Vendimi i saj ishte politik, ajo as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive.Nga Albert Z. ZHOLI/
UEFA, sipas Kryeministrit Edi Rama “ka dhënë padyshim një vendim politik”, për ndeshjen e 14 tetorit midis Serbisë dhe Shqipërisë, për eliminatoret e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Por me këtë mendim janë të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut. Sipas Ramës, kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive. Por nuk është vetëm reagimi i Ramës për këtë vendim dashakeqës. Mbarë opinioni popullor, i krerëve të partive politike, i analistëve të sportit, por edhe shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi por edhe ata që janë emigrantë në vende të ndryshme të botës. Të gjithë janë të befasuar nga vendim aspak i drejtë, në kohën kur ndeshja luhej në Serbi, pa asnjë tifoz shqiptar dhe kur dhuna u krye nga tifozët serbë. Për këtë situatë ne morëm mendime të ndryshme nga komentatori i talentuar Ahmet Shqarri, Zyhdi Kroji, President Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, dhe Marko Dajti
Edi Rama-Kryeministër
UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit
Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës. Që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj. UEFA ka dashur t’i japë një mesazh të dyja vendeve duke i penalizuar të dyja thuajse njësoj, edhe pse jam i sigurt se pala serbe me siguri do të verë kujën që është viktimë e një padrejtësie të tmerrshme mbi të. Por kjo nuk është drejtësi dhe Shqipëria nuk e meriton të vendoset në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në sytë e mbarë botës. Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta. Ashtu siç dua t’ju them edhe që askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë…Vura re komente të kësaj natyre në rrjetet sociale, të cilat janë për të ardhur keq. Ndërsa disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mos anulimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. E kuptoj mirë zemërimin e tyre, jam po aq i zemëruar sa kushdo prej tyre, por nuk duhet lejuar zemërimi të na djegë qarkun e arsyetimit. Sepse përveçse të padobishëm për veten, bëhemi edhe qesharakë para dynjasë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha: Vendimi i UEFA i padrejtë
I padrejtë vendimi i UEFA-s, ka theksuar lideri i PD-së Lulzim Basha. Kryeministri t’ lerë llogjet në FB, të angazhojë të gjitha resurset e shtetit në mbështetje të Kombëtares dhe një vendimi të drejtë bazuar mbi të vërtetën!
Marko Dajti-Kreu i Grupimit të Majtë Komunist
Politikanët tanë u mburrën, pastaj harruan të lobojnë
Ky vendim tregoi se, Europa, ku ne duam të shkojmë është Europa e vjetër, ku dhe sportin e gjykon dhe e përdor politikisht. Ky vendim tregoi se ne nuk jemi të zotë të mbrohemi. Europa plakë ka njëzet vjet që na e fut topin nga shalët. Ditën e ndeshjes politikanët tanë u mburren të gjithë me futbollistët tanë trima dhe heronj, pastaj harruan të lobojnë për t’u mbrojtur ashtu siç lobojnë për të fituar para.
Ahmet Shqarri-komentator sportiv
E gjithë bota e pa se si u sollën serbët
Vendimi i UEFA mu duk tërësisht i padrejtë. Në atë ndeshje gjithë bota pa me sytë e saj se si mbi lojtarët tanë ranë si shi, sende të ndryshme dhe karrige kokës. Gjithë bota e pa me sytë e vet se si u trajtuan futbollistët tanë. Platini, ai miku i madh i Dukës apo dhe i Kryetarëve të mëparshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, tregoi se, është mosmirënjohës, i njëanshëm dhe aspak objektiv. Në këtë vendim ai bëri punën e më të “fortit”, të atyre që ndoshta paguajnë më shumë. Platinisë ka ditë që po i dalin afera të ndryshme për zhvillimin e Kampionatit Botëror 2022, ku ai ja dha votën Katarit, kur dihet se, çfarë po ndodh sot në vendet e Lindjes së Mesme. Mendimet e Platinisë bëhen të errëta si rrjetë merimange, kur i mëshon çështjes së Dromit dhe i nxjerr serbët viktima dhe shqiptarët heronj i nxjerr kriminelë. Pamjet ishin të qarta. Se çfarë u bë në Beograd e pa qartë dhe njeriu më miop. Nuk mund të mbulohet e vërteta me arsyetimet bajate të Platinisë dhe vendimin politik të UEFA-s.
ZYHDI KROJ: Vendimi i UEFA-s, ligjëron racizmin!
Për Kolonel Zyhdi Krojin, President Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, vendimi i UEFA-s për skandalin dhunën e racizmin në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, është sikur të ligjërohet racizmi në aktivitetet sportive. “Për mua, vendimi i dhënë është një turp dhe një nga paradokset e një drejtësie sportive. Dhe pse ne nuk duhet ta lidhim me politikën dhe këtë vendim, një gjë është e vërtetë: Jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat, të mëdhenjtë e Evropës kanë luajtur me ne të vegjlit dhe kanë parë interesat e tyre. Për çdo kënd, gjithçka është e qartë, se pas 40 minutash thirrje raciste ‘Vdekje shqiptarëve…’, nuk ka më ndeshje futbolli e nuk mund të luhet më… Për mua, që në momentin që thirrjet raciste vazhdonin në kor në stadium, drejtuesit e ekipit të kërkonin ndalimin e lojës, me gojë e me shkrim që të vendosej normaliteti. Sido që të jetë, dinjitetin e djemve tanë, shqiptarëve, ata nuk e nëpërkëmbin”,-pohoi Kolonel Kroj.
Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit: Jam i zhgënjyer me vendimin e UEFA-s
Jam i zhgënjyer nga vendimi por edhe e prisja. I zhgënjyer sepse ishte një vendim jo i drejtë dhe nuk e meritonim, por e prisja sepse kisha dëgjuar deklaratat e arbitrit të ndeshjes, por edhe delegatit të ndeshjes. Ky vendim nuk i shërben askujt pasi është një vendim jo i drejtë: “Ne nuk do të ndalemi këtu. Do të ndjekim çështjen në Apel dhe do të kërkojmë të drejtat tona. Besoj se gjithçka do të ndryshojë. Ky vendim nuk ndikon në raportet tona me UEFA-n pasi ato do të jenë të njëjta, por thjesht nuk pajtohemi me vendimin”, u shpreh Armando Duka.
NIKOLLË ULNDREAJT I LULON POEZIA MBI GURË
Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Poeti Nikollë Ulndreaj e ban dhe gurin të këndojnë në vargje e libra të tij. Atje, në vendlindjen e tij, në Nikaj-Merturin e luginave, maleve e bjeshkëve të bukura, si e thotë vet kanga popullore “rritet lulja mbi gurë”. E, përndryshe, këto lule janë edhe poezitë e tij. Ato i lulojnë si kopsht e me rritë si mal poetik. Në tre libra poetik “Tinguj bjeshke” (2008), “Këmbanat e mallit” (2012), “Djepi i stinëve” (2012). Në të katërtin e rradhës për shtyp, të cilit ia ka pagëzue “Semafor”. E ka dhe të pestin në flesh… I ka tre mijë poezi në letra. Tre mijë letra i ka me poezi. Janë shumë a pak mos më dvetni, pasi ato janë krejt jeta e tij.
Koha ia ka shtue mbiemnin “Poet”. Nderim. Dhe jeta e tij është në to. Mirënjohje. Në to, në vepra e poezi të tij, ka diçka dhe nga jeta e jonë. E imja, e jotja, e atyne që do vijnë. Se poeti është universal. Nikollë Ulndreaj është “Poeti Ynë”.
2.Poezitë e Nikollë Ulndrejat kapin tematika nga ma të ndryshmet të historisë kombëtare e realitetit të sotëm panshqiptar dhe ato peshojnë fort randë, si gurët (shkambinjtë) e Nikaj-Mërturit, vendlindjes së tij, një nga ma të mirat e botës. Ato janë të bukura si gurët e kullës së tij Ulndreaj në Gjonpepaj. Ato kanë melodi si gurët e lumenjve të kthjelltë të Nikajve e të Merturit. Në poezitë e tij ka madhështi nga malet e gurta e të gjelbërta në vrri e bjeshkë të trollit të tij historik e turistik, epik e lirik.
Vet “Shkambi”, “gurët e gjallë”, na kujtojnë Jezu Krishtin, dritën e dielltë e vrellën e kaltërt, udhën hyjnore të Krishtërimit, që është “palca” e tokës e qiellit, e jetës mbi e nën tokë. Ky besim fetar i krishterë i të parëve tanë ilirë mbijetoi përbotnisht e madhnisht në Nikaj-Mërtur, në shpirtin e jetën e Nikollë Ulndreajt i fisit Nikaj, i degëzimit krasniqas, nikaj-merturas, tropojan. E gjeni dhe në poezitë e tij.
Kur e ndrita fjalën me Jezu Krishtin deshta me thanë se dhe Nikaj-Mërturi është për kohnat e Kombin Shqiptar një “Vend i Shenjtë: Për historinë e dy fiseve të tij, Nikaj e Mertur, në luftna me krajla gjithfarësh e gjithkahnash. Për Eposin e Kreshnikëve. Për bukuritë e tij. Për figurat e tij në letërsi e arte, në trimni e pleqni, në fe e folklor. Kudo. Gjithkund.
Një prej tyne është dhe Nikollë Ulndreaj, me poezitë e tij, me librat e tij të botuem e në dorëshkrim, me kontributet e tij letrare. Ai, me mat vlerat e tij, ka shembëllim lartësitë e vendlindjes së vet nikaj-mërturase. Ai ka takat me u mat me kohën. Ai ka vlera në udhecjen e tij poetike për me i mbet të ardhmes.
3.Nikaj-Mërturi, ky vend i bekuar, është Shkamb, si Jezu Krishti. Jetoi me Jezu Krishtin në shpirt, kulla e udhë. Jeton për Jezu Krishtin, me idealet e tij të shenjta, me shpresën e tij të madhe, të gjallë, të përjetshme. Të jetosh me e për Jezu Krishtin domethanë të jetosh shpirtërisht e realisht me e për vendin tand të lindës e rritës apo origjinës si për Nikaj-Mërturin e poetit Nikollë Ulndreaj, për të cilin po fjalaflasim sot, si për krejt Shqipërinë e Skënderbeut, si për Ulqinin e Shkupin, si për Prishtinën e Çamërinë, si për Plavë-Gucinë me Sanxhak e për Luginën e Preshevës.
Kur flas për gurët mos të kujtojnë ndokushi se Nikaj-Mërturi është si i thonë asaj shprehjes së kahmosit “Shkamb e gurë”. Jo. Ky vend ka lugina të bukura që i kanë mahnit udhëtarët e huaj. Ka lumenj aq të pastër sa ende nuk i kanë parë sytë e botës. Ka bjeshkë të atilla që të zgatin jetën. Ka pllaja aq të rralla si Currajt e Epërm që do ta linin pa gjumë edhe Bill Gajtes derisa me investimet e tij ta bante një fshat turistik për globin.
Nikaj-Mërturi, ky vend i mirë e me të mira, e ndërton jetën edhe mbi gurë. Po. Mbi gurët e Nikaj-Mërturit çelin lule, gurrojnë kroje, ndejet shqipja, jastekon çobani e poeti, ngrihen kulla, bahen diga drite…Gjithçka. Aty ku gjallon guri jeton edhe geni. Pra, në Nikaj-Mërturi gjallon jeta në shumëfishni, në çdo vit e stinë, në çdo trojenik e mërgimtar të atyhit.
Gjin Niklekaj, kryetari i sotëm i Shoqatës të Nikaj-Mërturit, vet i dyti – me bashkautor, vite ma herët, e ka botue një monografi për vendlindjen e tij, me titullin simbolik: “Përmbi shkamb e gurë, fiset Nikaj e Mertur”. Po, përmbi shkamb e gurë të Nikaj-Mërturit ngrihen dhe gjithato poezi në libra e dorëshkrim të poetit Nikollë Ulndreaj. Ato gjallojnë e lartnojnë. I sjell poeti. I duhen kohës, brezave.
4.Nikaj-Mërturi, kjo trevë e historisë e kulturës panshqiptare, të legjendave e realiteteve të mëdha, ban jetën e vet lis e degë, arë e mal, vrri e bjeshkë, tokë e qiell.
Aty bahet jeta e diellit dhe e zjarrit…
Aty bahet jeta e Orëve e Zanave, e Gjeto Basho Mujit me Ajkunën, e Gjergj Elez Alisë me plagë, e Lekë Dukagjinit, e Pjetër Spanit të Pultit…
Aty bahet jeta e lartësive rrënjase nikaj-mërturase, e lartësive të shumanshme: e bajraktarëve Tunxh Myftari e Deli Sokoli…,e Dom Ndoc Nikajt e At Pjetër Mëshkalla, Jusuf Gërvallës e Mark Krasniqit, Ndoc (Anton) Paplekajt, Atifete Jahjagës, Tinka Kurtit, Gëzim Nikajt e Kolë Susajt, Afrim Krasniqit, Ndue e Fran Ukcamës, Marash Hajatit e Murat Gecajt, Lush Susajt, Pjetër e Sokol Neçajt (babë e djalë), Filip Mëshit, trevllaznit –Dodë, Kolë e Sokol Progni, Pjetër Metës së Peraje, Gjin Ndrepepajt e Lush Përpalit, Esmeralda Mulajt, Gjin Niklekajt, Elisabeta Gjonpalit (Mis “Shqipëria” – 2000), Bardhyl Ukcamës, Gjon Neçajt, Jak Perpalit e Gjin Gjonpalit, Ndue Vatnikajt, Mark Palnikajt, Nikolin Përpalit, Agron e Ylli Prebibajt, Ndoc Qokajt…e dhjetra të tjerë.
Aty, në Nikaj-Mërtur, bahet dhe jeta e Nikollë Ulndreajt, djalit e poetit të trevës. Bahet jeta e librave të tij, prej nga i merr ma të shumtat e motiveve të poezive të tij…
E, poeti ynë Nikollë Ulndreaj flokëthinjur në kohëna po i lulon gurët, po i ban me këndue gurët, po i hijeshon gurët e vendlindjes me vargjet e tij të sotme e të nesërme. Edhe gurët e kombit. Ai që i ban me lulue e vrell gurët me vargje e libra, patjetër ka shpirt, ka fuqi shpirtërore me i rrit muret e kullës e të udhës së vet, të talentit të vet, me i kapërcye muret e kohës së vështirë. I tillë është edhe poeti Nikollë Ulndreaj i nikaj-mërturas, i Alpeve Shqiptare, i brigjeve të Drinit, i Tiranës – metropolit shqiptar, i Koloseut në Romë… Poet i mirë i kohës. Poet i trevës së vet, i kombit, i Botës.
5.Këta gurët e vendlindjes së tij të Nikaj-Mërturit e frymëzojnë që të bahet e mbetet Gjeto Basho Muja i vargut. Ai nuk ka nevojë për qumshtin e Zanave. I ka gurët e vendlindjes muzë, poezi, forcë, lartësi. Të tilla i ka dhe poezitë. Te dyja të lidhuna ndërveti.
Guri ka simbolikën e metaforen e vet në gjithato poezi të tij të botueme në libra, gazeta letre e ato elektronike. Guri rritet si malet e reja alpine, si Maja e Bardhë, Maja e Hekurave, Maja e Shkëlzenit. Si mali poetik Nikollë Ulndreaj. Guri shkrihet në furrë e bahet gëlqere e me të bahen muret e kullës. Si dhe poezi e libra poetik të Nikollë Ulndreajt poet.
Gurët, si në bjeshkët alpine, rreknehen për me ra në luginën e vet. Edhe vargjet e poezitë rreknehen me gurgullimë jetësore me hy në librat e tij, në letrat shqipe, në koh’na shqiptare. Në muzën e shpirtit të tij gurët e vargjeve e poezive rreknehen krejt gjallëri të jehonshme, me forcë si të Eposit të Kreshnikëve. Ngjajnë si një rrgalle e madhe poetike me emnin Nikollë Ulndreaj. Dëgjojani oshtimen e zërit. Po jeho…Priteni ose hapini udhë…Ai po rrgallet në malin e vet poetik, po djerget në luginën e vet poetike. Ai po vjen me veprat e vlerat e veta poetike. Në të sotmen, drejt të nesërmes.
Nikollë Ulndreaj po don me e vargnue me kokrrim edhe një botim tjetër, një antologji poetike. Ai, tashti, ka në rrugë botimi edhe vëllimin poetik “Semafor”. Ai e ka ndez dritën jeshile: Po kalon poeti Nikollë Ulndreaj, i lulojnë thinjat e poezitë, i ndritin andrrat e vargjet, po matet me lartësitë poetike të kohës.
BOJKOTI, ALTERNATIVA PER DINJITET- JO RACIZMIT !
Aleanca KuqeZi : Tërhiquni nga eliminatorët nëse apeli nuk ndryshon vendim!/
Kreu i Aleancës KuqeZi Kreshnik Spahiu ditën e sotme i ka kërkuar kapitenit të kombëtares shqiptare Lorik Canës dhe kreut të FSHF Armando Duka që ata të përdorin mjetin e fundit të presionit përpara se komisioni apelit të UEFA-s të lëri në fuqi vendimin e humbjes në tavolinë 3-0 në favor të Serbisë.
Aleanca KuqeZi i bëri thirrje 11 heronjve që: “Kombëtarja KuqeZi ti deklaroi UEFA-s se do tërhiqet nga eleminatoret nëse apeli nuk ndryshon dënimin e Shqipërisë. Presioni për bojkot do rivendos dinjitetin e shqiptarëve në botë.” JO RACIZMIT! Aleanca KuqeZi i ka bërë apel të 11 lojtarëve që ti tregojnë botës mbarë se ata janë kundër racizimit dhe në mbrojtje të FAIR PLAY.
Sipas Kreshnik Spahiut: “atë që nuk e bën mijra politikane në 100 vite e bën për 30 minuta 11 futbollistë. Ata kanë detyrë të vazhdojnë këtë mision historik”
Prokuroria liron biznesmenin Hajredin Fratari
Prokuroria: Arrestimi i paligjshëm/
Policia e Tiranës la të lirë biznesmenin e ndërtimeve Hajredin Fratari i cili u arrestua dy dite me pare me akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Ndërtuesi 72 vjecar u la I lirë me urdhër të prokurorit Adriatik Camaj sipas të cilit nuk janë respektuar kushtet e arrestit në flagrancë ndërkohë që hetimet për ndërtuesin do të vazhdojnë në gjendje të lirë.
Fratari u arrestua pasditen e së premtes nga afeketivë të komisaritit nr 1 në një kompleks pallatesh, të cilin ai po e ndërtonte në zonën e Selitës së Vjetër, në kryeqytet.
Pas arerstit 72 vjecari u dërgua në qelitë e paraburgimit në drejtorinë e policisë së Tiranës në pritje të masës së sigurimit nga gjykata.
Mbi Fratarin u ngrit akuza e ndërtimit të paligjshëm, pasi kompanisë së tij i kishte përfunduar afati i lejes së ndërtimit dhe i mungonte oponenca teknike.
Ndërtuesi 72 vjecar njihet ne Tirane si personi qe denoncoi publikisht Edi Ramen se i kishte kerkuar 1 milion euro ryshfet per lejen e nje ndertimi, kur ishte kryetar I Bashkise se kryeqytetit.
“Një përvojë e hidhur që të ndryshon jetën”
* Promovohet ne Atlanta – platforma ‘Albanian Voices’- ‘Zërat shqiptarë’
*”Një përvojë e hidhur që të ndryshon jetën” Ashley Wood, Amerikania nga Atlanta rrëfen se si ia shpëtuan jetën shqiptarët nga një rrëmbim në Republikën Dominikane-
Nga BEQIR SINA New York/
Atlanta, Georgia – 25 shtator 2014 – Një shtetase amerikane nga Atlanta, Georgia, e cila ka themeluar një organizatë për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare, thotë se disa shqiptarë ia kishin shpëtuar jetën dy vjet më parë.
“Tradita shqiptare e Besës më shpëtoi jetën 2 vjet më parë teksa ndodhesha në Republikën Domenikane”, tregon Ashley Wood, themeluese dhe drejtuese e organizatës ‘Albanian Voices’ (‘Zërat shqiptarë’).
Ashlye ishte duke bërë kërkime për temën e saj të doktoraturës në një qytet të vogël, kur gabimisht e gjeti veten të rrethuar nga një grup njerëzish të rrezikshëm.
E gjithë skena rrëfen amerikania, u pa nga nga shqiptarët, të cilët dolën në mbrojtje të vajzës amerikane të cilën vetëm se e kish parë një ditë më parë.Në një video e postuar në youtube ajo thotë se “Mua më tërheq kultura shqiptare për konceptin e Besës, shprehet Wood – Dhe, shtonë se” Kjo është diçka që unë kam mësuar personalisht – kur unë studjoja për doktoraturën time në Republikën Dominikane në 2012″ .Teksa tregonë “Unë iu afrova një grupi njerëzish, që për sa kuptova unë për çdo arsye nuk ju pëlqeu fakti që unë kisha shumë pyetje. Përgjigja e tyre, thotë Wood, ishte tepër agresive. Ndërsa, ata po më tërhiqnin me forcë drejt makinës së tyre, ishte një grup shqiptarësh që unë kisha takuar vetëm një ditë me parë, ndërhyri, duke më shpëtuar nga rreziku. E cila, ishte një përvojë e tillë – që të ndryshon përgjithmonë jetën”.
Andaj, shprehet ajo në videon e postuar prej saj, ka ardhur koha ” Që unë dua të bëjë diçka për vendin që bënë aq shumë për mua , sepse, dua t’a bëj të ditur se shqiptarët në Republikën Dominikane, ishin duke vepruar në bazë të një kodi nderi(Kanunit) të lashtë e bënë atë një histori që vlen për t’ja treguar botës”.
Mbasi kjo “Ishte si një skenë si ato të dalë nga një film, tregon ajo dhe shprehet se nuk më besohet ajo që po ndodhte. Ndërsa, Shqiptarët, nisën të më mbronin për asnjë arsye tjetër, vetëm për faktin se më konsideronin si mysafire në atë vend”, rrëfen ajo.
“Një koncept unik i kulturës shqiptare, sipas saj që është tradita e besës; që do të thotë se jeta e mysafirit vlen më shumë se gjithçka dhe ai duhet të mbrohet derisa është në besën tënde”.
“Isha aq e prekur dhe e frymëzuar nga kjo kulturë kaq e veçantë, saqë vendosa të krijoja ‘Albanian Voices’, me shpresën për ta ndarë këtë kulturë të mrekullueshme me pjesën tjetër të botës”, rrëfen vajza nga Atlanta – Georgia Ashley Wood, e cila ka bërë tani eshe shumë miq shqiptarë nga dega e Federatës PanShqiptare VATRA në Michigan.
Ndërkohë, në faqen e saj të internetit thuhet se “Zërat shqiptarë”, ka qenë duke punuar për të ruajtur historinë gojore të kulturës shqiptare dhe rritjen e angazhimit dhe të kuptuarit të komunitetit shqiptar nëpërmjet një platformedixhitale”, thotë Drejtoria Ekzekutive e kësaj paltforme Ashley Wood. Duke shtuar se “Për vitin e kaluar dhe gjysmën e këtij viti, ne kemi qenë në gjendje të veprojmë me nismën tonë të grumbullimit të materialevehistorike, kemi ndjekur disa nga ngjarjet në terren të komunitetit, dhe ndërtimin e faqes sonë në internet me anë të vullnetarizmit kryesisht me fondet tona.” “Mbështetja e organizatës tonë ndaj komunitetit shqiptar lejon që kultura ime, historia dhe gjuha që të kuptohet më mirë nga pjesa tjetër e botës,” shpjegon Zëvendës Drejtorja, e kësaj roganizate Bora Shehu duke shtuar se “Si qëllimin ajo ka rëndësinë e rritjes së aktiviteteve tona, e cila është e rëndësishme për ne që të rritet dhe të legjitimuar organizatën tonë në përputhje me rrethanat.”
Më tej thuhet se “Zërat Shqiptarë” nisi një fushatë fondmbledhëse “Indiegogo crowdfunding” më 16 shtator 2014 me qëllim grumbullimin e ndihmave të financimit të një udhëtimi për grumbullimin e materjalve historike nëShqipëri, si dhe mbulimin e kostove që lidhen me operacionet e vazhdueshme dhe dokumentacionin e organizatës së regjistruar zyratarisht simbas statusit ligjor në SHBA – 501 (c) (3) (jo-fitimprurëse ).
“Formati fondmbledhëse “Indiegogo crowdfunding” është veçanërisht i përshtatshme për organizatën tonë dhe që ajo lejon të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen në projektin tonë”, shpjegon Bora. “Kjo lejon njerëzit tëkontribuojnë në çfarëdo niveli – pavarësisht, se ku punojn ata -. Edhe në qoftë se ata kan për të na ndihmuar dhe për të na promovuar në fushatën tonë, përmes mediave sociale. Ne kemi marrë deri tani mbështetjenekomunitetit, kështu që metoda croëdfunding duket jashtëzakonisht të përshtatshme për ne” ka pohuar Zëvendës Drejtorja, e kësaj roganizate Bora Shehu.
Në videon e saj të postuar në youtube, Drejtoria Ekzekutive e kësaj paltforme Ashley Wood, thotë se ne jemi një organizatë jo-fitmimprurësese, që mundëson dhe inkurajon popullin shqiptar. Për përdorimin e lirisë së fjalës në jetën e tyre. Ne faqen tonë, të internetit, sipas saj shqiptarët, mund të shprehin përvoja personale në kontekstin e historisë së Shqipërisë, duke i dhënë asaj një dritë të re.
Shqipëria, thuhet në video është një vend në udhëkryq mes lindjes dhe perëndimit, është një vend i vogël, i bukur në jug lindje të Europës, që kan qenë keqkuptuar, pushtuar dhe harruar për shekuj me radhë. Komunizmi e izoloi Shqipërinë, duke i izoluar shqiptarët, për më shumë se 50- vjet gjatë shekullit të XX-të. Ai i pati kufizuar atyre lirinë e fjalës dhe ka rrezikuar aspektet e traditës së të folurit shqiptarë.
Por, Shqipëria, ka diçka të veçantë, që i ka qëndruar testit të kohës.
Kurse, Bora Shehu një vajzë shqiptare, e cila është zëvendëse drejtore e Projektit “Zërat e Shqiptarëve” në videon në youtube, thotë se kjo ishte mënyra ime për të kontribuar për vendin tim – që e dua dhe e respektojë aq shumë. “Sa më shumë që mësojë rreth kulutrës shqiptare, aq më shumë dua ta ruajë atë . Dhe ta kalojë atë tek brezat e ardhshëm nëpërmjet një mënyre të re që ata mund ta kuptojnë, nëpërmjet internetit” thotë Shehu..
Ajo tregon se ka lindur në Shqipëri, por shumicën e jetës saj deri tani e ka kaluar në Amerikë, aty ku çdo shqiptar kontribuon në mbrojtjen dhe pasurimin e kulturës shqiptare . Prandaj, ajo mendon se zëri i çdo shqiptari është i rëndësishëm për të krijuar një kuptim të ri.
Organizata “Zërat shqiptarë” që thotë se po promovonë shqiptarët në botë me anë të tekonologjisë më të re dixhital bënë thirrje se “Me donacionet tuaja , ekipi ynë do të udhëtojë në Shqipëri, dhe në vendet që e rrethojnë atë. Në mënyrë që të mund të dokumentojmë tregimet nga shqiptarë që jetojnë në rajon. Ne do e frocojmë organizatën tonë me programues profesional për të permisuar funksionalitetin dhe paraqitjen e faqes sonë të internetit për të përmisuar pamjen dhe fuksionalitetin e faqes sonë. Por më e rëndësishmja është përmisimi i seminareve që do të organizojmë. Të rritet plan-programi tonë dhe të ndajmë përmbajtjen tonë më shkolat në Shqipëri dhe në zonat ku ka popullata të mëdha të shqiptarëve” shkruhet në faqen e saj të internetit.
Dhe sqaronë se “Ne kemi filluar të zhvillojmë një seri seminaresh dhe mësimesh që të mësojmë rininë shqiptare si të arrijë rrjedhshmëri në komunikimin dixhita në mënyrë që ata të mund të lidhin zërin e tyre shqiptar me atë të komunitetit botëror. Meqenëse komunikimi dixhital po bëhet forma kryesore e komunikimit që është i pranishëm në të gjitha platformat tona të mediave sociale është gjithashtu shumë e rëndësishme të mësosh si t’a eksplorojmë këtë teknologji shqiptarëve kudo që janë.Duke marrë statusin e një organizate jo-përfituese, ne do të jemi në gjendje të aplikojmë për ndihma të cilat do përdoren ta bëjmë organizatën tonë dhe shkrimet në të arritëshme nëpërmjet platformës dixhitale.”
Organizata Zëri i Shqiptarëve e cila promovon ruajtjen e traditës shqiptare të historisë gojore ofron për shumë informacion duke vënë në dispozicion faqen e internetit të organizatës në http://albanianvoices.org – si edhe nëFacebook, Twitter, Instagram dhe YouTube.