“Bëje Zotin të qesh”. Homazhe dhe ngushëllime nga e tërë Bota për Robin Williams/
“Bëje Zotin të qesh” ishte njëra prej thënieve të Robin Willams. Aktori për herë të fundit u fotografua në publik tri javë pasi kishte dalë nga rehabilitimi për shkak të “depresionit të vazhdueshëm” derisa një polic i trafikut dhe radios dyshon se i dyshuari është vetëvrarë duke u varur
Fituesi i çmimit Oskar, aktori dhe humoristi Robin Williams është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Kaliforni ku hetimet e para thonë se ai e kishte vrarë vetveten.
Aktori i “Good Will hunting”, “Good Morning Vietnam” dhe “Mrs Doubtfire”, i cili kohëve të fundit luftonte me depresionin, stresin dhe u bë i varur nga kokaina dhe alkooli për disa dekada, ishte gjetur “pa ndjenja dhe duke mos marrë frymë” në vilën e tij në një fshat të San Franciscos rreth mesditës.
Zyrtari policorë i kësaj zone thotë se ai beson që vdekja e Williamms ishte një vetëvrasje pas asfiksisë – ku raportohet se ai është varur – kurse një autopsi me teste për masën e tekstologjisë në trupin e tij do të jepet sot.
Williams nuk është parë në publik që nga ditëlindja e tij tri javë më parë dhe nuk dihet a ka lënë ndonjë shënim pas vetëvrasjes.
Muajin e kaluar, babai i tre fëmijëve u kthye në rehabilitim “për të shëruar” vetëpërmbajtjen nga stresi pasi kishte punuar gjashtë muaj në një seria televiziv, kurse zëdhënësi i tij tha se “ai ka luftuar me disa shkaktarë të stresit kohëve të fundit”.
Gruaja e tij e mërzitur Susan Schneider ka treguar se burri i saj ka vdekur mbrëmë duke shkruar: “Këtë mëngjes humba burrin dhe shokun tim më të mirë, derisa Bota humbi njërin prej artistëve më të dashur për publikun dhe një qenie të bukur njerëzore. Jam thellësisht e mërzitur dhe me zemër të thyer”.
Shokët dhe kolegët e tij siç janë: Steven Spielberg, Steve Martin, Danny DeVito dhe Ben Stiller të gjithë gjetën kohë nëpër rrjetet sociale që të shprehin mërzinë dhe zinë e tyre duke ngushëlluar gruan e tretë të William dhe tre fëmijët e tij, Zachary Pym (31), Zelda Rae (25) Alan (22).
Presidenti i SHBA-ve, Obama po ashtu ka dhënë një deklaratë prekëse për aktorin dhe humoristin duke thënë: Robin Williams ishte një oksigjen dhënës, një mjek, një gjeni, një dado, një president, një profesor, një Peter Pan ndryshe dhe çdo gjë në mes të këtyre. Por ai ishte një nga ky lloj njerëzish. Ai erdhi dhe hyri në jetën tonë si një alien – por i dha fund jetës në një mënyrë që prek çdo shpirt njerëzor.
“Ai na bëri ne të qeshim. Ai na bëri ne të qajmë. Ai dha talentin e tij në mënyrë të lirë dhe pa e kursyer tek ata që kishin nevojë më së shumti për të- duke filluar nga ushtarët tonë jashtë shtetit e deri tek rrugët tona të margjinalizuara. Familja Obama shpreh ngushëllimet për familjen e Robinit, shokët e tij dhe të gjithë ata të cilët gjetën zërin e tyre në vargjet që i tha Robin Williams”.
Aktori legjendar vdiq në moshën 63 vjeçare në shtëpinë e tij në Tiburon të Kalifornisë.
Mjeku i tij tha se shkaku i vdekjes është asfiksia që ju shkaktua pas vetëvrasjes, kurse policia mendon se ai ka vdekur pasi ishte varur në litar.
Suksesi më i madh i tij ishte çmimi Oskar me filmin “Good Will Hunting” më 1997
DENISA CINGARE: VOGËLUSHJA, ME VJERSHAT DHE SKICAT E PARA…
Nga Murat Gecaj/
1.Që në fillim, dëshiroj t’u tregoj lexuesve të këtyre radhëve, se është rasti i parë, që po shkruaj për një të afërme timen, megjithëse numri i krijueseve, për të cilat jam shprehur në këta 3-4 vitet e fundit, në shtyp a internet, është mbi 80. Por, e veçanta tjetër, siç po e shihni në foton bashkëngjitur, është se kjo “poete e shkrimtare”, është më e vogla në moshë, për të cilën kam shkruar, gjatë kësaj kohe.
Për ta shuar kurreshtjen tuaj, po u tregoj se kjo vogëlushe krijuese e ka emrin Denisa Cingare dhe banon me familjen në fshatin Bardhaj, të rrethit Shkodër. Sivjet ajo mbaroi aty klasën e shtatë, me mësuese letërsie Mirën dhe është vetëm 13-vjeçare. Përveç takimeve të mëhershme me Denisën, p.sh. në Porto-Romano, ku jetojnë gjyshja Dilë e dajot e saj, ne u takuam bashkë e bëmë foto, gjatë një vizite, atje në shtëpinë e saj, në nëntor të vitit 2012.
Dua të sqaroj këtu se asnjëherë nuk e kam ditur, që ajo shkruan vjersha ose skica letrare. Ndërsa këtë “sekret” ma zbuloi mami i saj dhe mbesa ime, Vera, kur u takuam në qytetin e Shkodrës, mbi një muaj më parë. “Xhaxhi, meqenëse Denisa ka shkuar te gjyshja,-më tha Vera,-ajo ma ka lënë porosi që ta dorëzoj këtë fletetore të saj. Siç do ta shohësh, me shkrimin e vet, në të janë disa vjersha e skica tës thjeshta”. Sigurisht, i shpreha asaj kënaqësinë time, për këtë befasi të këndshme dhe, ja, po i them pak fjalë më poshtë, duke e shfletuar bashkë fletoren e saj shkollore.
2.Tashmë, zakonisht është e natyrshme që krijuesit, që në hapat e parë, t’i shprehin ndjenjat dhe menidmet e tyre përmes vargjeve. Këtë gjë e vërejmë edhe te kjo vogëlushe. Janë gjithësej 41vjersha, me tematikë të larmishme. Është e natyrshme se ajo ka prekur tema, që lidhen më ngusht me jetën e saj, pra me njerëzit e familjes, por edhe që janë disi më të largëta për të.
Vjersha e parë, që ndodhet në këtë fletore (se ajo mund të ketë dhe të tjera dorëshkrim, si këto), e ka titullin “Nëna”. Aty Denisa shprehet me sinqeritin e moshës: “Nënë! Gjëja më e bukur në jetë,/ nënë, gjëja më e vërtetë./ Këshillat e nënës dëgjoji ti,/ që të keshë në jetë plot lumturi”. Por i ka kushtuar vargje shpirti edhe motrës, Xhulianës, që është më e madhe se ajo dhe tani e martuar, në Itali:”Si një pikë uji,/ shëndrit fytyra jote;/ ti, për mua, je bukuria e kësaj bote./ Si rreze dielli shëndrisin flokët e tua,/ si një engjëll je ti, për mua…”.Vargje i ka thuruar edhe lindjes së vajzës së xhazhait, me emrin e bukur, Dorela: “Sytë m’u mbushën me lotë,/ se një kusherirë e imja,/ kishte lindur sot…”. Por, edhe në përgjithësi, ka shkruar për familjen e saj: “Çdo gjë në këtë botë,/ pa familjen është e kotë./Ajo është gjëja më e çmuar,/ që njeriu ka përjetuar”.
E rritur dhe e edukuar në një mjedis me tradita të çmuara, Denisa nuk harron që t’i thurë vjersha Atdheut, Flamurit tonë Kombëtar, Nënë Terezës etj. Ja, si shprehet ajo, me ndjenja krenarie: “Shqipëri, moj Shqipëri,/ ty të don çdo njeri,/ nënë e babë dhe fëmijë”. E, në një tjetër: “Unë e dua shumë Atdheun tim,/ sepse më falë lumturi e gëzim”. Ndërsa më tej: “Jam krenare/ për Flamurin tim Shqiptar./Kuqezi janë ngjyrat e tij…”.
Objekt i vjershave të Denisës është edhe natyra, me bukuritë e larushinë e saj. Këtë e ka shprehur me ndjenja fëminore, në poezitë: ”Natyra”, “Pranvera”, “Dielli”, “Hëna”, “Yjet”, “Lulet”, “Trëndafili”, “Gjethet” etj. Megjithëse në moshë të vogël, ajo gjen rastin që në vargje të tregojë ëndrra e dëshira të saj, te “Jeta”, “Kam dëshirë”, “Shoqëria” etj. Në një vjershë tjetër thotë: “Sa do doja,/diellin ta prek;/ sa do doja/ në hënë të jem./ Sa do doja/ të fluturoja,/ botën lart ta shikoja”.
Natyrshëm, kjo poete e vogël shkruan edhe për jetën e përditëshme, kryesisht atë shkollore. Këtë e pasqyron te “Shkolla”, “Libri” etj. Ja, disa radhë: “Libri është i dobishëm,/ kur atë e vlerëson,/ por ai bëhet më i bukur,/ kur ti atë e lexon”.
3.Numri i skicave ose tregimeve, siç i quan Denisa, është më i vogël se ai i vjershave, pra në fletore janë gjithësej 12 të tilla. Ashtu si në vjershat e saj, tematika e tyre është e ndryshme, por më tëpër vërehet ajo shoqërore. Duke pasqyruar marrëdhëniet, në miqësitë e shoqëritë e veta, trajton lidhjet e sinqerta, që duhet të jenë ndërmjet shoqeve dhe godet cilësi të tilla negative, si cmirën, fyerjen, gënjeshtrën, vetëizolimin etj. Të tilla janë skicat:“Shoqëria dhe urrejtja”,“Gënjeshtra dhe premtimi”,’Telashet e Desjanës” etj.
Por Denisa ka trajtuar edhe tema, disi më të guximshme, sigurisht e ndikuar nga leximi i librave, familjarët ose mësuesja e letërsisë. Për këtë flasin skicat: “Zbulimi i thesarit”, “Ishulli” e “Gara me motor”, por dhe “Këngëtarja Besjana”, “Shkrimtarja Ana”, “Ëndrrat e një vajze”, “Jetimorja dhe Elona” etj.
…Sigurisht, duke i lexuar skicat dhe vjershat e kësaj autoreje të vogël, në to vërehet naiviteti fëminor, cektësia në trajtimin e temës, mungesa e rimës ose pasuria e ngushtë e fjalorit apo e shprehjeve etj. Megjithatë, duhet përshëndetur guximi i saj për t’i shprehur ndjenjat e mendimet e moshës, si në vargje dhe skica të thjeshta. Prandaj, po e nxitim atë, me këto radhë dhe e urojmë Denisa Cingaren për arritje sa më të larta, si në përvetësimin e diturive në shkollë, por dhe shpresojmë që ajo ta vazhdojë udhën e bukur të krijimtarisë letrare!
Tiranë, 12 gusht 2014
Few people in our lifetime really make deep imprints, In Memoriam of Robin Williams!
Few people in our lifetime really make deep imprints on our lives that are impossible to forget. This humanitarian, comedian and actor was truly one of the best of those people! It’s a tremendous loss to learn this great man is prematurely gone from our midst! But, our spirits have been lifted by the joy of his existence that he shared with us and the laughter he enjoyed creating for us… For that, Robin Williams will never be forgotten. We have the memories of his great films and stage work to cherish always. Those of us who lived to know and appreciate his talents were blessed. There can be no other like him!
Our prayers go out to his family, and with thanks too for giving the world the beautiful gift of Robin Williams!
60-VJETORI I THEMELIMIT TË ASAMBLESË SË KOMBEVE TË ROBËRUARA EUROPIANE
Në kujtim të Vasil Gërmenjit/
Nga Frank Shkreli*/
Ky vit shënon 60-vjetorin e themelimit të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara, e njohur shkurtimisht si ACEN (Assembly of Captive European Nations) më 20 shtator, 1954. Kjo organizatë, që nepërmjet Komitetit “Europa e Lirë”, financohej nga buxheti i qeverisë federale amerikane, ishte në të vërtetë një koalicion i përfaqësuesve politikë e kulturorë të arratisur nga nëntë ish vende komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore, të cilat kishin mbetur nën influencën e Bashkimit Sovjetik, pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore. Në Asamble përfaqësoheshin Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lithuania, Polonia dhe Rumania. Asamableja, me qëndër në New York dhe me zyra në Bonn, Londër dhe Paris, si objektiv të veprimtarinësë saj kishte për qëllim, “Çlirimin e këtyre vendeve nga diktatura komuniste me mjete paqësore, për të edukuar opinionin publik mbi gjëndjen aktuale përtej perdesë së hekurt, si dhe për të siguruar mbështetjen dhe bashkpunimin e institucioneve qeveritare dhe jo qeveritare”, për veprimtarinë e saj. Ndër aktivitetet më të njohura gjatë ekzistencës së saj, përveç botimeve të ndryshme për të informuar publikun mbi gjëndjen në botën komuniste, ajo promovonte çdo vit një javë dedikuar vendeve nën regjimet komuniste, gjatë së cilës ndër të tjera informoheshin zyrtarisht anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara mbi gjëndjen në vendet e tyre nën komunizëm. Java e tretë e korrikut ishte caktuar me dekret të presidentit të Shteteve të Bashkuara, si “Java e Kombeve të Robëruara” nga komunizmi dhe Shtëpia e Bardhë lëshonte çdo vit një deklaratë me këtë rast.
Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara u themelua pas miratimit nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të disa deklaratave mbi të drejtat e njeriut, pas Luftës së Dytë Botërore, por të cilat jo vetëm që nuk zbatoheshin nga vendet komuniste, por dhunoheshin në mënyrën më flagrante që mundej. Qëllimi i përfaqsuesve të këtyre vendeve anëtare të Asamablesë, ishte që së bashku, të ishin një burim i autorizuar dhe i besueshëm informacioni mbi ato që po ndodhnin në vendet përtej perdesë së hekurt dhe njëkohësisht të shërbenin si forum diskutimi dhe qendër e shkëmbimit të lirë të mendimeve. Materialet e botuara nga ACEN-i shpërndaheshin nepër shkolla, universitete dhe institucione të ndryshme, anë e mbanë Amerikës dhe botës, në anglisht dhe gjuhë të tjera. Komisione të ndryshme të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane, përpilonin raporte të ndryshme dhe deklarata zyrtare mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në vendet komuniste mbi persekutimin e fesë, mbi të drejtat e grave dhe mbi gjenocidin, ndër të tjera subjekte. Udhëheqsit e ACEN-it udhëtonin brenda dhe jashtë Amerikës dhe takoheshin, përveç zyrtarëve më të lartë amerikanë, edhe me udhëheqës ndërkombëtarë, si një veprimtari e nevojshme për të informuar botën mbi gjëndjen e këtyre vendeve nën komunizëm si edhe mbi shkeljen e egër dhe dhunimin e të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës komuniste. Me fjalë të tjera, e gjithë veprimtaria e tyre kishte për qëllim që të mos harroheshin vendet e robëruara nën komunizmin sovjetik, ndërkohë që organizonin ekspozita anti-komuniste ku tregoheshin persekutimet komuniste ndaj kundërshtarëve të tyre, ndërsa dokumentoheshin edhe standardet e ulëta të jetesës në vendet komuniste. Këto ekspozita çfaqeshin, jo vetëm anë e mbanë Amerikës, por dhe në qytete të ndryshme botërore. Mirëpo, nga fundi i 60-ave dhe fillimi i 70-ave, filloi të binte mbështetja zyrtare për ACEN-in dhe si përfundim, veprimtaria e kësaj organizate filloi të bie gjithashtu. Ishte kjo periudha e politikës së detantës midis dy superfuqive të mëdha të kohës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Por megjithëkëtë, kjo organizatë ka një histori prej dy dekadash veprimtarie të dalluar, në mbështetje të parimeve të Kartës së Atlantikut, të zbatimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, në luftën e saj për realizimin e aspiratave të drejta që të gjithë popujt të gëzojnë lirinë njerëzore dhe pavarësinë kombëtare.
Interesat e secilit vend anëtar të ACEN-t përfaqësoheshin nga komitetet kombëtare të krijuara në Shtetet e Bashkuara. Në rastin e Shqipërisë, ishte Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizata që përfaqësonte interesat e Shqipërisë në këtë forum dhe njëkohësisht shërbente si burim informacioni mbi gjëndjen e vendit nën regjimin komunist.Komiteti “Shqipëria e Lirë” ishte pasardhës i dy Komiteteve Kombëtare të mëparshme të cilat ç’prej vitit 1949 punuan drejtë qëllimit për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist. Më 1964, Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara zgjodhi për kryetar të saj Vasil Gërmenjin, anëtarin e “Komitetit Shqipëria e Lirë” që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi, kryetar dhe Idriz Lamaj, sekretar.
Zgjedhja e Vasil Gërmenjit si kryetar i Asamblesë gëzoi shumë komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan të asaj kohe, sepse, sipas gazetës “Shqiptari i Lirë”, përfaqsuesit më të shquar politikë të Europës lindore dhe qëndrore kishin zgjedhur një shqiptar si kryetar të radhës të organizatës së tyre në botën e lirë.Vasil Gërmenji ishte i njohur mirëjo vetëm në radhët e emigracionit shqiptar, por çka ishte edhe më e rëndësishme, ai njihej shumë mirë edhe në qarqet ndërkombëtare dhe ato të politikës amerikane. Nga disa të dhëna të gazetës “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë” të vitit 1964, mësohet se Vasil Gërmenji ishte bir i Telemak Gërmenjit dhe nip i Themistokli Gërmenjit, i pari i vrarë nga grekët dhe i dyti i vrarë nga francezët, si rezultat i intrigave greke.Historia shqiptare e njeh familjen e Vasil Gërmenjit si një familje atdhetarësh të shquar që luftuan dhe flijuan veten, vetëm e vetëm që Shqipëria dhe kombi shqiptar të jetonin të lirë dhe të pavarur.Si bir i kësaj familjeje të shquar, megjithëse në mërgim, ai ishte i destinuar nga fati t’i shëbente Atdheut.I dalur nga një edukatë e fortë shqiptaro-franceze dhe i frymëzuar nga politika dhe letërsia franceze, Vasil Gërmenji kishte një besim të thellë në lirinëdhe në pavarsinë e kombit të vet si dhe në lirinë individuale dhe në të drejtat bazë të njeriut.Si i tillë, ai angazhon veprimtarinë e tij politike në Shtetet e Bashkuara duke luftuar kundër çdo formë tiranie, e imponuar nga mbrenda ose nga të huajt.Me këto ndjenja të forta për liri dhe demokraci për veten dhe kombin e vet, Vasil Gërmenji, para se të arratisej nga Shqipëria –shërbeu si profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, por detyrohet të largohej nga Atdheu më 1939, duke kundërshtuar zaptimin e vendit nga të huajt dhe më vonë, kundërshton me çdo mjet dhe me çdo mënyrë edhe diktaturën komuniste të imponuar nga një rreth i ngushtë individësh, të cilët gjoja në emër të popullit, për pothuaj një gjysëm shekulli hodhën në mjerim mbarë kombin dhe zbatuan një terror të paparë anti-njerëzor ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist.
Fati dhe tradita familjare e kishte caktuar Vasil Gërmenjin që të jepte kontributin e vet në përpjekjet e asaj kohe për çlirimin e Atdheut të vet nga zgjedha komuniste, si njëri prej përfaqsuesve më të dalluar të diasporës anti-komuniste shqiptare në botën e lirë.Ai e zhvilloi këtë veprimtari duke filluar nga viti 1953 kur shërbente si anëtar i Ekzekutivit të Komitetit Kombëtar ”Shqipëria e Lirë”, ndërsa ç’rej vitit 1956 shërben si anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qëndër në New York dhe si përfaqsues i këtij komiteti pranë Asamblesë së Vendeve të Robëruara Europiane. Megjithëse për një kohët shkurtë, unë kisha fatin ta njihja Vasil Gërmenjin, për mua dhe për të gjithë ata që e njohën atë, Vasil Gërmenji ishte i palodhëshëm në punën për të mirën e Atdheut dhe posedonte një dedikim të rrallë dhe dasshuri për Atdheun. Ai kishte një vet mohim si rrallë kush ndaj asaj që në atë kohë e cilësonim si “çështjes shqiptare”, me të cilën nënkuptohej liria dhe demokracia për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre. Vasil Gërmenji besonte se pa çlirimin nga komunizmi i të gjitha vendeve të Europës Lindore e Qendrore, nuk do të kishte liri as për Shqipërinë dhe shqiptarët, andaj përveç çështjes shqiptare, Vasil Gërmenji njihej edhe si veprimtarë në favor të lirisë dhe demokracisë edhe për vendet e tjera ish-komuniste të Europës. Si i tillë, ai fitoi mirënjohjen dhe besimin e kolegëve të tij në organizatën e ACEN-it, duke e zgjedhur atë kryetar të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane më 1964.
Kur drejtohej nga Vasil Grëmenji dhe në përgjithësi gjatë gjithë ekzistencës së saj, konsiderohet se organizata ACEN ka dhënë një kontribut të çmuar drejtë lirisë dhe demokracisë në Europë, duke njoftuar botën mbi persekutimet komuniste dhe duke dënuar në mënyrën më të ashpër Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij për shkeljet e të drejtave bazë të njeriut anë e mbanë Europës Lindore dhe Qëndrore. Asamblea përpiqej, gjatë verimtarisë së saj, që të njoftonte jo vetëm vendet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara, por mbarë botën — përfshirë organizata siç ishin Këshilli iEuropës, NATO dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara — se komunizmi, si ideologji prekte gjithë botën si një sëmundje ngjitëse. Qëllimi dhe shpresa ishte se si rrjedhim atëherë bota nuk do të harronte fatin e keq që kishte goditur vendet komuniste, dhe si përfundim, shpresohej se më në fund, kur bota ta kuptonte rrezikun që vjen nga komunizmi,një gjë e tillë do të nxiste fillimin e procesit të rivendosjes së lirisë dhe demokracisë në vendet satelite komuniste sovjetike.
Falë punës së rëndë të Vasil Gërmenjit dhe përfaqsuesve të tjerë europianë në Asamablenë e Vendeve Europiane të Robëruara, veprimtaria e saj gjatë viteve kishte siguruar edhe admirimin e përfaqsuesve më të lartë të politikës amerikane për veprimtarinë e saj në fushën e lirisë dhe të pavarësisë së kombeve. Presidenti amerikan Lyndon Johnson, me rastin e 10-vjetorit të themelimit të ACEN më 1964, në një mesazh drejtuar asaj me këtë rast shkruan se Asambleja e Vendeve të Robëruara Europiane , “Ka ndihmuar t’i kujtojë botës se sigurimi i lirisë nuk është një objektiv bisedimesh vetëm për vendet e Azisë dhe të Afrikës, por edhe për shumë vende të tjera, si ato të Europës.” Presidenti Johnson me atë rast shprehu “Shpresën se anëtarët e Asamblesë së Vendeve të Robëruara Europiane do të shohin një ditë realizimin e shpërblimit të vetëm që ata kërkojnë, e që është rivendosja e plotë e lirisë dhe e pavarësisë së kombeve që ranë nën thundrën e diktaturës komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.”
Vasil Gërmenji dhe patriotët e tjerë shqiptarë të gjeneratës së tij, megjithëse fatkeqsisht nuk jetuan të shihnin Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe as Kosovën e lirë dhe të pavarur, ata nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre duke promovuar në botën e lirë shpirtin liridashës të kombit shqiptar si dhe dëshirën e tij për tu radhitur në “klubin” e kombeve të lira të kontinentit europian. Nuk do të kishte shpërblim më të madh për këta patriotë si Vasil Gërmenji, se sa integrimin e plotë dhe sa më të shpejt të Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha organizmat euro-atlantike. Një gjë e tillë do të realizonte ëndërrën e këtyre patriotëve — të cilëve zemëra s’u pushonte kurrë së rrahuri për Atdheun e tyre — që kombi shqiptar më në fund të jetojë në liri, në paqë dhe në drejtësi të përhershme me veten dhe me të tjerët.
* Ne foto:Father Stephen Lasko, Lemi Kokalari, Bishop Fan Noli, far right Vasil Germenji (nephew of Themistokli Germenji)
MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE, ALEX SELIMAJ,DRITË E PASTËR E KOHËS
Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.
Mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj i Nokshiqit të Plavës, tashma edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që daton pas ramjes të Murit të Berlinit, saktësisht, sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, fillton prej nga viti 1991. E gjithë krijimtaria e tij me “dritëshkronja” ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti Alex-i (Aliu) duket se është rikthye pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike. Aty, në qytetin e Gucisë, po e ringren moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës. Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij.
Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare. Fjalën po e çangi: kush don me dit’ ma tepër e ma mirë për një pjesë sado të pakët nga fototeka e tij e madhe, plot art e dritë, le t’i kqyrin disa nga websajtet e tij: www.alexselimaj.com, www.plaveguci.us (faqehapur edhe në facebook), etj.
Natyrisht, fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, nga Nju Jorku i selisë së OKB-së, nga Uashingtoni i Shtëpisë së Bardhë e i Senatit e Kongresit Amerikan, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqitin madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e të paktit, (për të mos thanë i vetmi) që e promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.
Fjala vjen: Vuthajt, si bajrak i dikurshëm apo bashkësi lokale e sotme, si njësi gjeo-fizike territoriale me vrri e bjeshkët truplidhuna e majelarta, me Synin e Sheun e Skavkaçit, me Krojet e Vuthajve, me Gërlen ujëvarore (e dyta në botë me ujërrjedhje të tillë nëntokësore), liqenin e “fshehur” të Shtarës, ringritjen e kalasë së rrënuar të Ali Pashë Gucisë; me një funksionim gjithëvjetor të Qëndres Kulturore e Sportive tek Beglleku, me gjithato vila e kulla të bukura e moderne si kulla e vllaznëve Ahmet e Bashkim Ulaj, vila e Avdyl Dedushajt, kullat e Rexhep e Isa Qosajt, etj., Memoriali i Isuf Kamer Çelajt, ai i martirëve Çung e Isuf Dedushaj, etj., është pothuaj ma e bukur se lugina e Valbonës. Veçse me i ndryshim: lugina e Vuthajt në tanësinë e vet nuk është aq e hapët sa ajo e Valbonës. Përndryshe: Valbona e Vuthajt janë nën një bajrak shqiptar i ndamë rreth njëqind vjet ma herët në dy shtete. Gjithashtu, në Vuthaj ka edhe një mangësi: nuk ‘a pa gati kurrnjiherë me sy e shpirt, me pikësynim perspektiv e përkushtim total, si vend i turizmit alpin edhe gjatë verës e dimrit, i një turizmi të dyfishtë – i gjelbër e i kaltër. Edhe liqeni i Plavës më duket se është ma i bukur se ai i Shkodres, e ma thotë mendja deri në tepri se ia kalon edhe atij të Ohrit, veçse po e shëmtojnë me aneksime e ndertime do’ soj Turkoviçësh malazezianë në të shmajtë e për faj edhe të shqiptarëve e boshnjakëve po e flliqanojnë mbetjet gjithqyshe nga ndotjet mjedisore në skeje e deltina të prurjeve ujore sheu e lumi, që shpesh herë dalin përmbytës prej shtratit të vet.
Gjithkush i sheh në faqe interneti apo gjetkë fotot e mjeshtrit Alex Selimaj me pamje fokusuese e befasuese nga këto madhështi bukurie natyrore të Vuthajt, liqenit të Plavës, etj. e deri në Vermosh të Kelmendit i kënaqet syni, i mbushet mendja e ia don zemra me ardhë nga çdo cep i botës në këto vise të mrekullueshme.
2.
Jeta, ma së shpeshti e ma së forti, është imazh. Ka i’herë edhe imazh me shkëlqim të rremë. Me raste edhe nji imazh i sforcuar, i mangët. Jo rrallë ky imazh, i thirrun si reklamë, merr trajtat e tregtisë, e shpirtnon atë me ose pa të drejtë. Krejt ndryshe nget me mjeshtrin e fotografisë artistike Alex Selimaj. Ai me fotot e tij na e jep një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Bajram Selimaj është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit për secilën foto është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.
Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike.
Fotot e Alex Selimaj kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.
Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.
I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek peendja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.
3.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj. Ky album mund të pagëzohet “Plavë-Gucia” e të jetësohet për Plavë-Gucinë e Shqiptarinë, për të sotmen e ardhmërinë.
Një ekspozitë fotografike lëvizëse e Alex Selimaj për Plavë-Gucinë e lavdive e bukurive mund të ishte tejet e mirëpritur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Edhe në Shkodër, Pejë, Prishtinë. Edhe në Podgoricë e Çetinë. Edhe në Shkup e Preshevë. Edhe në Nju Jork. Kudo tjetër.
Dy institucione përkatëse në Malin e Zi: si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria për Të Drejtat e Njeriut e Pakicave, munden sigurisht e duhet pashmangshërisht ta kenë projekt të tyre, tekefundja për vitin e ardhshëm, botimin e një Albumi Fotografik apo një Ekspozite Fotografike të mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj. Për këto projekte i plotëson kushtet, po nuk është nga ato personalitete shqiptare që të kushtëzohet nga askush. Ai ka lind e u rrit burrnisht në qytetin e Gucisë deri më 1989 kur emigroi me hapin e së ardhmes në Amerikë dhe tashti, prapë, është rikthye krejt triumf. Ky talent jo vetëm i arteve është edhe shtetas i Malit të Zi. Kështu, kësisoj, nëse nuk i jepet financim për këto dy projekte mjeshtrit Alex Selimaj do të thotë se Mali i Zi nuk e ka kapërcye ofertën e mendësinë shovene të pushtimit e aneksimit të trojeve e asimilit të shqiptarëve etnik nga Krajl Nikolla, që asokohe, në kryevjetin 1879, i shkruante Kongresit antishqiptar të Berlinit që nuk më duhen gja shkrepat e shkreta të Kuçit para pllajave të bukura të Plavë-Gucisë (!)
Artisti talent rrallë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e në botë. Ai ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “Toch Magazine”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, “Neë York Daily Neës”, etj. dhe në ato shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Zvicër, Amerikë, etj. si dhe foto dokumentare ilustruese në disa libra të kohëve të fundit.
4.
Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, pamëdyshje, është një ndër 200 fotografët shqiptarë ma të shquar në tre shekujt e fundit kalendarik të udhës së fotografisë shqiptare. Sigurisht, kjo nuk është e pakët. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak-Tregu i Ri, Greqi, Itali, Amerikë, etj. janë me mijëra fotografë profesional e amatorë.
Ky përcaktim klasifikimi për mjeshtrin Alex Selimaj nuk është apriori apo i rastit, po nji konkluzion i para disa muajve nga një vështrim analitik i udhës së fotografisë shqiptare në tre epokat e saj në tre shekujt e fundit, i personaliteteve të shumta të saj. Këtu, veç tjerash, kam parasysh edhe veprën madhore dorëshkrimore të historianit elitar Shpëtim Sala “Enciklopedi e fotografisë shqiptare 1858-1939”, ku pasqyrohen 500 fotografë shqiptarë profesionistë, shetitës, me studio fotografike nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan e kudo në botë. Gjithashtu kam parasysh botime të studiuesve Qerim Vrioni, të mikut tim – mjeshtrit Besim Fusha, të Ilia Terpinit – Artist i Merituar, etj.
Në periudhën e parë të saj (1858-1944) kemi dinastinë Marubi-Kodheli në Shkodër me Pjetër Marubin (1834-1903) nga Piaçensa e Italisë sëbashku me dy vllaznit zadrimorë si jetëshkurtëri Matia Kodheli (1862-1881) e punëgjati Mikel Kodheli (1870-1940) i mbiquajtur Marubi (Kel Marubi) e Gegë K. Kodheli-Marubi (1909-1984); dy vllaznit fotografë e kineastë Manaqi të pagëzuem si “Lymierët e Ballkanit” si Milto (1882-1964) e Janaqi (1880-1940) që çelën më 1898 studio fotografike në Janinë; Familja Zengo – ndër të cilët prifti ikonografik Jani nga Dardha e Korçës, Kol Idromeno (edhe piktor), Petro Dhimitër-Fotografi, Vani Burda – autor i portretit të Ismail Qemalit, vllaznëve Frashëri, etj., Kristaq Sotiri, Shan Pici, Ymer Bali, vëllezrit Ristani, Rakip Veseli, etj. Në periudhën e dytë (1945-1990) kemi fotografët Mehmet Kallfa, Jani Ristani, Pleurat Sulo, Zamir Miraka, Besim Fusha, Nikolin Pici, Petrit Kumi, Piro Naçe, Niko Xhufka e dhjetra të tjerë.
5.
Mjeshtri i fotografisë artistike, shqiptaro-amerikani Alex Selimaj, është personalitet i disa rekordeve të mëdha, i denjë për të hyrë në enciklopedi shqiptare të kohës, për t’iu jetësuar emri në breza.
Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës. Atij i qesh syri në aparatin fotografik e në biseda shoqërore me miqtë. Ai është i lexueshëm e i kuptueshëm si vet fotot e tij tejet të veçanta.
Natyrisht pa i dhanë hapët e duke qënë sa ma të saktë, në koft se do të anketonim apo klasifikonim “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”, patjetër që emri i mjeshtrit Alex Selimaj do të ishte në dhjetshet e para. Emri i tij i nderuar zenë vend nderi. Puna e tij meritore e kap kit’ meritë elitare. Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Nju Jorku, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Viçit, Kol Idromenos etj., po e di se nuk i ka për qejf krahasime të tilla. As ma pak e as ma shumë: Alex Selimaj është vet Alex Selimaj. Ai është vetvetja në realitet e në perspektivë. Mjeshtri Alex Selimaj është një emër i ri e me lartësi në historikun treshekullor të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.
Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.
Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në Amerikë, ndër shqiptaro-amerikanët e tre shekujve të fundit, doemos Alex Selimaj hyn në dhjetshën e parë, ndër të parët.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolis me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkin që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.
I pari i prejkohshëm e ndoshta i përhershëm është Gjon Mili (1904-1984) prej Korçe, i shkuem në Amerikë në vitin 1923, mik i Konicës, për 15 vite fotoreporter i revistës “Life” të Nju Jorkut, i cili përdori për herë të parë fleshin elektronik dhe dritën stroboskopike të shpikura nga prof. Harold Exherton (Edgertton), etj. I dyti, pa mëdyshje, vjen Dhimitër Mborja me fotot e tij nga koha e luftës, të cilat kanë zanë vend rreth 45 mijë foto e diapozitiva në Qëndren Muzeale “Douglas MacArthur” në Norflok dhe në Japoni janë botue dy albume fotografike të tij. Kristaq Sotiri qëndroi në Amerikë mbi dy dekada (1900-1923) ku e mësoi profesionin e fotografit e me talentin e tij ndër vite edhe në Shqipëri krijoi një fototekë më 12 mijë xhama fotografik të cilat ruhen në studion me emrin e tij në Korçë. Në kapërcyell të shek. XXI ka ba emër të madh edhe shqiptaro-amerikani njujorkez Fadil Berisha me origjinë nga Tropoja, i cili ka një spektër të shumanshëm veprimtarie e një galeri tejet të pasur me personazhe emblematike si Bill Klinton, Donald Trump, etj. Në historik hyjnë edhe Perikli Kaçauni, fotografi dardhar që jetoi në Boston të Amerikës, i cila ka lanë trashëgimi të paktën 80 pllaka xhami të fototekës së tij, fotografët George Tamas, Sadri Kortoçi nga Gashi i Gurit të Malësisë së Gjakovës, etj.
Sigurisht, në tre shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Mili, Mborja, Sotiri e Berisha, vjen i pesti në rradhë medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.
6.
Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtarë tue nis tek ma i pari, flamurtari, biznesmeni shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj, që ka dhanë kontribute deri në kufij të jashtëzakonshmes për Kosovën e Shqiptarinë, ndaj ACABS në Tiranë i ka akordue Çmimin e madh “Konica”, një çmim me të cilin janë nderue edhe presidentë shtetesh të botës euro-atlantike.
Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo e Termopileve. Në kit’ Luftën e madhe të Nokshiqit të historisë u luftue kundër 7 krajlive të kohës që në Kongresin e Berlinit kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi. Në Luftën e Nokshiqit u ngrit për herë të parë në betejë luftarake Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lufta e Nokshiqit ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës. Nokshiqi nuk pati vetëm luftëra me trimni e heronj me lavdi, po edhe njerëz të shquar të artit e të kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili ka në fondin kombëtar dhjetra vepra me studime, artikuj, poezi, përkthime, etj. U burgos tri herë nga rregjimi sllav jugosllav. Përpos këtij personaliteti formatmadh, vjen në piedestal të kohës një tjetër fuqi e madhe intelektuale prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. Në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”.
Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Tashti kryetar aktual i këtij Fondacioni është Esad Gjonbalaj, me mandat dyvjeçar në përmbyllje. Sigurisht, Alex Selimajt, mjafton t’ia përmendësh kit’ funksion si president i FPG dhe e kie cek e neltë një nga piedestalet e punës së tij. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.
Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap websajtin tematik e funksional www.fondacioniplaveguci.com. Përveç websajtet që ia cekëm krye shkrimit, para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një websajt krejt të veçantë: www.Kosovasovrane.com, në të cilën flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. Kjo i ka dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.
Këto ditë gushti takohena për herë të parë ndërveti në qytetin e Gucisë me personalitetin shumëdimensional Alex Selimaj e djalin e tij Jetonin, një trashgimtar i denjë i derës së Selimajve të Nokshiqit. Alex-i ka ardhë në takim miqësor e pune me laptopin e tij, ku i shohim fotot e tij mjeshtërore, të cilat m’i shoqëron me këngë me za të ulët e kur hesht kanga ritmon me dorë apo kambën e tij. E ndjen në shpirt artin e tij. E shfaq sy nesh në një nga klubet e Gucisë. Ai më zbulon edhe një tjetër pasion të tij që nuk e kam ditë kryeherët: kangën. I bie edhe çiftelisë. Ai nuk më thotë gja rreth kësaj vlere të tij, po nuk muj e mshef pasi e pashë në foto e nëse nuk gaboj, diku tjetër edhe në video. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci, e cila sëbashku me Shoqatën “Alpet Shqiptare” të Ahmet Gjonbalajt e organizojnë veprimtarinë e përvitshme të 1 gushtit në Vuthaj, e cila ka për nismëtar e kryefjalë Tahir Gjonbalajn, një nga personalitetet e kurorës të krenarisë së krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
Pasi e kaluam një paradite gushti tue ndejt bashkë në qytetin e Gucisë Alex Selimaj u largue drejt Nokshiqit, tek trualli i ri i blemë anës rrugës së madhe, ku nuk e di se çka ka me ndërtue, po biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë. Pak pa u nda me Alex-in foli me dikë në telefon celular për një shkrim rreth mafioziteteve të Podgoricës zyrtare në grabitjen e re të pronave të shqiptarëve të Dolit e të krejt Plavë-Gucisë nepërmjet marifeteve shovene të kadastrimit, tue ua marrë tokat shqiptarëve mërgimtarë që s’janë aty të pranishëm kur kryhen matjet kadastrale,etj. E, me u ndreq ky akt tinzar qeveritar duhen vite bredhjesh nëpër gjyqet malazeze nga Plavë-Gucia në Podgoricë. Ai më sugjeron që edhe unë ta kap penën e ngrej zërin për kit’ çështje me randësi jetike e etnike. Të nesërmen Alex-i ka një tjetër rrugë: ka me shkue në Vermosh (Kelmend) afër Gucisë në veprimtarinë tejet e veçantë “Logu i Bjeshkëve”, ku përzgjidhet “Mis Kelmendi”, etj. Pasnesër Alexi ka me i prit mjeshtrit ndërtimtarë me punue në rikonstruksionin e kullës së tij të Selimaje, një kullë alpine me elementë modern në qytetin e Gucisë. Ku ka me shkue Alex Selimaj pastjetrit…?! Unë e di: atje ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.
Guci, 10 gusht 2014