Nga Prof. Murat Gecaj/
1.Nuk është libri i parë, ky që kemi në dorë, pra “Edhe ne jemi Bota”(Boras, 2013), me autor Bahtir Latifin. Një lexues i vëmendshëm e ka të njohur se, më herët, ai ka publikuar librat: “Jeta e ëndrrave tona”-poezi dhe “As i gjallë, as i vdekur”-prozë. Duke jetuar e punuar ndërmjet Bashkësisë Shqiptare, në qytetin Boras të Mbretërisë së Suedisë, ka përjetuar ngjarje të ndyshme, kulturore, arsimore e shoqërore etj. Rreth tyre, ai ka shkruar e publikuar, me raste, edhe në revistën shqip të atij qyteti, “Dituria”, të cilën e përgatitë dhe e nxjerr në qarkullim, Qendra Kulturore Shqiptare, “Migjeni”.
Duke qenë përherë i pranishëm në veprimtaritë e bukura, me përmbajtje atdhetare, kulturore, arsimore e artistike, që janë organizuar e zhvilluar, sidomos në qytetin e vogël, por të bukur Boras, atje në Skandinavinë e largët, që në hyrje, autori B.Latifi shprehet me ndjenja nderimi e respekti, jo vetëm për vendlindjen e tij, Vushtrinë e tërë Kosovën, por dhe për Shqipërinë e mbarë trojet tona amtare. Prandaj, ai shkruan, me gëzim e optimizëm të natyrshëm: “Jemi një popull, që kemi vuajtur, sakrifikuar e luftuar shumë kundër armiqëve, që na i mohuan të drejtat tona, të cilat i kishim dhuratë nga Zoti. Por sot jemi të lirë. Të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, në shpirt ndihen më mirë, më të gëzuar dhe më me shpresë, se kurrë. Këtë gjë, e bën më të sigurt fakti, se jemi një popull i lashtë, që dimë të duam, të respektojmë, të ndihmojmë dhe të punojmë”.
2-Libri publicistik, për të cilin do të flasim shkurtimisht më poshtë, ka këshilltar editorial Sokol Demakun, redaktor Viron Konën dhe recensente Qibrije Hoxhën.
Në faqet e para, autori jep disa të dhëna për shtetin e Suedisë, si dhe për qytetin Boras, ku jetojnë e punojnë edhe 2.500 emigrantë shqiptarë. Me interes është shkrimi kushtuar Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e themeluar më 10 mars 2007, me mbështetjen e qeveritarëve vendës suedezë. Ajo ka organizuar dhe zhvillon veprimtari të pandërprera, me synim ruajtjen e traditave të çmuara të shqiptarëve dhe duke ua përçuar ato, sidomos, brezit të ri në emigracion. Pjesë e rëndësishme e kësaj Qendre është botimi i revistës me emrin “Dituria” dhe me kryeredaktor Sokol Demakun. Po kështu, u nis puna dhe vazhdon emetimi i programit në gjuhën shqipe, përmes radios “Dituria”.
Tashmë, siç e përshkruan autori i këtij libri, në qytetin Boras tregohet kujdes i posaçëm që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë të gjallë, gjuhën e prindërve të tyre. Ndër të tjera, në këtë drejtim, një ndihmesë të rëndësishme ka luajtur dhe vazhdon të luajë projekti, me emrin domethënës, “Udha e shkronjave”. Nismëtare është shkolla e Borasit, “Fjardingskolan”, me drejtor Per Ketissen, në bashkëpunim me kolektivin mësues-nxënës të shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, me drejtor Abdyl Buçpapaj. Për këto lidhje, me vlera të ndërsjellta,në këtë libër autori ka botuar disa shkrime.
Megjithëse ka kaluar disa kohë nga festimet madhështore të 100-vjetorit të Pavarësisë, në libër shkruhet edhe për veprimtaritë e organizuara nga QKSH “Migjeni”, në Boras. Të tilla ishin: Akademia me rastin e Ditës së Flamurit, por dhe, më vonë, festimi i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës; ekspozitat e ndryshme, me fotografi e piktura; “Java e artit shqiptar”, paraqitja e veshjeve popullore shqiptare etj. Të pëlqyera dhe me vlera të shumta edukative, sidomos për fëmijët, kanë qenë veprimtaritë për librat artistikë, ato për Vitin e Ri etj.
Siç e përmendëm më lart, lidhjet e QKSH “Migjeni” të Borasit, si me Shqipërinë e Kosovën, janë të vazhdueshme. Prandaj, autori B.Latifi ka shkruar edhe për vizitat e kryera atje, nga mësues, shkrimtarë dhe publicistë të ndryshem. Ndër ta, ka qenë shkrimtari i njohur Viron Kona, të cilit iu përkthye nga Qibrie Hoxha dhe botua në Suedi, libri i bukur për fëmijë, “Eh, mor Bubulino!”
3.Një ngjarje e shënuar, sidomos për emigrantët shqiptarë të Borasit, ishte festimi i 5-vjetorit të krijimit të QKSH “Migjeni” e Revistës “Dituria” dhe 4-vjetori i Radios “Dituria”. Ceremonitë e rastit, për të cilat flitet gjerësisht në këtë libër, u zhvilluan aty, në pranverën e vitit 2012. Kishin ardhur edhe bashkatdhetarë tjerë, me banim në disa qytete të Suedisë, por dhe të ftuar nga Shqipëria e suedezë, ndër të cilët ishin: Kryetari i Bashkisë së Borasit, Per Olof Hëg; albanologu i njohur dhe mik i shqiptarëve, Ullmar Kvik; drejtori i “Fjardingskolan”, Per Kettisen etj. Përveç të tjerave, aty u ndanë disa “Mirënjohje” nga QKSH “Migjeni” dhe kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.
Më tej, në këtë libër pasqyrohen veprimtaritë festive, që u organizuan në Boras, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës. Me interes janë edhe shkrimet, që u kushtohen përurimit të disa librave, nga autorë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani”, e cila kryesohet nga Hysen Ibrahimi. Për t’u përmendur janë: Fjalori katërgjuhësor, përgatitur nga Mr.Sadulla Zendeli-Daja; libri “Urti poetike, poezi shqipe nga mërgimi”, nga Ismet Hasani; “Kujtime nga Dispora-3”, i Sokol Demakut; “Me zemër në vendlindje”, i M.Gecajt; “Zonja nga Borasi”, i V.Konës; “Të mësojmë së bashku”, i Hamdi Arifajt etj.
Libri mbyllet me shkrimin, “Ditë të paharruara, me miq nga Tirana, në Boras të Suedisë”. Ai shoqërohet me mjaft fotografi domethënëse, nga jeta dhe veprimtaritë, që kanë organizuar emigrantët shqiptarë, në shtetin mik suedez.
Tiranë, 26 gusht 2014
BIXHOZXHIU
Nga Albert Z.ZHOLI/
Sa hyri, u mbështet pasdere. Këmbët s’e mbanin. Balli i qe mbuluar me djersë, që i rridhnin nën mjekër. Gruaja e fëmijtë e shihnin me dhimbje, pa guxuar t’i afroheshin për ta ndihmuar. E dinin që ai kërkonte një minishkak për sherr. Duke u mbajtur pas murit mezi arriti të ulej në divan. Djali pesë vjeç dhe vajza tetë vjeçe rrinin të strukur në gjirin e nënës. Era e uzos mbushi me kutërbim gjithë shtëpinë. Heshtjen e prishi gruaja, Elsa:
-Shkoni nga dhoma tjetër se do të bisedoj pak me babanë-urdhëroi ajo fëmijtë e saj.
Ata hynë në dhomën e gjumit dhe mbyllën derën. Elsa iu drejtua të shoqit:
-Si nuk të vjen turp që vjen në këtë gjendje para fëmijëve! Ç’edukatë do të marrin ata nga ne si prindër?!
-Mos më mëso ti mua, u bë bishti më i madhe se sqepari…
-Nuk po të mësoj por dua të të them se je baba fëmijësh dhe ke muaj pa shkuar në punë.
-Nuk gjej dot punë. Në ndërtim nuk shkoj, nuk kam ardhur të le kockat në Greqi.
-Të paktën mos luaj bixhoz e mos pi trutë.
-Boll tani, boll, shko fli…
-Do shkoj por më parë më jep librezën se do shkoj të paguaj qeranë nesër. E kërkova por nuk e gjeta.
-Ç’e do librezën ajo është bosh.
-Si!-shqu sytë ajo nga habia. Trupi nisi t’i dridhej. Aty ishin 600 mijë dhrahmi.
-Ishin por s’janë. I humba sot në lojë-bixhozi. Në fillim fitova dy duar, pastaj i humba të gjitha. Kupton bixhozi është bixhoz.
-S’të vjen turp! Jo vetëm nuk punon por… -nisi të lotonte.
-Mos më folë me atë gjuhë mua-turfulloi ai.
-Ta them njëqind here turp, turp, turp. Luan bixhoz me bukën e fëmijëve.
-Qepe të them! Po sikur të fitoja kështu do më flisje!
Hapet dera e dhomës dhe hyn Sidorela tetë vjeçare. Ajo, me lotë në sy i drejtohet të jatit:
-Babi, mami ka të drejtë. Ajo punon ditë e natë e ne jemi më të varfër nga gjithë shqiptarët që njoh unë. Unë as çantë të re nuk bleva si gjithë shoqet e mia. Atyre u punojnë babët…-dhe qau me ngashërim.
I jati shtangu. Nuk i priste ato fjalë nga fëmija e tij. Ajo ishte rritur brenda javës, apo ishte bërë ai i vogël deri në moshën e një fëmije?!
Përrallë nga e tashmja
Zoti Kryeministër, unë kam besuar se ti do të ishe njeriu i ndryshimit, por nuk e di pse po i largohem cdo ditë e më shumë dhimbshëm këtij mendimi./
Opinion nga Fatmir Lamaj/ Ish i Perndjekur Politik/
Ky popull i lodhur ka kohë që degjon përralla nga më të çuditshmet dhe më absurdet prej atyre që për 70 vjet e quajnë vetveten ‘’ baballarët e kombit ’’, por kurrë nuk kanë qënë të tillë vecse përfaqësues mjeran e hileqarë të atyre politikave që e katandisën këtë vënd në një oaz kaosi, krimi dhe çmëndurie pafund. Të premtosh si politikan, se për popullin tënd do të bësh atë e këtë është fare e natyrshme kur je larg pushtetit, por kur vin në pushtet mos të mbash as cerekun e premtimeve të bëra, do të thotë se qëllimi jot i vetëm ka qënë marrja e pushtetit dhe jo detyrimi moral e shpirtëror që të imponon votëbesimi i qytetarëve. Enver Hoxha me bandën e tij gjakatare u premtoi shqipëtarëve se do të hanin me lug floriri dhe qumshti do tu vinte në rubineta tek shtëpia, por më vonë kur mori pushtetin jo vetëm që ju mori shqipëtareve floririn e grumbulluar nga të parët e tyre dhe ata vetë si dhe iu rrembeu pronat e gjithcka kishin, por s’ju dha as lugë druri, si dhe i hoqi dhe dhinë e fundit fshatarit duke e lënë atë ti digjesh buza për një pikë dhallë. Ato tëmerre dhe krime që bëri regjimi i Enver Hoxhës, nuk i ka bërë asnjë pushtues që ka kaluar deri tani në Shqipëri, asnjë pushtues nuk i mori shqipëtarëve pronat, floririn, jeten e të tjera, asnjë pushtues nuk e ktheu Shqipërinë ne një vënd burg, asnjë pushtues as italianë dhe gjermanë nuk vranë më shumë shqipëtarë dhe nuk i burgosi ata si Enver Hoxha të cilët sot bijtë dhe nipërit e tij, në vënd që ta dënojnë atë dhe komunizmin si mallkimin më të madhë dhe gjëmën më të pashembullt, si periudhën më të zezë në historinë e këtij vëndi, mundohen në mënyrën më të turpshme ta rehabilitojnë figurën e tij të urryer. Ne sot ballafaqohemi me paradoksin e madh që deri në 79’ Kina na dërgonte dhe na ndihmonte kur nuk kishte për vete armë dhe ushqime, për t’u mbrojtur nga grekët e të tjerë, ndërsa sot kinezët të fuqizuar ekonomikisht, investojnë miliarda në Greqi, ndërsa në Shqipërinë motër nuk hedhin asnjë kacidhe dhe kjo jo për faj të tyre, por për fajë të paranojës e delireve të cmëndura të kryexhelatit Enver Hoxha. A sduhet të dënohet Enver Hoxha edhe sikur vetëm këtë njollë të zezë të kishte në biografinë e tija te nxirë nga bëmat e gjëmat si kryexhelati i këtij vëndi?! Rasti Shtraus si rast i humbur, por edhe si një rast unikal që nuk i vjen më Shqipërisë rëndon jo vetëm mbi Enver Hoxhën, se në atë kohë ai ishte gjysmë i vdekur, por dhe mbi të tjerët që dhe sot tundin paturpësisht flamurin e enverizmit. Për atë flamur është thyer cdo lloj shtize. Mbas 90’ filloi përralla e madhe e ‘’demokracise’’ që për më shumë do të shënohet në histori si periudha tragjiko-komike që shpërfytyroi totalisht qënien shqipëtare dhe e avancoi atë drejt kuotave të frikshme për tu qajtur më si i tillë. Demokracinë nuk mund ta bënin ata njerëz që ishin lidhur shpirtërisht, mëndërisht dhe ekonomikisht me diktaturën. Mentalitetet e këqija gjithmon e vrasin të mirën. Shoku Sali e vazhdoi përrallën e pseudodemokracisë me frenetizmin e vet diabolik duke shkaktuar akoma plagë të mëdha mbi trupin e drobitur të këtij populli aq të vuajtur. Enver Hoxha nuk e tjetërsoi pronën me përkatësië e saj tek individi, ai e shtetëzoi, saliu e masakroi. Ai ishte pronari absolut i këtij vëndi për mbi 40 vjet, por diktatorët kanë një kohë të kufizuar në pushtet, aq sa është jeta e tyre dhe pastaj i nënshtrohen kamzhikut të historisë dhe flakëve te Xhehenemit. Diktatorët e kamufluar mund të të bindin për castin se kanë të drejtë, por do të duhen shekuj për të rregulluar padrejtësitë që ata bëjnë. Ka cerek shekulli që shqipëtaret hanë mbeturinat e grekeve e të të tjerve, në vënd të prodhimeve të tyre të mrekullueshme, sepse ligji 7501 duke ndar tokën në gastra të vogla, ia heq mundësinë cdo individi për të investuar. Shtoji kësaj dhe pasigurinë për ta quajtur pronën e vet kur se ka të tijën e ktheu bujqësinë shqipëtare në gjëndjen e saj më të mjerueshme. Shqipëria sot harxhon cdo vit qindra miliona euro për importimet e fruta-perimeve dhe drithërave, të gjitha të një cilësie shumë të dobet dhe njëkohësisht mjaft të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Sali Berisha mbetet i vetmi politikan me përgjegjësi absolute, të jo vetëm miliarda eurove të cuara dëm për importimin e produktplehrave të Greqisë, Maqedonisë, Serbis dhe Rusis, por edhe për jetën e mijërave shqipëtarëve që i kanë vrarë e po i vrasin akoma produktet e pakontrolluara e jashtë standaritit qe kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në Shqipëri. Gjithashtu dhe përgjegjësi kryesor për mijëra jetë që ka marrë dhe vazhdon të marrë cështja e pronve në Shqipëri. Sali Berisha si produkti më i neveritshëm i skenarit katolician i cili u zbatua në Shqipëri me tragjikisht se në cdo vënd tjetër të lindjes, në veri e suprimoi 7501, duke inkajuar emisarët e tij veriorët që t’i linin bjeshkët e t’ju turreshin fushave të Shqipërisë së mesme e të jugut, ku 7501 u bë i zbatueshëm nëpërmjet disa politikanëve pervers që cdo ditë probagandonin që ky ligj ishte i përkohshëm. Veriorët janë bërë zotër tokash të Shqipërisë së mesmë dhe të jugut pasi kanë dhe tokat e tyre në veri.A nuk është kjo një padrjtësi që duhet ndrequr Zoti Kryeminister, apo përralla do të vazhdojë akoma? Ne, të burgosurit politik në masën mbi 90 % kemi qënë pronar të vegjël tokash, ndërsa sot jemi ish pronar. A nuk na takon dhe neve të kEmi një copë tokë prej baballarëve tanë? Mbi 50 % e tokës në Shqipëri ka qënë në pronësi shtetërore, duke llogaritur e mijera hektarë që u hapën si toka të reja. A nuk mund të merrte cështja e pronës një zgjidhje më të drejtë e më të pranueshme për të gjithë?!Apo nuk ka mundësi, sepse pushtetarëve të djeshëm e të pardjeshëm iu janë dhënë nga qindra hektar në bregdet me një qira simbolike apo qesharake prej 99 vjetësh?! … Kuptohet që iu është falur nga zemërgjerësia e pushteteve, apo dhurata partish për votat e rrëmbyera here pas here. Ju sot ju jepni pensione speciale ish sigurimsave dhe ish ushtarakeve, ndërsa të burgosurit politikë që ndërtuan gjithë Shqipërinë dhe vuajtën aq shumë në diktaturë, marrin pensione qesharake. Ish sigurimsat dhe ish ushtarakët ishin veglat qorre më të bindura të diktaturës dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qënë të inkriminuar deri në ditët e fundit të saj. Në një shoqëri ku xhelatët trajtohen më mirë se viktimat, demokracia është vetëm fasad që iu shërben neoxhelatëve për të mbajtur pushtetin e tyre. Na premtuat përshpejtimin e kësteve, por deri më tani ne të gjalliët, përveç atyre që kishin problem me dosjet vazhdoni na konsideroni si një relik e dhimbshme e së kaluarës, ndaj së cilës deklaroni ndonjëherë keqardhje dhe asgjë më shumë. Një gjerman erdhi ne shqipëri për një krim të kryer nga gjyshi apo babai i tij dhe kërkoi falje në Borovë. Kërkoi falje për një krim të kryer në kohë lufte, ndërsa kriminelët shqipëtare, na falni komunistë, akoma kapardisen rëndë-rëndë dhe ndihen krenar për krimet e tyre. Kërkimfalja është një akt moral i cili duhet të ndodhë vullnetarisht, por ndonjëherë dhe duke e imponuar përmes mekanizmave që ka shteti. Në shtator të 93’ në Shqipëri ndodhesh për vizitë kryetari i asamblesë së OSBE-së dhe kur pa së ç’kishtë ndodhur në këtë vënd deklaroi nëpërmjet intervistës së tij dhënë pranë TVSH së : ‘’ Pati një luftë të dytë botërore me kaq shumë viktima, por pati dhe një gjyq Nurenbergu që i nxori kriminelët në gjyq ’’. Ndërsa kriminelët shqiptarë vazhdojnë të qetë jetën e tyre duke shijuar pensionet e majmë dhe përkujdesjet e pamunguara, të dhëna këto qoftë nga pushteti ‘‘demokratik’’ i Sali Berishës, por edhe nga qeveritë e mëparshme socialiste. Të gjithë e meritojnë të jetojnë, por gjithëkush duhet të mbajë përgjegjesi për bëmat e kryera gjatë jetës së tij. Zoti Kryeministër, unë kam besuar se ti do të ishe njeriu i ndryshimit, por nuk e di pse po i largohem cdo ditë e më shumë dhimbshëm këtij mendimi. Iu jam drejtuar publikisht në shkrimet e mia për të hequr monumentin që ndodhet përball IIPP-së i cili nuk mund të përfaqësojë vujtjet, dhimbjen dhe sakrificat tona në periudhën e diktaturës, por është një simbol i urryer i shpërfytyrimit njerëzor. Problemet e vështira të një vëndi zgjidhen gjithmon me vendosmëri të madhe. Bëni atë që duhet bërë që përralla e pseudodemokracisë në Shqipëri të marri fund njëherë e përgjithmonë. John Kennedy, i ngritur mbi krahët e guximit deri në ato lartësi që rrallkush i arrin ka thenë: ‘’ Vetëm ata që guxojnë të humbasin shumë, fitojnë shumë’’.
SHTATORJA E ADEM JASHARIT, NGA TORONTO U VENDOS NË PREKAZ-KOSOVË
Para pak kohësh, një nga gazetat e përditëshme të Tiranës njoftonte se “Shtatorja e Adem Jasharit, udhëton nga Toronto në Prekaz. Kosovë”. Një lajm i bukur dhe mjaft domethënës, kur mësojmë se kjo vepër arti, punuar nga skulptori shqiptar Hytbi Tarelli, banues në Kanada, i dhurohet muzeut të familjes Jashari, në nderim të heroizmit të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët dhanë jetën, duke u bërë frymëzim dhe gurr themeli në lirinë e Kosovës.
Shumë kush habitet, kur disa ngjarje bëhen gërshet mes tyre në mënyrë të çuditëshme. Rrethanat e dëtyrojnë autorin e veprës, që pas aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, si fillim të qëndrojë në Shkodër, ditën tjetër të udhëtojë drejt Prizrenit, pas një nate drejt Prishtinës e më pas në Prekaz. Ndoshta, para se të shkonte e të vendosej në atë vend të shenjtë, mos vallë u desh marrë bekimi i kalasë së Rozafës, si legjendë e qëndresës, më pas bekimi i “Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, me ata burra të fisëm, trima e të kuvendit, më tej bekimi i Ibrahim Rrugovës, burrit të mençur që bëri aq shumë për Kosovën? Nuk di pse mëndoj kështu, mbase është frymëzimi, ndoshta më shumë besimi, dëshira dhe fati, që i lidh dhe i bashkon kështu ngjarjet krejt të rastësishme, por që përkojnë bukur.
Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë, duke filluar që nga ambalazhimi e kujdesi për të mos u dëmtuar. Kemi parasysh si hidhen e priten valixhet dhe pakot nëpër aeroporte, por që frika vazhdon më tej, sepse udhëtohet nëpër makina të rastit, shtojmë edhe merakun, se duhesh ngjitur edhe nëpër shkallët e hoteleve. Fatmirësisht asgjë e keqe nuk ndodhi. Shtatorja e heroit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e deshte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë.
Lëvizja nëpër Kosovë ishte programuar për bukuri nga dy vëllezërit prizërenas, Z. Naser Berisha me banim në Kanada, kryetar i shoqatës “Iliria”, njëkohësisht kryetar i “Aleanca e Bizneseve Shqiptaro – Kanadeze”, që ishte dhe ideatori e organizatori kryesor i kësaj veprimtari, së bashku me mjekun Dok. Nexhip Berisha, drejtor i qendrës shëndetësore të Prizrenit, të cilët u treguan bujarë në mikpritje, të gatshëm në ndihmë, njëkohësisht të kujdesshëm e të papërtuar gjatë gjithë kohës.
Çdo gjë e llogaritur deri në imtësi. Data 26 Korrik 2014, ora 12.00 në Prekaz. Një kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit, në nderim të gjithë të rënëve. Më pas në muzeun e familjes Jashari, ku u pritëm aq ngrohtë e miqësisht nga z. Rifat Jashari, vëllai i heroit, një plak i pashëm, i mençur e fisnik, që i peshonte fjala, me portret tipik të racës burrnore shqiptare. Ai pati mirësinë dhe nderin të marë në dorë shtatoren e heroit. Çaste të paharruara, të mbushura me shumë emocione të përjetuara aq njerëzisht nga të gjithë të pranishmit. Fjalët sado të zgjedhura e të bukura qofshin, nuk e mbajnë dot peshën e ndjesive që provon çdo njeri i ndodhur përballë ndodhive të tilla, që rrallë ndeshen në jetë.
Baca Rifat, i cili mban të gjallë kujtimin e legjendarit Adem dhe të gjithë familjes që u sakrifikua në emër të lirisë së Kosovës, shprehu falënderim e mirënjohje zemre për autorin e veprës, që e solli në Prekaz, në shtëpinë e tij Adem Jasharin. Përqafim dhe shtrëngim duarsh, kur mësoi se Hytbi Tarelli është shqiptar i lindur në Devoll, në qarkun e Korçës, por që prej disa vitesh banon e punon në Kanada. Në atmosferën e emocioneve të mëdha, të gjithë të pranishmit përshëndetën dhe uruan autorin e kësaj vepre që përjetëson heroin, njëkohësisht edhe për idealizmin dhe gjestin atdhetar të tij, duke e sjellë që nga aq larg, për ta vendosur pikërisht në vendin ku ai luftoi dhe ra, në dheun e Kosovës së lirë, ku u bë martir e mbeti legjendë në ndërgjegjen dhe historinë e kombit. Më pëlqen ta përsëris shpesh një aforizëm të Halim Hasanit: “Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve”! Fjalë që u përkasin të gjithë popujve, e më së shumti ne shqiptarëve, kur lufta për çlirim e bashkim kombëtar, ka shekuj që ka nisur e akoma nuk ka bitisur.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me idenë dhe mundimin për të ardhur deri në Kosovë, ai shprehet:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte të pjekura në fabrikat e punishtet e tullave, e deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme, disa janë akoma në studio, shumë të tjera të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada e më përtej akoma, larg deri në Dubai, në Arabi. Para dy vjetësh, isha në Tiranë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada.
Tani që jam larg Shqipërisë i kuptoj dhe i besoj fjalët e të madhit Faik Konica, i cili shkruante: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg për të kuptuar se ç`bukuri të ëmbël ka për veshët, fjala mëmëdhe”. S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ndaj më ngacmon tematika kombëtare, sidomos e personaliteteve dhe heronjëve që kanë bërë histori, me të cilët mburremi dhe na njeh bota. Në studion time gjen Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa Boltinin dhe të tjerë, mes tyre edhe Adem Jasharin, të cilin sapo e çova dhe e vendosa këto dit në Kosovë.
E di që do më pyesni, si lindi kjo ide? Po ju kursej kohën, duke u përgjigjur:
– Para ca kohësh në studion time, mes shumë e shumë vizitorëve erdhi Naser Berisha, mërgimtar edhe ai si unë. I hodhi një sy punëve me radhë. Më përgëzoi për bustin e Skënderbeut të larë në flori, për portretin e Nënë terezës, por sytë i mbetën tek shtatorja e Adem Jasharit. E vështroi gjatë, e m`u kthye:
– Ky monument s`është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku luftoi dhe ra së bashku me shumë anëtarë të familjes së tij të madhe. – Kaq u tha dhe të tjerat rrodhën vetiu. Si fillim ngurrova nga kjo kërkesë e papritur, por edhe më erdhi mirë, pasi goditi në shenjë, në dëshirën time të pashprehur. Kur e nisa punën një zë i brendshëm më thoshte: Shtatorja e Adem Jasharit e këtij simboli të trimërisë dhe heroizmit shqiptar, i përket Prekazit, Skënderajt, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Vërtet pati shumë mundim dhe shpenzim, por tani që u mbarua puna them se kam bërë një vepër që e vlen. Nuk e kam fjalën për vlerat artistike, pasi ato i gjykon publiku dhe kritiku, por për një premtim timin. Jam i lumtur që e përmbusha amanetin që i kisha bërë vetes. S`jam as i pari e as i fundit që përjetësoj këtë figurë me përmasa të jashtëzakonshme. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë. Kjo që bëra, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën, për këtë copë shqipërie, që të jetë e lirë. Heronjtë e tillë, kurdoherë do të frymëzojnë penën e poetit dhe shkrimtarit, penelin e piktorit, daltën e skulptorit, notat në pentagramin e kompozitorit, fjalën e aktorit në skenë dhe lahutën e rapsodit. Ata madhështohen e përjetësohen në lavdi, sepse meritojnë dhe kanë mirënjohjen e nderimin e kombit.
Shpirtërisht, dëshiroj edhe një herë të falenderoj nga zemra: baca Rifat Jasharin, për pritjen e ngrohtë dhe shumë emocionuese, z. Naser Berisha, ideatorin e udhëtimit dhe organizatorin energjik të ceremonisë. Falenderoj historianin Prof. Dok. Nusret Pllana, mjekun dok. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, sekretar i shoqatës “Atdheu” në Zvicër, z. Valmir Hylenaj nga Skënderaj, z. Endrit Thaçi nga Llapushniki, njëkohësisht miqtë e mi z. Tahir Veliu, stërnip i Hasan Prishtrinës, biznesmen, veprimtar i çështjes kombëtare, që jeton në qytetin Alberta në Kanada, z. Arsim Sejdini mësues në Prishtinë, si dhe të gjithë pjesmarrësit e tjerë, pa të cilët do ta kisha të pamundur ta çoja deri në fund premtimin tim.
U jam mirënjohës! Kjo ishte dhe do të mbetet një nga ditët më të veçanta e më të bukura të jetës sime.
Përgatiti: Kadri Tarelli- Durrës më 24. 08. 2014
(ËSHTË KOHA) TË VËMË KUFIRIN TE “THANA”?
Paçka se pazari i Tiranës është i ri, paçka se Tetova ka pazar të gjalpit e Shkupi “Bit Pazarin” dhe…,/
Nga Fadil LUSHI/*
Dikush tha: Tirana paskësh “Pazar të Ri!?”…, tjetri tha: Ana e majtë e Shkupit, ka “Bit Pazarin” (“Pazarin e morrit”), ca të tjerë thonë: Tetova ka “Pazarin e gjalpit”, Gostivari paskësh “Pazarin e ditës së martë” e tjera pazare. Një “shehërli i moshuar” tha: Qyteti im ka orkestër frymore. Një tjetër njeri që hiqet si i gjithëditur tha: Edhe fshati im ka fakultet. Po, ashtu, thanë e ç’nuk thanë.
“Paçka se pazari i Tiranës është i ri, paçka se Tetova ka pazar të gjalpit e Shkupi “Bit Pazarin” dhe…,
kur dihet se ato përgjithmonë mbeten vetëm pazare, që të kujtojnë një hapësirë ku shihen a duken lloj-lloj frekuentuesish, pra e vetmja hapësirë ku frymojnë lirshëm dhe vullnetshëm thashethemexhinjtë dhe thashethemnajat e tyre, është një vend ku trashet muhabeti…, aty mund të shohësh fshatarë, shehërlinj, fukarenj, pasanikë, “aristokratë bllokmenësh”, tyxharë, kontrabandistë, sekserë, të cilët toptan bëjnë pazare, toptan gënjejnë; se toptan ia fusin njëri-tjetrit (“drejt a kryq”) s’është e rëndësishme, aty shiten dhe blihen mallra me afat të shkurtër…, ai që nuk “di të bëjë pazar”, rrezikohet që t’i priten duart deri në bërryl dhe, kur e pëson kësisoj, nuk del më në Pazar, po qoftë ai të jetë i “ri, i gjalpit, i morrit” e tjerë. Aty mund të gjesh çdo gjë, siç mund t’i gjesh në “Kapali çarshinë e Stambollit!?”. “Çuditërisht”, këtyre pazareve lëre që u mungojnë ato shiritat e verdhë evropianë (ato zakonisht vihen para sporteleve), por fatkeqësisht u mungojnë edhe ato “vijat e kuqe” dhe shumë shenja të tjera treguese!? Evropa i dallon shiritat e verdhë dhe vijën e kuqe, siç i dallojnë amerikanët dollarët e tyre me bojë jeshile…, shqiptarëve ndoshta nuk u hyjnë në punë këto shirita dhe vija të kuqe, sepse komunikojnë me “isharete dhe nuk dalin dot nga istikamet!?”.
Një “nostalgjik”, që kishte ardhur në treg për të bërë “pazare me porosi”, ashtu “instiktivisht” bërtiti duke thënë se…, të keqes sonë urgjentisht duhet vënë kufirin te “thana” (shkoi pak si larg, ai kufi duhet të vihet para hundës, megjithatë, fjala e tij ishte e guximshme, humane, e urtë, kuptimplotë dhe me shumë porosi ). Skeptiku dhe dembeli që u duk atypari, e pyeti: Ç‘të duhet kufiri…, kurse ai tha: Më duhet ta di se deri ku mund të “ma fusin armiqtë…, deri te dera apo deri te thana!?”
Kjo e thënë e mësipërme nuk është vetëm një proverb a urtësi popullore, përkundrazi është një reflektim juridik, si dhe një filozofi politike (gjithsesi si diçka e domosdoshme për rrethanat tona)…, dhe jo rastësisht kjo shprehje sot e kësaj dite, lakohet nëpër fshatrat tona malore, po edhe në fjalorin e intelektualit, patriotit, prozatorit, politikanit, gjuhëtarit e tjerë. Kjo thënie ka një “gjymtim”, nuk i “shkon” qytetit, sepse thana, rrjedhimisht, nuk kultivohet në qytet dhe sikur të bëhet nuk “është në natyrën e tij”.
Parashtrohet pyetja – deri ku shtrihen kufijtë e marrëzisë sonë, deri ku shtrihen kufijtë e krimit të organizuar, ku janë kufijtë e nepotizmit, ku janë kufijtë e talljes dhe joseriozitetit tonë provincial, po pse jo edhe kolektiv…, pse vallë nuk na hyjnë në punë “shiritat e verdhë evropianë”, pse këta shirita nuk i hyjnë në punë atij “kapadaiut” (specie në zhdukje e sipër), i cili shpesh (me e pa arsye) e vë kësulën me strehë mbi sy a mënjanë sa për t’u treguar fukarenjve se si i ka punët në terezi dhe me tamam (pavarësisht se ato, i ka si “tërkuza në thes apo si dardha që e ka bishtin prapa!?”)…, një njeri që nuk ndërgjegjësohet për të vërtetën se moti i ka “firuar fiqiri”. Në këto pazare nuk ka mallra dhe prodhime që mund të shiten jashtë vendit. Se deri ku shtrihen kufijtë e së keqes në kulturë, në arsim, në politikë, në ekonomi dhe në veprimtari të tjera shoqërore, unë nuk e di.
“Paçka se shehërliu dhe shehri i tij paskan orkestër frymore?” kur…,
në këtë “Pazar të ri” po qoftë ai të jetë i vjetër…, i Tiranës, i Tetovës a i Shkupit, me kësisoj kufij të papërcaktuar, do të hetohet analfabetizmi muzikor, do të bastardohet kënga e vjetër qytetare ose ajo popullore. Në mungesë të kritereve dhe standardeve do të lindë muzika “tallava” e cila, lëre që nuk është pjesë a pjellë e folklorit (gojor) shqiptar, por na doli një kopje a riprodhim (i zbehtë dhe banal) i orientalizmit dhe provincializmit aziatik. E gjithë kjo rrëmujë e madhe si duket kundërshtimin, shqetësimin dhe heshtjen tonë prej varri e ka shtrirë “përfundi”. Lëre që kjo muzikë jona, dita-ditës gangrenizohet, por edhe rrezikohet që t’i zbehet edhe ai pak tharm identitar a kombëtar që i ka mbetur. E keqja e kësaj është se tekstet e këtyre këngëve, në vijimësi po shkruhen nga “bejtexhinnjtë” si ata të fshatrave të Indisë!? Mbase këto tekste do tu dedikohen këngëtareve anonime dhe gjysmëlakuriqe të dala nga “ahuret publike”, të cilat nuk e kanë për “gajle t’i këndojnë buzës, flokëve, belit, zogut dhe pse jo edhe prapanicës së çupëzës apo edhe çunit?”. Dhe kur profesionistët do të bëjnë përpjekje ta flakin këtë mut muzikë “tallava” rrezikohen të linçohen publikisht nga matrapazët, sidomos nga ata që “gatuajnë petulla me ujë”.
“Paçka se fshatari në fshatin e tij ka fakultet“…,
Këtë vështrim a opinion po e vazhdojmë duke iu referuar një lajmi, sa human po aq edhe fisnik, që disa ditë më parë erdhi nga një qytet shqiptar dhe që i dedikohet arsimit të lartë universitar. Ky “haber i mirë” lakohet kësisoj: “Qeveria ka vendosur të mbyllë disa universitete dhe shkolla në Shqipëri të cilat nuk i plotësonin kriteret. Vendimi është publikuar gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm vetë kryeministri dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, dhe ku u prezantua Raporti i verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë, publike e private në vend. Kryeministri…, nga ana e tij duke i cilësuar këto institucione si ‘skema piramidale’ shprehu keqardhjen për investimin e familjeve për fëmijët e tyre në këto shkolla”. Një burrë shteti i tha ndal “sallamadisë”, papërgjegjësisë, ndal injorancës, hipokrizisë, arrogancës dhe së fundi “tyxharit”, i cili ”blen dhe shet padijen”, i tha shporru këtej!?
Ka një proverb francez që tingëllon pak a shumë kështu:”NËSE DO TË HEQËSH QAFE NJË QEN, THUAJ QË ISHTE I TËRBUAR DHE ASKUSH S’DO TË THOTË GJË”. Sot, askush nuk ka të drejtë ta monopolizojë atdhedashurinë, ta monopolizojë historinë, politikën, kulturën… etj. Të gjithë kanë të drejtë të prodhojnë vlera.
* Bashkepunetor i DIELLIT ne Tetove