Jemi mbledhë në Kuvend mbas nji viti ku shumë prej jush ishit të pranishëm, por sot kemi shumë antarë të rij, vatranë prej pak muejsh ose pak ditësh që marrin pjesë për herë të parë. Prej asaj kohe shumë ngjarje e veprime kanë rrjedhë gjatë vitit.
Veprimtaritë e vatranëvet nuk kanë qenë të pakëta dhe shumica të ndërlidhuna me aktivitetet e komunitetit të gjanë shqiptaro-amerikan. Me rastin e Kuvendit tëkaluem, kemi nderue me Cmimin e Meritës disa prej vatranëve që nuk jetojnë ma dhe disa të tjerë, veteranë, për kontributin e dhanë çashtjes kombëtare me anë të Vatrës në këto 30 vjetët e fundit.
Këshilli Drejtues, i krijuem me autorizimin e Kuvendit dhanë kryetarit të zgjedhun, veprimtarinë e ka përqendrue kryesisht në diskutimin dhe rishikimin e Kanunores dhe në rritjen e numrit të degëve dhe të antarëve.
Përsa i përket Kanunores, u krijue nji komision i cili ka punue per disa muej; në këtëproces kanë marrë pjesë përgjithesisht edhe[GB1] antarët me anë të degëve. Mbi këtësubjekt do të flasi ma vonë Komisioni i cili ka ba nji punë të lavdueshme.
Në drejtim të degëvet asht mbrrijtë nji sukses ma i madh se sa asht pritë, në nji kohërelativisht të shkurtë. Megjithë dështimin e njanës prej degëve të krijueme ngutshëm para Kuvendit të kaluem, kryesisht për mungesë njohunie dhe për keqkuptime, krijimi i degëve të reja vazhdoi me ritëm të sigurtë. Ky sukses u dedikohet degëve tëkrijueme ma parë. Me nismën e kryetarit të degës në Michigan, zotit Alfons Grishaj dhe bashkëpuntorve të tij, u krijue dega në Toronto-Canada dhe perfaqesuesin e saj e kemi prezent në Kuvend, zotin Roland Isai.
Ma vonë kryetari degës në Jacksonville, zoti Adriatik Spahiu, ndërmjetsoi krijimin e dy degëve, në Hartford – Connecticut, nga e cila kemi këtu prezent kryetarin e saj, zotin Ilam Peçi me delegatët e tjere dhe, para nji jave, krijimin e degës në Orlando-Florida, me kryetare zonjën Florisiana Ahmetaj, e cila i dërgon këtij Kuvendi përshëndetjet dhe përfaqësimin e degës me anë të zonjes Shpresa Gallaj, delegate e degës Jacksonville.
Degët janë marrë me aktivitete shoqnore e kulturore në komunitetet ku jetojnë,gjithnji në marrëveshje dhe bashkëpunim me kryesinë e Vatrës. Ndër këto aktivitete të shumta të degëvet në përgjithësi, po veçoj ate të hapjes së shkollës shqipe nëJacksonville si rezultat i bashkëpunimit të Vatrës, në këtë rast të zotit Adriatik Spahiu, me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës, Ambasador Bekim Sejdiun, i cili gjindet prezent dhe shpesh katalizator, në shumë aktivitete të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Gjatë këtij viti, si në të kaluemen, Vatra ka pritë e përcjellë vizitorë që kane ardhe me u njoftue ma për së afërmi me selinë dhe me zyrtarët e sotëm të këtij institucioni kombëtar. Ndër këta, presidenti i Republikës së Shqipnisë, zoti Bujar Nishani, për tëcilin Vatra shtroi nji darkë në New York dhe nji në Michigan, të organizueme nga dega e atjeshme. Kanë ardhë edhe vizitorë të tjerë të pritun përzemërsisht në Vatër, nji delegacion i Bashkisë së Kamzës, ish komandanti i UCK-së z. Ramush Haradinaj, nji delegacion nga Vetëvendosje, kryesue nga z. Shpend Ahmetaj, sot kryebashkiak i Prishtinës; nga Tirana prof. Muharrem Dezhgiu, z. Eduard Ndreu dhe së voni nji grup deputetësh e tjerë.
Zotit Haradinaj Vatra i shtroi nji darkë të organizueme nga dega Hudson Valley; gjatëvizitës së tij, lindi ideja e businessman-it vatran, zotit Rrustem Gecaj, i cili e bani realitet dhe rinovoi krejtësisht katin e zyrave të Vatrës. Në ambientin e bukur të selisë së Vatrës, tash e mbas, do të ndihen ma kandshëm, si vizitorët ashtu edhe vatranët mikpritësa.
Në të vërtetë të gjitha vizitat edhe takimet në Vatër mund të konsiderohen vizita e takime pune, sepse çdo rast asht shfrytëzue për informime reciproke dhe shkëmbim mendimesh sa herë kemi pasë mysafirë ose kemi takue zyrtarë të lartë nga vendlindja, kemi shprehë mendime tonat dhe kemi shtrue kërkesa për çka kemi mendue dhe mendojmëse duhet të realizohet në shoqninë shqiptare. Përkujdesja dhe integrimi i shtresës së ish të përndjekunvet, këthimi i pronavet të konfiskueme nga komunizmi tek pronarët legjitimë, hapja e dosjeve të sigurimit, zbatimi i ligjit të lustracionit, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e autoqefalise së Kishes Ortodokse Shqiptareetj., të cilat ende presin të realizohen.
Si obligim ndaj paraardhësavet që, me përkushtim dhe sakrifica, na lanë trashigim këtë organizatë zamadhe, si dhe frymëzimin për të vazhdue në rrugën e tyne, i kemi kërkue Presidenit Nishani dekorimin me medaljen “Nderi i Kombit”, për njimëdhetë vatranë të dalluem, të cilët vepruen në Amerikë dhe dikur u këthyen për të vazhdue në atdhe shërbimin në interesin kombëtar, derisa fijen e jetës fisnike ua këputi mizorisht regjimi sllavokomunist. Krimi kundër këtyne patriotëve, si kundër mija shqiptarve të tjerë të pastër, u krye në emën të popullit, tue ngarkue, kështu, ndërgjegjen e kombit me borxh të randë ndaj tyne.
Rasti i shejtnimit të Katedralës së Ringjalljessë Krishtit, ndërtimi i të cilës asht nji arritje me randësi kombëtare, fatkeqsisht shenoi edhe dëshminë se Autoqefalia asht pothuejse zhdukë dhe autori i saj, i madhi i kombit Peshkop Fan Noli, asht nxjerrë jashtëdhe harrue. Shto edhe deklarimet antishqiptare të kryepeshkopit serb Irinej, nuk len dyshim se ortodoksia greko-sllave ka frymë anmiqsorendaj kombit shqiptar. Këtë Noli e ka pasë kuptue para100 vjetësh, prandej e pat themelue Kishën Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe ma vonë, Autoqefalinë e saj, bashkë me peshkopë e atdhetarë të tjerë.
Greva e urisë që ka hy në javën e tretë në Tiranë, dëshmon se shtresa e ish të përndjekunëvet, shtresa ma fisnike e popullit shqiptar, ende asht e detyrueme të kerkojë të drejtat e veta me rrugë ekstreme të vetëflijimit. Vatra e njeh krim në vetvete indiferencën e pajustifikueshme që vihet re ndaj kesaj greve në Shqipni. Kërkesat tona, përfshi edhe ato të grevistavet të urisë, i kemi parashtrue sa herëqë kemi takue personalite të larta të Shqipnisë, si me ish kryeministrin Berisha, me presidentin Nishani, ashtu dhe me kryeministrin Rama.
Aktivitetet kulturore, që janë gjithmonë të zakonshme për Vatrën, gjatë këtij viti mund të cilësohen me promovimin e disa libravet: “Charles Telford Ericson-Jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri” me autor Ambasador Mal Berishën;“Legjitimiteti i Intervenimit Humanitar Ushtarak në Kosovë”ngaKonsulli Astrit Zemaj;në bashkëpunim me Shoqatën eShkrimtarvet Shqiptaro-Amerikanë, promovimi i libravet nga Halit Nezaj, “Udha e ëndrrës sëthyer” dhe Rrugëtimi i Perjetësimit të Ali Ibër Nezajt në Bronz”. Gjithashtu, promovimi i librit të Nusret Pllanës mbi masakrat serbe,u organizue nga dega e Michigan-it. Nji tjetër aktivitet asht ai i kushtuem poetit të Rilindjes, Naim Frashëri, në Jacksonville, si dhe “Dita e Fëmijve” nga dega South Florida e të tjera kësaj natyre, qëtregojnë gjallninë e Vatrës dhetë degëve të saj.
Vatra ka përkrahë dhe do tëvazhdojë të perkrahi të drejtat e shqiptarvet kudo, sidomos në trojet etnike, qofshin të drejtat e çamëve, të shqiptarve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës apo në Mal të Zi. Në këtë kuptim, Vatra, bashkëorganiztore me shoqatat e shqiptarëvet nga Mali i Zi, mori pjesë në demonstratë kundër kryeministrit Gjukanoviq gjatë vizitës së tij në Washington, për shkeljen e të drejtavet dhe për asimilimin e shqiptarvet autoktonë në trojet e veta. I kemi propozue asemblistit të shteti të New York-ut, z.Mark Gjonaj qëai të udhëheqi nji delegacion shqiptaro-amerikan për të sjellë në ambasaden Amerikane në Podgoricë ankesat dhe kërkesat e shqiptarve në atë shtet,dhe Vatra do të ishte pjesë e atij delegacioni kurëdoherëqë nji vepër e tillëtë mundet me u realizue.
Në fund, kam kënaqsinë të përmendi dekorimi e Vatrës nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahijaga.Me 14 mars 2014 patëm nderin e kënaqsinë me e marrëmedaljen në selinë e KonsullatëssëPërgjithshme të Kosovës në New York, nga dora e Ambasadorit Bekim Sejdiu, i cili na nderon me prezencën e tij sot në këtë Kuvend.
Ju falemnderit.
SHBA TERHEQ VEMENDJEN E FORCAVE POLITIKE NE KOSOVE
Hooper: Lufta politike në Kosovë të mos dalë jashtë kontrollit/
VOA: Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare u vlerësuan pozitivisht për mënyrën si u zhvilluan. A rrezikon ky imazh pozitiv të dëmtohet nga mosmarrëveshjet që filluan menjëherë pas daljes së rezultatit paraprak, se kush duhet ta formojë qeverinë e ardhshme?
J. HOOPER: Në radhë të parë dua të përgëzoj popullin dhe autoritetet e Kosovës që organizuan zgjedhje që u vlerësuan si të lira e të drejta. Kritikat ishin të pakta dhe zgjedhjet u cilësuan si një hap i madh përpara. E papritura e këtyre zgjedhjeve ishte formimi i menjëhershëm i një koalicioni. Tani duhet të respektohen dispozitat e kushtetutës. Nuk u pa ndonjë ndërhyrje nga diplomatë amerikanë ose të huaj tjerë, nuk pati manovra politike pas skene për qeverinë, gjithshka u bë nga vetë shqiptarët. Një e veçantë tjetër është se Vetvendosja doli mirë dhe duket se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, por do ta mbështesë atë. Unë nuk e prisja që Vetvendosja të luante një rol të tillë.
VOA: Kolaicioni u krijua që të nesërmen dhe kryeministri Thaçi u kundërpërgjigj se i takon atij e drejta për të formuar qeverinë e re. A pritet që kjo situatë të acarohet më tej?
J. HOOPER: Përshkallëzimi i retorikës dhe një lloj tensioni është më se normal, përsa kohë nuk del jashtë kontrollit. Unë nuk jam ekspert i Kushtetutës për zgjedhjet, por ajo duhet të respektohet, përndryshe Kosova rrezikon të humbasë gjithë vlerësimin pozitiv për fushatën e lirë dhe të drejtë të zgjedhjeve. Presidentja duhet të ushtrojë autoritetin e saj dhe t’i japë të drejtën e formimit të qeverisë palës që i takon me kushtetutë dhe në se ka nevojë për këshillën e Gjykatës Kushtetuese, atëhere duhet t’i drejtohet asaj. Unë mendoj se kjo është një ditë e re për Kosovën, është shumë pozitive dhe do ta përmirësojë imazhin e saj, përsa kohë që tensionet dhe lufta politike se kush do ta marrë mandatin nuk del jashtë kontrollit.
VOA: Komuniteti ndërkombëtar, në të kaluarën e ka ndihmuar më se njëherë klasën politike të Kosovës për formimin e koalicioneve qeverisëse. A mendoni se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të ketë një rol më pasiv dhe t’i lërë, në një farë mënyre, politikanët vendas të mësojnë nga gabimet e tyre?
J. HOOPER: Kosovarët janë të aftë vetë dhe nuk kanë nevojë të mëtejshme për një ndihmë të tillë. Demokracia atje është më e pjekur. Mënyra si u zhvillua fushata zgjedhore dhe shpejtësia me të cilën u formua koalicioni, flet për një nivel pjekurie demokratike që është mbresëlënës. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i lënë udhëheqësit e Kosovës të vendosin dhe ta drejtojnë vetë procesin.
VOA: Pak përpara zgjedhjeve, udhëheqësit e Kosovës, ndonëse me hezitim, miratuan ligjin për krijimin e Gjykatës së Posaçme për të hetuar rreth akuzave për krime lufte. A mendoni se kjo gjykatë do ta trondisë skenën politike të Kosovës kur të fillojnë hetimet?
J. HOOPER: Përsa kohë kosovarët respektojnë përfundimet e hetimeve dhe ata që paditen të shkojnë para gjykatës, nuk mendoj se domosdoshmërisht do të tronditet vendi. Rreziku do të lindë, në se ndonjë figurë politike e akuzar, do të përpiqet të mbrohet me flamurin e patriotizmit dhe t’i shmanget gjykatës. Unë nuk do të kisha preferuar këtë formë, por ai që akuzohet, duhet të jetë i përgatitur të përballojë shijen e hidhur dhe të shkojë para gjykatës për t’iu nënshtruar procesit. Kosova është një vend i vogël, që varet nga marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar dhe nuk mund të rrezikojë t’i prishë ato duke i rezistuar kësaj nisme të komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër kryeprokurori amerikan John Clint Williamson është një njeri me integritet të lartë, shumë serioz, i pakorruptueshëm, që nuk do akuzojë individë për të cilët hetimet e gjata të kryesura prej tij nuk kanë nxjerrë prova të mjaftueshme.
VOA: Gjatë vitit të fundit kemi parë bisedime intensive mes Prishtinës dhe Beogradit, Serbia ndërkohë ka filluar negociatat e anëtarësimit me BE-në, a prisni që kjo klimë e re marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, të shërbejë si nxitje, që pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga 5 vendet e tjera të BE-së?
J. HOOPER: Mundet, pasi ky është një ndryshim i rëndësishëm. Por këtu qëndron edhe rreziku më i madh i këtyre zgjedhjeve. Sfida më e madhe për koalicionin, në se ata do ta formonin qeverinë e ardhshme, është se Kosova është një vend i vogël, pa pasuri të shumta, pa fusha nafte, apo miniera ari dhe që varet nga marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar. Ajo duhet të mendojë në këtë formë, në nivel ndërkombëtar, në se udhëheqja e ardhshme përqëndrohet në nivel provincial, si një vend i vogël, ata do të rrezikojnë të humbasin mbështetjen dhe të mos sigurojnë njohjet që dëshirojnë në botë, të mos hyjnë dot në OKB-së apo BE. Kryeministri Thaçi ka disa anë të forta, ai nuk mendon lokalisht, ai e kupton si funksionion udhëheqja, si funksionon komuniteti ndërkombëtar dhe ai bashkëpunon me të në këtë nivel të gjerë. Në se koalicioni do të formojë qeverinë e ardhshme, ai duhet të lëvizë me shpejtësi dhe të krijojë imazhin që di të merret me problemet në nivel ndërkombëtar. Unë jam për shembull i shqetësuar, nga këmbëngulja e vazhdueshme e Albin Kurtit për ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si një kusht për mbështetjen e qeverisë së re. Ky do të ishte një gabim shumë i madh. Kosova dhe Serbia jetojnë pranë njera tjetrës dhe duhet të kenë marrëdhënie sa më konstruktive, që të jetë e mundur. Dialogu duhet ushqyer e forcuar që situata të mos përkeqësohet. Pra cilado qoftë forca që do të qeverisë Kosovën duhet ta çojë dialogun përpara.
Në se mundem të them edhe një mendim tjetër. Nuk e di se ç’do të ndodhë me qeverinë e re, por në se zoti Thaçi do të zëvendësohej nga koalicioni, nuk është herët për të, që të fillojë të mendojë për trashëgiminë e tij. Ai duhet të hedhë një hap pas dhe të mendojë se sa ka bërë për vendin, para lufte, gjatë negociatave, dhe më pas, për të siguruar pavarësinë. Pas lufte ai nuk u zgjodh kryeministër, siç prritej, dhe doli në opozitë. Ajo që mësoi ishte disiplina e të qënit në opozitë, ai mësoi si të ishte udhëheqësi i një partie në opozitë dhe si të luajë rolin e një opozite besnike, kjo ndikoi mbi të dhe ai doli prej saj si një politikan më i mirë, më i pjekur, dhe një udhëheqës më i mirë. Duhet mësuar nga mënyra si ai është sjellë me komunitetin ndërkombëtar. Nuk është e lehtë të merresh me Shtetet e Bashkuara, nuk është e lehtë të merresh me shtetet evropiane, është një veprimtari e përhershme manovrimesh dhe balancash dhe kushdo që do të vijë në pushtet, kushdo që do ta zëvendësojë, në se do të zëvendësohet, do ta provojë se sa e vështirë është kjo.
VOA: Kohët e fundit ju jeni përfshirë me konfliktin në Siri. Sipas njoftimeve të shtypit, në Siri ka një numër personash me kombësi shqiptare që luftojnë përkrahë forcave ekstremiste. A ka vend për shqetësim?
J. HOOPER: Po, ka vend për shqetësim, si për Kosovën, për Shqipërinë apo Maqedoninë. Nuk e di konkretisht nga janë ata, besoj se shumica janë nga Shqipëria, por rreth 30 – 40 janë nga Kosova. Ata nuk përbëjnë ndonjë rrezik për Sirinë dhe nuk kanë ndonjë ndikim për rezultatin e luftës atje, por rreziku është kur të kthehen në vendin e tyre, pasi do të jenë të radikalizuar, do të jenë njohës të mirë të armëve. Në të kaluarën nuk ka patur terrorizëm të brendshëm në Kosovë dhe në se një terrorizëm i tillë i brendshëm, do të lindte tani, ai do të minonte emrin e mirë dhe përparimin e Kosovës. VOA: Gjatë luftës në Kosovë ju keni punuar nga afër me lëvizjen e rezistencës atje, dhe sot ju po punoni me opozitën siriane. A shihni paralelizma?
J. HOOPER: Opozita siriane, të moderuarit, po shqyrtojnë mundësi si të krijojnë sisteme paralele në disa qytete, si për shembull në arsim. Kosova e ka bërë këtë. Ka një numër personash në Kosovë që dinë si të ngresh një sektor paralel arsimor ose shëndetësor dhe opozita e moderuar siriane, jo xhihadistët, mund të mësojnë nga Kosova. Shpresoj të gjenden forma për t’i vendosur këto lidhje. Do të ishte shumë përfituese në se Kosova do t’ia kalonte këtë njohuri opozitës siriane, në vend të eksportimit të terroristëve të mundshëm. Ka shumë mësime që mund t’u shërbejnë të tjerëve nga përvoja e Kosovës.(Bisedoi:Arben XHIXHO-VOA)
JEHONA E FUNDIT E KADARES NE BRUKSEL
Shkruan :Bajame hoxha(Çeliku) Bruksel/Sa për parantezë po filloj këtë shkrim me disa rreshta shkëputur nga një parathënie e një libri tim me poezi,””Gjysma ime”. Parathënia është shkruar nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Faslli Haliti, ku ndër të tjera ai thotë:” Nuk e di në se të internuarit e Savrës e ndienin, e shihnin, e kuptonin apo jo simpatinë tonë për ta. Të internuarit e Savrës nuk i donte, i persekutonte, i torturonte diktatura, partia, pushteti, por jo ne, populli, që i shikonim me simpati si mesazherë të Lirisë. Ne, njerëzit e thjeshtë, populli, e shihnim kampin e Savrës si një copë Evropë perëndimore, që na krijonte klimën e vërtetë qytetare, klimën e vërtetë evropiane etj…”
Pra, me plot penën e them: ne vajzat e internuara ishim Parisi i vogël, ishim të forta, kishim karakter të fuqishëm dhe e donim jetën. E donim lirinë, e adhuronim dashurinë dhe respektin për njeriun deri në fund. Ne, ishim Savra! Savra, Paris i vogël! Kur në ato vite të errëta, nën një diktaurë të egër ndëshkimi, persekutimi të pafund, ku na mungonte plotësisht demokracia, fjala e lirë, nën një presion fizik e psikologjik, Kampi i Savrës, zhvilloi e civilizoi Qytetin e Lushnjës, sepse aty kaluan apo mbetën personalitete të shquara, e pena të arta. Me ta parë titullin e artikullit Ismail Kadare do mendojë: “vërtet ujë fle po hasmi nuk fle” Ose: “armiku mbetet armik”Po nuk është kështu. Ismail kadare është një shkrimtar me përmasa botërore e po të kisha fuqinë do t’ia akordoja çmimin Nobel se e meriton.
Por, çfarë më shtyn mua që gati pas pesë vjetësh t’i rikthehem këtij libri? Kur libri është në gjumë tashmë, harruar nga më të shumtit e lexuesve persekutorë të personazhes, heroinës së librit, të internuarës, Linda B. e në tërësi? Pse unë kërkoj ta zgjoj?! Çfarë më shtyn?! Eh, o zot! Më shynë një dhimbje, një fyerje ndaj personalitetit tim, një fyerje e pafund ndaj personalitetit të tyre vajzave që u mungoi liria përjetësisht, e shkrimtari ynë i madh i hedh këto vajza sa të bukura aq dhe krenare në kosh të plehërave, duke zgjatur duart drejt Tiranës…drejt shkrimtarit… në krahët e mësuesit të fiskulturës… e së fundi në prehër të brigadierit maskara, se s’kanë kurajën, forcën, dhe zotësinë të përballojnë diktaturën, gjë që s’ka ndodhur kurrë! Pra, Dua të theksoj : Prandaj, vetëm nga këto vajza që vuajtën mjerimin e plotë me gjithë kurajën dhe kulturën e gjerë që kanë, ky libër prej tyre,nuk do të harrohet dot kurrë! Nuk do të harrohet sepse iu është vrarë dinjiteti.(Ky libër mund të bëhet dhe film, mund të vazhdojë të marrë çmime njëri pas tjetrit, por, me një heroinë të dobët e cila në asnjë çast nuk shpërthenë me forcën dhe shpirtin ideal të femrës fisnike. Nê të gjitha momentet i mungon energjia, rinia, s’mundohet të luftojë për të çarë batakun, pa dinamikë, i mungon Malva, Masllova, si dhe heroina shqiptare e vërtëtë) Pikërisht, në këtë periudhë, unë marr penën e shkruaj për të shkarkuar nga vetja një peshë të rëndë që sa shkon e bëhet më e rëndë, ndërgjegjja flet!. Të gjitha nuk përtypen, nuk mund t’i anash kalosh, por, e bukura mbetet e bukur, e hidhura mbetet e hidhur, dhe vlerat mbeten vlera! Në këtë kontekst, më ka mbetur varur si një zinxhirë vuajtjesh të paharruara artikulli befasues i Beba (Xhuliana) Pervizi, vajzës së internuar, e cila me revoltë, ngre krye, dhe shkruan një artikull kundër shkrimtarit të madh,(shih në f.b.te: “vajzat e internuara”) Ky artikull s’më hiqet kurrë nga mendja. Aty konstatova se ishte artikull goditës, revoltues, por që mbarte në vetvete vlera të pa tjetërsuara, dhe hapësirë shumë të madhe kritike për librin e fundit të Ismail Kadare, ” E PENGUARA”.
Aty për aty, u ndjeva krenare për shumë gjëra, por kjo krenari shumë shpejt u pa e Zhgënjyer, e venitur, e ngacmuar, e zbehur, e fyer, sa u trishtova dhe u lëndova deri në pafundësi, sa shpirti më rënkoi. Eh,moj e kaluar! Tani, unë kujtoj me dhimbje të madhe, ato që Ismail Kadare, s’i ka njohur kurrë në jetën e tij të famshme, fushat e myzeqesë, shkuljen e rrënjëve të pambukut, Ngarkesat e rënda mbi supet e njoma, kanalet e pafund të hapur nga krahët e brishtë të vajzave të internuara në kampet barbare të internimit, ku punuam e vuajtëm deri në ditët e lirisë me shpirt ndër dhëmbë, por me dinjitet të plotë. Sa të forta që ishim! Heroinat e shekullit duhet të quhemi! O Zot! Gjithnjë na kërcënonin, na fyenin, na tundnin para syve gishtin tregues duke na kërcënuar gjatë, nëpër mbledhje, fushave, apeleve: Ju armiqve ua kemi treguar vendin! Mos kujtoni se s’ka më luftë klasash? Jo, jo! Ajo ulet, por ngrihet dhe ashpërsohet pandërprerë për ju! Prandaj, mos shikoni nga perëndimi, (Frazën e fundit e përdornin shpesh, por unë, isha e bindur se nuk e kuptonin shumica e tyre) Aty, t’u plasi koka aty! Në punët më të vështira! Këto shprehje të ulëta dhe nga më banalet, janë përdorur dhe në “Ditët e fundit të pompeut” edhe pas rënies së murit të Berlinit, edhe pas rënies së komunizmit në Rumani, e këta diktatorë të kampeve, të Shqipërisë në përgjithësi, nuk kishin as veshë për të dëgjuar, dhe as sy për të parë, se si po ndryshonte lindja në tërësi. “Gomarin po e hante ujku, ai thoshte: “Qofsha në ëndërr”( Në rastin tonë, vërtet kishte qenë në ëndërr) Kështu, asnjë penë jashtë kampit,e cila s’i ka njohur këto tortura, sado e fortë të jetë, dhe dashamirëse, apo paqedashëse, nuk mund të përshkruajë dot, apo të tregojë në një roman “dokumentar” apo artistik, bëmat monstruoze të asaj kohe makabre, të atyre kanaleve e punëve të rënda ku ne na pikonin duart, këmbët, dhe zemra gjak. Ishte lumë dhimbjesh, vuajtjesh, rënkimesh, prej fëmijëve, prej rinisë, dhe të moshës së tretë edhe më keq. ky lumë vazhdonte e mbushej çdo ditë e më shumë nga lotët e këtyre plagëve të hapura ndër vite, nga një hakmarrje e çmendur apo tradhtarë të atdheut të sajuar për të kënaqur shpirtin e tyre të ngushtë prej krimineli. Thjesht, ne, mbijetonim në një sistem ngricë, dhe ata, përfitonin, jetonin në kurrizin tonë. E pse na persekutonin e na ndiqnin aq shumë? Ende e pyes veten: Ç’ishte gjithë ajo urrejtje ndërmjet një populli me të njëjtën gjuhë e kulturë? Pse na diskriminonin e shkatërronin shpirtin e brishtë brenda kampeve? Ç’kishim bërë gjë të keqe? Po populli i thjeshtë pse na donte të vdekur? Ç’u kishim bërë? E kam fjalën më shumë, për të lirët e Savrës,etj, në 80% ishin kthyer në përbindësha, po të kishin mundësi, e dorë fare të lirë, do na pushkatonin duke kënduar, ose do na i piqnin mishin e trupin në hell të gjallë. Urrejtja kishte arritur kulmin, ishte primitive, e verbër dhe e tmerrshme! Ata brigadierë ( jo të gjithë) e sidomos brigadieret ishin tmerri jonë.( Vëllezërit Nebiu, njëkohësisht brigadierë dhe gjakpirës të vërtetë) Nuk ngopeshin me gjakun tonë. Njësoj si sekretarët e partisë, si operativët e sigurimit që na vinin si zagarë nga pas për të na nxirë edhe më shumë atë jetë të cilën nuk na i kishin falur ata, por që donin t’ na i merrnin me çdo kusht në tortura e sipër sa më çnjerëzore të ishte e mundur. Librin ” E penguara” Të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, e kam lexuar tre herë dhe e kam në bibliotekën e shtëpisë këtu në Bruksel. Dhuratë nga një vajzë shqiptare që punon në komitetin evropian Ky libër më erdhi si dhuratë nga një vajzë shqiptare që punon në komitetin evropian (shoqe me vajzat e mia) Tereza Dajlani. Kjo vajzë intelektuale mezi priste rastin të më gëzonte me këtë roman i cili fliste pikërisht për vajzat e persekutuara. Ajo duke e njohur jetën tonë, mendoi se pikërisht kjo do të ishte dhurata më e bukur, më e përshtatshme, më e çmuar, që po i bëhej një ish të internuare, një krijuese që e kishte kaluar jetën në kampet më të egra siç isha unë. Krenaria e saj sa vinte e rritej para meje se libri ishte shkruar nga shkrimtar i madh Ismail Kadare, dhe kjo s’ishte një dhuratë e vogël. Kështu një ditë plot diell pasi ishte kthyer nga Tirana, më fton për një kafe në qendër të Brukselit ku unë e pranova me kënaqësi. Kur zbrita nga metroja, m’u desh të çaja udhën me vështirësi pasi ajo e shtunë, si gjithë të tjerat e kishte mbushur Brukselin me turistë të shumtë ku nxitonin dhe ata për të parë “grand plac” qendrën e qytetit dhe pikat e tjera turistike. Tereza kishte mbërritur para meje dhe qe ulur jashtë te tavolina e zakonshme. Pasi u përshëndetëm me dashamirësi, porositëm nga një kafe. Biseda qe e frytshme dhe e hareshme pasi tregonte për Tiranën, për Gjirokastrën që kishte kryer studimet e larta, dhe për Tepelenën e saj që e donte aq shumë. E pashë të merrte çantën dhe prej saj nxori një libër të mbështjellë me kujdes dhe me një etikë të lartë ma afroi. -Është një dhuratë për ty,- më tha. Në sytë e saj pashë një shkëlqim, një kënaqësi që rrallë herë e has njeriu në ditët plot strese. E hapa dhe pashë kopertinën dhe me zë të lartë lexova: KADARE.” E penguara” Ia ngula sytë titullit sikur atë çast do ta zbërtheja, e do të gjeja atë që më mungonte prej kohësh.- Është libri më i fundit i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare- ndërhyri vajza me shpejtësi. Po, po, e shoh! “Rekuim për Linda B.” Shqiptova me zë të lartë dhe tunda kryet në shenjë pohimi. E pranova me kënaqësi dhe e falënderova nga zemra për dhuratën e bukur. Por vajza e mirë me zemrën flori, nuk harroi të më thoshte: – Do ta përpish sonte… E hapa në prani të saj, dhe në faqen e parë, vajza më kishte lënë një autograf: ” Për mamin e shoqes sime Rori! E kam lexuar këtë libër me ty në mendje; një libër që e rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë! Me mirënjohje, Tereza. Bruksel, 17 Janar 2010”. Autograf i gjetur! Thashë me vete. Shumë përkëdhelës, po që mbart misterin brenda.”rrok mendja e atyre që e kanë jetuar këtë kohë”cilën kohë?!! Menjëherë m’u mbështollën në gryk me qindra pyetje e përgjigje sa u ngatërrova brenda tyre dhe po e shihja veten në një rrjet merimange sikur të kisha rënë në lak. Ndaj dhe heshtja për momentin ishte më e mira, ishte një kapak floriri. E dija se, pasi ta lexoja ajo do të kërkonte përshtypjet e mia të sinqerta. Librin e lexova brenda natës po nuk di nëse kisha kuptuar vërtet atë çka kishte dashur të hedh shkrimtari që pa tjetër priste të shpërthente në një triumf të ri. Sigurisht, unë nuk kisha qenë në gjendje për të thithur nektarin e vërtetë, shijen e vërtetë të librit të tij të fundit. Prandaj, të nesërmen e nisa edhe një herë nga germa e parë e deri te e fundit me një vëmendje shumë të përqendruar për të kapur çdo fjalë e frazë, çdo batutë apo metaforë, pa marrë parasysh, figurat mitologjike e historike si dhe vrasjen e filozofit Seneka… këtu historia ishim ne! E mbarova librin së lexuari së treti herë dhe përsëri fajin desha t’ia shkarkoj vetes. Isha e bindur se gabimi qëndronte vetëm te mua e jo te një shkrimtar me përmasa botërore si Ismail Kadare, kandidat për çmimin NOBEL. Jo! S’ishte e mundur që shkrimtari, Ismail kadare, të kishte bërë një mëkat në ditët e sotme e të ulte aq poshtë figurën e femrës së persekutuar shqiptare. Figurën e së cilës, ai duhej ta ngrinte në piedestal!!!. Kështu pasi e lexova së treti herë veprën e tij të fundit, vendosa të hesht, heshtja do të ishte mjekimi më i mirë për mua e të kaluarën time të plagosur. Heshtja më dukej më e denjë se replika e debati! Së fundi, nuk doja të zgjoja atë kohë të errët e cila na rrëmbeu fëmijërinë, rininë jetën dhe të dashurit tanë të zemrës. Por një gjë e di mirë, nuk u mposhtëm kurrë! kurrë nuk kërkuam lëmoshë apo ulje dënimi, ndërrim pune apo spiunllëku për të përfituar privilegje. Ne na karakterizonte krenaria jonë, të bijat e kujt ishim, shoqëria në të cilën bënim pjesë, geni nga i cili rridhnim etj… Inteligjenca kishte lindur njësoj me ne dhe ishte rritur po aq sa mosha jonë ndër vite. Vuajtëm po qëndruam! Qëndruam burrëresha! Sepse, luftuam me vdekjen! Luftuam për të jetur, për të drejtat tona, dhe ja arritëm! Mbijetuam përballë bishave diktatorë, përballë torturave çnjerëzore fizike e psilologjike, përballë ca mjeranëve të fëlliqur, përballë së keqes së madhe e sigurimsave që na kishin lakmi e ne vajzat e internuara s’i përfillnim fare, brenda dhe jashtë kampit! Ne s’i përfillnim mësuesit e fiskulturës ! Ne, s’i pëfillnim, nuk i dashuronim kurrë shkrimtarët që i këndonin lavde partisë dhe Enver hoxhës ! Ne kurrë s’i pëfillnim ata që i nënshtroheshin diktaturës ! Ne s’i pëfillnim brigadierët kriminelë ! Ne, ishim ato vajza të reja, të bukura, të forta që çuam jetën ne mjediset e rënda të gulagut. Ne ishim ne! Dhe vetëm ne, modeli i mirësisë! Modeli i qëndresës! Modeli iSacrifices! I madhështisë! Modeli i krenarisë së madhe, I vajzës së persekutuar shqiptare! Dhe mbetemi ne : ajka e shoqërisë së djeshme dhe të sotmes!
Së fundi Doja të theksoja: nuk do dëshiroja kurrë, që shkrimtarin e madh Ismail Kadare, ta ndjekë një dështim, një pendim, një dëshpërim, një mallkim, apo një hije e personazhes së tij që ai e ka goditur rëndë në dinjitet, e me plumb në zemër! Jemi në demokraci ku jetojmë pa censurë. Arti është art! Terezës nuk i telefonova as atë mëngjes dhe asnjë ditë tjetër deri sa një ditë përsëri u ftova prej saj në të njëjtin lokal. Takimi me Terezën ka qenë dhe mbetet gjithnjë një takim i ngrohtë, pavarësisht nga konkluzioni për librin të cilin ia dhashë me dorë në zemër vetëm me një frazë… Ajo është një vajzë gjithë vitalitet, ku transmeton dashuri dhe respekt. Për mua, nyja e kësaj konsiderate që vjen e rritet çdo ditë, ka një lidhje të vjetër që më bën të drithërohem. Teraza flet për Gjirokastrën me pasion, e mua, më duket vetja se jam duke fluturuar ende nëpër kalldrëmet e atij qyteti të bukur, ku shoh veten, të vogël duke shkuar në shkollë, duke luajtur e vrapuar mesh shoqesh në “shkalipor”. Rrugë kjo, afër qafës së pazarit në të cilën kisha shtëpinë. Së fundi katër vargje nga poezitë e mia :
Kur vinte pranvera/
Me lotët e mia e vadisja/
Ku vinte dimri/
Me psherëtimat a mia e mbysja.
P.S. Nuk e di, në këtë rast merr çmim Kadareja ? Apo libri « E penguara » ?
Bajame Hoxha-Çeliku, Brukse
DioGuardi uron Presidentin George H.W.Bush në 90 vjetorin e ditëlindjes
DioGuardi : “Gëzuar ditëlindjen e 90-të, presidenti Goerge H.W. Bush – një mik për të drejtat e njeriut, lirisë, dhe demokracisë”/
Nga BEQIR SINA, New York/
Ossining, New York : Ish kongresmeni Republikan i Nju Jorkut, Joseph J. DioGuardi, Presidenti i LQSHA, lobit të parë dhe të vetëm shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, në emër të Ligës Qytetare, dhe në emrin e tij personal – gjenë rastin të shpreh urimet më të mira për ditëlindjen e Presidentin të 41-të të SHBA, George H. Bush pikërishtë në 90′ vjetorin e ditëlindjes së tij.
Në një postim në rrjetin e tij soicial Twitter dhe Facebook, ish kongresmeni republikan, ka postuar dje urimin e tij drejtuar Presidentit Bush : “Gëzuar ditëlindjen e 90-të, presidentit Goerge H.W. Bush – një mik për të drejtat e njeriut, lirisë, dhe demokracisë”, shkruan në Twitter zoti DioGuardi.
Dhe ngjitur me këtë postim ai ka dërguar një fotografi e bër 25 vjet më parë – ku duket Presidenti Bush me kongresmenin DioGuardi, dhe disa kongresmen të tjerë mes tyre dhe kongresmenët afrikano american .
Në shënimin e tij poshtë fotgrafisë, ish kongresmeni republikan i Nju Jorkut, Joe DioGuardi shkruan se kjo ishte :”Një ditëlindje e lumtur – e 90- ta, e Presidentit Xhorxh H.W. Bush. Ai kishte kurajon sot të hidhet nga një helikopter në moshën 90 vjeç, ashtu si ai ka pasur guximin në vitet e tij – kur ishte në shërbimin publik, si luftëtar për të drejtat e njeriut dhe të drejtave për vet-vendosje së popullit shqiptar në Evropën Juglindore, duke treguar qartë kurajon për të qëndruar kundër diskriminimit racor e përkrah heronjve të kombit tonë – ata të luftës – mes tyre edhe afrikano-amerikanëve.”
Më tej DioGuardi – Presidenti i LQSHA, lobit të parë dhe të vetëm shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, në emër të Ligës Qytetare, ka postuar edhe një letër që Presidenti i 41-të- i SHBA, i ka dërguar atij më 30 Tetor 1992 ( kohë kjo kur Presidentit George H.W. Bush ka qenë në Shtëpinë e Bardhë).
Letër në të cilën Presidentit George H.W. Bush, ndërsa e përgëzon DioGuardin – e ikurajon atë dhe lobin shqiptar, sidomos për punën e madhe që ka bër ai në rëzimin e komunizmit në Shqipëri, lirinë e demokracinë e Shqipërisë, luftën dhe përpjkejet për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve – nën ish Jugosllavinë, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.
E cila, falë asaj ndërhyrje ushtarake, u arritë 15 vjet më parë, ish Jugosllavia nuk egziston më dhe mbas asaj shpërbërjes së saj – që nisi pikërishtë në atë kohë, kur DioGuardi, doli në krye të çështjes shqiptare në SHBA, me krijimin e lobit të parë shqiptarë Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane .
Në letërën në të cilën Presidenti i 41-të- i SHBA, i ka dërguar zotit DioGuardi më 30 Tetor 1992 ( kohë kur Presidentit Goerge H.W. Bush, ishte në Shtëpinë e Bardhë) ndër të tjera, thotë se :”Unë dua të përfitoj nga ky rast për të bër të njohur dhe të përshëndes punën e mirë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane në mbështetje të demokracive dhe të drejtave të njeriut për popullin shqiptarë. Puna e juaj është një shembull i asaj që amerikanët janë të shqetësuar – duke mbështetet të gjitha ato vende që ndajnë me ne vlerat tona demokratike dhe besimin tonë, bazuar në dinjitetin njerëzor dhe lirinë e shprehjes dhe ndërgjegjes së njerëzve anembanë botës.
Unë gjithashtu, i shkruan 22 vjet më parë Presidentit Xhorxh H.W. Bush, zotit DioGuardi, dua që të ju sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për konsolidimin e demokracisë dhe mbështetim tregtinë e lirë në Shqipëri, duke shtuar se përveç punës së përditshme me Departamentin e Shtetit të Departamentit të Tregtisë, Departamenti i Thesarit – USIAD dhe shumë organizata joqeveritare, së bashku jemi duke punuar shumë për të arritur këto përfundime”
HARRESA E FAN NOLIT
Harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vetë/
NGA FRANK SHKRELI/
Muajin e kaluar u shënjtërua kisha ortodokse shqiptare, “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ku ishin ftuar shumë udhëheqës botërorë të Kishës Ortodokse dhe ku ishin të pranishëm edhe udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për Shqipërinë. Dhe si e tillë, megjithëse unë ndoshta nuk e kam ndjekur mirë situatën dhe mbase mund të jem gabim, por m’u duk sikur nuk dëgjova të jetë përmendur shumë emëri i Fan Nolit — arkitektit dhe themeluesit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Thashë me vete, deklaratat fyese anti-shqiptare të kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë ishin tepër të rënda për çdo shqiptar, por “harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vet, është e pafalshme.
Harresa zyrtare ndaj rolit që ka luajtur Fan Noli në jetën fetare, politike dhe kulturore të kombit — si kishtar dhe si politikan – nuk ishte e para ndaj tij dhe as ndaj personaliteteve të tjera të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Përballë kësaj atmosfere gjatë shënjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, ku me qëllim ose pa qëllim, siç duket u hodhë në harresë roli fetar dhe kombëtar i themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, gati si në hakmarrje fillova të lexoja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit, kështuqë ditët e fundit më ra rasti të lexoj një artikull të gjatë, që kishte shkruar Profesor Arshi Pipa në revistën “Kritika”, më 1944 në Tiranë, revistë kjo që botohej dhe drejtohej prej tij. Artikulli, që më vonë u botua edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” e Komitetit Shqipëria e Lirë në New York, mban titullin, “Fan Noli: Bariu i Popullit”. Si rrjedhim, mendova se ia vlenë që të ndajë disa shënime mbi këtë vlersim të lartë që i bëhet Nolit nga Arshi Pipa, për lexuesit që ndoshta nuk kanë patur rast ta kenë lexuar më parë.
Siç duket, Arshi Pipa i mërzitur nga harresa e deri atëhershme ndaj figurës kombëtare të Nolit u detyrua të shkruante artikullin, sepse sipas tij, figura e Fan Nolit deri atëherë ishte lënë “në heshtje të pameritueme”. Ai e cilëson Nolin si njërin “prej të mëdhëjve tanë, një personalitet politiko-fetar”. “Ai është një përfaqsues i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruante Arshi Pipa më 1944.
Duke e quajtur Nolin, “Bari i Popullit”, Profesor Pipa vlerësonte se karakteristikë e fjalimeve dhe të shkrimeve të prelatit shqiptar “është gjithmonë ideali humanitar dhe kombëtar i Fan Nolit” dhe vazhdon duke thënë se, “Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: Atdhe e Njerëzim. Më parë Atdheu!”
Për të bindur lexuesin se roli i Nolit në jetën politike dhe fetare të Shqipërisë nuk duhej qitur në harresë dhe për të pasqyruar njëkohsisht edhe atdhetarizmin e Fan Nolit, Arshi Pipa nxjerrë një paragraf nga një fjalim që Noli kishte mbajtur më 1911 në Amerikë, në një kohë kur, siç thotë ai, nuk kishte Shqipëri, por kishte shqiptarë. “Shqipëria kërkon luftarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flagë të luftës që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shënjtë i Lirisë dhe të vdesim dyke thirrur: Rroftë Shqipëria”. Ishte kjo thirrja e Nolit drejtuar bashkatdhetarve të vet në mërgim më 1911, për t’i shkuar në ndihmë Shqipërisë.
Pipa shkruan se njeriu njihet nga idetë dhe nga ndjenjat e tija dhe shton se idetë e Fan Nolit, mbi disa prej problemeve njerëzore më të rëndësishme, siç janë feja, kombi, qeverisja, janë çështje që Noli i kuptonte shumë mirë”, thotë Profesor Pipa. Noli, shkruan ai, e kishte kuptuar se, “Feja dhe kombësia nuk janë dy ide që përjashtojnë njëra tjetrën. Mjaftë që e para t’i përshtatet së dytës. Feja përfshihet kështu tek kombi, si një rreth më i vogël, në një rreth më të madh…në atdheun shqiptar që i përmbledhë, jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhura bashkë me një nye trefish, të pakëputshëm, në mes”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa, në vlerësimin e tij në lidhje me idetë e Nolit përsa i përket kombit dhe rolit që duhet të luajnë fetë në një shoqëri.
Në artikullin e tij, kundër heshtjes dhe harresës së rolit që ka luajtur Fan Noli në historinë e kishtare dhe kombëtare të Shqipërisë, të shkruar 70-jetë më parë në revistën “Kritika” që ai vet botonte në Tiranë — në lidhje me problemet në relacionet komb-fe, — Arshi Pipa citon Nolin të ketë thënë se, “U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq në ndryshimin fetar (midis nesh), se sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për ata që vepronin si vegla të tyre të vërbëra.” Për hir të fesë nuk ndrrohet kombësia, shkruan Pipa dhe vazhdon të citojë Nolin i cili ka thënë se, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë kombësinë e tij, pa venë në ball një vulë prej tradhëtari”, ka deklaruar Bariu i Popullit, Fan Noli
Arshi Pipa shkruan mbi Fan Nolin-Bariun e Popullit, duke komentuar se, “Feja për Nolin ishte një funksion i kombësisë.” Sipas tij, “Noli u bë prift pse ashtu e donte dobija e atdheut”. Ndërsa në lidhje me gjëndjen aktuale politike të kohës, të cilën Pipa e cilësonte si “lëngatën e vazhdueshme të këtij vendi të vuajtun”, ai e citon Nolin ta ketë përshkruar anarkinë politike të atëhershme duke thënë se, “Këtu, brenda një dite, si me magji – tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar.”
Vazhdon artikullin Arshi Pipa duke cituar nga kushtrimi i Nolit drejtuar shqiptarëve të Amerikës më 1911, në të cilin ai u bënte thirrje atyre të ndihmonin atdhetarët që kishin marrë pushkën kundër pushtuesit turk, “plot sulm e flakë baroti”, duke kritikuar gjithashtu edhe ato që ai quan si “injorancën, mungesën e kulturës dhe mungesën e ‘fundit moral’, siç e quajti Noli. Ndërsa bën pyetje se, “Cili është morali i një kombi? Cila është ajo gjë e cila e bën një komb të rrojë? Është ideja e madhështisë së tij”, përgjigjet Noli, por vijon duke paralajmëruar se, “Ne nuk njohim historinë, traditat tona, për të pasur një ndjenjë të fortë kombësie”, dhe shton se, “madje vet emëri i Skënderbeut ishte i panjohur për ne”, citohet Noli në artikullin e Arshi Pipës. Noli inkurajon bashkatdhetarët në Amerikë se edhe kombi shqiptar ka heronjë siç ka Amerika, Washingtonin dhe përmend Isa Boletinin dhe Marash Ucin, duke shtuar se lufta dhe fitoret e shqiptarëve nuk janë aspak më të vogëla se ato të heroit amerikan, por thekson Noli, ata nuk njihen sepse “nuk ka pasë historianë që t’i shpallte, poetë që t’i këndonte: Shqiptarë që t’i lexojshin…”.
Në artikullin e tij të botuar shtatë dekada më parë, përveçse ve në dukje atdhedashurinë e flakët të Nolit, Arshi Pipa shkruan edhe për “mendësinë e tij ndriçuese, tipikisht humaniste” dhe në mbështetje të kësaj citon nga fjalimin që Fan Noli kishte mbajtur në Korçë më 1923, ku kishte shkuar për të biseduar me korçarët për mënyrën e qeverisjes. Pipa shkruan se Noli u drejtohet korçarëve në mënyrë të paqët, me një bisedë miqësore, të matur e të arsyeshme duke thënë se: “Kam ardhur për herën e dytë në qytetin tuaj të bukur, me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mbi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miqë të vjetër dhe të fitonj miq të rinj. Po këtë herë, jo me bekime në të cilat populli përgjigjet amen, por me proponime dhe mendime të cilat do t’ju ftonj t’i peshoni, t’i pëlqeni e t’i vazhdoni.”
Arshi Pipa e cilëson këtë deklaratë të Nolit, si fjalët e një njeriu të ndershëm i cili nuk dëshiron të përfitojë nga petku i tij fetar për të terhequr turmat. “Flet politikani, heshtë kishtari – feja që bëhet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet”, shkruante Arshi Pipa në revistën e tij “Kritika” në Tiranën e vitit 1944, duke shtuar se, “Noli ashtë në politikë sikurse në fe: kundër fanaticizmit, kundër demagogjisë: liberal e tolerant gjithmonë.” Arshi Pipa shprehet në shkrimin dedikuar Fan Nolit 70-vjetë më pare, se “historia, shpeshëherë na duket si shumë e verbët, shumë e egër”, sikur don të na thotë se historia nuk e ka trajtuar drejtë Fan Nolin, dhe e përfundon artikullin e tij duke thënë se, “Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të nalta njerëzore. Ata, që ma tepër e kanë dashtë njerzinë, ata janë kryqëzue prej saj”, ka thënë Arshi Pipa, në vlerësimin e rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit në artikullin me titull “Bariu i Popullit”, në numrin 4 të revistës “Kritika” të viti 1944, të drejtuar prej tij.
Fatkeqsisht, duket se kjo hipokrizi për të cilën shkruante Arshi Pipa 70-vjetë më parë vazhdon të mashtrojë edhe sot idealet më të larta njerëzore, politike dhe fetare dhe të shtrembërojë dhe të mohojë historinë. Anashkalimi, ose siç shkruante Arshi Pipa më 1944, “heshtja e pameritueme” ndaj rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit duket se u zbatua edhe gjatë ceremonisë së shënjtërimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Tiranë, kohët e fundit. Kushdo qofshin ata që e hodhën në heshtje prelatin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse shqiptare, oratorin, diplomatin, letrarin, poetin, muzikologun — Fan Nolit nuk ia ulin as meritat fetare dhe as ato atdhetare dhe as nuk mund t’ia humbin shkëlqësimin e tyre të denjë, as para popullit shqiptar as para botës. Fan Noli mbetet njëri prej viganëve të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, i cili me vetitë e tija të rralla u përpoq dhe kontriboi me sa kishte mundësi për Kishën e vet, të cilën ai themeloi si dhe për Atdheun, për të cilin megjithse në mërgim, jetoi dhe punoi pa kursim. Për këtë, Fan Noli meriton ndër shekuj mirënjohjen, jo vetëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe të mbarë kombit shqiptar.