• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dënesa në qiell” e Dhori Thanasit

October 1, 2014 by dgreca

Esse nga Përparim Hysi/
Kisha kohë pa e takuar mikun tim, Dhori Thanasi. Kish qenë tek djali në Amerikë dhe, porsa u kthye, u takuam tek “Taiwani”. Atje kisha ftuar dhe miken time, Meri Lalaj. Pra,qe një takim miqësh dhe miq letrash. Që të tre shkruajmë dhe, për të qenë më i drejtpërdrejtë, më rrallë nga të tre, shkruan Dhori. Pra, më rrallë duket në shtyp. Sa u takuam, ai tak dhe nxori nga çanta e tij e vogël një libër të vogël, me format xhepi. Kur vjen puna për librin, Dhori, pothuaj, është një profesionist i vërtetë. Ai jo vetëm shkruan në prozë e poezi ( me profesion të parë: mësues gjuhë-letërsie dhe për shumë kohë, në postdiktaturë, gazetar në A.T.SH. apo dhe në organe të tjera të shtypit), por i modelon, i korrekton, i redakton ose ca më shumë: me një gjuhë kulinare: është amvisa që merret jo vetëm me përgatitjen e brumit, por dhe e pjek bukën me aq terezi, sa mund ta ketë zili çdo njeri që merret me përgatitjet e librave për botim. Nga kjo anë, Dhori Thanasi ka një përvojë të çmuar se jovetëm është administrator i Website “fotjonart.com, por edhe si Editor në botimin “Antologji me poezi të shqiptarëve në Amerikë”. Sado që më shumë ka qenë i angazhuar me “hallet e botës”, ai, megjithatë, si krijues në prozë e poezi gjen kohë të dalë para lexuesëve me krijimet e veta. Biografia e tij si krijues dhe si editor është e tillë që ia rrit vlerat, por ai në jetë dhe, sidomos, në jetën krijuese i ngjet atij kallirit të grurit me plot kokrra që kokën e mban ulur a për të patur një përfytyrim pak më intim: si një adoleshente që do t’u shpëtojë syve të botës. Më thjesht se kaq nuk ka se ku të vejë. Më thoshte dikur:- Dua të nxjerr një libër dhe e di me sa kopje? Ndërsa prisja që të bëja pyetjen:- Me sa kopje? Pa më lënë t’ia bëja atë të shkretë pyetje, më tha:- Vetëm me një kopje!!!! Se aq më ka xhepi. Natyrisht, e prita si me të qeshur, por ja që qenka e vërtetë. Ma zgjati librin formatxhepi dhe më tha:- Donatore qe imeëmë! Dhe u përlot. E ngushëllova se e ëma ka ndërruar jetë para ca kohësh dhe trupi m’u mbush me mornica. Poetët… krijuesit: nga më të vobektit! Botuesit: nga më të pasurit. NJë raport diskret. Në Myzeqe, nga jam, ende, shetit gojë më gojë një proverb: “Punon Shabani dhe ha Kahremani!”. Dhori Thanasi është një nga ata, Shabanët, ku bëj pjesë dhe unë e qindra krijues shqiptarë. Se shteti as që do të dijë për njerëzit e letërsisë dhe të artit. Dhe, në ka prej këtyre “Shabanëve” që e kalojnë mbroth, dihet që janë nga ajo lloj specie amorfe që kanë zënë “myk” në tempuj, kur thoshte Migjeni.

* * *
Po Dhori Thanasi nuk është as puthadorë dhe as nuk di të zvarritet. Është nga ata që nuk ka turp nga varfëria e vet. Sado i papunë, prej kohësh, ai di ta shfrytëzojë kohën me racionalitet. Në Websiten “ftojonart.com ai u lë vend gjithë krijuesëve dhe kujdeset që atje të gjejnë veten krijues nga gjithë viset shqiptare apo dhe më tej: në emigrim. Veç këtyre vlerave, ai është një fotograf, pothuaj, profesionist. Kudo që i ka shkelur këmba, ka sjellë me aparatin e tij: bukuritë e natyrës dhe aktualen. Pa frikë, si fotograf, ai mund të hapë qysh nesër një ekspozitë ku shikuesi do të mbetë me gojë hapur. Se dhe në fotografitë, Dhori Thanasi, ka patur intuitën e një poeti apo të një njohësi të mirë arti. Vetëm me një vështrim, kalimthi, mund të them: Dhori Thanasi nuk është fotograf amator, por një profesionist që, edhe në këtë fushë, nuk grefoset e të rrahë gjoksin për ta bërë vrimë. Është natyrë prej babaxhani. Më i thjeshtë se thjeshtësia, mund të thosha.

* * *
Libri “Dënesa në qiell” me këtë titull kaq simbolik, nuk të lë që “dënesën” ta dërgosh larg e lart në qiell, por të dënesësh këtu, në tokë. Ke shumë arsye që të “dënesësh: a nuk është krejt unikal ky donacion? Nëna, pensioniste, ashtu si një pikë që bie nga çatia dhe i vë tepsinë për të shpëtuar prej saj, e mblodhi thërrime-therrime atë të shkretë pension dhe ia bëri darovë të birit, poet!!! Darovë më të dhimbshme zor se gjen në faqet e gjithë letërsisë së shkruar. Dhe Poeti e ka “gdhëndur” si të gjallë në një kornizë që aq bukur di ta modelojë vetëm ai. Tek e sheh ashtu si të gjallë, në këmbë, me atë veshjen tradicionale të jugut, tak dhe mbërthehesh nga mbresa të gjalla e të dhimbshme të atij raportit nënë-bir! Vetëm kaq, nuk mjafton. Qëndro dhe shikoje me syrin e një vëzhguesi skrupuloz dhe ke për të arritur në atë përfundimin aq domethënës: dashuria e nënës- mbi gjithë dashuritë. Kur them për librin, se është një libër xhepi që ta “shqyen” xhepin, mos kujtoni se metafora është hiperbolike. Jo. Përkundrazi: metafora është krejt e qëlluar. Poezitë jo vetëm që janë plot mesazhe, por dhe me figura të goditura artistikisht. Poeti nuk bën llafollogji dhe as nuk zgjatet e strërzgjatet për arritur atë që do të thotë. Flet shkurt, por sakt: me shumë domethënie. Ja një poezi e tillë! Titullohet “Pasqyra”
Kam parë tek ti, pasqyrë/ atë që dëshiroja të shihja/ Pashë vetëm njëherë veten/ u prapësa, i trembur!!!/ Ose sa dhimbje përciell poeti në poezinë “Çorapet e leshit”. Nuk ke si mes “ngrohtësisë që sjellin këto çorape në dimër, s’ke si mos vësh re vargun sinjifikativ: “qe dimri i parë pa timeëmë!? Dhori Thanasi gjatë jetës në Amerikë ka pësuar një dramë familjare. Djali i madh i tij, Fotjoni, një nga dyqindstundentëthonorë të Amerikës, para 10-vjetësh, vdiq aksidenatlisht.. Ky shok i rëndë psikologjik e ka shoqëruar atë tërë jetës. Poezia”10-vjet pa ty, biri im” është një homazh i madh dhimbjeje. “Brenda meje male dhe shkëmbinj vërtiten më kot/ të shkërrmoqin dhimbjen e ta nisin në portat e amshimit/ a ca më shumë: “… kur flas me të tjerë, është aty përreth kurdo/ kur jam fillikat/ i qesh e flas pa belëbëzuar/

* * *
Poeti Dhori Thanasi nuk dënes vetëm për hallet e tij apo të familjes. Gjeografia e dhimbjes, në mund të shprehem kështu, ka shtrirje hipotetike më të madhe. Si poet ai zë dënes edhe për çka ndodh në Atdhe, por dhe jashtë kufijve gjeografikë. Syrit të tij prej poeti, nuk i shpëton as rrënimi i monumenteve historikë dhe as “karshillëku” po historikë ndaj të huajëve. Tek poezia “Rrënim” ai vë re se, ndërsa prishen lapidarët, ngrihen “varreza madhështore” për të rënët e huaj( në jug e veri) dhe, metë drejtë, poeti shtron pyetjen aq retorike: “… do mbesi ndonjë ngastër për ne, për nesër? Po për pasnesër?!
Natyrisht, sado libërxhepi, por mos kujtoni se i tillë është. Jo. Ashtu si një ferrë e vogël që fsheh një lepur të madh, Dhori Thanasi ka trajtuar tema të ndryshme. Aty gjen dhe poezi të peizazhit, gjen lirika të mirëfillta ku i këndohet dashurisë me pathos të vërtetë ashiku.
Shikoni poezinë “Shushatje”: “Me dredha, me ledha/ ma mbështolle trupin/ me fëshe, me pëshe/ ma shkërrmoqe turpin/ dhe mund të vazhdoja me vargje të tjerë plot ëmbëlsi. Me sa konçizitet dhe me sa bukuri e jep dashurinë për gruan: “Shkëndijë të mora/ M’u bëre diell, nuse moj!/ dhe më tej: “Tani venitur/ me dritëhëne/ por ndrit njëlloj. Nuk ka se si jepet gjithë ai densitet real dashurie me 6 vargje që kanë aq domethënie.
Vlerë të veçantë marrin poezitë kushtuar Atdheut apo dhe ato me temë sosciale-shoqrëore. Me pak fjalë, poeti thotë: në Atdhe është një pemë/larg Atdheut- një gjethe! Dy fjalë ndajnë detin. Më bukur nuk ka se si i këndohet.
Marrë në tërësi ky libërxhepi mirë do të qe të ishte botuar në qindra e qindra kopje. Jo vetëm se është lehtësisht i përdorshëm, por, mbi të gjitha, për vlerat artistike- letrare të tij. Për fat të keq, “darova” kaq qe. Mbasi e lexon, s’ke se si përjeton të njëjta përjetime me autorin. Dhe të vjen keq që të ndahesh me të. Në se nuk qëndrova në vlerat gjuhësore e letrare të autorit, kjo ndodhi se m’i dogji “letrat nga duart” mikja ime, Meri Lalaj. E impresionuar nga libri, ajo shkroi për këto vlera. Unë, duke e mbyllur shkrimin tim, e falnderoj zonjën Meri Lalaj për shkrimin aq të goditur dhe, njëkohësisht, poetin Dhori Thanasi për librin. Në se sot ky libër është i kufizuar për lexuesin, nesër ai do gjejë vendin e vet në memorien e lexuesëve shqiptarë.

Tiranë, 1 tetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: denesa e Shiut, Dhori Thanasi, perparim Hysi

8 QERSHORI – NYJA GORDIANE

October 1, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Nodus Gordius, Nodo gordiano, Gordischer Knoten, Gordian Knot, Nœud gordien, Nudo gordiano, Nó górdio, Gordia nodo, Γόρδιος δεσμός, Gordion Düğümü, e tjerë, e tjerë.
Shprehja e mësipërme, shqip Nyja Gordiane, nisur nga burimet enciklopedike, e ka prejardhjen nga letërsia dhe legjendat, me të cilat është e lidhur një rrëfenjë nga jeta e Aleksandrit të Madh. Me kohë, shprehja, në gjuhë të ndryshme, ka marrë një vlerë metaforike, duke treguar se një problem zgjidhja e të cilit është vështirësuar tej mase, saqë konsiderohet i pazgjidhshëm, mund të zgjidhet në mënyrën e Aleksandrit, thjesht duke e këputur. Nga kjo rrëfenjë vijnë shprehjet “të presësh, të këputësh nyjën gordiane”.
Nyja të cilën, po them edhe unë, e preu Aleksandri i Madh në Shekullin IV para erës së re, kishte diku katër shekuj që priste të zgjidhej. Kuptohet, të gjithë ata që kishin provuar para tij, vetëm sa e kishin ngatërruar më shumë nyjën, e kishin bërë më nyjë. Aleksandri i Madh duket se doli shumë shpejt në këtë përfundim, prandaj vendosi të mos humbë kohë, nxori shpatën dhe e këputi, e preu nyjën.
Autorët e zërave enciklopedikë përkatës, përtej kureshtjes së ngjarjes së famshme, të ndodhur apo të fantazuar, shpjegojnë se këputja në këtë mënyrë e Nyjës Gordiane, i dha fund një rendi antik që ishte shndërruar në një pengesë paralizuese për shoqëritë e atyre kohëve.
Enciklopeditë e ilustrojnë aktin e këputjes, përkatësisht prerjes së Nyjës Gordiane nga Aleksandri i Madh me një tablo të Jean-Simon Berthélemy (1743–1811), me titull “Aleksandi i Madh këput Nyjën Gordiane”.
Falë veprimeve të papërgjegjshme të PDK-së dhe falë mosveprimit – të pakuptueshëm të VLAN, 8 qershori 2014 tashmë ka pamjen e Nyjës Gordiane në zhvillimet e Kosovës.
Katër muaj, si katër shekuj për Kosovën, ka që pret zbatimi i verdiktit të 8 qershorit 2014, ku partia që kishte qeverisur shtatë vjet nuk i mori votat për ta vazhduar qeverisjen. Për shkak të raporteve që kishte krijuar gjatë 15 viteve të fundit, ku ajo vetëm 2-3 vite ishte në opozitë, PDK nuk u pranua si partnere në institucionet e reja të Kosovës nga asnjëra prej partive politike.
Dihet si ua ka punuar me të pabesë PDK partnereve të saj në spektrin politik të Kosovës: që nga ORA, LDK e deri tek AKR, dihet si ua ka punuar me të pabesë lideri i PDK partnerëve të tij në kreun e këtyre partive apo kolegëve në vetë partinë e tij dhe në krahun e luftës, që nga Fatmir Sejdiu, tek Veton Surroi apo tek Behgjet Pacolli, që nga Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj e tjerë. Prandaj asnjë nga partitë shqiptare të Kosovës, asnjë nga liderët e politikës nuk pranon të shkelë në dërrasën e kalbur, ku është rrëzuar gjatë këtyre 15 viteve.
Gjatë këtyre katër muajve, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosja janë druajtur se mos, me veprimet e tyre, krijojnë precedentë negativë në historinë e zhvillimeve demokratike të Kosovës. Këtë drojë e ka shfrytëzuar pa asnjë ngurim Partia Demokratike me levat e saj, Presidenten dhe Gjykatën Kushtetuese. PDK kësisoj ka krijuar një mori precedentësh, të cilët ekzisitojnë tashmë vetëm në historinë e Kosovës. Bjerini rruzullit anembanë, mos lini gjë pa shfletuar, mos lini kënd pa pyetur, nuk keni për të gjetur askund në historinë e ndonjë vendi precedentë si këta që janë krijuar në Kosovë prej 8 qershorit. Për këta precdentë kam shkruar disa herë gjatë këtyre muajve, kam shkruar edhe për mënyrat e kapërcimit të tyre, prandaj këtu nuk do të kaloj në shpjegime thjeshtëzuese të mesazheve të shkrimeve të mëparshme.
I vetmi precedent që e kanë krijuar në këta katër muaj LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosja është mosveprimi. Nëse ky mosveprim ka ardhur nga droja, nuk ka asnjë arsye të shëndoshë pse droja e metejshme t’i shtyjë këta faktorë që të mos e bëjnë një precedent të dytë. Dhe vendimtar. Në këtë mënyrë, ta çlirojnë Kosovën nga pengmarrësit e pamëshirshëm, t’ia çlirojnë asaj Kuvendin dhe t’ia japin institucionet e reja, për të cilat votoi më 8 qershor 2014.
Nëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lë asnjë hapësirë për veprim, atëherë do këshilluar me kushtetutat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, do parë si janë zgjidhur situata të vështira në realitetet politike të atyre vendeve dhe të ecet përpara pa i humbur kohë të mëtejshme Kosovës së pasçlirimit nga okupatori, Kosovës së passhpalljes zyrtare të pavarësisë.
Do të ishte një precedent i mirëpritur historik që do t’iu jepte fund edhe kësaj morie të predentëve të krijuar nga PDK këta katër muaj.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, nyja gordiane, Skender Bucpapaj, zgjedhjet e 8 qershorit

NË SHTËPINË E VATRËS MBAHET NJË TAKIM ME ARKIVAT E KOSOVËS

September 30, 2014 by dgreca

Duke filluar që nga ora 5 pasdite e së Martës të 30 Shtatorit, në Shtëpinë e Vatrës, po vazhdon takimi mes Federatës Vatra dhe përfaqësuesëve të Arkivave dhe Institutit të Historisë së kosovës.Prej një jave ky grup po punon në komunitetin shqiptar për të evidentuar dokumentacionin e Diasporës Shqiptare në SHBA, shoqatave dhe organizatave politike, që nuk e vazhdojnë aktivitetin, por edhe ato që e vijojnë në ditët e sotme. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj u uroi mirëseardhjen dhe tregoi për gjendjen e arkivit të Vatrës, historikun e saj dhe mundësitë që ka Vatra për të dërguar kopje të dokumentacionit të saj arkivor. Diskutuan studiuesi Idriz Lamaj, zv/ kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, Zef Balaj, Marjan Cubi,Tom Mrijaj etj.Editori i Dielli ekspozoi disa nga dokumentet origjinale, ndersa kryetari i vatres, d. Gjon Bucaj, dhuroi nje dokument origjinal te vitit 1920, Huaja Kombetare organizuar nga Vatra per Qeverine Shqiptare.
Nga mysafirët përshëndeti dhe tregoi qëllimin misionit që kanë institucionet e Kosovës për të tërhequr dokumentacionin arkivor, vecanërisht atë që ak të bëjë me Kosovën dhe Diasporën, por edhe me Shqipërinë, me marrdhëniet e Diasporës me Shtëpinë e Bardhë, politikën Amerikane etj.
Nga mysafirët përshëndeti dhe tregoi qëllimin e kësaj ekspedite, Drejtori i Arkivave, z. Ram Manaj, si dhe Prof. Shatri së bashku me specialistët që janë pjesë e grupit.Ata bënë thirrje edhe individëve që posedojnë dokumentacion arkivor, shkresor apo fotografik, t’ia dhurojnë Kosovës, me qëllim që të vihen në dispozicion të studiuesëve në mënyrë institucionale. Ata garantuan ruajtjen dhe privatësinë e dokumentacionit të dhuruar.
Vperimtaria po ndiqet edhe nga Televizioni Kultura Shqiptare, Adem Belliu, TV 21 Halil Mula.Të pranishëm edhe Gazetarët Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi, Luz Thaci, Klajd Kapinova si dhe gazeta DIELLI. Takimi vazhdoi per tre ore, ku u pane nga afer arkivat e Vatres dhe Idriz lamaj, Komiteti Shqiperia e Lire etj.

Filed Under: Vatra Tagged With: arkivat e Kosoves, Gjon Bucaj, Ram manaj, Takim ne Vater

BUSTI I DISIDENTIT ANTI-KOMUNIST ÇEK VACLAV HAVEL NË KONGRESIN AMERIKAN

September 30, 2014 by dgreca

“E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet” (Vaclav Havel)/
Nga Frank Shkreli/
Ish-disidenti anti-komunist çek Vaclav Havel, i cili ka ndërruar jetë tre vjetë më parë, konsiderohet si njeriu i cili simbolizon mbarimin e luftës së ftohtë dhe fillimin e konsolidimit të lirisë e të demokracisë dhe i cili njëkohsisht njihet edhe si simbol i pajtimit në ish-vendet komuniste të kontinentit europian, do të renditet me më të mëdhejtë e demokracisë amerikane.
Për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e ish dramaturgut dhe ish disidentit anti-komunist çek, i këthyer në një luftëtar lirie dhe demokracie, Vaclav Havel-in, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur të dedikojë bustin e tij më 19 të nëntorit, në sallën e Kongresit që quhet Forumi i Lirisë. Aty, busti i Vaclav Havelit do të vendoset pranë busteve të më të mëdhejve të historisë amerikane, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit, por edhe pranë ish-kryeminstrit britanik, Uinston Çurçillit. 19 nëntori shënon 25-vjetorin e Revolucionit anti-komunist të Kadifenjtë të Çekisë, revolucion ky që i solli vendit të tij lirinë, demokracinë dhe pavarësinë nga dominimi i komunizmit sovjetik.
Këtë njoftim e bëri më 22 shtator, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, republikani Xhon Boehner i cili nepërmjet një letre njoftoi për këtë vendim të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqsuesve, si dhe anëtarët e Senatit amerikan. Në letrën dërguar kolegëve të tij ligjvenës të të dy partive — demokratëve dhe republikanëve — udhëheqsi republikan i Dhomës së Përfaqsuesve tha se, “Si dramaturg i këthyer në një politikan disident, Vaclav Havel kishte kaluar vite në burg, vetëm e vetëm, sepse gjatë jetës së tij ka sfiduar ideologjinë dhe legjitimitetin e regjimit komunist që sundonte vendin e tij Çekosllovakinë, gjatë Luftës së Ftohtë. Në vazhdim të letrës, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve u tha kolegëve të tij se, “Në 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, revolucion ky i cili çliroi popullin e tij dhe që çoi në zgjedhjen e Vaclav Havel-it si president, ne do të mblidhemi që të kujtojmë atë dhe të gjithë ata, sakrifikicat e të cilëve ndihmuan në përmbysjen e Përdes së Hekurt.” Atë ditë,pothuaj 25 vjetë më parë, më 17 Nëntor, 1989, Vaclav Havel udhëhoqi demonstratën paqësore të studentëve në Pragë, e cila çoi në një numër ngjarjesh që pasuan demonstratën dhe të cilat më në fund rezultuan në rrëximin e regjimit komunist të Çekosllovakisë.
Autorizimi për vendosjen e bustit mbrenda hapësirës së Kongresit amerikan — e që është në përfundim e sipër nga skulptori çek Lubomir Janecka — e ka zanafillën në rezolutën e miratuar njëzëri nga ligjvensit e të dy partive kryesore të Kongresit amerikan, Marsin që kaloi, me qëllim sipas fjalëve të rezolutës për të, “nderuar jetën dhe trashëgiminë e Vaclav Haveli-it”. Duke paraqitur rezolutën në Kongresin amerikan më heret këtë vit, për autorizimin e vendosjes së bustit të disidentit antikomunist çek në Forumin e Lirisë në kryeqendrën e demokracisë botërore, sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti Ed Rois ka thënë se, “Si dramaturg, Vaclav Haveli nxori në shesh absurditetin e ideologjisë komuniste dhe njëkohsisht diskreditoi regjimin komunist shtypës të Çekosllovakisë.” Siç dihet, pas ndërhyrjes brutale të sovjetikëve komunistë për të shtypur lëvizjen e njohur si Pranvera e Pragës, në vitin 1968, që kërkonte një liberalizim më të madh politik, Havelit iu hoq e drejta që të vazhdonte punën në teatër, në përpjekje nga autoritetet komuniste për t’ia mbyllur gojën. Por, ashtu siç deklaroi edhe kongresisti amerikan, Ed Rois, “Komunistët e nënvlersuan tepër pasionin e Vaclav Havelit për liri. Në vend që të dorëzohej përballë frikësimeve të tyre, ai e shtoi veprimtarinë e tij politike, duke luajtur rolin kryesor në përpilimin e asaj që tani njihet si Karta 77 mbi të drejtat e njeriut. Ai njëherazi ishte edhe njëri prej anëtarve themelues të kësaj organizate disidentesh anti-komunistë, të bazuar në të njëjtat parime”, theksoi kongresisti amerikan. Dhjetë vjetë para shëmbjes së komunizmit, më 1979, Vaclav Havel kishte formuar Komitetin për Mbrojtjen e të Persekutuarve Padrejtsisht.Këto dhe veprimtari të tjera antikomuniste, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, tha Kongresisti Rois, shkaktuan që Vaclav Havel të burgosej disa herë nga autoritetet komuniste çeke, por më në fund shtoi ai, “Vaclav Haveli dhe kauza e lirisë, triumfuan”.
Edhe pas rënjës se komunizmit, Vaclav Havel nuk pushoi veprimtarinë e tij në mbështetje të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.Vaclav Havel njihte mirë vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës, si njërin prej regjimeve më të egëra komuniste, jo vetëm në Europë por edhe në botë. Gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Vaclav Havel ishte ndër të parët në Europë i cili luftoi duke kundërshtuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në trojet e veta në Kosovë, me mbështetjen e tij për sulmet ajrore të aleancës perëndimore të NATO-s në fushatëan e saj për çlirimin e Kosovës. Në lidhje me Kosovën, ai ishte shprehur se “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë ai në mbështetje të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të ish-regjimit serb të Millosheviçit. Jiri Pehe, njëri prej këshilltarëve të tij ka thënë se “Kur ai, mbështeti bombardimin e Serbisë më 1999 ose invadimin e Irakut me 2003, ai nuk fliste për objektiva të mëdha gjeopoliitke ose strategjike, por theksonte nevojën për të ndaluar abuzimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga diktatorë brutalë.” Dhe më 2011, Vaclav Havel u qëndroi besnik parimeve të tija, duke ftuar Presidenten e Republikës së Kosovës që të merrte pjesë më 2011 në punimet e konferencës vjetore prestigjioze ndërkombëtare –Forumi 2000 — në Pragë, megjithë kundërshtimet e mëdha nga Serbia. Ishte kjo një thyerje e akullit për pjesmarrjen e Presidentes së Kosovës në mbledhje ndërkombëtare megjithë fushatën dhe këmbënguljen e Serbisë për të mos pranuar përfaqsuesit më të lartë të Kosovës në takime të tilla ndërkombëtare.
Nëse më lejohet një notë personale, gjatë vizitës së parë të tij zyrtare në Washington më 1990, Vaclav Havel kishte kërkuar të vizitonte shërbimin çek të VOA-s për tu takuar me gazetarët e shërbimit çekosllovak të VOA-s dhe për arsye të detyrës së atëhershme, si Këshilltar i Programeve radiofonike të divizionit europian të VOA-s, pata rastin dhe fatin e mirë të isha pjesë e pritjes së Zotit Havel në kryeqëndrën Zërit të Amerikës. Ai takim dukej si një diçka nga bota e përrallave: në kryeqendrën e Zërit të Amerikës, ndodheshim ball për ball me disidentin e famshëm antikomunist çek, mbështetsin e flakët të të drejtave të njeriut në botë dhe njërin prej minuesve kryesorë të komunizmit ndërkombëtar, për të cilin në të gjitha transmetimet e VOA-s, kishim folur pothuaj për çdo ditë, për aktivitetin e tij dhe të kolegëve të tij disidentë, çekë dhe të tjerë anë e mbanë Europës. Diçka e madhe dhe historike me përmasa botërore kishte ndodhur në fund të shekullit 20-tët, dhe ja tani — në Uashington dhe për më tepër në kryeqendrën e Zërit të Amerikës — shtërnguam duartë me njërin prej protagonistëve kryesorë të kësaj historie. Ishte një takim që nuk fshihet lehtë nha kujtesa! Megjithëse ende ishte vështirë të besonim, ne në të vërtetë ishim në prani të njërit prej realizuesve të ëndrrës shekullore për liri dhe demokraci për të gjithë popujt.Ja ky ishte Vaclav Haveli, i cili pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres vizitoi VOA- dhe busti i të cilit tani me akt të Kongresit amerikan do të vendoset mbrenda hapësirës së parlamentit më të njohur dhe më të rëndësishëm të botës. I thjeshtë në nivel njerëzor, human i cili, siç na tha me atë rast e ndjente për detyrë të vinte tek VOA dhe të takonte bashkatdhetarët e tij, zërin e të cilëve e kishte dëgjuar për vite me radhë e të cilët, sipas tij, kishin dhënë një kontribut të madh në informimin e tij dhe të kolegëve të tij gjatë ditëve më të zeza të vendit të tyre.Ky ishte Vaclav Havel, mirënjohës!
Një ditë para se të miratohej rezoluta nga Kongresi amerikan, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e tregoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë gjatë një konference kushtuar trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se ai meriton të nderohej nga Kongresi Amerikan sepse, sipas saj “Ai tregoi se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.
Rezoluta për të nderuar Vaclav Havel-in me një bust në Kongresin amerikan përkrah baballarëve të kombit amerikan, ishte një përpjekje që u mbështet nga të dy partitë kryesore të Amerikës, ndërkohë që sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti republikan nga Kalifornia ka thënë se, “Trashëgimia e këtij luftëtari të lirisë shërben si frymëzim edhe për aktivistët e sotëm paqësor për demokraci”, dhe si i tillë është shprehur ai, në emër të të gjithë kolegëve të tij, imazhi i disidentit anti-komunist Vaclav Havel-it përballë kampionëve të tjerë të lirisë në Forumin e Lirisë të tempullit të demokracisë amerikane që është Kongresi — “Do tu kujtojë brezave të ardhëshëm ndikimin që një njeri i vetëm mund të ketë në avancimin dhe në mbrojtjen e lirisë.” Vaclav Havel si president i Çekosllovakisë ishte ftuar të mbante një fjalim para Kongresit amerikan, vetëm dy muaj pasi ishte zgjedhur në atë detyrë më 1990. Ndonëse ai ndër të tjera foli mbi ndërgjegjen morale të njerëzve në përgjithësi, por të politikanëve në veçanti – tani prania bustit të tij do të jetë e përhershme dhe e përjetësuar në kujtesën e miliona njerëzve jo vetëm nga Amerika por nga e mbarë bota, që çdo vit vizitojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Por për më tepër, busti i disidentit anti-komunist çek në Kongresin amerikan do tu kujtojë të gjithëve dhe për gjithmonë triumfin e shpirtit njerëzor, mbi atë që vet Vaclav Havel kishte cilësuar në fjalimin e tij para dy dhomave të Kongresit amerikan 25 vjetë më parë, si “një sistem totalitar komunist i cili jo vetëm në radhët e çekëve dhe sllovakëve, por në mbarë popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të popujve të tjerë të skllavëruar nga regjimet komuniste, ka lënë pas një trashëgimi të një numëri të madh e të panjohur të vrarësh, një spektër të pa fund vuajtjesh njerëzore, një dështim të tmershëm ekonomik, dhe mbi të gjitha” ka thënë ai, “komunizmi ishte një sistem që ka lënë pas një poshtërim njerëzor të përmasave jashtzakonisht të mëdha. Na ka sjellur tmerre që fatkeqsisht ende nuk dihen”, u ka thënë ai dy dhomave të Kongresit 25 vjetë më parë. Kjo është trashëgimia e komunizmit sipas ish disidentit anti-komunist Vaclav Havel, busti i të cilit tani do të vendoset me Kongresin amerikan më 19 Nëntor të këtij viti, në shënjë nderimi për të po se po, por njëkohsisht është edhe një simbol dhe shënjë kujtese që Shtetet e bashkuara të Amerikës duan që brezat e ardhëshëm amerikanë dhe të huaj të mos harrojnë as krimet dhe viktimat e komunizmit kudo.
Ne Foto: Skulptori çek, Lubomir Janecka duke përfudnuar bustin e Vaclav Javelit që do të vendoset në Forumin e Lirisë të Kongresit amerikan.

Filed Under: Editorial Tagged With: Busti Havelit, Frank shkreli, ne Kongresin amerikan

VATRA President Brings Cham Issue to an InternationalSeminar in Washington DC

September 30, 2014 by dgreca

On Tuesday morning, September 9, 2014, the American Institute for Contemporary German Studies (AICGS) at John Hopkins University in Washington, DC held a workshop seminar; Reconciliation in the Western Balkans and in East Asia: The Role of German Governmental and Civil Society Actors and Implications for the United States.
Dr. JelenaObradovic-Wochnikof Aston University, Birmingham, United Kingdom was introduced by the moderator, Dr. Lily Gardner Feldman. Dr. JelenaObradovic-Wochnik discussedthe challenges of transitional justice, reconciliation and post-conflict transitions in Serbia and Kosovo.
The President of the Pan-Albanian Federation of America VATRA (The Hearth), Dr. Gjon Buçaj, attended the workshop and posed a question with comments as follows:
“A true reconciliation cannot be imposed but can only be achieved if the wrongdoing is recognized and forgiveness is sought. Can a real reconciliation be achieved, given the fact that Serbia has not officially recognized that the genocide and ethnic cleansing ever happened, let alone apologized or asked for forgiveness? The Serbian government, Serbian Academy of Sciences and the Serbian Pravoslav Church are on the same page. As a matter of fact, the Church had publically blessed the Miloshevic campaign that was launched in 1989. It is reminiscentof the genocide and ethnic cleansing that Greek armed forces committed, at the end of WWII, to the Albanian Muslim population of Chameria, a region in northern Greece. Similarly, Greece does not acknowledge that those atrocities ever happened. Although this is not the theme of today’s talk, I mention it because of the parallels between thetwo issues.Albania, which is aspiring to enter the European Union where Greece has veto power, may be going easy on this problem at the present time,but sooner or later this issue will have to be seriously addressed at the state and international levels. Everyone needs peace that is just and real. I sincerely wish success in this important endeavor.”
Dr. JelenaObradovic-Wochnik thanked Dr. Buçaj for his question and acknowledged that theroad to reconciliation will only be achieved by small steps and more importantly, with the right leadership in place. Asmore or less a neutral state,Germany has been able to successfully influence this process forward and will continue. In conclusion, Dr. JelenaObradovic-Wochnik stated that Serbia will and must recognize Kosova, it’s a matter of when.
Dr. Obradovic-Vochnik has also published the book, “Ethnic Conflict and War Crimes in the Balkans: the Narratives of Denial in Serbia”, where she discusses Serbian society’s understanding of andmethods for dealing with war crimes.
After the discussion, Dr. Buçajwas greeted byArtanBehrami and FrymëzimIsufaj from the Embassy of the Republic of Kosovo, both in attendance of the workshop.(Dielli)

Filed Under: Vatra Tagged With: Brings Cham Issue, to an InternationalSeminar in Washington DC, VATRA President

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4378
  • 4379
  • 4380
  • 4381
  • 4382
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT