• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mitrovicë, dalin nga ngujimi 57 minatorët e “Trepçës”

November 23, 2014 by dgreca

Të 57 minatorët e “Trepçës” në minierën e Stantërgut, në rajonin e Mitrovicës, kanë dalë nga ngujimi në horizontet e nëntokës deri rreth 700 metra thellësi ku kishin mbetur për shkak të defektit të liftit dje në mesditë.
Nxjerrja e tyre në grupe të vogla me liftin që bartë xehen, që ka zgjatur rreth katër orë, ka përfunduar pas mesnatës.
Drejtuesit e minierës kanë deklaruar se ngujimi nga defekti i liftit të minatorëve ndodhi shkaku i teknologjisë së vjetruar. Bëhet e ditur se, minatorët në vendet e tyre të punës ndodheshin në pesë horizonte të minierës, nga i shtati deri në të njëmbëdhjetin

Filed Under: Kronike Tagged With: dalin, e “Trepçës”, Mitrovice, nga ngujimi 57 minatorët

Presidenti Obama: Komuniteti ndërkombëtar i bashkuar, iranianët janë të izoluar

November 23, 2014 by dgreca

Presidenti amerikan, Barack Obama përsëriti në një intervistë të regjistruar dhe publikuar sot se mosmarrëveshje të mëdha janë hasur me Teheranin në negociatat për programin bërthamor dhe nënvizoi izolimin e Iranit në skenën ndërkombëtare.
“Çështja është nëse mund të arrijmë një marrëveshje më të përhershme se marrëveshja e përkohshme që përfundon nesër në mbrëmje”, deklaroi Barack Obama në një intervistë për stacionin televiziv ABC, regjistruar para përfundimit të negociatave në Vjenë, ku mori pjesë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Dhe mosmarrëveshjet mbeten të konsiderueshme”, shtoi ai.
”Por, kam të gjithë komunitetin ndërkombëtar në krahun tim dhe ata janë më shumë se një i vetëm”, nënvizoi Obama.
Pyetur për një normalizim të mundshëm të marrëdhënieve me Iranin në rast të arritjes të një marrëveshjeje për programin bërthamor, ai nënvizoi se problemet ekzistojnë duke cituar mbështetjen iraniane për aktivitetet terroriste në rajon dhe qëndrimin ndaj Izraelit.
“Një marrëveshje do të mundësonte zgjidhjen e një çështjeje të madhe dhe ndoshta për të filluar një proces të gjatë, gjatë të cilit marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA-së, por gjithashtu mes Iranit dhe botës do të fillojnë të ndryshojnë”, theksoi Barack Obama.
“Mendoj se kjo do të ishte mirë për Iranin”, shtoi ai.

Filed Under: Kronike Tagged With: iranianët, janë të izoluar, Komuniteti, ndërkombëtar i bashkuar, Presidenti Obama

NËNËMADHE DEMIRE DUROLLARI,FUQIA E NJERIUT TË URTË…

November 23, 2014 by dgreca

Shkruan: DEFRIM CANI*/
Jeta dhe veprimtaria e një femre në një libër, e cila është nënë dhe bashkëshorte, është një ngjarje e mirë jo vetëm për kulturën e librit dhe kujtesën njerëzore, por është një vlerë e nevojshme për kohezionin e një vendi, krahine dhe të një familje. Shembujt historik dhe epik të jetës së një nëne në libra, janë të rrallë, jo pse ata nuk mund të shkruhen apo nuk mund të gjenden autorë për t’i shkruar, por librat e tillë gjithmonë janë të vështirë, janë të gjerësishëm, kanë kaq gjëra që duhet të thuhen mirë, në gjuhën e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Librat e shkruar posaçërisht për nënat, nuk janë të shumtë, siç janë librat për luftëtarët dhe heronjtë, për dyert e mëdha dhe për kullat. Në këtë vështirësi shtohen dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me aftësitë e autorëve për t’i zbuluar vlerat, shpirtin, ndjesitë, karakteret, gjendjet, raportet fondamentale, që një nënë ka më gjithë çfarë e rrethon atë në çdo çast, në rrugëtimin jetësore, në situatat që ata përjetojnë thellësisht dhe kur bota në sipërfaqen e vet duket e qetë dhe paqësore.
Po ashtu, dhe pa mëdyshjen më të vogël, librat e këtij lloji kërkohet të kenë një lloj fuqie, thënë ndryshe, duhet të kenë fuqinë e njerëzve të urtë, siç janë nënat, fuqi që duhet ta zbulosh, ta gjesh, ta sjellësh dhe ta bësh pjesë të komunikimit me njerëzit, me ngjarjet, me protagonizmin jetësorë të historisë, aktualitetit dhe të ardhmes. Jam i bindur se një lloj mendimi analitik do t’i duhej cilitdo njeriu të librave, të cilit do t’i kërkohej të vlerësonte një libër të këtij lloji, pasi ata janë libra të vështirë, sepse kanë një kohezion vertikal të dukshëm dhe horizontal të domosdoshëm.
Do të më duhej t’i parashtroja vështirësitë e një pune të tillë për të kërkuar dhe gjetur klimën e brendshme të një libri të këtij lloji, pavarësisht se modeli i parë, përmes të cilit e kam nisur leximin e tij, ka qenë ai i nënës sime që më ka lindur, më ka rritur dhe vazhdon të më përjetojë me dhimbje dhe shqetësim nëne në të gjithë rrugëtimin tim.
1.Libri që i kushtohet nënës së njohur shqiptare nënës Demire Hudënishti- Durollari, nuk është një libër thjeshtë për atë, veprimtarinë e saj, sakrificën e saj dhe të gjithë atë që ajo ka bërë, por është një libër për nënat dhe gratë e një kombi, të cilat ishin të shtrënguara dhe të destinuara ta kryenin detyrën e tyre në një vend dhe nëpër kohët më të vështira të një vendi si Shqipëria. Ajo është një nga nënat dhe gratë më jetëgjata të botës, fakt të cilin mund ta interpretosh në disa mënyra, si nga çështjet gjenetike, të jetës aktive që ajo ka bërë, të sjelljes korrekte me shëndetin dhe çështje të tjera.
Në këtë rast fatlumë, unë mendoj se ka dhe çështje që lidhen me thelbin jetësorë të kësaj nëne, e cila duket se kishte lindur jo vetëm për të jetuar gjatë, por për të bërë me sakrificë detyrën e nënës, veprimtares, patriotes dhe politikanes madje. Ramiz Lushaj ka arritur ta shpalosë me takt dhe sens, në morinë e mijëra ngjarjeve dhe zhvillimeve të familjes, ku ajo jetoi si vajzë dhe asaj që jetoi si bashkëshorte dhe nënë, të gjithë tharmin e personit, që me të drejtë është shndërruar në një njeri publik, që dëgjohej dhe vlerësohej.
Në historinë shqiptare, veçmas që nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në dekadën e tij të fundit, shqiptarëve iu është dashur të përballen me armikun e huaj dhe armikun e tyre të brendshëm, ç’ka e ka bërë të vështirë, por heroike, veprimtarinë e njerëzve atdhetarë dhe patriot. Pikërisht në dimensionin atdhetarë dhe patriotik shpaloset dhe jeta e nënës Demire Hudënishtit- Durollarit në këtë libër të mrekullueshëm.
Libri është interesat dhe për shkakun themelorë që një libër mëton dhe duhet të bëjë në këto raste, pasi autori ka arritur të kapë dhe t’i propozojë për lexuesin nyjet e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollari, në një përthyerje të motivuar mirë të zhvillimeve familjare të saj, por që kanë përkuar me zhvillime historiko- sociale të Shqipërisë dhe të kombit shqiptarë, ku familjari i mirë dhe prindi i mirë plotësonte dhe atdhetarin dhe patriotin e mirë, pra kemi të bëjmë me një simbiozë jo të zakonshme dhe as të rastësishme.
Kapja e zhvillimi i këtyre çështjeve, herë të dukshme dhe herë jo të dukshme, e bën librin për një nënë të tillë emblematik, serioz, e bën dëshmi dhe dokument të mirë për shumë gjëra të diskutueshme dhe të keq- përdorura për shumë kohë në Shqipëri.
2.Autori ka arritur t’i ndërtojë librit një bazament të fortë dhe të besueshëm, duke kuptuar vështirësitë që kanë zakonisht këto lloj librash. Jetën dhe veprimtarinë e një gruaje dhe nëne, një bashkëshorteje dhe luftëtareje, e ka referuar në raportet historiko- politike, duke e mbushur “koincidencën” e jetës së saj me ato zhvillime, përmes ngjarjeve të forta, të kushtëzuara dhe njohura për lexuesin shqiptarë.
Pavarësisht ngjarjeve historike, për të cilat shumëkush ka njohje e vet, në jetët njerëzore dhe përmes jetëve dhe ngjarjeve njerëzore ata marrin një dimension tjetër dhe më të besueshëm. Parë në këtë këndvështrim, përmes rrëfimit dhe veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollarit, Hudënishti, Pogradeci, Korça, Përmeti, Kolonja dhe ndonjë vend tjetër merr tjetër peshë dhe fiton tjetër njohje.
Po tjetër njohje merr e vërteta e luftës politike, luftës së papajtueshme ndër shqiptarët, të cilën e iniciuan dhe e shpallën komunistët pas prishjes së Mukjes dhe gjatë gjithë kohës tjetër, kur ata erdhën në pushtet. Kalvari jetësorë dhe aktiviteti i nënës Demire Hudënishti, e bën absolutisht të besueshme në të gjithë përmasën e vet atë luftë, prej të cilës mbetën mijëra njerëz të vrarë, dhjetëra mijëra njerëz të luftuar, po kaq më shumë mbetën të internuar dhe të degdisur nëpër burgjet e tmerrshme të diktaturës.
Nënëmadhja Demire Hudënishti- Durollari ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për ta sfiduar diktaturën. Sfida e një nëne të tillë, nuk shpjegon vetëm cilësitë e saj, por dhe mizorinë në të cilën është gjendur ajo në Shqipëri. Pra, Ramiz Lushaj ka arritur të na sjellë një tjetër dimension dhe një tjetër prerje informuese për një nga kohën më emblematike dhe më të debatueshme nga historiografia dhe opinioni shqiptarë, atë të luftës më të pashembullt të partisë– shtet kundër njerëzve të vet.
3.Përmes një leximi analitik, libri që i kushtohet nënëmadhes Demire Hudënishti- Durollari, kupton se autori ka arritur të depërtojë në thelbin e çështjeve të sakrificës, kombit dhe individit, duke afruar një qasje serioze për dimensionin e vërtetë të patriotizmit njerëzorë.
Nënëmadhja Demire Hudënishti –Durollari ka “qerthulluar” dhe mbajtur në këmbë katër breza të familjes së saj, duke qenë njeriu më i rëndësishëm i saj. Në dëgjimet fëminore dhe me sytë fëminorë, ajo ka parë dhe ka dëgjuar burrat luftëtarë të derës së prindërve, pastaj ka përjetuar shku- ardhjet e njerëzve të dëgjuar të historisë dhe të dijes, ka prekur nga afër dhe ka qenë në një miqësi të përhershme me familjen mbretërore në të gjithë dimensionet e saj, kur ka qenë nënë ka parë bashkëshortin e vrarë nga fashistët dhe ka ndjerë peshën e jetës totale mbi supe, ka bërë detyrën më të ndershme njerëzore duke shpëtuar jetën e 6 të huajve të zënë robër nga fashistët, që kërkoheshin të vriteshin nga pushtuesi, ka guxuar të bëjë një zgjedhje të vështirë por të guximshme duke mbështetur dhe duke qenë përherë me partinë e Legalitet, një arsye serioze për t’u shpallur kulak dhe për të iu grabitur pasuria, ka guxuar dhe asnjëherë nuk ka hezituar për të qenë kundërshtare e komunizmit në Shqipëri, dhe kur jetonte në Shqipëri, dhe kur jetoi në SHBA.
Përmes një vështrimi dhe informimi të tillë, që libri i monografit Ramiz Lusha i sjell përmes një strukture rrëfimtare të ndrëtuar mirë dhe funksionalisht, historia e jetës dhe e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishti- Durollari është interesante. Jeta e saj eci nëpër rrjedhën e ngjarjeve të mëdha, nëpër të cilat ajo diti të triumfojë dhe të jetë protagoniste e tyre, duke qenë në të gjithë rastet nënë dhe veprimtare.
Është e vështirë të jesh nënë dhe veprimtare. Në vitin 1949, kjo nënë arriti ta sfidojë diktaturën, duke parashikuar në mënyrën më të qartë atë që do të vinte pas në Shqipëri. Komunistët i kishin sytë në gjak dhe ajo nuk e pranoi atë, e nënvleftësoi atë, e refuzoi atë dhe iku nga vendi, iku nga atdheu duke mbetur nënë përballë familjes dhe luftëtarëve, përballë atdheut, historisë dhe kombit. Atdheu i shkoi pas në mërgim, pasi ajo e mori me vete. E mori deri atje në Amerikën e largët me vete atdheun dhe ruajti atë siç ruhen gjërat e shenjta.
4. Nënat, motrat, gratë janë luftëtare të heshtura, janë heronjtë që rrinë në llogoren e thellë të sakrificës dhe dhimbjes njerëzore. Një luftëtarë i rënë në fushën e betejës prek lavdinë në këngë dhe emër, por një nënë, motër apo grua mbjell një dhimbje të thellë e të pamat në shpirtin e saj qëndrestar. Prandaj asaj i duhet të qëndrojë, siç qëndron ninulla nëpër kohë, siç qëndron atdhedashuria nëpër breza dhe këngë, siç qëndrojnë gurët e kalasë e muret e shtëpisë, siç qëndron lisi në shtrëngatë.
Një luftëtarë shkon në fushën e betejës dhe bën luftën, ndërsa nënat, gratë dhe motrat bëjnë atdheun. Ky konstatim i rëndësishëm e dimensionon të gjithë librin, që i është kushtuar nënës Demire Hudënishti- Durollari. E gjendur në vendin e lirisë njerëzore, ajo vazhdoi të jetë udhëheqëse shpirtërore e familjes dhe mishëruese e njeriut shqiptarë me cilësitë më të mira të trashëguara që nga e drejta zakonore shqiptare e deri në ditët tona. Kudo ajo shkoi qe dhe mbeti një mësuese e gjuhës shqipe dhe një figurë burrërore e kombit në emigracion.
Ramiz Lushaj e ka bërë të besueshëm portretin e saj, sepse ajo ngjante dhe ishte si një atdhe që ecën. Ajo qe mërgimtarja e parë që preku atdheun e saj nga mërgimi sapo diktatura ra në Shqipëri. Gjithë jetën kishte qenë dhe mbeti një luftëtare e lirisë njerëzore. Njëqind e pesëmbëdhjetë vjet e dyqind e njëzetë e katër ditë jetë, duken si një sfidë dhe qëndresë përballë të keqes. Ajo jetoi gjatë dhe ndoshta iu lut zotit të jetonte gjatë për ta parë Shqipërinë e saj pa diktatorë dhe pa kriminelë. Dhe e preku atë ditë të shënuar. Ajo dhe qëndresa plotësuan njëra- tjetrën. Monografisti i njohur Ramiz Lushaj, e mundësoi këtë histori dhe jetë njerëzore ta njohim të gjithë, për të cilën kemi nevojë të gjithë.
* Studiues/ Tiranë
Foto Mbreteresha Geraldina e Shqipareve, Nenemadhe Demire Durollari e djali i saj Guri Durollari.

Filed Under: ESSE Tagged With: Defrim Cani, FUQIA E NJERIUT TË URTË…, NËNËMADHE DEMIRE DUROLLARI

Masakra e naziste e Borovës dhe masakra komuniste e Mirditës

November 23, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/New York/
Disa kohë më parë u përkujtuan dy masakra: 70 vjetori i masakrës së Borovës, të kryer nga nazistët dhe 65 vjetori i masakrës së Mirditës, të kryer nga komunistët. Përkujtimi u bë në mënyra krejt të ndryshme. Në rastin e parë pasardhësit e kriminelëve nazistë kokulur kërkuan ndjesë, në rastin e dytë pasardhësit e kriminelëve komunistë festuan kryelartë.
Masakra e Borovës ndodhi më 6 korrik të vitit 1943. Një autokolonë e madhe ushtarake gjermane ishte nisur nga Serbia, kishte kaluar nëpër Greqi, kishte hyrë në territorin shqiptar në Korçë dhe prej aty do të shkonte me shpejtësi drejt jugut, me qëllim, ndoshta arritjen në Greqi, për t’u bërë ballë forcave anglo-amerikane që mendohej se do të zbarkonin në jug të Greqisë. Gjatë rrugës, autokolona ndaloi në fshatin Borovë, nja 5 kilometra larg Ersekës. Drejtuesit e autokolonës biseduan me parinë e fshatit për të marrë vesh nëse kishte ndonjë rrezik rruga që do të bënin më tej. Paria e fshatit i siguroi se rruga nuk kishte asnjë rrezik dhe autokolona u nis duke përshëndetur parinë dhe fshatarët. Pak kilometra nga fshati, kur autokolona një pjesë të saj e kishte ende në Borovë, një pritë partizane, në vendin e quajtur Barmash, qëlloi mbi të duke vrarë e plagosur disa gjermanë dhe, pastaj, duke ia mbathur, e la fshatin nën hakmarrjen gjermane. Pas atij aksioni, autokolona u ndal dhe kreu një masakër mbi fshatarët e Borovës, duke vrarë pa dallim mbi 100 veta që nuk kishin asnjë lidhje me pritën partizane. Nuk dihet nëse ata u vranë si hakmarrje sipas rregullit gjerman që për çdo gjerman të vrarë do të vriteshin dhjetë të tjerë, apo të zemëruar nga prerja në besë e banorëve të fshatit që u thanë se rruga ishte e lirë. Nuk dihet, po ashtu, nëse partizanët kishin apo jo dijeni për bisedimet që kishin bërë në Borovë gjermanët me fshatarët dhe për garancinë që kishim marrë prej tyre për sigurinë që do të kishin në rrugë. Nëse partizanët e dinin se ç’kishte ndodhur në fshat, përgjegjësia e tyre për vrasjet e kryera nga gjermanët ishte shumë e madhe.
Masakra e Mirditës ndodhi më 17 gusht të vitit 1949. Më 7 gusht të atij viti u vra, nga grupimi antikomunist “Komiteti i Maleve”, Bardhok Biba, eksponenti më me rëndësi i komunizmit në Mirditë. Komiteti i Maleve, njëlloj si prita partizane e Barmashit, më pas ia mbathi, duke e lënë zonën nën hakmarrjen komuniste. Trupat ushtarake komuniste, nën urdhrat e Mehmet Shehut, bastisën me egërsi krejt zonën e Mirditës, arrestuan mbi 300 persona nga burrat më me ndikim të zonës dhe çuan në internim 300 familje, të gjithë pa asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës. Nga personat e arrestuar, nga një gjyq i shpejtë i kryesuar nga Bilbil Klosi, u dënuan 14 veta me vdekje: 10 me pushkatim dhe 4 me varje. Në vendin ku qe vrarë Bardhok Biba, në Qafë të Valmirit, komunistët mblodhën mbi 2000 mirditorë për të parë ekzekutimet që do të kryheshin: këtë shfaqje të kriminalitetit dhe sadizmit komunist. Prej të arrestuarve, pak më pas, vdiqën nga torturat dhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin e të vrarëve për vrasjen e Bardhok Bibës në 17 veta. Në këtë mënyrë, komunistët shqiptarë ia kaluan për nga kriminaliteti edhe nazistëve gjermanë. Ka edhe një masakër tjetër komuniste edhe më mizore se ajo e Mirditës: është masakra që u krye me rastin e hedhjes së një sasie dinamiti në Përfaqësinë Diplomatike Sovjetike e cila nuk shkaktoi dëme në njerëz e, për të cilën, komunistë vranë 22 veta që nuk kishin fare lidhje me hedhjen e dinamitit, midis të cilëve edhe një grua, por masakra e Mirditës, për nga lloji, është më e ngjashme me atë të Borovës.
Ndryshimi midis masakrës së Borovës të kryer nga nazistët dhe masakrës së Mirditës të kryer nga komunistët është se ndërsa e para u krye në kushte lufte, në kushte kur njeriu kryen veprime që nuk i kryen normalisht në kushte paqeje, masakra e dytë, ajo komuniste e Mirditës, u krye në kushte paqeje. Ndryshim tjetër është se ndërsa e para kryhet nga një ushtri kundër një populli të huaj, masakra e dytë kryhet nga një ushtri kundër popullit të vet.
Të vijmë në kohën e sotme.
Në vitin 2013, me rastin e 70 vjetorit të masakrës së Borovës, erdhi nga Gjermania djali i njërit prej ushtarakëve nazistë që mori pjesë në atë masakër. Ai kishte lexuar në kujtimet e të atit për atë masakër dhe erdhi në Shqipëri dhe, para banorëve të zonës ku u krye masakra, kërkoi ndjesë në emër të të atit. Atë njeri nuk e dinte kush se ekzistonte dhe nuk mund ta vinte njeri para përgjegjësisë morale që të vinte e të kërkonte ndjesë. Megjithatë, ai erdhi, kërkoi ndjesë për atë që kishte kryer i ati i tij dhe në atë mënyrë u paraqit si një njeri që dënonte veprimet kriminale të të atit, si një njeri që ishte krejt ndryshe nga i ati. Një vit më pas, me rastin e 71 vjetorit të masakrës, shkoi po në atë vend ambasadori gjerman në Shqipëri dhe kërkoi edhe ai ndjesë në emër të popullit dhe shtetit të tij.
Në vitin 2014, me rastin e 65 vjetorit të masakrës së Mirditës, komunistët shqiptarë përkujtuan me ceremoni vrasjen e Bardhok Bibës, pa thënë asnjë fjalë për vrasjet dhe persekutimet që kryen paraardhësit e tyre mbi popullsinë e zonës së Mirditës si hakmarrje për atë ngjarje. Kjo është njëlloj sikur në Borovë të mos vinte djali i atij që mori pjesë në masakër, por të vinin djemtë e atyre që u vranë nga njësiti partizan komunist dhe të përkujtonin vrasjen e tyre.
Po e ndërpresim këtu shkrimin dhe po bëjmë një digresion të shkurtër, por të nevojshëm, për të vazhduar më pas për temën që nisëm:
Sa më primitiv të jetë njeriu, aq më shumë del në krah të species së tij, të llojit të tij, pavarësisht nëse specia e tij, lloji i tij, ka të drejtë apo jo. Një njeri i plotë, një njeri i moralshëm, nuk niset kurrë nga interesi i tij apo nga ai i të ngjashmit në lloj, për të përcaktuar qëndrimet. Tek ai instinkti i mbrojtjes së llojit, gati është shuar dhe është gjallëruar së tepërmi ndjenja e mbrojtjes të së drejtës dhe së vërtetës. Në këtë kuptim, kur ne nuk jemi të gatshëm të kritikojmë apo të dënojmë të afërmin tonë që ka kryer një krim, tregon se jemi ende në fazë primitive të zhvillimit njerëzor.
Kur është fjala për qëndrime ndaj të panjohurve, ndaj atyre që janë larg, përdorimi i kriterit të së vërtetës dhe të së drejtës, ndofta kryhet pa shumë vështirësi por, kur është fjala për interesa vetjake, për interesa të të afërmve, për interesa të të njohurve, për interesa të familjarëve, një njeri i zakonshëm e ka të vështirë të mos jetë përkrah tyre edhe kur ata nuk kanë të drejtë, pra e ka të vështirë të jetë i drejtë, të dalë në krah të së vërtetës. Ky qëndrim është instinktiv dhe rrjedh në përgjithësi nga natyra e njeriut e cila është në shërbim të mbijetesës së llojit.
Në një shkollë fillore amerikane u bë një vëzhgim për të vënë në dukje qëndrimin e fëmijëve ndaj njerëzve të tyre, qëndrim që do të tregonte nëse fëmija, i cili nuk është ndikuar ende nga kultura apo mjedisi, pra njeriu në formën primitive, vepron më shumë në bazë të ndjenjave, në bazë të instinkteve, apo në bazë të parimeve të drejtësisë. Të gjithë fëmijëve të shkollës iu dha nga një pyetësor në të cilin bëheshin këto pyetje: 1. A mendoni se duhen dënuar ata që prodhojnë drogën? 2. A mendoni se duhen dënuar ata që shpërndajnë drogën? 3. A mendoni se duhen dënuar ata që përdorin drogën? Të gjitha këtyre pyetjeve nxënësit e vegjël iu përgjigjën me një “po”. Për ta, të gjithë këta njerëz duhej të dënoheshin. Pyetja e fundit që u bëhej nxënësve ishte: Në qoftë se prodhuesi, shpërndarësi apo përdoruesi i drogës është: babai, vëllai, kushëriri apo shoku juaj, a mendoni se duhet dënuar? Kësaj pyetjeje gati të gjithë nxënësit iu përgjigjën “jo.”
Të vijmë aty ku e lamë:
Veprimet e gjermanëve të sotëm, ndonëse shtypi shqiptar i përshëndeti, janë ende krejt të pa perceptueshme për mendësinë, kulturën dhe ndjenjat tona. Duhet të jesh njeri me kulturë të vlerësimit suprem të së vërtetës, me kurajë morale dhe me ndjenja të forta fetare që të veprosh në atë mënyrë, gjëra që te ne ende mungojnë. Sjellja e gjermanit, e djalit të nazistit, në mediet shqiptare u interpretua më shumë si një dëshmi e fajësisë së gjermanëve, si një rast i pafajësisë së partizanëve, si një rast për të vënë në dukje martirizimin e banorëve të fshatit, sesa si një vepër e shkallës më të lartë të karakterit moral të gjermanëve të sotëm, si një dëshmi e denazifikimit të Gjermanisë së sotme. Ky veprim, përveç të tjerave, duhej të shërbente edhe për të bërë të mendonin mirë pasardhësit e kriminelëve komunistë që kanë persekutuar, torturuar e vrarë mijëra shqiptarë gjatë sundimit të tyre dhe t’i bënte të vepronin edhe ata si gjermani dhe si gjermanët. Këtu nuk kam parasysh pasardhësit e familjes së Enver Hoxhës, të cilët edhe sot e kësaj dite janë të bindur se sistemi kriminal që krijoi e zbatoi i pari i tyre ishte më i miri e më humani në botë, as ata që ishin dhe mbetën komunistë e mizorë, por kam parasysh njerëz të tillë si Gramoz Pashko, si Ardian Klosi, si Bashkim Shehu, si Edi Rama e shumë e shumë të tjerë si këta, të cilët e paraqitën dhe e paraqesin veten si demokratë, si kritikë të ashpër sistemit komunist, si kritikë të atij sistemi mizor e gjakatar, si kritikë të atij sistemi që ndërtuan dhe mbajtën me gjak prindërit e tyre të cilët persekutuan, dënuan, torturuan dhe vranë njerëz krejtësisht të pafajshëm.
Do të thoni ju, mirë të tjerët, por ç’ne Edi Rama, i ati i tij nuk ka qenë as gjykatës, as prokuror, as hetues kriminel, as anëtar i ndonjë skuadre pushkatimi, as spiun sigurimi, ai ka qenë artist. Po është e vërtetë, por ai ka qenë edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe si i tillë ia donte posti të vinte firma vdekjeje për persona që do të ekzekutoheshin. Do të thoni ju përsëri se firma e tij ka qenë formale, se ata që ishin caktuar për t’u vrarë, do të vriteshin me apo pa firmën e tij. Po. Kjo është e vërtetë, por ai megjithatë mban përgjegjësi. A e dini se me ç’kusht mori përgjegjësinë e të qenit anëtar i regjencës gjatë kohës së pushtimit gjerman Patër Anton Harapi? Përveç të tjerave ai vuri kushtin që të mos pritnin prej tij asnjë firmë për dënimet me vdekje.
Do të thoni prapë: sa para bën, si të kërkojnë ndjesë si të mos kërkojnë ndjesë pasardhësit e kriminelëve, ata që u çuan drejt vdekjes nuk do të ngjallen. Po edhe kjo është e vërtetë: ata nuk do të ngjallen, por pasardhësit e kriminelëve do të tregonin me atë rast se nuk ishin si prindërit e tyre, se ata tashti janë të ndryshëm prej tyre, se ata kanë kryer brenda vetes dekomunistizimin, se atyre u vjen vërtet keq për ata që masakroi komunizmi. A dini se ç’thoshte Gandi për lutjen? Lutja që bën dikush, nuk ndryshon planet e Zotit për të, por ndryshon vetë atë që lutet. Edhe kërkesa e ndjesës nga pasardhës të kriminelëve nuk do të ç’ bëjë atë që bënë paraardhësit kriminelë, por do të ndryshojnë vetë ata që luten për ndjesë, njeriun e sotëm, fëmijën e prindit kriminel.

New Jork, nëntor 2014 ILIR HASHORVA

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe masakra, e Borovës, Ilir Hrashova, komuniste e Mirditës, Masakra e naziste

“Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” përurohet me 26 Nëntor nga ARBI Ltd dhe Federata VATRA

November 23, 2014 by dgreca

Sapo ka dalë nga shtypi libri i studiuesve Skëndër Blaka e Ismail Ismaili, ku është kontribuse edhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”. Libri është i ndërtuar me letra të rilindasve, por që rrokin histori të hershme, që nga Lashtësia, në hapsirën kohore midis vitit 1238 p.Kr., e deri me 28 Nëntor 1913. Janë gjithsej 296 letra, që rrokin 3151 Vjet histori.
Sic njoftohemi nga Prishtina, Botuesi “ARBI Ltd” ne Prishtine, dhe Federata VATRA – Nju Jork, me 26 nëntor, në orën 19, në hotelin Sirius në Prishtinë, bëjnë përurimin e librit “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” të autorëve Skënder Blakaj e Ismail Ismaili.

Filed Under: Vatra Tagged With: “Letërkëmbime, dhe Federata VATRA, nga ARBI Ltd, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare" përurohet në Prishtinë me 26 Nëntor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4271
  • 4272
  • 4273
  • 4274
  • 4275
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT