Nga Përparim Hysi/
Romani i Pierre- Pandeli Simsisë “Nuse në derë të hasmit” mbrriti në dorën time me shumë vonesë. Pa zmadhuar në këtë që shkruaj, them se sikur libri të qe nisur në këmbë që,matan oqeanit, ku jeton autori, do kishte mbrritur më shpejt. Sidoqoftë, më mirë vonë se sa kurrë. Qe një amanet që, si të gjithë amanetet, nuk e treti dheu. Miku im ( po ky njeri kaq i gjendur për kë nuk është treguar mik?), ingjinieri Spiro Naqo ma solli në dorë, pasi kish ngrënë një gjobë të mirë për parkimin e makinës. Pra, i futur dy herë “borxh”, së pari për autorin dhe së dyti për prurësin (sado që prurësi nuk gjykohet!!!), pak nga pak po paguaj “doganën” me këtë shkrim që si objekt ka romanin në fjalë.
* * *
Dhurata që ma solli të “ngrohtë”, ingjinier Spiroja, më gjeti paksa të ngarkuar me halle familjare. Halle ca të rënda që unë i kaloj o duke lexuar, o duke shkruar. E lexova romanin dhe ,tek qëndroj për të dhënë përshtypjet për të, them: me Simsinë ka ndodhur si me atë thënien e arabëve që thonë: – Mos ia beso të gjitha mikut, se, ku ta dish, një ditë mund të të bëhet armik. Dhe, më tej:- Mos e shaj deri në fund armikun,se një ditë mund të bëhet mik. Se, në fund të fundit, kështu vërtiten ngjarjet në romanin që lakoj. Simsia, ky beratas që ka emigruar në vitet e demokracisë matan oqeanit, në Shqipëri nuk ka qenë shkrimtar. Ka qenë një qytetar i thjeshtë që aspironte për kulturë. Aq sa e kam ndjekur unë (natyrisht, ç’shkruaj për të, të merret me rezervë,se unë nuk njihem me Pierr Simsinë), di që Pierri është një “makineri memoriesh për këngët”, gjë që flet për një njeri që kohën e lirë e ka për të zgjeruar horizontin. Kalimthi, në mos më gabon kujtesa, e kam parë kur tekste të tëra këngësh të kënduara në festivale, i thoshte përmëndësh si të qe një makinë logaritëse. Më tej, kam lexuar prej tij tregime (me kufizime këto,se jo çdo gjë mbaj mend), por, kur erdhi në Tiranë për të promovuar këtë roman, nuk patëm mundësi që t’i hapnim “kartërat”. Gjëra që ndodhin. Isha në sallë. Kur mbaroi promovimi, i dhashë dorën dhe sa shkëmbyem përshëndetjet e kortezisë, u ndamë. As që e dija, që Spiro Mikut i kish lënë një libër për mua. Pra, këtë roman që unë, pasi e lexova, e quaj si një “Bibël” për faljen e gjakut.
* * *
Por para se të them përshtypjet për romanin, nuk kam si mos bëj një analogji të largët që ka ndodhur me dy shkrimtarë të mëdhenjë aty, në Amerikë. Është fjala për të madhin Woolt Witman dhe poeten e bukur, por aq “gojëmbyllur”, Emily Diskinson. U takuan në një stacion treni dhe vetëm sa shkëmbyen duarët: Woolt- Emily dhe kaq. Sikur Diskinsoni të kishte folur,- them unë në një poezi timen,- kushedi seç diej poetik do kishin ngrohur faqet e letërsisë. Po Emilyja mbeti ashtu e drojtur, si një “film pa zë”, për të shpërthyer me njëmijë e pesëqind poezitë e saj të ndryme në sirtar. E solla këtë ndodhi vetëm se kështu ndodhi dhe me mua dhe Simsinë. E sa për analogjinë (ato kurrë nuk janë të qëlluara), vetëm një gjë: ky shkrim po bëhet me vonesë për shkaqe që nuk varen nga unë.
Romani në linjë të prgjithshme ka dashurinë e dy të rinjëve shqiptarë që kanë emigruar në Amerikë. Njohur, rastësisht,ata lidhen pazgjidhmërisht me njëri-tjetrin. Kur “njihen” më mirë, zbulojnë se kanë të fshehta që në “stazhin” e njohjes nuk ia kanë zbuluar njëri- tjetrit. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesit që nuk e kanë lexuar romanin, dashuria e Liridonit me Lean has në një “gërç” që është vështirë të kapërcehet. Si një nyje “Gordiane” që nuk do shpatën mitike të Aleksandrit të madh për t’u prerë, por do urtësi dhe zëmërmadhësi njerëzore për t’u kapërcyer. Nga dashuria e pastër e çiftit Liridon-Lea ka një fëmijë parakohe dhe, pikërisht, në këto çaste, zbulohen të “fshehtat” që janë si një kërcënim real. Lea qëllon të jetë nga një derë, që në lidhje gjaku, kishte hak për të marrë në familjen e Liridonit. Më shumë se kaq, nuk ka se ku të shkoj. Por…
le ta lëmë për një çast se si vazhdon ky roman dashurie, për t’u ndalur tek autori, Pierre- Pandeli Simsia.
* * *
Sado që ka kohë që jeton në Amerikë dhe sado që është qytetar amerikan, tek Simsia ndodh që me trup është atje, matan oqeanit, po me shpirt është në Shqipëri. Kur them në Shqipëri, kjo, Shqipëria për të fillon nga Berati dhe mbaron kudo ku fjalës bukë i thonë bukë. Pse pulson me këtë lloj gjaku, pse jeton me arritjet e hallet e SHiqpërisë, ulet e shkruan një roman ku në qendër të tij, është hakmarrja. Simsia e di mirë: ne jemi “pasagjerë të mesjetës” që duam të udhëtojmë në “trenat modernë të Europës”. Në ndodh që fenomeni gjakmarrjes është bërë një fenomen akut, faji, padyshim, është i politikës dhe shtetit, në radhë të parë. Shteti, në postdemokraci, i ngjan atij “bullarit” që i ka të mbyllur sytë. Gjakmarrja është plagë e hapur që rrjedh dhe plagos shoqërinë. Kundër këtij fenomeni mesjetar ngrihet me penën e tij, Simsia, dhe jo vetëm kaq: nuk ke se si mos entusiazmohesh dhe, njëherësh, ta ndjeshë veten mirë, kur Xhorxhi, dajua e Leas, e fal gjakun. Kjo falje gjaku nuk është as trill dhe as një veprim “deux ex machina”, por rrejdhojë e një pune të madhe, ku një meritë të madhe,sa “komiteti i faljes së gjakut” aq dhe religjioni. Xhorxhi duke qenë një besimtar i thekur i kishës, “dorëzohet” në ndërgjegjen e tij dhe fal gjakun e të vëllait.
Mesazhi që përciell Simsia është një mesazh i bardhë. Ai nuk mund të rrijë symbyllur para një fenomeni që, në të vërtetë, është një atavizëm që nga Mesjeta e largët. Apeli i tij është sa i bukur, aq dhe njerëzor. Bukuria dhe vlera e romanit rriten në finale. Një finale që të mbushë me emocione pozitive dhe mbresëlënëse. Për këtë arsye unë e kam quajtur romanin “Një Bibël” për falen e gjakut,
Tiranë, 5 qershor 2014
*(esse)-Romani “Nuse në derën e hasmit” të Pierre-Pandeli Simsia
ALEANCAT QË MUND TË PRODHOJË 8 QERSHORI: MË MIRË LDK-AAK SESA AAK-VV APO PDK-VV
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Fushata zgjedhore në Kosovë po arrin në finish. Liderët politikë po bëjnë një fushatë të kultivuar, pa sharje dhe fyerje. Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit shihet si dështim i plotë sa i përket luftës kundër korrupsionit, ndërtimit të shtetit ligjor dhe uljes së papunësisë e varfërisë. Aktualisht Kosova është një Lager në Europë dhe fakti se ishte viktima e fundit e një konflikti barbar nuk e ka zbutur aspak cinizmin e Europës e cila paçka se tani e tregon me gisht Hashim Thaçin për bëmat e tij – me të pati një romancë shtatëvjeçare. Nga ana e tij, Hashim Thaçi që nuk e çau kokën të kryejë detyrat e shtëpisë – në dukje ai ka mbajtur një raport loyal me SHBA.
Sipas të gjitha gjasave Hashim Thaçi do ta pësojë ashtu si Sali Berisha në zgjedhjet e qershorit të shkuar. Për ta parandaluar këtë disfatë Thaçi ka marrë masat e tij. Një segment i PDK-së sot gjendet i katapultuar tek VV. Si për të përgatitur aleancën e re që Thaçi ka në mendje – bashkë me AKR, partinë e Behxhet Pacollit.
Për aleanca po përgatitet edhe AAK, partia e Ramush Haradinajt. Për Haradinajn, zgjedhjet e 8 qershorit, janë të parat ku ai udhëheq fushatën e partisë së tij në gjendje të lirë, pas një gjykimi tepër të vështirë dhe të gjatë disavjeçar. Ai ishte kryeministër i zgjedhur nga Ibrahim Rugova në zgjedhjet e 2004, kur ndaj tij nisi procesi gjyqsor i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 2005. Vjet, kur u kthye nga Haga, u miklua prej Hashim Thaçit duke treguar gatishmëri për të hyrë me të në alanca qeverisese. Por Thaçi e mashtroi. Tani nga intervista që ka dhënë tek Zëri i Amerikës mësohet se ai sheh si aleatë LDK ose VV.
Nga ana e saj LDK – e ka provuar çmimin që i kushtoi aleanca me Hashim Thaçin më 2007, por edhe përjashtimi i aleancave në zgjedhjet e 2010.
Ndërsa bojkoti dhe abstenimi nga 45% – 55% i popullit të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 2007 dhe atyre të 2010 – është një fakt tronditës që tregon se populli e beson pak klasën politike në Kosovë dhe një kambanë alarmi për 8 Qershorin e 2014.
Isa Mustafa ka shans që të bëhet kryeministër i Kosovës duke llogaritur se i duhet të ndërtojë shtetin ligjor. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm duke mbajtur rreth vetes figura të pastra dhe me integritet. Isa Mustafa duhet të synojë fitoren e LDK-së, sepse humbja e tretë jo vetëm do ta shpartallonte partinë, por nuk do të ishte në të mirë të interesave kombëtare të Kosovës.
LDK ka burime njerëzore të pafundme. Ndërkohë raportet me SHBA dhe BE duhet të jenë në të njëjtën valë që i ka lënë Ibrahim Rugova. Kosova është vend në zemër të Europës dhe shqiptarët e Kosovës tek SHBA kanë Aleatin e tyre jetik.
Në këtë situate ku ndodhet sot Kosova, LDK-ja ka shansin që të jetë partia e parë. Zemrat e elektoratit rugovian LDK mund t’i tërheqë permes një imazhi të ri me figura të reja. Emrat e rinj dhe angazhimi i Donika Gërvallës është shans i LDK-së. Ndërsa projektimi aleancës – me cilën parti apo koalicion do të qeverisë – për LDK është obligative.
LDK ka të drejtë legjitime të përjashtojë VV, sepse Albin Kurti nuk e ka njohur kurrë rolin e Ibrahim Rugovës, pra është në pozita thellësisht ekstremiste. Po ashtu LDK ka të drejtë të përjashtojë edhe AKR, si aleatin e ngushtë të Hashim Thaçit.
Aleancë e PDK-së dhe VV është e dëmshme për Kosovën. E dëmshme dhe aspak e shëndetëshme për Kosovën edhe aleanca e AAK dhe VV. Në këtë kontekst LDK mund të hyjë në Aleancë me AAK, për ta vazhduar rrugën e nisur në 2004 nga Ibrahim Rugova.
Por të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova do të qeveriset vetëm me duar të pastra, pa klane, pa bajraqe, pa klientelizëm, pa intriga, pa politikanë me hipoteka, pa despotizëm. Isa Mustafa duhet ta administrojë mirë rolin që ka, të Njëshit të partisë, duke mos pranuar që të dalë në hije nga kasta e vjetër.
Zgjedhjet e parakohëshme, me një media të pushtuar nga oligarkët, e bëjnë shumë të vështirë komunikimin midis kandidatëve me Sovranin, por gjendja kritike e bën popullin e Kosovës që të jetë largpamës e t’i sfidojë të gjitha barrierat, për ta sfiduar të keqen – që Kosova të bëhet e të jetë ajo që meriton.
Mehmet Prishtina, një pionier i vullnetarizmit kulturor
Nga NDRICIM KULLA*/
Në këtë artikull dua të përqendrohem në veprën e një bashkëkombësi, i cili prej disa vitesh ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm të një përmbajtje konkrete të filantropisë kulturore që ushtron, por sidomos për fenomenin e ri pozitiv që po promovon në jetën tonë dhe që është një dashuri e re për sa u përket përmasave të tij të mëdha. Është fjala për atë fenomen, ende jo shumë të njohur të Shqipërisë, që në praktikën e shekujve të fundit, sidomos në botën perëndimore njihet me emrin vullnetarizëm. Vullnetarizmi është ai aktivitet filantropie me qëllime jo fitimprurëse që individë të veçantë kryejnë në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, të pa angazhuar nga askush dhe të pa detyruar nga asnjë parti politike. Bashkëkombësi ynë që merret edhe me këtë kauzë quhet Mehmet Prishtina dhe është një banor relativisht i ri në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, origjina e të cilit është nga fshati Polac i krahinës heroike të Drenicës, e cila njihet në historinë e Kosovës si vendlindja e lirisë dhe pavarësisë së saj.
Është nga kjo krahinë që e kanë prejardhjen Azem dhe Shote Galica, Hasan Prishtina, Adem Jashari, heronj dhe personalitete të tjerë. Pikërisht në këtë zonë lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, emblema e pashlyeshme e pamposhturisë së këtij populli për të qenë më vete.
Është në krenarinë më superiore të kësaj treve se pikërisht aty, nga fshati i mësipërm, zë fill prejardhja e rilindësit të madh shqiptar Hasan Prishtinës. Qysh fëmijë Mehmeti u detyrua të emigrojë së bashku me familjen për shkak se prindërit e tij ishin në kundërshtim të hapur me pushtuesin serb, i cili dihet që u rezervonte kundërshtarëve tij fatin e zi të emigracionit ekonomiko – politik.
Në fakt ai që nisi si një mallkim i jetës së tij do të ishte e kundërta e tij. Në vendin e ri ku qëndronte, Mehmeti së bashku me familjen e tij, vëllezërit dhe motrat, demokracia, ju mundësoi atyre jo vetëm të punonin e të jetonin, por edhe të shkolloheshin. Ishte Gjermania që u bë një atdhe i dytë i shtrenjtë për këtë të ri nga Kosova dhe familjen e tij. Qyteti ku ai kreu studimet dhe punoi, Mynihu, me zhvillimin industrial dhe kulturën e tij ka qenë dhe mbetet një nga ato metropolet më të mëdha të kontinentit evropian që të ofron zgjim dhe emancipim. Aty ai u diplomua për Shkenca Politike dhe Drejtësi Evropiane e cila do t’i vlente më tej për t’u orientuar qartë për rrugën e gjatë profesionale dhe biznesin. Po aty, në Munih ai do të niste edhe rrugën e bashkëpunimit me të gjitha ato forca politike që përgatitën luftën për çlirimin politik të Kosovës nga pushtuesi serb. Mehmet Prishtina do të ishte aktiv me pjesëmarrjen e tij në të gjitha mitingjet, tubimet, protestat masive që parapërgatitën bombardimet e NATO-s e cilado mbetet si një nga periudhat më fatlume të fatit të kombit shqiptarë.
Vetëm disa muaj përpara se Qytetërimi Perëndimorë të niste luftën për çlirimin e Kosovës, babai i tij me ndërgjegje të flaktë patriotike edhe pse pensionist dhe i moshuar në moshë, mori një vendim që e mbuloi përjetë me nder dhe lavdi dhe që e vuri atë përgjithnjë në Panteonin e dëshmorëve heroik të Kosovës. Ai u kthye i vetëdijshëm nga Perëndimi se lufta po vinte dhe ai duhej të ishte aty. Ky burrë fisnik do të vritej në përpjekje me pushtuesit vetëm pak ditë përpara se Kosova të çlirohej, atëherë kur trupat e NATO-s hynë triumfuese në Prishtinë me ëndrrën e tij të përmbushur. Një shembull i papërsëritshëm i dashurisë më sublime për atdheun e të parëve. Ati i Mehmet Prishtinës do të mbetet në kujtesë të brezave në Drenicë dhe kudo gjetkë mes shqiptarëve si një njeri i thjeshtë që u vetëflijua për lirinë. Ashtu si ai luftuari në këtë truall të legjendave më të bukura u vetëflijuan edhe pjesëtarë të tjerë të fisit të tij më të afërt dhe më të largët. Në fshatin Polac ndodhet një varrezë e veçuar e fisit Prishtina ku gjenden me dhjetëra varre të rënësh në luftërat e fundit të shek të XX-të, të cilët janë një dëshmi e skalitur në mermer e vetëflijimit të këtyre burrave. Janë shpirtrat e tyre që lëshojnë çdo natë shkëlqimin në atë tempull vdekjeje. I pajisur me këtë traditë të vyer në formimin e tij personal u kthye përfundimisht në dheun që e lindi dikur për t’u bërë një banor i devotshëm i Prishtinës së re. Ndonëse ishte shkëputur për disa dhjetëvjeçar nga atdheu i tij i shtrenjtë ai u përshtat shumë shpejt me mjedisin e ri ku ai nisi një jetë të dytë. Ky qytet, që sapo kishte dalë nga pasojat shkatërruese kishte nevojë për kujdesin dhe përpjekjet e të gjithë bijave dhe bijve të saj .Për Mehmet Prishtinën është lumturia e tij jo se ky është një qytet i përkryer, por se është dashuria e tij e parë dhe e fundit që nuk e ndërron me asgjë. Me këtë mendim të ngulitur ai zuri ta ridashurojë Prishtinën e tij dhe u bë shumë shpejtë i vetëdijshëm se Kosovës i mungojnë shumë gjëra dhe se duhej ta kapte çdo gjë nga fillimi.
Përpara Prishtinës edhe Munihu i madh nuk ishte gjë tjetër veçse një kujtim i largët. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë gjë, ai nuk dëshpërohet asnjë çast, por përfytyron në mëndje një të ardhme më të mirë në çdo aspekt që ai ndesh. Prandaj krahas punës së përditshme mendon, shqetësohet dhe u përkushtohet realizimit të disa aspiratave kulturore, të cilat nuk kërkonin investime të mëdha, por gjithsesi kërkonin zemërgjerësi ,atdhedashuri dhe kulturëdashësi ,por ,që sigurisht që nuk ishin dhe kaq të thjeshta për mundësitë e të tij modeste si ish emigrant i vjetër .Megjithatë, ai u betua se do të kontribuojë për diçka në fushën e kulturës. Diçka që do shërbente për ringjalljen e historisë së Kosovës ,asaj historie të mbushur me shumë dhimbje,me shumë sakrificë , e që kërkonte të dilte nga harresa për tu shfaqur me dritë. E tërë kjo ndërmarrje filantropike e Mehmetit u ngjiz tek Hasan Prishtina. Hasan Prishtina është një figurë që i përket sa Kosovës aq edhe Shqipërisë. Ai në historiografinë tonë është ndër 5- 6 yjet e historiografisë shqiptare .Nuk është pa domethënie se në boshtin vertikal jug-veri të kryeqytetit tonë Tiranë ndodhen monumente të ”Nënë Terezës”, Ismail Qemalit, Skënderbeu, Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut. Ky është boshti më i rëndësishëm, i mbarë Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë Etnike dhe këta personalitete janë njëkohësisht 5 nga personalitetet më të lavdishëm të shqiptarëve. Nga këta personalitete vetëm Hasan Prishtina ,fatkeqësisht është më pak i njohur tek ne ,qoftë nga harresa qëllimkeqe antishqiptare,qoftë nga neglizhenca. Ja, pikërisht për këtë arsye personazhi i artikullit tonë Mehmet Prishtina e nisi veprën e bamirësisë kulturore me këtë figurë. Për Mehmet Prishtinën Hasani nuk ishte një çështje thjesht respekti apo lidhjesh farefisnore, trashëgimie apo diçka tjetër e tillë,por rikthimi i së vërtetës historike në piedestalin e nderimit shtetëror ,me qëllim që të dalin në dritën e diellit simbolet reale të Kosovës në historinë e kombit shqiptarë, ku 100 vjetori i Pavarësisë tonë do të shfaqej si rasti më ideal për këtë synim. Nga të 5 –të simbolet vetëm Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina do ishin dy simbolet kryesore të kësaj Pavarësie. Nga një lobim intensiv i vlerësuar me iniciativën e personale të Mehmetit Hasan Prishtina erdhi në kujtesën shtetërore të Kosovës atje ku ai e meritonte në mënyrën më shembullorë për një njeri si ai,i diplomuar në institucionin arsimor më perëndimor të Perandorisë Otomane,Shkollën e Lartë të Administratës Perandorake që përbëhej nga pedagog francezë. Pikërisht këtij pararendësi të Pavarësisë së Kosovës, qoftë edhe për këtë fakt, e meritonte që Universitetit Shtetëror në Prishtinës ti jepej emri i tij .Dhe sot ky universitet, quhet Universiteti “Hasan Prishtina” .Është nderimi më i madh, që po i behet inteligjencës shqiptare dhe arsimit nëpërmjet këtij politikani që tipar kryesor kishte intelektualitetin e tij. Dhe kryevepra e filantropisë kulturore të Mehmet Prishtinës nuk ishte thjeshtë mbështetja financiare që u bëri tre monumenteve të këtij personaliteti në Tiranë,Prishtinë dhe Shkup ,por gjithashtu ai interesim i madh dhe i përhershëm duke trokitur në dyert e institucioneve shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë në zgjim të Hasanit te anashkaluar. Në inaugurimin e tyre morën pjesë me mijëra qytetarë ku panë të derdhur në bonzë heroin e tyre të harruar të Pavarësisë Kombëtare. Për të qenë të sinqertë falë interesit të tij këmbëngulës para disa ditësh në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ne organizuam dhe përjetuam një ngjarje me përmasa kombëtare ,ku Presidenti i Republikës z Bujar Nishani i akordoi Hasan Prishtinës dekoratën më të lartë që jep shteti shqiptarë “Dekoratën e Flamurit”. Ishte një ceremoni e bukur, e thjeshtë por dhe madhështore në të cilën morën pjesë personalitete nga Kosova dhe Shqipëria, por dhe malësor të thjeshtë nga Polaci i Hasanit dhe nga tërë Drenica. Për hir të së vërtetës këmbëngulja e dhe vullneti tij patriotik kanë vulë të pa dukshme në atë ceremoni që i mblodhi shqiptarët së bashku për të nderuar heroin e tyre të përbashkët.
“Vullnetarizmi kulturor i një qytetari biznesmen si Mehmet Prishtina nga fshati Polac i Drenicës së Hasan Prishtinës , që sot po jep një kontribut shembullor me ndihmën e tij financiare dhe iniciativat e tij personale për lartësimin e figurës së Hasan Prishtinës është një rast që duhet të merret si shembull dhe të kuptohet se çfarë dashurie kanë për rrënjët e tyre qytetarët kosovarë”- u shprehë Presidenti Nishani gjatë kësaj ceremonie dekorimi.
Por vullnetarizmi i tij nuk u ndal në mbështetje ndaj lartësimit të kësaj figure kombëtare .Hasan Prishtina kishte nevojë edhe për një rilindje në literaturë. Me iniciativën dhe mbështetjen e tij financiare u bë e mundur botimi i disa librave që hedhin dritë mbi figurën shumëdimensionale të këtij personaliteti politikë..Ishte vullnetarizmi kulturor i këtij biznesmeni me mundësi modeste që të bëhej në Tetovë një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 30 studiueseve shqiptarë dhe të huaj mbi kontributin e Hasan Prishtinës në Pavarësinë tonë Kombëtare. Është pikërisht vullnetarizmi i tij kulturor i cili e ka ngacmuar sedrën e tij , që ti shpallë vetes së tij projekte të tjera mbi përjetësimin e mëtejshëm të kësaj figure. Botime librash, dinjitoze me biografi dhe dokumente. Një monomet tjetër në Vlorë për këtë figurë së bashku me Komunën e Prishtinës janë shprehje e një zgjimi të vrullshëm integrues që po bëjnë shqiptarët me njeri tjetrin. Në të gjitha këto veprime vullnetare Mehmet Prishtina fillimisht ka qenë i vetëm. Por ai nuk u tërhoq nga përkushtimi i tij ndoshta përtej mundësive për të lartësuar heroin e tij. Ai është i bindur se sikur çdo individ i ngjashëm në mundësi si ai të bënte qoftë edhe diçka vullnetare për personalitetin që do Shqipëria dhe Kosova do rizgjohen të përmbrujtura nga kujtesa historike dhe kultura shqiptare do ringjallet dhe madhështohet nga admirimi i miliona shqiptarëve të cilët do zbulojnë një histori të re të vendit të tyre. Mehmet Prishtina është vetëm një pionier i ri i këtij vullnetarizmi kulturorë. Shpresojmë se shembulli i tij i ri do ti hap rrugë atij rizgjimi të traditës së bujarisë shqiptare të kohës së Rilindjes Kombëtare e cila nisi me “Kalendarin Kombiar” dhe vazhdoi me botime, ndërtime shkollash, shtypshkronjash dhe akte të tjera kulturo-arsimore në shërbim të zgjimit kombëtarë shqiptarë dhe lartësimit shpirtëror të shqiptarëve.
* Ndihmes i Presidentit te Shqiperise Nishani,studiues,botues dhe publicist.
Misioni i pakryer i ish të burgosurve politikë!
Nga Sulejman Gjana/
Kryetar i PLL/
Legalistët shprehin solidaritetin e tyre me grevën e urisë nga (ish) të persekutuarit politikë. Greva e këtyre ditëve na rikujton se kërkesat legjitime dhe të përsëritura pa ndërprerje prej më shume se 23 vitesh nga kjo shtresë në përgjithësi, kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër. Kjo shpërfillje dhe nëpërkëmbje mashtruese që i është bërë kësaj shtrese nga politika, tregon se kapitulli i persekutimit komunist nuk është mbyllur, por mbetet ende një plagë e hapur për mbarë shoqërinë shqiptare.
Dëmshpërblimi i kësaj shtrese nuk lidhet vetëm me atë monetar. Sepse nëse lidhet vetëm në këtë mënyrë, atëherë nuk do kishte thesar shteti për të dëmshpërblyer gjithë ato vuajtje dhe jetë të marruna e të shkatërruara padrejtësisht nga komunistët. Nisur vetëm nga aspekti monetar, mund të përfitojnë edhe elementë që janë dënuar kryesisht për vepra të rëndomta, duke u anashkaluar fisnikëria e kombit që e ka derdhur gjakun pa llogaritur edhe flijimin për kauzat që shqiptarët dhe politikanët e derisotëm i përqafuan me vonesë dhe veç kur nuk patën rrugë tjetër.
Nëse një ish i burgosur i mëshon vetëm idesë ”Duam paret tona”, kjo tregon se qëllimi vet nuk synon shpërfaqjen e skrupujve të fisnikërisë, por shpalosjen e instinkteve materialiste të vegjëlisë.
Çdo lloj orvatje tinëzare nga cilido lloj pushteti për t’i përzier të burgosurit e veprave ordinere me të burgosurit e ndërgjegjes, është helmi që klasa politike kripto e neokomuniste përdor për të goditur djallëzisht ashtin e kësaj shtrese fisnike deri ne vdekje. Qofte letrat me vlerë e qoftë premtimet në erë, janë mënyra më e sofistikuar që çështja e të burgosurve të ndërgjegjes të vonohet derisa të përgojohet nga shoqëria si diçka e bezdisshme, e të kaloje kështu në harresë. Prandaj, trajtimi me seriozitet dhe emergjencë i këtij problemi nevojitet të ketë përparësi për klasën politike, sidomos për ata që nuk e kanë nëpërkëmbur deri me sot një kauzë kaq të shenjtë.
Por, a nuk është hapja e dosjeve domosdoshmëria vetë që do të hedhë dritë në të kaluarën e errët dhe të errësuar qëllimisht nga klasa politike? A nuk është më e udhës që fillimisht të njihen publikisht persekutorët, e me pas edhe bashkëpunëtoret e tyre? A nuk është kjo mënyra qe bën të dallohen qartë të burgosurit e ndërgjegjes (ata që vërtet vuajtën për arsye politike nga lufta e klasave – dhe më pas ata qe vuajtën nga lufta brenda llojit – te pushtetit diktatorial) nga ata të materies; si dhe të përcaktohen shkaqet dhe pasojat e veprimeve të dënueshme penalisht apo edhe moralisht?
Hapja e dosjeve nuk duhet të përdoret më për presion politik dhe trajtimi i çështjes se ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë nuk mund të ndahet nga dekomunistizimi i vendit, aq më tepër në kushtet aktuale kur qarqe te caktuara synojnë rehabilitimin e diktaturës dhe diktatorit Hoxha. Shoqëria shqiptare dhe vendi kanë nevoje te ballafaqohen me realitetin e hidhur dhe të mbyllin një herë e mirë faqen e errët të historisë komuniste. Në këtë kuptim, dënimi penal i krimeve të komunizmit, në bllok, apo i individëve që kanë shkaktuar krime në emër të pushtetit që gëzonin gjatë diktaturës komuniste, vlen të jetë parakushti i çdo shpërblimi civil të mëtejshëm për shtresën e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politik.
Në kuadrin e dekomunistizimit të vendit, është e papranueshme që rishikimi i historisë t’u ngarkohet atyre pseudo historianëve që e kanë deformuar e përdhosur në shërbim të ideologjisë komuniste; por historia dhe tekstet shkollore duhet të rishikohen nga historianë te mirëfilltë, me qëllim që të ndërgjegjësohet shoqëria dhe sidomos brezat e rinj për dëmet e rënda që periudha komuniste dhe sistemi i tij i sollën vendit dhe popullit tonë.
Vetëm pasi të realizohet kjo, ish të përndjekurit dhe të burgosurit politikë nuk do te jenë më të mashtruar dhe do të mund të rehabilitohen e integrohen plotësisht në shoqëri. At’herë do të mund të justifikohet në thelb edhe dëmshpërblimi i tyre.
Ky dëmshpërblim mund të realizohet pa vonesë nëse verifikohen pasuritë e ish kuadrove të niveleve të dyta e të treta të ish-nomenklaturës komuniste dhe të familjarëve të tyre. E në rastet kur këto pasuri janë siguruar falë lidhjeve të tyre me pushtetin komunist, pse vallë mos t’u sekuestrohen dhe të shërbejnë për dëmshpërblimin e atyre që vuajtën për arsye të ndërgjegjes?
Kështu, edhe haka do të mund të shkojë te i zoti. Sepse kështu, të gjithë familjarët e të rënëve dhe ata që vuajtjen gjatë diktaturës komuniste për vlerat e shenjta të lirisë, demokracisë, kombit dhe orientimit perëndimor, nuk do të ndjehen më të tradhtuar dhe do të gjejnë paqe me vetveten dhe shtetin e tyre.
LAJMËRIM MORTOR- NDËRROI JETË JAK MILICAJ
Njoftojmë miqtë, dashamirët dhe komunitetin tonë se pas një sëmundje të shkurtër në moshën 75 vjeçare vdiq JAK MILICAJ.
I ndjeri para 45 vjetësh erdhi në SHBA nga Zllakuçani i komunës së Klinës, Kosovë. La vendin e tij për shkak të varfërisë dhe terrorit serb që bënte Beogradi asaj kohe dhe më vonë mbi popullatën shqiptare. Në New York punoi për kaq vite për të krijuar kushte sa më të mira për familjen e tij. Ishte familjar i respektuar, i dashur për shokë dhe miq, si edhe për të gjithë ata që e njohën dhe patën rastin të punonin me të.
I ndjeri Jak Milicaj la pas veti: bashkëshorten Lena, djemtë Luk e Nik Milicaj dhe vajzën Lisa Milicaj, councilwoman, Pleasant Valley, New York, si dhe nipa e mbesa.
Funerali i të ndjerit është të premten më 6 Qershor, 2014 prej orës 2:00 deri në orën 9:00 të mbrëmjes në Shtëpinë mortore:
Farenga Brothers Funeral Home
920 Allerton Avenue
Bronx, New York 10469
Tel: 718-654-0500
Trupi i të ndjerit nga shtëpia mortore niset të shtunën më 7 qershor në ora 8:30 te mengjezit.
Mesha e përmotshme mbahet gjithashtu të shtunën më 7 Qershor, 2014 në orën 10:00 para dite në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”.
Pas meshës bëhet vorrimi në varrezat Gates of Haven, Hawthorne, New York.