Vendimi i saj ishte politik, ajo as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive.Nga Albert Z. ZHOLI/
UEFA, sipas Kryeministrit Edi Rama “ka dhënë padyshim një vendim politik”, për ndeshjen e 14 tetorit midis Serbisë dhe Shqipërisë, për eliminatoret e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Por me këtë mendim janë të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut. Sipas Ramës, kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive. Por nuk është vetëm reagimi i Ramës për këtë vendim dashakeqës. Mbarë opinioni popullor, i krerëve të partive politike, i analistëve të sportit, por edhe shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi por edhe ata që janë emigrantë në vende të ndryshme të botës. Të gjithë janë të befasuar nga vendim aspak i drejtë, në kohën kur ndeshja luhej në Serbi, pa asnjë tifoz shqiptar dhe kur dhuna u krye nga tifozët serbë. Për këtë situatë ne morëm mendime të ndryshme nga komentatori i talentuar Ahmet Shqarri, Zyhdi Kroji, President Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, dhe Marko Dajti
Edi Rama-Kryeministër
UEFA mori një vendim që nuk bën drejtësi për çka ndodhi në stadiumin e Beogradit
Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës. Që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj. UEFA ka dashur t’i japë një mesazh të dyja vendeve duke i penalizuar të dyja thuajse njësoj, edhe pse jam i sigurt se pala serbe me siguri do të verë kujën që është viktimë e një padrejtësie të tmerrshme mbi të. Por kjo nuk është drejtësi dhe Shqipëria nuk e meriton të vendoset në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në sytë e mbarë botës. Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta. Ashtu siç dua t’ju them edhe që askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë…Vura re komente të kësaj natyre në rrjetet sociale, të cilat janë për të ardhur keq. Ndërsa disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mos anulimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. E kuptoj mirë zemërimin e tyre, jam po aq i zemëruar sa kushdo prej tyre, por nuk duhet lejuar zemërimi të na djegë qarkun e arsyetimit. Sepse përveçse të padobishëm për veten, bëhemi edhe qesharakë para dynjasë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha: Vendimi i UEFA i padrejtë
I padrejtë vendimi i UEFA-s, ka theksuar lideri i PD-së Lulzim Basha. Kryeministri t’ lerë llogjet në FB, të angazhojë të gjitha resurset e shtetit në mbështetje të Kombëtares dhe një vendimi të drejtë bazuar mbi të vërtetën!
Marko Dajti-Kreu i Grupimit të Majtë Komunist
Politikanët tanë u mburrën, pastaj harruan të lobojnë
Ky vendim tregoi se, Europa, ku ne duam të shkojmë është Europa e vjetër, ku dhe sportin e gjykon dhe e përdor politikisht. Ky vendim tregoi se ne nuk jemi të zotë të mbrohemi. Europa plakë ka njëzet vjet që na e fut topin nga shalët. Ditën e ndeshjes politikanët tanë u mburren të gjithë me futbollistët tanë trima dhe heronj, pastaj harruan të lobojnë për t’u mbrojtur ashtu siç lobojnë për të fituar para.
Ahmet Shqarri-komentator sportiv
E gjithë bota e pa se si u sollën serbët
Vendimi i UEFA mu duk tërësisht i padrejtë. Në atë ndeshje gjithë bota pa me sytë e saj se si mbi lojtarët tanë ranë si shi, sende të ndryshme dhe karrige kokës. Gjithë bota e pa me sytë e vet se si u trajtuan futbollistët tanë. Platini, ai miku i madh i Dukës apo dhe i Kryetarëve të mëparshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, tregoi se, është mosmirënjohës, i njëanshëm dhe aspak objektiv. Në këtë vendim ai bëri punën e më të “fortit”, të atyre që ndoshta paguajnë më shumë. Platinisë ka ditë që po i dalin afera të ndryshme për zhvillimin e Kampionatit Botëror 2022, ku ai ja dha votën Katarit, kur dihet se, çfarë po ndodh sot në vendet e Lindjes së Mesme. Mendimet e Platinisë bëhen të errëta si rrjetë merimange, kur i mëshon çështjes së Dromit dhe i nxjerr serbët viktima dhe shqiptarët heronj i nxjerr kriminelë. Pamjet ishin të qarta. Se çfarë u bë në Beograd e pa qartë dhe njeriu më miop. Nuk mund të mbulohet e vërteta me arsyetimet bajate të Platinisë dhe vendimin politik të UEFA-s.
ZYHDI KROJ: Vendimi i UEFA-s, ligjëron racizmin!
Për Kolonel Zyhdi Krojin, President Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, vendimi i UEFA-s për skandalin dhunën e racizmin në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, është sikur të ligjërohet racizmi në aktivitetet sportive. “Për mua, vendimi i dhënë është një turp dhe një nga paradokset e një drejtësie sportive. Dhe pse ne nuk duhet ta lidhim me politikën dhe këtë vendim, një gjë është e vërtetë: Jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat, të mëdhenjtë e Evropës kanë luajtur me ne të vegjlit dhe kanë parë interesat e tyre. Për çdo kënd, gjithçka është e qartë, se pas 40 minutash thirrje raciste ‘Vdekje shqiptarëve…’, nuk ka më ndeshje futbolli e nuk mund të luhet më… Për mua, që në momentin që thirrjet raciste vazhdonin në kor në stadium, drejtuesit e ekipit të kërkonin ndalimin e lojës, me gojë e me shkrim që të vendosej normaliteti. Sido që të jetë, dinjitetin e djemve tanë, shqiptarëve, ata nuk e nëpërkëmbin”,-pohoi Kolonel Kroj.
Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit: Jam i zhgënjyer me vendimin e UEFA-s
Jam i zhgënjyer nga vendimi por edhe e prisja. I zhgënjyer sepse ishte një vendim jo i drejtë dhe nuk e meritonim, por e prisja sepse kisha dëgjuar deklaratat e arbitrit të ndeshjes, por edhe delegatit të ndeshjes. Ky vendim nuk i shërben askujt pasi është një vendim jo i drejtë: “Ne nuk do të ndalemi këtu. Do të ndjekim çështjen në Apel dhe do të kërkojmë të drejtat tona. Besoj se gjithçka do të ndryshojë. Ky vendim nuk ndikon në raportet tona me UEFA-n pasi ato do të jenë të njëjta, por thjesht nuk pajtohemi me vendimin”, u shpreh Armando Duka.