• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM – KËRKESË NGA “RRENJET” NE ROME

April 29, 2014 by dgreca

Për pasurimin e Bibliotekës “San Nilo”, Grottaferrata-Romë/
Redaksia e gazetes “Rrënjët”, që botohet në Romë, i njofton dhe u drejtohet me lutje të gjithë shkrimtarëve, poetëve, historianëve, arkeologëve, publicistëve dhe shtepive botuese shqiptare, që të japin ndihmesën e tyre, në pasurimin e mëtejshëm të bibliotekes “San Nilo”, monument kulture në Itali. Prej shumë shekujsh, kjo bibliotekë, që është drejtuar nga murgjër arbëreshë, është pasuruar dhe ka në fondet e saj vepra të autorëve shqiptarë, të dhuruar prej tyre, si: Barleti, Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Jeronim De Rada, Jul Variboba, Zef Skirò, Ernest Koliqi, Pjeter Abnori, Ylli Polovina, Andrea Llukani, Visar Zhiti, Valentin Mustaka, Cosmo Laudone dhe shumë e shumë të tjerë. Në fondet e kësaj biblioteke janë me dhjetëra vepra të autorëve të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, gjeografinë dhe gjuhën shqipe. Pas vdekjes së Padre Markos, kjo bibliotekë i ka humbur lidhjet me autorët e shumtë shqiptarë, që dikur e ndjenin për kënaqësi dërgimin e librave të tyre. Fondet dhe skedarët e librave shqiptarë, në këtë bibliotekë, tani e kanë shumë të domosdoshme këtë bashkepunim, pra procesi i i pasurimit të saj duhet të jetë i vazhdueshëm.
Shënojmë këtu se Abacia “San Nilo” është i vetmi kult fetar, i ritit bizantin, në Shtetin Italian. Këtë truall, mbi njëmijëvjeçar, e kane vizituar personalitete të ndryshme shqiptare, si presidentë, kryeministra, ambasadorë, shkrimtarë, gjuhëtare, arkeologë, studjues e pasionantë të librit, të cilët e kanë vizituar me kërshëri e interes edhe bibliotekën. Në këtë Abaci, për herë të parë, është zhvilluar mesha, në gjuhen shqipe, prej Arkimadritit, padre Emiliano Fabricatore. Gjithashtu, prej mbi 20 vjetesh, aty zhvillohen veprimtari të ndryshme kulturore, arbëreshe – shqiptare.

Të nderuar shkrimtarë e poetë, të të gjitha gjinive, autorë të fushave të ndryshme, kudo ku jetojnë shqiptarë, botues etj.!
U drejtohemi me kërkesën atdhetare e miqësore, duke ju falënderuar paraprakisht, që ju ta jepni ndihmesën tuaj, në pasurimin e kësaj biblioteke, me kulturë e histori të lashtë shqiptare.Në këtë mënyrë, të gjithë ne së bashku, vemë në jetë amanetin e Jeronim De Rades, i cili thoshte: “Biblioteka “San Nilo” nuk është vetëm e studiuesve italianë e të huaj, por ajo është edhe e jona, sepse aty gjendet një kapacitet i madh dorëshkrimesh të vjetra dhe libra të gjinive të ndryshme, falë parardhësve tanë. Detyra jonë është që, këtë bibliotekë, jo vetëm ta pasurojmë sa më shumë, por dhe ta frekuentojmë”.
Për më shumë informacion, adresa e-mail është:
hasan.aliaj@tiscali.it ose editoriarrenjet@hotmail.it
Ndërsa adresa, ku mund të dërgohen librat, është:
Redaksia e gazetes “Rrenjet”
Via – Filippo Corridoni, nr. 23
00046 Grottaferrata, Rome-ITALI
NGA: REDAKSIA E GAZETËS “RRËNJËT”
Romë, 29 prill 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: “San Nilo”, bibliotekes, Grottaferrata-Romë, kerkese nga gazeta Rrenjet

SHQIPTARËT NË MAQEDONI-PSE NUK I MORËN TRE DEPUTETËT E DIASPORËS?!

April 29, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Risi: në Elektoriadën 2011 u shtuan edhe tri njësi zgjedhore. Kjo kërkesë e kahershme edhe e partive politike shqiptare. Nga këto njësi elektorale, kemi si thuhet në përditshmëri: “Deputetët e Diasporës”. Kësaj nuk ia ka mbrri ende as Shqipëria, as Kosova, as Mali i Zi.
Kështu, Kuvendi i Maqedonisë ka 123 deputetë gjithsej.
Në dy zgjedhjet e fundit (2011, 2014) kjo risi prodhoi vetëm fitore për partinë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE. Të tre deputetët në dy herat elektorale janë të saj.
Në koft se VMRO-DPMNE nuk do t’i kishte fitue këta tre deputetë, atëherë situata paszgjedhore në Maqedoni do të ishte disi ndryshe, pasi kjo forcë politike që doli e para në zgjedhjet e 27 prillit do të kishte 58 deputetë. Prapë ky numër i deputetëve do të ishte nga ma tw lartit që koalicioni VMRO-DPMNE me 22 parti politike ka siguruar në tetë palë zgjedhje parlamentare. Mirëpo nuk do ta kishte fuqi aq të madhe për diktat e hjekësi në zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, në ndamjen e portofoleve ministrore me partitë shqiptare, etj.
Përndryshe: këto tre mandate të Diasporës e kanë ngritë partinë e Gruevskit në kuotën e 61 deputetëve gati sa në vitin elektoral 2008. Ajo sot mundet të formojë qeverinë në koalicion vetëm me koalicionin maqedonas GROM (Partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë, Partia Liberale, Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni, Lidhja e Forcave të Majta të Titos e Partia e Demokratëve të Lirë) që ka fitue një deputet.
Kësisoj, Koalicioni Qeverisës i Gruevskit kap 28 parti politike nga 47 parti që morën pjesë në zgjedhjet e fundprillit 2014. Numerikisht mbi gjysmën e tyre.

2.
Çështja shtrohet hapur e qartë: A munden partitë politike shqiptare në Maqedoni që të fitojnë tre deputetët e Diasporës ndërkontinentale? Sigurisht që po. Shembujt flasin vet. Po i hedhim një sypamje Amerikës.
“Kërçova e dytë” në Çikago (SHBA) në zgjedhjet lokale të vitit 2013 i dha fitoren shqiptare pas 70 vitesh komunës së Kërçovës tue zgjedh një kryetar komunar shqiptar (Fatmir Dehari i BDI), pasi rreth 1.000 shqiptaro-amerikanë kërçovas, me vullnetar kombëtar e shpenzimet e tyre mortën pjesë në votim.
Kryebashkiaku i Tiranës metropolitane, Lulzim Basha, në janar 2013 në përurimin e xhamisë së Sahatit në Dibër të Madhe në fjalën e tij përcolli simbolikën e “Tri Dibrave”, ku njëra prej tyre është në Amerikë. Rreth 15.000 dibranë thuhet se jetojnë në Nju Jork me rrethina, aqsa “Staten Island” thirret edhe “ishulli i dibranëve”, të cilët i dhanë tone luftës së UÇK-së në Maqedoni e fitoren e thellë kandidatit të BDI mr. Ruzhdi Lata në Dibër të Madhe.
Në Nju Jork, në zonën e “Tri Shteteve”, kemi diasporë të madhe të shqiptaro-amerikanëve të Strugës, të cilët i dhanë fitoren në komunën e Strugës, Ziadin Selës, kandidatit të PDSH.
Njësia zgjedhore nr. 8 e “dy Amerikave” në vitin 2011 ka pasë 1.824 votues të regjistruar në 24 vendvotime në Nju Jork, Uashington, Çikago, Detroit (SHBA) e Toronto (Kanada) po votuan vetëm 994 prej tyre. Fitoi VMRO-DPMNE, partia e Gruevskit.
Në zgjedhjet parlamentare të sivjetme (sipas të dhanave paraprake) në SHBA-Kanada ishin të regjistruar 3.337 votues e morën pjesë në votime 1.776 prej tyre. Kandidati Pavle Sazdov i VMRO-DPMNE fitoi mandatin e dytë si “deputet i Diasporës”, ashtu sikurse edhe kandidati Tefik Abdullahi i BDI në Çikago (me komunitet të madh të shqiptarëve nga Kërçova e Prespa) mori rreth dy herë ma shumë (351 vota) se kandidati i VMRO-DPMNE.
Dihen të gjitha ndikimet elektorale të partisë maqedonase VMRO-DPMNE me koalicionin e saj, si shkelja ekstreme e Kodit Zgjedhor, ndihma shtetërore infrastrukturore për votuesit e saj maqedonas (si dërgimi në qendra votimi me autobuza, etj.), përfshirja e ambasadave e konsullatave të Maqedonisë në përkrahje të partisë maqedonase në pushtet, votimi me pasaporta të vjetra, etj. Dihen dhe mungesa të mëdha të emrave të shqiptaro-amerikanëve nga Kërçova, Dibra e Madhe, Struga, etj. të cilët figuronin edhe në lista votimi në vendlindje qyshse nga zgjedhjet lokale, etj. Po asnjana nga partitë, as BDI e aq ma pak PDSH, as LSDM e opozitës maqedonase nuk mund të kërkojnë ripërseritjen e zgjedhjeve në “Dy Amerikat” pasi nuk ua mundëson as rezultati i tyre elektoral i pakët.
BDI e Ali Ahmetit duhet ta ketë aksiometrike fitoren e deputetit të saj në Diasporë (Dy Amerikat) për dy arsye: Flitet se numri i shqiptarëve nga FYROM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) në Amerikë (në zonën e “Tre Shtetshit”) si kumton gazetari dibran Beqir Sina në Nju Jork, kalon mbi 25 mijë vetë. Kanë votuar vetëm 478 shqiptaro-amerikanë për dy partitë politike shqiptare: BDI e PDSH. Një shifer që mund t’i bahen dhjetra komente nga ma të ndryshmet. Tjetër: PDSH duhet t’i matin ma mirë forcat e veta politike, pasi kandidati i saj Ferki Bekteshi në Amerikë-Kanada ka marrë vetëm 3 apo 4 vota(!)
Ndoshta PDSH duhej t’i hapte rrugë elektorale BDI në “Dy Amerikat”, pasi prania e saj nuk pati vota elektorale, po krijoi imazhin në Diasporë se “shqiptarët në Maqedoni janë të përçarë në parti politike”, etj. çka ndikoi sadopak në pjesmarrjen në votime, sidomos diaspora e Strugës, etj.

3.
Në njësinë zgjedhore nr. 7 që përfshin në hartën elektorale shtetet në Europë-Afrikë, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2011, gati u trefishue numri i të regjistruarëve për votim dhe u mbi trefishue numri i pjesmarrjes së votuesve. Natyrisht u rrit edhe numri i votuesve shqiptarë. Ishin gjithsejt rreth 3.500 vetë. Përndryshe mbi 1.000 shqiptarë ma shumë se ç’ishin krejt votues nga Maqedonia në vitin 2011 në zonën Europë-Afrikë.
Votimi në Europë-Afrikë dritëroi një fakt të errët të partive politike shqiptare në Maqedoni: koalicioni politik elektoral në mes tyre. Sikur tri partitë politike shqiptare: BDI, RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit) e PDSH të dilnin sëbashku me një kandidat fitorja ishte mëse e sigurt përballë kandidatit Risto Mançev (inxhinier në Itali) të VMRO-DPMNE, i cili fitoi mandatin e dytë si deputet i Diasporës Maqedonase.
Po mundej të ndodhte edhe tjetra: të fitonte i vetëm edhe kandidati i BDI gostivarasi Ismail Beluli, biznesmen në Zvicër, i cili mori rreth 3.000 vota. Kandidati i RDK, Enver Osmani, mori rreth 500 vota, ndërsa kandidati i PDSH, Shpend Saiti (në Zvicër) mbi 100 vota (sipas të dhanave jo përfundimtare).
Në njësinë zgjedhore nr. 9 Australi-Azi, ku figurojnë të regjistruar për votim 3782 votues, mbi katër herë ma shumë se në vitin 2011. Mirëpo pjesmarrja në votim ishte e pakët. Kjo njësi zgjedhore mund t’i lihej edhe PDSH të Menduh Thaçit e mbështetur nga të gjitha partitë e tjera shqiptare. Mirëpo, BDI doli e vetme me kandidatin e saj Driton Maliku, ku edhe mund të fitonte po të kryente ma shumë punë kryehere, pasi numri i shqiptarëve në Australi të shkuar nga Maqedonia është i madh, disa herë ma i madh se numri i të regjistruarëve për votim.

4.
Në tri njësitë zgjedhore për “deputet i Diasporës” (në ato nr. 7, 8, 9) në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit 2014 figurojnë të rregjistruar rreth 21.000 shtetas të Maqedonisë (edhe shqiptarë) me të drejtë vote. Sipas një përllogaritje: mbi tre hërë ma shumë se në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit 2011.
Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) ende nuk e ka të saktësueme diasporën e saj shumetnike, pasi në regjistrimet e saj manipulon herë pas here e ma së forti në dam të shqiptarëve etnik. Agjensia për Emigrim flet për 433.233 shtetas të Maqedonisë (edhe shqiptarë) në diasporë. Ministria e Punëve të Brendshme për 125.000 vetë. Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë publikon se vetëm 68.000 shtetas të Maqedonisë kanë të drejtën e votës në tre njësitë zgjedhore në Diasporë.
Sidoqoftë shqiptarët në Maqedoni, ma saktë: BDI e Ali Ahmetit, ishte afër mundësisë reale për të fituar tre “deputetë të Diasporës” apo, tekefundja vetëm dy prej tyre, në Amerikë e në Europë. Kështu, BDI do të ishte sot me 21 apo 22 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë.
Nëse sivjet partive politike shqiptare në Maqedoni ua mirëkuptojmë shfajësimet e ndryshme, etj., në elektoriadën tjetër parlamentare do të ketë vetëm përgjegjësi politike e qytetare për mos fitoren e tre “deputetëve të Diasporës”.

Filed Under: Analiza Tagged With: deputet ne Diaspore, fituan, perse nuk, Ramiz Lushaj, Shqiptaret e Maqedonise

Rrëfimi i Ismail Kadares: Ja e vërteta e letrës së Dhora Lekës .Të hapen dosjet !

April 29, 2014 by dgreca

Eksluzivisht në “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Kadare komenton dhe letrën e kompozitores Dhora Leka . Shkrimtari kërkon hapjen e dosjeve./
Shkrimtari i madh Ismail Kadare rrëfen se ai është ndjerë i befasuar kur ka lexuar letrën e Dhora Lekës për Enver Hoxhën. Gjatë një interviste për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”, ai thotë se tragjike është moshapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit, jo e kundërta.
Përshëndetje zoti Kadare! Në median e shkruar ditët e fundit është botuar një letër që kompozitorja Dhora Leka i ka dërguar diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, në të cilin shprehet se ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit dhe synonte që t’iu fuste ju në kurth. Ju si e keni pritur botimin e kësaj letre unikale, që nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, ndoshta edhe në tërë Evropën ish-komuniste?
Është e vërtetë që është rast i rrallë, mesa e njoh unë jetën e shkrimtarëve, kolegëve të mi në shtete të ndryshme komuniste. Ka pasur kurthe të vazhdueshme, por që të ekzistojë një letër e tillë ose e ngjashme, sigurisht që kanë ekzistuar, por një rrëfim i tillë ndaj shefit komunist të një vendi, unë nuk di të ketë ndodhur. Ose të paktën nuk është botuar, nuk është bërë e njohur. Ngjarjen e kam ditur gjithmonë, ka ndodhur gjysmë shekulli më parë, por letrën nuk e kam ditur as që ekzistonte pale të kem ditur përmbajtjen e saj.
Si u ndjetë në momentin që e lexuat të gjithë letrën?
Jam befasuar jashtëzakonisht. Nga vetë letra, përmbajtja e saj dhe nga stili, toni i saj, një lloj ekstaze e aktit të denoncimit.
Ajo që mua më ka bërë përshtypje zoti Kadare, ndoshta edhe që i përkas një brezi tjetër, ishte vetofrimi që kompozitorja Dhora Leka bënte për të bashkëpunuar me organet e Sigurimit. Madje, duke bërë edhe vërejtje, duke treguar edhe detaje të asaj që ajo e quante komplot që ajo e kishte në mëndje dhe që Sigurimi e kishte në plan si ide. Çfarë ishte ky? Ishte një rast sporadik apo kështu funksiononte sistemi dhe sidomos ndaj shkrimtarëve dhe konkretisht ndaj jush?
Ishte sistemi natyrisht. Nuk ka gjë sporadike, nuk ka gjë të pazakonshme, është në logjikën e mbrapshtë të gjërave të një diktature. Zakonisht në një diktaturë shkrimtarët e njohur, filozofët e njohur, artistët e njohur janë në përgjim. Kur ka diktaturë në një vend, ka përgjim njerëzish të shquar qofshin këta të sferave politike, artistike, filozofike. Kështu që nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. I jashtëzakonshëm është tregimi me pasion i këtij aksioni, sesi është e mundur që njeriu që e ka bërë këtë përpjekje për të futur në kurth një njeri tjetër, një koleg të saj artist, nuk ka kurrfarë pendimi, madje ka një lloj krenarie. Kjo tregon se këtu ka dy anë, njëra anë që përgatit kurthin, i kërkon denoncuesit ta ngrejë kurthin, pastaj ai që e merr këtë rezultat për ta shfrytëzuar. Këtu ka ndodhur një gjë pak e çuditshme. Ka një mister, që jo gjithçka kuptohet e qartë. Njeriu që e ka marrë këtë, udhëheqësi i vendit, diktatori, shefi si ta quajmë, ka ditur diçka apo s’ka ditur asgjë. Personazhi nuk është gjallë që të japë sqarime. Ndoshta ka dokumente të tjera të fshehura me shumë kujdes.
Por edhe mund të jenë zhdukur?
Edhe mund të jenë zhdukur, padyshim. Ato që janë më “komprometuese”. Ndoshta çdo sistem zgjedh dokumentet që duhet t’i zhdukë. Ato që mund t’i ruaje një farë kohe, ato që i djeg përgjithmonë pa mëshirë sepse turpi është kaq i madh saqë është i padurueshëm edhe kohë më vonë sikur të zbulohen.
Zoti Kadare ishte moment që ju ishit në Berat. Ky ishte shfrytëzimi i rastit që zonja Dhora Leka të bënte atë bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit. A patët ndonjë moment me të vërtetë të vështirë, që ju e kuptuat që Shërbimi Sekret ju survejonte?
Jo, kur erdhën këto letra…. Historia është shumë e ndërlikuar, nuk është kaq e thjeshtë. Ka pasur dy lloj letrash. Letra pasionante, romantike, erotike në fillim e më pas letra kërcënuese. Sigurisht nga letrat e para nuk ishte ndonjë dramë për një shkrimtar të marrë letra nga një vajze, e cila mund të ketë një ngarkesë erotike, por të përmbajtur. Letrat ishin shumë korrekte, shumë të përmbajtura, pa asgjë të tepruar. Është normale. Shkrimtarëve u qëllon të marrin letra të tilla, nuk të bën ndonjë përshtypje. Letrat e tjera janë të pazakonshme krejtësisht, sepse ato janë letra që të vënë ty në pozitën e një komplotisti. Ajo shkruante “Pse ti nuk vepron bashkë me ne, besnikët e Moskës, për të përmbysur regjimin?”. Është e habitshme, ku e gjeti ajo. Nuk e njihja këtë grua, e kisha parë vetëm në rrugë.
Ju e diskutuat me njeri këtë?
Po, e kam diskutuar me shokët e mi. Me disa, jo me një. Kjo mesa duket e bëri që të dështonte ky aksion, sepse e humbi fshehtësinë. Këto letra nuk mundej më të mi kapte dikush mua, në një bastisje, e të më thonte pse s’i ke treguar. I bëra bisedë me shokët e mi, kisha shumë shokë atëherë në Berat, inxhinierë kryesisht, ndonjë shkrimtar. Edhe kjo prishje e sekretit dogji rezultatin e tyre.
Pas vitit ’90 zonja Leka mori njëfarë vlerësimi ose rivlerësimi. Si e vlerësoni ju figurën e saj? Kur edhe produktet e saj muzikore u vlerësuan, madje edhe një shkollë në Tiranë mori emrin Dhora Leka. Si i komentoni?
Unë nuk kam dëshirë të merrem më një bisedë të tillë, të them të drejtën. Ajo s’është më në jetë. Ajo e ka marrë mbi ndërgjegjen e saj këtë që ka ndodhur, ndoshta ka lënë shpjegime në një ditar të sajin, në një letërkëmbim me dikë të afërt. Por unë e kam shprehur mendimin dhe i përmbahem këtij mendimi. Që ajo ka qenë një grua që ka vuajtur vërtetë, për fat të keq vuajtja e çoi në një humbje drejtpeshimi mendor, moral, të logjikës. Në radhë të parë është një letër e pikëllueshme. Ka pasur një arsye të fshehtë, arsyeja e parë që të shkon ndërmend është që ka dashur të shpëtojë vetë ajo nga një survejim i keq i shtetit. Paska gjetur një mënyrë që me një shërbim të tillë të rregullojë bio-grafinë e saj, të cilën në fakt as nuk e rregulloi, as nuk e përkeqësoi. Pak a shumë u duk sikur shteti do ta shqyente 400 copash që doli ky sekret, që ajo tha ato fjalët e famshme në mbledhje, që nuk e kam bërë me kokën time. U mat t’i thoshte dhe nuk e lanë të fliste. Ajo do të tregonte mesa duket, e zemëruar, me një zemërim që më ka habitur dhe i ka habitur të gjithë, e patrembur. Me kuptimin që unë i shërbeva Partisë, i shërbeva Sigurimit, siç kërkohej prej meje dhe unë kërkoj të respektohem. Kjo ka qenë çudia, befasimi i kësaj ngjarje.
Zoti Kadare, në të vetmin rast mes shkrimtarësh që kemi një pendesë është ajo e shkrimtarit Fatos Kongoli, i cili ka shkruajtur një roman, ku shpreh pendesën që ka bërë një dëshmi në gjykatë për një kolegun e tij, i cili ishte dënuar. Ky është rasti i parë dhe i vetëm që një shkrimtar e bën këtë gjë. Përse nuk kemi raste të tjera, zoti Kadare, që të kenë atë pendesën e madhe?
Varet. Pendesa pritet nga një njeri që ka diçka për t’u penduar. Mund të jetë një kërkesë e përgjithshme. Secili përgjigjet përpara ndërgjegjes së vet.
Si e vlerësoni ju, rastin e Fatos Kongolit?
Ishte një rast i kuptueshëm për një njeri që e vret ndërgjegjja për diçka, është normale.
Më bëri përshtypje kur po përgatisja intervistën, që keni shpëtuar nga burgu një të ri me emrin Maks. Jam befasuar nga ajo që ju keni bërë, nga ajo shpirtgjerësi. Ai ishte i arrestuar, por mund ta dënonin edhe me pushkatim, dhe ju e keni shpëtuar, duke i bërë atë relacionin hetuesit që, nuk ka lidhje që kjo poezi të jetë bërë kundër pushtetit dhe kundër regjimit të asaj kohe. Pse, z.Kadare e keni fshehur këtë anë, që ju me ato ekspertiza keni ndihmuar?
Ky është rasti i vetëm që ka ndodhur. Nuk më ka ndodhur rast tjetër. Mua s’më drejtoheshin për ekspertizë. Por ka qenë një rast unik. Një hetues i cili gjithashtu ishte në dilemë, dhe mbante në pranga dikë në burg, i bëri thirrje ndërgjegjes sime si profesionist.
“Z. Kadare, kam një poet të mbyllur në qeli. A mund t’ju tregoj ju lutem një vjershë të tij, vetëm kaq”. Dhe më la të kuptoja që nuk i mbushej mendja se ishte fajtor. Nuk mund t’ia refuzoja, sepse kjo nuk është ekspertizë. Përkundrazi, kapa nuancën që, e mundon diçka këtë hetues. Nuk i mbushej mendja. Nuk e tha haptas, por mesa kuptova unë. Me shumë sjellje, shumë mirësjellje. E pashë që ishte tmerruar.
Unë nuk kam dashur t’i bëj reklamë një gjëje që është normale për një shkrimtar, n.q.s. ti ke në dorë të shpëtosh një njeri, n.q.s. të vjen dikush dhe të thotë, ‘dëgjo se i kemi kapur në dorë një vjershë këtij armikut’. Ai më tha se si mendonte zyra e tij. I thashë që, ‘këtu nuk ka asgjë armiqësore’. E bëra pa mëdyshjen më të vogël. Kjo ekziston, gjendet, dhe dokumentet janë. Hetuesi më duket se jeton. Nuk e kam bërë bisedë, për të mos u dukur si një sjellje e pazakonshme. Nuk ishte as heroizëm, ishte një sjellje që nuk pësoi asgjë nga kjo. Krejt normale si sjellje.
Zoti Kadare, ju e bëtë këtë gjest. Por nga ana tjetër, edhe Sigurimi i Shtetit ju ka survejuar nga format më të ndryshme. A keni ndonjë moment kulmor që me të vërtetë ju e keni vuajtur më shumë sesa denoncimi apo synimi për kurth që donte të bënte Sigurimi i Shtetit me Dhora Lekën?
Jo. Këtë gjë e dija, e merrja me mend, dhe prapë më dukej normale për një shtet si yni. Unë kisha studiuar në Moskë, në kryevendin e përgjimeve të gjithë shkrimtarët e shquar ishin të përgjuar. Dhe ishte krejtësisht normale. Për të mos thënë që, ndonjë shkrimtar që ishte i papërgjuar fare, dukej si i pavlerësuar. Nuk kishte pse të të shqetësonte kjo gjë. Ne ishin mësuar të gjithë.
Domethënë, shkalla e përgjimit lidhej me shkallën e nivelit të shkrimtarëve?
Jo gjithmonë. Por shkrimtari është shumë i lehtë të përgjohet. Ka raste kur edhe në Perëndim janë përgjuar ndonjëherë shkrimtarët. Kaq e lehtë është për një shtet, për një polici, për një shërbim sekret të përgjojë një shkrimtar! Është si një sport zbavitës.
Zoti Kadare, sa herë diskutohet një denoncim, një debat i tillë, bëhet pyetja e famshme që, “pse nuk hapen dosjet?”. Më ka bërë përshtypje që në 1994-ën është përmendur fraza që, “në qoftë se hapen dosjet e Sigurimit në Shqipëri, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare”. Si e komentoni ju?
Kjo është një alibi. Një farë përpjekjeje për të përligjur moshapjen e arkivave të fshehta. Unë e kam pasur mendimin të prerë gjithmonë. Madje kam bërë shumë armiq me këtë. Një pjesë e njerëzve që më sulmojnë, s’mund të thonë që ‘ne po të sulmojnë që të hapen dosjet’. Por është shumë e lehtë të akuzosh një shkrimtar, nga drejtimet më të ndryshme. Pra mendimi im ka qenë i prerë, që duhen hapur dosjet, duhen hapur arkivat e fshehta. Duhet që çdo vend kur kapërcen, kalon nga një diktaturë, gjëja e parë që bën shqyrton pjesën e keqe të ndërgjegjes së vet. Pa këtë nuk ka asnjë emancipim. Ose duket sikur ka ecje përpara, por në fakt ka ngecje në vend.
Ky është momenti që Kasem Trebeshina ka thënë për momentin e zonja Lekës, se ‘nuk është faji i saj, po i Ismail Kadaresë’.
Nuk kam asnjë koment. Për mua dhe për asnjë njeri normal, Kasem Trebeshina nuk duhet të jetë një referencë morale. Ka një biografi shumë të rënduar nga kjo anë.
Në ç’kuptim?
Ka shërbyer vetë. Ka qenë oficer i Sigurimit i Ministrisë së Mbrojtjes, që quhej në atë kohë Ministri e Brendshme. S’kam dëshirë të flas për të.
Përse një pjesë e shkrimtarëve, edhe pse kanë këtë njollën që ju thatë, vazhdojnë pas vitit 1990 të nderohen edhe me çmime, edhe me rritjen e vlerës publike; a është kjo e moralshme, z.Kadare?
Kurrsesi. Sigurisht, nuk është e moralshme për asnjë moral njerëzor, në asnjë rend, në asnjë kohë, në asnjë sistem shoqëror. Këto nje-rëz, në heshtje duhet të vuajnë ato që kanë bërë, sa kanë bërë, pa bujë. Ky është ndëshkimi më i madh për ta. Të vuash në heshtje dhe pa bujë, atë që ti gjen të papastër në ndërgjegjen tënde. Që të bëhen nderime kur shteti e di çfarë janë, nuk është normale. Është të kapërcehet, të bëhet një mbrapshti morale e pakapërcyeshme. S’ka pse t’iu bëhen nderime. S’po them a duhen ndëshkuar më vonë apo jo. Ky është një ndëshkim moral, secili e vuan në mënyrë private. Por të nderosh një denoncues, një njeri që ka marrë në qafë njerëzit, është akti më i keq i njerëzit. Të nderosh Judën, i cili është personazhi më i zi i referencës morale botërore të njerëzimit, njeriu më i afërt i Krishtit, i cili e tradhtoi atë. Prandaj paradigma e Judës, e njerëzve të afërt që rrinin disa herë rrotull shkrimtarëve për t’i përgjuar, është e pafalshme. Akti i tyre është i pafalshëm. Për fat të keq, tek ne falen. Po të kthehem tek ajo që thatë ju, që nëse hapen dosjet, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare. Nuk ka një tragjedi kombëtare nga një pastrim i ndërgjegjes. Tërë vendet e botës e kanë kryer këtë proces të detyrueshëm, i cili është i dhimbshëm. Por mund të them se ata nuk kanë pësuar një tragjedi, asnjëri prej tyre. E filloi Gjermania, Çekia, Polonia, me shumë vështirësi Rusia. Askund nuk mund të thuhet se ka ndodhur ndonjë tragjedi. Përkundrazi, tragjedia ndodh kur nuk hapen. Jemi ne që jemi ndërkaq në tragjedi. Në mbyllje të kësaj të fshehte.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dhurata Leka, dosjet, Ismail Kadare, rrefimi

DHURATA NGA AMERIKA PËR BIBLIOTEKËN KOMBËTARE GJATË VITIT 1930

April 29, 2014 by dgreca

(LIBRAT E DHURUARA NGA LEGATA E SHQIPËRISË NË UASHINGTON DHE NGA FEDERATA “VATRA” E BOSTONIT)/
Nga Frederik Stamati/Tirane/
Një miku im, Shpëtim Sala, njeri tepër i dhënë pas koleksioneve historike dhe i çiltër në pasurinë intelektuale që ka, më dha i pari shtysën e pa përballueshme për të hedhur në letër këto pak rreshtat e mëposhtme, e që rrahin të kujtojnë një ngjarje të tetëdhjetë e katër vjetëve më parë, një ngjarje pa bujë dhe e mbyllur me kohë në arkivat e shtetit shqiptar. Dikur ai kishte lexuar një shkrimin tim për uniformën e një luftëtari të Trupit Vullnetar dhe sapo i ra në dorë broshura e Aqif Përmetit mbi mënyrën e stërvitjes së ushtarëve të Trupit ngriti dorezën e telefonit. Kaq ishte puna! Gjëja më interesante është se kjo broshurë bën pjesë në listën e librave që Federata “Vatra” i dhuroi Bibkiotekës Kombëtare në vitin 1930. Kushdo mund të bëhet kurioz dhe të vrasë mëndjen për rëndësinë e librit. Mirë! Unë nuk do ta komentoj broshurën për përmbajtjen, as për saktësinë ushtarake, as se në eksperiencën, apo rregulloret e cilit shtet është mbështetur autori. Këto janë çështje tepër larg njohurive të mija ushtarake, nuk guxoj dhe po u a lë specialistëve të stërvitjes fushore, por do të thom nja dy – tre fjalë për Trupin Vullnetar. Ai u krijua në Amerikë me sygjerimin e Mehmet Konicës dhe me përkujdesjen e “Vatrës”. Qëllimi ishte pjesmarrja në Luftën e Parë Botërore duke u rreshtuar pranë Forcave Aleate, për të siguruar kështu zyrtarizimin e paprekshmërisë së kufijve të vitit 1913. Mijëra shqiptarë firmosën pjesmarrjen në këtë njësi të armatosur ushtarake, duke blerë me paratë e tyre edhe armatimin. Mirëpo një forcë ushtarake nuk mund te funksionojë pa një organizim të përsosur që nga gjërat më elementare, që nga disiplina e rreshtimit, ecjes, etj, etj, gjë që në forcat e armatosura përcaktohet me rregullore. Këtë tematikë përmban broshura e hartuar nga Aqif Përmeti. Pastaj, më vonë, në vitin 1920, një pjese këtyre vullnetarëve të stërvitur ushtarakisht, u inkuadruan në “Gardën civile” dhe erdhën në Shqipëri në vitin 1920 në bazë të kërkesës së qeverisë së Sulejman Delvinës.
Në listën që rreshton librat e dhuruara nga “Vatra” broshura e Aqif Përmetit përmendet pak më ndryshe: me sa duket nëpunësi që e ka shkruar nuk ka treguar kujdesin e duhur dhe të domosdoshëm në të tilla raste, madje duke “ja futur kot” për ndonjë gjë, por megjithatë janë vogëlsira, të cilat nuk prishin punë.
Në Arkivin e Shtetit, në Fondin 195, Dosjen 122 dhe Faqen 173, ruhet kjo shkresë:(Te plote do ta lexoni ne Dielllin e printuar)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: dhurata ne Biblioteken Kombetare, Frederik Stamati, Vatra dhe Legata e Washingtonit

Shpifja, kjo armë e njerëzve pa karakter

April 29, 2014 by dgreca

Për shpifësin nuk gjendet ilaç që ta shërojë-Aristofan/
Shkruan: ESHREF YMERAJ/
Më datën 22 prill 2014, në gazetën internetike “Fjala e Lirë” të moderatorit të nderuar Prof. Fatmir Terziu, unë botova, si reagim, artikullin me titull “Mirënjohje e thellë për zonjën e nderuar Nimfa Hakani”. Ndaj artikullit tim, një ditë më vonë, më 23 prill, ka reaguar zoti P. Gjerazi, i cili deklaron se është historian. Në reagimin e vet ai më akuzon se unë i paskam bërë një interpretim të shtrembëruar analizës së shkëlqyer të zonjës Hakani në artikullin e saj me titull “““Kozmopolitizmi” dhe “Europianizmi” shqiptar shfaqet në mënyrë të shëmtuar”, të botuar në“Fjala e Lirë” më 21 prill 2014. Dhe, për të “argumentuar” akuzën e vet, rrëshqet në batakun e një shpifësi të rëndomtë që s’e ka për gjë ta shesë të bardhën për të zezë.
I mllefosur kundër meje, ashtu siç dinin të mllefoseshin dikur vetëm komunistët shqiptarë enverhoxhistë përballë kundërshtarëve të tyre politikë, zoti P. Gjerazi, që nuk e ka burrërinë të prezantohet me emër të plotë, por vetëm me iniciale, shpif kundër meje në mënyrën më të çuditshme, duke deklaruar se unë paskam qenë komunist, ndërkohë që unë s’kam qenë kurrë i tillë. Por meqenëse unë kam qenë shef iRedaksisë së Përkthimeve të veprave të Enver Hoxhës në ish-Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, sipas këtij historiani, unë “duhet të kem qenë” komunist!
Në artikull unë shprehja pikëpamjen time se me ftesën që Televizioni Klan i kishte bërë këngëtarit shovinist serbZdravko Çoliç, nuk kishte bërë gjë tjetër, vetëm se kishte vazhduar traditën e antinacionalizmit shqiptar, themelet e të cilit i hodhën Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë më 8 nëntor 1941. Si historian që qenka, zoti P. Gjerazi, ma do mendja, duhet ta ketë lexuar librin e dr. Vasfi Baritut, me titull “Enver Hoxha në optikë të re”(Shtëpia Botuese UEGEN, Tiranë, 2013), një libër ky me të dhëna befasuese, tërësisht rojtinore (arkivore), përmes të cilave zbulohet lakuriq figura e Enver Hoxhës, i cili, në marrdhëniet me Beogradin, del para opinionit publik shqiptar si një udhëheqës pa kurrfarë morali kombëtar.
Nën parullën e antinacionalizmit enverian që mbollën në truallin tonë amtar Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, komunistët shqiptarë i lejuan shovinistët serbomëdhenj të kryenin masakrën e rëndë të Tivarit. Nën këtë parullë antikombëtare, edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në vitin 1948, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga tirania serbe për në atdheun amë, Enver Hoxha ose i kalbte në burg, ose ia kthente Titos në kufi për t’i pushkatuar apo për t’i varrosur për së gjalli nëpër burgjet apo kampet e përqendrimit të Jugosllavisë. Miqësia e nëndheshme e Beogradit me Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij, jo vetëm që ka lulëzuar për një gjysmë shekulli, çka u konkretizua me kthimin mbrapsht të poetit Havzi Nela dhe dorëzimin e tij autoriteteve shqiptare në fundin e viteve ’80, për të përfunduar në litar me urdhër të kriminelit Ramiz Alia, por ajo vazhdoi të bëhej edhe më e përndezur edhe pas shembjes zyrtare të sistemit komunist. Pikërisht ftesa që Televizioni Klan i bëri Zdravko Çoliçit është refleksion i asaj tradite miqësore mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit dhe manifestim iantinacionalizmit shqiptar që zë fill pikërisht më 8 nëntor 1941, në dëm të interesave jetësore dhe kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Por zotit P. Gjerazi nuk i intereson të shtrojë pyetjen se si është e mundur që Televizioni Klan nuk fton këngëtarë nga Kroacia, nga Sllovenia apo nga Bullgaria, por fton të tillë pikërisht nga Serbia? Kësaj pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese analisti Gani Mehmetaj në artikullin e tij me titull “Bashkëkombasit e mi të vonuar”, të botuar në faqen e internetit më 21 prill 2014. Ftesa i qe dërguar pikërisht këngëtarit shovinist serb, sepse pas kësaj ftese fshihej prapavija politike: hedhja në mëri e shqiptarëve të Kosovës kundë shqiptarëve të Shqipërisë Londineze, pra, mbjellja dhe selitja e farës së përçarjes në radhët e kombit shqiptar. Për pasojë, jo pa një domethënie të thellë, tre këngëtarët kosovarë e braktisën festivalin e këngës të Televizionit Klan. Prandaj edhe serbët, siç thotë analisti Gani Mehmetaj, deklarojnë se shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë, kurse shqiptarët e Kosovës janë të këqinj. Kjo mëri apo përçarje mes shqiptarësh ka qenë tradicionalisht dhe vazhdon të jetë në themelin e strategjisë afatgjatë të shovinizmit serbomadh që ka pasur dhe vazhdon tëketë si qëllim hedhjen e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit.
Një historiani nuk i lejohet të deklarojë se Shqipëria paska qenë shtet satelit i fuqive nazifashiste. Me këtë deklaratë naive historiani P. Gjerazi i shkon pas midesë shovinizmit grekokaragjoz, i cili vazhdon të mbajë në fuqi ende ligjin e luftës, duke e konsideruar Shqipërinë shtet agresor, meqenëse nga territorii saj Italia fashiste sulmoi Greqinë në vjeshtën e vitit 1940. Të jesh shtet satelit, do të thotë të gëzosh të gjitha atributet e një klike në fuqi që ndjek në mënyrë të verbër dhe pa parime politikën e një shteti tjetër më të madh e më të fuqishëm. Por Shqipëria nuk ishte asokohe vend satelit se ishte e pushtuar, pra ishte shndërruar në një vend kolonial i Italisë fashiste, nuk kishte politikë të jashtme. Shqipëria u bë vend satelit i Jugosllavisëpas nëntorit të vitit 1944 deri në vitin 1948. Paskëtaj, ashtu si edhe të gjitha vendet e Evropës Lindore, Shqipëria, deri në vitin 1961, u kthye në shtet satelit të Bashkimit Sovjetik.
Është i padiskutueshëm roli i komunistëve shqiptarë në organizimin e popullit kundër nazifashizmit. Sepse në vetëdijen e popullit tonë, që prej 7 prillit të vitit 1939, filloi të ziente urretja kundërfashizmit. Prandaj shqiptarët nuk mund të bëheshin kurrsesi aleat të tij. Por nuk duhet mohuar edhe roli i madh i forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit në luftë kundër nazifashizmit. Por Enver Hoxha, nën ndikimin e emisarëve të Beogradit, i vuri kazmën Marrëveshjes së Mukjes dhe Luftën Antifashiste, pas gushtit të vitit 1943, e degjeneroi në luftë vllavrasëse, civile, pikërisht në përputhje me platformën antishqiptare të shovinizmit serbomadh,duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për të hequr qafe zgjedhën nazifashiste.
Antikomunizmin tim historiani P. Gjerazi e vlerëson si më të thekshën se antikomunizmin e senatorit amerikanJoseph McCarthy (1908-1957) në vitin 1950.Interesante! Pa dashje, zoti P. Gjerazi zbulon admirimin e vet për komunizmin. Se domosdo që nuk do t’i ishin ngulitur kaq thellë në kujtesë qëndrimet antikomuniste të senatorit në fjalë.
Historiani P. Gjerazi kërkon t’ia ngrejë lart aksionet Enver Hoxhës kur deklaron se kur erdhi dita, Partia Komuniste e Shqipërisë ia përplasi në fytyrë pabesinë antishqiptare Josif Broz Titos. S’është aspak e vërtetë. Enver Hoxha u bë “trim” kundër Titos vetëm pas letrës së 28 marsit të vitit 1948 që i erdhi nga Stalini. Deri asokohe Enver Hoxha ishte një kukull e pështirë në duart e shovinizmit serbomadh dhe Shqipërinë kërkonte ta shndërronte në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pak më poshtë do të jap ca fakte konkrete edhe për qëndrimin poshtërues që Enver Hoxha ka mbajtur ndaj popullit shqiptar në marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Në pjesën e parë të komentit të vet, zoti P. Gjerazi e ngre lart figurën e Enver Hoxhës, kurse në pjesën e fundit ngrihet kundër tij. Kot që mundohet t’i heq vetes një sapun mbi gunë, për t’u mbushur mendjen lexuesve se gjoja është antienverist. Nuk është nevoja të përdoren marifete të tilla. Njeriu duhet të ketë burrërinë t’ideklarojë haptas bindjet e veta politike kur e bie rasti. S’ka ndonjë gjë të keqe të jesh enverist, komunist. Sot jemi në demokraci dhe për bindjet e gjithsecilit, qoftë ky individ i pavarur apo formacion politik, gjykon populli ditën e zgjedhjeve në kutitë e votimit.
Komentin e vet zoti P. Gjerazi e mbyll me deklaratën e mëposhtme:
“Por degjenerimi moral i një televizioni privat nuk mund t’i faturohet Enver Hoxhës, por sundimtarëve të Shqipërisë, nga viti 1990 e deri më sot, të cilët i kanë ulur biznesmenët serbë këmbëkryq në ekonominë, politikën dhe në artin e Shqipërisë”.
Interesante! Po pse zoti P. Gjerazi nuk interesohet të dijë se cila është arsyeja që pas vitit 1990 Serbisë i janë bërë gjithë këto lëshime prej politikanëve shqiptarë dhe konkretisht edhe nga një televizion privat? Zoti P. Gjerazi duhej të ishte objektiv dhe t’i përgjigjej kësaj pyetjeje burrërisht, duke u thelluar në gjenezën e saj. Megjithatë, përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep në një mënyrë sa bindëse, aq edhe shteruese analisti Gani Mehmetaj:
“Ata nuk e duan Çoliqin, Bregoviçin e viçët e tjerë, vetëm sepse janë serbë, ata i duan sepse ua kujtojnë kohën e egër të izolimit total, kohën kur të vetmin model e kishin televizionin jugosllav dhe ndonjë këngëtar serb. Ata as që donin të mendonin se ka parajsë tjetër pos Jugosllavisë e kryeqytet pos Beogradit! Kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e pati edhe diktatori Enver Hoxha. Këtë qëndrim prej skllavi të robëruar në mendje ua barti edhe një pjese të shtetasve të vet, madje edhe atyre që e urrenin diktatorin”[Citohet sipas: Gani Mehmetaj. “Bashkëkombasit e mi të vonuar”. Marrë nga faqja e internetit “ina” (Iliria News Agency)”. 21 prill 2014].
E, pra, dëshira për të ftuar këngëtarë shovinistë serbë në Tiranë, si Çoliçi e Bregoviçi, të cilit zoti Rama, si ish-Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i dorëzoi edhe çelësin e kryeqytetit, apo lëshimet e tjera që i janë bërë Serbisë, nuk kanë lindur mbi një truall shterp dhe aspak pas vitit 1990. Ato e kanë zanafillën pikërisht te kompleksi i inferioritetit dhe te fryma prej skllavi që Enver Hoxha manifestonte në marrëdhëniet me Beogradin, duke i mëkuar popullit ndjenja antinacionaliste që prej 8 nëntorit të vitit 1941, ndjenja këto, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta mbajnë të karfosur klasën politike shqiptare të Shqipërisë Londineze.
Nga sa parashtrova më lart, dëshiroj të theksoj se zonja Nimfa Hakani mua më falënderonte për botimin e reagimit tim ndaj artikullit të saj. Nuk e kuptoj zellin e zotit P. Gjerazi që, për të më sulmuar mua me shpifje, kërkon të bëhet më katolik se papa apo që pula s’ka e ia bën “ish!”
Me sa duket, zoti P. Gjerazi duhet ta ketë një arsye që më sulmon me shpifje që janë armë e njerëzve pa karakter. Ndoshta diku “e ka vrarë samari” keq, por nuk ka burrërinë ta pohojë ballazi, por vetëstruket brenda vetes, pa pasur guximin ta shkruajë të plotë as emrin e vet. Është e habitshme që në kushtet e demokracisë burri i botës ende nuk ka arritur të çlirohet nga autocensura.
Dyshoj se pikërisht ky P. Gjerazi duhet të ketë qenë ai që më pati sulmuar me shpifje edhe në fund të muajit dhjetor 2013, në rubrikën komente, pas botimit të artikullit tim me titull “Eqerem Canaj, një poet-shkrimtar me një individualitet të befasishëm”, në faqen internetike të gazetës “Fjala e Lirë”, 27 dhjetor 2013. Në atë koment ky njeri i autocensuruar nuk qe prezantuar as me emër, as me mbiemër, por vetëm me adresën elektronikegjerazi@yahoo.com. Prandaj unë ia ktheve përgjigjen në një artikull me titull “Në gjurmët e një heroi të satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit”, të botuar po në gazetën “Fjala e Lirë”, më 29 dhjetor 2013.
Ky skllav i autocensurës le të vazhdojë të shpifë kundër meje, se edhe unë do ta vazhdojë ta demaskoj si një njeri të pakarakter që s’e ka burrërinë të dalë në sheshin e mejdanit, por rri e struket vrimave si puna e cironkës së satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit.
Më poshtë po radhis ca fakte, sa për kujtesë, që zoti P. Gjerazi t’i ketë parasysh se cila ka qenë figura e Enver Hoxhës, sidomos në përpjekjet e tij të ethshme për ta përfshirë Shqipërinë nën juridiksionin e Jugosllavisë, si Republikë e Shtatë.
Së pari: Miladin Popoviçi, pasi mori në dorë Rezolutën e Konferencës së Mukjes, e zhubraviti, e bëri shuk dhe ia përplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe Enver Hoxha, si një servil i pështirë i emisarit jugosllav, për turpin e tij dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk mundi të reagonte siç i takonte një njeriu me dinjitet kombëtar. Përkundrazi, ai heshti tamam si ndonjë qen i rrahur para agait të tij serbomadh. Këtë fakt të turpshëm për biografinë e Enver Hoxhës, e ka zbuluar në Arkivin e Shtetit Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. Por le të lexojmë një informacion më të hollësishëm për këtë ngjarje poshtëruese në historinë e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në jetëshkrimin e udhëheqësit të saj, kukullës së Beogradit Enver Hoxha,që tërhiqej zvarrë para shovinistit Miladin Popoviç:
“Xhelal Staravecka,i pranishëm në momentinkur erdhi letra e Ymer Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi atmosferën që krijoi ky lajm:
“Gjendeshim me shokët e KQ, në mes të të cilëve ishte dhe Miladini,kur arrin korrieri dhe solli Proklamatën e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm Proklamatën dhe e lexuam.Të gjithëve na u ndezën fytyrat nga gëzimi për arsye se u mbërrit bashkimi. Mandej, gjysmë shqip e gjysmë serbisht (përr arsye se unë nuk di serbishten e Miladini nuk di shqip) disi i shpjegova çka ishte shkruar në Proklamatë. Fytyra e Miladinit menjëherë u ndryshua dhe tha:
“Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me u ra me shpata e jo bashkime me qej(qenër).E mandej ajo Shqipëria etnike! Nanën e saj!”.
Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u detyruam me thanë:
Po,po! Do të shohin këta nacionalistë për disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe më mirë…dhe do u themi:
Qe Shqipëria juaj Etnike! Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit” [V.Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1939-1948),Beograd,1949, f.112. Citohet sipas: Prof.dr. Muharrem Dezhgiu.“Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943). Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja”. Tiranë, 2005, f. 316].
Së dyti: Në Plenumin e Beratit të muajit nëntor të vitit 1944, emisari jugosllav, Velimir Stojniç, deklaroi:
“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste; …e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë” (Stefanaq Pollo, Arben Puto. “The History of Albania from its origins to the present day”. Routledge & Kegan Paul Ltd. 1981, f. 245. Citohet sipas: Mërgim Korça. “Kush e shkruan historinë”. Gazeta “Metropol”. 17-18 korrik 2012).
Së treti: Prof.as.dr. Elmas Leci, drejtor i Institutit të Studimit të Problemeve të Sigurimit dhe të Mbrojtjes në Tiranë, në shkrimin e tij “A e shiti Enver Hoxha Kosovën”, shkruan:
“Në shtëpinë e tij, në verën e vitit 1999, Fadil Hoxhës i bëra pyetjen: “A kishte kontaktuar dhe a ia kishte bërë ndonjëherë prezent Enver Hoxhës çështjen e rëndë të Kosovës?”. Fadil Hoxha m’u përgjigj: Po, kam shkuar te Enver Hoxha në Tiranë në dhjetor të vitit 1945, inkonjito, pa lejen e Titos, së bashku me Zekeria Rexhën, dhe i kam shtruar si gjendjen e rëndë nën Serbi ku ndodhen kosovarët, ashtu edhe se ç’duhet të bënim. Kjo ishte bisedë shqiptarësh, e mendoj, për shqiptarët. Biseda e zhvilluar në kabinetin e Enverit, në vend që të bëhej preokupim i qeverisë shqiptare, kishte mbërritur, para kthimit tim, te Titoja”.
Kështu e mbylli deklarimin e tij ish-udhëheqësi kryesor i Kosovës dhe në një periudhë kohe edhe President i Jugosllavisë, Fadil Hoxha” (Citohet sipas: Xhafer Leci: “Fadil Hoxha nuk e meriton ngritjen e një përmendoreje”. Marrë nga “Tribuna Shqiptare”. 05 mars 2014).
Së katërti: Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:
“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).
Me këtë porosi të prerë që jepte tradhtari Enver Hoxha për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ai çonte në vend urdhrin e Beogradit, të këtij armiku shekullor të kombit shqiptar, për gllabërimin sa më të shpejt të vendit tonë nga ana e shovinizmit serbomadh, urdhër ky, të cilin Velimir Stojniçi ia përcolli tre vjet më parë Partisë Komuniste të Shqipërisë në Plenumin e 2-të të Beratit që u përmend më lart. Kjo kërkesë e ngutshme për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me Jugosllavinë, dëshmon për natyrën prej frikacaku dhe prej njeriu të pakarakter të Enver Hoxhës, i cili nuk kishte kurrfarë besimi në forcën krijuese dhe në shpirtin e paepur të popullit shqiptar, i cili mund të bëjë me të vërtetë mrekullira kur udhëhiqet nga politikanë me vetëdije të lartë kombëtare. Si një njeri pa shtyllë kurrizore, Enver Hoxha kërkonte t’ia vishte edhe popullit shqiptar tiparet e tij prej langoi të Beogradit.
Së pesti: Pas kthimit nga vizita në Bullgari në dhjetor të vitit 1947, në mitingun e organizuar në Sheshin “Skënderbej”, Enver Hoxha iu drejtua të pranishmëve me thirrjen:
“…Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947. Cithet sipas: Dr. Vasfi Baruti. “28 nëntori i tretë”. Botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”. Tiranë 2006, f. 32).
Së gjashti: Pas takimit që nacionalisti i shquar kosovar Halim Spahia pati me Titon pas luftës, i cili e refuzoi kërkesën e tij për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai vendosi të vinte në Shqipëri.
“Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur”. (Citohet sipas: “Halim Spahia – Uikipedia”. Marrë nga faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet, ky nacionalist i shquar, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave, të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Së shtati: Në një takim që përfaqësuesi i misionit amerikan në Tiranë Jakobs ka pasur me Enver Hoxhën më 16 tetor 1946, i ka thënë këtij të fundit se Shqipëria mund të shtrojë si çështje futjen në axhendën e Konferencës së Paqes në Paris të kërkesës pë rajonin e Kosovës. Madje ai e ka pyetur ballazi:
“A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?”.
Dhe Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës, dha këtë përgjigje:
“…ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 516).
Konferenca e Paqes e vitit 1946 në Paris, ishte një shans ideal që Shqipëria të kërkonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke pasur edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës dhe vegël e verbër e Titos, nuk deshi ta shfrytëzonte këtë rast fatlum në të mirë të interesave tona kombëtare.
Së teti: Në takimin me Molotovin, ministrin e jashtëm të BRSS, takim ky që u zhvillua në Varshavë më 24 qershor 1948, Enver Hoxha deklaroi:
“Letra e KQ PKP(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh. Shqipëria dhe Partia Komuniste e Shqipërisë u ndodhën në një rrezik të madh si rezultat i veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë” (Citohet sipas: “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet TOENA. Tiranë 2006, f. 174).
Para gjashtë muajsh, Enver Hoxha kërkonte ta bashkonte Shqipërinë me çifligun jugosllav të agait Tito. Gjashtë muaj më pas, ai braktisi çakallin jugosllav, për të përfunduar në strofkën e ujkut rus.
Së nënti: Në letrën që Enver Hoxha i dërgonte Stalinit në vitin 1949 për Kosovën, deklaronte:
“Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i pamëshirshëm… është imperializmi amerikan…” (po aty, f. 257).
Me këtë deklaratë, Enver Hoxha, si një servil i regjur, binte në bark para agait të Kremlinit, duke mohuar në mënyrën më të paturpshme kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, të cilën ujqit evropianë kërkonin ta copëtonin përfundimisht, duke e fshirë një herë e mirë nga harta e Evropës, për interesat e shovinizmit serbogrek. Ky kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u manifestua në mënyrën më të shkëlqyer edhe në mbrojtje të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999.

Sarandë, 29 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: ESHREF YMERAJ, Shpifja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4656
  • 4657
  • 4658
  • 4659
  • 4660
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT