Tirana ka përkujtuar sot bijtë dhe bijat e saj që u vranë, burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist në Shqipëri./
Rreth 40 intelektual akademikë, klerikë dhe oficerë të lartë u pushkatuan në harkun kohor 28 tetor-16 nëntor 1944 janë përkujtuar në një aktivitet të veçantë të organizuar ne Akademinë e Shkencave.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, theksoi se duke kujtuar te shkuarën e regjimit komunist, ne do ta ndalim rikthimin e tij sot e përgjithmonë.
“E ndjeva përgjegjësi të jem prezent në këtë aktivitet, me respekt të kujtesës së Tiranës së përgjakur, nga gjaku i 105-së bijve të saj. Në respekt të atyre që menduan të lirë, e deshën Shqipërinë të lirë dhe menduan të jetonin në demokraci. I vrau terrori dhe terroristët komunistë, iu vrau idealet, iu vrau lirinë. Me mijëra të tjerë i burgosi në 40-të burgje dhe internoi në 50-të kampet e pafund.
Të shkuarën nuk e ndreqim dot, por nuk e harrojmë dot dhe sot e kujtojmë me shumë respekt dhe për ta ndalur përgjithmonë rikthimin e saj. Sot ku jemi këtu, si një sfidë, një sfidë për lirinë, jemi një dëshmi e idealit të tyre. Jemi triumfi i së mirës ndaj së keqes, jemi shkëputja totale nga e keqja. Sot ne jemi garancia e një Shqipërie evropiane, larg terroristëve komunistë. I kristaltë qoftë kujtimi i tyre dhe dielli ndriftë aty ku ata i kanë shpirtrat sot”,- deklaroi zonja Xhindi.
Regjimi komunist ne Shqipëri është konsideruar më i egri dhe më i përgjakshmi ne Evropë. Nga të dhënat zyrtare, gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.
Statistika të viktimave të sistemit komunist:
1. Të pushkatuar 5548, nga këta 91 gra
2. Të burgosur 14563, nga këta 445 gra
3. Të vdekur në burg 987, nga këta 7 gra
4. Të futur në psikiatri 308, nga këta 35 gra
5. Të internuar 21401, nga këta 322 gra. (INA)