Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.Sipas rezultateve të KQZ-së, PDK-ja ka marr 30. 38 për qind, LDK-ja 25. 24 për qind Lëvizja Vetëvendosje 13. 59 për qind, AAK 9. 54 për qind, Nisma 5.15 për qind dhe SL 5. 22 për qind.
Ndërsa, në bazë të rezultateve përfundimtare, PDK–ja do të ketë 37 deputetë, LDK-ja 30 deputetë, VV-ja 16 deputetë, AKK-ja 11 deputetë Srpska Lista 9 deputetë dhe Nisma 6 deputetë.
PDK 222 mijë e 181 vota, LDK 184 mijë e 596, VV 99 mijë e 397, AAK 69 mijë e 793, LISTA SERSPKA 38 mijë e 199, Nisma 37 mijë e 681 dhe AKR 34 mijë e 170 vota.
Partitë tjera të minoriteteve i kanë siguruar gjithsejt 11 deputetë.
Atentati mafioz te ish-Blloku trondit Tiranen
Vritet biznesmeni Artan Santo, Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve, Ndalohen dy persona/
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot në orët e para të mëngjesit kryeqytetin. Drejtori i bankës “Credins”, Artan Santo është qëlluar nga dy persona të maskuar me motor në mes të ish-zonës së Bllokut dhe si pasojë ka ndërruar jetë menjëherë.
Biznesmeni i njohur 54-vjeçar, ka qenë duke shkuar në punë teksa papritur dy persona e kanë qëlluar me armë zjarri për t’u larguar më pas menjëherë nga vendngjarja.
Autorët e vrasjes së Santos, duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth gjysmë ore i shtrirë përpara mjediseve të bankës deri sa një makinë ambulancë ka ardhur dhe e ka transportuar në morgun e Tiranës.
Në vendngjarje, përveç krerëve më të lartë të policisë së shtetit dhe policisë së kryeqytetit, kanë mbërritur edhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit dhe zbulimin e autorëve.
Një polic rrugor ndoqi autorët deri në Fushë Krujë. Policia ngre postblloqe të shumta
Dalin detaje të reja pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në mes të Tiranës. Burime policore konfirmojnë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar dhe teksa largoheshin të hipur mbi motor në drejtim të Librit Universitar, janë pikasur nga një efektiv i policisë rrugore, i cili ka filluar t’i ndjekë nga pas me motor.
Ndjekja ka vazhduar deri në dalje të Fushë Krujës, tej Ura e Gjolës, më pas polici rrugor i ka humbur gjurmët e tyre. Ai i ka njoftuar kolegët e tij në radio për ndihmë, por autorët e krimit nuk kanë lënë më gjurmë.
Policia e shtetit, me forcat speciale RENEA dhe FNSH-së ka nisur disa operacione kontrolli në zonën e Fushë Krujës për kapjen e tyre dhe deri tani nuk ka asnjë informacion. Postblloqe të shumta janë ngritur dhe janë bllokuar një sërë aksesh rrugore për verifikimin e elementëve të dyshuar.
Të paktën nga skema dhe mënyra sesi është zhvilluar ngjarja, autorët dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë dhe policia ka ngritur shumë pista për vrasjen e biznesmenit.
Dëshmitarja: Kalimtarët u tmerruan, u fshehën pas pemëve
Vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo në zonën e ish-Bllokut, është parë nga afër nga njerëz të shumtë të pranishëm në vendngjarje apo kalimtarë të rastit.
Një grua, e cila ka qenë pranë vendit ku u qëllua Santo ka qenë dëshmitare pasi ajo shet lule prej vitesh në atë zonë.
Ja çfarë tregon ajo për mediet: “Dëgjuam krismat të cilat ishin të zhurmshme. Njerëzit u frikësuan dhe filluan të fshihen pas makinave të parkuara dhe pas trungjeve të pemëve, – rrëfen shitësja ambulante, duke lënë të kuptohej se vrasja nuk është bërë me silenciator. – Nuk pamë asgjë, sepse personat që qëlluan ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza dhe u larguan me motor. Mes njerëzve u krijua panik. Unë e njihja viktimën, sepse blinte lule tek unë, ishte njeri i lartë…”.
Edi Rama: Na vranë mizorisht një mik të mirë
Kryeministri Edi Rama ka dënuar vrasjen e biznesmenit, Artan Santo. Në një shkrim në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte”.
Berisha: Vrasja akt i shëmtuar, rendi i dominuar nga mafia
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Artan Santo. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook”, Berisha e cilësoi këtë akt si të shëmtuar dhe mizor, që dëshmon se rendi në vend nuk ekziston.
“Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër”, shkruan Berisha.
Ish- kryeministri shpreh ngushëllimet për familjen e Santo, bashkëpunëtorët e tij. “Lutem që shpirti i tij të gjeje paqen e merituar”, shkruan Berisha.
Basha: Ekzekutimi, një alarm qytetar për të gjithë
Edhe Lulzim Basha ka përcjell një mesazh ngushëllimi në rrjetin social “Facebook”. Kreu i PD-së ka shkruar: “Ndiej dhimbje e tronditje, përtej fjalëve për vrasjen e Artan Santos. Ky sulm i pashembullt mafioz, është një alarm qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e ngushtë të Artan Santos”.
Parlamenti shqiptar mban një minutë heshtje
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ka solidarizuar edhe Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse në seancën e sotme mungonte opozita, kreu i i parlamentit Ilir Meta i ka ftuar deputetët në sallë dhe ministrat e pranishëm të mbanin një minutë heshtje në nder të biznesmenit të vrarë në mes të ish-Bllokut.
Deputeti i PS-së, Ben Blushi i ka bërë thirrje policisë të zbardhë çështjen dhe të kapë autorët. “Duhet t’i shkohet deri në fund kësaj ngjarjeje mafioze”, – tha Blushi.
PD: Vrasja e Santos tregon sa e pambrojtur është jeta në vend
Pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në orët e para të mëngjesit në Tiranë, gjatë një dalje publike, deputeti i PD-së Arben Ristani ka deklaruar që rendi dhe siguria në vend ka arritur kufijtë minimalë.
“Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës, ndaj askush nuk është më i sigurt në këtë vend. Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajës, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare”.
“Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri”.
Kush është Artan Santo
Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh.
u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo është një nga bankierët më të njohur në vend.
Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo është jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm. Ai është bashkëpronar i medias “Focus Group” dhe televizionit “TV Scan”.
Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe që kishte për artin.
Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve. Ndalohen dy persona/
Pasi kanë humbur gjurmët pas ndjekjes së policisë, dy atentatorët kanë braktisur mjetin motor tip “Scooter” në rrethinat e daljes së Fushë Krujës. Policia me të marrë njoftimin ka mbërritur menjëherë në vendin ku ishte braktisur mjeti dhe ka nisur hetimet për të zbardhur ndonjë detaj të mundshëm për verifikimin e autorëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, policia e shtetit ka publikuar dy foto të autorëve të krimit, të cilët po largoheshin me motor pas kryerjes së krimit.
Të veshur me xhupa të zinj, pantallona xhinse dhe me skafandra mbi kokë, vrasësit, pasi kanë kryer krimin, kanë marrë rrugën drejt Librit Universitar për të kaluar më pas pranë Liqenit Artificial.
Sipas fotove të publikuara nga policia, ata kalojnë në kryqëzimin e Librit Universitar, duke shkelur edhe rregullat e qarkullimit rrugor, me semaforin që në ato momente ishte me drita të kuqe. Në foto duket edhe një polic rrugor që me sa duket nuk ka pasur informacion për atë që kishte ndodhur.
Policia shoqëron në komisariat pronarit e motorit: E kam shitur mjetin!
Ndërkohë policia e Fushë Krujës ka shoqëruar në komisariat pronarin e motorit që u përdor për ekzekutimin e biznesmenit të njohur Artan Santo.
Para agjentëve të policisë, pronari i motorit ka mohuar të ketë lidhje me krimin, duke deklaruar: “E kam shitur motorin, pasi e kisha lënë në një pikë servili në zonën e Rinasit”.
Po ashtu policia ka shoqëruar në komisariat edhe pronarin e pikës së servilit në Rinas për të verifikuar pohimet e pronarit të motorit “Scooter” që u krye vrasja.
Policia jep 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion
Policia e kryeqytetit e ka shumëfishuar vlerën e shpërblimit, nga 10 mijë, në 100 mijë euro, nëse jepet informacion mbi vrasësit, duke ruajtur në anonimitet të plotë identitetin e tyre.
Me anë të një njoftimi për shtyp, bëhet me dije se: “Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e sotme, mbi ngjarjen e ndodhur në rreth orës 09.30 në zonën e ish-Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069 41 00003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129. Aktualisht grupi hetimor po punon me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve.”(Kortezi-Shqip)
Presidenti Nishani: Ngritja e çështjes çame, detyrë kombëtare
Presidenti Bujar Nishani dekoron dy figura qendrore shqiptare të Çamërisë, Abedin Dinon dhe Ibrahim Hoxhën/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekoruar dy figura qendrore të Çamërisë, Abedin Dinon pas vdekjes me dekoratën “Nderi i Kombit” dhe Ibrahim Hoxhën me Titullin “Naim Frashëri”. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e institucionit të Presidentit të Republikës, kreu i shtetit vlerësoi shoqatën “Çamëria” për traditën e Javës Çame që prej vitesh po organizohet në këtë periudhë të vitit. Ai vlerësoi ngritjen e vokacionit të çështjes kombëtare dhe të çështjes çame që është pjesë e pandashme e saj. “Për mua si President i Republikës ka një vlerë të jashtëzakonshme fuqizimi gjithnjë e më shumë i zërit të këtij komuniteti, jo thjesht në adresim të çështjeve të veçanta, por edhe të komunitetit vetë, por të adresimit të vëmendjes, të angazhimit me atë që të gjithë së bashku kemi detyrim jo vetëm kushtetues, të çështjes kombëtare. Pa dyshim që çështja çame është çështje e rëndësishme e pazgjidhshme e çështjes kombëtare”, – tha Presidenti Nishani. Kreu i shtetit dekoroi z. Ibrahim Hoxha me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar në qartësimin e vlerave të folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare përmes botimeve të shumta dhe pjesëmarrjes aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Presidenti nderoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” atdhetarin e shquar Abedin Dino (pas vdekjes) me këtë motivacion: “Figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me ndihmesë të jashtëzakonshme në mbrojtjen e tërësisë territoriale të kombit shqiptar dhe në zhvillimin e identitetit e kulturës kombëtare”. Dekorata për këtë figurë të madhe kombëtare iu dorëzua si përfaqësues i shqiptarëve të Çamërisë, Shpëtim Idrizit. “Ndihem shumë i nderuar dhe i emocionuar që në emër të komunitetit çam, ne sot, fal jush, po dekorojmë dy personalitete të të gjithë shqiptarëve. Unë po marr në emër të komunitetit një dekoratë për një personalitet të nderuar që ka dhënë shumë për çështjen çame dhe çështjen kombëtare. Është një rast fatlum sepse dekorohen njëkohësisht vepra dhe figura e Abedin Dinos, por edhe njeriu që ka shkruar jetën dhe historinë e tij, që është z. Hoxha. Ky është një rast fatlum për të gjithë shqiptarët e Çamërisë dhe sot ne jemi shumë të privilegjuar pas mbështetjes dhe inkurajimit të Presidentit të Republikës”, – tha Idrizi.
70 VJET NGA TRAGJEDIA ÇAME, GREQIA TË ÇLIROJË NDËRGJEGJEN E KOMBIT NGA KRIMI DHE T’IA NJOHË TË DREJTAT ÇAMËVE
*VATRA: 70 Vjet nga tragjedia çame, Greqia ende mbanë të ngarkuar ndërgjen e Kombit Helen me peshën e rëndë të krimit/
*Deklaratë e Federates VATRA me rastin e 70 vjetorit të masakrave greke kundër popullsisë së pa mbrojtur shqiptare të Çamërisë/
Edhe pse kanë kaluar 70 vjet prej gjenocidit grek mbi popullsinë çame, kujtimet e asaj kohe tragjike janë të gjalla dhe zgjojnë emocione të thella jo vetëm tek çamët, por edhe tek të gjithë shqiptarët dhe njerzit e tjerë që njihen me këtë tragjedi njerëzore. Mjerisht, Greqia e shekullit njëzetenjë, ende vazhdon të mbajë ndërgjegjen e kombit të vet të ngarkuar me peshën e rëndë të atij krimi antinjerëzor, duke dhunuar, kështu, emrin “Djepi i lashtë i demokracisë”. Gjithashtu me qëndrimin e vet joligjor dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare që dhe vetë i ka nenshkruar, Greqia mban peng marrëdhënjet e fqinjësisë së mirë në mes dy popujvet tanë të lashtë, të cilët kanë nevojë për paqë e mirëkuptim. Gjenocidi që forcat e armatosura greke ushtruan mbi popullsinë e pafajshme çame u bë në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar tek rrethanat e Luftës së Dytë Botërore në mbarim, me të gjitha konsekuencat e saj. Për fat të zi vëmendja kombëtare ishte në duar të regjimit dikatorial komunist, që mori pushtetin në dorë me forcë dhe nuk kishte interesa kombëtare por drejtohej nga normat e internacionalizmit bolshevik, duke lënë mbas dore interesat kombëtare. Kështu tragjedia çame jo vetëm nuk i interesonte pushtetit te ri komunist, por përkundrazi atë e shihte më shumë ashtu siç e shihte Greqia shoviniste se sa tragjike ishte për atë popullsi dhe për kombin. Kanë kaluar 70 vjet por ai gjak mbetet i freskët për çamët që përjetuan gjenocidin, por edhe për ndërgjegjen kombëtare, pëderisa Greqia të refuzojë njohjen dhe zgjidhjen e drejtë të çashtjes çame. Greqia krenohet me “djepin e domkracisë” të historisë së vjetër, por në shekullin 21, me qendrimin e pa arsyeshëm për çështjen çame, vazhdon të njollosë historinë e vet, duke shkelë të gjitha rregullat e demokracisë dhe normat ligjore kombëtare e ndërkombëtare. Deri kur? Çamët si të gjithë Shqiptarët janë të prirur për paqë e marrëdhënje të mira me popullin grek, por janë të papërkulshëm në kërkesat për drejtësi dhe “VATRA” do t; jetë gjithmonë në krahun e tyre. Gjenocidi grek mbi popullisinë çame është plagë e hapur në trupin e kombit shqiptar; gjaku dhe borxhi nuk harrohen kurrë, por mund të paguhen ose të fallen kur falja këkohet. Kjo është në dorën e Greqisë. Çështja çame e pa zgjidhur do të vazhdojë të helmojë marrëdhënjet e dy popujve (edhe ashtu në gjendje lufte simbas palës greke) për sa kohë të mbetet e pa zgjidhur. Le të shpresojmë se arësyja dhe ligjshmëria do të gjejnë vend në logjikën e qendrimeve të shtetit grek modern të këtij shekullit të ri. Shteti shqiptar duhet të jetë më i drejtëpërdrejtë në zgjidhjen e kësaj çështje, ndërsa klasa politikë të jetë e njëzëshme.
VATRA URON MARRJEN E STATUSIT KANDIDAT
Deklaratë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për Stausin Kandidat i Bashkimit Europian të Shqipërisë/
Vatra përshëndet fitoren e Statusit të Shqipërisë si Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përgëzon klasën politike për këtë arritje, edhe pse me shumë vonesë, por me rëndësi për të ardhmen e Kombit.
Mbas anëtarësimit në NATO dhe mbas heqjes së vizave për zonën Shengen, me fitoren e statusit si Kandidate e Bashkimit Europian, Shqipëria po ecën, vështirë e ngadalë, por në drejtimin e duhur për integrimin Europian.
Në fillimin e qindvjetshit të kaluar Europa i pat vënë thikën kombit Shqiptar, duke u dhuruar fqinjëve tanë grabitqarë mëse gjysmën e trojeve, duke lënë pjesën të madhe të popullsisë shqiptare nën thundrën e egër sllavo-greke.
Shqiptarët të prirë nga udhëheqsit e tyre luftuan dhe sakrifikuan shumë për të shpëtuar Kombin dhe Pavarësinë e Shqipërisë edhe ashtu të cunguar, si dhe për të dëshmuar se me kulturën e civilizimit të lashtë, ne i përkasim Europës, ndërsa vetë Europa na shtynte tej vetes.
Tani, në fillimin e shkullit 21, Europa me mbështetjen e fuqishme të SHBA, na i ka hapur dyert dhe realizimi i aspiratave të Rilindasve tanë varet kryesisht nga vetë shqiptarët e sotëm.
Ndërsa padrejtësitë e atëhershme të Europës mbanin larg Kombin Shqiptar duke i rrezikuar edhe egzistencën, tashti ajo i ka hapur dyert. I përket klasës politikë të përshpejtojë plotësimin e kushteve të integrimit, të lirojë vendin nga korrupsioni, të pastrojë institucionet nga mbeturinat e diktaturës së kaluar, të ndërtojë një shoqëri vërtetë demokratike, me ligje dhe me drejtësi, edhe për ish pronarët e ish të përndjekurit e regjimit komunist dhe të rrisë mirëqenien e qytetarëve.
Urime popullit shqiptar!