Nga Murat Gecaj/
1.Që në fillim, dëshiroj t’u tregoj lexuesve të këtyre radhëve, se është rasti i parë, që po shkruaj për një të afërme timen, megjithëse numri i krijueseve, për të cilat jam shprehur në këta 3-4 vitet e fundit, në shtyp a internet, është mbi 80. Por, e veçanta tjetër, siç po e shihni në foton bashkëngjitur, është se kjo “poete e shkrimtare”, është më e vogla në moshë, për të cilën kam shkruar, gjatë kësaj kohe.
Për ta shuar kurreshtjen tuaj, po u tregoj se kjo vogëlushe krijuese e ka emrin Denisa Cingare dhe banon me familjen në fshatin Bardhaj, të rrethit Shkodër. Sivjet ajo mbaroi aty klasën e shtatë, me mësuese letërsie Mirën dhe është vetëm 13-vjeçare. Përveç takimeve të mëhershme me Denisën, p.sh. në Porto-Romano, ku jetojnë gjyshja Dilë e dajot e saj, ne u takuam bashkë e bëmë foto, gjatë një vizite, atje në shtëpinë e saj, në nëntor të vitit 2012.
Dua të sqaroj këtu se asnjëherë nuk e kam ditur, që ajo shkruan vjersha ose skica letrare. Ndërsa këtë “sekret” ma zbuloi mami i saj dhe mbesa ime, Vera, kur u takuam në qytetin e Shkodrës, mbi një muaj më parë. “Xhaxhi, meqenëse Denisa ka shkuar te gjyshja,-më tha Vera,-ajo ma ka lënë porosi që ta dorëzoj këtë fletetore të saj. Siç do ta shohësh, me shkrimin e vet, në të janë disa vjersha e skica tës thjeshta”. Sigurisht, i shpreha asaj kënaqësinë time, për këtë befasi të këndshme dhe, ja, po i them pak fjalë më poshtë, duke e shfletuar bashkë fletoren e saj shkollore.
2.Tashmë, zakonisht është e natyrshme që krijuesit, që në hapat e parë, t’i shprehin ndjenjat dhe menidmet e tyre përmes vargjeve. Këtë gjë e vërejmë edhe te kjo vogëlushe. Janë gjithësej 41vjersha, me tematikë të larmishme. Është e natyrshme se ajo ka prekur tema, që lidhen më ngusht me jetën e saj, pra me njerëzit e familjes, por edhe që janë disi më të largëta për të.
Vjersha e parë, që ndodhet në këtë fletore (se ajo mund të ketë dhe të tjera dorëshkrim, si këto), e ka titullin “Nëna”. Aty Denisa shprehet me sinqeritin e moshës: “Nënë! Gjëja më e bukur në jetë,/ nënë, gjëja më e vërtetë./ Këshillat e nënës dëgjoji ti,/ që të keshë në jetë plot lumturi”. Por i ka kushtuar vargje shpirti edhe motrës, Xhulianës, që është më e madhe se ajo dhe tani e martuar, në Itali:”Si një pikë uji,/ shëndrit fytyra jote;/ ti, për mua, je bukuria e kësaj bote./ Si rreze dielli shëndrisin flokët e tua,/ si një engjëll je ti, për mua…”.Vargje i ka thuruar edhe lindjes së vajzës së xhazhait, me emrin e bukur, Dorela: “Sytë m’u mbushën me lotë,/ se një kusherirë e imja,/ kishte lindur sot…”. Por, edhe në përgjithësi, ka shkruar për familjen e saj: “Çdo gjë në këtë botë,/ pa familjen është e kotë./Ajo është gjëja më e çmuar,/ që njeriu ka përjetuar”.
E rritur dhe e edukuar në një mjedis me tradita të çmuara, Denisa nuk harron që t’i thurë vjersha Atdheut, Flamurit tonë Kombëtar, Nënë Terezës etj. Ja, si shprehet ajo, me ndjenja krenarie: “Shqipëri, moj Shqipëri,/ ty të don çdo njeri,/ nënë e babë dhe fëmijë”. E, në një tjetër: “Unë e dua shumë Atdheun tim,/ sepse më falë lumturi e gëzim”. Ndërsa më tej: “Jam krenare/ për Flamurin tim Shqiptar./Kuqezi janë ngjyrat e tij…”.
Objekt i vjershave të Denisës është edhe natyra, me bukuritë e larushinë e saj. Këtë e ka shprehur me ndjenja fëminore, në poezitë: ”Natyra”, “Pranvera”, “Dielli”, “Hëna”, “Yjet”, “Lulet”, “Trëndafili”, “Gjethet” etj. Megjithëse në moshë të vogël, ajo gjen rastin që në vargje të tregojë ëndrra e dëshira të saj, te “Jeta”, “Kam dëshirë”, “Shoqëria” etj. Në një vjershë tjetër thotë: “Sa do doja,/diellin ta prek;/ sa do doja/ në hënë të jem./ Sa do doja/ të fluturoja,/ botën lart ta shikoja”.
Natyrshëm, kjo poete e vogël shkruan edhe për jetën e përditëshme, kryesisht atë shkollore. Këtë e pasqyron te “Shkolla”, “Libri” etj. Ja, disa radhë: “Libri është i dobishëm,/ kur atë e vlerëson,/ por ai bëhet më i bukur,/ kur ti atë e lexon”.
3.Numri i skicave ose tregimeve, siç i quan Denisa, është më i vogël se ai i vjershave, pra në fletore janë gjithësej 12 të tilla. Ashtu si në vjershat e saj, tematika e tyre është e ndryshme, por më tëpër vërehet ajo shoqërore. Duke pasqyruar marrëdhëniet, në miqësitë e shoqëritë e veta, trajton lidhjet e sinqerta, që duhet të jenë ndërmjet shoqeve dhe godet cilësi të tilla negative, si cmirën, fyerjen, gënjeshtrën, vetëizolimin etj. Të tilla janë skicat:“Shoqëria dhe urrejtja”,“Gënjeshtra dhe premtimi”,’Telashet e Desjanës” etj.
Por Denisa ka trajtuar edhe tema, disi më të guximshme, sigurisht e ndikuar nga leximi i librave, familjarët ose mësuesja e letërsisë. Për këtë flasin skicat: “Zbulimi i thesarit”, “Ishulli” e “Gara me motor”, por dhe “Këngëtarja Besjana”, “Shkrimtarja Ana”, “Ëndrrat e një vajze”, “Jetimorja dhe Elona” etj.
…Sigurisht, duke i lexuar skicat dhe vjershat e kësaj autoreje të vogël, në to vërehet naiviteti fëminor, cektësia në trajtimin e temës, mungesa e rimës ose pasuria e ngushtë e fjalorit apo e shprehjeve etj. Megjithatë, duhet përshëndetur guximi i saj për t’i shprehur ndjenjat e mendimet e moshës, si në vargje dhe skica të thjeshta. Prandaj, po e nxitim atë, me këto radhë dhe e urojmë Denisa Cingaren për arritje sa më të larta, si në përvetësimin e diturive në shkollë, por dhe shpresojmë që ajo ta vazhdojë udhën e bukur të krijimtarisë letrare!
Tiranë, 12 gusht 2014