Shkruan:Fadil LUSHI/
Në ndërtimin e kryetitullit të këtij vështrimi gazete pa dyshim se më “ndihmoi” deklarata e paradokohshme e kryeministrit në detyrë të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili duke akuzuar sistemin e drejtësisë shqiptare, pos të tjerash, tha: “Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar janë njësoj si Lazarati, t’i shporrim! Nuk mund që, nën ombrellën e pavarësisë, këta gjykatës të korruptuar të marrin jetë njerëzish të pafajshëm, janë bashkëfajtorë dhe bashkëvrasës sa herë një i pafajshëm humb jetën dhe sa herë një vajzë trafikohet apo dhunohet nga njerëz të liruar prej tyre… Ju siguroj që nuk po rrimë (dhe nuk do rrimë) duarkryq, por po përgatitemi shumë mirë dhe ofensiva do të fillojë dhe nuk do të ndalet deri kur në Shqipëri të vendoset normaliteti që është jashtë kontrollit të të gjithëve”! Ne, që i referohemi kryeministrit, do të bëjmë përpjekje që të mos e interpretojmë deklaratën e tij, përkundrazi, do t’ia përshtatim shkrimit a vështrimit në vijim.
Një ditë, një miku im, i cili në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit ishte “bërë tapë”, më parashtroi një sërë pyetjesh, kurse ca prej tyre “fiqiri” im nuk i regjistroi dot. “Muhabetin” e filloi me pyetjen…, ti, miku im i “dashur”, pa më thuaj, a mos vallë, është e vërtetë se këtej pari në Tetovë, edhe ne “kemi një Lazarat të Gate Mahmutajt”. A mos vallë prindërit tanë dikur kishin bërë dashuri në çdo “vakt”, a është e vërtetë se shqiptarët, në çdo kohë e pa kohë, “bëjnë bajram” me njëri-tjetrin, a mos “ndoshta” (s)është e vërtetë se disa “taze politikanë” shqiptarë nuk komunikojnë me njerëz fukarenj dhe me të tjerë të tillë në nevojë…, a mos vallë ne shqiptarët për nga natyra a edhe për nga karakteri (nuk) jemi më të mirët e Gadishullit Ilirik…, a mos vallë (s)është e vërtetë se ne shqiptarët vlerat i kemi “nën këmbët tona të palara e me ferra”…, a mos vallë “çallëmin, paragjykimin dhe megalomaninë” i kemi “virtyt apo ves të fshehtë”…, a mos vallë nëpërkëmbja e së folmes a standardit të gjuhës shqipe (që natë e ditë ulërijmë duke thënë se kjo gjuha jonë është më e mira në “dynjanë” njerëzore) me njëfarë dore (nuk) është një “krim a edhe trafikim i organizuar”…, a mos vallë të gjithë ne (nuk) jemi pjesë e atij “krimi” apo, në instancë të fundit, toptan do të shtiremi e do të themi se e gjithë kjo u takon atyre që janë të paguar ta çrrënjosin këtë të keqe dhe, kur këtë nuk do ta bëjnë, atëherë do të themi se duhet të shporren prej aty ku kanë zënë vend pa merita. A mos vallë kësaj gjuhe standarde i duhet një ligj serioz dhe i qëndrueshëm, një ligj që do të dalë në mbrojtje të saj nga “klandestinët dhe trafikantët lazaratas”…, që mbase do të jetë bashkëvrasës a edhe bashkëfajtor i asaj katrahure…, a mos vallë edhe mësuesi, edhe prindi, edhe mjeku, edhe doktori i shkencave, edhe shkolla edhe universiteti do të jenë bashkëfajtorë në denigrimin e fjalës së shqiptuar a të shkruar keqas…, apo të gjithë atyre që i përmendëm do t’u mundësojmë të vihen në rolin e “fshatarëve të Lazaratit”(!?)…, a mos vallë në një kohë të afërt gjithsecili prej nesh do të ketë nevojë të pajiset me Fjalorin shqip-shqip, a thua vallë një ditë ne nuk do të merremi vesh me njëri-tjetrin…, apo në fund gjithë këtë katrahurë do t’ia faturojmë armikut, perandorive gjegjësisht pushtuesve tanë shekullorë apo edhe marangozit, bujkut, blegtorit, stërgjyshërve tanë të paarsimuar, pothuaj edhe dreqit.
Këtij mikut tim, që hiqet vijimisht për hiperbolik dhe hiperkulturor dhe të cilin padrejtësisht (që në fillim) e “përgojova dhe e paragjykova”, i thash troç: Ore “qerrata”, lëri këto “muhabete” se gjuhën standarde shqipe nuk ka as ligj e as bir nëne që do ta mbrojë nëse ti, unë dhe shumë të tjerë nuk e ushqejmë, nuk e humanizojmë dhe nuk e fisnikërojmë. Nuk më dha përgjigje, përkundrazi “muhabetin” e vazhdoi me atë pyetjen e tij të preferuar: “a mos vallë” ti, miku im, bashkë me mua dhe të tjerë njerëz profesionistë, do të duhet në vijimësi t’i “aminojmë” jovlerat kulturore, politike dhe ato arsimore, a nuk sheh se na mungon forca e ndërgjegjësimit sa i përket zallamahisë që na ka kapur për fyti…, a mos vallë (nuk) është e vërtetë se ne shqiptarët ditë për ditë ndërtojmë “istikame si ato të Lazaratit” prej nga do të vrasim idetë fisnike të njëri-tjetrit…, a mos vallë (nuk) do të ndërtojmë labirinte që më pas, ashtu vullnetshëm, do të futemi në to dhe më pastaj nuk do të dalim dot kollaj nga aty…, ti, miku im, a nuk të shohin sytë se “armiqtë tanë” gjithandej na “ndërtojnë udhëkryqe” ku ulemi ashtu rehatshëm këmbëkryq dhe bythëpraptas dhe që më pastaj s’dimë nga t’ia mbajmë, nga e djathta, nga e majta, përpara apo…, thjesht bëhemi njësh me udhëkryqin, thjesht bëhemi njësh me dyshimin, bëhemi njësh edhe me hulatë e shpresat e kumarxhiut.
Sot gjithsecili mund të parashtrojë pyetjen se cila është marrëdhënia e jonë me vlerën, me kulturën dhe me historinë. Të gjithë ata që kanë hise në trashëgiminë letrare, artistike, shkencore e të tjera trashëgimi, këtë marrëdhënie nuk kanë të drejtë ta shpjegojnë ndryshe, në shpjegimin e kësaj marrëdhënie nuk kanë vend joprofesionistët, në veçanti ata të cilët vlerat i shndërrojnë në jovlera a në “babëzi” (kolektive), nuk kanë të drejtë joprofesionistët të cilët për një post jomeritor dhe për pak lekë “shtrëngohen” ta heshtin hallakamën kolektive, nuk kanë të drejtë ata të cilët e “aminojnë muhabetin akademik dhe shurdhues, që në vijimësi për kryefjalë e kallëzues kanë paragjykimin dhe fjalën e rreme”…, nuk kanë të drejtë ta “binjakëzojnë” parimin me joparimin, standardin me jostandardin. Që kjo marrëdhënie të humanizohet, të avancohet dhe të emancipohet, fillimisht duhet të përjashtohen të gjithë ata të cilët padrejtësisht kanë zënë vend në të…, thjesht duhet të shporren si ata “gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që janë njësoj si Lazarati, që kultivon të keqen kombëtare”!? Tekefundit, nëpërkëmbja a edhe anashkalimi i marrëdhënies ndërmjet profesionistëve, me një farë dore është një “krim i organizuar” ndaj shkencës, ndaj gjuhës, ndaj kulturës, ndaj qenies sonë, ndaj…
SHAR IBRA I HOTIT
Nga Ramiz LUSHAJ/
TURKOVIÇËT E KUÇIT NË PLAVË/
1.
Krahina atdhetare e Plavë-Gucisë (me fiset Hot, Kelmend, etj.) i ka lidhjet e saj të kahershme etno-historike me fisin e vjetër e luftarak të Kuçit etnik shqiptar, fis i ndarë në disa grupime të mëdha: Kuçi i Vjetër, Kuçi i Ri (Drekalët), Triepshi (Trieshët).
Treva etno-historike e Kuçit, sipas akademikut Mark Krasniqit, kishte shtrirje territoriale në juglindje të bjeshkëve Bërda deri në veri tek Bjeshkët e Komit, në perëndim nga lumi Moraça dhe dega e tij Malla Rijeka, nga jugu tek rrafshina Dolani (në veri të Podgoricës) dhe bjeshkët e anës së djathtë të lumit Cem, nga lindja deri në pellgun e epërm të lumit Vermosh.[1]
Kuçasit e njohin veten të fisit Berisha, të shkëputur prej tij. Kjo dëshmohet edhe nga albanologët Franz Baron Nopça, Karl Palç, Edith Durham, etj. Dikur, viset e tyre, si emërtim gjeo-fizik e bashkësi ekonomiko-shoqërore mesjetare, thirreshin “Malet Bertishi”(Berisha). Kuçi ishte “shtëpi e përbashkët e berishajve”, prej nga u shpërngulën bregdetit deri në Kotorr, po kryesisht në Shqipërinë e Veriut përgjatë brigjeve të Drinit, Tarës, Limit, Sitnicës. I mbajtën mbiemrat Berisha, po edhe Kuçi, etj.
Hoti skej liqenit të Plavës (Malet e Hotit), vendlindja e Shar Ibrës i Mustaf Mujaj (Haxhaj), del në dokumente të Manastirit të Deçanit në vitin 1330, sipas albanologut kroat Milan Shuflaj.
Në shek. XIV, kumton “Historia e Popullit Shqiptar”, Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Gjithësesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët), etj. njihen si shqiptare”.[2] Kuçi për herë të parë figuron tek emri i ndërtimtarit të Manastirit të Deçanit (1327-1335) françeskani Vita Kuçi, i ardhun nga Kotorri (degëzim i Medunit) dhe i njërit nga pronarët e truallit të saj, Haka Kuçit, si dhe brenda rrethojave të manastirit është varri i një qytetari kuçiot, ndërsa në Tuz (1335) përmendet Pjetër Kuçi, etj.
Nga Kuçi shqiptar kanë ardh’ në truallin e Plavë-Gucisë disa dyer (vllazni, barqe) si Ferrajt e Shahmanjt e Plavës, Nikoçajt, Radoniçët e Bekteshët e Gucisë, Pepajt (berishas) në Ultinën e Epërme të Limit, apo Haxhialiajt, Llonçarët, Mulajt (Mulliqët), Delajt, Dervishajt, Çekaj të Gucisë, si dhe Haxhimushajt, Kerciqët, Kuçët, Medunajt, Shabajt, Toskët, e Plavës, etj.[3] Ngulimi i parë kuças ishte në Guci në shek. XV, viti 1495, kur Bekteshët erdhën nga ultina bjeshktare e Bërdës. Tevona, më 1636, vijnë edhe Radoniçët,[4] etj.
Nga Kuçi janë edhe Turkoviqët e Plavës. Këta kanë ndrrue fe e etni, janë kthye në malazezë të përjetshëm. Në memorien historike njihen për urrejtje bio-politike e etnike dhe për veprime e krime deri genocidiale ndaj shqiptarëve në Plavë-Guci e përrreth saj.
2.
Vojvoda Dre Kali (Drekali) [5] i Kuçit të Ri, të cilin gojëdhanat e lidhin edhe me dinastinë e Skënderbeut, la pasaradhës genetik e fronësor Lalë Drekalin (me 1.500 luftëtarë nën armë), kont, hero i madh i kombit shqiptar. Ky, Drekali i dytë, ishte një nga (krye)organizatorët i Kuvendit tek Manastiri i Moraçës (1608) në afri të Liqenit të Shkodrës, në trollin e Hotit, me krerë shqiptarë, serbë, malazezë e maqedonas; i Kuvendit të Kuçit (në dy seanca, 15 korrik e 3 shtator 1614), i mbledhur në kullën e tij, si i pari kuvend me përmasa të përgjithshme ballkanike; i Kuvendit të Prokuples (1616) e i Kuvendit të Belgradit (1620), me përfaqësues të shumtë nga trevat etnike shqiptare dhe nga vendet fqinjë.
Konti i Kuçit, Lalë Drekali, u martue dy herë e pati pesë djemë: Vujoshin, Ilkon, Çejon, Mijën, Vukun. Kur u ndanë ndërveti banë hile cinike, ia lanë Vukut pjesën ma të keqe të pasurisë së përbashkët, pasi ai ishte me një nanë tjetër. Ky u çartaqejf deri në rebelim me drekalët e atyshëm dhe iku pakthim prej truallit amë, tue ra në Podgoricë, në mëhallën e Durrësit (Draçka mahalla). Kuçasi antishqiptar Mark Milani në një nga veprat e tij rrëfen se këta, Vukët, e ndrruan fenë, u banë mysliman. Ndaj, prej atëherit, u thirrën Turkoviq. U vnuen në shërbim të Perandorisë Otomane. Njëherash, në (prapa)skenë njiheshin e kontributonin si miq të afërt me krajl Nikollën e Malit të Zi.
Nga ky degëzim i Podgoricës ban çoje një rrem genetik i Turkoviçëve e, për interesa sllave e për arsye të veta, u vendngulën në Plavë. Aty, skej liqenit, në një vend mjaft të mirë, me pamje të veçantë. Ata kanë ngrit aty kulla e lokale të dukshme. Ndihen mjaft të privilegjuar nga pushteti malazez, pasi gjithata Turkoviç në shekujt e fundit janë pjesë elitare, aktive e besnike e strukturave të shtetit të derisotëm cerrnagoras me dy kryeqytete: Çetina e Podgorica. Shpesh herë, veçmas në elektoriada, kanë qënë mikëpritës të kryeministrit të sotëm me shtatë mandate, Milo Gjukanoviç, “gospodar” real i Malit të Zi.
KUR SHQIPTARËT VRITEN ME GISHTIN E MADH
1.
Kuçasi Mark Milani është i vllaznisë të Popoviçëve, i Popovit, një nga shtatë djemtë e Ilia Lalë Drekalit, udhëheqësi shqiptar i Kuçit, i cili në vitin 1756 deklaronte se fisi i tij është ortodoks dhe bën pjesë në Malet e Shkodrës.[6]
Ai është kushëri i ndamë prej një zjermi me Turkoviçët e Podgoricës, pasardhësit e Vuk Lalë Drekalit, të cilët, të dy palët, janë nyje lidhur në gene e veprime si antishqiptar.
2.
Plavë-guciasit kenë lodh së tepërmi me Turkoviqët e atyshëm, të cilët në brezni iu shërbenin otomanëve, malazezëve, boshnjakëve e serbëve kundër shqiptarëve etnikë që në shekuj dhanë gjithçka për lirinë e pavarësinë kombëtare shqiptare.
Turkoviçët hyjnë në atë kategorinë si fat i keq i Plavë-Gucisë aqsa edhe historianët ne botimet e tyre për kit’ trevë historike i klasifikojnë si “armiq të betuar të shqiptarëve”, etj.
Kur filluan me ua nxanë edhe diellin e me ua nxi’ jetën shqiptarëve etnik, kur filluan me i prangos e përgjak me shtet, etj. atëherë u ngritën krejt revoltë e plot forcë plavë-guciasit e i mësynë tre kullat e tyne në Plavë. Deshtën me i kallë flakë ato…Me ua shue jetën. Me ua ba hi trollin. Me ua ndal turravrapin atë ditë. Me iu harrue emni përtej të nesërmes.
Turkoviçët e pabesë lypen besë shqiptare tek Curranajt, të cilët kanë kontribute e derdh gjak për kombin shqiptar, në luftë me otomanët e me sllavët. Rastësisht, disa curranaj të Plavës, i kam njoft si njerëz të mirë e në punën e vet përditësore.
Curranaj e Turkoviç ishin të lidhur ndërveti: nip e dajë.
Besa shqiptare e lidhja e gjakut i shpëtoi Turkoviçët prej vdekjes të shkrumtë, po shqiptarët etnik plavë-gucias nuk shpëton kurrnjiherë nga zjarri antishqiptar i Turkoviçëve breg liqenit të Plavës e në kupola të shtetit malazez.
3.
Mark Milani (1883-1901) me dy prindërit shqiptar, baba ortodoks e nana katolike, fliste edhe shqip, ishte një djalë i zgjuar e me fizik të fuqishëm, një i ri atentator (i)legal, një ndër cubat e hajdutët e rrezikshëm të karvajeve përgjatë luginave të Moraçës, Cemit, etj. Gjithandej i doli nami si “i forti i vendit”.
Princi Danilo I (1826-1860), i bekuari e begatuari nga perandori rus Nikolla I si princ i Principatës të Malit të Zi me vetëm 1.500 km2 territor gjeo-politik, e mori Mark Milanin 23 vjeçar në oborrin e tij. Ai u rrit aty me urrejtje kundër shqiptarëve, u aftësue si ushtarak pushtues e kriminel, u sprovua në rrahje publike e vrasje enigmatike, u fut në labirinthe të politikës ballkanike. Ishte mbi 8 vjet ma i madh se princi i ri në fron, Nikolla I, po pansllavizmi i lidhi fort të dy sëbashku, aqsa krijuan në Principatën e Serbisë Organizatën “Rinia e Bashkuar Serbe”(1866-1871) e, pasi ua ndaluen ligjërisht atje, e ringritën tjetrën në Çetinë, Organizatën “Bashkimi Serb për Çlirim”. Qyshse në moshën 29 vjeçare nisën tue i dhanë çmime, dekorata, tituj. E banë vojvodë, kont, dukë. Për kontributet e tij antishqiptare në bashkimin e përgjakshëm të Kuçit me Malin e Zi në vitin 1874 e zgjodhën në Senatin e Malit të Zi. Në të madhen “Betejë e Fundinave” në luginën e Kuçit më 2 gusht 1877 i udhëhoqi me fitore forcat malazeze në luftën kundër otomanëve.
Antari i Këshillit të Shtetit të Malit të Zi,[7] Mark Milani, ishte komandant i forcave ushtarake malazeze në dy betejat e mëdha historike të Nokshiqit (4 dhjetor 1879–11 janar 1880). Aty, krah tij, në luftë, iu vra nga shqiptarët edhe një nga kushërinjtë e vet popoviç, një nga ushtarakët prijtar, mixha i “internacionalistit” malazez, i Miladin Popoviçit, ma i pari eksponent i Titos si i deleguar i PKJ në Shqipëri, i cili gjeti raste e vend dhe u hakmor me shpagime për çveshjen e LANÇSH nga nacionalizmi tradicional shqiptar, nga përpjekjet nacionaliste për një Shqipëri Etnike, Natyrale, të Bashkuar.
Në “Luftën e Nokshiqit”, që pushkën e parë ia nisi Hoti i Plavës e të fundit Rugova e Kosovës, iu duhet dijenue historisë e brezave se përballë Mark Milanit e ushtrisë së tij malazeze luftuan edhe kuçiotët e Plavë-Gucisë si Jakup Ferri me të vetët, Nuh (Nuc) Shahmanaj, Avdyl Pepaj, Adem Bajraktari (Radoniçi) sëbashku me Husën, Halilin e Sylën, Ferhat Nikoçi, Abdulla Bekteshaj e dhjetra të tjerë. Populli e përjetoi në kangët e tij luftën e kuçiotëve plavë-gucias: “Padishah me t’tregue nji seri / Tridhet krena i preu nji njeri / E i thonë për emën Jakup Ferri”/.
4.
Para Luftës së Nokshiqit kuçioti Mark Milani (Popoviç) që e njihte mirë kodin e fuqinë e Besës Shqiptare provoi pa sukses të kryente një akt të tillë dredhie, pabesie, me shqiptarët e Plavë-Gucisë, forcat e armatosura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të Ali Pashë Gucisë, Haxhi Zekë Byberit, etj. Ai dështoi dhe e dështuan në tentativat e tij deri ditën e 4 dhjetorit 1879. Disa ditë para fillimit të kësaj lufte historike i larguan nga Plavë-Gucia për në Pejë, në izolim (internim) disa familje malazeze të atyshme të përfshira në veprimtari spiunazhi për Çetinën e krajl Nikollës të Malit të Zi.
Pas Luftës të humbur të Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit) filloi plasaritja e Mark Milanit me krajl Nikollën, debatimet me popoviçin tjetër, vojvodë Todor Milanin që i mësyni ushtarakisht Gucisë, u rrgall karriera e tij politike gjersa më 1882 u tërhjek në jetën private, u kthye në vendlindjen e vet në Medun (Podgoricë) dhe pas një viti, në moshën 50 vjeçare, nisi të mësoj shkrim e këndim, t’i shkruajë veprat e tij dhe ato që i shpëtuan unkuiziocionit iu botuan në Beograd pas vdekjes.
Kuçioti Mark Milani, hero i Malit të Zi, me shtëpi muze në Podgoricë, në veprat e veta, tue pas parasysh traditën e praktikën, thekson se shqiptarin më lehtë mund ta pushtosh me të mirë se sa me të keq, se duhet t’i kërkosh besën, fjalën e nderit, ta bësh për vete me ndonjë dhuratë apo pozitë të vogël sidomos parinë e fisit dhe të fesë, pastaj ai do të shërbejë sipas qejfit tënd, madje edhe kundër interesave të tij kombëtare, do të futen në ujë e zjarr për ty. Ai tregon se disa herë i dhanë besën shqiptarët e Moraçës, Cemit, Limit dhe e mbajtën si orën e parë e të fundit në disa beteja me otomanët. Shqiptarët në besë ia “mbrojtën shpinën”, si thotë ai, se po ta sulmonin do ta shpartallonin ushtrinë e tij, po ndodhi e kundërta: fituan malazezët e Çetinës. Nëse nuk do të shfrytëzohej kaq pabesisht besa shqiptare në shek. XXI do të ishte krejt ndryshe historia e realiteti i Malit të Zi, këtij protektoriati rus. Shumçka do të ishte në interes për mirë për kombin etnik shqiptar.
Princi Danillo për ta bashkue të voglin Mali i Zi me Bjeshkët alpine shqiptare (Kuç, Plavë-Guci, Rozhajë, etj.). e dinte se kuçasit nuk i binden, madje kishin refuzue me i pague edhe tagrën atij, lypnin ma tepër autonomi lokale. Ai e caktoi vllain e tij të madh, vojvodën Mirko Petroviç-Njegoshi (1820-1867), Duka i Madh i Grahovës, poet, ushtarak, diplomat, njeri karizmatik, babën e krajl Nikolla I, për ta pushtue e nënshtrue Kuçin. Ai iu lypi Besë. Ata ia dhanë. Atëherë, rrëfen Mark Milani, “kuçët u mashtruan dhe e lëshuan ushtrinë e princit të hynte në Medun”. Në atë vit tragjik 1856 ndodhi një nga masakrat e madhe të Kuçit: u vranë 17 burra luftëtarë të aftë për pushkë dhe 230 të moshuar, fëmijë në djepe, njerëz invalid, etj.
Mbi keqpërdorimin e Besës Shqiptare nga malazezët flet edhe themeluesi i Partisë Social-Demokrate Serbe, teoricieni, gazetari Dimitrije Tucoviç (1881-1914), kapiten në Luftën e Parë Botërore, autor i veprës “Shqipëria dhe Serbia”.
Besa me malazezët, lidhjet me martesa, tue i ba probatima, kumbarë, etj. shpesh herë iu kanë kthye shqiptarëve në të kundërten, në pabesi, në vetvrasje gjakatare politike, etnike. Shqiptarët plavë-gucias (e në krejt Malin e Zi), kësisoj e jo rrallë në historinë e tyre, e kanë vrarë vetëvehten me gishtin e madh…(!)
PABESIA NË OSOJA
1.
Në kohën kur Mali i Zi u kthye Mbretni, veçmas pas tetorit 1912 të Luftës së Parë Ballkanike si dhe në kohën tjetër, atë të Jugosllavisë së Parë Versajiste të pas 1918-tës, Turkoviqët, si djajë të sllavizmit, morën turr e flatrime në (krye)detyra të larta e të ndryshme shtetërore në struktura administrative në Plavë-Guci-Murinë, Andrijevicë, etj.
Krajlitë sllave e përzgjodhën njanin prej tyre, Stanisha Turkoviçin, si ma të besuarin për interesat e tyre shovene dhe si një nga antishqiptarët ma të sprovuar. Ky bani presion të madh mbi shqiptarët, i burgosi ata e shumë prej tyne nuk e panë tokën e Plavë-Gucisë, kullat e brezave, dritën e diellit. I dëboi ata nga trojet e veta etnike. Ua zaptoi tokat shqiptarëve. Kreu masakra të shpeshta dhe u ba pjesë e masakrave të shumta ndaj shqiptarëve.
Këso kohe, Hoti i Plavë-Gucisë i pushtuar e aneksuar padrejtësisht nga Mali i Zi u kthye sikur të ishte Hoti i Shqipërisë. Hotjanët nuk donin me ia ditë për kufi të 1913-tës e të 1919-tës. Nga Çeremi, Valbona e Kukajt vinin tek hotjanët, në troje e kulla të tyre, kelmendasit vuthjanë të mbetun matanë kufinit shqiptaro-shqiptar, të cilët e hidhnin ndonjë hap edhe deri në Vuthaj, e lëshonin një sy deri në qytetet Plavë e Guci me rrethina. Kjo e shqetësonte zyrtarin e lartë malazez, Stanisha Turkoviçin. Ai donte, kërkonte e luftonte për nënshtrimin e Hotit të Vendit. Me çdo kusht, me çdo mjet, në kohën më ta mundshme.
Hoti nuk e donte Stanisha Turkoviçin dhe, dihet, as ky nuk e donte Hotin.
Sipas adetit praktik të kohës hotjanët shkuan argat tek Demi i Murat Agës, i cili nuk ishte i fisit të Hotit, po i ardhun aty, banor i atij vendi gjeostrategjik, jo si vlla i gjakut e i tamlit, po si vlla toke. Pas argatisë e hangrën darkën e u çuen po luejnë kapuça, po ia marrin kangës edhe në kambë si në kor, edhe ulur me lahutë e çifteli në odën e burrave.
Fjala mori kambë e u ba erë. Stanisha prej vitesh rrinte çuet në pritje të kësaj dite. Orakulli i tij ia thoshte se i erdhi oroku i hakmarrjes. E rrethoi Hotin tinzisht, si në unazë. I pabesi donte me i pre në besë hotjanët, kur burrat e trollit të ishin bashkë tek Demi i Murat Agës.
Një natë e zezë si vet Stanisha kishte ra mbi Hot.
2.
Stanisha Turkoviç ishte i pafytyrë me shqiptarët, po ai e ruante lëkurën e vet. Iu tutej, i dhimbsej jeta. Nuk mujke me shkue vet tek hotjanët. Në atë lypje e dinte çka e gja, në atë trokitje dere e dinte çka e priste: krisma e armës, hija e vdekjes.
Ai e kishte marrë me ushtri Nezir Ukën e Hakajve për me iu pri para e përballë, se ky e njihte dhe e donte Hotin e Hoti e njihte e vlerësonte atë për të mirë. Ishte nga ata burra që mujke me kërsit pa droje e pa kohë në derë të Hotit.
Demi i Murat Agës ia hapi derën e shtëpisë së tij. Aty nuk ishte kurrkush tjetër vetëm Ali Ibra i Ibër Mustafës të Mujajve, pasardhës i Haxhë Gjokës (Haxhaj) i Hotit.. Të tjerët kishin ikë nëpër shtëpiat e veta. Atë natë të keqe, me pusi e pabesi turkoviçiane, ky ishte një fat i mirë për hotjanët, të cilët ishin të armatosur e nuk ia pritonin pushkës, po nuk dihej ku i ndalej krisma, deri ku shkonte gjakderdhja.
Ali Ibra, pas zotit të shtëpisë, e ndrroi kutinë e duhanit me Nezir Ukën. Të tre po kuvendojnë miqësisht. Shqiptarisht.
– Pate keq që të gjeta këtu o Ali Ibra se Hoti asht i rrethuem me ushtri. Me ta
asht edhe Stanisha Turkoviqi – po iu thot’ Nezir Meta, tue ua ba të ditun edhe shkakun e ardhjes në atë natë të vonë.
Demi i Murat Agës ia bani i lutje burrnore mysafirit të tij të sapo ardhun:
– O Nezir Uka, pash’ Tokë e Qiell mos kallxo se sonte është këtu Ali Ibra…!
Asaj nate Nezir Uka ishte një burrë i nxanun ngusht. I lutej Zotit mos me iu
ndodh asgja e keqe asaj shtëpie prej të cilës doli si mikpritës i saj, si njeri i futun në be, si bestar i saj. Ai e kishte nda herët mendjen mos me e korit veten, po e kishte merakun tjetër ku: në koft se Turkoviçi urdhnonte me u sulmue shtëpia e Demit të Murat Agës me mysafirin e saj Ali Ibra Mujaj a thue mund ta besonin të gjallët e të dekunit, të sotmit e të nesërmit, drurët e zogjtë e malit se Nezir Uka nuk ka pre kerrkand në besë.
– Hoti ka shkue i gjithinë shtëpia të veta e nuk është kush aty…-iu tha Nezir
Meta atyne të ushtrisë, e Stanisha Turkoviçit që nuk i nxanke vendi vend.
Ali Ibër Mustafaj (Mujaj-Haxhaj) i vendosun deri në dhanien e jetës i ngjeshi armët e u fut tek një dhomë e vogël e shtëpisë, aty ku mbaheshin bylmetnat, e i tha të zotit të shtëpisë: Ky është varri im kush ta hapin derën!
Atë natë Hoti ka mbetë i rrethuem në tana anët. Hotjanët e kishin fishekun në gojë të pushkës. Si gjithmonë.
3.
Cen Ibra i Mustafajve (Mujaj-Haxhaj) atë natë të rrethimit të Hotit ndejti në Sinanaj, tek shtëpia e Zek Arifit, ku u prit’ me tana të mirat. Si ma i miri burrë i vaktit. Siç e meritonte. Si përherë, pabesisë Turkoviçiane të asaj nate nuk i dihej, prandaj i ndejtën gati çdo të papritune. Në koft se kush ua sulmonte kullën me luftue deri në pikën e fundit të gjakut. Në koft se lëshohej kushtrimin Hoti me u ngrit’ në kambë e me shkue të parët në ballë të luftës.
Në natje, kur drita po i kap malet, çohet Cen Ibra e shkon tek kulla e tij me i lëshue dhitë për kullotë. Ushtria po nejke maleve. Ende nuk kishte ikë tek kazerma e vet. Hotit hala nuk iu kishte lëshue rrethimi malazez.
Në Osojna, tek Ura e Bekës mbi lumë të Hotit apo si i thërrasinshkijet “Rijeka e Gjyriqit” e kapin çobanin e dhive Cen Ibrën e Hotit. Turkoviçi me të tijët e vrasin mizorisht. Pabesisht. E panë zogjtë e lulet. Krismat i ndjenë malet e lumenjtë. Dhimbja kapi Hotin e 12 fiset e mëdha të Maleve Shqiptare të Shqipërisë së Veriut.
4.
Stanisha Turkoviçi u korit shumfish: edhe veten e breznitë e tij, edhe si shtet.
Rrethoi një fshat të madh si Hotin, një fis luftarak si Hotin, e vrau Cen Hotin, një çoban të njohur të Hotit, një mashkull të mirë të Hotit.
E vetmja vrasje e shtetrrethimit të tij të pashembullt. Një vrasje që nuk i dha aspak nder. Një vrasje që e bani me turp.
Një vrasje e Stanisha Turkoviçit që e futi shumëfish në gjak si me shtëpinë e Shar Ibrës me vllazni të tij dhe me Hotin nga liqeni i Plavës tek liqeni i Shkodrës, me krejt Plavë-Gucinë, me Malësinë e Madhe, me Malësinë e Gjakovës, me Rrafshin e Dukagjinit, me Sanxhakun Shqiptar.
Ajo pushkë ishte faqja e zezë e Stanisha Turkoviçit e prapë marria e tij e lypte faqen e zezë. Ky zyrtar i lartë malazez i shkoi tek shtëpia Ibër Mustafës të Mujaj (Haxhaj) e i thotë: Ta vramë djalin…! E, ai nuk ua ktheu pushkën tek kulla e vet, në dekën e djalit. Tradita shqiptare nuk i lejon të tilla hakmarrje. Po kreu i kullës, Ibra i Mustafajve, burrë i fortë e me urti të madhe, ia lëshoi një za për me ia ndie edhe pas veshi:
“… Dhimbten për djalin jam ka e kaloj me vllazni e fis, me Hot e Plavë-Guci… Ke vra një çoban…!”
I ligu njeri Stanisha Turkoviç iku me të vetët, duke lanë në Hot ligësitë e veta të shtetrrethimit, në pritje me marrë shpagim të drejtë e të shpejtë nga hotjanët trima e të fismë për ligësitë e tij.
Në të Drejtën Zakonore Shqiptare, nga lashtësia deri më sot, nga Veriu në Jugun e Shqipërisë, në Kanunin e Lekë Dukgjinit, në Kanunin e Maleve, në Kanunin e Labërisë, nga Plavë-Gucia në Shkup, etj. dënohej vrasja e çobanit (bariut) e, ndaj vrasësit, kushdo qoftë e kudo qoftë, merreshin masa tejet të rrepta. Gjithësesi nuk ka të bajnë fakti se kush shenjon e qet’ pushkë mbi çobanin. Nuk falet as individi e as shteti për vrasjen e tij. Ai ishte gjak për t’u marrë, në mos nga shtëpia e çobanit të vrarë nga vet fisi i tij, nga krahina me fiset e saj apo nga të gjithë sëbashku, sipas një pleqnimi e plani, me kanun, me kuvend, me nismë fisnore.
TRI PUSHKË ME NJË KRISMË
1.
Shtëpia e Ibër Mustafës, i Mujaj (Haxhaj), është një nga shtëpitë e forta të Hotit e të Shqiptarisë. Atë e kanë mbajtë të tillë trolli i vet, brezat e vet, fisi i vet i Hotit. E ka njohur Historia. E kanë mbajt’ fort tokën e vet, e kanë çue lart emnin e vet: me punë, me dije, me pushkë.
I riu trim, Shar Ibra i Hotit, po i thotë babës së vet e fisit të vet, se ka ardhë ora e historisë shqiptare, e të Drejtës Zakonore Shqiptare, për me e pague Stanisha Turkoviçi me jetën e vet, me kryet e vet pabesinë e ligësinë e tij antishqiptare, për vrasjen e Cen Ibrës, vllait të tij, si dhe qindra shqiptarëve të tjerë të persekutuar e ekzekutuar prej tij.
Krejt djemtë e Hotit janë Shar Ibra po i thirri koha në skenën e saj lokale e kombëtare. Secili atdhetar prej tyre, çdo derë e brezni nacionaliste, janë faqe e hapur dhe e pa mbyllur e historisë shqiptare në shekuj. Po vet Shar Ibra i zgjodhi dy prej tyre: Nasin e Sejdit, i Hysenaj (Haxhaj), sivllai i tij në vijën genetike të gjakut dhe Mujën e Alit të Mustaf Aliajt, sivllai i tij në vijën e tamlit, nip bije në Hotin e Plavës, banor i saj i prejkohshëm.
2.
Lajmi u ngjit në Hotin e Plavës.
Stanisha Turkoviç paska dalë në bjeshkën e Treskavacit, bjeshkë e kapun me Hot. Ai ishte zyrtari ma i lartë i prefekturës (qarkut) Andrejavicë, Plavë-Guci me rrethina. Ai mbrohej shumë se i duhej fort shtetit malazez. Në çdo hap ecte me eskortë me roje në formacion mbrojtjeje, në gadishmëri për kundërpërgjigje sulmi ndaj çdo atentati ndaj tij. Ai ushtronte politika raciste, genocidiale ndaj shqiptarëve etnikë, ndaj komunitetit boshnjak të atyshëm, si rrahje publike skandaloze, burgosje edhe pa kthim, tortura nga ma ekstremet, etj. Ai ishte terrorist, aqsa shumë mirë mund t’i thuhej edhe kriminelit serb Aleksandër Rankoviçit si “Stanisha Turkoviç i Kosovës”.
Dy djemtë trima të Hotit, Shar Ibra i Mujaj dhe Nasi Sejdi i Hysenaj, sëbashku me nipin e Hotit, Mujë Alinë e Mustafaliajve i dolën në pritë në një rrugë bjeshke, Stanisha Turkoviçit.
Të tre gjuajtën përnjëherit në shenjë drejt Stanishës antishqiptar, këtij Turkoviçi i konvertuar në malazez shoven, gjakatar, barbar.
Plani ishte i qartë: Në mos e vraftë i pari, Shari, do e vriste i dyti, Nasi. Në mos e vraftë i dyti do ta vriste i treti, Muja. Tri pushkë me një krismë.
Diku e kam has’ kit’ fakt: Stanisha Turkoviç paska lind në bjeshkë, prandaj ia ngjitën emnin Stanisha. E, si i erdhi e mbramja atij: me e lanë kryet aty ku e lindi kryet?!
Stanisha Turkoviçit i pushoi fryma përjetë. Malet, luginat, njerëzit morën frymë ma lirisht. Një antishqiptar ma pak. Një Turkoviç ma pak. Rregjimi malazez mbeti po i njëjti si pardje, dje e sot. Një regjim turkoviçian, që ende edhe sot hakmerret ndaj Hotit skej liqenit të Plavës. E duan pa shqiptarë. Pa Shar Ibra. Pa histori shqiptare.
3.
Çetinën e fronit malazez (serb) e mbuloi zia për vrasjen e eksponentit të tyre të lartë: Stanisha Turkoviç. Familja mbretërore malazeze, pasardhësit e mbretit Nikolla I, me banim mërgimtar në Francë u tronditën nga ky lajm. Princi Paul Karagjorgjeviç, në emër të mbretit të ri serb, Pjetri II i Jugosllavisë së Parë, u interesua direkt për vrasjen e tij. Turkoviçët e Plavës e të Podgoricës hapën T’pame, të cilët e kishin dhimbjen në prag po edhe si kuçiotë të asimiluar pro sllav ndoshta e dinin fort mirë se Stanisha e kishte hak një çmim të tillë me jetën e vet.
Shteti jugosllav u vnue në kërkim të kapjes të tre djemve nga Hoti i Plavës. Malet e shqiptarët e tyre i ruajtën ata. Pabesia nuk harrojke me i ndjek ata. I arrestuan, i prangosen, i futën në burg. I torturuan, veçse sa i lanë të gjallë me frymë e në jetë.
Drejtësia jugosllave iu dha dënimet: Shar Ibra i Mujaj me 20 vjet burg. Nasi Sejdi i Hysenaj dhe Mujë Ali i Mustafaliaj me nga 17 vjet.
Të tre e vuajtën dënimin në burgun e vjetër e famëkeq të Kotorrit.
Edhe pas vrasjes të Stanisha Turkoviç, edhe pas burgosjes të tre djemëve të Hotit, shteti jugosllavo-malazez e pati të vështirë me e shtri’ pushtetin e vet real në Hotin e Plavës. Kjo ngjau vërtet vetëm në vitet e komunizmit, si i thonë në “kohën e Titos”, kur PKJ e shteti jugosllav e mbyllën kufinin me Shqipërinë dhe hotjanët e atyshëm nuk kishin tjetër rrugëdalje, nuk gjenin tjetër rrugëzgjidhje. Shteti vendosi posta e pika dhe kontrolle kufitare në territorin vrri e bjeshkë të Hotit të Vendit, Hotit të Kunjit, Hotit të Historisë.
TURKOVIÇËT – STAN I MADH ME STANISHA ANTISHQIPTAR
1.
Turkoviçët nuk janë vetëm një Stanishë, po ata janë një” stan” i madh me Stanisha Turkoviçë. Në disa brezni kohore kanë nxjerrë nga një apo disa “Stanisha” të këtillë antishqiptar.
Brezi ma i vjetër plavë-gucias e ka njoft sadopak e shumëkush edhe tevona ia ka ndie namin antishqiptar një farë Lluka Turkoviçit. Ai, veçmas në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ishte antar i shtabit propogandistik e luftarak tëDrazha Mihajlloviç, i partisë së tij çetnike, një farë zëdhënësi i tij, kryesisht në Plavë-Guci-Murinë me rrethina.
Ky Drazha Mihajllovic, një “Çubrilloviç i ri” apo “Dobrica Qosiç”, që ka ushtrue veprimtari të madhe në kambë e me armë edhe në Malin e Zi, i cili e hartoi në vitin 1942 një platformë spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e veta në emër “të largimit të të gjithë myslimanëve nga Ballkani”, etj.
Kush ishte antishqiptari Lubomir Tadiç nga Plluzhine në Malin e Zi të sotëm, që në moshë krejt të re u lidh aktivisht me lëvizjen çetnike të Drazhe Mihajlloviçit, u përzgjodh antar i Akademisë së Shkencave të Serbisë, e vdiq 88 vjeçar (2013) në Beograd me ëndrrën për ta parë Kosovën “de facto” nën Serbi, si rajon të varur prej saj? Ky ishte baba i presidentit të Serbisë, Boris Tadiç (2004-2010). Dhe një fakt tjtër: gjyshi i këtij presidenti serb, Pavle Tadiç, ishte toger i ushtrisë të Malit të Zi në Luftën e Parë Ballkanike 1912-1913, i cili luftoi edhe në viset shqiptare dhe një nga ushtarakët e mësuesit që punonte për asimilimin e shqiptarëve.
Kush ishte Bllazho Gjukanoviçi (1883-1943), i lindur në Nikshiq të Malit të Zi, gjeneral brigade çetnik, prej vitit 1942 pas një marrëveshje me italianët “de facto” lider politik e ushtarak i Luftës së Dytë Botërore në Mal të Zi, komandant i të gjitha forcave çetnike në Malin e Zi (1941-1943), të cilin e vranë partizanët jugosllavë në Manastirin e Ostrogut? Ai është një nga të afërmit e kryeministrit të sotëm Milo Gjukanoviç, i lindur në Nikshiq më 15 shkurt 1962, i cili u pranue qysh në shkollë të mesme në PKJ, pasi i ati, Radovani ishte një komunist i hershëm e me mjaft ndikim në PKJ të Malit të Zi, etj.
Ndër sllavët kontribues në luftëra për asimilimin e zhdukjen e shqiptarëve hyjnë edhe Turkoviqët e Plavës, me në krye Stanisha Turkoviçin apo Lluka Turkoviçin, Veshi Turkoviqin kapiten i klasit të parë, etj., krahas Nikolla Pashiqit, Jovan Cvijiqit, Vlladan Gjeorgjeviçit, Vaso Çubrolloviçit, Drazha Mihajlloviçit, Bllazho Gjukanoviçit, Stefan Moleviçit, Ivan Vukotiçit, Lubomir Tadiçit, etj.
Këto fakte dëshmojnë se pushka e Shar Ibrër Hotit vet i tretë kundër antishqiptarit të madh Stanisha Turkoviç ishte një pushkë e madhe për historinë, për çështjen kombëtare shqiptare.
2.
Shar Ibra i Hotit i plotësoi njëzet vite burg në Kotorr e tue ardhë një pjesë rruge në kambë ndali në Andrijavicë. Iu kishin lodh gjunjtë e sytë. Nuk ishte larg Hoti i tij po atij i dukej sikur nuk do të mbrrinte kurrë atje. Ai po mendonte se kurrgja tjetër nuk i bante ma mirë se një kafe për qejf, i ulur tek një lokal përballë.
Ai hyri brenda. E porositi kafen. U ul me e pi çlodhshëm.
Aty ish kanë edhe kapiteni Veshi Turkoviç i “stanit” të Stanisha Turkoviçit. Ua ban me shenjë rojeve të veta. U thirrën edhe nga policia e Andrijavicës. Po rrinë brenda e përjashta në gadishmëri.
Veshi i Turkoviçëve me mustaqe vesh më vesh e me kapuç të bardhë kthye mbi vetull, po ecë drejt tavolinës së Shar Ibër Hotit. E vnoi dorën mbi sy e po e kqyr nga afër:
– A je ti Shar Ibra? – po e dvet.
– Po. Shar Ibra i Hotit jam – i bani njoftje.
– Ku je ka shkon për rrugë?
– Po shkoj tek shtëpia ime në Hot. E kam krye burgun e po due me jetue në
tokën teme, në kullën teme, në punën teme.
– Te shtëpia jote ti kurrë ma nuk kie me shkue o Shar Ibra – iu ngërthuc
idhtas kapiteni Veshi Turkoviq.
Shar Ibra i Hotit e hurpi edhe një herë kafen, si me i dhanë fuqi vetes, e tu çue në kambë. Gati me ecë kah shtëpia e vet.
Kafja u mbush me policë. Iu vërsulën Shar Ibrës sikur të ishte një kriminel lufte, sikur të ishin në një front lufte. Atij i mbeti edhe pak kafja pa mbarue. Edhe pak kilometra udhë i mbetën pa shkue tek shtëpia e tij në Hot.
Hakmarrja e Turkoviçëve nuk njihte as ligje, as kanun, asnjë normë morali njerëzor. Ai e kishte krye burgun e po e rikthenin prapë në të vjetrin burg famëkeq të Kotorrit.
PIRAMIDA
1.
Hotianët shkuan në burgun e Kotorrit në bregdetin e Malit të Zi për me e u takue me Shar Ibrën po nuk e gjetën aty. Vdiq apo e vdiqën?! Te dyja bashkë. Askush nuk tregoi atë ditë e sot se ku është varri i tij.
Një kuti duhani plot bujari e një xhaketë e vjetër krejt fisnikëri ua dhanë ata të burgut të Kotorrit. Ato i ka pasë djali i tij, Salihi, atje në Amerikë. Tashti i ruan nipi i tij, Cen Sali Shari i Hotit. Ato mund ta kenë vendin edhe në Muzeun Historik Kombëtar.
Trimi i rrallë e martiri shqiptar Shar Ibra i Hotit i ban nder kombit të jetë “Dëshmor i Atdheut”. I ban nder Tiranës, Prishtinës, Shqiptarisë.
2.
Një burrë i fjalës e i pushkës, Ibër Hoti, kur i lindi djali e kishte mendue prej kohësh emrin e tij. Ia vnoi Shari, që i përkthyem në shqip ka domethanien: “dituri”. Kjo ishte një dëshirë e brezave të Hotit për me i pasë djemtë me shkollë të madhe.
Dhe vjen një ditë kur dëshira e amaneti i brezave hotjanë del në dritë. Sali Shari (Mujaj-Haxhaj) bahet mësues i kimisë në Plavë-Guci e një inxhinier kimist në Amerikë.
E kam parasysh një foto të Sali Sharit dalë me pushkë në dorë. Ai tashmë ka ndrrue jetë po pushkën ia ka lanë djalit, Cenës, ish luftëtar i Batalionit “Atlantiku” të shqiptarëve të Amerikës që shkoi më 1999 të luftonte për çlirimin e Kosovës. Ai ka dalë në një foto pranë një piramide, asokohe kur UÇK e theu kufinin shqiptaro-shqiptar.
Luftëtari Shar Ibra i Hotit më ngjan në përjetësi si një piramidë e vlerave, qëndresës e sakrificave shqiptare, si një piramidë krye maleve të Hotit e në ballë të historisë së Kombit.
SOFRA E DIELLIT”RRËMBIMI I HELENËS”
Nga Xhemail Peci/
“A ishte kjo fytyra që fundosi me mijëra anije,/
dhe që dogji kështjella t’Ilionit me majat e tyre të pafundshme,/
Helenë e bukur, më bëj të pavdekshëm: me një puthje!”/
Kristofer Marlou: ”Dr. Faustus/
1.
Ç’dhunti e falur nga perënditë, shpalosur si n’një peng shpërblimi,/
tagrin e xhelozisë seç e pagoi edhe befas nisi e u bë zi dëshpërimi,/
në mes kujës e n’mes gjakut, në mes të lotëve dhe në mes të plojës,/
po shkonte kaluar e n’krah t’Paridit rënë si Hënë: Helena e Trojës./
Oh sa gjak dhe sa dhembje tok përzier janë me mllefin e mbledhur,/
nëntë vite rrjesht mëritë zier i kanë përbrenda e gati për t’u derdhur,
dhe në vitin e dhjetë vetë Parkat e mitologjisë fatin sa keq ua endin,
bukuri e nemur e Helenës me gjak dhe në plojë e lau gjithë vendin!
Një Hyjni e Olimpit bëhet sikur mjellmë, është Zeusi ai Zoti Mbret,
sa zog i mrekullueshëm i tha Leda, se zemrën ah sa fort zë e ia vret,
e gruaja e Tindarit, Mbretit të Spartës ç’iu lëshua pastaj tej pasionit,
lindet kështu Helena, dëshirë e hyjnive apo mallkim i ri prej fatit !?
Po vallë, përse qajnë Priami dhe Hekuba tej, e me lotët e tyre si shi,
Vetë perënditë Paridin ua kanë falë e pagëzimin e tyre për një fëmi,
ah sa ëndërr e tmerrshme, prindërve ç’ua shfaqë më tej një profeci:
Ai do të djegë muret e Trojës, ah ai do të ndjellë aty veç kob dhe zi.
Sa bari i pashëm që ishte Paridi! Edhe hyjnitë vetë dehte në dashuri:
e nimfa Oenone jepej në qejfe pas tij, shfaqej muzika e Panit magji,
ah sa keq i joshë mbret i pyllit me njëri-tjetrin, dhe tutje fijet e perit
i dredhin Parkat fatit, e prapë ç’e mbjellin tok n’mëri farën e tmerrit.
Mollë e sherrit qe e mallkuar apo zë i hyjnive klithja: Më të Bukurës,
harron Paridi Oenonë, e si për kob epitetin ia dhuron vetë Afërditës!
Dhe Afërdita di dredhi e ia premton gruan më të bukur në këtë botë,
e shkallët se ç’ia rrëfejnë n’ari Pallatin e Menelaut mbretit në Spartë.
Ah! Fytyra sikur drita e diellit ç’verbonte siç u verbua vetë Homeri,
e flokët si flakë yjesh, sytë e bukur sikur Deti Egje, një mollë sherri,
qafën si mermer e duart si zana vetë, vetullat më tej të zgjatura hark,
sfidë i bënin diademës ballit të Afërditës, dhe sfida seç u pikoi gjak.
2.
E molla e artë vallë kujt do i jipej, me mbishkrimin: Më të Bukurës,
n’logun e bjeshkëve a n’logun e fushës ajo si në vetë logun e luftës,
si në një log zanash kur shiu i njomë si një qiell lotësh-barin e rritë,
e keza gjethlare e fitimit, dridhur prej ngashërimit, rrinte duke pritë.
Dhe i tha Hera: Ah ma jep ti mua mbishkrimin, premtimin do kesh,
i tha ajo edhe e futi në lojë: se zot i gjithë Azisë vetëm ti do të jesh,
Athina e mençur i tha tej: bari i ri unë prore do t’bëjë fitues në luftë;
E Afërdita e di se: jo skeptër po zemrën Paridit me çka t’ia mbushë.
O bari i ri e i pashëm, bari i Malit Ida, o Paris, mollën e artë ti mua:
ma jep! Dhe unë s’të premtoj as skeptrin dhe as fronin, po një grua,
një më të bukurën që është në botë, por një yll që n’shqim vezullon,
ah buzëqeshje e ëmbël, ah magji e kurthë, ah mashtrim që i verbon.
Ti – fuqi që në tallje gjunjëzon zemra hyjnish dhe mortarësh njëlloj,
lajkat apo furtuna e fatit të pafat – që loznin edhe me njerëzit njësoj,
flakët e dashurisë ndezën pasionin, e zjarr i dhanë Trojës jo më pak,
e prenë Priamin plak! Në ankth e në lebeti zhytur mëritë la me gjak.
Prapa mbeti hija e Paridit me Helenën, kalorës dashurie magjepsur,
lëmsh legjendash a te vërtetash pa fund kur thanë se e kishte gjetur:
prapë burri i saj n’Egjipt, se me Akilin u bashkua n’Ishull t’Bekuar,
se e varën n’dru, urdhër i Mbretëreshës Polyxo a Amori mallkuar!?
Ç’mori vallë Paridi, kush humbi e kush fitoi kur gjaku e lau Trojën,
në re gjaku mbuluar qe Greqia e në shi t’përgjakur ata lanë epokën,
përgjakur heksametrat e Homerit, zemrat trandur si Toka e Olimpit,
trofe i luftës pru në Trojë, a fantazmë e Helenës në krah të Paridit!?
3.
Bukuri që verbon e dritë që dhe terrin e shpon, është vetë Helena,
s’ka parë jo Greqia femër më të bukur edhe as Homeri në rreshta,
të tillë s’ka parë as Zeusi, po Zot kjo flakë e ky gjak zie në zemër,
është Paridi vetë, verbuar prej bukurisë, Helenë ç’i thonë në emër!
Ah faj i zi, ah vaj e mëkat e rrënkim, a pasion i dehur në vërshim,
si Titania vetë në krahët e dashurisë Paridi, në afsh e në rrëmbim,
çante anije e tyre në mes dallgëve të detit, drejt Trojës ç’shkonin,
trazimin e gjakut përbrenda, dhe përpara: kobin që dot s’kujtonin.
Ç’dremitej Homeri nëpër epet e tij e tok me të po dremitej agimi,
e tutje brigjeve të detit, gishtërinjtë e trëndafiltë me vel trishtimi,
s’ish lëshuar si një shi i përgjakur Olimpit: Zeusi në vargje bardi.
e as Afërdita këmbëzbathur në det ecur, ishin Helena dhe Paridi!
Veshur i ka Helena rrobet e Greqisë, dheu i miteve edhe i arteve,
aty çdo nënë të birin e di si hyjni, e aty çdo krua nxjerrë Perëndi,
kujt më bukur ndenjur s’i kanë jo rrobet të mbërthyera për shtati,
ah ç’mynxyrrë dhe ç’lebeti – fushë e betejës për një qejf shtrati!?
Patkonjtë e kuajve u nxjerrin strall, dhe flegrat gjakun u nuhasin,
kujt do i mbajnë anën hyjnitë e ç’anmiq që as zotërat nuk i qasin,
Hënë e përgjakur ndrinë përmbi kufoma, s’po zbardhë dot agimi,
Pergament i Perëndive Helena, mallkim apo lot me zi trishtimi!?
Ah qejfi i një femre sa keq ka ndezur mëri zotërash në hakmarrje,
Kali i Drunjtë rri tek portat e Trojës, gaditur rri në luftën e madhe,
e ka ndjerë Helena dredhinë e Uliksit e zë t’i joshë si gratë e tyre,
po s’jepet Odiseu dot, shokët këshillon: kujdes sepse është yshtje!
O i ka endur pena e fatit penjtë e jetës, ç’ ogur i zi emër i Helenës,
Tezeut i lindi fëmijë, Menelaun e tradhtoi: Bir i Atreut t’Mikenës,
e ka lënë Hermionin foshnjë edhe joshur është në krahët e Paridit,
sa fat i zi e solli tek muret e Trojës e në gjak ç’u la toka e Olimpit!
Hutuar vështrojnë zotërat, gjaku rrjedhë rrëke, kufomat dergjen tej,
rrotull në betejë trima n’za: Agamemnoni, Idomeni dhe vetë Akili,
Patrokli e Menelau, Eneu edhe Hektori, trupa që heqen zi e zvarrë,
Hektorin e therrë Akili, Priami n’vaj e Andromaka e ve zemërvarr.
4.
Lotojnë sytë e bukur të Helenës për plagën kulluar gjak të Paridit,
Filoketa ç’e qëlloi me shigjetë hekuri ah tej për tej shpuar gjoksit,
Oenona s’ia heq dot, se shpagim i bën për shpinën që ai ia ktheu,
bariu i pashëm kur ate përbuzi dhe Helenën afshit kur e mbërtheu.
Lotojnë pallatit tej, Kasandra edhe Hekuba me lotët shkuar çurgë,
Paridi ka vdekur e ngjitaz është Hektori, gjaku gurrë, toka murgë,
e Pyrrusi, i biri i Akilit e ka mbytyr Piramin sulur mbi të n’egërsi,
kështu re e vdekjes shtrihet n’logun e luftës, si kob i zi mbi Greqi.
Gjaku i një gruaje ka ndjellë gjak dhe viktimat iu takojnë hyjnive,
ç’po dridhej si purteka zemra e Helenës n’mes fatit dhe dashurive,
Menelau dhe Uliksi e kanë çarë rrethimin e rrotull sundon vdekja:
Ajaksi vdes në duart e Akilit e Agamemnonin e vret Klitemnestra.
Fyta-fyt grekët me trojanët, ndezur keq mëritë e perëndive mbi ta,
mes Scillës dhe Haridbës bukuria që i verbon rri, rri në zi Helena,
e nëpër heksametra gishtërinjtë e saj të trëndafiltë ç’i pikojnë gjak,
si zemra vetë, mallkim hyjnish a bukuri vrastare n’Ballkanin plak!
Dashuri e verbër apo përgjërim i përshpirtshëm i zemrës së Paridit,
tundim a rrëmbim i afshit, apo Parkat që endur e kanë perin e jetës,
e mbushur mëkatit, zili e mëri a dënim i dhënë prej vetë Perëndive,
e bukur si yll: Helena e Trojës a enigmë me gjurmë të lashtësive !?
KRENARI SHQIPTARE NE BRAZIL
Nga Gani QARRI/
Unë kam lindur afër atij vendi,ndjejë një lidhje me të, ndaj dhe dua të punoj aty ku mund të lë gjurmët e mia, do të deklaronte para disa vitesh trajneri legjendar i kombëtares zvicerane Ottmar Hitzfeld. Kjo shprehje në momentet nëpër të cilat po kalojmë ne si komb, kam frikë se edhe për shumë kohë, nuk do të mbetet moto,vetëm e një trajneri me famë botërore të futbollit.
Megjithatë, ne le ti kthehemi rastit të trajnerit gjerman, të cilin pas vendimit për largim nga Bajerni dhe kalimin e tij në shtetin e vogël fqinj, Ueli Hoeness njëri nga bosët e këtij klubi të mirënjohur gjerman, do ta pyeste i çuditur dhe me dozë jo vetëm nënçmuese por paksa edhe të tepruar mosbesimi,; Çfarë bënë? Vërtetë shkon në Zvicër?! Mos të lutem,në atë vend të vogël,nuk do të arrish sukses të madh as nuk mund të bëhesh kurrë kampion botëror…
Sidoqoftë, në një intervistë për TV-Eurosport nga fundi i vitit të kaluar, trajneri i tanishëm i Ekipit Helvetik, pas sukseseve me kombëtaren zvicerane, do të deklaronte; besoj se tanimë ia kam arritur synimit tim.
Dhe vërtetë,qysh nga ardhja e tij në Zvicër e cila vetëm pak kohë më parë kishte një ekip gati të panjohur dhe që nuk gëzonte ndonjë reputacion të veçantë në arenën ndërkombëtare të futbollit,në këtë vend ndryshoi çdo gjë për të mirë, sa i takon këtij sporti.
Për ngritjen e klubit- helvetik, në lartësinë ku sot qëndron,strategu dhe profesionisti i mirënjohur gjerman e ndërkombëtar i futbollit Ottmar Hitzfeld, u mbështet pikërisht tek futbollistët premtues dhe cilësor shqiptar të cilët edhe përbënin numrin më të madh të lojtarëve aktiv.
Ishin 5-6 emrat më të dalluar të futbollit zviceran, të gjithë të rinj e të shëndetshëm dhe mjaft kualitativ, duke filluar nga Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Adnan Mehmeti ,Blerim Xhemajli e të tjerë, me të cilët ky trajner edhe një herë u tregua i pagabuar,duke ngjitur Zvicrën kësaj radhe në pozita të cilat kjo kombëtare nuk i pati asnjëherë në të kaluarën,dëshmoi se me mbështetjen në djelmoshat shqiptar,ai bëri përzgjedhjen më të mirë të tij.
Sportistët e lartpërmendur emblematik,jo vetëm se ishin shpresa kryesore dhe vendimtare për mbarëvajtjen e ekipit, por ç`është e vërteta, ata u kthyen edhe në faktor determinues, si për kualifikimin në kampionatin botëror 2014, ashtu edhe për lojërat befasuese dhe arritjet sublime të Ekipit Zviceran, në kampionatin botëror që po mbahen këto ditë në Brazil.
Për sukseset e tij,në Gjermani dhe Zvicër, kudo që ai punoi,Ottmar Hitzfeld, shpesh herë në vend të Ottmar,do të thirrej me epitetin nderues “Gott”-mar, që përkthyer në shqip- (Gott-Zot), i bie të cilësohet si “Zot” i futbollit,nën udhëheqjen e të cilit Zvicra para disa ditësh mundi hiq më pak se njërin nga ekipet më të mira të 16-shit, të parë favorit për këtë kampionat, si Hondurasin me një rezultat tejet atraktiv 3=0,të cilin do ta kishin lakmi shumë vende me përvojë edhe më të madhe dhe renome më të gjatë e të kamotshme ndërkombëtare në futboll.
Madje, gjëja më e këndshme nga e gjithë kjo histori për ne shqiptarët kudo, është fakti se realizues sublim i të tri shënimeve ishte futbollisti më i dalluar dhe njëri nga golashënuesit tanimë më të njohur ndërkombëtar, bashkëkombësi ynë i ndritshëm- i famshmi Xherdan Shaqiri.
Pra, ai ishte hero i këtij takimi kualifikues të kampionatit botërorë dhe pa më të voglën mëdyshje ylli më rrezatues i cili gjatë krejt ndeshjes shkëlqeu fort e gjithanshëm për të gjithë.
Xherdani, që në minutën e 6-t, shënoi golin e parë dhe më të mirin, jo vetëm në këtë ndeshje,gol që një specialist i futbollit zviceran e cilësoi si të veçantë, të cilët deri atë ditë kishte menduar se mund ti realizonte vetëm Leonel Messi, por nga sonte edhe ne kemi Messin tonë, deklaroi ai me kënaqësi.
Shaqiri,pas minutës së 30-t, dha golin e dytë,duke ngritur rezultatin në 2=0,me të cilin përfundoi edhe pjesa e parë.
Madje golashënuesi i artë shqiptar i doli shumëfish hakut edhe lojtarit me origjinë kroate, të lindur në Lachen, Kantoni i Schwyz-it, të Zvicrës, Josip Dërmiç, përndryshe lojtar i FC-Nyrnberg të Gjermanisë, dhe pjesëtar i kombëtares Zvicerane të futbollit,duke i krijuar disa shanse, për shërbimet që i bëri Xherdanit, por me gjithë mundësit e mira që pati,përpjekjet e tija u treguan të pa mjaftueshme për shënim.
Ndaj, sikur nuk mbeti rrugëdalje tjetër, veçse fenomeni shqiptar Xherdan Shaqiri, të mblidhte edhe një herë të gjitha forcat dhe në minutën e 71-t, të realizonte edhe hat-trikun e parë shqiptar të shënuar ndonjëherë, dhe të dytin në këtë Kampionat Botëror, (pas Myllerit të Gjermanisë)për çka duhet të ndihemi krenar të gjithë shqiptarët kudo, duke ngritur rezultatin në 3= 0, me të cilin edhe do të përfundonte ky takim i suksesshëm me Hondurasin.
Por, ti kthehemi pak edhe biografisë së këtij trajneri kaq të suksesshëm. Kush është në të vërtetë Ottmar Hitzfeld?. Kryesuesi shumëvjeçar i Ekipit Helvetik, i cili nga vera e vitit 2008 e këtej udhëheqë me sukses kombëtaren zvicerane dhe njihet si trajneri i dytë më i suksesshëm i të gjitha kohëve në ligën federale gjermane pas Josep Gardiolës,nga pikët e arritura në çdo lojë!…
Ottmar Hitzfeld u lind më 12 Janar të vitit 1949 në vendin e quajtur Lörach të Badenit në Gjermani. Ai,fillimisht do të njihej si matematicient i shkolluar dhe mësues efektiv sporti,por që për kohë të shkurtër, do të kthehej në njërin nga trajnerët më të suksesshëm gjerman dhe ndërkombëtar të futbollit.
Për kualitete e treguara, jo rrallë emri i tij nga Ottmar do të shndërrohej në “Gott”-mar, që përkthyer në shqip, (“Gott”- Zot), siç u cek më lart-nënkupton cilësimin e tij si Zot të futbollit.
Hotzfeld ishte udhëheqës i klubeve futbollistike; Grasshopper të Cyrihut, Borusisë së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut,kohë gjatë së cilës realizoi 18 tituj të lartë dhe dëshmua si trajneri më i suksesshëm gjerman e ndërkombëtar i futbollit,për çka edhe do të zgjidhej dy herë si trajneri më i mirë i vitit.
Ai është edhe njëri nga pesë trajnerët që me dy klube të ndryshme do të fitonte kupat Evropiane të UEFA-s, në ligën e Kampionëve.
Falë këtij profesionisti shembullor dhe kualitetit që treguan lojtarët shqiptarë, Otto Hitzfeld si asnjë ekspert tjetër më parë,djelmoshat e emigrantëve tanë, i ndihmoi të shndërrohen në Yje, kurse ata me lojën sublime i dolën hakut trajnerit të tyre dashamirës, duke mbajt me energji të pashtershme kurdoherë të ndezura dritat jeshile për kualifikimin me sukses të shtetit zviceran në kampionatin botëror, ndaj sot për kombëtaren helvetike luajnë hiç më pakë se 5 djelmosha të dalluar nga Kosova dhe Ilirida, të cilët përbëjnë mëse gjysmën e gjithë ekipit të angazhuar në këtë kampionat botëror.
Në anën tjetër, nuk është aspak për tu çuditur se nuk qe vendimtar numri prej rreth 200 mijë bashkëkombësish tanë që për kaq kohë dhe vite jetojnë këtu, por ishte heroizmi – sportivë i këtyre djelmoshave të dalluar, ai që rriti respektin dhe ngriti në piedestal reputacionin jo vetëm të tyre si lojtarë në ekipin e këtij shteti, por të një populli të tërë,me ç`rast gazeta prestigjioze zvicerane “Die Weltwoche” erdhi e stolisur me pamje të flamurit tonë kombëtar dhe “regjistrojë” “Kosovën” si kantonin e 27 të Zvicrës, nga 26 sa i “kishte deri më tani” ky shtet.
Bijtë tanë bënë që pas Francës e cila kryeson me 7, Zvicra të zinte vendin e dytë në grup me 6-t, pikët e fituara, kur nga 6,-golat e shënuara, 5 i realizuan lojtarët shqiptar, një Xhaka, një Mehmeti dhe tre Xherdan Shaqiri.
Sa ia vlejti që të zbuloi sekretet amerikane të mbrojtjes
Para dy vjetësh Julian Assange ishte njeriu më i famshëm në botë, ndërsa tash po “ kalbet” në Ambasadën e Ekuadorit, në ballkonin e së cilës del nganjëherë dhe mallkon Suedinë që po e kërkon për shkak të përdhunimit/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Julian Assange para dy vitësh ishte njeriu që më së shumti kishte zënë vend në mediat e shkruara dhe elektronike në gjithë globin tokësor. Mirëpo, tash ai rri ulur dhe po “ kalbet” në Ambasadën e Ekuadorit në Londër pa pasur guxim asnjëherë të dalë jashtë apo se paku të bëj përpjekje për të “ ikur” në ndonjë vend tjetër. Po të mos ishte i interesuar një Prokuror suedez për veprat që ai ka kryer në këtë vend skandinav, Assange ndoshta do të ishte harruar tërësisht. Pra, ai akoma qendron atje dhe “ zoti e di” se edhe sa kohë do të mbetët i ngujuar në atë përfaqësi diplomatike. Nganjëherë del në ballkon dhe mallkon drejtësinë suedeze dhe me nostalgji shikon njerëzit, automjetet dhe gjithçka që lëviz përreth tij. Ndoshta, në shumë netët pa gjumë ka menduar thellë se sa e vlefshme ishte që ai të hyj kësaj pune dhe këtij aktiviteti të rrezikshëm apo më mirë me thënë me fut therrën në këmbë të shëndosh, siç thotë një fjalë popullore.
Dikur ishte krenar
Pas publikimit të mijëra dokumenteve sekrete , ky njeri mbante kryet “ lartë”, ishte krenar që kishte arritë një “ sukses” të madh. Ishte njeriu më i intervistuar në botë dhe kishte paralajmëruar se ai do të vazhdoi me këtë aktivitet edhe më vrullshëm. Kishte shkaktuar dëm të madh në raportet ndërmjet SHBA-ve dhe shteteve që ishin përmendur në ato dokumente. Mirëpo, ky njeri që dikur u bë jashtëzakonisht i famshëm refuzon të dalë jashtë sepse nuk dëshiron të dërgohet në Suedi dhe të merret në pyetje në një hetim për krimet e seksit. Nga drejtësia suedeze ai është arrestuar në mungesë. Prokurorja suedeze ka argumentuar se Assange duhet të merret në pyetje në Suedi për veprat e bëra, por ai refuzon të lëshoj “ tokën” ekuadoriane. Në anën tjetër, avokatët suedez kërkojnë nga Gjykata e Qarkut në Stokholm që të heq urdhërarrestin ndaj këtij njeriu me argumentimin se Prokurorja asnjëherë nuk ka provuar mundësinë për të mbajtur seanca dëgjimore në Londër. Thënë konkretisht Prokurorja Marianne Ny refuzoi të udhëtoj në Londër me po aq kokëfortësi sa Assange që ka refuzua të shkoj në kryeqendrën suedeze. E gjithë kjo situatë ka evoluar në një bllokim që gjithsesi duhet të marrë fund. Edhe pse Julian Assange e ka gabim kur mendon se Suedia do ta dëboj atë në tortur dhe dënim me vdekje në SHBA, ai kështu ka vendosur dhe ka arsyet e veta të mbetët paranojak. I gjithë opinioni ndërkombëtar e di që Assange ka hedhur në “ dritë” sekretet amerikane të mbrojtjes të dala nga ushtari Manning Chelsea, i cili u dënua me 35 vjet burg në SHBA.
I dyshuar për detyrim të paligjshëm, ngacmim seksual dhe përdhunim
Assange ka qenë i kërcënuar, i urryer, por edhe i dashur për “ Zbulimet” e tij dhe ndoshta ai kishte iluzionet e “madhështisë” në proces. Derisa para dy vjetësh ai ishte një “ yll” i famshëm, tani ai është “ rok yll” i keqkuptuar dhe është e mundur që u soll dhe u paraqit si i tillë. Gjatë një vizite në Suedi ai pati marrëdhënie seksuale me dy gra, të cilat më pastaj e paraqitën- raportuan në polici. Që një periudhë të gjatë këto gra po presin aktivitetin konkret të Prokurorës, e cila siç po shihet ende nuk po punon praktikisht. Të interesuara në vazhdimësi janë mediat suedeze se kjo punë nuk është aq e vështirë që Prokurorja t ë shkoi deri në Ambasadën e Ekuadorit në Londër dhe të kryej punën e vetë, përkatësisht ta marrë në pyetje dhe më pastaj të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të parapara më ligjet pozitive suedeze. Këto dy gra e meritojnë që të mbahet gjykimi. Julian Assange është i dyshuar për detyrim të paligjshëm, ngacmim seksual dhe përdhunim. Këto akuza janë serioze, por vitet po shkojnë dhe kujtimet e tij po zbehen. Çështja duhet urgjentisht të marrë një përfundim në mënyrë që gratë e përdhunuara të vazhdojnë jetën e tyre e të mos mbesin gjithmonë në stres dhe në kujtimin e keq për ndodhitë e viteve më parë që vështirë e kanë të heqin nga kujtesa.
Dhe krejt në fund. Derisa Assange bëri një “ bum” në arenën ndërkombëtare, për vete nuk fitoi gjë. Pa vullnetin e dëshirën e tij po qëndron i mbyllur në ambasadë dhe askush deri me tash nuk është i interesuar që ta ndihmoj në çfarëdo forme qoftë. Athua ia vlejti që t’i hynë kësaj pune, përkatësisht që të zbuloj sekretet e mbrojtjes të shtetit më të fuqishëm në botë- SHBA-ve. Besoj se jo.