Nga Arben LLALLA/
Opinioni në Maqedoni tashmë është dëshmitarë të rrahjeve të politikanëve shqiptarë midis tyre. Nuk është hera e parë që shqiptari vret apo rreh shqiptarin në sy të botës për interesat e huaja. Ky zakon tashmë është bërë pjesë e kulturës fatkeqe të shqiptarëve që vjen nga thellësia e historisë sonë kombëtare, që i ka rrënjët në vetëdije dhe në nënvetëdije, në mentalitet dhe dëshirat e shqiptarit për pushtet. Ky zakon lindi qëkur lindi BESA e shqiptarit dhe PABESIA e shqiptarit.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të jenë të kujdesshme kur thirren në emër të patriotizmit, kur rrihen në emër të shqiptarisë, opinioni i gjerë shqiptar e dinë fare mirë se në të vërtetë ata rrihen e çirren nga etjen për pushtet, etjen për të mbrojtur interesat e huaj. Politikanët shqiptar duhet ta dinë se askush nuk e ka ekskluzivitetin të çirret, të rrahin vëllanë e tij në emër të mbrojtjes së çështjes kombëtare. Tashmë populli shqiptar në Maqedoni ka vërtetuar se nuk ka më parti politike që mbron në të vërtetë çështjen e kulturës, arsimit kombëtar, por kemi politikanë që mbrojnë interesat e tyre për pushtet dhe interesat e huaj.
Çdo ish-ushtar i UÇK asnjëherë nuk ka dashur të ngrejë dorë kundër vëllait të tij shqiptar për interesat e huaja. Meqenëse historia shkruhet dhe regjistrohet në mendjen e popullit çdo tentativë dashakeqëse që bëhet në emër të shqiptarisë do ti humbi shpejtë vlerat e saja. Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm që asnjë parti politike e dalë nga gjiri i saj nuk mund ti mbrojnë më interesat kombëtare me rrahje dhe vrasje midis shqiptarëve. Shqiptarët që lanë kostumin e luftës dhe tashmë kanë veshur kostumin e politikës duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk i kanë më ato vlera të 2001, sepse kur hynë në profesionin e politikës duhet të jesh i kujdesshëm sepse kur gabojnë njerëzit që thirren në vlerat e luftës gabimet janë shumëfishë më të rënda dhe faji është shumë më i madh.
Unë jam i vetëdijshëm se pas çdo shkrimi kritik shkoj në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kam marrë parasysh të gjitha dhe gjënë më të keqe…!
E ndjeva detyrë morale si shqiptar, publicist, historian për ti thënë dy rreshta në lidhje për ngjarjet e fundit të shëmtuara që ndodhën midis politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Ngjarje që nuk duhet të ndodhin në të ardhme midis nesh, por përkundrazi duhet të bëhen mësim dhe tu shtrijmë dorën njëri-tjetrit për pajtim sepse nuk është turp, por Turp është të kemi Turp.
5 gratë më të pasura në SHBA
Shumica e grave, anembanë botës nuk janë bërë më të pasura se këto pesë gra, që janë në krye të të revistës Forbes, por në vend të shtimit të pasurisë ato kan trashëguar paratë e tyre, të mëparshme/
NGA BEQIR SINA, New York/
Syracuse New York : Çdo vit Revista Forbes publikon listat e nxjerra nga kjo revistë të njerëzve më të pasur në botë dhe grave. Në rastin e grave, shumë prej tyre kan mbetur në të njëjtat pozicione si kur ato ishin futur në listat e vitit 2011, duke përfshirë faktin se shumica e grave, anembanë botës nuk janë bërë më të pasura se këto pesë gra që janë në krye të të revistës Forbes, por në vend të shtimit të pasurisë ato kan trashëguar paratë e tyre, të mëparshme. Revista Forbes konstaton se shumë nga gratë më të pasura në botë janë amerikane.
Ndërkohë kjo është një listë e femrave më të pasura në SHBA:
Christy Walton 25.3 miliard dollar
Christy Walton është e veja e John Walton, i themeluesit të supermarketit amerikan Sam Walton Walmart. Pasi burri i saj John Walton vdiq në një aksident ajror në vitin 2006, Christy ka trashëguar pasurinë e tij duke përfshirë edhe atë të aksioneve të mjaftueshme për të bërë më shumë se 220.000.000 dollar në dividende të ndryshme në vetëm gjashtë muaj. Me vlerësimin e çmimeve të aksioneve të fundit Super marketi më i madh në SHBA Sam Walton Walmart, i cili është pasuria e familjes Walton ka vazhduar të rritet.
Alice Walton 23.3 miliard dollar
Alice Walton është bija e themeluesit Sam Walton Walmart dhe trashëgimtare në një pjesë të fatit të pasurisë së John Walton. Ajo kohët e fundit hapi një muze arti duke u shfaqur disa nga Super marketet gjigande anemabnë amerikës nga pasuria Walton. Edhe pse ajo është e përfshirë në mënyrë aktive në organizata të shumta bamirëse, reputacioni i saj ka qenë i turbulluar nga një serie arrestimesh të DUI-së.
Jacqueline Mars 13.8 miliard dollar
Jacqueline Mars bërë paratë e saj nga kompania e njohur M & Ms, Snickers, ushqimet e qenve dhe maceve dhe shumë prej produkteve të tjera, për njerëzit në përdorim të përditëshëm. Kompania Marsi aktualisht ka të ardhura prej 30 miliard dollar në vit dhe është kompania më e madhe në botë e ëmbëlsirave. Jacqueline Marsi është brezi i tretë i familjes Mars pas gjyshi i saj, Frank Marsi, i cili ka themeluar kompaninë në vitin 1911 vdiq shekullin e kaluar.
Anne Cox Chambers 12.5 miliard dollar
Anne Cox është bija e James Cox, themelues i Ndërmarrjeve më të mëdha Mediatike në në SHBA e quajtur Cox Enterprises. James Cox ka punuar fillimisht si mësues në një shkollë deri sa ka arritur për të bler një gazetë lokale në vitin 1898 e cila shkaktoi bum në biznesin mediatik amerikan që përfshin 17 gazeta, 15 stacione televizive dhe 86 stacione radio.
Abigail Johnson 10 3 miliard dollar
Babai Abigail Johnson, Edward Crosby “Ned” Johnson, kontrollon kompaninë mutuale Fidelity Investments e cila është kompania më e madhe në fondin e përbashkët në Shtetet e Bashkuara. Ajo është tashmë një nga drejtuesit më të lartë në këtë kompani, por nuk është një plan i përfolur suksesion në vend. Abigail Johnson filloi të punojë në Fidelity në vitin 1988 si një analiste dhe ajo ka marrë një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Harvardit.
Ne Foto: Cristy Walton
Xhudistja Majlinda Kelmendi, e artë edhe në Botërorin në Rusi.
Shqiptarja nga qyteti i Pejës në Kosovë, Majlinda Kelmendi, sot ka mbrojtur titullin e kampiones së botës në Xhudo. Xhudistja pejane ka shkëlqyer në Botërorin që po mbahet në Rusi.
“Sot është një ditë kampionësh. Majlinda konfirmoi edhe në mes të Rusisë se është më e forta në botë dhe ylli ynë më i ndritshëm kosovar në sport. Urime Majlindës, trajnerit dhe gjithë ekipit kosovar”, shprehet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pak më parë.
Ndërsa media kosovare raporton se, Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë duke mundur rumunen Andrea Chitu.
Xhudistja jonë jo vetëm në sfidën finale, por edhe në të gjitha ndeshjet e zhvilluar në këtë eveniment të madh, ka treguar performancë të shkëlqyer, duke mahnitur gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët e shumtë rusë, të cilët ishin në sallë.
Majlinda, në rrethin e parë fitoi pa “betejë”, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti venezuelianen Vanessa Cortesia, në ndeshjen e tretë mundi Bundmaa Munkhbaatar, ndërsa, në gjysmëfinale gjunjëzoi rusen Natalia Kuziutinan, të cilën e kishte mposhtur edhe vitin e kaluar.
Aspak më mirë se sportistja ruse nuk kaloi as rumunia Andrea Chitu, e cila nuk ishte rivale e denjë për xhudisten tone që në mënyrën më të mirë të mundshme e përfaqësoi vendin tonë në Botërorin në Rusi.
Përfundimisht Majlinda Kelmendi lëshon tapetin e “nxehtë” të Rusisë kokë lartë me medaljen e artë, duke i bërë krenarë gjithë shqiptarët ku do që janë, thekson media.(B.Jashari)
Masakra që kullon gjak tash 184 vjet
Nga Uk Lushi/
Pas më shumë se pesëqind viteve, në fillim të shekullit të 19-të, si në rastin e çdo perandorie tjetër që nuk mund të shkëlqejë përjetësisht, rënia zuri t’i rrëzbiste edhe themelet e Perandorisë Osmane. Në njërën anë popuj të shumtë, që ishin pushtuar qoftë me zor qoftë me joshje, dhe në anën tjetër Rusia dhe shtetet europiane, duke ndjerë dobësinë e shkërmoqjes së fuqisë së Stambollit, filluan ta godasin trupin perandorak kudo mundeshin. Krerët dhe elitat e popujve nën thundrën osmane po shihnin rastin dhe interesin e tyre ndërkaq që përpiqeshin të përfitonin sa më shumë për vete dhe popujt që i udhëhiqnin drejt pavarësisë.
Në këtë periudhë të turbullt, ndonëse nuk i ishte nënshtruar sundimit otoman asnjëherë plotësisht por— paralelisht dhe paradoksalisht— i kishte dhënë perandorisë udhëheqës dhe komandantë të jashtëzakonshëm nga gjiri i saj, elita e të vetmit popull e cila sillej si e ndërkryer dhe pa përgjegjësinë historike ishte ajo e shqiptarëve.
Gjatë viteve 1820, ndërsa dukej qartë që Greqia do të fitonte mëvetësinë duke ju falënderuar edhe luftës së shumë shqiptarëve, fuqia e elitës ushtarake në trojet shqiptare ishte shumë e madhe dhe bile edhe Egjipti administrohej dhe drejtohej nga valiu shqiptar Mehmet Ali Pasha. Mirëpo çuditërisht, në vend se për veten, shqiptarët herë luftonin për osmanët kundër të tjerëve, e herë për të tjerët kundër osmanëve. Mund të thuhet që ata në fakt luftonin më së pakut për veten e tyre!
Sidoqoftë, diku në kapërcyell të dekadës së tretë, ose më saktësisht kah fillimi i vitit 1830, duke parë që perandoria nuk po i paguante dhe shpërblente edhe pse gjakoseshin për të, katër prijës madhor— Mustafa Bushatliu, Veli Beu, Silehdar Poda dhe Arsllan Beu— u pajtuan të linin anash mospajtimet private dhe të bënin kauzë të përbashkët vetëm luftimin kundër turqve. Jugu dhe veriu i trojeve shqiptare u ngritën në revolta lokale. Rebelimi nuk u organizua në tërë gjeografinë e Shqipërisë njëkohësisht dhe si rrjedhojë veziri osman me prejardhje greke Reşid Mehmed Pasha arriti fitore të pjesshme kundër jugut, përpara se gegët e veriut të bëheshin gati për kryengritje dhe t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre toskë.
Atë që nuk mundi ta bënte në fushëbetejë dhe i frikësuar nga bashkërendimi i jugut dhe veriut Reşid Pasha e vendosi të bënte me mjete tjera. Me dijeninë dhe miratimin e Sulltan Mahmudit II greku e mendoi një plan tinëzar për liderët e jugut shqiptar. Ai u premtoi pagesën e plotë gjithë atyre që kishin shërbyer në ekspeditat turke dhe i ftoi 1000 komandantë dhe krerë të Toskërisë që të takoheshin me të në qytetin e Manastirit në një gosti madhështore ku do të gjenin së bashku zgjidhjen e të gjitha problemeve. Rreth 500 fisnikë iu përgjigjën vezirit të Padishahut dhe dhanë fjalën që do të merrnin pjesë në ahengun xhymert të Pashait.
Sot— saktësisht— 184 vjet më parë, pra, me datën 8 të muajit të tretë të Pranverës së Parë të vitit 1246 sipas kalendarit islamik respektivisht me 26 gusht 1830 sipas kalendarit tonë afërsisht 500 elitarë— shumica e parisë së jugut të Shqipërisë dhe ajka e e gardës së tyre— në mesin e tyre edhe Veli Beu dhe Arsllan Beu— veshur, mbathur dhe armatosur si për ceremoni më—u drejtuan kah hipodromi i Manastirit ku ushtria perandorake— siç u ishte thënë— do të parakalonte në nderim të tyre.
Dielli i asaj të enjteje sapo kishte nisur zbritjen e pasdites. Prijësit shqiptarë u rreshtuan përballë 1000 trupave turke që t’i vështronin ndërsa ata do të kryenin marshin ceremonial. Mirëpo, ende pa mbaruar pozicionimi i shqiptarëve vis-à-vis efektivit, ushtarët turq filluan të shtinin rrufeshëm dhe tradhtisht mbi bejlerët dhe komandot toske. Sigurisht që burrat e rënë në grackë rezistuan deri në frymën e fundit dhe mbase disa duhet të kenë paguar vetveten shtrenjtë, porse bilanci i plojës ishte katastrofal dhe shqiptarët u vranë nga ushtarët e sulltanit deri në njeriun e fundit. Pas kësaj masakre barbare të paparë ndonjëherë kufomave ju prenë kokat, të cilat u dërguan në Stamboll nga një njësit tartar, ndërkaq trupat u lanë në të hapur të haheshin nga qentë dhe shpendët grabitqar.
Osmanët pasi e zhvoshkën jugun nga udhëheqësit, një vit më vonë, me 1831, e mposhtën edhe Shkodrën dhe u ndaluan të gjithë shqiptarëve mbajtjen e armëve, përshirë edhe shqiptarët e fesë islame. Në të gjitha vilajetet shqiptare në role drejtuese u transplantuan kodoshë dhe xhahilë pro-otoman. E tërë kjo ndodhi ndërsa shtetet dhe kombet ballkanike bëheshin të mosvarme dhe zgjeroheshin në shpinë të atyre që vonoheshin— me apo pa fajin e tyre. Shumë shqiptarë të ballafaquar nga pa-perspektiva dhe terrori osman u detyruan të emigrojnë për në Rumani, Egjipt, Bullgari, Itali të Jugut, Stamboll dhe më vonë për në SHBA. Porta e Lartë nuk fitoi kushedi çfarë nga masakra mizore dhe aktet e egra më pas, por kombi shqiptar humbi shumë sepse mbeti historikisht mbrapa— së pakut gjysmë shekulli— derisa (ri)lindi Rilindja Kombëtare.
Po pse, edhe pas 184 vitesh, Masakra e Manastirit kullon gjak? Pse edhe gati pas dy shekujsh ne shqiptarët duhet të ndalemi për disa momente dhe dëgjojmë rënkimin dhe gulçet e paraardhësve tonë që u prenë si kallinj gruri në qytetin e Manastirit me 26 gusht 1830?
Sepse efektet e kësaj masakre ndihen edhe sot. Sepse hierarkia shoqërore dhe kombëtare ndër shqiptarë ka pësuar dëme të mëdha prej 26 gushtit 1830 dhe ne jemi bërë pre e apetiteve hegjemoniste të shumë fqinjëve. Sepse masakra ka tentuar zhbërjen e Shqipërisë dhe— përkundër se dështoi— ja ka dalë ta vonojë Shqipërinë— që nuk është bërë ashtu si duhet të jetë akoma, as sot. Sepse duke mos hedhur dritë historike mbi këtë masakër dhe duke e mbajtur gjysmë të fshehur tragjedinë kastat e mëvonshme shqiptare, e bile as ato të sotmet, nuk kanë kuptuar se çdo të thotë të bëhesh dhe jesh elitë. Sepse në çdo komb ka dhe duhet të ketë një pakicë që ka privilegjin por edhe përgjegjësinë që të udhëheqë dhe ruaj interesin e pjesës më të madhe të shoqërisë. Sepse pjesëtarët e elitave ushtarake, politike, ekonomike, intelektuale dhe tjera që zënë postet e udhëheqjes dhe që influencojnë vendimmarrjen për të tashmen dhe ardhmen duhet të reflektojnë çfarë u ka ndodhur bejlerëve me 1830 dhe duhet të lidhen me njëri-tjetrin dhe sidomos ta lidhin interesin vetjak me atë të popullit, përndryshe përfundojnë sikur cjapi te kasapi. Sepse elitat e përgjegjshme duhet të punojnë në rekrutimin e pjesëtarëve të aftë nga të gjitha shtresat e popullsisë për të ripërtërirë vazhdimisht bazën dhe zgjatur rrezen e rrethit kombëtar. Sepse pasardhësja e Perandorisë Osmane sot u kërkon Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që të rishkruajnë historinë e “(bashkë)jetesës” me dhe nën pushtimin osman ndërkaq që për një masakër të tmerrshme si kërdia e Manastirit me 1830 para se të rishkruhet duhet të shkruhet historia dhe Turqia duhet të shprehë keqardhje dhe pendesë dhe ne do ta falim, por pa pasur nevojë të harrojmë. Sepse një popull i cili nuk e di të kaluarën e tij, e cila përmban edhe ngjarje të llahtarshme si gjëma e Manastirit dhe nuk i kujton përvojat e tilla duke reflektuar për pse-të e tyre, nuk mund të shkojë në të ardhmen. Sepse…sepse-të janë aq të shumta dhe unë jam i sigurt që shumë nga to do t’i gjeni ju vetë!
EDHE TË VDEKURVE UA KANË FRIKËN
Në Kujtim të Viktimave të Komunizmit dhe Nacizmit/
Nga Frank Shkreli/
Të shtunën që kaloi në Washington u shënua 75-vjetori i Paktit nazi-komunist, Molotov-Ribbentrop në bazë të të cilit u nda Europa para se të fillonte Lufta e dytë Botërore. Me këtë rast, Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, së bashku me një numër kongresmenësh amerikanë, ambasadorësh të shteteve europiane dhe udhëheqsisht të të drejtave të njeriut, vendosën kurora lulesh në “Hollin e Lirisë” të Kongresit amerikan dhe tek Monumenti i Viktimave të Komunizmit në Washington, duke shpallur 23 gushtin si “Ditën e Shiritit të Zi”– për të nderuar kujtimin e atyre që ranë viktima të dikaturës totalitare komuniste dhe naziste, anë e mbanë Europës. Është kjo data e nënshkrimit të Paktit famëkeq midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, pakt i cili ndau Europën dhe që më në fund çoi në fillimin e Luftës së dytë Botërore. Ky pakt përbënte alencën më famëkeqe midis Komunizmit dhe Fashizmit, një aleancë kjo e cila në dekadat që pasuan do të shkaktone miliona viktima të pafajshme në mbarë Europën.
Për të bërë këtë kujtim të përhershëm dhe ditën e 23-gushtit si ditën zyrtare të përkujtimit të miliona viktimave të komunizmo-nacizmit — Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi projektligjin e paraqitur nga ligjvensi John Shimkus, i cili tani pritet të miratohet edhe nga Senati amerikan, që është dhoma tjetër legjislative e Kongresit amerikan, duke iu bashkua kështu një numri shtetesh europiane të cilat kanë vendosur që 23 gushti të jetë dita përkujtimore e viktimave të komunizmit dhe nacizmit.
“Shpresojmë që në të ardhmen, “Dita e Shiritit të zi” e 23 gushtit (e Paktit Nazi-komunist, Molotov Tibbentrop) të jetë një ditë që do të njihet më mirë dhe të përdoret si një rast për të përkujtuar të gjitha viktimat e komunizmit dhe të fashizmit në Europë”, u shpreh të shtunën që kaloi, Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit në Washington dhe njëkohësisht tha ai, të shërbejë si një rast për të “edukuar brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm, mbi ideologjinë, historinë dhe mbi trashëgiminë e komunizmit”, shtoi ai. Z. Marion tha se është e rëndësishme që kjo ditë të shënohet jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës, pasi komunizmi, shtoi ai, “sundon ende në të pakën 5 vende të botës dhe se në disa vende që kishim menduar se ishte zhdukur, shohim shënja se po rikthehet”. Kjo, tha ai, ndodhë sepse ekziston një mungesë njohurie mbi realitetin e jetës nën regjimet komuniste, 25 vjet pas shëmbjes së tyre në Europë. Përveç kësaj, Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit njoftoi gjithashtu planet për ndërtimin e një Muzeumi të Historisë së Komunizmit Ndërkombëtar në parkun e madh të Washingtonit (National Mall), duke filluar nga viti 2017. Njohja e së kaluarës, është jetësore, tha ai, për të ruajtur lirinë tonë në të ardhmen dhe shtoi se ndonëse rrymat totalitare mund të marrin forma të ndryshme, ato gjithmonë, pa dallim,çojnë në vdekje dhe shkatërrim, tha me këtë rast, Drejtori i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, Marion Smith.
75-vjetori i Paktit Molotov-Ribbentrop, përveç në Amerikë, u shënua edhe në shumë vende europiane dhe në Kanada. Madje, Kryeministri i Kanadasë, Z. Stephen Harper, të shtunën bëri një deklaratë të fortë zyrtare me këtë rast, duke thënë se “Kjo është një ditë për të mbajtur zi për viktimat që kanë humbur jetën nën këto dy regjime të këqia e çnjerzore dhe njëkohësisht”, shtoi ai “përulemi para atyre burrave e grave të guximshme, të cilët luftuan kundër shtypjes dhe tiranisë.” Kryeministri Harper u shpreh se, “Qeveria jonë është e vendosur dhe e angazhuar që të nderojë dhe të kujtojë viktimat e komunizmit dhe të nacizmit”. Kjo, u shpreh udhëheqsi kanadez, “është arsyeja që ne jemi duke mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një monument në kryeqytetin kanadez, me të cilin do të nderohen qindra miliona burra, gra e fëmij, të cilët vuajtën nën tiraninë komuniste”. Kryeministri kanadez, ditën e përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nacizmit u bëri thirrje bashkatdhetarve të tij që tu bashkohen përpjekjeve të qeverisë kanadeze, për të promovuar dhe për të mbështetur vlerat e lirisë, të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të ligjit, anë e mbanë botës dhe të “bëjmë çdo gjë të mundur të sigurohemi që krimet e bëra gjatë periudhave më të errëta të historisë së njerëzimit, të mos përsëriten më.”
Është e pamundur të mos bëhet pyetja: Po Shqipëria dhe shqiptarët, si e kujtuan këtë ditë ? Duke u bazuar në medien shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shënoi me këtë rast në faqen e tij në facebook thënjen e aq përdorur e të lodhëshme , “se e kaluara nuk duhet harruar, ashtuqë të mos përsëritet”, por nuk thuhet se për të cilën të kaluar e ka fjalën, ose çfarë ka ndodhur në atë të “kaluar” dhe pse ajo e kaluar nuk duhet të përsëritet më. Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, Z. Lulëzim Basha, njoftoi si me “gjysëm zëri”, planete Bashkisë për të ndërtuar një monument viktimave të komunizmit, por mbetet për tu parë nëse edhe kjo iniciativë do mbetet në gjysëm të rrugës si iniciativat e tjera të njoftuara gjatë 24 viteve të fundit, në lidhje me viktimat dhe të përndjekurit e regjimit komunist, përfshirë edhe hapjen e dosjeve dhe dënimin e atyre krimeve. Ndoshta nuk janë gjithëpërfshirse këto deklarata, por janë simbolike për nga fakti se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Basha, që përfaqësojnë brezin pas komunist të politikanëve dhe si të tillë pritet më shumë prej tyre. Heshtja e tyre në lidhje me këtë çështje është shqetsuese, për të mos thënë e turpshme. Kjo heshtje është edhe më e turpshme kur vihen re shënja të rehabilitimit të reputacionit të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, pa u venë vesh fare krimeve të kryera një prej regjimeve më brutale komuniste të asaj kohe. Si mund të justifikohet kjo heshtje zyrtare e të gjitha partive dhe qeverive të 20-viteve të fundit?A mos kanë ende frikë nga viktimat e vdekura të komunizmit?Në çfarë bazash morale, politike a po thjeshtë njerëzore e humanitare mund të heshtet për këtë të “kaluar” që nuk duhet të “përsëritet”.Për një përvjetor, për të cilin flet dhe e kujton e mbarë bota e qytetëruar? Pse këto ngurrime çerek shekullore për të pranuar dhe për të dënuar natyrën shkatërrimtare dhe kriminale të regjimit komunist shqiptar dhe të ideologjisë totalitare të tij, siç ka ndodhur në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës? A nuk meritonin viktimat e komunizmit në Shqipëri, lirinë dhe dinjitetin njerëzor?A nuk meritojnë që këto viktima të kujtoheshin dhe të nderoheheshin për sakrifciat e tyre, në të njëjtën ditë me viktimat e tjera të komunizmit ndërkombëtar?A por viktimat e komunizmit shqiptar, ishin më pak të rëndësishme, sipas Ramiz Alisë, i cili ka deklaruar se dënimet dhe vrasjet e “armiqëve” të “pushtetit popullor” nuk ishin një mëkat. Ndalimi i “tufëzave” të bagëtive ishte mëkat më i madh, sepse sipas ish-udhëheqsit komunist shqiptar, ndalimi i tyre varfëroi fshatin.
Heqja dorë nga degradimi politik, mendor dhe moral i komunizmit duket se është një fenomen nga i cili nuk mund të shkëputet aq lehtë, as elita politike shqiptare, as shoqëria shqiptare në përgjithësi.Mund të thuhet se e gjithë shoqëria shqiptare ishte viktimë e këtij sistemi, por mund të thuhet gjithashtu se – siç ka ndodhur edhe në shoqëritë e tjera të Europës Lindore – shoqëritë edhe atje ishin deri diku toleruese ndaj atij regjimi, qoftë nga pamundësia për të ndryshuar gjë, qoftë edhe nga indiferenca ndaj krimeve ndaj kundërshtarve të atij sistemi. Populli gjerman ishte njëri prej viktimave më të mëdha të nacizmit, por njëkohsisht nuk mund të çfajsohej nga krimet e hitlerizmit. Por populli gjerman, si asnjë tjetër në Europë, ka pranuar fajin dhe është “çliruar” nga e kaluara naziste dhe komuniste, duke I dënuar krimet e këtyre sistemeve, jo vetëm ndaj gjermanëve por edhe ndaj popujve të tjerë. Madje Gjermania ka paguar edhe shpërblime të mëdha gjatë dekadave. Si përfundim, në këtë 70-vjetor të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për gjermanët humbja e regjimit nazist solli lirinë për kombin e tyre dhe ashtu festojnë. Ndërsa për vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore, fitorja kundër fashizmit solli vendosjen e regjimeve totalitare të një ideologjie tjetër shtypëse, atë të komunizmit ndërkombëtar. Ndryshe nga Gjermania, fitorja mbi fashizmin në vendet e Europës Lindore nuk solli lirinë as nuk u dha fund krimeve, shtypjeve dhe përndjekjeve në këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë dhe trojet shqiptare në Ballkan, të cilat mbetën nën influencën komuniste për pothuaj një gjysëm shekulli.
Por, fatkeqsisht, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste ku viktimat e regjimeve komuniste kujtohen dhe nderohen për sakrificat e tyre, viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, madje edhe në prak të 70-vjetorit të “çlirimit” të Europës — u duhet të jetojnë me idenë dhe justifikimin se torturuesit dhe persekutuesit e tyregjatë një gjysëm shekulli, duhet të konsiderohen se ishin gjoja çlirimtarët dhe jo ndjekësit dhepersekutuesit e tyre. Viktimat e komunizmit shqiptar, të përndjekur dhe të vrarë nga njëri prej regjimeve më të ashpëra komuniste në botë, fatkeqsisht si në asnjë vend tjetër të Europës, janë të harruar dhe të nepërkëmbur në demokraci.