• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Visar Zhiti, fituesi i “Kurorës së Poezisë”

July 1, 2014 by dgreca

“Netët korçare të poezisë”, të organizuara në qytetin e Korçës nga Bashkia dhe Biblioteka “Thimi Mitko” si dhe nga Klubi i shkrimtarëve “Bota e Re”, tashmë janë bërë traditë e njohur në vend. Poetët e ftuar nga Shqipëria e Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por dhe më gjerë, nga Ballkani, Greqia e Bullgaria, Rumania e Bosnje-Hercegovina, Turqia, etj, mblidhen, njohin Korçën dhe traditat qytetare dhe lexojnë poezitë e tyre gjatë tre netëve. Edicioni i 18-të, tashmë ndërkombëtar, u mbyll me recitime të shumta nga 40 poetët e ftuar. Si zakonisht veprimtaritë ishin të ndryshme, takime e vizita, përurime veprash dhe debate mbi poezinë dhe kohën si dhe dhënie çmimesh e shëtitje nëpër Korçën e bukur.
Fituesi i sivjetshëm i “Kurorës së Poezisë” u shpall shkrimtari Visar Zhiti me motivacionin: “Për shpirtin e palodhur artistik me të cilin është afirmuar në karrierën e gjatë krijuese”. Trofeun ia dha drejtori i festivalit, poeti korçar Skënder Rusi. Sipas ritualit, në prani të të ftuarve, poeti Visar Zhiti mbolli “pemën e poezisë”, aty në pyllin e vogël ku blerojnë dhe pemët e fituesve të mëparshëm në netët e korçare të poezisë, si Dritëro Agolli, Dhori Qirjazi, Moikom Zeqo apo poeti i njohur grek Dinos Kubatis.
“Vetë jeta futet në poezi dhe poezia patjetër që futet në jetë, duke u bërë pjesë e saj”, tha ndër të tjera shkrimtari Visar Zhiti,duke shtuar se deri sa të jetë njeriu, do të jetë dhe poezia e tij. Që në natën e parë të këtij aktiviteti, janë promovuar dy librat e rinj të poetit të njohur korçar Skënder Rusi. Lirikat e tij të veçanta u përcollën nën interpretimin e aktorëve të teatrit “Andon Zako Çajupi” Zamira Kita, Ligoraq Riza, Blerta Belliu e Shkëlqim Jaupi, ndërsa janë duartrokitur mes emocionesh nga pjesëmarrësit.(Ne Foto:Visar Zhiti gjate vizites ne Shtepine e Vatres)

Filed Under: Kulture Tagged With: fituesi, i “Kurorës së Poezisë”, Visar Zhiti

“SOT ÇELMË KËTU, ME SHUMË LAVDËRI,NJË SHKOLLË SHQIP”

June 30, 2014 by dgreca

Faqe nga arsimi shqip, në Çamëri/
Nga: Prof. Murat Gecaj/
“Këtu në Prevezë tashti…zunë të mësojnë shqipen. Pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi e bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë. U dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu ua kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë “Dituria” të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:
“Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre…s’ fitojmë gjëkafshë. Andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin. Këtu në Prevezë, tashti…zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).
Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe prandaj iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit. I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte “faj” të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për “krimin”, që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës. Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik “Vëllazëria”.
Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: “Me gaz të madh u japim një sihari,q se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht”.(Gaz. “Lirija”, Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip. Reaksioni i armiqëve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: “E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir’ i astritit/ i dha dërrmën moraitit”. Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta. Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. “Çamëria”, 18.04.1991, faqe 6)
Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”, që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan “njeri të rrezikshëm”, e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edrenesë. Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe, më 1930, në konviktin “Çamëria”-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.
Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek. Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual “mjaft i njohur midis atdhetarëve”. Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë.
E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima, në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi “të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë”, për të cilën shkruante se: “Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj”. Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.
Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margariti e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”.(Gaz. “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).
Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Cameri, Murat Gecaj, Shkolla shqipe

Një libër me vlera historike-Monografia e Pllanës denoncon terrorin

June 30, 2014 by dgreca

Prof. dr. Nusret Pllana, autor i monografisë “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, me tekst dhe me fotografi, ndëshkon dhunën dhe krimet e regjimit serb të ushtruar mbi shqiptarët!/
Volteri: “Ai që fal krimin, bëhet pjesëmarrës i tij”/
Shkruan: Prof. dr. Akil Mark Koci/
Këto ditë më ra në dorë një libër mjaft voluminoz me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, autor i të cilit ishte prof. dr. Nusret Pllana, botues Arkivi Shtetëror i Kosovës.
E lexova me kujdes, ndër të tjera, edhe një tekst të shkurtër me titull: “Dy fjalë për Monografinë”, ku autori në mënyrë koncize flet për të kaluarën historike të popullit tonë, luftërat dhe dhunën serbe mbi popullin shqiptar.
Pasuria e shtresave kuptimore të këtij teksti, si dhe problemet që shtron autori, është mjaft e gjerë, edhe pse teksti për një botim të tillë ishte mjaft i shkurtër, por përmbajtësor, sepse shquhet në këtë tekst thellësia në ndriçimin e ngjarjeve, që prezanton autori. Edhe pse teksti mjaft i shkurtër për një libër kaq voluminoz, plotësohet me 400 fotografi, të cilat njeriu kur i sheh, rrëqethet nga pamjet e tmerrshme që paraqesin këto fotografi, se është fjala për një barbarizëm, për një trishtim, për një ndjenjë pezmi, sepse kur i sheh këto fotografi, njeriu shtron vetvetiu pyetjen: a është e mundur që këto masakra t’i ketë bërë dora e njeriut?!!
Autori me një rast thotë: “Në të gjitha këto veprime dhune, pos organeve shtetërore, gjithmonë janë implikuar edhe institucionet shkencore e kulturore serbe, madje shumë aktive ishte edhe kisha ortodokse serbe”!
Kjo gjë të tmerron por edhe të traumatizon aq fort, kur dihet se në zhdukjen e popullit tonë makineria serbe që nga viti 1884 zbatoi një politikë të tillë, qëllimi i së cilës ishte të zhdukte nga këto vende popullin tonë. Shkurt thënë, një mbresë të tillë lexuesi e merr kur lexon, e sidomos kur sheh pamjet makabre të bëra nga dora e një gjakatari të përhershëm kundër popullit tonë, një numër i madh i të cilëve, për të ikur nga këto masakra, shpërngulet në Turqi dhe në vende të tjera. Si thotë autori: “Duke zhdukur gjurmët e së kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se historia e saj filluaka nga mesjeta”! Rastësisht m’u kujtua një thënie e Ismail Kadaresë dhënë gazetës franceze “Le mond” se “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit serb”, prandaj insistimi që Serbia të kërkojë falje për luftën e fundit, ngase, si e thotë një proverb shqiptar “krimi që falet, përsëritet”, të falurit është baras me një tradhti kombëtare! Të gjitha këto ngjarje që pasqyrohen qartë përmes fotografive, shikuar nga perspektiva historike na bindin se me serbët kurrë nuk kemi pasur miqësi, por gjithnjë kemi qenë të armiqësuar dhe të vrarë. Ndërkaq, është tjetër çështje ajo që përvidhet dhe imponohet si mësim nga përvoja: hipokrizia, loja ekuilibrike, balancimet, llogaritë dhe prapaskenat serbe ndaj nesh, e ne kurrë nuk u mbushëm mend! Problemet që shtron autori prof. dr. Nusret Pllana përmes tekstit, e më shumë përmes fotografive, janë lidhje të ngushta sa me peshën e etnopsikologjisë së luftërave, krimeve dhe përndjekjeve, që kanë bërë “kojshitë” tanë shekuj me radhë mbi popullin tonë. Me të drejtë pohon “Washington post” se: “E vetmja gjë e organizuar mirë në Ballkan, është-krimi!”
Kur i vështron njeriu ngadalë e mirë këto fotografi, shfaq habinë si mund të jenë bërë këto krime nga dora e njeriut! Për këtëflasin fotografitë dhe ato paraqesin fakte dhe denoncojnë krimet e bëra, prandaj ajo që rrëfehet përmes këtyre fotografive, dëshmohet si një frustrim, si një dokumentim që regjistron dhe ndëshkon dhunën brutale e të egër, të paparë, të kryer nga “miqtë tanë”, si i quanin në kohën e komunizmit. Pra, mund të jenë këto impulse që të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë jo me njerëz, por me shtazë të egra!
Ndërkaq, edhe pse fotografitë kanë fuqinë e argumentimit vizual dhe flasin vetë, mendoj se pas çdo fotografie është dashur të shënohet me tekst legjenda për të evidencuar e konkretizuar aktet e krimeve të bëra, sepse teksti krijon komunikim që shpjegon, që sqaron, dhe që dokumenton. Autori me këtë libër mëton të paraqesë të vërtetën e ndodhur, jo vetëm përpara, por edhe atë ngjarje makabre të luftës së fundit në Kosovë nga armiku i përbetuar serb. Dhe për nga fundi po përsërisë sentencën e D. J. Juvenalisit, i cili thotë: “Krimi është aq i madh, sa më i madh të jetë ai që e bën”. Prandaj qeveria të mos kërkojë falje nga serbët, se s’ka fjalë që mund t’i falë krimet e bëra! Gjeniu i Volterit ka një mendim të urtë, human e etikëlart: “Ai që fal krimin, bëhet pjesë e tij!”
Dhe krejt në fund autori i librit, prof. dr. Nusret Pllana, ka bërë një punë të madhe me përgatitjen e këtij libri voluminoz, sepse ka krijuar rast të shohim krimet e bëra që janë jashtë çdo kuptimi për pajtesë me armikun e përbetuar, me serbët.

Filed Under: Kulture Tagged With: Akil Koci, Monografia, Pllana

PORTRETI I NJË ATDHETARI: PETRAQ KTONA

June 30, 2014 by dgreca

Ne Foto: Petraq Ktona-1904-1980/
Nga Idriz Lamaj/
Petraq Ktona lindi në katundin Dardhë të Korçës, në një familje të mirënjohur atdhetare dhe u rrit në Rumani, në djepin e nacionalizmit të kolonisë së shqiptarëve të Bkureshtit. I ushqyer atje me veprimtarinë kombëtare të mërgimtarëve të vuajtur dhe me veprat letrare e historike të rilindësve tanë, u kthye në vendlindje, në trevën e patriotëve të vjetër e të rinj, dhe filloi veprimtarinë e vet si gazetar dhe përhapës i atdhetarizmës, duke pasur Korçën qendër të punës dhe të veprimit.
Gjatë viteve ’30, Ktona shkroi dendur në gazeta të ndryshme të Shqipërisë. Shkrimet e tij kryesisht lidheshin me çështje shqiptare dhe zhvillimet politike të kohës. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai angazhohet në Ballin Kombëtar, gjë e natyrshme për një intelektual dhe atdhetar të brumosur me frymën dhe idealet e rilindësve tanë, disa prej të cilëve ai i kishte njohur personalisht. Ai shpesh herë thonte: “Nuk kisha si të rrija pa hyrë në Ballin Kombëtar. Aty ishin Mitat Frashëri dhe Hasan Dosti me shokë, të cilët nuk bënin asnjë lëshim ndaj realizimit të Shqipërisë etnike demokratike”.
Me ardhjen e komunizmit në pushtet. Petraqi, si shumë të tjerë, i la lamtumirën atdheut, duke lënë pas bashkëshortën dhe fëmijët, të cilët nuk arriti t’i shihte më. Ai fillimisht qëndroi në Itali, më vonë emigroi në Kanada, dhe prej andej erdhi e u vendos këtu në NY. Në mërgim, veprimtarinë e vet politike e zhvilloi në kuadër të Ballit Kombëtar, Grupi i Hasan Dostit, dhe e përfaqësoi atë grup politik në mbledhjë të ndryshme ndërpartiake.
Petraq Ktona dhe Seladin Velaj krijuan shkollën e parë pas luftës në komunitetin shqiptar të Ne3 York-ut, për mësimin e gjuhës shqipe. Në atë shkolllë për të cilën bënë sakrifica të shumëllojshme, mësuan shumë fëmijë, të cilët, tani në moshë të pjekur, dijen e shqipes ia detyrojnë Petraqit dhe Seladinit.
Ktona, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin që kishin luajtur për çështjen kombëtare kolonitë e dikurshme të emigracionit shqiptar, në mënyrë të veçantë kjo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me “Vatrën” në krye, sapo u vendos në NY, filloi përpjekjet e gjithanshme për krijimin e një ure afrimi midis emigracionit të ri e të vjetër. Emigracioni i ri dhe kolonia e vjetër shqiptaro-amerikane ishin armiqësuar thellë për pikëpamjet e kundërta politike ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Nga emigrantët e rinj, Petraqi me pak shokë tregoheshin tolerues ndaj qëndrimit prokomunist të vatranëve të vjetër dhe propagandës që bënte gazeta “Dielli” kundër emigracionit të ri. Toleranca e Petraqit me shokë bazohej mbi të drejtën e pamohueshme historike të kontributit që kishin dhënë për atdheun vatranët e vjetër, me “Vatrën”, Kishën Ortodokse Shqiptare dhe Nolin në krye.
Petraq Ktona që në rini kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Vatrën” dhe veprimtarinë e saj kombëtare. Po të shfletohet “Dielli” i viteve ’30, në faqen e reklamës shpesh lexohet kjo fjali: “Gazeta ‘Dielli’ shitet në librarinë ‘Vatra’ të Petër Ktonës në Korçë”. Petraqi thonte se ajo nuk ishte librari, por një kioskë e vogël, ku shiteshin gazeta të ndryshme, përfshirë “Diellin”.
Ktona u cilësua si një ndër flamurtarët e luftës antikomuniste brenda komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një prej veprimtarëve më të dalluar të Federatës Vatra. Përveç shkrimeve të shumta që botoi në gazetën “Dielli”, në vitin 1978, ai botoi broshurën: “Misioni i Federatës Vatra dje dhe sot”. Në këtë broshurë, autori bën një përshkrim të shkurtër të historikut të “Vatrës” dhe rolit që ajo luajti për çështjen shqiptare, duke u bërë të gjithë bashkatdhetarëve pa dallim thirrjen: “…që të pyesin ndërgjegjen e tyre, pa u influencuar nga sentimente të veçanta, por vetëm nga sentimentet e patriotizmit dhe të interesit të popullit shqiptar, në qoftë se duhet të lëmë Vatrën të çduket. Atyre që do t’u përgjigjet ndërgjegja me një ‘Jo!’, le të bëjnë detyrën duke ndihmuar Vatrën bujarisht.”
Petraqi ishte mbrojtës i flaktë i Kosovës dhe mori pjesë në çdo demonstratë të organizuar për çështjen e saj. Shkrimet e tij për Kosovën mund të cilësohen si artikuj që dalin nga zemra e një intelektuali fanatik shqiptar. Në vitin 1979, ribotoi “Poemin Kosovar” të Dhimitër Paskos. Të dhënat e tij për Paskon, botuar në parathënien e poemit, janë me interes të veçantë për ata që merren me biografinë e këtij poeti e shkrimtari të njohur shqiptar. Me Paskon ishte njohur në Bukuresht dhe kishte mbajtur miqësi të ngushtë familjare.
Për 50 vjet, Petraqi me penën e një gazetari të mprehtë zhvilloi luftë pa kompromis kundër qarqeve shoviniste greke dhe përpjekjeve të tyre për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ato qarqe të errta greke i kritikoi ashpër me letra të hapura, memorandume dhe shkrime të ndryshme, si në Shqipëri ashtu edhe në mërgim.
Shtatë muaj para se të mbyllte sytë, ky atdhetar i paepur zbrazi fishekun e fundit kundër grekëve, duke treguar edhe një herë se ortodoksizmi shqiptar ishte avangarda e luftës për mbrojtjen e kombit dhe të interesave kombëtare ndaj pretendimeve greke në Shqipëri. Ai i dërgoi një letër të hapur Kryesisë së Silogut Vorioepirot në Athinë, ku midis tjerash shkruan:
“Rastësisht më ra në dorë fletorja e organizatës së juaj, Pirsos Voriu Ipirus nr. 87, Fruer 1979. Është një numër komemorativ për të përkujtuar 65-vjetorin e autonomisë së Gjirokastrës. Fletorja në fjalë është mbushur fund e krye me fjalime bombastike e gënjeshtra.
“Shqiptarët në përgjithësi bëjnë mirë që nuk humbasin kohën me shkrimet dhe iluzionet tuaja bajate. Unë po përfitoj nga rasti, jo për të bërë polemika, por për t’i rikujtuar popullit dhe gjeneratës së re greke ndihmën që ka dhënë populli shqiptar për indipendencën greke dhe zhvillimin e saj të soçëm. Do të tregoj gjithashtu prova miqësore të popullit shqiptar kundrejt popullit grek.
“Para se të vij në këto fakte, due të përmend që autonomia e Gjirokastrës me 1914, është një nga faqet më të turpshme dhe më barbare të historisë. Këte nuk dua t’ja ngarkoj historisë së shkëlqyer greke por një bande kriminelësh me G. Zografon dhe Dh. Dhulin në krye…”
Pasi rendit fakte të ngjeshura historike mbi masakrat greke në Çamëri dhe thekson se populli shqiptar kurrë nuk heq dorë nga Çamëria shqiptare e pushtuar prej grekëve, si dëshmitar sjell edhe këtë paragraf nga kujtimet e tij personale të Luftës së Dytë Botërore:
“Po ju jap edhe një shembull të fundit që të kuptoni bujarinë, shpirtmadhësinë dhe miqësinë që ka treguar populli shqiptar kundrejt popullit grek.
“Ka qenë viti 1941-1942, vit i tmerrshëm, kur populli grek pas një lufte heroike, iu përul forcës të dy fuqive të mëdha. Ushtritë okupatore naziste konfiskonin të gjitha landët ushqimore për ushtrinë e vet dhe e lanë popullin të vdeste urije. Çdo mëngjez makinat e bashkisë në Athinë dhe Pire mblidhnin nëpër rrugë kufomat e të vdekurve prej urije. Ka qenë një tragjedi që nuk e meritonte populli grek.
“Populli shqiptar ka qenë i privilegjuar. Jo vetëm që kishte prodhimin e vet bujqësor, por në atë periudhë, Kosova e pasur në prodhime bujqësore ishte e bashkuar me mëmën Shqipëri.
“Popullësia greke gjatë kufirit me shtetin politik shqiptar, që nga Konispoli deri në Devoll, e uritur, kalonte kufirin dhe kërkonte ushqim nëpër katundet shqiptare. Popullësia shqiptare pa përjashtim, myslimanë dhe të krishterë, u hapi dyert dhe ndau ushqimin e fëmijëve të vet me fëmijtë grekë. Ishte pamje prekëse kur shikoje nëna që tërhiqnin prej dore fëmijë 10-12 vjeçarë dhe të tjerë më të vegjël të ngarkuar në shpinë; dhe sa kënaqësi kur shikoje këta fëmijë të qeshnin duke kafshuar me njërën dorë copën e bukës dhe në dorën tjetër një copë me djathë. Në një nga këto skena të mëshirës kam qenë vetë dëshmitarë.”
Në dëshminë e vet pohon se një skenë të tillë të gjallë e kishte pa afër Pogradecit, gjatë një kthimi nga Tirana në Korçë.
Ai vazhdimisht thonte se luftës për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut kundër pretendimeve hegjemoniste greke do t’ia vënë gjoksin, në radhë të parë shqiptarët e besimit ortodoks, sepse në emër të besimit të tyre fetar bëhen të gjitha spekulimet greke.
Për Petraq Ktonën, ruaj shumë kujtime të viteve ’60 dhe ’70. Ai vinte shpesh në zyrën tonë. Ishte përkrahës i vendosur i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe anëtar i përfaqësisë së Komitetit pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara. Në zyrë vinte gjithmonë i buzëqeshur dhe bënte shaka të zgjedhura me Vasil Gërmenjin, mikun e tij të ngushtë. Kishte respekt të veçantë për prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe dr. Rexhep Krasniqin. Herë pas here më ndihmonte në mbledhjen dhe daktilografimin e lëndës për gazetën “Shqiptari i Lirë”. Ai kujtonte me sytë e mbushur me lotë të shoqen Etferipi dhe fëmijët e tij, për të cilët digjej nga malli.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idriz Lamaj, Petraq Ktona, portreti i nje atdhetari

SOFRA E DIELLIT: POEZI NGA DISIDENCA E HESHTUN SHKODRANE

June 30, 2014 by dgreca

Ernest Perdoda/*
SUBKONSH/
Ëndrrat më rrokullisin/
Ndër këmbë të Trogloditit/
Që m’kqyr e më përqesh;/
Atje ku nisëm shtegun/
E nëpër shekuj rryeshëm/
Shtrijmë krah’t për t’rrokur yjet…/
E diellin që më zgjon,/
Por gazi i njeriut t’shpellës/
Ende m’ushton ndër veshë/
E më trondit!/

PRELUD/
Ketë natë,/
(ndërsa përreth
gjithçka përngjan
me flokun tand që lmoj)
yjet e qiellit tim
unë pa u kujtue zbuloj
kur ti çel e mbyll sytë.

TË DIGJEN LIBRAT !

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj
Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon!

N’rrënojat e kujtesës
Ende luhatën flakët
(që deshe më tepër se mue)
nuk m’bien ndër mend tashma.

Me hijet e asaj nate, një tjetër Omar Khattab*
Rendi mbas ditëve tona
Të zymta,
Të ftohta
Si gurët e kësaj Kulle,
Ku nga frëngjitë
Ajo pak dritë që hyn
Veç larva mendimi sajon!

Ndoshta këtë mbramje prilli
Krrokatja e korbit mbi Kullë
T’kujton dhe ty
Çka humbëm përgjithmonë!

• Në vitin 640, Omar I (Abu Hafsa Ibn Al Khattab) dogj bibliotekën e Aleksandrisë ( një nga më të mëdhatë e asaj kohe). Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. H. u grumbulluen tek Kulla e Inglizit fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës dhe pësuen të njajtin fat.

Primo Shllaku

MESHË MORTORE PËR VARGJET E MIA

Jetuet midis dy zjarmesh.
I pari, i lindjes./ Mitra ju ftoh.
I dyti i djegies.
Kujtesa ime/ s’ju pranon.
Pa za,/ paloseni.
Flaka ju lëpin. Pa vorr, pa gur,
Nën nji muranë hini / jeni shtri.
Edhe këtë kangë / jua këndova.
Edhe këtë gjamë / jua bana,
O të lindunit e mi të vdekun,
O bij të harresës ma të nxehtë,
Nata ju thërret si hyj
Dita ju vret si hyj.

HYMNI I JETËS

Kam nji zemër
Që rreh dëshira të forta
Te dyert e fytit.
Shtrihem mandej
Që të rrjedhë nëpër mue
Ma i pasionuemi lum,
Ma i pastri, sepse ma i ftohti lum,
Ma i lumi lum.
Mbi buzën time veç
Etja asht prap e verdhë…

DASHUNIA PËR TY

Me të dashtë ty
Domethanë me pasë një plagë gojëhapun në gjoks,
Një plagë që duhet rritë, që s’duhet ta shëroj,
Një plagë që më duhet ta mbaj të thartë e të dhimbshme
Për t’i pjellorue kështu / gjithë fluturimet
Gjithë vullnetin / që kam nevojë
Sa herë që më duhet të vorros
Të kaluemen tande
Që merr fund / me ardhjen time.

KRIM i PËRSOSUN
Një diktatori

E mbolli arën e buzëqeshjes me misër të verdhë gjeorgjian
Nxori jashtë ligji pastën e brushën e dhambëve.

Anton Çefa

TRAKLLIM NË REZE DYERSH

Hana / sonte po erret si qyqe vetëm.

Me rreze t’ zverdhame / e të trembuna
Trakllon në reze dyersh të mbylluna
Dhe lmon tinzisht
Shpinën e butë të borës
E të zogut të natës
Qi kukzatë mbi çati.

Reze dyersh e shpirtnash
Mos u hapni n’kukzatje rrezesh të rreme
E korbash !

HESHTJA KA TINGULL GURI

Me buzë të gurta
Heshtja na i puthi orët
E ditët / e netët.

Nji jetë qi po ndigjoj
Meloditë e heshtjes
Në gojët memece të gurit.

Heshtja ka tingull guri
Kur fjala bahet gur
E koha gur.

DIMEN

Dheun e mbulon
Bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
Mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
Me mija forma
Lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme, të ftohta
Puçrrizën mbi gishtat e degëve
Që presin pranverën.
*Dielli Arkiv

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: -Poezi nga disidenca, e heshtun, shkodrane, SOFRA E DIELLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4527
  • 4528
  • 4529
  • 4530
  • 4531
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT