikë…Në rasë të kundërt do të merren masa…” (Arkivi i Shtetit, Dosja Françeskanët 1943)
■Burrat e Veriut, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, me 23 Shtator 1943, të mbledhun për me shpëtue Atdheun nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, atëherë kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë me Krenët e vendit, dhe me një guxim të admirueshëm të gjithë bashkë, formuen “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, që kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar…tue u sigurue dhe:
■2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…me një Program të plotë, që përputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë, zhvillimit e përparimit në kahun e pikpamjeve tona Europjane – Përendimore. Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Luli, në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem për nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit, nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i Saj.
Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe), Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri…i cili “premton po, nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
■Xhafer Belegu tek libri i Tij “Lidhja e Prizrenit”, (faqe 24, Tiranë 1939), shkruen se, Lord Beaconsfield (1804-1881), Më 13 qershor 1878, në Memorandumin e shkruem prej tij, me ia çue Kongresit të Berlinit, në pikën e parë thotë: “Indipendenca e Shqipnisë, përveçse, asht në interesin e shqiptarëve, por edhe ekujlibri i Europës e kërkon që kjo të jetë një shtet i pavarun, për me forcue murin mbrojtës të Europës Përëndimore, kundrejt invazionit Sllav.”
■A thue, e dinin “komshijtë” tanë “çlirimtarë” këte thanje që përsëriste Epopenë tonë kombtare të 500 vjetëve përpara, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbrojti Europën nga një shkatrrim i sigurtë otoman?
1944… “LAHUTA MBET VARË N’ TRA…
MIGJA KALBET NË DHÉ…
E NIPAT S’ DIJNË ME I RA…” (Poet kosovarë)
■Dhunohet edhe Shkodra nga shovenistët sllavë me ndihmën e terroristit Enver Hoxha.
■Me 29 nandor 1944, forcat partizane rreth Shkodres, kanë hy në qytet si “çlirimtarë” pa e shkrepë një pushkë, mbasi forcat ushtarake gjermane u larguen në orët e para të ditës. Aty nga ora 6.00 e mëngjesit janë drejtue nga Kisha e Fretënve në Gjuhadol, ku, me forcë kanë hypë në kompanjel dhe bash aty, ku At Fishta, me 12 qershor 1913 kishte ngritë Flamurin Kombtar, aty partizanët e druzhe Titos, kanë vendosë “Flamurin me yllin e kuq” të sunduesëve jugosllav…
■Shkodra u trand nga armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar që ia arrijtën qellimit tyne me anën e PKSh, dhe tradhëtarëve të Atdheut të shitun tek shovenistët sllavë, Enver Hoxha me shokët e tij, që u instruktonin nga veglat terroriste të Titos në Shqipni, Mugosha, Popoviq e kompani…
■Parimet bazë të komunizmit klasik janë: “Përçaj e sundo!”, “Shpif e shpif se, dishka mbetë!”… Porosia e Titos, për komunistët tanë në qytetin e Shkodres, ishte: “Shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”, detyrë të cilën, Enver Hoxha ua ngarkoi kriminelëve Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Rahman Perdhaku, Sheuqet Peçi, Zoi Themeli… etj., nder të cilët, Koçi Xoxe, deklaron: “Per vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant. Ka pasur edhe vëndim Byroje për këte… Kishim urdhër me vra dhe me i tretur në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit” (Dosja K. Xoxe, 1623. Arkivi M.Mbrendshme Tiranë, 1998)
■Historiani Abaz Ermenji thotë: “Çdo laro me pushkë në krah ka rasë të bëjë ligjin, ku terrori bëhet si një ankth i padurueshëm”. “Çlirimtarët” menjëherë “zëvendsojnë hymnin e Flamurit”:
“Hidhe hidhe këmbëne…eee, t’ ia bëjmë Gegës nënën…eee…”
■Ishte lufta e ndërsyeme e Jugut kundër Veriut. Ishin politikat shekullore të shovinistëve që përfituen prej kaosit të mbrendshëm, të cilët, në këtë moment përdorën komunistët anadollakë, për me përfitue ata vetë gjanë ma të rëndësishme: “përçaj e sundo!”, tue shfrytzue inferioritetin e Jugorëve, që ua kishte dobësue logjikën. Kenja e Kryeqytetit Tirana në Veri gjithmonë qendër politike, kulturore, morale dhe ekonomike e një populli, Toskëve u dukej shburrnim ikja prej Vlonës. Ishte koha ma e përshtatëshme që Gegët, duhët t’i damshpërblenin me lanjen në “duartë e tyre” të Pushtetit “Popullor Komunist”, fara e të cilit, u hodh në Përmet, Berat e kudo ku mujti me bijtë, ashtusi binë fara e keqe. Pa u “çliruar” Shkodra… Tito i zuni “kolltukët e qeverrisë”.
■Komunistët pëlqyen jetën e pyllit, ku si kafshët e egra shkyejshin intelektualët tue i nxjerrë me gishta gabzherrët prej ku, delte fjala e së vërtetës, dijës, kulturës dhe përparimit.
■Ishte pra, lufta e haptë kundër Qytetnimit Europian, luftë shumë e rrebtë dhe shpartalluese prej padijës rrenuese fshatareske, që shfryente dufin e sajë tue djegë libra e biblioteka, tue plaçkitë muzeume e tue u mundue mos me lanë në kambë asnjë vepër arti e kulture Përparimtare.
■Ishte alergji e Lindjës ndaj qëndrimit Përëndimor të Shqiptarëve, që nuk u pajtuen kurrë me pushtuesit, përderisa, asnjë krahinë ose një fshat kurrë nuk ka përdorë gjuhën e dhunuesit. U përdhosën Malët bashkë me “Kanunin e tyne” se vetëm, kështu, servilët e shërbëtorë besnikë të Titos e të Stalinit, masakronin edhe njëherë përsëvdekuni Etnit Fishta e Gjeçovi me shokë.
■Ishte Shkodra, Kështjella e pathyeshme, ma e forta, ma e pastërta po, dhe ma e vëndosuna në shkambijtë e Veriut, antishoviniste sllave dhe për rrjedhojë ma antikomuniste, që u dogj e u përlue nga të gjitha këto lufta barbare e të përgjakëshme, një GJENOCID I VERTETË, që nuk e ka provue asnjë qytet tjetër i Evropës e, … ndoshta..!!
■Ishte lufta e “Internacionalizmit Proletar”, që fikë e shuen ndjenjat Atdhetare tue nxitë Luftën vëllavrasëse, që asht rrënimi i popujve, tue përdorë ideologjinë marksiste-leniniste kundër Atdheut, Zotit e Besimit, tue ndezë mëllef e urrejtje mes vëllazënve, si dhe tue i shpërblye për këtë “meritë” shumë aventurierë dhe fondamentalistë me poste partie e shteti, tue i privilegjue në Sigurimin e shtetit terrorist me rroga të majme, medalje, dekorata, tituj, grada shkencore, spaleta ushtarake, bursa studimi jashta shteti etj., që po i gëzojnë edhe sot. Injorantët, servilët, hipokritët dhe imoralët agjentë, ishin ndër sferat ma të nalta të partisë dhe të shtetit komunist oriental.
■Ishte themeli i mjerimit që do të kunorzohej ma vonë nga “Lufta e kllasave” nën maskën e së cilës, u mëshefën luftat ma djallëzore e të pabesa të komunistëve ndaj Popullit Shqiptar.
■Ky terror i ishte besue diktatorit Enver Hoxha, me shumë “besnikë” të pandamë jugosllavë, rus, anglez, amerikanë, të betuem në tradhëtinë e madhe ndaj Atdheut të Gjergj Kastriotit.
■Ishin këta udhëheqësit e të gjitha këtyne LUFTAVE të flligta, që u përplasën për shkambin e Ilirisë dhe në veçansi për Kështjellën e Gencit e Teutës, djepin e Atdhetarizmës e folenë e kulturës demokratike. Gurt e Rozafës ishin thëmelët e gëdhenuna të Kulturës Europiane, të vëndosun nga Kreshnikët Atdhetarë Shqiptarë, të murosuna përjetësisht me Gjakun e Martirëve, që u derdhë rrëkajë prej majës së Bratilës në Deçiq, në Vlonë, e deri në Tokat tona në detin Jon, për FÉ, ATDHÉ E PËRPARIM EUROPIAN.
■Ishim të gjithë Shqiptarët që u izoluem mjedis QYTETNIMIT – PA DRITË, ishim të gjithë të uritun e të etëshëm, mjedis EUROPËS – PA LIRI !
■Ishim në një vend mu në zemër t’ Europës, ku u ushtrue një GJENOCIT, që sundoi për 50 vjetë një Popull Shqiptar, tue shrranjosë dëshirën për VIRTYT’ E DIJE, pa të cilat, NUK KA JETË ASNJË POPULL. Gjithshka drejtë mëshefjes, fallsifikimit dhe “harresës”!
■E mos harroni se ishte Ai Veri i Atdheut Nanë Terezës, për të cilin i “plasi zemra”!
■Në sistemin komunist,
një rrashtë e shprazun nga armët trofé e në ballë,
e shkrueme me gjakun e sajë fjala “çlirim”,
ka ma shumë vlerë…se, një kokë e skalitun
me I d e a l i n e naltë:
F é, A t d h é, P ë r p a r i m.

Melbourne, Nandor 2014(Nga cikli:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)

Filed Under: Featured Tagged With: civile, Fritz radovani, NË LUFTË, PSE VERIU I SHQIPNISË NUK HYNI

Xhindi: Do ta ndalojmë rikthimin e regjimit komunist

November 25, 2014 by dgreca

Tirana ka përkujtuar sot bijtë dhe bijat e saj që u vranë, burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist në Shqipëri./
Rreth 40 intelektual akademikë, klerikë dhe oficerë të lartë u pushkatuan në harkun kohor 28 tetor-16 nëntor 1944 janë përkujtuar në një aktivitet të veçantë të organizuar ne Akademinë e Shkencave.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, theksoi se duke kujtuar te shkuarën e regjimit komunist, ne do ta ndalim rikthimin e tij sot e përgjithmonë.
“E ndjeva përgjegjësi të jem prezent në këtë aktivitet, me respekt të kujtesës së Tiranës së përgjakur, nga gjaku i 105-së bijve të saj. Në respekt të atyre që menduan të lirë, e deshën Shqipërinë të lirë dhe menduan të jetonin në demokraci. I vrau terrori dhe terroristët komunistë, iu vrau idealet, iu vrau lirinë. Me mijëra të tjerë i burgosi në 40-të burgje dhe internoi në 50-të kampet e pafund.
Të shkuarën nuk e ndreqim dot, por nuk e harrojmë dot dhe sot e kujtojmë me shumë respekt dhe për ta ndalur përgjithmonë rikthimin e saj. Sot ku jemi këtu, si një sfidë, një sfidë për lirinë, jemi një dëshmi e idealit të tyre. Jemi triumfi i së mirës ndaj së keqes, jemi shkëputja totale nga e keqja. Sot ne jemi garancia e një Shqipërie evropiane, larg terroristëve komunistë. I kristaltë qoftë kujtimi i tyre dhe dielli ndriftë aty ku ata i kanë shpirtrat sot”,- deklaroi zonja Xhindi.
Regjimi komunist ne Shqipëri është konsideruar më i egri dhe më i përgjakshmi ne Evropë. Nga të dhënat zyrtare, gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.
Statistika të viktimave të sistemit komunist:
1. Të pushkatuar 5548, nga këta 91 gra
2. Të burgosur 14563, nga këta 445 gra
3. Të vdekur në burg 987, nga këta 7 gra
4. Të futur në psikiatri 308, nga këta 35 gra
5. Të internuar 21401, nga këta 322 gra. (INA)

Filed Under: Sociale Tagged With: do te ndalojme, e regjimit komunist, rikthimin, Xhindi

Kapidani Ndue Pjeter Gjomarkaj, perfaqesues i shquar i familjes princore te Gjomarkajve

November 25, 2014 by dgreca

NGA Dr. NIKOLL TOMA*/
Kapidani Ndue Pjeter Gjomarkaj, njeri nga perfaqesuesit me te shquar te familjes princore te gjomarkajve, u nda nga jeta ne Bagheria- Palermo (Itali) ku kaloi pjesen me te madhe te jetes, i detyruar te largohej nga Shqiperia megjithese me dhimbje nga ndjekjet qe u bente rregjimi komunist kundershtareve te tij.
Luftetaret antikomunist te çetave te malit e kishin pritur ate te kthehej ne Shqiperi ne mesin e shkurtit te vitit 1949, kur ai ne acarin e atij dimri te eger,u ul me parashute pa marre parasysh asnjelloje veshtirsie. Ai erdhi te vihej ne krye te luftes antikomuniste, pasi udheheqesit e asaj lufte kapidan Mark Gjon Gjomarkaj dhe vellai i tij Llesh Gjon Gjomarkaj ishin vrare dhe venie ne krye te asaj lufte i takonte sa nga perkatesia si i gjomarkaj, por dhe per shkak te cilesive te tija si nje nga luftetaret me trim, me i vendosur, si nje njeri qe nuk merrte parasysh asnjelloje veshtirsie. Ishte njeriu qe e cilesonte vehten e tij se per idealin antikomunist behej vullnetar vdekje.
Per me se 6 muaj gjate vitit 1949 , ai u ndesh dhe luftoi heroikisht kunder forcave komuniste ne Mirdite dhe Veriun e Shqiperise dhe vetem kur ajo rezistence u be e pamundur u largua jashte atdheut ne fillim ne Jugosllavi e me pas ne Itali. Ai u largua fizikisht,por mendja dhe zemrae tij ishin ne Shqiperi, ishin ne Mirdite, ne vendlindjen e tij ne Ndershene te Oroshit.
Ne emigrim ai eshte perpjekur qe te lartesonte sa me shume emrin e tij dhe te familjes gjomarkajve , te asaj familje qe siq ka thene studjuesi dom Ndoc Nikaj ka krijuar nji shtet te vogel mbrenda nji shteti te madh siq ishte Turkija.
Kapidan Ndue Pjeter Gjomarkaj ne emigracion punoi me shume perkushtim ne dy drejtime, duke vazhduar luften kunder komunizmit, me te gjitha format dhe mjetet e mundeshme, per e ngritur opinionin demokratik ne perendim, kunder padrejtesive te rregjimit t’eger komunist dhe nga ana tjeter Ai punoi si nji misionar i vertete ne drejtim te ndihmes dhe perkrahjes per te gjithe emigrantet shqiptar, qe ato ta paraqisnin vehten me dinjitet kudo qe ndodheshin, per tu dhene kurajo e per tu lehtesuar vuajtjet dhe veshtirsite ne dhé te huej. Nuk ka lene kamp te Italise pa takuar e grumbulluar emigrantet shqiptar. Me ndihmen e bashkeshortes se tij , profesoreshes italiane Enza Gjomarkaj ( Creco ) ndihmonte dhe femijet e emigranteve ne keto kampe.
Puna e tij humane u vleresua pa mase dhe nga ana e autoriteteve me te larta te shtetit italian. E kane pritur ne audienca te veçanta Presidentet e Italise, Giovani Leone dhe Sorogati, ku ai kerkonte zgjidhje per nevojat e emigranteve shqiptar. Per kontributin e dhene me rastin e pashkeve te vitit 1968 eshte dekoruar me medaljen ” LEOPARDINA” ” Per nji qendrim kostant dhe per nji veper gjeneroze ne favor te emigracionit shqiptar.”
Eshte pergezuar per punen e tij humane nga vete ish shenjeteria e tij, Papa Gjon Pali II, si dhe nga misionarja me fame boterore, Nene Tereza.
Veprimtaria e tij antikomuniste dhe misionare ne Shqiperi dhe ne emigraion e rradhit ate perkrah perfaqesuesve te tjere te shquar te familjes Gjomarkaj, me Bib Dod Pashen, me Preng Pashen, kapidan Gjon Marka Gjonin,kapidan Mark Gjon Gjomarkaj, kapedan Ndue Gjon Gjomarkaj, dhe kapidan Preng Ded Gjomarkaj.
Kapedan Ndue Pjeter Gjomarkaj formoj ne emigracion Organizaten “Heroizma Shqiptare” me sekretar Zef Margjini te cilen e drejtuan per shume vite se bashku. Per 45 vjet, kjo organizate kreu veprimtarine e saj ne Itali, Belgjike ,Zvicer, Kanada, U.S.A dhe mbas vitit 1993 dhe ne Shqiperi, Kosove, Malte Zi e Maqedoni.
Per jeten e vepren e Kapedan Ndue Pjeter Gjomarkaj jane shruar shume artituj gazetash e libra.
Librat jane:

Dr. Xhevat Repishti
“Ne male dhe ne Mergate”
Ndue P. Gjomarkaj
1995

Llesh Delia
“Rezistenca Shqiptare Kunder Diktatures Komuniste”
2001

Zef Pergega
“Sarajat”
2008

Dr. Nikol Toma
“ Misionari dhe antikomunisti”
2013

Per nji gjysem shekulli, kapidan Ndue Pjeter Gjomarkaj nuk qe e mundur te vinte ne Shqiperi ne vendlindjen e tij, por vjen nji dite dhe ajo dite erdhi kur ne Shqiperi u permbys regjimi i eger komunist. Ne vitin 1993 ai erdhi ne Shqiperi edhe kesaj rradhe nga ajri, por tani jo me ne dite acari,por ne dite te ngrohta, i pritur me perzemersi nga e gjithe miqesia, farefisi i gjomarkajve, nga ish bashkeluftetaret e tij i nderuar dhe i respektuar.
Eshte pritur me nderime dhe nga autoritetet me te larta te asaj kohe, Presidenti i Republikes, Kryetari Kuvendit, Ministri i Jashtem. Erdhi tanime i gezuar ne liri. I gezohej ndryshimit te sistemit ardhjes se demokracise. I perkushtuar per te pare e njohur gjendjen ne Shqiperi, ai vizitoi mjaft rrethe te Shqiperise. Zhvilloi me dhjetra takime qe nga Shkodra e deri ne Korçe. Ndjehej krenar se dhe ai kishte dhene ndihmesen e tij ne fitoren e demokracise. Kudo qe vajti ne takime perçoj mesazhe paqe e harmonie, te mos kishte konflikte, te mos binim pré e qellimeve dashakeqese te armiqeve te Shqiperise, te cilet nuk e donin perparimin e kombit shqiptar.
Ne keto 20 vite pas ndryshimit te sistemit ne Shqiperi, kapidan Ndue Pjeter Gjomarkaj e afirmoi veten dhe si nji misionar i vertete. U perpoq me te gjitha menyrat per te mbledh ndihma per Shqiperine,per te ndihmuar ne permirsimin e gjendjes ne Mirdite si dhe ne disa rrethe te tjera te Shqiperise se Veriut. Ndihmat e tija u perqendruan ne paisje te qendrave shendetsore dhe spitaleve si dhe ne paisje te institucioneve arsimore.
Sigurishte qe jeta e njeriut ka nji limit, dhe vjen nji dite kur njeriu ndahet nga jeta dhe sot ne po e percjellim kapidan Ndue Pjeter Gjomarkajn, kete hero te vertete te luftes kunder komunizmit per ne banesen e fundit me nderime. Arkivoli i tij eshte i mbuluar me flamurin kombetar. Kapidani vertete ka vdekur fizikisht, por na ka lene pas vepren e tij dhe per kete ai ka mbyllur syte krenar se ka punuar me shume perkushtim per atdheun e tij, per Mirditen, te cilat i pati kurdohere ne zemer se ka punuar per te miren e tyre gjate gjithe jetes deri sa ka mbyll syte ne Bagheria -Palernmo (Itali)
Kam patur fatin ta vizitoi disa here ne shtepin e tij, kapidan Ndue Pjeter Gjomarkaj. Shtepia e tij ishte si nje museum I vogel. Ne balle te saj ishte fotogrtafia e heroit kombetar Gjergj Kastriotit, fotot e personallteteve te tjera te kombit shiqiptar si dhe te familjes Gjomarkajve e cila me te drejte eshte quajtur dhe Porta e KANUNIT..
Kapidan Ndue Pjeter Gjomarkaj si nji patriot e atdhetar i vertete la te vetmin amanet qe eshtrat e tija te pushonin ne vendlindjen e tij, ne Mirdite, ne varrezat e fisit Gjomarkajve ne Qafmolle (Rreshen) dhe kete amanet ja plotesoi mbesa e tij, Donika Preng Gjomarkaj dhe bashkshorti i saj Ardian Xhihani, si dhe ne saj te perkushtimit te te gjithe pjestareve te fisit Gjomarkaj.
Ai po percillet ne banesen e fundit sot me te vetmin merak, sepse nuk kamundur me ardhur vellai i tij, kapidan Gjon Pjeter Gjomarkaj dhe bashkshortja e tij Enza Gjomarkaj per arsye semunmdje dhe moshe qe ti hidhnin nji grusht dhe mbi varr. Por sot po e percjellim me shume nderime ne miq e dashamires te tij,e gjithe Mirdita e fisi i Gjomarkajve, autoritete te larta te shoqates ish te pernmdjekurve politik te Shqiperise si dhe drejtori i Institutit te Perndjekurve politik te Shqiperise zoti BEDRI BLLOSHMI me bekimin ” I QOFTE I LIHTE DHEU KU DO TE TRETET”
Ne shenje nderimi ju ftojm te mbajme nje minut heshtje.
I perjetshem qofte kujtimi i tij!

* Fjala percjellse ne diten e varrimit. Botohet ne pervjetorin e vdekjes n’en kujdesin e Agostin Gjonmarkaj, CT, SHBA

Filed Under: ESSE Tagged With: Kapidani, Ndue Gjomarkaj, nje vit, pas ikjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4267
  • 4268
  • 4269
  • 4270
  • 4271
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT