• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRËSHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE

July 25, 2020 by dgreca

  Shkruan: Frank Shkreli-

  Përfaqësia e përherëshme diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan –Dr. Ibrahim Rugovën dhe Kongresistin Xhon Luis, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë, pa dallim.Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njofton publikun nepërmjet një deklarate, në portalin e saj të fejsbukut se, në ditët e ardhëshme, do të kujtojë heronjë dhe udhëheqës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre në jetën publike, kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha, liritë bazë të njeriut, individë të cilët edhe kanë vepruar në mbrojtje të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë njerëzit kudo dhe pa dallim.  Fillimisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë ditët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët kujtohen si udhëheqës me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë vepruar e punuar, por edhe më gjërë. 

Statement from U.S. Embassy Pristina
Philip S. Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë mbetën bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale. 

Në njoftimin e ambasadës amerikane jepet një përshkrim i shkurtër i secilit prej këtyre burrave, për të shpjeguar arsyen se pse, pikërisht, këta të dy u përzgjodhën.   Në kohën e tyre ata u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në luftën për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, njëri në Shtetet e Bashkuara e tjetri në Kosovë.  

Në njoftimin për përzgjedhjen e ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova thuhet: “Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës.  Ai ishte shkrimtar, akademik dhe politikan që zbatonte dhe mbronte një politikë të rezistencës paqësore ndaj sundimit serb, në fushatën e tij për të siguruar lirinë dhe pavarësinë për Kosovën shtet-të pavarur dhe sovran.  Fushatën e tij për liri ai e kishte bazuar në fushatat për liri dhe për të drejta civile në modelin e qendresës së Gandhit (në Indi) dhe Martin Luther King-ut (në Amerikë).  Ai besonte në fuqinë e politikës dhe jo në dhunën”, për të realizuar objektivat e tija, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.  Aty citohen edhe fjalët e Ibrahim Rugovës që përmbledhin, pak a shumë vizionin e tij për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të marrëdhënieve me jashtë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur dhe demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi të qëndrueshme, një Kosovë të integruar në BE, NATO dhe me marrëdhënie të mira dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkluara të Amerikës”, përfundon citati i Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, botuar në faqen zyrtare fejsbuk të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Image may contain: 1 person, eyeglasses and closeup
Image may contain: 1 person, suit

Kongresisti Xhon Luis, njëri prej bashkpuntorëve më të ngushtë të udhëheqsit të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara Martin Luther King-ut gjatë 1960-70-ave, ishte një politikan amerikan dhe udhëheqës i lëvizjeve për të drejtat civile gjatë disa dekadave,por edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan nga shteti Xhorxha, duke filluar nga viti 1987 e deri që ndërroi jetë, disa ditë më parë, nga një sëmundje e rëndë.  Në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë citohet kongresisti Luis për bindjet e tija se, “Asgjë nuk mund të ndalojë fuqinë e një populli i cili është i përkushtuar dhe i vendosur për të bërë ndryshime në shoqërinë tonë.  Pse? Sepse qeniet njerëzore janë lidhja më dinamike me Hyjnoren në këtë planet.”, ka thënë Lewis.

Kongresisti Xhon Luis gjithë jetën e tij luftoi për të drejta të barabarta për vetën dhe për të tjerët, përfshir komunitetin e tij afrikano-amerikan.  Ai gjithmonë inkurajonte aktivistët e tjerë dhe qytetarët e thjeshtë që, “Mos ki frikë të bësh pak zhurmë dhe të shkaktosh telashe apo, ato që ai i quante “probleme për të cilat ia vlen të bëhet zhurmë, probleme që janë të nevojshme”, për të tërhequr vëmendjen e pushterarëve dhunues të lirive dhe të drejtave që duhet të jenë të barabarta për të gjithë.  Xhon Luis, konsiderohet si njëri prej “6 të mëdhejve”, të Lëvizjes së të Drejtave Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që punoi gjithë jetën e tij për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të afrikano-amerikanëve. Trashëgimia e tij, në mbrojtje të këtyre të drejtave dhe lirive, vazhdon edhe sot ndërkohë që përball nevojës për veprim dhe për protesta në mbrojtje të këtyre të drejtave të njeriut, fjalët e tija gjithnjë rezonojnë në veshët e atyre që ndoshta hezitojnë të aktivizohen në mbrojtje të këtyre të drejtave : “Nëse jo ne, atëherë kush?  Nëse jo tani, atëherë kur? 

Nuk e dij se ide e kujt është kjo nismë që ka ndërmarrë ambasada amerikane në Prishtinë, por është vërtetë një ide unike dhe me vlerë –për të venë në dukje personat që ndajnë të njëjtat vlera – qofshin personalitete të njohura ose jo, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova.  Ndoshta nga shembulli amerikan, ndoshta jo, por Rugova shpesh fliste për faktin se shqiptarët e Kosovës 30-vjet më parë e kishin humbur frikën që mund të kenë pasur nga regjimi diktatorial komunist sllav, ndërsa kërkonin trajtim dhe të drejta të barabarta nga okupatorët serb.  Dr. Rugova ishte shprehur në atë kohë se kemi humbur frikën por edhe “kemi arrijtur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”. Sikur shqiptarët e Kosovës, në fillim të 90-ave, i ishin përgjigjur pyetjeve për të cilat njihej Xhon Luis: “Nëse jo ne, atëherë kush?  Nëse jo tani, atëherë kur?

Bazuar në këto vlera të përbashkëta që, sipas ambasadës amerikane në Kosovë, pasqyrohen nga Ibrahim Rugova dhe Xhon Luis, Presidenti historik i Kosovës i vuri gur-themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke forcuar kështu mëtej lidhjet e forta midis dy kombeve tona, bazuar pikërisht në këto vlera të përbashkëta universale, për liri dhe drejtësi, për të gjithë dhe pa dallim.  Përveçse ndante dhe mbronte vlerat kombëtare dhe universale, Dr. Ibrahim Rugova u ofronte bashkbiseduesve edhe urtësinë e shqiptarit, vlerat e miqësisë dhe të qëndresës tradicionale, që pasurojnë vlerat universale, së bashku me besën, nderin e burrërinë, vlerata dalluese të Kombit shqiptar.  

Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit të tyre arbëror.  Dr. Rugova ishte një burrështeti shqiptar ndryshe – ai jo vetëm që I mbronte si vlera të shtrënjta kombëtare, por edhe frymëzohej nga këto virtyte.  Ai me durim, guxim e besim — fillojë të shpaloste para botës – në përputhje me vlerat perëndimore dhe universale — dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepër-këmbura për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste e anti vlerave perëndimore, por krejt e huaj dhe armiqësore edhe ndaj vlerave, kulturës dhe traditave më të mira shqiptare.  

Ishin këto vlera, mbi të cilat Dr. Rugova dëshironte që të ndërtonte shtetin e Kosovës dhe jo bazuar në një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në trashëgiminë e saj autoritare, por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit, në harmoni të plotë me vlerat e njohura universale për liri dhe të drejta të barabarta — themelore dhe të pa mohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim. 

Është inkurajues fakti që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ve në dukje, në këtë mënyrë publike, se besimi në vlerat e përbashkëta amerikano-shqiptare që ndante Presidenti Ibrahim Rugova me kongresistin amerikan, Xhon Luis, është mënyra më e mirë për të ndërtuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe për të forcuar mëtej miqësinë dhe bashkpunimin me Shtetet e Bashkuara.  Kam drojë se marrëdhniet e Kombit shqiptar me Amerikën kanë hyrë në binarë krejt ndryshe nga ato që dëshironte President Ibrahim Rugova.  Klasa aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, do bënte mirë të nxirrte mësime edhe nga simbolikat.  Shqiptaria ka nevojë për burrshtetas si Ibrahim Rugova, vërtetë një burrë vlerash universale dhe kombëtare!  Krenar që e kam njohur!

Frank Shkreli

NDER DHE PRIVILEGJ QË E KAM NJOHUR KETË BURRËSHTETI TË KOMBIT SHQIPTAR! – NË VARRIMIN E TIJ MBARË BOTA TREGOI SE KUSH ISHTE IBRAHIM RUGOVA!

See the source image

Takimi i parë me Dr. Ibrahim Rugovën, në vizitën e tij të parë në Shtetet e  Bashkuara të Amerikës, Tetor, 1989, Washington DC

              Takimi i fundit me të ndjerin President Rugova, Prishtinë, 2005

Autori me Presidentin Ibrahim Rugova dhe me Kongresistin Eliot Engel, mikun e madh të shqiptarëve, duke marrë pjesë në një sesjon të Kuvendit të Kosovës, 2005

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kujtohet Dr. ibrahim Rugova

Në fillim

July 25, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Që në fillim, komunizmi – i cili, në ditët më të hershme mori formën e diçkaje të sheqerosur – u ndihmua me aksione, atentate që i përdori aq shumë si reklama, si disa lloj biznesesh sot që presin me përshëndetje e miklime blerësit për t’u shitur prodhime të dobta a false. Komunizmi iu përshtat klimës dhe shijeve shoqërore të kohës, duke krijuar një ofertë-kërkesë të rreme gati të çastit për ide të freskëta. Të gjithë fëmijë donin t’u ngjanin komunistëve, si rebelë, të pabindur ndaj një brezi të rriturish, në kurriz të të cilit jetonin. Kjo tregon sesa përparimtare dhe sa dinamike po bëhej idea komuniste. Librat e historisë akoma pyesin se kush u tërhoq nga kjo ide para se të rrëshqiste nëpër kurthe a plasaritje. Ecuritë ishin aq të pasigurta, ngjarjet ndryshonin aq shpejt. Në çdo rast a shpesh, përndjekësi mund të bëhej i përndjekur. Dje përkrahës a komunist i flakët, sot tradhtar a poli-agjent. Një mani gjithmonë ndezur, ku askush nuk ka kohë të mbajë të dhënat e duhura gjatë një manie të tillë.

Komunizmi në Shqipëri, i cili filloi me “200 petrita” e ndonjë falkon jugosllav kishte rreth 5-6 grupe që përhapnin ide të përkthyera – kishte edhe dyqane cigaresh, ku kryente takime. Kishte edhe shumë pak shtëpi të vogla, posaçërisht për të nxjerrë në pritë e vrarë, pasi ishin spiunuar, shokët e vet dhe më pas t’i shpallte – këtë hero, atë tradhtar.

Në shtëpi nuk mund të mblidheshin shumë persona. Kështu, komunizmi krijoi gazeta primitive, trakte (me fjalë të parashikuara), dhe aksione drejtpërdrejt siç mund të shihen në skena a kinema. Supozoni se një ‘shfaqje’ zgjat dy orë. Supozoni se një kinema jep pesë shfaqje në ditë. Supozoni se çdo shfaqe tërheq një turmë mesatare prej 250 vetësh. Kjo do të prodhonte, përafërsisht, 1000 simpatizantë në ditë vetëm në një shfaqje – dhe për 5-6 muaj i gjithë qyteti do të bëhej komunist.

Komunizmi e merr produktin e vet nga propaganda, prej saj krijon një kërkesë të shfrenuar, dhe në fund, për të mos pasur asgjë të re për të treguar. Biznesi në komunizëm ishte kronikisht i paqëndrueshëm dhe i prekshëm nga shteti gangster. Kushtet e dhunës – sulmi ndaj gabimeve, ikja – nënkuptonin se sa shumë një luftë klase, që të fitohej, varej nga filmat dhe letërsia. Kështu, u krijua realizmi socialist ose realiteti në thonjëza. Filmat më të hershëm, ato të viteve 1950, ishin për të varfërit, të pashkolluarit, etj. Të gjithë vinin në dukje fëmijët, dhe ishin të alarmuar se si vendet perëndimore ishin të mbushur me fëmijë të varfër, të cilët dukej sikur nuk kishin asgjë më të mirë për të bërë. Mosmiratimi shoqëror lind me ide të zemërimit akademik. Ndërkohë, nëse jemi të prirur të mendojmë se filmat e letrat e shkruara mund të jenë art, le të kujtojmë se në periudhën 1945 – 1990 ato përkuan dhe ndihmuan shtypjen më çnjerëzore që shqiptarët kanë provuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Në fillim

“TOPIN NËN PUSHTETIN E TYRE”- NJË LIBËR I RI I SKIFTER KËLLICIT

July 24, 2020 by dgreca

Autor i disa librave me temë sportive, vellime me tregime, novela,romane,libra publicistiko-shkencore, si ‘Një ndodhi në stadium,’Ne toke te huaj’,”Tirana dy orë para dënimit’,’Historia e futbollit’,’Nga 2-3-5, në 4-4-2′, ‘Yjet futbolit botëror’, Skifter Këllici, krahas romaneve të njohura, ‘Atentat në Paris, ‘Vrasje me duar të bardha’, ‘Shtatori i gjemes se madhe”, i kthehet përsëri veprave me temë sportive. I tillë është libri ‘Topi nën pushtetin e tyre’.
  Pjesa e parë, perfshin  kujtime të të tij si gazetar dhe komentator sportiv radio-televiziv, dhe pjesa e dytë,analiza,recensione, fejtone, ndodhi dhe tregime humoristike me temë sportive.
  Nga ky vellim po shkëpusim ndodhinë e mëposhtme.

  PASI IMITOVA ZËRIN E LUKSHINOVIT NË MIKROFON…
            (1960)

  Lukshinovi ishte një trajner i njohur në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1956 ai erdhi në Shqipëri që të ndihmonte për ngritjen profesionale të trajnerëve tanë dhe të futbollit. Dhe duhet thënë se bëri një punë goxha të frytshme. Mbaj mend në ato vite se si merrej në stadiumin “Qemal Stafa” me futbollistët e rinj qe drejtoheshin nga trajneri ynë aq i apasionuar, Adem Demneri. Ai u largua nga vendi ynë pas dy vjetësh, dukë lënë përshtypje shumë të mira, jo vetëm si trajner, por edhe si njeri. Ishte shumë i dashur dhe hokatar, por edhe “pakëz” qefli  i i vodkës dhe i rakisë, duke mos bërë kështu dallim nga rusët e tjerë. Dhe ja, pa pritur e pa kujtuar, në vjeshtë të vitit 1960 Lukshinovi na zbarkoi sërishmi në Tiranë së bashku me “Admiraltecin” e Lenigradit,(sot Sankt Petersburg), skuadër e re e kategorisë së parë të kampionatit të futbollit sovjetik. Doemos, ai u prit me nderimet e një miku të rrallë nga ish të njohurit e tij, trajnerë a futbollistë.
   Vite më parë, 16−17-vjeçar, nuk kisha pasur mundësi, jo vetëm të bisedoja, dhe këtë edhe po të doja nuk do të mundja se rusishtja ime ishte për ibret, por edhe sepse,për çfarë do të mund të bisedoja unë më të, duke qenë vetëm një nxënës gjimnazi. Mirëpo, tani ndryshonte puna: unë po bëja një vit që kisha nisur të punoja gazetar në Radio Tirana, dhe, për më tepër, së bashku me Ismet Bellovën komentoja ndeshje futbolli.
  Kësisoj, në rolin e gazetarit sportiv lashë takim me të në hollin e hotel “Dajtit”, ku ishte vendosur skuadra sovjetike. S’do mend që kisha marrë me vete armën themelore të gazetari të Radios, domethënë jo lapsin, por mikrofonin. Lukshinovi foli me shumë hare për futbollin tonë. Atij i bënte përshtypje se si që brenda tre vitesh, që nga koha e largimit të tij nga Shqipëria, po shihte disa futbollistë të rinj, midis të cilëve, Panon dhe Skënder Halilin (Merjen), vëllezërit Mema, Frashërin e të tjerë, të cilët ishin bërë, sipas tij “groznëije futbalisti”, (futbollistë të hatashëm). Veçanërisht ngrinte lart Panon. Dhe kishte hak. Në ndeshjen e parë që “Admiralteci” zhvilloi me “Partizanin” tonë, të vinte për të qarë kur shihje se si qendërmbrojtësi i sovjetikëve, Krizhevskij, zdap, një kokë më i lartë se Panoja, humbiste thuajse tërë dyluftimet ajrore me të. Jo vetëm kaq, por, kur Panajoti i jepte një të shtyrë të lehtë topit e pastaj sulej si macja mbi miun me një vrap
 dalldisës, i ngrati Krizhevsk, mbetej shumë prapa tij.
 Një gjë e tillë ndodhi në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje, të cilën pata fatin ta komentoja për
 Radio Tiranën. Panoja që nga mesi i fushës e kaloi atij topin enkas midis këmbëve të hapura dhe u sul turravrap që nga mesi i fushës. Megjëthëse rusi duke dihatur nuk i ndahej, nuk shihte veçse thembrat e Panos që shënoi një gol të rrallë. Ja, për këto përshtypje e të tjera më foli Lukshinovi në këtë intervistë me mikrofon, duke uruar që Panon, Halilin dhe futbollistë të tjerë t’i shihte vitin tjetër në stadiumet e Lenigradit, Moskës dhe qyteteve të tjera të Bashkimit Sovjetik.
 Mirëpo nuk qe e thënë, sepse diktatori Hoxha në nëntor të atij viti i prishi keq hesapet me Hrushovin, që të ndërtonte socializmin ‘me forcat e veta’.
 Po të kthehemi rishtas te intervista, e cila përfundoi më së miri. Pastaj me Lukshinovin dhe të tjerë pjesëtarë të skuadrës hëngrëm e pimë, sa nuk plasëm e, kësisoj pasi u ndava me të, ia thera vrapit për në Radio, ku të nesërmen do të përgatisja “Rubrikën Sportive”. Mirëpo këtu ndodhi hataja e zezë, që kurrë nuk më kishte ndodhur më parë. Sapo u bëra gati të përgatitja emisionin, vura re se intervista s’dëgjohej gjëkundi në shiritin e regjistrimit. Mbi këtë shirit një shoku im, gazetar, pa e vrarë fare mendjen se çfarë mund të ishte ruajtur më parë në të, kishte regjistuar një intervistë me një mjek, për sëmundjen e harresës.
>  Mend më iku tepeleku!. E shava dhe e mallkova shtatë brezash shokun tim për këtë prapësi të pashembullt, ndonëse e kisha vetë fajin që nuk e kisha hequr shiritin nga magnetofoni, për ta ruajtur në sirtarët e mi.
  Si t’ia bëja? Zakonisht në intervista me të huaj ne transmetonim vetëm fjalët e para të bashkëbiseduesit, e pastaj folësi lexonte përkthimin plotë në shqip të tyre.”Të paktën të ishin ruajtur ato djall fjalësh të para, − merrja e jepja tërë mllef me vete. Kështu do ta kisha hedhur bukur fort lumin.
>  Kishte një zgjidhje: Duhej të shkoja edhe një herë në hotel “Dajti” dhe atje duke i kërkuar njëmijë herë të falur Lukshinovit, t’i lutesha ta bënim dhe një herë intervistën. Dhe isha i bindur që Lukshinovi babaxhan nuk do të ma prishte. Ndaj, pa humbur kohën, mora më telefon hotel “Dajtin”.
  Merreni me mend, kur, që andej më njoftuan se ekipi sovjetik ishte nisur për në Durrës, për t’u njohur me monumentet historike e pastaj do të shkonte në plazh, ku, ta pret mendja,
    parasysh kohën e bukur, rusët do të kridheshin në ujërat e Adriatikut, gjë që kurrsesi nuk mund ta bënin në Balltikun e Lenigradit që edhe në verë është brisk i ftohtë. Pra, kjo ishte punë që nuk bëhej.
 Mirëpo, aty për aty truri ma dha me të shpejtë: “Po sikur ti t’i thuash vetë ato fjalë të Lukshinovit?”. Dhe po aty po ky tru ma priti:”Mos e zgjat, se nuk ka për t’u bërë batërdia”.
 Pa humbur kohë, u futa në zyrë, mbylla derën përbrenda me çelës dhe me mikrofon nisa të përsëritja në rusisht fjalët e para që më kishte thënë Lukshinovi një ditë më parë në hotel “Dajti”. Mirëpo halli ishte se duhej ta bëja zërin si të tijin. Për fat të mirë, duhet thënë se ai kishte një zë pakëz të ngjirur dhe hundak, jo shumë të vështirë për t’u imituar. Dhe kështu kuturisa. E vërteta është së pedagogët e mi të rusishtes, një pjesë rusë, më kishin thënë se unë e shqiptoja rusishten mirë, bile Lukshinovi ma bëri dhe më shumë qejfin, kur më tha se e shqiptoja gjuhën e tij të nënës më mirë se një trajner polak që kishte studiuar në Leningrad.
  Sa për vetë atë, kisha bindjen se në hotelin “Adriatik” të Durrësit,ku futbollistët e “Admiraltecit” do të kalonin edhe natën në një banket të begatuar më se miri, Lukshinovit as që do t’i binte ndërmend që të dëgjonte atë intervistë. Kësisoj, pasi regjistrova fjalët e para të tij, përgatita emisionin sportiv,ku kjo intervistë zinte vend kryesor dhe shkova me mëndje të fjetur në shtëpi.
   Merreni me mend gëzimin tim, kur të nesërmen miq e shokë më përgëzuan për emisionin dhe sidomos për intervistën që kisha bërë me Lukshinovin. Po atë ditë, pa u kthyer fare në Tiranë, Lukshinovi me skuadrën shkuan në Aeroportin e Rinasit e që aty morëm  fluturim me avion për në atdhe.
  Dy ditë më pas, pata rast të takoja një punonjës të Komitetit të Kulturës Fizike që kushte shoqëruar ekipin sovjetik. Dhe aty mora vesh të papritura që më  fillimthi më tronditën, por pastaj më bënë të qesh me të madhe.
 Gjatë mbrëmjes së lamtumirës përkthyesi i kishte kujtuar Lukshinovit intervistën. Dhe ai, thuajse xurxull, për të dëgjuar më mirë, i ishte afruar radios në banak me një krikëll birre në dorë. Pastaj i ishte kthyer ndihmëstrajnerit dhe i kishte thënë me habi se përse zëri i kishte dale disi i ngjirur gjatë intervistës. Atëherë ndihmësi i tij, edhe ai xurxull, duke parë krikllën në dorën e Lukshinovit, i ishte përgjigjur:
 − Po si të të mos dilte zëri i ngjirur, shoku Lukshinov, kur ti për të shpërlarë rakinë, po pi birrë të ftohtë.
  Dhe Lukshinovi, në vend që t’ia kriste gazit e t’i thoshte: ”Budalla, unë po e pi birrën tani, se atë ditë kur bëra intervistën nuk kisha vënë në gojë as raki dhe as birrë”, i ishte përgjigjur:
  − Ke të drejtë dhe tani po e kuptoj se fajin që zëri më ka dalë i ngjirur, e paska kjo djall birre.. që po pi…..

Filed Under: Sport Tagged With: Skifter Kellici, Topi nen pushtetin e tyre

ZGJIMI

July 24, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Të zgjohesh është mirë, por të zgjohesh në kohë të papërshtashme është gabim, si njeriu që e gjen veten në anën e gabuar të shtratit. Këtë kishte parasysh Faik Konica kur thoshte se shpalja e pavarësisë më 1912 ishte gabim, pasi populli nuk ishte gati, shpejtēsia e ngjarjeve nuk ishte në një hap me ‘të.

Një zgjim i shëndetshëm, premton një ditë të mirë. Provo zgjohu gjumë-prishur a i trembur, dhe gjithë dita do të shkojë si mos më keq. Në këtë pikë zënë fill edhe problemet tona. Kur pavarësia u shpall nga një grup elitarësh perandorakë osmanë, populli ishte asgjë; i vuajtur, i shtypur për 500 vjet, shqiptarë kishin harruar origjinën. Ata mendonin se ishin turq në çdo qelizë. Dhe bënin pyetjen – nga duhet ta shpallim pavarësinë, nga vetja? Kjo ndoshta ishte arsyeja që pavarësia u prit përgjumësh e pa emocione (lëre se ç’thonë filmat a historiografia e kohës me shtypje), si për të treguar se pavarësia a çdo ndryshim varet vetëm nga kreu, siç pretendohej në fundin e sundimit PPSH; kjo bëri që më pas të lindnin edhe lëvizjet me thirrjet “Dum Babën!” – për kthimin e osmanëve – njësoj si sot me disa që thonë, se ishte më mirë koha në diktaturë.

Deri në Kongresin e Lushnjes (1920), Shqipëria ishte thjesht nocion. Vitet që pasuan ngjizën ndjenjën se shqiptarët kishin mbetur vërtet vetëm, “të pavarur”, dhe si rrjedhojë u duhej të ekzistonin për të mos rënë në duart e fqinjëve. Dalja e Ahmet Zogut si figurë qëndrore shkaktoi reagime nga shumë figura intelektuale, jo se Zogu nuk ishte i tillë, por ishte ambicja e tyre për rivalitet e pushtet. Që nga ajo kohë, rivaliteti u bë modalitet, që e detyroi Zogun të mblidhte parlamentin dhe me vota të shpallej Mbret më 1928-n.

Pas kësaj konjukturat ndryshuan; komunizmi hyri në lojë në Ballkan; fillimisht si ide e re në Shqipëri, ku gjeti përkrahje e strehë mes të rinjve, kryesisht bijë pasanikësh, tregtarësh e pronarë tokash, apo studentë të dështuar që shteti i kishte mbajtur me bursa a shpenzime jashtë; njësoj si Marksi që jetonte me ndihmat e Engelsit, i cili luftonte kundër pronës private, por i gëzohej pronës së vet, ose si Lenini që e kishte filluar karierën e tij në Rusi, si bir i një familje të begatë ekonomikisht. Kështu, mos u çudit që komunizmi mbijeton; është thjesht hipokrizi e tërë, sepse ADN-ja e tij nuk është proletarianizmi, të cilën e përdor vetëm për mashtrim e propagandë për të tërhequr pas njerëz të verbër a të fikur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Zgjimi

RESTAURIMET NË KORÇËN E TURIZMIT HISTORIK, KULTUROR, TRADICIONAL E ARKITEKTUROR

July 24, 2020 by dgreca

Gjergji Koki, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e monumenteve të kulturës dhe restaurimet në veprat muzeale në qarkun e Korçës. Me Gjergji Kokin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MUZEU I SHKOLLËS SË PARË SHQIPE “ABC” DREJTË MUZEALIZIMIT

Në lidhje me restaurimet në Korçë, nuk kam si ta nis ndryshe sepse imazhi që më vjen në mëndje direkt dhe e po e them shkurt është ABC. Ky objekt simbol ka pothuajse pak muaj që ka mbaruar restaurimin, por nëse kalon në pedonale, nuk mund të mos të marrësh nga ndjesia që të përcjell. Restauruar Tradicionalisht këtij objekti historik, pas dëmtimeve të shumta ndër vite por edhe pas tërmetit, iu rikthyen vlerat në aspektin arkitektonik, e ndërsa në proçes është faza e muzealizimit.  Kjo e fundit do të shpalosë gjithë historikun dhe ndjesitë e vërteta të të përjetuarit të ABC së vjetër në ditët e sotme. Kisha e Ristozit, objekt me rëndësi të veçantë në rajonin tonë, pas shumë vitesh në proçes restaurimi, ka përfunduar duke u rikthyer besimtarëve një tempull të denjë besimi. Dhe ky objekt ka pasur problematika të mëdha pasi është zhveshur nga restuarimet e gabuara ndër vite dhe është resturuar duke e kthyer në identitet kishën. Mbase me fjalë një proçes restaurimi do të duket i thjeshtë sidomos kur e shikon të përfunduar, por të gjitha hapat kanë vështirësi të cilat mund të jenë dhe fatale për monumentin prandaj ndiqen deri në detaj.

NËPËR RRUGICAT ME KALLDRËM

Nëse ecën në Korçë, në rrugicat të duket sikur do të humbasësh. Ti hyn në një prej tyre qetësisht, ecën në kalldrëm, rrethohesh nga vila dhe për një moment e gjen veten në zhurmën e Bulevard Republikës, por shumë shpejt ndjen përsëri rrugicën tjetër dhe vazhdon qetësisht të shijosh kalldrëmin dhe nëse fokusohesh do të kuptosh arkitekturën e qytetit vetë. Të duken të pafundme këto rrugica ndonjëherë dhe të njëjta për ata që vizitojnë, por jo secila  të ofron një gjë të re për të parë. Aty gjen, stile të pafundme të përdorura të dekoracioneve në fasadë, kornizime, konfiguracione kangjëllash, herkelat e dekoruar, format e banesave, kapitelet e mahnitshme, portat hyrese, rrethimet…. dhe nëse hyn brenda tyre do të doje të jetoje aty ta siguroj, hapësira të mëdha, oborre me lule.. Por nëse do të ishe me fat, do të mund të shihje dhe dy brendi vilash ku do të humbisje në pikturat e mureve dhe tavanëve, po po do të humbisje sesi një vilë ka çdo mur të pikturuar me skena relaksuese për të cilat do të doje tju tregoje të gjithëve. Por kur ecën nëpër rrugica diku të hapen dhe sheshe, diku del në Bulevard, diku ngjitesh dhe del tek “Kryqi”. Bulevardi pastaj është një muze i hapur ku ecen dhe tregon me gisht, uaaa sa e bukur kjo vila dhe kjo tjetra, po këto kapitelet me figura. Por çfarë është më e rëndësishmja se ti këto vila në Bulevard mund ti shijosh hërë si bujtina, si bar apo dhe si restaurant. Kjo falë investimeve dhe restuarimeve që u janë bërë vitet e fundit në kë objekte me vlera të trashëgimisë ndërtimore. Pronarët kanë invetuar duke ruajtuar dhe duke nxjerrë në pah çdo vlerë të kësaj tipologjie objektesh në këtë zonë. Kështu ti mund ta shijosh kafen në oborrin e një prej këtyre vilave. Dhe objektet të cilat janë në rrugica dhe i nënshtrohen ndërhyrjeve ndjekin këtë linjë, ruajnë vlerat e tyre, harmonizohen në lartësi dhe formë me objektet në zonë, dhe nëse një objekt nuk është në karakter me zonën, kur realizon ndërhyrje kthehet në një objekt me karakteristika të banesës korçare.

OBJEKTET QË RUAJNË VLERAT E QYTETIT

Çdo objekt i ri apo i vjetër si qëllim ka ruajtën në tërësi të vlerave të qytetit. Rrugicat e gjallëruara nga banesat të cilat faqen që nxjerrin nga rruga e kanë të pasuaruar me dekorancione fantastike siç shihet dhe në fotot në shkrim. Herë këto objekte janë të rrethuara me kangjella dhe herë me mure rrethuese. Mobilimet zakonisht janë të ngarkuara dhe dritare të shumta ku thyhet drita nga grilat. Qilimat e leshit mbulojnë dhomat cep më cep në ngjyrë të thellë të blusë e të kuqes. Këto dhe mobilje të punuara janë si karakteristike të banesave të vjetra. Banesat edhe pse mund të jenë në zgjidhje planimetrike të njëjtë, trajtimi i jashtëm ndryshon. Për të mos harruar pazarin që sot është destinacioni ku mund të “flesh, hash, kërcesh” së bashku me kulturën, historinë, traditën, arkitekturën e qytetit tonë. Aty ku ndodhet dhe Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit,  xhamia e parë me kub e ndërtuar në Shqipëri. Së bashku me një numër ndërtimesh përreth saj si imareti, banja, furra etj. Xhamia e Mirahorit formonte në mesjetë një qendër urbane pranë tregut të qytetit. Përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa të mëdha, e mbuluar me kupolë mbi tambur, e cila paraprihet nga hajati i hapur nga një arkadë me harqe të mprehta mbi mbështetje masive, i mbuluar me tri kupola të vogla. Në skajin veriperëndimor të sallës ngrihej minareja. Mori statusin monument kulture në vitin 1948. Ka akoma shumë për të trëguar, muzetë në Korçë janë fokusi i viteve të fundit dhe në proces kemi dhe hartimin e projektit për restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut Arkeologjik. Korca është një muze i hapur do të thoja ku ecën dhe ke gjithmonë diçka për t’u bërë kurioz për të ditur, kuptuar, njohur më shumë në aspektin e trashëgimisë.

TË VEÇANTAT NË ARKITEKTURËN E BANESAVE KORÇARE

Karakteristikë që ka marrë vëmëndje është dhe shprehja e arkitekturës dhe detajeve në banesë, por dhe teknikave konstruktive. Materialet kryesore guri dhe tulla por nuk mungojnë dhe elementët e drurit. Gurët më të përdorur për detaje arkitektonike ishin gurët me ngjyrë gri ose të zezë dhe shtufi që nxirreshin nga kodrinat e zonës. Këto elementë janë përdorur aty ku kërkohej një theksim arkitektonik. Portat e jashtme kanë një mënyrë të veçantë të trajtimit arkitektonik. Kolonat gjithashtu janë një element që duhet përmendur. Përkujdesje më të madhe tregohej në kapitelet me motive të ndryshme. Zakonisht suvatimi i ndërtesave bëhej për arsye të mbrojtjes nga agjentët atmosferike dhe realizohej me kujdes dhe i kushtohej një rëndësi e veçantë. Për llaçin përdorej rërë e larë mirë, gëlqere e stazhionuar dhe një raport i drejtë i përbërësve të llaçit.

PUNIMET NË GURË

Suvatimi ka shërbyer edhe si një mjet për trajtimin dekorativ të ndërtesave. Guri si element më i fisëm i liheshin pjesët më të theksuara, kurse në elemente të tjere e zëvëndësoi suvaja, si korniza pilastra, qarkime dritaresh. Kështu ky dekoracion u përhap gjërësisht dhe në familjet ku zbukurimet me gurë ishin të paarritshme ekonomomisht. Kornizimet kishin forma të ndryshme nga të harkuarat deri në ato trekëndësh të ruajtura deri në ditët e sotme dhe të ripërdorura për ndërtime në këtë zonë në kohën e sotme. Më të zakonshme janë përdorimet e kornizave përreth dritareve, pra në të gjithë perimetrin e saj. Shumë të përdorshme janë dhe pllakat dekorative me reliev të vendoura poshtë dritareve. Nuk mungojnë dhe kornizat nënçati apo dhe në ndërkat. Format janë përgjithësisht të drejta por nuk mungojnë dhe rastet me motive të ndryshme të stiluzuara si lule gjethe etj. Elementët e hekurit e plotësojnë objektin nga ana e trajtimit dekoratov. Ku në fillim përdoreshin vetëm si skara për dritaret por më vonë u zgjeruan në parapetet e shkalleve, ballkomeve etj. Të gjitha këto karakteristika janë fokusi i ndërtimeve në ditët e sotme në lagjet historike të qytetit. Objektet më të rëndësishme monument kulture gjithashtu mund ti aksesoni në një tur virtual, e bërë e mundur kjo dhe e promovuar edhe gjatë muajve mars prill të pandemisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergji Koko, Restaurimet ne Korce, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • 461
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT