• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REXHEP RAMË BALIDEMAJ, MJESHTËR I MADH,MËSUES I POPULLIT, SHQIPTAR SHEMBËLLTAR

October 27, 2014 by dgreca

nga Ramiz LUSHAJ/
1-I riu 18 vjeçar Rexhep Rama (Balidemaj) në vjeshtë ‘38 e kapërceu Adriatikun. Nga Gjimnazi i Shtetit i Shkodrës shkoi në Akademinë Ushtarake në Milano, Itali. Zgjedhja e tij ishte traditë e trollit, e kullës, e botëformimit të tij. Pushkën e kishte për fis si i kelmendas, i plavë-gucias, i martinaj. Sportin e kishte për shpirt. Zgjuarsinë e kishte genetike, natyrale, librore, jetësore, me etje e dritë.
Drejt Perëndimit. Si pro-perëndimor. Kështu shkoi Rexhep Rama qyshse në “Kohën e Zogut”. Me marrë kulturë perëndimore. Me u vesh ushtarak i lartë. E çonin sytë e shpirtit, mendja e zemrës, hapat e rritës së tij. Shpesh ndrronin sistemet, pushtimet, regjimet, po ai nuk ndryshoi në qënien e shpirtin e tij, në familjen e tij, në udhën e tij.
Rexhep Rama ishte e mbetet shqiptar pro-perëndimor, si fisi i tij kelmendas. Nji fis i madh, me emblemë si principata e Kastriotëve të Skënderbeut, fis me kontat e vet, fis me aleanca me Papatin e Romës e Perandorinë Austriake në Kryengritjen Kundërosmane (1689) të prirë nga ipeshkv Pjetër Bogdani, etj. Nji fis me qytetërimin e vet të lartë në ngulimet etnike nga bregdeti në Alpe, me historinë e vet lavdimadhe në shekuj.
Rexhep Rama është rrënja-degë selcian, i një prej katër vllaznive të mëdha të fisit historik të Kelmendit. Është trojenik i Kelmendit të Rrafshit (i ulët, fushor) në luginat e Gucisë, Plavës, Gërbajës…Është i fshatit Martinaj. Pema gjeanologjike i shkon deri në 26 breza shqiptar etnik, deri në shek. XII, tek të parët e fisit të tij që Enciklopedia Gjermane (1854) i cilëson si një “nga fiset e vjetra ilire”. Gjithnji në gjak, në mendime e ecje, i ka gjallnue e shembullue fisi i vet kelmendas. Dhe tek emrat. Gruaja e tij, Mamica, nji zonjë grua, e mbante si të dytë emnin Vera. Njisoj si të nanës së Kelmendit (Kelmecia) – të parit të fisit Kelmend, e cila kishte dy emna: Vera e Shota (Shih: “Nokshiqi i Historisë”. Monografi. Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës. Tiranë, 2013, f. 35)
Rexhep Rama i ka trojet e moçme në fshatin etnik shqiptar Martinaj. Skej liqenit e qytetit të Plavës. Krejt afër qytetit të Gucisë, në juridiksionin administrativ të saj. Martinajt janë bash ndërmjet tyne. Gjeografikisht. Etnikisht. Historikisht. Si privilegj i Zotit, si pjesë e shtyllës vertebrore, si pjesë e palcës së tyre etno-historike. Këto dy qytete ilire i pat’ ringrit edhe vet perandori romak me origjinë ilire, Konstandini i Madh. Deri në kohën e copëtimit etnik me të padrejtit kufinj gjeo-politik të 1913-tës, Gucia – thirrej ndryshe dhe “Qytet i Kelmendit”, që n’ato kohna të LSHP kishte mbi 400 shtëpi, mbi 11 mijë banorë, mbi 50 dyqane edhe për qeleshe (plisa), për argjendari, etj.
Jo rrallë, disa mëkatar’, me shtysa nga klucje klanpolitike ose padija etno-kulturore, jargin mbrapshti me verbëri kombëtare tue i quajt Martinajt e vendorigjinës së Rexhep Ramës e çikës së tij Liri Berisha – ish Zonja e Parë e Shqipërisë (1992-’97) si një “vend sllav”, “popull sllav” e pavërtetësi të tilla poshtalake. Kjo po më ban me u ndal pak si zgatshëm në do fakte ma të fundit, të shek. XXI, të dekadës së dytë të tij:
Së parit, sotpërsot, Martinajt, si fshat i madh shqiptar, janë në bashkësi lokale administrative me Gucinë, kit’ komunë krejt të re (157 km2), e cila – pas Ulqinit e Tuzit, vjen e treta për nga popullsia shqiptare në shtetin e vogël të Malit të Zi. Së dyti, vet Martinajt janë një nga pesë fshatrat nën Malin e Zi me popullsi mbi 500 banorë shqiptarë. Së treti, Martinajt janë fshati i dytë ma i madh për nga territori e popullsia etnike shqiptare në krejt Alpet Shqiptare nën Malin e Zi. Sipas rregjistrimit shtetëror malazez të vitit 2011 Martinajt kanë 172 shtëpi e 532 banorë (nga të cilët 501 janë shqiptarë etnik), kurse Vuthajt e Gucisë kanë 644 shqiptarë, Dakajt e komunës Rrozhajë 362 shqiptarë. Të gjithë fshatrat e tjerë në Malin e Zi me mbi 90 për qind të popullsisë shqiptare, përndryshe 49 të tillë, të mëdhenj e ma së shumti të vegjël, krejt të vegjël, janë në Ultinën Bregdetare, si në Ulqin e Tuz, në Tivar e Podgoricë.
Martinajt, edhe në këto tre vitet e fundit të këtij shekulli euro-atlantik janë tue u përballë me shovinizmin shtetëror malazez të Podgoricës e Çetinës, pasi ia kanë zgrap shkallimisht para njëzet vitesh një pjesë të madhe të bjeshkëve të saj tue ia kalue padrejtësisht komunës fqinjë të Andrijavicës. Tjetër. Iu kanë ndërtue në Kodër Jerina – në vendbanimin e princeshës së hershme ilire Jerina, një deponi antiekologjike, jetë e tokë helmuese, qëllim shpopulluese për banorët e atyhit, ku vendgrumbullohen çartanisht mbeturina të keqsjelluna nga komunat përrreth deri dhe nga Berana largavijë. Ce tre vite Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe për Malin e Zi e Bregdetin, peshkopi ultranacionalist i Çetinës, Amfilohije Radoviq, vjen shpesh në Martinaj me suitën e tij me veladon të zi dhe toga me policë e ushtarë me shkopinj, armë e pranga, sepse po don shtrengueshëm me e ngrit aty një kishë ortodokse sllave ku nuk ka astenji banorë të vetëm të besimit ortodoks, don me e vnue kapicën e zezë malazeze mbi varret e shqiptarëve të vrarë përgjakshëm nga sllavët ardhacakë, etj.
Martinajt, martinasit e atyshëm, ende po burgosen e dënohen nga shteti malazez vetëm pse i kërkojnë aktivisht të drejtat e tyne kushtetuese, euro-atlantike; ende po privohen nga punësimet, shërbimet komunare, etj.; ende po luftojnë, sakrifikojnë e sfidojnë si heronj të gjallë për me jetue e vdek si shqiptar etnik, me gjuhë, virtyte, tradita e kulturë shqiptare, me pasardhës shqiptar.
Një poete 20 vjeçare, Fortuna Balidemaj (Mehaj) lind e rrit në Martinajt e historisë, tek vëllimi i saj poetik “Dritë në zemër” (Klubi i Shkrimtarëve. Pejë, 2012, f. 99) me frymë të lart kombëtare i guf vargu epik: “Luftoj me djallët / Me bajlozin e zi / Ta mundi këngën e qyqeve /…“Këtej janë varret e stërgjyshëve”/ dhe i jep shqiptarisht, si apel e sfidë, amanetet e trollit, që “do t’i shkruaj në Flamurin Kuq e Zi”.
2.Rexhep Rama, djalë i ri mbi 23 vjeçar shtatlart e mendjekthjellt, pasi kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Milano i thanë të qëndronte aty si pedagog. Iu duhej për mendjen, virtytet e vlerat e tij. Nuk e pranoi ofertën e rrallë. I faleminderoi ata. U rikthye në Shqipëri, në Shkodër – kryeqytetin vilajet e sanxhak të Veriut Shqiptar që deri në shek. XIX i përfshinte dhe Plavë-Gucinë e Martinajt e tij.
Ishte viti ’42. Luftë ishte. Në Itali e pat’ nxanë Lufta ’39 e pushtimit fashist të Shqipërisë. Dhe Lufta e Dytë Botërore e gjeti atje. Rexhep Rama ishte kundër kufijve antishqiptar të viteve 1878, 1913, 1919. Nuk donte të ishin të ndamun ndërveti as Valbona e Limi. As Gucia e Plava me Vermoshin, Pejën, Sanxhakun (Tregu i Ri). As Shkodra me Shkupin e Mitrovicën. As Çamëria me Kosovën. E donte Shqipërinë në kufijtë e vet të vërtetë, trojenik, të kahmotshëm. Në monografinë memorie e memorial “Profesor Rexhep Ramaj model i intelektualit të përsosur 1920-2006” (Grand Prind. Tiranë, 2009), shkrue nga dy miq të tij prej të vërteti, nga prof. dr. Qemal Shalsi e akademik Gudar Beqiraj – asokohe kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjejmë lexueshëm një tjetër dimension të kulmtë të këtij oficeri akademist: “Në vitin 1942, kthehet në Shkodër dhe menjëherë udhëton drejt Kosovës ku dha ndihmesën e tij për çlirimin e Kosovës deri në 1944, kur u kthye në Tiranë” (f. 15).
Me kit’ akt të lart’, Rexhep Rama (Balidemaj), ky luftëtar i lirisë, i përnget palcë e kockë trollit e genit të vet. I mendjes në strategjinë ushtarake. I pushkës në Luftën Partizane. Pushka tek një mendje e ditun bahet edhe ma e fort në hise, krismë, drejtësi, lavdi. Ai shkoi kryeudhë në luftë për kombëtarizëm, për liri e pavarësi; për Martinajt e origjinës dhe Shkodrën e rritës së tij, për Guci-Plavë e Kombin e tij. E përditshmja amerikane “The Sun” e 28 korrikut 1907 artikullon: “Nga të gjitha fiset shqiptare, Guciajt konsiderohen se janë më krenarët dhe më luftarakët. Malësorët e Plavës e të Gucisë, mbahen si më të pashmit e më besnikët mes tyre për çdo premtim që bëjnë…”.
Mjeshtri i Madh e Mësuesi i Popullit, Rexhep Rama, ndje’ krenari deri në amshimin e breznitë e veta për Martinajt e Plavë-Gucinë, kit’ trevë të rritur dhe të mbetur në luftë…Kjo krahinë, shpesh herë, në Antikitetin Ilir, nën pushtimin Romak e atë Otoman, ishte “Provincë e Pavarur”. Autoktone. Autonome. Në vite lufte të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP) thirrej “Arbnia e Vogël”. Kësokohe, në Luftën e Nokshiqit – e njoftun dhe si Lufta e Luginës së Epërme të Limit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880) u ngrit për herë të parë në një betejë frontale Flamuri Kombëtar Shqiptar i Skënderbeut. Kjo Luftë e Madhe u udhëhoq nga Ali Beg (Pashë) Gucia e Haxhi Zekë Byberi me LSHP kundër vendimeve të Shtatë Fuqive të Mëdha (Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia, Rusia, në bashkari me Perandorinë Otomane), të cilat në Kongresin e Berlinit (1878) kërkuan dorëzimin e territorit etnik shqiptar të kazasë së Gucisë (Plavë-Guci) për Principatën shovene të Malit të Zi të Krajl Nikolla I. Në kit’ luftë me përmasa ndërkombëtare, pas mundjes shkalafitëse të ushtrisë malazeze, mbetën aty, në fushëbetejë, dhe katër flamuj të Rusisë. Historia po dëshmo: kjo luftë e jashtëzakonshme ishte Parathanie e Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare më 1912 në Vlorën e Flamurit e të Ismail Qemalit. “Nju York Daily Tribune”, gazetë amerikane e 20 prill 1903, dokumenton:“Erdhi momenti kur banorët e Plavës e Gucisë do të shkruanin historinë. Ishte periudha pas vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878. Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga popullsia dhe liderët shqiptarë, të cilët të organizuar në Lidhjen e Prizrenit, arritën t´u bënin ballë me sukses përplasjeve të shpeshta e të pabarabarta me ushtrinë malazeze, duke bërë që praktikisht në vitet 1878-1912, të gëzonin de facto statusin e një republike të pavarur vetëqeverisëse, duke mos lejuar madje as guvernatorët osmanë të ushtronin funksionet e tyre administrative dhe duke sfiduar nga ana tjetër hapur edhe vendimet e Fuqive të Mëdha. Pas Konferencës së Londrës më 1913, këto rajone përfundimisht shkuan në aneksim të Principatës të Malit të Zi”.
Plavë-Gucia, sëbashku me 70 kullat e Martinajve (selcianët Balidemaj, vukeljanët kelmandas në tri vllazni: Hasangjekaj – dera e Bajraktarit, Prelvukaj e Lecaj) treguan qëndresë të jashtëzakonshme kundër ofensivës ushtarake-luftarake të Mbretërisë së Malit të Zi. Pati sakrifica të pashembullta. Nga tetori 1912 i pushtimit barbar e deri tek nëntori 1913 i aneksimit territorial të Plavë-Gucisë pati një masakër tragjike të përgjakshme, e (pa)njoftun në histori si “Masakra e Previsë”, ku siç përjeton kanga e popullit: “ Shtatëqind vetë janë pushkatue / Asnjë gjallë nuk ka pshtue…”. Kjo është një nga masakrat ma të mëdha në historinë e globit prej se nga koha e Krishtit e Muhametit. Një masakër e kryer nga vet Mbretnia e Malit të Zi të Krajl Nikollës së Parë, nga ky shtet i vogël artificial ballkanik e “protektoriat” disashekullor i Rusisë së Madhe. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë duhet ta shqyrtoj kit’ masakër të jashtëzakonshme kundërshqiptare, pasi i përmban pesë elementë të dënueshëm botnisht: Genocid. Terror. Krime kundër Njerëzimit. Krime Lufte. Spastrim Etnik. Atë ditë kur bota e sotme planetare do të mësoj plotërisht e shkencërisht rreth kësaj masakre të madhe do të shohim se shqiptarët e Plavë-Gucisë e të Martinajve do të jenë në krye të listës botërore si ndër ma të diskriminuarit në glob nga fqinjët e vet ballkanik slave ardhacak, nga shteti i Malit të Zi multietnik.
Trepça, vendbanim nga ma të vjetrit në krahinën e Plavë-Gucisë, që e cek dhe albanologu Franc Nopça (“Nga Shala në Kelmend. Përkthim. Sarajevë. 1910), aty, kah shek. XVIII, e mori emnin tjetër popullor e zyrtar: Martinaj, në nderim e përkujtim të një kryetrimi selcian. I njoftun si Martini i sakrificave e i sfidave. Ai u vra në pabesi, tradhtisht, fill pas pjesmarrjes aktive në Kryengritjen Antiosmane të Kelmendasve në aleancë me Austriakët (1689). Ky Martini ishte i pari i vllaznisë selciane Balidemaj të Rexhep Ramës.
Bali Dema i Martinajve u shqua si udhëheqës i suksesshëm i kryengritjeve kundër Tanzimatit. Historiani Rexhep Dedushaj pohon se “mu për këtë Ali Beg Gucia e zgjodhi për zavendës të vetin gjatë luftërave për mbrojtjen e Plavës me Guci në vitet 1879-1880”, i cili “shkëlqeu sidomos në betejat që u zhvilluan në Gërçar, Martinaj dhe Vizitor, duke e mbrojt Gucinë nga hordhitë e Teodor Milanit, në ato ditë të ftohta dimri” (R. Dedushaj “100 vjet luftë”. Neë York. 1999, f. 40). Ai ishte një kryeluftëtar legjendar që u kthye në legjendë. Ai mbeti mbiemër i një vllaznie të madhe e të fortë selciane, mbiemri ma i hershëm i Rexhep Ramës.
Në luftë për mbrojtjen e trojeve të veta etnike, krahas mashkujve, u shquan edhe femnat martinase. Gazeta amerikane “Nju Jork Times” e 21 majit 1911 dhe gazeta franceze “Le Petit Journal” e 28 maj 1911 e cilësojnë luftëtaren prijtare Jerina, çikën e bajraktarit të Martinajve, si “Zhan D’Arka Shqiptare”. Një krahasim tejet madhor, pasi Zhan D’Ark (1412-1431) është Heroina Kombëtare e Francës, e cila në vitin 1909 u “Lumturua” dhe më 1920 u shpall “Shenjtore e Krishtërimit”.
Hakmarrja shovene bio-politike e mbretërisë malazeze goditi prapë, pabesisht e egërsisht, në derën e madhe të Bali Demës, në Balidemaj. Vasoviqët e ardhun nga Andrijavica ia vranë atij dy nipa trima: Bajram Haxhi Balidemaj dhe Arif Avdyl Balidemaj në Masakrën genocidiale të Previsë, sëbashku me disa martirë martinas si Buti Kasem Çukaj, Hysen Delia, Nezir Cufi, Zekë Haxhia, Salih Kasem Çukaj e të tjerë. Kësokohe u dogjën 11 shtëpi në Martinaj nga kapiteni Vuksan Dragoviq, antar i Gjykatës Ushtarake në të pushtuaren kapiteni Plavë-Guci. Në v. 1943 vritet në Cecun afër Previsë luftëtari martinas, Demë Reku i Balidemajve, nga dora e çetnikëve të Gjorgje Llashiqit.
Djemtë e Martinajve u bënë digë e pathyeshme në mbrojtje të krahinës të Gucisë e Plavës që nga Majat e Vizitorit e deri në Vermosh, prandaj sllavët i sulmuan përflakshëm e përgjakshëm ata. Historiani Rexhep Dedushaj dëshmon: “Pas masakrave të shkijeve në mars të vitit 1919, Martinajt shpërngulen në Shkodër. Një pjesë kthehet më vonë e të tjerët Zogu i vendos në Gurëz, ku janë edhe sot me mbiemrin Martini” (Shih: R. Dedushaj: “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër Shekuj”. Neë York, 1993).
Dhe së fundit edhe dy fakte që flasin madhërishëm për trollin genetik të Rexhep Ramë Balidemajt: Një gazetë amerikane “Nju York Daily Tribune” (20 prill 1903) nga përtej Atlantikut i ban të ditur botës: “Guciajt janë trima e të pathyeshëm: Nëse s´i përmend ata, s´ke thënë asgjë për Shqipërinë”. Fisha ynë i madh tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcies”(Zarë, 1925) hyjnon: “M’u ndër vise të Gucis / Ora e bardhë e Shqyptaris! /.
3-Rexhep Rama pati nderin me e krye Akademinë Ushtarake në Milano dhe pati fatin me krye edhe “Akademinë e Luftës” në Kosovë. Rast i rrallë për një ushtarak të lartë. Pra, si të thuash, i kishte dy akademi të plota, si vazhdim e lartësim i njana tjetres. Ai kthehet më 1945 në Tiranë. Djaloshin 25 vjeçar nga Martinajt e Gucisë e qytetar i Shkodrës e çuan në qytetin bregdetar të Vlorës, në Divizionin Ushtarak të atyhit. Ali Ohri i shtresës së aristokratike kombëtare shqiptare të Pavarësisë nga Sanxhaku i Ohrit, oficer i lartë i Gardës së Mbretit Zog e bashkëluftëtar i Abaz Kupit, themelues i kalorësisë moderne shqiptare, i përndjekur e i mbijetuar i rregjimit komunist, “Chamberlan” prej v. 2003 e mbasandejna ministër i Oborrit Mbretnor të Mbretit Leka Zogu I derisa ndrroi jetë (2010), ishte moshatar, shok e koleg me Rexhep Ramën qyshse në Akademinë Ushtarake në Milano. Ai, në monografinë “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 15-16) i skalit kujtimet e tij: “Rexhepi kishte dëshirë të mësonte shumë dhe gjithçka. Gjithnjë lexonte dhe studionte. Kur e takoja ishte ose duke lexuar ose duke shkruajtur. Dëshira për studim nuk i mungoi kurrë. Kjo punë iu ba zakon…Rexhepi në shkollë (Itali) ia zbardhte faqen jo vetëm vetes, po edhe shokëve të tij. Ai dallonte mbi të tjerët”.
Në hyrje të Akademisë të Sporteve (ish IKFS) ballon emni i një prej pedagogëve të saj, Rexhep Rama. Ai i kreu studimet në IKFS. Ishte i dyti universitet i tij. Arriti të jetë ndër pedagogët e tij shembëlltar prej atëherit e dekteri më sot. Jepte boks e mundje, po dhe ngritje peshe e skermë. Emni po i jeton në breza studentësh, në memorien e kohës. Një nga ish-studentët e tij (1962-’63) e koleg i tij në KKFS në Tiranë, prof. dr. Ilia Gaxho ujëvaro e kulmon me vlerësimet tij: “Profesor Rexhep Ramaj është figura më poliedrike që ka nxjerrë sporti shqiptar…Nuk u mposht asnjëherë atje ku punoi. Ishte me karakter të fortë, humanist dhe profesionist i përsosur. Me autoritetin, horizontin dhe ndershmërinë e tij kishte marrëdhënie shumë të mira me njerëzit, të cilët e donin shumë. Për erudicionin dhe gjuhët e huaja që fliste, edhe të huajt flisnin me respekt…”(Libri “Profesor Rexhep Ramaj…”. f. 77-78). Prof. dr. Guido Subashi shprehet
për pedagogun e kolegun e tij (1960-’70) Rexhep Rama me një vlerësim tejet të lartë: “Me sjelljen e tij të ëmbël, të ngrohtë, miqësore e dashamirëse prof. Rexhepi na impononte autoritetin e tij me respekt të vetëdijshëm e të sinqertë. Mësimet me të, i prisnim me shumë dëshirë dhe endje, nuk komunikonte me ton të ashpër, përkundrazi të butë, por kërkues. Urdhrat dhe komandat i jepte me gjeste shprehëse dhe me pamjet engjëllore drejt nesh…”(Po aty. f. 78).
Mësuesi i Popullit, Rexhep Ramaj, në moshë rreth të pesëdhjetave e kreu universitetin e tretë për juridik. Njohja e ligjit të jep forcë, të hap udhë, mbi të gjitha është kulturë jetësore e profesionale. Ai, kështu, u ba me tri shkolla të nelta.

Në vetëdijen e objektivat e tij ai donte me i dhanë sportit, shkollës e kohës shqiptare, po dhe me mujt me i qëndrue mirë në kambë e në ecje sistemit komunist në dekada. Gjithë jeta iu ba shkollë dhe shkolla në ma të shumten kohë iu ba vet jeta e tij. Nxanës në gjimnazin e Shkodrës. Student në Akademinë Ushtarake në Milano. Mësues në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Pedagog në Universitetin e Sporteve (IKFS). Mësues në shkollën Ekonomike në Tiranë.

Zakonisht sportistët e mirë i ikin politikës së keqe, po nganjëherë politika me disa të këqija të saj i ndjek nga pas sportistët e mirë, veçmas në diktaturat e randa e ato të gjata. Rexhep Ramajt duket se i kanë ndodh’ te dyja. Mjafton me i kqyr lëvizjet e tij në detyra e funksione të ndryshme shtetërore si në ushtri, sporte, arsim dhe kushdo bindet për nji të tillë realitet në disa epoka historike të kombit. Edhe kur politika u mor me të ai nuk u mor me politikën. Ai e njifte kohën dhe vetëveten.

Dr. Muhamet Malo, Mjeshtër i Merituar i Sportit, filantrop e humanist i madh, pronari i suksesshëm i Euro-Lloto, TeleSport, teleferikut Dajti Expres e aksioner tek Credins Bank, president i Federatës Shqiptare të Mundjes, i dekoruar nga AFCES me Çmimin “Pjetër Bogdani”, mbi të gjitha njeri nobel – i mirë e me të mira, tek monografia “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 55) flet me shpirt për kit’ njeri të rrallë të sporteve shqiptare: “ai kishte një energji të atillë, sa që kur e shihnim, duhej të fluturonim që të ishim baraz me të. Them se të tillë shqiptarë është keq që i mungojnë këtij vendi”.

4.
Rexhep Rama, i Balidemaj, duket se u lind në Shkodren e historisë e të qytetnisë vetëm për Sportin Shqiptar. Zoti e genetika e tij i dhanë atij gjithçka duhej për t’u marrë me sporte dhe ai fitoi e dha gjithçka mundi për sportin në kohën e vet e për brezat. Ai u rrit me sportin dhe sportet e rritën atë. I ka C.V., i ka lartësi, i ka mbiemnin e tij. Ai dhe Sporti nuk ishin dy, po nji e vetëm nji. Askush nuk mundi me i nda ndërveti: as vështirësitë gjithfarësh, të shumta, të shpeshta; as politika ma e acartë; as mosha e parë apo e tretë. Kurrkush. Kurrnjiherë. Dje, sot e nesër, disa sporte ecin me emnin e tij, si themeli e naltime, në hapa ecjeje e në kuota arritjesh. Gazetari e veprimtari Agron Sejamini, mjeshtër i grafikës digjitale shqiptare e i shkruarjes pastër të dhjetra portreteve në gazeta e libra, i ka thanë do fjalë plot meritë për meritat e Rexhep Ramajt: “Zoti e ka sjellë në jetë për të bërë sportin… Dhe ai këtë mision e besim e justifikoi. Ishte fat për Shqipërinë që në atë periudhë rilindjeje, kishte në gjirin e saj, Rexhep Ramajn. Një njeri i shkolluar dhe i përgatitur që do ishte luks mbase edhe për shtetet e zhvilluara perëndimore. Mbaruar Akademinë Ushtarake në Milano, i pajisur me njohuri të gjera dhe informacion shkencor për zhvillimin e sportit, zotërues i katër gjuhëve të huaja dhe mbi të gjitha një atdhetar i përkushtuar për të ecur sa më përpara kombi”. (A. Sejamini “Rexhep Ramaj – një nga majat e sportit shqiptar” (RD. 25 shtator 2008, f. 14-15).

Rexhep Ramaj, i nderuari me “Urdhër Olimpik”, fjalaflet në kujtimet e tij: “Veprimtarinë sportive e kam fillue që në moshë të re. Veçanarisht si konviktor në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Atëherë jam aktivizuar në atletikë, gjimnastikë, basketboll dhe në not. Në periudhat e pushimeve verore me grupe shokësh kam bamun skautizëm, turizëm e alpinizëm më shumë në bjeshkët dhe Alpet e Veriut…Në not kam marrë pjesë në stafeta dhe në notimet e gjata të kalimit të liqenit të Shkodrës. Basketbollin e kishim me shumë pasion, në fillim jam aktivizue me skuadrën e klasës pastaj në atë të shkollës që ishte njëkohësisht edhe e qytetit të Shkodrës…”(Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…” f. 12). Ishte e këtillë vet koha e Zogut që rriti talente të mëdha të sportit shqiptar, pasi në Ministrinë e Arsimit, ministri Mirash Ivanaj, kishte krijue një sektor të veçantë për sportet me drejtues prof. Luigj Shalën dhe pati hapa e fryte deri ndërkombëtare. Ishte dhe Shkodra vend me mundësi e hapësira për sportet. Në vitet 1934-’36 në gjimnazin e Shkodrës u ndërtue një kompleks sportiv që i kishte dhe tre fusha basketbolli, ndërkohë që në Tiranën kryeqytet ishte një e vetme tek Shallvaret. Ishte dhe vet Rexhep Rama, pasionant, kontributor, aktiv, cilësor, i cili në pranverën ’36, mori pjesë e fitoi në gara e kampionate. Sportet i ushtroi edhe kur ishte në Akademinë Ushtarake në Milano.

Rexhep Rama ishte shumësportësh e shumëvlerash.
Ai mori pjesë e zuri vende nderi në garat e atletikës (Tiranë, pranverë, 1945), në garat e para kombëtare të qitjes (Tiranë, 1946) etj. Në skermë u shpall kampion kombëtar, etj.

Më 1947, tashma i rikthyer nga Vlora në Tiranë me detyrën e pedagogut në shkollën “Skënderbej”, iu mirëbesua të ishte përgjegjës teknik në organizimin nga Garnizioni i Tiranës i të parit Manifestim Gjimnastikor. Deri kah Dekada ’50 u mor’ me ekipe sportive ushtarake në sportet basketboll, volejboll, etj. Në v. ‘46 dha kontribut themeltar për ngritjen e klubit sportiv “Partizani”, etj.
Rexhep Rama, më 1947, sëbashku me Sotir Polenën, Ali Kastratin, Luigj Shalën, Myftar Markun, organizuan kampionatin e parë kombëtar të boksit.
Më 1947, krahas “punës të rrogës” iu caktue edhe detyra tjetër: ngritjen e ekipit të basketbollit për femna, ekipin e Tiranës, që e kreu suksesshëm tue pas përkrah edhe mjeshtrin Adem Karapici. Me kit’ ekip ia mbrrini me fitue pesë kampionate basketbolli për femna (1947-1952). Trajneri Rexhep Rama kishte konceptin e vlerësimin e tij për basketbollin si “sport emocionant, tërheqës, luftarak e spektakolar”.
Prof. Rexhep Rama, sëbashku me Luigj Shalën, janë themeluesit e peshëngritjes shqiptare që më 1949 dhe, sipas Ilir Krajës, sekretar i përgjithshëm i FSHP (2009), e vendosën kit’ sport “në shina të forta, me arritje dhe rezultate të larta, bazuar në traditat dhe karakterin e fortë të shqiptarëve”.
Ai ishte trajner dhe seleksionist i ekipeve kombëtare shqiptare të basketbollit për meshkuj e femna në Ballkaniadat e viteve ’46, ’47 e ’48, që u zhvilluan në Tiranë, Sofje, Bukuresht.
Në v. 1947 në Rumani iu dha Rexhep Ramës titulli “Gjyqtar Ndërkombëtar”. Ishte i pari gjyqtar shqiptar i FIBA-s. Përndryshe: vetëm pas dy dekadash, Federata Botërore e Basketbollit do ta jepte një titull të tillë, të dytë, për një tjetër gjyqtar shqiptar.
Mbi tre vite ishte pedagog në shkollën ushtarake në Tiranë dhe ngriti aty në bashkari disa ekipe sportive me terrenet përkatëse: të basketbollit, skermës, qitjes… Gjithashtu, kreu disa kualifikime ndërkombëtare për sportin si trajner e si gjyqtar. Ai ngado që ikte linte pas emnin e mirë dhe ngado që shkonte sillte shpresën e madhe për sportet…
Rexhep Rama, si rrallkush, kishte sy e dorë në përzgjedhjen e elementëve të rinj që në vite ktheheshin në emblema të sportit shqiptar. Kur shërbente ushtarak në Vlorë e pikasi dhe e përgaditi deri për portier të kombëtares shqiptare të riun italian Giacomino Poseli, i mbetur aty pas luftës së fundit. Në Ballkaniadën e Futbollit (7-13 dhjetor 1946) Shqipëria u shpall kampione e Ballkanit, ku për fitoren ishte faktor i kyçtë dhe ky portier i përzgjedhur nga Rexhep Rama. Ky ishte i pari dhe i fundit portier i huaj deri në kapërcyell të shek. XXI. Gjithato personalitete të sportit shqiptar si mjeshtrit e merituar të sportit Petrit Murzaku, Skënder Plasari…, gjyqtari i FIBA Virgjil Karaj, etj. ia dedikojnë shpirtnisht e botnisht, tërësisht a pjesërisht, udhën e arritjet e tyre sportive. Rexhep Rama “i dha dorë” ish skënderbegasit Petrit Murzaku në marrjen me sportet basketboll, futboll, volejboll e boks saqë në San Peterburg (BRSS-Rusi) ia akorduan medaljen e artë “Trud” dhe e quajtën “kombinat sportiv”. Ai e cilëson atë jo vetëm trajnerin e parë, po edhe “trajnerin e jetës” dhe shton në vlerësimin e tij: “Është një pedagog dhe mjeshtër i madh. I pa lodhur, modest, serioz në çdo punë, model, i dashur, tejet komunikues, bashkëshort, prind dhe gjysh shembullor” (Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…”f. 23). Gjyqtari ndërkombëtar V. Karaj, sportist e jurist, e krahasimon Rexhep Ramajn si “kolos” e “senator” të sportit shqiptar, i cili “iu impononte respekt, kishte një objektivitet absolut në gjykim” dhe “mbi të gjitha ai nuk merrte përsipër të zgjidhte një gjë që nuk e kishte zgjidhur më parë në mendjen e tij”(Po aty, f. 43)
Të gjitha këto arritje i pati vetëm në pesë vite të pasluftës, në ato vite të vështira të rindertimit të Shqipërisë së pasluftës kur Rexhep Rama veprimtaronte në Tiranë e në Vlorë për (ri)ngritjen e sporteve dhe arritje të larta sportive në veprimtari (ndër)kombëtare. Dekada ’50 e gjen në detyrën e inspektorit në Komitetin e Fizkulturës të Tiranës e tevona si nevojë e kohës e meritë vetjake u zgjodh dhe kryetar i tij. Përgjatë kësaj kohe rrezatonte. Ishte në kulmin e moshës e të arritjeve. Në kryeqytet i dha sportit dimensione e lartësi, masivitet e cilësi. Një nga personalitetet e sportit shqiptar, Nexhmi Kadiu, në monografinë “Profesor Rexhep Ramaj…”(f. 44) kallxo’ një episod nga koha kur KSHKFS ishte në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Asokohe, në analizë vjetore të sporteve, dr. Ibrahim Dervishi, ministër (1955-’56), ia dha fjalën Rexhep Ramës tue iu drejtue publikisht, krejt veçantë: “Fol o i gjatë, i rrallë, i mençëm”.
5-Ishte viti 1949. Sportisti, trajneri e gjyqtari shqiptar, Rexhep Rama, u martua me dashuri me një çikë me origjinë të kahershme shqiptare, me Milicën, e lindur në Beograd. Ajo ishte “një qytetare dinjitoze jugosllave”(f. 21), një “grua madhështore” (f. 39) si e mirëcilëson dhe i nderuari prof. dr. Qemal Shalsi, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Trajner Kombëtar, Nderi i Sportit Shqiptar. Emri i Mamicës të kujton atë të motrës së Skënderbeut.
Kjo martesë me Milicën (Vera) i shenjoi dhe largimin nga pedagog në Shkolla Ushtarake në Tiranë e çuarjen inspektor në KKFS të kryeqytetit shqiptar. Ka i’ herë vala a dallgët e luftës së klasave nga larg, lart e afër, e goditën Rexhep Ramën, njeriun misionar të sporteve që siç e thoshin vazhdimisht bashkudhëtarët e tij: “e zbuste edhe gurin”, “kishte potencial për gjithçka”… apo siç thotë “Mësuesi i Popullit”, komentatori sportiv Ismet Bellova “e kishim idhullin tonë, ishte frymëzimi ynë”(f. 23). Ahmet Golemi, gazetari e shkrimtari sportiv e sportisti boksier, që e kishte Rexhep Ramën pedagog, trajner dhe mik, e krahasimon atë me një “lartësi ambiçioze” tue thanë se “në optikën e shumkujt mbi maja (mali) si metaforë do t’i shkonte për shtat” këtij “kolosi” me kontribute nismë e traditë “në ndërtimin e themeleve të disa sporteve”…dhe, njëherash, ia skalit portretin me spektrim fizik, virtyt e vlerë me përshkrimin si “trup i derdhur e i lartë dhe karakter i drejtë e i papërkulur. Në të foluren, në ritet e mirësjelljes dhe të edukatës dhe deri në të ecurit e tij e lexon shpejt njeriun stoik…”, pasi ai ishte “Njeriu që i kanë hequr kapelen të gjithë…”. (A. Golemi. Vepra: “Plejada e olimpistëve” / Profile / Pjesa e parë. Tiranë, 2006).
Mamica jetoi në shenjtërinë e vet, pa dit’ e pa dasht me i ba kujt keq dhe tue nda plot rrezatim mirësi, ndere, mirënjohje. Ajo (para)gjykohet keqas, dallash, atë ditë e sot, tash 65 vjet, në gjalljen e pasvdekjen e saj, si e huaj: herë si serbe, herë si malazeze, herë si boshnjake…Politika, kulisa klanpolitike, nganjëherë është e pashpirt dhe e pafytyrë si me kit’ fakt vegëz të prejardhjes së Mamicës (Verës). Kjo politikë e sulmoi jo vetëm shokun e saj të jetës, Rexhep Rama, po edhe fëmijët e saj, edhe dhëndrrin e saj Sali Berisha – politikan i niveleve (ndër)kombëtare, si dhe nipërit e mbesat e saj e, këto ditë tetori, deri edhe stërmbesën e saj. Sulme në katër brezni. Si rrallëkund në botë. Si rrallëkend apo, ndoshta, si askend në Shqipëri. A nuk e kishte edhe Ismail Qemali “babai i Pavarësisë”, themeluesi e kryetari i parë i shtetit shqiptar modern, gruan e tij greke, Kleoniqi Anton Surmeli nga Adrineja, e lindur në Bullgari e vdek në Spanjë, e cila me status e protokoll të sodit ishte “Zonja e Parë e Shqipërisë”(1912-’14)?! Prof. dr. Ilia Gaxho teksa kujton me nderim Rexhep Ramën e familjen e tij pohon realisht: “Fatmirësisht i kam pasur edhe komshi. Edhe në pallat familja e tij ishte shembullore. Me dashamirësi zgjidhte probleme. Bashkëshortja e tij, Milica, provoi represionin e diktaturës dhe mbeti gjithmonë bujare e plot gaz…”(Po aty. f. 77)
Milica Rama në rrënjët e saj genetike rrjedh nga fisi shqiptar i Kuçit, nga treva etno-historike tredegëshe: Kuçi i Vjetër, Kuçi i Ri (Drekalët), Triepshi (Trieshët). Ky fis i lashtë e i madh, sipas akademik Mark Krasniqit, “kishte shtrirje territoriale në juglindje të bjeshkëve Bërda deri në veri tek Bjeshkët e Komit, në perëndim nga lumi Moraça dhe dega e tij Malla Rijeka, nga jugu tek rrafshina Dolani (në veri të Podgoricës) dhe bjeshkët e anës së djathtë të lumit Cem, nga lindja deri në pellgun e epërm të lumit Vermosh”. (M. Krasniqi. Gjurmë e gjurmime. Prishtinë. 1979. f. 266). Etnia shqiptare e Kuçit dëshmohet dhe nga “Historia e Popullit Shqiptar”(Tiranë, 2002), “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 2008), etj., nga historianë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, etj., nga albanologët Franz Baron Nopça, Karl Palç, Edith Durham, etj., nga vet vojvoda gjakatar Mark Milani i kultivuar, kulmuar e flakur nga sllavët e Malit të Zi e Krajl Nikolla i Parë. Kuçi për herë të parë figuron tek emni i ndërtimtarit të Manastirit të Deçanit (1327-1335) françeskani Vita Kuçi, i ardhun nga Kotorri (degëzim i Medunit), tek emni i njërit nga pronarët e truallit të saj, Haka Kuçi, si dhe brenda rrethojave të manastirit është varri i një qytetari kuçiot, ndërsa në Tuz (1335) përmendet Pjetër Kuçi, etj. Vojvoda Dre Kali (Drekali) i Kuçit të Ri, të cilin gojëdhanat e lidhin edhe me dinastinë e Skënderbeut, la pasaradhës genetik e fronësor Lalë Drekalin (me 1.500 luftëtarë nën armë), kont, hero i madh i kombit shqiptar. Ky, Drekali i dytë, ishte një nga (krye)organizatorët i Kuvendit tek Manastiri i Moraçës (1608) në afri të Liqenit të Shkodrës, në trollin e Hotit, me krerë shqiptarë, serbë, malazezë e maqedonas; i Kuvendit të Kuçit (në dy seanca, 15 korrik e 3 shtator 1614), i mbledhur në kullën e tij, si i pari kuvend me përmasa të përgjithshme ballkanike; i Kuvendit të Prokuples (1616) e i Kuvendit të Belgradit (1620), me përfaqësues të shumtë nga trevat etnike shqiptare dhe nga vendet fqinjë. Në shekuj Kuçi u sulmue nga të gjitha krahët sipas strategjisë serbo-malazeze-ruse, kryesisht nga malazezët e otomanët. Një pjesë e Kuçit u detyruan me iu nënshtrue pushtimit e aneksimit malazez, ndrruan identitet nacional e fetar. Një pjesë tjetër mbeti shqiptar trojenik, sidomos Triepshi në komunën e sotme urbane të Tuzit. Një pjesë e madhe u shpërngulën haptas bregdetit shqiptar deri në Kotorr, po kryesisht shtegtuan në Shqipërinë e Veriut përgjatë brigjeve të Drinit, Tarës, Limit, Sitnicës…deri dhe në Beograd, tue mbajt mbiemrat Kuçi, Berisha, etj. Paraardhësit e Mamica Ramës deri në shek. XVII ishin shqiptarë kuçiotë të fesë katolike, të cilët u përballën në luftë me otomanët e u bulatën prej tyre dhe një rrem u shkul nga Kuçi tue u kthye në shtetësi malazeze e në fe ortodokse diku në Kolashinin etnik shqiptar e me popullsi shqiptare e, prej atyhit, tevona, shkuan dekteri në Beograd e u njoftën atje si shtetas serb. Në Beograd kishte dhe të tjerë të vllaznisë së vet nga kah tjeter, udhë tjetër, të shkuem atje ma herët. (R. Lushaj. Shqiptarët në Malin e Zi. Vepër në dorëshkrim. Tiranë, 2011-’14).
Mamica, pas ardhjes së saj në Shqipëri (1949) u rikthye në identitetin e vet të moçëm shqiptar tue u ba në tanësinë e saj ma shqiptare e vërtetë se qindra mijë shqiptare të linduna e rrituna në Shqipëri e në treva shqiptare në Ballkan. Në kit’ realitetim të ri të saj ndikoi edhe ajo që thotë sportisti, kryetrajneri e pedagogu i njohur Met Spahiu: “ Profesor Rexhep Rama ishte në kuptimin e plotë të fjalës “burrë malësije për punë, mend e kuvend”…Në biseda nxirrnim mallin për vendlindjet tona…(Plavë-Gucia e Kosova). Unë pasionant, ai si zakonisht i matur dhe i ekuilibruar. Ishte me kulturë të madhe, po unë do ta vemë shumë në histori e gjeografi. Imtësisht me data e ngjarje, fliste për Kosovën, Malin e Zi dhe Çamërinë. Prej tij kam dëgjuar ato që nuk m’i kishin treguar të tjerët. Edhe Ballkanin e Evropën i njihte shumë mirë…Rexhepi marazin e kishte edhe me Enver Hoxhën, sepse ai kur shkoi në Jugosllavi për vizitë i ftuar nga Tito e takoi nanën e Miladin Popoviçit, ndërsa në Kosovë nuk vajti për të takuar kosovarët…”(Vepra “Profesor Rexhep Ramaj…”f. 65-66).
Sigurisht, Mamica, nën kit’ tokë që nuk na ndie e në mbi qiell që na sheh, duhet me thanë mirësisht se e ka krye misionin e saj të shenjtë në kit’ e atë botë: si bashkëshorte e denjë e Rexhep Ramës, si nanë brilante e tre fëmijëve, Lirisë, Agimit e Vjollcës (me emna simbolik), si gjyshe engjëllore me shumë nipa e mbesa deri në katër breza genetik. Mjeshtre e Merituar e Sportit, Marjeta Zaçe–Pronjari, deputete, ish Sekretare e Shtetit për Sportet, ndan me lexuesin kujtime të saj për Rexhep Ramën: “Do ta konsideroja edhe më tepër fat, njohjen me zonjën e bashkëshorten e tij, “Mama Milica” siç e thërrisnin mbesat e saj, që së bashku ishin një çift model, përsa i përket marrëdhënies se tyre, mënyrës së komunikimit dhe komportimit që ata përcillnin në familje e shoqëri. Ato cilësi, ata i pasqyronin në pamjen e tyre fisnike, të trashëguar fatmirësisht edhe tek fëmijët e tyre” (RD, 25 shtator 2008, f. 15).
6.Mjekësia dijenon se n’afro njëqind trilionë qelizat e trupit të njeriut gati 300 milionë të tilla vdesin në minutë e njejtësisht zëvendësohen e ripërtërihen ato, po në trupin e ditët e Rexhep Ramës (Balidemaj) kurrë nuk ka vdek astenjiherë qelizë e dashurisë e veprimtarisë për trianinë e tij të shenjtë: Familjen, Kombin, Sportin.

Filed Under: ESSE Tagged With: MJESHTËR I MADH.MËSUES I POPULLIT, Ramiz Lushaj, REXHEP RAMË BALIDEMAJ, SHEMBËLLTAR, shqiptar

Plisi është vetëm per Shqipëtar – O plisi o mjekërra e xhihadistëve!

October 27, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Kadare, në intervistën e tij për gazetën Zëri në qershor 2014 thoshte:
“Eshtë një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Çubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë – Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës dhe sidomos për turqizimin e tij. “ Pra është Projekti i hershëm serb, të përçudnojnë shqiptarët përpara Europës
UEFA e dha të vetën , e dha një rrufe të vështirë për botën e civilizuar , por..Faik Konica thoshte se . “Ndoshta kombi ynë do te kish ni faqe tjeter,fare te ndryshme nga e sotmja,po te qe populli pak me serijoz dhe ti germonte punet pak me thelle e me teper gjykim.Mjerisht ne shqiptaret jemi njeres superficial,njerz qe shofin vetem cipen dhe nuk qajm koken te hyjm ne te thellat “

Ne jemi një fatkeqësi ne veti sepse jemi çfrytëzuar nga serbi për të na shfytyruar para botës dhe se të bindë Europën që nuk mund të ketë një Shqipëri në mesin e saj duke dhënë zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival.
Por si mund të egzistonte një Serbi e qytetruar pranë një Shqiperije ,thjesht aziatike. pa shkolla dhe plotë xhamia ? Dëshira ishte dhe vazhdimisht punohej me osmanët e edhe sot me turqët që hapësira shqiptare përherë e më tepër do t’i ngjante Anadollit.

Kur jemi nje race aq e bukur e fisnike sa na e kane zili Lindja e Perendimi, pse po e felliqim veten me turmat e egra qe i ka pjelle errësira e shkretira arabe.?

“Thirrni mendjes, ne jemi shqiptarë të bukur, krenaria e Europës, dhe nuk mund ti ndahemi kurrë në këtë botë familjes sonë natyrale të cilës i përkasim, Shqipëria e Bashkuar në Bashkimin Europian.”(nga Kolec Traboini) .

Serbët e ndërruan taktikën : ata vazhdimisht me të rejat e tyre denigruese e ne vazhdimisht në kurthën e tyre. Te mendojme pak ndryshe, te mendojme ashtu qe do t`iu turbullon mendjen s-t-g…ve. Si munden keta njerez te ruhen dhe te duhen. Si munden te mos e humbin shpirtin , zemren dhe trurin qe iu flet shqip.?
E mendojme ne kete, ne qe e patem fatim te mbesim ne tokat tona ? (fjala është për arbëreshet e Italisë)

Tek ne filloi plisi të merret si krenari shqiptare , por harruan që t`i hjekin mjekërrat xhihadiste.
O plisi o mjekërra e xhihadit ! Edhe Adem Jashari kishte mjekërr më thonë; edhe Skënderbeu kishte mjekërr ; edhe Ismail Qemali kishte mjekërr . E vërtetë ,por e mbanin mendjen dhe plisin shqiptar ; e mbanin krenarinë shqiptare.
Qëllimi i plisit me “ngjyrë” arabe është i thellë . E ardhmja e tashme do të tregon pasojat.

Ti kthehemi historise sone të Plisit .Legjenda thote se, Plisi-qeleshja, symbolizon gjysmen e vezez hyjnore, nga e cila vezë doli Perendia qe krijoj çdo gjë, me pak fjalë krijoj jetën. Është mjaft interesante të vezhgosh se si p.sh. nusja kur hynë për herë të parë në shtëpi të dhëndrit, asaj, i duhet te ulet nënje Plis-qeleshe të kthyer mbrapsht dhe ta vendosë një Plis-qeleshe tjetër në kokë. Ne kete tradicion kulturor Shqiptar, me ritin e nuses, ne shqiptaret, nuk bëjmë gjë tjetër, vetëm se e shprehim një skenë të gjenezit, pra, siç perendia doli nga veza hyjnore, apo veza e botrave, dhe solli jetën, ashtu edhe nusja “del nga veza” dhe e sjell jetën në atë shtepi ku martohet..
Të mendojmë pak ndryshe, të mendojmë ashtu që do t`iu turbullon mendjen serbëve-turqëve-grekëve… Si mundemi o njerëz te ruhemi dhe te duhemi?. Si mundet që të mos e humbim shpirtin , zemrën dhe trurin që na flet shqip.?
E mendojme ne këte, ne që e patëm fatim të mbesim në tokat tona ?

Plisi është i shqiptarit por jo i atij me mjekërr të xhihadit arab ( edhe nëse flet shqip).

Mikja Loreta Bedali më shkruan për martesat epokale. Te mbushet zemra, te behet zemra mal kur e lexon” Përgëzimet më te mira të gjithë arbereshëve që ditën të ruajnë aq mirë gjuhën,folklorin ,kulturën dhe traditat e popullit tonë. Fatmirësisht kam shumë miq arbereshë,dhe ve re tek ata që flasin me shumë dashuri per Shqiperinë dhe që organizojnë në fshatrat e tyre koncerte me këngë e valle arbereshe.Mendoj që shteti yne duhet të ndihmojë në këtë drejtim duke organizuar bashkë me ta koncerte si dhe emisione televizive ku të ftone kengëtarë dhe valltarë të trevave te ndryshme arberëshe.Ata janë një trashëgimi e gjallë e kulturës dhe folklorit shqiptar.
Gjëja më e bukur që ka ndodhur në keto vitete tranzicionit janë martesat midis arbereshëve dhe shqiptareve.I kam quajtur martesa historike.Këto martesa bënë lidhjen midis arbereshëve dhe shqiptarëve,prandaj mund të quhen MARTESA EPOKALE.Uroj shumë lumturi në të gjitha familjet ,fat e mbarësi për te gjithë shqiptarët e arbereshet.Jemi një nga popujt më të vjetër te Europës dhe më i vjetri i Ballkanit.Kemi ne gjak gjenet e një populli te madh ,të Ilireve.

Filed Under: Analiza Tagged With: . O plisi o mjekërra e xhihadistëve!, Fahri Xharra, per Shqipëtar, Plisi është vetëm

TABU TË LASHTA E SHPRESA TË VONUARA

October 27, 2014 by dgreca

“Por i urti kurr nuk ngutet /
Prej burrnije e jo prej tutet”/ Atë GJERGJ FISHTA/
Shkruan: Eugjen MERLIKA
Në hapësirën e tri javëve (21 shtator – 14 tetor) Shqipëria tërhoqi vëmëndjen e opinionit politik e publik të botës, në një periudhë të ndërlikuar të këtij fillim shekulli që, në përftyresën e përgjithëshme në vitin madhor 1989, duhej t’ishte ai i paqes, i mirëkuptimit dhe i mirëqënies, por që sot po shfaq një pamje krejt tjetër.
21 shtatori, me vizitën e Papës Françesku në Tiranë, i dha njerëzimit të sotëm përfytyresën e një sprove të shkëlqyer, të një shembulli për t’u eksportuar në zona të gjëra të botës në kundërshti të vazhdueshme për motive fetare, nëpërmjet mirëshkuarjes së besimeve të një populli të vogël, drejtuesit e të cilit, njëqind vjet më parë, me shumë zgjuarësi e largpamje i kishin shtënë në ADN-n e tij shpirtërore respektin e dashamirësinë ndaj bashkatdhetarëve me besim tjetër.
14 tetori, në një ndeshje futbolli të zakonshme në stadiumin e Beogradit, nëpërmjet veprimesh të krahasueshme me faqet më të zeza të tifozerisë botërore, u mundua t’a errësojë e përgënjeshtrojë imazhin e 21 shtatorit. Në synimin e fqinjëve tanë serbë ndoshta ishte rrëzimi i “mitit” të 21 shtatorit, i imazhit të shqiptarëve simbol tolerance e mirëkuptimi, faktor paqeje e qëndrueshmërie të rajonit. Këtij synimi, sado pak, i u arrit në sajë të një ballone të telekomanduar që, në çfarëdo çasti të jetës së përditëshme, e ngritur në çfarëdo qielli të botës, do të quhej vetëm një zbavitje e atij që e kishte ideuar.
Në kuadrin e ndeshjes që zhvillohej në stadiumin Partizani, ndërmjet përfaqësueseve të Shqipërisë e të Serbisë, mori vulën e “provokacionit”, duke sjellë pasoja dramatike. Duke shqyrtuar objektivisht atë që ndodhi para dhe gjatë ndeshjes, na del përpara një kuadër me të vërtetë mjeran, tepër larg parametrave të qytetërimit, i gjithë organizimit të kësaj veprimtarie. Kufizimi i pajustifikuar dhe i paparë i sportdashësve shqiptarë në shoqërimin e skuadrës së tyre në kryeqytetin serb, masat e jashtzakonëshme të kontrollit edhe për ata pak të ftuar të FSHF-së, apo punonjësve të medias shqiptare e, mbi të gjitha, fishkëllimat e publikut kur ekzekutohej hymni kombëtar i skuadrës mike, duke arritur një kulm të turpshëm me korin “vrisni shqiptarët” që ishte bërë refreni i pambaruar i shkallëve të stadiumit Partizani, jepnin më shumë idenë e arenave të gladiatorëve të Romës së lashtë se sa atë të një shfaqjeje sportive n’Evropën e vitit 2014.
Në këtë mjedis, aspak ftues e miqësor, skuadrat zbritën në fushën e blertë për të zhvilluar një lojë të vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian të vitit 2016. I vetmi faktor pozitiv që ndihmonte në një masë të konsiderueshme, normalitetin e lojës ishte prirja e 22 futbollistëve për të luajtur futboll, pa u bërë pjesë e histerisë masive të shkallëve të stadiumit. Gjysëm ora e parë e ndeshjes tregoi një farë epërsie territoriale të vëndasve, më shumë pasojë e zgjedhjeve taktike të trainerit italian, por pa krijuar rrezikshmëri në portën e mbrojtur nga Berisha. Nga minuta e tridhjetë deri në ndërprerje loja ndërroi fizionominë e skuadra shqiptare pati dy raste të mira shënimi.
Ky është çasti vendimtar i përcaktimit të ecurisë së ngjarjes. Tifozëve, të tërbuar nga zhvillimi i lojës, nuk i mjaftuan më thirrjet për “vrasjen e shqiptarëve” dhe u shtynë më tej në shfaqjet e histerisë kolektive, duke hedhur në fushë objekte të ndryshme, madje edhe topa zjarri. Në kësi rastesh, zakonisht, gjyqtari ndalon përkohësisht lojën, thërret kapitenët e skuadrave, i jep një ultimatum publikut e, në rastin më të parë të përsëritjes s’atyre veprimeve, ndërpret përfundimisht lojën, duke i përcjellë raportin Komisionit disiplinar të UEFA-s, që i jep fitoren në tavolinë skuadrës mike. Kishte shumë gjasë që i tillë të kishte qenë përfundimi normal i kësaj ndeshjeje.
Por në çastin që tejshihej ky përfundim shfaqet në fushë droni me flamurin shqiptar dhe hartën e Shqipërisë etnike e portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit. Qe një “dorë nga qielli” për serbët, për t’u nxjerrë atyre “gështenjat nga zjarri”, që ata e kishin ndezur e rrezikonin të digjeshin vetë brënda. Pasojat e shfaqjes janë të njohura, por veprimi, në kuadrin e përgjithshëm së bashku me kundërveprimet më të ndryshme të politikave, të mediave, të opinioneve publike, meritojnë një shqyrtim objektiv e racional. Sa i përket pjesës serbe, deklaratave të botës politike, megjithë respektin e detyruar që qytetërimi imponon për mendimin ndryshe, më duket se nuk ka asgjë për të debatuar. Ato janë aq të varfëra në argumenta, aq të prapambetura në mendësi, aq absurde në përmbajtje, sa që bëhen hi e pluhur në përballimin me logjikën më të thjeshtë.
Logjika më e thjeshtë kërkon që organet e sigurisë serbe, brënda pak orësh duhet të kishin qartësuar para popullit të tyre e para botës se kush ishte autori i shfaqjes së dronit e cili ishte qëllimi i saj. Duhet të shpjegojnë edhe si mundi të sendërtohej një dukuri e tillë në stadiumin e blinduar të Beogradit. S’kanë bërë asgjë në këtë drejtim, gjë që ushqen dyshimin se mund të kenë qenë vetë ata ideatorët e shfaqjes.
Veshja e përgjegjësisë kuturu shqiptarëve, pa saktësuar faktet në imtësi, e pa nxjerrë përgjegjësitë konkrete, mund të jetë e vlefshme për metodologjinë komuniste të “luftës së ftohtë”, por jo për Evropën demokratike të ditëve tona. Megjithatë, fatkeqësisht, vendimi i fundit skandaloz i komisionit disiplinar të UEFA-s, për ndeshjen Serbi – Shqipëri, tregon se edhe segmente apo institucione të veçanta t’Evropës, jo gjithmonë respektojnë parimet themelore të saj. Besoj se shkallët e tjera të gjykimit do të venë në vend të drejtën e përfaqësuese sonë, e cila është mohuar jo n’emër të rregulloreve, por të real-politikës.
Por edhe kundërveprimi i shqiptarëve, në nivel politik e opinioni publik, mendoj se la mjaft për të dëshiruar. U ndoq “hullia serbe”, në metodikat e kundërveprimit, u përvehtësua deri në hymnizim dukuria e shfaqjes së flamurit, pa njohur të vërtetën e pa u thelluar në pasojat e saj. Dashuria ndaj Atdheut e simboleve të tij ka një mori mënyrash shfaqjeje e nderimi e nuk më duket se gjetja e Beogradit ishte më e mira e tyre. Ajo vuri në rrezik jetët e futbollistëve tanë që, në gjithë vorbullën e ngjarjes dramatike, qenë ata që merituan respektin e konsideratën e të gjithëve, si për atë që treguan në fushën e lojës ashtu edhe për shpjegimet e pohimet mbas kthimit n’atdhe, në të cilat spikat edhe vlerësimi për sjelljen e kolegëve serbë. Qenë ata më pranë mendësisë bashkëkohore të marredhënieve mes popujve, u treguan shqiptarë të mirë dhe evropianë të pjekur.
Poiltika dhe opinioni publik, në një masë të madhe, ra në grackën serbe, duke marrë në mbrojtje tërthoras një veprim që ishte arma e vetme (çfarë arme!) që i kishte mbetur serbëve e arsyetimeve të tyre mjerane e dashakeqe, të shprehura në deklaratat e Kryeministrit, të Presidentit apo të Ministrit të jashtëm. Autoritetet shtetërore, në mungesë të Kryeministrit, nuk patën kurajon të mohonin publikisht përgjegjësinë e tyre në një veprim pa autor, ose në rastin më të mirë, me një autorësi vetiake të papeshuar e kundërprodhuese. Në vazhdën e deklaratave serbe Kryetari i Opozitës i kërkoi Kryeministrit të anullojë vizitën e paracaktuar në Beograd.
Do të kishte qenë një gabim i madh, jo vetëm për faktin se binte ndesh me opinionet e aleatëve tanë, por do të ishte një tregues negativ edhe për aftësinë tonë, si shoqëri e si Shtet, për t’u ballafaquar me problemet e për të mbrojtur argumentat tona, në dobi të një imazhi që të tjerët, së pari serbët, mundohen t’a errësojnë.
Rama e Vuçiç, përfaqësues të një brezi të ri të politikanëve të Vendeve të tyre duhet të shpalosin një përceptim bashkëkohor dhe evropian të marredhënieve mes popujve të tyre, duke u shkëputur nga metodat e së shkuarës, por edhe duke e njohur e studjuar atë të shkuar, që daton së paku trembëdhjetë shekuj, shumica e të cilëve nuk janë shquar për luftëra, por edhe për bashkëpunim. Kjo vlen kryesisht për Kryeministrin serb, sepse shqiptarët objektivisht kanë pak ose aspak gjynahe kundrejt serbëve, të cilët nuk duhet të harrojnë bujarinë e fisnikërinë shqiptare në vitin 1915, kur 150 mijë ushtarë të tyre, të mbetur në një çoroditje të plotë në malsitë e veriut të Shqipërisë, u kthyen në atdhe pa u hyrë ferrë në këmbë.
Dy kryeministrat duhet të tregohen të vetëdijshëm për rolet e tyre në përballimin e problemeve të një gadishulli, që ka mbetur mbrapa zhvillimeve të kontinentit e që duhet të nisë revanin për të fituar kohën e humbur. Pavarësia e Kosovës ka hequr nga fusha e lojës pengesën më të madhe. Sot çështjet në diskutim mbeten vetëm pakicat shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegje dhe njohja zyrtare e Kosovës. Janë probleme që me pak vullnet të mirë, me pak realizëm politik e me më shumë shmangie të tabuve të së shkuarës, mund të gjejnë zgjidhje shumë të mira. Serbë e shqiptarë kanë në dorë të ndryshojnë përfytyresën e Ballkanit nga një “fuçi baruti”, nga një “shprehje gjeografike”, në një trevë ku Evropa, sa më shpejt të ndjejë frymëmarrjen e saj të plotë. Ky duhet të jetë synimi i së ardhmes, i pjesës më të mirë të shoqërive të këtyre Vendeve. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në drejtim të Evropës, serbët i tundojnë përsëri sirenat e motrës së madhe, por brezi i ri kërkon vendin e tij n’Evropë.
Kjo politikë ndërtuese nuk do të thotë varrosje të problemit kombëtar shqiptar, por shtyrje të tij në kohë. Pohimi i Kryeministrit Rama se “Serbia normale do të jetë realitet veç kur Serbia reale do të kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë.”, shkon mirë për t’u përdorur në gjuhën e politikës së jashtëme për çastin, por nuk mund të jetë vendimi i pakthyeshëm i fatit të një populli, që do të dijë të sendërtojë aspiratën e tij shekullore në kushtet e reja të një Evrope të re e të bashkuar.
N’atë Evropë, me të gjithë Ballkanin brenda, nuk do të ketë më vend për shfaqje mesjetare të urrejtjes e të dhunës si ajo e 14 tetorit 2014 në stadiumin e Beogradit.
Tetor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, TABU TË LASHTA E SHPRESA, TË VONUARA

Jeronim De Rada – Figure Qendrore e Letersise Shqiptare dhe Levizjes Kombetare per Liri e Pavaresi

October 26, 2014 by dgreca

Nga Sadik Elshani, Filadelfia/
Jeronim De Rada eshte padyshim shkrimtari me i mirenjohur i Letersise Arbereshe dhe figura me e shenuar e levizjes kombetare shqiptare ne Italine e shekullit te XIX. Me angazhimin e tij te drejtperdrejte ne rrjedhat e levizjes kombetare shqiptare per liri e pavaresi dhe me veprimtarine e tij te gjithanshme letrare, kulturore, arsimore, atdhetare ai u be emblema e kesaj levizje vendimtare ne zgjimin e ndergjegjes kombetare dhe fuqive te fjetura te popullit tone, duke i kujtuar atij te kaluaren e lavdishme e heroike te bijve te arberit. Prandaj, eshte shume e qelluar dhe mjaft domethenese qe ne nderim te kesaj figure madhore te Kombit tone, viti 2014 eshte shpallur viti i Jeronim De Rades dhe eshte karakterizuar me nje varg veprimtarish te llojllojshme ne te gjitha trevat shqipfolese. E tille eshte edhe veprimtaria qe ne po zhvillojme sot – ne qe ne nje vend te larget nga Dheu Meme po mundohemi te mbajme gjalle shpirtin dhe qenjen shqiptare duke e ndjekur shembullin e De Rades e Rilindesve tane mendjendritur. Kjo veprimtari e sotme eshte edhe nje nderim per te gjithe krijuesit, studiusit, mesuesit, intelektualet, figurat e ndritura arbereshe te te gjitha periudhave historike qe me punen e tyre te palodhur e me plot perkushtim, ne rrethana teper te veshtira, mbajten gjalle shpirtin e arberit, ruajten gjuhen, kulturen dhe traditat shqiptare – qenjen shqipptare. Ata jane bere shembull e burim frymezimi edhe per ne.
Arbereshet u shperngulen ne Itali, kryesisht ne Sicili e Kalabri pas vdekjes se Skenderbeut me 1468. Ata ne keto rajone ngriten ngulimet, vendbanimet arbereshe dhe filluan nje jete te re ne dhe te huaj. Fale nje mjedisi politik e shoqeror me te favorshem se ai ne Ballkan, arbereshet qene ne gjendje te japin nje ndihmese vendimtare ne zhvillimin e letersise shqiptare dhe ne levizjen kombetare ne shekullin XIX. Letersia e hershne shqiptare eshte deri ne nje shkalle te madhe letersi arbereshe. Eshte nje varg, nje plejade e tere e studiuseve, shkrimtareve arbereshe ne periudha te ndryshme kohore, si: Leke Matrenga, Jul Variboba, Gavrill Dara i Riu, Francesk Santori, Zef Serembe, Vorea Ujko, Karmel Kandreva e shume e shume te tjere. Letersia arbereshe u zhvillua si nje dege e fuqishme dhe e rendesishme e letersise shqiptare.
Ne nje mjedis the rrethana te tilla shoqerore, lindi dhe zhvilloi veprimtarine e tij te bagate Jeronim De Rada (ital. Girolamo De Rada). Bir i nje prifti ortodoks, lindi ne fshatin Maq te krahines se Kozences me 29 nentor te vitit 1814, dhe me vone ndoqi kolegjin e Shen Adrianit ne Shen Miter. Qe ne rini u ushqye me ndjenjat atdhetare dhe krenar per prejardhjen e tij shqiptare, filloi te mbledhe materiale folklorike neper fshatrat arbereshe. Sipas deshires se babait, ne tetor te vitit 1834 u regjistrua ne Fakultetin e Drejtesise te Universitetit te Napolit, por interesimet e tij kryesore mbeten folklori dhe letersia. Me 1836 ne Napoli nxori botimin e pare te poemes se tij me te njohur, “Kenget e Milosaos”. Vepra e tij e dyte, “Kenget historike shqiptare te Serafina Topise, gruaja e princit Nikolle Dukagjini”, botuar ne Napoli me 1839, nuk u la te qarkullonte nga autoritet Burbone, sepse kishte dyshime se De Rada kishte lidhje me levizjen kryengritese italiane. Me vone u botua me nje emer tjeter, “Kenget e Serafina Topise, Princesha e Zadrimes”. Ne vitin 1848, vit i revolucioneve ne disa vende te Europes, ai themeloi gazeten “L’albanese d’Italia” (“Shqiptari i Italise”), ne te cilen perfshiheshin artikuj e shkrime ne gjuhen shqipe. Koj gazete dygjuheshe, politike, morale, letrare, ishte i pari periodik ne gjuhen shqipe qe eshte botuar ndokund.
Jeronim De Rada si pishtar i ndergjegjes kombetare shqiptare dhe si krijues serioz dhe i angazhuar ne rrjedhat e ngjarjeve te asaj periudhe, u be i njohur dhe u perhap ne mesin e shekullit te XIX. Ai u be boshti qendror i mendimit shqiptar te periudhes se Rilindjes Kombetare. Pati nje leterkembim aktiv me figura udheheqese te Rilindjes, si Thimi Mitko, Sami Frasheri, Dora d’Istria, si dhe me shume studiues te huaj te interesuar per Shqiperine, gjuhetarin austriak Gustav Majer, albanologun francez Ogyst Dozon, etj. Tani veprat e De Rades ishin perkthyer edhe ne gjermanisht e disa gjuhe te tjera europiane.
I zhgenjyer nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetes “L’Albanese d’Italia”, iku nga Napoli dhe u kthye ne Shen Miter per te dhene mesim ne shkolle. Arriti te perfshije gjuhen shqipe ne programin mesimor, por u pushua nga puna per shkak te bindjeve politike liberale. Me 1850 u martua me Madalena Melikion nga Kajverici me te cilen pati kater djem, te cilet vdiqen te gjithe sa qe gjalle ai vete. Keto ishin vite te veshtira per De Raden, i cili u mbyll edhe me teper ne vetvete, sepse me vone i vdiqen gruaja dhe vellezerit. Jetoi i vetmuar ne fshatin e tij dhe sic dihet, pa ndonje burim te mire te ardhurash. Me 1868 u emerua drejtor i shkolles se mesme te Garapolit ne Koroliano Kalabro dhe ne kete detyre qendroi per 10 vite. Gjate kesaj periudhe u shtypen nje pjese e mire e veprave te tij, pjesa me e madhe ne italishte: “Parimet e estetikes”, “Lashtesia e kombit shqiptar dhe afersia e tij me greket e latinet”, “Rapsodi nga nje poeme shqiptare te mbledhura ne ngulimet e krahines se Napolit”, “Scanderbeccu i pafan” (“Skenderbeu i pafat”), “Sa liri e mireqenje ka ne shtetin me perfaqesues”.
Me 1878 perkrahu Lidhjen e Prizrenit dhe ngriti zerin per mbrojtjen e tokave shqiptare, kunder copetimit te Shqiperise. Me 1883 ai themeloi revisten mujore dygjuheshe “Fiamuri Arberit – La bandiera dell’ Albania”. Ky periodik ne fillim u bootua ne fshatin e tij Maq e me pas ne Kozence, zgjati deri ne nentor 1887 dhe perkunder censures turke e greke, lexohej gjeresisht edhe nga shqiptaret ne Ballkan. Me 1892 De Rada u riemerua mesues i gjuhes dhe letersise shqiptare ne kolegjin e Shen Adrianit ne Shen Miter dhe me 1895 organizoi te parin kongres gjuhesor arberesh ne Koroliano Kalabro. Mori pjese aktive edhe ne kongresin e dyte qe u organizua ne Unger (Lungro). Ne kete kolegj ka studiuar Luigj Gurakuqi dhe De Rada ka qene mesuesi i tij. De Rada ishte per nje alfabet te perbashket te shqipes qe te jepte nje sistem sa me te plote e te pershtatshem per shqipen me karaktere latine. Zhvilloi edhe nje veprimtari te frytshme edhe ne fushen e studimeve gjuhesore, u kushtoi vemendje ceshtjeve te prejardhjes se shqiptareve dhe te gjuhes shqipe, duke e mbrojtur lashtesine e tyre. Ne dy veprat gramatikore qe botoi (1870, 1894) vuri ne dukje aspekte te patheksuara me pare nga dijetare dhe albanologe te huaj dhe dukuri te padiskutuara ose te panjohura.
Sic shihet, De Rada ka qene nje figure e gjithanshme, apo si i thone fjales, nje lis me shume rremba. Ai eshte metafore e shpirtit, qendreses e mbijeteses se arberesheve te Italise dhe simbol i intelektualit atdhetar qe me tere qenjen e tij u angazhua per zgjimin kulturor te arberesheve dhe per lirine e pavaresine e Shqiperise. Ka qene mbledhes i folklorit, estetist, poet, mesues, studiues, publicist e gazetar, gjuhetar, perkthyes, politikan, revolucionar e atdhetar etj. Por me i njohur eshte si poet. Me e njohura nder veprat e tij letrare eshte “Kenget e Milosaos”, nje balade e gjate romantike qe pasqyron dashurine e Milosaos, nje personazh i trilluar, djalosh fisnik ne Shkodren e shekullit XV. Kur po kthehej nga Selaniku, tek burimi i fshatit takon Rinen dhe bie ne dashuri me te. Te dy te rinjte u perkasin shtresav te ndryshme shoqerore, gje qe e pengon per nje kohe te gjate bashkimin e tyre, derisa vjen nje dite kur nje termet e shkaterron qytetin dhe krejt fytyren e dallimeve klasore. Pas marteses, atyre u lind nje foshnje. Por kjo periudhe e lumturise nuk zgjat shume, sepse i biri dhe e shoqja e Milosaos vdesin pas pak kohe. A nuk te kujton kjo vete fatin tragjik te De Rades? Jane keto balada me nje frymezim te fuqishem lirik qe godasin pushtetin e zakoneve shoqerore dhe ndergjegjes klasore qe pengojne te rinjte te lidhen ashtu si deshirojne dhe jo si u diktojne te tjeret.
Edhe ne vepren tjeter, “Kengete Serafina Topise”, ai sjell motive romantike te Shqiperise se shekullit te XV. Eshte cilesuar si nje Romeo e Zhulijete shqiptare, sepse dashuria e Serafina Topise, bijes se dukes se Artes dhe Bozdar Stresit, qe jane nga dy familje rivale, mbetet e papermbushur. Ne kete romance me plot motive folklorike e magji, Serafina sakrifikon lumturine vetjake per interesat e vendit, dhe martohet me princin Nikolle Dukagjini me qellim qe ne prag te pushtimit turk, Shqiperia e jugut dhe ajo e veriut te bashkohen. Sikurse te “Kenget e Milosaos” edhe ne kete poeme, jeta e personazheve eshte e mbushur me plot fatkeqesi, vuajtje, vdekje te parakohshme, pasqyre kjo e vete jetes se poetit.
Vepra e trete me e madhe e De Rades ne shqip eshte “Scanderbeccu i pa-faan” (“Skenderbeu i pafat”), qe ai e konsideroi si kryevepren e tij. Ne kete veper, qe eshte nje seri baladash romantike, pasqyrohet, pershkruhet historia e bemave te para te Skenderbeut nga viti 1418 deri me 1444.
Ne te trija veprat e permendura, De Rada ngjarjet i vendos ne Shqiperi, ne atdheun e te pareve, dhe na sjell motive, pamje e tabllo shqiptare. Kur Shqiperia nuk ekzistonte si entitet politik, si shtet ne hartat gjeografike, De Rada e krijoi ate Shqiperi ne veprat e tij. Ajo ishte ne mendjen e zemren e De Rades dhe ai u mundua kete ta paraqiste te shqiptaret dhe ta fuste edhe ne mendjet e zemrat e shqiptareve, sepse kishte ardhur koha qe kjo Shqiperi e imagjinuar, e shumedeshiruar, te behej realitet. Dhe ketu ai i kishte perqendruar te gjitha energjite e tij krijuese, artistike, intelektuale e atdhetare. Poezia e De Rades, dhe ne pergjithesi letersia arbereshe e shekullit te XIX kishte si tipar kryesor atdhetarizmin (patriotizmin), pasqyronte perpjekjet e arberesheve per ta ruajtur identitetin kombetar dhe u be pararoje ne zgjimin kulturor romantik ne mesin e shekullit te XIX.
Jeronim De Rada eshte ffytyre e ndritur dhe figure madhore e letersise dhe kultures shqiptare. Ai luajti nje rol te rendesishem ne zgjimin e arberesheve nga erresira kulturore e krahinorizmi letrar. Veprimtaria e tij u ndie fort pertej detit ne Shqiperine qe ende vuante nen zgjedhen osmane dhe veproi si nje katalizator i Rilindjes Kombetare Shqiptare. Kangjelat e De Rades u perhapen si kandila te ndezur neper trojet dhe kolonite shqiptare dhe u ndricuan atyre rrugen per liri e pavaresi. Portreti i De Rades se moshuar te sjell nder mend ate plakun e urte e te mencur te perrallave e tregimeve te mocme, plakun qe rrezaton, mencuri, miresi njerezore, urtesi e ngrohtesi aterore.
I vetmuar e i varfer, gjysem i verbuar e ne prag te urise, Jeronim De Rada vdiq ne vendlindjen e tij ne Kalabri me 28 shkurt te vitit 1903. Vdiq i varfer, por ai eshte pasuri kombetare – na ka lene ar e permbi ar, i la trashegim Kombit tone vepren e tij te vlere, shpirtin e tij te paster, fisnik e atdhetar. Figura madhore e De Rades dhe vepra e tij e vlere, edhe sot rrezatojne vlera te larta artistike, njerezore e kombetare. Dhe si i tille gjithmone do te mbetet ne zemrat tona, i dashur dhe i nderuar. Per mot te moteve do te qendroje i palekundur ne majat e Panteonit te Kombit tone.

Sadik Elshani, Filadelfia, 25 tetor, 2014
* Me rastin e 200 vjetorit te lindjes se Jeronim De Rades dhe 110 vjetorit te vdekjes se Sami Frasherit, me 25 Tteor 2014 shoqata “Bijte e Shqipes” organizoi nje veprimtari. Kjo kumtese u mbajt ne kete veprimtari.

Filed Under: Kulture Tagged With: e Letersise Shqiptare, figure qendrore, Jeronim De Rada, Sadik Elshani

Dekleratat e forta te B. Fisher..!

October 26, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/
Referuar një emisioni të Roland Qafokut në ”DEBATI NE CHANNEL ONE”, amerikani Bernd Fisher na paska bërë këto deklarata, të cilat qënkan të forta. Unë po radhis disa prej tyre:
– Ju shqiptarët duhet të jeni krenarë për luftën që bëtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
– Zogu nuk duhet të largohej më 7 prill 1939.
– Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, krahas rezistencës ndaj pushtuesit kishte edhe elementë të luftës civile.
– Ballistët edhe luftuan ndaj pushtuesit edhe bashkëpunuan me pushtuesit
– Shqipëria nuk u çlirua as më 28 e as më 29 nëntor, por më 4 dhjetor 1994.
– Otomanët nuk ishin armiq të shqiptarëve.
– Edi Rama, politikani i të ardhmes së Shqipërisë.
– Sali Berisha, kryeministri që ka merita…, etj.
Në fakt nuk janë aspak deklerata të forta. Këtë e them me thjeshtësi. Me qetësi. Jo pse i njoh mirë amerikanët. Njoh më mirë shqiptarët. Pastaj nuk janë deklerata, madje kuptimi i termit deklarate, konstaton në diçka tjetër. Janë thjesht konstatime. Por ne i qujamë të tilla për faktin se i thotë një i huaj. Për më tepër, amerikan. Se, nëse do i them unë, apo ndonjë shqiptar tjetër, nuk do ta kishim për gajle ta nxirrnim me dru nga dera.
Që nga rënia e diktaturës së proletariatit, viti ’90 e këtej, ne shqiptarët vazhdojmë të grihemi me të gjitha armët e mundshme, qoftë të pushtetit, të klasave, të inteligjencës, apo të ashtuquajturve intelektualë. Përfshirë akademikë dhe shkrimtarë të mëdhenj, aq sa edhe dashuritë e viteve 60 duhet të dominojnë rendin social të erotizmit bashkëkohor, ku lidhjet janë të shpallura dhe pa dasime klasore apo ngjyre. Ne kemi akoma profesorë që thonë se duhet të bëhet kështu si them unë, sepse kam lexuar më shumë se ty. Ndërkohë që një djalë me emrin Zukerman bashkoi njerëzit nga të katër qoshet e botës. Kemi akoma qeveritarë që flasin për progres, duke rritur borxhin. Kemi pushtetare që bëhen figura duke denigruar paraardhësin. Që flasin për rritje të ekonomisë, përmisim të kushteve të jetës, përmes prurjeve të emigrantëve. Pasi akoma nuk jemi futur në sistemin e pagës minimale, dysheme, tavan. Akoma e kemi të brishtë ndjenjën civile. Të qytetarit. Shikoni konfliktin më të madh, një pjesë dërrmuese e të persekutuarve vinë nga ish diktatura. Jemi thjesht yrra. Kështu edhe në çështjen e historisë. Në lidhje me mbretërinë, luftën, liderët dhe figurat e historisë. Dhe a e dini se përse ndodh e gjitha kjo. Nga shkaku i unit. Ne mund të kemi shumë cilësi të mira, shumë tipare, virtyte etj., por të gjitha na i mbyt pikërisht ky, uni. Akoma nuk duam ta kuptojmë se ka ardhur koha e një marrëveshje të madhe. Ku të gjitha palët duhet të pranojnë minuset dhe pluset e njëra-tjetrës. Nga ana tjetër, t’i njohin ato pak merita shoqi-shoqit.
Duhet të ndryshojmë konceptin, si të gjykojmë me, si të arsyetojmë. Gazetari ynë e quan tradhti ikjen e Zogut. Ndërsa historiani i huaj thotë, se, mendoj se nuk duhej të ikte. Nuk përmend fjalën tradhti. Kështu edhe për kryeministrat e këtij vendi, përmend vetëm arritjet. Jo, po nuk është ikje, është tradhti. Kështu sikur shumë historianë shqiptarë i quajnë vrasjet brenda shqiptareve zgjidhje revolucionare. Pavarsisht se atdheu është i të gjithëve. Ndaj ato çfarë konstaton Fisher, nuk janë deklarata. Por gjëndja pluskuese e paaftësisë tonë për të pranuar veteveten. Si i pari, i dyti, apo dhe këta më të fundit, janë pjesë organike e jona. Me të mirat, mënxyrat, paudhësitë, apo edhe tekat.
Thjesht, shumë thjesht. Ka ardhur koha për një pakt të madh. Dhe ky jo përmes Fisher-it, mes vedit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekleratat e forta, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4336
  • 4337
  • 4338
  • 4339
  • 4340
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT